• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadori Delawie:SHBA-ja do të vazhdojë të përkrahë pavarësinë dhe Integrimin e Kosovës

February 25, 2017 by dgreca

-Politika amerikane sa i përket Ballkanit në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti ka qenë shumë konsistente gjatë disa dekadave të fundit, pa marrë parasysh a ka qenë demokrat apo republikan në Shtëpinë e Bardhë. /

1 Intervista e ambasad amerikan

-Departamenti i Shtetit e ka shqyrtuar çështje e kufirit me shumë vëmendje, kufirin që komisioni e ka shënuar para një viti e gjysmë.  Drafti i kufirit është identik me atë që e ka ndarë Kosovën me Malin e Zi të paktën qysh prej vitit 1974.  Është kufiri që është në Kushtetutën e Kosovës, është kufiri që është në flamurin e Kosovës, është kufiri i duhur./

-Intervista e ambasadorit Delawie për emisionin Rubikon në KTV, 16 shkurt 2017/

KTV: Zoti ambasador, mirë se vini në Rubikon.

Ambasadori Delawie: Faleminderit shumë.  Është kënaqësi që jam këtu.

KTV: Faleminderit.  Ka kaluar pothuajse një muaj prej se SHBA-ja e ka presidentin e ri, Presidentin Donald Trump dhe dhe ka pasur shumë fjalë për vazhdimin e përfshirjes së SHBA-ve në Kosovë dhe në rajon.  Si mendoni se do të zhvillohet kjo?

Ambasadori Delawie: E di se ka pasur shqetësime rreth kësaj kudo nëpër rajon.  Por, jam duke e përcjellur me shumë vëmendje çka po ndodh në Uashington dhe mund të them se politika amerikane sa i përket Ballkanit në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti ka qenë shumë konsistente gjatë disa dekadave të fundit, pa marrë parasysh a ka qenë demokrat apo republikan në Shtëpinë e Bardhë.  Nuk kam parë asnjë indikacion që kjo do të ndryshojë tash për tash.  Ende janë vetëm disa persona të emëruar në administratën e re.  Natyrisht, të gjithë do të duhet të përcjellim se kush do të caktohet në nivelin e dytë të zyrtarëve të administratës.  Por, deri tash mendoj se po veprojmë pak a shumë nën të njëjtën politikë si në të kaluarën, që është se SHBA-ja do të vazhdojë të përkrahë pavarësinë dhe rritjen e Kosovës, si dhe integrimin në strukturat evropiane.

KTV: Pra, nuk pritni që do të ndryshojë diçka në këtë zyrë të re?

Ambasadori Delawie: Nuk kam parë asgjë deri tash që do të bënte që të shqetësohem për ndonjë ndryshim.

KTV: E kemi parë një situatë të re në procesin e dialogut me Serbinë dhe po ashtu i kemi parë edhe disa manovra, që u karakterizuan si provokime që vijnë nga Serbia.  I pari ishte arrestimi i Ramush Haradinajt në bazë të një aktakuze nga Serbia; i dyti ishte i ashtuquajturi “treni rus”; dhe i treti ishte muri që ishte ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës.  Cili është komenti juaj për këtë?  Ku po çon kjo?

Ambasadori Delawie: Sa i përket dialogut: mendoj se është shumë me rëndësi që të vazhdojë.  Ka pasur arritje të njëmendta nga dialogu: integrimi i policisë në veri, mbledhja e të hyrave doganore në kufirin Kosovë-Serbi, kodi telefonik që u demonstrua, më duket, para dy javëve, shpresoj ta shoh hapjen e urës së Mitrovicës pas nja një muaji e ca… Mendoj se këto të gjitha janë dëshmi konkrete të përparimit nga dialogu dhe dëshiroj ta bëj një analogji.  Nëse jetoni në një shtëpi në një lagje dhe nuk shkoni shumë mirë me fqinjin tuaj, natyrisht që mund të shpërnguleni në ndonjë shtëpi tjetër.  Shtetet nuk mund ta bëjnë këtë.  Është shumë me rëndësi që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë të punojnë drejt përmirësimit të marrëdhënieve të tyre, drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre.  Kjo i mbështet të dy vendet dhe ambiciet e tyre për tu integruar më thellësisht në institucionet evropiane dhe i mbështet përpjekjet e të dy vendeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre.

KTV: Por nëse i shohim këto vepra të provokimit siç ishte rasti me murin dhe trenin, a mendoni se kjo sjell më shumë besim ndërmjet të dy palëve apo më shumë tensione?

Ambasadori Delawie: Mendoj se duhet të vazhdojmë të punojmë drejt përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  Mendoj se muri – zgjidhja e çështjes së murit në Mitrovicë ishte për të mirën e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, pa marrë parasysh prej cilës bashkësi etnike vijnë ata.  Mendoj se zona e re për këmbësorë do të jetë e bukur.  Ura po bëhet gati për tu hapur dhe mendoj se ajo zonë do të jetë ndër më të bukurat në Kosovë.  Mendoj se kjo u zgjidh shumë mirë.  Pati shumë punë për të gjithë, e kuptoj këtë… Kompromiset ishin të rëndësishme, por mendoj se në fund përfundoi në mënyrë pozitive.  Duhet të vazhdojmë ta zbatojmë të njëjtën energji dhe të njëjtin optimizëm për çdo gjë të lidhur me dialogun ndërmjet dy vendeve.

KTV: Po shohim dhe dëgjojmë data të ndryshme se kur do të hapet ura.  Ju pritni që ura më në fund të hapet muajin e ardhshëm, ashtu siç thatë?

Ambasadori Delawie: BE-ja po punon në projekt.  Kjo ishte gjëja e fundit që kam dëgjuar.  Pati probleme me murin dhe pati probleme me motin – ishte ishte aq ftohtë aq gjatë – dhe edhe kjo gjë vonoi punimet.  Nuk jam plotësisht i njoftuar me të rejat e fundit, por mendoj se duket që punët po shkojnë mirë.  Moti më në fund nuk është me ngrica dhe kjo do të mundësojë që punimet të vazhdojnë.

KTV: Ka pak padurim lidhur me ritmin e dialogut.  Janë bërë pothuajse gjashtë vjet qysh ka filluar dhe ende nuk e kemi të qartë se kur do të përfundojë dhe nëse rezultati përfundimtar do të jetë kjo marrëveshja gjithëpërfshirëse ndërmjet të dy vendeve.  A keni ndonjë pikëpamje se kur do të duhej të përfundojë me marrëveshje gjithëpërfshirëse?

Ambasadori Delawie: Mendoj se është me rëndësi që të vazhdohet të punohet; të vazhdohen të përmbushen të gjitha marrëveshjet e arritura përmes dialogut, të cilat nuk janë zbatuar ende plotësisht e pastaj të shikohen mundësitë se në çfarë fushash të reja Kosova dhe Serbia mund të punojnë së bashku për t’i përmirësuar jetët e qytetarëve të tyre.  Njerëzit janë duke punuar në integrimin e organeve të drejtësisë në veri ku po arrihet shumë përparim, por nuk është kryer tërësisht dhe duhet të përfundohet në tërësi.  Pra, vetëm duhet të vazhdojmë të ecim përpara sepse kështu mbështeten ambiciet e të dy vendeve për tu bërë pjesë më e madhe e Evropës.  Datat?  Jërat ndodhin kur ndodhin, por unë do të vazhdoj t’i nxis gjërat këtu dhe të bëj më të mirën time për t’i mbështetur përpjekjet e të dy vendeve për përmirësimin dhe normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

KTV:  Çështja e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi ende mbetet e pazgjidhur.  Keni qenë i zëshëm lidhur me këtë çështje dhe i kemi disa nisma të reja si komisioni që u formua me përfaqësues të institucioneve të ndryshme për matjen e territorit të Kosovës.  A mendoni se ky paraqet hap përpara në zgjidhjen e kësaj çështjeje?

Ambasadori Delawie: Shpresoj që është hap përpara.  Keni të drejtë, kam qenë shumë i zëshëm për këtë çështje.  Departamenti i Shtetit e ka shqyrtuar këtë çështje me shumë vëmendje, kufirin që komisioni e ka shënuar para një viti e gjysmë.  Drafti i kufirit është identik me atë që e ka ndarë Kosovën me Malin e Zi të paktën qysh prej vitit 1974.  Është kufiri që është në Kushtetutën e Kosovës, është kufiri që është në flamurin e Kosovës, është kufiri i duhur.  Më duhet të them se do të dëshiroja që një copëz e energjisë që është shpenzuar në këtë çështje t’i ishte përkushtuar zgjidhjes së çështjeve të vërteta në Kosovë, si trajtimi i çështjes së korrupsionit apo të papunësisë… për të gjetur mënyra që jeta e qytetarëve të rëndomtë të përmirësohet dhe të jetë më produktive.  Po ashtu, vazhdoj ta konsideroj ironike se shumë prej njerëzve që e kundërshtojnë marrëveshjen për kufirin tashmë kanë pasaporta të huaja apo viza Shengen dhe po ua mohojnë bashkëqytetarëve të tyre të Kosovës mundësinë për të udhëtuar që ata vetë e gëzojnë.

KTV: Dhe për ju është e qartë se kufiri është në rregull sepse kemi dëgjuar po ashtu interpretime të pikëpamjes së ambasadës amerikane apo të Departamentit të Shtetit se në fakt jeni të zëshëm për të gjetur një marrëveshje si të vazhdohet tutje e jo se ky demarkacion është në rregull.

Ambasadori Delawie: Departamenti i Shtetit ka ardhur në përfundim se kufiri që komisioni e ka shënuar është në përputhje me kufirin që ka ekzistuar qysh prej vitit 1974, kur Kosova ishte krahinë, kur Mali i Zi ishte krahinë.  Pra, ky është rast i bazuar në fakte.  Ne sigurisht që e përkrahim këtë kufi.  Mendoj se është për të ardhur keq që kjo çështje ka të bëjë me një vend që ka qenë shumë miqësor ndaj Kosovës.  Mali i Zi e ka përkrahur Kosovës në themel qysh prej fillimit të pavarësisë.  Pra, siç e thashë, është çështje e pakuptimtë, është çështje e rrejshme.  Natyrisht, duam që shtetet të kenë marrëveshje dhe ne nuk do t’iu themi çfarë të bëjnë saktësisht.  Kjo nuk është puna jonë.  Por, kufiri që komisioni e ka shënuar është kufiri i duhur; është kufiri prej vitit 1974 dhe sigurisht që do t’i inkurajoja deputetët e Kuvendit dhe zyrtarët e qeverisë së Kosovës për ta ratifikuar marrëveshjen ashtu që të merren me çështjet tjera më të rëndësishme për qytetarët.

KTV: Po e shohim që opozita thotë diçka krejt tjetër që na duhet një proces tjetër për shënimin e kufirit.  Kemi pasur protesta dhe kemi dëgjuar sërish se nëse çështja kthehet në Kuvend, mund të ketë prapë protesta.

Ambasadori Delawie: Protestat nuk më shqetësojnë.  Dialogu nuk më shqetëson.  Mospajtimet nuk më shqetësojnë.  Çka më shqetëson është dhuna politike.  Natyrisht që kemi protesta edhe në Shtetet e Bashkuara dhe kemi pasur protesta me qindra vjet.  Kemi mospajtime në Kongresin tonë; i kemi pasur qysh prej fillimit.  Por, dhuna politike, kjo është çështje krejt tjetër.  Dua të them, nëse dëshironi ta kontrolloni agjendën në një vend, në demokraci, duhet të fitoni në zgjedhje.  E nëse nuk mund të fitoni në zgjedhje, atëherë përdorimi i dhunës në përpjekje për t’i arritur qëllimet nuk i ndihmon vendit.

KTV: Çka quani dhunë politike?  Cilat janë vepra që bëjnë dhunë politike që i shihni në Kosovë?

Ambasadori Delawie: Përdorimi i gazit lotsjellës, përdorimi i koktejve të Molotovit, hedhja e gjërave në Kuvend, kjo është dhunë politike.

KTV: Shumë veta argumentojnë se për shkak të këtyre mospajtimeve ndërmjet opozitës dhe qeverisë dhe partive në pushtet, ndoshta mënyra për ta zgjidhur këtë çështje është se do të duhet të organizojmë zgjedhje të përgjithshme të parakohshme.  A do ta zgjidhte kjo çështjen?

Ambasadori Delawie: E dini, është ide e keqe për të mbajtur zgjedhje veç pse nuk mund të mendoni çka tjetër të bëni.  Mendoj se njerëzit janë zgjedhur në Kuvend në vitin 2014 dhe deputetët e Kuvendit duhet të punojnë në emër të qytetarëve; zyrtarët qeveritarë duhet të punojnë për të mirën e qytetarëve dhe i nxis ta bëjnë këtë.  Ka ende kohë për punë të njëmendtë për çështjet si liria fetare, papunësia, sundimi i ligjit dhe më me dëshirë do t’i shihja politikanët dhe zyrtarët duke u marrë me këto çështje se sa të hyjnë në një vit të një periudhe të pacaktuar të etheve zgjedhore gjatë së cilës nuk arrihet shumëçka.

KTV: Këtë javë pamë se Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën e shtyn Qeverinë e Kosovës për të punuar në formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.  A mendoni se kjo është mënyra për të ecur përpara?

Ambasadori Delawie: Mendoj se nëse pyetni këdo në Forcat e Sigurisë së Kosovës se cili [shtet] i huaj ju ka mbështetur më së shumti, mendoj se të gjithë do të thonë Shtetet e Bashkuara.  Ne i mbështesim dhe i kemi mbështetur për një kohë të gjatë Forcat e Sigurisë së Kosovës.  Ne e mbështesim transformimin nga Forcat e Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.  Mendojmë se kjo duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.  Duhet të miratohen ndryshimet kushtetuese që mundësojnë transformimin.  Ne do ta mbështesim atë në tërësi.

KTV: Por, po e shohim se tash për tash, për shkak të serbëve, për shkak të bojkotit të Kuvendit dhe qeverisë nga Lista Serbe, kjo gjë nuk mund të bëhet lehtësisht.  A ka mënyrë tjetër për ta bërë këtë gjë?

Ambasadori Delawie: Sigurisht që e inkurajoj Listën Serbe për tu kthyer në Kuvend dhe për të filluar, për të rifilluar punën për zgjedhësit e tyre në Kosovë, siç i inkurajoj edhe serbët e Kosovës që kanë pozita qeveritare të kthehen në qeveri.  Mendoj se ekziston mënyra për të arritur ku duam.  Natyrisht kjo përfshin diskutim, përfshin bashkëpunim, përfshin kompromis.  Por, sigurisht ne mbështesim përdorimin e ndryshimeve kushtetuese për ta mundësuar transformimin.

KTV: Dhe ju pritni që deputetët e Listës Serbe do të votojnë për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës?

Ambasadori Delawie: Mendoj se është me rëndësi për të gjitha partitë në Kuvend që ta diskutojnë këtë çështje.  Nuk do të bëj parashikim se kush do të votojë për çka, kjo do të ishte e papërshtatshme nga ana ime.  Por, është e sigurtë se nëse nuk flisni për këto çështje, atëherë nuk do të arrini ku doni.  Duhet t’ua bëjmë të mundshme deputetëve të Listës Serbe për tu kthyer në Kuvend, zyrtarëve për tu kthyer në qeveri dhe për ta rinisur dialogun ashtu që të gjithë të mund të punojnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

KTV: Kemi parë që përfaqësuesit serbë në Kosovë dhe nga Beogradi po kërkojnë që të lëvizet më shpejt drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.  Si mendoni se duhet të vazhdojë ky proces?

Ambasadori Delawie: Marrëveshja e Brukselit shpjegon mjaft qartë se çka duhet të ndodhë.  Nëse ia filloj t’i përmend të gjithë hapat do ta harroj ndonjë, prandaj më falni, por marrëveshja është në internet, mund ta gjeni aty.  Shpresoj që fillon shumë shpejt.  Kjo çështje është zvarritur qe një vit e gjysmë dhe mendoj se duhet ta nisim atë.  Është me rëndësi të kuptohet se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është edhe në Planin e Ahtisaarit, që solli pavarësinë e Kosovës.  Qëndrimi i qeverisë sime është se asociacioni nuk është në nivel ekzekutiv të çështjeve qeveritare, është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.  Natyrisht që e mbështesim që ajo të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.  Kur Përfaqësuesje e Lartë e BE-së, Mogherini ishte këtu në pranverë, ajo po ashtu tha se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.  Ka mënyrë.  Procesi është sqaruar në marrëveshjen e Brukselit dhe mendoj se ka ardhur koha që njerëzit të ulen e të punojnë dhe të fillojnë ta zbatojnë këtë ujdi.

KTV: Por, pjesë të marrëveshjes thonë që Serbia duhet t’i shpërbëjë strukturat paralele.  Ka ende struktura parelele në veri të Kosovës dhe kemi dëgjuar zyrtarët qeveritarë të Kosovës duke thënë se nuk mund të vazhdojmë të punojmë në çfarëdo asociacioni para se të ndodhë kjo, para shpërbërjes së atyre strukturave paralele sepse kjo do të rrezikonte funksionalitetin e Kosovës si tërësi.

Ambasadori Delawie: Asociacioni është rruga drejt shpërbërjes së strukturave paralele.  Arsyeja për Asociacionin, arsyeja për tërë këtë marrëveshje është për të shtuar sovranitetin e Kosovës mbi tërë territorin e saj dhe për të marrë parasysh, në veçanti, fushat e shëndetësisë dhe arsimit ku gjuha është aq e rëndësishme për ofrimin e shërbimeve.  Që të ndodhë kjo, duhet të ndodhë edhe gjëja tjetër.  Duhet të shkojnë së bashku.

KTV: Z. Delawie, folëm në pjesën e parë të kësaj interviste për izolimin e Kosovës për shkak të procesit të liberalizimit të vizave.  Kosova është i vetmi vend në Evropë pa liberalizim të vizave Shengen.  Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështjeje?  A është kushti i vetëm shënimi i vijës kufitare?  Kemi dëgjuar po ashtu se edhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është ndër kushtet kyçe.

Ambasadori Delawie: Mendoj se Kosova ka arritur përparim të mirë në përmbushjen e listës së kërkesave të BE-së për liberalizimin e vizave.  Kanë qenë rreth 90 e ca kërkesa dhe pothuajse të gjitha janë përmbushur.  Siç e dini, dy gjërat e fundit që BE-ja i kërkon janë kufiri me Malin e Zi, për të cilin tashmë folëm dhe rezultatet në luftimin e krimit dhe korrupsionit.  Sa i përket kufirit, siç e thashë më parë, do të nxisja parlamentarët që ta ratifikojnë.  Është në interes të vendit që ta bëjnë këtë dhe sigurisht kjo do të hapë derën për procesin e liberalizimit të vizave që BE-ja do ta bëjë.

Sa i përket rezultateve: nuk më takon mua të gjykoj, i takon Bashkimit Evropian t’i diskutojë proceset dhe përpjekjet, por personalisht, do të arsyetoja se në vitin 2016 kemi parë që është bërë punë e rëndësishme kundër korrupsionit.  Në një rast ishin 57 zyrtarë policorë të arrestuar, pastaj ka pasur një numër i deputetëve që kanë dhënë dorëheqje kur ndaj tyre u ngrit aktakuzë për korrupsion; kemi pasur zyrtarë komunalë që janë arrestuar ose akuzuar për korrupsion.  Mendoj se ky është progres.  Tani, qartazi që këto duhet të përcillen ashtu që prokurorët të ndërtojnë rastin më të mirë të mundshëm, gjykatësit të mundësojnë ndarje të shpejtë të drejtësisë sido që të përfundojë rasti.  Por, po të isha Kosova, do të argumentoja se po arrijmë përparim.  Ende ka punë, por megjithatë po arrihet përparim.

KTV: E pastaj do të duhej të presim liberalizimin e vizave?

Ambasadori Delawie: Duhet të pyesni BE-në për këtë sepse nuk më takon mua kjo gjë.

KTV: Siç keni paralajmëruar, ambasada amerikane po punon për ndërtesën e re në Prishtinë.  Si po shkon puna, kur do të kryhet?

Ambasadori Delawie: Kam mësuar prej ndërtimit të shtëpive të mia që nuk është zgjuarsi të parashikohet se kur do të kryhet një projekt ndërtimi.  Por, presim që të hapet në 2018-tën.  Ndërtimi po shkon mirë, po ngritet gjithnjë e më lart mbi atë rrethojë prandaj jemi optimistë.  Do të jetë shumë mirë që të bartemi në një ndërtesë të ndërtuar enkas për zyre sepse ambasada jonë tash për tash është në një grumbull shtëpish, të cilat janë shtëpi të mira, por nuk janë ndërtuar për të qenë zyre që na duhen neve.  Në vitin 2018, jam i bindur do të jetë ndër ndërtesat më të bukura në Kosovë, e sigurisht do të jetë ndër ndërtesat më miqësore ndaj mjedisit dhe me energji efiçente, me burime gjeotermale dhe gjëra të tilla, pra do të jetë mjaft e mirë.  Kjo po ashtu do t’na mundësojë hapjen e shërbimeve të plota për viza për qytetarët kosovarë.  Tash për tash, shumica e qytetarëve të Kosovës duhet të shkojnë në Shkup për t’u pajisur me vizë amerikane.  Na vjen keq për këtë, por tash për tash thjesht nuk mund t’i shërbejmë të gjithë në sektorin tonë konsullor.

KTV: Ju i lëshoni disa lloje të vizave në Prishtinë?

Ambasadori Delawie: Po, si dhe po përpiqemi t’i zgjerojmë shërbimet.  Qytetarët mbi moshën 60-vjeçare mund të vijnë këtu në Prishtinë në vend se të shkojnë në Shkup.  Para disa ditëve lajmëruam se do t’i bëjmë intervistat për viza për studentë për programin veror për punësim dhe udhëtim, që është program i posaçëm i punës sezonale në Shtetet e Bashkuara.  Këtu natyrisht shumica janë të rinjë, që do të thotë diku rreth 500-600 më shumë kërkues për viza që do të shqyrtohen në Prishtinë e jo në Shkup.  Po përpiqemi t’ua lehtësojmë qytetarëve kosovarë për të ardhur këtu për intervista për viza, por çelësi vërtetë do të jetë përfundimi i ambasadës së re.

KTV: E atëherë të gjitha vizat do të jepen në Prishtinë?

Ambasadori Delawie: Por, kur ta hapim ndërtesën e re; kur ta hapim sektorin e ri të konsullatës, çdo qytetar kosovar që dëshiron të aplikojë për vizë do të mund ta bëjë këtë në Prishtinë pa shkuar në Shkup.

KTV: Ambasador, nesër është ditë e madhe për Kosovën.  Është përvjetori i nëntë i Pavarësisë së Kosovës.  Për shikuesit e mi është me rëndësi të dëgjojnë porosinë nga ambasadori i njërit prej vendeve që na ka mbështetur më së shumti që ta kemi këtë ditë dhe që ta kremtojmë atë në mënyrën që duam.  Pra, cila është porosia e qeverisë amerikane për Ditën e Pavarësisë së Kosovës?

Ambasadori Delawie: Së pari dua të them: Urime ditëlindjen.  Kemi qenë me Kosovën prej fillimit dhe e kemi mbështetur rritjen e saj, zhvillimin e saj ekonomik, zhvillimin e saj kulturor dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.  Gjithashtu, dëshiroj t’ju ngacmoj pak e t’ju them se të premten do ta kemi një video të re në faqen tonë në Facebook, prandaj përcilleni atë.

Por, më seriozisht, dëshiroj të shpreh shqetësimin që e kemi dëgjuar në 2016-tën: shumë njerëz flasin për qeverisjen si proces për ndarjen e hises së përfitimeve dhe unë ndjej se shërbimi publik nënkupton besimin e publikut dhe obligimi i parë për çdo shërbyes publik, pa marrë parasysh a është politikan, shërbyes civil, gjyqtar apo prokuror duhet të jetë që interesat e qytetarëve të Kosovës të jenë në krye.  Për 2017-tën, sigurisht që do të dëshiroja të nxis të gjithë që janë në shërbimin publik në Kosovë, pa marrë parasysh çfarë roli luajnë ata, që të pyesin veten: çka po bëj sot për qytetarët e vendit tim?  Jo për partinë time, jo për familjen apo miqtë e mi.  Këto janë të rëndësishme në baza personale, por në rolin tonë si shërbyesë publikë, duhet të kujdesemi për publikun së pari.  Shpresoj të shoh përkushtim nga të gjithë zyrtarët publikë të Kosovës duke pyetur veten: çka po bëj sot për vendin tim?  Ju faleminderit shumë.

KTV: Ambasador Delawie, ju faleminderit shumë për intervistën.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasadori Delawie, Pavaresine, SHBA-ja do të vazhdojë të përkrahë

MAFIA JONË- MË E LUMTURA NË BOTË

February 24, 2017 by dgreca

Capture-112

By Skënder Buçpapaj/Mafia jonë, në Tiranë, Prishtinë dhe në krejt hapësirën tonë në Ballkan, si dhe celulat e saj të përhapura gjithandej, është mafia më e lumtur në botë, ndërkohë që është mafia e qytetarëve më të varfër, e shoqërisë më të mjerë, e kombit më halleshumë. Pse kështu.

Ne që e kemi quajtur me emrin e saj të vërtetë, 20 e sa vite më parë e në vijim, ndërkohë që ajo po profilizohej si e tillë, e dimë sa zemërim kemi ngjallur te ajo, sa armiqësore ka qenë përgjigja e saj, sa i pamëshirshëm ka qenë kundërveprimi i saj. Ligji i saj është – njëherë i shpallur armik i mafies, gjithherë armik i mafies.

Sepse, në atë moshë të saj, nuk ka akuzë më të rëndë, më dërmuese, më rrënuese për mafien se sa ta thërrasësh atë me emër. I pranon të gjithë eufemizmat, sado të pagjetur, sado të papërshtatshëm, sado joartistikë të jenë ato. Por emrin e vërtetë jo, kurrsesi.

Sepse eufemizmat janë klima më e shëndetshme, më pjellore, më e rehatshme për mafian. Sepse eufemistët janë rritësit dhe selitësit më të mirë të dukurive të tilla si mafia.

Sot të gjithë e quajnë mafie. Të gjithë ata që nuk na duronin ne kur, në kushte krejt të tjera, krejt të pafavorshme, e bënim të njëjtën gjë që ata po bëjnë tash. Të gjithë pa përjashtim.

Mafia jonë, aq sa tronditej kur ne e quanim me këtë emër, aq sa tërbohej, hakërrohej dhe shkumëzonte atëherë, po aq përkëdhelet sot, po aq kapardiset dhe ndihet krenohet sot, po aq llastohet e lazdrohet, kur të gjithë ata që mohonin papushim, sot e quajnë me plot gojën ‘mafie’.

Mafia jonë është e sigurtë se asaj nuk do t’i vijë asnjë e keqe nga një shoqëri si e jona, që ka dalë nga sundimi gjysmëshekullor enverist brenda kufijve shtetërorë dhe nga pushtimi shekullor i Serbisë jashtë kufijve shtetërorë. Shoqëria jonë është e tulatur. Është e traumatizuar gati pa shpresë. Ajo edhe kur reagon, si më 1997, reagon në mënyrë të verbër, reagon kundër vetvetes, e rrënon vetveten dhe përsëri ushqen tentakulat e mafies me tragjedinë që ia shkakton vetvetes.

Një ditë, megjithatë, edhe mafia jonë do të ketë fundin e saj. Por nuk do ta ketë nga ne. Fundin e saj ajo do ta ketë nga disa dukuri që e shoqërojnë atë, që e përbëjnë atë.Mafia jonë është një mafie që vuan përherë e më shumë nga vetëkënaqësia e tepëruar. Në këtë gjendje të sëmurë e çojnë sukseset e pafundme, pa asnjë dështim, fitoret e pafundme, pa asnjë humbje.

Kjo sëmundje e brendshme e çon mafien tonë në një shkëputje gjithnjë e më të madhe nga realiteti. Mafia jonë është përherë e më shumë mes reve, këmbëpërpjetë e kokëposhtë, përherë e më larg realitetit shqiptar.

Mafia jonë është një mafie narciste. Është një mafie e festave të pafundme gala, e sfilatave të pafundme në paradat festive. Me sytë e saj të shtrigosur ajo e han vetveten, duke e kundruar nëpërmjet ekraneve të pafundme të mediave të panumërta, të cilat mbahen ‘live’ ditë e natë, në një reality show të pakufishëm dhe të paprecedent.

Mafia jonë është një mafie ishullore. Ajo është e shpërndarë nëpër pallatet luksoze madhështore në kryeqytete, në zonat bregdetare, në zonat malore, në komplekset private të banimit, të ngjashme me ato që superyjeve të Hollivudit.

Bllokut të dikurshëm i duket vetja i mjerë, kur i shikon blloqet e reja që mbijnë si kërpudhat pas shiut.

Pa dashur, pa kuptuar mafia jonë e fut veten në bunkerë. Sado të ëmbël, sado të ndritshëm, sado parajsorë këta bunkerë të kujtojnë bunkerët e Hoxhës të cilët tashmë po ekspozohen për publikun, ku paraardhësit e mafies e parashikonin të ardhmen e tyre, të mbrojtur nga urrejta konkrete e popullit të vet dhe nga armiqtë abstraktë, imagjinarë.

Si mafie me prejardhje ateiste, mafia jonë nuk ka frikë as nga Zoti.

Nga librat që kemi lexuar, nga filmat që kemi parë, jemi mësuar ta shohim mafian në ankth dhe në makth të përhershëm përballë bëmave të saj, të cilat një ditë do të kenë fundin e merituar. Ato arrijnë të kapin segmente të shoqërisë, të politikës, të shtetit, por nuk e kapin dot gjithë shoqërinë, nuk e kapin dot gjithë politikën, nuk e kapin dot gjithë shtetin. Prandaj ato janë në ankth të vazhdueshëm.

Mafiat e tjera, përkundër të gjithave e gjithçkaje, e kanë vetëdijën se janë të përkohshme, ndërsa populli është i përjetshëm. Mafia jonë është ndryshe. Ajo është e gatshme ta zëvendësojë popullin e vet me gjithkënd tjetër. Përvjet nga njëra anë e kufirit ikin me dhjetëra mijë shqiptarë, në mënyrë të ligjshme. Nga ana tjetër e kufirit ikin me qindra mijë shqiptarë, me pasaporta të vendeve fqinje, në mënyrë të ligjshme, ose pa ato, në mënyrë të paligjshme.

Nga i tillë këndvështrim, mafia jonë është sa tipike në bëmat e saj, aq atipike në sjelljet e saj.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: MAFIA JONË-, MË E LUMTURA NË BOTË, Skender Bucpapaj

REPLIKË NË DISTANCË ME EURODEPUTETIN FLEKCENSTEIN

February 23, 2017 by dgreca

1-asllan-bushati

NGA ASLLAN BUSHATI/I nderuar eurodeputet, unë që po replikoj në distancë me ju, jam një  ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare, por edhe një mik i popullit gjerman. Kur isha në detyrën time  në Ministrinë e Mbrojtjes, kam patur rastin ta vizitoj disa herë vendin tuaj për trajnim dhe shkëmbim eksperience. Ju siguroj se  kam mbetur e vazhdoj të jemë shumë i kënaqur edhe sot me  respektin, ndihmesën dhe   nderimet që më kanë bërë kolegët gjermanë përfshi pritjen nga personalitetet e kohës në Sallën Adenauer në Ministrinë tuaj të Mbrojtjes. Por i nderuar Zoti Flekcenstein të gjitha këto, nuk më pengojnë që t’ju them  Ju publikisht disa  mendime e  ndiesi të miat , cilat ndoshta nuk janë shumë të këndshme, por që për mua janë të vërteta dhe se e vërteta duhet të dalë në shesh edhe kur ajo është  disi e vrazhdë.

1fleckensteinJu keni ardhur në Shqipëri si përfaqësues i Parlamentit Europian ( shpresoj me dëshirën e mirë për ta bërë sa më shpejt vendin tim anëtar të këtij organizmi). Edhe unë ashtu dëshiroj që vendi im të eci  përpara e të bëhet si vendet e BE-së në cdo drejtim,  në qoftë se kjo BE do ta ketë jetën të gjatë.  Por para se të niseshit për në Shqipëri,  i nderuar deputet, a e keni pyetur veten se si dhe me kë jeni të përfaqësuar si  BE në Shqipëri? Ka zëra (mund të thoni edhe gojë të liga), se Ambasadorja juaj ka patur ca problem korrupsioni në vendin e saj  para se të vinte  në vendin tim dhe që janë mbyllur vetëm për procedurë (por jo se nuk janë të vërteta). E nderuara përfaqësuese e BE-së në vendin tim, kohët e fundit ka blerë një ultra vilë (1,2 deri 1,4 milion euro) në Tiranë ,që  sic shkruan media i kalon kufijt e të ardhurave të saj. Zyra e BE-së i ka keq përkthyer dokumentet zyrtare  përciellë Gjykatës së Venecias për mendim, sa u detyrua Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë të kërkonte falje publike dhe t’i drejtpërkthente . Ka zëra (por edhe shumë fakte) se ajo është tërësish e njëanëshme në veprimet e gjykimet e saj duke u bërë me dhe pa të drejtë palë me qeverinë e Edi Ramës se pas tij lëvizin shuma të mëdha parash. Ajo me shumë stiocizëm zen karrigën e BE-së në mbledhjet paraprake të vetingut duke diktuar  vullnetin e saj për fatet e të ardhmes së vendit tim. Ju me këto informacione jeni të njohur zoti eurodeputet, por unë nuk kam parë ndonjë  shprehje pa pajtueshmërie nga ju dhe nga BE-ja. Pyetja ime publike  për Ju Zoti Flekcenstein është:  për gjithsa u tha më lart a ndieheni të mirëpërfaqësuar  si  BE në Shqipëri? A jeni  serioz e të ndershëm në ato që thoni e bëni? A mendoni ju se me të korruptuarit e BE-së mund të shërohet nga korrupsioni vendi im?

Ju e takuat dhe biseduat me  Kryeministrin Edi Rama , kjo është puna e drejta dhe detyra  juaj. Por para se ta takonit (për autoritetin e BE-së dhe tuajin) a  menduat se pse ky njeri  i solli kriminelët në Parlamentin shqiptar, në strukturat e larta të shtetit e tek të zgjedhurit vendor (gjë që s’kishte ndodhur më parë)? Duke u bërë ortak me krimin ai e ktheu gjithë Shqipërinë në fushë kanabisi, gjë që ky fenomen negativ  nuk ndodhi në Mal të Zi , Kroaci, Kosovë, Bosnje, Serbi, Maqedoni, Greqi etj.  Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt deklaroi publikisht se:”Qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista. Pra ekziston rreziku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë”. Ju po ashtu  keni informacionin e nevojshëm se pas dakortësisë për reformën në dretjësi, Edi Rama  në mënyrë të njëanëshme e  për interesa të tij dhe të klanit mafioz që e rrethon, e prishi konsensusin dhe e përjashtoi opozitën nga  vendim marrja. Pyetja ime për Ju zoti eurodeputet është: Pse e mbështesni Edi Ramën në rrugën kriminale që ka marrë e po zbaton në Shqipëri? Këto pyetje që unë po ju a adresoj Juve a ja bëtë ju Edi Ramës? A mos edhe ju  keni dëshirë   që ca deputetë kriminelë të vijnë si stoli edhe në Parlamentin e BE-së?

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, KNUT FLEKCENSTEIN, REPLIKË NË DISTANCË ME EURODEPUTETIN

Alibali: Një reformë e suksesshme duhet të burojë nga brenda Shqipërisë

February 22, 2017 by dgreca

1 agron AlibaliNga Keida Kostreci/Zeri i Amerikes/Analisti Agron Alibali, paraqiti gjejtjet e tij gjatë punës për librin në shqiptaro-amerikan “Faik Konica, dritëhijet e një diplomati”, një një aktivitet në Bibliotekën e Kongresit, në Uashington. Si studiues jo vetëm i figurave historike por edhe së drejtës ligjore dhe kushtetues, duke folur për Zërin e Amerikës, ai mori shkas nga tradita diplomatike e trashëguar nga figura si Konica dhe Musine Kokalari, për të theksuar se reformat në Shqipëri duhet të jenë produkt i brendshëm bazuar në traditën kombëtare.

Zoti Alibali tregon se çfarë portreti i Faik Konicës shfaqet nga kërkimet dhe dokumentat e gjetura prej tij.“Këtu paraqitet një Faik, si të themi me të gjitha dritëhijet e tij dhe për këtë arsye, ai paraqitet më njerëzor, më i afërt dhe mendoj që ai do të vazhdojë si personalitet me veprën e tij, do të vazhdojë të ketë interes në botën kulturore shqiptare”.Zoti Alibali thotë se Konica ishte ambasador i kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe një gjigant përsa i takon paraqitjes sa më me dinjitet dhe pozitive të kombit të vet të lashtë.“Ai fuqizoi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në një periudhë kritike midis dy luftrave botërore, ndërkohë që shteti i Mbretit Zog po fuqizohej përherë e më shumë përmes reformave shumë të rëndësishme kushtetuese dhe juridike të Mbretit Zog dhe nga ana tjetër Konica ishte negociatori dhe gjatë periudhës së tij u lidhën katër marrëveshje dypalëshe midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”.Por duke nxjerrë në pah kompleksitetin e një personazhi të tillë, zoti Alibali thotë se nga ana tjetër mund të thuhet se ai nuk u tregua një faktor bashkues përsa i takon komunitetit shqiptar sidomos në lidhje me mbështetësit e Fan Nolit në rrethet e Masaçusetsit dhe më gjerë.

Duke bërë një lidhje mes atyre kohëve dhe situatës së sotme politike në Shqipëri, zoti Alibali thotë se kontributi i Konicës, ishte në mbështetje të një doktrine kushtetuese moderne, mbështetur në traditën vendase.

Ai i referohet madje edhe shkrimtares dhe aktivistes antikomuniste dhe antifashiste, Musine Kokalari, e cila në një dokument që i paraqiti me kolegët e saj misionit amerikan dhe britanik në vitin e vështirë 1945, shprehej se do të bëheshin përpjekje që reformat “të mbështeteshin në traditën vendase”.

Ndërsa në Shqipëri së fundmi ka pasur debate ldhur me shkallën e angazhimit të Ambasadorëve të huaj, përfshirë atë amerikan, Donald Lu në politikën shqiptare dhe në përpjekjet për reformën e drejtësisë, zoti Alibali shpreh vlerësimin më të lartë për rolin e diplomatëve amerikanë në lidhje me Shqipërinë, megjithatë shton se:

“Do të ishte një gjë shumë, shumë e bukur dhe vërtet e vlerësueshme që çdo diplomat i huaj në republikën e Shqipërisë të veprojë në bazë të rregullave diplomatike dhe të konventës së Vienës për marrëdhëniet diplomatike dhe kodit të hershëm zakonor diplomatik”.

Zoti Alibali e pranon se ka munguar mbështetja e politikës në vend për të luftuar korrupsionin që ai thotë se është shpërndarë pothuajse në çdo pjesë të jetës shqiptare, dhe se klasa politike e vendit ka pasur më shumë se një herë mundësi që ta zgjidhë këtë çështje, por ai këmbëngul që kushtetuta duhet të reflektonte parimet e qenësishme të së drejtës krahasimore dhe të jetë e kuptueshme nga populli.

“Gjendja e jashtëzakonshme sigurisht që kërkon masa të jashtëzakonshme mirëpo unë kam mendimin që një reformë e suksesshme në drejtësi dhe në kushtetutë dhe në sistemin e zgjedhjeve nuk mund të kryhet nga lart dhe nga jashtë, duhet të kryhet nga brenda dhe nga poshtë dhe të jetë gjithëpërfshirëse”.

Zoti Alibali thotë se reforma mbetet një problem i brendshëm, pasi është për qytetarin shqiptar i cili duhet “të ishet i pari që përfshihet në këtë reformë dhe ai duhet të jetë përfituesi i parë”.

Filed Under: Opinion Tagged With: agron alibali, dritehijet, Faik Konica, reforma ne Shqiperi

LETËR MIRËKUPTIMI Malit të Zi:MOS LUANI ME KUFIRIN!

February 22, 2017 by dgreca

LETËR MIRËKUPTIMI Malit të Zi: Kufiri të mos luajë nga linja: Qafë e Bogiqit – Qafë e Çakorrit – Mokra- Maje e Qafë e Hajlës – Zhleb/

KLUBI I INTELEKTUALËVE RUGOVAS
KIRUG
Prishtinë, 15 shkurt 2017

Klubi i Intelektualëve Rugovas “ KIRUG” i përbërë nga 25 profesorë universitarë të fushave të ndryshme, nëpërmjet Kryesisë së vetë nga: Prof dr Riza Smaka, Prof dr Mujë Rugova, Prof dr Ali B. Muriqi, Prof dr Zymer Neziri, Prof dr Shemsedin Dreshaj, Prof dr Hysen Lajqi, dr. Jeton Kelmendi, në takimin e punës së datës 15 shkurt 2017, të mbajtur në Prishtinë, njëzërit miratoi këtë:

LETËR MIRËKUPTIMI

adresuar:
• Kryetarit të Republikës së Malit të Zi, Z. Filip Vujanovic,
• Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Malit të Zi, Z. Ivan Brajoviq,
• Kryeministrit të Republikës së Malit të Zi, Z. Dusko Markoviq,
• Ambasadorit të Republikës së Malit të Zi, Z. Ferhat Dinosha,
• Kryetarit t Shoqats s Malazezve t Kosovës, Z. Slobodan Vujiciq.
Per informim:
• Presidentit të Republiks së Kosovës, Z. Hashim Thaçit,
• Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Kadri Veselit,
• Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa,
• Ministrit të Punëve të Jashtme z. Enver Hoxhaj.
Subjekti:

Demarkacioni kufitar kosovar- malazez

Klubi i Intelektualëve Rugovas “KIRUG” , në Prishtinë, sikundër qyetarët dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës , qytetarëve dhe institucioneve publike të Republikës së Malit të Zi, i shpreh kënaqësi të sinçertë për njohjen reciproke të Republikës së Malit të Zi dhe Republikës së Kosovë si shtete sovrane, të pavarura, demokratike , fqinjë dhe të përcaktuara për kultivimin , zhvillimin e përparimin cilësor të marrëdhënieve shoqërore, politike, ekonomike, kulturore, arsimore, shkencore , sportive si dhe të gjitha formave tjera të ndërsjella!
Për krijimin, përparimin dhe kultivimin imediat e të dobishme reciprokisht të marrëdhënieve fqinjësore të mira në të gjitha fushat e jetës shoqërore, ndër të tjera ,kërkohet përcaktimi i kufirit të natyrshëm, real, të drejtë dhe me asgjë të kontestuar e ,për aq, të qendrueshëm ndërmjet shteteve tona, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi!
Aktualisht, dy komisionet për demarkacion kufitar të shteteve tona , në vend të demarkacionit konform me kriteret natyrale, gjeografike, historike, etnike e pronësore si dhe në në zbatim të delimitacionit ekzistues të kufirit Kosovar- Malazez nga viti 1945, panevojshëm madje edhe gabimisht duke u bazuar vetëm në të dhënat sekondare, subsidiare kadastrale , kanë aplikuar ridelimitacion, të cilin e kanë emërtuar demarkacion kufitar!
Sikundër dihet ( nga hartat zyrtare të Malit të Zi, Sërbisë, Kosovës, Jugosllavisë së II-të, enciklopeditë shkencore, monografitë, tekstet shkollore e universitare ) dhe me asgjë nuk mund të kontestohet, kufirin ndërmjet Sërbisë përkatësisht Kosovës dhe Malit të Zi, në vitin 1945 e ka pasë delimituar Komisioni Shtetëror i Jugosllavisë së II –të ( 1945 – 92), në të cilin shtet ishte Mali i Zi, Sërbia, Kosova etj) në linjën Qafë e Bogiqit – Qafë e Çakorrit- Mokra – Maje e Hajlës – Qafë e Hajlës – Zhleb. Ai Komision, koincidentalisht, kryesohej nga Millovan Gjillas, malazez, në përbërje të cilit ishin edhe së paku dy malazezë, Svetozar Vukmanoviq Tempo, Milladin Popoviq, të tretë, influentë në saje të posteve politike e shtetërore të larta. Ndaj, kushtimisht, këtë Komision, në të cilin nuk ishte asnjë shqiptar, do ta quajmë: Komisioni “Malazez” për Delimitacion…”
Pra , Komisioni “Malazez” për Delimitacionin, kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në linjën: Qafë e Bogiqit – Qafë e Çakorrit – Mokra- Maje e Hajlës – Qafë e Hajlës – Zhleb, fillimisht, administrativ e rrjedhimisht, politik, e ka pasë delimituar në vitin 1945 dhe, nga atëherë deri në ditët e sotme, në procedurë e bazë ligjore, jo qe nuk është ndryshuar, po, asnjëherë nuk ka qenë temë debatuese. Dihet fare qartë se, ndryshimi i kufirit në fjalë, do të mund të procedohej dhe të caktohej nga dy kuvendet e shteteve tona, gjë që, asnjëherë deri sot, nuk ka ndodhur.
Kufiri ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, në linjën Qafë e Bogiqit – Qafë e Çakorrit – Mokra – Maja e Hajlës – Qafë e Hajlës – Zhleb ,nga viti 1945 , ishte i delimituar nga Komisioni “Malazez” për Delimitacion, koincidentalisht , sikundër u tha më sipër, i dominuar nga malazezët , në një anë dhe dhe pa asnjë shqiptar, në anën tjetër!
Në këtë kontekst , apostrofojmë se, KIRUG-u ,tok me mbi 200 000 qytetarë peticionistë , me sëpakut po aq qytetarë protestues publik, opozitën parlamentare , qytetarët e viseve qe kufizohet Kosova dhe Mali i Zi, një numër të konsideruar të klasës akademike dhe të shoqërisë civile, angazhohet dhe fuqimisht e përkrah eksklusivisaht vetëm demarkacionin kufitar kosovar – malazez të mbështetur në linjen kufitare Qafë e Bogiqit- Qafë e Çakorrit – Mokra – Maja e Hajlës- Qafë e Hajlës – Zhleb , ndryshe ,të delimituar pikërisht nga Komisioni “Malazez” për Delimitacion!
Siikundër opozita parlamentare , qytetarët e zonës kufitare kosovare – malazeze të komunave të Junikut, Deçanit, Pejës, Pogurit ,mbi 200 000 peticionistë në formë shkrimore dhe sëpakut po aq qytetarë në protesta gjithëpopullore , pjesë e konsideruar e klasës akademike dhe e shoqërisë civile, KIRUG-u ,
– Është fuqishëm i përcaktuar për krijim, zhvillim dhe kultivim të raporteve ndërshtetërore fqinjësore konsistente dhe konsekuente të mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi,
– Shhpreh kënaqësi për njohjen reciproke të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi ,si shtete demokratike të së drejtës, sovrane dhe të pavarura në fqinjësi të mirë dhe të qendrueshme ,
– E vlerëson të gabuar dhe të padrejtë “demarkacionin” e komisioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe të Malit të Zi , nga se , në vend të demarkacionit konform me delimitacionin ekzistues nga viti 1945 të bërë nga Komisioni “ Malazez” për Delimitacion dhe Demarkacion ,kanë praktikuar ridelimitacion e, sëandejmi, demarkacion të mbështetur vetëm në të dhënat kadastrale sekondare , suplementare por jo edhe në komponentët primare dhe valide historike (nga viti 1945) , gjeografike, etnike, pronësore ,natyrore të determinuara nga konfiguracioni , ujëndarjet, ujërëniet , qafat, majat, kreshtat, kodrat , vargmalet , ndryshe, të trajtuara si kritere bazike, tradicionale ,të mirënjohura dhe të afirmuara në teorinë dhe në praktikat e se drejtës ndërkombëtare publike ,
– Shpreh kënaqësi dhe falënderim për autoritetet shtetërore të Republikës së Malit të Zi ,të cilat, më së një herë, kanë treguar vullnet politik benevolent dhe gatitshmëri fqinjësore të mirë për një rishikim kritik , të bazuar në kritere bazike ndërkombëtarisht valide, linjën kufitare Kosovare – Malazeze!
– E mbeshtet dhe e përshendet rishikimin kritik të demarkacionit kufitar kosovar – malazez , por, ekskluzivisht konform me linjen kufitare egzistuese nga viti 1945 ,ndryshe, siç u the më sipër, të sanksionuar nga Komisioni “ Malazez” për Delimitacion( Demarkacion)!
Rrjedhimisht , KIRUG-u, duke pasë kënaqësinë dhe nderin t’i përshendes autoritetet publike dhe kompetente për përfaqësimin legjitim dhe legal të Republikës së Malit të Zi, të njëjtave ju apelon për
– Mirëkuptimin e qendrimit të KIRUG-ut për konfirmimin e linjës kufitare Kosovare – Malazeze : Qafë e Bogiqit – Qafë e Çakorrit – Mokra – Maja e Hajlës – Qafë e Hajlës – Zhleb , të caktuar në vitin 1945 nga Komisioni “Malazez” për Delimitacion, e cila, ndryshe , në procedurë dhe bazë legale asnjëherë, jo qe nuk është ndryshuar, por nuk ka qenë temë e debatit,
– Rishikim dhe demarkacion bilateral Kosovar – Malazez të drejtë , të pakontestuar dhe të qendrueshëm konform me delimitacionin ekzistues nga viti 1945 të disajnuar nga “Malazezët” si dhe
– Deri në ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion konform me delimitacionin e vitit 1945, nga të dy shtetet tona, Republika e Kosovës dhe Republika e Malit të Zi, bilateralisht të përfillet me korrektësi fqinjësore të mirë linja kufitare eksistuese, fillimisht, administrative e, rrjedhimisht, politike!
KIRUG-u, duke llogaritur në mirëkuptim edhe në këtë rast, me nderime dhe kënaqësi përshendet:
• Kryetarin e Republikës së Malit të Zi, Z Filip Vujanovic,
• Kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi , Z. Ivan Brajovic,
• Kryetarin e Qeverisë së Malit të Zi , Z.Dusko Markovic,
• Ambasadorin e Republikës së Malit të Zi në Kosovë, Z. Ferhat Dinosha,
• Kryetarin e Unionit të Malazezëve të Kosovës ,në Prishtinë, Z. Slobodan Vujiqiq!
KLUBI I INTELEKTUALEVE RUGOVAS , “ KIRUG” ,PRISHTINE, 15 shkurt 2017

Kryetari Sekretari
Prof dr Riza Smaka Prof dr Jeton Kelmendi,

Filed Under: Opinion Tagged With: Klubi Kirurg, Leter Malit te Zi, mos launi me kufirin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 509
  • 510
  • 511
  • 512
  • 513
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA, NJË SHEMBULL DEMOKRACIE– Mbështetja e popullit është çelësi për fitoren e zgjedhjeve
  • FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË
  • Albanian Soul, Electric Heart – Rozita Fishta’s Music Explorations
  • Ukraina si poligon i armëve të vjetruara globale: Donacionet ushtarake, gjeopolitika e Fuqive të Mëdha dhe perspektiva e paqes së qëndrueshme
  • AT GJERGJ FISHTA, 85 VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM
  • Me veprën dhe personalitetin e Martin Segonit plotësohet panteoni humanist shqiptar me një figurë nga më të hershmet
  • Bashkimi kombëtar fillon me bashkimin e Kosovës me shtetin amë
  • PRESIDENTI WILSON NË FILATELINË SHQIPTARE
  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT