• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AKADEMIA E MYKUR E TIRANËS

July 24, 2014 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/
14 vjet pas vdekjes së juristit e studiuesit Aristidh Kola, më së fundi miqtë e tij në Tiranë arritën të ndikojnë që një institucion shtetëror të organizojë një konferencë përkujtimore në 70-vjetorin e lindjes së arvanitasit të madh. Eshtë e vetmja veprimtari zyrtare që është zhvilluar në Shqipëri për këtë figurë që do të thonim me plot gojë se është arvanitasi më i madh i shekullit të 20-të. Miqtë e lexuesit e shumtë e kanë kujtuar, por gjithnjë me nisma private ku megjithëse kanë qenë të ftuar nuk ka marrë pjesë asnjë akademik, asnjë studiues, asnjë nënpunës ministrish apo institucionesh universitare me përjashtim të prof. Nasho Jorgaqit, që gjithherë është gjendur në këto përkujtime.
Këtë përvjetor, anipse doli si organizator një institucion shtetëror nuk u bë asnjë tentativë të ftoheshin përfaqësues të Lidhjes së Arvanitëve të Greqisë apo dhe pjestarë të familjes. Në mënyrë private njoftimi është bërë, por këtu nuk flitet për njoftim, por për ftesë. Është e vërtetë që erdhën drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dhe drejtori i Arkivës së Shtetit, që i nderon këto institucione, por si ndodhi që as një e treta e sallës nuk arriti të mbushej, kur punonjësit që paguan shteti për studime në institucione janë shumë herë më shumë se vendet e sallës UNESKO të Muzeut Historik Kombëtar. Nuk dimë sa rrogëtarë me tituj ka Akademia e Shkencave të Shqipërisë, por mendojmë se ata u kish dashur të gjendeshin të gjithë në respekt të një studiuesi të madh me gjak shqiptar që bëri një vepër të madhe, zgjoi arvanitët nga gjumi letargjik shekullor e vetë u kthye në një martir. Jo, ata nuk kanë ardhur as në 2010-ën kur miqtë e Aristidh Kolës kujtuan 10-vjetorin e ndarjes nga jeta, por nuk erdhën as në këtë përvjetor lindje që në fund të fundit u organizua nga një institucion shtetëror. Çfarë ndodh në këtë Akademi që duhet të ishte sa një institucion shkencor i studimeve albanalogjike aq dhe një institucion që punon për kombin shqiptar.
E dimë shumë mirë se cili është mendimi i disa pseudostudiuesve të qorrollepsur për Aristidh Kolën, e dimë shumë mirë se punohet me një platformë për t’ia nxjerrë veprën e tij madhore një fantazi më shumë se një realitet, po si është e mundur që paguan populli shqiptar e bëhen duaja e qarqeve në boshtin strategjik antishqiptar Beograd-Shkup-Athinë. Për kë punon Akademia?!
Edhe një zë i fuqishëm, i vetmi mund të themi në Akademi si i Prof. Kristo Frashëri sa vjen e mbetet në minoritet brenda në Atdheun e vet, në institucionin e vet, edhe për shkak të moshës, të shëndetit, por edhe sepse akademikët e profesorët të mbirë si kërpudha pas vitit 1990 krijojnë një klimë mbytëse a më e vogla, heshtëse që vret të vërtetën shqiptare.
Pikërisht kjo klimë mbytëse, ca frikëra e të tjera i kanë bërë që Arbëreshët me At Antonio Belusci-n të heshtin, Arvanitasit me Lidhjen e tyre të heshtin, por u kemi ndihmuar edhe ne nga Shqipëria që çështja arvanite të shuhet.
Ne shqiptarët qenkemi shtetshkatërruesit më të mëdhenj që ka parë bota. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që ka 24 vjet ftohje ndaj arvanitëve e arbëreshëve dhe kauza e Albanalogjisë është thuajse e shuar edhe në sajë të të përgjumurve tanë akademikë të cilët e mendojnë të kryer punën e tyre duke quajtur studime ca botime me albume fotografish, pikturash, grafikash me diçitura, pa asnjë mendim të tyrin, duke konkuruar kësisoj me amatorët.
Si nuk u vajti mendja një herë të paktën që dy figurat qendrore të Arvanitëve dhe Arbëreshëve, studiuesve të shquar Aristidh Kola dhe Antonio Belusci-t t’u jepej titulli Akademik, qoftë dhe pas vdekjes për A. Kolën, t’u vendosej fotografia në një nga sallat e mbledhjeve akademike në nderim të tyre. Kaq të vështirë e kanë?! Jo nuk e kanë të vështirë, por në këtë akademi punohet me një platformë që vetëm shqiptare nuk mund të quhet. Punohet edhe aty si në politikë në platformën e xhepit, mikut, tarafit. Punohet pa asnjë përgjegjësi kombëtare sepse nuk kemi as dhe një ndërlidhje të fuqishme ndërakademike me Prishtinën për çështje mbarëkombëtare. Atëherë pse duhet kjo Akademi?! Pse paguan populli kur ajo nuk kryen asnjë funksion dhe të vjen keq se në kohën e diktaturës kjo ishte një strukturë, sado e ngurtë, më frutdhënëse në fushën e shkencave e studimeve shqiptare. Kush e shkatërroi këtë Akademi, kush e ktheu në një ndërtesë me lagështirë e myk mendimi ku mund të organizojë veprimtari çdo lloj mediokri e çdo lloj vjershëtari që nuk arrin as nivelin e Hasan Zyko Kamberit. Po le të flasim më hapur: ku janë statistikat për veprimtarinë e kësaj Akademie; a botohem çdo tre muaj në shtypin shqiptar, apo vjetor të paktën. Pse nuk ndërmerret një studim sado i vogël: sa profesorë ka Shqipëria. Si i kanë marrë titujt, sa studime kanë bërë e çfarë rezultatesh kanë arritur kur shtetet fqinjë punojnë me ngarkesë të plotë në këtë sistem dhe po na e nxjerrin tabanin ne shqiptarëve. Po na nxjerrin popuj aziatikë. Pak t’u flasësh për origjinën pellazgjike të shqiptarëve, çfarë dhe Aristidh Kola i mëshonte fort, akademikët tanë me rroga të majme të përqeshin. Aristidh Kola na thoshte se shqipja është gjuhë e perëndive, këta honxho-bonxhot tanë akademikë na thonë se Aristidh Kola nuk ishte studiues i mirëfilltë dhe nuk i ka veprat mbi baza shkencore, se këta quajnë bazë shkencore çdo pseudohulumtim që vjen nga kulisat e qarqeve ballkanike. Kjo Akademi të kujton ndërtesat e vjetra ku gëlojnë minjtë me shkakun se janë të shkreta. Rilindja e reforma nuk duhet të jenë një fjalë mikluese, por një program i vërtetë për rigjallërimin e të gjithë mekanizmave të shtetit. Kjo ide e mrekullueshme në një situatë kur ishim thuajse të paralizuar, nuk duhet të flashket e të shuhet si flakë kashte. Kur do të nisë fshesa për Akademinë që është kthyer në një “paçavër” siç do të thoshte Migjeni. Nuk mund të reformohet trupi para se të reformohet mendja që e drejton atë.
I bëj thirrje Qeverisë e tërë instancave të shtetit: Fshijeni nga faqja e dheut këtë myk akademik e reformoni tërë sistemin e institucioneve shkencore e studimore nëse doni të bëni Shqipëri.

korrik 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Akademia, E MYKUR, E TIRANËS, Kolec Traboini

BIJTË E ETËRVE ‘TË DJATHTË’

July 23, 2014 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Bilal Kola u emërua në krye të Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, instancë e Qeverisë së Shqipërisë. Ky lajm më shërbeu si nxitës vendimtar për të shtjelluar këtu një ide timen shumë më të hershme.
Emri i të sapoemëruarit, siç ndodh rëndom tek ne, do të lakohej menjëherë së bashku me emrin e babait të tij, Kurt Kolës, ish i burgosur politik, eksponent i organizimeve të shtresës përkatëse në periudhën e tranzicionit, pra, të themi ‘i djathtë’.
Në Shqipërinë gjithnjë e më promiskuite është diçka e përditshme, si buka dhe si ajri, të thirren me tone fyese, përbuzëse, madje dhe urrejtëse përkatësitë familjare, farefisnore, krahinore, fetare e të tjera të njerëzve të njohur. Është diçka për të cilën ndiej neveri përditë e më shumë dhe nuk do të doja e nuk dua as në këtë rast të bie në ato pozita, pavarësisht shprehjeve tona se “dardha nën dardhë bie” apo “nga i miri del i keqi, nga i keqi del i miri”, sepse, edhe e para, edhe e dyta, sado në sense të ndryshme, shprehin paragjykim.
Kurt Kola, dihet sa është figurë kundërthënëse e tranzicionit në Shqipëri. Do të na mjaftonte dalja e tij për krah të majtës në atë që quhet Rebelimi i 1997 në kuadrin e “Forumit për Demokraci”. Ai mbahet mend edhe se i drejtori i parë i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, atëherë në kuadrin e Kryeministrisë, tashti në kuadrin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Periudha e tij, 1997-2005 mbahet mend si periudha kur nuk është bërë asgjë, pothuaj absolutisht asgjë për shtresën e ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë.
Mbahet mend gjithashtu se përfshirja e Kurt Kolës në lëvizjen e majtë dhe në qeverisjen e majtë aso kohe është interpretuar si renegate, pra braktisje e së djathtës dhe rënie në prehrin e së majtës.
Nga e gjithë kjo, megjithatë, nuk ia lejoj vetes të paragjykoj se Bilal Kola, i biri i tij, nuk ka për të bërë më të mirën e mundshme për shtresën e tij. E uroj, madje me gjithë zemër, të arrij suksese shembullore në detyrë. Dhe, për hir të tij, po bëj lëshim stilistik, duke sjellë biografinë (curriculm vitae) e publikuar nga enti emërues: “Bilal Kola ka lindur në internim në fshatin Plug të Lushnjës, ku ka jetuar deri në moshën 18 vjeçare. Në vitin 1998 ka përfunduar studimet e larta për Drejtësi në Universitetin South Bank, në Londër, dhe në vitin 2011 ka marrë titullin Doktor Shkencash nga Universiteti Ndërkombëtar Montgomery, SHBA. Gjithashtu, ai zotëron një Master në të Drejtën Ndërkombëtare Tregtare nga Universiteti Metropolitan i Londrës, si dhe një diplomë në të Drejtën Ndërkombëtare të Aviacionit. Kola ka një eksperiencë të gjatë 15-vjeçare si jurist në Shqipëri, Angli dhe Kanada, gjë që i ka shërbyer për mbrojtjen e kauzës së ish-të përndjekurve politikë, për të cilën ai është angazhuar prej vitesh. Aktualisht ai është administrator i studios “K&H Law Firm”, që ofron këshillim për disa shoqëri tregtare vendase dhe të huaja.”
Ndoshta nuk do të shikoja asgjë të keqe, madje vetëm të mirë, në këtë emërim, nëse lajmi nuk do të vijonte me “menjëherë pas largimit të Bedri Blloshmit”. Ky emër na e kujton një figurë, një familje, një mbiemër tejet të njohur për vuajtjet shembullore, përballjen dhe qëndresën shembullore ndaj komunizmit në Shqipëri. Le të jetë? Por çka më la mbresë të pashijshme ishte se largimi i Blloshmit u shoqërua me një fushatë përbaltëse, çka nuk i shpëton nga vetëpërbaltja as emëruesit dhe njëherësh shkarkuesit e tij përkatësisht në detyrë dhe nga detyra.
Kjo fushatë, me pjesëmarrje nga grupe interesi pranë qeverisë, si nga ato zyrtare edhe nga ato të segmenteve të ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, tregon bashkautorësi të qeverisë, në mos dirigjim prej saj.
Blloshmi, ndër të tjera, akuzohet se ka krijuar precedent, gjoja duke shkelur mbi gjakun e vëllait të pushkatuar, poetit Vilson Blloshmi, mbi idealet e djathta, për shkak se pranoi një post në një qeveri të majtë, në një qeveri të ish persekutorve të së djathtës. Zaten akuzohet nga ata që njëkohësisht vetëtrumbetohen bujshëm si ithtarë të precedentit të vërtetë.

Fakti është, siç përmenda më lart, se precedentin nuk e ka krijuar Blloshmi. Mund të them pa nguruar edhe se Blloshmi në pak muaj ka bërë shumë herë më tepër se Kola gjatë tetë viteve të tij në detyrë.
Fushata të kujton “Shtëpinë me Gjethe” të dikurshme. Dhe të vjen rëndë që në tranzicion gjithnjë e më shumë po iu dalin gjethe shtëpive në qendër të shtetit.
Duke u kthyer, sado vonë, drejtpërdrejt tek tema e shqetësimit tim, le të them se “bijtë e etërve të djathtë” vjen si stilemë e thënieve aq të shpeshta për “bijtë e etërve – të majtë”, “bijtë e etërve bllokistë”, “bijtë e etërve persekutorë” e tjerë, një demagogji që e ka shoqëruar gjatë gjithë këtij tranzicioni atë grupim klanor që ka folur në emër të së djathtës.
Me “bij të etërve të djathtë” dua të kuptoj të gjithë pasardhësit e ish të burgosurve politikë, ish të përndjekurve politikë, pasardhësit e pronarëve të ligjshëm, pasardhësit e antikomunistëve, pra bijtë, bijat, nipat dhe mbesat e atyre që Enver Hoxha dhe klika e tij i mundi para 70 vjetësh dhe që vazhdojnë të korrin frytet e hidhura të humbjes që pësuan etërit e tyre, gjyshërit e tyre, humbje e cila, mjerisht, ishte edhe humbje e kombit, madje humbje tejet e rëndë dhe tejet tragjike.
A e ka, pra, brezi i Bilal Kolës, i të gjithë atyre që lindën e u rritën në internime politike, gjithë atyre që u rritën me mbresat e sporteleve të burgjeve politike të etërve të tyre, vetëdijën e përkatësisë së djathtë dhe vetëdijën e domosdoshmërisë së djathtë për vendin e tyre dhe për shoqërinë e tyre. Dhe kjo vetëdijë a është e asaj shkalle që të çojë në një lëvizje të organizuar të djathtë. Nga kjo lind pyetja: a do të ketë ndonjëherë një alternativë të djathtë ndaj së majtës që sundon prej tre çerekë shekulli në Shqipëri.
E djathta shqiptare gjatë komunizmit i është nënshtruar një genocidi të gjithanshëm. Etërit e djathtë të mbijetuar, tranzicioni i gjeti të dërmuar sa dhe të hutuar e të çorientuar. Këtë e shfrytëzuan, e shfrytëzojnë dhe do ta shfrytëzojnë me pafytyrësi dy grupimet e mëdha klanore, pasuese të PPSH. Ata eksponentë të djathtë që arritën të përfshihen në nivele të larta të politikës apo të qeverisjes, kryesisht u detyruan të përfshihen në klanet dhe të shikojnë vetëm interesat e tyre të ngushta, pa çarë kokën më tej për shtresën e prejardhjes. Edhe ata pak bij e bija të etërve të djathtë, të përdorur në poste të ndryshme të larta, dëshmuan se janë shumë larg figurave të tilla si Pjetër Arbnori apo Azem Hajdari.
Tranzicioni shqiptar, ndër të tjera, ka dëshmuar se tek ne ekziston ndjeshëm elektorati i djathtë, ekziston ndjeshëm populli i djathtë, ekziston ndjeshëm kundërvënia perëndimore ndaj së majtës lindore që vazhdon në të dyja grupimet më të mëdha klanore. Por ata që erdhën dhe qëndruan në pushtet me këtë votë të djathtë nuk bënë asgjë për etërit, nuk bënë, nuk bëjnë dhe nuk do të bëjnë asgjë për bijtë e bijat, nipat e mbesat e etërve dhe gjyshërve të djathtë.
Nëse nuk krijohet kundërvënia e vetëdijësuar dhe e organizuar e “bijve të etërve të djathtë” ndaj së majtës lindore që sundon këto 70 vjet, atëherë e djathta jonë do të mbetet një utopi, një shpresë e rreme. Nëse ata “bij të etërve të djathtë” që kanë mbaruar e mbarojnë studimet në Perëndim apo edhe në universitetet shqiptare, nuk kujtohen për idealet e paraardhësve të tyre, atëherë politika dhe jeta shqiptare do të vazhdojnë të ecin mbi dy këmbë të majta, të veprojnë me katër gjymtyrë të majta, secila më lindore se tjetra, secila më joperëndimore se tjetra. Një çorodi më se tragjike, do të thoja.

Filed Under: Opinion Tagged With: 'TË DJATHTË', BIJTË E ETËRVE, Skender Bucpapaj

Kur sfidon “Ambasadori i Padëshirueshëm”…

July 23, 2014 by dgreca

E kanë konsideruar si “të padëshirueshëm” për qeverinë apo Ministrinë e Jashtme, madje nuk e ftuan as në konferencën e ambasadorëve të Shqipërisë të organizuar pak ditë më parë në Tiranë, duke shënuar kështu ngjarjen më të paprecedentë në historinë e shtetit dhe të diplomacisë shqiptare.
Me urdhër të prerë iu është kërkuar mbyllja faqes së internetit të Ambasadës shqiptare në Londër, (fatmirësisht për facebook-un akoma nuk ka ardhur ndonjë urdhër…) dhe mosdhënia e asnjë interviste për BBC-në apo CNN kur ishte fjala për dhënien e statusit kandidat në BE të Shqipërisë.
Ambasadori “i padëshiruar” Mal Berisha sfidon me postimin e tij në facebook, duke dëshmuar për punën dhe angazhimin e tij të jashtëzakonshëm në këtë post, pse jo duke u bërë model edhe për kolegët e tij, “të shumëdëshiruar” nga qeveria apo Ministria e Jashtme, që nga ndonjë googellim rezultojnë as më pak e as më shumë sesa pjesëtar i një grupi social dhe asgjë më shumë…
Pak ironik e shumë sfidues Ambasadori Berisha le të kuptojë se “ka harruar” “padëshirueshmërinë e tij” dhe thjesht thekson punën dhe planet për të ardhmen:
“Në zbatim të detyrave të lëna nga Konferenca vjetore e Ambasadorëve të RSh, mbajtur nga data 4 deri me datën 7 Korrik 2014, kam nderin e veçantë që të ndaj me ju kënaqësinë për transmetimin e emisionit televizv të mëposhtëm nga ana e kanalit britanik CBBC. Ky kanal është pjesë e rrjetit të BBC – England, BBC London, BBC 1 West, BBC East, BBC C1, Chanel 4 East, dhe BBC World.
Emisioni u transmetua me datën 22 korrik 2014 në orën 9.00 GMT. Emisioni mori shkas nga këngëtarja e njohur shqiptare nga Prishtina, Rita Ora, artistja më e preferuar e fëmijëve britanikë nga mosha 8 deri në 18 vjeç dhe veçanërisht vizita e saj në Ambasadën tonë në Londër dhe pjesëmarrja në 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Nëpërmjet saj emisioni kishte për qëllim tu jepte fëmijëve të kësaj moshe sa më shumë njohuri rreth shqiptarëve në Ballkan, vendit nga vjen Rita Ora duke intervistuar ambasadorët e dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës.
Emisioni është parë nga rreth 18 milionë syresh të cilët nuk kanë asnjë ide për Shqipërinë dhe Kosovën. Ai transmetohet jo vetëm në Britaninë e Madhe por edhe në vende të largëta Australi dhe Zelandën e Re. Për fat të keq në tekstet shkollore të Britanisë së Madhe as që përmenden shqiptarët në asnjërën anë të kufirit, dhe nuk zhvillohet asnjë orë mësimi rreth nesh. Dhënia e këtij informacioni për shqiptarët në Ballkan, një audience të tillë është një gjë shumë e rëndësishme për brezin e ri.
Per veprimtarite e tjera mund te shihni ne Yutube se cfare veprimtarish te vlefshme ka zhvilluar “Ambasadori i padeshirueshem” per kulturen tone kombetare dhe per ceshtjen shqiptare. Nese doni ta shihni kete program shkroni dhe klkoni ne : 1- http://www.bbc.co.uk/iplayer/cbbc/episode/b04bzpyv/pop-slam-2-the-vamps-vs-rita-ora
Ndërkohë në zbatim të detyrave programatike të Konferencës vetëm pak ditë më vonë me dt 15 gusht 2014, Ambasada organizon një veprimtari shumë prestigjioze me z Robert Ëilton, zv/Ambasador i Misionit të OSCE në Tiranë për të promovuar para një audience britaniko – shqiptare poezinë shqipe të përkthyer në gjuhën angleze prej atij vetë. Po ashtu pas organizimit të mbi 80 veprimtarive kulturore dhe artistike nga ana e kësaj ambasade në pak më shumë se dy vjet, dhe të ndjekura nga një audiencë prej mëse 5.000 pjesëmarrësish, ambasada po krijon traditën e veprimtarisë së saj për promovimin e vendit tonë nëpërmjet të asaj që tashmë quhet:
NOTES ON ALBANIA.
(Notat muzikore shqiptare, apo shënime rreth Shqipërisë – merreni si të dëshironi!)
Edicioni i parë i NOTES ON ALBANIA, 2013, u mbajt në Royal College of Music me artistë të mëdhenj shqiptar. Për disa fragmente rreth këtij aktiviteti ju lutem vizitoni:
-https://www.youtube.com/watch?v=0WqBzY-c-bw
https://www.youtube.com/ëatch?v=uU-g55x9-Fk
https://www.youtube.com/ëatch?v=bORGOI1dCeQ
Këtë vit, me datën 8 dhjetor 2014, në një nga sallat më prestigjoze dhe më moderne të muzikës në botë të quajtur Kings Place, Hall Number One do të organizohet:
NOTES ON ALBANIA, Second Edition;
Me artisten e madhe, Sopranon Inva Mula dhe artistë tjerë shqiptarë si dhe artistë të huaj që do të interpretojnë artin shqiptar, si muzikantë, krijues mbi motive shqiptare dhe aktorë që interpretojnë poezi shqiptare të përkthyera në gjuhën angleze.
Për këtë ju lutem vizitoni:-http://www.kingsplace.co.uk/hall-one#.U8493ssg_IU
Po kështu me datën 23 Tetor 2014, në Teatrin Kings Place Hall Number Tëo, Ambasada organizon shfaqjen e “Apologjisë së Vërtetë të Sokratit” interpretuar nga Artisti i Madh shqiptar Mirush Kabashi i shoqëruar nga artistë të tjerë shqiptar.
http://www.kingsplace.co.uk/hall-tëo#.U84-I8sg_IU
Veprimtaria kulturore dhe artistike e kësaj ambasade është parë si një mjet i fuqishëm në promovimin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar”.(Pergatiti:B. Sina)

Filed Under: Opinion Tagged With: ambasadori, i Padëshirueshëm”…, Kur sfidon

“MONSTRA” DHE…LOGJIKA E NJË “MESELEJE”

July 23, 2014 by dgreca

Rasti “Monstra” si paralele me atë vakinë a meselenë politike (shqiptare) të viteve gjashtëdhjeta, gjegjësisht me demonstratat e Tetovës të motit 1968/
Nga Fadil LUSHI/ Tetovë/
Secili prej nesh, që do të bëjë përpjekje ta anashkalojë paralelizmin logjik mes protestave paqësore që u organizuan në Shkup e gjetiu (po edhe me ato që do organizohen edhe në të ardhmen.., si “kundërpërgjigje gjykimit të montuar” ku gjashtë shqiptarë u dënuan me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”), me atë vakinë a meselenë politike (shqiptare) të viteve gjashtëdhjeta gjegjësisht me demonstratat e Tetovës të motit 1968, besojmë se që në fillim do të zhgënjehet dhe do të gabohet. Jo pse do t’i mungojnë provat, jo pse do i mungojë kujtesa pamore a edhe ajo dëgjimore, jo pse që në fillim do ngatërroj folkpatriotizmin me nocionin e atdhetarisë, jo pse do ngatërroj kohën e tashme me atë të kaluarën, por pse do “ngaterrohet” me patetizmin dhe subjektivizmin e tij.., pavarësisht se protestat paqësore në Shkup dhe gjetiu (sikur) që në fillim nisën paksa së prapthi.., me një “skenografi” që pak fare kishte të përbashkët me shqiptarë.., me pankarta të shkruara në alfabetin arab, me flamuj të shteteve të huaja, me ato brohoritjet.., me pjesëmarrjen e ca njerëzve të dyshimtë e tjerë. Parashtrohet pyetja, pse fillimisht, protestat nuk kishin Këshill Organizativ Koordinues dhe as kryesues.., pse që në fillim nuk i kishin të definuar qartë kërkesat e tyre, pse që në fillim nuk u akuzuan drejtëpërdrejtë individë a parti politike shqiptare po edhe maqedonase. Pse dikush, me aq “vonesë, deshi t’u dal zot” këtyre protestave sa humane, ligjore po aq edhe emancipuese.., pse filozofisë dhe moralit të këtyre protestave (mbase nuk ishin protesta mëhallash) që në fillim i’u vu kleçka, a mos vallë kjo u bë qëllimisht.., dhe atë për një “palë opinga allafrënga e të fëlliqura!?”. Me vazhdimin e protestave, do punë do fillojnë të “sqarohen dhe definohen paksa më ndryshe”, me çka edhe do të formohet Këshilli organizativ me kryesues. Ky këshill organizativ koordinues (me të drejtë) do të paraqes këto kërkesa:
1. “Shpallja e të dënuarve të “Monstrës” për të pafajshëm dhe lirimi i menjëhershëm i tyre..,
2. Shkarkimi i menjëhershëm i prokurores dhe gjykatës përgjegjëse për rastin “Mo-stra” dhe ndjekja e tyre për keqpërdorim të detyrës..,
3. Dorëheqja e ministres së punëve të brendshme për shkak të..,dhe,
4. Lirimin e menjëhershëm të gjithë të arrestuarve në protestat në Shkup dhe Tetovë.., derisa nuk plotësohen këto kërkesa protestat nuk do ndërpriten deklaruan organizatorët”. Në këto “kërkesa” çuditërisht nuk do të përmenden dhe nuk do të akuzohen lidershipët e as partitë politike shqiptare, qofshin ato në pushtet a në opozitë. Për ç’arsye nuk u “përgojuan” ne këtë nuk e dijmë!?
Meqenëse kanë kaluar shumë vite nga meseleja, e cila për kryefjalë kishte demonstra-tat e Tetovës të vitit 1968, nuk mund të përjashtohet mundësia karshi ndërtimit të një paralelizmi logjik me protestat e Shkupit. Ne besojmë, se në këtë paralelizëm ka arsye, pavarësisht se ato në aspekt të organizimit ndodhën në periudha të ndryshme kohore. E para do të ndodhë në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe e dyta në ato të Republikës a shtetit të Maqedonisë. Demonstratat e Tetovës, me 22 dhe 23 dhjetor të vitit 1968 (me plotë të drejtë), do të karakterizohen me tre palë histori.
me atë të lavdatës
Kjo Histori e lavdatës do të shkruhet nga vet organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj.., nga kryeorganizatori i këtyre demonstratave gjegjësisht nga studenti nga Beogradi, Faik Mustafa (i cili, do të dënohet me 5 vjet heqje lirie). Mandej do të dënohen edhe këta atdhetarë: Memetriza Gega, Beqir Berisha, Ramadan Sinani, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Ismail Memeti, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Agleze, Hysnixhevat Kalishta, Abdylselam Selami, Abdylmenaf Rustemi (i dënuar bashkë me babain e tij edhe në Shqipëri) Abdulla Kalishta, Abdulla Jusufi, Dr. Mahmut Bajraktari, Dr. Harun Jakupi, Salajdin Hyseini dhe shumë tetovarë të tjerë. Në Shkup do të dënohet Sejdi Kryeziu 5 vjet, në Strugë Irfan Vllashi, Tosun Roçi, Syria Qura. Në Kërçovë Sali Ramadani, në Gostivar Imer Imeri dhe të tjerë nxënës nga Tetova, të cilët do të burgosen dhe më vonë edhe do të përjashtohen nga gjimnazi “Kiril Pejcinoviq”: Islam Beqiri, Rafi Halili (i cili më vonë do të dënohet bashkë me nënën dhe motrën me gjithsej 17 vjet heqje lirie), Hamit Saliu, viti i tretë, Ahmet Zeqiri, maturant, Rexhep Hasani, maturant, Sefedin Halimi dhe Fadil Lushi.

me atë të akuzës
Demonstratat e vitit 1968 nga ana e pushtetmbajtësve do të perceptohen si…” armiqësore dhe me kërkesa irredentiste për bashkim politik të shqiptarëve në Jugosllavi, për bashkim me Kosovën…” me shtetin amë si dhe me trojet tjera me frymëmarrje shqiptare, me të vetmin qëllim për të krijuar Shqipërinë natyrale. Përkundrazi, demonst-ratat e Tetovës të vitit 1968, ishin thjesht shprehje apo rezultat i një akumulimi të dufit shqiptar ndaj padrejtësive që i bëheshin.

c) me atë të harresës..,

Kjo do të duhet të jetë historia më e dhimbshme e demonstratave të vitit 1968, pasi që nga historianët tanë paksa më të moshuar, fare pak është diskutuar dhe trajtuar si pjesë a një kaptinë e veçantë e trashëgimisë sonë kombëtare. Është një ngjarje, që dita-ditës humb shkëlqimin, duke kaluar në pronësi të harresës sonë kolektive. Është një ngjarje që thjeshtë do të dehumanizohet dhe deemancipohet. Një ngjarrje që do karakterizohet me një retrospektivë të lavdishme, por po aq edhe të dhimbshme të popullatës shqiptare këtej Shqipërisë politike.
Që të jemi korrekt deri në fund ndaj të vërtetës të të dënuarve shqiptarë (dënime këto që dolën nga proceset në fjalë, ku u dënuan më shumë se 100 demonstrantë), do na duhet të themi se asnjëri prej këtyre të dënuarve të lartëpërmendur, asnjëherë nuk ëndërroi karrierën politike, po as që përfitoi dot gjë në aspekt social.., në aspekt material as që bëhej fjalë. Në vend të këtij “përfitimi ata hëngrën kokat e tyre?”. Kemi përshtypjen, se edhe protestat paqësore të Shkupit po edhe demonstratat e Tetovës të vitit 1968, gjithësesi se kanë një të përbashkët, atë kërkimin e lirisë së vonuar, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, kanë pjesën e errët të tyre, ku njerëz të sëmurë për karrierë politike do t’u vardisen dhe ashtu pamëshirshëm do ua denigrojnë moralin dhe filozofinë e së vërtetës kolektive. Nëse do të na lejohet, ne në fund të këtij vështrimi gazete, do të parashtrojmë një “pyetje hipotetike”: A mos vallë në këtë verë përvëluese a edhe në një të ardhme të afërt, protestat e Shkupit (nuk) do t’i harrojmë (si ato demonstratat e Tetovës), a mos vallë (nuk) do t’i keqpërdorim(n), a mos vallë, nga ato (nuk) do të “prodhojm(n)ë” ndonjë parti të re politike shqiptare, këtu në Shkup, në Tetovë dhe rreth e rrotull saj!? Ku ta dijë njeri, po mbase ka njerëz që janë në dijeni të kësaj. Mendimtari grek, Pitagora, dikur kishte thënë: “Lojrat olimpike, zakonisht frekuentohen nga tre lloj njerëz: nga garues, nga spektatorë dhe nga tregtarë” flamurësh.., hajt, mos të themi edhe nga profiterë politikë!?

Filed Under: Opinion Tagged With: ...LOGJIKA, E NJË “MESELEJE”, Fadil Lushi, Monstra

Shqiptarët në Maqedoni të kërkojnë monitorim nga ndërkombëtarët

July 6, 2014 by dgreca

Nga Arben Çejku/ ish-Ambasadori shqiptar në Shkup/
Shqiptarët duhet të punojnë më shumë përmes diplomacisë, madje duhet t’i kërkojnë faktorit ndërkombëtar, Strasburgut, dërgimin e një misioni të posaçëm monitorues për të ndjekur nga afër gjithçka ka ndodhur së paku përgjatë dy vjetëve të fundit, në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.
Kështu ka deklaruar për “Ora News”, ish-Ambasadori shqiptar në Shkup, Arben Çejku, sipas të cilit shqiptarët në Maqedoni duhet të shfrytëzojnë këtë moment për të lobuar për të drejtat e tyre.
Përsa i përket kërcënimit të bërë orët e fundit nga ish-komandantët e UÇK-së për të rikrijuar grupimin ushtarak për të mbrojtur popullatën shqiptare, Çejku theksoi se tani shqiptarët nuk kanë nevojë për konflikte e tensione të tjera. Ish-kryediplomati shqiptar në Shkup tha se kërcënimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së thjesht i hedhin më shumë benzinë zjarrit, por në rast të çfarëdolloj konflikti, shqiptarët do të duhet të kuptojnë se do të jenë vetëm.
Sipas Arben Çejkut, protestat edhe ngjarjet e viteve të fundit mes shqiptarëve dhe maqedonasve, kanë lënë një shije të hidhur për të ardhmen e tyre. Çejku apeloi për mbajtjen e një tryeze për reformën në drejtësi, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, me fokusin mbi të gjitha, tek proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arben Ceku, kerkojne, monitorim, në Maqedoni të, nga ndërkombëtarët, shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 733
  • 734
  • 735
  • 736
  • 737
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT