• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BLERJA E VOTAVE , NE BRUKSEL

June 27, 2015 by dgreca

Albana Vokshi në forumin e grave të PPE: Kemi depozituar pranë OSBE-së fakte e argumenta për blerjen e votave/

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë (LDGSH), deputetja Albana Vokshi e cilësoi të manipuluar dhe të cënuar procesin zgjedhor në 21 Qershor.

Në forumin e grave të Partive Popullore Europiane që u mbajt në Maltë, zonja Vokshi i bëri me dije kolegeve europarlamentare, deputeteve dhe politikaneve të vendeve të BE-së se ka patur një proces masiv të shitblerjes së votës, klimë shantazhuese të qeverisë dhe mazhorancës mbi vullnetin e lirë të shqiptarëve, angazhim në proces kandidatë me rekorde kriminale, të gjitha të evidentuara edhe në raportin paraprak të OSBE-ODIHR.

“Në një skenar të mirëpregatitur me ndarjen e re territoriale, PS dhe LSI minuan standardet e zgjedhjeve, duke e kthyer votimin, në një proces diktatorial, ku votuesit fotografonin votën në këmbim të parave dhe të vendeve të punës”, tha  Vokshi.

Vokshi vuri theksin te klima kërcenuese për të marrë votën e grave dhe të nënave me vendin e punës, tek parregullsitë e shumta që lidheshin me organizimin e infrastrukturës zgjedhore, si kutitë, shpërndarja e fletët e votimit, vulat dhe terma të tjera teknikë, të cilët ndikuan drejtëpërsëdrejti në mbarëvajtjen e procesit.

“Partia Demokratike ka depozituar të dhëna të shumta me fakte dhe argumenta pranë OSBE, ODHIR dhe të gjithë organizmave ndërkombëtare  për fenomenin e blerjes se votave, për presionin  dhe klimën shantazhuese ndaj administrates dhe  biznesit në favor të një rezultati manipulues të mazhorancës në zgjedhjet locale”, tha Vokshi.

Presidentja e Forumit të Grave të Partive Popullore, Dors Pack dhe lideret e vendeve të BE-së në referencë të raportit paraprak të misionit të vëzhguesve OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, shprehën shqetësimin e madh për cënimin e standardeve, manipulimin e zgjedhjeve, te cilat mund te kene ndikim në proceset integruese të vendit.

Demokracia dhe shteti i së drejtës është më në rrezik se kurrë nga qeverisja dhe mazhoranca e inkriminuar, e cila ka sfiduar sistemin dhe me vendosjen e kandidatëve të lidhur me krimin, tha më tej Vokshi. Partia Demokratike, deklaroi deputetja Vokshi, do të nisë një betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore manipuluesit e zgjedhjeve në Shqipëri. Opozita  do të vazhdojë e pa lëkundur në betejën e saj me antiligjin dhe pushtetin  e inkriminuar i cili ka kapur çdo institucion dhe strukturë të pavarur.

Filed Under: Opinion Tagged With: Albana Vokshi, Bruksel, denoncim i blerjes, votat

GJUETIA E “FJALËS”!-DOSJET E “GJUETARËVE”

June 26, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

“Ka thenë apo s’ ka thenë,/

Kjo nuk është çeshtja…

Ky njeri s’ është për të qenë …/

  Shqipërinë… do varrosë ‘heshtja!” /

■DOSJET E “GJUETARËVE”…/

■Ky ishte Neni 55 i Kushtetutës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë!/

Kodi Penal i Republikës Demokratike Shqiptare u aprovue në vitin 1952…/

Vrasjet pa gjyqe dhe me gjyqe fillojnë me thëmelimin e PK Shqiptare, në vitin 1941. /

Eksperienca e vrasjeve dhe atentateve që u bane në Shqipni ishte sjellë nga Mugosha dhe Popoviq tek Enver Hoxha, i porsazgjedhun per zbatimin e krimeve nga PKSh. 

Kodi i procedurës penale asht miratue me dekretin nr. 390, datë 10 Janar 1947, pa asnjë ndryshim nga Jugosllavia komuniste prej nga varej Shqipnia e “çliruar”, ndersa mbas vitit 1948 procedohej nga ekperienca staliniste sovjetike, derisa me 11 Janar 1952, u vue në zbatim Kodi Penal nga terroristi Mehmet Shehu, aso kohe minister i mbrendshem, që u aprovue nga një tjeter terrorist i lanun në “heshtje” president Dr. Omer Nishani.

■Të burgosunit politik u etiketuen “armiq të popullit”, “etiketë që e kanë edhe sot”! 

Baza e arrestimit ishte “agjitacioni e propaganda kunder pushtetit”, që parashikonte dënime nga një muej deri në 25 vjetë heqje lirie, punë të detyrueme, humbje të drejtash civile dhe politike, ridënime e deri në pushkatime me akuza fallco e gjyqe të mbylluna, e  familjarët e tyne perfshiheshin në “luften e kllasave” që i ndjekë per fat të keq edhe sot. 

■Vetem sa me pasë një ide per kampet e punës së “detyruar” do të shkruej një fakt: 

Një nga kampet e mnershme në Shqipni asht kenë ai i thamjes së kënetës së Maliqit nga viti 1947 e deri në 1951, ku punonin 900 të dënuem politik. Per 110.000 ditë pune ata i kanë dhanë “udhëheqjes sonë” 12.671.741 lekë të ardhuna..Ndersa, në vitin 1951 aty kanë punue 1085 të burgosun dhe t’ ardhunat ishin 22.773.449 lekë… Po, sa kampe pune kishte Shqipnia dhe sa ishin t’ ardhunat per “bllokun e udhëheqsave”, a do të mësohen nga Populli Shqiptar ndonjëherë?! – Nuk po pyes se kur!! Këta kampe pune furnizoheshin nga gjithë Shqipnia, dhe duhet thanë se vetem qyteti Shkodres në vitin 1946, kishte 26 burgje dhe hetuesi, pa rrethe dhe zona malore… Po, sa të burgosun ishin aty?!

■Instituti i të burgosunve politik në Tiranë vazhdon me shifrat fallco që i dikton PPSh… 

Ndersa, “Shoqatat e të Perndjekurve Politik”, thonë se “ato antikomunistet” i kanë ma të “sakta”…Po, per ato “prokomunistet” nuk bahet fjalë!! Një tjeter fatkeqësi e madhe! 

■Po këthej tek Gjuetia e Fjalës ose “Kush ishin gjuetarët e fjalës?” në Shqipni?! 

Ajo fillonte në kupolen e Byrosë Politike të K.Q. të PKSh dhe shperndahej deri nder skutat ma të largëta, ku shpesh, derdhej nder sofrat e shumë Shqiptarëve të nderuem…

Gjuetia e Fjalës ishte burimi i të gjitha të zezave që sillte “Diktatura” nder Shqiptarë! 

■“Per një Fjalë goje” thohej se ka ba 20 vjetë burg… Por, besa besë, shpesh edhe pa folë asnjë Fjalë, vetem per shka merrej me mend nga gjuetarët e sigurimit se ka koka e X apo Y… do të fillonte Kalvari i pafund i një personi, dhe mbas tij i gjithë far’ e fisit me “luften e kllasës së persekutuar”, së ciles, asnjëherë nuk i dihej as fillimi as fundi…

■Po kush ishin këta gjuetarë kriminelë e vrasës?!  A ua di kush emnin e “vërtetë”?!

Ja disa prej tyne nder Dosje! Këta ishin zagar gjuetarë që jetonin me gjak e mish njeriu: 

“Shoku” Tito, me daten 1 korrik 1946, dekoroi Enver Hoxhen në Beograd “Hero i Popujve të Jugosllavisë” …që vazhdon me kenë edhe sot! Intelektualët e pergatitun në Europën Perëndimore meqë nuk u pajtuen me komunizmin; u varën, u pushkatuen dhe u burgosën me akuza fallco. Nga: “Gjyqi Special i Tiranës” (Mars-Prill 1945); u varën 3 Burra, 14 vetë u pushkatuen dhe 48 vetë, u burgosën; “Bashkimi Demokratik Shqiptar” (Qershor-Korrik 1946), 9 vetë u pushkatuen dhe 25 u burgosën; “Sabotatorët e Kënetës së Maliqit” (1946) 2 vetë u varën, 4 vetë (ndër ta 1 grue) u pushkatuen dhe 15 ingjenjer e teknikë u burgosën; “Opozita II Shqiptare” (Shtator 1947), 3 vetë janë varë, 13 vetë u pushkatuen, 51 u burgosën; “Gjyqi i ‘bombës’ në Ambasadë Sovjetike”(Shkurt 1951), vrau 22 vetë pa gjyq; “Shkolla Teknike e Harry Fultz” (1946-49), zhdukë 22 vetë të pushkatuem dhe 60 vetë të burgosun randë. Këta janë vetëm disa nga “Gjyqët” fallco të intelektualëve të Tiranës, ku nuk munguen edhe emnat e shkodranve. 

■Arrëstimët e para komuniste në Shkoder lidhën me ardhjen në Janarin e 1945 të grupit terrorist me kriminela që nuk i ka njohtë kurrë historia, si: Presidenti Omer Nishani, Mehmet Shehu, Sheuqet Peçi, Haxhi Lleshi, Rahman Perllaku, Gjin Marku, Ramiz Alia, Vaskë Koleci, Zoji Themeli, Kolec Ilia, Fadil Paçrami, Ndreko Rino, Qamil Gavoçi, Arif Gjyli, Misto Bllaci, Ali Xhunga, Nesti Kopali, Fadil Kapisyzi, Idriz Çoba, Cuf Lohja, Ndrek Nallbani, Dilaver Sadiku, Ali Qorri (Bushati), Lilo Zeneli, Hysni Ndoja, Filip Pema, Jonuz Dini, Kasem Troshani, Vehbi Fishta, Pjerin Kçira, Ylvi Dibra, Hys Zaja, Pjetër Ballata, Rasim Dedja, Zoji Shkurti, Bilo Bregu, Hulusi Hako, Aranit Çela, Tonin Miloti, Mestan Ujaniku, Toger Baba, Anastas Koroveshi, Pandi Kristo, Zija Dibra, Thoma Karamelo, Xhemal Selimi, Sadik Rama, Asllan Lici, Dul Rrjolli, Dulaç Lekiqi, Elez Mesi, Hamdi Ulqinaku, Veladin Zejneli, Haxhi Pela, Isa Miloti, etj., katilë dhe vagabondë analfabetë që tue i sherbye komunistëve shovenistë serbojugosllavë të UDB, dhe mbas tyne llomi filorus i KGB sovjetike, morën përsipër me shue, shtrue e zhburrnue Malët, me shpartallue për vdekje Atdhetarët tanë, Klerin Katolik, tue i pasue ata katilë pak ma vonë edhe Hilmi Seiti, Feqor Shehu, Rexhep Kolli, Çapajev Taçi, Dhimiter Shkodrani, Jake Tefiku, Elham Xhika, Xheudet Miloti, Skender Villa, Lefter Lakrori, etj. 

Të paharrueshem mbesin në mendjen e Popullit të Shkodres servilët dhe agjentët: Xhemal Dini, Dhimiter Shkodrani, Ali Xhunga, Skender Myftaraj, Elham Xhika,  Musa Kraja, Fadil Ymeri, Skender Drini, Ramiz Hafizi, Shefik Osmani, Shyqyri Çoku, Angjelin Kumrija, Selahedin Cena, Sadik Rama, Vehbi Bala, Jup Kastrati, etj., agjenta sigurimi me tituj e pa tituj “dr.prof”, që i sherbyen me shpirtë “Revolucionit Ideologjik e Kulturor” të vitit 1967, ku terroristët dhe shkatrruesit e Shkodres Heroike …perveç tjera veprave, treguen botnisht edhe urrejtjen anadollake të mbetun tek “vëllezërit e gjakut me turq”… 

Kjo ishte edhe formula e pistë e terroristit Ramiz Alia që e lidhte ate me Shkodren… 

■HAPNI DOSJET ! Shikoni veprat terroriste të këtyne gjaksorëve të pangopun! 

Gjuetia e Fjalës në Shqipni ka vra, torturue, masakrue dhe varrosë mbi 500.000 Shqiptarë! 

■Heshtja po vret edhe Shqipninë e Gjergj Kastriotit!

■Në se i keni harrue vrasësit, torturuesit, hetuesit, gjykatësit, policët apo drejtorët e kampeve të shfarosjes, shpejt do t’ ua kujtojnë trashigimtarët e tyne të Pushtetit sotëm!

Melbourne, Qershor 2015.

Filed Under: Opinion Tagged With: dosjet e gjuetareve, Fritz radovani, gjuetia e fjales

Lutuni për Greqinë!

June 25, 2015 by dgreca

Nga lir Levonja/

Ka një tendencë servirje të gabuar për çfarë po ndodh momentalisht në Berlin rreth krizës greke. Në shtypin shqiptar ku më i nxehtë problemi bëhet nga komentuesit. Të gjithë kanë përshtypjen se Greqia është duke i bërë presion Europës, përmes Rusisë. Apo edhe tangërllëkut grek siç kemi qejf ta cilësojmë edhe shumë nga ne. I referohemi  borxheve, falimentit aktual, artikujve po me frymë të tillë, pra me tendenca të karshillëkut grek.Në fakt nuk është aspak kështu. Nuk është Greqia ajo që bën presion. Por rasti Greqi.

Një ekuivok politik i botës perëndimore. E cila duke menduar se do suportonte një ekonomi të shtrydhur nga korrupsioni ballkanik, e përfshiu në projektin euro.

Me sa duket qe përllogaritje e shpejt, ndofta politike.

Referuar  grupit eitorial të New York Times, data e sotshme. Ku përmenden lufta   civile e Greqisë 1947, hija e Rusisë dhe këmbëngulja e presidentit amerikan të asaj kohe Truman. Për ta patur Greqinë dhe Turqinë si kufirin me botën bolshevike. Sot e pas shtatëdhjetë vitesh duket po e njëjta situatë. Por pavarsisht kësaj, nuk është tërësisht kjo. Ose ne nuk duhet ta shohim me këtë sy. Pasi sot perëndimi është më mëndje kthjellët. Qëndron apo nuk qëndron Greqia në eurozonë, prapë ka pasoja. Qëllimi i perëndimit është t’i minimizojë ato.

Eshtë tashmë një reflektim i vështirë për nisma të pa menduara thellë. Pra a është politik? A është karshillëk? A është ekonomik? Asesi. Eshtë mbarimi i një përllogaritje të gabuar. Të cilin keq apo mirë do e paguajnë vëndet pjesëmarrëse në eurozonë.

Vendet të klasifikuara si lidhura me Greqinë.

Përse na duhet ne shqiptarëve kjo.?

Së pari, ne jemi më pranë saj. Për gati njëzetë e pesë vjetë bashkëjetesë, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht me popullin helen. Me të mirat, të metat. Me…,  ka ndodhur apo çfarë nuk ka ndodhur. Këtë e kanë kuptuar edhe grekët. Kurse shqiptarët më shumë se kësaj ane, i mëshojnë atyre të këqijave që mbajnë mend. Për rrjedhojë edhe debatin e kanë të nxehtë. Ndofta nga që shumë prej tyre mendojnë se bërja aktuale e falimentit aty në Greqi. E fundit fare, ata kanë se ku shkojnë. I pret atdheu. Edhe pse nuk duan ta dinë se, brenda tyre kanë ndryshuar shumë gjëra. Sado e ashpër të ketë qënë jeta në Greqi, aty rritën fëmijët. Dhe ata aty u dashuruan, u arsimuan.

Madje kanë krijuar edhe familje. Ndaj Shqipëria nuk mund të jetë për ta shpëtimi. Një Greqi e dytë. Edhe pse kanë brenda vetes një patos patriotik.

Një njezetëpesëvjeçar shqiptar, i lindur në Greqi nuk mund t’i gëzohet këtij falimenti. Sado të kënaqet babai i tij.

Së dyti, ekonomia e vendit tonë…, po kalon në hapat e Greqisë së dikurshme. Madje edhe situata me zhvillimet politike. Me grumbullimin e pushtetit. Të paktën sa u vërejt nga fushata e fundit, tendenca e blerjes së votës është prezente në të dy kampet. Ekzistenca e personave të veshur me pushtet  për një kohë mjaft të gjatë në pushtet, është me rekorde të dukshme nga të dya anët.

Të paktën nga shpërndarjet e fotove të qyteravë në internet, nuk mund të pretendojmë të kundërtën. Kjo arritje e teknikës ka edhe fuqinë e demaskimit. Por ne dimë dhe tjetrën, që emi të imunizuar me korrupsion.

Ne flasim për ulje të borxhit publik. Ndërkohë e rritëm atë. Ne flasim për ulje të korrupsionit. Ndërkohë janë alarmante shifrat e investuara vitet e fundit.

Shumë editore shqiptare kanë momentalisht në qëndër votën masive për Partinë Socialiste. Dhe lënë për në kuadratin e qoshes, në fund poshtë fare, dështimin prej 6.6 miliardë lekë të pesëmujorit të parë të kitij viti.

Së treti, nëse politikanët, por edhe qytetarët shqiptarë mendojnë se do i sheshojnë problemet e tyre fiskale, ashtu si Greqia. Duke u bërë anëtarë të eurozonës… E kanë gabim. Nuk e bëm më Europa një përfshirje të tillë,  për Shqipërinë. Ashtu si me Greqinë. Kështu që i bie, ose të ringjallimi ose të mjaftohemi me liberalizimin e vizave.

Gjithsesi, ne duhet të shqetësohemi për falimentin grek, njësoj si për veten tonë.

Po i mbyll këto pak rreshta, me fjalët e një qytetari grek, përfshirë nga editori i New York Times-it. ”Për popullin grek kriza erdhi si një rrufe në qiell të pastër. Kjo nuk u krijua nga ne, por politikanët tanë. Ata e dinin që ne po shkonin poshtë. Ato që duhet t’i bënin vite më parë,  po përpiqen t’i bëjnë sot dhe brenda natës”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Lutuni per Greqine

Demokratë, ne humbëm!

June 23, 2015 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA-Florida/

Harta është ngjyrë violetë. Shifrat kanë diferenca të ndjeshme, por edhe honike. Përkundër të gjitha arsyetimeve, kjo është humbje. Dhe një e tillë, përpara se ta kërkojmë tek tjetri duhet ta kërkojmë tek vetja. Tjetrit i duhet thënë urime. Pavarsisht mospikëpjekjeve tona. Pavarsisht se duam apo nuk e duam. Pavarsisht pretendimeve. Ka një sovran që e do. Ai ka emrin popull.
Të cilin nuk kemi përse ta mallkojmë. Pasi ishte ai që na dha edhe neve pushtet dikur. Eshtë ai që do na rimëkëmbi sërish. Lum kush e kupton dhe mjerë kush vazhdon ankohet. Ka domethënien e qoshes. Spostimit. Ta gëzojmë atë. I pari kryetari i opozitës. Një nga njerëzit që për hir të së vërtetës, për disa vite me radhë u bë modeli fitues i një fushate ndryshe. Sot e di ai pse ndryshoi. Pse përfundoi tek oratoria me mallkime. Tek vendimmarrja personale, jo ajo kolegjiale. Pse quan fitore rritjen prej 9% të numrit të votuesve. Ata në favor të PD-ës. Harta është ngjyrë violetë. Bashkive të mëdha as që iu afruam. As që i shkundëm pluhurat. Kjo quhet humbje. Madje humnerë. Rezultai i ngjan ndeshjes Gjermani- Brazil në kampionatin botëror të 2014.
Si mund të justifikohemi. E thjesht fare. Të mësohemi të urojmë kundërshtarin. Pastaj të ulemi dhe të analizojmë humbjen. Të ulemi duke dëgjuar edhe mendimin ndryshe brenda vetes. Një demokrat nuk është vetëm ai që mendon si kryetari, që qesh si kryetari, etj. Por edhe ai që pavarsisht të gjithave, ka rreshtuar veten në atë radhë të gjatë emrash. Ku ai në krye duhet të gëzohet përse ka radhë. Dhe jo të përjashtojë njerëz prej saj. Jo ta shikojmë shoku-shokun me ironi. Dhe të fillojmë me atë formulën shqiptare, të kryqëzimit. Kush ka të drejtë apo jo. Pse s’më dëgjove mua? Pse kështu e pse ashtu? Por për së mbari. Dhe një rrugë e tillë fillon duke hequr nga koka mendimin se humbja e një palë zgjedhjeve është fundi i botës. Koha rrjedh më shpejt se ujët e lumit. Ata që duhet ta kuptojnë të parët këtë, janë opozitarët. Edhe pse të dërrmuar. Edhe pse të shënjuar. Nga ana tjetër duhet të jemi krenar për çdo reagim të fortë prej opozitari, që kemi bërë. Që do të bëjmë. Pasi është ekzistenca e demokracisë. Një popull që është i lumtur 100%, ka paraqitjen e një tryeze dreke me të njëjtën menu. Fasule, fasule, fasule…
Veç opozitar nuk do të thotë të mallkosh. Të nxjerrësh koka njerëzish që ulërasin, shajnë, për turpin dhe faqen tonë të zezë. Koka që krijojnë grupe klasash, lagjeje dhe krahine apo anët tona e anët tuaja. Opozitar do të thotë krijesë njerëzish që frymojnë bashkë.
Nëse kjo quhet e pamundur. Nuk është përpjekja për t’u afruar modelit. Pra e pamundur. Nëse kjo quhet se nuk i përket botës shqiptare. Nuk është përpjekja për t’u afruar asaj bote që ne e ëndërrojmë.
Ne humbëm. Por të mos humbim kohën e reflektimit.

Filed Under: Opinion Tagged With: demokrate, Ilir Levonja, ne humbem

Votimi Imagjinar

June 22, 2015 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/Sapo ka përfunduar proçesi i numërimit të votave për zgjedhjet Bashkiake 2015 në Shqipëri, ose Bashkiaket 2015 siç u quajtën nga mediat. Kush mundi, që pati kohë e dëshirë votoi, e hodhi votën në kutinë e votimit pranë zonës së banimit të tij/saj. Do të çuditeni, por edhe prindët e mi që tashmë jetojnë në Amerikë votuan.

Po si, do thoni ju!
Ja ashtu ndodhi që edhe ata votuan, por votuan në mënyrë imagjinare.
Si të gjithë emigrantët që lenë pas vendin edhe prindët e mi në moshë madhore i mungon atdheu, kanë mall për vendlindjen. Edhe pse sa hapet dita lexojnë me vemendje gazetat shqiptare, përsëri boshllëkun e Shqipërisë nuk ja zëvëndëson asnjë gjë. Programet e ndryshme televizive shqiptare që ndjekin çdo ditë ja largojnë pak nostalgjinë, por gjithësesi tani në sezonin e zgjedhjeve kishin dëshirë të votonin.
U gjenda në hall se si t’ja u plotësoja dëshirën, sepse edhe unë e kam provuar vetë se çfarë është malli për tokën mëmë. Mora një kuti kartoni dhe e përdora si “kuti votimi” sipër saj shkruajta Bashkiaket 2015. Ndërsa mbi letrën e bardhë hodha emrat e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës, ku edhe ata kanë pas jetuar.
Me padurim prisja të ngrysej nata, e të gdhihej dita që akrepat e orës të shënonin 7: 00. Pasi hëngrën mëngjesin, i shkova pranë me “kutinë e votimit”.
Çfarë është kjo më pyetën gjithë kërshëri?
Kuti votimi – i thashë. A keni dëshirë të votoni për Bashkiaket 2015?
Të dy, nënë e baba panë me mos besim njëri tjetrin. E me një “po” të madhe thanë: – Po!
Votimi i ishte bërë rutinë, prandaj dhe e ndjenin për detyrë se duhej të jepnin votën e tyre për njeriun më të mirë e më të vlefshëm për fatet e vendit.
Ja pra këtu do të votoni, e vota juaj do të njihet edhe në Shqipëri.
Po si – me tha mamaja e habitur – në ç’mënyrë.
Unë do të shkruaj një letër – i thashë – rreth kësaj historie të vogël me ju, e do ta dërgoj tek Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Shqipëri, besoj se ata do ta marin në konsideratë votën tuaj, edhe nese nuk do t’ju njihet vota, të paktën do të sensibiliziohet vendi që të meret në konsideratë edhe vota e diasporës.
Mirë – tha babai – hajde grua të votojmë, për hajër, do Zoti fiton kandidati ynë.
Dhe ashtu vepruan me vullnetin e tyre të lirë, e të pavarur firmosën emrin e kandidatit që mendonin se do të ishte më i miri për të ardhmen e vendit, palosën letrën e bardhë dhe e hodhën brenda “kutisë së votimit”.
– Faleminderit – i thashë dhe i përqafova të dy.
Më pas pimë sëbashku kafen e mëngjesit. Vura re se kjo kafe i shijoi më shumë se çdo ditë tjetër. Por edhe mua zemra mal mu bë nga gëzimi që arrita t’ja u bëj më të bukur ditën prindërve të mi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mimoza Dajci, Votimi imagjinar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 648
  • 649
  • 650
  • 651
  • 652
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT