• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shtatori iku dhe nuk u pamë

September 30, 2019 by dgreca


Nga Ilir Levonja/
Që prej 21 qershorit 2019, opozita nuk proteston. U fol për ditë të nxehta, pushime, se njerëzit nuk mblidhen për shkak të impenjimeve të verës etj., arsye shqiptare këto, ndërkohë që shkoi edhe vet me pushime! Mesazhi, do shihemi në shtator. Protesta e 21 qershorit po ta gjykosh nga pjesëmarrja, nga prurjet krahinore, nga skandalet e përgjimeve, nga konfliktualiti i vazhdueshëm social në lidhje me partneritetin publik privat, konfliktualiteti i vazhdushëm me grupet për mbrojtjen e memories historike dhe kulturore, pa përmendur çështjen kombëtare si rasti i një marrëveshje treshe për kufijtë e Kosovës, konfliktualitetin institucional president qeveri komision zgjedhor etj., pa përmendur mbajtjen e një palë votimeve moniste pa alternative por me saze. Pa përmendur faktin se asnjë nga të përgjuarit apo nga ata të të kapurit me presh në dorë për vjedhjen e votës nuk është sot kontingjent drejtësie, por përkundrazi kanakar tavolinash bisedimesh po për sistemin zgjedhor. Nga ana tjetër sistemi ekonomik, ku deficiti thellohet dhe pagat e shqiptarëve apo pensionet, akoma nuk u afrohen atyre në vendet përreth, jo më t’i kapin, megjithëse u mbushën plot 30 vjet ekonomi tregu, prapë xhepat po na i rrënon propaganda. Pra, protesta e 21 qershorit qe një nga më të mëdhatë, një nga ato më fisniket e cila iu bashkua mendësisë së vendeve perëndimore. Protesto me forcë jo me dhunë. Dhe mirë u bë. Dhe duhet të ndodhi kështu me çdo qeveri qëllimi i secilës devijon sikur 1 milimetër nga programi elektoral, se ndryshe nuk ka demokraci dhe ekonomi tregu më. Qe si me thënë një mbyllje protestash që erdhën si pasojë e buzës së plasur të studentëve, fermerëve që derdhnin qumështin rrugëve, shoqërisë civile që nuk e përfilli kërkush etj. Me një sfidë të madhe politike vërvitjen e ca mandateve kallpe etj. Madje qe kjo sfidë që i afroi njerëzit megjithë dritëhijet e ca tipave opozitarë që akoma mbajnë erën e djersëve të komunizmit. Por u mbyllën të gjitha me një togëfjalësh, shihemi në shtator. E sot shtatori iku e ne nuk u pamë. Tani kanë filluar të tjera insinuata, marrëveshje nën zë, biseda a ulje në tryezë me Damo Tërmetin, atë që i q… robtë Dibrës. Nuk e di ku qëndron ekzistenca opozitare këtu, kur rrugët janë bosh, televizonët po të njëjtit kanakarë të pa rruar e me shallvare. I njëjti refren monoton me drejtësinë për peshqit e mëdhenj. Dhe mos harroni një vend që nuk dënoi krimet e komunizmit nuk ka pasur dhe nuk ka për të patur kurrë ndërmend për të dënuar peshq të mëdhenj. Sepse nuk e kupton se si funksionon shteti, nuk ka kulturën e mjaftueshme shtetarë. Eshtë i mbytur nga dhuna e njëshave, nga bindja për të qënë në rresht. Ose atë që ka, atë çikëz kulturë, e ka të mbytur nga propaganda se sa nga hallkat. Dhe kjo ndodh kur vazhdimisht harron qëllimisht dhe shkon me pushime për të mos u kthyer më. Iku shtatori Lul opozitari dhe nuk u pamë gjëkundi. Madje përshtypja është sikur nuk kemi më opozitë, por ca grindavecër të lodhur pushimesh.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja-Shtatori Iku-nuk u pame

SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT ANASHKALON SHQIPËRINË DHE KOSOVËN

September 27, 2019 by dgreca

 SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT MIKE POMPEO ANASHKALON SHQIPËRINË DHE KOSOVËN/

Nga Frank SHKRELI/                                           

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) sapo njoftoi zyrtarisht se javën që vjen Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të vizitojë Ballkanin disa vende të Perëndimor.   Sipas itinerarit të njoftuar nga DASH, kryediplomati amerikan do të fillojë turnerun e tij me një vizitë në Itali dhe në Vatikan dhe pastaj do të ndalojë në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, duke e përfunduar vizitën në atë pjesë të Evropës me një vizitë edhe në Athinë të Greqisë.   E gjithë kjo vizitë do të zgjasë nga 1 deri me 6 tetor.

Sipas njoftimit të DASH, Sekretari Amerikan i Shtetit do të marrë pjesë në një simpozium të organizuar nga Shtetet e Bshkuara dhe nga Vatikani, në bashkpunim me disa organizata fetare, ku dhe pritet që Mike Pompeo të mbajë një fjalim me atë rast.   Si pjesë e vizitës së tij në Vatikan, Kryediplomati amerikan do të pritet n[ jk[ audience private nga Papa Françesku dhe do të takohet me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardianlin Parolin dhe me Sekretarin përgjegjës për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Kryeipeshkvin Gallagher.

Në Romë Sekretari Amerikan i Shtetit do të takojë Presidentin Italian, Mattarella, Kryeminsitrin Conte dhe Ministrin e jashtë të Italisë, Di Matteo.   Siç dihet, Sekretari Amerikan i Shtetit është me origjinë italiane dhe gjatë qëndrimit të tij në Itali ka vendosur të vizitojë edhe krahinën Abruzzo, prej nga ka prejardhjen familja e tij.

Nga Italia, Kryediplomati Amerikan do të udhtojë për në Ballkanin Perëndiomor, duke u ndaluar në Podgoricë të Malit të Zi, ku do të zhvillojë bisedime me Presidentin Gjukanoviq, me Kryeministrin Markoviq dhe me Ministrin e Jashtëm malazez, Darmanoviq.  Nga Podgorica, Mike Pompeo do të shkojë në Shkup të Maqedonisë së Veriut për bisedime me Presidentin e atij vendi, Pendarovski, me Kryeministrin Zaev dhe me zyrtarë të tjerë maqedonas.  Nga Shkupi, ai udhton për në Athinë ku edhe atje do të takohet me udhëheqsit më të lartë të Greqisë, Kryeministrin Mitsotakis, Ministrin e Jashtëm Dendias dhe Ministrine Mbrojtjes Panagiotopoulos.

Ndonëse gjatë këtij turneu, Sekretari Amerikan i Shtetit nuk do të jetë jo më larg se “një vrap pele” nga Tirana dhe Prishtina, për një arsye ose për një tjetër ka vendosur që të mos ndalojë në truallin shqiptar.  Unë besoj se arsyeja–se pse Sekretari Pompeo nuk do të shkojë në Tiranë dhe në Prishtinë– është ngërçi politik dhe gjëndja e mbrendshme kaotike politike, jasht kontrollit, për sa kohë tani në Shqipëri dhe deri diku edhe në Kosovë.   Jam i bindur se zyrtarët amerikanë u kanë thënë troç udhëheqësve më të lartë shqiptarë të Tiranës dhe Prishtinës se çfarë pritet prej tyre, për një vizitë të tillë — në takimet që patën në Nju Jork me diplomatët e lartë amerikanë, Mathew Palmer dhe Philip Reeker, ditët e fundit, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.  

 I vetmi lajm pozitiv për marrëdhëniet dypalëshe, nga këto takime, ishte njoftimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të zgjerojnë shkëmbimin e studentëve dhe studiuesve përmes Programit Fulbright.

Mos u vini vesh fotografive të botuara në portalet zyrtare të udhëheqsve të Shqipërisë dhe të Kosovës me zyrtarët amerikanë në Nju Jork dhe as mos i vini vesh as informacionit të botuar prej tyre dhe prej mediave pro-zyrtare të tyre, në të cilat flitet për bisedimet miqësore e të suksesshme, por nuk thonë asgjë për ato që mund tu kenë thënë atyre zyrtarët amerikanë.  Unë jam i bindur se Philip Reeker dhe Mathew Palmer, të pakën nga pikëpamja amerikane, ua kanë njehur një nga një “detyrat e shtëpisë” që duhet të bëjë kjo klasë politike në trojet shqiptare, nëqoftse me të vërtetë janë serioz, për bërjen një herë e mirë të reformave demokratike, të cilat do të çojnë, më në fund, Shqipërinë dhe Kosovën drejtë antarësimit në Bashkimin Evropian dhe në integrimet e përgjithshme euro-atlantike.

Nuk është mjaft të thuhet se gjatë bisedimeve, ata u siguruan se Shtetet e Bashkuara mbështesin reformat demokratike dhe rrugëtimin evropian të shqiptarëve, siç u shprehen zyrtarët shqiptarë, pas bisedimeve me diplomatët amerikanë.   Shtetet e Bashkuara kanë qenë në favor të kësaj politike tash 30- vjet, jo vetëm ç’prej shembjes së komunizmit, por edhe shumë më përpara.   Pyetja është nëse ju — kjo klasë aktuale politike – jeni të vullnetshëm dhe të gatshëm për një gjë të tillë.   Deri më sot, Tirana dhe Prishtina zyrtare, me veprimet e tyre, fatkeqsisht, e kanë treguar se nuk janë të gatëshëm as nuk kanë vullnetin e nevojshëm, as nuk janë serioz të ndërmarrin përgjegjësitë dhe detyrimet që u takojnë, për një rrugëtim të tillë, ashtu siç ka bërë pjesa tjetër e ish-vendeve komuniste të Evropës dekada më parë.

Anashkalimi i Tiranës dhe Prishtinës nga Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo, gjatë turneut të tij në Ballkanin Perëndimor javën që vjen, nuk është i pari anashkalim i tillë nga zrytarë të lartë amerikanë.   Gjatë vitit të kaluar dhe më heret, ka pasur raste të tjera që diplomatë dhe zyrtarë të lartë amerikanë nuk kanë vizituar kryqytetet shqiptare, megjithëse kanë vizituar shtetet fqinje aty afër.  Është pak e çuditshme kjo, pasi politika amerikane tenton gjithashtu që të trajtojë një politikë rajonale kur është fjala për Ballkanin Perëndimor.  Por, arsyen se pse Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo nuk po viziton Shqipërinë e Kosovën gjatë turneut të tij në Ballkanin Perëndimor javën e parë të tetorit, mos e kërkoni në portalet zyrtare as në fejsbukun e zyrtarëve më të lartë shqiptarë, të cilët takimet me zyrtarët e lartë amerikanë në Nju Jork i përshkruan (të ilustruara me fotografi) si të suksesëshme dhe miqësore, ku sipas tyre mund të konstatohet se nuk ka asnjë problem në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.   Besoj se ky nuk është një pasqyrim i vërtetë i bisedimeve dhe as i gjëndjes së marrëdhënieve aktuale midis dy vendeve.  Ka një ndryshim të madh midis atyre që thuhen në publik dhe bisedimeve serioze që zhvillohen me dyerë të mbyllura.

Arsyen e anashkalimit të Tiranës dhe Prishtinës nga kryediplomati amerikan Pompeo gjatë vizitës së tij në Balllkan, kërkojeni në kollapsin ose shembjen e përgjithshme të rendit politik, sidomos në Shqipëri.   Kërkojeni në ngërçin politik shqiptar, në të dy anët e kufirit.  Kërkojeni në mungesën e normalitetit të gjëndjes së përgjithshme politike.   Kërkojeni, por jo vetëm, në trafikimin e drogës, në krimin e organizuar e në korrupsionin që ka përfshirë të gjitha nivelet e shtetit, të qeverisë dhe të shoqërisë në përgjithësi.   Kërkojeni, sidomos, në mungesën e sundimit të ligjit!   Kërkojeni në zbrazjen biblike të trojeve shqiptare, sidomos nga të rinjtë dhe të rejat shqiptare të cilët konsiderojnë se kjo klasë politike nuk u jep asnjë shpresë as përspektivë për një jetë normale në atdheun e tyre.   Jam i sigurt se në “ngrirjen” aktuale të zhvillimit normal të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane po ndikojnë jo pak –duke u prekur ato negativisht edhe –flirtimet e udhëheqsve shqiptarë, – si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë — me influenca të huaja, siç janë Turqia, Rusia dhe Kina.  

Jeni ende me këmbë në kapërcyell.  Uluni nga kapërcelli, ose këndej ose andej!

Gjëndja aktuale e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në përgjithësi, duhet të shqetësojë të gjithë ata të cilëve me të vërtetë u interesojnë marrëdhëniet e mira midis dy kombeve tona.   Është një gjëndje e papranueshme, për të cilën disa prej nesh, shumë më heret, kemi shfaqur shqetësimin tonë.   Por ja, fatkeqsisht, ku jemi sot, shqetësimi po vërtetohet.   Koha është tani që ky rrugëtim aktual i pa dëshirueshëm në marrëdhëniet e “ngrira” amerikano-shqiptare, të ndryshojë para se të jetë vonë.   I takon kësaj klase politike të veprojë, sa më shpejt, aq më mire që këto marrëdhënie të vendosen në shinat e duhura. Marrëdhëniet e ngrira midis Shteteve të Bashkuara dhe shqiptarëve nuk janë në interesin afat shkurtër dhe as afat gjatë të Shqipërisë, të Kosovës dhe as të shqiptarëve në përgjithësi!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli- Mike Pompeo-Ballkan-Jo Shqiperi e Kosove

DUKE PARË PORTRETIN E JOZEF L. RADIT

September 26, 2019 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika/
Duke parë në face book-un e Jozef  Radit portretin e tij, portret në ngjyrë bronxi , më shfaqen si në film shumë vuajtje të këtij qytetari që lindi në internim dhe mbeti në Savër deri në moshën 35 vjeçare, kur ishte burrë i martuar me tre femijë. Në këtë fytyrë ndjej bekimin që mori nëna e tij, pas daljes nga burgu më 1956, kur shkoi gjunjazi e iu lut Shën Anout te kodra e Laçit për t’i dhënë një djalë, që të mos shuhej familja Radi. Dhe Zoti i a dëgjoi lutjen e ia polotësoi kërkesën duke i dhënë dy djem: Jozefin dhe Luçianin, si dhe një vajzë, Adrianën.     
Në portretin e Jozefit ashtu si në atë të babait të tij, Lazrit, erërat e nxehta e të thata dhe ato të ftohtat plot lagështirë të Myzeqesë, kanë lënë gjurmët e tyre. Ua reshkë ballin këtyre të përndjekurve dhe bashkëvuajtëve të tjerë, por as erërat as fortunat politike nuk ua mposhtën shpirtin dhe mendjen. Ato ua kalitën e ua kthyen shpirtin dhe fytyrën në monumente broxi.
Jozefi i ndënji më pranë babait dhe e ndihmoi për t’i krijuar kushte pune si gjatë internimit dhe mbas tij. Frut i kësaj ndihme të përkushtuar janë botimi i veprës seriale në 17 volume i krijimtarisë së Lazër Radit, një korpus madhor i një të përndjekuri që ia kushtoi gjithë energjitë e tij krijuese emancipimit dhe formimit letrar e moral të popullit të vet.
Ky potret në ngjyrë bronxi dhe stilolapsi i varur në anën e majtë të buzëve, si cigarja e Petro Markos, dëshmojnë për përbuzjen ndaj vuajtjeve edhe për durimin këmbëngulës në punën krijuese. Kush ka pasur rast të lexojë shkrimet e Jozef Radit te revista internetike RADIANDRADI ndjen forcën krijuese të një talenti. Kush ka dërguar për publikim shkrime tek kjo revistë, ka shijuar ngritjen e nivelit të shkrimeve të veta përmes ilustrimeve të goditura dhe faqosjes plot gusto e zgjuarësi që u është bërë këtyre shkrimeve prej publikuesit artist.
Jozef Radi, bashkë me babain e vet Lazrin, me Profesor Sami Repishtin, Arshi Pipën, Martin Camajn, Atë Zef Pëllumbin, Jusuf Vrionin, Visar Zhitin, Jorgo Bllacin, Vehbi Skënderin, Zydi Moravën, Lek Pervizin, Eugjen Merlikën, Genc Korçën, Reshat Kripën, Fritz Radovanin, Profesor Idriz Luzajn, bijtë e bijat e familjeve Markagjoni, Kupi, Mirakaj, etj, me qërdrimin e tyre burrnor në burgjet dhe kampet e internimit dhe me veprën e tyre letrare artistike e publicistike, bëjnë pjesë në ajkën e inteligjencës shqiptare të këtyre 75 vjetëve të fundit të shoqërisë shqiptare. Vepra e tyre realiste letrare e publicistike ka krijuar rrymën e shëndoshë të mendimit politik e letrar shqiptar, së cilës i përket e ardhmja.
Avokati Spartak Ngjela ka të drejtë kur thotë se bijtë e këtyre të përndjekurvre, që kanë kryer shkollat e larta në botën Perëndimore, të cilët bëjnë pjesë në ekselencën e re intelektuale shqiptare, janë të gatshëm ta qeverisin Shqipërinë për ta shpënë me dinjitet në Bashkimin Europian.
I u lutem bijve dhe nipërve të ish-shërbëtorëve të diktaturës, që të lexojnë veprat e këtyre të përndjekurve për t’u kthjelluar si u kthellova unë pasi njoha jetën plot vuajtje dhe veprën e këtyre bijve të shquar të popullit tonë. Ky hap do t’i ndihmojë të kthjellohen dhe çlirohen prej drogës komuniste që kanë marrë nëpër familjet e tyre dhe gjatë viteve të shkollimit dhe do t’i afrohen kulturës së vërtetë qytetare, që nuk merret me sharje e fyerje personash, por me ndërtimin e një strategjie për mbarëvajtjen e çeshtjes kombëtare për krijimin e një kulture, të një letërsie kombëtare dhe të një shteti kombëtar shqiptar…









Filed Under: Opinion Tagged With: Josef Radi-esse-Thanas Gjika

BE dhe SHBA nuk duhet ta neglizhojnë prezencën e Kinës dhe Rusisë në Ballkan

September 25, 2019 by dgreca


BE dhe SHBA nuk duhet ta neglizhojnë prezencën e Kinës dhe Rusisë në Ballkan Nga Akri Çipa/ The Globe Post/

Pas luftërave katastrofike dhe traumatike të viteve 90’, Ballkani përjetoi dy dekada stabilitet dhe progres demokratik. Bashkimi Europian, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, luajtën një rol kritik në pajtimin e popujve të rajonit, në mbështetjen dhe thellimin e proceseve shtet-formuese dhe në rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik. Këto procese u lehtësuan nga mungesa e aktorëve të tjerë të huaj në rajon.

Por, investimet në rritje të Kinës si dhe aktivitetet e reja të Rusisë në rajon, në një kohë kur  Bashkimi Europian duket i lëkundur në çështjen e zgjerimit, kanë ngritur stekën. Prezenca e Pekinit dhe Moskës mund të kërcënojë paqen, të pengojë demokratizimin dhe të sfidojë orientimin perëndimor të rajonit. Për t’iu kundërvënë këtyre influencave, nevojitet më shumë lidership dhe angazhim nga partnerët perëndimorë.

Influenca e Rusisë në Ballkan

Vëzhguesit dhe vendimmarrësit në Bruksel dhe në Uashington kanë qenë gjithmonë të vëmendshëm ndaj aktiviteteve destabilizuese ruse, që synonin të pengonin pajtimin e vendeve të Ballkanit.

Nën sundimin e Vladimir Putin, Rusia i ka konsideruar konfliktet e tejzgjatura të rajonit si asete që mund t’i lëvrojë për të ruajtur influencën mbi aktorët vendas dhe për të vonuar integrimin e shteteve të Ballkanit në organizatat perëndimore. Kjo ishte evidente në kundërvënien e Rusisë ndaj marrëveshjes ndërmjet Greqisë dhe tashmë Maqedonisë së Veriut për emrin zyrtar të kësaj të fundit. Është gjithashtu e theksuar në mënyrën se si Rusia ndërhyn në konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, tashmë Rusia po shkon përtej mbështetjes së thjeshtë diplomatike për aleatët e saj në rajon dhe shfrytëzimin e konflikteve të mbetura. Muajt e fundit, Rusia ka fuqizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kapacitetet ushtarake të Serbisë me armatime të reja. Këto prokurime ushtarake u kanë dhënë zemër nacionalistëve të thekur. Për t’u përmendur është rasti i Ministrit serb të Mbrojtjes Aleksandar Vulin, i cili deklaroi se armët që Serbia po merr nga Moska shërbejnë si “garanci që Ballkani do të jetë në paqe”. Në të njëjtën kohë, ka sugjerime se Rusia po synon një bazë ushtarake në Republika Srpska, entitetin e dominuar nga serbët në Bosnje-Hercegovinë.

Rusia gjithmonë ka luajtur rolin e plangprishësit në gadishull, por aktivitetet e kohëve të fundit tregojnë se po bëhet shumë më kategorike. Megjithatë, Rusia mund të promovojë destabilizimin nëpërmjet aktiviteteve politike dhe diplomatike, duke i shtuar së fundmi edhe një element ushtarak, por nuk është e aftë të konkurrojë në të njëjtin nivel me Bashkimin Europian në Ballkan për shkak të mungesës së resurseve ekonomike. Por, një sfidë e tillë për politikën e BE-së në Ballkan mund të vijë nga Kina, e cila po e zgjeron influencën e saj në rajon.

Influenca e Kinës në Ballkan

Investimet kineze në Ballkan kanë ardhur duke u rritur dhe duke e shndërruar gradualisht Kinën në një lojtar të rëndësishëm nëpërmjet projekteve ekonomike. Kina po e realizon këtë në mënyrë të organizuar dhe përmes një platforme të qartë.

Të gjitha vendet e Ballkanit – me përjashtim të Kosovës, të cilën Kina nuk e njeh – janë pjesë e platformës së bashkëpunimit 17+1. E nisur në vitin 2012 si 16+1 me qëllimin për të rritur bashkëpunimin me pesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me njëmbëdhjetë vende anëtare të BE-së, platforma u zgjerua me Greqinë këtë vit dhe është tashmë një pjesë integrale e iniciativës madhore të Kinës, “Një brez, një rrugë”.

Investimet kineze në Ballkan janë kryesisht të përqëndruara në Serbi dhe përfshijnë modernizimin e aseteve në pronësi kineze, sikurse dhe oferta për të ndihmuar këtë të fundit në ndërtimin e rrjetit 5G.

Përveç Serbisë, Kina është duke bërë dhe investime të rëndësishme infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinë dhe në Mal të Zi. Por, Kina duket tashmë e gatshme të shkojë një hap më përpara. Këtë muaj, zyrtarët serbë deklaruan se Kina ka rënë dakord t’i shesë Beogradit dronë të armatosur. Kjo do e bëjë Serbinë vendin e parë europian që importon dronë luftarakë nga Kina, duke i dhënë prezencës së kësaj të fundit në Ballkan një dimension të ri.

Implikime afatgjata

Vendet e Ballkanit janë orientuar drejt perëndimit dhe Bashkimi Europian mbetet deri më tani i vetmi projekt politik për rajonin. Megjithatë, qëndrimi dhe aktiviteti destabilizues rus mund të minojë progresin demokratik dhe stabilitetin e rajonit, ndërsa prezenca kineze ka rreziqe të tjera dhe frymëzon mungesën e transparencës dhe praktikat korruptive. Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përballen së shpejti me një realitet të vështirë teksa janë treguar papërgjegjshmërisht të hapur ndaj granteve dhe borxheve kineze.

Ndërkohë që Rusia dhe Kina po bëhen më imponuese në Ballkanin Perëndimor, qasjet e tyre ndryshojnë nga njëra-tjetra. Moska kombinon soft power me një qëndrim në çështjet e sigurisë rajonale. Pekini është i fokusuar në rritjen e investimeve dhe gjurmës ekonomike, duke shmangur deri tani pozicionimin në çështjet gjeopolitike.

Kina dhe Rusia kanë objektiva të ndryshme në rajon, por, përpara lidershipit të mangët të BE-së, prezenca e tyre rrezikon të ketë pasoja afatgjata për rajonin.

Limitimi i influencës ruse dhe kineze

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara mund dhe duhet të jenë më aktive dhe efektike në zvogëlimin e rreziqeve që vijnë nga aktivitetet e Kinës dhe Rusisë në Ballkan. Ata mund ta bëjnë këtë duke ripërtërirë përpjekjet për të shtyrë vendet e rajonit në reformat kundër korrupsionit, si edhe duke luftuar më aktivisht kanalet e dezinformimit dhe duke mbështetur llogaridhënien dhe shtetin ligjor.

Mbështetja e ripërtërirë për proceset shtet-formuese dhe rritja e transparencës do të godisnin praktikat korruptive që frustrojnë popullatat vendase dhe krijojnë konditat për rritjen e influencës së Kinës dhe Rusisë. Kjo do të duhej të shoqërohej me një projekt dhe përkushtim të rifreskuar nga aktorët perëndimorë për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor.

Brukseli dhe Uashingtoni nuk mund të neglizhojnë prezencën e Rusisë dhe të Kinës në Ballkan. Pasojat mund të jenë të rënda.

Përkthyer nga The Globe Post: https://theglobepost.com/2019/09/20/russia-china-balkans/

Filed Under: Opinion Tagged With: Akri Cipa-Ballkani-Rusi dhe Kina

Shkolla Shqipe “Vatra” Tampa Bay Hapet me 12 Tetor !

September 23, 2019 by dgreca

Shkolla shqipe që funksionon nën kujdesin e degës së VATRËS në Tumpa Bay, njofton komunitetin në Tampa Bay-Clearwater, se shkolla për fillimin e vitit te ri  shkollor 2019-2020, hapet në datën 12 tetor ora 3 pasdite.

Ashtu si vitet e kaluar nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë gjuhën e bukur Shqipe, kulturë, tradita dhe histori shqiptare.Kush ka dëshirë t’i sjelli fëmijtë e tyre nga mosha 7 deri në 15 vjec janë të mirpritur

Ju lutem kontaktoni në këta numura tel :
Isuf Spahia 727-4596713
Mimoza Traga 727 -276 5091
Adressa e Shkollës Shqipe
1200 S Keene Rd
Clearwater FL 33756

Filed Under: Ekonomi, Opinion Tagged With: Shkolla Shqipe-Tampa Bay-Mimoza Traga-Isuf Spahia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 370
  • 371
  • 372
  • 373
  • 374
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHUHET VATRANI KUJTIM FUNICI, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI
  • Ditëlindja e Skënderbeut, kujtesë, frymëzim dhe thirrje për bashkim
  • Lavdi luftës çlirimtare dhe respekt për çlirimtarët e kombit!
  • Kujtojmë në ditën e lindjes shkrimtarin Vath Koreshi, një zë origjinal i letërsisë dhe kinemasë shqiptare
  • PROF. DR. JUSUF ZEJNELI – REKTOR ME VIZION NDËRKOMBËTAR DHE ARKITEKT I MODERNIZIMIT TË AKADEMISË SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT
  • Përtej së mirës dhe së keqes: Morali si strategji e vetëmbrojtjes
  • “Kosova në NATO, kështjellë e interesave të ShBA në rajon”!
  • PA AMERIKË NUK KA KOSOVË
  • MEMORIALI I “VATRES” DREJTUAR PRESIDENTIT, WILSON DHE ‘ÇËSHTJA E ADRIATIKUT”
  • Ndarja në vilajete e territoreve shqiptare si përpjekje e osmanëve për të penguar vetëdijen e përbashkët kombëtare të shqiptarëve
  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT