• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mjerë ne që po udhëhiqemi nga ish- të varfrit!

August 24, 2015 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/Prishtine/
Babai im i ndjerë gjithmonë më thoshte: Nëse e marrin pushtetin njerëzit që para ardhjes në politikë kanë qenë të varfër dhe të pashkolluar, është shumë rrezik për atë shtet dhe për atë popull, sepse ata janë të pangopur dhe nuk kanë kufi! Pastaj pas disa viteve kur lëshojnë rrënjë të thella në politikë, është vështirë për t’i larguar nga pushteti! Dhe me të vërtetë ashtu ishte dhe ashtu ndodhi. Shteti ra në duart e njerëzve të tillë, njerëz që paraluftës ishin të varfër, të pacivilizuar dhe të paarsimuar. Këta politikanë të sotëm nga super të varfër, u shndërruan në njerëz super të pasur. Nga njerëz të pacivilizuar dhe çobanë, u shndërruan në njerëz të ”civilizuar”! Nga njerëz të pashkolluar, u shndërruan në njerëz të diplomuar, me diploma fakulteti, master e deri tek ”doktor shkence”! Të gjithë u bënë me diploma universiteti, magjistra, doktorë “shkencash” e akademikë. U kujdesën edhe për gratë e tyre, fëmijët, familjen e ngushtë dhe të gjerë, që brenda natës të marrin diploma universiteti e deri tek doktoraturat. I punësuan gratë, burrat, fëmijët, dajat, tezet, hallat, xhaxhallarët, fisin, farefisin, shokët e miqtë, në institucionet më të rëndësishme shtetërore. Punësuan edhe dashnoret dhe dashnorët e tyre. Uzurpuan edhe TV publik, duke e mbushur me familjarë të tyre. Gratë dhe dashnoret e tyre injorante dhe gjysmanalfabete, që në fillim s’dinin as t’i lidhnin dy fjalë, falë fuqisë së burrave që i kanë në pushtet, brenda natës u bënë femra të “shkolluara” dhe të “emancipuara”. “Zonjat” e tyre nga fshatare dhe amvise të thjeshta, u graduan me lloj-lloj titulli. Të gjitha u bënë profesoresha universiteti. Këto “zonja” që para luftës ishin injorante dhe analfabete, pasluftës u fuqizuan aq lart me pozita, saqë uzurpuan të gjitha universitetet publike dhe private për t’i “edukuar” fëmijët tanë. Kurse fëmijët e tyre me paratë tona u shkolluan në shkollat më prestigjioze të botës.

Shteti që udhëhiqet nga injorantët!

Këta ish-të varfër, debilë e analfabetë, sot janë bërë multimilionerë, politikanë, diplomatë, akademikë, profesorë dhe çka jo tjetër! Çdo institucion shtetëror e uzurpuan dhe e familjarizuan. E mbushën administratën shtetërore me lloj-lloj debili, analfabeti, injoranti, banditi, skizofreni e psikopati. Uzurpuan shtetin dhe kapën për fyti çdo institucion shtetëror. Plaçkitën dhe vodhën të gjitha fabrikat dhe ndërmarrjet shtetërore e publike. Krijuan monopol në ekonominë e Kosovës. Për çdo ditë pamëshirshëm e zhvatin paranë publike, dhe atë në mënyrën më të tmerrshme. Abuzojnë me ligjin, me shtetin, me qytetarët dhe paratë e tyre. Abuzojnë edhe me makinat dhe telefonat zyrtarë për nevojat e tyre personale. Rrënuan, shkatërruan dhe degraduan çdo gjë. Sot këta debilë jo vetëm që diktojnë shtetin, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, ekonominë, policinë, diplomacinë, mediet, por diktojnë edhe jetën e çdo qytetari të Kosovës. Diktojnë edhe ajrin e Kosovës dhe frymën e qytetarëve të saj. Janë bërë të paprekshëm nga sistemi i drejtësisë, pavarësisht se kanë vjedhur, plaçkitur, kanë vrarë dhe kanë bërë krime të natyrave të ndryshme. Me paratë e këtij populli, kanë degjeneruar në superluks. Jetojnë si mbretër dhe pashallarë. Janë shndërruar në diktatorë ”modernë”. Me paratë e këtij populli bëjnë xhiro nëpër botë, me gratë, burrat, fëmijët, dashnoret dhe dashnorët e tyre, nëpër plazhet dhe hotelet më superluksoze të botës. Nuk duan të flasin për dështimet e tyre, duan të flasin vetëm çfarë duan ata, se gjoja kanë arritur vetëm ”suksese”. Madje janë bërë shumë arrogantë dhe të egër. Kur kritikohen për të bëmat e tyre, përgjigjen me arrogancë, madje popullit i shesin edhe ”moral”.
As Zotin nuk po e njohin më!
Të mjerët ne që po udhëhiqemi nga këta ish-të varfër dhe analfabetë. Këta janë bërë aq të bezdisshëm, sa që nuk po durohen më. Kanë kaluar çdo kufi. Përveç që janë bërë të paprekshëm nga organet e drejtësisë, as popullit nuk po i frikohen më. Sillen sikur gangsterë dhe rrugaçë. Kanë krijuar përshtypjen se askush s’ka se çfarë t’u bëjë, madje as populli. Që janë të paprekshëm dhe të pamposhtur. As Zotin nuk po e njohin më. E të gjitha këto po i bëjnë në ”emër të popullit” dhe në ”emër të së kaluarës” së tyre të ”lavdishme”. Por. ky popull edhe sa kohë do t’i lejojë që këta ish-varfanjakë dhe analfabetë të pangopur, të shndërruar në multimilionerë, të na udhëheqin, të na vjedhin, të na plaçkitin, të na vrasin e të tallen me ne?! Deri kur, deri kur…??? Deri kur ky popull do t’i durojë këta banditë, kriminelë e mafiozë në skenën politike, të cilët janë bërë kanceri i shtetit dhe gjithë shoqërisë??? A do t’u tregojë ky popull këtyre mafiozëve të politikës, që populli është më i fuqishëm se ata, pavarësisht pushtetit të tyre kriminal dhe mafioz?

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, nga ish, te varferit, udhehiqemi

Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret

August 23, 2015 by dgreca

“Të mos u shkasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.” shkruante Mitrush Kuteli para vdekjes….
Kur na shkarkuan nga kamioni atje, isha me ca rroba të vjetra e si mos më keq nga pluhuri i asaj rruge të gjatë. Në kokë, për t’u mbrojtur nga dielli, kisha lidhur një shami me nyje në të katër cepat, siç e lidhin armaxhinjtë.Një polic erdhi e më pyeti:-Sa shkollë ke ti?-Hiç. Katër klasë të fillores kam – i thashë. -Mirë. Shko këtej, ti.
Për fatin tim të mirë e besoi se, siç isha katandisur unë, do ta besonte dhe po t’i kisha thënë: s’kam bërë shkollë…Kur më liruan, ndërsa po më hipnin në kamion, për të na sjellë në Tiranë, u ndodh përsëri ai polic. Më pa me ca sy katili e duke shtrënguar dhëmbët, më foli gjithë inat: “Ë ë ë ë!…Ti qen paske pasur shkollë të madhe, ti!” Ndërsa kunati i Mitrushit, i burgosur në moshë të re dhe ai në kampin e Maliqit, më ka treguar: Kur e sollën Mitrushin, e mbyllën në një kotec derri. Ai kamp ishte lemeri. Në mëngjes vetëm një si çaj. Bukë si baltë vetëm një herë në ditë, më drekë. Në punë na detyronin të shkonim duke rendur. Rendnim zbathur nëpër baltrat, se këpucët na u prishën brenda sy-tre ditëve. Punonim në kanale me ujra përmbi gjunjë e gjer në mes. Poshtë na pinin ushujzat, sipër na grinin mushkonjat. Dizanteria bënte kërdinë. Kur ktheheshim nga puna, në mbrëmje, ecnim me këmbë e duar si bagtia, sepse nuk qëndronim dot më këmbë nga lodhja e nga dizanteria. … Gjendjen e tij të rëndë e të pashpresë në burg e në atë kamp na e jep të gjallë Mitrushi në krijimet e veta të cilat kam fatin e madh t’i kem të shkruara nga dora e tij. “ Atdheu nuk vret , se ai është atdhe ; ( por vrasin të pabesët , tradhtarët , pushtetarët pa atdhe,; vrasin matrapazët , vret lakmia ,mos dija ,injoranca, tradhtia. Atdheu nuk vret ! fxh )
“Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe. Këtu kemi lindur, këtu do të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje.”
“Në gjithë skajet e vendit të lumur, Anembanë kumbonte një e folme E vetëme: ilirishtja e strallët-Vigmë barinjsh dhe kushtrim luftëtarësh,Farkuar në kudhra mijëvjeçarësh.”“…Gjuhë e fortë, vlugmadhe e ëmbël,E mbrujtur para se të ishin mbrujtur Tufët e hyjnive të lashtësive…” ( Atdheu nuk vret , vrasin mohuesit , shpërdoruesit , vrasin , vrasin ..të porositurit nga dreqi i mallkuar fxh)
Mitrushi nuk e mban dot rënkimin që i del nga shpirti:“Hej, histori! Ti, histori e lashtë E botës ilire së perënduar, Përse më bren e bluan kaq dhimbshëm
Me ankthin e frikshëm të humbjes edhe të asaj cope tokë të mbetur nga Iliria e Madhe këtu, buzë Adrias e Jonit, Mitrushi e mbyll poemën me kushtrimin: “Mbani, burra, Me dorë të fortë flamurin e Arbërit
Të skuqur me gjak ndër luftra të rrepta.!” (E dëgjojnë vallë bijt’ e sotëm të Arbërit thirrjen e Mitrushit? (Atdheu nuk vret , vret papërgjegjësia , vret tradhtia ! fxh )
“E kam atdhe! Që gjysh stërgjysh, që brez pas brez,
që gjithmonë. Po vendin tim e dua, lirinë e dua,
e s’dua zot mbi mua.” ( E kuptuat ju të birt` e Azisë osmane , ju t`ardhurit nga Kashkai ! fxh)
“Mendjen e kam te turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqija. Sikur me ndiqnin, qe te me varnin. Ikja me vrap, hyja ne gropa e puse, dilja prape. Ata me ndiqnin. Ment me kapnin. Ikja përsëri. Ne nje çast u gjende edhe ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë. Prape gropa, puse, gremina. Sikur isha ne Berat, nen Kala. Ne një sterre te Kalasë, pranë Kishës. Me tej ne Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkoja ndonjë shtëpi për t’u fshehur. Isha i zbathur, i zhveshur. Dikush me thirri: “Qëndro, Dhimitri! Te zumë”. Me rrethuan, me zunë dhe po me shpinin te me vrisnin. Unë qeshja. Kisha qejf te me vrisnin… Dhe ja, u gjenda ne burg. .- ( shfryenta ankthin dhe tmerrin nga njerëzit e atdheut (fxh)
Porosi e fundit e Mitrush Kutelit : Te mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do te vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur te vret. ( Por atdheu nuk vret xh ) Këtu keni lindur, këtu te rrojnë me mish e shpirt, qofte edhe me dhembje. … Le te mbarojnë studimet ne ndonjë dege praktike-ajo fizike, ay mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, per arsimtar, dhe le te merren edhe me letërsi ( histori fxh). Por jo si profesion kryesor. Profesionizmi ne histori (fxh), ne vendin tone, është, he për he, një rruge vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për ate qe s’di marifete dhe hipokrizia. Terreni i letërsisë (lexo i historisë) është nje toke tek gëlojnë gjarpërinjtë. Te vrasin shokët, se u bën hije…Për ketë duhet te grumbulloje me pare shume kulture. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.
( Degjo ketu ti plehu i kombit…po të hodha në dorë , do ta nxjerrë shpirtin nga bytha..Jazek të qofsh more dexhall ! (k.j.)
Kam rënë në dymendje dhe kurrsesi të largohem nga mendimi se në mesin tonë ka hyrë një dreq. Por nuk e po e di se a është po ai dreqi i kohës së Fishtës apo i biri apo nipi i tij. Por. sidoqoftë ai po e bën punën e tij prej djalli: dhe na ka futur të keqën në mesin tonë , sepse Atdheu nuk vret!

Fahri Xharra, 23.08.15
Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: Atdheu eshte Atdhe, edhe kur et vret, Fahri Xharra, Mitrush Kuteli

Historia e fshehur – Si lindi Serbia ?

August 22, 2015 by dgreca

Opinion Nga Fahri Xharra/
Nuk po shkoj aq larg në kohë, se kudo të prekësh del shqiptari; na del shqiptari gjatë gjithë historisë njerëzore herë si i mirë e herë si njeri i keq. Por t`i mblidhnim të gjitha veprat e shqiptarëve, si ato të mirat ashtu edhe ato të këqijat e t`i futnim në një kompjuter “gjigant” për analizim; ne sot do ta udhëhiqnim botën. Më mirë,jo!
Greqinë e krijuan arvanitasit, Serbinë Kelmendasit, Malin e zi e bëmë ne me shqiptarë katolik , mysliman dhe ortodoks . Ne ishim boshti kurrizor i Perandorisë Osmane , për 500 vjet . Turp apo krenari ? Nuk e di si ta klasifikoj. Greqia , Mali i Zi dhe Serbia e konsiderojnë turp që shtetet e tyre u bënë nga shqiptarët; i mëshehin faktet , i mohojnë formuesit , e shtrembërojnë historinë dhe e falsifikojnë atë , vetëm e vetëm t`i humbin gjurmët e krijuesit të shtetit të tyre.
A iu ka shkuar ndonjë herë ndër mend e të pyesni vetvetën , historianin , hoxhën , priftin, popin , rabinin apo dreqin e mallkuar ,pse më së voni u krijua Shqipëria ? Pse u deshën të huajt të marrin qëndrim për ruajtjen e 28 000 km 2 ? Pse jo më shumë ?
Por , sidoqoftë sot e vazhdojmë me shkrimin , më një “mësheftësi “serbe të ruajtur si Top Secret. E pse të mëshehin se shqiptarët ishin ata që e krijuan shtetin e parë serb.?
Në vitet e krimeve serbe të Luftës së parë botërore ( 1914 ) , një serb me ndjenja të njeriut , Dimitrije Tucoviq thoshte: “ Mos me popullin që na mësoi të bëjmë shtet , dhe na mësoi shkrim lexim “
Sot pra , do të flasim për Kelmendasit e Gjin Marash Kelmendit , nipi i të cilit Gjergji e bëri shtetin serb . Pse turqit e quanin Gjergji i Zi ( Karagjorgje ) ?
Një libër ,me plot fakte bindëse ,me burime te pamohueshme arkivore, nje libër që kishte për të qenë nderë sikur ta bënin shqiptarët . Por , nejse !
Duke e lexuar librin “Milorad Bošnjak – Slobodan Jakovljević: KARAĐORĐEVIĆI – skrivena istorija” – Karagjorgjeviqët – Histori e mëshehur “ lexon aq shumë burime arkivore dhe sikur ato të merreshin në dorë nga institutet shqiptare për studim , jo vetëm që do të pohonin atë që e kanë shkruar autorët e librit në fjalë por do të jepnin edhe një grusht të rëndë manipulimeve serbe me të vërtetën tonë , por edhe më shumë do të zbardhej e vërteta e vërtetë për shqiptarët nga vet arkivat serbe. Mjerë, mjerim për qasjen tonë ndaj vetvetës.

Në këtë libër dokumentohet që Karagjorjeviqët janë prejardhje nga fisi katolik i Kelmendasve.
Gjyshi nga babai i Karagjergjit quhej Gjin Marash Kelmendi, dhe se Karagjorgjeviqët deri në vitin 1889 e festonin Shën Klimentin e Romës,dhe se tek pas këtij viti a ta kalojnë festimet ortodokse. Konti francez Meriazh në vitet 1810, 1811 në mesazhet e tija raportonte që Kargjorgjeviqët ishin Kelmendas shqiptar. Duhet cekur që Mbretëria e Kargjorgjeviqëve , deri në luftën e II-të Botërore , e pohonin prejardhjen e tyre kelmendase. Stema e tyre ishte me shqiponjën e zezë , e zakonshme për fisnikët shqiptar.
Libri është i ndarë në tre kapituj- E vërteta e prejardhjes se Karagjorgjeviqëve-Dinastia e di ( e dinte ) rrënjen e tyre-Karagjorgjeviqët dhe shoqëritë sekrete.
Në mënyrë të dokumentuar jepen të dhënat origjinale pë fisin e Kelmendeve (faqe 9); pastaj citohet Arkivi shtetëror i Kroacisë për shënimet e tregtarëve në Trieste ( Itali) , dokumente që ruhen në arkivin e Kishës pravosllave (serbo-ortodokse ) në Trieste , ku shkruhet drejt për “vëllazërinë-fisin e Kelmendeve”.

Në fondin arkivor AS- ZAL-1/107 , ruhet dokumenti “ Jugosllovenska poshta”nr. 3535 e datës 07.01.1940 “ Klimenti i njihovi oseçaji “ ( Kelmedasit dhe si e ndienin ata veten) të autorit Ibrahim Lutfiq . Fakte, fakte.. sikur të citoheshin të gjitha , do t`i humbët karakteri i këtij shkrimi publicistik.Por , shqiptarët duhet hapur sytë.
Autorët e librit më tej shtojnë : “ duke gjurmuar e kërkuar fakte më bindë për paraardhësit e Kargjorgjeviqëve arritëm në përfundim që çelsi i hulumtimeve është Andrija Luburiq të publikuar në veprat e tij. Pjesët e pa publikuara të hulumtimeve të Luburiqit ruhen fondin arkivor me vlerë të mashe ZAL, Arkivi i Serbisë në Beograd. Ato ruhen me xhelozi,dhe për publikun janë të panjohura. Ja një faqe nga libri i Lubiriqit:
Autorët e librit e cekin edhe këtë dokument, ku thuhet që në kryengritjen e përbashkët të fiseve Kuçi, Kelmendi, “Vasojeviqët”” Bratonozhiqët” , Biberajt dhe të tjerë në vitin 1737 u ngritën edhe myslimanët ( shqiptarët mysliman fxh) , të cilëve iu erdhi në ndihmë edhe ushtria austro-hungareze :
Dhe kështu , ky libër duhet patjetër të përkthehet në shqip , dhe të shihen të gjitha makinacionet serbe në mëshehjen e një të vërtete të madhe që Serbinë si shtet e krijuan shqiptarët, saktësisht kelmendasit.

Fahri Xharra, 22.08.15
Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, Historia e fshehur -, Si lindi Serbia ?

Pronari nga Dukati i shkruan përfaqësuesit të Këshillit të Europës në Shqipëri

August 17, 2015 by dgreca

KËRKESË PUBLIKE ZOTIT MARKO LEIDEKER PËFAQESUES I KËSHILLIT TË EUROPËS NË SHQIPËRI/
Shqiperi 17 Gusht 2015/
I nderuar zoti Marko Leideker, përfaqësues i Këshillit të Europës./
Duke ju falenderuar për veprimtarinë tuaj për të ndihmuar zhvillimet demokratike në Shqipëri, ju lutemi të na bëni të ditur publikisht komentin që kanë bërë specialistët e Këshillit të Europës për projektligjin e Qeverisë për kompensimin e pronave.
Llogjika na thotë se ka një manipulim nga Ministria e Drejtësisë duke bërë lojë fjalësh dhe keqpërdorur emrin e Këshillit të Europës. Sqarimi publik nga ana juaj, është i nevojshëm për të rivendosur besimin tonë ndaj institucioneve ndërkombëtare si dhe transparencën për veprimet e autoriteteve shqiptare. Përgjigja juaj publike do të sqarojë njëkohësisht mijëra pronarë në të gjithë zonën turistike perfshi dhe qindra pronarë në fshatin tim të Dukatit, ku secili pret kthimin me ligj të pronës së grabitur për 45 vjet nga diktatura komuniste dhe prej 24 vjetësh nga pjella e tyre e ricikluar në politikë prej Ramiz Alisë nëpërmjet mashtrimit pseudodemokratik të Katovicës.
Unë jam anëtar i Shoqatës “Dukati” dhe në harmoni te plotë me Shoqatën Kombëtare “Pronësi me Drejtësi’ dhe shoqatat e tjera, kërkojmë ndihmën tuaj për të korigjuar gabimet e qeverisë me pronat tona të trashëguara. Dukati është nje nga fshatrat e zonës turistike të Gjirit të Vlorës. Fshati ka pak tokë bujqësore të punueshme por në çdo kohë ka jetuar me nder. Nuk kemi vjedhur dhe përvetësuar kurrë më parë pronën e tjetrit, por kemi jetuar me punën e ndershme dhe me djersën e ballit, duke shfrytezuar atë pak tokë bujqësore, blektorinë dhe kullotat e Karaburunit që i trashëgojmë prej shumë brezash. Diktatura komuniste i grabiti pronat tona, na denigroi si kulakë, na persekutoi etj. Nese Evropa, Banka Botërore etj, e dëshirojnë Shqipërinë demokratike, ata ashtu siç imponojnë uljen e pensioneve dhe rritjen e energjisë elektrike, duhet që më parë të dertyrojnë shtetin të kthejë pronën e graditur tek i zoti. Politikanë me eksperiencë si ish presidenti Bamir Topi, po fokusohen tek referenca e çmimit të kompensimit. Zgjidhja nuk është çmimi por detyrimi i Shtetit për të zbatuar kushtetutën. Siç u shprehën ne deklaratën publike të shtatë shoqatat e pronarëve kompensimi e ka rradhën pas kthimit dhe është i pranushëm vetëm për pronat që nuk mund të kthehen pasi janë tjetërsuar dhe shërbejnë për nevoja publike.Ne nuk do të lejojmë pazare çmimash me të drejtat tona me dinjitetin tonë.Kompensimi qoftë edhe me para për pronat tona është mashtrim i rradhes se Shteti po merr borxhe për të shlyer borxhet. Kompensimi qoftë dhe me çmimin e tregut për prona që kanë përvetësuar padrejtësisht ose duan të përvetësojnë klanet e politikës është shkelje e Kushtetutës. Qeveria nëse ka para ose toka të lira , le të kompensojë grabitësit e perjudhës 1991-2015. Drafti i Qeverisë e shkel ne çdo rrjesht Kushtetutën sepse e konsideron pronën e grabitur me ligjet e diktaturës si pronë të shtetit. Ne, qytetarë dhe fashatarë, çuditemi pse KE , në emër të ligjit ka mbështetur vjedhjen . Si mundet që KE të pranojë zgjidhje me kompensimin pa korigjuar më pare, me ligj dhe me rrugë gjyqësore vendimet pa bazë Kushtetuese dhe gabimet e bëra me kthimin fizik. Gabimi korigjohet duke filluar aty ku ka nisur. Ne jemi në dijeni për kushtin dhe afatin kohor që Strasburgu i ka vënë Qeverisë Shqiptare për zgjidhjen e anarkisë së titujve të pronësisë konform Kushtetutës dhe Vendimit pilot të Gjykatës së Strasburgut.
Zoti Leideker, nga Kryesia e Shoqatës jemi vënë në dijeni se shoqata ka kërkuar të bëhen pransparente se çfarë i kanë kërkuar autoritetet shqiptare (AKKP etj) institucioneve ndërkombëtare KE dhe komentet e bëra nga ndërkombëtarët për draftin e Qeverisë por e vërteta po maskohet.
Në 10 Korrik 2015 Ministri i Drejtësisë i dërgoi shoqatave projektligjin dhe ftoi, në prezantimin që Qeveria do bënte datë 16 Korrik 2015 në hotelin “Sheraton”. Në ditën e prezantimit pronarët kërkuan të kishin mundësinë e diskutimit që të shprehnin konsideratat e tyre për projekligjin që ju ishte dërguar dhe e kishin analizuar, por nga drejtoresha e AKKP, pronarëve ju mohua e drejta të shprehnin mendimin e tyre. Për të mos qenë si kukulla për të mbushur sallën, ne të gjithë pronarët përfshi edhe unë u larguam nga salla. Ndërsa në takimin e parë ku ishte present dhe Kryeministri ishin të pranishëm shumë gazetarë dhe televizione, ndërsa në dy takimet e tjera që u zhvilluan datë 21 Korrik dhe dt. 31 Korrik, mediat dhe gazetarët u ndaluan të futen në sale, por asnjë gazete nuk foli. Në takimin e parë, unë personalisht para largimit, u takova dhe bisedova shkurt me Kryeministrin dhe ai më tha se do të vinte të bisedonte dhe sqarohej me pronarët, por nuk erdhi në asnjë nga dy takimet e mëvonshme.
Me vonë nga Kryesia e shoqatës jemi informuar se autoritetet shqiptare , që në Mars Prill 2015, paskan kërkuar nga strukturat e Këshillit të Europës për të ndihmuar për hartimin e ligjit të kompensimit dhe se projektligji ishte përfunduar para Korrikut 2015.
Në deklarimin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë thuhet se Projektligji është hartuar dhe me konsultimin paraprak me ekspertët e Këshillit të Evropës, etj. Këtu nuk ka transparencë. Nuk duam ta besojmë se drafti që praktikisht na vjedh pronat tona të trashëguara është hartuar me konsultimin të ekspertëve të Këshillit të Evropës. Shtrojmë pyetjen: përse këta ekspertë nuk kanë marrë në konsideratë asnjë nga sugjerimet tona. Si mund të bëhet kompensimi pa korigjuar kthimet fizike të gabuara, të bëra në kundështim me çdo ligj si dhe kthimet fizike të penguara nga AKKP në kundërshim të plotë me ligjet në fuqi. Zoti Stavri Semanjaku, një nga kryetarët e shoqatava paraqiti në takim argumenta të shumta që Agjensia nuk ka funksionuar për kthimin por për vjedhjen e pronave dhe nuk u kundërshtua as nga drejtoresha e AKKP që ishte prezente në takim. Pyesim përsëri si ka mundësi që specialistët e KE të miratojnë një draft që kërkon kompensim që bie ndesh me nenin 41 dhe 181 te Kushtetutes pra del mbi ligjet, del mbi Kushtetutën , dhe kërkon të ndryshoje dhe rregulloren e Gjykatës së Strasburgut. Pse ai draft i bërë sipas interesave të disa personave na është servirur si zgjidhje e mbështetur nga Këshilli i Europës. Ju lutemi na sqaroni nëse specialistet e KE kanë ardhur në Tiranë, pse nuk janë takuar qoftë dhe një herë të vetme me kryesinë e pronarëve por paskan punuar dhe përfunduar projektligjin në fshehtësi të pronarëve !
Ju zoti Leideker jeni në dijeni për standardet e dyfishta se në Shqipërinë e veriut, çdo trung familjar ka marrë pronën e tij të trashëguar dhe anarkia e titujve të pronësisë eshtë krijuar kryesisht në zonën turistike pasi kjo është zona e lakmuar nga politikanët . Kjo ka futur ne hasmëri familjet me njëra tjetrin, ka krujuar konflikte brenda fisit dhe familjes. Në eksperiencën time që kam mbushur të 80 vjet, kjo situatë që nuk di ti gjej emrin e përshtatshëm nuk ka ndodhur as në kohën e Mbretit Zog, as në kohën e pushtimit nazifashist dhe as në kohën e diktaturës së egër komuniste.
Ju nuk duhet të heshtni përderisa ju jeni ne dijeni se në Kuvendin e Shqipërisë disa deputetë përfshi Kryeministrin Edi Rama, ish kryeministrin Pandeli Majko, dhe deputetë të tjerë e kanë pohuar se për shkak të anarkisë së pronës janë vrarë mbi 8000 shtetas dhe ju e dini se ky numur shkon në rritje.
Ju jeni në dijeni se ish Kryeministri Sali Berisha në 2013 pranoi publikisht gabimin e Katovicës me pronat dhe megjithatë Qeveria po vazhdon në rrugën e tij të gabuar.
Qeveria aktuale e z. Edi Rama, në këto dy vjet ka miratuar ligje për legalizimin e grabitjeve dhe ndërtimeve paleje, veprim që në zonat turistike është absolutisht i papranushëm. Vjedhja në emër të ligjit e Karaburunit dhe pronave tona turistike është thelbi i projektligjit të fundit që Qeveria pretendon se ka marrë miratimin e Këshillit të Ruropës. Unë dhe bashkëfshatarët e mi, jemi të bindur dhe nuk mund ta besojmë atë që thuhet zyrtarisht se ky projektligj është konsultuar nga specialistet e KE pasi ky projektligj e ndërlikon mundësinë e zgjidhjes dhe nuk të çon në demokraci dhe BE. Nëse ky draft është vullneti i KE, shpresa jone e fundit, se me pranimin e Shqiperise ne BE, Europa do ti vendose Shqiperise kushte te forta, per zbatimin e Kartes se te Drejtave te Njeriut dhe Kushtetutes, po vdes. Dhe meqenese shpresa vdes e fundit, do te thote se pas saj vjen vdekja jone. Por mëenyra se si ne do te vdesim eshte natyrisht problemi yne. Ne dimë ti mbrojmë të drejtat tona, pronën dhe dinjitetin tonë njerëzor. Nqs. ne BE prona mbrohet me ligj, dhe ne Shqiperi prona vidhet me ligj dhe pronari shkaterrohet me te gjitha menyrat, a mund të pranohemi në BE.
Meqenese ju partneret tane europiane keni marre ne dore dhe ndikoni ne fatet e Shqiperise, po ju drejtohemi qe te luani rolin tuaj per problemin e prones, si nje te drejte njerezore qe e dallon diktaturën komuniste nga demokracia. Vënia juaj në krahe të ketyre formave te qeverisjes shqiptare ju ben bashkepunetore ne shkeljen e parimeve dhe ligjeve demokratike.
Ju lutem referojuni letres së fundit qe ju eshte adresuar nga shoqatat e pronarëve por dhe letrave të tjera të mëparshme. Unë dhe të gjithë ne pronarët jemi të gatshëm për çdo sqarim të dhe besojmë se do gjejmë mirkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj drejt zgjidhjes së çështjes së kthimit të pronës ashtu siç përcakton neni 181 i Kushtetutës.
Ne pritje të përgjigjes tuaj.
Me respekt
Nuro Kulluri
Pronar autokton nga fashati Dukat i Vlorës
Tel 0682508014

Filed Under: Opinion Tagged With: Marko Leideker, ne Shqiperi, Pronari nga Dukati i shkruan përfaqësuesit të Këshillit, te europes

Zemra atdhetare e familjes dhe e publicistit Tomë Mrijajt rreh vetëm për Shqipërinë Etnike

August 17, 2015 by dgreca

Nga Klajd Kapinova*/
“Gruaja, tek fisi Mrijaj, është një krijesë e respektuar, është engjëlli i vatrës që lind, rrit dhe edukon fëmijtë, që pret e përciell miqtë, që lartëson nderin e familjes, që vlerësohet nga pjestarët meshkuj të shtëpisë, që nga vjehrri e deri te fëmijët. Një kurorëzim i tillë, i figurës femërore nuk është i zakonshëm në mendësinë shqiptare, prandaj, për mendimin tim, përbën një risi konceptuale, që i rrit vlerën veprës dhe mesazhit të saj.
Familja Mrijaj, nis rrugën e saj me një ndodhi të dhimbëshme, por të një rëndësie morale t’admirueshme. Përballë vdekjes së parakohëshme të burrit, nusja e Markut, djalit të Çunit, nënë e tre djemvet, nga 12 deri në 16 vjeç, nuk pranon të braktisë fëmijët e të kthehet tek shtëpia prindore, siç e kërkonte zakoni e siç e urdhëronte xhaxhai i burrit. Mirditorja e bukur, Mrija, vendos të përballojë jetën e vetme e të rrisë djemtë. Kuptohen sakrificat e panumurta të burrneshës, për të sendërtuar projektin e saj, që shpërblehet me vendimin e djemve, për të adoptuar emrin e nënës si mbiemër të familjes.
Nëse nuk është e vetme kjo histori, besoj se është tepër e rrallë në malsitë tona. Ai mbiemër mbeti e u njoh në shumë breza, në shenjë respekti e mirënjohje, për fisnikërinë vetmohuese të një gruaje, e cila mbi të gjitha, në jetën e saj, i dha përparësi ndjenjës së nënës. Ajo ndjenjë fitoi mbi ligjet e maleve, mbi paragjykimet e shoqërisë, mbi moralin e saj. Ajo grua i dha shoqërisë një mësim të madh, atë të respektimit të ligjeve të zemrës, të parimeve universale të detyrës së nënës, që nuk mund e nuk duhet të jetë në kundërshtim me pjesëmarrjen në një familje, në një fis, në një bashkësi njerëzish, mbasi detyra e nënës është më e bukura, më fisnikja më e bekuara nga Zoti, sepse është sendërtimi i mësimit të tij themelor. Si e tillë ajo bëhet themeli mbi të cilin ngrihet një familje me një histori dyqind vjetëshe.”

– Eugjen Merlika, studiues e publicist, Itali

Të nderuar zonja dhe zoërinj pjesëmarres!
Të nderuar bashkëatdhetarë pinjoll të familjeve nacionaliste dje dhe sot!
Të nderuar organizatorë dhe stafi botues i librit shumëvëllimesh përkushtuar “Toojeve të Arbërit”!
Në fillim ju kërkoj ndjesë për mospjesëmarrjen në tribumin tuaj më të rëndësishëm nacionaliste të së Djathtës së Bashkuar Shqiptare, por me mendje, zemër dhe artikuj përmes figurave të ndryshme të nacionalizmit të kulluar shqiptar, kam qenë dhe do të jem gjithëmonë pranë jush.
Përpara jush e kam të lehtë por edhe të vështirë të flas për figurën e atdhetarit të shquar Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit në SHBA, studiuesin dhe publicistin Tomë Mrijaj.
Pothuajse të gjithë të nderuar pjesëmarrës e njihni aktivistin e komunitetit shqiptaro-amerikanë Tomë Mrijaj, një ndër bashkëthemeluesit dhe pjesëmarrësit më aktiv e bujar të Shoqatës fisnike “Trojet e Arbërit”.
Meqenëse studimi im modest, do të botohet i zgjeruar shumë shpejt në librin voluminoz të Shoqatës “Trojeve të Arbërit”, unë sot para jush telegrafikisht po paraqes disa momente tepër domethenese të jetën dhe vepren patriotike të familjes dhe tëstudiuesit Tomë Mrijaj, qëështë një pinjoll i denjë fisit të madh të Mrijajve.
Toma lindi në tokën martire të Dardanisë, aty ku zë fill historia më e lashtë e popullit shqiptar, e dalluar për besë, trimëri, bujari, tradita të moçme shqiptare, atdhedashuri etj., të cilat i trashëguan brez pas brezi për shumë shekuj.
Gjatë një bisede të lirë me mikun tim të dashtur Tomë Mrijaj, me mall dhe dashurinë pakufi për vendlindjen, ai e skalit me fjalë zemre kur bën përcaktimin e përjetshëm shqiptar edhe pse sot jeton dhe punon në SHBA.
Ai ndër të tjera thotë, se: “Vendlindja ime Lugu i Drinit, me fshatrat që e rrethojnë, është dhe mbetet vendimë i dashur në botë. Asnjëherë s’më ka shkuar mendja, se sa me mall do ta ndjej mungesën e vendit tim. Gjatë udhëtimeve të ndryshme nëpër botë, mendja më ka shkuar gjithnjë tek vendlindja ime e bukur dhe e dashur, si: natyra, shtepitë, livadhet e gjelbërta, që stoliseshin me lule shumë ngjyrëshe gjatë stinës së pranverës dhe verës, malet mestare të mbuluara me pyje të harlisura dhe dëborë, përshperitjen e cicërimave të zogjve të shumtë ne çdo stinë, gjarpërimin dhe gurgullimën e ujërave të kthjellta të lumit Drini i Bardhë, që përshkon ne mes rreth tre kilometër livadhet e familjeve tona. Në stinën e bukur të verës, bashkë me bashkëmoshatarët kalonim ditë të bukura, duke u larë në ujërat e lumit, zinim peshk të freskët dhe kënaqeshim duke soditur natyrën e bukur të trevave.Edhe vjeshta dhe dimëri, sillnin në Lugun e Drinit bukurinë e tyre në çdo fushë dhe vargmalet e ulëta përreth. Ishte vërtetë kënaqësi në stinën e ftohtë të dimërit, kur dëbora mbulonte çdo gjë dhe shikonim lepuj, dhelpra dhe shpend te ndryshëm etj. E si të mos ndjehesh krenarë për fëmijërinë e bukur në trevat shqiptare!?Kështu unë kalova fmëjërinë dhe rininë. Mbas disa vitesh mbarova shkollimin në degën e mësuesisë, ku më pas vijova studimet në Drejtësi.”
Por Toma aktiv, gjatë jetës tij rinore në Kosovë,është ndeshuar edhe me vështirësi të jetës.Në jetën e njeriut, ka raste gëzimi, por edhe ngjarje të pakëndshme, që ndodhin jashtë dëshirës së tij…
Ai largohet nga Kosova e tij e dashur, Lugu i Drinit dhe familja, mbas një përplasje fizike me forcat e Sigurimit të UDB-së serbe. Kështu Toma, kujton: “Një ditë mbasdite vjeshte, kur po kaloja me biçikletën time në mes të qytezës së Klinës, më tërhoqën vemendjen një grup nxënësish djem dhe vajza të kombësisë serbe, të cilët po vraponin të shqetësuar nga oborri i shkollës “Vuk Karagjiq” drejt qendrës së qytezës, ku ndodhej kafja e pronarit serb Zhikës. I pyes në gjuhën serbe: “Çfarë ka ndodhur, që ju po vraponi të shqetësuar!?” ata duke menduar se unë isha serb, më thonë: “Shoku profesor po rrahën serbët me shqiptarët në klasë.” Ashtu sikurse isha me biçikletë në dorë u nisa shpejt drejt vendit të ngjarjes.Sa afrohem, dëgjoj zhurmë të madhe në katin e parë të një klase. Afrohem te dritarja, që ishte e hapur. Aty shoh se nxënësit e kombësisë serbe dhe arsimtari i edukatës fizike e kishin rrethuar nga të gjithë anët arsimtarin shqiptar të gjuhës shqipe S.M. pranë dërrasës së zezë, ku në njerin kënd ishte dhe tavolina e mësuesit.Arsimtari shqiptar, me trupin e tij të gjatë qëndronte në këmbë i rrethuar dhe po i rezistonte goditjeve me grushta dhe shqelma, që i vinin nga çdo anë, duke u vetëmbrojtur. Këtë mësimdhënës të ri e kisha njohur në Gjakovë, në Shkollën e Lartë Pedagogjike. Gjaku arbëror, i bashkëkombasit më thirri, që t’i vi në mbrotje, në atë situatë që ai gjendej. U hodha menjëherë në dritare, që ishte e hapur dhe hyra brenda në klasë. Me mirësjellje dhe gjakftohtësi, iu drejtova nxënësve, duke u thënë: Eshtë turp të sulmoni në mënyrë të pahijshme dhe të ushtroni dhunë ndaj mësuesit tuaj! Unë edhe sot mendoj, se ky incident me serbët në shkollë ishte i parapërgatitur. Kështu,brenda pak minutash u mbush oborri i shkollës me shumë serb vendas dhe nxënës, që me sa duket kishin lajmëruar njeri-tjetrin. Edhe nga kafja e Zhikës erdhën shumë serbë të tjerë.Lajmi u përhap me shpejtësi. Në shkollë erdhën edhe disa arsimtarë shqiptarë, që i kishin banesat afër shkollës, si: Beqir Beqiri, Tush Kabashi, Ndue Prendi, Lekë Skeli etj. Leka me Nduen ishin ndalë tek dera e klasës dhe me fjalë të mira mundoheshin të qetësonin valën e madhe të serbve, që të nervozuar (irrituar) po hynin në klasë njeri mbas tjetrit.Në ato momente në shkollë vijnë edhe forcat e Policisë nga stacioni, që gjendej jo shumë larg shkollës. Ata kur e panë gjithë atë turme të madhe serbësh, dy policët shqiptarë Isa dhe Ademi, që më njihnin shumë mirë, mu lutën, duke më thënë: “Gjej mënyrën për tu larguar sa me shpejt, që të jetë e mundur sepse nuk kemi asnjë mundësi të ndërhyjmë në këtë masë të madhe serbësh, që janë shpupurishur nga inati..” Mbas shumë përpjekjesh u hodha prap nga dritarja nga kisha hyrë më parë dhe me shpejtësi mora bicikletën, që e kisha mbeshtetur tek muri.E ashtu me gjaknxehtësi si rrufe i dhashë bicikletës dhe nuk e ndija se mbi shpinë dhe kokë fishkullonin vazhdimisht gurët dhe copat e dërrasave të gardhit të shkollës.Mbërrita në shtëpi.Babai im po qëndronte në oborr.Ai kur më pa u ngrit në këmbë dhe mu afrua i shqetësuar. Mbasi i tregova të gjithë ngjarjen, nga përvoja e tij jetësore me serbët e pabesë me tha, se: “Duhet të largohesh sa më shpejt nga shtëpia, sepse policia menjëherë do të vijë të të arrestoj në shtëpi.” Më vonë, kam mësuar se atë natë shumë herë policia ka shkuar në shtëpi, duke menduar se mund të më gjenin mua aty. Vetëm familja dhe një rreth i vogël miq të sigurtë i dinin lëvizjet e mia dhe vendnodhjen deri sa u largova përgjithmonë nga Kosova, me mall për familjen, truallin e të parëve dhe gjithçka të mirë, mbasi kisha kaluar fëmijërinë dhe rininë time.”
Babai i tij Nikollë Mrijaj, një personalitet i njohur në Lugun e Drinit e përqafoj me lot në sy, duke i thënë: “Biri im të kesh kujdes vetën tënde!”Kështu Toma vendosi perfundimisht të largohet natën me tren, duke iu shmangur njerëzve që e njihnin. Ai mori rrugën drejt Beogradit… Më pas me një tren tjetër udhëtoi drejt Parisit… Aty qëndroi për tre vjet.Meqenëse ishte i rregjistruar në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë, vendosi të vijoi studimet e larta mekorrespondence, për të mos rënë në sy në vendin e tij.Ai ka udhëtuar në Prishtinë, gjatë kohës që kishte provimet universitare…
Me ardhjen e tij në New York, duke qenë një i ri plot energji dhe endrra, për ta parë vendlindjen të çliruar nga nata e gjatë e makinës shfarosëse të pushtimit shekullor serb, ai menjëherë në vitin 1978 u përfshi në lëvizjet patriotikeshqiptaro-amerikane në Amerikë.
Duke shfletuar sot me nostalgji shkrimet dhe artikujt e Tomës, të botuar në gazeta dhe revista të ndryshme nga studiuesi Mrijaj, konkretishtnë gazetën “Dielli” (1909) organ i Federatës Pnashqiptare “Vatra” (1912), shoh se qysh ne vitet ’80, emri tij ndodhet në bordin e tribunës të mirënjohur të atdhedashurisë.
Dhe studiuesi Tomë Mrijaj, kujton: “E kam ende të freskët ditën e parë, kur zbrita në Aeroportin International “John F. Kennedy” në Queens, NY. Ndjeva shumë emocione, mbasi kisha dëgjuar dhe lexuar shumë për hisorinë e Amerikës dhe kontributin e madh të diasporës, për veprimtarinë e madhe patriotike në dobi tëçështjes kombëtare, të kohës së Imzot Fan Stilian Nolit, Faik Konicës, Mons Dr. Zef Oroshit, Prof. Rexhep Krasniqit, Kapidanin e Mirditës juristin Ndue Gjomarku, Ing. Xhafer Deva, Prof. Zef Neka, Mit’hat Frashërin, Prof. Luan Gashin, Abaz Kupin, Kolonel Xhemal Lajcin, Kolë Bajraktari, etj., me një pjesë më vonë patafatin dhe nderin të bashkëpunoj ngushtë, për të njëjtat ideale të shenjta atdhedashurie. Unë mbërrita në New York më 19 Maj 1978 dhe dy muaj më pas u martova. Meqenëse bashkëshortja ime vinte nga Puka, në ditët e dasmës kisha të ftuar shumë miq, që ishin njëkohsisht edhe figura të rëndësishme të emigracionit, nacionalizmit dhe komunitetit shqiptaro-amerikanë këtu në New York dhe gjetkë. Një grup bashkëatdhetarësh, si: Mons. Dr. Zef Oroshi, Ahmet Dervishi, Ymer Doda, Mahmut Cungu, Kolë Bajraktari, Gjeto Sinishtaj, Daut Vathi, Fran Sokoli dhe disa të tjerë, vijnë në shtëpinë time dhe më ftojnë të aderoi në Federatën Panshqiptare “Vatra”, që asokohe i kishte zyrat e saj në Boston. Pasi u urova mirëseardhjen në shtëpinë time, kryetari i “Vatrës” e mori fjalën dhe tha: “Më kanë folur shumë disa miq për ju si intelektual i ri nga Kosova pjesë e shqipes së cunguar, që vatrës sonë i mungojnë njerëz nga kjo krahinë. Ne kemi shumë dëshirë, që tu kemi ju në mësin tonë.” Pasi fola pak për kontributin e Vatrës së Nolit dhe Konicës, gjatë shumë dekadave, sikurse e kishim mësuar në shkollat tona në Kosovë, edhe pse jam i ri në këtë vend, do të përpiqem të jap kontributin tim me gjithë mundësitë e mia, për të mirën dhe qëllimin fisnik, që ka kjo organizatë famëmadhe, e cila luajti një rol të madh për përfshirjen e nënës Shqipëri në OKB. Atë ditë më emëruan si Sekretar i Degës së Vatrës për qytetin e madh Queens, New York.Pas pak kohe, vjen sërisht ish Kryetari i Degës Gjeto Sinishtaj, për arsye të tij personale jep dorëheqje dhe drejtimin e degëa së Vatrës e mora unë.Qysh në ditët e para të ardhjes në Amerikë fillova të shkruaj në faqet e gazetës “Dielli” (1909). Shkrimet e mia u mirëpriten shumë mirë nga editori asokohe Xhevat Kallaxhiu dhe lexuesit. Aty si fillim, unë botova një poezi, kushtuar familjes famëmadhe dhe shumë patriotike në trevat tona, me titull: “Kulla e Sadik Ramës”. Poezia u prit shumë mirë. Mbas pak ditësh, në shtëpinë time erdhen dhe më takuan të bijtë e Ukë Sadikut, nipat e heroit të pamposhtur Sadik Ramë Gjurgjevikut: Ismeti, Skënderi dhe Selimi. Ishte hera e parë, që pata kënaqësinë të takoja tre vëllezërit, të cilët, ishin shumë të gëzuar, që unë kisha shkruar një poezi. Ismeti, hapi faqen e gazetës, ku më tregoj poezinë dhe me një buzëqeshje fisnike me solli falënderime të ngrohta nga familja e tij, duke më njoftuar se ishte nipi i Sadik Ram Gjurgjevikut.Ai më tha gjithashtu, se ishte Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit të themeluar në NewYork, në vitin 1962. Ismeti, më oftoi kërkesën, që ti bashkohem kësaj organizate politike dhe atdhetare, që kishte si synim dhe qëllim (me programin dhe rrugën e saj) bashkimin e të gjithë trojeve etnike shqiptare rreth shtetit amë, sikurse kanë qenë për shekuj me radhë. Për dy vjet me radhë unë dhe shoku i idealeve antikomuniste dhe patriotike, për çlirimin e Kosovës nga kthetrat e shovinizmit të tërbuar serb, punuam pa u lodhur në çdo kohë, për të përgatitur mbarëvatjen e Kongresit, i cili, ishte menduar të mbahej në vitin 1982. Në Kongresin e mbajtur asokohe, unë u zgjodha me vota të lira Sekretar i Përgjishëm i Lidhjes së Prizrenit, detyrë të cilën e mbaj edhe sot e kësaj dite, për 33 vjet me radhë.”…
Po kushështë Tomë Mrijaj?

Publicisti dhe studiuesi Tomë Mrijaj u lind në Zllakuqan (Komuna e Klinës). Shkollën 8-vjeçare e fillon në fshatin e lindjes në Zllakuqan dhe e mbaron në Klinë.Ai më pas fillon dhe përfundon shkollën e mesme Normale (Pedagogjike) në Gjakovë, vijon studimet e larta me korrespondencë për Drejtësi në Universitetin e Prishtinës.
Për arsye politike nga perndjekjet e kolonizatorëve të sistemit komunist serb, ai largohet nga Kosova dhe shkon si emigrant në Paris, ku qëndroi tre vjet.Më 1978, vendoset përfundimitsht në New York, ku martohet. Ai në të njëjtin vit rregjistrohet në St. Johns University në Queens të NY, ku vijoi studimet e larta.Më 1980, u zgjodh kryetar i degës “VATRA” në Queens New York dhe antar i Kryesisë së Federatës Panshqiptare “Vatra” në Boston*, për 12 vjet me radhë. Më 1982, në Kongresin e III-të, u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i “Lidhjes së Prizrenit” në mërgim, detyrë që vijon ta mbajë edhe sot. Më 1997-1998, ishte Kryetar i Shoqatës Kulturore “Rozafat”, pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në NY dhe antar i Këshillit të Kishës.Më 2002, zgjidhet n/Kryetar i Shoqatës së Pajtimit Mbarëkombëtar “Nënë Tereza”, dega New York.Që nga dita e themelimit është antar i Shoqatës së Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane në ShBA.Bujarinë e Tomës e njohin të gjithë, mbasi ai gjithnjëështë shprehur i gatshëm për të ndihmuar talented e reja pa dallim feje e krahine, në fushën e studimeve dhe publicistikës, duke dhënë kontribut financiare, për botime të krijimeve dhe studimeve të tyre të para. Nëçdo aktivitet patriotik si për mbledhjen e ndihmave financiare për UshtrinëÇlirimtare të Kosovës, familjet e varfëra në nevojë, rindërtimin e Kosovës, ngritjen e busteve, xhamiave dhe kishave në Kosovë, ka qenë e pranishme edhe zemra dhe bujaria e Tomë Mrijës, duke dhënë shuma të ndryshme sipas nevojës së njerëzve. Ai ka marrë pjesë në cdo demostratë për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri dhe Lirinë e Pavarësinë e Kosovës nga nata e gjatë e pushtimit barbar serb.Ai është marrë që heret me publiçistikë, ku ka shkruar poezi, portrete historike, etj.si bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave, që botohen në trojet etnike shqiptare dhe diasporë. Shkrimet e tij mund të gjenden, në faqet e shumë gazetave dhe revistave, si: “Lidhja e Prizrenit”, “Dielli”, Illyria”, “Jeta Katolike”, “Zani i Shna Ndout”, “Shkodra”, “Kumbona e së Diellës”, “Illyricum”, “Dielli Demokristian”, “Kuq e Zi”, “Lajmtari i të Merguemit”, “Bota Sot”, “Kosova Press”, “55”, “Mapo”, “Shqipnia Etnike”, “Balli Kombëtar”, etj. Studiuesi e publiçisti Mrijaj, ka shkruar parathëniet e shumë librave jetëshkrimorë. Ka në proçes dhe disa libra të tjerë, që më vonë do t’i botojë. Eshtë njeri ndër organizatoret e shumë simpoziumeve dhe akademive kulturore e përkujtimore të mbajtura në atdhe e diasporë. Ai ka hedhur dritë përmes hulumtimeve serioze historiko-shkencore të shumë figurave të lënë me qëllim në harresë, në kohën e komunizmit në Shqipëri e Kosovë, tema të cilat janë botuar rregullisht në librin: “E Djathta Shqiptare në Mbrotje të Shqipërisë Etnike” (I-XII), ku, ka ligjëruar për personalitetet e tilla, si: Kapidani i Mirditës juristi Ndue Gjomarku, Kapidan Markagjoni, themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Amerikë Mons. Dr. Zef Oroshi (1812-1989), udhëheqësin shpirtëror të komunitetit shqiptaro-amerikanë Dom Anton Kçirën, Ipeshkvin e Kosovës Imzot Mark Sopin, Presidentin Dr. Ibrahim Rugovën, Kontributi i lugdrinasve dhe Klerit Katolik në Kosovë për Shpalljen e Pavarësisë, heroinën Marie Shllaku, parashutistin Prof. Alush Leshanaku, tProf. Luan Gashi, trimin e pamposhtur nacionalist Ndue Përlleshi, Palush Marleku, Kapiten Gjon Destanisha, Ndoc Mirakaj, Kolonel Xhemal Laçi etj.
Librat e botuar:

1. “Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut”, Monografi, botuar në Shkodër, 2002.
2. “Lidhja e Tretë e Prizrenit (1962-2002) themeluesi dhe udhëheqësi Ismet Berisha”, Monografi, New York, 2002.
3. “Marie Shllaku bijë e Shkodrës martire e Kosovës”, Monografi, botuar në New York, 2004.
4. “Ngjarje dhe portrete historike”, jetëshkrime të figurave të shquara shqiptare, botuar në Prishtinë, 2004.
5. Monsinjor Dr. Zef Oroshi.“Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”.Jetëshkrim, 2009 New York.
6. “Gjeneza e Familjes Mrijaj”, Kujtime, Shkodër, 2015

Falëminderit për vemendjen dhe suksese në punimet e Simpoziumit!

Klajd Kapinova, New York, Gusht, 2015

Shënim: Kjo kumtese eshte mbajtur ne Hotel “Panorama” në qytetin historik të Gjergj Kastriotit në Krujë nga zonjusha Leonora Laci, Sekretare e Shoqates Trojet e Arberit’.
SHËNIM I DIELLIT: Për hirë të historisë së Vatrës, saktësisë dhe dokumentacionit qe ndodhet në arkiv, përfshi dhe Koleksionet e Gazetës Dielli, z. Tom Mrijaj, nuk ka qenë anëtar i Kryesisë së Vatrës. Autori i Kumtesës shkruan se ai ka qenë për 12 vite anëtar i Kryesisë së Vatrës. Konsultimi me rekordet e Vatrës dhe Gazetën Dielli, japin këto të dhëna: Z. Tom Mrijaj është zgjdhur në Bordin e Vatrës në vitin 1984(Board Members), së bashku me 20 të tjerë anëtarë.Në atë kohë strukturat e Vatrës përbëheshin nga: Kryesia- Officers of Vatra; Advisory Board of Past Presidents; si dhe Members of the Board(ku përfshihej dhe z. Mrijaj).
Z. Mrijaj ishte i zgjedhur në bord nga viti 1984 deri në 1988, në vitin 1989, emri i tij nuk shfaqet në listën e Boardit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Klajd Kapinova, Tom mrijaj, Zemra tadhetare e familjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 645
  • 646
  • 647
  • 648
  • 649
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT