• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DUKE U AFRUAR DITA E PAVARSISË

November 17, 2016 by dgreca

asllani-56NGA  ASLLAN  BUSHATI/Që nga rënia e shtetit totalitar (gati çdo vit), kur afrohet dita e pavarsisë, politika në Shqipëri, do të gjejë nje sebep për ti nxehur gjakrat e thelluar më shumë ndasitë, duke mos e lënë popullin të qetë ta festojmë  në mënyrën e vet paqësisht e bashkërisht, ditën më të rëndësishme të historisë së tij, pra 28 Nëntorin e çdo viti. Më e shëmtuara gjë në këtë drejtim është përdorimi i datave e ngjarjeve të historisë dhe veprimtaria e personave të veçantë (veçanërisht ato të Luftës Dytë Botërore-LDB), për qëllimet politike të ditës. Ky fenomen nuk ka qenë i përhapur në vendin tonë në kohën e Zogut dhe më parë, madje festimi është bërë me madhështi si evendiment shtetëror, por edhe  si një festë popullore. Kurse në kohën e diktaturës komuniste festa ishte thjeshtë një fasadë e “arritjeve madhështore të PPSh-së dhe Shokut Enver”. Ndasitë i filloi dhe i bëri realitet që para 73 vitesh, E.Hoxha me partinë e tij komuniste dhe miqt e tij të ngushtë jugosllav, menjeherë pas Konferencës së Mukjes. Ai edhe ditën e çlirimit të LDB-së e caktoi të njejtë me atë të Jugosllavisë, (jo se ashtu kishte ndodhur), por për të mos ia prishur qefin Titos, Miladinit, Dushanit etj. (Ose ndoshta se edhe ai vetë e shihte Shqipërinë e asaj kohe si projektin e repubikës shtatë jugosllave). Madje jo vetëm kaq, por e dhunoi  dhe e përdhosi  historinë e LDB-së në mënyrë të tejskajshme, duke e bërë atë siç i deshi qejfi, duke përvetësuar cdo gjë të mirë  saj dhe duke u faturuar kundërshtarëve të vet shqiptarë, cdo gjë të keqe. A thua se ushtria e Mbretërisë Shqiptare nuk hodhi asnjë plumb kundër pushtuesve italianë? Forcat nacionaliste si ato të Ballit Kombëtar, te Legalitetit,Muharrem Bajraktari dhe Kryezijt e Gjakovës, të mos kenë zbrazur asnjë armë të vetme dhe të mos jetë vrarë e plagosur për atdhe asnjë prej tyre? Mohuan tërësisht faktin se gjatë LDB-së në Shqipëri nuk ka patur asnjë element të luftës civile, gjë që ka qenë krejt e kundërta. Pse? Se i donin të gjitha meritat vetëm për vete e për pushtetin e ardhëshëm politik. Por populli dhe historia e LDB-së, kurrë  nuk ju a ka mohuar partizanëve asnje nga ata që me të vërtetë  quhem merita të bazuara në fakte, data e ngjarje. Por në LDB në Shqipëri nuk kanë luftuar vetëm partizanët, por edhe shumë formacione të tjera.

Në vazhdim të kësaj tradite të keqe ndasije, në të njejtën vijë, e në të njejtën llogore me idetë e E.Hoxhës (madje edhe më keq), është pozicionuar këto ditë edhe lideri i së majtës shqiptare e Kryeministri në detyrë Edi Rama. Shkak për këtë u bë Dekreti i Presidentit Nishani për zbardhjen e masakrës së 21 Tetorit 1943 në Lushnje nga Brigata e Parë partizane e komanduar nga Mehmet Shehu ku u vranë 67 vetë. Mbi bazën e fakteve të pa mohueshme Presidenti i dekoroi ata si viktima të pafajshme dhe  pjesëtar të formacioneve të Ballit Kombëtar, veprim i cili u prit nga shumicën e njerëzve si një përpjekje për paqtim kombëtar.

Parë nga sa më sipër dhe nga  një këndshikimi i pa anëshëm, gjykoj se është e drejtë të sjellim në fokusin e publikut problemin se: pse debate të historisë dhe të politikës së LDB-së, ngjallin kaq  shumë reaksion në politikën e ditës në Shqipëri? Kur shoqëria shqiptare  flet për viktimat e klerit nga regjimi komunist, me shumë të drejtë ka pajtueshmëri nga të gjithë  njerëzit dhe të gjitha krahët e politikës, se ata janë martirë. Shumë drejt edhe unë pajtohem me këtë qëndrim. Po kjo bëhet për politikën e ditës  se për ata botërisht foli edhe Papa, apo sepse me të vërtetë ata janë viktima dhe meritojnë një nderim akoma më të madh? Unë mendoj se ata janë martirë të vërtetë dhe meritojnë të gjitha llojet e nderimeve nga brezi ynë e breznitë që vijë pas. Por kur vjen puna për dekorimin e viktimave të Ballit  Kombëtar të bëra po nga regjimi komunist, pse ka dy standarte, duke thënë se kjo është provokim i  pastër politik i së djathtës ndaj të majtës. Pse? A nuk janë edhe ata (të 21 Tetorit 1943 në Lushnje) shqiptar si ata të klerit dhe gjithe shqiptarët e tjerë të flijuar për atdhe dhe ideale? E majta thotë ,jo ata janë tradhëtarë se bashkëpunuan me armikun. Pyetja shtrohet po çfarë tradhëtie bënë ata? Dikush thotë se ata bashkëpunuan me gjermanët. Dakort, por a bashkëpunuan të gjithë apo disa krerë? Po nëse vetëm disa krerë bashkëpunuan me gjermanët, ku qëndron tradhëtia, apo sepse ata me gjermanët bënë bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet e qeverisje të vetme, të cilën ne edhe sot nuk jemi në gjendje ta bëjmë. Ata bënë edhe dy vepra të tjera të mëdha si hapja e shkollave shqipe në çdo fshat dhe mbrojtja pa kushte e komunitetit hebre në trojet shqiptare me të cilat mburremi ne edhe në ditët e sotme. Ata vërtetë gabuan politikish se u radhitën me humbësin e LDB-së, por nuk duket  asgjëkundi se ata kanë bërë ndonjë tradhëti  ndaj atdheut. Atëhere edhe ato pak merita që ata i kanë realisht, shoqëria e sotme duhet t’ju a njohi, ndryshe gjykimi vazhdon të jetë i njëanëshëm e në të  njëjtin kah me atë të shtetit totalitar. Nga ky  kënd shikimi, pajtohem tërësisht me qëndrimin e Presidentit Nishani dhe të asajë pjese të opinionit që është në të njejtin anë me të.

Për balafaqim pikpamjesh me ata që lidhen pas konceptit te “tradhëtarit të LDB-së”, më duhet të theksoj se që në Konferencën e Mukjes, nacionalistët u kanë thënë komunistave se: në se doni të bashkëpunoni me ne edhe ju duhet të largoheni nga emisarët jugosllav se jeni bërë thjeshtë agjenturë e tyre. Pra parë nga këndshikimi nacionalist edhe komunistët janë konsideruar “tradhëtar dhe agjenturë” e jugasllavëve, gjë që është e mbështetur në fakte.

Në se e gjykojmë problemin nga fakti se kush kanë qenë këshilltarët ndërkombëtar të palëve në LDB del se: partizanët kanë patur jugosllav, angles dhe vonë rus e amerikanë. Nacionalistët: Legaliteti me Abas Kupin, Muharrem Bajraktari, dhe Kryezijt kanë patur vetëm angles. Mbi bazën e këshillimeve të ndërkombëtarëve kush mund të quhet “tradhëtar” dhe kush “atdhetar”? Pra është e pa kuptimtë, se edhe në luftë është bërë politikë, por politika dhe lufta janë dy gjëra të ndryshme. Disa humbën politikish, por duke mos bërë vepra kundër atdheut ata nuk mund të quhen edhe sot pas shtatëdhjëtë e sa vitesh tradhëtar. A mund të quhet tradhëtar Abas Kupi? Në se po, kjo është thjeshtë marrëzi enveriane.

Personalisht si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare, si intelektual, por edhe si opinionist në media, gjykoj se: Së pari duhet të kemi një vlerësim të përbashkët për konceptin martir ose dëshmor. Gjithkush është vrarë nga plumbi i armikut të atdheut, duhet të quhet dhe dekorohet si martir ose dëshmor. Por, vlersime të larta duhet të marri edhe gjithkush ka marrë plagë e ka lënë pjesë të trupit në fushbetejën e mbrojtjes atdheut. Së dyti: Kemi shumë nevojë për vendosjen e një paqeje me vehten  si shoqëri, për më shumë respekt për pikpamjet e njeri tjetrit, për tolerancë, dashuri e luftë politike me programe e jo me fyerje. Së treti: të gjejmë të gjtha mënyrat që ti kapërcejmë dasitë e çdo lloji, e të mos e përdorim historinë për problemet politike të ditës. Historinë ta xhveshim nga mitet dhe t’ju a lëmë historianëve. Nuk është ndonjë skandal i madh të pranojmë se në LDB-në tonë ka patur shumë element të luftës civile, sepse luftë civile ka patur edhe në Amerikë, Itali, Spanjë, Greqi etj.

Së fundi dëshiroj e shpresoj që politikanët tanë të civilizohen më shumë, të ndahen nga fodullëku, avanturizmat e gënjeshtrat, korrupsioni e krimi. Të krijojnë më shumë vende pune për shtetasit shqiptarë dhe të mbrojnë më me forcë interest madhore kombëtare. Njerëzit si të kenë pare e punë dhe shtet të fortë ligjor, nuk ka nevojë ti mësojë kush se si te bënjë qejf e si ti festojnë festat përfshi edhe atë të pavarsisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, DITA E PAVARSISË, DUKE U AFRUAR

“RRNOFT SHQIPNIA EDHE PA NE”!

November 16, 2016 by dgreca

SHTETI SHQIPTAR U KËRKON FALJE  38 MARTIRËVE TË KISHËS KATOLIKE/

                                                   1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/Javën që kaloi në Presidenti i Republikës së Shqipërisë kryesoi një ceremoni me rëndësi jashtzakonisht të madhe për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar. Në të vërtetë u zhvillua një ceremoni me një domethënje historike, e cila fatkeqsisht nuk tërhoqi vëmendjen e duhur dhe as debatin shoqëror dhe mediatik që meritonte.  Ishte hera e parë në këto 25 vjetë të tranzicionit post komunist që një udhëheqës i lartë i Shqipërisë, në këtë rast Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani kërkoi falje dhe shprehi pendesë për krimet komuniste në atë vend.  Me rastin e dekorimit të 38 Martirëve të Kishës Katolike, me urdhërin e lartë të “Flamurit Kombëtar”,  Presidenti Nishani — në emër të shtetit që ai kryeson —  siç u shpreh ai, përunjësisht, u kërkoi ndjesë gjatë ceremonisë solemne të dekorimit, 38-martirëve, të cilët pak kohë më parë u lumnuan nga Papa Françesku.1-presidenti

                 Megjithse mungonte Kryeministri Rama, prania në këtë ceremoni e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, të Kryetarit të opozitës Lulzim Basha, deputetve të Kuvendit, përfaqsuesve të bashkësive fetare të vendit dhe familjarëve të 38 Martirëve e bëri këtë solemnitet një ngjarje të shënuar kombëtare, gjatë të cilës u njohën dhe u kurorëzuan — publikisht — sakrificat dhe vuajtjet e këtyre viktimave të komunizmit.  

2-ilir-meta-berisha

Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit shqiptar, Presidenti Nishani iu drejtua të pranishëmve, përfshirë edhe përfaqsues të Trupit Diplomatik në Tiranë, me këto fjalë:  “Pranimi me përunjësi i krimeve,  jo i gabimeve, siç mund t’i quajë ndokush me dinakëri apo mendjelehtësi – dhe këtë e theksoj fort duke ju shikuar të gjithëve në sy – të regjimit komunist, pendesa e vërtetë dhe kokëulur, por mbi të gjitha, kërkesa e sinqertë për falje, drejtuar para të gjithëve familjarëve të viktimave të pafajshme për ato krime që janë kryer në ‘emër të popullit’ — na ndihmon të gjithë si shoqëri shqiptare të shtrëngojmë radhët vëllazërisht e të ecim përpara pa pasur kurrë më frikë nga fantazmat e së kaluarës së errët diktatoriale.”

“Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit”, vazhdoi fjalën e tij Presdienti Nishani, “E ndiej të domosdoshme, sepse në radhë të parë ma kërkon ndërgjegjja ime si qytetar, që me shumë përunjësi, t’u kërkoj një falje të sinqertë, në emër të shtetit që më ka zgjedhur të shërbej e të jem me devotshmëri simboli i unitetit të popullit: familjarëve dhe pasardhësve të viktimave të panumërta të diktaturës komuniste, edhe atyre që ende nuk u janë gjetur as eshtrat”, u shpreh Presidenti Nishani.

“T’i kërkoj falje edhe Kishës Katolike shqiptare, por edhe kujdo tjetër, që u prek deri në palcë nga djepi e deri në varr, që u vra pafajësisht, u përndoq deri në tri breza, u internua padrejtësisht, që u dëmtua fizikisht, materialisht, por më tepër shpirtërisht, që u cenua rëndë në dinjitetin e vet njerëzor dhe që u privua nga të drejtat thelbësore dhe universale të njeriut, dhe që ndoshta vazhdon ende sot e kësaj dite të vuajë pasojat e tmerrshme e gati-gati të pariparueshme të atyre krimeve makabre, të cilave iu vesh përsipër padrejtësisht petku se po kryheshin në emër të shtetit dhe të ashquajturës ‘luftë klasash!’, nënvijoi, ndër të tjera, Kryetari i Shtetit shqiptar.

                        ”Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përunjësisht: Ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!” (Presidenti Bujar Nishani)

Presidenti Nishani foli gjithashtu edhe mbi rolin dhe kontributin e Kishës Katolike dhe klerit të saj në historinë, gjuhën dhe kulturën e kombit shqiptar, gjatë shekujve.  Në historisë shekullore të shqiptarëve, këta klerikë martirë dhe të tjerë si këta para tyre, kanë qenë interpretuesit dhe bartësit më të shquar të aspiratave arbërore, të vlerave stërgjyshore dhe të ndjenjave më të thella të kombit shqiptar.  Këtë pohim, Zoti Nishani ua kujtoi edhe pjesëmarrsve në ceremoninë e dekorimit të këtyre martirëve, ndërsa theksoi se,  “Kisha Katolike dhe klerikët e saj të rrënjosur në këtë tokë prej dhjetëra shekujsh janë kudo në indet e këtij kombi qysh në ngjizjen e tij. Historia e këtij institucioni milenar në Shqipëri është sa histori ngadhnjimi, po aq edhe martirizimi, sa histori besimi, po aq edhe patriotizmi, sa histori fetare, aq edhe kulture, sa histori meshe, po aq edhe histori shkrimi, sa histori katoliçizmi, aq edhe harmonie e bashkëjetese, sa histori shqiptare, po aq edhe evropiane e universale.  Ajo është një trashëgimi e lavdishme e Shqipërisë, një realitet i vyer i saj”, u tha të pranishmëve Z. Nishani.

Dinjiteti kishtar dhe kombëtar i këtyre martirëve gjatë torturave dhe deri në ditën e vdekjes — në kombinim me kontributin e tyre ndaj historisë dhe kulturës shqiptare ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit Skënderbe, e deri në ditët e sotëme — u jep këtyre heronjëve një pamje madhështore qëndrese dhe trimërie, në radhët e përfaqsuesve më të mirë të kombit shqiptar.  Në lidhje me këtë, në përfundim të fjalës së tij me këtë rast, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani  u shpreh:  “Nga Pal Engjëlli i Skënderbeut deri tek Hirësia e Tij Kardinal Ernest Troshani, lista është e gjatë, e gdhendur librave, mungadave, kuvendeve, betejave për pavarësi dhe shtetformim, hetuesive, gjyqeve dhe plojës së Komunizmit, por mbi të gjitha në vetë kujtesën e kombit mbi të cilën mbahet thagma shqiptare. E thënë me fjalët e Atë Gjergj Fishtës, ajo rri si përmendore që nuk e dërrmon as rrufeja e as moti. Tridhjetë e tetë të kësaj liste, të cilët gjithë jetën kishin jetuar dhe ushtruar vokacionin e tyre brenda formulës së shenjtë, ‘Atdhe e fe’, teksa ndaheshin nga jeta tokësore pyesnin, ‘Çfarë duhej të bënim më tepër për të qenë shqiptarë?!’   Pasi kishin qëndruar heroikisht përballë torturave dhe vendimit që i denonte me vdekje, iknin këso bote në sintoni me mësimet e shenjta duke falur ekzekutorët e tyre, duke lënë mbi dhé amanetin e fundit,  ‘Rrnoftë Shqipnia edhe pa ne’.

                 Kjo ceremoni javën e kaluar, e organizuar nga Presidenca, nuk ishte e zakonshme si ceremonitë e tjera që Presidenti i Republikës organizon, nga koha në kohë, me rastin e shpërndarjes së dekorimeve të ndryshme individëve dhe grupeve të dalluara.   Kjo ishte një ngjarje madhështore, jo vetëm për faktin se Presidenti Nishani dekoroi me më të lartin Urdhër Shtetëror — atë të Flamurit Kombëtar — 38 klerikët martirë.   Kjo ceremoni mori përmasa të jashtzakonshme sepse për herë të parë në këto 25 vjetë post-komunizëm, një udhëheqës i lartë i Shqipërisë — në personin e Presidentit të Republikës –  në emër të shtetit shqiptar, kërkon falje e ndjesë dhe u shpreh pendesë këtyre dhe viktimave të tjera të komunizmit në Shqipëri.  Fjalimi i Presidentit Nishani me këtë rast, mund të thuhet se është një prej fjalimeve më me rëndësi në këto 25 vite post-komunizëm në Shqipëri, jo vetëm për nga përmbajtja, por më tepër për nga simbolika që mbartë dhe për nga mesazhi që përcjellë autoriteti më i lartë i shtetit shqiptar. Progresi i një vendi nuk matet vetëm me ndërtimin e pallateve me para burimesh të dyshimta, ose me ndërtimin e rrugëve e të fabrikave.  Këto “përparime” mund t’i pretendonin edhe regjimet komuniste, fashiste e naziste.  Si rrjedhim,  institucionet shtetërore nuk duhet të shikohen vetëm si entitete abstrakte dhe burokratike që vetëm përpiqen të zbatojnë ligjet dhe rregullat proceduriale të një shteti.  Përfaqsuesit e enteve shtetërore dhe qeveritare, si kryeministri dhe presidenti i një vendi post-komunist si Shqipëria, duhet që njëkohsisht të mibilizojnë edhe vlerat morale, gjykimet dhe emocionet — me fjalë të tjera, ata duhet të pasqyrojnë edhe forcën morale mbi të cilin mbështeten përpjekjet për krjimin e një shoqërie me vlera me të vërtetë demokratike, ku mbi të gjitha, jeta dhe të drejtat bazë të individit, duhet të jenë të mbrojtura nga shteti dhe jo të abuzohen.  

Njëri nga ekspertët amerikanë të historisë së komunizmit, emri i të cilit nuk më kujtohet tani për tani, ka thënë se nëqoftse nuk mund t’i dallojmë të mirat nga të këqiat midis komunizmit dhe anti-komunizmit — që mund të thuhet se përbënin luftën më të madhe morale të shekullit 20 — atëherë është tepër e vështirë ta marrim me mend se mbi cilat çështje mund të bisedohet në mënyrë, racionale, inteligjente, me arsye dhe transparencë, madje edhe 25 vjetë pas shembjes së komunizmit.  Nuk jam i sigurt nëse shoqëria e gjërë shqiptare, madje edhe nivelet e larta qeveritare, i kanë pranuar përgjegjësitë dhe moralin shoqëror, si standard të pranueshëm sjelljesh në përgjithësi, veçanërisht përsa i përket të kaluarës komuniste dhe krimeve ndaj viktimave të regjimit komunist në Shqipëri.    Por deklarata e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani, drejtuar 38-martirëve të Kishës Katolike Shqiptare se, ”Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përunjësisht: Ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!”, është hapi i parë tepër i nevojshëm, ndonëse i vonuar në nivel shtetëror dhe qeveritar — siç ka thënë edhe vet presidenti – për të ndarë të mirën nga e keqja, faktet nga trillimet, kriminelët nga të pafajshmit si dhe mitet nga realiteti historik.

Me këtë veprim, Presidenti Bujar Nishani ka hedhur një hap tjetër përpara, drejtë një Shqipërie me standarde morale — duke ndarë të mirën nga e keqja– dhe duke i dhënë një hov përpara pajtimit kombëtar dhe shërimit të plagëve, për të cilat Shqipëria dhe kombi shqiptar kanë aq shumë nevojë.   

***

KRONIKE610

Presidenti Nishani vlerëson Imzot Zef Skanën (pas vdekjes) me Dekoratën “Nënë Tereza”

222Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani i akordoi Imzot Zef Skanës (pas vdekjes) Dekoratën “Nënë Tereza” me motivacionin: “Për kontributin e shquar si klerik që shkriu jetën për idealet “Fe e Atdhe”, për edukimin e virtyteve të larta morale si misionar i pajtimit të gjaqeve në Mirditë, përhapës i kulturës, paqes dhe përparimit, si veprimtar shoqëror në lëvrimin e letrave shqipe dhe në përhapjen e arsimit në mesin e shekullit XX”.

Filed Under: Opinion Tagged With: 38 martirët, Frank shkreli, kërkon falje, shteti shqiptar

Për krimet e komunizmit nuk ndodhi Nuremberg, viktimat e tij u shenjtëruan

November 15, 2016 by dgreca

1-entela-kasiNga Entela Safeti KASI/ Sot është dita ndërkombëtare që i kushtohet intelektualëve, shkrimtarëve të burgosur, vrarë, persekutuar, atyre që ende e sot vriten, burgosen persekutohen në kohën tonë moderne. Ndërsa ne  besojmë se ka marrë fund epoka e komunizmit, në sytë tanë vazhdon të luhet drama dhe tragjedia jonë humane: mungesa e lirisë, ndëshkimi i shkrimtarëve nga diktatura të politikës, mafies, fundamentalizmit.

Historia e qytetërimit nga kohët antike dhe deri në këtë epokën tonë, që e njohim si era globale e kapërcimit të madh teknologjik, përsëri na kthen kah kujtesa e botës, e mbushur kjo me traumën që ne trashëgojmë, dhe e mbartim si plagë e vragë, në shoqërinë moderne.

Ajo që s’ka kthim, është koha, jeta, vuajtja dhe stërmundimi, torturimi më çnjerëzor e anti-human i intelektualëve që jetuan, përjetuan, u dhunuan nga diktaturat.

Përse perëndimi dikur ka heshtur për krimet e diktaturës lindore kur bota u nda midis me murin e Berlinit? Kush pranoi përmes heshtjes që këto krime të ndodhnin? Kush i lejoi këto krime? Përse kjo ndodhi?

Këto janë pyetjet që na drejtojnë kah logjika. Logjika mbështet argumentin, dhe argumenti mbështetet mbi fakte, mbi të vërtetën për të cilën ende nuk është folur!

Kjo është e frikshme, dhe njëkohësisht e rëndë. E rëndë për shoqërinë globale, e cila ndahet në kufij ideologjik, në kufij politikë, në kufizime gjeopolitike, në kufij religjionesh, në botë të tronditur qeniesh të lodhura humane.

Dikur, e pyeta shkrimtarin Eugene Schoulgin, një prej intelektualëve më të rëndësishëm të Evropës moderne, për atë çka ndodhi menjëherë pas luftës së dytë botërore midis lindjes dhe perëndimit, dhe nëse në këtë shekullin e XXI,  lufta ka vdekur?

-Lufta asnjëherë nuk ka vdekur.- u shpreh Schoulgin.  Breza të tërë jetuan në një gjendje të rrezikshme, dhe në një keqinterpretim të faktit se ç’ndodhi  me botën pas luftës së dytë botërore. Bader Meinhof- Shtatori i zi, brigadat e kuqe, etj. Por ajo që mendoj unë është se; lufta është vdekje. Lufta është fundi, është e fundit.- përfundoi ai.

Në një ditë si kjo, kur ne i kthehemi kujtesës, e sidomos kësaj sonës, kujtesës shqiptare, në këtë dheun e kësaj copës tokë , atdheut, ku ne kemi vrarë, e lënë pa varr, shkrimtarë, klerikë, artistë, intelektualë, kur ne i kemi vrarë e prerë në qafë,  ndërsa na është bërë lëkura zhguall, si zhgualli i breshkës që ajo e mban mbi trup si shtëpi, të cilën ne po e tërheqim ngadalë, për të mbërritur diku…..jemi tepër vonë…

Mbase ne e kemi dënuar diktaturën, pasi ata që janë vrarë prej saj ( nesh) dikur, i kemi bërë heronj sot. Ata që u vranë prej diktaturës dikur u martirizuan. Po.

Ajo që s’ka kthim është drama që ka ndodhur, gjëma tragjike në sytë tanë, dhe ajo që mbetet e mbartet prej nesh është trauma që ne trashëgojmë.

Nëse kthehemi e ndalemi në Shqipëri, në këtë cep të Evropës jugperëndimore, ne turmat e lodhura, ende mbytemi në tru-shpëlarjen tonë kolektive, duke ngritur telefonat drejt ekraneve, somnambul  pa qenë të aftë të zgjohemi kthjellët. Ndërsa duhej të na kishte shërbyer vepra e At Zef Pllumit, librat e tij, dhe veçanërisht ‘Rrno vetëm për me tregue’ për tu drejtuar kah rruga e së vërtetës,  e lirisë, e dashurisë, drejtpeshimit….

Sot është dita kur ekranet tona zhurmuan për  shkrimtarë bestseller, e askush prej televizioneve e gazetave tona që nxijnë nuk e tha një fjalë të vetme për shkrimtarët e vrarë në këtë vend…..

Ndërsa shoqëria jonë e cila kërcet si daulle është ende e paaftë për të kuptuar, përtypur, artikuluar, shpjeguar, argumentuar, pranuar, të vërtetën .

*Po në vitin 2006 Át Zef Pllumi merr çmimin letrar “Penda e Artë” për trilogjinë e tij me kujtime ‘Rrno vetëm për me tregue’ të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: ENTELA KASI, krimete komunizmit, NUREMBERG” !!.., viktimat

TË MOS NËNÇMOHET LIRIA E VOTËS SË AMERIKANËVE

November 15, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

 “Duhet të bëjmë një punë më të mirë për të shpjeguar se Amerika do të thotë liri — liri e fjalës, liri e fesë, liri e iniciativës.  Dhe se liria është diçka e veçantë dhe e rrallë.” Ronald Reagan…

Kështu ka thënë, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan.   Ishte periudha e luftës së ftohtë dhe politika që kishin ndjekur deri atëherë presidentët amerikanë, përfshirë Riçard Nixon  Xherald Ford  dhe Xhimi Karter — quhej “détente”, sidomos në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.  Ishte një politikë që kënaqte vetëm mbështetsit e saj që mendonin, gabimisht, se ajo sillte një “bashkjetesë paqësore” midis lindjes dhe perëndimit. Por kritikët e detantës, konsideronin se vazhdimi i kësaj politike nuk përmirsonte lirinë, as nuk njihte të drejtat e njeriut për popujt e vendeve të ish-perandorisë komuniste.  Për më tepër, thonin ata, kjo politikë jo vetëm që nuk pengonte përhapjen e dominimit komunist sovjetik anë e mbanë botës, por detanta në në të vërtetë inkurajonte përhapjen e komunizmit.  Njëri prej këtyre kritikëve të politikës së deri atëhershme amerikane karshi Bashkimit Sovjetik dhe komunizmit, ishte Presidenti Ronald Reagan i cili artikuloi për popullin amerikan se politika e detantes me komunizmin botëror kishte dështuar dhe si e tillë duhej ndryshuar, pasi ajo nuk kishte sjellur as paqë as bashkjetesë midis lindjes dhe perendimit, siç pretendonin mbështetsit e saj.  Për më tepër, Ronald Reagan besonte se politika e “detentes” nuk do të sillte as një përfundim të kënaqshëm të luftës së ftohtë dhe as nuk   ndalonte ish-Bashkimin Sovjetik që të zgjëronte dhe të përhapte influencën e tij komuniste anë e mbanë botës.  Sipas presidentit Reagan, sovjetikët e konsideronin politikën dhe diplomacinë amerikane të “detentës”, si të brishtë dhe si një dobësi e diplomacisë amerikane në botë nga e cila mund të përfitonte vetëm komunizmi ndërkombëtar, në kurriz të politikës së mbrendshme dhe ndërkombëtare së Shteteve të Bashkuara.  Ishte kjo një politikë që vzahdonte të mohonte lirinë dhe të drejtat e njeriut të popujve, sidomos në vendet e sferës komuniste në Europë por edhe anë e mbanë botës, mendonte ish-Presidenti Reagan.  Ronald Reagan ishte bindur se po të gëzonin lirinë e vërtetë, popujt nën zgjedhën komuniste do të zgjidhnin demokracinë si alternativë dhe jo të jetonin nën regjimet diktatoriale komuniste.

Mbrenda vendit, Amerika e fundit të 1970-ave gjëndej gjithashtu në një situatë përkeqsimi eknomik, të rritjes së inflacionit dhe të papunësisë, çmimeve të larta të naftës, e tjera.  Shtoja kësaj situate edhe turpërimin me të cilin përballej Amerika në atë kohë, si përfundim i mbajtjes peng të diplomatëve amerikanë nga regjimi islamik në Iran.  Si president, Reagan i kishte deklaruar luftë gjithashtu edhe terrorizmit ndërkombëtar.  Pas provave se regjimi i Kadafit në Libi kishte pasur gisht në një sulm kundër ushtarëve amerikanë në një klub të Berlinit perëndimir – ai urdhëroi sulm ajror kundër Libisë, gjë që ia mbylli gojën Kadafit për disa dekada.

Në këtë atmosferë të tensionuar politiko-ekonomike, mbrenda dhe jashtë vendit, u zgjodh dhe veproi presidenti Ronald Reagan.  Falë artikulimit të besimit të tij në lirinë e shënjtë dhe në sigurimin e të drejtave të njeriut për çdo person anë e mbanë botës, në vitin 1980, populli amerikan e zgjodhi president të Shteteve të Bashkuara si një alternativë për t’iu kundërvenë kësaj situate të mbrendshme dhe botërore.  E gjithë politika dhe programi i tij është cilësuar nga historianët si “Revolucioni i Ronald Reagan”, që përfshinë rivendosjen e begatisë dhe të zhvillimit ekonomik mbrenda vendit dhe sigurimin e paqës në botë, duke përmirsuar kapacitetet e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Mbrenda vendit dhe sidomos në Europë, me përjashtim të ish-kryeministres britanike Margareth Thatcher, ishin të shumtë skeptikët dhe kundërshtarët e programit të Ronald Reagan.  Më  duhet t’i kujtoj lexuesit se si rrjedhim i zbatimit fillimisht të politikave të mbrendshme dhe të jashtme të Presidentit Reagan, në atë kohë u zhvilluan protesta të mëdha këtu në Shtetet e Bashkuara ndërkohë që Europa perëndimore ishte çuar në këmbë, ndërsa miliona protestues anë e mbanë kontinentit bënin demostrata dhe protesta të shpeshta madje edhe me dhunë, kundër “kaubojcit” amerikan i cili me politikat e tija arrogante kundër komunizmit, do të shkaktonte luftën e tretë botërore.  Politika e mbrendshme dhe e jashtme e dy mandateve të ish-presidentit Reagan është vlerësuar nga historianët dhe vet presidenti Reagan konsiderohet  tani si njëri prej presidentëve më të suksesshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara. 

Deshta që këtë histori ta lidhi disi – ndoshta jo me aq sukses — me gjëndjen aktuale politike këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, si rrjedhim i zgjedhjes së republikanit Donald Trump për president, pasi ka disa ngjashmëri, ndoshta jo midis këtyre dy personaliteteve, por ka krahasime të situatës së atëhershme me të sotëmen, qoftë në marrëdhëniet e mbrendshme qoftë në punët e jashtme me të cilat përballet sot Amerika.  Me këtë nuk dua të them se Donald Trump është Ronald Reagan.  Këtë nuk e besoj.  Unë kam patur fatin, si shumë bashk-moshatarë të brezit tim që të ishim dëshmitarë, nga afër dhe nga larg, të suksesit të veprimtarisë politike të Ronald Reagan si presdient i Amerikës, si në arenën ndërkombëtare  ashtu edhe në punët e mbrendshme të vendit.  E them me bindje të plotë se nuk besoj se Donald Trump është Ronald Reagan. Respekti im për Ronald Reagan është tepër i lartë dhe nuk lejon krahasim.  Por ajo që dua të them është se të gjithë ne, para se të bëjmë deklarata paragjykuese dhe të pa baza, megjith kundërshtimet ndaj Donald Trump, duhet të ndalemi dhe të marrim frymë qetësisht, ashtuqë të pakën të tregojmë respekt të drejtën dhe lirinë e votës të popullit amerikan, të shprehur në zgjedhjen e Donald Trump.  Donald Trump mund të bëhet president i mirë, i keq ose disi mesatar. Këtë gjykim nuk mund ta bëjmë tani, këtë vetëm koha do ta tregojë.  E vërteta është se nuk e di askush tani se çfarë presdienti do të jetë Trump, sepse ai ka edhe dy muaj që të fillojë nga detyra. Duhet marrë parasyshë se historikisht, premtimet dhe deklaratat e fushatave politike, ndryshohen, disa zbatohen e shumë të tjera injorohen, varsisht edhe nga gjëndja dhe zhvillimet e pa-parashikueshme në të ardhmen në Amerikë dhe në botë.

Ronald Reagan kishte të drejtë kur thonte se një pjesë e madhe e botës nuk e kuptojnë ende se Amerika do të thotë liri, se liria është diçka e veçantë dhe çmueshme për amerikanët.  Prandaj, kritikët e Donald Trump, sidomos ata jashtë vendit, para se të hedhin gjykimet dhe paragjykimet e tyre ideologjike kundër vendimit të votës së amerikanëve, bëjnë mirë që pikëspari të vlerësojnë lirinë dhe të drejtën e votuesve amerikanë për të zgjedhur presidentin e vet, i cili sipas vlersimit të tyre, i kupton sfidat dhe problemet me të cilat përballet vendi dhe bota dhe cilit kandidat dhe cilës parti ia japin votën e lirë dhe ia besojnë qeverinë për katër vitet e ardhëshme.  Donald Trump ishte vetëm njëri prej fituese, pa dyshim më fituesi kryesor në këto zgjedhje.  Nuk duhet harruar se përveç zgjedhjes së Ronald Trump për president, populli amerikan votoi gjithashtu republikanët me shumicë në të dy Dhomat e Kongresit, në Senat dhe në Dhomën e Përfaqsuesve. Dhe jo vetëm kaq. Shumica e shteteve amerikane, bazuar në votën e lirë të amerikanëve në zgjedhjet e fundit, Partia Republikane ka siguruar fitoren e shumicës së governatorëve si dhe asambleve të shteteve  anë e mbanë vendit.  Nga ky kënd vështrim, Presidenti i zgjedhur Trump dhe Partia Republikane, kanë një mandat jo vetëm në nivel federal por edhe shtetëror dhe vendas.  Shpresojmë se republikanët do të dinë ta përdorin pushtetin që u kanë dorëzuar amerikanët me votën e tyre të lirë.  Zgjedhjet, natyrisht kanë pasoja dhe duan ose nuk duan kritikët e Donald Trump, sidomos kritikët e jashtëm, se populli amerikan, shumica e të cilëve mendojnë se vendi është tani në rrugë të gabuar – me zgjedhjen e Donald Trump dhe të republikanëve në përgjithsi – kanë votuar për t’i dhënë këtij vendi një drejtim tjetër në të gjitha fushat, përfshirë sigurinë dhe marrëdhëniet ndëkombëtare.

Kjo natyrisht mbetet për tu parë, por në këtë ndërkohë duhet të kemi durim dhe të presim. Kritikët e Donald Trump, përfshirë edhe disa udhëheqës të lartë qeveritarë, sidomos në Europë, të mos humbasin besimin tek populli amerikan dhe të kenë besim tek Amerika si vendi i lirisë dhe të kuptojnë, siç është shprehur ish-presdienti Reagan – se liria, sidomos vota e lirë, është diçka e veçantë për amerikanët.  Të jeni të sigurt se me zgjedhjen e Donald Trump, amerikanët nuk kanë humbur as arsyen as gjykimin.  Fatkeqsisht, kritikët e rezultatit të zgjedhjeve të fundit në Shtetet, jo vetëm që nuk njohin mirë Amerikën, por as nuk vlerësojnë të drejtën e votës së lirë të amerikanëve, ndërkohë që e tregojnë veten edhe injorantë ndaj mënyrës se si, historikisht, funksionon sistemi politik në Amerikë.  Tri degët e qeverisë amerikane janë krijuar nga baballarët e këtij kombi me qëllim që as njëra prej këtyre degëve, përfshirë degën ekzektuive të presidentit, të mos mbizotërojnë njëra mbi tjetrën, por të kontrollojnë dhe të balancojnë njëra tjetrën.  Ata që besojnë në këtë parim, nuk kanë nevojë të shqetësohen se për cilin kandidat ose për cilën parti hidhet vota e lirë e amerikanëve. Unë nuk pretendoj të them se presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe shumica republikane në Kongres do të jenë aq të suksesshëm sa ishte ish-Presidenti Reagan.  Kjo mbetet për tu pa në muajt dhe vitet e ardhëshme, por besimi im në sistemin amerikan dhe në lirinë e Amerikës në përgjithësi dhe tek vota e lirë e amerikanëve në veçanti, më bëjnë të flejë rehat natën.       

 

 

 

.

                                    

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Liria e votes, mos nencmohet, se amerikaneve

Një nga Tre Objektivat e SHBA-ve për Shqipërinë

November 14, 2016 by dgreca

Ambasadori LU: Forcat e Armatosura Shqiptare,{FA}, një nga tre objektivat e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri./

ambasadori-lu-gjate-bashkebisedimit-me-qytetaret

Ne Foto: Ambasadori amerikan ne Tirane z. Donald Lu gjate bashkebisedimit me qytetaret./

Javën e kaluar, Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, në një komunikim online nëpërmjet rrjetit Facebook, ju përgjigj pyetjeve të shumta të qytetarëve lidhur me situatën në vend, reformën në drejtësi, marrdhëniet me SHBA-në, etj. Pyetjes së një qytetari për Ushtrinë Shqiptare, se a kanë SHBA-të, nonjë plan për të forcuar dhe modernizuar Forcat e Armatosura Shqiptare, ambasadori Lu ju përgjigj se, “Është një nga tre objektivat e qeverisë së SHBA në Shqipëri që ta ndihmojmë Shqipërinë të jetë një aleate më e fortë e NATO-s. Jemi duke realizuar një numur projektesh për të ndihmuar Forcat ushtarake. Së pari, i kemi dhënë Shqipërisë mundësinë të arsimojë e përgatisë oficerë dhe ushtarë të cdo rangu në SHBA. Së dyti, kemi zhvilluar trajnime me specialistë amerikanë këtu në Shqipëri, trajnime intensive që kanë rritur cilësinë e Forcat Speciale Shqiptare. Së treti, kemi krijuar kapacitete të një niveli të klasit botëror për identifikimin dhe carmatimin e eksplozivëve, brenda Forcave të Armatosura Shqiptare. Gjithashtu, po mbështesim me para, teknologji dhe pajisje për modernizimin e FA dhe po i ndihmojmë ato që të sigurojnë standartet e NATO-s. E fundit, por do të thoja më e rëndësishmja, ne po punojmë me Ministren e Mbrojtjes dhe Forcat e saj të Armatosura, për tu siguruar që të flitet për të drejtat e njeriut në Forcat e saj të Armatosura dhe për korrupsionin, sepse ne besojmë që në fund të fundit, NATO nuk është vetëm një forcë ushtarake, por dhe një aleancë vlerash”. {Sh.K}

Filed Under: Opinion Tagged With: e SHBA-ve për Shqipërinë, Forcimi i ushtrise, Një nga Tre, Objektivat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 527
  • 528
  • 529
  • 530
  • 531
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT