• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lajme të tilla na kthejnë besimin te qytetërimi dhe humanizmi

June 25, 2018 by dgreca

-Shqiptari sheh e dëgjon pa ndërprerje lajme vrasjeje, përdhunimi, vjedhjeje, grabitjeje të kryera nga njerëz të zakonshëm; sheh e dëgjon  kacafytje …/

1-ilir-harshova-600x400

      NGA  ILIR HASHORVA/

Duke ndjekur lajmet që japin pa pushim mjetet e ndryshme të informacionit në Shqipëri, njeriu humbet besimin te humanizmi dhe qytetërimi, humbet besimin tek e ardhmja e vendit të tij. Shqiptari sheh e dëgjon pa ndërprerje lajme vrasjeje, përdhunimi, vjedhjeje, grabitjeje të kryera nga njerëz të zakonshëm; sheh e dëgjon  kacafytje e veprime të tjera banale të bëra nga gazetarë, opinionistë, komentatorë e gjithfarë njerëzish që dalin e japin moral në televizion; sheh e dëgjon parlamentin, ku ata që mbahen si njerëzit më të ditur e më vlefshëm, që paguhen e mbahen më mirë se cilido tjetër me paratë e këtij populli, veprojnë më keq se rrugaçët; sheh e dëgjon deklarata, dialogë e “batuta” injorantësh që paraqiten  si perla zgjuarsie e mendimi; lexon tituj lajmesh të zakonshme dhe prej tyre të krijohet ideja se po kryhen ndeshje jete a vdekje midis kundërshtarësh; lexon komentet e lexuesve dhe sheh se të gjithë janë në luftë me të gjithë, edhe në rastet kur përmbajtja e shkrimit të gazetës, do të duhej të na bashkonte të gjithëve. Lexoni, për shembull, në qoftë se vazhdojnë të ndodhen në google, komentet e datës 23 qershor në gazetën “Tema”, që bëhen për jetën e Xherdan Shaqirit, të kosovarit-zviceran që i dha fitoren ekipit zviceran, të përbërë kryesisht nga shqiptarë, kundër Serbisë dhe do të bindeni. Të gjitha këto, e shumë të tjera si këto, krijojnë një atmosferë acaruese e pesimizmi, një atmosferë të humbjes së shpresës, një atmosferë mbytëse, një atmosferë që kontribuon në njëfarë mase edhe në përpjekjet që bëjnë shqiptarët për ikjen masive nga atdheu i tyre.

Megjithatë, tek tuk, ndodh që të paraqitet edhe diçka ndryshe, ndonëse nuk para përfillet nga lexuesit. Ata tashmë janë mësuar dhe dashuruar me lajme të trishta, me lajme të ashpra, me lajme përleshjesh, me lajme lufte, të cilat, u kanë hyrë si droga, dhe u kanë krijuar varësi.

Këto ditë, kur po zhvillohet kampionati botëror i futbollit në Rusi, gazta “Tema” on-line dha një lajm, shoqëruar edhe me video, që tregonte tifozët afrikanë senegalezë që, pas mbarimit të ndeshjes dhe boshatisjes së stadiumit (të pa drejtuar nga ndonjë ofiqar i lartë senegalez, i cili të donte të promovonte veten) të mos iknin si gjithë të tjerët, por të qëndronin për të mbledhur mbeturinat që kishin lënë në shkallët e stadiumit shikuesit. Çfarë veprimi qytetar! A mund të mendohet që të bëjnë shqiptarët e Evropës një gjë të ngjashme me këtë që bënë senegalezët e Afrikës? Nuk besoj. Dhe, mburremi pastaj e themi se jemi evropianë!

Po atë ditë, gazeta “Dita” on-line botoi një ndodhi në stadium para fillimit të një ndeshjeje. Ajo jepte pamje dhe shpjegime se si futbollisti spanjoll Piké u ul dhe kapi një zog i vogël që kishte mbetur në fushë para fillimit të ndeshjes. Pasi e kapi, e hodhi në ajër për ta bërë të fluturonte dhe të largohej nga fusha. Zogu fluturoi pak dhe ra prapë aty ku ishte. Pas tij, futbollisti tjetër, Isko, e kapi dhe e nxori jashtë fushës, në mënyrë që të mos e shkelte ndonjë pa dashje.  Çfarë veprimi human! A mund të mendohet shqiptari të bëjë një gjë të tillë? Nuk e besoj. Qytetet e Shqipërisë, mund të jenë të vetmet qytetet në botë, ku nuk shikon zogj e pëllumba. Pëllumbat kanë frikë nga shqiptarët. Shqiptarët i vrasin ata!

Të dyja këto lajme, ndonëse u dhanë në gazeta të cilat janë të dalluara për paraqitje komentesh nga lexuesit e për komente të pa censuruara, nuk patën asnjë koment. A do të thotë kjo se lajme të tilla nuk i lexojnë shqiptarët, se këto lajme janë të pa rëndësishme për ta, se këto lajme nuk u bëjnë përshtypje? Them se po. Por, a do të thotë kjo se këto lajme janë të padobishme për ta? Jo, me siguri, përkundrazi, janë të vetmet lajme që janë të dobishme për ta.

Është vërtet trishtuese që mjetet e informacionit publik në përgjithësi nuk kanë leverdi, apo nuk kuptojnë se, përveç të tjerave, kanë edhe një mision edukues dhe pjesa e misionit të tyre edukues është e një rëndësie të jashtëzakonshme për pastrimin e atmosferës tepër ndotëse për psikikën e shqiptarit, të asaj atmosfere që prodhojnë segmente të caktuara të shoqërisë sonë, se edukimi përmes shembujve është edukimi më i mirë e më efikas se, sa më shumë lajme qetësuese dhe sa më pak lajme acaruese të japin, aq më mirë është për ata të cilëve u drejtohen. Lajme të tilla na kthejnë besimin te qytetërimi dhe humanizmi që gati janë zhdukur.

                            Qershor, 2018

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Hashorva, Lajme qe kthejne, optimizmin

Refugjatët – skenarë udhëkryqi e destabilizimi

June 23, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi /

Në vitin 2005 Bashkimi Europian hapi negociatat për pranimin e Turqisë në union. Pak ditë para marrjes së vendimit kryeministri i atëhershëm turk, Rexhep Taip Erdogan, udhëtoi në Paris, Berlin e Londër, me qëllim që të hapë rrugën e marrjes së këtij vendimi. Gjatë këtij udhëtimi ai nënshkroi marrëveshjet me qeverinë gjermane të kancelarit Schroeder dhe atë franceze të presidentit Shirak për blerje avionësh dhe armatimi të sofistikuar në vlerë prej miliarda eurosh. Kë kënaqur nga tregtia e majme me Ankaranë, Parisi dhe Berlini u angazhuan për hapjen e negociatave me Turqinë, edhe pse ajo ishte dhe mbetet një vend problematic në respektimin e standardeve demokratike. Blerja e vendimit bëri që sot Turqia të jetë më larg Europës sesa në vitin 2005! Të njëjtin skenar, ndoshta në këshillim me presidentin turk Erdogan, ndoqi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Gjatë një vizite që ai zhvilloi në muajin maj në Paris, Berlin dhe këtë muaj në Vjenë nuk ofroi tregëti për blerje avionësh e rraketash, por u vetofrua për shndërrimin e Shqipërisë në një kamping refugjatësh, të cilët ikin nga vatrat e nxehta të konfliktit si Siria, Afganistani, Irani, Iraku, Kurdistani etj për të kapur Europën. – Ju, u tha Rama partnerëve europianë, keni problem refugjatët. Nëse gjeni zgjidhje për këtë çeshtje, atëherë ju rrisni qëndrueshmërinë e kontinentit. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë në këtë aspekt, madje edhe duke ngritur qendrat e trajtimit të refugjatëve në Shqipëri. Më tej ai u foli atyre për përparësitë e kësaj mase dhe e kushtëzoi ofertën e tij jo me ndihma financiare, por me çeljen e negociatave për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Modeli u mor nga miku i tij Erdogan, ndërsa rekoammdnimet e këshillimet i bëri me deputetë dhe zyrtarë të lartë të Komisionit Europian, miq dhe mbështetës fanatikë e të pakusht ndaj tij, të cilët në shumicë i përkasin grupimit të Sorosit. Duket se oferta i ka pëlqyer Angjela Merkelit, e cila gjendet nën presionin e ministrit të Brendshëm të pakomandueshëm, Seehofer. Kancelari austriak, Sebastian Kurz, gjithashtu duket këmbngulës në këtë projekt joshës të Edi Ramës. Ndërsa sot presidenti i Parlamentit Europian, Trajani, u shpreh se sheh një zgjidhje të mirë nga kjo ide. Kurse presidenti Macron është refuzues. Parlamenti dhe qeveria hollandeze gjithashtu. Te kjo e fundit mazhoranca pëshpërit se Lulzim Basha paska aq shumë ndikim, sa të bindë shumicën dërmuese të deputetëve holandezë që “të urdhërojnë” qeverinë e vendit të tyre për të refuzuar çeljen e negociatave më Shqipërinë (!) Megjithatë në Shqipëri kryeministri po luan lojën e strucit. Fsheh kokën në rërë dhe trupin e mban zbuluar lakuriq jashtë! Ai mohoi për ditë me radhë se “nuk ka ofertë të tillë”! Në fakt ai tha të vërtetën. Nuk ishin europianët që i bënë Ramës ofertë, ishte Edi që ua bëri europianëve ofertën e strehimit të qindramijë refugjatëve në Shqipëri. Nuk kemi pse ta fajësojmë për këtë zotin kryeministër. Ai nuk gënjën në ato që thotë. Shkurt oferta është e Tiranës, nuk është e Brukselit. Këtë ka thënë ditë për ditë Edi Rama. Dje nga Vlora deklaroi gjithashtu se “Shqipëria nuk do të pranojë ish-luftëtarë të ISIS-it”, duke i quajtur trillime dhe fantazi të opozitës këto pohime. Edhe në këtë rast ai nuk gënjeu. Edi Rama nuk ka biseduar me europianët për të pranuar ish-luftëtarë të ISIS-it. Ai ka ofruar kampe refigjatësh për gjithkënd, pa dallim, për luftëtarë të penduar ose të papenduar të shtetit islamik dhe për viktimat e këtyre terroristëve, si sirianë, irakenë, kurdë, iranianë, egjyptianë. afganë etj. Në bisedimet në Paris, Berlin e Vjenë ai nuk ka përmendur ish-luftëtarët ose luftëtarët e organizatave terroriste në Lindjen e Mesme. Kryeministri ynë është vetofruar për të trajtuar në territorin e çifligut të tij me emrin Shqipëri qindramijë refugjatë. Kaq! As më shumë, as më pak! Në ofertën e tij Edi, si mjeshtër i aktorit, ka luajtur rolin e “humanistit”, madje është përlotur për fatkeqësitë që po u shkakton “ekstremizmi” europian refugjatëve. Dhe si i tillë Rama u thotë europianëve se “humanizmi i tij duhet të shpërblehet e çeljen e negociatave”! Ndërkaq europianët kanë marrë përsipër të neutralizojnë opozitën dhe kryeopozitarin Lulzim Basha. Ata i ofrojnë zotit Basha ardhjen në pushtet pasi të ikë zoti Rama. Dhe kreu i opozitës joshet nga kjo ofertë europiane. Në fakt zoti Basha ka kohë për ta ushtruar detyrën e lartë të kryeministrit dhe ska pse ngutet. Por a ka kohë Shqipëria? A I mban kurrizi këtij vendi e këtij populli të mbajë mbi shpinë edhe një krizë të tillë? Sirianët nuk janë shqiptarë të Kosovës. Ai zv. ministry idiot që krahason vitin 1999 me ditët e sotme, ai në një vend normal duhej hedh për leckash. Refugjatët e Kosovës i mbajtën shqiptarët në shtëpitë e vatrat e tyre! Ndërsa sirianët e këdo tjetër e t’i marrë Rama në Surrel e ai zv. ministry idiot në familjen e tij! Duke dashur të gjykoj me paanshmëri dhe pa asnjë lloj fobie për refugjatët, fatkeqësitë e të cilëve na trishtojnë, dua të ve në dukje faktin se grumbullimi i tyre në Shqipëri është një akt destabilizimi për vendin dhe gjithë rajonin. Ata që mendojnë se garantojnë qëndrueshmërinë e Europës me ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri, Maqedoni apo kudo gjetkë në Ballkan, duhet të kuptojnë se vendi dhe rajoni do të përfshihen nga dhuna e ndoshta flakët e luftës civile e ndëretnike. Së pari, përfitues direktë do të jenë grupet kriminale të trafikut. Këto grupe janë të gatshme të veprojnë që ditën e parë të hyrjes së refugjatëve në Shqipëri. Ato kanë infrastrukturën e nevojshme dhe të gjithë refugjatët, mijëra, dhjetramijë ose qindramijë, në mos miliona, do të kapërcejnë ilegalisht Otranton për t’u hedh në Itali. Italia nuk mund të jetë aq indiferente e ta pranojë një sfidë të tillë. Sidomos një Itali e qeverisur sot nga antisorosistët. Duket se Europa qendrore në këtë rast ia ka disi me hile Romës. Ofertën e Ramës e shet “si zgjidhje”, ndërkohë që favorizon krimin e organizuar për të destabilizuar Italinë. Së dyti, qeveria shqiptare është e njohur në Europë për lidhjet e saj me grupet kriminale. Europa di për këtë fakt njëmijë herë më shumë sa dijmë ne shqiptarët. Duhet marrë me mend se çfarë do të ndodhë, nëse qeveria dhe vetë kryeministri ofertëbërës bashkëpunon dhe ndihmon me infrastrukturë grupet e trafikantëve. Si do t’i ndihëmojë? Për këtë kemi një eksperiencë par exellance të ndihmës deri më infrastrukturë të trafikut të kanabisit, kokainës dhe heroinës! Psh avionët e vegjël, skafet e fuqishme në pronësi të ministrave, fikja e radarëve dhe moskontrolli i kufijvë, bashkëpunimi i oficerëve të kufirit dhe të policisë me trafikantët, ruajtja dhe forcimi i lidhjeve vertikale me kupolën e shtetit, të gjitha këto janë të provuara. Së treti, kampet e refugjatëve do të bëhen gjah i të gjitha grupeve kriminale e të trafiqeve në rajon dhe në Europë. Për pasojë mafia do të perfeksionojë masat e veprimit si dhe bashkëpunimin me qëllim rritjen e fitimeve. Këto para që do të dalin nga trafiku tashmë i qenieve njerëzore do të përdoren për blerje votash dhe manipulimin e zgjedhjeve. Ndërkohë që Bundestagu Gjerman ve si kusht reformën zgjedhore, çdo reformë r tillë hidhet në erë përballë veprimit aktiv të grupeve kriminale e mafioze të mbështetura nga qeveria e sotme shqiptare. Në fund Parisi, Berlini dhe Vjena do të shohin se “humanizmi” i Edi Ramës do të shkrihet si akulli, sepse qëllimi nuk është trajtimi i refugjatëve, përkundrazi trafikimi I tyre. Shqipëria do t’i largohet Europës më shumë sesa Turqia e sotme! Pushteti autokratik I Ramës do të forcohet. Njëkohësisht ortakëria e kryeministrit shqiptar me Erdogan e me Putinin do të shpërfaqet! Së katërti, ndërsa Shqipëria pranon qindramijë refugjatë, ajo eksporton çdo vit dhjetramijë të tillë drejt vendeve europiane. Kampet e refigjatëve do ta rrisin këtë sasi refugjatësh shqiptarë në Europë, sepse do të shtojnë pasigurinë, varfërinë, pasi trafiku i qenieve njerëzore do të pasurojë një kastë mafioze e politike, e gatshme për ta zhbërë Shqipërinë, mjafton të ruhet pushteti i saj. Se kjo kastë nuk ka të bëjë me fatet e Shqipërisë, por me fatin e pushtetit që ka uzurpuar, këtë fakt shqiptarët e kanë përjetuar për gati 50 vite në kohën e diktaturës komuniste, kur diktatori i detyroi ata “të hanin bar”, mjafton që parimet që atë e mbanin në pushtet të ruheshin?! Kjo është filozofia e bijve të ish-Bllokut komunist! Kjo është përmbajtja e vetofrimit për të ngritur kampe refugjatësh. Shqiptarët kanë shansin që së paku njëherë të zgjohen dhe t’i thonë ndal kësaj maskarade! Tiranë, më 23.06.2018

Filed Under: Opinion Tagged With: e destabilizimi, Enver Bytyci, Refugjatët – skenarë, udhëkryqi

Welcome to America!

June 22, 2018 by dgreca

1Time TrumpNga: Aleksander Rena-New York USA/

Nese ju kujtohet marrëveshja e Obames qe beri me lindjen e mesme, Azine dhe Afriken e jugut, per te sjell ne SHBA qindra mijera emigrant nga keto vende dhe ku embargo njerezore ne ate kohe ishte; 5 njerez nga keto vende dhe një nga nje vend i europes apo e ballkanit. Me pas Obama nenshkroi traktatin, qe, kush nuk ju jep privilegj ketyre kombeve, do t’a kete punen pisk me qendrimin ne US dhe keshtu beri. Filloi te pastroje te gjithe europianet dhe ballkanasit deri me ndarje familjare. E beri kete me bindje te forte, pasi ne shumicen e puneve te krahut, e sidomos ne New York, disponohen nga europianet dhe ballkanasit. Pra ishte nje lufte e hapur, pasi monopoli i ndertimit (aty ku shumica punonin ne te zeze), disponohej nga keto vende te siperpermendura. Kjo natyrisht nuk ishte nje gje e mire per US, sidomos per ata qe kerkojne te paguajne taksa dhe te jetojnë te rregullt si qytetarë te nderuar. Ne rafshin ekonomik, vendet e lindjes se mesme, Azize dhe Afrikes, i dhane nje dem shume te madh vendit si prsh; ulja e cmimeve te punes, pagesat shume te dobta, cilesia e punimeve, ofertat me zero kosto per te pa nje pune etj etj si keto. Sot, tregu po ka veshtiresi te medha dhe hendek midis kompanive, te cilat nje pjese e mire e tyre jane ushqyer me krah te lire pune dhe aspak profesionalizem te treguar. Kjo mbase ishte metoda e shfrytezimit, ku shtyrja per te punuar sa me shume, te garantonte vendin e punes nga pronari. Por jo, kjo nuk ishte dhe nuk eshte aspak e drejt, sepse nje njeri nuk jeton me kacidhe per lemoshe dhe nuk duhet kurre te jetoje si i braktisur nga jeta edhe pse jeton ne US. Cdo kush duhet te jetoje ne mënyrë te rregullt, te disiplinuar, duke paguar ato cfare ai/ajo merr ne kembim pas. Kjo eshte nje drejtesi e mohuar per te gjithe ata/ato qe US e shohin si token e premtuar dhe që udhetojne qindra ore larg ilegalisht per te ngecur pastaj ketu ne meshire te fatit. Politikat e Trump, nuk po e lejojne kete gje. Paraja pa ne te zeze, eshte shfrytezim, baltosje, sakatosje, c’nderim dhe perbuzje per cilindo qe i nenshtrohet fatit te mbijeteses. Politikat Trump, po mbyllin kapitullin Obama, ku pas tij fshihej Soros si dhe kukuvajka Hilari, qe kjo e fundit e deklaroi haptazi, se per punet e renda ne Amerike duhet fuqi puntore nga jasht dhe treg te lire transaksionesh. Me pak fjalë; kerkohej shfrytezimi i krahut te punes deri ne palc dhe paraja te perfundoje ne kontot e George Sorosit, si njeriu qe njihet per shkaterrimin e disa shteteve nga ekonomia. Pra Trump nuk eshte ketu per te percare njerezit, por per t’i shtyre ata, te kene integritetin e tyre si njerez te rregullt. Nese Obama dhe kompania e tij qe i vjen nga pas mendoi se do zevendesonte ekonomine e US me nje kolaps te kesaj natyre, tani eshte koha e duhur per t’i thene ndal cdo zullumi pabesie qe eshte thurr nderkohe ne kurriz te miliona njerezve qe presin nje shanc dhe një jete me te mire per te kaluar. Eshte koha per t’i thene cdo kujt qe e meriton, pa allishverishe apo jete te shfrytezuar: Welcome to America. Time is now!

Filed Under: Opinion Tagged With: Aleksander Rena, Welcome to America!

MUZIKA TRADICIONALE LABE

June 21, 2018 by dgreca

FJALA E STUDIUESIT- MUZIKA TRADICIONALE LABE/

1-spiro-j-shetuni1

Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI-Universiteti Winthrop-Rock Hill, South Carolina-USA/

“Ç’më fute në mendime, moj kënga labe!/

Melodinë tënde ndjek,/

Por mendimin s’ta kap dot lehtë!/

Ngjitesh, zbret, zbret, prapë ngjitesh./

Isua të mban.  (Një melodi me rrënjë!)/

Më ngjan herë-herë si mërmërtje e shqetësuar!/

E prapë ti di të jesh edhe kushtrim,/

Di të jesh edhe e gëzuar!”/

Robert Prendushi (1936-)/

 Çështje etnomuzikologjike, si:  shqyrtimi i vendit që zë muzika tradicionale labe brenda muzikës tradicionale shqiptare, njohja e tipareve të saj më të rëndësishëm lëndoro-substancialë e strukturoro-formalë, marrdhëniet me dialekte të tjerë të muzikës tradicionale shqiptare, rrezatimi kulturoro-artistik brenda dhe jashtë kufijve etnikë të Shqipërisë, etj., kanë qenë, ndër vite, sa shqetësime vazhdimisht të thellë, aq edhe ëndrra ngaherë të bukura, që unë kam pasur!  Duke dhënë një pamje të përgjithshme të përfytyrës së dialektit muzikor lab gjatë shekullit XX, artikulli im nuk përfaqëson vetëm se një përpjekje modeste për të njohur sadopak këtë lloj dialekti.

 Parashtrim

Muzika tradicionale labe është dialekti i muzikës tradicionale shqiptare që bën jetë në Shqipërinë Jugperëndrimore, ose, më mirë, në bashkësinë e madhe të zonave etnografike, që, në popull, njihet me emrin Labëri.  Nga pikëpamja tipologjike, ajo ekziston thjesht në një dialekt të vetëm, pra, pa nën-dialekte të caktuar muzikorë.  Sakaq, ndër stilet muzikorë më të spikatur të saj, lejomëni të përmend:  stilin muzikor të Kurveleshit, stilin muzikor të Lopësit, stilin muzikor të Lunxherisë, stilin muzikor të Zagorisë, stilin muzikor të Gjirokastrës, stilin muzikor të Smokthinës, stilin muzikor të Himarës, stilin muzikor të Dukatit, stilin muzikor të Pilurit, stilin muzikor të Bënçës, etj.  Midis tipareve themelorë dallues të muzikës tradicionale labe, më lejoni të vë në duke sidomos:  1)  përbërja, në disa raste, nga një linjë melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të interpretuarit, zakonisht, nga një këngëtar ose instrumentist i vetëm, individualisht, solistikisht;  përbërja, në shumicën e rasteve, nga dy, tri ose katër linja melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të interpretuarit nga shumë këngëtarë ose instrumentistë, kolektivisht, në grup;  2)  natyra recitative, deklamative, folëse e mjeteve të saj shprehës në  përgjithësi dhe e melodikës në veçanti;  3)  sistemi modal/tonal pentatonik;  4)  kontrasti si thelb i ndërthurjes së linjave melodike;  5)  metrika/ritmika më shpesh e matur, e qartë, e përcaktuar;  6)  mos-shoqërimi me instrumente muzikore (fjala është për muzikën tradicionale zanore labe), etj.

Muzika tradicionale labe pёfaqёson njё art, sa me përmbajtje të thellё, aq edhe me formë të pasur.  Ashtu sikurse ndodh brenda muzikёs tradicionale toske, edhe brenda saj vërehet një dallim i ndjeshëm midis stilit grarishte dhe stilit burrërishte të të kënduarit.  Përsa i takon stilit lab grarishte, vëmendje tërheqin sidomos:  struktura e përgjithshme dy ose tri-zërëshe;  melodika e kristalizuar;  kontrasti i ndjeshëm midis linjave melodike;  metrika/ritmika e matur, etj.  Ndërkohë, përsa i takon stilit lab burrërishte, përshtypje bëjnë veçanërisht:  struktura e përgjithshme dy, tri ose katër-zërëshe;  melodika e zhvilluar;  kontrasti i mprehtë midis linjave melodike;  metrika/ritmika e matur, etj.  Të njohësh së brendshmi muzikën tradicionale labe do të thotë të njohësh, së paku, dy tipare kryesorë të mbarë muzikës tradicionale të Shqipërisë Jug-perëndimore:  strukturën modale/tonale pentatonike dhe kontrastin si kriter kryesor të ndërthurjes së linjave të saj melodike.

Përsa i takon sistemit modal/tonal, muzika tradicionale labe afron mjaft sidomos me muzikën tradicionale toske (nën-dialektin muzikor tosk, nën-dialektin muzikor myzeqar, nën-dialektin muzikor çam, së toku):  në të dy rastet, sistemi modal/tonal është i njëjtë:  pentatonik.  Vetëm se pentatonika labe ndryshon në thelb prej pentatonikës toske.  Po kështu, ndërsa brenda muzikës tradicionale labe, si kriter kryesor i ndërthurjes së linjave të saj melodike, shërben kontrasti, brenda muzikës tradicionale toske, si kriter kryesor i ndërthurjes së linjave të saj melodike, shërben imitacioni.  Pёrveç sistemit të përbashkët modal/tonal, një afri tjetër midis këtyre dy dialekteve muzikorë, ndonëse s’është aq thelbësore, shfaqet karakteri a cappella:  mos-shoqërimi i muzikës zanore me instrumente muzikore.

Të kuptuarit e mënyrës së ekzistencës së muzikës tradicionale labe ka qenë një proces bukur i vështirë!  Ç’është e vërteta, gjatë viteve të para të studimeve të mia, unë, thuajse qetësisht, mendoja se muzika tradicionale labe–zanore o intrumentore, një-zërëshe o shumë-zërëshe– ekziston thjesht si një dukuri kulturoro-artistike e pandashme në njësi të veçanta, pra, si një dialekt muzikor që nuk degëzohet në stile muzikorë!  (Në atë kohë, ndoshta me naivitet, unë arsyetoja pak a shumë në këtë mënyrë:  “Përse duhet vallë që muzika tradicionale labe të ekzistojë në stile muzikorë?!  Çfarë kuptimi do të kishte një dukuri e tillë?!  Apo mos ndoshta ajo do të ishte thjesht një dëshirë subjektive e studiuesit etnomuzikolog?!)  Mirëpo, me kalimin e kohës, duke dëgjuar këngë tradicionale labe të fshatrave dhe zonave të ndryshme etnografike, gradualisht, dalngadalë, si pa kuptuar, vura re se, muzika tradicionale labe, ekziston në stile muzikorë herë-herë mjaft të spikatur.  Kështu, për mua, filloi të bëhet përherë e më e qartë ideja se, zona etnografike, si:  Kurveleshi, Lopësi, Lunxheria, Zagoria, Smokthina, Himara, etj., sikurse edhe fshatra, si:  Kanina, Vranishti, Tërbaçi, Dukati, Piluri, Bënça, etj., ndërsa këndojnë brenda të njëjtit dialekt muzikor, sërish dallohen muzikalisht njëri nga tjetri.  Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, arrita në përfundimin se, dialekti muzikor lab i muzikës tradicionale shqiptare, ekziston në stile të ndryshëm muzikorë, sipas zonave etnografike, dhe, herë-herë, sipas fshatrave të caktuar.  Megjithse duket e tepërt, sërish përmend faktin se, një ligjësori e tillë—prania e vazhdueshme e stileve muzikorë–, karakterizon të katërt dialektet muzikorë themelorë të muzikës tradicionale shqiptare:  dialektin muzikor geg, dialektin muzikor tosk, dialektin muzikor lab, dialektin muzikor qytetar.

Ndonëse prindërit e mi, Xhorxhi S. Shetuni dhe Vala J. Shetuni, sikurse tërë arumunët e Shqipërisë, këndonin toskërisht, muzika tradicionale labe sërish hyri në jetën time fare herët.  Si rastësisht, kur unë isha rreth 4-5 vjeç, një darkë, dëgjova një këngë shumë-zërëshe muzikalisht të panjohur për mua, e cila intepretohej nga një grup të rinjsh arumunë.  Ajo kishte qenë pikërisht një këngë labe!  Disa vite më vonë, kur unë isha rreth 7-8 vjeç, muzika tradicionale labe filloi që të bëhet më e afërt për mua.  Duke qenë se, në atë kohë, mungonte drita elektrike, ne s’kishim ende as radio, as televizorë, as magnetofonë!  Sidoqoftë, gjatë viteve 50-të të shekullit XX, në Shqipëri, nisën që të shiten gramafonë dhe pllaka gramafoni të prodhuara gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit nga shoqëri perëndimore, si:  Columbia, Odeon, etj.  (Siç dihet, energjia që i vinte në përdorim gramafonët prodhohej mekanikisht brenda vetë aparateve.)  Një ditë, pasi dëgjova disa këngë tradicionale shumë-zërëshe toske të shoqëruara me saze (klarinetë, violinë, llautë, dajre), dëgjova edhe disa këngë tradicionale shumë-zërëshe himariote.  Ato nuk shoqëroheshin me instrumente muzikorë, pra, ishin a cappella.  Me shkëlqimin e tyre të veçantë melodik e harmonik, këngë të tilla sikur e ndalën për një çast frymëmarrjen time!

Repertori

Muzika tradicionale labe ka një repertor mjaft të pasur.  Mund të shprehem pa ndrojtje se, çdo stil muzikor lab, përfaqësohet nga këngë të një niveli artistik, krijues e interpretues, me të vërtetë mjeshtëror.  Disa ndër krijimet muzikorë më të shquar tradicionalë  labë, të njohur

brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndoshta do të ishin:  “O çoban i maleve,” “Bilbilenjtë trembëdhjetë,” “Që kur del del yll’ i karvanit,” “Kurvelesh, zemëra ime,” “Seç gjëmon Shuri përpjetë,” “Lule, djemtë e nënave,” etj. (brenda stilit muzikor të Kurveleshit);  “S’vemi asqerë për Turqinë,” “Shihni, shihni, Shazen-o,” “Do t’i vete me ferianë,” “Caush Likë Dorëza,” etj. (brenda stilit muzikor të Lopësit);  “Nusja jonë arbërore,” “Aman, filxhani me bojë,” “Ju nizam’, more të mjerë,” “Misto Mame, o lule,” “Dasma lunxhiote,” “Lunxheri plot lezete,” etj. (brenda stilit muzikor të Lunxherisë);  “Ç’ka bari që s’mbin në qafë,” “Ç’jam goditurë në ballë,” “Kur varesh nga ato male,” “Rashë e theva shtëmbën-o,” etj. (brenda stilit muzikor të Zagorisë); “Dërgon Gjoleka njerinë,” “Kurvelesh e Gegëri,” “Nëntëqind e dymbëdhjetë,” “Evropa shkruajn’ e thonë,” etj. (brenda stilit muzikor të Gjirokastrës);  “Kumbulla prapa shtëpisë,” “Bejkë, shashaqe mëllënjë,” “Çerek shekulli më parë,” “Ushtria jonë popullore,” etj. (brenda stilit muzikor të Smokthinës);  “Vajzë e valëve,” “Erdhi prilli, ç’u shkri bora,” “Moj Katina, Nina-Nina,” “Dallandysh’ e vogël-o,” “Lule, Zaho, lule djalë,” “Dy vajza, të dyja labe,” etj. (brenda stilit muzikor të Himarës);  “O Dervish Aliu, dolle,” “O Qemal, kur të përzunë,” “O trima, flini të qetë,” “Kuvendon nëna me djalë,” “Eshtë e jona Shqipëria,” “Tregon Gego Velideja,” etj.  (brenda stilit muzikor të Dukatit);  “Tundu, bejkë e bardhë, tundu,” “Njëzet e tetë mijë yje,” “Shko, moj shko, kuacë e kuqe,” “Zoga kaçake në mal,” etj. (brenda stilit muzikor të Pilurit);   “Bij çobanësh neve jemi,” “Moj ftujë e bardhë e shullërit,” “Kurveleshi mal mbi male,” Abaz Shehut,” etj. (brenda stilit muzikor të Bënçës).  Më lejoni që të jap tekstin poetik të këngës me titull “Bilbilenjtë trembëdhjetë:”

“Për Bilbil e për Resulë,

Shtatë pashallar’ u shkulë!

O ju, të shkretë çapkënë,

Shkurti ç’ua prishi takëmë,

Që hodhi borë të rëndë!

Bilbilenjtë trembëdhjetë,

Vanë në litare vetë!

— Ngreu, Bilbil, hidh litarë!

— Dale, bej, të ndez cigarë,

Se s’jam çanaku me dhallë,

Por jam Bilbili me pallë!”

Tipare themelorë dallues

Duke i shqyrtuar tiparet më themelorë dallues të muzikës tradicionale labe, qoftë edhe në vija të përgjithshme, ndoshta do të mund të fitohet një ide deri-diku e qartë rreth përfytyrës tërësore, lëndoro-substanciale e strukturoro-formale, të saj.  Lejomëni që të bëj një karakterizim të shkurtër, vetëm se thelbësor, të secilit prej tyre.

Karakteri strukturor një-zërësh e shumë-zërësh

Karakteri strukturor një-zërësh nënkupton përbërjen e një pjese të muzikës tradicionale labe nga një linjë e vetme melodike.  (Të kësaj natyre janë zhanre, si:  nina-nana ose ninulla, vajtimi ose ligjërimi, boroitja ose logatja, etj.).  Një strukturë e tillë sjell, si rrjedhojë, të interpretuarit, zakonisht, nga një këngëtar ose instrumentist i vetëm, individualisht, solistikisht.    Teorikisht, mundësia që interpretimi i zhanreve të mësipërm të bëhet edhe nga shumë këngëtarë ose instrumentistë, kolektivisht, në grup nuk përjashtohet.  Ka, pastaj, edhe një mënyrë të ndërmjetme ose të dyfishtë, e cila bashkon dy rrugët e mësipërme.  (Kujtojmë, p.sh., vajtimet kolektive.)  Mirëpo, pavarësisht nga mënyra e interpretimit, struktura e përgjithshme, në këto raste, mbetet gjithmonë një-zërëshe.

Karakteri strukturor shumë-zërësh nënkupton përbërjen e pjesës më të madhe të muzikës tradicionale labe nga disa linja melodike:  zakonisht, dy, tri, katёr.  (Të kёsaj natyre janё zhanre, si:  kënga lirike me llojet më të ndryshme të saj–të dasmës, rituale, të punës, të dashurisë, etj.–, ballada, kënga epike–legjendare e historike–, zhanre instrumentorë, vallja tradicionale, etj.).  Një strukturë e tillë sjell, si pasojë, të interpretuarit nga shumë këngëtarë ose instrumentistë, kolektivisht, në grup.  Po të marrim parasysh dendurinë e përdorimit të zhanreve shumë-zërësh brenda muzikës tradicionale labe, atëherë mund të pranojmë se kjo lloj muzike është më tepër shumë-zërëshe.

Karakteri recitativ

 Karakteri recitativ, deklamativ, folës parakupton afrinë që ekziston midis intonacioneve të muzikёs tradicionale labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe, dhe intonacioneve të të folurit njerëzor.  (Në dallim nga muzika tradicionale toske, kjo lloj muzike ruan natyrë të ndjeshme recitative.)  Motive, masa, fraza muzikore të ndryshme të muzikës tradicionale shumë-zërëshe labe janë recitative në shkallë të ndryshme:  motivet që këndohen nga shumë këngëtarë (bashkarisht) shfaqen në përgjithësi më ariozë, ndërsa ata që këndohen nga këngëtarë të veçantë (veçmas) paraqiten më deklamativë.  Ndërkohë, frazat muzikore ndërmjetëse, në përgjithësi, shfaqen më të këndueshme, kurse frazat muzikore fillestare dhe ato përmbyllëse, si rregull, paraqiten më deklamative.  Duke vazhduar vrojtimin, pranoj që, nëse fraza e dytë muzikore (e cila, siç mund të kuptohet, përbëhet nga një numër masash muzikore) mund të quhet pjesë arioze, fraza e parë muzikore (e cila, po ashtu, përbëhet nga disa masa muzikore) duhet vështruar si pjesë deklamative.  Në muzikën tradicionale labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe, karakteri recitativ objektivizohet ngaherë në mënyrë relative:  motive, masa, fraza muzikore të ndryshme;  linja melodike të ndryshme;  stile muzikorë të ndryshëm; gjini, zhanre e lloje folklorike të ndryshëm janë deklamativë në shkallë të ndryshme.  Porse, duke qenë relativ, karakteri folës mbetet, në të njëjtën kohë, faktor i rëndësishëm i përfytyrës së saj tërësore melodiko-modale.

 

Karakteri pentatonik  

 

Karakteri pentatonik nënkupton ndërtimin e muzikës tradicionale labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe, prej modesh të përbërë nga pesë tinguj të ndryshëm, të cilët vendosen si rregull në largësi sekondash të mëdha e tercash të vogla.  (Nga kjo pikёpamje, ajo shfaqet thuajse e njёjtё sikurse muzika tradicionale toske, një-zërëshe o shumë-zërëshe.)  Nënvizoj se, modet pentatonikë janë të përbashkët, si për zhanret muzikorë një-zërësh, si:  nina-nana ose ninulla, vajtimi ose ligjërimi, boroitja ose logatja, etj., ashtu edhe për zhanret muzikorë shumë-zërësh, si:  kënga lirike me llojet më të ndryshme të saj (të dasmës, rituale, të punës, të dashurisë, etj.), ballada, kënga epike (legjendare e historike), etj.

Karakteri kontrastues

 Karakteri kontrastues parakupton ngjizjen e muzikës tradicionale shumë-zërëshe labe, në thelb, prej raportesh të ndryshëm melodikë, kontrapunktikë, harmonikë, metrikë/ritmikë midis linjave të saj melodike në përgjithësi dhe dy linjave kryesore melodike në veçanti.  (Nё qoftё se, nё muzikёn tradicionale shumë-zërëshe toske, thelbin e ndёrthurjes sё linjave melodike e pёrbёn imitacioni, në muzikën tradicionale labe, thelbin e kësaj ndërthurjeje e përbën kontrasti.)  Brenda muzikës tradicionale shumë-zërëshe labe, marrësi dhe kthyesi kontrastojnë midis tyre veçanërisht në rrafsh melodik, kontrapunktik, harmonik, metrik/ritmik.  Ndërkohë, ata afrojnë njëri me tjetrin jo vetëm si rrjedhojë e harmonisë, ritmikës plotësuese, etj., por, gjithashtu, e rregullsisë formale gjatë kontrapunktimit të linjave melodike.

Karakteri metrik/ritmik i matur

Karakteri metrik/ritmik i matur nënkupton natyrën e muzikës tradicionale labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe, për të qenë në përgjithësi e matur, e qartë, e përcaktuar, nga pikëpamja metrike/ritmike.  (Nё kёtё aspekt, muzika tradicionale labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe, shfaqet thuajse njësoj sikurse muzika tradicionale gege.)  Pjesët muzikore zanore e instrumentore të saj, duke u organizuar në metra/ritme të thjeshtë, të përbërë, të përzier, jepen zakonisht në mënyrë të përpiktë nga pikëpamja metrike/ritmike.  Lejomëni të kujtoj, p.sh., nina-nanat ose ninullat, boroitjet ose logatjet, vajtimet ose ligjërimet, këngët lirike me llojet më të ndryshme të tyre (të dasmës, rituale, të punës, të dashurisë, etj.), balladat, këngët epike labe (legjendare e historike), etj.  Më lejoni të sjell ndër mend, po ashtu, pjesët muzikore instrumentore labe, etj.  Të mos harrojmë, pastaj, as vallet tradicionale labe, veçanërisht ato që organizohen në metra/ritme të përzier:  pesë-njësish (5/8, 5/4), shtatë-njësish (7/8, 7/4), nëntë-njësish (9/8, 9/4), dymbëdhjetë-njësish (12/8, 12/4), etj.

Karakteri a cappella

Karakteri a cappella ose thjesht zanor parakupton natyrën e muzikës tradicionale zanore, labe e toske, një-zërëshe o shumë-zërëshe, për të mos u përcjellë me instrumente muzikorë, ose, që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, për t’u vetë-shoqëruar.  Nga sa është hulumtuar, vërehet se, brenda muzikës tradicionale zanore shumë-zërëshe, ky tipar lind, në mënyrë shkakësore, shfaqje të rëndësishme në jetën e saj, si:  vetë-përcjellja me iso, shoqërimi i valleve me këngë, modulacioni, etj.  Historikisht, muzika tradicionale zanore labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe, i ka qëndruar anash shoqërimit instrumentor, si për të mos e ndryshuar në asnjë mënyrë përfytyrën e saj.  Sidoqoftë, s’kanë munguar raste të shoqërimit me instrumente muzikorë.

Muzika labe dhe muzika toske

Një krahasim i përgjithshëm midis dialektit muzikor lab dhe dialektit muzikor tosk (nën-dialekti muzikor tosk, nën-dialekti muzikor myzeqar, nën-dialekti muzikor çam, së toku), shfaqet si një çështje e rëndësishme, sidomos duke marrë parasysh faktin se, këta dy dialekte, janë pa dyshim të afërt, në mos të njëllojtë, në katër aspekte muzikorë themelorë, si:  i)  struktura e përgjithshme ose sasia e linjave melodike;  ii)  tekstura muzikore;  iii)  sistemi modal/tonal;  iv)  raportet e muzikës zanore me instrumentet muzikorë. Disa përfundime që dalin përmes krahasimit të dialektit muzikor lab me dialektin muzikor tosk, ndoshta do të mund të formuloheshin si vijon:

 

  • Dialekti një-zërësh o shumë-zërësh lab fiton më tepër ngarkesë ideo-emocionale epike, ndërsa dialekti një-zërësh o shumë-zërësh tosk ruan më shumë ngarkesë ideo-emocionale lirike.
  • Në rrafsh të përgjithshëm strukturor, dialekti shumë-zërësh lab, ekziston me dy, me tri dhe me katër linja melodike, kurse, dialekti shumë-zërësh tosk, ekziston vetëm me dy ose tri linja melodike.
  • Në rrafsh melodik, dialekti lab, është më tepër recitativ, deklamativ, folës, ndërsa, dialekti tosk, shfaqet më shumë arioz, muzikal, i këndueshëm.
  • Në qoftë se, metrikisht/ritmikisht, dialekti lab, vjen, më shpesh, i matur, i qartë, i përcaktuar, dialekti tosk, shfaqet, herë-herë, i pamatur, i paqartë, i papërcaktuar, ose kapriçoz, delikat, i stërholluar.
  • Gjatë jetës së tij, dialekti shumë-zërësh lab, përgjithësisht, s’e ka njohur dhe as e njeh shoqërimin instrumentor, kurse, dialekti shumë-zërësh tosk, ka njohur, në një farë mase, edhe shoqërim instrumentor.

Muzika labe dhe muzika greke  

Muzika tradicionale labe dhe muzika tradicionale greke (vurgare, dropullite, pogonite), për shekuj me radhë, kanë jetuar e jetojnë në fqinjësi të afërt.  Në kushte të tillë, ato kanë dhënë e marrë njëra me tjetrën, kanë ndikuar njëra mbi tjetrën, kanë bashkëvepruar midis njëra-tjetrës.  Disa përfundime që dalin përmes krahasimit të muzikës tradicionale labe me muzikën tradicionale greke (vurgare, dropullite, pogonite), ndoshta do të mund formuloheshin si më poshtë:

  • Muzika tradicionale labe ka një strukturë të përgjithshme më rrallë një-zërëshe dhe më shpesh shumë-zërëshe: dy-zërëshe, tri-zërëshe, katër-zërshe, ndërsa muzika tradicionale greke (vurgare, dropullite, pogonite) ruan një strukturë të përgjithshme më shpesh një-zërshe dhe më rrallë shumë-zërëshe:  dy-zërëshe, tri-zërëshe (asnjëherë katër-zërëshe).
  • Muzika tradicionale labe ka një teksturë muzikore më rrallë monofonike dhe më shpesh polifonike, ndërsa muzika tradicionale greke (vurgare, dropullite, pogonite) ruan një teksturë muzikore më shpesh monofonike dhe më rrallë polifonike.
  • Muzika tradicionale labe ka një sistem modal/tonal pentatonik, ndërsa muzika tradicionale greke (vurgare, dropullite, pogonite) ruan një sistem modal/tonal kryesisht diatonik.
  • Muzika tradicionale zanore labe, zakonisht, nuk shoqërohet me instrumente muzikorë, ndërsa muzika tradicionale zanore greke (vurgare, dropullite, pogonite), zakonisht, përcillet me instrumente muzikorë.

Studiues shqiptarë e ndërkombëtarë dhe poetë

Albanologë të ndryshëm, shqiptarë e ndërkombëtarë, herë më pak o herë më shumë, kanë ndriçuar aspekte të rëndësishëm jashtë-muzikorë të kulturës materiale e shpirtërore të Labërisë.  Midis tyre, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni që të përmend studiues, si:  Eqrem Çabej, Mary Edith Durham, Johannes Georg von Hahn, Fiqiri Haxhiu, Selami Pulaha, Emin Riza, Spiro Shkurti, Mark Tirta, Aflred Uçi, Martin Urban, Rrok Zojzi, etj.   Studiues të tjerë, shqiptarë e ndërkombëtarë, herë më pak o herë më shumë, kanë ndriçuar aspekte të rëndësishëm muzikorë.  Midis tyre, alfabetikisht, sipas mbiemrave, më lejoni që të përmend muzikologë, si:  Hysen Filja, Beniamin Kruta, Vasil S. Tole, etj.

Përfaqësues të shquar të poezisë shqipe, u ndikuan, më së pari, pikërisht prej bukurisë dhe pasurisë së rrallë të poezisë tradicionale labe.  Midis tyre, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni që të përmend figura, si:  Fatos Arapi, Ali Asllani, Andon Zako—Çajupi, Ismail Kadare, Sejfulla Malëshova, Agim Shehu, etj.  Gjatë shekullit XX në përgjithësi dhe gjysmës së dytë të tij në veçanti, poezia tradicionale labe u lëvrua nga vjershëtorë të mirënjohur popullorë, midis të cilëve, alfabetikisht, sipas mbiemrave, më lejoni që të përmend vjershëtorë, si:  Zaho Balili, Feti Brahimaj, Lefter Çipa, Sejmen Gjokoli, Selim Hasani, Dule Havari, Tomorr Lelo, Maliq Lila, Teno Lona, Memo Meto, Kujtim Mici, Neço Muka, Shefqet Peçi, Hamdi Pulo, Hysen Ruka, Qazim Adem Ruka, Saliko Dalan Salaj, Muhamet Tartari, etj.  Duke u mbështetur në trashëgiminë e poezisë tradicionale labe, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, doli një plejadë tjetër, më e re, poetësh të talentuar, midis të cilëve, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni që të përmend poetë, si:  Sadik Bejko, Izet Çulli, Faik Deda, Lirim Deda, Halil Qendro, Petrit Ruka, Novruz Shehu, Qazim Sheme, Ilirian Zhupa, etj.  Mbledhës i përkushtuar i folklorit letrar të Shqipërisë së Jugut ka qenë, midis të tjerëve, Fatos Mero Rrapaj.

Të shpresojmë se studiues të tjerë, shqiptarë e ndërkombëtarë, etnomuzikologë e muzikologë, do të bëjnë emër pikërisht duke iu përkushtuar hulumtimit të muzikës tradicionale shqiptare në përgjithësi dhe asaj labe në veçanti.

 Epilog

Bashkëveprimi midis muzikёs tradicionale labe dhe muzikёs tradicionale greke (vurgare, dropullite, pogonite), megjithse ka ardhur natyrshëm si rrjedhojё e afёrsisё gjeografike midis popullit shqiptar dhe popullit grek, s’ёshtё aspak njё proces i thjeshtё, i njёtrajtshёm, uniform.  Si ligjёsori universale, bashkëveprimi midis kulturave të ndryshme muzikore të kombeve, popujve, ose grupeve të ndryshëm etnikë, gjeografikisht të afërt ose të largët, është gjithmonё një proces i ndërlikur, kompleks, shumë-dimensional.  Njё proces i tillё s’duhet parë thjesht në strukturën e përgjithshme dhe as në teksturën muzikore, por, në radhë të parë, në aspektin melodiko-modal të kulturave muzikore tradicionale, në përgjithësi, dhe në sistemin modal/tonal të tyre, në veçanti.  Ndërkohë, as vetë sistemi modal/tonal s’duhet marrë asnjëherë i shkëputur prej faktorëve të tjerë, muzikorë e jashtë-muzikorë.

Filed Under: Opinion Tagged With: MUZIKA TRADICIONALE LABE, Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI

DEMOKRACITЁ E BRISHTA EVROPIANE

June 20, 2018 by dgreca

1-Eugjen-Merlika-225x300

Shkruar nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/ Nё ndodhitё politike t’Evropёs sё sotme ёshtё e lehtё tё lexohet njё pёrkim i veçantё i ngarkuar me shumё mёsime. Pёrkimi ёshtё ai ndёrmjet krizёs sё zvaritur (por tani jo dhe aq) tё regjimeve demokratike evropiane dhё, nё tё njёjtёn kohё, tёrheqjes sё Shteteve tё Bashkuara nga teatri i kontinentit tё vjetёr. Nuk ёshtё njё pёrkim rastёsor. Nё fakt, ashtu sikurse qe vetёm fitorja e anglo – amerikanёve, por nё thelb kryesisht e Sh.B.A., qё nё 1945 pёrcaktoi ardhjen n’Evropё tё regjimeve tё qёndrueshme demokratikё, kёshtu sot duket se ndodh njё dukuri e njёjtё nё kah tё kundёrt. Largohet prania e Shteteve tё Bashkuara nё kontinent dhe jo rastёsisht, nё pёrkim me kёtё largim, demokracitё evropiane janё gjithёnjё e mё shumё nё hall tё madh.

Shumё shpesh harrojmё se n’Evropё demokracia – demokracia liberale e hapur kundrejt tё drejtave shoqёrore, qё ёshtё ajo pёr tё cilёn po flasim – nuk ka patur njё jetё tё thjeshtё. Ёshtё mjaft nё dyshim, sa pёr tё filluar, qё mendimi i madh, i zhvilluar nё kontinent qё nga Platoni tek Heideggeri, ka qёnё pёr tё shumё i dobishёm : e po kёshtu fetё e Kishave mё tё mёdha tё saj, duke filluar nga ajo katolike. Qё nё fillim, zhvillimi i saj politik u gjend nё luftё me pushtete tё lashta, tradita tё ndritura dhe hjerarki tё pёrforcuara; rrezikohej nё çdo hap nga radikalizma shoqёrore vёshtirёsisht tё zotёrueshme.

Ka ndodhur kёshtu, qё mbas disa sukseseve tё rёndёsishёm tё shekullit XIX, dyzetvjeçari i parё i Nёntёqindit evropian, pa demokracinё nё tёrheqje pёrparuese, tё paaftё tё grumbullonte rreth vetes njё miratim tё mjaftueshёm t’i kundёrvihej kёrcёnimit tё ideologjive kundёrdemokratike tё sё djathtёs e tё sё majtёs. Ishte e paracaktuar tё provonte njё humbje mbas tjetrёs, deri nё mёnxyrёn pёrfundimtare tё 1940-ёs. N’atё datё, vetёm dy qoshe tё Evropёs kontinentale, Zvicra e vogёl dhe Suedia mbaheshin ende nё liri. E lёnё nё vetvete historia evropiane kishte shkuar nё njё pёrfundim tё kёtillё.

Ёshtё e dobishme tё mos harrojmё. Ҫfarё do tё kishte ndodhur nёse mё 1940, nuk do tё ishte qёndresa e vetmuar e Britanisё sё Madhe kundёr Gjermanisё naziste, aleate me komunizmin stalinian (dhe kёtё duhet tё kujtojmё: Stalingradi erdhi mbrapa, vetёm mbasi Hitleri sulmoi BRSS), e mё pas hyrjen vendimtare tё SHBA nё luftё? Ҫfarё fundi do tё kishte patur demokracia n’Evropё?

Pёr fat ato gjёra qenё. Fitorja anglo – amerikane dhe prania e gjatё e SHBA nё kontinent – krejt tjetёr nga “Yankee go home!”, e gёrthitur prej vitesh nga shumё bashkatdhetarё tanёt pa tru, deri pardje – kanё qenё vendimtare pёr tё bёrё tё mundur lindjen dhe/ose pёrforcimin e regjimeve politike nё tё cilёt kemi jetuar nё mbasluftёn e gjatё (e sё fundi, pёr tё çliruar Evropёn e Lindjes). Pёr regjimet tona demokratikё, me qёndrёn demokristiane e tё majtёn socialdemokrate, nё cilёsitё e protagonistёve tё plotfuqishёm, me ideologjitё e sё djathtёs dhe aktorёt e tyre shoqёrorё tё lёnё rreptёsisht mёnjanё, dhe me miratimin masiv, tё siguruar nga shpёrthimi i kapitalizmit tё konsumit, nga rritja e pagave dhe nga politikat keyneziane. Edhe gjithё kjo e ndёrthurur nё mёnyrё vendimtare nё marrёdhёnien me SHBA, e mbrojtur nё botё nё çdo drejtim nga mburoja amerikane.

Por pikёrisht marrёdhёniet me SHBA, janё marrёdhёnie qё pashmangshmёrisht po shkojnё drejt drobitjes sё tyre, qё çdo ditё shpejtohet. Nga Bushi i fundit punё pa mbaruar, tek presidenca e tepёr ngordhalaqit Obama, deri tek ajo tuafe e me huqe e izolacionistit-proteksionist Trump, prej kohёsh dy brigjet e Atllantikut nuk bёjnё gjё tjetёr veçse tё largohen. Prej kohёsh Amerika duket se ka vendosur tё tёrhiqet nga kjo pjesё e botёs (e jo vetёm). Sigurisht ёshtё ende NATO, por tashmё e prirur pёr tё qenё vetёm njё organizёm thjesht ushtarak. Njё organizёm qё nga ana tjetёr – pa atё lidhjen e brёndёshme qё sigurohet nga njё bashkёndarje e vёrtetё e vlerave, pa perspektiva e shpresa tё pёrbashkёta, e molepsur nga besimi shumё i pakёt dhe nga mosmarrёveshjet nё rritje tё pёrbёrёsve tё saj, e dobёsuar nga dobёsimi i pёrgjithshёm i drejtimit amerikan – edhe nё rrafshin ushtarak nuk ёshtё mё ajo e njё kohe.

Evropa, pra, ёshtё e vetme, mbas Brexit ёshtё ende mё e vetme nё kontinentalitetin e vet. Nё kёtё vetmi rikthehen nё skenё gjithё karakteret e kundёrta tё gjeopolitikёs sё saj. Kthehet shtyrja e fuqishme hegjemonike e Gjermanisё, gjithmonё nё vёshtirёsi kur bёhet fjalё pёr t’i dhёnё njё formё tё qёndrueshme tё miratuar kёsaj hegjemonie, gjithёnjё e mё shumё e prirur drejt lindjes. Kthehet dёshira jashtё mase dhe e shpёrndarё e Francёs, pёrjetёsisht e pavendosur rreth objektivit pёr tё zgjedhur. Kthehet nё Lindje e mbi Balltik masa kёrcёnuese ruse. Kthehet nё jugё thyeshmёria e drejtimit mesdhetar, e zbuluar  ndaj rreziqeve tё reja e tё lashta qё vijnё nga Afrika e Veriut dhe nga Lindja. Kthehet madje edhe dinamizmi turko – ottoman drejt Ballkanit, sot mё i fuqishёm nga forca e rish ungjillizimit islamik.

Nё gjithё kёtё kuadёr zotёron thёrmimi i ideve, i qёllimeve, i vullneteve. Evropa ёshtё e pranishme e heshtur dhe e palёvizёshme para shfaqjes sё shqyerjeve tё saj, e pavendosmёrive tё saj. Nё kёtё Evropё tё lёnё nё vetvete e nё historinё e saj kthehen – me bashkёfajёsinё e gjёndjes ekonomike tё kundёrt: por jo gjithkund e jo nё pёrmasё tё tillё tё rёndё – kthehen veçanёrisht demonёt e historisё sё saj tё shkuar, qё nё dyzetvjeçarin e saj tё parё tё tmerrshёm tё Nёntёqindit, ndihmuan njёherё pёr shёnuar dёshtimin  e demokracisё nё kontinent. Kthehen krenaritё dhe sedrat kombёtare, ngasjet etniçiste, pёrshkeshmёria e lehtё nga demagogjia e masave, kundёrparlamentarizmi, pёrçmimi i politikёs dhe i partive. Kthehen mitet e komplotit tё pёrhershёm tё “financёs sё lartё”, kujdesi i acaruar pёr “pastёrtinё” dhe “natyrёn”, sot tё risjella nё versionin ekologjik, e mё pas njё farё parimi pёrçmues pёr institucionet ndёrkombёtare (nga Fondi Monetar tek Oms, tek Bashkimi Evropian), pёshtjellimi intelektual i shtresave tё mesme, e sё fundi protesta kundёr padrejtёsive tё tregut e kuptuar mё shumё si protestё kundёr globalizimit. Siç shihet janё demonё tё lakueshёm si nё drejtim tё djathtё ashtu si dhe n’atё tё majtё (edhe qeveria Di Maio – Salvini ёshtё , nё llojin e saj njё qeveri kuq e zi : jo rastёsisht pikёrisht ashtu siç ndodhi dikur, n’epokёn e dёshtimit tё demokracisё nё kontinentin tonё.

Sigurisht mund tё ngushullohemi  duke menduar se historia nuk pёrsёritet kurrё dy herё. Por nga asnjё anё nuk ёshtё shkruar se mbas sё keqes nuk mund tё vijё njё e keqe akoma m’e madhe.

“Corriere della Sera”, 18 qershor 2018  E shqipёroi Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: DEMOKRACITЁ, E BRISHTA EVROPIANE, Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 424
  • 425
  • 426
  • 427
  • 428
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT