• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYETARI I VATRES, DARKE PUNE ME IPESHKVIN E MIRDITES IMZOT GJERGJ META

January 19, 2018 by dgreca

1 Dritani Gjergj Meta.JPG

Kryetari I Federates Panshqiptare Vatra z. Dritan Mishto zhvilloi nje darke private pune me Ipevshkin e Mirdites Imzot Gjergj Meta.

Ne emer te Federates Vatra, Kryetari Mishto uroi perzemersisht Imzot Meten per detyren e tij te re ne krye te Dioqezes se Mirdites, njekohesisht vleresoi edhe kontributin e tij te vazhdueshem ne shtypin shqiptar

Gjate darkes bashkebiseduesit u ndalen gjate ne krizen e shoqerise shqiptare, problemet e thella sociale dhe mungesen e shpreses per te ardhmen.

Imzot Meta vleresoi ndryshimet pozitiv te Federates Panshqiptare Vatra nen drejtimin e Z. Mishto dhe shprehu besimin e plote se transformimi pozitiv i organizates me te vjeter dhe me te madhe te shqiptareve do te jete hap vendimtar ne permbushjen e objektivave qe shtron e ardhmja.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Imzot Gjergj Meta, Kryetari Mishto, takim

PERJETESIA E HEROIT KOMBETAR

January 16, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

1 Gjergj Kastrioti

17 JANAR 2018 Plot 550 vjet pa GJERGJ KASTRIOTIN – SKENDERBEUN/

Isha i vogël kur më tërhiqte vemendjen një kuadër pikture mbi një tabake porcelani per me servirë kafe. Aty ishte një piramidë dikund ka Egjipti. Një deve, nga pozicioni i kambëve, kuptohej se ishte në ecje…Përpara i printe një harap, që dukej sikur e tërhiqte deven me një litarë…

Dukej sikur edhe dielli binte vetëm mbi atë mjedis, ku rana digjej e të jepte përshtypjen e një tymnaje që ngrihej nalt…

Më dukej një jetë e mënershme. Piramidat, tash sa mija vjet, asnjena nuk lëvizin. Nuk lëvizin as sfinksat, as gurtë, as tullat, madje as faraonët që janë aty ndër ato piramida.

Ndonjë termet shkapë ndonjë gur aty-këtu, që rrëshqet dhe bie poshtë me shpejtsi,  thërmohet e bahet pluhun.Kur frynë erë, rana ngjitët e mbushë zgavrrat e gurëve, po edhe sytë e sfinksave, që qëndrojnë me aq madhështi mbi piedestalet e tyne. Kur bie shi apo breshën, boll rrallë në ata vise, gjithë ai pluhun lahet e rreshqet me ujin poshtë…

Mbas pak orësh dielli i fortë i atij vendi e thanë tokën e nuk mbetë ma asgja mbas atij rrebeshi që mund t’ jenë kenë mjaft i fortë.

Asht e vërtetë se edhe aty jeta vazhdon… Harapi e devja, të dy jetojnë… Tjerët nuk jetojnë, nuk kanë jetë, por vazhdojnë me kenë aty, madje edhe kur as harapi as devja nuk do të jenë ma…Për jeten e deves asht vështirë me folë. Thonë se asht mësue me vuejtë e me bajtë…

Në lidhje me “arësyetimin” e kafshëve kam pyetë njerëz me ide ateiste dhe materialiste, që e mendojnë veten trashigimtarë të majmunit, por vërej se e kanë të vështirë me mendue ndryshej, jo pse kanë bindje, por u pelqen ashtu, pse nga pema majmuni hypë ma lehtë mbi shpinën e gungueme të deves, sesa me kenë njeri dhe me kërkue rahatinë tek devja.

Ndërsa për harapin e shkretë çka mundesh me thanë ma parë..?

Jeta e ban njeriun me pranue me kenë i gjallë ndër të vdekun.

Kërkon gjithmonë i shkreti njeri me kenë i gjallë e, shpesh, thuhet se edhe “Shqiptarët janë kenë të vdekun ndër të gjallë…”

Jam i sigurtë se këtë mendim për Shqiptarët e kanë “ata” që kanë jetue të hypun mbi shpinë të deves, se, po t’i takonte me jetue si devja, me u tha etjet si ajo, ose si harapi që i prinë zbathë, tue u djegë kambësh në ranën e nxehtë, tue vrapue me gjetë dy grushta uji me njomë fytin e gojën e shkrumueme, atëherë, me andje të madhe do të çonte sytë kah qiella dhe, ashtu gjysë të verbuem nga lodhja, uja, etja, zharitja e frika e vetmisë, apo nga dajaku e shpata e mumjes së “faraonit”, do të fillonte me vrritë me gjithë forcën e zanit të shkyem, me sy të zgurdulluem, tue shikue drejt tek drita e fortë e diellit, derisa të fillojë me pa në rrethin e tij Kryqin…e, kur i marrakotun do të binte për tokë, e i shkrryem në ranë, do të thërriste:

“Zoti im, Zoti im…pse më lëshove dore..?”

Jo, nuk asht blasfemi kjo, vëllazen e motra!

Këto janë fjalët e Krishtit!

Shqiptarët kanë të drejtë me pyetë…

Se vuejtën gati 550 vjet… si Krishti!

E madje, tue kenë Populli trashigimtar i Gjergj Kastriotit…

E Ti, o Gjergj Kastrioti, shka i le mangut Golgotës n’ ata 25 vjet lufta?!

Në historinë e Epokës mbas Krishtit, nuk besoj se ka një shtet tjetër në Europë, si Shqipnia, që tue kenë ndër ma të vogjlit e këtij kontinenti, me u përfshi në të gjitha ngjarjet kryesore të tij, madje edhe tue u “diskutue” edhe ekzistenca e kenjes së Saj…

Unë nuk dyshoj se Toka e Saj asht në kontinentin Europë …Po ka njerëz që nuk e dinë endè, jo nga injoranca, sa nga dëshira mos me kenë edhe sot Shqipnia aty. Historia e shteteve të Europës Perëndimore kurrë nuk mund të jetë e plotë pa emnin e Shtetit Shqiptar, edhe pse e kanë gri e coptue si mos ma keq, tue u mundue me i plotsue qefin e interesat e të gjitha shteteve rreth nesh, njenit ma dashakeq se tjetri.

A mundet Italia me thanë se Popullit Shqiptar na i kemi dhanë një dhuratë të çmueshme, e cila i ka sjellë qytetnim dhe zhvillim të madh njerëzor në të gjitha aspektet, deri tek “liritë dhe të drejtat e Njeriut, një nga bazat e qytetnimit modern”, e kjo dhuratë asht kenë Krishtënimi?

– Jo, po e përsëris: “Jo”! Na jemi të Krishtenë aq ditë para Italisë, sa Shën Pali ka vonue me mbërrijtë nga Durrësi me anije në tokën e tyne.., e, mbas tyne janë kristjanizue vendet tjera mosmirnjohse Europjane…

Kush ma parë se Ilirët u ndodh mes zjarrit të Romës e Bizantit? Këte le të shpjegojnë historianët, dhe atëherë Europa do të “mësojë” se me sa vuejtje e sakrifica Ilirikët e ruejtën prej asaj kohë, pra, që nga viti 67 mbas Krishtit, kur në Iliri fillon edhe përndjekja e pafund e katolikëve.

Prof. Zef Mirdita në librin e Tij të çmueshem, “Krishtënizmi ndër Shqiptarë”(1998), në fq. 159, shkruen: “Kisha e krishterë ndër Shqiptarë, përkundrejt vështirësive e vazhdon kontinuitetin e mëparshëm. Edhe në kohën e skizmës (1054), përkundrejt ndihmave dhe presioneve të përandorve bizantinë dhe të kryepeshkopëve të Ohrit, ajo shpirtërisht mbetët në bashkësi me Romën…” A nuk asht edhe ky një fakt tjetër i Shqiptarve, që nuk u shkëputen as atëherë nga Europa?

Kisha Katolike në Shqipni e ritit romak dhe lindor, në shek. XIV e XV, asht faktori kryesor në ruejtjen e identitetit etnik dhe të pavarësisë së Shqiptarëve. Kisha Katolike dhe i Madhi Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, janë ”pararoja e qytetërimit të krishtenë Europjan. Pushtimi otoman dhe përhapja e islamizmit bën që një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar ta braktisë vendin dhe të strehohet në Itali e Greqi. Kjo kohë është edhe zanafilla e Kishës së Krishterë Arbëreshe…” (fq. 166)

Se kush ishte Gjergj Kastrioti, Flamuri i Tij, Atdheu e Feja e Shqiptarve e tregojnë Malet, shpellat dhe gjaku i shkuem rrëkajë nga maja e Bratilës, luftat e pafund të Dedë Gjo’ Lulit, malësorve e bajraktarve që nenshkruen Memorandumin e Gerçës dhe klerikëve që ua mësuen Atyne Formulen “Fe e Atdhe”, me e shkrue dhe me e ruejt në Gjuhen e bekueme Shqipe.

Ma kjartë se kushdo që asht mundue me tregue figurën e luftat e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut flasin dokumentat e Vatikanit, per të cilat disa “shqiptarë” vazhdojnë me ba sikur nuk i njohin…ose, edhe kur i “njohin”, mundohen me i paraqitë aq të gjymtuem, sa edhe vetë Vatikani me dyshue në “pronën” e vet që ruen tash sa shekuj. Madhështia e Kastriotit gjendet e shkrueme nga vetë Papët, e po aty edhe nga anmiqtë e tyne. Skenderbeu në botë njihet si mbrojtës i qytetnimit Perëndimor, por edhe i vetë Kishës Katolike. Papa Kalisti III shkruen: “Nuk ka njeri që i ka të njohura veprat e tua e që nuk i ngritë në qiell me lavdatat më të larta dhe të mos flasë për trimërinë tënde si për një ushtar të vërtetë, për një mbrojtës të emrit të krishterë.” (Prof. Z.Mirdita po aty, fq. 173.).

Po Ai Papë vazhdon: “Me të vërtetë shohim se ai pothuajse i vetmi, i cili, i është kundërvenë invadimit t’ egër turk, e nuk e ka lejuar afrimin e tyre.”

Papa Kalisti III shkruen: “Meritat e Tij janë më të mëdha se të të gjithë princërve të tjerë të krishterë!”.

Papa Piu II, shkruen: “Mbrojtësi më i rreptë i Krishtit”.

Plot 25 vjet ishte Gjergj Kastrioti – Skenderbeu që mbrojti Europën e përçame nga invazioni turk. Islamizmi anadollak ka provue në truellin Shqiptar se shuen traditat e vjetra kombëtare dhe shpartallon kulturën shpirtnore të popullit. Aty ku nuk ka veprue me forcën e shpatës apo të vendosjes në hu, aty ka përdorë formën e taksave dhe të nënvleftësimit të njeriut si kenje “e dytë”…Kjo ishte edhe arësyeja e largimit të një sasije të konsiderueshme nga Shqipnia për në Itali dhe Raguzë (Dubrovnik), ku kanë lanë edhe shumë trashigimtarë deri sot.

Kisha Katolike asnjëherë nuk ka mohue identitetin dhe entitetin etnik të Popullit Shqiptar. Kjo vërtetohët edhe me veprat e klerikëve të asaj kohë, kur ata iu mbështetën e u inkuadruen në gjiun e kulturës dhe shkencës së Evropës së asaj kohë, tue mbetë prap sot të pandryshuem që nga gjaja ma elementare, alfabeti latin. Një ndër kolosët e Kishës Katolike në Shqipni të asaj kohë asht edhe prifti Don Gjon Gàzulli, laurue në Padova, n’ Itali me 1430. Ky ishte misionar diplomatik i Skenderbeut, shkencëtar në fushen e astronomisë e të matematikës.

Dokumenti ma i parë i Gjuhës Shqipe, me 1462, nga Imzot Pal Engjëlli, “Formula e Pagëzimit”, asht dëshmia e pakundërshtueshme e të gjithë Shqiptarëve në qëndresën e Tyne kundër pushtimit barbar turk.

Kisha Katolike në Shqipni, mbas vdekjes së Skenderbeut, strehohet ndër shpella e male, ndërsa arbëreshët e Italisë krijojnë Kishën e vet.

Mbas vitit 1622 fillon njëfarë “ringjallje” e Kishës Katolike, që në shek. XIX shpërthen në Shkoder, kohë në të cilën Turkia lejon edhe me u ndërtue Kisha e Madhe Katedrale (1858). Kjo periudhë, edhe pse asht Shqipnia e pushtueme endè nga turqit, dallohet për përpjekjet e Klerit Katolik Shqiptar në hapjen e disa shkollave në Gjuhën Shqipe, ku asht përdorë alfabeti latin, gja që vazhdon me tregue vijushmeninë pa asnjë ndërpremje të rrugës kombtare ndaj kulturës Europjane. Jemi edhe para një fakti: “Asnjë krahinë e Shqipnisë nuk përdorë gjuhën turke!”

Në gjysën e dytë të shek. XIX, në Shkoder, kemi edhe shkolla të mesme si dhe seminar për klerikë katolikë Shqiptarë, ku që në bankat e shkolles fillore asht përdorë gjuha Shqipe. Nuk do të përsëris karakterin dhe rolin e këtyne institucioneve arsimore e kulturore në zhvillimin e ngjarjeve të asaj kohë, por do të theksoj se roli që ka luejtë Kleri Katolik Shqiptar në të gjitha aspektet për çeshtjen kombtare dhe kryesisht të primjes së saj në të gjitha kohët me kahun e pandryshueshëm të vetin nga Europa, janë e do të mbetën monumente të pavdekëshme historike të lavdisë së Tij.

Ai me të vërtetë u masakrue, u përndjek, u var, u vue në hujë, u muer zvarrë…dhe, u pështye si Thëmeluesi i Tij, por guximi dhe përpjekja me ruejtë në tiparet shpirtnore të besimtarëve binomin “Fe e Atdhe”, asht një meritë që na endè nuk e gjejmë të vlerësueme në masen që meriton. Vëreni me kujdes se sa asht e lidhun Historia e Shqipnisë me Historinë e Europës, përderisa vetë egzistenca e qytetnimit Europjan mvarej nga fati i luftave të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Vëreni me kujdes se me sa guxim e pjekuni vepron Kleri Katolik në momentet kyçe të historisë sonë, kur fatet e saj rrezikojnë edhe një zhdukje të përjetëshme, ose gabime të pakorrigjueshme nga vetë politika e ndërthurun e shteteve të tjera.

Hapni arkivat e shihni letrat e dorëshkrimet e At Gjergj Fishtës drejtue sulltanëve dhe politikanëve të Europës, kur të gjithë papërjashtim janë para hartës së Ballkanit tue ba “pazarlleqet” e tyne për kufijtë tonë, për Trojet tona, e për caktimin e “sunduesit” të ri të Popullit Shqiptar! Mos u ndaloni vetëm tek At Fishta, as tek i Madhi Luigj Gurakuqi, as tek Don Ndre Mjedja, por vazhdoni e shfletoni dosjet e “mykuna” të Londres, Parisit, Romës dhe New Yorkut, ku do të gjeni një tjetër kolos të Klerit Katolik Shqiptar t’ “harruem”, Imzot Luigj Bumçin, që di me folë me të gjithë përfaqsuesit e ndryshëm të Lidhjes së Kombëve “pa përkthyes” e, me bindë edhe Papët e Vatikanit për të drejtat e Trojeve tona në 1920, si dhe praninë etnike dhe të vetëdijes sonë kombëtare në Europë.

Mbas vitit 1941, lidhjet e tradhtarëve tanë me sllavokomunistët, dhe “Jalta e 1945”, ishin dhe janë shkatrrimi i plotë i Atdheut Kastriotit…

KËTU U KUNORZUE GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU

 

E gjurmët e shkatrrimit i keni nder thëmelet e Kishës së Vaut të Dejës, e hjedhun n’ erë në vitin 1969, në 500 vjetorin e vdekjes së Kastriotit. I keni nder mbeturinat e Vorrit Gjergj Kastriotit në Lezhë, i keni në dokumentat fallco të historisë s’ Akademisë së Shkencave, i keni nder vorrezat greke në Token tonë, i keni në zhdukjen e kolosve të Gegnishtes, që kujtoni se janë zhdukë! Ata janë e kanë me kenë “Gurt’ e Parë, thëmeli i lidhjeve të Pavdekshme me qytetnimin e kulturen e Europës Perëndimore”!

Kjo vetëdije e Shqiptarëve dhe karakteri kulturor i saj, ku vazhdojnë me qendrue edhe doket e zakonet tona, u ruejt dhe u trashigue me sakrifica nga Populli Shqiptar, ndonse sot “historianët” e mohojnë, tue shpërfillë nga gjoksi i vet tinzisht flamurin e “marksizem – leninizmit” me shpifjet e fallsifikimet e tyne të turpshme e të pa baza, e këto “vepra të tyne” janë tradhtia e vjeter dhe e re që para Botës Përparimtare, kanë krijue idenë fallso se “Shqipnia sot anon nga orjenti…”

Po, Shqiptarët e vertetë kudo që janë në rruzullin toksorë sot BESOJNË:

GJERGJ  KASTRIOTI  SKENDERBEU  ASHT  I  PERJETSHEM !

Melbourne, 15 Janar 2018.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Gjergj Kastrioti, Perjetesia e Heroit Kombetar

Viti i Skënderbeut- Poetë botërorë për Heroin Gjergj Kastrioti Skënderbeu

January 14, 2018 by dgreca

12347835_1681499898730067_1289194516749353667_nNga Fotaq Andrea, “Skënderbeu, Album-Antologji, 1413-2017”/215364Fillimi i Rilindjes europiane në shekullin XVI njeh si një nga kulmet e veta të lulëzimit edhe botimin në latinisht të veprës së Barletit « Histori e Skënderbeut » më 1508-1510. Joanot Martorell 1670Shumë shpejt vepra e humanistit shqiptar do të bëhej objekt studimi për historianët italianë, gjermanë e francezë dhe pas përkthimit të saj në gjuhën gjermane (1533), vepra do të shënonte edhe një botim origjinal në gjuhën frënge nga Jacques de Lavardin (1576). Kjo vepër jo vetëm njohu disa ribotime radhazi në Francë në shekujt XVI-XVII, por u bë edhe vepra bazë për përkthimin e Barletit në krejt gjuhët evropiane, anglisht, spanjisht, portugalisht, suedisht e me radhë, deri në polonisht, si dhe shërbeu si burim frymëzimi për një letërsi dhe art të mirëfilltë të epopesë skënderbejane, në krejt gjinitë letrare, poezi, novelë e roman, por edhe në opera e opereta, e sidomos në artin e fuqishëm të pikturës e grafikës, ku lulëzuan portretet e Heroit kombëtar shqiptar dhe të figurave të rëndësishme të historisë kastriotine e shqiptare.

Nga ana tjetër vepra “Histori e Skënderbeut” e Barletit dhe e francezit Jacques de Lavardin, për vlerën e saj të çmuar, u përshëndet që në fillim nga poetë me emër të kohës, që ishin njëkohësisht edhe humanistë të shquar të Rilindjes europiane, latinistë, profesorë, retorikë, oratorë, si Vincentius Petrus Regulus e Patavinus Dominicus Alegzenano, e mbi të gjithë nga Pierre de Ronsard, i konsideruar “Princ i Poetëve” dhe “Poeti i Princërve të Plejadës franceze.

Njëmbëdhjetë poemat dhe poezitë për Skënderbeun nga autorë të shquar botërorë që po botojmë këtu përfaqësojnë në fakt tre epoka të ndryshme historike: periudhën e Rilindjes europiane me Gabiele Faernon e Luigi Groton, etj.; periudhën e luftës për pavarësinë greke në fillim të shekullit XIX, kur shkëlqyen Boçari me arvanitasit e tij dhe kur Bajroni përjetësoi shqiptarin historik të Skënderbeut me fustanellën e gjatë karakteristike; dhe më në fund periudhën e fillimit të luftës për pavarësisë shqiptare me Ligjen e Prizrenit dhe kur De Rada i shkruante Lamartinit të madh e Dora d’Istria në Amerikë i kërkonte Longfellout, poetit kombëtar amerikan, të shkruante për lavdinë skënderbejane. Fakti është se nga Rilindja europiane e gjer në ditët e sotme, figura e Skënderbeut ka qenë dhe mbetet simbol i përhershëm frymëzimi i vargut të ëmbël lirik e poetik.

LAVARDIN Jacques de (shek. XVI).

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, emër i pavdekshëm, shenjtëruar në tempullin e Kujtesës.  

Pjesë nga Parathënia drejtuar Fisnikërisë franceze.

Do hasni këtu një Princ fetar, zemërbardhë, luftarak, armatosur me besë e zell të pabesueshëm, një ushtar besnik, unanim, i bindur. Do vëreni një bindje aq të përkryer të disiplinës ushtarake, sa fitoret e papërfillshme dhe bëmat e të tjerëve do t’ju duken më pak të denja për adhurim. Është këtu jeta e Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur nga turqit Skënderbe, Mbret i Shqipërisë, emri i pavdekshëm i të cilit është i denjë, pa kurrfarë kundërshtimi, për t’u shenjtëruar në tempullin e Kujtesës, përmbi, rastësisht, të gjithë të tjerët të rekomanduar kalorës e kampionë të Jezu Krishtit, prej tij gjallëruar në do vise të Levantit përballë sektit  të Mehmetit, ku ai, më se një herë ka shfaqur krejt cilësitë dhe prerogativat e lëvdueshme, sikurse janë besimi, forca, zhdërvjelltësia trupore, shkathtësia mendore dhe praktikimi i armëve, zbatuar me një këmbëngulje aq të pazakontë sa bëmat e tij i tejkaluan meritueshëm, mund të thuhet, vetë misionet e paracaktuara; dhe prej tyre, unë nxora e mora, sipas historisë së vërtetë, shkrime nga ata që kanë folur, në mënyrë të veçantë nga Marin Barleci, Prift, lindur në Skutari të Shqipërisë, që mendova ta kem si ekzemplar e patron kryesor, si autor që, tek njihet për shumë zotësi e vërtetësi, për shumë seriozitet e gojëtari, meriton vend ndër Historianët latinë më në zë të shekujve të shkuar. […]
VINCENTIUS,  Petrus  Regulus (1519-1581).

Poemth në ballinën e librit të Barletit për “Historinë e Skënderbeut”, Romë, 1508-1510.

Skënderbeu, rrufe do t’ju shfaqet!

Lexuesit:

Armiqtë e besimit të shenjtë,

Përballë armëve ngadhënjimtare

Shfaqur Apostolike,

U mposhtën nga ligjet,

Në ndeshje me ata prijës të lartë mahnitës,

Që u admiruan aq shumë.

Skënderbeu, rrufe do t’ju shfaqet,

Shpirtmadh përherë në veprim

Aq të domosdoshëm e dimë,

Kur turqit e egër aq shpesh bënë masakra.

Besimin te Venediku s’e humbi ndonjëherë;  

Si luan, i erdhi në ndihmë aq mirë,

Në emër të miqësisë,

Kur edhe vetë emri i tij

Me sa duket, do të thotë në gjuhën turke

Aleksandër i Madh,

Lexues mik, Përshëndetje.  

PATAVINUS, Dominicus Alezegnano (shek. XVI).

Poemth në ballinën e librit të Barletit për  “Historinë e Skënderbeut”, Romë ~1508.

Një gjeni i lartë, me gjak të ndritur.

Me krenari të flasim, se ja ku lexuesi veprën

E një gjeniu të lartë po përshkon,

Emrin autori gjer në yje ia çon,

Skanderbegu, me gjak të ndritur lindi,

Me shpirtmadhësi u shfaq, ky prijës bëmash heroike,

S’binte më poshtë nga Kamiliusi në madhështi,  

Cezari i pamposhtur nuk i afrohej dot për trimëri

Të madhit të Epirit, që aq ndritshëm ngadhënjen.

Krenar jam për bëmat e larta të këtij princi të paparë.
AMADIS, Jamin (1540-1593).

Skënderbeu, në radhën e Perëndive.

(Odë në librin e Lavardinit “Histori e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbe, mbret i Shqipërisë”).

[…] I lumtur them bredharaku

Që Inditë shkon të kërkojë,

Që majë valëve endet,

A mbi tokë rendet.

Dëshira është zjarr i bukur,

Pa të, gjithçka do të ish e humbur.

Por, kush nga fisnikja dëshirë

Ndjen guximin e përtërirë,

Kush nga dashuri shembullore

Mbron tokën amëtore,

Ai është njeriu i lumturive,

Është i përzgjedhuri i Perëndive.

Virtyti në thelb përmban veprim,

Emulacion e nderim;

Fatlumi virtyt

Veprimin e keq e mbyt,

Siç na e mëson Skënderbe kjo tëndja histori.

Pas kujt të kapet, virtyti e di.

Dhe Skënderbeu gjithë trimëri,

I denjë për Përjetësi,

Gjak i kulluar mbretërish të Epirit,

Sikur të mos kish zgjedhë jetën në liri,

Ashtu si stërgjyshërit e tij,

A do qe vallë sot në radhën e Perëndive?

RONSARD, Pierre de, (1524-1585).

(Sonet në librin e Lavardinit “Histori e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbe, mbret i Shqipërisë”).                       

O nder i shekullit tënd !

O shqiptar prej fatit sjellë !

Epiri veç në kuaj është i pasur,

Të aftë çmimin për t’ia zhvatë zemrës Olimpiane;

Pale në burra luftëtarë, gjak i

lashtë i të cilëve,

Krenohet që del i guximtë, prej trimit Akil.

Pirron kam për dëshmitar që shfarosi plot qytete,

E për varr pati murin e lashtë argjin,

Dhe Skënderbeun, fitimtar ndaj popullit skit,

Që nga tërë Azia dëboi Ungjillë.

O nder i shekullit tënd ! O shqiptar prej fatit sjellë !

Dora tënde, turqit mundi plot njëzet e dy herë,

Tmerr i radhëve të tyre, llahtarë e kështjellave të tyre;

Dhe prapë, i vdekur do ishe, prej fatit përpirë,

Sikur vepër fort e zgjuar e të diçmit Lavardin,

S’do kish ringritur bëmat e tua, vdekjen tek ta mposhti.

CHRESTIEN, Florient (1541-1596).

(Poemth në librin e Lavardinit “Histori e Gjergj Kastriotit të mbiquajtur Skënderbe, mbret i Shqipërisë”).

Përkushtim: “Për Fisnikun Lavardin, Fisnik i Plessis-Bourrot, Fisnik fort i diçëm e i virtytshëm, mbi “Historinë e tij të turqve”.

Francez, imito Skënderbeun!

Nuk mundem, Lavardin, të rri –

Para bëmave lavdiplotë, të trimit Epirot,

Para virtytit të tij famëmadh,

Që ti na e dhe plot shkëlqim me këtë Histori,

Të bukur e të dëlirë -,

Pa qortuar më parë frëngjit tanë,

Trima të tërbuar;

Pa hequr thellë në shpirt për atë çka mund të kishim bërë ne më mirë,

A të paktën mos të harrojmë

Që sado pak territore do mund të kishim liruar

Nga i huaji Barbar, i fuqishëm e ngadhënjimtar.

 

I mjeri ti francez, në këtë liri servile,

Që këmbëngul ethshëm në luftën civile,

Shndërroje mjerimin tënd

Me anë të kësaj Historie;

Imito Skënderbeun dhe turp të të vijë

Që pabesi e Barbarëve

Të la në prapavijë,

Vepro në të kundërt, në qofsh

i Krishterë,

Dhe me sadopak vlerë.[…]

FAERNO, Gabriele (1510-1561).

« Sul sepolcro di Scanderbeg » in Paolo Giovio,  « Gli elogi Vite brevemente sceritte d’huomini illustri di guerra  antici e moderni… »  [Në varrin e Skënderbeut, sipas librit të Pal Jovit « Shkurtore e jetës së njerëzve të shquar të luftës, të lashtë e modernë »],  Pascia, 1559,  f. 120, përktheu nga origjinali  Moikom Zeqo  1.  

Midis të gjallëve, ti përherë me më shumë lavd e nder.

Brenda varrit tënd o Gjergj krejt u mbyll

Shkatërrimi i turqve dhe vetë mbrojtja e Epirit.

Por kockat e tua të shenjta pa marrëveshje kurrfarë

Në shumë vende u shpërndanë e depërtuan kudo.

Se gjymtyrët e tua heroike varri dot s’i mbajti,

Të dhunuan e varrin hapën armiqtë e tu.

Menduan se të çbënë – por si vetë emri yt i madh

U ndez Lavdia, që në botë u hap e u përhap.

Sepse duke e lënë këtë botë papritur,

Trupi yt ra pre e armiqve të egër,

Që hak donin të merrnin – por ishe ti që hak ndaj tyre more!

Sepse Virtytin që e ruan e ta jep varri,

Të tjerët ta hoqën – por kjo gjë e pazakontë,

Përherë të fali midis të gjallëve më shumë lavd e nder!
GROTO, Luigi 2 (1541-1585).

« Dell’Invittissimo Scanderbeg, in Gl’ illustri e gloriosi gesti & vittoriose imprese contra Turchi del Signor Don Giorgio Castriotto detto Scanderbeg, principe d’Epiro3, Venetia, 1591. [Bëmat e shkëlqyera e të lavdishme dhe ndërmarrjet fitimtare të bëra kundër Turqve nga zoti Gjergj Kastrioti i quajtur Skënderbe, princ i Epirit].

Skënderbeu i pamposhtur.

Poemë për Skënderbeun nga Luigi Groto,

I verbëri i Adrias.

Aleksandër i Ri, jo i të hershmit Orient,

Por i të Madhit Sundimtar të të sotmit Orient,

Që shkëlqen gjithë krenari me ngadhënjimet e tua,

Plot guxim të paepur në bëma të shumta,

Kur tjetrit Aleksandër shkëlqimi i ka rënë,  

Dhe penë lakmon i fuqishmi grek.

Ti jo, për Homer’ pa sy s’ke nevojë,

Që, për varg të rremë, ja ku po e përgënjeshtroj.

I përtërirë veç je me bëmat e tua dhe kurorën e shenjtë,                                                 

Që kurrkush aq mirë s’do mund t’i përmendë,                                                                                                                                          

     Veç Engjëllit vetë, i gatshëm t’i ndrij e rinoj,

Ai Engjëll fatlum që të pa e zbuloi,                                                                                                        

Të tillë Hero mes të lashtëve të tu, lum ai!

Aq i lartë e i ndritur, mes stërnipash, s’ka si ti!

SPENSER Edmund (1553-1599).

Sonnet in “Histoire of George Castriot, surnamed Scanderberg, King of Albania…”. Newly translated out of French into English by Z.I. Gentleman, Imprinted for W. Ponsonby, 1596.

I madh në emër, i madh në forcë e pushtet,

Në altar të fitores zuri vend plot dinjitet.

Përse më kot e kaq fort Lashtësia u dashka mburrur,

Me monumente të moçme kreshnikësh mbrujtur,

Dhe tërë ata heronj të hershëm që botën çmerisnin,

Me bëmat e tyre edhe fëmijët i tororisnin?

Që veç mrekulloheshin kur himne u këndoheshin,

Tek këqyrnin statujat kolose plot dalldi,

Mbi harqe triumfesh ngritur në ajri,

Piramida gjigande që edhe qiejt sfidonin.

Po ja, erdh’ Një, që kohë e mëvonë në dritë e nxori,

Me më të mëdhenjtë e të mëdhenjve i përngjashëm doli,

I madh në emër, i madh në forcë e pushtet,

Në altar të fitores zuri vend plot dinjitet.

Tmerr për turqit, gjëmë e llahtarë për të pafe,

Bëmat e tua ky libër larton, O Skënderbe.

D’AUBIGNÉ, Théodore Agrippa (1552-1630).

“Les Tragiques”, [Tragjiket], Paris, 1615, f. 07.

Sa shumë luftëra, sa shumë bëma, sa shumë lavdi!

Princër, që villni mëshirë të ndyrë,

Drejt qiellit ktheni kurrizin, drejt ferrit fytyrë;

Këtu, skllevër ju shohim tek mbretëroni,

Po as vetë nuk dini në do humbisni a do fitoni,

Këngët tuaja veç në tempuj buçasin,

Kur hundët të thyeni, lakejtë do ulërasin;

Sa herë mashtroni, gjithçka e bëni përshesh,

Po kur Zoti inat t’ju marrë, me gjak do t’ju veshë; […]

Kështu, Skënderbeut iu rrëmbye fëmijëria

Nga të këtillë mësonjës, iu robërua lumturia

Në saraje mbushur gjithë ëmbëlsi;

Për qumësht thithi t’Orientit madhështi,

Myfti pas myfti, veshët ia grinë plot llafollogji,

Me bëma Mehmetësh dhe me do plakash mrekulli;

Por gjykim i tij i shëndoshë mposhti çdo kotësi,

Gjysmëhënat shpalosur i përbuzi gjithsesi,

(Po dhe armët që përkulnin tokën mbarë)

Që në emër të perandorit hapnin varr,

Për çdo kope të hallakatë e të ngratë.

Prijës u bë për ata që e njihnin pak.

Por sa shumë luftëra, sa shumë bëma, sa shumë lavdi,

Që kushdo mund t’i lexojë plot habi.

Për çdonjë nga krijesat tona qielli po ngushtohet,

Bujari e tij përherë po pakësohet,

Vetë soji ynë do ishte plot madhështi,

Sikur çdo mëmë e shekullit të mos kish mëkati.

BYRON, Gordon George (1788-1824).

“Childe Harold’s pilgrimage” 1812-1818,  [Shtegtimi i Çajld Haroldit], Kënga XXXVIII, Varianti frëngjisht nga A. Regaut, vëll. 1, Paris 1874, f. 73-74

Shqipëri, o nënë burrash të rreptë.

Vargje monumentale që e bënë të njohur në Perëndim Shqipërinë dhe shqiptarët, para luftës për pavarësinë e Greqisë, ku shqiptarët luajtën rol madhor e madhështor.

Kënga XXXVIII

Tokë e Shqipërisë, ku lindi Iskanderi, [Aleksandri i Madh]

Tundim i rinisë, fanar i t’urtëve,

Po  ku lindi edhe i përngjashmi i vet krenar, [Skënderbeu]

Që armiqtë tmerronte me bëmat kreshnike.

Shqipëri, lejomë të ulë sytë e mi

Mbi ty, o nënë burrash të rreptë, që u dhe jetë!

Kryqi po bie, minaretë po ngrihen,

Dhe gjysmëhëna e zbehtë ndrin lugajave,

Përmes pyjesh plot selvi në rrethinë të çdo qyteti.

LONGFELLOW, Henry Wadsworth (1807-1882)

“Skanderbeg, Tales of a Wayside Inn”,[Skënderbeu, Histori të një Hani Afër Udhës], Sudbury, Massachusetts, 1863, shqipëruar e botuar nga At Fan S. Noli, Libraria Popullore, Boston Mass. 1916.

(Fan S. Noli: “Kjo vjershë është nofta më e bukura që është shkruar në një gjuhë të huaj për trimin tonë kombëtar dhe meritonte vendin e parë në mes të vëllimeve që kam nër ment të nxier në shesh për këndonjësit shqiptarë”- 1916).4 – Kjo vjershë u shkrua nga Longfellow, i konsideruar si poeti kombëtar amerikan, nën nxitjen e Dora d’Istrias gjatë takimit me të në Amerikë.

[Po japim më poshtë vetëm episodin e kthimit të Skënderbeut në Krujë pas luftës së Nishit, nën penën e Longfellow].

Skënderbeu – Yll mëngjesi i Shqipërisë.

Nga Kështjella shpejt ka rënë

Flamuri me gjysmë-hënë

Edhe populli shikon

Që në vent të tij valon

Flamur’ i Skënderit n’erë

Shkab’ e Zezë me dy krerë.

Dhe një thirrje lart u-ngrit,

Se çdo zemër e çdo shpirt

U-mërzit nga Turku i lik,

Që e bëri atë Krujë

Zi, murtajë dhe rrëmujë.

Ay zë me gas me bujë

Q’oshëtin nga brek në brek

Është: “Rrofsh, o Skanderbeg!”

Ja kështu Skënderi trim

Mori Krujën me rrëmbim

Dhe lajma u-përhap

Si një flagë, si një zjarr  

Q’i fryn era në behar

Dhe qytetet afër e lark,

Thotë Ben Isa Ben Miri

Në Qitap të tij fakiri        

“Binin m’atë lehtësi

“Që zë burri veshn’ e tij.”

Prijës u bë për ata që e njihnin pak.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fotaq Andrea, poesi, Poetet boteror, Viti Skenderbeut

Qasjet kundërthënëse të një hulumtimi për korrupsionin në universitete!

January 13, 2018 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi/

Qendra Qytetare, një organizatë jo qeveritare, pra dhe jo fitimprurëse, pretendon se ka realizuar një hulumtim për shkallën e korupsionit në universitete. Isha i detyruar që të shënoj fjalën paragjykuese “pretendim” saktësisht për të provuar se anketimi, hulumtimi dhe të dhënat e këtij studimi nuk janë bindëse, madje kundërthënie me njëra tjetrën. Sipas të dhënave të këtij hulumtimi, për studimin e fenomenit të korrupsionit në tri universitete, atë të Elbasanit, të Tiranës dhe Durrësit janë anketuar 277 studentë të fakulteteve të ndryshme të këtyre universiteteve. Ndërkaq numri i studentëve vetëm në Universitetin e Durrësit është rreth 19.000. Po të shtosh dhe numrin e studentëve në Tiranë dhe në Elbasan, atëherë shifra trefishohet dhe shkon diku te 60 mijë studentë. Të marrësh një kampion prej 0,46 përqind të tërësisë, sa bëjnë 277 studentët e anketuar, është joprofesionale, jo shkencore dhe për më tepër jorealiste. Prandaj studimi i publikuar si “lajm bombë” në mediat tona është deri diku i zhfleftësuar. Por një studim serioz do të duhej të saktësonte se sa studentë u anketuan në secilin prej këtyre universiteteve. Sa në Elbasan, sa në Tiranë dhe sa në Durrës. Lënia në hije e këtij detaji le vend për të spekulluar me shifrat. Po ashtu publiku nuk është njohur edhe me një detaj tjetër, se sa studentë e cilit fakultet i përkasin. Edhe kjo një mangësi tjetër që hedh dyshime për vërtetësinë e anketimeve. Shpallja e rezultateve të tilla në mënyrë të përgjithshme duket se është thjesht një konstatim, të cilin mund ta bëjnë gjithashtu njerëzit analfabetë. Por duke lexuar njoftimin dhe “alarmin” për korrupsionin në universitete, gjen dhe pika të tjera të dobëta. Shifrat e fillimit që qendra publikon kanë të bëjnë me atë se në Elbasan norma e korrupsionit arrin në 77 përqind, në Tiranë 62 përqind dhe në Durrës 42 përqind. Asnjë e dhënë e besueshme nuk shoqërohet për të argumentuar këto shifra. E ndërkohë disa shifra të tjera më poshtë përgenjështrojnë shifrat e mësipërme. Sipas njoftimit të publikuar, 95 përqind e të anketuarve dëshmojnë se rastet e korrupsionit janë anashkaluar, duke mbetur të padresuara. Mirëpo në asnjërin universitet norma e korrupsionit nuk shkon në 95 përqind. Përkundrazi kjo shifër psh në Durrës është 42 përqind, nëse do ta merrnim atë të saktë. Atëherë, nëse 95 përqind e të anketuarve pranojnë se rastet e korrupsionit anashkalohen e nuk adresohen, këta do të duhej patjetër të ishin në listën e pohimit të faktit që në universitete korrupsioni ka një normë përqindjeje prej 95 përqind. Ose njëra, ose tjetra. Kjo pasaktësi hulumtuese e hedh në kosh gjithë studimin,, e bën atë të pavlefshëm, për të mos thënë se ajo është një punë e kryer në zyra dhe madje me papërgjegjësi dhe me papjekuri. Dhe e meta tjetër thelbësore e këtij hulumtimi lidhet me integritetin e studiuesit, i cili paska shtruar një pyetje të tillë për pedagogët: “Keni hyrë në universitet si tregtarë apo si edukues”?! Së pari akademikët, pedagogët nuk janë as tregtarë, as edukues. Janë shkenctarë! Ata edukojnë dhe duhet të edukojnë me shembullin e tyre prej profanësh. Por edukimi realizohet në arësimin parauniversitar! Së dyti, duhet të kesh guxim të madh t’u bësh këtë pyetje profesorëve që kanë dekada që kontribuojnë në arësimin universitar dhe studimet akademike të këtij vendi. Së treti, hulumtimet nuk bëhen për të treguar se cili nen i kodit penal dënon korrupsionin, por për të evidentuar shkaqet e tij. Korrupsioni është i papranueshëm. Ai është i dënueshëm. Për mua më shumë se çeshtje penale, korrupsioni është një problem moral. Një professor i korruptuar do të duhej ta dorëzonte diplomën e profesorit ose të doktorit, sepse edhe profesor edhe i korruptuar, këto të dyja janë të papajtueshme me njëra-tjetrën. Por një studiues i mirëfilltë në analizën e shkaqeve duhet të evidentonte faktin se paga e profesorëve në Shqipëri është më e vogla në rajon, madje dy herë më e vogël se paga e profesorëve të universiteteve të Kosovës! Kjo situatë nuk e justifikon aspak korrupsionin në universitete edhe sikur ai të shfaqet në përqindje shumë, shumë të ulëta. Por është përgjegjësi e qeverisjes që të kujdeset për këtë aspekt. Organizatat Joqeveritare janë pjesë e shoqërisë civile, që i bëjnë oponëncë qeverisjes edhe kur konstatojnë fenomene të tilla në shoqëri. Në rastin konkret duket se studimi i bën fresk qeverisë. Nëse vemë re ligjin për vetingun, në atë ligj janë tre fishuar pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pse ndodhi kjo? Sepse u gjykua se shkak i korrupsionit është gjithashtu trajtimi financiar përbuzës ndaj tyre. E njëjta gjë vlen dhe për stafet akademike. Por nëse një studies, një qendër hulumtimesh nuk merret me këtë pjesë të problemit në Shqipëri, kush tjetër do të duhej ta kryente këtë mission?!

Filed Under: Opinion Tagged With: korrupsioni ne universitete, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

KOMUNITETI SHQIPTAR I DHA LAMTUMIRËN PASHKO GOJÇAJ

January 12, 2018 by dgreca

2 Gojçaj Pashku

Don Lush Gjergji: Vëllezerit Gojçaj i mbushën shumë sheshe dhe rrugë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe SHBA, me shtatoret e Nënës Tereze. Edhe më shumë i plotësuan shumë zemra me fisnikëri, bujari dhe bamirësi, duke bërë atë të famshme dhe të pranishme në mendjen dhe zemrën e  popullit tonë./

1 arkiv mesha1 Prifti larg1 tre prifta1 salle me arkiv1 a dom Pjet varrimi1 a Luigj Rakaj

Siç kishte njoftuar Gazeta Diellit, gjatë ditës së djeshme, e Enjte, 11 Janar 2018 nga ora 2.00 PM deri në orën 9.00 PM në Shtëpinë  Mortore Yorktown, komuniteti shqiptar nga SHBA, Kanada, Europa si dhe nga vendlindja, zhvilloi homazhe në nderim të Pashk Gjeto Gojçaj, i cili ndërroi jetë me 10 Janar 2018, pas një qëndrimi disaditor në spital prej një sëmundjeje të pashërushme. Komuniteti shqiptar e ka nderuar veprimtarin dhe biznesmenin bashkatdhetar, duke formuar radhë të gjata para funeralit.Ka qenë një pjesmarrje shumë e madhe.

1 a leka zonja varrim1 Leka Marjan1 a Lek mesazh Ipeshkevi1 a Mesha kjoIMG_92631 a StatujaHomazhe bënë edhe diplomatë nga Konsullata e Kosovës, drejtues te shoqatave te komunitetit, biznesmene, aktiviste etj. Kryetari i Vatrës, z. Dritan Mishto, i shoqëruar nga zv. Kryetari Agim Rexhaj dhe  bashkëpunëtorë të tij, ka ngushëlluar Familjen Gojçaj.

Sot, e Premte 12 Janar 2018, në orën 11.00 AM, në Kishën Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës” u organizua Mesha e funeralit e udhëhequr nga Famullitari Dom Pjetër Popaj.

Ceremonia e varrimit u organizua në varrezat Gate of Heaven në Nju Jork. Pas Lutjeve fetare të udhëhequr nga Dom Pjetër Popaj, në emër të Familjes Gojçaj, z. Luigj Rakaj ka falenderuar meshtarët dhe pjesmarrsit në ceremoninë e varrimit si dhe të gjithë komunitetin shqiptar, që iu ndodh pranë Familjes në këto çaste të vështira.Rakaj përmes një fjalimi emocionues ka përshkruar jetën e Pashk Gojçaj si dhe kontributin atdhetar të familjes Gojçaj, e cili ka bërë më shumë se dhe vetë shteti shqiptar për përjetësimin e Shënjtëreshës shqiptare Shën Tereza.

Më pas aktivisti Lek Përlleshi, ka lexuar mesazhin e Bibliografit të Shën Terezës, Don Lush Gjergji, i cili në emër të Ipeshkëvit të Kosovës, Imzot Dodë  Gjergjit, ka përcjellë ngushëllimet më të thella dhe ka vlerësuar veprën Kombëtare të Familjes Gojçaj.

Në mesazh shkruhej:Edhe një mik, vëlla, bamirës, kaloi në amshim-Pashk Gojçaj. Ky njeri, shqiptar, i krishterë, familjar, së bashku me vëllanë Lekë Gojçaj, ishte i shquar dhe i dalluar si mërgimtar në SHBA jo vetëm për punë dhe sukses personal, familjar, por mbi të gjitha për angazhimin dhe veprimin në dobi të çështjes kombtare.

Qysh nga vitet 90-të, kur Shqipëria së fundi ishte hapur pas diktaturës së egër komuniste-ateiste, ndërsa Kosova ishte në gjendje tejet të vështirë, shumë të rrezikshme, me batica dhe zbatica të papara, me rreziqe të shumta, me thyrje të mëdha politike, shoqërore, kulturore dhe shpirtërore, vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, ndër të parët nga SHBA-ja u bashkërënditën me prijësin tonë historik Dr. Ibrahim Rugovën në kërkim të zgjidhjes me mjete pasqësore jo dhunore. Ata shumë shpejt u bënë bashkëpunëtorë dhe përkrahës të tij, të popullit tonë në Kosovë.

Njohuritë, pasuritë, miqësitë e tyre i vunë në shërbim të të mirës së përbashkët, të mbijetesës sonë, dhe një pjesë të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë, ia kushtuan bashkëpunimit me miqtë tanë kombëtar dhe ndërkombëtar.

Mishërimi i kësaj strategjie dhe bamirësie erdhi në shprehje nëpërmjet Nënës Terezë, si pasojë e logjikshme dhe natyrore e nderimit, falenderimit dhe imitimit të saj në botën tonë shqiptare. Ata i mbushën shumë sheshe dhe rrugë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe SHBA, me shtatoret e Nënës Tereze. Edhe më shumë i plotësuan shumë zemra me fisnikëri, bujari dhe bamirësi, duke bërë atë të famshme dhe të pranishme në mendjen dhe zemrën e  popullit tonë.

Dhe së fundi angazhimi në ndërtimin e Shenjtërores dhe Katedrales”Nëna Terezë” në Prishtinë, që ishte sfidë për të gjithë ne. Edhe në këtë fushëveprim, vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, nuk kursyen asgjë, për të qenë pjesë aktive dhe bamirëse, si bijë shpirtëror të Shën Terezës, të popullit tonë.

Në emër të Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkëvit të Kosovës, të klerit dhe besimtarëve tanë, shprehim ngushëllimet tona të krishtera, të përcjellura me nderime, falenderime, uratë dhe dashuri.

Për këto dhe shumë vepra të tjera të mira, Zoti, të ndjerin pashk Gojçaj, e shpërbleftë me Paqe, dritë, jetë dhe lumturi të amshuar, ndërsa familjen e dashur dhe të nderuar Gojçaj, me ngushëllime!

Pushoftë në paqë!

Prishtinë, 10 Janar 2018

(Korresp. i Dielli-t)

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, kronike, Lamtumire, Pashko Gojçaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 446
  • 447
  • 448
  • 449
  • 450
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT