• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Roli i gjuhës shqipe në formimin e identitetit kombëtar te shqiptarët

January 3, 2026 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Gjuha ka qenë një nga shtyllat më të qëndrueshme të identitetit kolektiv në historinë e popujve evropianë. Në kushtet e mungesës së shtetit dhe të presioneve të vazhdueshme politike, ajo shpesh u shndërrua në mjetin kryesor të vetëdijes kombëtare. Për shqiptarët, gjuha nuk ishte thjesht një mjet komunikimi, por një hapësirë simbolike e ruajtjes së përkatësisë dhe vazhdimësisë historike në trojet e veta. Në një shoqëri të fragmentuar fetarisht dhe të sunduar për shekuj nga shtete të huaja, shqipja u bë elementi më i prekshëm i unitetit. Përmes saj u artikuluan aspirata kulturore, politike dhe arsimore. Rrjedhimisht, historia e formimit të identitetit kombëtar shqiptar nuk mund të kuptohet pa analizuar rolin e gjuhës.

Deri në shekullin e shtatëmbëdhjetë, letërsia e Evropës dominohej nga latinishtja dhe greqishtja, e deri diku edhe nga sllavishtja. Në këto rrethana, gjuhët popullore mbeteshin në periferi të jetës kulturore dhe intelektuale. Pikërisht për këtë arsye, gjuha u shndërrua në hapësirën ku mbijetoi identiteti kombëtar i shtypur. Autorët dhe poetët, në shumë vende evropiane, ndiheshin të thirrur të trajtonin tema patriotike dhe kombëtare, duke marrë shpesh rolin e zëdhënësve moralë të komuniteteve të tyre. Nëse mund të thuhet se ekzistojnë kombe, duhet pranuar se në shumë raste u formësuan nga elitat fetare dhe kulturore, nga priftërinjtë dhe mësuesit. Gjuha dhe dallimet kombëtare gjetën në krishterim dhe veçanërisht në manifestimet e tij mesianike, një mbështetje të rëndësishme kulturore dhe simbolike. Tre filozofë francezë, Pierre Caussat, Dariusz Adamski dhe Marc Crépon, në veprën “La langue source de la nation. Messianismes séculiers en Europe centrale et orientale du XVIII au XX siècle” (1996), treguan përmes një antologjie tekstesh nga autorë të Evropës Qendrore dhe Perëndimore të shekujve XVIII-XX se ideja e gjuhës ishte pothuajse e shenjtë dhe se ajo luante një rol themelor në lindjen dhe rilindjen e kombeve.

Kisha Katolike e mbështeti përdorimin e gjuhës popullore gjatë periudhës së Kundër-Reformës, çka shpjegon pjesërisht botimin e veprave fetare në gjuhët amtare, përfshirë edhe shqipen. Megjithatë, konkurrenca e ashpër mes Reformës dhe Kundër-Reformës nuk pati një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të gjerë në territoret shqiptare. Kisha Ortodokse, nga ana tjetër, tregoi më pak interes për përkthimin sistematik të teksteve fetare në gjuhën popullore; megjithatë, për të frenuar procesin e islamizimit, u hartuan disa vepra në shqip. Paradoksalisht, një kontribut i rëndësishëm në këtë drejtim erdhi nga protestantët gjatë shekullit XIX, të cilët e panë gjuhën amtare si mjet thelbësor për përhapjen e besimit dhe arsimit.

Arsimimi në gjuhën shqipe nisi në të njëjtën periudhë historike kur në Evropë po lindnin dhe po konsolidoheshin gjuhët popullore. Vatikani u lejoi priftërinjve të zhvillonin veprimtarinë e tyre baritore në gjuhët e popujve, me kusht që ritet liturgjike të vazhdonin të kryheshin në latinisht. Ishin klerikët shqiptarë ata që përdorën të parët gjuhën shqipe në mënyrë të qëndrueshme dhe që hodhën themelet e shkollave të para shqipe në trojet shqiptare. Megjithatë, për shkak të pushtimit osman, ky proces u zhvillua ngadalë dhe u përball me vështirësi të shumta administrative, politike dhe shoqërore. Në fazat e para, mësuesit e shqipes ishin kryesisht misionarë që e kishin mësuar gjuhën shqipe, si dhe disa klerikë shqiptarë të arsimuar jashtë vendit. Papa Klementi XI e konsideroi gjuhën shqipe si një element thelbësor të identitetit shqiptar, sidomos në kushtet e një realiteti shumëfetar dhe shumëkulturor në trojet shqiptare. Ai u angazhua fuqimisht për zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe për rritjen e rolit të klerikëve shqiptarë në këtë mision.

Në këtë mënyrë, ai punoi për shqiptarizimin e klerit dhe të kishës shqiptare, duke krijuar bazën për formimin e elitave kulturore që do t’i paraprinin zhvillimeve kombëtare. Për të organizuar më mirë veprimtarinë e klerit katolik dhe për të nxitur arsimin në gjuhën amtare, me nismën e tij u mbajt Kuvendi i Arbnit. Në këtë kuvend, shqiptarët krijuan një lloj “Shqipërie shpirtërore” të pavarur, parashtetërore, sikur pushtimi osman të mos kishte ekzistuar. Ndër vendimet kryesore të Kuvendit të Arbnit ishin vazhdimi i shkollave në gjuhën shqipe, kultivimi i shqipes dhe i traditave vendase, si dhe botimi i librave në shqip, duke e vendosur arsimin shqip në qendër të jetës kishtare dhe kulturore. Botimi në shqip i punimeve të Kuvendit të Arbnit është vlerësuar si një dëshmi e rëndësishme historike e shkrimit të shqipes dhe, krahas Mesharit, si një “margaritar i çmuar” në përpjekjet për kalimin nga tradita gojore në gjuhën e shkruar.

Varianti shqip i vendimeve të Kuvendit u përdor gjithashtu si tekst mësimor në shkollat e para shqipe, duke kontribuar drejtpërdrejt në standardizimin e hershëm të gjuhës. Kur gjuha merr funksionin e identifikimit dhe shndërrohet në simbol politik të një grupi të caktuar, ajo fiton një rol vendimtar në formimin e vetëdijes politike. Në Ballkan, gjuha u bë një shenjë dalluese e përkatësisë etnike dhe, më vonë, e kombësisë. Për shqiptarët, çështja e gjuhës ishte veçanërisht e rëndësishme, pasi ata ishin populli i vetëm “transfetar” në rajon, me një identitet që nuk mund të mbështetej mbi fenë. Në rastin shqiptar, ishte gjuha ajo që u etnicizua në vend të fesë, duke ushqyer gradualisht një ideologji të mirëfilltë kombëtare. Intelektualët shqiptarë, të frymëzuar nga nacionalizmi evropian, përdorën tekste gjuhësore, letrare, historike dhe publicistike për t’i paraqitur shqiptarët si një komb më vete, brenda vendit, ashtu dhe para opinionit ndërkombëtar.

Pavarësisht bindjes së përhapur, nacionalizmi shqiptar nuk u shfaq shumë më vonë se nacionalizmat e popujve të tjerë evropianë. “Zgjuesit” e parë të kombit shqiptar vepruan në të njëjtën periudhë kur Vuk Karaxhiçi mblidhte folklorin serb, kur Njegoshi shkruante epikat e tij kombëtare, kur Lëvizja Ilire në Kroaci përpiqej të hidhte themelet e një identiteti jugosllav, kur romantikët gjermanë luftonin për bashkimin e tokave gjermane dhe kur fisnikëria liberale hungareze po vendoste gjuhën hungareze si gjuhë zyrtare dhe po krijonte institucione kombëtare. Ajo që e dallon nacionalizmin shqiptar është fakti se ai u shndërrua në një fenomen masiv relativisht vonë. Për shkak të kushteve penguese historike, si dhe të prapambetjes sociale, ekonomike dhe kulturore, format premoderne të identitetit mbijetuan më gjatë te shqiptarët sesa te popujt e tjerë të Evropës.

Studiuesit bien pothuajse njëzëri dakord se gjuha luajti rolin kyç në formimin e identitetit kombëtar modern të shqiptarëve, për shkak të përkatësive të ndryshme fetare: myslimanë sunitë, myslimanë shiitë, ortodoksë dhe katolikë.

Në këtë kontekst, gjuha u bë elementi kryesor bashkues dhe mjeti kryesor i vetëpërcaktimit kombëtar. Si një gjuhë indoevropiane që përbën një degë më vete, shqipja e lehtësoi dallimin e shqiptarëve nga grekët, turqit dhe sllavët, duke forcuar vetëdijen për veçantinë e tyre historike dhe kulturore. Megjithëse disa intelektualë shqiptarë e kishin shtruar nevojën për një alfabet të unifikuar që në vitet 1840–1850, përpjekja e parë serioze kolektive u ndërmor në fund të viteve 1860 në Stamboll. Rreth vitit 1867, figura të shquara si Kostandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Ismail Qemali, Pashko Vasa dhe Hasan Tahsini nisën diskutime të rregullta mbi alfabetin më të përshtatshëm për shqipen.

Zhvillimi i shqipes së shkruar, miratimi i një alfabeti të përbashkët dhe shqiptarizimi gradual i arsimit dëshmuan qartë vullnetin për ndërtimin e një identiteti kombëtar të veçantë. Thirrja e Kongresit të Manastirit u konsiderua kulmi i këtij procesi. Përtej ndikimit të Kishës Katolike dhe të diplomacisë austro-hungareze e italiane, zgjedhja e alfabetit latin lidhej drejtpërdrejt me identitetin europian të shqiptarëve. Ky identifikim bëri që përkatësia kombëtare të mbizotërojë mbi ndarjet fetare. Me Kongresin e Manastirit, elita shqiptare i dha shtytjen përfundimtare bashkimit të shqiptarëve rreth një gjuhe, një kulture dhe një kombi të vetëm. Shumë aktivitete që dukej se kishin qëllime kulturore, mbartnin me vete edhe qëllime politike. Për shembull, çështje të tilla si alfabeti i gjuhës shqipe dhe arsimi shqip kanë qenë temat kryesore të diskutimit të shoqërisë shqiptare, të cilat kanë hedhur bazat për autonominë shqiptare.

Filed Under: Opinion

Austria mbështetëse e shqiptarëve shekujve   

January 2, 2026 by s p

Hazir Mehmeti, Vjenë/

Fan Stilian Noli dy vjet para vendosjes së tij përfundimtare në  Amerikë e vlerëson objektivisht politikën e  suksesshme të Austro-Hungarisë ndaj shqiptarëve e mbështetur tek shqiptarët patriot:
“ I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qenë Austria merhume e Habsburgëve. Austria e bazonte politikën e saj mi shqiptarët nacionalistë. Ja arsyeja e parë dhe ja arësyeja e dytë: Austria ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen më mirë se çdo arnaut.” (Fan Stilian Noli) 

Pas këtyre luftërave Porta e Lartë dobësohet edhe në territoret shqiptare. Disa familje feudale shqiptare u fuqizuan dhe krijuan pashallëqet e mëdha, e të cilat kishin ndikim të fuqishëm në zonat e vendit. Pashallëku i Bushatllinjve  në Shkodër dhe më vonë ai i Janinës.  Ndikimi austriak duke qenë i fuqishëm tani në Evropë, pas reformave të marra nga Maria Theresa dhe Josefi II, shtriu ndikim të fuqishëm edhe në viset  shqiptare.  Tregtia e fuqishme shkodrane duke shfrytëzuar flotën e fuqishme ulqinake , depërton thellë në territoret e zotëruara nga austriakët deri në Trieste. Kështu trevat shqiptar tregtinë e tyre, në vend të parë e kryenin me Austrinë, kurse në vend të dytë me Italinë.  Kjo solli një erë të re në lëvizje dhe ndikimet e kulturave. Austria e fitoi të drejtën e mbrojtjes së popullsisë katolike, e shoqëruar kjo me kthimin e Urdhrit Jezuit, i cili ishte prezent më 1842. Kjo mundësoi edhe lejimin e seminarit jezuit, të kolegjit Saverian.
intelektualët e shquar shqiptarë

Edhe pas shpalljes së pavarësisë roli i intelektualëve që u shkolluan në Austri ishte domethënës. Librat mësimore si, abetare, matematika, libra mbi dituritë natyrore kryesisht ishin të hartuara nga autorë të shkolluar në Austri. I njohur në historinë e hartimit të teksteve shkollore të kohës në fillimet e shtetit shqiptar është Ndue Paluca me Abetaren e tij ndër të parat e vendit dhe të disa teksteve tjera mësimore dhe mësimi në klasat e larta të shkollës fillore. Mësimi në një pjesë të madhe,  zhvillohej sipas konspekteve dhe metodave didaktike austriake të dhëna nga vet mësuesit.. Qeveria e Ismail Qemalit qe në hapat e parë i kushtoi rëndësi shkollimit. Ajo trashëgoi një gjendje katastrofe në arsim. 

Luigj Gurakuqi kishte arritur mirëkuptimin me austriakët që të shtohet numri i bursistëve shqiptarë që do studiojnë në Austri. Nga Elbasani dërgohet kontingjenti i parë i studentëve në vitet 1917/18, i cili do pasohet edhe në disa vite më vonë. Kontribut në dërgimin e studentë në Austri dhanë Sali Butka dhe Hajdar Kolonja. Këta student pas shkollimit u kthyen në atdhe dhe u dalluan si mësues të devotshëm të Shqipërisë. Deri në Kongresin e Lushnjës sistemi arsimor në Shqipëri është mbështetur tërësisht në sistemin arsimor austro-hungarez. 

Menjëherë pas hyrjes së trupave  Austor-Hungareze në Shqipëri në vitin 1916, duke e parë gjendjen katastrofike në fushën e shkollimit dhe në kulturë, në bashkëpunim me figura të njohura  kombëtare organizuan hapjen e shkollave për të luftuar analfabetizmin dhe ngritur kulturën e arsimin. Në ndërkohë, me urdhër të Krye komandës austriake Nr. 1106 me 16 prill të vitit 2017 themelohet Biblioteka e Komisisë Letrare me kuptimin Biblioteka e Shqipërisë, e njohur si Biblioteka Popullore Shqipe të Lirë. Si bibliotekist zgjidhet Hilë Mosi. Bibilioteka e Komisisë dhe shoqërisë “Vëllaznija” ishin bërthamat e Bibliotekës Kombëtare e  themeluar në vitin 1920 drejtor i së cilës emërohet  Karl Gurakuqi.  

 Ministër i Arsimit ishte Sotir Peci i pasuar nga Hilë Mosi i cili për shkak të rrethanave nuk e mori këtë detyrë. Më 7 dhjetor 1921 caktohet Kristo Dako i cili  kishte kryer veprimtari patriotike e kulturore në Vjenë në vitet 1906 – 1910. Me ndërrimet e shpeshta të qeverisë ndërrohen edhe ministrat. Kështu Kristo Dako pas një jave zëvendësohet nga Aleksandër Xhuvani i cili pa u mbushur dy javë zëvendësohet nga Rexhep Mitrovica i cili gjatë Luftës së Parë Botërore qëndroi në Vjenë dhe kishte ndihmuar materialisht studentët shqiptarë.  

 Bursa nga qeveria shqiptare 

Qeveria Shqiptare ndau bursa studentëve shqiptar pas vitit 1920 dhe caktonte përgjegjës  rreth rrjedhës së studimeve nga bursistët. Këtë funksion e kreu Dr. Gjergj Pekmezi deri më 1924 pastaj Dr.Nush Bushati, Çatin Saraçi, Ndue Paluca, Kolë N.Rrota, dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishte Filip Llupi.  Me këto bursa studiuan  në Austri këto personalitete: Nush Bushati, Fuad Asllani, Remzi Baçe, Sokrat Dodbiba, Xhevat Korça, Jakov Deliana, Irakli Buda, Rrok Gera, Ndoc Saraçi, Gjevalin Gjadri, Jani Basho, Karl Gurakuqi, Hifzi Korça, Kristo Kristidhi etj. Arsimtarët e rrethit të Shkodrës të shkolluar në Austri, me veprimtarinë e tye kishin vlera përcaktuese në funksionimin metodik, pedagogjik e organizativ të arsimit shqip.  

Këtu mund të përmendim disa nga figurat më meritore të kohës: Hilë Mosi, Ndue Paluçe, Lec Çurçia, Kolë Kodheli, Gasper Beltoja, Gasper Mikeli, Kolë Rrota, Karl Gurakuqi por edhe mësues e figura të tjera patriotike me rëndësi kombëtare. Nga diskutimet në Parlamentin Shqiptar del se në vitin 1924 në Austri studionin 69 student shqiptarë. Kjo flet për përparësitë që i kishte dhënë shkollimit të kuadrove nga të gjitha profilet aq të nevojshme për Shqipërinë.  

Studentë nga disa qytete shqiptare në Vjenë. Nga e majta: Mendu Vrioni (Berat), Ahmet Duhanxhiu (Elbasan), Vasil (Elbasan). Ulur nga e majta: Sulejman Herri (Elbasan), Petër Ndria (Elbasan), Xhevat Daiu (Shkodër).

Më 23 mars të vitit 1917 austriakët duke e parë nevojën e madhe për mësues, vendosin hapjen e Shkollës Normale në Shkodër, ku për drejtor emrohet Gasper Baltoja, i cili kishte mbaruar studimet në Shkollën për Mësues në Klagenfurt të Austrisë. 

Austria pati një rol pozitiv në fillimet e mësimit shqip në trevat shqiptare i mohuar shekujve nga pushtimi turk. Tradita e përkrahjes vazhdon akoma deri në ditët tona, kur dihet gjendja e rëndë e arsimit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.  Austro Hungaria mbështeti interesat kombëtare të shqiptarëve para se gjithash në fushën politike.

Që në hapat e parë të jetës së Shqipërisë si shtet i pavarur u dërguan të rinj për studime në universitet austriake: Vjenë, Klagenfurt, Graz, Linz, Villah. 

Një ndihmë të madhe për kombin shqiptarë dhanë shumë figura të njohura austriake dhe hapësirat gjermanofolëse. Shkencëtari i njohur Miklosich (Miklosiç) në veprën “Albanische Forschungen” (Kërkime shqiptare), botuar në Vjenë, më 1870, në faqen 10, shënon një fakt interesant, që tregon vendosjen e shqiptarëve intelektuale, në Austri, 

qysh ne fillim të shekullit XIX. Ai shkruan se “dijetari slloven Kopitar ,me 1829, boton një studim mbi marrëdhëniet midis shqipes, rumanishtes e bullgarishtes, brenda të cilit gjendet përkthimi në shqip i Shen Llukas,  “Djali plëngprishës”, hartuar nga te dy veI1ezerit gjirokastrite, Anastas dhe Spiridhon Çelo.

Në ekzistencën e popullit shqiptar i përballur me gjenocidin e ushtruar kundër tij nga serbet  pas rënies së Perandorisë Osmane, me shkrimet e tij faktike rreth kësaj u dallua politikani dhe shkrimtare i njohur i kohës Leo Freundlich. Ai shkroi librin e tij domethënës “Albanische Golgota” (Golgota Shqiptare) duke argumentuar një pjesë të krimit serb, gjenocidin i pa paparë përnga barbari mbi popullsinë shqiptare. Ai mblodhi lajme gazetash nga Shqipëria dhe shtypi i huaj rreth Shsqipërisë dhe i shpërndau në adresa të caktuar, para se gjithash në qarqet qeveritare. Ishte kjo koha më tragjike e kombit shqiptar.

 Në vitin 1931 ai i shkroi nga Vjena  sekretarit të përgjithshëm te Shoqatës së Kombeve, Enrik Drunandit në Romë, ku pika e parë i kushtohet shkollave shqipe: ”Afër një milion shqiptarë të banuar në Kosovë dhe Maqedoni nuk kanë asnjë shkollë në gjuhën amtare. Ju është ndaluar të themelojnë shkolla me mjete private. “Hasan Prishtina, çështjen e arsimit të popullit e shtronte  më parësoret të shtetit. Nga ana tjetër Hasan Prishtina prej rilindësit e kohës siç ishte Josif Bageri,  konsiderohej shpëtimtari i çështjes shqiptare, kurse Hil Mosi, i cili ishte përfaqësues i  qendrës kulturore shqiptare “Dija” në  Vjenë, i fton bashkatdhetarët të merrnin: për shembull ndershmërinë e deputet të Prishtinës,  i cili pasurinë e tij e përdor për lulëzimin e kombit, e kështu pasi që do vdesim një herë, emri i juaj do të rrojë i pa vdekur, gjersa të rroj Shqipëria”.

Vargu i intelektualëve shqiptarë që ndihmuan çështjen shqiptare ishte i madh. Edhe sot e kësaj dite mbi dy mijë studiues në studimet e larta nga të gjitha trevat etnike shqiptare studiojnë në universitet austriake.  

Burime:
Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar-2, f.1055/56. 

Franz Miklosich, Albanische Forschunge, Kërkime shqiptare, Vjenë, 1870, f. 10.

Uran Asllani, Studentët shqiptarë të Austrisë dhe veprimtaria e tyre , Tiranë. 2000, f.8,9, 64,65.

H. Mehmeti, Studiues austriakë e shqiptarë në Austri, Prishtinë.2021, f 26,27,29, 89. 

Filed Under: Opinion

Gezim Muhaj: “Tv Iliria, 13 vite transmetim dhe ruajtje e kulturës shqiptare në Çikago”

December 31, 2025 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

Rruga drejt Tv Iliria

Në vitin 2006, unë emigrova nga Shqipëria drejt Çikagos, me ëndrrën për të krijuar një zë që do të fliste për komunitetin shqiptar në diasporë. Vetëm një vit më vonë, në 2007, themelova Iliria, fillimisht si radio në frekuencën 750 AM, duke transmetuar lajme, biseda dhe programe në gjuhën shqipe. Radioja u bë shpejt një pikë reference për shumë familje, një zë që i mbante shqiptarët së bashku edhe larg atdheut.

Kalimi në televizion dhe transmetimi live

Me zhvillimin e teknologjisë, Iliria u shndërrua në televizion IPTV, duke përdorur platformën digjitale të TV ALB-it në New York. Në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, nisëm transmetimin live të kanalit. Që nga ajo kohë, Iliria transmeton 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, 365 ditë në vit, duke mbetur një zë i qëndrueshëm dhe i besueshëm për komunitetin shqiptar.

Misioni kulturor dhe gjuha shqipe

Një nga qëllimet kryesore të Iliria-s ka qenë ruajtja dhe promovimi i kulturës shqiptare në Amerikë, si dhe mbrojtja dhe promovimi i gjuhës shqipe. Në një vend ku përballesh me gjuhë të tjera çdo ditë, prezantimi i gjuhës shqipe ka një rëndësi të veçantë. Iliria ka punuar që fëmijët e brezave të rinj të mësojnë dhe flasin shqip, duke mbajtur gjuhën gjallë dhe duke e integruar në jetën e përditshme të komunitetit. Mbështetja e shkollave shqipe dhe transmetimi i programeve në gjuhën amtare janë pjesë thelbësore e këtij misioni.

Mbështetja komunitare

Puna e Tv Iliria-s nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e familjes time, pa përkushtimin tim personal, dhe pa ndihmën e biznesmenëve shqiptarë në Çikago, që besuan në projektin tonë dhe kontribuan në mënyra të ndryshme. Po ashtu, takimet dhe aktivitetet komunitare na kanë dhënë mundësinë të grumbullojmë mbështetje materiale, të organizojmë evenimente dhe të rrisim lidhjen mes shqiptarëve. Këto grumbullime dhe aktivitete bashkëpunuese kanë ndihmuar në krijimin e një komuniteti më të fortë dhe më të lidhur.

Promovimi i takimeve dhe festave shqiptare

Tv Iliria ka qenë gjithashtu promotuese e takimeve komunitare dhe festivaleve që lidhin shqiptarët në Çikago. Çdo vit kemi mbajtur aktivitete për festat e flamurit, Vitin e Ri, Ditën e Nënës, dhe shumë ngjarje të tjera ku komuniteti gëzon, bën muzikë, vallëzon dhe ndan histori. Kujtoj sidomos një Vit të Ri kur fëmijët e shkollave shqipe performuan recitime dhe këngë, dhe prindërit u mbushën me emocion, duke parë se gjuha dhe traditat po trashëgoheshin tek brezi i ri.

Kontributi i Tv Iliria për komunitetin

Si drejtues i Tv Iliria, kam parë nga afër sesi kjo media ka ndihmuar bashkimin e komunitetit, lidhjen e brezave, dhe krijimin e një urë mes diasporës dhe Shqipërisë. Tv Iliria nuk është thjeshtë një televizion; është një institucion që përçon identitetin, kulturën dhe gjuhën shqipe, duke siguruar që edhe larg atdheut, shqiptarët të mos harrojnë gjuhën, traditat dhe vlerat e tyre.

Filed Under: Opinion

AT GJERGJ FISHTA, 85 VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM

December 30, 2025 by s p

Frano Kulli/

SHTETI NUK KA NEVOJË PËR FISHTËN, SHTETI KA DIELLËN

1)

Fishta është i pari personalitet shqiptar, miti i të cilit qe krijuar qysh në gjallje të vet. Qe thirrë “Poet kombëtar” kur ende shkruante e vepronte intelektualisht dhe kjo nuk kishte ndodhë deri atëherë e nuk ka ndodhë asnjëherë me asnjë shkrimtar tjetër. E çmuan dhe e njohën si të tillë shqiptarët e mëdhenj; Faik Konica, Lasgush Pogradeci, Aleksandër Xhuvani , mbarë opinioni intelektual e kishte pagëzuar kështu. Por edhe në Europë, e njohën si të tillë. “Secili nesh ka kuptue se Gjergj Fishta kishte me të vërtetë lartësinë e Poetit Kombëtar …”, do të shkruante Luigi Federzoni, kryetar i akademisë italiane dhe ministër i jashtëm, në telegramin dërguar Vëllezërve françeskanë shqiptarë me 31 dhjetor, në ditën e varrimit të Fishtës. E sa e sa të tjerë kështu:, Francesco Ercole – Drejtori i Qendres së Studimevet Shqyptare pranë Akademisë Mbretërore të Italisë, Rausar Josef Zdenjek, Norbert Jorkli, Maximilian Lambertz e në shumë e shumë gazeta të kohës, gjithashtu.

Fishta qe thirrë kështu për gjithçka ai qe e për gjithçka ai bëri në dobi të kombit të vet. Me gjenialitetin e vet. Mitin përreth tij e veprës së vet e krijuan elitat e bashkëkohësisë dhe qe i gjithpranuar, gjithaq prej popullit të vet. Por aspak prej udhëheqësive. Shteti sot prihet nga mendja e pashpirt e inteligjencës artificiale, shteti nuk ka nevojë për Fishtën. Nëse dikur De Rada, Naimi, Konica, Fishta e pak të tjerë si ata ishin syri e veshi i krejt një populli, sot mentarët, ideatorët, janë të strukur. Vendin e tyre, çmos kërkund në botë e kanë zënë “Diellat” krijesat pa shpirt, që udhëheqin do miliona shpirtna. Fishtën nuk e ka dashtë , aq sa ka qenë me u dashtë as shteti i kohës së vet. E Fishta na e pohon heret këtë, por sidomos ç’prej se shkroi “Gomari i Babatasit”.

Nëse me “Lahuten e Malcis’ “, Fishta “krijon” njeriun shqiptar me shumatoren e përzgjedhur të virtyteve të tij të spikatura edhe në botën përreth; nëse në Kongresin e Manastirit shfaqet si përbashkuesi i gjithëpranuar i mosdakortësive tipike shqiptare, e prej ku gjuha shqipe nisi të shkruhet me alfabetin e vet, nëse në Konferencat e mëdha europiane (kujtojmë këtu Konferencën e Paqes në Paris 1919-1920 apo Konferenca të tjera të njohura në Ballkan; Turqi, Bullgari, Greqi dhe Rumani edhe në Amerikë) me forcën e fjalës, por edhe me dashurinë e epërme për vendin e vet tërhoqi vëmendjen e ftohtë të kancelerive tek Shqipëria e dhunuar, e copëtuar dhe e përbuzur, tek “Gomari…”, por edhe më parë te “Anzat e Parnasit” ai e shkoklon, e plandos (përplas) për tokë shqiptarin e molepsun prej veseve. E veçmas shqiptarin kinse udhëheqës, i cili s’ka nevojë për mentarë, por përdoron me teprí forcen e pushtetit.

Sidomos rregjimi që u vendos pas luftës së dytë, kur ai i kishte mbyllë sytë e ishte nisë në botën e qiellit, i cili siç e vertetoi koha e ushtrimit të tij nuk qe as popullor as kombëtar. Diku heret, në vitin ’45 ka pasë një porosi të udhëheqësit jugosllav për diktatorin shqiptar, që Fishta të mënjanohej. Shkaku qe atdhetarizmi i tij dhe kundërshtia e shovinizmit sllav , që përshkon gjithë veprën e veprimin e tij publik, përgjatë gati katër dekadave të jetës së tij aktive. Por keqkuptim po kaq i madh u ushqye prej prijësave edhe për shkak të cilësisë dhe thellësisë së satirës së tij shpartalluese, sidomos për prijësitë e korruptuara e jo demokratike. Dhe kjo ka ndodhë në të dy mënyrat; me censurën e gjatë, ku për t’u ruajt nga fjala e tij e nga librat, madje edhe nga përmendja e emrit të tij u hapën dyer burgjesh.

2)

Kurse në kohën postrregjim kjo ka ndodhë e ndodh me heshtim, me heshtje. Ndaj tij e sidomos ndaj veprës së tij. Po vetë Shqipëria e shqiptarët e kanë kuptuar mirë Fishtën. Ajo Shqipëria dhe shqiptarët që e ka ndjerë në palcë nevojën shtetformuese, nevojën për shtetin e së drejtës, nevojën për shtetin e shtetasve. Por Fishtën se kanë dashtë asnjiherë ata njerzit e pushtetit, për të cilët ai shkruan:

Ju rrugaça sallahana / vagabonda shakllabana / rriqna t’ndyet, mikrobe të kqi / qi të mjerës k’saj Shqipni / kthelltë hi i keni në mushkni / pa dhimbë gjakun tuj ia pi, / por der kur, bre batakçi! / Bre coftina, kalbë mbi dhè / der kur ju, tu tallë n’për ne, / do t’na qelbi fis e atdhè?

Koncepti i tij për shtetin përmblidhet pak a shumë kështu: “M’shka pështetet ndryshimi ndërmjet një shteti civil e institucional e një tjetri barbar, autokrat e despotik ?- pyet, e në mënyrë retorike përgjigjet: Mbas mendimit tonë të gjithë ndryshimi përmblidhet m’kta qi shtetent e gjytetnueme e konstitucional ligjt i kanë të preme mbas nevojet reale të popullit, me relacion ndaj kohet, ndaj mendorjeve të vendit, ndërsa ndër shtete barbare e autokrate kto ligj përgjithsisht vendohen vetëm…mbas egoizmit t’sunduesve e rrallë e kurr mbas nevojve të popullit, që lanë e kjanë…nuk asht ligja që formon popullin por populli formon ligjen” por, për me sundue [drejtue] një shtet, nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga, batakçillëku, rrena, tradhtia: duhet nder, dije, urti, burrni, qe se ç’ka duhet. Po, por dija, urtia, nderi, burrnia, po u zéjshin [mësoheshin] në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana të Europës, e mejhane e paçexhihane të Tiranës, tue luejtë “tavëll” e “bixhoz”, e tue pi “mastikë”- shkruan Fishta .

Sipas Fishtës pra, u dashka edhe morali si kategori e sjelljes së udhëheqësive, prijësve të shtetit. Por sot fytyra e moralit të prijësve të shtetit… as nuk skuqet as nuk zverdhet.

3)

…Në Muzeun kombëtar të fotografisë Marubi në Shkodër, është një foto e vitit 1921. Të fotografuarit janë tre deputetët parakë të Parlamentit të parë shqiptar; Gurakuqi, Mjeda dhe Fishta në mes. Përveç versionin origjinal të fotos ka edhe një tjetër version ku personi në qendër të fotos [Fishta pra], nuk është. Në vitet e rregjimit fotoja është ritushuar, pra Fishta është fshirë, nuk është.

Sot nuk ndodh taman kështu. Sot Fishta përmendet, po radhë, Fishtës i është rindërtuar shtëpia e viteve të fëmijërisë, po prej 4 vjetësh është e mbyllur dhe oborri i saj është i mbuluar me ferra; është ndërtuar një memorial multifunksional për té, aty në vendlindje, po edhe ai është i mbyllur. Ende nuk është lidhur energjia elektrike në të. Ato, kishte me qenë e mira me u kthye në qendra pelegrinazhi, se vetëm ky mund të ishte destinacioni i tyre; vetëm kështu ata do “trembnin” harresën e kujtesa për to e veprën e tyre do të shërbente përcjelljen e vlerave të trashëgimisë sonë tek brezat e sotëm e ata që do të vijnë. T’u bëhen me dije atyre këto vlera të idenditetit tonë kombëtar dhe kjo do ta shërbente më mirë se shumëçka ndërtimin e së ardhmes. Tashmë, i gjithë korpusi i veprës së Fishtës është i botuar, po ndër shkolla nuk studiohet; emri i tij vetëm sa çeket, përmendet si autor i traditës. Ndërkohë që janë thurë e thuren mite për shkrimtarë socrealistë, ca syresh edhe periferikë si kualitete letrare. E gjitha kjo nuk ndodh rastësisht. “Nuk don pasha kallaballëk”- thuhej në kohë të perandorisë osmane. Prijësat e shtetit shqiptar, piedestalet i ruajnë për vete…

Filed Under: Opinion

Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”

December 29, 2025 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. Znj. Nikçi, si lindi ideja për klasat e aktrimit për fëmijë në Tuckahoe Community Center dhe si do të funksionojë ky projekt?

Shkolla e aktrimit lindi krejt natyrshëm pas xhirimeve të serialit “American Dream” apo “Ëndrra Amerikane”. Në serial na duheshin fëmijë të moshave të ndryshme, me të cilët ishte e domosdoshme të zhvillonim prova paraprake për të qenë të përgatitur për xhirime. Gjatë këtyre provave, shumë prej tyre shprehën dëshirën për të qenë pjesë e seancave më të gjata, në mënyrë që të mësonin më shumë rreth metodave të aktrimit. Ishte një kërkesë e duhur, në kohën e duhur. E veçanta e kësaj shkolle është se fëmijët bëhen pjesë aktive e serialit, pra menjëherë ushtrojnë në skenë atë që mësojnë në klasë. Ndërkohë, në këtë projekt janë përfshirë edhe të rritur, të cilët i trajnojmë përmes klasave private.

2. Me një eksperiencë të gjatë në industrinë e filmit dhe televizionit, çfarë përvoje dhe filozofie pedagogjike do të aplikoni me fëmijët që do të përfshihen në klasat tuaja?

Ne u mësojmë fëmijëve dhe të rriturve – të gjithë atyre që e duan aktrimin dhe dëshirojnë të jenë përballë publikut – metodat e aktrimit sipas Sistemit të Stanislavskit. Kjo filozofi pedagogjike përcillet në mënyrë të natyrshme përmes përvojës sonë skenike dhe profesionale, duke e bërë procesin mësimor të kuptueshëm dhe praktik.

3. Cili është efekti i aktrimit në zhvillimin emocional dhe psiko-emocional të fëmijëve?

Siç dihet, efekti i aktrimit është i madh, jo vetëm te publiku, por sidomos te ata që e ushtrojnë këtë art. Fëmijët janë ata që përvetësojnë më lehtë si vlerat pozitive, ashtu edhe ndikimet negative, ndaj është e rëndësishme t’u ofrohet një mjedis i shëndetshëm artistik. Fëmijët që mësojnë aktrimin dhe punën skenike zhvillojnë aftësinë për të menaxhuar dhe shprehur emocionet e tyre, rrisin empatinë, përmirësojnë të folurit në publik dhe oratorinë. Gjithashtu, aktrimi ndikon drejtpërdrejt në rritjen e vetëbesimit dhe sigurisë personale. Janë të shumta cilësitë që një fëmijë fiton dhe ushtron gjatë këtyre klasave.

4. Pjesëmarrja e fëmijëve në serialin televiziv “American Dream”, mbi çfarë kriteresh do të bëhet përzgjedhja dhe cila do të jetë e ardhmja e tyre?

Siç e theksova edhe më lart, është një mundësi e çmuar për këta fëmijë dhe të rritur që të gjitha njohuritë dhe aftësitë e fituara në fushën e aktrimit t’i vënë menjëherë në praktikë përmes serialit “American Dream”. Çdo fëmijë i shkollës së aktrimit do të ketë mundësinë të bëhet pjesë e këtij projekti televiziv, duke fituar përvojë të drejtpërdrejtë skenike.

5. Cili është mesazhi juaj për prindërit që regjistrojnë fëmijët e tyre dhe për bizneset shqiptare që mund të mbështesin këtë projekt edukativ?

Mesazhi im për prindërit është i thjeshtë: le t’i mbështesin ëndrrat e fëmijëve të tyre. Ëndrrat e mëdha realizohen ngadalë, por me siguri. Sa u përket bizneseve shqiptare, mezi presim të bashkëpunojmë në serialin tonë “American Dream”. Njëkohësisht, u uroj Vitin e Ri 2026 juve dhe mbarë komunitetit shqiptar në Amerikë dhe kudo në botë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Historia e shtypit arbëresh nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • Paradoksi i Samitit të Diasporës së Shqipërisë
  • ZËRI QË NUK SHUHET: NË KUJTIM TË LAHUTARIT TË MADH TË MALËSISË SË MADHE, JONUZ DELAJ
  • Po Itaka ime sa larg është?
  • Samiti dhe koha e diasporës si aktor e faktor jo vetëm si dekor…
  • Nga “city upon a hill” tek “America First”: reflektime mbi një kthesë që po trondit botën
  • KOL TROMARA – DREJTUES I FEDERATËS “VATRA”, VEPRIMTAR I DIASPORËS SHQIPTARE DHE FIGURË E RËNDËSISHME E LËVIZJES KOMBËTARE
  • Letërsia si dëshmitare e kohës dhe pafuqisë për ta ndryshuar atë…
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton
  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT