• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Morali Politik i të majtës dhe djegia e mandateve të Opozitës

February 27, 2019 by dgreca

-Këshilla ime për Edi Ramën është: ai duhet të bëhet eremit për të gjetur parajsën e humbur të piktorit, sepse Hitleri, porsa humbi penelin u bë diktator, Musolini sa braktisi penën u bë fashist!

NGA ALFONS GRISHAJ/

Të gjithë e dinë se politika e majtë (shqiptare dhe jo vetëm) nuk ka moral, dhe  se komunizmi solli më tepër viktima se Lufta e Dytë Botërore… këtë e kanë mësuar dhe fëmijët. Shkencërisht është provuar se të majtët sjellin kudo diktaturë, varfëri, përçarje, plaçkitje, injorancë. Popujt që e provuan mbi kurriz e hodhën poshtë me neveri sistemin e kalbur të socializmit. Po si ka mundësi që populli shqiptar përsërit ciklin e dalë boje, kur plagët e komunizmit janë stampuar në rrullat e tyre si brazda toke, pasqyrë e varfërisë tejskajshme (penurious)? Populli ynë sakrifikoi gjithë jetën duke djersitur për një pension qesharak (të barabartë me një ditë pune në perëndim) që s’ia mbulon dot as nevojat minimale të medicinës. Pasojat?… Dy breza si parmenda të thyera në  mes të arës.

Politika e majtë ngjason me një shportë me vrima që është e pamundur ta mbushësh me ujë. Ndërsa njeriu mundohet tërë jetën për të mbyllur vrimat e shportës,  papritmas koha soset…

Njerëzit e mbajnë mend se si Enver Hoxha i hante shokët e vet një nga një. Po tani “Inkuzicioni modern” nuk të ha dot, por të vret moralisht, të vret në tavolinën e bukës. Ashtu siç thonin  diktatorët e mëdhenj, Napoleon dhe Stalin që, kur e vret tjetrin moralisht e ke vrarë dhe fizikisht! Njeriut të sotëm i është vrarë shpresa dhe ashtu në kufirin e varfërisë ekstreme… një thes miell dhe 50 euro sot i duken  më të mëdha  se e nesërmja e sigurtë.

Dikur, Fatos Nano  mori Edi Ramën nga një trotuar  (gojët e liga thonë bordelo) në Francë dhe e ndihmoi të bëhej ky që është sot. Por ai si trotuaristet ia drodhi Nanos, duke e sakrifikuar atë sikur të ishte një shitës domatesh dhe jo mentori i tij. Më pas, Rama u martua me Ilirin… Martesa tyre theu rekord nëpër TV, duke publikuar unitetin dhe idealin e  pathyeshëm  rozë. Miqësia e liderëve shkëlqente kudo nëpër fasadat e mureve, trotuareve dhe selinë rozë. Aurora borealis ra dhe mbi shoqëruesit  që ndërruan çitakët me xhinsa.

Detashmentët e kuq zëvendësuan yllin me një lulkë rozë… duke u vetquajtur: “Rilindas” (Kur  themi “Rilindas” kemi parasysh klasën e krimit dhe oligarkëve dhe jo antarësinë e thjeshtë, të ndershme të PS-së, që disa i kemi dhe miq), të cilët iu qepën si dikur maleve dhe kënetave për ti bërë fusha pjellore. Ashtu të etur si 700 dreqërit e legjendave popullore, mbollën fusha, male e kodra me kanabis, duke gjelbëruar dhe majmur hambarin oligark dhe  ngritur lart emrin e Shqipërisë si Kolumbi e dytë.

Kafshatë që s’kapërdihet asht or vlla mjerimi, kur të helmon  djalli, s’të shëron dot heqimi! Siç shihet… një “revolucion” oligarkësh pa karar,  populli barkthatë dhe qentë me hambar. Mirëpo, Meta nuhati rrezikun e babëzitjes dhe braktisi hambarin, duke e lënë zbuluar  Ramën.

Rama, vendosi ta ndëshkonte tradhëtarin e hambarit. Delegoi një nga “delet e buta” (i sprovuar… për pisllëqe të tilla), duke rekorduar shokun për ta diskretituar dhe më pas t’i këndonte një elegji mbi varr. Po ç’t’i bësh se,  ai… “shpellari…, maloku i dreqit” ia prishi planet çitaklliut të trotuarit francez. Kjo solli retorikat supersonike për supremaci në hapësirat e  hambarit…

Me parullën: “Secili për vete dhe Zoti për të gjithë”, udhëdreqërit e të majtës braktisën popullin në përgjithësi dhe klasën e vet në veçanti, e cila u besoi…, porse  mbeti përsëri në mjerim; flamur humbës me të djathtët dhe barkthatë me  të “majtët”. Unë nuk besoj se në shekullin XXI ekziston akoma sllogani: “Bar do të hamë dhe Marsizëm–Leninizmin nuk do e tradhëtojmë!” Shpresoj se këtu nuk bëhet më fjalë për besnikëri anakronike të tillë, se atëherë është kohë e humbur për t’i përmendur e jo më të shpresosh në ndryshime thelbësore filozofike – demokratike europiane.

Qëndrimet malevolente të Ramës ndaj opozitës, gazetarëve, të varfërve sollën një epitomë shëmtimi të shtetit dhe demokracisë. Vendosja e Prokurores së Republikës në mënyrë arbitrare qe një akt musolinian që u kontenstua nga pjesa dërmuese e inteligjencës, ligjvënësve dhe popullit shqiptar. Megjithatë ai nuk pyeti askënd, përkundrazi, deklaroi si Musolini në ballkonin e FB, se,  drejtësia do vendosej në vend. Dhe drejtësia u vendos allakomunistëshe me mereqep rozë si në kohën e “bac Enverit”: Në burg të pafajshmit, dhe  ngritje në detyrë  për fajtorët?!

Pra, kjo sjellje apoplektike e Ramës e çoi në kolaps historik Shqipërinë, duke detyruar opozitën të dorëzonte mandatet, një akt (siç thonë disa…) i panjohur në lojën politike demokratike botërore.

Disa kancelari të huaja e quajtën të tepruar dorëzimin e mandateve, por secili në ndërgjegjen e tij dhe hullinë diplomatike është e qartë se, opozita i kishte konsumuar të gjitha format e njohura… Asaj i mbetën veç dy rrugë: të merrte armët për një përmbysje me dhunë, ose të dorëzonte mandatet si shenja më civilizuese në demokracitë e brishta. Ky akt i tregoi dhe popullit se opozita nuk mund të ishte më fasadë e krimit, por njëkohësisht i dha mundësinë pozitës  qeverisë të oligarkëve dhe prokurorisë personale të kësaj oligarkie të (hakmerren) vërtetojnë akuzat “e shpërdorimeve të opozitës” në kohën kur ata qenë në pushtet. Tani pozita është e lirë të hetojë “Gerdecin”, “Rrugën e Kombit” e tjerë… Ky është  një shans ideal për të vërtetuar propagadën bajate… qoftë dhe sajimet e shpifjet e pozitës. Pas ballafaqimit të fakteve, pozita nuk do ketë më moral të akuzojë më opozitën. Kështu makina propagandistike e gënjeshtrave vdes… bashkë me ta oligarkët e pozitës sotme.

Dhe së fundi, tre mendime :

1- Lëvizja opozitës  nuk ka më kthim prapa, por vetëm korrigjimin historik në Shqipëri. Ky është një moment optium që duhet ta shfrytëzojnë me pjekuri dhe largpamësi…, qoftë dhe me dhimbje .

2- Mendoj se klasa e majtë që të gëzojë respektin e të gjithëve duhet riformatuar si fizionomi perëndimore, si forcë përparimtare vitale. Kjo do të ishte në të mirën e Shqipërisë dhe vetë Partisë Socialiste.

3- Këshilla ime për Edi Ramën është: ai duhet të bëhet eremit për të gjetur parajsën e humbur të piktorit, sepse Hitleri, porsa humbi penelin u bë diktator, Musolini sa braktisi penën u bë fashist! Piktorët dhe krijuesit e vërtetë kanë një botë të madhe…, armikun e bëjnë mik dhe mikun vëlla, dhe jo mikun armik dhe vëllaun të huaj.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Djegia e mandateve, Morali politik i se Majtes

Pak mbi origjinën

February 24, 2019 by dgreca

Pak mbi origjinën
Nga Astrit Lulushi/

Gjuha shqipe vërtetohet në formë të shkruar në shekullin e 15-të, kur etnija shqiptare tashmë ishte formuar. Në mungesë të të dhënave paraprake të gjuhës, studiuesit kanë përdorur huazimet latine dhe sllave në gjuhën shqipe për identifikimin e vendndodhjes së origjinës së shqiptarëve.
Por vendi ku u formua gjuha shqipe nuk dihet me siguri; disa thonë se ishte në një rajon malor, pasi fjalët shqipe për bimët dhe kafshët karakteristike të rajoneve malore janë tërësisht origjinale. Por emrat për peshq dhe për aktivitetet bujqësore në përgjithësi janë të huazuar nga gjuhë të tjera. Megjithatë, duke pasur parasysh praninë e disa termave të vjetra të ruajtura në lidhje me faunën, disa kanë supozuar që ky fjalor mund të ketë humbur gjatë kohës që fiset proto-shqiptare u futën përsëri në brendësi gjatë pushtimeve.
Fjalët sllave në gjuhën shqipe sugjerojnë se kontakte midis dy popullsive ndodhën kur shqiptarët banonin në pyje 600-900 metra mbi nivelin e detit. Prej kohësh është pranuar se ka dy trajtime të huazimeve latine në gjuhën shqipe, të tipit të Dalmacisë së vjetër dhe të tipit rumun, dhe kjo do të tregonte dy shtresa gjeografike, Adriatikun bregdetar dhe rajonin e brendshëm të Ballkanit. Disa studiues besojnë se ndikimi i latinishtes mbi shqipen është me origjinë romake lindore, sesa me origjinë dalmate; kjo do të përjashtonte Dalmacinë si një vend origjine. Duke shtuar në këtë disa qindra fjalë në gjuhën rumune studiuesit supozojnë se rumunët dhe shqiptarët jetonin në afërsi diku rreth Luginës së Moravës në Serbinë lindore.
Një argument në favor të një origjine veriore për gjuhën shqipe është numri relativisht i vogël i fjalëve me origjinë greke, kryesisht nga dialekti dorik edhe pse Iliria e jugut ishte fqinje me qytetërimin klasik grek dhe kishte një numër kolonish greke përgjatë Bregdetit Ilir. Sidoqoftë, duke pasur parasysh sasinë e isoglosseve shqiptaro-greke, është arritur në përfundimin se ato mund të jenë rezultat i shkëmbimeve dhe kontakteve mes dy proto-dialekteve.
Ata dijetarë që mbështesin origjinën ilire të shqiptarëve pohojnë se fiset indigjene ilire që banonin në Ilirinë e Jugut u ngjitën në male kur sllavët pushtuan ultësirat, ndërsa një version tjetër pohon se shqiptarët janë pasardhësit e fiseve ilire mes Dalmacisë dhe Danubit,
Dijetarët që mbështesin origjinën dake të shqiptarëve pohojnë se mes shekujve III dhe VI të erës sonë, shqiptarët u zhvendosën drejt jugut nga Mesia, ndërsa ata që mbështesin një origjinë trake besojnë se proto-shqiptarët duhet të kenë qenë në zonën midis Nishit, Shkupit, Sofjes dhe Shqipërisë ose në malet Rodope dhe Ballkan, nga ku u zhvendosën para ardhjes së sllavëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi, Origjina

Et’hem Haxhiademi e Gabriele d’Annunzio,Fate të skajshme…

February 23, 2019 by dgreca

Et’hem Haxhiademi e Salvatore d’Annunzio,Fate të skajshme…… andej Burreli – këtej “Il Vittoriale degli Italiani”./

D'AnnunzioEt'hem Haxhiademi1 Mauzoleu Da'nnunzio 800x6002 varri haxhiademitIl Vittoriale degli italianiLyra 1939

D’Annunzio, Ethem Haxhiademi- Mauzoleu d’A’nnunzioi-Ethem Haxhiademi -Mauzoleu d’A’nnunzio- Varri i Haxhiademit- Ballina e librit te d’Annunzio-s Alcyone 1903-Ballina e vellimit te Haxhiademit “Lyra”/

1 Shpendi

Nga Shpend Sollaku Noé/

Ia kisha borxh një sarkofagu bosh këto rreshta. Ia kisha premtuar një mermeri të nxehtë si tehu i thikës. Fjalët që do të vija në tezgjahun e mendjes ia kisha thënë vetes qindra herë. Nëse nuk do t’i hidhja mbi letër edhe kësaj here, rrezikoja të më mbeteshin në grykë, të më linin pa oksigjen, të më përplasnin përtokë.

Epilepsia akute e ndjenjave më errësoi shikimin edhe njëherë këto ditë, ndërsa përhumbesha nëpër tronditjet që mund të shkaktojë vetëm një madhështi si ajo në Gardone Riviera, e quajtur “Il Vittoriale degli Italiani”; e ideuar më shumë për vetveten prej një poeti të madh: Gabriele  d’Annunzio. Mauzoleu është realizuar pas vdekjes së poetit prej arkitektit Maroni. Është një mauzole atipik, i frymëzuar prej traditës etrusko-romake. Tre rrathët në mermer Botticcino vënë në pah fitoret e të të përulurve, të artizanëve – maja e diamantë i të cilëve janë poetët – dhe të heronjve. Në qendër të tij është vendosur qivuri i poetit të madh.

Gjithkush, edhe ai që nuk është vizitor i ri, mbetet gojëhapur duke filluar që nga Hyrja Monumentale në Vittoriale. Pastaj nuk ka sesi të mos admirojë Amfiteatrin veror, të frymëzuar prej atij antik të Pompeit. Po ajo e quajtura Prioria, shtëpia e preferuar në të cilën d’Annunzio kishte studion dhe ku dha frymën e fundit? Si mund ta lerë indiferent brendësia e saj me bibliotekën prej 30 mije vëllimesh, me vizatime të Mikelanxhelos, me sende që i përkisnin Napoloeon Bonapartit, pëfshirë edhe maskën që iu vu mbi fytyrë pas vdekjes perandorit francez? Harrohet anija luftarake “Puglia”, ngjitur e betonizuar në shpat të kodrës? Po avioni gjuajtës S.V.A. me të cilin d’Annunzio fluturoi mbi Vjenë për të sfiduar Austro-Hungarinë? Po kopshtet, frutorja dhe limonishtja? Po muzeu d’Annunzio Hero? Po ai d’Annunzio Sekret?

Ia kam zili poetit të madh gjithë këtë qytezë metafizike parajsore, por jo për vete. Me sa duket unë, Shpend Sollaku Noé, i lindur në Lushnje, as që kam për të pasur një varr në atdhe. Por prania ime mes kësaj mrekullie më shtyn së pari të mendoj fate të tjerë, edhe më tragjikë se i imi. Risqe në dukje të largët, qindra e qindra kilometra që këtej.

Sarkofagu i parë që bën të më zënë ngërçet e shpirtit është diku andej, në viset e Shqipërisë së mesme, në një qytet që ka lidhje edhe me historinë e jetës time, por sidomos me poetin e vyer që së fundi jam duke njohur më shumë. Mbi pllakën vertikale të mermerit të errët, nën foton eliptike lexohet: Et’hem Haxhiademi, 8 –  3 – 1902; 16 – 3 – 1965. Mbi rrasën horizontale – vargjet e tij prej vëllimit “Lyra”: Qëndro gjersa të marrësh frymë i lirë… Mbi mermer mungon vendlindja: Elbasan. Por këtë janë të shumtë tashmë ata që e dinë. Mungon edhe vendvdekja: Burgu i Burrelit. Por këtë ndoshta janë të pakët ata që e dinë.

Nuk është shkruar as edhe që sarkofagu është bosh, pasi eshtrat nuk i janë kthyer kurrë familjes.

Edhe këtë hidhësi historike janë shumë të pakët ata që e dinë. Apo të shumtë ata që e kanë harruar. Pasi përdhosja e vdekjes së tij nuk mund të ketë patur një autor të vetëm.

Eh Gabriele  d’Annunzio, ç’më bëre, duke më shpuar shpirtin me njëmijë gjilpëra, ndërsa padashur më sjell ndërmend bashkëkombësin tim, atë të kthyerin në ajër, në copëzë qielli, të paktën derisa t’i gjenden eshtrat, nëse është shkruar që ajo ditë të na vijë.

Edhe ti, poet i Vittoriale-s, ke lindur dhe je shuar në mars, ashtu si kolegu yt i Elbasanit. Kur ti botoje “ Libri sekret i Gabriele  D’annunzio-s”, Et’hemi sillte në dritë vëllimin “Lyra”. Atbotë kishte hedhur mbi letër edhe pjesën dërmuese të tragjedive. Ti ishe ndërkaq një korifè, ai imponohej edhe me perlën e tij poetike. Që të dy ishit të brezit të “poetëve të mallkuar”, siç do t’ju kishte klasifikuar P. Verlaine.

Ashtu si ty, edhe Eth’emi ynë mund ta kish lidhur krijimtarinë me atë brez të mëdhenjsh që quheshin J. Joyce, L. Pirandello, R. Musil, G. Ungaretti, E. Montale, A. Moravia. Nëse nuk do të kish menduar t’i shërbente Shqipërisë, por do të kish zgjedhur jetën në Berlin apo Vjenë, edhe Haxhiademi ynë sipas  mjaft gjasave do të ish studiuar si avanguardistët futuristë, dadaistë, surrealistë, ekspresionistë. Këta të fundit vuanin plagët e shoqërisë dhe vetpërfshiheshin tek të mallkuarit. I mallkuari i vërtetë historikisht mbeti vetëm ai që e pagoi shtrenjtë nacionalizmin e tij dhe dashurinë për artin: punëtori i pendës Et’hem Haxhiademi.

Ti, Gabriele , jetoje në Itali; Et’hemi atje ku horizonti verbohet, jo fort përballë Peskarës tënde. Midis jush – një det rënkimesh. Kishe dëgjuar ndonjëherë nga bashkëluftëtarët e tu për Lushnjen, Gabriele ? Mes atyre baltrave e njohu jetën e drejtpërdrejtë poeti ynë. Ndërkaq ti, i zhgënjyer nga përvoja e Rjekës, ishe tërhequr në vilën e vetmuar princërore të Cargnacco-s.

Ty, pas vdekjes, nuk t’u kërkua ndonjëherë llogari pse kishe qenë ekstremist i djathtë, pse pastaj u ktheve në ekstremist të majtë; pse kishe qenë nacionalist, pse irredentist, pse interventist. Poetit tonë të urtë i kushtoi shtrenjtë përkushtimi në shërbimin ndaj shtetit amë. Ndërsa për ty, carissimo d’Annunzio, filluan të zhvendosin mermeret nga Botticcino për të të lartësuar përjetë përballë Liqenit të Gardës, Et’hemi ynë i kishte shkruar tashmë të gjashtë tragjeditë e tija të mëdha. Ty, i dashur Gabriele , ato vepra do të të kishin siguruar lavdinë, edhe sikur të mos kishe shkruar diçka tjetër. Haxhiademit, për fatin e tij dhe tonë të keq si edhe për krim kombtëar, nuk arritën as t’i anullonin fletën e arrestimit.

Të kujtohet, Gabriele , kur i shkruaje autoriteteve më të larta për të t’i falur borxhet? Sepse shteti, sipas teje, duhej t’i paguante borxhet private të poetit, që mjeshtrit të pamort të mos i prishej niveli i asaj jetese që i mbante gjallë talentin. Edhe mbretit i dërgove njoftim, pasi ti ishe poet. Dhe mbretërit lindin prej nënës njerëzore, poetët e vërtetë prej perëndive. Ata vijnë aq rrallë në këtë botë, sa duhej të ishte detyrë e shtetit dhe e shoqërise që jo vetmë t’i mbante me bukë, por edhe t’u krijonte kushtet për të shkruar. Humbja e një poeti është më e pazëvendësueshme për një popull sesa humbja e një mbreti.

Ej, Salvato’, sipas këtij këndvështrimi ngjani shumë me Et’hemin, e di? Shih se çfarë shkruante poeti ynë: “…Artisti apo shkrimtari shqiptar, qi ti banjë ballë nevojavet të jetës, duhet mâ përpara të merret me ndonji punë qi ep bukë si ç’flitet këtu në Shqipni, dhe për mjeshtërin qi i flet zemra të punojë nëpër orë pushimi ose të lanjë mangut gjumin e natës”.

E sheh or mik, sa pak kërkonte i shkreti poet shqiptar? E dhimbshme deri në asgjësim dëshira e tij.

Ndërkaq ti jo vetëm punove il lirë përgjatë gjithë kohës për pasionet e tua më të mëdha, por nuk i le gjë mangut edhe dëfrimeve të shfrenuara. Me sa zero duhet t’i numëroj dashnoret e tua? Ti, për t’u ushqyer me luks, thonë se u bëre edhe aktor porno. Tani kritika sugjeron si të vertetë faktin se ke qenë ti që luaje “Frate foco”.  Ndërkaq poetit nga Elbasani as që i shkonte ndërmend të tradhëtonte gruan Burbuqe, as edhe më pas, në ëndrat që e shpinin përtej zgarës së hekurt.

T’i nuk kurseje kurrë as edhe per kokainën, që e quaje “pluhuri i çmendur”.

Et’hem Haxhiademi, pas shufrave fatale të burgut, i kërkonte familjes vetëm pak tokla sheqeri, sepse i forconin kujtesën. Priste ditën të flakte prangat, prandaj edhe kërkonte të fiksonte në raftet e kujtesës gjithçka që ia ndalonin të shkruante brenda mureve me diell të vdekur.

Siç e vërteton tek poema jote “Maia”, jeta jote, caro d’Annunzio, u jetua sa për dhjetëmijë jetë. Ajo e elbasanlliut tonë nuk arriti të jetë as edhe një e tërë, por u shua pas 18 vjetësh në qelitë e terrorrit kuqalash. Zyrtarisht zemra e tij nuk i rezistoi më errësirës. Në qelitë – pronë edhe të helmit tinëzar.

Dëgjomë mua, vëlla Gabriele , ti ke qenë me fat qëkur kishe lindur në Itali, ti ke qenë me fat edhe pas vdekjes, kur Italia jote, me dashjen e të mëdhenjve, hyri nën sqetullën amerikane. Haxhiademi nuk e pati atë rrësk. Vendi i tij ra nën thundrën mesozoike të Stalinit. Sikur të kish ndodhur edhe me popullin tënd ajo gjëmë, “Vittoriali” yt do të ish kthyer së paku në një repart ushtarak; eshtrat e tua – sot krenare në majë të mauzoleut – do të ishin bërë kërruarëse dhembësh për peshqit Luccio të liqenit të Gardës.

Përpara teje edhe unë them se, ashtu si ty, jam krenar që i përkas vendit tim. Por Haxhiademi, që ti nuk mund ta shohësh, më zë prej mënge: Çfarë? Si mund të jesh krenar? Sipas cilës mënyre, asaj të Konicës, apo asaj të Çajupit? Mua aresyeja më shtyn drejt Konicës, por shpirti im, përdreq, ështe i dobët: ai citon edhe në gjumë Çajupin. Pastaj, Et’hem, ja, sapo të zesh vendin e merituar me vepra në Panteonin Kombëtar, atëherë edhe ti do ta besoh se ata që të zhvatën lirinë dhe jetën, janë hequr vërtet qafesh, që më në fund as unë nuk gjendem më në qelinë tënde, duke qëmtuar një gjurmë të helmit, një copëz vegle të harruar të torturave, apo të paktën ca faqe të shpëtuara të veprave që shkrove apo përktheve në atë burg mesjetar.

Eh, Gabriele  i dashur. Gurët e tu të çmuar, që i fale kulturës italiane, tashmë bota mund edhe t’i ketë në shtëpi, edhe mund t’i prekë duke vizituar “Vittoriale”-n. Mund edhe t’i kunsultojë on line. Bashkëkohësi yt Haxhiademi mbeti qysh atëhere – në ditën e akullt të 25 janarit, në vitin e egër ‘47 – si një minierë diamantesh që sapo kish filluar të shrytëzohej, mbi të cilën, ata që i trëmbeshin verbimit prej tij, hodhën dinamit për t’ia mbyllyr hyrjen. Akoma presim ta hapim atë xehe të çmuar. Por ne jemi Shqipëri, ku këmbët kanë akoma të lidhura tek kyçet gjylet e rënda të luftës së klasave. Ne hiqemi zvarrë, nuk ecim, aq më pak nuk fluturojmë, ashtu si të pëlqente ty të bëje, mbi qiejt e Vjenës, Gabriele . E dije që edhe Et’hemi ynë  e ka pasur në zemër Vjenën? Eh, atje kish studiuar, për drejtësi, por si shumë të tjerë që vunë atdheun në plan të parë, preferoi baltën e ëmbël si mjalta. Kishte shumë të meta të tjera, Haxhiademi ynë; njihte rrjedhshëm italishten, gjermanishten, latinishten, anglishten, frëngjishten, greqishten e vjetër e të re. Pse jo edhe turqishten. Kish lexuar në origjinal Homerin, Shakespeare-in, Goethe-n. Virgilio-n, Corneille-n e sa të tjerë. Pastaj kish pas qenë shumë i dhënë në respektimin e rregullave të punës dhe shoqërisë,  besnik i familjes, vetmohues në artin e të shkruarit. Tamam për të punuar në Lushnjen e vitit 1928, nuk thua? I padenjë për të vazhduar të japë letërsi në Normalen e Elbasanit, sidomos kur në pushtet erdhën anormalët. I papërshtatshëm edhe për t’u bërë element i qendrueshëm i tabelës së acideve titisto-staliniste.

Nuk kam më forca për ta vazhduar këtë shkrim, i dashur Gabriele . Të më falësh edhe ti, i perkryeri portret i dhimbjes – Et’hem Haxhiademi. Po ndihem sikur të jem epileptik në këto çaste. Kam humbur ekulibrin dhe nuk mund të qëndroj as edhe ulur. Bota po më rrotullohet. Alektrokardiograma po më çmendet. Kush e di sesa është ngjitur presioni i gjakut në damarë. Zhiva po shpërthen termometrin nën sqetull. Sytë, sidoqoftë, nuk i kam të lagur. Loti i fundit nuk më kujtohet qëkur është derdhur dhe gjendrat e mia tashmë janë shterpa. Lotin e shpirtit nuk mund të ma shihni. Mbërthejeni shikimin me kujdes mbi pikat, presjet, pikëpyetjet, pikëçuditëset, dy pikat, pikëpresjet… Janë të gjitha njollëza gjaku, të rrjedhura në qelinë e zezë të Burrelit, në vitin tragjik 1965, kur rruazat e kuqe reshtën së renduri në venat e Et’hem Haxhiademit të madh.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ETHEM HAXHIADEMI, Fate të skajshme, Gabriele Annuzio, Shpend Sollaku Noe'

Paralajmërimi i At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm!

February 22, 2019 by dgreca

Paralajmërimin për rrezikun e brendshëm, At Gjergj Fishta e ka bërë me shkrimin e titulluar, “Rreziku i Përbrendshëm” në revistën e famshme françeskane të fillim shekullit të kaluar, “Hylli i Dritës”, numër 1 e vitit 1921. Megjithëse artikulli është shkruar para 98 vjetëve, aktualiteti i fjalëve dhe paralajmërimi i At Gjergj Fishtës drejtuar klasës së atëhershme politike, mbi rrezikun e brendshëm që i kanosej Shqipërisë dhe shqiptarëve, aktualisht dhe fatkeqësisht tingëllon aktual si një kambanë kushtrimi që bie edhe sot për shqiptarët dhe autoritetet politike të dy shteteve – Shqipëri e Kosovë, pothuaj një shekull më vonë. At Gjergj Fishta e njihte mirë fizionominë e shqiptarit. Ai nuk i kursente fjalët dhe nuk shkruante për të siguruar mbështetje politike nga autoritetet qeveritare dhe shtetërore të rastit ose të kohës, as për interesa personale ose politike dhe as nuk kishte për qëllim që me shkrimet e tija të argëtonte, “Damat e kalorësit e oborreve princore”, siç është shprehur dikur në një shënim, At Viktor Volaj, një mësim ky edhe për medien e sotme shqiptare.

Fishta konsideronte se “rreziku i brendshëm” i vinte kombit jo nga “armiqtë e brendshëm” siç i cilësonte regjimi komunist kundërshtarët e vet politikë. Jo, për At Gjergj Fishtën, rreziku i brendshëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët ishin, “vagabondat, sallahanat, rrugaçat…këta njerëz, këta mikrobe të kombit”, siç i cilësonte ai, të cilët “po munden sot me shpresue se hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar”. Mbi të gjitha, me këtë paralajmërim si edhe me të gjitha shkrimet e tija – pa marrë parasysh se ç’mendojnë për të dhe për veprën e tij pseudo-historianët shqiptarë dhe nostalgjikët e sotëm të Enverit – At Gjergj Fishta synonte gjithmonë mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar dhe të avancimit të imazhit dhe të shpirtit të tij heroik e fisnik, në botë.  Frati i maleve paralajmëronte shqiptarët për ato që ai i konsideronte si rreziqe që i kanoseshin kombit shqiptar nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Megjithëse për shqiptarët “modernë” dhe për klasën e sotme politike, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, At Gjergj Fishta mund të konsiderohet shumë i largët dhe i pa konsekuenca për historinë dhe aktualitetin e sotëm shqiptar, unë u them, se e kini gabim.  Në sytë e vrojtuesve të paanshëm, mendimet dhe paralajmërimi i Fishtës janë aq aktuale sot, sa ishin pothuaj edhe një shekull më parë, pasi duket sikur, fatkeqësisht, një shekull më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë pikëpamje. Sidomos kur të merret parasysh gjendja aktuale në Shqipëri dhe Kosovë, përfshirë grindjet politike dhe luftën për pushtet, korrupsionin, drogën, trafiqet e lloj-llojshme, mbrojtjen e interesave personale dhe familjare në punët e shtetit dhe të bizneseve nga ana e pushtetarëve, e të tjera që historikisht, nuk e paraqet klasën e sotme politike shqiptare në dritën më të mirë që mund të jetë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë.  Fatkeqësisht, shqiptarët nuk kanë mësuar aspak nga gabimet e së kaluarës, përfshirë periudhën historike dhe hallet për të cilat ka shkruar Gjergj Fishta, pothuaj një shekull më parë.

Interesat personale dhe partiake sot po shkatërrojnë harmoninë e brendshme shoqërore të botës shqiptare dhe po nxisin armiqtë e kombit që të peshkojnë në ujërat e turbullta shqiptare kurdo që shohin një rast të volitshëm dhe derën e hapur për realizimin e qëllimeve të tyre djallëzore kundër interesave shqiptare. Gjendja politike aktuale në Shqipëri, sidomos në prag të zgjedhjeve të qershorit dhe situata e brishtë e brendshme dhe e jashtme e Kosovës, kërkon prej atyre që ia duan të mirën kombit shqiptar e, sidomos nga ta që sot kanë në dorë fatin e kombit, që t’i vihet vesh paralajmërimit shekullor të At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm! Dallimet e theksuara shoqërore në fushën politike dhe ekonomike, ku një segment i vogël i shoqërisë që kontrollon politikën dhe ekonominë, favorizohet mbi të tjerët – sidomos në një shoqëri të varfër siç është bota shqiptare – përbëjnë një rrezik për të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por edhe në marrëdhënie me të tjerët. Por, me një harmoni të brendshme politike dhe ekonomike, kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, sado serioze qofshin ato, do të mund të përballen më lehtë me bashkimin e shqiptarëve rreth një platforme të përbashkët interesash kombëtare që duhet të qëndrojnë mbi të gjitha interesat e tjera politike dhe ekonomike. Në paralajmërimin për rrezikun e brendshëm nga At Gjergj Fishta në revistën e famshme françeskane, “Hylli i Dritës”, të vitit 1921, Poeti i Kombit, me një perspektivë historike të tijën, shkruan, nëse para fitimit të pavarësisë, shqiptarët ishin, “Të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, deri shpresën e kishin bjerrë shqyptarët, se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme; e prandej shumica e madhe e tyne s’pat as të nxetë as të ftoftë, kur u thamë se kishte Shqypni.  Por, qe, sot koha na dha arsye. Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të vetin, ka nji ushtri, nji financë, a ma tepër ka nji vijë kufijsh të njoftme ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se Shqypnia ashtë, e se ashtë e lirë dhe e pamvarun”.

Fishta shkruante se, “Ideali ynë përsa i përket pamvarsisë dhe lirisë së kombit shqyptar u realizue”, duke shtuar se “Shteti shqyptar leu”, por njëkohsisht shtron pyetjen: “Po mirë: por a jeton? A rritet? kombi shqiptar.  Ai shprehet se, aty për aty, nuk dukej të kishte ndonjë kërcnim të menjëhershëm nga jashtë ndaj Shqipërisë së re të pavarur, por paralajmëron se për të shuar jetën e re të pavarësisë së shtetit të ri shqiptar, nuk ishte e nevojshme që rreziku të vijë, patjetër, nga jashtë. “Shumë herë ai rrezik vjen tue u pjekë e tue u nugë shi përbrenda tejzave mbi të cilat bulon jeta. Njato mikrobe të helmatosuna, qi vërvisin përbrenda gjakut të nji limfatiku, janë nji për nji të rrezikshëm për jetë të njeriut sa nji zhigjetë a nji plumb që të përshkohet nëpër trup të tij…” Prandaj, Fishta bën thirrje se, “Duhet pra që na, si edhe të gjithë njata që kanë për zemër Shqypninë edhe dijnë çka asht liria e vërtetë, çka asht atdheu, t’i mbledhin mendtë tok mbi nji çashtje kaq me randësi e mos të përkundena në nji optimizëm të pa arsyeshëm, tue mahitë vendin e popullin me fjalë entuziazmi. Kombi s’do rrejtë; asht mëkat me e rrejtë kombin! Kombit i duhen çilë sytë e i duhen çilë sytë me kohë, kur të shifet se jeta e tij ashtë në rrezik, kështu që me kohë të mund të marrë ato masa që vendi e mendoret t’ia këshillojnë me i përdorue për të shpëtue jetën e vet.”  Fishta paralajmëron, siç shprehet, me fjalën e të moçmit se, “lëngatës i do ba ballë që në fillim, pse vonë e vonë mandej ka për t’iu gjetë bari”.

“Nuk ashtë mjaftë që të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë”, ka paralajmëruar Fishta dhe vazhdon se nëse duam të shohim se “Çfarë rreziku mund ti kërcënohet atdheut nga s’përmbrendi…simbas parimeve të etikës së popujve të qytetnuem” duhet të shohim, “natyrën e pëmbrendshme të autoritetit dhe rregullat simbas të cilave duhe përdorue financat e shtetit, e mandej të ndajmë elementin ma të rrezikshëm për autoritetin dhe financat…”

Fishta i shikon ata që i quan “sundimtarë” të shtetit, qofshin ata “princë, bajraktarë, pashë a beg”, jo si të preferuarit e shoqërisë me privilegje, të drejta e pasuri, në krahasim me njerëzit e thjeshtë, por si të barabartë me të gjithë të tjerët, sepse “gjaku i gjithë njerëzve ashtë një.”   Si rrjedhim, ai paralajmëron në artikullin e Hyllit të Dritës se, “Ditën, pra, që nji sundimtar i shtetit zen ta përdorojë autoritetin shtetnuer jo për dobi të shtetit mbarë, por për qëllime vetjake ase për interes të ndonji kastës në shtet, qëllimi i të cilës mos të ketë kurrnjë të përpjekun me lehtësimin e gjallnimit të njeriut mbi tokë e me të përmirësuemit e tij individual e kolektiv, atë ditë fillon shkatërrimi i atij shteti, e sundimtari bahet mikrobi-gjaks i kombit të vet, pa qenë nevoja që armiku prej së jashtmi të harxhojë fishekë në të…”

“Shqyptarë! Atdheu nuk mbahet me dokrra e me pallavra, por me fli e me punë”, paralajmëron Gjergj Fishta dhe pohon se, “ Elementi ma i rrezikshëm a, ma mirë me thanë, rreziku ma i madh i Shqypnisë janë vagabondat: njata shqyptarë që, pa mujtë me përfitue kurrë nji mendim të shëndoshë në mendje të vet, s’janë të zotët me i rreshtue dy shkrola bashkë pa gabim; që për atdhe filluen me u kapë së parit, a m’atëherë kur banë rrush e kumlla gjanë e të parëve të vet e ma s’u mbet asnji dysh…Njerëz rrugaça, njerëz shakllabana e të pa kurrfarë njerëzie e mirërritjeje, të pa kurrfarë mësimi të vlefshëm, që gjithë jetën e vet s’qenë të zotët me shtrue kund ndoj plang, me ngulë kund ndoj truell, me ngrefë kund ndoj shtëpi, me kapë kund ndoj punë, me zanë kund ndoj mik, por gjithmonë me valixhe nën dorë, të harlisun nga mendja, të përdhosun kah fjala, të çoroditun kah vepra; ku mbillen, s’korren; ku bijnë nuk çohen; veç nga, si mizat pakrye, skele në skele, fshat në fshat, qytet në qytet, gjithkund tue zanë ndoj ves të ri, gjithkund tue lanë ndonji marre të re për Shqypni…”

 “…Qe, pra, se kush janë rreziku ma i madh i Shqypnisë: vagabondat, sallahanat, rrugaçat. Por, megjithkëte, këta njerëz, këta mikrobe të kombit, jo veç se po kanë sy e faqe me lypë, por edhe po munden sot me shpresue të hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar. Po a përnjimend se, për me ushqye e me majtë këta njerëz të poshtër, tregtari ynë do të thithë miazmat e dugajave e të sokaqeve, bulku ynë do ta mbajë kryet në gërshanë gjatë shtigjeve të vështira? E po ku jemi na, o Zot? A përnjimend se edhe kuptimi i burrënisë asht harrue në këte dhe, që njerëzve kaq të poshtër po u delka me u ushqye me djersë – me gjak – të kombit shqyptar…?

“Shqyptarë! A vagabondat jashta pune e jashta Shqypnie, ase ndryshe kemi sharrue me t’egër e me të butë”, përfundon porosinë dhe paralajmërimin At Gjergj Fishta në vitin 1921. Fatkeqësisht, paralajmërimi i Fishtës nuk u mor parasysh në kohën e tij, as më vonë. Por ia vlen që sot, pothuaj 100-vjet më vonë, kjo kambanë kushtrimi të dëgjohet nga “sundimtarët” e sotëm anë e mbanë trojeve shqiptare që është një thirrje për bashkim me qëllim për të mënjanuar përsëritjen e historisë së 100-viteve të kaluara të shqiptarëve, ashtu që siç ka thënë At Gjergj Fishta, “lëngatës” të rrezikut të brendshëm, t’i bëhet ballë që në fillim, para se të jetë tepër vonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, porosia e At Gjergj Fishtes

16 SHKURTI DHE NJË PYETJE PA PËRGJIGJE

February 21, 2019 by dgreca

“Individët kalojnë si hijet, por republika është e palëvizëshme dhe e qëndrueshme”/

 Edmund BURKE (1728 – 1797), Burrë Shteti e shkrimtar anglez/

2Eugjen-Merlika-2008V-1-204x300

NGA EUGJEN MERLIKA/

16 shkurti 2019 për Tiranën dhe shqiptarët qe një ditë e pazakontë. U nis si një ditë e një tubimi të madh proteste, të organizuar nga Opozita për të rrëzuar Qeverinë, por u kthye në një ditë vandalizmi të cilën nuk do të dëshironim kurrë më të përsëritej. Skenat e përpjekjeve për të hapur dyert e blinduara të kryeministrisë nga protestuesit dhe gazi lotsjellës i lëshuar nga mbrojtësit e rendit kundrejt tyre, skena të përsëritura për orë të tëra në sytë e qindra mijra shqiptarësh në të gjithë botën që e ndiqnin në televizion, përcillnin një trishtim në shpirt e një zymtësi në mendime….

Ajo ditë qe paralajmëruar tërthorazi në të gjitha mënyrat nga dy muajtë paraardhës të saj, me kundërshtitë mes dy grupeve të politikës që shpalosin një formë lufte të brëndëshme që, herë herë, nuk mban parasysh as normat më parake jo vetëm të etikës politike por as të sjelljes njerëzore, me protestat ekonomike të studentëve, me ndërrime qeveritarësh që nuk kuptohet se mbi çfarë kriteri bazohen, me një kundërshti institucionale mes dy prej njerëzve më të fuqishëm të Shtetit, me një pakënaqësi e varfëri që preken me dorë, si pasojë e faktit që mbetemi ende Vendi më i varfër i Evropës, i shoqëruar nga një dukuri kundërthënëse që shënon njëkohësisht pasuri marramendëse në duar të pak njerëzve, kryesisht atyre me pushtet apo pranë tij…..

Në dy vitet e fundit fjala më e përdorur në gjuhën e folur politike e shtetërore është “vettingu”, që n’origjinalin anglisht ka kuptimin e banjës e të shpëlarit. Tek ne hyri si një kryefjalë magjike e aftë të ndreqë gjithshka shkon mbrapsht në jetën shqiptare. Sa më shumë zgjerohet përdorimi i kësaj fjale, aq më shumë zbulohet lakuriq shprehja e dështimit që ka shoqëruar kalesën e viteve pas komuniste të shoqërisë shqiptare. Vettingu i gjyqtarëve, i politikanëve, i administratorëve, i profesorëve të universiteteve, i punonjësve të rendit etj., që segmente të ndryshme të botës shqiptare kërkojnë me këmbëngulje në faza të ndërsjellta, madje duke thirrur në ndihmë institucione të huaja, vërtetojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se sa shtrembër është mataruar jeta institucionale, administrative, politike e shoqërore e këtyre viteve, sa që sot duhet një shpëlarje e përgjithëshme e një nisje nga zeroja, mbasi ndershmëria dhe merita, që duhej të ishin cilësitë bazë të vlerësimit të nëpunësve të Shtetit, janë zëvendësuar nga e kundërta e tyre. Sot gjindemi me 80 % të popullsisë që kërkon të braktisë Vendin e me mungesën e shpresës e të besimit që zotërojnë në të gjithë indet e qelizat e shoqërisë, me pak përjashtime.

16 shkurti qe një tjetër vërtetim i kësaj gjëndjeje, të rënduar nga mangësi të theksuara të klasës politike që, megjithëse e përtërirë në një farë mase nëpërmjet ndërrimit brezor, vazhdon të shfaqë shënjat e sëmundjes së vjetër e të trashëguar të shqiptarëve, paaftësisë për t’u ulur rreth një tryeze e për të gjetur zgjidhjen e mundëshme të shumë problemeve.

Opozita shqiptare ka vendosur të luftojë me të gjitha mjetet për një ndryshim të jetës politike të Vendit, duke dalë jashtë nga binarët normalë të dialektikës së zakonshme të demokracive liberale të silit perëndimor. Ajo arriti deri aty sa të dalë jashtë kuvendit duke djegur mandatet me një vendim unanim të drejtuesve të partive e të vazhdojë luftën e saj politike nëpërmjet mbushjes së shesheve me protestues. Nuk e di sa pajtohet djegia e mandateve me parimin e detyrueshëm të përfaqësimit të vullnetit të zgjedhësve e një shembull i tillë vështirë se mund të gjindet në historinë e parlamentarizmit botëror. Është e drejtë e kujtdo force politike të zgjedhë mënyrat e luftës që i quan të pështatëshme për të sendërtuar taktikën e saj të betejës politike, në kornizën e rregullave e parimeve të demokracisë liberale.

Sot Opozita ka vënë si synim të saj rrëzimin e Qeverisë që ka dalë nga një votim i njohur nga institucionet e Vendit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë si i pranueshëm për standartet shqiptare, megjithë të metat e vëna re në çastin e zgjedhjeve. Por ajo ngul këmbë se “kupa është mbushur e kështu nuk mund të ecet më”. Kjo është një gjëndje që mund të çojë në një përballim masiv mes grupeve te ndryshme kundërshtare në jetën politike, nëse dhe Qeveria do të ndiqte këtë taktikë siç la të nënkuptohet mbas provës së Vlorës. Në këtë gjëndje kur Shqipëria synon të fillojë bisedimet për hyrjen në BE dhe kur është në mes të një reforme që quhet e rëndësishme për të luftuar korrupsionin e zgjeruar e mbytës të jetës së saj politike dhe administrative, një përballim i përgjithshëm si ai i vitit 1997 do të ishte fatal për fatet e Shqipërisë.

Opozita kërkon dorëheqjen e Qeverisë që, simbas rregullave të çdo demokracie, është e detyruar t’a japë atë nëse nuk ka më shumicën në Kuvend. Opozita kërkon një qeveri të përkohëshme për të zhvilluar zgjedhjet e lira e të ndershme, ëndrra e parealizuar e këtyre tre dhjetëvjeçarëve të kalesës. Ishin po të njëjtat kërkesa të një viti e gjysmë më parë, të sanksionuara nga një takim i gjatë mes kryeministrit Rama e kryetarit të Opozitës  Basha. Se çfarë u fol n’ato tetë orë bisedimesh mes dy bashkëfolësve ende mbetet një e panjohur e pazbuluar, sepse asnjëri prej të dyve nuk e ka thënë haptas. Por përsëri gjërat nuk shkojnë mirë e përsëri jemi të pranishëm në një tjetër akt të vazhdimësisë së kalesës pas komuniste shqiptare. Ndryshimi i vetëm është këmbimi i roleve mes pushtetarëve e opozitarëve, metodat e mjetet janë po ato, të njohurat e të zbatuara gjithmonë në dëm të ecjes para të shqiptarëve.

16 shkurti i 2019 na kujtoi një tjetër ditë dimri të disa viteve më parë, atë të 21 janarit 2011. Të njëjtat grumbullime njerëzish, të trasportuar falas nga anë të ndryshme të Shqipërisë, të njëjtat thirrje kundër hajdutëve e të korruptuarve, që atëherë ishin opozitarët e sotëm ndërsa protestën e drejtonte kryeministri i sotëm. Por me një ndryshim thelbësor: më 21 janar u shprazën armë në ajër por që, fatkeqësisht , morën jetët e katër shqiptarëve të pafajshëm, ndërsa më 16 shkurt, fatmirësisht qe një luftë e gjatë pa të vdekur, mes policisë së Shtetit në rolin e mbrojtëses së godinës së Këshillit të Ministrave nga sulmet e demostruesve dhe Opozitës që e kishte lënë popullin të shprehte “vullnetin” e tij duke u munduar të thyente portën e blinduar.

Ndryshimi nuk është i pakët e tregon një farë ecje të rëndësishme në kahun e qytetërimit që i njeh kujtdo të manifestojë në mënyrë paqësore bindjet apo dëshirat e tij, por edhe nëse nuk e bën n’atë mënyrë, edhe nëse gabon, shkatërron, dhunon institucionet që janë pasuri e simbol i kombit e jo i individëve që qëndrojnë brënda, mbrojtësit e rendit nuk mund e nuk duhet të marrin jetën e askujt. Më 16 shkurt ky ligj i qytetërimit u respektua dhe shoqëria shqiptare duhet të falënderojë ata që e bënë të mundur këtë arritje të madhe.

Por sulmi kundrejt ndërtesës së kryeministrisë më la një shije të hidhur, m’u duk si një rëndesë e panevojshme, si një hap mbrapa, si një rikthim në episode të hershme e më pak të hershme, për të cilët ne si shoqëri nuk po jemi në gjëndje, në mënyrë të vendosur e përfundimtare, të mos u njohim qytetërinë në mendësinë tonë të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit 21, sikur të ishim përsëri në të largëtin vit 1943, kur u gjuajt me top e vetmja Asamble Kombëtare mbarëshqiptare në historinë tonë. Pesë orët e manifestimit të protestës së Opozitës u kufizuan vetëm n’ata episode të vandalizmit kundër portave të ndërtesës.

Sa e bukur do të kishte qënë ajo shfaqje zëmërimi e një pjese qytetarësh të Shqipërisë, kundrejt një Qeverie, një pushteti që përbëhet nga njerëz, nga ide, nga veprime, që mund të paditen në dritën e diellit për prapësitë e tyre, për mangësitë, për politikat, për zullumet, edhe për vjedhjet e votave, ndershmërisht ballë për ballë, me forcën e arsyes, të së drejtës, të ligjeve të një demokracie, për të cilën duhet të japin ndihmesën të gjithë bashkëpuntorë e kundërshtarë politikë. Simbas pohimeve të organizatorëve të protestës, aty do t’i lihej fjala popullit, do të flisnin njerëz nga manifestuesit, thuhej rreth njëzet vetë. Por nuk u pa asnjë të flasë, veç fytyrave të njohura të drejtuesve të partive të Opozitës.

Ajo që e bënte më mjerane atë pamje të zymtë lufte për pushtet ishte mungesa e guximit qytetar të atyre personazheve që mëtojnë nesër të drejtojnë Vendin, për të ndërhyrë e për të larguar ata mercenarë të dhunës nga veprimet e tyre kundrejt një godine që simbolizon pushtetin, institucionin e qeverisjes sonë, që duhet të mbetet gjithmonë i respektuar, sepse nuk jemi një popull shpellash, por një bashkësi njerëzish, zanafilla e të cilëve zhytet thellë n’agun e qytetërimit të këtij kontinenti. Si një popull në mes të Evropës e që mëton të jetë pjesë e saj në të gjithë drejtimet, duhet të tregojmë se bashkëndajmë me të edhe mendësinë e respektit për institucionet. Nëse brënda tyre ne fusim halabakë, hajdutë, vrasës, apo çfarëdo keqbërësi tjetër, nëpërmjet votës sonë, na duhet të pranojmë se ka diçka që nuk shkon në veten tonë, por që nuk mund të mendojmë t’a shërojmë nëpërmjet dhunës së verbër kundrejt godinave në të cilat zhvillohet jeta jonë shtetërore.

Madje edhe më mjerane ishte deklarata e drejtuesve demokratë se “policia e ka provokuar turmën me tërheqjen e saj”. Ende mendohet se qytetarët shqiptarë nuk kanë as sy, as veshë dhe as mëndje për të parë, për të dëgjuar e për të gjykuar me kokën e tyre, por duhet të jenë të telekomanduar nga “udhëheqësit” e tyre.

Lë shumë për të dëshiruar edhe qëndrimi i Kryetarit të Shtetit që, pak qindra metra larg sodit në heshtje një shfaqje të tillë ogurzezë, duke u mjaftuar vetëm me një thirrje të thatë, nëpërmjet televizionit. Një garant i shumë gjërave, simbas kushtetutws, në jetën e një populli duhet të jetë i tillë edhe për përfytyresën e tij, për atë me të cilën i paraqitemi hapur vetvetes dhe botës që na rrethon. Ato skena vandalizmi të 16 shkurtit nuk i bëjnë një shërbim të mirë imazhit të Shtetit dhe as të popullit shqiptar.

Qeveria, si vijë politike e si sendërtim i saj, nuk duhet të ketë asnjë farë kënaqësie nga dukuritë e shëmtuara që u panë më 16 shkurt në Tiranë. “Amfiteatri” i Vlorës, me të gjithë retorikën ku mbizotëronin përemrat “un” dhe “ne”, nuk ishte aspak i nevojshëm dhe as i dobishëm atë ditë. Lufta në distancë ndërmjet dy rrjeshtimeve politike, apo dy drejtuesve të tyre, nuk e zbukuron aspak spektaklin e zyntë të politikës shqiptare, e cila është përgjegjësja kryesore e mungesës së dritës në tunelin e gjatë e të errët të pas komunizmit shqiptar. Një Qeveri nuk mund të ngushullohet nga gabimet e kundërshtarëve, por duhet të jetë tepër e shqetësuar për urrejtjen që ata dhjetra mijra nënshtetas të saj shfaqin n’ato forma. Ajo biletë vizite e tyre duhet të jetë një kambanë alarmi, jo vetëm për të por edhe për Shqipërinë.

“Qeverisja e tepërt është rreziku më i madh i qeverive” shprehej më shumë se dy shekuj më parë Mirabeau, një shtetar dhe orator i njohur i Asamblesë Kombëtare franceze të revolucionit. Qëndrimi i gjatë në jetën politike ndoshta ka sklerotizuar mendërisht e moralisht edhe shumë nga politikanët tanë, që nuk janë më në një hap me kërkesat e kohës për domosdoshmëritë e Vendit të tyre, në një kohë jo të qetë për të gjithë Evropën.

“Rama premton se do të çojë Shqipërinë në Evropë, por bën pak për të çrrënjosur korrupsionin që shtyn Brukselin t’a lerë Tiranën jashtë portës. Basha e krahason Ramën me diktatorin venezuelan Maduro dhe i fryn zjarrit të revoltës popullore. Duke shkuar kështu Shqipëria do të mbetet farefisi i varfër, të cilin askush nuk dëshëron t’a ftojë në tryezën e tij”

Ky është njëri ndër mendimet e shprehura nga një gazetë italiane, “Il giornale” të datës 17 shkurt, në lidhje me protestën e Tiranës. Duke shtjelluar më shkoqur mendimin e gazetarit italian Roberto Fabbri, në dritën e s’ardhmes evropiane të Shqipërisë, të kushtëzuar fort edhe nga këto ndodhi të politikës sonë, më vjen ndërmënd një thënie e Giulio Andreottit, një shtetar i njohur demokristian i mbas luftës së dytë botërore: “Të mendosh keq për dikë bën gjynah, por nganjëherë e zbulon të vërtetën.” Duke u nisur nga kjo thënie aq shumë e përfolur në Italinë fqinje, më vjen vetvetiu një pyetje pa përgjigje: a janë me të vërtetë të përkushtuar aq sa duhet zotërinjtë e politikës sonë ndaj idesë për të ndërtuar Shqipërinë evropiane, apo të gjitha “përpjekjet” e këtyre viteve janë thjesht një gjethe fiku, një demagogji për të shpërlarë trutë e bashkatdhetarëve të tyre, ndërsa e vërteta është krejt e kundërta e asaj ideje?

Shumë ndodhi të dhimbëshme të përsëritura të këtyre viteve në politikën tonë lënë të dyshohet se përtej qëndrimit në vënd mes zënkave, sharjeve të ndërsjellta, padive nga më të ndryshmet, fshihet një strategji mirëkuptimi të plotë për t’a ruejtur Shqipërinë si një feude të përbashkët nga e cila mund të vilen të mirat materiale brez mbas brezi, simbas një parashikimi gjenial të të fundmit kryetar të komunistëve shqiptarë.

Shkurt 2018

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 16 Shkurti, Eugen Merlika, pyetje pa pergjigje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 389
  • 390
  • 391
  • 392
  • 393
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT