NGA ASLLAN BUSHATI/Që nga rënia e shtetit totalitar (gati çdo vit), kur afrohet dita e pavarsisë, politika në Shqipëri, do të gjejë nje sebep për ti nxehur gjakrat e thelluar më shumë ndasitë, duke mos e lënë popullin të qetë ta festojmë në mënyrën e vet paqësisht e bashkërisht, ditën më të rëndësishme të historisë së tij, pra 28 Nëntorin e çdo viti. Më e shëmtuara gjë në këtë drejtim është përdorimi i datave e ngjarjeve të historisë dhe veprimtaria e personave të veçantë (veçanërisht ato të Luftës Dytë Botërore-LDB), për qëllimet politike të ditës. Ky fenomen nuk ka qenë i përhapur në vendin tonë në kohën e Zogut dhe më parë, madje festimi është bërë me madhështi si evendiment shtetëror, por edhe si një festë popullore. Kurse në kohën e diktaturës komuniste festa ishte thjeshtë një fasadë e “arritjeve madhështore të PPSh-së dhe Shokut Enver”. Ndasitë i filloi dhe i bëri realitet që para 73 vitesh, E.Hoxha me partinë e tij komuniste dhe miqt e tij të ngushtë jugosllav, menjeherë pas Konferencës së Mukjes. Ai edhe ditën e çlirimit të LDB-së e caktoi të njejtë me atë të Jugosllavisë, (jo se ashtu kishte ndodhur), por për të mos ia prishur qefin Titos, Miladinit, Dushanit etj. (Ose ndoshta se edhe ai vetë e shihte Shqipërinë e asaj kohe si projektin e repubikës shtatë jugosllave). Madje jo vetëm kaq, por e dhunoi dhe e përdhosi historinë e LDB-së në mënyrë të tejskajshme, duke e bërë atë siç i deshi qejfi, duke përvetësuar cdo gjë të mirë saj dhe duke u faturuar kundërshtarëve të vet shqiptarë, cdo gjë të keqe. A thua se ushtria e Mbretërisë Shqiptare nuk hodhi asnjë plumb kundër pushtuesve italianë? Forcat nacionaliste si ato të Ballit Kombëtar, te Legalitetit,Muharrem Bajraktari dhe Kryezijt e Gjakovës, të mos kenë zbrazur asnjë armë të vetme dhe të mos jetë vrarë e plagosur për atdhe asnjë prej tyre? Mohuan tërësisht faktin se gjatë LDB-së në Shqipëri nuk ka patur asnjë element të luftës civile, gjë që ka qenë krejt e kundërta. Pse? Se i donin të gjitha meritat vetëm për vete e për pushtetin e ardhëshëm politik. Por populli dhe historia e LDB-së, kurrë nuk ju a ka mohuar partizanëve asnje nga ata që me të vërtetë quhem merita të bazuara në fakte, data e ngjarje. Por në LDB në Shqipëri nuk kanë luftuar vetëm partizanët, por edhe shumë formacione të tjera.
Në vazhdim të kësaj tradite të keqe ndasije, në të njejtën vijë, e në të njejtën llogore me idetë e E.Hoxhës (madje edhe më keq), është pozicionuar këto ditë edhe lideri i së majtës shqiptare e Kryeministri në detyrë Edi Rama. Shkak për këtë u bë Dekreti i Presidentit Nishani për zbardhjen e masakrës së 21 Tetorit 1943 në Lushnje nga Brigata e Parë partizane e komanduar nga Mehmet Shehu ku u vranë 67 vetë. Mbi bazën e fakteve të pa mohueshme Presidenti i dekoroi ata si viktima të pafajshme dhe pjesëtar të formacioneve të Ballit Kombëtar, veprim i cili u prit nga shumicën e njerëzve si një përpjekje për paqtim kombëtar.
Parë nga sa më sipër dhe nga një këndshikimi i pa anëshëm, gjykoj se është e drejtë të sjellim në fokusin e publikut problemin se: pse debate të historisë dhe të politikës së LDB-së, ngjallin kaq shumë reaksion në politikën e ditës në Shqipëri? Kur shoqëria shqiptare flet për viktimat e klerit nga regjimi komunist, me shumë të drejtë ka pajtueshmëri nga të gjithë njerëzit dhe të gjitha krahët e politikës, se ata janë martirë. Shumë drejt edhe unë pajtohem me këtë qëndrim. Po kjo bëhet për politikën e ditës se për ata botërisht foli edhe Papa, apo sepse me të vërtetë ata janë viktima dhe meritojnë një nderim akoma më të madh? Unë mendoj se ata janë martirë të vërtetë dhe meritojnë të gjitha llojet e nderimeve nga brezi ynë e breznitë që vijë pas. Por kur vjen puna për dekorimin e viktimave të Ballit Kombëtar të bëra po nga regjimi komunist, pse ka dy standarte, duke thënë se kjo është provokim i pastër politik i së djathtës ndaj të majtës. Pse? A nuk janë edhe ata (të 21 Tetorit 1943 në Lushnje) shqiptar si ata të klerit dhe gjithe shqiptarët e tjerë të flijuar për atdhe dhe ideale? E majta thotë ,jo ata janë tradhëtarë se bashkëpunuan me armikun. Pyetja shtrohet po çfarë tradhëtie bënë ata? Dikush thotë se ata bashkëpunuan me gjermanët. Dakort, por a bashkëpunuan të gjithë apo disa krerë? Po nëse vetëm disa krerë bashkëpunuan me gjermanët, ku qëndron tradhëtia, apo sepse ata me gjermanët bënë bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet e qeverisje të vetme, të cilën ne edhe sot nuk jemi në gjendje ta bëjmë. Ata bënë edhe dy vepra të tjera të mëdha si hapja e shkollave shqipe në çdo fshat dhe mbrojtja pa kushte e komunitetit hebre në trojet shqiptare me të cilat mburremi ne edhe në ditët e sotme. Ata vërtetë gabuan politikish se u radhitën me humbësin e LDB-së, por nuk duket asgjëkundi se ata kanë bërë ndonjë tradhëti ndaj atdheut. Atëhere edhe ato pak merita që ata i kanë realisht, shoqëria e sotme duhet t’ju a njohi, ndryshe gjykimi vazhdon të jetë i njëanëshëm e në të njëjtin kah me atë të shtetit totalitar. Nga ky kënd shikimi, pajtohem tërësisht me qëndrimin e Presidentit Nishani dhe të asajë pjese të opinionit që është në të njejtin anë me të.
Për balafaqim pikpamjesh me ata që lidhen pas konceptit te “tradhëtarit të LDB-së”, më duhet të theksoj se që në Konferencën e Mukjes, nacionalistët u kanë thënë komunistave se: në se doni të bashkëpunoni me ne edhe ju duhet të largoheni nga emisarët jugosllav se jeni bërë thjeshtë agjenturë e tyre. Pra parë nga këndshikimi nacionalist edhe komunistët janë konsideruar “tradhëtar dhe agjenturë” e jugasllavëve, gjë që është e mbështetur në fakte.
Në se e gjykojmë problemin nga fakti se kush kanë qenë këshilltarët ndërkombëtar të palëve në LDB del se: partizanët kanë patur jugosllav, angles dhe vonë rus e amerikanë. Nacionalistët: Legaliteti me Abas Kupin, Muharrem Bajraktari, dhe Kryezijt kanë patur vetëm angles. Mbi bazën e këshillimeve të ndërkombëtarëve kush mund të quhet “tradhëtar” dhe kush “atdhetar”? Pra është e pa kuptimtë, se edhe në luftë është bërë politikë, por politika dhe lufta janë dy gjëra të ndryshme. Disa humbën politikish, por duke mos bërë vepra kundër atdheut ata nuk mund të quhen edhe sot pas shtatëdhjëtë e sa vitesh tradhëtar. A mund të quhet tradhëtar Abas Kupi? Në se po, kjo është thjeshtë marrëzi enveriane.
Personalisht si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare, si intelektual, por edhe si opinionist në media, gjykoj se: Së pari duhet të kemi një vlerësim të përbashkët për konceptin martir ose dëshmor. Gjithkush është vrarë nga plumbi i armikut të atdheut, duhet të quhet dhe dekorohet si martir ose dëshmor. Por, vlersime të larta duhet të marri edhe gjithkush ka marrë plagë e ka lënë pjesë të trupit në fushbetejën e mbrojtjes atdheut. Së dyti: Kemi shumë nevojë për vendosjen e një paqeje me vehten si shoqëri, për më shumë respekt për pikpamjet e njeri tjetrit, për tolerancë, dashuri e luftë politike me programe e jo me fyerje. Së treti: të gjejmë të gjtha mënyrat që ti kapërcejmë dasitë e çdo lloji, e të mos e përdorim historinë për problemet politike të ditës. Historinë ta xhveshim nga mitet dhe t’ju a lëmë historianëve. Nuk është ndonjë skandal i madh të pranojmë se në LDB-në tonë ka patur shumë element të luftës civile, sepse luftë civile ka patur edhe në Amerikë, Itali, Spanjë, Greqi etj.
Së fundi dëshiroj e shpresoj që politikanët tanë të civilizohen më shumë, të ndahen nga fodullëku, avanturizmat e gënjeshtrat, korrupsioni e krimi. Të krijojnë më shumë vende pune për shtetasit shqiptarë dhe të mbrojnë më me forcë interest madhore kombëtare. Njerëzit si të kenë pare e punë dhe shtet të fortë ligjor, nuk ka nevojë ti mësojë kush se si te bënjë qejf e si ti festojnë festat përfshi edhe atë të pavarsisë.