Enver Malokun e kam njohur në vitin 1970 kur e ka filluar punēn nē Televizionin e Prishtinës. Ai vinte nē Redaksinë e Kulturës si njē intelektual i formuar, plot energji.
Enveri ishte njē gazetar i ardhshëm guximtar. Ndaj, nuk e pati gjatë si gazetar në TVP. E “pagoi” guximin – vyrtytin qē e mbante si emblemē dhe që nuk donte ta fshihte, për asnjē çmim. Ai ishte një gazetar rebel.
E kam ‘rinjohur’ në fillim të viteve ‘90, si drejtues të QIK-ut nē Prishtinë, si njē gazetar midis gazetarëve – heronj të fjalës së lirë, – atyre që po i bēnin karshillëk me laps regjimit policor-ushtarak serb.
Enveri ishte korrespondent i gazetēs shqiptare – amerikane “Illyria” në New York, nga viti 1991 deri ditën e fundit të jetës së tij.
Tashmë po e njihja edhe më mirë. Mund ta thērrisja më telefon nga New Yorku në çdo kohë, edhe në mesnatë …
Maloku ishte një kronikan i palodhshēm i zhvillimeve dramatike në Kosovēn e pushtuar. Ai ishte një zēdhēnēs i devotshēm i Lēvisjes Paqēsore tē Liderit tē Kosovës, Ibrahim Rugova, si dhe shpresēdhēnës – si korrespondent I Gazetēs, – i Diasporēs më tē moçme shqiptare, nē Atdheun e tyre të dytë – Amerikēn e ‘Shpresave tē fundit të Njerēzimit’.
Ata që e kanē njohur mirë Malokun kanē parë tek ai – të shtruara në kolumnet e tij – aftësinē e vrojtimit të mprehtë të fenomeneve sociale konfliktuale. Në kētē kontekst – edhe të sindromës së konfliktualitetit brendashqiptar. Simbas tij, ky fenomen vinte si pasojē e lodhjes nga pushtimi i gjatë serb, por edhe si një ‘prirje’ fatkeqe shekullore shqiptare.
Maloku mbante një qëndrim kritik publik e të guximshëm ndaj këtij fenomeni të rrezikshēm, qē po e dēmtonte rëndë Kosovën.
Maloku mbetet në historinë e gazetarisë kosovare simbol i gazetarit të guximshëm e fisnik.
*
Maloku u vra më 11 Janar 1999 nē prag tē shtēpisë, në sy të familjes, mbas një atentati, tre muaj më parē, po në prag të shtëpisë.
Vrasēsi nuk u gjet deri sot.
Turpi bie mbi drejtësinë kosovare.
Shkaqet e vrasjes mund të merren me mend, ashtu si dhe ‘heshtja’ 19 vjeçare e Drejtësisë!
Marathonomaku u pengua mizorisht të jepte Lajmin e Lirisë, atë lajm tē cilit ai ia kushtoi tërë jetën.
——
Në foto, nga e djathta: Xhemail Mustafa, Adem Salihaj, Enver Maloku, Sabrije Spahiu, (?), piktori Guri Madhi dhe autorii këtij përkujtimii.
Ka ndërruar Jetë në Nju Jork Pashko Gjeto Gojçaj

– NGUSHËLLIMET TË ENJTEN, MESHA DHE VARRIMI TE PREMTEN/
-Vatra dhe Gazeta Dielli i shprehin ngushëllime Familjes Gojçaj në SHBA dhe në Vendlindje./
Njoftohet komuniteti shqiptar në SHBA dhe në vendlindje se ka ndërruar jetë biznesmeni dhe veprimtari i komuniteti shqiptar në Nju Jork, Pashko Gjeto Gojcaj. Pashku vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Federata Vatra dhe Gazeta Dielli i shprehin ngushëllime Familjes Gojçaj në SHBA dhe në Vendlindje.
Njoftohet komuniteti se Shërbimet Funerale do të organizohen ditën e Enjte me 11 Janar 2018 nga ora 2.00 PM deri në orën 9.00 PM në Shtëpinë Mortore
Yorktown Funeral Home
945 East Main Street
Shrub Oak, NY 10588
Tel: 914.962.0700
Mesha e funeralit do të mbahet ditën e premte me 12 Janar 2018 duke filluar nga ora 11.00AM në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”.
I ndjeri do të varroset në Gate of Heaven Cemetery, në adresën:10 W Stevens Ave, Hawthorne, NY 10532
Petrit Velaj, nuk e mposhtën 37 vite burgimi dhe 5 vite internimi
PETRIT VELAJ KANINJOTI KA RUAJTUR LIRINË NËN TRYSNINË E DRAPËRIT DHE ÇEKANIT/
Mos pyesni si vdiq Petrit Velaj, por tregoni si rrojti ai, se jeta e tij qe shembulli i një luftëtari dhe qëndrestari antikomunist. Atë nuk e mposhtën 37 vite burgimi dhe 5 vite internimi./
Nga Enver MEMISHAJ/Petrit Velaj Kaninjoti, një nga burrat më të nderuar të Vlorës, kaloi në amëshim më 11 shtator të vitit 2017. U shkëput nga radhët e burrave që i japin emër vendlindjes, nje personalitet si ai, shembulli i një luftëtari antifashist, luftëtari antikomunist, qëndresatar në bugjet e zeza komuniste, njeriu që i ngriti aktakuzën sistemit diktatorial komunist, aktivist i shquar shoqëror, i pa lodhur si agjitator dhe propagandist kundër sistemit diktatorial, publicist, botues i veprave me kujtime të vlefshme. Një personalitet të tillë është vështirë t’ia paraqesësh publikut brenda kufijëve të një artikulli të vetëm, pasi ka aq shumë për të treguar për jetën dhe veprën e tij, sidoqoftë ky artikull le të shërbejë për të tërhequr vëmëndjen e botës shqiptare që heshti para humbjes së një personaliteti të tillë si Petrit Velaj.
* * *
Petrit Velaj kishte lindur në vitin 1924, në Ujë të Ftohtë të Vlorës, ku kishte pronat Ahmeti babai tij nga Kanina. Petriti rrojë gjatë plot 93 vjet, por jeta e tij qe një luftë e vërtetë, sapo la pushkën me të cilën kishte luftuar kundër fashizmit në radhët e Ballit Kombëtar si udhëheqës i rinisë prandaj që gjatë luftës komunistët e kishin dënuar me vdekje. Në kohë paqje komunistët i vunë prangat dhe e mbajtën 20 vjet në burg. U lirua në vitin 1965 dhe e internuan. Në vitin 1972 e dënojnë për herë të dytë me 10 vjet burg. Në burg ridënohet dhe kështu ai vuajti si askush tjetër plot 37 vjet burg dhe 5 vjet internim. Doli nga burgu i tretë në vitin 1989. Vuajtja e burgut nuk e mposhti, duket sikur e forcoi më shumë këtë burrë të Vlorës e për këtë flet jeta e tij e gjatë. Në kujtimet e tij të botuar në dy vëllime “Një dritare burgu” në vitin 1994 dhe “Nga prangat në demokraci”, në vitin 1996, sponsorizuar nga vlonjati patriot Pëllumb Shehaj.
Në veprat e tij autori tregon jo vetëm vuajtjet e burgut në Burrel dhe në të gjitha kampet e përqëndrimit komunist, por e veçanta e veprës së tij është se ai përshkruan qëndresën e patriotëve shqiptar në burgjet e zeza të Hysni Kapos, Koçi Xoxes e Kadri Hazbiut.
Duket sikur vepra e tij nuk flet për vuajtjet dhe qëndresën e tij, por për të gjitha ata patriot shqiptar antikomunist që dergjeshin si ai, nëpër burgje dhe kampe përqëndrimi komunist.
Pra pjesa më e madhe e veprës së tij flet për shokët e prangave e kjo është vlera e veprës së tij. Të dy librat e tij përbëjnë një enciklopedi të vlefshme të vuajtjeve dhe tmerreve që hoqën shqiptarët nën regjimin diktatorial komunist.
Petriti na jep shembuj të shumtë të krimeve dhe terrorit komunist, shëmbuj me emra dhe mbiemra, me data dhe vendin ku ka ndodhur ngjarja, sepse ai do të nxjerrë në pah ideologjinë terroriste, çnjerzore të komunistëve shqiptarë që mbi çdo gjë, familjen dhe atdheun vinin partinë.
“Më 16 tetor 1943 në Tragjas, shkruan Petrit Velaj, u goditëm pabesisht nga forcat komuniste… Komunistët po digjnin shtëpitë e ballistëve të fshatit… Midis flakëve e krismave të mitrolozëve dëgjuam ulërimën e grave. Studenti i Normales së Elbasanit Lufter Hoxha me një pishë në dorë nxorri zvarrë gratë nga shtëpia e babit të tij Tahir Hoxhës dhe i vuri flakën sepse babai ishte ballist…” f.34 Këtë akt çnjerëzor komunist e ka përshkruar edhe Lirin Hoxha, djali vogës i Tahir Hoxhës: “Më 16 tetor 1943, shtëpitë e Tahir Hoxhës, ballist, në Fushën e Tragjasit u goditën befasisht nga partizanët nga Kalaja e Tragjasit. Për fat të keq, në djegijen e shtëpive muarën pjesë edhe fëmijët e tij komunistë”. (Lirim Tahir Hoxha “Mes dallgëve”, Erik, Tiranë 2006, f. 32)
Më tutje Patriti vazhdon: “Kur unë do të dilja para gjyqit, prokuror do të kisha të birin e ballistit Tahir Hoxha, komunistin Lufter Hoxha që kërkoi dënimin tim me vdekje. Në qelinë e burgut isha lidhur së bashku me Tahir Hoxhën, babanë e Lufterit, i cili më tha: “Më vjen keq more bir që të dënuan kaq shumë”. “Zoti Tahir , ja ktheva unë, Petritër ka plot Shqipëria, por uroj që Shqipëria të mos ketë Lufterë…” f.48.
Në kujtimet e tij zënë vend një mori personazhes të kohës së luftës dhe të kohës së paqes. Kështu psh ai tregon për arrogancën e kriminelve Hito Çko dhe Qatip Dervishi, ndërsa në pyetje e mori Namik Cakrani që kishte për grua kushërirën e parë të Petrit Velajt. Ishte po ky Namik Cakrani që kishtëe dënuar babanë e tij ballist me vdekje, ndaj edhe unë nuk mund të prisja gjë prej tij.
“Drejtor të burgut, shkruan më tej ai, ishte Muço Maska nga Kropishti, një injorant dhe zemërzi. Ky komunist na u pështiros pasi e shihnim me sytë tanë si plaçkitës së të burgosurve që pushkatonte… Kështu ndodhi edhe me orën e florinjtë të xhepit të Hamdi Çepratit. Pasi i mori sahatin Hamdiut, kur e pushkatuan, e tregonte në oborrin e burgut…” f.44
Ndërsa për kryetarin e gjyqit komunistin Qemal Klosi Petrit Velaj shkruan: “Në kohën që vëllai tij ballist Sulo Klosi po varej në litar në Rubik si “sabotator” Qemali dënonte ballistët vlonjatë me vdekje…” f. 45
Një vënd të veçantë zenë shokët e tij të prangave si Bego Gjonzeneli, Maliq Koshen, Stiliano Gaxho, Tahir Hoxha, Kamber Durmishi, Mustafa Mysliu, Hamdi Gjoni… Bedri Spahiu, Patër Meshkalla, shokët që kishte punuar bashkë me ta për përkthime, Kudert Kokoshi, Arqile Tasi, Foto Bala, Pjetër Arbnori e shumë të tjerë.
Në librin e dytë “Nga prangat në demokraci”, ai ndalet në portretet e shumë personazheve historik të kohës së luftës dhe të kohës së paqes si Tol Arapi dhe djali tij Vllas Arapi, Qazim Kokoshi, Hysni Lepenica, Skënder Muçua etj. Gjithashtu ai jep një histori të shkurtër të Ballit Kombëtar të Vlorës dhe përshkruan Shoqatën Atdhetare e Kulturore “Ismail Qemali”
Amaneti vëllit të tij Hulsi Velaj i pushkatuar nga komunistët e ndoqi nëpër qelitë e errëta komuniste: “Më mirë të dalësh që këtij një kufomë e vdekur, por e ndershme…”
* * *
Në vitet e demokracisë, Petrit Velaj, rilindi me energji të pa shtershme, ishte një aktivist i shquar shoqëror, themelues dhe organizator i Shoqatës së të Burgosurve Politik, i Partisë Balli Kombëtar, i Shoqatër “Kanina”, por veçanërisht ai dha kontribut në Shoqatën Kulturore e Atdhetare “Ismail Qemali”, në të cilën deri ne fund të jetës së tij mbajti vendin e nënkryetarit, kur kryetar ishte personaliteti i shquar, “Mjeshtri Madh”, prof. dr. Bardhosh Gaçe dhe kryetare nderi personaliteti i shquar i kulturës sonë kombëtare Nermin Vlora Falaski.
Unë e njoha Petrit Velaj në dhjetor të vitit 1990, për njohjen tonë ai shkruan: “Ato ditë dhjetori 1990, një kushriri im më lajmëroi se po më kërkonin në Vlorë. Vajta dhe takova miqtë e mi Hysni Alimerko e Burim Kokoshi. Biseduam edhe për organizimin e të përndjekurve politik. Më erdhën në shtëpi përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Vlorës: Afrim Jupi, Aleks Tahiri, Enver Memishaj. Mora pjesë në demonstratat e mitingjet që u organizuan në qytetin e Vlorës në Sheshin e Flamurit” f. 120.
Kështu Petrit Velaj ishte zgjuar nga errësira e burgjeve dhe ai doli në vijën e parë të luftës, punës dhe përpjekjeve për të përmbysuar diktaturën klomuniste. Jam krenar që pata një mik si ai, jam krenar që në udhën e demokracisë eca me nje atdhetar e luftëtar të pa mposhtur për liri e demiokraci. Ai ishte i gjallë e optimist një cilësi që siç thotë ai i kishtë vënë re edhe ajo patriotia dhe luftëtaria e madhe Musine Kokalari e cila i paska thënë: “Më pëlqen optimizmi yt. Ky optimizëm është ushqim i madh shpirtëror për ty”. I tillë ishte Petriti me fjalën dhe mendimet e tij ta bënte dill edhe kur kishte ngrica.
Me Petrit Velaj kalova 27 vjet të jetës sime, por edhe kjo pjesë e jetës në luftë, në përpjekje, në mos kuptime e keqkuptime, në agjitacin dhe propagandë jo me njeri tjetrin, por me bashkudhëtarët tanë, me shokët e idealit, por edhe me kundërshtarët tanë komunist, apo siç u quajtën më vonë socialistë. Ku s’kemi shkuar e ku s’kemi vajtur me Petritin, në fshat e në qytet, te fshtari e te intelektuali. I tillë ishte Petrit Velaj, i pa mposhtur para asnjë vështirësie. Ndërmjet shumë takimeve ai flet për takimin e pa harruar që organizoi prof.dr. Bardhosh Gaçe në krye të Shoqatës “Ismail Qemali”, për t’u takuar e biseduar me të pa harruarën Nermin Vlora – Falaski në Dhërmi. “Së bashku me Bardhosh Gaçen, Skënder Zogën, Hamz Morinën, kosovar, Enver Memishaj, Liljana Gjikën, e ndonjë tjetër po shkonin drejt Dhërmiut për t’u takuar me zonjën Nermin Vlora. Na priste në hollin e hotelit të ri. Takimi ishte i bukur dhe interesant”. f.135
Edhe unë kam kujtime të pa shlyera nga ai takim me atë grua që rrezatonte një bukuri mahnitëse, por në shpirt dhe në mëndje ajo shkëlqente më shumë, por cilësia që e bëri të dashur dhe të respektuar për ne ishte dashuria që ajo kishte për Shqipërinë dhe gjyshin e sajë, babain e kombit shqiptar Ismail Qemalin.
Në vitin 1994, kur botoi librin isha nga të parët që ma dhe me dedikim: “Ja dhuroj si kujtim mikut tim të dashur z. Enver Memishaj, atdhetarit dhe demokratit të pa lodhur për çështjken kombëtare. Me ndjenjën e respektit Autori, firma”.
* * *
Janë të shumtë personalitetet që kanë foluar e kanë shkruar për veprën jetsore të Patrit Ahmet Velaj. Brenda kufijve që na lejon artikulli po përmendim disa prehj tyre:
Nermin Vlora Falaski, që ka bërë edhe parathënin e librit të parë ndërsa Fatos Arapi është redaktor, e ka portretizuar Petrit Velajn me këto fjalë: “Petrit Velaj është ai që ka ruajtur lirinë, duke mbetur i lirë në konditat e atij njeriu që e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij i shtrydhuar midis drapërit dhe çekanit… është ai që ka ditur t’i numuroi yjet në errësirën e burgut… është ai që ka përvetësuar rrezet e diellit me telepatine e ngjyrimeve emocionale… është ai që ka lindur i lirë dhe ka mbetur i lirë… është ai që do të jetë i lirë përgjithmonë”.
Avokati njohur Spartak Njgela shkruan me dashuri: “Është nder për mua që më jepet rasti të flas për Petrit Velaj… Mirënjohje ndaj tij për optimizmin që e ka karakterizuar gjithmonë… Ai dinte të bënte analiza të sakta… Ideali pastër i kishte mbetur i pa prekur dhe kultura e shëndoshë që ka në sensin human e kanë prurë në objektivitetin historik në trajtimin e fenomeneve. Ishte optimist por ngahere këtë optimizëm nuk e ka lidhur me fatin e tij por me fatin e gjith shoqërisë. Kam njohur tek ai demokratin e vërtetë që respekton mendimin e kundërt”.
Agim Musta shoku i prangave shkruan: “Asnjëherë s’e pashë të vrejtur, por gjithmonë buzagas e optimist. Përherë të gatshëm për të ndihmuar bashkëvuajtësite rinj, për të njohur kulturën europiane dhe të vërtetën e tragjedisë së jetës shqiptare. Midis të burgosurve ishte simbol për forcën e vullnetit dhe për energjinë e pashtershme”.
Poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti “Petrit Velaj e kujtoj si patriot të përflakur. Ishte njohës i historisë së popullit të vet. Edhe sot ia dëgjoj zërin kumbues kur flistë për Kosovën e Çamërinë, tradhëtinë që iu bëri atyre komunizmi”.
Shkrimtari Shefqet Tigani “Një jetë e tërë e kaluar në skëterrë, në tortura dhe presione psikologjike demoniake. Ai nuk u përkul, nuk u mposht. Sot është krenar në ditët e demokracisë, vital, energjik, i kudondodhur, me shokë, miq e të afërm”.
Shkrimtari Faruk Myrtaj “Petrit Velaj është njeri nga Mandelët e Shqipërisë… Nuk mendon për hakmarrje por për drejtësi… Dje atdheu e thirrë nën armë sot ai është thirrur nën penë me kushtrimin qytetar të këtij profesioni. Këtij populli i duhet publikuar humanizmi i Petrit Velaj… Në fund të fundit ky është misoni i të urtëve, i atyre që kanë pranuar të vihen nën penë…”.
Pas vitit 1990 Petrit Velaj u vlerësua dhe u dekorua nga Presidentët e Shqipërisë si luftëtar antifashist, si qëndrestar antikomunist dhe si aktivist i shquar shoqëror.
Petrit Velaj me Nermin Vlorën Petrit Velaj me familjen
Serwer: Shfuqizimi i Speciales me pasoja serioze për Kosovën
Analisti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale do të përcillet me pasoja serioze për Kosovën, pasi që, sipas tij, marrëdhëniet me SHBA-në dhe me BE-në do të jenë shumë më problematike
Shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale do t’i bënte marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), si dhe me Bashkimin Evropian (BE) shumë më problematike dhe kjo do të kishte pasoja serioze për vendin.
Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” analisti i njohur amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, duke shtuar se liderët kosovarë po sillen sikur të jenë të kërcënuar nga Gjykata.
Pas dy dështimeve që kjo çështje të procedohet në Kuvend në fund të vitit të kaluar, Serwer shpreson që një përpjekje e tillë të mos realizohet gjatë këtij muaji, ashtu siç po pritet të ndodhë pas kthimit të deputetëve nga pushimet e fundvitit.
Analisti amerikan gjatë kësaj interviste për “Zërin” ka folur edhe për mosratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, me ç’rast ka vlerësuar se ky është një veprim i pamatur politik, pasi Kosova ka nevojë për liberalizim të vizave me BE-në.
Ndërsa sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai ka thënë se një marrëveshje e tillë duhet zbatuar në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Edhe këtu Kosova ka shumë më tepër për të fituar nga zbatimi i programit sesa nga braktisja e tij”, ka potencuar Serwer.
Zëri: Z. Serwer, në fund të vitit të kaluar Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka tentuar që ta procedojë në seancë të Kuvendit iniciativën për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, por një gjë e tillë ka dështuar. Gjasat janë që një gjë e tillë të ndodhë pas dy javëve. Si e komentoni rikthimin e kësaj çështjeje përsëri në Kuvend pavarësisht kritikave të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare?
Serwer: Mendoj se nuk është e mençur që Kuvendi ta rihapë këtë çështje, por është një organ i zgjedhur në mënyrë demokratike e sigurisht ka të drejtë ta bëjë këtë gjë.
Liderët kosovarë veprojnë sikur të jenë kërcënuar nga Gjykata
Zëri: Iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është kritikuar ashpër edhe nga zyrtarët e lartë të BE- së dhe së fundit edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Pse mendoni se është tërë ky insistim i liderëve kosovarë në kundërshtim të plotë me partnerët ndërkombëtarë?
Serwer: Duhet t’ua bëni liderëve kosovarë këtë pyetje. Ato veprojnë sikur të jenë kërcënuar nga Gjykata qoftë në mënyrë gjyqësore, apo në mënyrë elektorale.
Zëri: Nëse shfuqizohet Ligji për Gjykatën Speciale a rrezikon Kosova t’i ngrijë raportet me SHBA-në dhe me BE-në?
Serwer: Jo, por do t’i bënte ato marrëdhënie shumë më problematike. Nuk ka dyshim se do të ketë pasoja serioze.
Zëri: A mund Këshilli i Sigurisë së OKB- së ta autorizojë këtë Gjykatë nëse Kosova refuzon drejtësinë ndërkombëtare?
Serwer: Ndoshta, por jo si gjykatë e Kosovës.
Zëri: Presidenti Thaçi ka qenë përkrahësi më i madh i kësaj gjykate, ndërsa tashmë është shndërruar në kritikuesin më të madh. Pse ky ndryshim në qëndrime, a ndërlidhet sipas jush me aktakuzat potenciale ndaj liderëve kryesorë?
Serwer: Duhet ta pyesni atë.
Zëri: Cilat do të jenë pasojat për Kosovën nëse këtë muaj shfuqizohet Ligji për Gjykatën Speciale?
Serwer: Ju do të duhet të kërkoni përgjigje nga përfaqësuesit zyrtarë të SHBA-së dhe të BE-së në këtë pyetje. Unë mund t’i imagjinoj të gjitha llojet e pasojave, por nuk e di se çfarë planifikojnë të bëjnë Brukseli dhe Uashingtoni.
Zëri: A mendoni që ka gjasa që një tentim i tillë të realizohet apo pritni që të dështojë përsëri?
Serwer: Me të vërtetë nuk e di. Shpresoj që përpjekja të mos realizohet.
Asociacioni, në përputhje me vendimin e Kushtetueses
Zëri: Pavarësisht ftesës së SHBA-së dhe të BE-së, Parlamenti i Kosovën nuk po arrin ta ratifikojë as Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Duke e pasur parasysh që ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është kusht për liberalizimin e vizave, si e shihni veprimin politik të palës kosovare?
Serwer: Gjithashtu ky është një veprim i pamatur politik. Kosova ka nevojë për liberalizim të vizave.
Zëri: A mendoni që Kosova është afër ta marrë liberalizimin e vizave?
Serwer: Sa afër, po aq larg.
Zëri: Asociacioni i Komunave Serbe në anën tjetër është një marrëveshje e arritur me Serbinë, e cila ka stagnuar. Janë serbët në anën tjetër që kërkojnë që kjo marrëveshje të zbatohet sa më parë, si e shihni ju një gjë të tillë?
Serwer: Shpresoj të shoh zbatimin në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Edhe këtu Kosova ka shumë më tepër për të fituar nga zbatimi i programit sesa nga braktisja e tij.
Shtatë thënie të ndritura të Skënderbeut
Nga Fotaq Andrea, “Skënderbeu, Album-Antologji, 1413-2017”/
Është fjala këtu për një përzgjedhje sentencash skënderbejane – përzgjedhje “disi arbitrare” nga ana jonë -, qëmtuar në letërkëmbimin e kufizuar të Heroit tonë kombëtar ardhur gjer në ditët tona, mbijetësisht e fuqimisht. Janë sentenca që shfaqin çka është me tipike e sintetike në mendimin, botëkuptimin dhe karakterin e tij, sentenca që i tejkalojnë kufijtë e kohës dhe marrin vlerë e fjalës së urtë, fjalës së artë, fjalës së mençur, me peshë e vlerë përherë aktuale.
Po përse pikërisht shtatë sentenca? Mbase ngaqë numri 7 na josh, të themi, si një shifër sa magjike, aq edhe shifër e shenjtë dhe e përkryer, me plot përkitje historike, ezoterike, fizike, etj. dhe me simbolizëm të shkallës së epërme, që shfaq shtatë shkallët e përsosmërisë: që nga shtatë ditët e javës, shtatë notat muzikore, shtatë ngjyrat e spektrit të dritës, shtatë mrekullitë e botës, dhe deri te shtatë yjet e mëdhenj të Arushës së Madhe, shtatë vrimat e fytyrës, shtatë gjendet e lëndës dhe shtatë shkallët e ndërgjegjes me shtatë etapat e evolucionit.
E mund të vijohet kësisoj edhe me shtatë emblemat e Budës dhe me shtatën e përjetshme të egjiptianëve, etj. por le të kthehemi më mirë te sentencat tona skënderbejane, kur, siç thotë populli ynë, u munduam ta “masnim” mirë shtatë herë dokumentacionin e tij, për ta “prerë” një herë në modelin e mëposhtëm skënderbejan me konotacion të fuqishëm sa moral, aq edhe filozofik e shoqëror.
Në fakt, këto sentenca i përzgjodhëm si një Prelud për shtatë shkrimet e kreut të titulluar “Skënderbeu sipas vetë Skënderbeut”, shkrime këto të nxjerra nga dokumente origjinale të kohës kastriotine, me tituj mjaft kuptimplotë, dhe konkretisht: 1. Turkut do t’i bëjmë ballë (viti 1456); 2. Ne nuk e shkelim besën (viti 1460); 3. Miku i mirë për ditë të keqe (v. 1460); 4. Mikpritja skëndebejane (v. 1461); 5. Skënderbeu i kthyer në fenë e shenjtë (v. 1448); 6. Papa Kaliksi III e shpall Skënderbeun “Atlet të Krishtit” (v. 1457); 7. Papa Piu II: “Skënderbeu po përparon; në Albanorum kemi mbështetjen tonë më të madhe” (v. 1461).
Dhe ja tani shtatë sentencat skënderbejane, nga letërkëmbimi i tij gjatë viteve 1456-1465.
- Kur bëhet bashkë e mira me të mirën, veç mirësi ka. Kështu ka ndodhur sa herë që kam pasur të bëj me njerëz të mirë.
(Prokurë e Skënderbeut dhënë ambasadorit
të tij Gjergj Pelinit, 8 korrik 1457).
- Vendi im është i varfër dhe shtëpia ime është e vogël. Por atë ma ka falur Zoti.
(Po aty).
- Dihet nga të gjithë se sa dëm i madh i shkaktohet fesë së krishterë po të hiqni dorë nga kujdesi [vigjilenca] që keni treguar kundër armikut.
(Letër e Skënderbeut drejtuar kardinalit
të Fermos Domenico Capranica, 8 prill 1456).
- Ne kemi kërkuar të ruajmë besën, në mbrojtje të së cilës kemi kaluar rreziqe sa nuk mund të numërohen, dhe sa herë e kam përballuar vdekjen me dashje.
(Përgjigja e Skënderbeut drejtuar Princit të Tarantes Johannes Antonius de Ursinis,
31 tetor 1460.)
- Të gjithë jemi të krishterë të barabartë nëpërmjet pagëzimit.
(Po aty).
- Çfarëdo që të ndodhë, unë do jem mik i virtytit, dhe jo i fatit.
(Po aty).
- Ne quhemi Epirotë, dhe duhet të keni dijeni se në kohë të tjera, paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani sot dhe patën luftime të mëdha me Romakët, dhe ne e dimë se në më të shumtën e herëve, ata u ndanë me nder sesa me turp.
(Po aty).
Sikurse vihet re, këto sentenca sintetizojnë në thelb historinë e lashtë të vendit tonë, lavdinë dhe epizmin e shkuar, që nga koha e “paraardhësve tanë” siç shprehet Heroi ynë, tek nënkupton këtu Aleksandrin e Madh dhe Pirron e Epirit. Ato shfaqin po ashtu vetë thelbin e vlerave dhe të virtyteve morale të popullit tonë, sikurse janë besa, mikpritja, mirësia, e mbi të gjitha, dashuria për atdheun dhe dashuria për progresin. Ky progres, as që mund të kuptohej në kohën skënderbejane jashtë kuadrit ideologjik të krishterimit që përfaqësonte as më shumë e as më pak Botën perëndimore të kohës, përpara rrezikut osman ardhur nga Lindja, dhe që kërcënonte mbarë Europën. Dhe iu desh pikërisht themeluesit të shtetit të parë të Arbrit, Gjergj Kastriotit, mbret i Epirit e i Shqipërisë, ta shndërronte Krujën dhe krejt vendin tonë, për një çerek shekulli me radhë, në kala të pazaptueshme, për mbrojtjen e Vatikanit, Italisë dhe mbarë Europës.
Ja konkretisht si e vlerëson Nicolas Chalcondile Athénien në librin tij “L’Histoire de la décadence de l’empire grec” (Historia e rënies së Perandorisë greke), Paris, 1632, f.152-153, figurën madhështore të Skënderbeut tonë:
Skënderbeu, shpatë në shërbim të atdheut të tij, Mburojë e Krishtërimit.
I vetëm, një Horace, e ndali krejt fuqinë e Toskanëve, një Marcellius nervozoi fuqinë e Anibalit dhe një Camillius i ridha jetë atdheut të vet. Por vetëm një Skanderbeg, më trim nga i pari, më i kujdesshëm nga i dyti, dhe më i suksesshëm nga i fundit, ka qenë jo vetëm një Gedeon, një Sanson dhe shpatë në shërbim të atdheut të tij, por edhe mburojë e Krishtërimit, tek i mëson shekujve të ardhshëm se një fuqi e dobët, me një udhëheqje të mirë, mund të shkatërrojë forca shumë të frikshme dhe se një guxim shembullor jep alarmin
në radhët e sunduesve më të fuqishëm të botës, duke i bërë madje të heqin keq. Ja ai, Gjergj Kastrioti, i quajtur ndryshe Skander, apo Skanderbeg, që u bë aq shumë tmerr i atyre dy monarkëve të fuqishëm, Amuratit e Mahometit, kur i pari vdiq nga trishtimi i turpërimit që e vuajti aq shumë, dhe tjetri, i cili ishte aq i frikshëm në mbarë universin, nuk mori veçse turp me vete sa herë mësynte kundër tij.
Jo pa arsye ne e kemi vendosur Mbretin e Shqipërisë, tmerrin e Perandorisë osmane, përballë princërve osmanë, të cilët ai, me një grusht njerëzish, i rroptoi e i katandisi aq keq për një kohë të gjatë. Nuk ka si të tregohesh mosmirënjohës e të mohosh shpirtmadhësinë aq të veçantë që morën nga i Gjithë-Fuqishmi tërë të Krishterët, tek panë t’u dhurohet një mbrojtës i këtillë. Pati për prind Gjon Kastriotin, fisnikun e asaj pjese të Epirit që e quajnë Emathia e Zumenestia, dhe Vorsavën, bijën e princit të Triballëve, apo të Pollogut. Kurrë nuk pati më dhumë se dhjetë a dymbëdhjetë mijë njerëz, me të cilët përherë u kaloi mbi bark ushtrive aq të mëdha e të fuqishme, dhe kurrë armiku nuk ia pa kurrizin, aq i zoti e i mësuar ishte në do gjëra të luftës, kurrë nuk kishte frikë të sulmonte me 3000 kalorës, duke patur 12000 përballë tij.
Kaloi nga kjo jetë në jetën tjetër në Lissë, duke mbretëruar për 24 vjet, më shumë si një i Krishterë i përshpirtshëm, se sa si një luftëtar dhe kalorës kreshnik.
“Skënderbeu, Album-Antologji, 1413-2017”, f. 35.
- « Previous Page
- 1
- …
- 447
- 448
- 449
- 450
- 451
- …
- 860
- Next Page »


