• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mos harro!

August 17, 2016 by dgreca

Gjashtëdhjeteshtatë vjet më parë/

Nga Reshat Kripa/

O ti qytetar, që kalon nëpër këtë rrugë të përmasave ndërkombëtare, mos harro se gjashtëdhjeteshtatë vjet më parë në këtë krahinë kryhej një nga masakrat më të përgjakëshme të historisë së këtij vendi. Kjo masakër nuk ushtrohej nga ndonjë pushtues i huaj. Ishin vetë shqipëtarët që vrisnin shqipëtarë, ishin vetë shqipëtarët që burgosnin shqipëtarë, ishin vetë shqipëtarët që internonin burra, gra, pleq dhe fëmijë shqipëtarë, vetëm e vetëm pse ata mendonin ndryshe nga klika që ishte në pushtet.

Ju, që i keni përjetuar ato ditë, mos harroni! Shqipëria nuk ka qenë kjo që është sot. Atë e kishte gllabëruar në kthetrat e saj kuçedra e kuqe që jetonte me gjakun e popullit të vetë. Por kishte edhe gra e burra dhe të rinj që kishin kurajon t’i kundërviheshin kësaj kuçedre dhe për këtë sakrifikonin edhe veten e tyre. Shqipëria ishte ndarë në dy blloqe të mëdha. Në njerin krahë qëndronin luftëtarët e lirisë , demokracisë dhe fjalës së lirë, ndërsa në krahun tjetër përfaqësuesit e errësirës dhe skllavërisë. Në krahun e demokracisë ishin pikërisht këta burra që përkujtojmë sot.

Viti 1949. Në Mirditë vritet një sekretar partie. Egërsia e pushtetit arrin kulmin. Duke ndjekur shembullin e pushtuesve nazist, për një të vrarë duhej të paguanin qindra të tjerë. Kjo ishte logjika e diktatorëve. Mirdita u bë shembulli i zbatimit të kësaj politike të trashëguar që nga periudha e inkuizicionit. Rezultati, katër martirë të varur në litar dhe dhjetë të tjerë të pushkatuar. Por hakmarrja e kuqe nuk përfundoi këtu. Dhjetra të burgosur dhe qindra të internuar në ato kampe të tmerrshme të punës së detyruar.

Mos harro, o qytetar! Liria që gëzojmë sot nuk erdhi vetë. Për atë u lufttua që me marrjen e pushtetit nga barbarët e kuq. Kjo betejë vazhdoi gjatë, për dyzetegjashtë vjet dhe u kurorëzua me sukses me demostratën e studentëve shqiptarë në dhjetor 1990.

Por hijet e kuçedrës së kuqe vazhdojnë të lëvizin ende nëpër vendin tonë. Ato vazhdojnë të helmojnë atmosferën e përgjithëshme demokratike që sundon në vend. Jo rrallë dëgjojmë zëra mjeranë që “çirren e shkulin flokët për demokracinë”, kurse nga ana tjetër qajnë e vajtojnë për ditët e perënduara.

Një pinjoll i një kreu të nomenklaturës së kuqe, mburret duke deklaruar se qenka krenar që babaj i tij paska qenë Sekretar i Parë i Partisë së Punës. Pikërisht ky pinjoll, na paska studjuar në perëndim, duke marrë edhe mastera dhe doktorata. Por a e di ai se ishte pikërisht babaj i tij dhe shokët e tjerë të partisë që nuk lanë më baltë pa hedhur mbi ato vende perëndimore ku ai ka studjuar? A e di ai se ishte pikërisht i ati që ka venë firmën mbi qindra të ekzekutuar dhe mbi mijra të internuar në kampet e vdekjes dhe burgjet e tmerrshme? Dhe ky individ sot mban postin e nje ministri.

Unë do t’u thosha këtyre individëve: Si nuk keni turp zotërinj?  Nëse ju ka mbetur ende një fije nderi në ndërgjegjen tuaj, kërkoni ndjesë për krimet e kryera nga etërit tuaj, në të kundërt heshtni dhe mos merrni mbi vehte krimet e tyre.

Duke kujtuar ngjarjet e këtij përvjetori, para syve më dalin vargjet e poetit, që në fillim të viteve nëntëdhjetë shkruante:

Fitimtarët, fitimtarë,

Të mundurit, të mundur në përjetësi

Atëhere, po të jetë kështu,

Mos ardhsh  kurrë demokraci!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: MOS HARRO, reshat kripa

Republikanët anti Trump, letër për Komitetin Kombëtar

August 12, 2016 by dgreca

Më shumë se 70 republikanë, i dërguan një letër të hapur Komitetit Kombëtar të partisë duke i kërkuar këtij organizmi që të mos e ndihmojë më fushatën e Donald Trump. Sipas firmëtarëve të letrës, qëndrimi ndarës dhe paaftësia e Trump rrezikojnë që të dëmtojnë ndjeshëm partinë në zgjedhje e nëntorit. Në letër shkruhet se partia duhet të harrojë Trump dhe të fokusohet tek kandidatët që garojnë për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve. Kjo do të thotë se një pjesë e republikanëve që kundështojnë Trumpin, i cilësojnë të humbura zgjedhjet presidencaile në nëntor dhe duan që të kufizojnë sa më shumë disfatën duke u paraqitur sa më mirë që të munden në zgjedhje për Kongresin.  “Ne besojmë se ndarja, papërgjegjshmëria, paaftësia dhe mungesa rekord e popullaritet që Trump ofron, do të sjellë një fitore të jashtëzakonshme të demokratëve në zgjedhje presidenciale”, shkruhet në letër.  Sipas kundërshtarëve të Trump, partia duhet të fokusojë burimet që ka në dispozicion tek garat për senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve, pasi gara e Trumpit është tashmë e humbur dhe kjo bëhet e qartë nga dita në ditë.  Vetë Trump, duke reaguar ndaj letërs tha se nuk është aspak i shqetësuar se partia mund t’i presë fondet dhe ai mund të bëjë të njëjtën gjë, të mos financojë më Partinë Republikane.  Kritikët kërkojnë që Trump të lërë vullnetarisht kandidimin për ta zëvendësuar, por zor se ai do ta bëjë. mbi të gjitha rregullorja e partisë nuk lejon gjetjen e një tjetër kandidati në këtë pikë të garës. Disa republikanë kanë sugjeruar një rregullore që s’është përdorur kurrë më parë: shpallja e Trumpit jo mirë mendërisht nga Komiteti Kombëtar. Por të shpallësh të çmendur njeriun që është zgjedhur nga më shumë se 10 milionë amerikanë është një lëvizje tepër e guximshme dhe nuk dihet se çpasoja mund të sjellë. Sondazhet tregojnë se Trump po humbet terren në shtetet të rëndësishme për zgjedhje dhe krerët e partisë duhet të marrin vendime të vështira.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: leter, për Komitetin Kombëtar, Republikanët anti Trump

HAPJA E DOSJEVE – NA ZGJATË JETEN !

August 12, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 NE FOTO: SELIA E PARË/

 1946 ÇKA THA HAFIZ IBRAHIM DALLIU ?/

■Hafiz Ibrahim Dalliu (1878 – 1952) Në vitin 1946, dënohët mbasi deklaron në hetuesinë e Tiranës: “… Kam dëgjuar ndër stacionet e Amerikës dhe të Londrës lajmet anglisht, mbasi dëshroja që ata të zbarkonin në Shqipëri …

■Ne nuk kemi asnjë lidhje me Lindjen as të afërme dhe as të largët. Nga turqit ne kemi marrë vetëm besimin. Për tjera nuk ka çka na duhët Anadolli… Shqipëria është shtet që i përket vetëm Europës. Me Europën na lidhë pozita gjeografike, mardhenjet shtetrore, ato kulturore e të gjitha tjerat që vijnë pas, për një jetë më të mirë dhe të begatëshme të popullit tonë …” (Dosja I. Dalliu)

***

1953 ÇKA THA ENVER HOXHA NË MBLEDHJEN E BYROSË POLITIKE…

■DOKUMENTI (Falenderoj z. Afrim Imaj, per botimin e këtij Dokumenti. F.R.)

Protokoll nr. 20, datë 17 korrik 1953

Mbledhja e Byrosë Politike të K.Q. të Partisë dhe e Këshillit të Ministrave të R.P.Sh.

Rendi i ditës…

■ENVER HOXHA: Desha të flas pak për çështjen e zëvendësimit të Presidentit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Sot erdhi tek unë dr. Omer Nishani. Pasi folëm pak, unë ia hapa dhe i thashë se u plake, more doktor, ke menduar ndonjëherë për punën? Pastaj, shtova, të dy ne, unë si Kryeministër dhe ti si President, jemi nga Gjirokastra. Populli i sheh këto gjëra dhe ka njerëz që thonë se e morën të tërë Shqipërinë toskët në dorë. Një gjë e tillë më ka rënë dhe mua në mendje, tha doktori.

Pastaj i thashë, ti u plake, megjithëse Partia ndonjë rezervë në dorë për ty nuk ka dhe ato që kemi pasur t’i kemi thënë haptazi, kur ke gabuar të kemi kritikuar dhe ty ato kritika të kanë shërbyer. Këto fjalë të miat nuk i priti keq se bisedova me të edhe më gjatë…

Pastaj ai më tha: Të them të drejtën, edhe unë kam menduar për këtë gjë, po jo se jam nga Gjirokastra. Pastaj filloi të qajë…

■Mendoj që të jetë një njeri nga Veriu. Një nga ata mund të ishte edhe Myslim Peza, por ai është pa shkollë e këndim, pa kulturë, prandaj na duhet një tjetër…Tani puna është se me kë ta zëvendësojmë. Propozimi ynë është për Haxhi Lleshin. Në Presidium duhet të jetë një anëtar i KQ që t’i marrë të gjitha kompetencat.

Haxhinë ne e njohim të gjithë. Është anëtar i Plenumit, i lidhur që në fillim me Partinë, megjithëse nga ana e origjinës është bajraktar dhe rrethin familjar e ka të keq. Gruaja e Haxhiut është nga një familje që të tërë njerëzit ia kemi pushkatuar ne.

■Kështu të gjykosh, i thashë dhe mos u nxito në mendime. Haxhinë e para ne e njohim. Është një shok nga Veriu, është luftëtar dhe anëtar i Plenumit të KQ-së, por edhe duhet të punojë se është ca i avashëm. Pastaj është edhe shoku Pilo Peristeri. Ai është më i mirë nga Haxhiu, vetëm që është çështja e sindikatave.

■Pastaj Pilua është edhe i krishterë, kurse shumicën e popullit e kemi myslimanë dhe populli e sheh shumë këtë anë. Po të vihet çështja Pilua apo Haxhiu, preferohet më përpara Pilua, më shumë se Haxhiu… Por në kushtet konkrete, ky i fundit është më i përshtatshëm për nga besimi mysliman dhe prejardhja nga Veriu…

■SPIRO KOLEKA: Mbasi është nga Veriu edhe unë jam i mendimit të jetë Haxhiu, pastaj është edhe mysliman.

■LIRI BELISHOVA: Pse mos të vemë Tuk Jakovën?

■ENVER HOXHA: Atje nuk ka ndonjë operativitet të madh, do të rrijë të presë popullin, d.m.th. do të shohë lutjet e popullit me kujdes, ligjet që do t’i paraqiten Kuvendit, çështjet e fajeve të dënimit me vdekje etj…

■(Pas diskutimeve, shumica në fillim e pastaj të gjithë janë dakord që të zgjidhet president i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi). 

■Lexues të nderuem, Ju lutem lexoni me kujdes thanjet e të Ndjerit Hafiz Dalliu, dhe kur të perfundoni së lexuemi thanjet e Enver Hoxhës, vlersoni Hapjen e Dosjeve!

■Vetem hapja e Dosjeve tregon pse nuk preken “dekorata e tituj” të kriminelëve, të cilët përditë po “ringjallen” dhe po vazhdojnë me u nderue nga pasuesit e tyne…

■Edhe kjo Dosje… asht një nder ato shumë të tjera që pengon hapjen e tyne!

            Melbourne, Gusht 2016.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, hapja e dosjeve, NA ZGJATË JETEN !

Replike me Artur Zhejin:Majmunërinë nuk e sollën emigrantët!

August 10, 2016 by dgreca

Na thoni se kush është “majmuni” z. Zheji?!/

Nga Etmond Guri/

Kryetar i F.SH.SH.G/

Me keqardhje lexuam, si unë dhe me mijëra emigrantë që jetojmë prej vitesh jashtë Shqipërisë një opinion të z. Artur Zheji, ku fjalori i tij i “pasur”, “niveli i lartë akademik” i këtij opinionisti të “madh” arrin deri aty, saqë ai jo vetëm na befasoi të gjithëve por ia kaloi dhe vetvetes në rastin më të mirë!

“Kafsha është e rrezikshme atëherë kur është e uritur, kurse njeriu kur është i ngopur” thonë.

Ju Zoti Zheji jeni pikërisht njeri i ngopur dhe kërkoni me truke të tilla të ulëta të shmangni vëmendjen e atyre që ju shqetëson shumë pse ata janë fokusuar mbi ju për arsye që ju i dini shumë mirë.

Të quash bashkëkombësit e tu “majmunë”, nuk ka mendje të shëndetshme të përceptojë apo ta analizojë qoftë dhe shkencërisht një logjikë të tillë kaq të sëmurë.

Jo zoti Artur Zheji! Majmunërinë nuk e sollën emigrantët!

Atë e gjetëm midis jush! Në titujt pompozë të shkrimeve tuaja dhe të kolegëve tuaj, në emisionet tuaja bajate, në analizat shumëfjalëshe por boshe në thelb.

Majmunerinë e gjetëm në batutat e ndyra që shkëmbeni me njëri-tjetrin, në gjuhën banale që përdorni në media.

Në fjalët e huaja që i përdorni për t’u dukur interesantë, edhe pse varfëroni përditë gjuhën shqipe.

U shqetesuat z. Zheji pse u ndeshët me disa emigrantë që kishin vështirësi me shqipen dhe nuk ju shqetëson gjuha skandaloze që përdor administrata jonë analfabete!!! Nuk ju shqetëson gjuha dhe programet skandaloze të Radiotelevizionit Shqiptar, që ju keni drejtuar dhe nuk i kushtuat qoftë një reportazh, emison apo më keq akoma një program edukativ e mësimor për fëmijët e emigrantëve të cilët ju mbajnë me bukë, duke paguar rregullisht taksat.

Ju që pretendoni se jeni analist, besoj se vuani nga sindroma ksenofobisë. Vetëm pak ditë më parë shprehët bindjet tuaja antiamerikane, madje iu perveshët dhe ambasadorit Lu, i cili luftoi kaq shumë për reformën në drejtësi. Tani iu versulet emigrantëve të ndershëm sepse nuk dini punë tjeter veç servilizmit. Kur qeveritë e mëparshme ishin zhytur në korrupsion, ju i thurrnit lavde, ndërsa ne emigrantët, ishim negociatorët më të mirë që Shqipëria të përftonte statusin e shtetit – kandidat për në BE.

Sepse kur ju z. Zheji morët në intervistë deputetin nazist të “Agimit të Artë” Kristo Papa dhe ju tundte gjithë përçmim dhe përdhosi flamurin tonë kuq e zi, ofendonte brutalisht shqiptarët dhe historinë brilante të Shqipërinë, ju nuk bëtë asnjë reagim, madje fërkonit duart për reagimet që do shkaktonte kjo intervistë. Ndërsa ne emigrantët z. Zheji, jo vetëm që nuk iu nënshtruam politikave të tilla të qarqeve shoviniste, por u bëmë ballë duke hapur shkolla të gjuhës shqipe pa ndihmën e qeverive që ju u serviloseni me shkëmbim kolltukun e drejtorive që ju ofronin, u bëmë ballë duke protestuar e festuar pavarësinë e Kosovës në sheshin “Omonia”, festonim dhe festojmë me dashuri, respekt e nder festat kombëtare ku flamuri ynë valëvitet gjithë krenari e lavdi ashtu siç i ka hije pranë flamurit të vendit pritës.

Më thoni tani, se kush është majmuni z. Zheji?!

Filed Under: Mergata, Opinion Tagged With: Etmond Guri, Replike me Artur Zheji

Serbizimit i besimtarëve mysliman përmes sistemit shkollor

August 9, 2016 by dgreca

Si erdhi deri te hapja e shkollës serbe, në të cilën emri “Medrese” në mënyrë më djallëzore përdoret për mashtrimin e popujve joserbë, mbi të gjitha shqiptarëve jashtë Kosovës së sotme?/

Nga Ismet Azizi/

Kur në vitin 1912, Serbia e okupoi Kosovën dhe Sanxhakun, autoritetet e atëhershme serbe morën qëndrim se shkollimi i popujve tjerë (joserbë) është në kundërshtim me interesat e politikës shtetërore serbe. Derisa ne aspektin politik dhe edukativ te jene në nivelin që ishin, lehtë mund të manipulohet me ta.Tendenca serbe që popujt e shtypur të mbahen sa më gjatë në nivel të ulët të arsimit, është aplikuar ndaj shqiptarëve si model i “suksesshëm”. Ky model është zbatuar për popullatën e Sanxhakut (boshnjakët e sotshëm).

Rreth vitit 1920, struktura qeverisëse serbe erdhi në përfundim se një politikë e tillë nuk e siguron stabilitetin e regjimit shtetëror, por i thellon konfliktet në mes të shqiptarëve, sanxhaklinjëve (boshnjakëve të sotëm) dhe turqve të nënshtruar në njërën anë, dhe serbëve në pushtet. Pastaj, sundimtarët serbë kuptojnë se një situatë e tillë bie në kundërshtim me mendimin kombëtar serb i cili ishte i bazuar në faktin se serbizimi i boshnjakëve, sidomos i sanxhaklinjëve, më shpejtë arrihet nëpërmjet shkollimit.

Gjeografi dhe etnografi serb, Jovan Cvijiq, ka publikuar studime dhe libra të shumtë për të shpjeguar se si duhet ‘t’i konvertojmë të tjerët në serbë. Jefto Dedijer, pasuesi i Cvijiqit (babai i biografit të Titos, Vladimiririt dhe Stevanit), më pas botoi librin “Serbia e re” ku flitet për shqiptarët, boshnjakët, turqit etj. Autori thotë: “Ne këta do t’i shndërrojmë në serbë, por jo me ‘qytek’, por nëpërmjet shkollimit dhe me mjete të tjera”.

Qeveria e Mbretërisë Jugosllave, Shkupin e kishte shpallur qendër të “trevave jugore serbe” ose në “Banovinës së Vardarit” në kuptimin administrativ. Prandaj, këtu ishin vendosur një numër i madh i institucioneve civile e ushtarake jugosllave, siç ishin: udhëheqja e Banovinës në krye me Banin, Qendra për Realizimin e Reformës Agrare, ministritë rajonale, si ajo e Arsimit, e Fesë, e Drejtësisë, Policisë, Bujqësisë, si dhe Komanda e Tretë e Armatës.

Në këtë kohë, në regjimin serb mbizotëronte pikëpamja se ka nevojë për të gjetur forma të reja për t’i përfituar folësit sllavë, në mënyrë që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkolla, në të cilat, besimtarët myslimanë të Sanxhakut dhe ata të Kosovës, nuk kishin besim. Për këtë arsye, me propozimin e Ministrisë serbe të Fesë, me dekretin mbretëror të 24 prillit të viti 1924, formohet Shkolla e Mesme Speciale e cila iu dedikohej boshnjakëve, shqiptarëve dhe turqve. Në mënyrë që shkolla të pranohet më mirë, ishte emëruar “Medreseja e Madhe e Mbretit Aleksandër I”, e cila hapet në Shkup në vitin 1925.

Bashkësia Fetare Islame në Mbretërinë e SKS (Serbe-Kroate-Sllovene), përkatësisht Ulema Mexhlisi i Shkupit, i cili përfshinte tërë viset shqiptare në Jugosllavi, pati një rol të rëndësishëm në organizimin e popullsisë myslimane. Nisur nga ky fakt, pushteti i atëhershëm jugosllav te kjo organizatë shihte një “alet” (vegël) të fuqishme për realizimin e planeve të veta të errëta, siç ishin: asimilimi i popullsisë myslimane, veçanërisht të asaj shqiptare e turke; dëbimi i dhunshëm i kësaj popullsie për në Turqi dhe kolonizimi i këtyre viseve me kolonist sllavë.

Për këtë qëllim, zyrtarët e Beogradit, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ndërhynë brutalisht në organizimin e brendshëm të Bashkësisë Fetare Islame, duke emëruar emisarë të tyre nëpër të gjitha organet drejtuese të saja. Këta emisarë, të cilët vinin nga Bosnja e Hercegovina, siç ishin Hasan Rebac, Ahmed Mehmedbashiq, Fejzi Haxhiamziq, Sheçerkadiq e shumë të tjerë, në përpikëri do t’i zbatojnë detyrat e pranuara nga padronët e tyre të Beogradit.

Përveç kësaj, me qëllim të realizimit të planeve të parapara, Qeveria mbretërore e atëhershme e SKS-së, në vitin 1925, në Shkup, hapi një shkollë të mesme gjoja për krijimin e “kuadrit fetar” për popullsinë myslimane, për viset – siç thuhej – “jugore jugosllave”. Në këtë shkollë, që e mori emrin “Medreseja e Madhe e Kral Aleksandrit të I-rë”, përveç drejtorit (Mehmedbashiq, një mysliman nga Bosnja e Hercegovina, i deklaruar si serb), nuk pati asnjë të punësuar që i takonte besimit Islam. Përkundrazi, të gjithë ishin të krishterë, serb ose rus, përfshirë këtu edhe mësimdhënësit e lëndëve fetare si dhe edukatorët.

Ideologët e atëhershëm serbë kanë qenë shumë të vetëdijshëm për atë se çka do të thotë për besimtarët myslimanë emërtimi “Medrese”. Kjo ishte arsyeja edhe pse bëhej fjalë për gjimnazin serb, përdorimi i emërtimit “Medrese”, që në këtë mënyrë t’i tërheqë sanxhaklinjtë dhe myslimanët tjerë që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre. Që mashtrimi të jetë edhe më perfid, në “Medresenë” serbe, përveç lëndëve të gjimnazit, ishte shtuar edhe mësimi i Kuranit, njëra nga gjuhët orientale, por sipas kurrikulës shkollore të përgatitur nga Beogradi zyrtar.

Çerdhja kryesore e serbomëdhenjve, ishte Medreseja e Madhe, e cila u themelua në shtator të vitit 1925, me propozim të Ministrisë për Fe të Qeverisë së atëhershme të mbretërisë së SKS-së, dhe me dekretin e Mbretit Aleksandri i I-rë, të datës 24 prill 1924, e cila e mori emrin: “Medreseja e Madhe Kral Aleksandri i I-rë”.

Qëllimi primar i kësaj shkolle ishte asimilimi i popullsisë shqiptare dhe asaj të Sanxhakut. Këtë mund ta shohim në raportin vjetor për punën e kësaj shkolle, dërguar me 14 korrik 1930, Ministrisë së Arsimit. Dragosllav Jovanoviq, këshilltar i ministrit, përndryshe profesor universitar, qartë shprehet: “Përveç drejtorit Mehmedbashiq, nuk ka asnjë arsimtar ose edukator i besimit islam, por të gjithë janë ortodoksë të vërtetë, serbë ose rusë”.

Në vazhdim, ai në raport ndalet në shkaqet e themelimit të shkollës ku shprehimisht thotë: “Që t’ju dilet në ndihmë, elementeve myslimane të shkojnë në rrugën e vërtetë të arsimimit dhe progresit, të bëhet përtëritja e kuadrit teologjik, të edukuar nëpër shkollat në frymën e kulturës sonë”. Mandej shton “sigurimin e kuadrove për nevojat tona shtetërore dhe aspiratave e idealeve tona nacionale. Të eliminohet propaganda e huaj në mesin e shqiptarëve dhe turqve, që të përshpejtohet procesi i asimilimit. Si zgjidhje më e përshtatshme e çështjes sonë u pa hapja e shkollës Medreseja e Madhe…” , përfundon Jovanoviq.

Vijuesit e kësaj shkolle kishin strehimin dhe ushqimin në konviktin shkollor pa pagesë. Pa pagesë dhe të detyrueshme ishin edhe uniformat e shkollore. Përveç lëndëve tjera mësimore të gjimnazit, nxënësit e kësaj “Medreseje” janë marrë edhe me muzikë dhe kanë pasur dy kore dhe tri orkestra, seksionin e dramës, seksionin sportiv dhe letrar.

Çfarë kanë përfaqësuar shoqëritë e Sokolave Serbë, më së miri e shpjegon ky citat: “Sokolat Serbë paraqesin një lëvizje kombëtare e cila me ushtrimet fizike mbulon qëllimin e saj, d.m.th. bashkimi i të gjitha tokave serbe në një tërësi…”!

Rregullat e shoqatës së Sokolave ishin se të gjithë anëtarët e shoqatës, pavarësisht se nga janë, në mes vete duhet të quheshin “vëlla”, ndërsa përshëndetje e vetme ishte “zdravo”. Pra, boshnjakët, shqiptarët e turqit, si anëtarë të shoqatës së “Medresesë”, Sokol, ishin të detyruar t’i quanin “vëllezër” edhe ata “jeta e të cilëve ishte në duart e tyre”. Në të njëjtën kohë, në vitin 1924, këta “vëllezër” i kanë vra, mandej djegë në hell rreth 6000-7000 banorë të Shahoviqit

Medreseja e Madhe e Mbretit Aleksandar Karagjorgjeviq I, në Shkup, ka pasur detyrë themelore: t’i ngufasin sistematikisht ndjenjat kombëtare dhe fetare të studentëve dhe të formojnë njerëz të cilët do të i shërbejnë me besnikëri regjimit serb. Dëshmia më e mirë për këtë është fakti se pothuajse të gjithë nxënësit e “medreseve” mbretërore, kanë vazhduar “edukimin” e tyre në disa fakultete serbe dhe pothuajse asnjë prej tyre kurrë nuk u bë imam. Asnjëri prej tyre kurrë nuk ka bërë punë për komunitetin mysliman. Si medresantë të diplomuar, kur janë kthyen në vendet e tyre, këta myslimanë të serbizuar kanë themeluar shoqata të ndryshme e assesi institucione islame.

Nuk është rastësi që në këtë “medrese” serbe në Shkup, shumica e vijuesve ishin nga Sanxhaku në krahasim nga viset tjera. Mësimi zhvillohej në gjuhën serbe, dhe ishte e përshtatshme për popullsinë e Sanxhakut , popullsi e cila e kishte në përdorim gjuhën serbe!

Për shkak të qëndrimit jo të denjë të boshnjakëve ndaj sllavizmit (serbizimit) të dukshëm të cilin regjimi ua imponoi, në mesin e popullit shqiptar dhe turk në Kosovë në mënyrë të hapur flitej se “boshnjakët po na serbizojnë fëmijët”. Kjo është theksuar veçanërisht në takimet “Xhemijetit”, partisë politike që u mblodhën të gjithë myslimanët nga zona e Sanxhakut dhe Kosovës. Prandaj, Aqif Effendi Blyta dhe Ferhat-bej Draga morën iniciativën për krijimin e një Medrese të mirëfilltë në Shkup. Kjo edhe u arrit në vitin 1925, si e vetmja mënyrë për të kundërshtuar regjimin në serbizimin e besimtarëve myslimanë. Medreseja e Isa Beut, me iniciativën e prijësve fetarë dhe intelektualëve të atëhershëm, më 1932 u rindërtua, kështu që në vitin 1936 u krijuan kushte për të filluar me punë të rregullt. Njëkohësisht u reformua edhe programi i saj dhe ajo fitoi statusin e shkollës së mesme.

Ndër aktivitetet e shumta që zhvilluan organizatat fetare dhe kuadrot e dala nga Medreseja, gjatë periudhës kohore 1937-1941, duhet veçuar fushatat e bujshme kundër shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Qarqet e atëhershme, policore e ushtarake jugosllave, me të madhe e akuzonin udhëheqjen e Ulema Mexhlisit të Shkupit, për aktivitetin e saj politik e organizativ brenda popullsisë shqiptare, që sipas tyre binte ndesh me “politikën shtetërore” dhe se në mënyrë të dukshme po i acaronte marrëdhëniet fetare e nacionale në ato vise. Sipas tyre, bartës i këtyre aktiviteteve ishte Ferhat bej Draga, i cili siç vihej në dukje “me ndihmën e Mehmed Spahos ka arritur ta shqiptarizojë Bashkësinë Fetare Islame në Shkup dhe se “tash më ai është shpall lider i pakontestueshëm i shqiptarëve në Jugosllavi”.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ismet Azizi, përmes, Serbizimit i besimtarëve mysliman, sistemit shkollor

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 548
  • 549
  • 550
  • 551
  • 552
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT