Nga Hazir Mehmeti/
Kosovës në vazhdimësi i kërcënohet Serbia me të gjitha format e mundshme për ta destabilizuar nga brenda. Vazhdimisht Serbia e pengon çdo proces integrues të Kosovës në Asociacionet ndërkombëtare prej atyre me karakter ekonomik, juridik e politik deri tek ato me karakter sportiv e kulturor. Politika serbe është po aq arrogante ndaj shqiptarëve, në përgjithësi e Kosovës në veçanti, aq sa ishte vrastare ushtria kriminale serbe nën komandën e Millosheviqit, Daqiqit e viqëve tjerë.
Qëndrimi antishqiptar i kultivuar me shekuj në shfarosjen e etnisë shqiptare që nga Pllana, Nishi, Kryshevci, Toplica, Vranja, Sanxhaku, vazhdon edhe sot në Medvexhë, Bujanoc e Preshevë. Krenaria e politikës serbe gati gjithmonë bazohet mbi qëndrimet, sukseset dhe mossukseset ndaj shqiptarëve si popull etnike në trevat stërgjyshore. Nëse lexojmë Leo Freundlich do shohim se gjenocidi serb kundër shqiptarëve ishte ndër më të vjetrit, më të urryerit dhe më tragjikët. Golgota Shqiptare ishte më mizorja, më e hershmja në kontinent dhe më gjerë. Memorandumet serbe kundër shqiptarëve shekujve nuk u sosen me Memorandumin e Akademisë së Shkencave Serbe, si bazament programi për shfarosjen e shqiptarëve në vitet nëntëdhjeta.
Qeveria serbe dhe politika e saj ditën ta shfrytëzojnë shumë mirë dobësinë e faktorit shqiptar dhe sa herë gjetën rastin vepruan. Karta e tyre, minoriteti serb, ishte dhe mbetet akoma aktive në pengimin e Kosovës, politikës së saj në të gjitha tryezat diskutuese nga ato rajonale deri në OKB. Dhe, nuk ishte pa sukses. Mosnjohja e Kosovës nga 5 vende të UE bën që Kosova nga ky union të mos njihet si shtet. Miqtë serb janë të shumtë në qarqet e politikës europiane në kontekst me Kosovën. Elementet naziste pro serbe e ruse në disa shtete të EU janë të fryra me dezinformuat kundër shqiptarëve. Njëra nga aktualet është elementi terrorist mysliman nga shqipfolësit e lidhur me mafiat arabe, serbe, ruse e angazhuar në radhët e ISIS-it, një organizatë terroriste antinjerëzore dhe antimyslimane në gjithë globin.
Elementet e tilla u frymëzuan nga predikuesit e ardhur nga vendet arabe po edhe vendore në drejtim të themelimit të shtetit primitiv të sheriatit famëkeq. Anarkia në Kosovën e pasluftës u la hapësirë lulëzimit të këtyre elementeve terroriste deri në skajshmëri, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve, njollosur imazhin e Kosovës, njollosur vetë investigimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe aleatit më besnik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Politika serbe e shfrytëzoi me sukses edhe Tribunalin e Hagës në ngritjen e aktakuzave kundër komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krejt kjo në njollosjen e luftës së drejtë të saj dhe vetë bashkësinë ndërkombëtare si faktori përcaktues final i rrethanave në Kosovë dhe rreth saj. Akuzat e Karla Del Pontes dhe të Dick Martit kanë burimin në sukseset e politikës serbe kundër Kosovës, integrimit të saj në Institucionet Ndërkombëtare, mosnjohjen nga shtete të ndryshme të pavarësisë së saj.
Fytyra serbe ishte dhe mbeti e njëjtë, armiqësore ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Diskriminimi i shqiptarëve atje është i përditshëm dhe gjithëpërfshirës. Fshatra të tëra të zbrazura shqiptare nga pamundësia e kthimit të tyre bëjnë jetë refugjati gjithandej vendeve të rajonit dhe Europës. Kush prej politikës shqiptare e ngriti çështjen e tyre në nivel ndërkombëtar? Askush, vetëm aty këtu ndonjë fjalim hipotetik i pa shije i ndonjë funksionari.
Rasti i fundit i serbit Gavriq, të kapur nga policia e Kosovës është një tregues tjetër i qëndrimit dhe angazhimit të Serbisë në Kosovë. Faza e elementeve agjenturiale tani kalon në fazën aktive terroriste në rrënimin e objekteve të caktuara sipas porosive të qeveritarëve serb për realizimin e programeve të tyre mafioze kundër Kosovës. Nuk ishte e para herë veprimi terroriste i qeveritarëve serb si pjesë e shërbimit sekret serb kundër shqiptarëve e territoreve të tyre. Kështu ata likuiduan gjithmonë figura patriotike shqiptare gjithandej globit. Politika shqiptare do duhet të koordinohet dhe kalon fuqishëm në aktivitet në të gjitha organizatat ndërkombëtare deri në OKB në demaskimin e politikës terroriste serbe ndaj Kosovës. A thua se nuk e ka ditur sigurimi serb aksionin e përgatitur nga vet ai? Kjo nuk do koment. Serbia ka një sigurim efikas dhe të organizuar edhe brenda Kosovës, i cili ka varësi komanduese direkt nga qeveria serbe. Këtë e kanë thënë jo rrallë qeveritarët serb kur e ka kërkuar nevoja e peshojës së sukseseve të qeverisë e qeveritarëve.
Mos reagimi i qeveritarëve tanë atje ku duhet, flet për një heshtje qyqare apo në instancën kohore qeverisëse për një naivitet adoleshent të dëmshëm. Kjo heshtje përsëritet mu atëherë ku e kur nuk duhet. As një notë proteste, as një shkresë protestuese apo verbal të paktën. Pse heshtet? OKB duhet të bindet mbi politikën dhe veprimet permanente armiqësore të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Nëse qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë të bindura edhe me faktin e fundit, s’kemi pse të kërkojmë nga të tjerët të jenë të bindur mbi armiqësinë ekstreme serbe ndaj Kosovës. Çfarë do thoshte pala serbe pas aktit terrorist të përgatitur prej saj? Cili objekt u zgjodh për rrënim dhe përse? Armikun duhet goditur mu në vlerat e tij që i njeh gjithë bota, bashkëjetesën shumërligjioze në shekuj. Rrënimi i Katedrales “Nëna Tereze” do shkaktonte shpërthim shpirtëror mes shqiptarëve në të gjitha shtresat. Serbet do thurnin himne sukseseve të tyre deri në OKB bashkë me ruset si përkrahës historik të tyre në të gjitha luftërat dhe masakrat gjenocide në shfarosje dhe pastrim etnik të trevave shqiptare, dhe jo vetëm shqiptare, dje e sot.
Sot dëgjon analist qyqarë e injorantë, pa shije e vizion politik në ecjen drejtë demaskimit të politikës armiqësore serbe, restriktive në kontestin ndërkombëtar dhe si element antievropian e prohegjemonizmit rus në kundërshtim të plotë me Kartën e OKB-së dhe parimeve demokratike evropiane. Sintagma e politikës serbe “…këmba e politikës në gënjeshtra të mëdha” vazhdon në transformim gradual në aksionet shkatërruese terroriste në Kosovë bashkë me elementet radikale islame “nga fjala në vepër”.
Qeveria e Kosovës duhet të jetë aktive në këmbëvënie funksionale të gjitha dikastereve të saj. Politika defensive, e zbehtë, qyqare, e vonuar dhe nga njerëz të papërgatitur karshi Serbisë urgjentisht të ndryshon. Bota e përkrah atë që është aktiv e bindës me fakte. Këto Kosova i ka, por kërkohet punë e diplomaci efikase në ofrimin e tyre para faktorëve ndërkombëtar. Kjo, të paktën, nuk po ndodhë si e aq sa duhet. Kjo e ka shpjegimin e vet: Ata që kanë ambicie të sëmura karrieriste ishin e janë të paaftë në drejtimin e politikës aktive kundërvënëse të asaj serbe, fanatike islame-ruso krahasuese e denigruese në raport me shtetin e Kosovës. Qeveria e Kosovës me dy kryeministra, njëri zyrtarisht e tjetri historikiksht, zor që do ketë sukses në trasimin e platformës në raport me Serbinë dhe përkrahësit e tyre. Politikbërja duhet liruar nga klanografia partiake e cila e favorizon individin e paaftë me pasoja në ec rrugën aspak të lehtë të Kosovës.
Hapësyrja pas ndodhisë nuk është mençuri, përkundrazi. Rasti i fundit terrorist i shërbimit sekret serb përmes pjesëtarit të qeverisë serbe do duhej të shërbej si rast konsolidimi e këndellje i qeveritarëve tanë në raport me politikën serbe. Kosova është e rrezikuar nga faza e dytë e veprimeve të terroristëve serb e mysliman. Koha nuk pret.
“PSE MË SHIKON ASHTU…?!”
Nga Fritz RADOVANI*/
At Gjergj Fishta O.F.M./
Ishe një ditë tue lexue tek “Hylli i Dritës”… Kerkova me pa ndonjë foto…
Kalova fletën dhe u gjeta krejt papritmas përballë me këte foto që më “shikoi” e më tha: “Pse më shikon ashtu Fritz?”… Për pak çaste mbeta i shtangun vërtetë tue e shikue…
Mu kujtue një ditë që tashma hyn nder vitet e shkueme mjaft larg prej tyne: 6 Janar 1940.
Ishte Burri i parë jo i shtëpisë, që takova në këte Botë!
Mbas 12 muejsh me 31 Dhjetor 1940 Ai nuk ishte ma! Ndoshta, një fat i madh për Té!
Ai vërtetë u çudit kur unë po i shikojshe dekoratat e varuna në gjoks!
Pyetja e Tij: “Pse më shikon ashtu?”… Disi, më erdhi e papritun… Ndoshta, më topiti me shikimin e Tij të vrantë po, tue mos e ndij vetën fajtor për shka ka ngja, Ju përgjegja:
– At Gjergj, kur ishe fëmijë 5 vjeç, porsa kishte fillue shkolla dhe unë kishe hy në klasën e parë, në Dajç të Bregut të Bunës, mësueja ime zonjusha Viktore Kuka, na tha: “Nuk do të këndoni ma në shkollë Hymnin e Flamurit “Porsi Fleta e Ejllit t’ Zotit..!” Né shikuem njenitjetrin dhe u topitëm… Po, askush nuk dijti me pyet dhe as, me kundershtue!
Kur shkova në shtëpi me vrap, i tregova Gjyshës sime: Nana Nine, nuk duhet me këndue ma kurrë Hymnin e Flamurit, na ka thanë mësuesja… Ajo më shikoj, dhe u bind se unë po i thojshe një të vërtetë, në moment fshani e tha: “Uuuu, këta i huptë Zoti !”…
Tezja Rozë, veshtroi dhe i tha: Gjatë ka shkue, ooo Nine, po këta, mos bajshin ditë të mirë, si kanë me këndue Hymnin e At Gjergjit kur Shqipninë e shkretë, e futne nën Jugosllavinë e komunistave të pashpirtë e t’ pa Zot!..
Mbas pak kohe, nuk e pashë ma librin “Lahuta e Malcis”, që daja e kishte tek rafti… Nga biblioteka e vet Ai hoq shumë libra, madje edhe disa i dogj në furrën e bukës…
Per të gjitha këta që shpjegova At Gjergji, nuk tregoi interes, sikur i dinte të gjitha…
Deshta me i tregue edhe për thesin me Eshtnat e Tij, po më tha: “E dij, e dij edhe atë!”
E pyeta: “At, po mos ndoshta, Haxhi Qamili kur shkoi me djegë qelen e Don Nikoll Kaçorrit, ka gjetë aty foton që keni ba bashkë me Té, Mit’hat Frashërin e Don Ndre Mjedjen në Manastir 1908, e até nuk e ka djegë me tjerat e ua ka lanë porosi këtyne?!
Ai më pyeti: “Po, çfarë porosije u la Haxhi Qamili këtyne per mue?!”… – Jo, jo, i thashë, po, më shkoi mendja mue, se kam vue ré, që permendin Kongresin e Manastirit, zanë me gojë Alfabetin që krijove Ti, tregojnë vleren kombtare… E emnin Tand, kurrë!
Bani buzën në gaz e si në buzqeshje, më tha: “Po, me Haxhi Qamilin, ku hij unë?”
– At Gjergj, po me gjithatë Kryq të varun në fyt, tashti mbasardhësit e Haxhi Qamilit, si thue Ti, a do të merren me Ty?… – Jo, ooo At Gjergj… Po, as “fra-telat” e sotit nuk po flasin ma “Gjuhë Tande”… Se, u duket edhe Ajo, si “Gjuha e Krishtit”… Janë me shkollat e dreqit… E sigurisht, edhe do të flasin me gjuhën e tij…
Më nderpreu, dhe më tha me shumë butësi dhe ambelsi, ashtu si ka pasë natyren:
“Pasha bukën, 100 vjetë para ua pata shkrue në 1914, për shka ngjau në nandor të 1944…:
***
Qé, shkjau, harlisë krenije,
Meshtarët asht tue i mbytë;
Lterët Tu, seli hyjnijet,
Me gjak asht tue Ti zhytë:
E rrfeja e Jote Kisha
Por rrzon e veç çan pisha!
As gjaku, pra, i Meshtarëve
As gurt e elterëve t’ Tu
S’ mund rreshkan mshirë Shqiptarëve,
Nuk mundkan mëninë me t’ zgjue?
E fatin e Shqipnisë
E lankan n’ dorë t’ shkjenisë?…
O e mjera, moj e mjera
Shqipni, se keq ké ngelë!
Se mirë, moj, ty t’ thau vera,
Qysh se shkjau asht tue t’ shkelë
E tue t’ poshtnue pa dhimbë,
Tue t’ lanë n’ vaj e n’ brimë.
T’ kanë rrahë gjithkah me topa,
Tue t’ djegë e tue t’ shkrumue:
T’ kanë ndamun copa – copa ,
Si t’ ishe pa zot lëshue,
E shk’ asht ma fort per t’ kja,
Me dorë t’ Mbretnive t’ Mëdha.
O Zot! O Zot! Mos tjeter
Per ketë pleqni tradhtare,
Qi Evropa, rrence e vjeter,
Bani mbi tokë Shqiptare,
Deh! Ti mos lèn që njeri
Kshtu ta dhunojë pa hiri.
Veç n’ Ty na e kemi shpresën
Se ‘i ditë Liri mund t’shohim;
Pse njeriut fjalët e besën
Fort mirë sot po ia njohim:
Ai syt s’ i prir kurr ngjeti,
Veç ku mund t’ grryejë per veti.
Prandej, o Zot, prej qiellet
Ti priri syt mbi né,
E ban qi puna t’ kthjellet,
Si asht mirë per Atme e Fé; …”
*Nga At Gj. Fishta, “Mrizi i Zanave”: “Mbi vorr të At Alois Paliq O.F.M.”, 2001.
* Ne vijim te ciklit:Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…
Melbourne, Dhjetor 2014.
KRYEMINISTRI SHQIPTAR KOPJON PRESIDENTIN AMERIKAN
Nga Keze Kozeta Zylo/
Kryeministri Rama shprehu “dashurinë e pakufishme” për gazetarët duke i ftuar në prag festash të fundvitit në Pallatin e Brigadave në Tiranë. Në Shqipëri kur kryeqeveritarët dhe superfimratot dekorojnë gazetarët e zgjedhur të tyre dhe i ftojnë për dreka e darka do të thotë që jua kanë kyçur gojën për të thënë dhe shkruar realitetin e zymtë, skamjen migjeniane që po kalon populli, vrasësit që shetisin të lirë … I akuzuari i shekullit Fullani, për skandalin më të madh të Bankës Shqiptare duke i “rrëzhgapur” 7 miliionë dollarë, ftohet në darkat më të mëdha kombëtare, dhe ka bërë që t’ju mbylle gojën medias, gazetarëve, por jo vetem t’jua mbyllë gojën me $$$, por pozon dhe mbështetet në krah të tyre duke i bërë karshillëk një populli të tërë të ndershëm dhe në skamje…
Shkrimtari i famshem Oskar Wilde ka thënë se presidentët zgjidhen nga populli dhe qeverisin njëherë në katër vjet, ndërsa gazetarët e vërtetë qeverisin përgjithmonë.
Në Shqipëri ndodh krejtësisht e kundërta, se lëshojnë kurrë vendin firmatot qeveritarë dhe topmodelet seksi kuvendare…
Kryeministri Rama mund të kopjojë presidentin e Amerikës që fton median, por media e Amerikës të nxjerrë ujët e zi, kur populli dhe Kombi ka probleme të shkaktuara nga qeveritarët, me shkrimet e tyre i shkatërrojnë me themel!…
Liria e popullit tonë (kupto dhe skllavërinë) është varur gjithmonë nga kryeparellinjtë, firmatot qeveritarë dhe topmodelet seksi kuvendare, sepse media s’i ka denoncuar për krimet, paaftesinë. Kur shtypi është i lirë shemb dhe “malet” cka të kujton presidentin Jeferson në lidhje me Lirinë: Liria e popullit tonë varet nga shtypi, gazetarët, liria s’mund të limitohet apo të humbasë kurrë.
Liria e gazetarëve tanë varet nga Kryeparellinjtë që gjithmonë paratë i kanë vërtitur nëpër duar pushtetarët, shumica të korruptuar… Një ”zemërgjerësi” të madhe tregoi kryeministri i shqiptarëve dhe me Lulat e vecërr në prag të Vitit te Ri duke iu dhënë nga një zarf me 20 dollarë për të blere gjelin, ndërkohë një gjel i paushqyer me pendë të rëna kockë e lekurë kushton jo më pak se 50 dollarë…
Aferim Edi Rama
Dhjetor, 2014
Staten Island, New York
***
MBREMJA: Batuta e shkëlqim: Një mbrëmje me median
Kryeministri Edi Rama organizoi një mbrëmje plot shkëlqim për median, në prag të festave të fundvitit. Kryeministri mbajti një fjalim plot me batuta, ndërkohë që për këtë mbrëmje pati një diskutim të gjatë në rrjetet sociale. Në secilën nga tavolinat ku ishin ulur gazetarët, kishte të vendosur nga një titull nga gazetat e mëparshme. Më poshtë fjalimi i Ramës dhe një koleksion me foto nga mbrëmja.
Nga Edi Rama
Mbrëmë në darkën e fundvitit me gazetarë e përfaqësues të mediave, në një format të veçantë që provohet për herë të parë tek ne. Bashkëngjitur dhe fjala e mbajtur për rastin:
Do ta hap me një hyrje të paparashikuar, sepse ishin pak të shqetësuar organizatorët pasi kishin marrë disa sinjale që ato letrat në çdo tavolinë, që në fakt u zgjodhën për të treguar tavolinat në vend të numrave, nuk janë kuptuar.
Janë tituj gazetash dhe nuk kanë asnjë qëllim. Përshembull, nuk është e qëllimshme që Genc Dulaku është tek “Shkëndija” sepse nuk ka lidhje me asnjë shkëndijë, ose që Armand Shkullaku është tek “Rrufeja”, ka rënë rrufeja aty ku s’duhet, ose që Bled Manja është tek “Djersa e Bujkut”, s’ka të bëj me origjinën, apo që Martin Leka është tek “Opinga”, janë pa lidhje. Ndoshta, e vetmja lidhje është që Tur Çani është tek “Gjurmuesi” ndërsa unë jam tek “Brezi i Ri”, kjo e fundit servilizëm i stafit të kryeministrisë.
Është privilegj i madh, realisht, që të kesh një detyre si e imja që të jep mundësinë fatlume që në prag të Krishtlindjeve të kesh një darkë si kjo, me njerëz që të kanë quajtur “rrezik diktatorial”, “lider frikacak”, madje edhe pa moral; të festosh me njerëz që janë munduar tërë vitin që ti tregojnë popullit anën e errët, anën e fshehtë, anën e dyshimtë të përpjekjeve të tua dhe atyre që të rrethojnë dhe të gëzosh me njerëz të cilët punojnë përditë që të mos të lënë t’i gëzohesh një suksesi. Por, lejomëni ta ndaj me ju të gjithë kënaqësinë se askush prej jush nuk mungon këtu, se është në burg. Kush mungon, nuk ka dashur të jetë këtu dhe prapë nuk ka për ta gjetur asgjë, nëse nuk kapet duke vjedhur energjinë, natyrisht.
Sinqerisht e kam ndjerë mungesën e Fahri Balliut sot. Ishte i ftuar si gjithë të tjerët, por nejse, rëndësi ka që të jetë në rregull me dritat dhe për çdo gjë tjetër të bëjë çfarë të dojë.
Jam i sigurt që nuk jam vetëm unë i lumtur që jam me ju, me të gjithë ju, edhe të gjithë ju jeni të lumtur që jeni me mua. Ndryshimi mes nesh është që unë nuk kam frikë ta pohoj që jam i lumtur, ju keni frikë ta thoni se jeni të lumtur që jeni me mua.
Sigurisht që ky është një format i kopjuar edhe pse unë ngurroj ta krahasoj me origjinalin. Në mbrëmjen vjetore të Presidentit Obama me trupën e gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë, se të paktën në këtë drejtim, unë nuk jam Barack Obama dhe ju nuk jeni gazetarët e Shtëpisë së Bardhë, ata janë dhe më të vështirë se ju dhe ju pëlqen vetja edhe më shumë se ç’ju pëlqen ju dhe këtë ma ka thënë Baraku, ose Zoti president siç i thërras unë kur flasim.
“Dava njerëzish pa karakter si puna jote dhe si puna e Obamës”, – mendon Andi Bushati, me siguri. Kurse Mero jam i bindur se do të shkruajë “ Sandri, jo më në paradhomë, por edhe në krye të vendit”. Pune legenësh ne socialistët Sandër, s’jemi burra që ta heqim shikimin. Por të paktën e kemi edhe një si puna jonë në kullën tënde, kemi Fevziun. Ti me siguri mendove kur thashë unë kemi një si puna jonë, Arian Çanin, por Ariani ha bukë veç, nuk konkurrohet në diametër.
Nejse, e harrova Obamën. As që diskutohet që takimi me Presidentin e Amerikës është gjithmonë një moment i jashtëzakonshëm për liderin e një vendi tjetër, aq më tepër e një vendi si i yni që e çmon aq shumë influencën e Amerikës mbi këtë botë. Po edhe vetë Obama do të ishte i detyruar të pranonte se, që të dy këtë vit kemi qenë shumë të vegjël përpara një burri tjetër, Shenjtërisë së Tij Papa Francesku.
S’besoj se ka dhe këtu, mes kaq shumë kokash më vete që janë mbledhur këtu në këtë sallë, ndonjë që ta mohojë dot madhështinë e mesazhit që Papa i dha botës, duke e vizituar Shqipërinë, si vendin e vizitës së tij të parë në Europë. Mbase, dhe them mbase për të qenë brenda, Fatos Lubonja do të ishte i vetmi që nuk do të binte dakord as për këtë. Po ta kishte thënë dikush tjetër edhe mund të mos ta kundërshtonte, por kur është fjala për mua, ai nuk ia lejon vetes për asnjë sekondë uljen e vigjilencës. Megjithatë vizita e Papës na bëri të gjithëve që të ndihemi mirë si rrallëherë. Shumë nga ju këtu, në mos të gjithë keni qejf të përsërisni që unë jam arrogant, por në krah të Papës, edhe më arroganti i arrogantëve ndihet shumë i vogël, edhe pse nuk jap dot një garanci për paraardhësin tim, në këtë aspekt.
Ndërsa sa për Obamën ai ra pre e magjisë Papale, në pikën që ndryshoi historinë e marrëdhënieve lashtësisht inekzistente mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, një ndër ngjarjet më të mëdha për botën këtë vit.
Po ta kisha kuptuar më parë këtë dhunti të Papa Françeskut për tu bërë urë mes dy liderësh në konflikt, do ta kisha ftuar që të rrinte mes meje dhe Vucic në konferencën e famshme për shtyp. Edhe pse askush nuk e thotë dot me siguri se kjo nuk do të ishte marrë si një “provokacia” më vete në Pallatin e Serbisë. Jo gabova për këtë, në fakt, mund të na sigurojë Baton Haxhiu, kosovari, që serbët e konsiderojnë ekspertin më të besueshëm për punë Shqipnije, ndërsa shqiptarët si ekspertin më të informumë për punë Serbije.
E pyetën njëherë kryeministrin Britanik, Harold Macmillan, se çfarë e mbante më shumë nën presion. “Ngjarjet or çun ngjarjet” “Events, boy events”, -ishte përgjigjja e tij për gazetarin. Unë në fakt se kam marrë vesh asnjëherë se çfarë kishte parasysh Macmillan, deri sa u bëra kryeministër. Madje rreth një 1 vit, pasi isha bërë kryeministër, kur po shihja ndeshjen e vitit në televizor, në fakt më qëlloi të isha matanë oqeanit dhe kur droni me simbolet shqiptare u shfaq mbi stadiumin e Beogradit, pastaj plasi një përleshje prej prag lufte dhe im vëlla u përfshi si i akuzuari kryesor për organizimin e një hataje të re ballkanike, e cila sa hap e mbyll sytë përfshiu mbarë rruzullin tokësor si të kishte rënë kometa mbi tokë, jo një pëlhurë mbi një fushë futbolli, – kuptova më në fund ku e kishte fjalën Harold Macmillan.
Ishte një ngjarje, o çuna dhe o goca, që nuk ua tregoj dot sa larg më dukej toka nga këmbët. Ngjarjet pra ngjarjet, që ndodhin kur nuk i pret fare dhe të ngrenë peshë me një fuqi që s’ke fuqi as të habitesh. E meqë ulja e Papës në tokën tonë ishte momenti më kryelartë i këtij viti për mua dhe për të gjithë shqiptarët, ajo e dronit ishte qëndrimi im më i gjatë pezull në ajër.
Edhe pa atë lloj çudie ballkanike, ndërtimi i një marrëdhënieje të re me një armik të vjetër, një prej prioriteteve të mia strategjike në fakt, është një punë e vështirë. Por shtuar dronit, tmerrues për armikun, dhe vëllai hero kombëtar i shpallur në kërkim nga armiku, përballë një date aq të afërt takimi, pas 68 vjetësh armiqësie, pa kontakte mes kryeministrave dhe pengesat duken aq të mëdha sa dhe Babaramo të ngjan si ciklop. Lavdi Zotit, që Olsi jo vetëm që s’kishte lidhje me dronin, por as më ngjan mua në prirjen për të menduar në lidhje me gjurmën që duhet të lërë në histori dhe pse është shumë më tepër tifoz kuq e zi se sa unë, dhe i refuzoi aty për aty të dyja; edhe autorësinë e organizimit të përleshjes më të fundit shqiptaro-serbe, edhe futjen në histori përmes marrjes së autorësisë. Siç e mbani mend, droni e mori me vete edhe datën e përcaktuar dhe takimi im me Vuçiç u shty. Mbase kush e bëri kometë atë pëlhurë e kishte atë qëllim ose atëherë në qoftë se nuk e kishte, ka patur fantazinë e Nikoll Lesit, fantazi pa cak. Por unë jam vërtetë i kënaqur që nuk u lëkunda asnjë çast nga vendimi për të shkuar në Serbi dhe megjithë presionin e jashtëzakonshëm nga këtej dhe andej, vizita ndodhi dhe takimi u krye.
Akulli u thye edhe pse kur pashë fytyrën e kolegut Vuçiç, kur unë shqiptova emrin e ndaluar, që nuk mund të mos e shqiptoja, Kosovën, pata frikë se theva më shumë se sa akull. Por në herën e dytë, pak ditë më parë, vura re se në fakt akulli i thyer kishte nisur të shkrihej dhe një rrjedhë e re dhe pse e ndrojtur, ka nisur të lëvizë gjërat në drejtimin e duhur mes Shqipërisë dhe Serbisë. Madje, hera e dytë zgjati përtej parashikimit dhe ne ngecëm në Beograd, pasi na zbritën nga avioni, ku sapo kishim lidhur edhe rripat e sigurimit, për të fluturuar drejt Podgoricës. Na thanë: mjegull. E ndryshe nga Barack Obama dhe nga çdo kryeministër i rajonit, ju e dini Kryeministri i Shqipërisë nuk ka as Air Force 1, as një avion të zakonshëm qeveritar. Kam përshtypjen se Saliu me zëdhënësin e vet, Sandrin, e kishin lënë për mandatin e tretë ta hapnin dhe një rrugë ajrore për të fluturuar me avionin qeveritar, pasi fluturuan nja tetë vjet në rrugët imagjinare të Shqipërisë. Por ne mbetem delegacioni i vetëm në Serbi dhe sapo menduam se ky mund të ishte një kurth i kurdisur për tu hakmarrë, për herën e parë na telefonoi personalisht kryeministri serb, i cili na ofroi mikpritjen në vilën e famshme qeveritare të Titos. E mua mu kujtua në atë moment, një episod i jashtëzakonshëm i Enver Hoxhës, të cilat ne i përdornim mes nesh për gallatë me broçkullat e shokut Enver. Në ato kujtime Enver Hoxha thoshte: “Kur shkova në Beograd, Titoja na ftoi për një shëtitje me varkë. Unë pranova, megjithëse nuk dija not. E teksa Titua, – thotë, më shihte me sytë e tij tinzarë, qeni i Titos bënte sikur flinte.” Konspiracion total. Sidoqoftë ne nuk na u desh të ktheheshim në Beograd sepse u gjet një rrugë ajrore për tu kthyer në shtëpi. Tani Artur Çani fillon investigimin si u kthyem ne në shtëpi.
Nëse herën e parë rruga e kthimit për në trojet shqiptare ishte seriozisht epike, herën e dytë ishte thjesht normale, sepse jo vetëm që nuk pamë asnjeri rrugës, por askujt prej nesh nuk i ngjante vetja përveçse si pasagjerë të lodhur të natës, cka e qetëson përfundimisht edhe Mustafa Nanon, që fill pas herës së parë lëshoi një kushtrim “Ruajuni nga Edi Rama”.
Por qoftë ardhja e Papës, qoftë vajtja në Serbi do të mbeten dy ngjarje të mëdha brenda kornizës së vitit. Ndërsa dy takimet me Kancelaren Merkel, ai bilateral dhe ai në kuadrin e Samitit për Ballkanin, janë vetëm dy hallkat e parë të një zinxhiri, të një marrëdhënieje të re me Gjermaninë që vitin e ardhshëm do të shtrihen më tutje me ardhjen e Kancelares gjermane në Tiranë.
Dikush nga ju shkruajti, nuk më kujtohet, diçka në lidhje me darkën private që ne patëm me Kancelaren pas Samitit. Në fakt ne qeshëm shumë dhe shumë më shumë sesa ç’kishte dalë në gazetë, sepse helbete nuk ishte kryesia e PS ku ka prej kohësh një lidhje legale energjie me gazetën Panorama, prej ku dalin, jo vetëm ato që thuhen, por edhe ato që mendoheshin se duheshin thënë. Më kanë thënë që Irfani ka marrë një kredi të re dhe i ka paguar të gjitha faturat e energjisë, unë e përgëzoj për qytetarinë, ngushëllime bankave.
Ndërkohë s’dua që sot të paktën, ti dali fjala Enkel Demit, që thotë se fjalimet e mija janë tmerrësisht të gjata dhe jo vetëm janë bosh, por janë aq bosh sa të vjen gjynah për Shqipërinë që ka një kryeministër si puna ime dhe për mobilierinë që i mungon një arredator i aftë si puna ime. E ngatërrova pak në fakt, se më duket këtë të fundit e ka thënë Mesila, por siç do të thoshte Ylli Rakipi, ç’bëri si Keli si Mesila, njësoj është. Nejse, shkurt unë s’dua që ti bëhet qefi as Kelit as Mesilës dhe dua të flas shkurt, edhe pse ne “komunistët” jo vetëm që se mbajmë fjalën, por s’dimë të flasim shkurt.
E vërteta është se nuk dua ta zgjas, por nuk dua ti mbetet hatri njeriu përveç Çim Pekës, që edhe po se përmenda nuk mund ti mbetet më shumë ngaqë unë nuk i shkoj tek ai divani i psikanalizës politike. Ndërkohë që Ylli Rakipi më porositi sot nja njëqind herë, të lutem mos e harro yllin e vërtetë se na more në qafë. Në fakt si ta harroj Konsullin e Meksikës, i vetmi i huaj në këtë mjedis të larmishëm mediatik shqiptar. Kurse Batoni kishte tjetër hall: Shiqo më përmend mu o Vetonin, jo të dy bashkë.
Top Channel-it s’po i përmend asnjëri sepse jemi në një fazë kur Top Channel është i kompleksuar se qeverisin socialistët, socialistët janë të shqetësuar pse Top Channel i gjuan Qeverisë më shumë se Bashkisë. Ndërsa Filipi, ishte në fillim, por mbeti në fund, si ëmbëlsira që nuk dëshiron ta hajë asnjeri, por që të gjithë e shijojnë kur e hanë të tjerët.
Të tjerëve, këtu si fillim, dhe pastaj të gjithë atyre që ja u zura emrin në gojë, ju uroj nga zemra Gëzuar një Vit të Ri më të mirë se sa ky që iku. Ka dhe fushatë vitin tjetër, kështu që do të ketë dhe reklama. Ky vit do të jetë më i begatë, sidomos për këta të televizioneve.
Tani dua të kaloj tek reformat e Qeverisë, pasi ju njoha me zhvillimet kryesore të politikes së jashtme. Jo mos kini merak se do ta mbyll. Kjo ishte pjesë e shakasë, por do ta mbyll me shumë pak seriozitet dhe dua t’ju them se teksa luftojmë dhe na luftojnë, nuk kemi pse të harrojmë të qeshim. Aq më tepër që ky është një vend shumë i vogël, për të mos u gjendur përsëri, e përsëri e përsëri përballë njëri-tjetrit.
Më kujtohet njëherë një socialist i vjetër që i ankohej një socialisti tjetër pak më i ri, por jo shumë, që i thoshte: Po si më la mua ky Nanua, i mori të gjithë dhe unë mbeta. Po s’të la Nanua, – i tha, – le veten, se nuk e kuptove që kjo punë është si autobus urban, ikën autobusi dhe vjen prapë. Boll të rrish të presësh në stacion. Ti ike dhe humbe autobusin. Ndërkohë me shumë këtu u bëmë gjatë në këtë karusel, rrotullohemi duke u ngjitur e duke zbritur, besoj që nuk na falet të plakemi pa e kuptuar se jo vetëm sa të përkohshëm jemi në këtë botë, por dhe sa shumë më tepër janë gjerat për tu bërë, përfshi edhe ato për të qeshur, sesa ato që kemi bërë, fatkeqësisht duke e marrë veten shumë shpesh më seriozisht se ç’duhet.
Fjalia e fundit është një rrëfim që sigurisht e bëj me kënaqësi këtu, se këtu nuk e beson asnjeri, që kjo periudhë mua më ka ndihmuar shumë më tepër se sa më parë, për të kuptuar dhe për të ndjerë më shumë atë që thashë tani në fund: që jemi të përkohshëm dhe mbi të gjitha që sa më shumë ta marrim veten me seriozitet, aq më pak kemi mundësi të bëjmë gjëra mirësish serioze.(Kortezi MAPO)
A kemi nevojë për Iluminizëm ?
Shqiptarë, kemi nevojë për iluminizëm të ri dhe rilindje kombëtare/
Nga Fahri XHARRA/Gjakovë/
Ne ende jetojme ne frymen osmane dhe komuniste ! Boll mo! Turpi kombtar është aq i madh sa të vjen marre që në Europë të flasish shqip. “Iluminizmi eshte dalja e njeriut nga mituria e e vetefajsuar. Mituria eshte mosaftesia e perdorimit te arsyes pa u udhehequr nga tjetri. E vetefajsuar eshte mituria, kur ajo nuk buron nga mungesa e mendjes, por vendosmeria e guximi per te drejtuar veten tende pa udheheqje nga tjeret.” Keshtu e pershkruan Immanuel Kanti periudhen e iluminizmit.
Sa nga ne e dijnë që:”Nata 21-22 dhjetor, është nata më e gjatë e vitit, që pason me natën e buzmit dhe sipas kalendarit shqiptar vazhdon me festat tjera me radhë që nga kjo datë e ndjekin solsticin dimëror deri më 6 janar ” ? Pse babai shqiptarë me lotë në sy të kërkon fëmijët e humbur, dyshon se janë përfshirë në ISIS! ? (Një qytetar zviceran me origjinë nga Kosova dhe i cili jeton në Zurih të Zvicrës po kërkon djalin dhe vajzën e tij në Adana të cilët kanë 3 ditë që nuk ka informacione për vendndodhjen e tyre, raporton Anadolu Agency (AA). )
Po ku ishe or baba , që ndër sytë e tu fëmijt ta luenin lojën e padëshiruar nga askushi ?
“Sipas informacioni të marrë Halit Loxha 47 vjeç, i cili jeton në Zurih të Zvicrës ka bërë një denoncim në polici pas mos ardhjes në shtëpi më 19 dhjetor, të vajzës së tij 18 vjeçare Edita dhe djalit të tij 16 vjeçar Visar. Policia e Zyrihut, duke u përqendruar në mundësinë e pjesëmarrjes në ISIL të fëmijëve ka raportuar këtë rast në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL). “Babai Loxha pas procedurave iu është drejtuar gazetarëve dhe me sytë e përlotur ai iu ka treguar mediave fotografitë e fëmijëve. Loxha i cili punon si sanitar në një kompani në Zurih ka theksuar se fëmijët e tij asnjëherë më parë nuk janë larguar nga shtëpia.(lajm gazetaresk) Pse nuk i ndalje fëmijët që në Cyrih ? Mungesa e edukatës familjare- do të thosha unë, Mosbisedimi me fëmijët për një devijim aq të rrezikshëm , dhe pak a shumë mosdija , mosinformimi i prindit për dredhitë e matrapazëve fetarë. Unë dhe lexuesit e ndajmë dhëmbjen me ty or prindi nga Kosova, por nuk mundem pa të kritikuar dhe “shajtur” për lojën tënde symbylltas në familje. “Fëmijët që prej 2 vitesh shkonin në një xhami, ku kisha dëgjuar se ata që shkojnë në atë xhami ishin persona që merrnin pjesë në ISIS. Më parë kanë ardhur në Stamboll, nga këtu mund të kenë shkuar në Siri. ” po shkruajnë gazetat dhe ti po qanë. E kotë ,për ty dhe fëmijtë e tu.! Ata e kanë pirë”sherbetin e mashtrimit”. “Vajza 3-4 muaj më parë filloi të mbulohet me shami. ” paska thënë prindi që mundohet t`i gjejë fëmijët nëpër kanalin më të turbullt të tradhëtisë ndaj nesh, nëpër Turqi.
Albin Kurti , kishte me thënë se është cështje familjare , shkuarja në Siri; dhe nuk guxojmë të sjellim ligjeqë e ndalojnë këtë masakër kombëtar. Edhe familja Loxha është viktimë e një qendrimi të tillë politik të një partijeje.
Miku mshkruan “Baca Fahri, kam vënë re se ne shqiptarët vëme ne diskutim cdo gjë që ka të bëjë me të kaluaren tonë të larget dhe të afërt. Duam te jemi te “pa anëshem dhe europian “në vlerësime dhe gjykime me cdo kusht. Nga kjo kanë përfituar fqinjët tanë duke fabrikuar me anë të institucioneve të tyre shtetërore historitë e prejardhjes së tyre, duke vjedhur e pervetësuar cdo gjë që i perket popullit tonë. Mos të flasim për pseudohistorianë e pseudoarkeologë që kane rolin e Judës në universin etnik shqiptar duke mbjellur dyshim dhe duke shpërndare mjegull në ate pak qe ka mbetur nga identiteti ynë kombetar dhe duke vene në diskutim shtyllat qe formojne ketëidentitet. Ne jetojmë ne Ballkan dhe fqinjët tanë nuk kanë parime dhe skrupuj morale si te europianeve, Ne shqiptaret nuk kemi nevojë te shpikim dhe të vjedhim nga askush për të emeruar prejardhjen tonë,na duhet vetem te pervetesojme ate cka eshte e jona dhe t’ua bertasim fort ne fytyrë të gjitheve. Unë mendoj se i vetmi shpëtim për kombin shqiptar është patriotizmi i pastër, por di edhe se ne jemi gati një shekull mbrapa fqinjëve tanë në krijimin dhe forcimin e identitetit tonë, për arsye që dihen pra do të isha dakord edhe me pak nacionalizëm, pasi nuk mund te jesh parimor i kulluar ne mes te hipokritëve dhe maskarenjve. Akademitë e shkencave të fqinjëve tane nuk skuqen dhe as ju nxihet faqja kur pa pikën e turpit pervetesojnë heronjtë tanë ,historinë tonë dhe e shfytyrojne të kaluarën, duke pretenduar te merren per te verteta deklaratat e tyre vetem pse dalin nga Akademi Shkencash…..Kurse ne , jo vetem nga qeveritë tona dhe nga institutet perkatëse nuk bëjmë asgjë, por edhe kur persona me ndjenja te larta patriotike mundohen te mbushin këte zbrazetirë me informacion dhe te dhëna aq te cmuara për vetedijësimin e shqiptarëve, i vemë nëdiskutim në emer të europianizmit dhe të një të vertete historike që vetëm per ne ska dashur t’ja dijë.” Zoti Loxha , jo vetëm ju por i tërë kombi ynë ka nevojë për iluminizëm, pak dritë në mendjet tona të errësuara.
Fahri Xharra.22.12.14 , Gjakovë
LETER NGA HARTFORDI PER RAMEN DHE PELESHIN
NGRINI NE QYTETIN E SERENATAVE SHTATOREN E THEMELUESIT TE KORÇES MODERNE/
NGA RAIMONDA MOISIU/
I nderuar z.Kryeministër, Edi Rama/
I nderuar z.zv/Kryeministër, bashkëqytetari im, Niko Peleshi,/
Ju lutem Ngrini Shtatoren e Themeluesit dhe Arkitektit të Korçës Moderne Iljas Bej MIRAHORI, në Korçën e vlerave- në Korçën e Mbretërise së Tolerances Fetare!
Më lejoni së pari t’ju shpreh respektet dhe mirënjohjen time dhe të famimljes sime -për ç’ka po bëni për të kthyer Korçën në Identitetit!
Në respekt të të e parve tanë, për themeluesit e Qytetit piktoresk, plot oksigjen, te serenata, mandolinave e kitarave, maskave, kolendrave, stapkave e sheqerkave,të vëllezërve Zografi,dhe te
Onufrit, të Shën Mërisë(Marisë), të Mitropolisë, Shën Gjergjit,të Xhamisë së Mirahorit, të Voskopojës e Dardhës,të Rakisë së Manit e të kinemasë- Majestik, etj.
Korça e meriton t’i ktheni qytetit Memorjen, Korça e meriton dhe e ka hak të vlerësojë në piedestal të Parin e saj-Iljas Bej Mirahorin.
Tragjedi historike të mos njohësh Arkitektin e qytetit tënd!!
Qytetarët, besimtarët e Korçës dhe klerikët tanë të nderuar të të gjitha besimeve fetare e respektojnë, vlerësojnë dhe e nderojnë figurën e Iljas Bej Mirahorit, duke vizituar Xhaminë në raste festash fetare te komunitetit mysliman, këtij projektuesit të gurit themeltar te Korçës sonë modern dhe Imaretit –të quajtur ndryshe- Filantropia e parë në Ballkan, – tani Imzot Ilias Bej Miraholli…..Bini këmbanat e rrethit të Korçës. Po ju ndjek çdo ditë e orë në promovimin dhe evidentimin e vlerave autoktone historike e kombëtare të Korçës sonë, por edhe duke i shtuar akoma më shumë vlera nga koha që po jetojmë! Por ajo ç’ka unë dëshiroj t’ju shpreh në këtë reagimin tim të hapur qytetar e intelektual si bijë e Korçës, e lindur dhe e rritur ne lagjen e shenjtë të aristokracisë myslimane, që i thone –Lagjja e Mirahorit apo e Xhamisë, si më poshte;
Të nderuar z. Edi Rama e bashkëqytetari im, z. Niko Peleshi,
Çdo qytet perëndimor ka Përmendoren e atij që e ka themeluar qytetin, si “pashaporta” e identitetit . Mua më duket neglizhim dhe mosvlerësim që Korça tashmë e njohur ndjeshëm ndër shekuj është
edhe Mbretëresha e Tolerancës Fetare, por qe në jemi edhe borxhlinj ndaj vlerave vërtet historike: Pra, -Nuk kemi ngritur dhe sot e kësaj dite -Shtatoren e Iljas Bej Mirahorit,-Themeluesit të Korçës Moderne.
Lindin pyetjet: Pse? Kur? Dhe Si?
Dikur Korçën e ndante Lumi në dy pjesë: në Orthodokse e Myslimane. Duke respektuar Metaforën Autentike të Identitetit të qytetit të tyre, Korçës-Korçarët e të gjitha brezave e shtresave pa dallim feje, kanë patur e kanë një miqësi dhe komunikim njerëzor të admirueshëm dhe dashamirës. Dëgjova të flitet -nga ju z.Kryeministër -që pranë Xhamisë, 650 vjeçare të ndërtuar e të themeluar nga Iljas Bej Mirahori-Pinjoll i hershëm i bejlerëve Mytevelinj-do të ngrihet Kulla e Dikurshme, që unë e mbaj mend në fëmijërinë time me Sahatin! Ju faleminderit shumë, për Rikthim ndër vlera, nër Memorjen e qytetit!
Atëhere pse mos ngrihet edhe Përmendorja apo Shtatorja e Iljas Bej Mirahorit -Themeluesit të Korçës moderne, -të paktën në Sheshin para xhamisë!
Ju lutem -Ngrini Shtatoren e Themeluesit dhe Arkitektit të Korçës Moderne, – Iljas Bej MIRAHORI, në Korçën e vlerëve hisyorike mondane e kombëtare, – në Korçën e Mbretërisë së Tolerancës
Fetare!
Dhe jo vetëm kaq! Iljas Bej MIRAHORI-të vleresohet edhe me Titullin -NDERI I QYTETIT!
Raimonda MOISIU
E lindur, e rritur dhe e edukuar në Lagjen e Mirahorit të Madh!
Shkrimtare dhe Gazetare e Pavarur
Hartford CT USA
- « Previous Page
- 1
- …
- 693
- 694
- 695
- 696
- 697
- …
- 865
- Next Page »