• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Analiza e një anomalie me cikle në shtetin e ri të Kosovës

October 22, 2018 by dgreca

Rreth librit “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” të autorit Shaban Murati/

Shaban Murati

Nga Aleksandër Çipa/

Analisti gjeodiplomatik, Ambasadori Shaban Murati, duke sjellë rishtazi librin e vet “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, zgjon dhe orienton shpresën për syçeltësi kombëtare dhe institucionale në fushën e diplomacisë shqiptare në tërësi. Eshtë pikërisht momenti dhe gjendja aktuale ku, siç e thotë Herbert Spenser: ”Po përvetësojmë pesimizmin si bindje”.

Libri i ri dhe vecanërisht tetë paraardhës të qarkulluar prej së njëjtit autor në harkun kohor të 15 viteve të fundit, përbëjnë një literaturë të mjaftueshme, ekspertisht të strukturuar për të fituar njohjen dhe dijenitë e plota për procesin mëvetësues dhe shtetformues të Kosovës. “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, është libri që në bibliografinë e diplomacisë shqiptare, në atë të publicistikës diplomatike dhe sidomos të analizës politike dhe diplomatike të zhvillimeve në hapësirën shqiptare dhe në relacionet ballkaniko-shqiptare, shton një provë atipike. Ky është një kontribut i autorit edhe në lëmin e gazetarisë së profilit dhe atë të analistit të profilizuar.

Ky libër është një mundësi qartësimi,(nëse bëhesh lexues i tij), për një histori të re shteti të ri, si Kosova. Eshtë kalvari real i shtetit të dytë të shqiptarëve. Këtë shtet që po ngrenë duke e pasur në shumë shpërngënj pengues si për arsye të ditura e të trashëguara, paradoksalisht edhe për shkaqe të njohura e që lidhen me vet’henë tonë shqiptare.

Zakonisht, pas një lufte çliruese ose pavarësimi, pretendohet të fitohet normaliteti, të nisë etapa e vështirë primare e shtetndërtimit, funksionalizimit dhe funksionimit institucional. Mirëpo, rasti i Kosovës mbetet fatkeqësisht, rast i një periudhe pa pasues e pa krahasime.

Herë, herë qasjet dhe fatkeqësisht edhe sjelljet politike dhe diplomatike të udhëheqësisë shqiptare në Kosovë, të lenë shijen e përfundimit të Kalevi Holstit në librin e tij referencial “Shteti, lufta dhe gjendja e luftës”, i cili kur flet për reagimet e ndërkombëtarëve ndaj shtetit të dobët, nënvizon: ” Shtetet e dobëta duhet të bëhen më të fortë dhe ata që janë në trajektoren e dështimit, duhet të kthehen prapa”. Nëse e pranojmë kritikën për dështimet tona, pra shqiptare në Kosovë, atëhere për ç’farë kthim prapa mund të flasim?! Të kthehemi ku?!?

Leximet e artikujve-kapituj-analitikë të librit të Ambasadorit Murati, të japin mundësinë të mos kesh dilemë. Autori sugjeron të kthehen prapa, pra vendimmarrësit dhe të mandatuarit si qeverisës në demokracinë foshnjore të Kosovës! Të rikthehen aty, ku qëllimi ishte i qartë dhe bindja e plotë, për një Kosovë të vetme në pavarësi. Të mbesin tek vizioni që shërbeu si themeli e historisë që shqiptarët kurorëzuan në vitin 1999. Natyrisht, aty ku ia dolëm falë mburojës fatmadhe të aleancës euroatlantike dhe sidomos asaj amerikane.(!)

Analizat e zotit Murati, për aspekte, sjellje,inefiçenca dhe diletantizma diplomatike shqiptare, janë në reminishencë fisnike me këshillimin e dikurshëm të ilirologut të famshëm arbëresh Stipçeviç, i cili vuante shpërfilljen vrastare shqiptare për njohjen e kohëve të tyre.:” Shekujt janë të shkurtër sa dita, po nuk i njohëm, e ditët të gjata sa amëshimi, kur mund t’i prekim dhe t’i shohim”.

Duke iu referuar ndërgjegjes dhe përgjegjësisë së munguar kombëtare në diplomacitë respektive të Shqipërisë dhe Kosovës, nga kuota dhe cilësia e një profesionisti sharmant, analisti Murati sfidon hapur dhe kurajshëm qëndrimet infantile, demaskon bisedime e qëndrime të dyshimta anti-interesit kombëtar, heshtje dhe inkorrektesa të kompromentuara shtetërore dhe diplomatike etj.. Sikundër, evidenton dhe denoncon me kritikë të plotë mungesa, inkopetenca dëmsjellëse antikombëtare. Analisti skanon dhe nxjerr në dijeni të publikut marrëveshje dhe kulisa që plagosin apo minojnë interesin shtetëror dhe kombëtar në administratat diplomatike të Kosovës së re si shtet dhe të Shqipërisë së vjetër si shpërdoruese dhe varfanjake.
Receta që lëshon në cilësi të ambasadorit me karrierë, të autorit me zë dhe aparat të plotë, të analistit kurajoz e në valencë të lakmueshme, është ajo që diagnostifikon dhe kuron: ”Diplomacia është distancë nga emocioni personal, partiak dhe mediatik. Emocioni i vetëm, që i lejohet diplomacisë, është emocioni i shtetit dhe i kombit”.

Në librin e vet Ambasadori Murati logjikshëm dhe këmbëngulshëm ngre çështje të paritetit diplomatik në sjelljen dhe kuadrin e përfaqësimit shqiptar, si nga Kosova edhe nga Shqipëria, në forumet dhe institucionet e së drejtës dhe pranë organizimave ndërkombëtare. Ashtu sikundërse konstaton me të drejtë analisti gjeopolitik dhe vëzhguesi përditësues Francis Fukuyama në librin “Ndërtimi i shtetit”: ”Qeverisja e dobët e kompromenton parimin e sovranitetit….E bën këtë sepse problemet që krijojnë shtetet e dobëta për veten e tyre dhe për të tjerët rrisin konsiderueshëm mundësinë që dikush tjetër në sistemin ndërkombëtar të ndërhyjë në çështjet e të brendshme, në kundërshtim me dëshirat e tyre…” Në të njëjtën rrjedhë logjike analisti Murati interpreton kazusin e veriut të Kosovës, apo të infiltrimit të diabolisë ruse në Mitrovicë, të cilin autori e përcakton si “gur gjeopolitik rus”.

Dhe sikundër Fukuyama konkludon se : “… arti i ndërtimit të shtetit do jetë një komponent kryesor i pushtetit kombëtar”, ambasadori Murati faktologjikisht i drejtohet administratës së shtetit të Kosovës me apelin kombëtarist: ”E dashur Prishtinë, harrimi i prioriteteve çon në humbje”.

Në librin e analistit Murati denoncohen me logjikë dhe kokëfortësi arsyetimi, mëkate antikombëtare, qëndrime dëmsjellëse, mungesa koordinimesh dhe paaftësi e sjellje të korruptuara diplomatike, institucionale dhe përfaqësimesh në rrjedhat e kohës së “kalvarit diplomatik të Kosovës”. Eshtë një qasje nga pozita e eskpertit të angazhuar mbi betimin vetanak të ndërgjegjes kombëtare, europianiste dhe sidomos mbi principin e pakushtëzuar të shtetdashjes si shqiptar, pamvarësisht se e ka emrin Kosovë, Preshevë, Shqipëri apo hise tjetër at-mëmë-dhe-sie.

Autori Shaban Murati monitoron dhe analizon në laboratorin e vet autorial dhe studimor, zhvillimet, konjukturat, sfidat dhe befasitë, lojërat dhe qëndrimet shqiptare dhe antishqiptare në diplomaci dhe gjeopolitikë, mbi devizën e panegociueshme të atdhedashurisë genetike dhe intelektuale. Në emër dhe respektim të kësaj devize, Shaban Murati nuk e bjer dhe as e cënon qoftë edhe një grimë, kalibrin e të cilësishmit dhe profesionistit të ftohtë. Dhe ia del në kohën, kur vlerat e kalibrit dhe të cilësishmërisë, janë të padukshme në gjendjen e sotme të kaosit dhe shpërfilljes kolektive dhe fatkeqësisht, edhe institucionale.(!)

Filed Under: Opinion Tagged With: aleksander Cipa, Kalvari Diplomatik, Shaban Murati, shteti i Kosoves

LAJM MORTOR- ZYRAFETE OSMANI NDERROI JETE NE NEW YORK

October 19, 2018 by dgreca

1 Osmani Zyrafete

Familja Osmani njofton Komunitetin Shqiptar në SHBA se me 19 Tetor 2018, të Premten, ndërroi jetë në New York zonja Zyrafete Osmani.

1 Zyrafete Osmani

Vdekja e zonjës Zyrafete la në pikëllim të thellë: Bashkëshortin- Osmanin, vajzat; Burbuqe, Luljeta Valbona dhe Valerijen si dhe nipa e mbesa.Funerali i së ndjerës është të Shtunën 20 Tetor 2018 dhe të Dielën prej Orës 5.00 P.M- 9.00 P.M në Shtëpinë Mortore:

Pleasant Manor Funeral Home.

Adresa:

575 Columbus Avenue

Thornwood, New York 10594

Telefoni i Funeralit: 914-747-1821

Varrimi i së ndjerës bëhet me 22 tetor 2018, të hënën. Ceremonai e varrimit fillon në Orën 9 e 30 të Mëngjesit në adresën e sipërshënuar të Shtëpisë Mortore.

Të piklluar: FAMIJLA OSMANI

Filed Under: Opinion Tagged With: "Shpirtrat e Humbur" në Nju Jork, nderroi jete, ne Nju Jork, Zyrafete Osmani

GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU SI UDHËRRËFYES I SHQIPTARËVE DHE SHËMBULL I SHKËLQYER I DIASPORËS

October 18, 2018 by dgreca

1-Frank-300x212

Nga Frank SHKRELI/

Në kuadër të aktiviteteve të Vitit Mbarëkombëtar 2018, kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, në Prishtinë po mbahet një konferencë me pjesëmarrje nga studiues shqiptarë dhe të huaj. Konferenca është organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutin e Historisë në Tiranë dhe Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup.

Disa medie të Kosovës kanë njoftuar se, ndonëse Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi dhe Kryeministri, Z. Ramush Haradinaj, kishin premtuar se do të merrnin pjesë në këtë konferencë kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbe, asnjëri prej tyre siç duket nuk ishte i pranishëm në këtë tubim, megjithëse ishin pjesë e programit të konferencës, të njoftuar më herët. Përfaqësuesi më i lartë i shtetit dhe i qeverisë së Republikës së Kosovës që mori pjesë në këtë konferencë akademike, ishte Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi. Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi, tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra nga figurat më të respektuara në historinë tonë kombëtare. Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi, tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra nga figurat më të respektuara në historinë tonë kombëtare. “Si figurë unifikuese” shtoi ai Gjergj Kastrioti -Skënderbeu, “Çdo herë ka qenë dhe mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptar. Skënderbeu, si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak, për 25 vite rresht, arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar. Edhe përkundër që ai u ndesh me ushtrinë më të fortë të kohës — pra me atë osmane — ai ishte i pathyeshëm dhe pengesë kryesore për depërtimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore”, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Z. Shyqiri Bytyqi.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra prej figurave më të respektuara në historinë tonë kombëtare. “Si figurë unifikuese” shtoi ai Gjergj Kastrioti -Skënderbeu, “Çdo herë ka qenë dhe mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptar. Skënderbeu, si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak, për 25 vite rresht, arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar. Edhe përkundër që ai u ndesh me ushtrinë më të fortë të kohës — pra me atë osmane — ai ishte i pathyeshëm dhe pengesë kryesore për depërtimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore”, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Z. Shyqiri Bytyqi. Ministri Bytyqi theksoi se Skënderbeu, për vite të tëra shërbeu si figurë pikë nisëse e shumë proceseve të mëdha të popullit tonë dhe si i tillë, për shqiptarët e Kosovës, ai ishte shembulli me i mirë për vetëdijesimin e ndërgjegjes kombëtare. “Ai, ishte udhërrëfyesi i jonë në momentet më të rëndësishme të ndërtimit të shtetit tonë, që nga vlimet e mëdha politike në fillim vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, më pas gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e deri në ditët tona”, tha në fund të fjalës së tij, Ministri Bytyqi. Një prej të folësve në këtë tubim akademik në Prishtinë ishte edhe Përfaqësues i Kishës Katolike të Kosovës, Dioqezës së re Prizren-Prishtinë, Don Lush Gjergji i cili iu drejtua pjesëmarrësve me këto fjalë: “Historia flet dhe thërret në këtë përvjetor të madh, 550 vjetorin e vdekjes së të pavdekshmit Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, i cili si dikur i mblodhi dhe i afroi Arbërit, ashtu edhe sot na afron dhe na bashkon ne Shqiptarët me shumë porosi, qortime, vërejtje, synime dhe frymëzime për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mirë”. Në fjalën e tij, Don Lush Gjergji bëri pyetjen se çfarë na mëson sot figura, jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit – Skënderbe, për kohën dhe hapësirat tona ndërsa theksoi strategjinë largpamëse dhe vendimtare të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, duke nënvizuar se, “Takimi, afrimi, bashkimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetesa e bëjnë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun figurë historike dhe aktuale unike për ne dhe për botën. Njeri që diti, deshi dhe mundi të krijonte këtë rrugëtim shkallor, si art të suksesit, vëllazërisë, afërsisë, vlerësimit pozitiv, të jetës dhe të suksesit të përbashkët me të gjithë dhe për të gjithë.”

Don Lush Gjergji tha se nga Heroi Kombëtar i tyre, shqiptarët në këtë vit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbe, mund të mësojnë shumë edhe sot, sidomos për bashkim, për bashkëpunim dhe për bashkëjetesë me njëri tjetrin. Për një bashkim, theksoi ai, “Si shprehje fuqie të bashkimit në dallime, për çdo ngadhënjim dhe sukses, që mbështetet në të vërtetën dhe në dashurinë për njëri-tjetrin, për idetë dhe idealet e përbashkëta, i bazuar në të vërtetën historike ilire dhe arbërore për përballimin vëllazëror të baticave dhe zbaticave historike dhe aktuale” dhe në bashkëpunim nënvizoi ai, “Si domosdoshmëri për çdo kohë dhe vend, shprehje e fuqisë dhe jetës, veprimtarisë dhe synimeve të përbashkëta, ku ne shpesh çalojmë dhe mungojmë, si një lloj dobësie pothuaj karakteristike e “thembrës së Akilit” për Popullin tonë”. Nga Prijësi i Madh, sipas Don Lush Gjergjit, duhet të mësojmë edhe bashkëjetesën, “Si shprehje atdhedashurie dhe flijimi, kërkimi të vazhdueshëm i të mirës së përbashkët, pa të cilën s’ka as të mira personale, individuale, familjare, grupore, që lehtëson fuqinë shpirtërore, morale, jetësore, që edhe ne, si Gjergji ynë dikur, t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës”, ka thënë ai. Këtë temë siç duket trajton edhe libri më i ri i autorit Z. Jakup Krasniqi, “Skënderbeu dhe Porositë për Shekullin XXI”, që u përurua të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Duke folur për Gjergj Kastriotin – Skënderbe, të cilin ai e cilësoi si ndër figurat historike më të larta jo vetëm evropiane por edhe botërore, historiani Jakup Krasniqi ka veçuar faktin duke theksuar se ne e kemi njohur Heroin Kombëtar Skënderbeun si komandant dhe ushtar i fuqishëm, por duhet ta shohim edhe në këndin e mendimtarit të fortë, të një qeveritari që di çka do dhe jo vetëm për kohën e tij, duke i shërbyer edhe kohëve të tjera. Gjatë promovimit të librit, Z. Krasniqi ka porositur qeveritaret shqiptarë ta shfrytëzojnë pasurinë e begatë që vjen nga Skënderbeu në të tashmen dhe për të ardhmen tonë, njoftojnë disa burime mediatike të Kosovës.

Ministri Shyqiri Bytyqi e cilësoi Skënderbeun si udhërrëfyesin e shqiptarëve të Kosovës gjatë gjithë historisë e deri në luftën e fundit për çlirimin e vendit, ndërsa Don Lush Gjergji u tha pjesëmarrësve në konferencë se Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, “Nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415”, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, sipas Don Lush Gjergjit, “Është shembull i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Terezë, e “Jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore”. Skënderbeu shtoi ai — “Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona komb-formuese dhe shtet-formuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet — mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona — nën flamurin e përbashkët drejt historisë dhe ardhmërisë”, përfundoi Don Lush Gjergji, fjalën e tij përshëndetëse me rastin e hapjes së konferencës shkencore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes”, mbajtur në Prishtinë më 16 Tetor, 2018.

Filed Under: Opinion Tagged With: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, diaspora, Frank shkreli

David Phillips: Amerika nuk e ka aprovuar korrigjimin e kufijve

October 17, 2018 by dgreca

Deklarimi që e ka bërë John Bolton për këtë çështje ka qenë plotësisht i panevojshëm. Natyrisht që ShBA-ja përkrah çfarëdo që palët pajtohen. Së pari, duhet të ketë një marrëveshje dhe marrëveshja duhet të jetë e shkruar dhe e detajuar. Duhet të jetë e miratuar nga Kuvendi, dhe duhet të përkrahet nga shoqëria civile. Akoma jemi larg çfarëdo marrëveshjejeje për të arritur në këtë përfundim./

1-david

Eksperti amerikan i politikës së jashtme, David L. Phillips, në një intervistë për KALLXO.com thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë pajtuar për idenë e korrigjimit të kufijve të cilën Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke e avokuar tash e disa muaj nëpër Kosovë dhe jashtë saj.
Phillips, drejtor i Programit për Ndërtim të Paqes dhe të Drejta të Njeriut në Institutin për të Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia, i tha Jeta Xharrës se nëse Presidenti Thaçi po thotë që Qeveria amerikane e përkrah pozicionin e tij, atëherë “ai ose i ka keqkuptuar ata, ose po i keqinterpreton”.
Deri para pak ditëve, Phillips ka qenë i angazhuar në ekipin e ekspertëve të huaj të Presidentit Thaçi, por ka dhënë dorëheqje duke shprehur hapur mospajtimet me idenë për ndarje të Kosovës.

Jeta Xharra: z. Philips, së fundmi të dy liderët tanë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj kanë qenë në Amerikë. Që nga koha që janë kthyer, ajo çfarë ne dimë është që të dy janë takuar me zyrtarë të lartë amerikanë dhe që të dy kanë thënë gjëra të ndryshme para delegacionit të njëjtë të qeverisë suaj. Si e shihni këtë dhe çfarë mendoni se tregon për Kosovën fakti që presidenti ynë shkon në takim dhe thotë “jam i gatshëm t’i negocioj kufijtë”, përderisa kryeministri thotë “kufijtë janë të paprekshëm, nuk dëshirojmë të negociojmë këtë”.

David Phillips: Së pari unë nuk i kam ndarë të gjitha takimet, takimi me Sekretarin e Shtetit ishte mbajtur vetëm nga z. Ramush Haradinaj. Ka pasur takime tjera të përbashkëta me zyrtarë tjerë të Departamentit të Shtetit. Është me rëndësi që të qartësojmë se cili është pozicioni i ShBA-së, kur (John) Bolton, këshilltari për Siguri Kombëtare, tha që ShBA dëshironte që palët të gjenin një marrëveshje dhe pastaj do ta konsideronin përkrahjen, nuk ka qenë një përkrahje për korrigjim të kufirit apo ndarje.

Jeta Xharra: A jeni i sigurt?

David Phillips: Po, jam i sigurt. Kam folur me zyrtarë amerikanë. Qeveria amerikane nuk e përkrah korrigjimin e kufirit, ajo përkrah gjetjen e një zgjidhje të përbashkët të cilën mund ta vlerësojë dhe ajo marrëveshje duhet të gjejë përkrahje nga qeveritë përkatëse dhe nga shoqëria civile.

Jeta Xharra: Prit, prit, me çfarë zyrtarësh keni folur, sepse presidenti ynë po e thotë të kundërtën e asaj çfarë po e thoni ju?

David Phillips: Nuk do të jap emra, por unë kam shërbyer si këshilltar i lartë për tre presidentë, mbaj lidhje me zyrtarët amerikanë, kam folur me zyrtarë të lartë të Qeverisë amerikane.

Jeta Xharra: Edhe me Administratën e Trumpit? Ajo çfarë di për ju është që keni punuar për qeveritë e Demokratëve. A jeni i sigurt që keni kontaktet edhe me Administratën e Trumpit?

David Phillips: Po, kam punuar për Administratën Demokrate dhe Republikane, jam i lumtur që kam bashkëpunuar me znj. Klinton. Kam folur me zyrtarë në Administratën e Trumpit. Askush zyrtarisht nuk e ka përkrahur ndarjen apo korrigjimin e kufijve. Kështu që nëse Presidenti Thaçi po thotë që Qeveria amerikane e përkrah pozicionin e tij, ai ose i ka keqkuptuar ata, ose po i keqinterpreton.

Jeta Xharra: Më trego çfarë përkrahin ata? Me lejo që ta përkthej për audiencën tonë, nëse Qeveria juaj po thotë që “ne do t’ju përkrahim për atë që presidentët e juaj pajtohen”. A nuk nënkupton kjo që ata janë të hapur për të pranuar korrigjimin e kufijve, ndarjen, çfarëdo që e quani? Në fakt ata janë të hapur, Qeveria juaj është e hapur që të pranojë këtë.

David Phillips: Deklarimi që e ka bërë John Bolton për këtë çështje ka qenë plotësisht i panevojshëm. Natyrisht që ShBA-ja përkrah çfarëdo që palët pajtohen. Së pari, duhet të ketë një marrëveshje dhe marrëveshja duhet të jetë e shkruar dhe e detajuar. Duhet të jetë e miratuar nga Kuvendi, dhe duhet të përkrahet nga shoqëria civile. Akoma jemi larg çfarëdo marrëveshjejeje për të arritur në këtë përfundim.

Jeta Xharra: Në fakt, sot, çfarë dimë është që presidenti Thaçi është i vetmi që po e shtyen këtë marrëveshje, nuk duket që ka përkrahjen e partisë së tij, e cila ka dalë me një rezolutë ku thotë që “nuk dëshirojnë ndryshim të kufijve”. Opozita natyrisht që nuk e përkrah, ka pasur një protestë që ishte përkrahur nga njerëz që nuk e përkrahin këtë opsion. Kështu nuk jam e sigurt nëse dikush tjetër në Kosovë e përkrah këtë opsion. Dhe natyrisht që kryeministri publikisht po e thotë që nuk e përkrah këtë opsion. Kështu, ku na shpie kjo neve si vend dhe në veçanti përballë një administrate të tillë si kjo e ShBA-së, ku të dy liderët tanë shkojnë në Departamentin e Shtetit dhe thonë gjëra të ndryshme?
David Phillips: Pra nuk ka qëndrim të unifikuar në Kosovë, keni të drejtë. Bazuar në intervistat që i kam bërë, nuk do të jap emra, por ka qenë një mostër e gjerë me liderë të partive politike dhe politikanë. Askush nuk e ka përkrahur korrigjimin e kufijve. Pikë! Brenda Quint-it, po ashtu nuk ka qëndrim të unifikuar dhe Qeveria amerikane nuk e përkrah korrigjimin e kufirit.
Jeta Xharra: A mund të më thuash edhe një herë se cilat janë qëndrimet e ndryshme të vendeve të Quint-it. Është e qartë se çfarë shohim, por çfarë thuhet në diskutimet e juaja? Njerëz të afërt me presidentin tonë thonë që Quint-i do të ndryshojë qëndrim, gjermanët do të bashkëngjiten për të ndihmuar dhe mbështetur ndryshimet e kufijve. Kjo është ajo çfarë disa ndihmës të Thaçit po na e thonë, po ashtu po punohet me britanikët. A mendoni që kjo do të ndodhë?
David Phillips: Politikëbërja efektive nuk bazohet në dëshira dhe nuk ka asgjë që tregon që Gjermania, Mbretëria e Bashkuar apo ShBA-ja do të bashkëngjiten për të përkrahur propozimin për korrigjim të kufirit. Përpos nëse ka një pikëpamje të fortë midis Quint-it. Nuk mendoj që politikanët e Kosovës do të gjejnë një pozicion të unifikuar. Për fat të keq kjo ka shkaktuar një kaos dhe mosfunksionim. Dhe kjo përshtypje po manipulohet dhe po përdoret nga Beogradi për ta minuar më tej kredibilitetin e Kosovës dhe për të vënë në pikëpyetje nëse opinioni i GJND-së, i cili ligjërisht e autorizoi Kosovën si shtet të pavarur-sovran, është ende i zbatueshëm. Andaj i gjithë ky debat i brendshëm që po zhvillohet dhe të cilin Thaçi është duke e nxitur është duke u përdorur nga kundërshtarët e Kosovës për të minuar vendin. Është koha që ne të kemi një konsensus, që njerëzit të bashkohen dhe të kenë një dialog, të vijnë si një platformë e përbashkët. Kjo mosmarrëveshje publike që e kemi parë së fundmi nuk është aspak në interesin e shtetit të pavarur të quajtur Kosovë e të përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare.
Jeta Xharra: Atë që e dimë prej bisedave që i kemi zhvilluar ne dhe ju me burime të ndryshme është që administrata amerikane i ka kërkuar presidentit tonë të “bëhet kreativ”, kjo duket të jetë shprehja që e kanë përdorur “negocioni me Vuçiqin dhe bëhuni kreativ sepse ju keni nevojë për një marrëveshje”. Tash, vendose veten në pozitë të këtij presidenti e më trego çka ishte dashur ai të negociojë tutje, çka kemi na Kosova të japim në këtë “marrëveshje përfundimtare”?
David Phillips: Nëse brenga e Beogradit ka të bëjë me nivelin e demokracisë që në fund do ta afektojë gjendjen e serbëve të Kosovës, nëse ata brengosen për këtë gjë, atëherë kjo është shumë e thjeshtë: mund të bëni decentralizim të plotë me kusht që qeveria e Kosovës i mban kompetencat në çështje të caktuara si në drejtësi, polici, planifikim urban, ambient, financa, i cakton rregulloret që do ta mbrojnë trashëgiminë kulturore që duhet të jetë një praktikë që vlen për gjithë qytetarët e Kosovës.
Jeta Xharra: Z. David, Kosova e ka nënshkruar planin e Ahtisarit si dhe Asociacionin e Komunave Serbe. Po të pyes, a ka tjetër çka të japë pas gjithë kësaj?
David Phillips: Të gjitha këto masa për të cilat fola duhen të zbatohen në plotëni dhe Kosova duhet të tregojë seriozitet në udhëheqjen e një qeverie që është kredibile. Duhet të ritregojë përkushtim ndaj parimeve të planit të Ahtisarit, përkushtim ndaj Kushtetutës së vet dhe duhet ta luftojë korrupsionin.

Filed Under: Opinion Tagged With: amerika, David L Phillips, Jeta Xharra, kufije e Kosoves

Vrima të zeza

October 16, 2018 by dgreca

-….kur qeveria kontrollon shtetin, ligjet kontrollojnë ato që mendojmë në vend që të merren me ato që bëjmë. Kështu, mendimi i lirë përndiqet. Persekutimi i mendimit e transformon njeriun. Brenda kësaj qelie izolimi, ai provon metamorfozë; mund të shndërrohet në bandit e terrorist, ose ikën, arratiset, strehohet në një vend të lirë ku mund të transformohet në çdo gjë që do a mendon se mund të bëhet…/3-Astrit-Lulushi-286x300-2-250x262-1Nga Astrit Lulushi/
Mos lejoni që frika t’ju ndalojë. Mos u frikësoni nga talljet ose censura. A nuk është detyrë njerëzore për të qenë në paqe me veten? Censorët seç kanë një indinjate morale – një ndjenjë të rrezikshme dhe çorientuese. Ata janë tiranë të vegjël, me terren e aftësi të kufizuara. Duke u trembur nga arsyet e vërteta të indinjatës së tyre, me sjellje e veprime, ata mbrojnë veten nga frika se mund të manipulohen për gjërat që nuk i parashikojnë.
Opinioni i gabuar mund të tolerohet kur arsyeja lihet e lirë për ta luftuar. Por kur qeveria kontrollon shtetin, ligjet kontrollojnë ato që mendojmë në vend që të merren me ato që bëjmë. Kështu, mendimi i lirë përndiqet. Persekutimi i mendimit e transformon njeriun. Brenda kësaj qelie izolimi, ai provon metamorfozë; mund të shndërrohet në bandit e terrorist, ose ikën, arratiset, strehohet në një vend të lirë ku mund të transformohet në çdo gjë që do a mendon se mund të bëhet. Mendja e tij, dikur e burgosur, çlirohet nga frika. Kjo është arsyeja që njeriu në diasporë ndryshon, duke e rritur cilësinë e jetës së tij. Por në shumë raste, njerëzit e diasporës priten me dyshim, zili, smirë kur kthehen në vendin e tyre të parë. Dijet që ata kanë fituar në vendin e lirë, ndeshen me zbrazëtirën e mendjes në errësirë, e cila vepron si një vrimë e zezë kozmike që thith çdo dritë apo të gjitha energjitë e tyre. Eshtë e kotë të synosh diçka kur e di se kurrë nuk do ta arrish. Njësoj ndodh kur mendimi i lirë mbillet në tokë të djerë; punë e kotë, pa rezultat, kthehet çdo përpjekje e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi, Vrima të zeza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 406
  • 407
  • 408
  • 409
  • 410
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT