• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESË- GJURMË TË NJË MËSUESI DHE SPORTISTI ME EMËR

April 19, 2019 by dgreca

                  -Me rastin e dy vjetorit të ndarjes nga jeta në Boston të Zhani Pilikës/

                                                     Nga Fuat Memelli/*

Nxitje për këtë shkrim u bë një përkujtimore e mbajtur në kishën shqiptare, Shën Trinia në Boston, me rastin e dy vjetorit të ndarjes nga jeta të mësuesit dhe sportistit të përkushtuar korçar, Zhani Pikika. Por, siç u shprehën disa pjesëmarrës, një përkujtimore, është pak për këtë njeri. Njerzit që kanë lënë gjurmë në historinë e një qyteti apo fshati, meritojnë më shumë. Ata e mbaruan misionine tyre, por nderimi për ta, nuk duhet të shuhet.

RRUGA SI MËSUES

Ishte viti 1954 kur Zhani kur mbaroi shkollën Pedagogjike në Korçë . Dëftesa e tij kishte gjithë notat pesa, notat më të mira të asaj kohe. Ëndëronte të vazhdonte shkollën e lartë por një “ njollë” në biografi nga gjyshi, e pengoi. Shokët e tij moshatarë si Xhevat Lloshi, Andonaq Lubonja, Dhimitër Orgocka, Viktor Gjika, Pirro MIlkani, Andrea Marjani, et, vazhduan shkollën , dikush në Shqipëri e dikush jashtë, ndërsa ai, jo. Kjo e mërziti djalin e ri, por ai vazhdoi me këmbëngulje rrugën e jetës. Në vitin 1955 e caktojnë mësues në Qafëzez të Kolonjës. Ishte djalë qyteti, i lindur e ritur aty dhe qe hera e parë që largohej nga Korça. Pasioni për profesionin fisnik të mësuesit si dhe ëndërat për të ardhmen, e bënin  që të kapërxente vështirësitë e fshatit. Kishte qënë vetë nxënës ndërsa tani duhet t’i jepte mësim atyre. Pas dy vjet pune në fshat, me që loste futboll, e sjellin në Korçë dhe e caktojnë mësues në shkollën “24 Maji”. “Stacioni” tjetër  i punës së tij, ishte Shkolla e Muzikës “Tefta Tashko Koço”, ku jepte mësim lëndën e matematikës. Megjithëse ishte lëndë e vështirë, ai e shpjegonte bukur dhe e bëntë tërheqëse për artistët e ardhëshëm. Megjithatë Zhani nuk iu nda shkollës, vazhdoi me korespondencë degën Biokimi , në  Universitetin e Tiranës dhe Institutin Pedagogjik të Skodrës. Megjithëse u diplomua në dy degë të ndryshme, nuk hoqi dorë nga matematika, pasi e deshte këtë lëndë. Arben Kallamata, një nga ish nxënësit e tij, i diplomuar në anglisht në Shqipëri dhe tani mësues i kësaj lënde në Kanada, tregon:”  Zhani Pilikën ne e adhuronim. Në kujtesën time ai ka mbetur i veçantë nga gjithë mësuesit e tjerë. Unë e konsideroj veten me fat që kam pasur këtë mësues aq të mire, simbol i përsosmërisë. Nuk ishte thjesht përkushtimi që ai kishte për të shpjeguar lëndë që ishin të vështira (na jepte matematikë dhe fizikë) dhe njohuritë që kishte për lëndën. Ishte edhe marrëdhënia e përsosur që ai krijonte me ne, sensi i pagabueshëm i drejtësisë, i masës, i gjithçkaje. Zhani ishte barazisht i drejtë me të gjithë, nuk anonte as nga ai që i kuptonte gjërat shpejt, dhe as nga ai që kërkonte kohë dhe shpjegim më të detajuar. Ai na vinte çdo ditë përpara një standardi tepër të lartë mësimor e moral dhe dinte të nxiste e të merrte maksimum nga secili”.

FUTBOLLI-PASION I HERSHËM I TIJ

Qysh të vogël e bëri për vete topi i futbollit. E dëshmon këtë edhe një nga fotot e herëshme të fëminisë. Mori pjesë në fillim në ekipin e të rinjve që  ahëherë quhej “Puna”  e më pas mori emrin “Skënderbeu”. Më 1955 kalon në ekipin e të riturve të kësaj skuadre. Ishte i vetmi me profesion mësues në atë ekip. Loste në mesfushë dhe mbante numurin 6. Sportdashësit korçarë e kujtojnë atë si  organizator të lojës. Disa gola të kësaj skuadre, kanë zënë fill nga pasimet e tij. Dy-tre vjet kanë luajtur në një kohë me Skënderbeun, të dy vëllezrit, Zhani dhe Aleko Pilika. Alekua u bë sportist edhe më me emër se i vëllai e vazhdoi të meret me sport për një kohë më të gjatë. Në vitin 1965 e mbyll karierën e tij si futbollist. Gjatë viteve që loste futboll, ka patur trainer Kristaq Bimblin, Spiro Koçon dhe Maqo Prodanin. Teodor Vasua, një nga sportistët ikonë  të “Skënderbeut” si dhe të Kombëtares sonë kujton :” Loja me ekipin e Skenderbeut, na bashkoi me Zhani dhe Aleko Pilikën në fund të vitit 1959. Zhani kishte filluar të stërvitej me ekipin “Puna” të Korçës, që në vitin 1959 rimori emrin “Skënderbeu”. Lojtëm bashkë me ekipin e Korçës nga vitet 1959 deri në shtator të vitit 1963, kur unë ika ushtar dhe kalova në ekipin e “Partizanit”. Mësuesi i shkencave ekzakte, Zhani Pilika, dollonte në lojën e futbollit për teknikë racionale elegante dhe për pasime të pagabushme. Figura e tij përcillte tek spektatorët, tek lojtarët e skuadrës sonë por dhe tek rivalët, imazhin e një personaliteti të edukuar me kulturë  qytetare, pasi vinte nga një familje e tillë. Me lojën e tij ne morëm një pikë kulminante, pasi shënoi një gol vendimtar në ndeshjen me Lezhën, që na kualifikoi për të hyrë në kategorinë e parë në fund të vitit 1959”.

PASIONE TË TJERA

Veç mësuesisë dhe sportit, Zhani Pilika ka patur edhe pasione të tjera: ishin kërcimi dhe fotografia.Qysh në vitin 1950 ai mer pjesë në grupin e valleve të pallatit të Kulturës në Korçë. Fotot e fiksuara me atë grup, flasin më mirë për këtë pasion të tij. Fotografia-një pasion tjetër i tij. Fotot e shumta të bërë gjatë jetës, flasin për këtë. E ku nuk e sheh Zhanin?! Me familjen, me shokët, me nxënësit e klasës, me mësuesit, në stadium, etj..Fotografët e qytetit, ishin ndër mitë e tij të afërt. Djali i tij, Alfredi, duke i ngjarë babait, është jo më pak i pasionuar pas fotografisë. Ai i ka dixhitalizuar gjithë fotot , duke i vënë edhe diçiturat, siç duken edhe në disa fotot që shoqërojnë këtë shkrim.

NË AMERIKË

Në vitin 1999, Zhani vjen në Amerikë., duke bërë bashkim me vajzën e tij që kishte ardhur më parë.Më pas vjen nga Italia edhe djali i tij, Alfredi dhe kështu gjithë familja mblidhet në Boston. E kishte pasur ëndër Amerikën, pasi edhe paraardhës të fisit të tij, kishin qënë këtu. Në vitin 2007, bëhët qytetar amerikan. -U gëzua pa masë atë ditë, tregon djali i tij. Koha bën të vetën dhe në vitin 2007, ndron jetë në moshën 81 vjeçare, duke lënë pas një emër të nderuar, si mësues dhe sportist, mbi të gjitha, si njeri.

*Per me shume fotografi shihni ne Facebooki Gazeta Dielli

Filed Under: Opinion Tagged With: Fuat Memelli-Zhani PILIKA

KUJTIME NGA FESTIMI I 100 VJETORI I “DIELLIT”

April 18, 2019 by dgreca

Nga Agron Alibali/

Një mbrëmje të majit të vitit 2009 më përcillet një kërkesë përmes telefonit, së cilës nuk mund t’i thoja JO.

Së pari, ajo më vinte nga Ing. Agim Karagjozi.  Me kryetarin fort të nderuar të Vatrës, kisha ndërtuar një raport shumë të ngrohtë, të drejtpërdrejtë, të hapur dhe miqësor. Ishim njohur dhe kishim pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë qysh nga viti 1996.

Z. Karagjozi vinte me një propozim shumë të veçantë. Ai kishte menduar që të isha bashkë-drejtues apo moderator i programit zyrtar të Konferencës për 100 Vjetorin e “Diellit”, që do të mbahej më 13 qershor 2009 në Monroe College, Bronx, NY. Bashkëdrejtuese tjetër do të ishte znj. Merita Bajraktari McCormack, që në atë kohë jetonte në Virgjininë Veriore.

Filluam menjëherë nga puna. Pa humbur kohë folësit kryesorë më dërguan rezymetë e tyre.

Së pari, më bëri përshtypje niveli i referuesve. Gjeje aty Prof. Dr. Beqir Metën, si dhe kolegun e tij po nga Tirana, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiun.  Por gjeje aty edhe pendën e artë të letrave shqipe, Naum Priftin, studiuesin rigoroz Idriz Lamaj, shkrimtarin e mirënjohur dhe editorin e “Diellit”, Anton Çefën, si dhe studiuesin Sevdai Kastrati e gazetarin Dalip Greca.

Së dyti, më ngjallën interes tematika e larmishme e referateve. Roli i “Diellit”, gazetës historike të federatës historike, trajtohej në shumëanësinë e këndvështrimeve historike, letrare, gazetareske, biografike etj.

Sa shpejt kishin kaluar vitet. Vetëm 10 vjet më parë kisha qenë i ftuar, sërish nga z  Karagjozi, por kësaj rradhe si referues, në 90 vjetorin e “Diellit”. Tema time ishte “Disa aspekte të së drejtës zakonore në faqet e Gazetës “Dielli”, ku sillja jo vetëm një trajtesë të kontributit të “Diellit” në këtë lëmë të çmuar të jus non scriptum shqiptar, por edhe dëshmi gojore të kumtuara nga ish-Kryetari i Vatrës, udhëheqësi legjendar i komunitetit shqiptar-amerikan dhe miku u çmuar, Z. Anthony Athanas.  Në parantezë, mjerisht atë punim e kam vendosur diku në morinë e letrave e arkivës time, dhe ende nuk e kam botuar…

Mbaj mend, gjithsesi, se në atë përvjetor të 90-të udhëtova nga Bostoni për Nju Jork me mikun e prindërve të mij, shkrimtarin e njohur Skifter Këlliçi, i cili sapo ishte ngulur në Boston, dhe ftesën për pjesëmarrje e priti me kënaqësi.

Kurse me rastin e 100 vjetorit do të udhëtoja në Nju Jork me një njeri tejet të veçantë: nënën time Adivie Sharofi Alibali.

Udhëtimin prej mëse katër orësh për 100 vjetorin e kaluam pa ndonjë peripeci, dhe me kënaqësi dhe impjenim të veçantë filluam drejtimin e Konferencës, gjithnjë në bashkërendim e mirëkuptim me bashkë-drejtuesen znj. Bajraktari McCormack.

Konferencën e hapi Z. Agim Karagjozi.

Konferenca u prit me interes të veçantë. Salla përkatëse në Monroe College ishte mbushur plot.  Kishin ardhur edhe të ftuar të tjerë nga gjithë Amerika, ku përmend Kryetarin e Shoqatës për të Drejtat e Njeriut “Çamëria”, z. Ahmet Xhafo nga Kalifornia, shkrimtaren Rozi Theohari nga Masaçusets, etj. etj. Natyrisht ishte dhe mbarë kryesia e Vatrës, ku shquheshin zz. Buçaj, Balaj, Rexha, etj, si dhe anëtarë të “Vatrës”, miq, dashamirës të “Diellit” e pjestarë të familjeve të referuesve.

Referatet e Prof Metës, zz. Çefa, Kastrati e Greca u mbajtën në pjesën e parë. Në pjesën e dytë folën Prof. Dezhgiu, shkrimtari Naum Prifti dhe Z. Lamaj.

Në një moment, midis referateve, do të përshëndeste z. Ahmet Xhafo në emër të Shoqatës “Çamëria”. Gjatë prezantimit të tij, përfitoj nga rasti dhe i tregoj sallës dy dokumente shumë të bukura që lidheshin me “Diellin”, dhe që i kisha gjetur në arkivën e aktivistit të shquar Bill Vasil Gunari.

I pari ishte Thirrja me rastin  e Përvjetorit të Artë të “Diellit”, d.m.th. 40 vjetorit të saj, që i drejtohej lexuesve mbarë, ku ftoheshin kontribute për “nxitjen e përparimit arsimor dhe kulturor të Shqiptarëve të Amerikës.”  Koka e letrës përmbante logon e famshme të “Diellit”, si dhe listën e Pleqësisë së Vatrës {Executive Committee], të kryesuar nga Anthony Athanas, si dhe kryesitë e të gjitha degëve të atëhershme.

Kurse dokumenti i dytë ishte edhe më i bukur, por mjaft i dhimbshëm. Ishte një letër e ngjashme, me logon e “Diellit”, dhe drejtuar lexiesve mbarë, e cila kërkonte mbledhjen e ndihmave humanitare për refugjatët nga Çamëria që ishin vendosur përkohësisht në Shqipëri mbas masakrave të qershorit 1944 dhe pranverës 1945…Një tjetër dëshmi, kjo, se VATRA dhe Dielli, atë kohë të kryesuara nga Noli e Panariti, qëndronin në krah të shqiptarisë edhe në ato ditë të vështira, si kurdoherë…

Konferenca po kalonte shumë mirë. Mbaj mend, në një moment në pushim, bashkë me znj. McCormack piqemi me z. Greca, që në atë kohë punonte në gazetën Illyria. Ishte koha kur editori i Diellit, z. Anton Çefa, ishte paksa i tërhequr, dhe “Dielli” kishte nevojë për mbështetje e ndihmë.

 “Si të organizohemi që të gjithë sëbashku ta ndihmojmë më shumë “Diellin””, i drejtohem miqësisht z. Greca.  Pjesa tjetër, siç thonë këndej, është tashmë histori. Nuk kaloi shumë, dhe z. Greca u emëria editor i “Diellit”, detyrë që e bën sot e gjithë ditën.

Një darkë mes miqsh u shtrua mandej në një restorant atypari, në Bronx.  Midis bisedash të ngrohta më erdhën ndërmend fjalët e Anton Athanasit, si kujtime të vegjëlisë së tij:“Kur erdhëm në Amerikë, familja ime u ngul në New Bedford. Babai punonte tërë ditën, kurse Nëna kujdesej për shtëpinë dhe për ne. Nuk e harroj kurrë babai kur vinte nga puna në të ngrysur, Fjala e parë pas përshëndoshjeve ishte “ku është ‘Diell”, “Ku është “Dielli”. Unë, si i njomë dhe i vogël, nuk e kuptoja… Ç’do me thënë kjo? Ku e ka fjalën Babai? Po Dielli sapo perëndoi? Tani është errur…?!   Mirëpo Babai e kishte llafin për Gazetën “Dielli”…” Dielli i Nolit, Konicës, Omarit, Çekrezit, Panaritit, e shumë editorëve të tjerë shkëlqen sot e gjithë ditën.”

 “Gazetës ‘Dielli’ edhe 100”, i uruam të gjithë njëri tjetrit në atë mbrëmje të paharrueshme të 13 qershorit 2009.

Filed Under: Opinion Tagged With: AGRON ALIBALI-DIELLI 100 VJET

LETRA E ROALD DAHL PER BIJEN E TIJ

April 17, 2019 by dgreca

“Dielli” sjell Këshilla mjeksore pranë Jush/

Nga Rafaela Prifti/

Sipas Raportit të Organizatës Botërore të Shëndetit, shtimi i rasteve të infektimit nga fruthi është shqetësues. Fruthi është sëmundje infektive ngjitëse dhe virusi transmetohet lehtë nga njerëzit e infektuar nëpërmjet kollës dhe teshtitjes. Qarkullimi i njerëzve nga pikat ku infektohen dhe importimi në cdo vend të globit madje edhe aty ku është arritur eliminimi i fruthit paraqet rrezikshmëri për cdo rajon. Në nivel botëror numri i viktimave nga kjo sëmundje infektive arriti në 110,000 në vitin 2017, dhe prej tyre pjesa më e madhe ishin fëmijë nën moshën pesë vjecare. Sipas të dhënave zyrtare, vitet e fundit ka pasur epidemi të tilla në Evropë dhe prej tyre 35 janë raste fatale. Deri tani Komisioni i Shëndetësisë për Nju Jork-un ka publikuar të dhëna se rastet e para të fruthit janë diagnostikuar tek persona të pavaksinuar që kanë udhëtuar në Israel, dy raste të reja kanë ardhur nga individë që kanë vizituar Britaninë e Madhe.

Vaksinimi i fëmijve dhe përgjegjësia e prindërve për imunizimin e tyre ndaj sëmundjeve potencialisht fatale është rikthyer në qendër të vëmendjes me aktivizimin e rasteve të konfirmuara të fruthit. Prindërit që paraqesin si argumente për mosvaksinim rreziqet e mbartura nga vaksinimi, ndër të cilat më alarmuese teorizohet të jetë autizmi, tashmë njihen me emërtimin ‘antivaksët’. Të tjerët që njohin dobitë e vaksinës dhe që mbështeten nga personeli mjekësor shtrojnë argumente të bazuara në studime e testime. Ky grup favorizon vaksinimin si masë preventive ndaj sëmundjes infektive dhe si mbrojtja më efektive e jetës së fëmijve. Rastet e diagnostikuara të sëmundjes së fruthit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijnë duke u shtuar. Nga 500 raste të raportuara në Nju Jork 332 janë identifikuar nga muaji janar dhe javën e kaluar janë raportuar 40 raste të reja të fruthit, për të cilin është gjetur vaksina 50 vjet më parë. Ekzistenca e vaksinës është arritje për mjekësinë dhe për prindërit që kanë përjetuar hidhërimin e humbjes së fëmijës për shkak të mungesës së vaksinës. Autori i librave klasikë për fëmijë, Carli dhe Fabrika e Cokollatave, Matilda, Gjigandi i Madh i Mirë etj, Roald Dahl ka shkruar edhe ese për shëndetësinë dhe vecanërisht vaksinimin. Letra e tij për të bijën Olivia, e shkruar në vitin 1986 ka dalë në qarkullim për t’iu kundërvënë bojkotimit vullnetar të vaksinës.  

“Bija ime Olivia u infektua nga virusi i fruthit në moshën 7 vjecare. Ndërsa sëmundja dukej se bënte të vetën, unë shpesh herë i lexoja në shtrat pa pasur aspak ndjenjën e panikut. Një mëngjes kur dukej se po bëhej më mirë, isha ulur mbi shtrat dhe po i tregoja sesi mund të formohen figura kafshësh me fije teli. Por kur ajo vetë provoi të ndërtonte një model vërejta se nuk ishte në gjendje të koordinonte aftësitë motorike me ato mendore. Ndihesh mirë? e pyeta. Ndihem si përgjumshem, mu përgjigj. Pas një ore, humbi ndjenjat dhe pas 12 orëve ndërroi jetë. Virusi ishte kthyer në fruth encefalit dhe mjekët nuk mund të bënin më asgjë. Kjo ndodhi njezët e katër vjet më parë në vitin 1962 por edhe sot e kësaj dite nëse tek fëmija i infektuar ndodh reaksioni fatal si ngjau tek Olivia, mjekët janë krejt të pafuqishëm për t’ia shpëtuar jetën. Por prindërit sot kanë në dorë t’i mbrojnë fëmijët nga një tragjedi e tillë. Ata duhet të kërkojnë me këmbëngulje t’i imunizojnë fëmijët nga sëmundja e fruthit. Unë nuk mund ta imunizoja Olivian sepse në vitin 1962 vaksina e aprovuar e fruthit nuk ishte zbuluar. Ndërsa sot vaksina është e gjendshme dhe e gatshme për cdo familje dhe kryhet me një vizitë tek mjeku. Për opinionin e gjerë, fruthi nuk konsiderohet si sëmundje e rrezikshme. Më besoni kur ju them se është fatale. Për mendimin tim, prindërit që refuzojnë të vaksinojnë femijët po luajnë me jetën e tyre. Në Amerikë, ku imunizimi nga sëmundja e fruthit ashtu si dhe lija e dhenve është i detyrueshëm, këto sëmundje infektive janë eliminuar. Këtu në Britaninë e Madhe, për shkak të prindërve që refuzojnë vaksinimin e fëmijve nga kokëfortësia, injoranca ose frika, diagnostikohen 100,000 raste infektive për vit. Mbi 10,000 vetë do kenë pasoja të ndryshme dytësore nga infeksioni. Të paktën 10,000 individë do pësojnë infeksione të veshit ose në kraharor. Dhe njëzet do jenë raste fatale.

Cdo vit njëzet fëmije do humbin jetën në Britaninë e Madhe nga fruthi.

Cilat janë rreziqet që i kanosen fëmijve të vaksinuar? Thuajse të paqenësishme. Në bazë të statistikave, në një zonë me rreth 300,000 banorë, vetëm një fëmi në 250 vjet do ketë pasoja serioze nga imunizimi prej fruthit. Mundësi që ekziston për një në një million. Mund të thuhet se ka me shumë mundësi që fëmija të mbytet duke ngrënë një copë cokollatë sesa të sëmuret nga vaksinimi kundër fruthit.

Atëherë përse nuk i largoni shqetësimet e kota? Është thuajse krim ta lësh fëmijën të paimunizuar. Momenti më i përshtatshëm është kur fëmija është 13 muajsh por vaksina mund të bëhet në cdo kohë. Fëmijët e moshës shkollore të cilët janë të paimunizuar nga fruthi duhet t’ju luten prindërve të shkojnë të bëjnë vaksinën sa më parë të jetë e mundur.

Rasti e solli që unë t’i kushtoj Olivias dy nga librat e mi. I pari ishte Xhejmsi dhe Pjeshka Gjigande. Në atë kohë ajo ishte ende gjallë. I dyti Gjigandi i Madh i Mirë mban përkushtimin për të pasi atëherë ajo kishte vdekur nga fruthi. Emri i saj e gjeni të shkruar në faqet e para tek të dy librat. Dhe jam i sigurtë se do ishte shumë e lumtur sikur ta dinte se me vdekjen e saj ajo do shpëtonte jetën e shumë fëmijve të tjerë.”             

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti-Roald Dahl

KRENARË U NISËN, MË KRENARË U KTHYEN

April 16, 2019 by dgreca


Nga Harry Bajraktari*/
    “Batalioni Atlantiku” i cili u formua në Prill të vitit 1999 në SHBA, këto ditë po kremton 20 vjetorin  e themelimit të tij. Para dy dekadash nga hoteli “Royal Regency” në New York, shumë të rinj vullnetarë shqiptaro-amerikanë nisën rrugtimin e tyre historik për t’iu bashkuar UÇK-së në luftën e shenjtë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
    Ky është organizimi i parë në këtë mënyrë që është bërë ndonjëherë jashtë atdheut për të marrë pjesë në një luftë për liri, e që ka një rëndësi tejet të veçantë për faktin se këta luftëtarë të këtij batalioni u nisën nga SHBA. Shumë luftëtarë nga këtu që shkuan në luftë për t’ u përballur me ushtrinë dhe policinë serbe, janë të lindur në SHBA që do të thotë se familjet e tyre arritën të edukojnë fëmijët në atë frymë që ta duan atdheun dhe vendin prej nga kanë ardhur ata vetë.
                Sot pas 20 vjetësh, në mënyrë të organizuar, udhëtuan nga i njëjti vend në Kosovë dhe Shqipëri për të kujtuar këtë ngjarje të madhe historike të kombit tonë. Në mesin e këtyre luftëtarëve të rinj e të vendosur ishte edhe një vajzë shumë e re, Linda Muriqi, e cila kishte shprehur dëshirën dhe vullnetin e saj që edhe ajo të jipte kontributin për Kosovën, në luftë kundër forcave ushtarako-policore serbe.
     Ideja e Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit Bashkiak të New York-ut, në bashkëpunim me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe Shoqatën Atlantiku, me Gani Shehun kryetar, që kjo ngjarje të shënohet në mënyrë sa më dinjitoze, duke vendosur përgjatë rrugës së kombit në Kosovë dhe Shqipëri nga një flamur kuq e zi në çdo 100 metra, është një ide që simbolizon më së miri rrugëtimin historike dhe pjesëmarrjen në luftë të këtij batalioni dhe sakrificën e popullit tonë. Nga një flamur vëhet edhe për të gjithë të pagjeturit që familjet i presin me dhimbje të madhe eshtrat e tyre prej 20 vjetësh.
     Mark Gjonaj ka arritur të bëjë edhe një punë shumë të rëndësishme rreth unifikimit të organizatave të shumta në komunitetin tonë, shqiptaro-amerikan.
                Luftëtarët e Batalionit Atlantiku me komandantin Hysni Syla, me krenari të jashtëzakonshëm u nisën dhe shumë më krenarë u kthyen në SHBA, meqë kishin lënë Kosovën e çliruar nga një armik shekullor që kishte vrarë, masakruar, dhunuar, dëbuar e zhdukur shqiptarët për ta ndërruar strukturën e popullatës në favor të asaj serbe në Kosovë.
    Luftën e Kosovës e ka mbështetur i gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan në mënyra të ndryshme, qoftë materialisht, qoftë me lobim dhe me protesta të vazhdueshme në Washington dhe New York. Këtu do të theksoja edhe kontributin e Florin Krasniqit, i cili për shumë kohë ka bërë furnizimin me armë të UÇK-së  dhe mjete tjera të nevojshme.
                Pjestarët e Batalionit Atlantiku sot pas 20 vjetësh janë në Kosovë e Shqipëri për të kujtuar sakrificën e madhe që bëri populli ynë për liri, që Kosovës i ka munguar me shekuj.
                Tre pjestarë të këtij batalioni, tre heronj të sotëm, vëllezërit Bytyqi, Ylli, Mehmeti dhe Agroni nuk u kthyen kurrë në vendin prej nga u nisën, ata u masakruan pasi lufta kishte përfunduar nga policia serbe dhe trupat e tyre u gjetën të hudhur bashkë me shumë shqiptarë të tjerë në një varrezë masive në Serbi. Askush deri më sot nuk ka dhënë përgjegjësi, dhe askush nuk është dënuar, kur dihet se ata që bënë krimin në një burg ishin në pozicione të larta në policinë serbe, me emër e mbiemër.
                Serbia duhet të japë gjithësesi përgjegjësi për gjithë gjenocidin e kryer në Kosovë, për mijëra e mijëra shqiptarë të vrarë: fëmijë, gra e pleq, për dëbimin masiv në zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët, për numrin e madhe e të pagjeturve dhe për dhunimin e mbi 20.000 femrave. Është shumë e domosdoshme që klasa jonë politike të bëjë më shumë që Serbia të detyrohet të japë llogari para drejtësisë sonë dhe asaj ndërkombëtare për gjenocidin e kryer në Kosovë.
                Sot, pas 20 vjetësh, çdo gjë është ndryshe. Kosova ka bërë ndryshim, por jo aq sa është pritur. Duhet më shumë vullnet dhe punë për të ecur ajo drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe një demokracie integruese evropiane.
   
    *Autori është veprimtar dhe biznesmen i shquar i komunitetit shqiptaro -amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.
   

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari

Pianisti shqiptaro-kanadez Rudin Lengo

April 15, 2019 by dgreca

Nga Marjana Bulku/

Artistët kanë gjithmonë diçka të bukur për të ndarë me të tjerët edhe në kohët më të errëta, edhe në gëzimet e mëdha, madje  kur arti bëhet kompetitiv artistët bëhen edhe më konkurues e cilësorë. Por kur tek artisti zoti konturon edhe cilësi humane , atëherë  portreti i tyre artistik i tejkalon kufinjtë e artit duke u bërë ushqim e frymëzim jetësor. 

Këtë herë mendimi im mbi artin në përgjithësi dhe atë muzikor veçanërisht u përqëndrua të pianisti shqiptaro-kanadez Rudin Lengo. 

E ngacmuar rastësisht nga postimet që mamaja e tij Mimoza m’i sillte të shtunave për t’u relaksuar me tinguj klasikë nën interpretimin e Rudinit m’u duk se përjetova jo vetëm emocionet e një adhuruesje të thjeshtë muzike , por edhe admirim për arritjet e një fëmije që êshtë rritur dhe edukuar falë sakrificave prindërore dhe talentit të tij ushqyer me aq shumë punë dhe vullnet.

Rudin Lengon kisha pasur rastin ta njihja në Toronto në veprimtaritë e komunitetit shqiptar në kuadrin e trashëgimnisë kulturore  në Parlamentin e Ontarios teksa shoqëronte në piano sopranon   e madhe shqiptare Inva Mula . Nuk kishe sesi të mos impresionoheshe nga ai bashkëpunim virtuoz, ku ndërthurej mjeshtërisht vokali i një sopranoje me famë botërore me talentin e një të riu që u rrit artistikisht përmes vullnetit dhe edukimit rigoroz por edhe trashëgimnisë kulturore që dikton vazhdimësinë. Dhe artistët dijnë tia njohin njëri -tjetrit kualitetet duke dhuruar edhe më shumë mjeshtëri dhe lojë artistike. Midis madhështisë së artit dhe tingujve shumëngjyrësh që  dijnë të përcjellin virtuozët , sytë e mi ndalonin tek dy prindërit e Rudinit të cilët ishin spektatorët më të rrallë të atyre tingujve që dhuron arti. Ishin ato arsyeja e atij shkëlqimi mbi piano ku gishtat rrëshqasin mbi tastierë duke rrëfyer jo vetëm nota , por edhe ritme jete, sakrifice, për të cilat Rudini flet edhe përtej pentagramit.” Ishte vetëm 15 vjeç kur u largua nga Shqipëria, pastabiliteti ekonomik e politik atje,mësuesit që lanë gjurmë, çastet e para mbi piano  kur ishte vetëm 7 vjeç, lidhjet me matematikën, …” 

Sakrificat prindërore duket se ia kanë vlejtur sa herë që Rudini duartrokitet në skenat e panumërta e mbase edhe e ushqejnë vullnetin e tij që është kyç i suksesit.

Rudin Lengo është një individualitet i spikatur muzikor falë historisë familjare , talentit të lindur, kultivimit të tij përmes një edukimi cilësor në Amerikë dhe Kanada, aktiviteteve të panumërta artistike , si dhe vemendjes mediatike, por ajo prezencë e kujdesëshme prindërore solli në vemendjen time një djalosh artist, një bir i devotshëm që familjen e ka ushqim nga ku frymon jo vetem madheshtia e artistit por edhe zanafilla e tij.

Franc Liszt me Hungarian Rhapsody, Chopin,List, Brahms, loja e shkathët ,shkrirja e artistit me

tingujt muzikor që transmeton jo vetëm kompozimi muzikor por edhe mendimi e përjetimi artistik përmbi ta , i japin çdo interpretimi ngjyra dhe individualitet çka i dallon artistët prej njëri -tjetrit edhe kur interpretojnë pjesë të njejta.Tek Rudini spikatin talenti , inteligjenca, njohja e thellë e artit muzikor, elokuenca gjuhësore , shqipja e kulluar dhe një komunikim i dashur dhe njerëzor çka e bën atë të dashur edhe kur interpreton mbi piano por edhe kur flet dhe analizon plot zgjuarsi artin muzikor . Madje kur flet për madhështinë e kompozitorëve shqiptarë , të bën ta ndjekësh me dyfish vemendje dhe respekt. Ai admiron kompozitorët shqiptarë ; Pjetër Gaci, Çesk Zadeja pasi të luash pjesë të tyre do të thotë të ndjesh emocionet që lind muzika por edhe elementet popullore që e ushqejnë atë.

Komunikimi i qetë dhe i mençur

përtej pentagramit shpalosin edhe një cilësi tjetêr që ia ridimensionon portretin artistik si një tutor pianoje. Tashmë mësimi i pianos është jo vetë dashuri për muzikën por edhe nevojë jetësore që ushqen shpirtin , shmang stresin, disiplinon kohën dhe kjo vlen për çdo moshë.

“Duhet ta duash atë që bën në mënyrë që të prekësh suksesin”

-Është kjo këshilla që ai u jep nxënësve të tij çka bazohet edhe në përvojën e tij jetësore. 

Interpretimet e Rudinit në jetën kulturore kanadeze janë të panumërta por tek ai nuk mungojnë bashkëpunimet me artistë shqiptarë të cilët shkëlqejnë me talentin e tyre bazuar në punë dhe korrektësi. Rudini është modest, dhe piano e tij flet me gjuhën e gishtave që vallëzojnë mbi pentagram duke na dhuruar tinguj magjik por të flasësh me Rudinin do të kuptosh njeriun e mirë nën petkun e artistit, që adhuron matematikën , respekton miqtë dhe dëshmon se edukimi që të fal diplomimi e kanë zanafillën tek Mimoza dhe Jani , ata prindër shembullorë  që lanë atdheun për ti çelur shtigje një rrugëtimi artistik që i kalon kufijtë e artit duke e bërë atë edhe më të bukur dhe jetësor dhe pse jo qetësues dhe argëtues. 

Dimensioni artistik dhe ai njerëzor Rudinit flet heshtur për ato sakrifica prindërore që ushqejnë rritjen, suksesin duke u shndërruar në copëza krenarie jo vetëm e tyre, por edhe e jona që kur dëgjojmë muzikë ndjejmë se brenda universalizmit të saj ka një copëz nga Shqipëria jonë. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Rudin Lengo-Marjana Bulku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 384
  • 385
  • 386
  • 387
  • 388
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT