NJË PROTOKOLL QË DUHET TË VIHET PARA “GJYQIT TË PUSHKATIMIT”!?/
Nga Fadil LUSHI/
Ne që (në vijimësi) bëjmë përpjekje, po edhe kohë pas kohe mëtojmë të “shkarravisim” diç për dashamirët e fjalës së thanë a edhe të shkruar, fillimisht kërkojmë ndjesë që do të “fusim hundët” në zanatin e gjuhëtarëve të mirëfilltë. Njohësit e sintaksës së gjuhës shqipe, me bindje të plotë, me kompetencë dhe me gojën plot do të thonë se çdo fjalë, fjali si dhe çdo paragraf i shkruar para se të shohë dritën, fillimisht kërkon që t’i bëhet lekturë e mirëfilltë. Përveç kësaj, është me rëndësi që edhe çdo protokolli t’i bëhet redaktim serioz. Nëse e gjithë kjo i mungon një protokolli, a cilësdo qoftë fjalë të shqiptuar, të shkruar e të botuar, atëherë ai do t’i ngatërronte lehtësisht mendjet dhe perceptimet e njerëzve…. Tekefundit, fjala e shkruar dhe e shqiptuar ka për detyrë të hetojë a të përcjellë mesazhe të qarta dhe të gjalla nga përditshmëria jonë, qoftë ajo pamore, dëgjimore, politike, sociale, kulturore, po edhe religjioze apo quajeni si të doni ndryshe.
Çuditërisht dhe si për inat, Tiranës zyrtare i përsëriten ca vaki të pahijshme, sidomos kur ndërtohen protokollet a edhe kur sillen vendime të rëndësishme, qofshin ato politike, arsimore a edhe kulturore.
Vakia 1
“Dikur moti gjegjësisht me 12 prill të motit 2006 ish-kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, tani kryeministër në detyrë i dha çelësin e Tiranës dhe e shpalli qytetar nderi këngëtarin nacionalist serb Goran Bregoviq”. Mos vallë Edi Rama nuk e dinte se Bregoviqi ishte një nacionalist i përbetuar serb, mos vallë nuk e dinte se këtë “çelës” nuk e meritoi…, apo, në instancë të fundit, krejt këtë e bëri për hir të “internacionalizmit proletar”!?
Vakia 2
Në vitin 2012 në Tiranë, përzgjidhet…
“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Shqipërisë kanë përzgjedhur në Tiranë shtëpinë botuese me kodin 1002 për botimin e abetares së përbashkët, e cila pritet që të jetë e gatshme në fillim të vitit shkollor 2012/2013”. Fillimisht duhet të themi se kjo abetare teknikisht mund të jetë e përbashkët, por assesi nuk mund të konceptohet si mbarëkombëtare nëse ke parasysh faktin se në ndërtimin e këtij teksti didaktik, nuk morën pjesë shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi si dhe ata të Luginës. Mos vallë këtë nuk e kishte në dijeni ish-kryeministri Sali Berisha dhe ministri i arsimit Myqerem Tafaj. Ku ta dijë njeri. Unë hiç nuk e di.
Vakia 3
“Muajin prill të këtij viti, Televizioni Klan ftoi këngëtarin nacionalist serb Zdravko Çoliq që të marrë pjesë në festivalin tradicional “Kënga ime”…, madje ai çmendi një sallë njerëz në TV Klan dhe ndezi opinionin publik”. Vizita e këngëtarit shovinist serb, Zdravko Çoliç, në Tiranë nuk mund të thuash se ishte ndonjë befasi e radhës…, përkundrazi ishte vazhdim i budallakisë kolektive të politikanëve të Tiranës. Do të ishte korrekte sikur kësaj “vakie” t’ia shtonim atë shpjegimin që i dedikohej Goran Bregoviqit dhe nikoqirit të tij. Besoj se i shkon a i përshtatet (së paku sipas mendimit tim).
Vakia 4
“Marrëveshja e shumëpritur për unifikimin e kurrikulave mësimore parauniversitare midis Shqipërisë dhe Kosovës u nënshkrua dje (2.6.2014) në ambientet e Kryeministrisë, në prani edhe të kryeministrit Edi Rama. Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, së bashku me homologun e saj Ramë Buja kanë firmosur kështu marrëveshjen për kurrikulat mësimore në një ceremoni të posaçme të organizuar me këtë rast… Sot u krye, ia dolëm të unifikojmë sistemin parauniversitar midis Kosovës dhe Shqipërisë…, kjo marrëveshje përbën një ditë historike, u shpreh ministrja Lindita Nikolla”. (Zëri i Popullit) E nderuara ministre Linditë…, unë mendoj se “kjo sot nuk u krye”, së paku për ne që jetojmë këtej kufirit administrativ! Pas krejt asaj që u tha në kuadër të së ashtuquajturës abetare e përbashkët, mendojmë se do të ishte e tepërt që kësaj vakie t’i “qëndisësh çfarëdo arsyetimi tjetër, po qoftë ai të jetë edhe konicanian”!
Vakia 5
Një fjalim (gjithsesi i paredaktuar) nostalgjik, nacionalist apo edhe i “pushtetshëm” u hetua disa ditë më parë në kryeqendrën e shqiptarëve, kur u përurua Kisha katedrale ortodokse shqiptare “Ngjallja e Krishtit”. ”Thashethemexhinjtë” thanë se atë ditë “Tirana për një moment u shndërrua në qendër të ortodoksisë botërore”! Ky fjalim shovinist, nacionalist, agresiv, komik, poaq edhe tragjik, doli nga goja e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, i cili shumë kohë më parë “bekonte paramilitarët serbë për masakrat e njohura të tyre kundër shqiptarëve të Kosovës”. Nuk “harroi” ta përmend edhe atë fjalinë politike dhe nostalgjike se “Kosova dhe Metohija për serbët janë pjesa më e shenjtë”. Se u hetua edhe ajo pjesë ngushëlluese nuk diskutohet, por ama se në të kishte edhe ca paragrafë denigrues dhe poshtërues fajet i ka kryepeshkopi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, Anastasi, gjegjësisht Fortlumturia e tij Janullatos, mandej Tërëlumturia e tij Patriarku Vartolomeu i Stambollit (i cili lëre që nuk e “kundërshtoi” pjesën denigruese të fjalimit të Irinejit, por edhe e heshti këtë…, komunikologët thonë se edhe “heshtja është një delikt i keq verbal!?), si dhe “protokolli me paterica” e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Në fakt Irineji m’u duk sikur të ishte më shumë një politikan, sesa një besimtar i devotshëm serb, më shumë m’u duk si një “iluzionist”, sesa një serb që nuk u hiqet dot kollaj “ëndrrave të superioritetit”…, një njeri që nuk çlirohet nga paragjykimet, njeri që nuk gjykon drejt “vërtetësinë e historive të popujve tjerë”, nuk “asimilon” shpresat, ëndrrat, po edhe iluzionet, se një ditë do ta (ri)pushtojnë Kosovën dhe Metohinë.
Ky vështrim nuk iu imponua artikullshkruesit, përkundrazi iu detyrua ta bëjë si të tillë. Ne në këtë shkrim (jo qëllimkeq) deshëm vetëm ta “rilindim” të vërtetën sa i përket vakisë së Goran Bregoviqit, ndaj vizitës së Zdravko Çoliqit, ndaj asaj “abetares mbarëkombëtare” që asnjëherë nuk u duk këtej pari në Maqedoni, Mal të Zi a edhe në Luginën e Preshevës. Ne në këtë shkrim nuk parashtruam pyetje logjike se pse në “Unifikimin e programeve mësimore” nuk u përfshinë edhe shqiptarët e Maqedonisë!? Ne, në fjalimin e Irinejit nuk “kërkuam” gjymtime sintaksore (s’është korrekte ta bëjmë atë, sepse nuk e njohim atë shtyllë të gjuhës dhe të letërsisë serbe), përkundrazi kërkuam t’i shohim ato argumente historike që pamëshirshëm dhe tmerrësisht denigrohen dhe zhbëhen nga ana e të parit të Kishës Autoqefale Serbe, Irinej, ndërkaq për sa i përket mesazhit që ai e përcolli në fjalimin a retorikën e tij besojmë se të gjithë e kemi të njohur dhe mbase të qartë.
Tekefundit, ky vështrim dhe të tjerët, sa janë personale, poaq janë edhe publike dhe nëse e sheshojnë të vërtetën, atëherë nuk mund të përthyhen, nuk mund të paragjykohen a të mbeten në mjegull. Fjala e shkruar kritike ka nevojë që pareshtur të rilindet. Nëse do të mungojë e gjithë kjo, atëherë fjala e shkruar “do të hyjë në konflikt me vetveten” dhe ashtu pamëshirshëm do ta “ekzekutojë identitetin e saj” dhe definitivisht, do të flakë dhe do të zbehë mesazhin që duhet ta përcjellë ajo. A mos vallë, politikanët e Tiranës, njëherë e përgjithmonë do të duhet që protokollit të tyre t’i bëjnë një “redaktim” ndryshe gjegjësisht paksa më serioz. Fatkeqësisht, këtej pari hapësirave tona akademike dhe intelektuale, nuk duket dot njeri i cili të keqes (që na ka kapur për fyti) t’ia lidhë litarin për qafe?
P.S.
Këtë shkrim ia dedikoj Nënës Nazë, asaj që më dhuroi arsyen!
Njeriu është egoist…
Opinion nga Faik KRASNIQI/Prishtine/
Me studimin e egoizmit merret etika. Ka nga ata që thonë qe njeriu në çdo hap që bën, ai gjithnjë propulsohet dhe vepron bazuar në interesat e veta, pavarësisht se ai mund edhe të tentojë e t’i fshehë ato mbas motivesh më të pranueshme si p.sh. dëshira për të ndihmuar të tjerët apo ndjenja e detyrës. Kundërshtari më i madh i këtij interpretimi të egoizmit është David Hume, i cili përdor nja 6 shembuj për të vërtetuar se nuk është e vërtet që egoizmi është forca lëvizëse në aktet e njerëzve, dhe se altruizmi është po ashtu i pranishëm në natyrën e njeriut, siç është edhe në botën e kafshëve.
Në fakt qenia njerëzore e ka të lindur egoizmin pasi lind me instiktin e mbijetesës e të reagimit instiktiv ndaj çdo rreziku të mundshëm të perceptueshëm në moshë të vogël si dhe reagon nga çdo mos plotësimi nevojë, sa më shumë që rritesh, niveli i egoizmit është në raport me gjendjen kulturore e emocionale në të cilën ndodhesh, por në personat që posedojnë një nivel inteligjence pak më të lart se mesatarja egoizmi shërben si një motor shtytës për arritjen e objektivave që i kanë vënë vetes të arrin, e në këtë rast është egoizëm pozitiv.
Përgjithësisht njeriu fillon tek Unë jam, ekzistoj, arrin tek Ne jemi, ekzistojmë e përfundon tek Unë nuk jam, nuk ekzistoj.
Ka nga ata që thonë se njeriu duhet të jetë egoist. Madje sa ç’është racionale të jesh egoist e të ndjekësh realizimin e interesave të tua, po aq irracionale do të ishte mos ndjekja e tyre. Por kundër një pozicioni të tillë mund të sillen plot argumente. Më klasiku është ai i “Prisoner’s Dilemma”, me anë të të cilit mund të argumentohet se bashkëpunimi midis dy të akuzuarve është shumë më i favorshëm për të dy ata, se sa rasti i kundërt kur secili prej tyre ndjek interesin e ngushtë personal. Por në jetën e përditshme zgjidhja e fundit predominon. Ata që zgjedhin rastin e parë ne zakonisht i quajmë “shenjt”.
Ka nga ata që në ekuacion, e zëvendësojnë logjikën me moralin dhe thonë se është e moralshme të realizosh interesat e tua. Dhe këtu sillet shembulli i një planeti Tokë që banohet nga një qenie e vetme. Kjo qenie s’mund të jetë asnjëherë gabim sepse ajo nuk do të ketë vështirësinë e zgjedhjes midis moralesh konkuruese. I vetmi siklet për të do të jetë percaktimi i prioritetit të interesave. Por idilizimin e kësaj bote e merr përsipër ta prishë Kanti me idenë e tij mbi detyrën, kur thotë se ka veprime të cilat duhen bërë pa marrë parasysh nëse ne fitojmë apo humbasim.
Ka të tjerë që thonë se egoizmi është i pranueshëm në qoftë se ai përpiqet të realizojë objektive(qëllime) moralisht të pranueshme. Sipas atyre që mbështesin këtë pikëvështrimi mbi egoizmin (dhe A. Smith ishte një nga ata), egoizmi që do ta dëmtonte shoqërinë duhet ndaluar dhe në përgjithësi ai duhet t’i nështrohet një kategorie superiore të moralit, siç është interesi i përbashkët i një shoqërie, e mira publike.
Tashti për tashti paraja është mediumi me të cilin ne e materializojmë egoizmin tonë. Dikur ky medium kishte formën e një thesi me kripë apo atë të një grushti guackash të mëdha të marra nga ndonjë gji deti sekret. Nesër ai mund të jetë në formën e një cope plastike që do të jetë në gjendje të ndryshojë ngjyrë sipas vlerës që ajo ka. Me guackat njerëzit rregulluan shpellat, me kripën ndërtuan muret e qyteteve, me paret ngritën skyscraper-et e sotëm, kurse me copat e plastikës është një enigëm e tërë ajo që do të mund të bëhet. Por çfarëdo që të jetë, rrugën për atje ka më shumë mundësi të na e tregojë egoizmi se sa altruizmi. Egoizmi i ka të gjitha gjasat të jetë burimi i nevojshëm i adrenalinës që duhet për të shkuar atje ku nuk është shkuar asnjëherë më parë.
Pse Thaçi e jo Isa?
Opinion Nga XHAVIT ÇITAKU/
“ Kur thehet qerrja, rrugë gjenden sa të duash”, thotë një fjalë popullore. Edhe me rastin e përfundimit të zgjedhjeve nacionale në Republikën e Kosovës dhe të fitores së PDK-së mund të gjenden lloj-lloj arsyetimesh se përse ndodhi kjo e jo ndryshe. Sado që kishte një optimizëm të madh në taborin e opozitës dhe jo vetëm të saj se kësaj radhe do të ndodhin ndryshime, sovrani votoi ndryshe dhe si parti e parë doli ajo e Thaçit. Po përse fitorja e PDK-së erdhi në shprehje edhe kësaj radhe? Mendoj se, në rend të parë, LDK gaboi rëndë duke e nominuar për Kryeminister Isa Mustafën i cili humbi në zgjedhjet lokale dhe atë Kryeqendrën e Kosovës, në të cilën që nga paslufta fitorja e kësaj partie ishte e padiskutueshme. Dhe të garon për kreun e qeverisë një personalitet që i humbi zgjedhjet lokale, kjo është një gjë paradoksale. Barrën e përgjegjësisë për këtë rezultat të pafavorshëm sigurisht se e mbajnë të gjithë ata që e sollën në krye të LDK Isa Mustafën dhe që e përkrahen që në një fitore eventuale ai të zgjedhet Kryeministër. S’do mend se edhe lakmia e liderit të LDK-së për të qenë në krye të qeverisë së ardhshme e bëri të vetën.
Fushat e vakët e LDK-së
Sipas analistëve lideri i PDK-së Hashim Thaçi nga shkurti i këtij viti nisi një fushatë të suksesshme dhe lirisht mund të thuhet të kulturuar dhe përfundimisht bindëse me faktin, që siç duket, në taborin e tij kishte edhe këshilltarë ndërkombëtar. Në mënyrë të qetë vizitoi biznese, fshatra e qytete, u takua me qytetarë në rrugë e rrugica në mbarë Kosovën, ofroi programin e tij “ bombastik” të misionit të ri dhe nuk i linin përshtypje kritikat, ofendimet, sharjet që vinin nga kundërshtarët politik dhe vartësve të tyre. Në këtë luftë për të bërë ndryshime, ishin futur edhe shumë gazeta e portale, që dorën në zemër, kanë ndikuar që fitorja e PDK-së të mbetët në këtë nivel çfarë është n ë këtë moment. Pra, po të mos ishte kjo propagandë aq shumë e sinkronizuar nga këto media dhe portale, por edhe të disa dështimeve që ishin të pranishme gjatë qeverisjes, PDK do kishte shënuar suksese më të mëdha në shkallë vendi. Isa Mustafa gjatë fushatës nuk ofroi alternativa bindëse , por vetëm sa i përcillte premtimet që i bënte kundërshtari kryesor politik i tij Hashim Thaçi. Në të vërtetë, derisa, për shembull, Thaçi premtonte 200 mijë vende të reja pune, duke u mbështetur në “ Fondin e Punësimit”, Mustafa premtonte 120 mijë por pa e arsyetuar konkretisht se si do të realizohet ai premtim që është vital për popullin e Kosovës. LDK dhe lideri i saj, po ashtu, shumë kohë shpenzuan edhe në kritika për një qeverisje të dobët të udhëhequr nga PDK, që siç dukët, tashmë votuesit janë bërë imun ndaj këtij fenomeni që është bërë rutinë e çdo partie politike. LDK-në nuk e ndihmuan as prurjet, jo edhe cilësore, por as ndihma që erdhi nga Gjermania e Donika Gërvalles. Sille kah të sillesh, fajtor për humbjen e LDK-së është vetë lideri i saj Isa Mustafa dhe nëse i përmbahet fjalës se në rast humbjeje do të jap dorëheqje atëherë mbetët që LDK të gjej një lider që do të mund të vërtetë ta freskoj këtë parti me kuadro kredibile që do të dinë ta udhëheqin dhe të korrin suksese në të ardhmen. Kjo garnitur politike rreth kësaj partie nuk premton më asgjë, ndaj edhe duhet të shkoj së bashku me liderin e saj, duke përjashtuar disa personalitete me perspektivë që i ka në mesin e saj.
Pse vetëvendosja duhet gjithsesi të mbetët në opozitë?
Një sukses të konsiderueshëm në këto zgjedhje pa dyshim se e arriti “ Vetëvendosja”, e cila duke u kalitur në procesin politik jo edhe aq të gjatë, arriti që të dyfishoj numrin e votave dhe të numrit të delegatëve në Kuvendin e Kosovës. Kjo parti dhe lideri i saj Albin Kurti në masë të madhe ndryshuan mënyrën e të vepruarit, përkatësisht nga protestat e nëpër rrugë zgjodhën kundërshtimin e tyre nëpërmjet institucioneve shtetërore, por edhe në bisedë të drejtpërdrejtë me qytetarin. Fushata ishte mjaft e koordinuar dhe me programin e saj mjaft të pasur i binden votuesit se edhe kjo parti është alternativë që mund të bëj ndryshime edhe në aspektin nacional, edhe ekonomik, kulturor, sportiv etj. Mendoj se në të gjitha kalkulimet për formimit të qeverisë, Vetëvendosja duhet të mbetët në opozitë për shkak se asnjë parti as ajo fituese, por edhe LDK nuk mund të i shmangën bisedimeve me Beogradin, ndërkaq në anën tjetër kjo parti që nga fillimi ishte kundër këtyre bisedimeve, por edhe marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sukses mund të quhet edhe hyrja e Nismës në parlament por kjo nuk i përmbushi synimet për më shumë ulëse në Kuvendin e ardhshëm. Kjo mund të hyj në çfarëdo koalicioni të mundshëm se edhe ashtu nuk do të këtë ndonjë perspektiv në të ardhshmen. Për “ gjynah mbeti AKR përkundër një programi mjaft ambicioz ekonomik që pati.
KOSOVE-Zgjedhje tjetërsoj
Nga Gani QARRI/
Votuesit e devotshëm që ndër vite besuan në premtimet e pa mbajtura të liderëve “parajsë-premtues”, tanimë për të satën herë ndjehen të tradhtuar nga ta, ndaj kësaj here kanë vendosur tua kthejnë shpinën atyre dhe të votojnë për më të mirët.
Por edhe skilet politike, sado që me zorrë nën këmbë, duke pasur parasysh gjendjen e tyre, janë përgatitur herët dhe kujdesur me kohë, për ta bërë fushatën e tyre parazgjedhore sa më joshëse dhe atraktive, duke shkruar në parulla të mëdha dhe paraqitur me kolorite tërheqëse në “Bilboarda” masiv, gardën e hajdutvë të vjetër-si trup e misionit të ri, anipse të gjithë njerëzit e këtij vendi e dinë se ata nuk kanë asnjë zanat tjetër përveç vazhdimit të “Specialitetit” të tyre për gllabërim, zhvatje dhe hajni.
Ndaj, votuesit kësaj radhe nuk duan të mashtrohen edhe një herë me të ashtuquajturat misione të improvizuara të ujqërve të vjetër, misione të cilat ashtu siç i nisën në fillim do ti vazhdojnë deri në fund, me avansimin e hajdutllëkut nga mandati i vjetër në mandatin e ri, derisa populli të mos i qoj ata, atje ku e kanë vendin.
Asgjë nuk është ashtu si do duhej te ishte, asnjë nga ofertat e tyre nuk u realizua me gjithë pompozitetin që u propaguan, nuk ka premtim që u mbajt dhe gjithmonë ndodhi e kundërta nga ajo që u tha dhe premtua.
Garda e të pasuruarve brenda natës edhe më tepër u pasurua, familjar, kushërinj, miq e të njohur të tyre përmes aksionit Blic-Pronto, sa qel e mbyllë sytë, pothuajse të gjithë u punësuan, kurse gjendja e të varfërve u rëndua edhe më zi, numri i tyre u shtua dhe të varfërit e ri e të vjetër u varfëruan edhe më tej.
Ata kaluan në mjerim total dhe të pariparueshëm, të cilëve jo rrallë u mungon edhe buka ne sofrën e thatë, fëmijët pa qanta, lapsa e veshmbathje që të mund të shkojnë në shkollë, por të cilat nuk i kanë.
Populli i lodhur nga zullumi, nëse kësaj radhe vërtet voton ndryshe dhe pas këtyre zgjedhjeve, nxjerr një forcë tjetër politike të parën,ai vërtetë më nuk dëshiron që prapë të negociohet me grupet e shënjuara dhe të orkestrohet ndonjë kompromis kundër vullnetit te tij, për të krijuar qeveri ,me ata të cilët sovrani i refuzoi.
Këtë herë, tek shumica e banorëve të këtij vendi, është krijuar bindja se votuesit kanë për të vendosur ndryshe në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, ndaj kjo i bën shqiptarët të shpresojnë se, pararoja e hajnave, nepotizmit dhe keqbërësve ordiner,më në fund po falimenton, megjithëse fatkeqësisht jo para ligjit dhe prokurorisë siç do duhej,sidomos me rastin e vdekjes së njerëzve të pa faj për mungesë kushtesh si në KEK e gjetiu, qoftë vdekje fëmijësh për munges barnash e ndihme financiare nëpër spitale, derisa ligji dhe prokuroria janë kthyer në mburojë “antiplumb” të tyre,ndaj mbetet vetëm dora e votuesit, verdikti i Popullit dhe zgjedhja e tij kësaj radhe-tjetërsoj,të vej rregull në këtë vend.
Gani Qarri
Cyrih,7 qershor 2014
PARTITOKRACIZMI POLITIK ME PARAVEPRIME DHE NGJYRA PLURIPARTITISTE
Nga Isuf Bajrami/
Në Kosovë mund të flitet për pluripartitizëm, ndonëse kjo paraqet disa veçori që e dallojnë nga dukuritë e ngjashme në vende të tjera evropiane. Duke pasur parasysh veçoritë e çdo vendi, do të ishte e habitshme në fakt e kundërta, pra sikur pluripartitizmi politik të mos prezantohej alla kosovarçe.
Pluripartitizmi merr formë në çastin kur me çdo kusht tenton të realizohet dominimi i partitokracistëve në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike. Ky dominim nyjëzohet nëpërmjet pranisë dhe rrënjosjes masive të titistëve nëpër partitë e “mëdha” të vendit. Disa karakteristika që e dëshmojnë fare mirë këtë janë: programet fotokopje të partive politike; prirja për marrjen me çdo kusht e kompetencave institucionale; mungesa e lidhjes me bazën; ndarja e bazës elektorale mbi baza gjeografike,klanore e familjare; polarizimi i qëllimshëm i politikës.
Një nga tiparet universale të pluripartitistëve është edhe monopoli i veprimtarisë së tyre në politikë. Në Kosovë, kjo mund të pohohet pa frikë, për sa kohë që sindikatat, shoqatat, fondacionet, në përgjithësi shoqëria civile, është ende në gjumë, për të mos thënë në komë, duke ua dorëzuar politikën tërësisht partive pluripartitiste.
Partitë politike nuk janë të rrënjosura në shoqëri, as në territor, në kuptimin tradicional të përhapjes së organizatës partiake. Tërheqja e partive nga terreni ka pasoja të dyanshme; nga një anë partitë privohen nga funksioni i interpretimit të kërkesave sociale, duke filluar nga baza, çka do të thotë se partitë nuk janë në gjendje ta njohin realisht shoqërinë që duhet të përfaqësojnë; nga ana tjetër japin përshtypjen se nuk anojnë t’i uzurpojnë tërë hapësirat e jetës sociale. Partitokracistët,rezultojnë kështu,përderisa refuzojnë të rrënjoset në shoqëri, por në të njëjtën kohë mëtojnë se përfaqësojnë legjitimishtë të gjitha instancat shoqërore. Kapilarizimi i strukturave partiake në shoqëri më kujton epoka të kaluara, por njëkohësisht edhe vulën e padiskutueshme të partitokracisë së skajshme, si pushtet absolut i partisë mbi shoqërinë dhe ekonominë.
Më duhet të them se nga pikëpamja e përfaqësimit, sistemi i partive u shndërrua në partitokraci në momentin kur partitë shprehin vetëm interesa madhore, të përgjithshme, përgjithësuese e centraliste, pra kur humbasin aftësinë e shprehjes së interesave të vogla, të diferencave, të veçorive. Reagensi i partitokracisë identifikohet fillimisht tek paaftësia e partive për të interpretuar dëshirën për ndryshime rrënjësore, sepse inercia e partive dallohet edhe tek përpjekja për të ruajtur status quo-në e së kaluarës.
Rrjedhimisht shtrohet pyetja, a i duhen qytetarëve partitë politike që nuk e luajnë siç duhet rolin e tyre në shoqëri ?!!!
Këtu batuta për shkërdhatokracinë e famshme pluri-par–titiste vjen e natyrshme, si fill i kuq që potencialisht ose realisht i përshkon të gjitha qelizat e shoqërisë stalinisto-titiste .
Për të përqafuar me optimizëm pluralizmin demokratik, duhet në radhë të parë të sqarohemi nëse pluripartitokracia e sotme, e pjesshme ose tërësore, nuk është pjellë e kultit stalinisto-titistë, pra nëse nuk është produkt i praktikave socialiste-vetëqeverisëse-titiste në mënyrë shabllone.
Ka nga ata që e shohin shpëtimin e deformimeve partiake tek ndikimet e huaja, ndoshta edhe tek globalizimi, që shkon përtej logjikës së partive nacionale. Në këtë rast mund të thuhej se në “laboratorin Kosovë” po testohet një variant i ri i pluripartitokracisë post totalitare komuniste.
Kur partitë organizohen në mënyrë demokratike, brenda kornizave të demokracisë së mirëfilltë pluraliste, për të mirën e qytetarëve që përfaqësojnë ligjërisht, pa ambicie monopolizuese e totalitarizuese, luajnë rol të rëndësishëm për bashkësinë shoqërore. Në të kundërtën, shndërrohen në problem për vetë jetën e qytetarëve për të cilën pretendojnë ta përfaqësojnë me qëllim që ta “përmirësojnë”.
Thelbi i sistemit demokratik është qytetari dhe dialogu i qytetarit me të ngjashmit e tij,e jo pushteti e monologu. Dialogu është thelbi ekspozues i demokracisë, përkatësisht përmes tij konvertohet pushteti në autoritet dialogues, ku qytetarët realizojnë vetveten e tyre dhe të tjerët në komunitet. Derisa dialogu është pjesa thelbësore, jo çdo dialog dhe komunikim shtrohet si duhet. Reklama politike është njëra prej formave komunikuese dhe, në të njëjtën kohë, manipuluese masive e qytetarëve. Pushteti në demokraci ka një status të veçantë, është i definuar qartë, dhe sa më i kufizuar që është ai mundësia për të abuzuar me të është ma i vogël.
Dialogu është kushti nëpërmjet të cilit njerëzit e realizojnë esencën e tyre në demokraci. Kjo do të thotë që njerëzit nuk mund të qeverisen para se të debatojnë lirshëm lidhur me formatin dhe rregullat e lojës së qeverisjes. Ky dialog, pra ka të bëjë me justifikimin e aktivitetit politik dhe, në planin koheziv, lidhet me një kontekst më të gjerë. Pra, konteksti në fjalë siguron që politika në vetvete të mbart një infuzion demokratik dhe në mënyrë permanente të justifikohet para popullit,para një opinioni publik real, e jo fiktiv apo siç njihet ndryshe publik fantazmë i ardhur nga diku tjetër. Për të qenë e realizuar kjo në rrafshin horizontal e praktik, më tej, shtron nevojën e krijimit të një opinioni të edukuar që gjykon politikën dhe që është i aftë të dekodojë fjalorin politikë të së kaluarës,tashmes dhe të së ardhmes. Më saktësisht, kjo lidhet me domosdoshmërinë e një publiku aktiv që është barometri kryesor i legjitimitetit.
Demokracia do të duhej të siguronte disa kushte që vet konceptualizmi i saj të mos shtrembërohej. Një prej këtyre kushteve që demokracia do të duhej të siguronte, që shekullarizimi i politikës e bëri të mundur atë, është konvertimi i statusit të pushtetit. Pra,në demokraci pushteti del si një vend i zbrazët: atë s’mund ta mishëroj më asnjë individ, organ apo parti, askush s’mund të jetë bashkësubstancial me të. Pushteti,sipas kësaj pikëpamje shihet qartë se është një “tokë e askujt”. Pra, kjo nënkupton se demokracia nuk i jep askujt një pushtet premordial-hyjnor në aspektin kohor.
Ata që janë aty, përkohësisht (pushtetarët), janë sepse i janë nënshtruar një procedure periodike, përndryshe nuk do të ishin ose nuk do të ishte vet demokracia. Kjo lidhet me atë që pushteti në politikë është si paraja në ekonomi, ata që e kanë pushtetin e kanë për një periodë të shkurtër dhe qëndrimi i tyre aty (posti) varet nga rezultatet e punës së tyre dhe vlerësimi që do t’u bëhet këtyre rezultateve nga zgjedhësit-populli. Sikurse ekonomistët që konkurrojnë dhe pushtojnë tregje për të fituar , ashtu edhe politikanët konkurrojnë për pushtet në “tregjet politike”apo të quajtura ndryshe zgjedhje periodike. Pra,qeverisja demokratike është e kufizuar në planin kohor nëpërmjet zgjedhjeve periodike demokratike dhe mundëson shpëtimin e pushtetit nga monopoli si në komunizëm.
Demokracia e shpreh ekzistencën e vet përmes arsyetimit të aktveprimeve politike. Arsyetimi i aktveprimeve politike në raport me qytetarin është përgjithshmërishtë i lidhur me legjitimitetin e atyre veprimeve. Ky legjitimitet ka të bëjë me kapacitetin e sistemit politik në fjalë për të prodhuar veprime,të cilat qytetarët do t’i konsideronin legjitime dhe të drejta. Premisa parësore është se, në demokraci e drejta është jashtë sferës së pushtetit të përjetshëm. Pra, në këtë proces kërkimi, akterët politikë të këtij sistemi (politikanët, partitë politike) kërkojnë legjitimitet përmes debatit, përkatësisht komunikimit. Fusha (hapësira) ku kërkohet ky legjitimitet është publiku, kurse koha më e përshtatshme për aktorët e skenës politike (telepolitikanët) në kërkim të këtij legjitimitetit është fushata parazgjedhore.
Megjithëse politikanët reduktojnë kërkimin e legjitimitetit në një akt elektoral. Legjitimiteti nuk duhet të shihet në këtë prizëm, si një akt, sepse edhe si i tillë nuk është. Legjitimiteti nuk paraqet një akt kërkim që e gjejmë njëherë e përgjithmonë. Ai duhet, dhe do të duhej të kërkohej vazhdimisht për faktin e thjeshtë se, veprimi politik (veçanërisht sot) është veprim i komunikuar, e për më tepër, i mediatizuar. Në këtë kontekst, pushteti (që është synim i akterëve politikë) për të qenë legjitim duhet ,ose do të duhej që vet pushteti të krijon parakushte,ku do të debatohej mbi legjitimen dhe jolegjitimen.
Për ta kuptuar komunikimin politik (gjuhën e pushtetit ose gjuhën e atyre që e synojnë atë), që është një komunikim veprimi dhe që lidhet drejtpërdrejt me atë që quhet politikë simbolike, duhet ta shqyrtojmë realitetin politik. Realiteti politik, është një realitet i dyfishtë. Pra, të gjitha veprimet politike ndahen në mes të dimensionit instrumental dhe dimensionit ekspresiv. Dimensioni instrumental (vlera nominale) i realitetit politik karakterizohet përmes efekteve të vërteta të veprimeve politike, kurse dimensioni ekspresiv-shprehës (vlera simbolike) karakterizohet me simbole që iu servohen publikut në mënyrë të fabrikuar. Pjesë e këtij komunikimi,që është karakteristikë e politikës së kaluar simbolike, janë p.sh: stemat partiake,himnet ,flamujt, karizma e politikanit, buzëqeshjet koinciduese, shtrëngimi i duarve, etj. Dimensioni ekspresiv i veprimit politik është i lidhur pazgjidhshmërisht me politikën simbolike dhe është për ta kuptuar komunikimin politik në rrethanat konkrete. Dhe, për më tepër, të dyja këto dimensione lidhen me mediat dhe rolin e tyre. Në këtë rast,qytetarët mund të pyesin: a është politika simbolike produkt i nënshtrimit mediatik, pra a bëhet fjalë për një politikë të “mediatizuar”, të nënshtruar nga mediat, që gjithnjë e më shumë po e humbë kuptimin e saj (sidomos gjatë fushatave zgjedhore, ku rregullat vendosen nga mediatorët)? Pra, politika simbolike ,së pari, është realitet i çdo shoqërie politike që nga fillimi i veprimit politik. Së dyti,politika simbolike bashkëkohore ka marrë një proporcionalitet të zhdrejtë në tërësinë e realitetit politik sot, pra ka një proporcionalitet të zhdrejtë në raport me dimensionin instrumental (veprimet konkrete politike) dhe, për më tepër, janë krijuar simbole të reja për shkak të veprimit të instrumenteve mediatike , që shpesh quhet edhe pushtet masmediatik.
Në realitetin faktik, simbolet përdoren për ndërmjetësimin politik ndërmjet akterëve politik (politikanëve,partive politike,etj.) dhe telepublikut përmes reklamave mediale. Këto reklama mund të pasqyrohen si manipuluese, ku qytetari mund të humbë aftësinë e tij dalluese në këtë konfuzion të mjegullt dhe, pse jo, manipulues në përcaktimin e nevojave të tij. Metaforën e reklamës e përdor edhe përfaqësues i demokracisë minimaliste, ku politikanët i vendos në të njëjtën paralele me tregtarët dhe, sipas tij, që të dy e përdorin reklamën për të prekur indin emocional , emotiv, impulsiv të qytetarit.
Qytetari, posa hynë në fushën e politikës, për shkak të mungesës së informacionit burimor për nevojën e analizës së tij politike, gjykon në mënyrë adoleshente,fëmijërore. Pra, shikuar në këtë linjë diskursi mund të afirmohet se politika dhe telepolitikanët (pra, këtu bëhet fjalë për prezantuesit e politikës, jo politikbërësit) janë shumë të shkëputur nga realiteti esencial, duke substituar agjendat politike me inskenime mediatike (apo bashkërenduar ato), dhe duke krijuar imazhe të paqena dhe identitete fiktive,e që e tëra akordohet me një telepublik politikisht pasiv dhe që e kupton pakë apo aspak politikën. Pra, shikuar në tërësi, këto agjenda të bashkërenduara me inskenime politike ngjasojnë si një katalog, recetë, kod apo plan”hyjnor” që zbatohen ose synohet të zbatohen në tokë. Parë si tërësi këto agjenda premtimesh përmbajnë: fjalë, intelektualizma, simbole, fraza josubstanciale, premtime, supozime, dispozime për një botë tjetër.
Megjithëkëtë, mund të konkludohet se politika simbolike është e pashmangshme për çdo realitet politik, nëpërmjet së cilës telepolitikanët janë në gjendje të socializojnë dhe formojnë një vullnet politik. Akterët politikë me anë të kësaj politike simbolike reflektojnë emocionet e publikut, e që e tëra ngërthen atraktivitet, pse jo shpesh herë, edhe zbavitje, edhe pse nga politika kërkohet përgjegjësi, seriozitet, e jo zbavitje.
Meqenëse politika është komplekse për shumicën e qytetarëve, pra një sistem me shumë të panjohura,prezantimi i politikës para opinionit publik bëhet në formë ritualesh, stereotipash, skemash, simbolesh që përgjithësisht janë të pranuara nga publiku.
Përderisa politika simbolike paraqitet si politikë simbolesh, ritualesh, pak a shumë të kuptueshme, simbole që janë publikisht të pranuara nga realiteti publik, veprimi politik mbetet në terr prapa skenës së mediave.
Pra,demokracia e mirëfilltë është një teknikë politike që kërkon një tërësi kushtesh. Konvertimi i statusit të pushtetit, ose formula gjithë pushteti askujt, minon mundësinë për të abuzuar me pushtet, dhe është thembra e Akilit në një shoqëri politike parademokratike.
Dialogu me qytetarin drejtpërsëdrejti, ekspozon kushtin thelbësor që ushqen demokracinë me legjitimitet, dhe fusha ku kërkohet ky i fundit është opinioni publik, kurse koha më e përshtatshme është fushata parazgjedhore.
Gjilan,06 qershor 2014
- « Previous Page
- 1
- …
- 741
- 742
- 743
- 744
- 745
- …
- 865
- Next Page »