• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME POLITIKË KUNDËR SHQIPTARËVE NUK MUND TË ZGJIDHET KRIZA NË MAQEDONI

March 3, 2017 by dgreca

2

Nga Harry Bajraktari/

Kriza politike në Maqedoni, pas refuzimit të presidentit Ivanov që t’ i jipet mandati shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, ka hyrë në nje fazë kritike. Ivanov e mori këtë vendim në mënyrë jo demokratike, e jo kushtetuese për shkak të kërkesave të partive politike shqiptare që gjuha shqipe të zyrtarizohet dhe të përdoret në të gjitha nivelet shtetërore në Republikën e Maqedonisë. Dhe jo vetëm për këtë, ai kundërshtoi edhe të drejtat tjera që u takojnë shqiptarëve me kushtetutë. Deklaratat e tij me tone urryese kundër përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore në Maqedoni nuk habisin, sepse ky edhe në raste të tjera është shprehur kundër saj dhe të drejtave të pa plotësuara të shqiptarëve. Ivanov dhe përkrahësit e tij në rrugët e Shkupit dhe brenda institucioneve, po nxisin konflikt ndëretnik dhe destabilizim politik në Maqedoni dhe në rajon.  Shqiptarët po luftojnë për të drejtat e veta në vendin e tyre dhe këtë realitet duhet ta kuptojë mirë krerët e politikës maqedonase.

Në përpjekje për të shtrirë ndikimin në Ballkan, në mbështetje të presidentit Ivanov, doli edhe Kremlini zyrtar, duke akuzuar Bashkësinë Evropiane dhe politikën shqiptare në rajon për krizën e krijuar në Maqedoni. Sot pro kësaj politike u prononcua edhe kryeministri serb, Aleksander Vuqiq. Kjo nuk do koment.

Nuk mund të ketë demokraci dhe harmoni ndëretnike përderisa atje keqpërdoret kushtetuta dhe ligjet kundër shqiptarëve. Politika maqedonase për kohë të gjatë, ka qenë  diskriminuese ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe këtë e dijnë të gjithë. Kjo politikë nuk mund të vazhdojë më, sepse shqiptarët në Maqedoni sot janë shtetformues dhe faktor i rëndësishëm për zhvillimin dhe inkuadrimin e këtij vendi në Bashkësinë Evropiane dhe në NATO.

E deshi politika maqedonase gjuhën shqipe në parlament apo jo, kjo do të ndodhë bashkë me gjuhën e shkruar në aktet zyrtare shtetërore. Në të kundërtën bart përgjegjësi për zhvillimin e më tejmë të situatës në këtë vend multietnik, ku shqiptarët bëjnë një pjesë dërmuese të popullatës së përgjithshme.

Ivanov dhe idhtarët e tij, që nuk janë të pakët, e dinë fare mirë se nuk mund të këtë Maqedoni pa shqiptarë dhe nuk mund të ketë stabilitet dhe progres të këtij vendi me abuzimin e të drejtave të tyre.

Dhe, së fundit, shqiptarët në Maqedoni kurrë nuk kanë qenë  destabilizues të shtetit, por përvuajtës të historisë në luftë për të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare.

Mars, New York, 2017

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari, KRIZA NË MAQEDONI, POLITIKË KUNDËR SHQIPTARËVE

Departamenti Amerikan i Shtetit kritikon Qeverinë Rama për zgjedhjet dhe korrupsionin

March 3, 2017 by dgreca

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për vitin 2016 për Shqipërinë. Në këtë raport ka një shuplakë të fortë për organizimin e zgjedhjeve lokale.

1 departament i Shtetit

Sipas DASH, në zgjedhjet lokale të vitit 2015 pati kepqedrim të pushtetit nga partitë kryesore, si edhe presione mbi votën. Sa i përket korrupsionit, DASH vëren se prokurët kanë ende frikë që të hetojnë rastet e peshqve të mëdhenj.Gjithashtu, në 14 mijë raste denoncimi për korrupsion, vetëm 94 janë proceduar për hetime.

Zgjedhjet e Fundit:

Zgjedhjet kombëtare parlamentare më të afërta u zhvilluan në vitin 2013. Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE­së raportoi se ato “ishin konkurruese me pjesëmarrje aktive të shtetasve përgjatë gjithë fushatës dhe me respekt të vërtetë për liritë themelore.” OSBE­ja vërejti: “Atmosfera e mosbesimit ndërmjet dy forcave kryesore politike ndikoi mjedisin zgjedhor dhe sfidoi adiministrimin e të gjithë procesit zgjedhor.” Në shtator u mbajtën zgjedhje të posaçme për kryetarin e Bashkisë Dibër pas pushimit nga puna të kryetarit të mëparshëm për abuzim me detyrën.

Vëzhduesit ndërkombëtarë vlerësuan ngjarjet e ditës së votimit si të qeta dhe të mirë­ organizuara. Megjithatë, në javët para zgjedhjeve, procesi u shënua nga akuza të blerjes së votës dhe kërcënim I votuesve nga të dyja partitë politike.

Në qershor 2015 vendi zhvilloi zgjedhjet lokale në mbarë vendin për kryetarë bashkie dhe këshilla bashkiakë. OSBE­ja e vlerësoi Ditën e  Zgjedhjeve përgjithësisht pozitivisht, por vërejti se ndonëse kuadri ligjor “mund të kishte siguruar bazën për zgjedhje demokratike”, partitë kryesore keqpërdorën pushtetin dhe përgjegjësitë e tyre të gjera brenda administrimit të zgjedhjeve dhe nuk patën vullnetin politik të zbatonin kuadrin ligjor me efektivitet.

Në raportin përfundimtar misioni i vëzhguesve të OSBE­së raportoi akuza të përhapura për presion mbi votuesit, të cilat, bashkë me raste të vëzhguara në ditën e zgjedhjeve, ngritën shqetësime për mundësinë e votuesve për të votuar lirisht. Misioni i vëzhgimit raportoi gjithashtu se mjedisi i fushatës ishte paqësor, me përjashtim të disa incidenteve të shkëputura, dhe se liritë themelore të shprehjes dhe grumbullimit u respektuan. Pjesëmarrja e grave dhe pakicave: pjesëmarrja e grave në qeveri u rrit në mënyrë të qëndrueshme deri sa arriti një rekord prej 23 përqind të deputetëve gr në parlament dhe 30 përqind të ministrave.

Ligji drejtues i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 kërkonte që 30 përqind e kandidatëve të ishin gra dhe që ato të përbënin 30 përqind të posteve me emërim dhe me zgjedhje. Gratë përbënin 18 përqind të anëtarëve të zgjedhur në parlament në vitin 2013. Sipas raportit të OSBE­së për zgjedhjet, sidoqoftë, tre partitë kryesore nuk e përmbushën kuotën 30­ përqindëshe të detyruar për gratë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i gjobiti këto parti por gjithsesi i pranoi listat e tyre.

Zgjedhjet lokale të qershorit 2015 u organizuan pas ndryshimeve të kodit zgjedhor që u kërkonin partive të alternojnë kandidatët burra dhe gra në listat e tyre. Sipas raportit përfundimtar të OSBE­së për vëzhgimin e zgjedhjeve, gratë u zgjodhën në më shumë poste, pothuajse një e treta, në këshillat lokale. Kërkesat për regjistrim civil, përfshirë tarifat dhe mungesën e dokumenteve të identifikimit vështirësuan mundësitë e anëtarëve të komunitetit rom të votonin në zgjedhjet lokale të qershorit 2015. Disa vëzhgues deklaruan se partitë politike ofruan të paguanin këtë tarifë në shkëmbim të votës. Deri në tetor nuk pati ministra apo deputetë romë.

Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në qeveri

Ligji parashikon dënime penale për korrupsionin e zyrtarëve, por qeveria nuk e zbatoi ligjin me efektivitet dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korrupsioni pa ndëshkueshmëri. Në dhjetor të vitit 2015 Kuvendi miratoi legjislacionin e dekriminalizimit që parandalon individët me dënime penale nga shërbimi si kryetarë bashkish, deputetë, apo në qeveri dhe poste të tjera shtetërore. Gjatë viti autoritet ndërmorën hapa shtesë për të luftuar korrupsionin. Në korrik Kuvendi miratoi unanimisht amendamete kushtetuese për të aprovuar një reformë të gjerë të gjyqësorit që përfshinte krijimin e institucioneve të reja antikorrupsion. Këtu përfshihet ngritja e një zyre të pavarur prokurori dhe një nëjsie hetimore, përgjegjësia e vetme e të cilave do të jetë hetimi dhe ndjekja penale e korrupsionit në nivele të larta dhe e krimit të organizuar. Në gusht, Kuvendi miratoi një ligj për vetingun që synon pakësimin e korrupsionit mes prokurorëve dhe gjykatësve. Qeveria gjithashtu zgjeroi përdorimin e kamerave të trupit tek oficerët e policisë për të shkurajuar korrupsionin e rrugës. Një numër agjencish qeveritare hetuan raste korrupsioni por burimet e kufizuara, rrjedhjet e hetimeve, presione të vërteta ose të perceptuara poltiike dhe një sistem i çrregullt riemërimesh penguan hetimet. Ministria e Drejtësisë raportoi se dënimet në gjykatat e rretheve u ulën me 37 përqind në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014. Nuk pati të dhëna përsa i përket dënimeve në gjykatat e apelit. Në raste selektive që përfshinin aktorë ndërkombëtarë, agjencitë e antikorrupsionit bashkëpunuan me shoqërinë civile.

Korrupsioni:

Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes. Në fillim të vitit, 75 raste korrupsioni ishin ende pa gjykim, me 29 raste shtesë të filluara në qershor. Deri në gusht gjykatat dënuan 76 të pandehur për korrupsion? 25 raste u pushuan. Mbetën 121 raste për korrupsion që prisnin gjykimin. Deri në korrik, faqja e internetit ngritur në 2015 për të lejuar qytetarët të denonconin korrupsionin nga zyrtarët publikë kishte marrë 14,752 ankesa, 94 prej te cilave koordinatori i referoi për ndjekje penale.

Ndërsa prokurorët shënuan përparim në ndjekjen e korrupsionit në raste me profil të ulët publik, përfshirë gjykatës dhe prokurorë, ndjekja penale për krime të nivelit të lartë mbeti e papërfillshme për shkak të frikës së hetuesve për hakmarrje, mungesën e përgjithshme e burimeve, dhe korrupsionit brenda vetë gjyqësorit. Në shtator një gjykatë dënoi Spiro Kserën, ministër i punës nga qeveria e mëparshme, me 20 muaj burg për abuzim me detyrën pasi kishte përvetësur 30 milionë lekë ($240,000) që duhej të shkonin për përfitimin e komunitetit rom. Në maj autoritetet shkarkuan kryetarin e bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, pas publikimit të pamjeve filmike në të cilat ai dukej se kërkonte favore seksuale nga një femër në shkëmbim për një vend pune. Xhelili apeloi vendimin në Gjykatë Kushtetuese e cila e mbështeti shkarkimin e tij.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Departamenti amerikan i shtetit, korrupsioni, qeveria, Rama

MESAZHI I LUIGJ GURAKUQIT NË PËRVJETORIN E VRASJES

March 2, 2017 by dgreca

1 Gurakuqi

Ne Foto: Montazh: Tre të Mëdhejtë e Kombit Shqiptar – Dom Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi dhe… Pllaka përkujtimore në vendin ku u vra Luigj Gurakuqi në Bari të Italisë, 2 Mars, 1925/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/ Ja edhe një përvjetor i një atdhetari të madh dhe njërit prej figurave më të shquara të historisë së kombit shqiptar – Luigj Gurakuit (19 Shkurt 1879 -02 Mars 1925) — “vjen e shkon”, siç duket ashtu si në të kaluarën, pa e përmend kush dhe pa u kujtuar nga askush, madje as në përvjetorin e vrasjes të tij.Kujtuar ose jo, përmendur ose jo — zyrtarisht ose jo zyrtarisht, doni a s’doni — Luigj Gurakuqi prapseprap flet, nepërmjet veprave historike dhe me rolin që ai luajti në sigurimin e pavarsisë së Shqipërisë, si bashkpuntori më i ngusht i Ismail Qemalit dhe përmes shkrimeve që ka lënë trashëgimi në historinë e kombit.  Por, ai flet edhe nepërmjet shënimeve të historianëve si, ndër të tjerë, Stefanaq Pollo dhe të kujtimeve të bashk-kohasve të tij të cilët e kanë njohur dhe që kanë bashkpunuar me ‘të sa ishte gjallë, personalitete të kombit, si Fan Noli dhe Ernest Koliqi, Mihal Grameno, Pandeli Cale, e të tjerë.
Stefanaq Pollo ka vlerësuar figurën, veprimtarinë dhe rolin kombëtar që ka luajtur Gurakqui në lëvizjet politike të asaj kohe duke theksuar se, ”Nuk ka ngjarje të madhe politike, shoqërore e kulturore në këtë çerek-shekulli ku të mos ketë qenë prania e tij, ku të mos jetë ndier fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të mos ketë spikatur patriotizmi e demokratizmi i tij.”  Figura e Luigj Gurakuqit, sipas tij, bëhet edhe më e madhe dhe më madhështore, ”Po të kemi parasyshë armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirsitë e mëdha që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat e kobshme që thureshin kundër atdheut, rreziqet e panumërta që i kanoseshin jetës së tij në çdo hap.”

Fan Noli, jeta dhe veprimtaria e të cilit shëndrit gjithashtu në historinë e kombit shqiptar  dhe Luigj Gurakuqin ishin shokë e bashkpuntorë të ngushtë.  Në të vërtetë, ishin aq të afërm me njëri tjetrin sa që Noli, në elegjinë kushtuar Gurakuqit pas vrasjes së tij, e quan atë “Vëlla”, dhe “Gojë mjaltë dhe zemër hekur”.  “Sa më mirë e kam njohur”, do të thoshte Noli për Gurakuqin, “aq më tepër kam qenë i shtërnguar ta respektoj.”   Noli do i jepte Gurakuqit dikasterin e Ministrisë së Financave në qeverinë e tij dhe si këshilltarë të ngushtë që ishin e mori Gurakuqin me vete në delegacionin shqiptar, në mbledhjen e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në shtator të vitit 1924.Ndërsa Ernest Koliqi që e kishte njohur Gurakuqin për së afërmi si sekretar i tij në vitin 1924 thotë se ai kishte veti që sot u mungojnë shumë politikanëve dhe personave publikë.  Ajo që e dallonte Luigj Gurakuqin nga të tjerët, ka shkruar Koliqi, “Ishte ajo që me bashkue e me miqasue ndër vedi gjindën me mendesi, prirje, në kundërshtim.  Përhapej nga zemra e Tij nji fuqi vëllaznuese e tillë sa me tubue rreth vetes burra me idena mesjetare, doktora te rij plot hov modernizues, anëtarë kleresh të ndryshme, bashkatdhetarë visesh të ndryshme, të rijë, rrymash të ndryshme.  Mbretënonte harmonia aty ku Ai qëndronte.”   Koliqi shkruante duke theksuar mëtej personalitetin frymëzues dhe tërheqës të Gurakuqit që ai nuk kishte njohur as parë ndër shqiptarë, “Një tjetër që të kishte lidhje miqësore e politike aqë të shumta e të ndryshme sa Gurakuqi.  Gegë e Toskë, qytetarë, katundarë, malësorë, priftën, popa e hoxhallarë, analfabeta dhe eksponenta të intelektualizmit, arbëreshë, të huej që interesoheshin për Shqipëni, qinda e qinda vetësh, i drejtoheshin atij me një frymë të çuditshme besimi…. besojshin në përpjekjet e tij të çdo lloji….”, përfundon vlerësimin e tij për Gurakuqin, Ernest Koliqi.Vlerësimet e bashkohasve të tij pa tjetër që sjellin dritë për personin dhe për punën e Luigj Gurakuqit, por janë fjalët e tija të drejtë për drejta, ato që mbartin mesazhe me rëndësi madje edhe për gjëndjen aktuale politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e kudo ku ka shqiptarë.  Ato janë mesazhe për mbarë klasën e sotëme politike shqiptare kudo, por sidomos për përfaqsuesit e popullit në dy parlamentet shqiptare dhe më gjërë.  Dihet se në kohën e Gurakuqit, parlamenti shqiptar kishte në radhët e veta personalitete të dalluara, ndër të tjerë, si Fan Noli, Ali Klisura, Stavro Vinjau e Bahri Omari, me kryetar të opozitës si Luigj Gurakuqi.  Ishin këta individë, përfaqsues të kombit shqiptar, të cilët nuk kishin të sharë të ishin atëherë, ose sot, pjestarë të cilit do qoftë parlament të Evropës ose të Kongresit amerikan. Ata e merrnin seriozisht detyrën e deputetit. Jo si një post për t’u shpërdorur dhe për t’u përdorur për interesa personale e partiake, por si një privilegj që u kishte akorduar populli, me përgjegjësi dhe rëndësi kombëtare.  Në krahasim me debatet e sotëme në dy parlamentet shqiptare, Luigj Gurakuqi, në debatet e tija dallohej për maturinë në argumentimet e tija dhe gjithmonë, “Përpiqej të jepte shembullin e nji kritike të fortë, por jo fyese, ndërtuese dhe jo rrënuese”, siaps Ernest Koliqit.   Ai e bënte detyrën e tij patriotike, ashtu si i thonte ndërgjegjia, sipas një letre dërguar Gurakuqit nga Pandeli Cale, e në të cilën ai shprehte besimin e tij të plotë në veprimtarinë patriotike të Gurakuqit.Është interesant fakti se si Luigj Gurakuqi e shikonte rolin e një anëtari të Kuvendit të Shqipërisë.   Në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar me 21 Janar 1924 — jo shumë ndryshe nga problemet me të cilat përballet edhe sot Shqipërisë – por i frymëzuar nga nevoja e madhe për ndryshime politike, shoqërore dhe ekonomike, Gurakuqi iu drejtua anëtarve të kuvendit të asaj kohe me mesazhin aktual edhe për sot,duke u shprehur se si përfaqsues të popullit, “Populli na ka tregue edhe udhën që do të ndjekim. Populli na thotë: Ky jam, këto nevoja kam, pra mbas dëshirës sime, mbas nevojave të mia, mbas zakoneve që kam, bani ligjet themelore që të mund të rroj i lirë dhe i lumtur si shqiptar.”  Kush mund të thotë se ky mesazh i Gurakuqit i vitit 1924 nuk tingëllon aktual edhe sot?  Mesazhi i tij sot dhe gjithmonë, për klasën politike dhe për mbarë shooërinë shqiptare kudo, është edhe mesazhi i Gurakuqit, një vit pas pavarësisë së Shqipërisë, më 1913: “Ta dijmë mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës, e cila vitin që shkoi nxitoi duke njohun me një herë mvehtësiën tonë; u shtojnë rreziqet vëllëzënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë po presin të lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne; e ma tepër u thyejnë zemrën atyne fatzesve, që patën rrezikun e math të mbeten jashtë Shqipënisë së lirë.”  (Marrë tekstualisht nga Luigj Gurakuqi: ”Mvehtësia e Shqipëniës”, 1913)
Në një artikull që Gurakuqi kishte shkruar në Paris në prag të 28 Nëntorit 1919, e në të cilin duket se i drejtohet pikëspari vetvetes por dhe të tjerëve që të reflektojnë. Kjo është edhe një thirrje e sinqertë vëllazërore, nga ana e tij, që fatet e Atdheut të jenë mbi të gjitha, një thirrje që çuditërisht është gjithnjë aktuale.  Ai shkruante ndër të tjera:  ”E kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes sonë.  Në këtë ditë, duhet të vemë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten tonë nëse e kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën që kishim përpara Atdheut.  T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njani-tjetërit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë”, është shprehur Gurakuqi.Sot më shumë se asnjëherë më parë, kombi shqiptar ka nevojë për shembuj atdhedashurie dhe sakrificash personale, të cilët kanë punuar e punojnë për të mirën e përbashkët të shqiptarëve, siç ishte Luigj Gurakuqi.   Nëqoftse doni shembuj, janë kujtimin e Luigj Gurakquit, gjeni shembullin e burrënisë, të nderit, e të atdhedashurisë, të pajtimit e të harmonisë shqiptare, por edhe përfaqsues i kulturës perëndimore, i cili gjithë jetën e tij – megjith rrethanat e vështira politike dhe ekonomike nën të cilat jetoi – ai u mundua gjithmonë të sjellë ujin në mulli të atdheut të vet dhe të interesave të tij.
Pa shembuj atdhedashurie dhe sakrificash personale që përfaqsoheshin nga Luigj Gurakuqi, historia e kombit shqiptar do të mbetej e zbrazët dhe e varfër.   Kujtimi i tij kombëtar dhe mesazhet e tija gjithnjë aktuale, po të dëgjohen, shërbejnë  drejtë një harmonie dhe bashkpunimi edhe sot, në dobi të interesave të mbrendshme dhe të jashtme të shqiptarëve.  Për ndryshe, pa kujtimin e tij të denjë, pa urtësinë dhe fjalët e matura dhe pa vlerat, në bazë të cilave ai jetoi dhe veproi dhe pa të “Njëmendtën ushqyese, intelektuale dhe shpirtërore”, që ai përfaqësonte dhe për të cilat dallohej Luigj Gurakuqi, kam drojë se “I vdiq Ora Shqipënisë.”

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, MESAZHI I LUIGJ GURAKUQIT, NË PËRVJETORIN E VRASJES

Maqedonia, atdhe artificial

March 2, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1 MaqedoniEdhe në zgjedhjet e fundit Maqedonia hyri në të zakonshim kolaps politik. Them në të zakonshim, pasi ka qënë shqiptarët ata që i kanë dhënë udhën e duhur vendit. I pari Ali Ahmeti dhe BDI. Kësaj herë ishin prapë ata, shqiptarët. Por disi ndryshe. Më të unifikuar dhe me një kërkesë legjitime. Njohjen e gjuhës shqipe në jetën e përditshme shtetërore. Dhe në fund të fundit, nuk ka asgjë të keqe. Përderisa jetojnë në trojet e tyre, janë shumicë shtetformuese. Në një republikë, e cila qysh pas vekjes së byroistit Kiro Glikorov. I cili qe i pari dhe i vetmi që besoi e pohoi publikisht. We are slavs…, ne jemi sllavë. Sllavë të ardhur këtu në shekullin e VI pas Krishtit. Të tjerët, krejt paturpësisht. Shumë qetësisht. Shumë të bindur. Kërkojnë të ngrejnë një shtet që përpiqet të përfitojë sa nga mitet greke, sa nga ato shqiptare. Po te keni parasysh këtu Aleksandrin e madh apo Nënë Terezën etj. Aq edhe nga kultura sllave. Ku quajnë të tyren edhe logjistikën gjuhësore të bullgarishtes. Një shtet që investon gati çmendurisht në resorset e historike të nëntokës dhe mbitokës. Duke cirilizuar çdo pllakë varri. Aq sa edhe ajo pak kulture e re e një shteti shumëkombësh. Vdiq e vdes pa u rritur mirë. Kjo është një politikë absurde, e cila i bën karshillëk gjithë arsenalit botëror të akademive dhe universiteteve.

Që ta ngrin buzëqeshjen prej vetëdijes anormale të një burri shteti, i cili thotë mendje mbushur se në venat e tij rrjedh gjaku i Aleksandrit.
Ky ishte Ljubçko Gjeorgjevski. Ish kryeministri i Maqedonisë nga viti 1998-2002.
Të gjitha këto vetëm nga strategjitë e frymës së radikalizmit. Nga ata që mendojnë dhe e gjykojnë njeriun, jetën, vendin etj. Në bazë të frymës mbi rracën e pastër, besimin fetar, patriotizmin e sëmurë. Dhe superioritetin.
Jo rastësisht sot, politikat e bijëve të ish byroistëve, janë të egra se ato etërve tyre. Kështu si ky. Edhe shokët e tjerë. Deri tek ty i fundit. Që me pahirin e tij prej mbetje federate. U dha shansin shqiptarëve të dëshmojnë faqe njerëzimit. Se nuk janë ata pengesa që Maqedonia të jetë një Zvicër e dytë e Ballkanit.
Madje shqiptarët, kanë lënë pas dore edhe kombin.
Megjithëse nga ana tjetër, qe pikërisht ky mëkat që mbajti në pushtet kët nevrik me emrin Gruevski. Apo këtë president që e konsideron shantazh marrëveshjen normale, qeveri formuese. Të një koalicioni shumicë.
Të gjithëve na vinte plasja, kur shikonim se partia e një mëndje të madhe. Ajo e Arbën Xhaferrit, pakësohej. Dhe kur një tjetër, ajo e luftës së Sharrit, BDI…, qeveriste.
Na vinte plasja për shkak të grindjeve brenda shqiptarëve.
Kur njëra palë këmbëngul në zbatimin e marëveshjes së Ohrit. Dhe tjetra lëshon për të qeverisur.
Një lloj oportuniteti që nuk i shkon gjaknxehtësisë shqiptare.
Por kështu është. Kemi heshtur. Kemi pjesën tonë të mëkatit në këtë Maqedoni sllave që thotë jam greke. Që flet për kryqe, racë të pastër. Ndërsa dominohet nga salepi, nargjilet. Nga ngërdhjesha e hekurt e uniformave. Gati për dëbime e reprezalje.
Ndofta kjo edhe për shkak të një Kosove të dobët. Që bërtet se është shqiptare, por që realiteti dëshmon se po turqizohet çdo ditë. Shkon e i jep dëshmorë radikalizmit në Mosul. Shikon Erdoganin si president të vendit. Jo Hashim Thaçin.
Një Shqipëri që pasi i shtrydh OJQ-të si Soros, Gylen etj. Kryqin e kuq. Apo gjysmë hënën e kuqe. Fondacione …
Grindet e vritet për mustaqet e Çelos. Pasi ka shitur edhe gëzhojën e fundit. Nga arsenali i saj i rëndë. Një atdhe më vete me tanke, kundërtanke. Kundërajrorë. Flote detare e qiellore. Me gazerma plot. Me logjistikë e platforma mbrojtje. Sot pa asgjë…, i shet pordhë një Greqie që ushqen e mban gjysmë milioni shtetas të saj.
Ndofta në kushte të tjera…, shqiptarët e Maqedonisë do ta kishin ngritur më shpejt. Do e kishin bërë më shpejt europiane Maqedoninë. Do i kishin dhënë me kohë një president bashkëkohor. Që i përket demokracisë. Dhe jo luftës në emër të rracës së pastër. Mos bashkëjetesës. Dhe dashurisë që lind e jeton mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: atdhe artificial, Ilir Levonja, Maqedonia

Mesazh i Editorit të Diellit

March 2, 2017 by dgreca

1 ok dalipMiqtë e mi, ju kërkoj ndjesë që nuk kam mundur ti përgjigjem publikisht shqetësimit tuaj. Telefonatat tuaja, mesazhet personale në fb, për tu dhënë përgjigje shpifëseve të mi dhe të Vatrës, i vlerësoj, por jo, nuk do të përgjigjem. Nuk do të bie në batakun e tyre. Po te shihnit emailet e tyre, apo komentet e pa moderuara ne Dielli online, me fjalor WC-je , do të pështiroseshit….Kam zgjedhur rrugën e heshtjes për t’i injoruar shpifësit e mi. Zot, fali se nuk dine ç’bëjnë!

I mëshiroj shpifësit e mi; Kush nuk përjeton dashuri e ngrohtësi në jetën e përditshme, prodhon urrejtje. Unë dëgjoj këshillen e miqëve të mi vatranë:Injorojë shpifësit! Ashtu kam bërë, ashtu do të bëj. Nuk kam as moralin, as kulturën, as edukatën e tyre! Vazhdoni shpifësit e mi, shpifni…dhe pastaj moralizoni!

Po ashtu kam një mesazh për ndonjë portal që është vënë në dispozicion të shpifësve të mi: Vazhdoni, krahas pornografisë, botoni dhe shpifje!

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, mesazh i editorit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 507
  • 508
  • 509
  • 510
  • 511
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA, NJË SHEMBULL DEMOKRACIE– Mbështetja e popullit është çelësi për fitoren e zgjedhjeve
  • FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË
  • Albanian Soul, Electric Heart – Rozita Fishta’s Music Explorations
  • Ukraina si poligon i armëve të vjetruara globale: Donacionet ushtarake, gjeopolitika e Fuqive të Mëdha dhe perspektiva e paqes së qëndrueshme
  • AT GJERGJ FISHTA, 85 VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM
  • Me veprën dhe personalitetin e Martin Segonit plotësohet panteoni humanist shqiptar me një figurë nga më të hershmet
  • Bashkimi kombëtar fillon me bashkimin e Kosovës me shtetin amë
  • PRESIDENTI WILSON NË FILATELINË SHQIPTARE
  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT