Opinion nga Raimonda MOISIU/
(Në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas)/
Sfidat dhe në të njëjtën kohë potencialet e burimeve dhe marrëdhënieve njerëzore më të rëndësishme të jetës social-ekonomike –politike të një shoqërie demokratike kanë të bëjnë me statusin e grave, identifikimin e zbrazëtirave aktuale sociale, qytetare e intelektuale, si edhe mundësitë e mundshme në promovimin dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën e përditshme, promovimin e barazisë gjinore, vëmendjen e duhur dhe mendimin e maturuar të shoqërisë civile me të gjitha atributet njerëzore e intelektuale. Promovimi i statusit human, qytetar, intelektual e njerëzor i grave ka një domethënie të rëndësishme për vetë vlerat dhe integritetin që gratë shqiptare kanë e duhet të zënë në shoqërinë demokratike. Dhuna ndaj grave është padyshim një nga pengesat më të mëdha, e cila parasëgjithash duhet të përballet me një shoqëri demokratike që paraqet themelet e zhvillimit të saj në parimet e lirisë, barazisë dhe sigurinë e qytetarëve të saj. Dhuna ndaj grave është forma më diskriminuese dhe shkelje e të drejtave të saj njerëzore. Dhuna ndaj tyre shkakton mjerim të pallogaritur, shkurton jetën dhe gra të panumërta që i gërryen dhimbja, ankthi, nën kërcënim e frikë për jetën e tyre, fëmijëve e të familjes. Dominanca e dhunës mashkullore dëmton familjet në të gjitha brezat, mjeron e varfëron komunitetin dhe përforcon forma të tjera të dhunës në shoqëri, kufizon rritjen ekonomike dhe minon zhvillimin. Shtrirja dhe shkalla e dhunës ndaj grave janë pasqyrimi i diskriminimit që gratë e vajzat shqiptare vazhdojnë të përballen. Shembuj të shumtë dhune patëm vitin që kaloi,-biles nga më të tmerrshmet. Madje, gjerësisht një pjesë e shoqërisë mendon se gratë janë pronë e burrit dhe për këtë arsye ai mund të bëjë me të cfarë të dojë, kur të dojë e si të dojë, dhe i njohin të drejtën burrit për të ndëshkuar, biles, edhe ta vrasë gruan e tij nëse ai konstaton se ajo nuk bindet apo ka shkelur kurorën. Kjo lloj situate nuk mund të tolerohet më kurrsesi. Dhe për këtë arsye duhet të organizohen fushata që synojnë luftën kundër dhunës ndaj grave të cilat janë prekur në mënyrën më mizore. Unë kam parë protesta të grave të shtresave e racave të ndryshme këtu në USA, me sytë e tyre të nxirë, më fytyrat e tyre të mavijosura nga keqtrajtimi deri në rrahje makabre, foto me varre të mbuluar nga lulet apo edhe me trupin me shënjat e djegura nga cigaret dhe të sfilitur nga përdhunimi. Qëllimi i kësaj forme të protestuari është jo vetëm për të treguar keqtrajtimin e dhunën ndaj grave, por edhe që të sensibilizojë shoqërinë për ekzistencën e kësaj sfide serioze, ndikimin e rritjes të vetëdijes qytetare dhe intelektuale, ndërgjegjësimin e problemit e kështu me radhë. Gra që sfidojnë në emër të Jetës e Njerëzores. Eksperiencat dhe përvojat e tyre janë inkurajuese për të kapërxyer pengesat dhe për të zbuluar se gjithcka është e mundur të arrihet e realizohet me mund e sakrifica, sfida që reflektojnë besimin në forcën e mëncurisë dhe shpirtit njerëzor të grave e vajzave, jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të ndryshuar jetën e tyre, – mesazhi që ato i dërgojnë botës e shoqërisë cdo ditë. Kjo duhet të jetë në qendër të shoqërisë. Çdo gjë është mëse e vërtetë, madje realiteti është shumë më i madh më ngjethës e i trishtuar, se sa duket, por është koha për të ndaluar dhe reflektuar. Sot shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm ndaj objektivave të realitetit dhe për madhësinë e tyre, e dinë se ky është një problem serioz, por shumë gra sot janë ende viktima të raportit mes frikës dhe pasigurisë, se cfarë do të ndodhë më pas, si do të ngryset dita e gdhihet nata, çfarë do të ndodhë me fëmijët e tyre, se si do të ndihen, ku ato do të vazhdojnë të jenë të dyzuara me abuzuesin e tyre, ta falin apo jo, pa dashje apo me dashje, për të kuptuar apo jo. Gratë, këto viktima të dhunës e dinë fare mirë se çfarë i pret, por ato nuk mund të arrijnë të perceptojnë se çfarë mund të ndodhë, kur ato të marrin vendimin për të ndryshuar. Jemi të mendimit se dhuna ndaj grave në “vëndin e shqiponjave” është masiv, i përditëshëm, shumë fytyrësh, nga format më të zakonëshme dhe më të rëndat të dhunës ;që nga dhuna ndaj bashkëshortes, partneres, të trafikimit, prostitucionit të detyruar, shfrytëzimi i punës së tyre, përdhunimi, robërimi i grave e vajzave për të shlyer borxhet, dhuna fizike e seksuale ndaj prostitutave, abortet selektive, vrasja e foshnjave, nga keqbërës të mundëshëm, duke përfshirë bashkëshortët, partnerët, anëtarët e familjes, fqinjët, dhe njerëzit në pozita të pushtetit dhe ndikimit. Kjo dhunë është një amebë shumëkokëshe, sic është ta zemë mungesa e kulturës, e prezencës së letërsisë e poezisë. Për të qënë më të sinqertë ;Dhuna më e egër në vendin tonë është dhuna ndaj grave. Shumë meshkuj nuk e kuptojnë se qëndrimi i tyre i prapambetur e injorant ndaj grave mbjell urrejtjen, përbuzje e nënshtrim. A e keni vënë re se kur kapet në “flagrancë” një “prostitutë” nga policia, te kronika e zezë, shënohet me gërma sa më të mëdha e poshtëruese emri i femrës së gjorë e të mjerë, që ka nxjerrë trupin e saj në shitje, a thua se ka ndodhur cudia e padëgjuar ndonjëherë ;ajo ka bërë seks me mbitokësorët!!!! Ajo nuk i ka detyruar ata meshkuj që policia u ruan “nderin”, duke mos ia u përmendur emrin, por dhuna sociale, mjerimi, varfëria, kushtet ekonomike, kanë detyruar femrën e shkretë të shtrihen në krevatin e saj, kundrejt parave, të shfryjnë epshet e pjesës së tyre shtazore. Vendet me demokraci të zhvilluar dhe shoqëri përkatësisht të shëndosha demokratike janë duke i dhënë më shumë të drejta civile grave, duke i trajtuar ato të barabarta me burrat. Gratë shqiptare, të cilat kanë arritur të krijojnë staturën e tyre intelektuale dhe profesionale, një farë shëndrritje të jetës e karrierës së tyre, në jetën social-ekonomike dhe politike, qeveri, art, kulturë dhe media janë bërë jo pak të njohura tashmë në shoqërinë tonë. Është një risi jo e pranuar, por domosdoshmëri për të jetuar shkëlqimin e përditëshëm dhe siguruar të ardhmen e vetes e të fëmijëve. Në një ndryshim të shpejtë dhe rritjes së problemeve sociale, në dukje, kjo mjaftueshmëri nuk ka kuptim të qartë publik, i ndryshëm nga realitet e ashpra të grave dhe vajzave të tjera që jetojnë në këtë vend. Mjaftueshmëri vetjake e tyre është tejet kritike. Shpresat dhe aspiratat, pjesët e pranuara të jetës, janë të kufizura, ndërsa standartet e sotme flasin për më shumë vështirësi në luajtjen e roleve të gruas, nënës, të karrierës dhe përvoja e femrës është shumë më e gjerë në përgjithësi. Familja është interes, jo e interesit. Vlerat e familjes janë thelbësore për qënie morale dhe gratë në karrierë ndikojnë në gjeneratat e ardhëshme. Ky hap përpara në pavarësinë e grave erdhi në rritje por edhe nën kontrollin e tyre. Gratë shqiptare sot ende përballen me diskriminimin në formë të pabarazisë të të ardhurave, nocionin e profesionalizmit si femra, dhe fusha e ‘lojës” nuk është e të njëjtit nivel, por vemë re se paragjykimet gjinore janë institucionalizuar. Mirëpo lind pyetja dhe dilema?? Cfarë po ndodh me gratë e thjeshta punëtore apo shtëpiake që punojnë për familjet e fëmijët e tyre, rolet e tyre në familje e shoqëri, pështjellimi shpirtëror, përcmimi mashkullor, dhuna psikollogjike dhe fizike, që ushtrohet ndaj tyre, mes ndjenjës së nënshtrimit epshor seksual, shfrytëzimit seksual, turpit, të fajëshmes e të pafajshmes, rrahjes, masakrimit vrasës të tyre, së pari nga bashkëshortët dhe meshkujt e tjerë në familje e të jetës së tyre, dhe më pas nga dhuna shoqërore jashtë mureve të shtëpisë që riprodhohet në forma të ndryshme nga vetë qëndrimi maskilist i disa femrave në karrierë. Sado pushtet tu japë karriera kësaj kategorie, ato duhet të mbrojnë pikësëpari -vlerat femërore dhe të familjes. Natyrisht shoqëria civile shqiptare, shoqatat e grave, duhet të jenë gjithmonë aktive, të vazhdojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre, të hyjnë në një fazë të re, të cilat të ofrojnë një pamje të ndryshme të këtij problemi social, që ende ndikon në një numër të madh të grave. Të bëjnë të njohur realitetin e ashpër, abuzimin fizik e mendor që ka kohë që ushtrohet vazhdimisht ndaj grave, për faktin e thjeshtë për të ankoruar vlerat patriarkale që përcaktojnë një marrëdhënie historikisht të pabarabartë të pushtetit mes burrave dhe grave, që ende ekzistojnë edhe sot në shekullin e 21-të. Të sensibilozojnë realitetin, të takohen me viktimat e dhunuara të krimit, të ofrojnë një perspektivë të re, qendra për kujdesin mendor e fizik të tyre, për t’i bërë ato të vetëdijshme për të ndryshuar jetën, në të mirë të vetes, fëmijëve dhe familjes. Shoqëria civile duhet të përcjellë mesazhin e rëndësishëm që ndryshimi është i mundur dhe se ende ka shpresë për ta sfiduar atë mizoren –Dhunë! Shoqëria para se të intensifikojë shkakun e dhunës dhe shkaqet e kriminalitetit, duhet të thyejë heshtjen, që të jetë më mirë e në gjendje për të parandaluar dhunën që në fillesën e saj, ose të paktën të jetë në pozicionin për ta ndëshkuar atë, me identifikimin e autorëve të dhunshëm, trajtimin e rehabilitimin e tyre nëpërmjet disiplinave akademike, duke përfshirë antropologji, biologji, kriminologji, psikiatri, punë sociale, dhe sociologji –teori të veçanta këto, që shpjegojnë më së miri fillimin dhe insistimin e sjelljeve të dhunshme. Në anën tjetër të spektrit të dhunës e krimit qëndrojnë “krenare” variablat si varfëria, pabarazia sociale, dhuna fizike, sociale e morale, diskriminimi dhe inferioriteti maskilist, injoranca dhe mosarsimimi, papunësia, imoraliteti, etj. Dhuna kundër grave nuk është as e pandryshueshme as e pashmangshme, mund të reduktohet me vullnet politik, social qytetar, intelektual, dhe burimet e nevojshme. Shoqëria të mos heshtë, por të identifikojë mënyrat për të mbyllur hendekun e kësaj heshtje e plage, mes detyrimeve morale, sociale, shtetërore, të drejtës për të qenë të lirë në një botë të lirë, ta sjellë në vëmendjen e publikut, të shoqatave të grave (jo qeveritare). Shteti të marrë përgjegjësitë e veta sipas normave dhe standardeve, me instrumentet politike të zbatimit, sensibilizimit dhe përpjekjet për të çrrënjosur dhunën kundër grave dhe krimin, duke e bërë prioritet kryesor e të rëndësishëm në nivel kombëtar. Ndërsa koha kalon, dita – ditës shikojmë një realitet të ri të krimit, një botë ku po lulëzon agresiviteti, urrejtja, hakmarrja, dhuna fizike, sociale, morale, dhuna mashkullore e shpeshtë dhe e pandalshme ndaj grave e vajzave, si përgjigje ndaj frustrimeve dhe anktheve, që mbushin jetën mes të përditshmes njerëzore. Në vend që ne duhet të kërkojmë arsyet e këtij realiteti të dhimbshme e të mjerë, në vend që të shqyrtojmë degradimin e dhunshëm të personave që janë pjesë e shoqërisë, përballemi me heshtjen e kësaj shoqërie, heshtje që nxit akoma më shumë dhunën. Heshtja ndaj këtij realiteti të trishtë e “të ftohtë” po ndrydh standardet e mirësjelljes, po kontribuon në mungesën e respektit për shenjtërinë e jetës njerëzore në të gjitha kushtet dhe fazat e saj. Si rezultat i heshtjes të shoqërisë, jeta e grave dhe vajzave të reja është bërë tejet dramatike. Para së gjithash unë sinqerisht dyshoj se burrat abuzivë e vrasës që ushtrojnë dhunë ndaj grave, të cilat përjetojnë forcën fizike të dominancës mashkullore, duke i rrahur e vrarë ato, janë “ekspertë” në të paturit e nevojave dhe plotësimin e tyre, që nënkupton; se ata janë edhe më vetë-tolerues, por që është tejet e rrezikshme, sepse kjo lloj race burrash kanë një problem të madh me veten, ata janë aq tepër egoistë, janë të dhunshëm në marrëdhëniet seksuale, privilegjin mashkull, abuzimin me alkoolin e lëndëve narkotike, stereotipe negative këto, që sjellin mungesë ndjeshmërie për viktimat e tyre. Dhuna ndaj grave nuk është rezultat i akteve individuale të rastit, sjelljes se pahijshme dhe brutale, por më tepër ajo është e rrënjosur thellë në marrëdhëniet strukturore të pabarazisë, anekdotike që konsiderohet kulturore ndërmjet grave dhe burrave, por e pranueshme në mungesë të standardeve të duhura për të drejtat e njeriut. Dhuna ndaj grave është fenomeni më i përhapur në të gjithë nivelet social-ekonomike të shoqërisë. Andaj në këto ditë ndërkombëtare të dhunës ndaj gruas le të bashkohemi të gjitha së bashku në forma e mënyra të ndryshme të japin kontributin tonë intelektual,qytetar, mendor e fizik, për të mbrojtur të drejtat tona, për ti thënë botës mashkullore dhe shoqërisë ndalni dhunën ndaj neve, mos na vrisni, se duke na vrarë ne- po vrisni vazhdimësinë e jetës, simbolin e paqes shpirtërore e njerëzore. Gratë e dhunuara psikollogjikisht dhe fizikisht, kanë nevojë për mbështetjen, përkrahjen dhe mobilizimin, për të krijuar marrëdhëniet me publikun, për të treguar rëndësinë e vlerave morale e familjare të tyre, të kombit, në edukimin, arësimimin, pjekurinë e mendimit, veprimit e sjelljes, entusiazmit e optimizmit, për t’ia arritur qëllimit në mënyrë serioze dhe pjesëmmarjen e tyre aktive në jetën social-ekonomike të vendit, në mënyrë praktike. Është e nevojshme dhe domosdoshmëri për të identifikuar, për të mbështetur, dhe për të përforcuar nismat civile, kombëtare e lokale që favorizojnë praninë dhe rolin e kërkesat e grave, pjesëmarrjen e tyre në jetën social-ekonomike-politike –kulturore, të zbutim shpirtrat, të ulim dorën që ngrihet ndaj grave, familjes, të kthjellojmë mendjen e të ruajmë vlerat e familjes e të shmangim anomalitetet, se vetëm kështu do të transformojmë shoqërinë. Dashuroni karakterin dhe idealin e saj njerëzor për jetën. Gruaja simbol i ardhmërisë, gruaja mban çelësin e “portës” së jetës, i rigjenerimit të brezave, gruaja shpresa e botës, natyra, imazhi, virtytet e tributet, kontributi i saj i çmuar, – janë sfidat dhe potenciali i saj njerëzor, vlera të shëndetshme e të mençura për familjen dhe shoqërinë.
Raimonda MOISIU
HARTFORD CT USA
Qershor 2014
Z. Barka, Ortodoksizmi nuk është antishqiptar, por janë ortodoksit e segmenteve shtetërore greke dhe sllave antishqiptar!
Replik me z.Panajot Barkën/
“Profesori Panajot Barka në opinionin e tij tenton të na ringjalli të vdekurit e mëdhenj grek prej varri që ti shfrytëzojë për nevojat e veta kombëtare, duke i treguar në versione në të cilat nuk kanë qenë kurrë”./
Nga Arben LLALLA*/
Më 11 Qershor profesori i Katedrës së gjuhës greke në Universitetin e Gjirokastrës prof.dr.Panajot Barka në gazetën Shekulli, botoj një shkrim me titull: “Antishqiptare nuk është Ortodoksia…”. Ku ngre shqetësimet e tij për zërat kundër pranisë së përjetshme të kryepeshkopit të Shqipërisë Hirësisë së tij z.Anastasit dhe deklaratave antishqiptare të Patriarkut serb Irinej. Z.Barka që në fillim të shkrimit të tij e nis me titullin provokues sikur ortodoksinë shqiptarët e kanë kuptuar si antishqiptare, por në të vërtetë i rikujtoj z.Barka se shqiptarët janë ata që e sollën ortodoksinë në Ballkan, tek grekët, serbët dhe bullgarët. Shenjtorët e parë të ortodoksisë ishin shqiptar, por është gjë tjetër që Greqia dhe Serbia i përvetësuan këta shenjtor.
A është ortodoksia antishqiptar? Mendoj që pyetja nuk duhet shtrohet a është ortodoksia antishqiptare, por a janë ortodoksit sllavët dhe grekët antishqiptar? A e keqpërdorin sllavët dhe grekët ortodoksinë për interesat e tyre shtetërore? Nëse do ti referohemi historisë së kombit tonë ushtritë greke e sllave me kryqin në dorë dhe në emër të kishës ortodokse kanë kryer masakra mbi popullsinë e pa mbrojtur shqiptare qoftë muhamedane apo të krishterë, pra nuk kanë bërë dallime fetare por etnie në rastin e kombit shqiptar. Kujtesën e kemi të freskët për luftën në Kosovë dhe masakrat e ushtarëve serb që i bënin më kryqin ortodoks, pa folur për ato vrasjet e shekujve 19-20.
Profesori Panajot Barka në opinionin e tij tenton të na ringjalli të vdekurit e mëdhenj grek prej varri që ti shfrytëzojë për nevojat e veta kombëtare, duke i treguar në versione në të cilat nuk kanë qenë kurrë.
Ju z. Panajot Barka, në shkrimin tuaj përmendni Riga Fereun i cili në poemën e tij i bënë thirrje popujve të Ballkanit që të ngrihen kundër Perandorisë Osmane. A e dini ju z.Barka se Riga Fereu nuk e përmend asnjëherë fjalën grek apo elenas dhe shqiptarët i quan Arvanitas? Përse?
Ju në shkrimin tuaj më tej shkruani: “Më 1, në Tiranë dhe në Shqipëri shkruhej një faqe në historinë e saj, që linte pas rëndësinë e inaugurimit të katedrales si monument. U mblodh gjithë primati i ortodoksisë botërore, i cili kishte shekuj të terë që nuk mblidhej.” Z.Barka i lini përrallat për studentët tuaj që diplomohen duke ngrohur karriget nëpër kafene, sepse e vërteta është krejt ndryshe.
Ju sjellë z. Barka disa fakte ku është mbledhur Primati Botëror i Ortodoksisë.
1). Primati i ortodoksisë botërore është mbledhur më 19 Nëntor, në Serbi me rastin e vdekjes së Patriarkut Pavlo.
2). Më 5 Tetor 2013, në Beograd u mbajt mesha me rastin e 1700 vjetorit të nënshkrimit të Ediktit të Milanos, 313. Kjo meshë u festua në katedralen e Kryeengjullit Mihal me nisjen e lutjeve nga Patriarku i Stambollit Vartholomeu, Patriarkun e Jeruzalemit Theofil i III, Patriarku i Rusisë, Kiril, Kryepeshkopi i Qipros, Krisostomos, Kyrepeshkopi i Shqipërisë, Anastasi, Kryepeshkopi i Vrashavës, Sava, etj.
3). Më 6 Tetor 2013, për në qytetin e Nishit, në vendlindjen e Kostandinit të Madh. Falja e ditës u krye në kishën e sapo ndërtuar të Shën Kostandinit dhe Elenës. Pas ritualeve fetare Patriarku i Serbisë Irinej u ndau medalje të artë të akorduar nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Serbisë “Perandori Kostandin”, drejtuesve të kishave ortodokse botërore, midis tyre dhe kryepeshkopit të Shqipërisë hirësisë Anastas Janullatosit.
4). Më 7 Tetor 2013 krerët ortodoks si Patriarku i Stambollit Vartholomeu, Patriarkun e Jeruzalemit Theofil i III, Patriarku i Rusisë, Kiril, Patriarku i Serbisë, Irinej Kryepeshkopi i Qipros, Krisostomos, Kyrepeshkopi i Shqipërisë, Anastasi, Kryepeshkopi i Vrashavës, Sava, vazhduan turneun për në kryeqytetin e Malit të Zi, Potgoricë ku mbajtën meshën në katedralen e “Ngjalljes së Shën Sotirit”.
Mund tju sillja edhe fakte të tjera për takimet e Primatit Botëror të Ortodoksisë , por mjaftojnë besoj këto të kohëve të fundit.
Më tej z.Barka na Amniston Shën Kozmain, ku sipas tij, ai përhapte ortodoksinë në gjuhën zyrtare greke ndaj rrezikut të përhapjes së mëtejshme të islamit në tokat e perandorisë otomane. Ky nuk është argument për ta Amnistuar Shën Kozmain tek shqiptarët sepse e dimë fare mirë misionin e tij. Shën Kozmai është babai i përhapjes së greqizimit për asimilimin e shqiptarëve (arvanitasve) dhe për asimilimin e shqiptarëve në Shqipëri. Këtë na e dëshmojnë shumë dokumente historike, njëri në to është shkrimtari grek, Thoma Paskidhus. Shën Kozmai përhapi gjuhën greke nga Suli i Çamërisë e deri në Krujën e Skënderbeut. Në gazetën “Shqip”, 7 tetor 2006, prof. Delvina solli dokumente për Shën Kozmanë, ku thuhej: “Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t‘i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t‘i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra”. (Predikimi 7 drejtuar shqiptarëve të Epirit). Një dokument tjetër për greqizimin e fshatrave shqiptare të bërë nga propaganda e Shën Kozmait janë Frashtani dhe Lugari në Dropull. Frashtani dhe Lugari banohen nga shqiptarë ortodoksë dhe kur kaloi andej Shën Kozmai, deklaroi që këto fshatra duhen të greqizohen.
Ju, Profesor Barka në tërë opinionin tuaj nuk përmendët faktin e provokimit të Patriarkut serb Irinej dhe ngritjen e flamurit serb brenda territorit e Katedrales “Rigjallja e Krishtit”. Ku përfaqësuesit e kombeve të tjera që ishin të ftuar nuk e ngritën flamurin e tyre kombëtar atë ditë, duke respektuar mikpritjen shqiptare.
Ne, shqiptarët që mendojmë dhe veprojmë me zemër e mendje shqip, nuk kemi frik nga ringjallja e ortodoksisë shqiptar, por kemi frik nga asimilimi i ëmbël i ortodoksëve shqiptar në ortodoks grek dhe sllavë, gjë që është e dëshmuar.
Në përfundim z.Panajot Braka ju rikujtoj që Ju nuk e keni të drejtën të diskutoni për Ortodoksinë shqiptare sepse s’jeni me kombësi shqiptare, për ortodoksinë shqiptare lërini të diskutojnë vetëm shqiptarët sepse ne kemi figura të ndritura që na kanë lënë disa Amaneti si: Ne vërtetë kemi Bajram dhe Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë. Prandaj nuk kemi nevojë për këshilla nga ata që s’ia duan të mirë Shqipërisë dhe shqiptarëve, ku bëni pjesë edhe Ju, këtë ua dëshmojë me fakte.
Ç’ju lidh juve z. Barka me drejtuesit e disa organizatave ekstremiste greke që luftojnë për aneksimin e jugut të Shqipërisë? Në çfarë cilësie merrni pjesë në festimet për shpalljen e Autonomisë së Vorio Epirit? Ku ndodheni në podium në këtë foto me ekstremistin Harrallambos –Babis Karathanos, deputetin Virona G. Polidhoras.
Për çfarë qëllimi z. Barka i keni dërguar Raport mbi gjendjen e minoritetit grek Institucioneve Ndërkombëtare në vitin 2003, ku përmendni edhe Autonominë e Vorio Epirit? Ky raport është përgatitur nga Ju, ekstremisti grek Babis Karathanos, A. Soku dhe K. Saferatis.
*HISTORIAN
Antishqiptare nuk është ortodoksia…
Nga Panajot Barka*/
Ne Foto: Panajot Barka,Babis Karathanos,Virona G. Polidhoras/
Zhvillimet mediatike që pasuan inaugurimin e katedrales ortodokse në Tiranë me praninë e primatit të ortodoksisë botërore, konfirmuan në ekstremitet konstatimin e Kadaresë te diskursi “letrar”, “Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”. Antishqiptarizmi i këtij segmenti të rëndësishëm për çdo shoqëri të emancipuar në dukje është në mbrojtje të ortodoksisë në emër të kombëtarisë. Në esencë është kundër ortodoksisë, për shkak të përparimit të saj. Duke iu referuar logjikës së Kadaresë, “furtuna” mediatike kundër ortodoksisë nga ekstraortodoksë, ishte në thelb një tregues “i ndjesisë këmbëngulëse kundër Evropës”. Madje, u përdorën mjete që komprometuan keqas moralin intelektual. Një analizë krahasuese, çon në fatin e Voskopojës dhe simetrinë e kontradiktave të fundit të shekullit të 19-të,dhe fillimshekullit të 20-të, në lidhje me Shqipërinë, ku aktorë ishin faktorët me interesa gjeostrategjike të njohura historikisht.
Qëllimi është krijimi i ndjesisë së fajit dhe inferioritetit të komunitetit ortodoks ndaj “përfaqësuesve të kombëtarësisë”. Para disa kohësh dukej sikur këto qarqe e dëshironin veprën primatit të KOASH-it, Kryepeshkopit Anastas, për ringjalljen e Kishës Ortodokse Shqiptare, por duke e mohuar atë personalisht. Reagimet e fundit treguan se më shumë kanë frikë nga kjo ringjallje e kishës ortodokse. Pra nuk duan as Kryepeshkopin dhe as veprën e tij. Një situatë e tillë, ka provokuar midis ortodokseve shqiptarë autocensurën, e manifestuar nëpërmjet heshtjes dhe e keqinterpretuar si përkrahje e këtyre qarqeve, ose si tolerancë. Ortodokset nuk reaguan as kur akuzuan besimin e tyre si më të rrezikshëm se fundamentalizmi islamik. Në thelb, këto qarqe bëjnë sikur harrojnë se duke provokuar tolerancën e vërtetë të vendosur midis besimtarëve të feve të ndryshëm në shekuj, tolerancë e cila ka si thelb të shëndoshë, origjinën e përbashkët fetare, mund t’i shndërrojnë komunitetet fetare në Shqipëri në pllaka sizmike në veprim.
Më 1, në Tiranë dhe në Shqipëri shkruhej një faqe në historinë e saj, që linte pas rëndësinë e inaugurimit të katedrales si monument. U mblodh gjithë primati i ortodoksisë botërore, i cili kishte shekuj të terë që nuk mblidhej. Takimin, qoftë edhe ceremonial, e kryesonte Patriarku Ekoumenik i Kostandinopojës, i cil vjen i dyti pas Papës. Në kushtet e krizës globale, ky takim shënjon nevojën e bashkëpunimit e të mirëkuptimit në plan ndërkombëtar. Dhe ky fakt historikë ndodhi në Tiranë disa javë para se Evropa të vendosë r statusin e vendit kandidat. Kisha Ortodokse dha një mesazh të pashembullt drejt kësaj aspirate të popullit shqiptar. Për këto qarqe, eklipsuan peshën historike të pranisë së primatit botëror të ortodoksisë me prezencën e një njeriu me veladon, i njohur me emrin Nikoll Marku. U promovua si shpëtimtar i ortodoksisë shqiptare nga primati i ortodoksisë botërore, një njeri të cilin rregullat kanunore të ortodoksisë nuk e njohin për prift. U promovua një njeri që mban të uzurpuar një kishë pronë të KOASH-it. Nikollë Marku i ka humbur të gjitha gjyqet për pronësinë mbi të, megjithatë nuk pranon ta dorëzojë kishën. Argumenti se ai për këtë veprimtari ka marrë leje nga shteti, në rastin e hierarkisë fetare ortodokse është i pavlerë, se bëhet fjalë për një OJQ. Ana tjetër e kësaj përbaltjeje të ortodoksisë nga këto qarqe lidhen me ngatërresën e qëllimshëm midis autoqefalisë dhe puritanizmit (shqiptar).
Në emër të traditës kishtare shqiptare pretendohet për një shkëputje puritane nga tradita kishtare ortodokse në përgjithësi. Sebepi kësaj here u gjet te përdorimi i greqishtes nga drejtuesi i meshës, Patriarku Ekumenik Bartholemeu. Primati Ekumenik mëshoi në gjuhën zyrtare të traditës së kishës bizantine, që është gjuha greke. Por u respektua edhe parimi “një besim shumë gjuhë” i zbatuar në perandorinë me jetëgjatë në botë, për të ruajtur harmoninë dhe tolerancën ndërkomunitare të saj. Ndaj, bashkë me greqishten u dëgjua edhe shqipja edhe mbi 10 gjuhë të tjera. Nga ana tjetër, asnjë nga popujt ortodoksë të ish-perandorisë bizantine dhe asaj otomane, pavarësisht nga marrëdhëniet e vendosura me Patriarkanën në momentin e pavarësimit të kishës së tyre, nuk mohuan në vijim tharmin grek. Në raport me Shqiptarinë. Sipas Nathalie Clayer, shqiptarizmi në vitet ’70-të të shekullit 19-të ishte “produkt i helenizmit ose si identifikim ose si reagim”. Konkluzioni i ballkanologes franceze, përbën faktikisht edhe thelbin e marrëdhënieve midis helenizmit dhe shqiptarizmit në formim. Në vitet ’30-të të shekullit të 19-të, kur Shoqëria Biblike i kërkoi leje Patriarkanës për përkthimin e librave të shenjta në gjuhën shqipe, kjo e fundit e pranoi, pasi besonte se ishte një mundësi që elementi shqiptar, nga më të devotshmit në krah të Perandorisë Otomane, të rikthehej te besimi i krishterë. Në atë kohë, me përjashtim të Greqisë, ajo që përvijohej te popujt ballkanas ishte lufta kundër Perandorisë Otomane. Në këtë drejtim çonte ujë edhe përpjekja e shën Kozmait për të ruajtur ortodoksinë nëpërmjet gjuhës së saj zyrtare –greqishtes, ndaj rrezikut të përhapjes së mëtejshme të islamit në tokat e perandorisë otomane. Iluminizmi i tij shkonte përkrah idesë së Riga Fereut për bashkimin e të gjithë popujve të Ballkanit kundër Perandorisë. Po kësaj ideologjie i shërbente dhe Voskopoja, e cila në bashkimin e popujve të krishterë kundër Perandorisë Otomane nuk mund të mos vinte re elementin shqiptar dhe si të tillë nuk mund të mos stimulonte gjuhën e tij, ashtu siç bëri edhe për popujt e tjerë, duke botuar libra e fjalorë me bazë greqishten. Mirëpo, duhet venë re se, nëse Ali Pasha e dogji Voskopojën se konkurronte Janinën, shkatërruesit e mëvonshëm të saj, të shpallur heronj, nuk kishin argument tjetër veçse rrezatimin e saj multietnik ortodoks, zhvillim që trembte shumë Perandorinë Otomane. Duhet thënë a se themeluesit e shqiptarizmit në shekullin e 19-të ishin kryesisht ortodoksë. Aktivizimi i tyre për dekada të tera, solli promovimin e krishterimit ortodoks shqiptar dhe në vijim promovimin e gjuhës shqipe si element bazë të identifikimit kombëtar. Pra, në periudhën e gjatë deri në ditën tona të krishterimit ortodoks, tharmi grek është i pamohueshëm. Nëpërmjet Bizantit iu injektua Perëndimit dhe Lindjes dhe qëndron në themelet e ortodoksive të kombeve e shteteve. Ortodokset shqiptarë, pavarësisht nga arsyet, u treguan punëtorët më të mëdhenj në shërbim të kombit të tyre. Në këtë aksion të gjatë historik ata asnjëherë nuk i pengoi as të qenit ortodoksë e as të pasurit lidhje me traditën helene. Ahmet Zogu u mbështet pikërisht te ata për të ndërtuar shtetin e parë shqiptar. Të njëjtën gjë bëri edhe sistemi komunist. Hoxha, kur i duhej të identifikonte Shqipërinë me Perëndimin, i tregonte asaj pikërisht kulturën ortodokse shqiptare. Sot, kisha ortodokse e ka përparimin e saj të padiskutueshëm. Qarqet që i prodhojnë të njëjta shkaqe historike, janë shfaqur dhe veprojnë kundër saj. Veprimi i parë ka të bëjë me lejimin e shkatërrimit përfundimtar të traditës shekullore të kulturës ortodokse në vend. Veprimi i dytë ka të bëjë me pengesën, diskriminimin dhe zhvlerësimin si antishqiptare të arritjeve të sotme të Kishës Autoqefale Shqiptare.
* Botoi: SHEKULLI, 11, qershor 2014
ZGJEDHJET NË KOSOVË: NJË “HUMBJE E FITUAR”
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
PDK e Hashim Thaçit, e cila po e qeverisë me mjaft arritje të shtyllta e disa problematika kyçe (korrupsion, etj.) shtetin e ri të Kosovës në 6 vitet e fundit, në këto zgjedhjet parlamentare 2014, ndonëse doli e para në renditje e fituese e kësaj elektoriade, për hir të së vërtetës duhet thanë se është humbësja ma e madhe e tyre.
Kjo parti, e themelueme në vitin e parë të lirisë së Kosovës, si Parti e Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK), kryesisht me antarësi nga rradhët e UÇK, me objektiv themeltar, pas kryemjes së Luftës, për të ndërtue Paqen, për të ngrit Shtetin e ri të Kosovës, në ë e vitit 2000 kishte 79 për qind pjesmarrjen në votime. Rekord i mirë. Në elektoriadën tjetër – 2010, pjesmarrja në votime ishte 45.30 për qind. Sivjet, sipas të dhanave të fundme të KQZ të Kosovës, pjesmarrja në votime ishte 41.54 për qind. Një leksion për politikën në Kosovë. Njëherash edhe pësim i keq për Partinë Demokratike të saj.
Si parti në pushtet, PDK, në këtë ulje të elektoriatit votues e ka pjesën e vet të humbjes. Natyrisht “copën” ma të madhe të humbjes.
2.Kësaj here u rrit numri i votuesve në Kosovë. Gjithsej 16.153 ma shumë se në zgjedhjet 2010. Kjo ishte një arritje elektorale.
Sigurisht edhe humbje për PDK-në, pasi në vend që t’i rritej elektoriati votues në progresion të drejtë, pati rënie të thellë: 6.806 votues ma pak.
Në fakt, PDK e Hashim Thaçit, sipas përllogaritjeve të shifrave elektorale (përqindja e sivjetme në votime, etj.) duhet të merrte të paktën mbi 13 mijë vota ma shumë. Dhe jo të pësonte fiasko të tillë.
Sigurisht humbja e PDK-së duket edhe ma e randë kur e krahasimojmë me rivalen e saj politike kryesore, me LDK-më e Isa Mustafës, e cila mori 7.326 vota ma shumë se më 2010. Edhe Vetëvendosja tejet opozitare e Albin Kurtit ka marrë 5.734 vota ma shumë.
3.
Tashti për me e dit’ ma kjart se sa e madhe është humbja e PDK-së së Hashim Thaçit marrim në analizë treguesin tjetër elektoral: përqindjen e votave të saj.
PDK në vitin 2007 mori 34.30 për qind të votave për të qeverisë Kosovën që do të shpallte Pavarësinë (17 shkurt 2008). Ndërsa në vitin 2010 pësoi ramje elektorale: 32.11 për qind të votave.
Po sivjet? Vetëm 30.71 për qind. Pra, PDK ka ardhë duke i zbrit pushtetit nga kurrizi politik, ekonomik, elektoral. E ka konsumuar politikisht e moralisht pushteti, veçanarisht në vitet e fundme.
Partitë opozitare patën rritje në përqindjen e vet elektorale. LDK në vitin 2010 mori 24.69 për qind të votave, ndërsa më 2014 shkoi deri në 25.75 për qind. Pak, pak, po asht’ rritje progresive. Edhe Vetëvendosja u rrit si parti, nga 12.69 për qind në vitin 2010 në 13.31 më 2014. Kjo nuk është pak, pasi kjo parti ka vetëm katër vjet në politikë për pushtet.
Përqindja e ulët e votave ishte tjetër tregues i humbjes elektorale të PDK-së së Thaçit.
4.
PDK nuk ra e vetme nga “fiku i pushtetit”. Përkundrazi. Ra me gjithë “fikun qeverisës”. E, pse po them kështu?
E para, zv/kryeministri i parë i Qeverisë së tij, Behxhet Pacolli me AKR, deri më tani, nuk po mundet me e kalue pragun elektoral 5 përqindësh që të jetë e çertifikueme si parti parlamentare. Të kujtojmë një fakt: AKR e Pacollit në vitin 2007 kishte 12.30 për qind të votave me 70.165 votues, ndërsa në vitin 2010 ra në 7.29 për qind me 50.195 votues
Krejt ndryshe nga AKR paraqitet Aleanca për Ardhëmrinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinajt, e cila në vitin 2007 mori 9.6 për qind të votave e kishte 54.116 votues, ndërsa më 2014 arriti qëndrueshmëri e progres. Siguroi 9.61 për qind të votave, për liderin e programin e soj votuan 67.113 votues në të gjithë Kosovën.
5.
Me thanë të vërtetën PDK e Hashim Thaçit ka ra nga pushteti politik, nga “fiku i pushtetit”, ende pa iu ngjit’ në kryet. Ajo iu rrgall pushtetit politik si koalicion pa dalë drita e të nesërmes së 8 qershorit 2014, sëbashku me aleatët e vet: me Partinë e Drejtësisë, me Lëvizjen për Bashkim, me Partinë Demokristiane të Kosovës, me Partinë Konservatore të Kosovës. Vet e pesta në koalicion.
Qysh duhet me kanë ndryshe humbja veçse me pësue rënie në tregues të tillë elektoral kryesor si pjesmarja në votime, përqindja e votave, numri i votuesve, etj. Kjo është një “humbje e fituar”, e cila i dha të drejtën morale e politike opozitës së saj të mos i bashkangjitej askush në qeverisje, ta bojktonin të gjithë, ta ulnin degarrënjë nga “fiku i pushtetit”, ta zbrisnin nga kali i shfrenuar i pushtetit politik në Kosovë.
Me kanë sadopak i drejtë me të dy palët politike, them se Opozita e sotme në Kosovë, pushteti moral i 8 qershorit 2014 dhe “pushteti politik” i 10 qershorit 2014, koalicioni ende i pa zyrtarizuar në finish, si LDK, AAK, Nisma e Limajt e Krasniqit, sëbashku me VV apo edhe me parti të pakicave në Kosovë, duhet me kujdes të detyruar e të duruar, me ecë me hapa euro-atlantik, me frymim shqiptarisht, që të mos zhgënjejnë vetëveten e elektoratin e tyre, pasi realisht, siç e kanë “pushtetin politik” në një dorë, e kanë edhe “humbjen e fituar” në tjetrën. Ende nuk i kanë dy duart në timonin e lodhur të pushtetit në pritje për gjallërim zhvillues e integrues të Kosovës.
Votat e spicave dhe zgjedhjet në Kosovë!
Nga Rrezart Kalaja/
Bracoletë humoristike lidhur me ngjarjet politike aktuale në Kosovë!
Këto ditë Kosova i nxehu karriget e politikanëve pikërisht me rastin e zgjedhjeve .Partia ma e madhe e PDK -së i fitoj zgjedhjet elektorale u gëzuam të gjithë i madh e i vogël .Po duke hulumtuar doli se PDK-ja me shtylla i kish fituar edhe me spica . PDK-ja dhe votat e shtyllave dhe spicave e kishin bërë koalicionin ,e tri partive të talivabneve islamik të Kosovës , dmth të ekstremit xhihadist islamik të leshave!?.Aty ishin fut vjedhurazi me spicat e Behxhet Pacollit para shumë vitesh duke lobuar me ta .Pos ,këtyre do pyka me bërë PDK-në edhe ma të qëndrueshme ju bashkuan edhe Partia Demokristiane , që askund nuk përputhen me leshët taliban, po( parja e kthen ujët përpjetë), thotë një fjalë popullore. Pos, leshave edhe demokristianve do spica , pyka, ju vunë nga këmba e djathtë PDK-së edhe nga partitë e hashkalive , romëve, gabelëve, turqve, serbeve, po kot mezi arriti 30% .Me këtë 30 % bashkërisht dolën festuan me gojë vesh më vesh te gjithë Haradini i Kuqve, Feridi i Aganve Flora e Çitakve Fuadi i ramiqve kish mbet pak mbas shpine duke i palu kepucet xhemtit te vet ?. Kryetari i PDK-së ,Hashim Thaçi ishte i rrethuar me talibanet dhe votuesit e spicave , bile si ma afër i rrinte njëfarë Memli i biri i Milazim Krasniqit me buzë të çaraveshta me plot gaz duke i pëshpërit diç në vesh.
Me të marr vesh opozitarët se çka ndodhi e luajtën një lojë të fshehtë dhe ja bënë puç pas 24 orëve PDK-së.Bashkimi i koalicionit përmes AAK-së së Ramush Haradinajt , LDK-së e Isa Mustafës dhe Nismës për Kosovën e Fatmir Limajt , të shtyrë edhe këta me spicat e Vetëvendosjes së Albin Kurtit arritën ta nokautojnë me një goditje të rëndë PDK-në e spicave dhe shtyllave. Pra 3-eshja , PDK.në, leshat taliban, minoritarët serb, hashkalitë ,gabelët, romët, bëshnjaktë, partitë e rrencave,partine e bixhozgjive , të pëllumbagjive i qitën jashtë loje duke i sjell në një kolaps politiko-social,sa qe mbeten të gjithë pa punë .Bile Ramush Haradinaj ju ka kërcënuar që t’i fut në burg patinë e hajnave.Boll ju tregova ju i njihni cilët janë hahhahaha . Nga kjo dridhje dramatike të krizës politike në Kosovë , zoti Hashim Thaqi ish kryeministër i Kosovës i telefonoj Kryetarit te SHBA-ve pikërisht Obames për punë .
Po ju sjell tekstualisht bisedën si ma poshtë:
***
– Alo , Thaqi .
-Alo urdhëroni, Obama .
-Jam HashimThaqi zoti kryetar Obama.
-Po me kënaqësi zoti Thaqi respekt për ju çka ka ?
-A ki ndonjë vend t’lirë pune për mua se ma ngulen 3-eshja opozitare?
-Qysh …qysh ta kanë ngul aaa ?Ha ha ha ha… Çka me t’ba kështu e ka ,kur të nxënë tu vjedh .Hajt tash trus kepen rri siç e ke bërë e ke gjet , tung Hashim se kam thirrje edhe nga Behxht Pacolli !!!
- « Previous Page
- 1
- …
- 740
- 741
- 742
- 743
- 744
- …
- 865
- Next Page »