Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Në prag të zgjedhjeve të 8 qershorit, Skënderi dhe unë, ndërmorëm një akt simbolik, duke aderuar në LDK në Zvicër. Ashtu si ne, vepruan edhe figura të njohura. Jo se frynte era e pushtetit, por sepse frynte era e rrezikut, e Kosova rrezikohet nga mafia.
Kemi të paktën çerek shekulli, që si intelektualë e gazetarë e kemi ndjekur fatin e kësaj lëvizje politike kombëtare, e cila lindi e inicuar nga ajka e inteligjencies shqiptare në Kosovë dhe u udhëhoq nga lideri europianist Ibrahim Rugova.
E kemi përcjellë LDK-në, në çdo kohë, në ditë të mira e të liga, në ditë të trishta e të lumtura, në ditë ngrice e akullnajash. E kemi mbështetur LDK-në kur na këcënonin me jetë, edhe kur është treguar me ne e ashpër. Asnjëherë si homo politicus apo si homo sentimentalis, por si homo per la patrias. Nga pozita thellësisht të civilizuara dhe europiane. Nga pozita ku integriteti ynë është i pastër dhe i pacënuar. Si profesionistë, si krijues dhe si shqiptarë.
Kemi qenë vazhdimisht kritikë. Qëndrimi ynë kritik është bërë shumë i mprehtë kur Fatmir Sejdiu, për hire klanore, degjeneroi demokracinë brenda partisë dhe e shpartalloi trashëgiminë e Rugovës. Dhe, për këtë, në zgjedhjet e 2007, LDK humbi dy të tretat e elektoratit. Jo për fajin tonë. Por Sejdiut kjo nuk i prishi punë. Ai fitoi postin e presidentit dhe gjënë e parë që bëri sa erdhi në pushtet me Hashim Thaçin, ndikoi tek pronari i gazetës Bota Sot që pas dhjetë vitesh sakrificash dhe mundi, që nisën në 2008, në prag të masakrës të familjes të Adem Jasharit deri 2008, në prag të pavarësisë të Kosovës, të largonte nga gazeta kryeredaktorin dhe një nga editorialistet kryesore, që ishim Skënderi dhe unë. Merrni dhe botojini editorialet tona të përditshme gjatë këtyre dhjetë viteve, për të parë se sa libra bëhen, si dëshmi e historisë dhe punës tonë të ndershme. Gjatë këtyre dhjetë viteve prej 1998-2008, Bota Sot, u kthye në një institucion të fjalës të lirë. Nuk shkonte gjithçka perfekt, sepse po kalohej në ndryshime epokash, dhe ndikimi i një krahu të politikës në Prishtinë ishte destruktiv, por pikërisht në këtë periudhë, kjo gazetë arriti një shitje të paparë, që përbën rekord në historinë 100 e sa vjeçare të shtypit shqiptar, ku vetëm më Perëndim shitja ka arritur nga 120 mijë deri 200 mijë kopje tirazhi në ditë, në Kosovë 50 mijë kopje, në Maqedoni 20 mijë kopje e kështu me radhë. Për herë të parë gazetarët paguheshin për punën që bënin dhe gazeta mbijetonte me punën e vet. Në atë kohë gazeta kishte disa redaksi në Europë, SHBA, Shkup, Tiranë, ndërsa në redaksinë e Prishtinës ishin të punësuar të paktën 200 vetë. Rrënimi i gazetës nisi me largimin tonë. Gazetaria hulumtuese mund t’i vejë shumë mirë pikat mbi “i”.
E mbështetëm Isa Mustafën në prag të zgjedhjeve të 2010, me shpresë se ardhja e tij, do ta shpëtonte këtë parti nga kapja prej klanit më të egër që formohet prej emrave, të cilat elektorati i LDK-së në Kosovë nuk i do dhe i sheh si shkaktarë të humbjeve.
E kritikuam Isa Mustafën kur hyri në zgjedhjet e 2010 pa asnjë aleancë dhe duke ia lënë varur në qafë partisë figura që me gjithçka e kthyen LDK-në në mjet për arrivizëm dhe pushtet personal.
Qëndrimet tona kanë paralajmëruar pikë për pikë atë që ngjau në LDK, e cila ka patur çmim jo vetëm për partinë, por edhe për Kosovën. Paralajmërimet tona bënë që plehnajat, ata që LDK-së ia larguan elektoratin e Kosovës, të na shpallin «armiq».
Por ne vazhduam rrugën tonë. Dhe sot i kthyem sytë nga LDK në Zvicër, për hir të shpresës dhe të ardhmes së Kosovës. Si kemi vepruar gjithë jetën tonë. E bëmë këtë, sepse LDK-ja në Zvicër vetëm i ka dhënë Kosovës pa i kërkuar çmim për këtë, pa i kërkuar tendera dhe karrige deputetësh apo ministrash, i ka dhënë Kosovës që kur Kosova dukej krejt si e pashpresë, sipas asaj thënies së njohur të John F.Kennedyt: «Mos pyet se çfarë ka bërë vendi yt për ty, por pyet se çfarë ke bërë për vendin tënd.» Sigurisht diaspora ka të drejtë përfaqësimi në institucionet e dala nga vota e lirë, por kjo është një temë tjetër.
Iu kthyem LDK-së në Zvicër me një gjest simbolik, sepse ne jemi gazetarë e krijues, me statusin tonë të pavarur, për të dhënë ndikimin tonë sa mundim për ringjalljen e saj në Zvicër, duke e parë si një domosdoshmëri riorganizuese, unifikuese, sepse LDK-ja në Zvicër ka qenë gjithmonë shembull i tolerancës dhe frymës unifikuese. Iu kthyem LDK-së në Zvicër në kohë alarmi. Sepse ka patur burime njerëzore të mrekullushme dhe ka burime të tilla, sepse ka kontribute të jashtëzakonshme dhe ka energji të jashtëzakonshme për progres. Ndërkohë i bëjmë thirrje që t’i kthehet kohës së saj më të mirë, të gjithë bashkë, por larg sharlatanëve që vetëm e çidentifikojnë dhe e depersonalizojnë lëvizjen më të madhe në historinë moderne të shqiptarëve, e cila në rradhët e saj në kohët më dramatike i përfshiu 95% të shqiptarëve, përfshi këtu edhe krahun e luftës, sepse drejtohej nga elita e inteligjencies.
Prandaj LDK-ja është LDK, sepse është lëvizje që në gjenezë e intelektualëve, pasi shtetin e formësojnë intelektualët, të cilët e kanë fituar lirinë e mendimit të parët, dhe i kanë thyer vargojtë e robërisë të parët.
Duke i hedhur një vështrim retrospektiv rrugës që kemi lënë pas, rrugëtimit tonë gati çerek shekullor prej hapjes pas rrëzimit të Murit të Berlinit e diktaturës, në këtë rrugëtim, ne iu kemi ndejtur larg formacionioneve partiake, të cilat rezultojnë sot se e kanë shkatërruar LDK-në, sepse aty janë bërë vetëm pazare. Marrëdhëniet tona bashkëpunuese dhe komunikuese janë mjaftuar me Ibrahim Rugovën.
Ndërkohë, ca zagarë gjoja militantë, sepse s’kanë tjetër asnjë atribut, veç injorancës, qarkullojnë thashethemnaja se ne paskëshim patur lidhje me Bujar Bukoshin. Këta zagarë analfabetë nuk kanë asnjë provë dhe lehin, sepse dikush në LDK, pikërisht ata që e shkatërruan LDK-në dhe e çuan në dizastër, i kanë urryer Buçpapajt. Pikërisht klani më famëkeq i LDK-së. Prej të cilit është imperative që LDK të largohet. Dhe kemi besim se do ta bëjë këtë në zgjedhjet e 8 qershorit.
Sa për sqarim publik, me Bujar Bukoshin jemi takuar vetëm një herë a dy herë, kur Skënderi ishte drejtor i RTSH, në lidhje me projektin e televizionit satelitor, të cilin e projektoi Ibrahim Rugova, ndërsa qeveria e Kosovë në mërgim e mbështeti financiarisht. Unë e kam intervistuar Bujar Buloshin kur ishte kryeministër në egzil, si korrepondente e Zërit të Amerikës, ashtu si kam bërë me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, sidomos me Ibrahim Rugovën, me të cilin kam të paktën tri intervista të botuara në shtypin e Tiranës dhe SHBA, ndërsa Skënderi i ka marrë intervistën e parë që Rugova ka dhënë në Shqipëri.
Kur e mora në intervistë Bukoshin, nuk kisha diktofon dhe intervistën e bëra me shkrim. Në këtë gjendje ishin edhe gazetarët e RTSH në fillimet e demokracisë, ishte viti 1992. Prandaj qeveria e Kosovës u dhuroi disa mjete pune gazetarëve. Midis tyre edhe mua një diktofon të vogël gazetarësh. Kaq është e gjitha. Dhe nëse dikush do të guxojë të hedhë ndonjë fishekzjarre tjetër artizanal,primitiv, ta dijë se me atë fishekzjarre do të djegë veten, sepse shpifjet qarkullojnë në periudha inkuzicioni, mesjete, tribalizmi, në diktaturë, por jo në një shoqëri të mileniumit të tretë. Dhe aq më pak në Zvicër.
Por fakti i vetëm që e kemi mbështetur Rugovën, kur këtij nuk i jepeshin mjete për të lëvizur në Europë dhe SHBA, kur Rugovën e kapnin si peng lufte dhe kur ne e merrnim në mbrojtje ndërsa të gjithë e sulmomin, është dëshmia më eksplicite për integritetin tonë intelektual dhe profesional. Aq më tepër kur Rugova dhe Bukoshi ndaheshin me një vijë demarkacioni midis. Njëri kishte ideale dhe mbështetjen popullore, ndërsa tjetri kishte mjete financimi.
Për 25 vjet mbështetje, nga LDK nuk kemi marrë kurrë asnjë cent. Bile nuk kemi marrë asnjë mirënjohje. Prandaj e kemi patur gojën e hapur dhe mendjen e kthjellët që, si përfaqësues të pushtetit të katërt, të kritikojmë kush e meriton.
Por megjithatë, ne jemi gazetarë që kemi jetuar me punën dhe djersën e ballit. Nuk kemi akumuluar pasuri, nuk jemi shitur në këmbim të pasurive, nuk iu kemi shërbyer politikanëve, asnjërit në emër të interesave personale. Ne jemi të pasur me idé, pasuria jonë është profesionalizmi dhe integriteti, të domosdoshme këto që gazetarët ta jetojnë jetën me punën që bëjnë. Ndërsa në shoqërinë shqiptare, gazetaria, shtypi dhe mediat sot janë total nën kontroll dhe peng i politikës dhe oligarkëve. Prandaj i bëjmë thirrje LDK-së në Zvicër, se ka ardhur koha të mendojë për organizimin e komunitetit të shqiptarëve këtu, si subjekti që mbështet frymën e tolerancës dhe ushqehet nga fryma rugoviste, i cili iu afrua LDK-së që në ngjizje pavarësisht se kjo ishte në kontradiktë me personalitetin e intelektualit, por për hir të një ideali të madh siç është ideali i lirisë. Dhe për ta mbajtur gjallë këtë ideal dhe për ta kthyer në një realitet të prekshëm, që është shteti i së drejtës, duhet fjala të lirë dhe gazetarë të lirë e me integritet që të guxojnë e ta shprehin të vërtetën.
Përdhosja e pasaportës kosovare në Siri, akt barbar ,terrorist dhe antikombëtar!
Nga Asllan Dibrani/
art@asllandibrani.com/
Muhaxhedinët dhe fundamentalizmi islamik”shqiptar” në Kosovë u përshkallëzuar edhe këto ditë nga nxënësit e xhihadit me akte të reja terroriste kundër Kosovës!
Ja, populli im i dashur këto janë rezultatet famëkeqe dhe më të turpshme të historisë shqiptare të bëra nga njerëzit, si Shefqet Krasniqi ,Fuad Ramiqi, Jeton Sfirca, Gëzim Kelmend,Ferid Agani etj, që prodhojnë grupe ,grupe njerëzish barbar, që për interesat e huaja e djegin , dhunojnë , vrasin dhe e shuajnë qenien tonë kombëtare. Këto janë aktet dhe faktet më të tmerrshme për imazhin e vendit tonë që aq shumë vuajti nga barbarët dhe regjimet e njëpasnjëshme. Tash në vend që Kosova të bëhet shembull i mire në Evropë ,për t’u tregu vendeve botërore që ne e deshëm lirinë dhe e duam integrimin. Ja armiqtë e radhës pra, armiku aktual që po masakron dhe po fut në humnerë vendin nga këta njerëz direkt të invalvuar nga qarqet serbosllave e përdhunosën pasaportën e Kosovës në Siri .Muhaxhedinet mercenar , e mohojnë përkatësinë tjetër të tyre dhe thonë që janë vetëm mysliman. Ata në shenjë mohimi të identitetit kosovar i dogjën pasaportat kosovare të përcjellura me mjetet e informimit të Serbisë siç keni rastin ta shohim përmes Videos! Fatkeqësia , rrënimi dhe vetizolimi ndaj Evropës dhe drejt Amerikës, po shkon drejt shkallëzimit që sinjalizon një mesazh të keq të këtij populli qe po rrinë spektator ndaj aktorëve që po i mihin varrin e Kosovës. Po, qese nuk i japim grusht të fort këtyre fundërrinave dhe mercenarëve antikombëtar dhe antikosovar, vendi do merr rrugën e Sirisë, Libisë dhe e këtyre vendeve më famëkeqe të planetit, që dita ditës. Ky sekt i vëllazërisë myslimane janë duke ja pirë gjakun njeri tjetrit, duke i thyer edhe rregullat e kuranit që e therrin në fyt njeriun që është me një bindje dhe fe tjetër, apo edhe duke e ngrënë edhe mishin e qenit, që me kuran është i ndaluar edhe i derrit e lere ma të qenit !!!???… Pra mos rrini duar kryq sepse çdo neglizhencë e jona do të na kushtoj me një vëllavrasje dhe me një luftë të pa shmangshme civile,drejt një prapambetje , dhune ,izolimi varfërie dhe vetëvrasje të pa shembullt.
-Djegia e pasaportës së Kosovës dhe flamurit i shoqëruar në atë pasaportë është një akt barbar, një vepër kriminale dhe armiqësore ndaj vlerave të UÇK-ës dhe luftëtarëve të saj!Edhe se e konsideroj që ky flamur dhe kjo pasaportë duhet të shkrihet në një , atë të shtetit të ardhshëm shqiptar, në një Shqipëri të bashkuar…Ky akt i ekstremizmit fetar islamik tek shqiptarët , i dirigjuar nga qarqe të huaja po e cenon vet territorin tonë për tokën e Shamit,për Irak e për Iran!Fundamentalizmi islamik në Kosovë i shoqëruar me vepra terroriste , është kundër luftës së shenjtë shekullore që e bëri populli i Kosovës për t’a hequr çizmen e Serbisë,të Turqisë, të Italisë të Austro-Hungarisë e të dreqit e të birit nga Kosova! Përdhunosja e pasaportës së Kosovës në Siri është në kundërshtim me qindra e mijëra student, profesor dhe intelektual që u dergjëm në burgjet serbosllave, për ta pavarësuar Kosovën. Këta mërcenar dhe mbeturina të popullit shqiptar, po e shfrytëzojnë edhe mungesën e shtetit dhe ligjit që nuk funksionon në proporcion me interesat tona kombëtare. O zot ruaje kombin tonë shqiptar nga vet shqiptarët!!!???…
KRYEMINISTRI NE SIKLET
Nga Faik KRASNIQI/
Kryeministri në largim Hashim Thaçi, është në panik të madh. Është në siklet shumë të madh. Është shumë i lodhur. I katandisur. I trembur. I hutuar. Nuk është më “komod”. Është shumë i shqetësuar. Ka shumë arsye të jetë i shqetësuar. Partia e tij po shkon drejt greminës. Po tkurret. Njerëzit dita-ditës po i ikin. E ka shumë të vështirë. Nuk e ka të lehtë. E kuptoj fare mirë. Pas shtatë viteve kryeministër nuk e ka të lehtë të shkojë prapë në opozitë. Ai e din fare mirë se si është të jesh në opozitë. Këtë gjë e ka provuar në “lëkurën” e tij për tetë vite me radhë. Thaçi është i “’zgjuar”, nuk është naiv. E ka kuptuar me kohë se nuk do ta fitojë edhe një mandat. Është duke vepruar sipas teorisë se “shpresa vdes e fundit”. Nga paniku i madh s’po lë gurë pa lëvizur, duke bërë koalicione edhe të panatyrshme. Ai është duke u munduar ta kapë trenin e fundit. Por, është vonë. Është tepër vonë. Çdo veprim i tij është pas orës 12-të. Populli e ka kuptuar se nuk është lider i denjë për të udhëhequr, por vetëm një demagog. Ky popull e ka humbur besimin tek ai. E ka kuptuar se ai është vetëm një mashtrues, që për vota është në gjendje të bëj çdo gjë, madje të bëj premtime që edhe ai vetë nuk iu beson. Një lakmitar i çmendur për pushtet. Populli është lodhur nga gënjeshtrat dhe nga keqqeverisja e tij. Është lodhur nga premtimet e tij të rreme. Ai madje është zhytur aq thellë në papastërtinë e qeverisjes së vendit, sa pa u skuqur fare e mashtron opinionin e vendit kur thotë: ”Ne kemi realizuar të gjitha standardet dhe kriteret për liberalizimin e vizave tani Bashkimi Evropian po vonohet në raport me Kosovën, është një vonesë e padrejtë në raport me institucionet dhe qytetarët e Kosovës”. Ka edhe qindra arsye të tjera pse elektorati me votën e tij do ta ndëshkoi, ashtu siç e ndëshkoi në zgjedhjet lokale. Por, këtë herë do të ndëshkohet akoma më keq!
(Autori është publicist nga Prishtina)
“MARATONA” E MUNGUAR SHQIPTARE?
Nga Fadil LUSHI/
Këtij shkrimi (që ndoshta më shumë i shkon a i përshtatet pesimistit, sesa optimistit) do t’ia bashkangjesim një paragraf që llafos “vakinë a meselen” e Sizifit. Thonë se “… hyjnitë antike e kishin dënuar Sizifin të përsëriste veprimet e veta, gjegjësisht të ngjiste pa pushim një shkëmb në majë të një mali, nga ku guri rrokullisej vetvetiu. Ato kishin gjykuar me të drejtë se nuk ka ndëshkim më të tmerrshëm se puna e padobishme dhe e pashpresë. Po t’i besojmë Homerit, Sizifi është njeriu më i ditur dhe më i kujdesshëm midis të vdekshmëve. Opnionet janë të ndryshme për shkaqet përse u dënua të bënte në ferr punë të padobishme. Para së gjithash e qortuan për mendjelehtësi në sjelljet me perënditë greke. Nuk i ruajti sekretet e tyre!” Do t’i shtojmë edhe një paragraf që pasqyron historinë e ushtarakut grek (antik) Filipidis, i cili vrapoi nga fusha e Maratonës deri në Athinë (ai marathonomaku i F.Nolit) për të sjellë a për të shpallur lajmin e fitores së ushtrisë greke ndaj persianëve! Ne do të bëjmë përpjekje që titulli të mos jetë i “gjymtuar”, brendia të mos duket e zbehtë, ndërkaq përfundimi të mos reflektojë mesazhe të paqarta, të mos duket një vështrim i stërngarkuar me atë vokacionin e patriotizmit të tejshprehur…, me qëllim që të mos na mbetet në ajër a të mos i mungojnë shtyllat e të menduarit ndryshe…, thjesht për ta çliruar nga çdo lloj paragjykimi. Nga ky vështrim nuk duam të nxjerrim falltari. Që kjo të mbetet ashtu siç e duam ne dhe që të jemi të sinqertë me lexuesin, do të bëjmë përpjekje që fillimisht të jemi të sinqertë dhe të qartë me vetveten dhe me të vërtetën, po njëkohësisht dhe fjalës së denigruar nuk do t’i vëmë emër human, emancipues a madje jomeritor.
Parashtrohet pyetja se a mos vallë në këtë shkrim ka hapësirë ose edhe logjikë për të bërë krahasime a paralelizma me “hyjnitë antike, me Sizifin, me Homerin, me vakinë e Filipidisit si dhe me “sizifat” politikë a edhe me shqiptarët e ditur e të kujdesshëm këtej kufirit administrativ!? (Po gjithesesi se ka vend). Mandej me ata shqiptarë që mëtojnë a bëjnë përpjekje që me “një frymë” ta (ri)marrin a ta (ri)zaptojnë pushtetin, edhe ashtu të sakatosur, qoftë ai pushtet i merituar apo i pamerituar. Ne nuk kemi të drejtë të themi se politikanët gjegjësisht ish-lidershipët shqiptarë (përfshi këtu Nevzat Halilin, Abdurahman Alitin, Ymer Ymerin, Arben Xhaferin e disa të tjerë) dikur bënë “punë Sizifi”, respektivisht bënë “punë të padobishme dhe të pashpresë, nuk kemi të drejtë t’i paragjykojmë dhe t’i qortojmë për megalomani a mendjelehtësi në sjelljet e tyre me trupin votues dhe me votën deliberative të gjithësecilit shqiptar, nuk kemi të drejtë t’i fajësojmë pse nuk lëvizën deri në “fund” shkëmbin a gurin për ta ngjitur majë mali(!?) …, nuk do t’i fajësojmë pse individualisht vrapuan “maratonën politike” shqiptare…, pse shpallën “fitoret vetanake e jo ato kolektive”!? Mbase ishin “kohëra të tjera”!
Dhe, sot e gjithë ditën e Perëndisë, lidershipët shqiptarë: Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, Rufi Osmani dhe të tjerë politikanë mendjendritur, assesi nuk kanë të drejtë që maratonën politike ta vazhdojnë së prapthi, nuk kanë të drejtë që “maratonën e Filipidisit” ta “vrapojnë” individualisht, nuk kanë të drejtë që atë ta bëjnë ndaras, nëse e bëjnë ndaras, atëherë do të lodhen shpejt dhe do të heqin dorë nga gara, pasi caku i kësaj maratone është goxha larg dhe, për këtë dhe njëmijë arsye të tjera, ata detyrohen ta “rimbledhim” mendjen, po mbase edhe kujtesën tonë kolektive, qoftë ajo pamore a dëgjimore, sa për të thënë se: historia e shovinizmit dhe nacionalizmit katundaresk të fqinjve tanë nuk mbyllet dhe aq më pak nuk shembet me një sharje, me thashetheme, me zhurmë shurdhuese që, lëre që nuk artikullohet tamam politikisht, por edhe nuk përcjellin ndonjë porosi të qartë dhe të caktuar. Lidershipët e moderuar dhe në detyrë duhet të kenë parasysh se “historia shoviniste, po edhe nacionaliste” e fqinjve tanë për “kryegjysh” ka njeriun apo politikanin i cili që sa herë do të ngazëllohet prej “çallëmit” dhe sa herë që do të ndodhet në momente a gjendje të rraskapitjes shpirtërore a dëshpërimit, aq herë do të bërtasë duke thënë: “… o ju qaramanë shqiptarë, mos më bezdisni se unë tani kam në dorë edhe gurin edhe arrën, apo kam në mbretërim pushtetin absolut, po qoftë të jetë ai edhe makijavelist!” Kësaj thënie të këtij politikani, historianët, rilindësit, vizionarët dhe patriotët e moderuar shqiptarë (jo ndaras) fillimisht do të duhet t’i thonë: “Ti, i nderuar, e ke gurin, por jo edhe arrën, e ke shumicën, por jo edhe pakicën, e ke gojën, por jo edhe gjuhën, e ke kambanën, por jo edhe kishën, e ke tokën, por jo edhe emrin, e ke oborrin, por jo edhe portën, e ke pyetjen, por jo edhe përgjigjen…, e ke fytyrën, por nuk e ke buzëqeshjen, qoftë ajo e djallëzuar, e ke historinë, por nuk e ke lexuesin, e ke përrallën, për kalamanjtë e fukarasë që për kryefjalë ka heronjtë e antikitetit, ke rrugën, por nuk i ke gjeneralët kalorësiakë!”
Sikur politikanët shqiptarë të kishin qëndrim a sjellje korrekte mes vete, kryeplakut të politikës maqedonase do të duhej t’i thoshin edhe këtë: “… i nderuar, mos vallë (nuk) e di pse i ke të tërë. I ke për arsye se ne shqiptarët kemi inatet tona homerike, mbase edhe histerike, inate që janë shndërruar në “bythë e brekë”, neve na mungon toleranca ndërshqiptare, na mungon varësia a veprimi i ndërsjellë mes nesh, na mungon fjala a mendimi ndryshe, na mungon vetëdemaskimi, na mungon parimi dhe vetëvendosja…, ne gënjejmë vetveten, ne përsërisim vetveten, ne jemi të dashuruar me vetveten, ne nuk i parashtrojmë kërkesa vetvetes dhe së fundi na mbetet të grindemi mes vete për inat dhe për mustaqet e Çelos”, siç thonë mirditasit.
Nëse ne shqiptarët këtej kufijve administrativë do të vendosim më në fund ta “vrapojmë maratonën tonë të vonuar politike, po edhe diplomatike” nuk duhet ta bëjmë atë me “një frymë”, nuk duhet që gjatë vrapimit ta kthejmë mendjen dhe shikimin herë nga e majta e herë nga e djathta, e herë-herë mënjanë.
Besojmë se ky vështrim i radhës nuk meriton t’i bëhet zhurmë, po as edhe prej tij të çohet pluhur që do të verbonte sytë e lexuesit dhe do të lodhte mendjen e tyre në (mos)marrjen e mesazhit që përcjell. Nëse “kështjella e kësaj historie shoviniste” nuk do të rrënohet, atëherë të mbetet të mbyllësh gojën dhe të heshtësh, ndryshe nuk bën. Nga ana tjetër, nëse nuk pajtohesh a nuk vetëdijësohesh me këtë, atëherë nuk ke të drejtë të paragjykosh e të thuash se “më mirë se kaq nuk bëhet, ose më keq se kaq nuk bëhet!?”
MORALI I POLITIKANËVE QË NDËRROJNË PARTITË SIPAS INTERESIT PERSONAL
Nga Harry Bajraktari/
Tani kur është caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme më 8 qershor, partitë politike në Kosovë, në prag të kësaj fushate, zhvilluan një luftë të pakompromis për të sjellë sa më shumë anëtarë të rinj e të vjetër brenda tyre, në mënyrë që t’ i forcojnë pozitat për të dalë fitues në këto zgjedhje. Këtu s’ ka asgjë të keqe, sepse, sipas ligjeve të natyrës, çdo gjë ka nevojë për përtëritje, prandaj edhe partitë e shumta në Kosovë, më të shumta sesa në vendet shumëmilionshe, janë nisur furishëm drejt piramidës së pushtetit, duke u përpjekur që t’ i bindin votuesit, shpeshherë të padisponuar e të dëshpruar, se janë duke punuar për interesin e qytetarëve dhe për një shtet stabil, me një ekonomi të qëndrueshme e demokraci evropiane. Atë që kemi parë deri sot tek partië politike që kanë qenë në pushtet dhe tek ato të cilat presin ta marrin këtë, bien në sy premtimet e shumta, jo reale, shpeshherë të pabesueshme. Shumëkush e di se pjesa më e madhe e këtyre premtimeve nuk mund të gjejnë realizimin praktik. Këtë e dinë edhe vetë “kreatorët” partiakë. Hapin më të rëndësishëm që do të duhej ta bënin partitë politike në këtë kohë është krijimi i vetëdijes për shtetin. Pa këtë vetëdije dhe pa një synim të tillë nuk mund të ketë stabilitet, nuk mund të ndalën aferat korruptive, oligarkike, klanore, rajonale dhe fisnore. Nuk është problemi te Kushtetuta, apo te ligjet, por tek kuptimi i vetëdijes për zbatimin e tyre që, për fat të keq, ende s’ po mund të gjendet një rrugë e drejtë. Se partitë politike shikojnë interesat e tyre të ngushta, tregon fakti se ligji për reformën zgjedhore që u gjend disa herë në tryezë, përfundoi pa marrëveshje ngaqë një gjë që i pëlqen njërës , s’ i pëlqen tjetrës .
Ajo që më nxiti të bëj këtë shkrim është morali dhe karakteri i luhuatshëm i disa politikanëve tanë që nuk marrin parasysh parimet, programet e partive në të cilat vetë kanë aderuar në to, strategjinë e zhvillimit ekonomik, përparimin e demokracisë dhe nuk i shikojnë ato a janë të djathta, të majta apo parti të ndonjë profilili tjetër. Me rëndësi për ta është përfitimi personal. Këto ditë po ndjek situatën parazgjedhore në Kosovë dhe për mua, ta them të vërtetën, është diçka e pa shpjegueshme, ndoshta se jam mësuar me një ambient tjetër politik. Pashë disa politikanë të partive të ndryshme në Kosovë, të cilët bënin transferin në mënyrë tejet spektakulare nga një parti në tjetrën, ose më mirë të themi, u krijua një treg publik, ku ata mund të kalonin tek ato parti që u ofronin më shumë kushte: ndonjë pozitë, vend ministror, vend deputeti, apo ndonjë post tjetër. Këta politikanë, që nga përfundimi i luftës e këndej, kanë ndërruar partitë sipas interesave të tyre personal, e jo sipas asaj se çka do të mund të kontribuonin për qytetarët tanë, të cilët presin një jetë më të mirë, një vend pune ku do t’ i siguronin ekzistencën e familjes, një luftë të pakompromis kundër veprimeve jashtëligjore, një të ardhme të sigurisë sociale dhe perspektivë evropiane. Jemi dëshmitarë se disa nga këta politikanë të papërgjegjshëm, me një integritet të luhatshëm, të mos them dyfytyrësi, kanë kaluar nga një parti në tjetrën, madje disa prej tyre i kanë provuar të gjitha partitë dhe pas shumë bredhjeve, disa nga ta janë kthyer tek partia e parë, aty ku shumë kohë më parë filluan karierën, për të vazhduar të njëjtin ciklus. Politikanët e tillë të paintegritet nuk u duhen partive politike, parlamentit të Kosovës, e aq më pak shoqërisë sonë ngaqë u mungon vullneti dhe vetëdija për të kontribuar në ngritjen e shtetit. Liderët e partive duke bërë prezentimin e tyre para mediave të shumta në Kosovë, s’ harrojnë t’ u thurrin biografi të sukseseve, edhe pse atyre u kanë munguar ato, atje ku kanë qenë, përkatësisht në partinë ku ata kanë vepruar. Shpesherë nuk mjafton vetëm emri: duhet punë dhe integritet moral, stabilitet politik e njerëzor. Një numër i këtyre politikanëve transferues (shetitës) s’ ka lënë gjë të keqe pa thënë për programin, liderin dhe partinë e tjetrit, por shpejt i ka gëlltitur të gjitha këto dhe i është kthyer pikërisht aty. Këto raste i pamë tash. Kanë ndodhur edhe më parë. Çka t’ i thuhet kësaj? Si t’ u besohet këtyre njerëzve me dyfytyrësi publike?!
Politika dhe pushteti po keqpërdoret nga këta njerëz dhe nga shumë të tjerë që udhëheqin. Në politikë hyhet për të bërë diferencën, për t’ i krijuar popullit mirëqenje, lumturi dhe dinjitet, duke lënë pas shpine interesat personale, lakminë materiale, gruporet klanore etj. Kjo ende nuk po ndodh! Në partitë tona kemi shumë improvizime dhe këto rrezikojnë gjënë më thelbësore, kreativitetin, si kusht kryesor i stabilitetit dhe i qeverisjes së suksesshme. Mendoj se pa një demokraci të mirëfilltë brenda vetë partive politike, nuk mund të ketë demokraci në nivele të tjera shtetërore, sepse këtu fillon beteja.
Në këtë fushatë parazgjedhore, një gjë pozitive më ra në sy. Fjala është për aderime të njerëzve të rinj në të gjitha partitë politike, dikund më shumë e dikund më pak, nga të të cilët mund të pritet një ndryshim pozitiv në formimin e legjistraturës së ardhshme, pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Këtu bëjnë pjesë edhe emra të njohur të shoqërive civile, ku mund të inkuadrohen me sukses në politikë, në parlament, në qeveri dhe në profile të tjera shtetërore. Këta të rinj duhet të jenë prijës të zhvillimeve pozitive. Krijimi i listave për parlamentarë nga partitë politike, edhe kësaj radhe tregoi se brenda për brenda partive, veprojnë klane dhe grupe.
Në këto zgjedhje populli duhet të mendojë më shumë për të ardhshmen e tij, ku vota e shumicës të bëjë diferencën se kur Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e proceseve të tjera zhvillimore. Në të kundërtën, një pjesëmarrje e ulët në zgjedhje, nuk paraqet vullnetin e shumicës. Për këtë arsye qytetarët duhet t’ u përgjigjen masovisht kutive të votimit. Jo pastaj të kërkojnë një gjë, për të cilën nuk kanë votuar.
Secili votues, duhet të niset nga një parim që vota e tij të mos shkojë huq. Ajo çka është tejet imperative vota e tij duhet të shkojë aty ku ai e ka përcaktuar, të mos manipulohet dhe të mos tjetërsohet. Vetëm vota e pa prekur ka kuptim në demokraci. Në të kundërtën do të ketë manipulim, jo stabilitet, degradim të demokracisë dhe të ardhme të pasigurt për qytetarët e Kosovës.
Kosovës i duhet një qeveri stabile, e pa korruptuar me vizion të qartë për zhvillimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe integrimin në proceset evropiane, i duhet një parlament më dinamik, më motivues, e jo një parlament, ku disa deputetë për katër vjet në legjistraturën e kaluar nuk qenë në gjendje të thonë një fjalë të vetëm. Kjo votë është e humbur. Votat e tilla s’ duhet të përsëritën për këta deputetë.
**Autori është biznesmen dhe veprimtar i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.
- « Previous Page
- 1
- …
- 747
- 748
- 749
- 750
- 751
- …
- 865
- Next Page »