Opinion Nga Hajro Çini/
Lexova me shumë interes intervistën e ambasadorit të pushuar dhe në ikje Arvizu, dhënë gazetës Mapo dhe më bënë disa gjëra përshtypje, si nga vetë intervista, edhe pse në tonin e saj e balancuar krahasuar me daljet e mëparshme publike të tij, ashtu edhe historia e disa ambasadorëve amerikanë në Tiranë.
Ambasadori Arvizu deklaroi:
“Por, mendoj që në fund, njerëzit duhet të pyesin: A ka ndonjë cen të brendshëm në sistemin amerikan që zgjedhin këta ambasadorë që arrijnë me qëllime të caktuara dhe pastaj largohen me një histori të caktuar? A ka ndonjë gjë të gabuar në themel tek këta individë, përfshi edhe mua, apo mos problemi qëndron diku tjetër?”
Krejt papritur kjo pyetje e Ambasadorit të pushuar Arvizu më zgjoi dhe më shkuan në mëndje me rradhë disa ambasadorë. Më konkretisht, Limpreht, Withers dhe vetë Arvizu.
Të tre përfunduan në mbështetës të fortë të komunizmit shqiptar, të përfaqsuar nga partia socialiste, edhe pse vetë kjo parti paraqitet si e dyzuar. Në pamje të parë ajo përpiqet të shitet si e majtë “europjane”, ndërsa në thelb është po ajo që ka themeluar dhe drejtuar Miladin Popoviçi më 8 nëntor 1941. Fakti më kokëfortë është mbeshtetja e heshtur për Enver Hoxhën nëpër ceremonira, si dhe dekorimet për eksponentët kriminalë të asaj partie.
Po ashtu, erdhën si ambasadorë, me plane e projekte, me dëshirë për të avancuar në karrierë dhe të tre përfunduan me mandate të ndërprerë para kohe, dhe të larguar edhe nga shërbimi diplomatik. Është vërtet shumë interesant ky fakt, menjëherë sapo largohen nga ambasada në Tiranë e shohin veten të papunë.
Vijnë të admiruar në Tiranë dhe ikin të sharë. Natyrisht ky do të ishte problem vetëm i shqiptarëve, në rast se ata do të vazhdonin aktivitetin e tyre në shërbimin diplomatik amerikan, por fakti kokëfortë që ata përjashtohen prej atij shërbimi ka shumë të bëjë edhe me vetë Ambasadorët.
USA është e vetmja superfuqi sot në botë dhe një shtet me një histori sa të lavdishme aq edhe të suksesshme. Vetëm gjatë shekullit të kaluar, USA e vetme, ndryshoi fatet e luftërave botërore. Gjermania ishte në fitore në luftën e parë botërore. Kishte shpartalluar Rusinë dhe nxjerrë jashtë lufte. Kishte degjeneruar Francën dhe ishte shumë aftër arritjes së një marrëveshje xhentëllmenësh me Anglinë, por gjithnjë fituese ishte Gjermania. Hyrja e USA në luftë, ndryshoi drejtimin e fitores. Lufta e dytë ishte pasqyrë e së parës, si nga renditja e forcave ashtu edhe nga ecuria dhe përfundimi. Përsëri pa USA drejtimi i fitores mund të ishte krejt tjetër.
Po ashtu, ishte kërcënimi bërthamor amerikan që mbrojti Europën Perëndimore nga rreziku barbar rus, si dhe ishte madhështia e USA, e udhëhequr nga Presidenti i Madhërishëm Reagan që gjunjëzoi përfundimisht perandorinë e djallit (BRSS) si dhe i dha fitoten e luftës së ftohtë perëndimit.
USA mbetet fuqia më e madhërishme politike, ekonomike, financiare dhe ushtarake e kohës. Ajo sapo kaloi një krizë të tmerrshme financiare. Vitaliteti i kombit amerikan shkëlqeu përsëri, duke e lokalizuar krizën vetëm në sektorin finaciar dhe bankar, duke mbrojtur stabilitetit makroekonomik, duke mos lejuar që kriza financiare të shndërrohej në krizë morale, shoqërore apo kombëtare. Përballja me krizën dhe dalja prej saj u bë kryesisht brënda kontureve të vitalitetit amerikan. Brënda 5 vitesh. Për herë të parë në historinë e tij DOW JONES kaloi kuotën e 18,000 pikëve. Vetëm një komb i tillë mund të ndryshojë historinë në mënyrë kaq brilante dhe kaq mahnitëse. Ndryshe ndodhi, fjala vjen, me Greqinë, Portugalinë, Spanjën dhe Italinë. Të gjithë kërkuan ndihmë nga Gjermania. Pa të do të kishin kaluar katastrofa të patejkalueshme.
Pse atëherë, gjithë ky komb, gjithë kjo superfuqi, gjithë ai vitalitet dhe elastikë që, veç Gjermanisë, nuk e arrin dot asnjë komb tjetër, të ketë ambasadorë të nivelit të Arvizusë apo Withers?!
Duke qënë superfuqia e vetme ushtarake e botës, USA mund ti zgjidhë shumë lehtë edhe problemet diplomatike. Batalionet e mëdha – shprehej Napoleon Bonaparti – kanë gjithnjë arsye. Fuqia ushtarake e një kombi është zakonisht në përpjestim të zhdrejtë me cilësinë dhe kualitetin e diplomacisë. Sa më i fuqishëm të jetë ushtarakisht një komb, aq më pak diplomaci i nevojitet. Për këtë shkak diplomacia amerikane nuk ka nevojë të jetë në nivelin e ushtrisë amerikane. Nga ana tjetër, Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe cilësia e ambasadorëve në Shqipëri nuk mund të jetë, me fjala vjen, të atyre në Angli, Gjermani, Kinë apo Japoni. Dhe duke qënë e vogël nuk ka as vëmendjen e plotë të Departamentit të Shtetit, kështu që ambasadorët Amerikanë në Tiranë kanë shumë më shumë liri dhe janë shumë më pak nën vëzhgim se në vende të rëndësishme. Po ti shtosh kësaj situate edhe nivelin e lartë të korrupsionin në Shqipëri, si dhe aftësitë korruptuese të komunistëve shqiptar, të përfituara nga ata sllavë, ekuacioni bëhet edhe më i komplikuar. Për kujtesë, Rusia shfrytëzonte, nëpërmjet shantazhit dhe korrupsionit, homoseksualitetin e shefit të shërbimit sekret të Austro-Hungarisë dhe kishte në dorë të gjithë informacionin ushtarak të saj më 1914. Sllavët janë mjeshtra në këtë fushë, dhe unë nuk kam dyshim se edhe pjella e tyre politike në Shqipëri ka trashëguar këtë ves.
Thënë më shkurt, ambasadorët amerikanë në Tiranë nuk mund të jenë të një niveli tjetër. Por unë shpresoj se Ambasadori i ri Zoti Donald Lu do të jetë i një cilësie shumë më të lartë. Shpresa ime mbështetet në faktin që ai ka shërbyer në Indi, ku niveli korrupsionit është proverbial, dhe ai ka qëndruar atje shumë i kthjellët.
Duke përfunduar, edhe pse në disa dalje publike si kjo për të cilën fola, zoti Arvizu bëri disa lajthitje diplomatike duke cilësuar Ramën si Kryeministri që i duhej Shqipërisë, një shaka shumë e hidhur për shqiptarët, apo kur mori rolin e një shefi të hershëm kuadri dhe bëri lajthitjen tjetër kur sugjeronte emrat e antarëve të ekipit drejtues të një partie të rëndësishme në Shqipëri, gjëra për të cilat nuk më la shije të këndëshme, (dhe që janë kategorikisht jashtë dhe kundër statusit të një dipolomati) ai është përsëri një njeri i këndshëm, i sinqertë sidomos në dashurinë platonike që shfaq për bjonded shqiptare si dhe shprehjen e kësaj dashurie dhe unë i uroj ambasadorit të pushuar Arvizu, Vitin e Ri Gëzuar, si dhe udhëtim të mbarë për në USA.
FILOZOFIA KOHORE NË NJË LIBËR ME RRËFENJA
Nga Illo Foto, Studiues/
Në këto 2-3 vitet e fundit kam bërë mbi 30 vlerësime librash dhe autoresh, pjesa më e madhe i përket kontingjentit që më kanë dërguar autorët. Kjo mënyrë vlerësimi është kritikuar nga shumë bashkëkohës në shtyp. “Plasën duke lexuar dhe mburrur njeri tjetrin, për disa shkrime surugato “, shkruante një i ri me merita të cunguara në krijimtarinë bashkëkohore. Mënyra e korrigjimit të shkrimeve të njeri tjetrit, nuk më duket punë e pa dobishme. Sot nuk ka kritikë të sanksionuar zyrtar dhe as do të ketë. Kritikën klasike e mohoi vetë koha, liria e shtypit dhe e fjales.
Sa herë shoh një botim nga brezi ynë, ose afër me ne, krenohem, ndërsa, kur shoh shkrime të spikatura nga autoret e rinj, ndihem i lumtur. Ne na i ka pas privuar e kaluara fjalën e lirë. Të shkruaje atëherë duhet të beje hesap kokën, jo thjesht nga censura, por kryesisht nga interpretimi politik. Nuk ka pak njerëz, që shkruajnë. Bëjnë shumë mirë, jo thjesht se lenë gjurmën e brezit, por lënë përvojë të besueshme dhe të vlefshme për të rinjtë. Krijimtaria e brezave të vjetër gjithnjë ka vlerë të lartë përmbajtjesore, sepse aty është tretur një përvojë e gjatë, me të mirat dhe të këqijat e saj.
Sado, që një i moshuar si ne, nuk njeh në themel raportet e tashme të vlerave dhe kahet e zhvillimeve, por njeh sasinë shumatore të jetëve dhe ngjarjeve, në një diapazon shumë të gjerë, që ja jep faktori moshë, një faktor, që nuk mund ta perceptojnë jetët e reja. Nga kjo pikëpamje, një autor i moshuar është shumë i avancuar dhe i pa mundur, për t’u imituar nga bashkëkohësit homologë me moshë të re. Ka dhe disa prioritete të tjera, por unë do të ndalem te njeri.
Në moshën tonë të rinisë dhe adoleshencës është vënë në punë memoria, kujtesa, studimi i përqendruar, puna me arkivat, me ditarët, me kujtimet. Sot, të tëra këto punë i ka zëvendësuar teknologjia. Në këtë rast, lipset të kemi mirë parasysh mësimin elementar biologjik, sipas të cilit, organet, që nuk përdoren, atrofizohen. Truri punon më pak, por natyrisht më cilësisht.
Nuk ka arsye të ndahen shkrimet e të rinjve, nga ato të të vjetërve. Ato e kanë bërë vetë ndarjen. Bien në sy qysh larg, por gjithsesi të tëra i bashkon kauza, për të lënë gjurmët e një realiteti, që kanë njohur autorët. Nga kjo pikëpamje, për mua, nuk ka shkrime pa vlerë, por, me vlera të kufizuara .
Lexuesi i sotëm është kualifikuar në nivel të pa parë dhe të me njëhershëm. Nëpërmjet fejsbukut po thuaj ç’do lexues, është kthyer në krijues. Jep diçka dhe pa ndërprerje nga vetja e tij. Në këtë kuptim, lexuesi na gjykon brenda një spektri shumë të gjerë, që kurrë nuk do ta kishte paraparë as Zhul Verni. Simbas shtypit, përdoruesit e fejsbukut, kanë arritur një miliard. Për të tërë ka një gjë origjinale, për ta sjellë përpara lexuesve dhe kjo ndodh në çdo sekondë të 24 orshit. Në këtë furtunë shkrimesh, krijimesh dhe leximesh, mbeten me shumë vlerë krijuesit profesionistë, që mendimet e tyre i formulojnë në libra, siç është dhe rasti i librit të Luan Cipit, që e kam në ekranin e kompjuterit tim.
Tregimet, që ka përmbledhur autori në librin e tij “Rrëfenja dhe Tregime“, kanë një vlerë të madhe edukuese, njohëse dhe kulturore, në mjedisin intelektual aktual shqiptar. Të tëra tregimet janë zgjedhur me shumë vëmendje si tematikë dhe janë punuar me shumë kujdes. Lexuesi i vjetër dhe i ri gjen përgjigje adekuate, për probleme të ngjashme, por dhe zgjidhjet e duhura, që mjeshtërisht i ka rekomanduar një shqiptar i moçëm dhe i ditur, siç është Luani.
Mendimi im është tërësisht i sanksionuar: Letërsia e sotme, për të qenë e dobishme, lipset të jetë e provuar personalisht nga autori. Lexuesi i sotëm nuk ka nevojë, për hamendësime dhe trillime pa fund, për probleme të pa jetuara, që kur hidhen në tregim, ose marrin formën e përrallës, ose janë shumë bajate, që ke ndot t’i afrosh në tryezën e analizës. Përdoruesi i internetit, është i saturuar me lloj, lloj ngjarjesh, që vinë nga burime të sigurta dhe, shpesh, të rreme. Këtij truri të lodhur nuk mund t’i servirësh parafabrikate mediokre, sepse në mënyrë të natyrshme i flak, pa i lexuar, madje i refuzon, qysh në takimin e parë. Këtu kam parasysh lexuesin e vëmendshëm dhe serioz, të pa lodhur nga komercializmi i jetës që na rrethon.
U mundova të gjeja ndonjë tregim mediokër, brenda librit të Çipit. Tregimet nuk janë të tërë të një niveli artistik dhe përmbajtjesor, po nuk ka tregime të tipit limonade. Asnjë të tillë. Brenda këtij libri gjen tregime me vlerë të rëndësishme historike, të cilëve duhet t’u drejtohesh, kur është fjala për dokumente historike. Po e përgjithësoj këtë fakt, duke i rekomanduar lexuesit, se tregimet e Çipit, për historinë e qyteteve, ku ka banuar, të episodeve të luftës, të punës dhe portretet, që ka përshkruar janë dokumente, të cilave mund t’u adresohen dhe historianët e mirëfilltë. Ku mund të gjejnë historianët të vërteta të përjetuara nga një burrë 80 vjeç, që është i pajisur me një memorie të fuqishme, me talent për narracion dhe me një përvojë pune të gjatë dhe korrekte? Ky është filozof, sipas kuptimit shqiptar, të këtij termi. Shqiptari quan filozof, njeriun, që di gjithçka dhe i jep rrugë gjithçkaje. Nuk është e gabuar si koncept. Filozofët e lashtë të tillë ishin.
Mjafton të thoshe Sokrat, ose Aristotel dhe kishe thënë dhe biologun, dhe matematikanin dhe historianin dhe inxhinierin, pa dyshim edhe shkrimtarin. Sot ky lloj koncentrimi në një njeri të vetëm është i pa mundur, sepse secila shkencë ka një zhvillim kulmor. Filozofi i sotëm është një ndër specialistët e një prej shkencave, që studiojnë jetën, shoqërinë. Filozofi më i kompletuar është ai, që analizon përditshmërinë e jetëve njerëzore, shumatorja e të cilave bëjnë shoqërinë ku jetojmë, ku mësojmë në shkollë, ku bëhet luftë, ku punohet, ku besohet në zot, zhvillohet terrorizmi, bëhet jetë nate, etj. Këtë përditshmëri nuk e përshkruan kronologjikisht, por e ngre në art. Në rast se duam një shkrimtar filozof, kemi Luanin. Këtë e percepton secili lexues, sa bie në kontakt me librin, për të cilin bëj fjalë.
Vlerësimin e plotë të librit e ka kryer në parathënie shkrimtari Martiko, që e klasifikon dhe rrymën letrare, në të cilën Luani aderon. Pa dashur ta quaj vërejtje, mendoj se nuk ka pse të thuhet “Në vënd të parathënies “, kur ajo është realisht parathënie ose vlerësim. Në parathënien e Martikos do të shtoja se frymëzimin dhe formimin e Luanit nuk ja ka dhëne vetëm rritja dhe rinia në Gjirin e Vlorës, por pasioni dhe puna e pandërprerë në studim, analizë dhe përgjithësim të fenomeneve mbështetur në arritjet shkencore të profileve, me të cilat lidhen problemet që trajton Luani.
Shkrimet e Luanit unë i vlerësoj perfekte . Ato godasin drejt për drejt fenomenin real. Ne jemi të lumtur, që këto analiza na i jep një njeri, që vlerëson të tëra shkencat dhe mbart një periudhe 80 vjeçare, me vështirësitë dhe gëzimet që jep jeta njerëzore.
Kam parasysh, një jetë, që ka çarë vetë, pa e marrë askush për dore, për të baritur në labirintet. Ajo, që pasqyron Luani ju vlen të tëra brezave dhe ata, që sot e refuzojnë, do të vijë koha, që do thonë: Sa të drejtë ka pasur autor Luani, kur na jep shembujt e shkëlqyer dhe vlerën morale të jetës së shkurtër të Babait të vet. Babai Luanit nuk pati ndonjë titull dhe as ndonjë pasuri të madhe të trashëguar, për të bëre bamirësi. Ai është një shqiptar me zemër të madhe, që është ndeshur me vështirësi të paparashikuara dhe të tëra i ka mposhtur me dinjitet dhe guxim, sipas specifikës që i është paraqitur. Nuk mund të krijosh një portret të tillë me fantazi. Kamani ka bërë jetën e tij të ndritur, që meriton të imitohet. Kjo është arsyeja, që i vlerësoj maksimalisht tregimet e Luanit dhe i rekomandoj t’i lexojnë me tendencë njerëzit e çdo brezi. Kamanin nuk e konsumonin vështirësitë, por vdekja e pa pritur, që i ndodhi në kulmin e jetës së tij prej krijimtari, në 58 vjeç .
Në letërsi, gjinia më e lartë e të shkruarit është romani, sepse në një roman thuren disa aspekte të jetës dhe ndërvarësia e tyre nga personazhet reale ose të krijuar. Por tregimtarë të fuqishëm në botën letrare janë të shquar dhe shumë të lexuar, siç është rasti i Çehovit. Në fund të fundit, po ta shtrydhësh një roman, nuk besoj se trajton më shumë probleme se sa libri me tregime i autorit Çipi. Nuk jam unë kompetent të gjykoj shijet e lexuesve, por them se është koha e prozës së shkurtër, kur kemi parasysh, që koha për leximin vjen gjithnjë duke u rrudhur. Detyrën e kësaj proze e plotëson, më së miri, libri me tregime i L.Çipit.
Luani shkruan dhe poezi. Unë do të veçoja poezinë për Babanë.
E kam të vështirë të klasifikoj cili është tregimi me i realizuar. Ata janë të tërë të pëlqyer nga ana artistike dhe të kërkuar si referencë historike. Librit internetik i mungon një tregues lënde, që është i domosdoshëm, por unë, për thjeshtësi të lexuesit tim, po përshkruaj atë, që unë plotësova gjatë leximit ne ekran.
Kur është fjala për gjitonët, kujtova, se ndoshta duhet thënë fqinjët, por jo. Gjiton është fjalë shqip. Me këtë tendencë kam verifikuar edhe fjalë të tjera. Luani është i kujdesshëm në përdorimin e fjalëve dhe të dialektalizmave.
Portreti i shkurtër i Petraq Palit, është më i sakti dhe më i kompletuar se të gjithë shkrimet që kam parë për këtë personalitet të Himarës.
Historia e qyteteve Vlorë, Fier, Gjirokastër, Selenicë, është material reference për këdo që shkruan, për këto qytete dhe për ata, që vijojnë të jetojnë në to.
Luani e dashuron objektin që përshkruan. Unë, si lexues, ndjej se autori shkruan me ndjenjë të fortë, siguri dhe realisht, pa zbukurime dhe retushime. E jep të plotë fotografinë, bardh e zi dhe lexuesi gjykon vetë, për gjithçka; autori nuk i bëhet barrë rrugës së gjatë të imagjinatës, që është karakteristikë e ç’do lexuesi.
Në historinë e Vlorës, më bëri përshtypje rendimenti i ullinjve, për kohën e kaluar. Statistika thotë ishin 100 mijë rrënjë dhe jepnin 200 mijë barrë. I takon çdo rrënjë 2 barrë, ose rreth 140 kg. për rrënjë. Përgjithësisht regjistrat otomane janë të sakta dhe nuk ka pse të paragjykohen, por ky rendiment, lipset të behet objekt i një diskutimi shkencor dhe ne kemi mjaft shkencëtarë të kësaj fushe, madje dhe nga brez i ri. Personalisht, me jepet rasti t’ua sugjeroj një realitet, për studim të thelluar, sepse të parët tonë kanë qenë mjeshtër në kultivimin e bimëve veçanërisht të ullirit.
Shumë sinjifikativ tregimi për italianin Otello. Unë e kam përjetuar kohën e kapitullimit të ushtrisë italiane dhe se si ushtarët italianë u trajtuan nga familjet fshatare shqiptare. Është një moment i shpirtit human të këtij populli, që shumë segmente të sotme, vijojnë ta deformojnë qëllimisht. Ky humanizëm nuk vdes, sepse është në karakterin kombëtar, gjë që e shohim dhe në tregimin e dy djemve të furgonit të Vlorës. Brezi i ri i vlonjatëve, nuk është ai që paraqitin kronikat e zeza greke, italiane dhe tonat, është ai që na jep shkrimtari vlonjat, 80 vjeçar, L. Cipi. A ka njeri, që nuk bindet për këtë fakt të thjeshtë në dukje, por shume specifik, për moralin kolektiv shqiptar?
Doktorët e Vlorës , qe ka portretizuar L. Cipi, janë të njohur an’e kënd Shqipërisë , veçanërisht gjatë viteve të monizmit. Kanë qenë shumë të dëgjuar mbiemrat e doktorëve: Kauri, Flloko, Angjeli, etj.
Kur lexon radhën e peshkut, të qumështit dhe të tërë sagën e kësaj natyre, njeriu jo vetëm, që ligështohet për jetën e popullit të vet, por armatoset me një material të sigurt, për t’u kundërvënë disa shfaqjeve sporadike të disa veteranëve të pa sqaruar, qoftë dhe teorikisht, për dëmet kolosale, që i solli vendit instalimi i diktaturës komuniste të lindjes.
Martesa e Kadiut te Gjirokastrës dhe Hotel Grandi – Korçë, janë tregime të nivelit të lartë artistik dhe meritojnë një përsiatje të veçantë, ndoshta sa e gjithë përsiatja e librit. Këto dy tregime, ai i Kamanit dhe Historinë e Vlorës, unë i veçoj si elitën e gjithë ketij libri elitar.
Me shume elegancë, autori na ka futur në botën e hajdutërisë ordinere, që lidhen me tregimet për vjedhjen e shtëpisë dhe të portofolit. Autori ndërhyn me zemër të plagosur të sqarojë këto plagë shoqërore, por që nuk mund t’i anashkalojë, sepse ai i ka vuajtur në kurriz. Në balancim të këtyre tregimeve, autori na jep tregimin e shkëlqyer “Po na kthehen djemtë“. Me ketë tregim, autori jo vetëm na jep një pasazh të emigracionit si fenomen, por na përforcon idenë, që shqiptari emigracionin e ka përdorur si trampoline, për të rregulluar jetesën në vendlindje. Kjo traditë është përcjellë dhe në masën e emigracionin biblik postkomunist.
Nuk mund të le pa përmendur tregimet e sakta, për firmat piramidale dhe përditshmërinë e jetës së pleqve, kompjuterit dhe celularëve. Luan Cipi me shokët e vet të moshës, që kuvendojnë në Vlorë e Tiranë, janë në grup enciklopedik, që lëvizin dhe përherë e pasuroje repertorin e tregimit, me kujtime që ju vlejnë kohëve dhe brezave.
Njerëzit e ditur, ose me saktë të rinjtë e etur për dije, shtohen çdo ditë në Shqipëri dhe kjo lidhet me rritjen e kërkesave të arsimimit, në të tëra nivelet. Brezin e Luanit, do ta kërkojnë , këta njerëz, që ndoshta tani e shohin me indiferentizëm zhvillimin e sotëm kulturor dhe prurjet memoristike të brezit, që ka përjetuar diktaturën komuniste .
Në fillim të këtij shkrimi, zumë në gojë zhvillimin filozofik. Një filozof i pa diskutueshëm mbetet Luan Cipi, me botimet e tij, me bagazhin e dijeve, që vinë nga një maturant me medalje ari, nga një ekonomist, qe ka krijuar linjën e vet origjinale të karrierës profesionale. Nga cili filozof mund të mësosh më shumë?
Personalisht krenohem me krijimtarinë e suksesshme të Luan Cipit, bashkëmoshatarit dhe bashkëkohësit tim. I uroj jetë të gjatë dhe produktive!
Illo Foto / Studiues, në NY – 30 Dhjetor 2014
Hapja e dosjeve, kushti i paplotesuar drejt Europes
Nga Gjergj Lacuku/ Jacksonville-Florida/
Hapja e dosjeve ne Shqipni asht nji çeshtje themelore per nji shoqeri civile qe aspiron per nji te ardhme demokratike e dinjitoze,qe andrron per te kene pjese e nji familje te madhe Europiane.
Arsyet e hapjeve te dosjeve jane te shumta por ato duhen te hapen se pari per te mesuar te verteten mbi te kaluaren, se dyti per t’ju dhane vendin e duhur ne shoqeri si te persekutuarve ashtu edhe persekutuesve,se treti asht pajtimi i klasave te ndame ne menyre antihumane gjate periudhes se erret te diktatures komuniste.
Padyshim , qe e verteta sado e hidhur te jete, duhet pranu ashtu siç asht dhe duke nxjerre ne drite te verteten e asaj lajthitje gjysem-shekullore, ne nuk kerkojme hakmarrje fizike por te pakten nji drejtesi morale. Shoqeria jone e ka te domosdoshme parimin e se vertetes dhe duke reflektu ne te kaluaren, lè ti japim nji shans meditimi atyne qe ishin te perfshire ne krimet e kryera ne emen te norganeve shtetnore. Ne e dijme shume mire se asnji nga ne nuk asht perfekt, kjofte ai i majte apo i djathte por me hapjen e dosjeve lè ti i japim vehtes tone mundesine per te njohur ma mire se kush ishim , kush na udheheqi, kush i sherbeu asaj diktature makabre. Le te i japim vehtes dhe gjithesecilit mundesine per vetedije qe nji gja e tille e pajustifikueshme te mos ndodhin kurre ma ne shoqerine tone civile.Nga ana tjeter , me aktet tona demokratike, duhet te shfaqim pjekunine tone si nji komb i vertete Europian , qe edhe pse ishim te ndarë per arsye te nji ideologjie qe tashme dihet botnisht qe ishte e destinuar per me deshtue, ne në fund te fundit dijme si ta leme mbrapa te kaluaren e hidhur per hir te nji te ardhme te perbashket, me te mire per te gjithe.
Se dyti , ne nuk kerkojme asgje ma teper nga ajo qe është moralisht e drejte . Te perballemi me te kaluaren pa frike per te njohur te ardhmen tone dhe per te ecur si nji komb i civilizuem. Do thoja se askush nuk ka nevoje ma shume per hapjen e dosjeve se sa te burgoserit politik dhe familjaret e tyne . Tmerri qe ne jetuam duhet te na sherbeje si nji mesim apo ushqim shpirteror se ne mbi te gjitha jemi qenje njerzore dhe si te tille natyra na ka dhuru te njejten ligj , qe asht respekti reciprok pa kurrefare dallimesh, kjofshin ato te besimit, ngjyres apo origjines.Jam i vetedijshem per delikatesen e nji proçesi te tille sepse kerkohet transparence permanente ku secili te kete akses per te u informue n lidhje me informacionet e mbledhuna kundrejt individeve qe ishin politikisht te burgosun. Nji gja duhet te kemi parasysh qe ligji per hapjen e dosjeve nuk duhet te jete ndares i shoqerise por ma teper te sherbeje si ure bashkimi midis se kaluares dhe se ardhmes .
Se treti , edhe ndonese per fatin e keq jemi i vetmi vend ish-komunist ku akoma dosjet mbahen te mbyllura( hapja e tyne mbas 24 viteve le shume per te deshiruar ) faktet e ketyre dosjeve te mbetura duhet te jene te aksesume nga çdo individ i shoqnise qe deshiron te dije mbi te shkuaren dhe sherbyesit e qeverise diktatoriale .Ne kete opinion te timin, prap e ve theksin qe te mos krijohet asnji iluzion per denime apo hakmarrje politike por lè rritemi, te naltesohemi si njerez duke u perballe me te verteten sido qe kjofte ajo . Un ika nga Shipnia ne nji moshe adoloshente kur akoma diktatura ishte ne kambë e çdo dite po merrte me vete jete njerzish dhe ne qe ikem atehere me duket se akoma jetojme me kujtimet e hidhura te asaj kohe te erret qe jetuam ne vendin tone. Por tashme , me ramjen e perdes se hekurt , me frytet e nji demokracie ndonese akoma iliberale dhe te brishte, me nji pjese te bashkekombasve qe jetojne ne demokracite Perendimore, besoj se ka ardhe kohe per nji pajtim te shoqerise civile sepse duke kujtu te kalumen qe te mos harrojme dhe duke i shtrire dorën njani-tjetrit per nji te ardhme ma te mire, mund te arrijme qe te i mos perserisim kurre gabimet e se shkuares por te krijojme nji fushe mundesish ku secili asht i lire per me dhane ma te miren per vete ne veçanti dhe shoqnine ne pergjjthesi.
Ne perfundim, do thoja nese nuk arrihet nji transparence mbi te kalumen, nese nuk arrihet nje pranim i se vertetes dhe nese nuk falim fajtoret per hir te se ardhmes, atehere hapja e vonuar e dosjeve do te ishte nji deshtim per shoqerine civile.
Heshtje qyqare apo naivitet adoleshenti
Nga Hazir Mehmeti/
Kosovës në vazhdimësi i kërcënohet Serbia me të gjitha format e mundshme për ta destabilizuar nga brenda. Vazhdimisht Serbia e pengon çdo proces integrues të Kosovës në Asociacionet ndërkombëtare prej atyre me karakter ekonomik, juridik e politik deri tek ato me karakter sportiv e kulturor. Politika serbe është po aq arrogante ndaj shqiptarëve, në përgjithësi e Kosovës në veçanti, aq sa ishte vrastare ushtria kriminale serbe nën komandën e Millosheviqit, Daqiqit e viqëve tjerë.
Qëndrimi antishqiptar i kultivuar me shekuj në shfarosjen e etnisë shqiptare që nga Pllana, Nishi, Kryshevci, Toplica, Vranja, Sanxhaku, vazhdon edhe sot në Medvexhë, Bujanoc e Preshevë. Krenaria e politikës serbe gati gjithmonë bazohet mbi qëndrimet, sukseset dhe mossukseset ndaj shqiptarëve si popull etnike në trevat stërgjyshore. Nëse lexojmë Leo Freundlich do shohim se gjenocidi serb kundër shqiptarëve ishte ndër më të vjetrit, më të urryerit dhe më tragjikët. Golgota Shqiptare ishte më mizorja, më e hershmja në kontinent dhe më gjerë. Memorandumet serbe kundër shqiptarëve shekujve nuk u sosen me Memorandumin e Akademisë së Shkencave Serbe, si bazament programi për shfarosjen e shqiptarëve në vitet nëntëdhjeta.
Qeveria serbe dhe politika e saj ditën ta shfrytëzojnë shumë mirë dobësinë e faktorit shqiptar dhe sa herë gjetën rastin vepruan. Karta e tyre, minoriteti serb, ishte dhe mbetet akoma aktive në pengimin e Kosovës, politikës së saj në të gjitha tryezat diskutuese nga ato rajonale deri në OKB. Dhe, nuk ishte pa sukses. Mosnjohja e Kosovës nga 5 vende të UE bën që Kosova nga ky union të mos njihet si shtet. Miqtë serb janë të shumtë në qarqet e politikës europiane në kontekst me Kosovën. Elementet naziste pro serbe e ruse në disa shtete të EU janë të fryra me dezinformuat kundër shqiptarëve. Njëra nga aktualet është elementi terrorist mysliman nga shqipfolësit e lidhur me mafiat arabe, serbe, ruse e angazhuar në radhët e ISIS-it, një organizatë terroriste antinjerëzore dhe antimyslimane në gjithë globin.
Elementet e tilla u frymëzuan nga predikuesit e ardhur nga vendet arabe po edhe vendore në drejtim të themelimit të shtetit primitiv të sheriatit famëkeq. Anarkia në Kosovën e pasluftës u la hapësirë lulëzimit të këtyre elementeve terroriste deri në skajshmëri, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve, njollosur imazhin e Kosovës, njollosur vetë investigimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe aleatit më besnik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Politika serbe e shfrytëzoi me sukses edhe Tribunalin e Hagës në ngritjen e aktakuzave kundër komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krejt kjo në njollosjen e luftës së drejtë të saj dhe vetë bashkësinë ndërkombëtare si faktori përcaktues final i rrethanave në Kosovë dhe rreth saj. Akuzat e Karla Del Pontes dhe të Dick Martit kanë burimin në sukseset e politikës serbe kundër Kosovës, integrimit të saj në Institucionet Ndërkombëtare, mosnjohjen nga shtete të ndryshme të pavarësisë së saj.
Fytyra serbe ishte dhe mbeti e njëjtë, armiqësore ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Diskriminimi i shqiptarëve atje është i përditshëm dhe gjithëpërfshirës. Fshatra të tëra të zbrazura shqiptare nga pamundësia e kthimit të tyre bëjnë jetë refugjati gjithandej vendeve të rajonit dhe Europës. Kush prej politikës shqiptare e ngriti çështjen e tyre në nivel ndërkombëtar? Askush, vetëm aty këtu ndonjë fjalim hipotetik i pa shije i ndonjë funksionari.
Rasti i fundit i serbit Gavriq, të kapur nga policia e Kosovës është një tregues tjetër i qëndrimit dhe angazhimit të Serbisë në Kosovë. Faza e elementeve agjenturiale tani kalon në fazën aktive terroriste në rrënimin e objekteve të caktuara sipas porosive të qeveritarëve serb për realizimin e programeve të tyre mafioze kundër Kosovës. Nuk ishte e para herë veprimi terroriste i qeveritarëve serb si pjesë e shërbimit sekret serb kundër shqiptarëve e territoreve të tyre. Kështu ata likuiduan gjithmonë figura patriotike shqiptare gjithandej globit. Politika shqiptare do duhet të koordinohet dhe kalon fuqishëm në aktivitet në të gjitha organizatat ndërkombëtare deri në OKB në demaskimin e politikës terroriste serbe ndaj Kosovës. A thua se nuk e ka ditur sigurimi serb aksionin e përgatitur nga vet ai? Kjo nuk do koment. Serbia ka një sigurim efikas dhe të organizuar edhe brenda Kosovës, i cili ka varësi komanduese direkt nga qeveria serbe. Këtë e kanë thënë jo rrallë qeveritarët serb kur e ka kërkuar nevoja e peshojës së sukseseve të qeverisë e qeveritarëve.
Mos reagimi i qeveritarëve tanë atje ku duhet, flet për një heshtje qyqare apo në instancën kohore qeverisëse për një naivitet adoleshent të dëmshëm. Kjo heshtje përsëritet mu atëherë ku e kur nuk duhet. As një notë proteste, as një shkresë protestuese apo verbal të paktën. Pse heshtet? OKB duhet të bindet mbi politikën dhe veprimet permanente armiqësore të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Nëse qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë të bindura edhe me faktin e fundit, s’kemi pse të kërkojmë nga të tjerët të jenë të bindur mbi armiqësinë ekstreme serbe ndaj Kosovës. Çfarë do thoshte pala serbe pas aktit terrorist të përgatitur prej saj? Cili objekt u zgjodh për rrënim dhe përse? Armikun duhet goditur mu në vlerat e tij që i njeh gjithë bota, bashkëjetesën shumërligjioze në shekuj. Rrënimi i Katedrales “Nëna Tereze” do shkaktonte shpërthim shpirtëror mes shqiptarëve në të gjitha shtresat. Serbet do thurnin himne sukseseve të tyre deri në OKB bashkë me ruset si përkrahës historik të tyre në të gjitha luftërat dhe masakrat gjenocide në shfarosje dhe pastrim etnik të trevave shqiptare, dhe jo vetëm shqiptare, dje e sot.
Sot dëgjon analist qyqarë e injorantë, pa shije e vizion politik në ecjen drejtë demaskimit të politikës armiqësore serbe, restriktive në kontestin ndërkombëtar dhe si element antievropian e prohegjemonizmit rus në kundërshtim të plotë me Kartën e OKB-së dhe parimeve demokratike evropiane. Sintagma e politikës serbe “…këmba e politikës në gënjeshtra të mëdha” vazhdon në transformim gradual në aksionet shkatërruese terroriste në Kosovë bashkë me elementet radikale islame “nga fjala në vepër”.
Qeveria e Kosovës duhet të jetë aktive në këmbëvënie funksionale të gjitha dikastereve të saj. Politika defensive, e zbehtë, qyqare, e vonuar dhe nga njerëz të papërgatitur karshi Serbisë urgjentisht të ndryshon. Bota e përkrah atë që është aktiv e bindës me fakte. Këto Kosova i ka, por kërkohet punë e diplomaci efikase në ofrimin e tyre para faktorëve ndërkombëtar. Kjo, të paktën, nuk po ndodhë si e aq sa duhet. Kjo e ka shpjegimin e vet: Ata që kanë ambicie të sëmura karrieriste ishin e janë të paaftë në drejtimin e politikës aktive kundërvënëse të asaj serbe, fanatike islame-ruso krahasuese e denigruese në raport me shtetin e Kosovës. Qeveria e Kosovës me dy kryeministra, njëri zyrtarisht e tjetri historikiksht, zor që do ketë sukses në trasimin e platformës në raport me Serbinë dhe përkrahësit e tyre. Politikbërja duhet liruar nga klanografia partiake e cila e favorizon individin e paaftë me pasoja në ec rrugën aspak të lehtë të Kosovës.
Hapësyrja pas ndodhisë nuk është mençuri, përkundrazi. Rasti i fundit terrorist i shërbimit sekret serb përmes pjesëtarit të qeverisë serbe do duhej të shërbej si rast konsolidimi e këndellje i qeveritarëve tanë në raport me politikën serbe. Kosova është e rrezikuar nga faza e dytë e veprimeve të terroristëve serb e mysliman. Koha nuk pret.
“PSE MË SHIKON ASHTU…?!”
Nga Fritz RADOVANI*/
At Gjergj Fishta O.F.M./
Ishe një ditë tue lexue tek “Hylli i Dritës”… Kerkova me pa ndonjë foto…
Kalova fletën dhe u gjeta krejt papritmas përballë me këte foto që më “shikoi” e më tha: “Pse më shikon ashtu Fritz?”… Për pak çaste mbeta i shtangun vërtetë tue e shikue…
Mu kujtue një ditë që tashma hyn nder vitet e shkueme mjaft larg prej tyne: 6 Janar 1940.
Ishte Burri i parë jo i shtëpisë, që takova në këte Botë!
Mbas 12 muejsh me 31 Dhjetor 1940 Ai nuk ishte ma! Ndoshta, një fat i madh për Té!
Ai vërtetë u çudit kur unë po i shikojshe dekoratat e varuna në gjoks!
Pyetja e Tij: “Pse më shikon ashtu?”… Disi, më erdhi e papritun… Ndoshta, më topiti me shikimin e Tij të vrantë po, tue mos e ndij vetën fajtor për shka ka ngja, Ju përgjegja:
– At Gjergj, kur ishe fëmijë 5 vjeç, porsa kishte fillue shkolla dhe unë kishe hy në klasën e parë, në Dajç të Bregut të Bunës, mësueja ime zonjusha Viktore Kuka, na tha: “Nuk do të këndoni ma në shkollë Hymnin e Flamurit “Porsi Fleta e Ejllit t’ Zotit..!” Né shikuem njenitjetrin dhe u topitëm… Po, askush nuk dijti me pyet dhe as, me kundershtue!
Kur shkova në shtëpi me vrap, i tregova Gjyshës sime: Nana Nine, nuk duhet me këndue ma kurrë Hymnin e Flamurit, na ka thanë mësuesja… Ajo më shikoj, dhe u bind se unë po i thojshe një të vërtetë, në moment fshani e tha: “Uuuu, këta i huptë Zoti !”…
Tezja Rozë, veshtroi dhe i tha: Gjatë ka shkue, ooo Nine, po këta, mos bajshin ditë të mirë, si kanë me këndue Hymnin e At Gjergjit kur Shqipninë e shkretë, e futne nën Jugosllavinë e komunistave të pashpirtë e t’ pa Zot!..
Mbas pak kohe, nuk e pashë ma librin “Lahuta e Malcis”, që daja e kishte tek rafti… Nga biblioteka e vet Ai hoq shumë libra, madje edhe disa i dogj në furrën e bukës…
Per të gjitha këta që shpjegova At Gjergji, nuk tregoi interes, sikur i dinte të gjitha…
Deshta me i tregue edhe për thesin me Eshtnat e Tij, po më tha: “E dij, e dij edhe atë!”
E pyeta: “At, po mos ndoshta, Haxhi Qamili kur shkoi me djegë qelen e Don Nikoll Kaçorrit, ka gjetë aty foton që keni ba bashkë me Té, Mit’hat Frashërin e Don Ndre Mjedjen në Manastir 1908, e até nuk e ka djegë me tjerat e ua ka lanë porosi këtyne?!
Ai më pyeti: “Po, çfarë porosije u la Haxhi Qamili këtyne per mue?!”… – Jo, jo, i thashë, po, më shkoi mendja mue, se kam vue ré, që permendin Kongresin e Manastirit, zanë me gojë Alfabetin që krijove Ti, tregojnë vleren kombtare… E emnin Tand, kurrë!
Bani buzën në gaz e si në buzqeshje, më tha: “Po, me Haxhi Qamilin, ku hij unë?”
– At Gjergj, po me gjithatë Kryq të varun në fyt, tashti mbasardhësit e Haxhi Qamilit, si thue Ti, a do të merren me Ty?… – Jo, ooo At Gjergj… Po, as “fra-telat” e sotit nuk po flasin ma “Gjuhë Tande”… Se, u duket edhe Ajo, si “Gjuha e Krishtit”… Janë me shkollat e dreqit… E sigurisht, edhe do të flasin me gjuhën e tij…
Më nderpreu, dhe më tha me shumë butësi dhe ambelsi, ashtu si ka pasë natyren:
“Pasha bukën, 100 vjetë para ua pata shkrue në 1914, për shka ngjau në nandor të 1944…:
***
Qé, shkjau, harlisë krenije,
Meshtarët asht tue i mbytë;
Lterët Tu, seli hyjnijet,
Me gjak asht tue Ti zhytë:
E rrfeja e Jote Kisha
Por rrzon e veç çan pisha!
As gjaku, pra, i Meshtarëve
As gurt e elterëve t’ Tu
S’ mund rreshkan mshirë Shqiptarëve,
Nuk mundkan mëninë me t’ zgjue?
E fatin e Shqipnisë
E lankan n’ dorë t’ shkjenisë?…
O e mjera, moj e mjera
Shqipni, se keq ké ngelë!
Se mirë, moj, ty t’ thau vera,
Qysh se shkjau asht tue t’ shkelë
E tue t’ poshtnue pa dhimbë,
Tue t’ lanë n’ vaj e n’ brimë.
T’ kanë rrahë gjithkah me topa,
Tue t’ djegë e tue t’ shkrumue:
T’ kanë ndamun copa – copa ,
Si t’ ishe pa zot lëshue,
E shk’ asht ma fort per t’ kja,
Me dorë t’ Mbretnive t’ Mëdha.
O Zot! O Zot! Mos tjeter
Per ketë pleqni tradhtare,
Qi Evropa, rrence e vjeter,
Bani mbi tokë Shqiptare,
Deh! Ti mos lèn që njeri
Kshtu ta dhunojë pa hiri.
Veç n’ Ty na e kemi shpresën
Se ‘i ditë Liri mund t’shohim;
Pse njeriut fjalët e besën
Fort mirë sot po ia njohim:
Ai syt s’ i prir kurr ngjeti,
Veç ku mund t’ grryejë per veti.
Prandej, o Zot, prej qiellet
Ti priri syt mbi né,
E ban qi puna t’ kthjellet,
Si asht mirë per Atme e Fé; …”
*Nga At Gj. Fishta, “Mrizi i Zanave”: “Mbi vorr të At Alois Paliq O.F.M.”, 2001.
* Ne vijim te ciklit:Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…
Melbourne, Dhjetor 2014.
- « Previous Page
- 1
- …
- 695
- 696
- 697
- 698
- 699
- …
- 868
- Next Page »