• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Biblioteka e Korçës 500-vjeçare, por jo e vetmja

May 27, 2017 by dgreca

Nga Vepror Hasani/

Biblioteka Baholli ElbasanShkolla e parë në Shqipëri për vajza dhe djem u ndërtua në Korçë 500 vjet më parë nga themeluesi i saj, Iljaz bej Mirahori. Në testamentin e tij thuhet: “ngriti e ndërtoi pastaj… një shkollë të bukur e të hijshme. Pastaj caktoi këtë si vakëf për gjithë ata djem dhe vajza myslimane që vazhdojnë të mësojnë këndimin e Kuranit e të studiojnë dituri të tjera”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe).

Me qenë se për shkollën e vajzave dhe të djemve kemi shkruar kohë më parë, nuk po zgjatemi më shumë. Kësaj radhe do të ndalemi te biblioteka e xhamisë së Korçës. Sipas Mytevelinjve, pasardhës të Mirahorëve, xhild-hanet (bibliotekat) ishin, zakonisht, pjesë e xhamive, ku përveç librave të fesë, mbaheshin edhe librat më të mirë të kohës. Një bibliotekë të tillë e kishte edhe Xhamia e Madhe e Korçës, e cila u vinte në ndihmë edhe vajzave dhe djemve të shkollës.

Që xhamia e Korçës e kishte një bibliotekë nuk mund të vihet në dyshim. Francezi August Dozon gjatë vizitës së tij në Korçë më 1874, ndër të tjera i shkruante qeverisë së tij: “Po bëhen përgatitje për të ngritur një tipografi ku do të bëhen botime të autorëve klasikë”, gjë që tregon se banorët e qytetit të Korçës ishin të familarizuar prej shekujsh me librin.

Fill pas botimit të gazetës “Albania” të Faik Konicës, mjaft banorë të qytetit të Korçës u bënë abonentë të kësaj gazete:

“Ky vit është i bekuar ndër gjithë të tjerët për kombin shqiptar. Fara që mbuallëm dy vjet më parë zuri të sjellë pemët e saj. Më të katër anët shohim fletore, bibla të reja, shoqëri kombiare që po krehen (krijohen). …Albania hyn tani pothuajse lirshëm në Shqipëri. Në Korçë gjer në fund të gushtit Albania këndohej në kafenetë…” (Gazeta “Albania” 1898, nr 10, f. 153)

Në vitin 1908, Sami bej Pojani, botoi në Korçë gazetën “Korça”, të parën gazetë shqiptare në Shqipëri dhe ngriti shtypshkronjën për shypjen e gazetave, revistave, librave etj.

Dëshmi të shkruara për ekzistencën e bibliotekave të xhamive, teqeve, medreseve, familjeve të mëdha myslimane, kanë mbërritur deri në ditët e sotme, gjë që tregon se biblioteka 500-vjeçare e Xhamisë së Korçës nuk ishte e vetmja. Po renditim disa prej tyre:

Bibliotekat e Beratit

“Myftinia e Beratit ka patur një arkiv të moçëm në gjuhën turke ku gjendeshin gjithë aktet e Gjykatores së Shenjtë (sherie), regjistrat kadastralë të moçmë dhe shumë sende të tjera interesante për historine e qytetit, dorëshkrime të ndryshme në arabisht e persisht dhe koleksione kuranesh.” (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. f. 290)

“Teqeja e të mirit Sheh Hasanit ka patur shumë libra e dorëshkrime në gjuhët orientale (arabisht, persisht dhe turqisht), dhe dokumente të tjera që nga librat, dhe dorëshkrimet, dhe kishte shumë dokumente prej atyre që ishin të vlefeshme për historinë e qytetit dhe të kombit tonë – fatkeqësisht kjo bibliotekë u dogj e gjitha në kohë të kryengritjes së rebelëve në vitin 1914. Thuhet se aty gjendej edhe dorëshkrimi i shkruar shqip me gërma arabe i Nesim bej Përmetit që bën fjalë historia e literaturës shqipe.” (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. f 290)

“Jo larg qytetit të Beratit gjendet fshati ose lagjja e Velabishtit, ku edhe sot shihen gërmadha palletesh, xhamie dhe teqeje si edhe varre (tyrbe). Këtu banonte Ismail Pasha, biri i Mahmud Pashës, njeri studioz që kishte krijuar në pallatin e tij një bibliotekë fort të pasur, veçanërisht në vepra arabe, perse dhe turke, po, me vrasjen e Ismail Pashës në vitin 1771 u grabit dhe u dogj edhe biblioteka e tij, për arsye se ky ishte deklaruar e dënuar prej sulltanit të atëhershëm dy herë fermanli.” (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. f. 290)

Ndërsa Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri) rrëfen për bibliotekat familjare që gjendeshin ngado nëpër Shqipëri:

“Në Berat, më 1913 kisha parë te z. Sulo Resuli një dorëshkrim shqip (me shkronja turke), të vjershave të Sylejman Ramazanit, vjershëtor i dëgjuar në ato anë, beratas, jetuar një qind – një qind e pesë vjet më parë. …Në Berat prapë mbahen dhe ruhen dorëshkrime të tjera të vjershëtorëve Hasan i Zyko Kamberi dhe Nesim-it; dhe unë vetë kam mes librave të mi dy dorëshkrime të vjershave të Hasanit Zyko Kamberit, tërë në shkronja turqisht, njëri prej të cilëve të paktën një qindvjeç i vjetër. Dy libra fetarë në vjersha, të shkruara në Frashër prej Dalip dhe Shahin beut, këndohen dhe sot në teqetë e bektashinjve…” (“Diturija” 1909, nr. 2, f. 22)

Biblioteka Baholli e Elbasanit

Më tej gazeta “Hylli i dritës” na njeh me bibliotekën Baholli të Elbasanit. Kjo bibliotekë u themelua prej Nazif Bahollit në shenjë nderimi për birin e tij liceist, Qemal Baholli, i cili u nda nga jeta në qytetin e Korçës më 1 dhjetor 1929, kur ishte maturant. Familja Baholli me origjinë nga Dibra, kishte ardhur në Elbasan në vitet 1900. Ndërtimi i bibliotekës nisi në vitin 1931, përfundoi më 1935, ndërsa Bashkisë iu dorëzua po atë vit, më 23 korrik. (Referuar gazetës “Hylli i dritës” 1938, nr. 9, f. 480)

Sipas Wikipedias: “Sot biblioteka “Qemal Baholli” me 200.000 libra, koleksione dhe periodikë në gjuhë shqipe dhe të huaja, shquhet jo vetëm për veprat e rralla, koleksionet e fondit të periodikut të periudhës para Luftës II Botërore, por dhe ndër bibliotekat më të pasura të vendit për nga pasuria që zotëron”.

Biblioteka e Vlorajve

Sipas rrëfimeve të Eqerem bej Vlorës, bibloteka e tyre ka qenë mjaft e hershme, ngrihej pranë sarajeve, por edhe sarajet edhe biblioteka u grabitën pak vite më vonë nga dalja e Sulejman Pashës kundër Vlorës dhe vrasjes së Ali Beut më 1741. Për bibliotekën e familjes Vlora dëshmon edhe shkrimtari turk Evlia Çelebiu, ku jo vetëm ai por edhe babai i tij e kishin vizitur këtë bibliotekë:

“Shkrimtari Turk Evlia Çelebiu shkruan se me 1072 (alla Turka) ka banuar në fshatin Mekat (pranë VIorës) në çifIigun e Isuf Beut edhe ka shkuar kohën në Bibliotekën e tij shumë të çmueshme, në të clën pat punuar shtat vjet rresht edhe i ati i Evlia Çelebiut. (“Hylli i dritës” 1938, nr. 4, f. 162 -166)

Gjithnjë sipas gazetës së përmendur më sipër, Biblioteka u ringrit pranë sarajeve prej Ismail Pashës, i mbiquajturi Velabishti, bir i Mahmud Pashës, edhe më e pasur nga ç’kishte qenë, por pas vrasjes së tij më 1771, biblioteka u grabit sërish dhe iu vu zjarri. U ndërtua sërish, por në vitin 1814, biblioteka me vlerë 1.800.000 fr. ari, e përmendur edhe nga Pouquevill te libri i tij “Voyage en Albanie”, u grabit prej Ali Pashë Tepelenës. Megjithatë, biblioteka u ndërtua sërish e sërish.

Më 1832, Beqir beu u detyrua të shkoi në Misir. Për këtë arsye la peng, te Kojevina në Korfus orendi të shtrenjta dhe shumë libra me një vlerë prej 192.000 franga ari. Me vdekjen e Beqir beut, pasardhësit e tij u vendosën në Vlorë më 1849, por mallin e lënë peng, nuk e morën dot. Familja e Kojevinës u bë ndër më të pasurat e Korfuzit.

Kjo ishte dhe arsyeja pse bibliotekat grabiteshin herë pas herë, sepse ato çmoheshin shumë për vlerën e tyre, ose mund të liheshin peng, gjë që sot duket sikur nuk e kanë më atë vlerësim. Të vetmit që dogjën edhe librat edhe ndërtesat e bibliotekave ishin andartët grekë të vitit 1914.

Por familja Vlora nuk bënte dot pa bibliotekë. Mahmund beu, i ati i Ismail Qemal beut, vetë ismail Qemali, por edhe biri i tij, Ismail beu ishin të dashuruar pas librave: Në bibliotekën e tyre gjendeshin libra në gjuhën greke, latine dhe italiane, librat e Dantes dhe të Petrarkës, por edhe kjo bibliotekë u zhduk.

“Biblioteka që ka sot familja Vlora është vepër e diplomatit plak Syrja Beut dhe e të birit Eqrem bej Vlorës. Syrja beu ka filluar mbledhjen e librave rreth vitit 1875 dhe kanë vazhduar pareshtur gjer më sot. Në vitin 1914 kjo bibliotek kishte 14.600 volume, po mjerisht në gusht të atij viti, për t’i shpëtuare nga djegia ose nga grabitja e rebelve, të cilët në atë kohë kishin djegure edhe bibliotekën e teqesë së Sheh Hasanit në Berat, që ka patur libra dhe dorshkrime shumë për historin e vendit tonë, i shtynë të gjithë librat në një bimcë (bodrum) ku u prishën ose u kalbën.
Sot (viti 1938), kjo bibliotek zotnon 8.700 volume të ndryshme në gjuhët arabisht, turqisht, gjermanisht frëngjisht, italisht, gerqisht dhe shqip, të cilat janë edhe gjuhët që njeh mire i nderuari deputet i Vlorës.

Në Bibliotekë kanë edhe dorëshkrime në arabisht dhe në gjuhë të tjera që kanë të bëjnë me rilindjen shqiptare, të cilat do të botohen për së afërmi në një libër që ka shkruar i ati, Syrja beu nën titullin “Kujtime dhe fytyra nga koha e rilindjes s’ Atdheut t’onë prej vitit 1908-1923″ në gjuhën turke”.

Biblioteka përmban: një koleksion me 138 kurane të shkruara me dorë, të mbledhura në Stamboll, Misir, Persi, Indi, Marok etj; një koleksion mjaft i pasur albanologjie dhe balkanologjie; koleksion armësh të vjetra, 230 copë, mbledhur në Shqipëri; koleksion tabakash 620 copë (sever, saks, çiu, vieux, vienne, çeshmir, bylbyl etj); një koleksion statujash të veçanta të Pojanit, Bylisit, Amandias, Orikumit dhe të Avlonës e shumë të tjera. (Hylli I dritës 1938, nr, 4. f. 162 -166)

Biblioteka Frashëri

Biblioteka “Frashëri” u krijua nga Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri) që nga rinia e tij e hershme; ishte më e pasura në Shqipëri. Në vitin 1938 kishte 18.000 volume të ndryshme në gjuhët frëngjisht, gjermanisht, anglisht, italisht, greqishte, turqisht, shqip etj, 200 dorëshkrime të ndryshme disa prej të cilave të albanologëve të njohur, koleksione gazetash, revistash; shumë dokumente historike etj; libra që flisnin për Gjergj Kastriotin dhe Ali Pashë Tepelenën dhe një koleksion pikturash të historisë së Ali Pashës; ikona byzantine, relike të çmuara të familjes Frashëri, sahatin e motrës së Ali Pashës që ishte martuar në Libohovë, dy sahate bakri me kapak të Ali Pashës me stemën e Satrapit, dy sahatë të tjera gati si të parat që kanë qenë të ministrit të Oborrit të Ali pashë Tepelenës, frerin e kalit të Ali pashës dhe një koleksion tjetër monedhash të gjendura në vise të ndryshme të Shqipërisë. Dhe shumë gjëra të tjera që nuk mundemi t’i përshkruajmë dot, – shkruan gazetari, – se na kaloi koha duke parë librat e shumtë të biblotekës së tij ku vërejtëm edhe shumë libra që dikur bënin pjesë në librat e bibliotekave të Arhidukës Ferdinand t’Austrisë, të Mbretit Kostandin të Greqisë, dhe në mos gabohem dhe të Napolon Bonopartit, të sulltanëve e të Mahmud Pashë Shkodrës. (Referuar “Hylli i Dritës” 1940, nr.1, f. 61)

Vijimi i traditës

Tradita e bibliotekave të xhamive, teqeve, medreseve, vijoi ashtu si më parë. Krijimi i bibliotekës së Medresesë së Përgjithshmë është një shembull i tillë.

Kryesia e Medresesë së Përgjithshme themeloi këtë institut si seminar për klerikët e religjionit muhamedan në Shqipëri, e pajisi me bibliotekë dhe i dha emrin “Biblioteka e Medresesë së Përgjithshme.”. Kjo bib1iotekë u themelua në vitin 1932. Veç librave të botuara nga Këshilli i Lartë i komitetit muhamedan, koleksioneve të revistës “Zani i naltë” dhe libravet të ndryshëm të botuar prej klerikëve muhamedanë, biblioteka ka edhe 1000 copë libra të tjerë në gjuhët arabike, persiane, engleze, franceze, ku shumë prej tyre janë dhuratë e shoqërive të studentëve muhamedanë të Hindisë, Egjiptit e gjetke. Kjo bib1iotekë pasurohet dita-ditës me vepra të ndryshme të qëllimit që ndjek dhe shërben shumë për profesorët, studentët, kleriket dhe për çdo njeri tjetër që dëshiron të studiojë. (Referuar “Hylli i dritës” 1940, nr. 2, f. 53)

Filed Under: Opinion Tagged With: Biblioteka e Korçës 500-vjeçare, por jo e vetmja, Vepror Hasani

HIPOKRIZITË E ATYRE QË URREJNË AMERIKËN

May 25, 2017 by dgreca

Angelo Panebianco, politologo, editorialista Corriere della SeraShkruar nga ANGELO PANEBIANCO/

“Corriere della Sera”- E përktheu Eugjen Merlika/

Ka n’Evropë një lojë pjesësh, paradoksale vetëm në dukje. Kundëramerikanët bëjnë tifo, kompaktë për Donald Trump-in. Filoamerikanët shpresojnë tek impeachment, ose po qe nevoja në çfarëdo ngatërrese a mrekullie, që mund të shërbejnë për t’a përzënë nga Shtëpia e Bardhë. Arsyet se pse kundëramerikanët janë me të dhe filoamerikanët kundër janë të njëjtat.Të parët shpresojnë e të dytët druhen se ai do të çmontojë atë shoqëri liberale perëndimore që Amerika ka dhënë ndihmesën për t’a mbrojtur e përkrahur që nga fundi i luftës së Dytë botërore e deri tani.

Proteksionizëm, sovranizëm, ujdi me rusët. Armiqtë e tregut të lirë e të demokracisë (perëndimore) martohen me një program të tillë. Gjithmonë kanë urryer Amerikën sepse, me ide dhe armë, ajo ka mbështetur e mbrojtur (kundër të gjitha llojeve të totalitarizmit që kanë pasuar njëri tjetrin në rrjedhë të kohës) këto dy shtylla të shoqërisë liberale.

Kundëramerikanët vlerësojnë Putinin sepse përfaqëson një botë e një kulturë  kundërshtare me atë perëndimoren.Trump-i u ka dhënë  atyre shpresën se mund të sendërtohet një përmbysje e madhe : fundi i ndikimit (kulturor, ekonomik, politik, ushtarak) amerikan dhe zëvendësimi i tij me atë rus. Kundëramerikanët e dinë mirë apo e marrin me mënd  se një përmbysje e tillë, në pak kohë, do t’a çonte Evropën jashtë qytetërimit (të urryer) liberal.

Janë të njëjta arsyet që shtyjnë filoamerikanët të kundërshtojnë Trump-in. Ata vazhdojnë të besojnë se pa Amerikën nuk ka prita kundër armiqvet të shoqërisë së hapur. Mendojnë se proteksionizmi pjell varfëri, luftëra e despotizëm. Mendojnë gjithashtu se me Putinin duhen bërë traktativa, por pa e ulur gatishmërinë, me vetëdijen e hapësirës kulturore e politike që na ndan nga ai. N’atë perspektivë duket i pagëlltitshëm një president që synon të çmontojë n’emër të nacionalizmit e të kundërshtisë ndaj çfarëdo forme të internacionalizmit, përfshirë këtu dhe t’atij liberal, rolin hegjemon që Amerika ka marrë përsipër mbas vitit 1945.

Prandaj filoamerikanët shpresojnë që Russiagate të bëhet varreza politike e Trump-it. Për çastin kjo duket vetëm një iluzion i pastër. Por megjithatë është e pranueshme të shpresohet që ai do të dalë i kushtëzuar, në mënyrë që të zvogëlohen, të pakësohen sa të jetë e mundur, dëmet që administrata e tij mund t’i sjellë botës perëndimore në tërësinë e saj.

Megjithatë ka dy vështrime të “trumpizmit” që kanë një farë vlere e që nuk duhen hedhur. I pari ka të bëjë me kundërshtinë e tij ndaj ideologjisë së të qënit “politikisht korrekt”. Armiqtë e Trump-it do të bënin mirë të mos nënëvlerësonin faktin se sa kjo kundërshti ka ngjallur miratime e ka ndihmuar në fitoren e tij. Sëmundja, e dijmë, ka lindur në grumbullimet universitare dhe është përhapur jashtë tyre. Politikisht pa gabime është një formë integralizmi kulturor që moleps ajrin dhe mbyt mendimin e lirë. Është me të vërtetë pak largpamëse t’i lihet Trump-it detyra t’a luftojë.

Vështrimi i dytë ka të bëjë me politikën e tij të Lindjes së Mesme. Në këtë çast Trump-i është në vizitë në Arabinë Saudite. Nuk është aspak e sigurtë që zgjedhjet e tij, në këtë pjesë të botës, të jenë të gabuara. Qe një kundërveprim shumë i kuptueshëm ndaj terrorizmit të markës sunite (ideologjikisht i ushqyer në Arabinë Saudite), që goditi amerikanët më 11 shtator 2001, t’i shtynte ata me presidencat Bush (mësymje e Irakut) dhe Obama (marrëveshja bërthamore me Iranin), të pakësonin lidhjet tradicionale me Shtetet sunite e të rihapnin kanalet e mbyllura, që nga koha e revolucionit khomeinist në Persi (1979) me myslimanët shiitë. Kaluar një pesëmbëdhjetë vjeçar, mund të vihet re se ecja n’atë rrugë nuk solli thyerjen e rrezikut të përfaqësuar nga integralizmi islamik, i cili nuk u zhduk dhe as nuk u kufizua. Përkundrazi, pikërisht pakësimi i lidhjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Vendeve sunite bëri që ata të ndihmonin lindjen e Shtetit Islamik. Nuk mund të thuhet se kthimi, i mbrojtur nga Trump-i, në aleancat tradicionale në Lindjen e Mesme (me Izraelin dhe sunitët), është i paarsyeshëm.

Cilido që tek ne nuk beson se Evropa është e aftë të ecë me këmbët e veta, se nuk  është në gjëndje e vetme, pa një aleancë të fortë me Shtetet e Bashkuara, të mbrojë me idetë e me forcën  shoqërinë liberale, shpreson që Trump-i të ikë sa më parë. Ose së paku, në vartësi, që institucionet e qëndrueshme amerikane t’arrijnë t’a përmbajnë.

“Corriere della Sera”, 22 maj 2017                E përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Opinion Tagged With: AMERIKËN, Eugjen Merlika, HIPOKRIZITË E ATYRE, NGELO PANEBIANCO/, QË URREJNË

DERI KUR MË KËSHTU ME SHQIPTARËT NËN MAL TË ZI

May 25, 2017 by dgreca

    2-Frank-shkreli-2-300x183-1Nga Frank Shkreli/

  Të ënjtën, me 25 maj në Bruksel, takohen kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s.  Në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Perëndimore, Jens Stoltenberg të mërkurën, thuhet se takimi i Brukselit do të jetë i shkurtër por i rëndësishëm, pasi do të mbledhë udhëheqësit e 28-vendeve aleate. Takimi i udhëheqësve të Aleancës, do të dërgojë një mesazh të fortë uniteti dhe solidariteti, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Në njoftimin e NATO-s për media, thuhet se Kryeministri Markoviq i Malit të Zi do tu bashkohet udhëheqësve aleatë të NATO-s, ndërkohë që parlamentet e të gjithë 28 vendeve anëtare të aleancës perëndimore e kanë miratuar tanimë antarësimin e Malit të Zi në NATO.  Në njoftim thuhet gjithashtu se, “Ky është një hap përpara për Malin e Zi, për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor si dhe për vizionin tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqë. Presim me kënaqësi që me 29 qershor, Mali i Zi të bëhet zyrtarisht anëtari i 29-të i Aleancës, NATO”, ka thënë për gazetarët, Jens Stoltenberg.

Nga kryeqendra e Aleancës Perëndimore në Bruksel, le të këthehemi tek realiteti politik në Balkan, pikërisht në Malin e Zi dhe gjëndjen e shqiptarëve atje, në një vend që muajin që vjen bëhet anëtari i 29-të e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO.

Ndërkaq, në këtë atmosferë euforizmi për antarësimin e Malit të Zi në NATO, është e pamundur që të mos na tërheqin vëmendjen disa zhvillime të kohëve të fundit në Mal të Zi, pikërisht, përsa u përket shqiptarëve autoktonë në trojet e veta shekullore, në atë shtet.  Portali Ulqinionline ka njoftuar ditët e fundit   reagime të medias malazeze në lidhje me disa veprimtari krejtsisht inocente nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar në rrethin e Ulqinit: njëra ka të bëjë me një ndeshje sportive, ku është shpalos flamuri shqiptar dhe tjetra ka të bëjë me një ekskurzion që bëhet çdo vjetë në Malin e Rumisë. Janë këto dy ngjarje të kohëve të fundit që prekin të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, e të cilat  janë bërë temë shkrimesh e diskutimesh antishqiptare në median malazeze. Reagime të tilla,   nuk i kanë hije një medias të një vendi që së shpejti do bëhet zyrtarisht anëtar i NATOs dhe njëkohësisht nuk i sjellin nder as nuk e bëjnë krenare qeverinë dhe as shtetin malazias ,që në prak të antarësimit në NATO, mediat e saj deklarojnë se valvitja e flamurit shqiptar në një ndeshje futbolli dhe një ekskursion ose një piknik pranveror në maje të Rumisë, janë ngjarje që destabilizojnë vendin.  Sipas disa mediave malazeze, flamuri shqiptar pranë të cilit së shpejti do të valvitë edhe flamuri malazez në kryeqendrën e NATO-s në Bruksel, na qenka shenjë destabiliteti për Malin e Zi.1 BJESHKETARET

Edhe ky grup bjeshkatarësh nga trojet shqiptare Kraja, Ulqini, Tivari, Ana e Malit e Tuzi, në maje të Rumisë, duken shumë të rrezikëshëm për stabilitetin e Malit të Zi

Sipas Ulqinionline dy të përditshmet malazeze, Dan edhe Vijesti, si kryelajm kanë vendosur aktivitetin e shqiptarëve në Rumi por duke i dhënë kahje krejtsisht tjetër nga realiteti.  Është e çuditshëme se si një piknik i shqiptarëve dhe i etnive tjera ze vend në faqet e para të gazetave më të mëdha në Podgoricë, duke paralajmëruar se një aktivitet i tillë “kamping”, që mbahet çdo vjetë — pra nuk ka gjë ndryshe as sivjet — kërcënon sigurinë e shtetit malazias.  Sipas portalit Ulqinionline, fotografi me thikë dhe sopatë në duar, të domosdoshme për kamping, kanë qenë të mjaftueshme që mediat serbe, konkretisht portali me emrin IN4S, të zbulojë “skandalin” e radhës. “Shqiptarë me uniforma dhe të armatosur, okupojnë Ruminë në Ditën e pavarësisë së Malit të Zi”, ishte titulli i këtij portali rreth daljes së përvitshme të qytetareve të viseve shqiptare e më gjërë, në maje të Rumisë.  Portali malazias ankohet se pse nuk kanë reagur autoritetet shtetërore ndaj këtij skandali të shqioptarëve dhe rrezikut që paraqet për stabilitetin e Malit të Zi.

Rasti tjetër për të cilin u dha alarmi ishte një ndeshje futbolli në Ulqin, ku tifozët vendas kishin shpalosur Flamurin Shqiptar. Për këtë “shkelje të rëndë të rendit dhe qetësisë në vend, njoftohet se, komisioni për gara pranë Federatës Malazeze të futbollit, para disa ditësh, ka filluar procedurat disiplinore kundër skuadrës së futbollit, “Otrant Olimpik” nga Ulqini për shkak të organizimit të dobët, sipas saj, të ndeshjes së javës së kaluar kundër ekipt të Ibrit nga Rozhaja.  Media ulqinake njofton se “organizimi i dobët”, sipas këtij Komisioni, kishte të bënte edhe “me shpalosjen e flamurit shqiptar në shkallët e stadiumit gjatë ndeshjes së skuadrave, Otrant – Ibër.  Klubi ulqinak madje është dënuar me qindra euro dhe masa të tjera disiplinore për “organizimin e dobët” të ndeshjes.  Njoftohet se personi që ka shpalosur flamurin shqiptar, Shpëtim Osmani të jetë ftuar nga Dega e Punëve të Mbrendshme në Ulqin për një “bisedë informative” sepse ky zotëria, duke shpalosur Flamurin Shqiptar në stadium, na paska shkelur rendin publik dhe paska prishur qetësinë.  E vetmja gjë pozitive nga gjithë ky mes është njoftimi se skuadra e Ulqinit ka shënuar, sipas medias vendase, fitoren më të mirë dhe më të rëndësishme të këtij viti.  2 Flamuri

 Kujdes: Shpalosja e Flamurit Shqiptar në një ndeshje sportive destabilizon Malin e Zi e ndoshta edhe Ballkanin, sipas medias malazeze!

Këto ngjarje kanë shkaktuar, me të drejtë, revoltim dhe shqetësim në radhët e shqiptarëve në Mal të Zi.  Është e pabesueshme se shpalosja e një flamuri, cilitdo flamur dhe e cilitdo vend, në një ndeshje sportive, të konsiderohet si një akt armqisor që destabilizon situatën dhe prishë qetësinë në një vend, si Mali i Zi, në prak të antarësimit në NATO.  Për më tepër, kur flamuri që shpaloset në territorin e tij nga qytetarë të tij, në trojet e veta shekullore, i përket gjithashtu një vendi anëtar të NATO-s, Republikës së Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo. 

Komentet në portalet vendase dënojnë këto akte si të turpshme për shtetin malazias që toleron gjëra të tilla, por kritikave nuk u shpëton as klasa politike shqiptare në Mal të Zi, me përjashtim të subjektit politik Ura, raporton portali Ulqinionline. Sipas medias vendase përfaqsuesit e shqiptarëve në Mal të Zi, nnuk ka reagur ndaj këtyre masave anti-shqiptare dhe as nuk ka kritikuar median malaleze e cila me shkrimet e saja acaron marrëdhëniet ndër-etnike në Mal të Zi.  Mungesa e reagimit të subjektit shqiptar në Mal të Zi, ndaj këtyre dukurive të fundit në rrethin e Ulqinit, përfshirë edhe aktivitetet e përfaqsuesve të Kishës Ortodokse serbe, kohët e fundit,  në fshatin Martinaj të Plavë-Gucisë, është në vetvete një skandal. Skandal, mbi skandal!

Por duke reaguar ndaj këtyre dukurive, Asdren Çelaj, Kryetar i Klubit të Këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve – Guci, në një shkrim të kohëve të fundit u drejtohet subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi duke u bërë thirrje për reagim ndaj dukurive të fundit: “Folni burra nga një fjalë se nuk bâhet kijameti, mos u frikësoni, nëse asgjë më tepër nuk mund të bëni, të pakten folni sepse nuk keni arritë në ato pozita me votat e Cetinjes, por me votën e popullit shqiptar, me votën e popullit tuaj!  Shqiptarët nën Mal të Zi nuk kanë flamur tjetër, përveç shqiponjes dykrenëshe, nuk kanë vend tjetër pos tokave të tyre autoktone, e nuk mund të ikim e as do të ikim nga trojet tona, sado që ky shtet të përdor masa shtërngimi, të tilla si rastet i fundit!

Për derisa shqiptarët vazhdojnë të ndjehen si të huaj në shtëpinë vet, as Mali i Zi dhe as Ballkani nuk do të ketë paqë e stabilitet.  Nuk është shpalosja e Flamurit Shqiptar në një ndeshje sportive, që është diçka krejt normale në mbarë botën, ajo që destabilizon Malin e Zi.  Por janë masat ndëshkuese të Podgoricës zyrtare ndaj shqiptarëve autoktonë — duke u mohuar të drejtat etnike dhe identitetin e tyre kombëtar – ato që destabilizojnë Malin e Zi dhe shkelja e të drejtave bazë të njeriut shqiptarëve të Ulqinit me rrethe, të drejta këto të njohura nga të gjitha konventat ndërkombëtare mbi të drejtat bazë të njeriut.  Sjelljet e Podgoricës nuk janë të denja për një vend anëtar të NATO-s.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Mali i Zi, shqiptaret

“Uroj ta kaloni sa më qetë në atë vend të çudirave!”

May 23, 2017 by dgreca

1-pirro-dollani

NGA PIRRO DOLLANI/

Ky ishte mesazhi telegrafik që mora nga një ish-nxënësja ime që jeton përtej Adriatikut për mëse dy dhjetëvjeçare. Vërtet m’u përkëdhel sedra kur ky urim m’u shfaq në ekranin e celularit sot në mëngjes. Si me magji, m’u largua dhimbja e kokës dhe u ndjeva aq mirë sa u hodha nga shtrati, vesha tutat dhe si një adoleshent vrapova drejt bregut të detit, përgjatë rrugës së Vollgës, në qytetit tim të bukur: Durrës.

Meqë nuk kam marrë miratimin e ish-nxënëses sime për t’ia përmendur emrin këtu në “mexhlis”, po e quaj thjesht GRETA, pasi ajo është e bukur shpirtërisht e fizikisht, saqë edhe Garbo-ja e vërtetë do t’ia lakmonte bukurinë. Sapo arrita afër bregut, në atë shëtitore që mbushet plot njerëz si një fushë e begatë me lule, dhe po i gëzohesha valëve të detit, dëgjova britmën e një vajze që më kumboi në vesh si të ishte bori lufte: “Hej, hej, hap sytë se do të biesh!!!” Ndalova në vend, flokët më ishin ngritur përpjetë, fytyra më kishte marrë një pamje të egërsuar. Si guxonte kjo çupëlinë të më drejtohej sikur të isha një hiç? “Hej, hej. . . hap sytë…” Po bëhesha gati të hapja ato fletë fjalori që i përdor rrallë, shumë rrallë, kur shikimi m’u ndal një hap para këmbëve të mia, te një gropë goxha e madhe. Nëse s’do të ishte ajo “Hej, hej. . .” ndoshta tani do të ndodhesha i gjymtuar, i futur në allçi, në sallën e operacionit në atë palo spital të qytetit tim, me ato mjekë që në vend të merreshin me gjymtimet, së pari, do të “ekzaminonin duart”. . . dhe përnjëherësh e vështrova atë vajzë si të ishte engjëlli im! Të falemnderit moj bijë! Kurrë s’më kishin dëgjuar veshët ndonjëherë muzikë më hyjnore se “hej, hej-i” i saj. Ia ngula sytë dhe ai “hej, hej” dhe ajo vajzë më shëmbëlleu me atë MARGHERITA-n e Riccardo Cocciante-s. E falenderova dhe vazhdova të ec në shëtitore, jo më për të soditur detin, apo të përshëndesja ndonjë të njohur, por mbaja kokën poshtë, për të parë se ku shkelja. Dhe, për çudinë time të madhe, kurrë në këto vite që jetoj jashtë vendit tim, nuk kam parë kaq pisllëll, duket se e kam mbajtur kokën përpjetë kur kam ardhur për pushime! Punëtoret e pastrimit, me ato fshesat e tyre të epokës së gurit, ende nuk kishin filluar punën. Ishte 5:40 e mëngjesit! Ecja e vështroja gjithandej: nga fillimi i shëtitores së Vollgës e deri në fund, pas Hotel Aragostës nuk pashë asnjë kosh plehrash!!! (Besoj se Durrësi duhet te jetë unikal në këtë gjë!!! Në Pogradec në çdo disa metra ka kosha plehrash, kosha për riciklim.)  Ecja dhe ja, aty sapo kalova Pistën, përballë meje m’u shfaqen dy gropa të tjera! Qytetarët ecin të qetë, pa u bërë përshtypje fare, të mësuar, (sic janë mësuar me poshtërimin, mjerimin, talljen, premtimet boshe nga të gjithë politikanët!)  dhe pa menduar se aty mund të bjerë një fëmijë apo i moshuar e të mbesë ulok përjetë! (Dikush më tha se njeri nga Ministrat e qeverisë banon në pallatin pranë këtyre gropave. S’di sesi do t’u duken këto gropa nga dritaret, por për njerëzit që ecin në këtë shesh, ato gropa mund të bëhen edhe vdekjeprurëse! Vazhdoja të ecja me kokën poshtë. Sa kalova pistën, ai gji i vogël ku bëjnë banjo plot durrsakë, ishte i mbushur me kodra lesh-teriku. Askund nuk dukej më deti! Lesh-terikë, lesh-terikë gjithandej! Pyetja e parë që do të bënte çdo i huaj do të ishte: A ka pushtet lokal ky qytet që të merret me pastrimin, rregullimin apo edhe pushtetarët lokalë e kanë braktisur qytetit si mijëra e mijëra të rinj që largohen çdo vit? Vazhdova të ec dhe sapo kalova Sfinksin, u gëzova kur pashë që rëra ishte pastruar. Epo ja dhe drita në fund të tunelit!!! Vazhdova të ec, sapo kalova Hotel Aragosën, aty në fund, ishte krijuar nje mal i madh me pisllëqet të mbledhura nga pastrimi i rërës dhe një punëtor, sapo mbaroi së mbushuri karrocën e dorës dhe filloi ta shtyjë. . . drejt detit! Ndalova duke mos qenë i aftë mendërisht të përcaktoja se çdo të bënte më tej. Kur ai sapo futi karrocën pak në ujë e kthehu përmbys dhe të gjithë plehrat u përhapen në ujë! Jo, jo, thashë me vete, ky duhet të jetë ndonjë haluçinacion imi. Ndalova. Ai u kthye te mali i plehrave dhe, si të ishte një punëtor që punonte për vitin 2456, e mbushi shpejt e shpejt karrocën dhe u drejtua drejt detit. E përmbysi karrocën përsëri e përsëri dhe barërat, leshterikët, plehrat, letrat, gurët, etj.  filluan të pluskonin ca mbi ujë e ca nën të. Kujtova se kisha arritur te drita në fund të tunelit, por ajo s’ishte dritë, por treni që po vinte drejt plazhit! Iu afrova këtij punëtori, që me siguri po të ishte koha e HOXHES, do ta kishin bërë Hero të Punës Socialiste, pasi punonte pa pushim. Me shumë mirësjellje i thashë Mirëmëngjes e Puna e mbarë. Ai burrë, le ta quajmë, Saimir, pra, Samiri m’u përgjigj po me aq dashamirësi, saqë më bëri për vete. I thashë, a mund ta bëj një pyetje? Po si jo,- u përgjigj buzagaz. A mund të të pyes se pse i hedh plehrat në ujë? Ai: pse ku t’i hedh? Unë: nuk e di, po a mendon se kështu ndotet deti? Ai: po mor po, po unë jam punëtor dhe bëj çfarë më thonë. Ata të Bashkisë, vazhdoi Saimiri, nuk kujdesen për pastrimin e bregut dhe pronarët e hoteleve s’kanë makina që t’i marrin e t’i hedhin diku tjetër. . . E falenderova për mirësjelljen, u largova, dhe  në mendje m’u kujtua urimi i Gretës: “Uroj ta kaloni sa më qetë në atë vend të çudirave.” Në Shqipërinë tonë, urimi yt, moj e mira Gretë, do të mbesë gjithnjë në kufijtë e një dëshirë të përhershme. Çurçilli ka një thënie të mrekullueshme: “Unë jam optimist, sepse asgjë tjetër s’ka asnjë vlerë e kuptim!” Por të siguroj, se po të jetonte në këtë vendin tonë të bekuar nga Perëndia, por të banuar nga ne shqiptarët, zor se do të ishte optimist! Nëse nuk të duken bindëse këto fjalët e ish-mësuesit tënd, hidhi sytë nga Shqipëria, dhe shiko pushtetarët, politikanët e këtyre 27 vjetëve, që për vete e familjet e tyre kanë ndërtuar Amerikën, ndërsa popullin e thjeshtë, intelektualët, mësuesit, nëpunësit e dikurshëm i kanë lënë në mjerim, me ca pensione që s’mund të jenë në gjendje të jetojnë me dinjitet edhe këto pak vite që i kanë mbetur për të jetuar. Të uroj një ditë të qetë Greta, në atë botë të lirë ku çdo për njerëzit e punës mundësitë janë pa kufi!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: “Uroj ta kaloni sa më qetë, në atë vend, Pirro Dollani, të çudirave!”

Parlamenti votoi Vettingun , Betohen Ministrat e Rinj

May 22, 2017 by dgreca

Kuvendi miratoi me 123 vota pro ligjin e Vettingut që i hap udhë ngritjes së komisioneve ad-hoc në kuadër të reformës në drejtësi./1 Parlamenti
“E kam pritur shumë këtë moment kur të dilja nga dera e parlamentit dhe tu thoja shqiptarëve që vettingut do të fillojë dhe që tanimë reforma në drejtësi nuk ndalet. Është një moment shumë emocionues sepse është një moment që të bën të thuash me plot gojë që politika është një forcë për mirë kur përdoret për qëllime të mira”, tha Kryeministri Rama në fund të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.
Votimi i vettingut i paraprinë ndryshimet në Kodin Penal, sipas marrëveshjes së arritur mes mazhorancës dhe opozitës për kriminalizimin e shit-blerjes së votës si dhe disa ndryshime në ligjin për partitë politike dhe për mediat audiovizive.
U votuan gjithashtu edhe Klement Zguri në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Denar Biba, që kalon anëtar i Komisionit.

Parlamenti voton ndryshimet në qeveri/

Parlamenti i Shqipërisë, i mbledhur pasditen e kësaj të hëne në kuadër të marrëveshjes Rama-Basha, ka votuar ndryshimet në qeveri.

Në seancën plenare, ku pavarësisht paktit nuk kanë munguar replikat, është votuar fillimisht shkarkimi i Niko Peleshit, Fatmir Xhafajt, Ogerta Manastirliu, Olta Xhackës, Arben Ahmetajt, Lindita Nikollës dhe Petrit Vasilit.

Nga kuorumi prej 125 deputetësh është votuar:

Shkarkimi i Peleshit: 106 vota pro.
Shkarkimi i Xhafaj: 104 vota pro.
Shkarkimi i Manastirliut: 114 pro, 4 kundër, 3 abstenime.
Shkarkimi i Ahmetaj: 107 vota pro, 3 kundër, 5 abstenim.
Shkarkimi i Nikollës: 109 vota pro, 1 kundër, 4 abstenim.
Shkarkimi i Vasilit: 102 vota pro, 10 kundër, 2 abstenim

Ndërkohë, deputetët në sallë kanë votuar edhe emrat e rinj të kabinetit qeveritar, të propozuar nga Partia Demokratike në kuadër të marrëveshjes.

Ledina Mandija: 119 vota pro, 2 kundër.
Dritan Demiraj: 107 vota pro.
Arben Beqiri: 118 vota pro, 3 kundër, 4 abstenim.
Xhuljeta Kërtushaj: 118 vota pro, 3 kundër 2 abstenim.
Helga Vukaj: 116 vota pro, 2 kundër, 3 abstenim.
Mirela Karabino: 111 vota pro, 3 kundër, 3 abstenim.
Gazmend Bardhi: 106 vota pro, 3 kundër, 5 abstenim.

Ndërkohë, palët pritet të votojnë edhe ndryshimet në ligjin për financimin e partive, që detyron mediat private t’u japin falas dy partive të mëdha 90 minuta hapësirë për spotet publicitare dhe 10 minuta partive të vogla.

BETOHEN MINISTRAT E RINJ

Zv.Kryeministrja e re dhe gjashtë ministrat e rinj të kabinetit qeveritar u betuan në kohë rekord para Presidentit të Republikës.
Betimi i tyre u bë pak pasi ata u miratuan në Kuvend në bazë të marrëveshjes Rama-Basha.
Ndryshimet ndodhën në një kohë rekord, ndërkohë që Kuvendi pritet të mblidhet sërish sonte për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Aktualisht ndryshimet janë duke i shqyrtuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ku Top Channel mëson se ka patur disa mosdakordësi për çështje të vogla dhe jothelbësore.Sipas TOP CHANNEL/

Filed Under: Opinion Tagged With: Betohen Minstrat e rinj, Parlamenti votoi Vetting

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 487
  • 488
  • 489
  • 490
  • 491
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT