• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRITERI I STANDARDIT TONE GJUHESOR

February 26, 2014 by dgreca

Tani, standardit tonë gjuhësor, që u gatua në këtë mënyrë, i ka mbetur vetëm kriteri i dytë, i përbashkët për çdo gjuhë të njësuar, në të gjitha anët e globit: Zëvendësimi në gjuhën standarde, të fjalëve të huaja të zëvendësueshme./

Nga KOSTAQ XOXE/

Detyrimisht ky shkrim duhet të nisë me një autokritikë. Ky term nuk është shpikur nga E. Hoxha se ai, edhe në standardin gjuhësor, ka rrëshqitur në varganin e njërës nga tradhtitë më të rënda kundërkombëtare,  në bashkëpunimin e tij me mareshalin Tito, në dëm të Kosovës. Kështu, për shkak të shpërdorimit të pakufishëm të fjalës “autokritikë”, kjo fjalë shpesh është zëvendësuar me latinishten ‘mea culpa’, si kundërveprim ndaj vetë fjalës, sikur të ishte shpikje e E.H.-s! Ky zvetënim enverist i ndërhyrjes së diktatorit në standardin gjuhësor, i shtrëngoi shkencëtarët albanologë kosovarë të viheshin përpara një alternative tronditëse: Shqipja e njësuar mbi Kombin, apo e anasjellta? E.H-ja ishte i bindur se gjuhëtarët e Kosovës do të ngulmonin ashpërsisht në bindjet e tyre për vlerësimin e Komisisë Letrare. Ky institucion, me ndihmesën e personaliteteve të shquara të të gjitha trevave, u shqyrtua në shkallën më të lartë me drejtshkrimin e miratuar në Prishtinë, në vitin 1964. Një analizë tejet të thellë e shkencore u ka bërë përplasjeve për mendimin e përbashkët në dobi të standardizimit, gjuhëtari i vlerave madhore në këtë subjekt, Mehmet Elezi. Në veprën e tij “Gjuha shqipe në bunker?”, ai ka dhënë një ndihmesë të rrallë, duke ravijëzuar teorinë e ligjësimit të të dy standardeve. Ai shqyrton në mënyrë analitike mendimin shkencor të gjuhëtarëve të Kosovës, që u gjendën përpara mundimit për kapërcimin e pengesave në kufijtë e një heroizmi intelektual i cili, deri më sot,  nuk është vënë në dukje në përmasat e njëmendta” (Bunkerizimi… f. 80). Në këtë vepër flitet “për trysnitë e pushtetit serb ndaj gjuhëtarëve kosovarë si edhe për gjuhën shqipe që nuk vlerësohej sadopak në Tiranë” (Po aty). Në faqen 81, shpërfillja ndaj albanologëve kosovarë shtjellohet më gjerësisht: “Një qëndrim i tillë i Tiranës zyrtare në fushën e gjuhës, përcillte një kumt ndjellakeq. Ky qëndrim u thoshte shqiptarëve të Kosovës: – ‘Bëni ç’të doni, ju keni udhën tuaj, ne s’duam të dimë si do të veproni ju për gjuhën”. Dhe organeve kompetente të Beogradit: ‘Kosova është çështje e brendshme juaja, merruni vetë me të.’ (…) Kosova vlerësohej gjithmonë si ‘çështje e brendshme e Jugosllavisë’(81). Por kjo çështje u bë problematike  edhe nga personalitete te huaja: Akademikut britanik N. Malkolm, i kishte bërë përshtypje ndarja e shqiptarëve në dy kombe nga pikëpamja gjuhësore. Malkolmi e ndiqte udhëheqjen komuniste të Tiranës që në vitet e Luftës, kur e quante PKSH-në  “më shumë se një seksion vendor të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë: – “PKSH-ja ishte pak a shumë një parti kukull e Titos. Për E. Hoxhën kishte rëndësi vetëm pushteti i tij”. Duke u sjellë, sipas fjalëve mujshare të disa rreshtave më sipër, “bëni si të doni…” etj. Enveri ishte i bindur se albanologët e përtej kufirit verior, do të ndiqnin udhën e tyre për standardizimin gjuhësor. Një shërbim nga më të patenzonët që mund t’i bëhej armiqve shekullorë të kombit tonë: Një komb me dy gjuhë të ndryshme! Por kosovarët, të gjendur ndërmjet kudhrës dhe çekanit, bënë një akt heroik, siç thotë M. Elezi: Flijuan gjuhën, për Kombin! Një komb, një gjuhë! Nuk mund t’u ofrohej serbëve një kënaqësi neveritëse: Albanologët kosovarë atdhetarë, njëzëri kumtuan se ishin dakord (më dhimbje heroike, natyrisht), me gjuhën e njësuar, e caktuar tërësisht në mënyrë arbitrare. Nuk u morën parasysh mendimet e akademikut R. Ismajlit, as shprehja e akademikut Ali Gjadrit, që kishte pas thënë, në konsultën gjuhësore të Prishtinës (1968), pa praninë e politikanëve: ‘Njw komb, një gjuhë’. Kësaj ane, fjalët e Çabejit, të Rizës, të Xhuvanit, të Cipos, e të të tjerëve si ata, nuk ishin marrë parasysh nga Kostallarët e Shuteriqët. Selman Riza u katandis si ciceron në Berat dhe, së fundi, duhej të merrte leje për të konsultuar libra të profesionit të tij në gjuhët e huaja! E tani kemi këtë gjuhë të miratuar edhe nga kosovarët, për hir të shmangies së  standardit të Shqipërisë së tradhtuar, “një komb, dy gjuhë të ndryshme!”. Gjë që nxjerr në pah më së miri fizionominë politike të E. Hoxhës, në vasalitetin e tij për interesa vetjake, me shokun Tito, të cilit arriti t’i ofronte edhe skeptrin e të parit të vendit tonë, duke pranuar vendin e dytë, pas tij, për të arritur, – më tej, – të behej i plotfuqishëm! (A mund t’i ngrihet sërish shtatorja një njeriu të tillë, pas përmbysjes që i bëri uragani popullor, në shkurtin e 1991-shit?)
***
Tani, standardit tonë gjuhësor, që u gatua në këtë mënyrë, i ka mbetur vetëm kriteri i dytë, i përbashkët për çdo gjuhë të njësuar, në të gjitha anët e globit: Zëvendësimi në gjuhën standarde, të fjalëve të huaja të zëvendësueshme. Për hir të së vërtetës,  duhet të shënojmë, edhe në këtë rast, vlerat e jashtëzakonshme të gjuhëtarit tonë të përkushtuar, tek i cili nuk gjen në përdorim, – në veprat e tij letrare në poezi, në veprat me tregime, në romane, në publicistikë dhe në sprova, – fjalë të huaja të zëvendësueshme. Kuptohet se e kemi fjalën për M. Elezin, autorin e një fjalori të vëllimshëm, me fjalë të burimit shqip. Janë më shumë se 50.000 fjalë në këtë fjalor të madh, me tregues të qëmtimeve nga leksikografë të shquar dhe nga krahina që i kanë ruajtur fjalët shqipe, me referencat përkatëse. I kërkoj të falur këtij korifeu të gjuhës së pastër kombëtare për fjalën- bombë ‘tromokraci’. Natyrisht që është me origjinë të greqishtes së lashtë, që rrallë gjendet në fjalorë. Është një shndërrim i fjalës fillestare ‘tormokraci’ që ka kuptimin e sundimit përmes një gjendjeje ankthi, pasigurie, frike dhe paniku që shkakton kjo gjendje. Pikërisht ky ankth ishte krijuar tek gjuhëtarët tanë më me prestigj, në kohën kur duhet t’i thoshin derrit dajë. Ndaj një pjese të tyre u morën masa tepër të rënda.
Historia përsëritet; por përfundimisht triumfon e vërteta. E njëjta gjendje po kërkohet të mbretërojë në vendin tonë, kur një njeri – i dehur në narcisizmin e vet, – e ndjen veten ne kulmin e lavdisë, kur i duket vetja si në majë të Olimpit, me sekretet vetjake në çështje nga më të rëndësishmet, të cilat kanë krijuar një kundërveprim të gjithanshëm, kur njerëzit mbushën rrugët në protestë, në rastin kur askush nuk dinte se ç’gjellë kishte gatuar E. Rama, për zbërthimin e armëve kimike të Asadit në vendin tonë. Demonstrata u bë e rrezikshme, se askush nuk dinte të përligjte shefin e fshehtësive, se ky na e paska zët të konsultohet me kolegët e vet, në parlament e në qeveri. Pastaj nuk mbetej vetëm se fjalët e pabesueshme për të zbukuruar të shëmtuarën. Së dyti, demonstrata e 20 shkurtit ishte e papritur për suksesin e saj të plotë në pjesëmarrje, pavarësisht nga masat për ta bllokuar këtë manifestim paqësor me prurjet nga Korça nga Kavaja, nga Shkodra dhe nga vende të tjera vetëm me vetura vetjake. U mposht frika. Dhe, së treti, po i tremben së premtes, kur 20.000 taksistë u dashkan të udhëtojnë një rrugë plot e tjetra bosh, që shoferët e furgonëve të falimentojnë dhe papunësia të shtohet. Dhe të 300.000 vendet e punës, të premtuara  po qartësohen përherë e më tepër, se ata që na ngopën me erë trëndafili do të katandisen si spitalet pa pare dhe si ilaçet xhaba!
Ja pse përdorëm një fjalë të huaj, të rëndë, madje, që përfaqëson më së miri, gjendjet e pasigurisë që krijoi ky shtet i mashtrimit. Besueshmëria po afron kufij të frikshëm, për gllabëruesit e votave në mënyrat që po bëhen muhabeti i ditës… Po shkojnë në gjurmët e Enverit!(Marrë nga Gazeta 55. Titulli i rdeaksisë)

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjuha standarde, Kostaq xoxa

ÇFARË PO BËHET KËSHTU ME TY, MOJ NËNË SHQIPËRI?

February 26, 2014 by dgreca

Nga  Rasim Bebo/ Çikago /

Është e vёrtetë, se shtangia e trurit, plogështia, shpërndarja dhe bllokimi i potencialeve mendore nga elitat drejtuese komuniste, që e kanë kthyer Shqipërinë në çiflig të tyre, e ka origjinën tek “PRONA ”. Prona e rrëmbyer pronarëve të vërtetë është “Baza” e të gjitha rrjedhojave negative të vendin tonë. Qysh nga sekuestrimet e kulakëve, të burgosurve, të pushkatuarve, të internuarve, në  një lufte klasash të pamëshirshme deri në ditët tona. Prona vijoi t’u mohohet pronarëve të ligjshëm me “Strategjinë në ekonomi” të Ramiz Alisë, sipas së cilës: “Kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm, në një vend socialist të jemi ne dhe njerëzit tanë. Që të jemi të sigurt, se e ardhmja do të jetë e jona, kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tonë. Asnjëherë nuk do t’u japim pronat e tyre. Nëse lind nevoja, do të kemi mbështetjen e aleatëve te jashtëm ideologjik në pushtet… me ta na bashkon kauza  jonë e përbashkët, që është pushteti i komunistëve”.  (Gazete “Illyria”, 19-11-2004).

Kështu, pasardhësit e Ramiz Alisë në pushtet, më kryesorët ata të PS dhe PD, u kanë vendosur rrethin e hekurt në kokë shqiptarëve, për të stepur e ngurtësuar trurin dhe në këtë rast nuk është, thjesht një dru i shtrembër në barrë ose në stivën e druve, por është e gjithë stiva. Pra, nuk kemi një individ në udhë të shtrembër, por kemi gjithë strukturën shtetërore, me institucionet dhe Akademinë e Shkencave, që drejtohet nga një kupolë komuniste me Panterën e Zezë Janullatos. Po të ndiejnë pak rrezikun, ata bashkohen me serbin, ashtu si janë bashkuar me grekun. Qeveritë  hipin e zbresin sipas diktatit të guvernator Janullatosit dhe “strategjisë  së Ramiz Alisë”, që është një e tëra. Kështu mendoj unë, Z. Vedat Shehu, është mëse i drejtë citati që sjell Dr. Jahjai: “Dëmin më të madh në ngathtësinë e shumicës së kombeve, e luan klasa e tij politike”.Janë pinjollët e ish-elitës komuniste, ata që udhëheqin Shqipërinë këto 20-vitet e fundit.

Çfarë po bëhet sot në vendin tonë?… Po zhvillohet një diskriminim dhe deshqiptarizim nën mjekrën e Priftit Janullatos . Bie fjala kur shteti ynë nuk  aplikon reciprocitetin me fqinjët tonë ndodh edhe kështu:

Pala greke bllokon 4 orë në doganë drejtoreshën e ISSH-së.

Siç njofton shtypi, policia doganore greke në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ka bllokuar sot kalimin e drejtoreshës së Institutit të Sigurimeve  shoqërore Vjollca Braho. Zonja Braho është dhe anëtare e kryesisë së PDIU-së… Ajo thotë: kam 4 orë që nuk më lejojnë të kaloj në krahun tjetër. Ishim 15 veta që prisnim, 14 kaluan dhe iu dha vula për të hyrë në shtetin grek, kurse mua nuk më lejojnë. Ju kërkova arsyet përse nuk me lejojnë, dhe mu përgjigjën se pa urdhër nga Athina nuk më lejojnë të hyj në shtetin grek. “Unë jam me origjinë Çame.” Ka deklaruar zonja Braho në një lidhje telefonike me Neës 24. Më tej ajo sqaron: “Ky nuk është rasti i pare, si anëtare të PDIU-së pengohem të hyj në shtetin Helen vetëm se jam me origjinë Çame.” Vetëm pas ndërhyrjes së konsullit shqiptar Riza Poda, zonja Braho është lejuar të kalojë në territorin grek.  (GRID, AL Lajme, 28- 11- 2013).

Betonizimi i pushtetit pushton kalane e Krujes

Betonimi vazhdon të pushtojë edhe kalatë dhe objekte të tjera më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore  e historike, duke mos ndaluar madje as para portave të kalasë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut  në Krujë, ku historia na mëson se janë ndaluar taborët e ushtrisë pushtuese osmane të dy Sulltanëve më të tmerrshëm të Perandorisë Otomane. Në gusht të këtij viti në hyrje të portës së kalasë ka nisur të ngrihet një ndërtesë e madhe prej betoni. Ndërtuesit, për t’ia bërë të qartë qytetarëve të Krujës, në hyrje të punimeve, kanë vendosur një tabelë ku tregojnë se Bashkia e këtij qyteti është ajo që ka dhënë leje për ngritjen e një ndërtese, e cila do të shërbejë për duqane dhe apartamente banimi, edhe pse  për kalanë dhe muzeun e Krujës është përgjegjës Ministria e Turizmit, kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë. ( Sheradin Berisha, publikuar  9-12-2012).

Shëmbet natën Muzeu Etnografik, godina e mbrojtur nga shteti si monument kulture në Vlorë.              Rrezohet një pjesë e ndërtesës së shpallur monument kulture, brenda së cilës ndodhet edhe Muzeu Etnografik i Vlorës. Pak net më parë  dy katet e godinës ranë, duke rrezikuar edhe jetën  e banorëve të saj. Veç muzeut, në ndërtesën monument kulture, jetonin  për dekada disa familje vlonjate. Ata kanë ndier tronditje gjatë natës dhe pasi kanë vënë re edhe krisjet e mureve, kanë arritur të dalin në kohë nga shtëpitë e tyre. Muri i shembur ka arritur deri te pjesa ndarëse e Muzeut Etnografik. (Vlorë 13 maj 2013 marre nga internet).

Në çdo 17 shkurt, qarqe të caktuara dhe segmente të politikës greke, përkujtojnë vitin 1914, kur ajo pjesë që ata e quajnë “Epiri i Veriut”, deklaroi autonominë e vet dhe krijoi një qeveri në Gjirokastër me kryeministër Jorgo Zografo. Protokolli i Korfuzit e njohu këtë tokë, si njësi autonome nën sovranitetin e Shqipërisë, por autonomia u anulua nga konferenca e ambasadorëve në vitin 1921. (athinen sthash. 475 Jt3 cx. dpuf).

Për thirrjet antishqiptare në Himarë, të rinjtë i bëjnë apel Venizelosit: Të kërkojë falje. Menjëherë pas ngjarjes së shënuar në Himarë dhe thirrjeve antishqiptare, ka reaguar forumi “Djemtë e Gjirokastrës” të cilët të mbështetur edhe nga banorë të Hormovës në Tepelenë, kanë qenë të pranishëm në vendin ku në vitin 1914 u ekzekutuan 214 burra nga ky fshat. Në mënyrë simbolike ata kanë përzënë një tufë me dele, të cilat mbanin mbi shpinë flamurin e Vorio Epirit. Ata kanë ndërruar pllakatin ekzistues në memorialin që përkujtonte masakrën e vitit 1914 në Hormovë, me një pllakat të ri, ku përcaktohej qartë, sipas tyre, autori që shkruan për masakrën. Sheh Hysni Hormova, tha se ky korrigjim si dhe përgatitjet për të përkujtuar 100 vjetorin e kësaj masakre, nuk bëhen në emër të urrejtjes por të memories historike, pa të cilën vdesin edhe vetë kombet. Albi Koçi, në emër të Forumit të “Djemve të Gjirokastrës dhe Tepelenës”, i ka kërkuar Ministrit të Jashtëm grek, Venizellos, të kërkojnë ndjesë publike dhe të distancohet zyrtarisht prej qarqeve që nxisin urrejtje mes popujve.

Politika e Tiranës prodhon grindje mes vetes, asnjë koment për pjesëmarrjen e deputetëve grekë në festimet e 100 vjetorit të fantazmës së Vorio Epirit. Duket se politika shqiptare është indiferente, ose servile ndaj Athinës, që deklaron se nuk ekziston çështja e Voriepirit, ndërkohë që “dielli me shoshë” nuk mund të fshihet.

“Skënderbeu me bisht”…

Pronari i tokës ku u gjet statuja thotë: E hodhën nga një kamion Tirane. Bëhet publike edhe fotoja sajuese e dyshimtë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e cila u gjet mbrëmjen e djeshme (19-2-2014) në anë të rrugës automobilistike, në zonën e njohur si Qafë-Kashar në Tiranë. Fotoja e statujës tre metërshe është publikuar, në mjetet sociale, nga arkitekti, Artan Shkreli me diçiturën “Shaka, surrealizëm, apo përdhosje?”… Kjo, pasi në foto, Heroi ynë Kombëtar, është me bisht. Vetë Shkreli në një prononcim për “GSH”, tha se, statuja e Heroit me shpatë e përkrenare ishte e përçudnuar, pjesët intime të tij ishin të deformuara dhe në fund të kurrizit mbante një bisht.

Si pas tij, shtatorja ishte gjysmë cjap e gjysmë njeri, madje kishte edhe bisht, Shkreli shtoi se, organet gjenitale të skulpturës ishin shumë të mëdha. Tek këmbët e shtatores shkruhej  “Skënderbeg”.

Gazetari Spartak Kola, raportoi nga vendngjarja, se statuja i përket figurës së  Skënderbeut dhe mendohet të jetë shkulur nga diku e më pas është hedhur në rrugë. Por mbrëmë policia nuk ka lejuar mediat të afrohen në vendin e ngjarjes, ndërkohë e ka zhvendosur statujën nga rruga.

Në më pak se 24 orë, nga gjetja e statujës, policia ka identifikuar pronarin e tokës ku u gjet objekti. Ruhi Valisi është shtetasi,  në pronën e të cilit u gjet statuja e deformuar, e Heroit Kombëtar, Skënderbeg. Valisi aktualisht akuzohet për përdhosje të figurës së Heroit Kombëtar.  Ndërkaq hetimet e policisë  janë shtrirë për gjetjen e skulptorit që ka krijuar  statujën e Skënderbeut me bisht. I pyetur nga policia, pronari i tokës Ruhi Valisi, ku u gjet statuja e Skënderbeut, sqaron se statuja u hodh nga një kamion që vinte nga Dogana e Tiranës. “Sapo e pashë bustin e deformuar, njoftova policinë. Ndalova madje njerëzit që ta fotografonin bustin e deformuar”. Valisi thekson  se ka informuar në kohë policinë dhe për këtë duhet të falënderohet dhe jo të shoqërohet dhe të akuzohet”  (Ballkan ëeb 19 shkurt 2014).

Të mendosh, e jo të bësh diçka të tillë kundër një heroi Botëror, është një akt tepër i rëndë. Skënderbeu është i vetmi hero, mendoj, që ka më shumë buste në Botë, si askush tjetër, që vetëm ta shikosh, të mallëngjen, kurse armikun thjeshtë e tmerron. Faleminderit, i falem GJERGJIT të Pavdekshëm.

Janullatosi, si përfaqësues i boshtit serbo-ruso-grek drejton diskriminimin  e kombit shqiptar dhe ne heshtim. Deri kur kështu vallë?…

Barbarët  “Nekropolitika është një karakteristikë  e njohur e së majtës historike shqiptare dhe hera herës shfaqet në formën më barbare të saj. Kështu pak dite pas instalimit të pushtetit të së majtës,  persona ende të paidentifikuar publikisht, kanë dhunuar dhe shkatërruar varret e të vrarëve nga komunistët  në Mallakastër.  Varrezat e nacionalistëve të pushkatuar, u ndërtuan pas rënies së komunizmit, si varreza të viktimave të diktaturës dhe në to prehen një pjesë e pushkatuarve me dhe pa gjyq nga komunistët. Janë vetëm ata që u bë e mundur t’u gjendeshin eshtrat, pasi një pjesë e madhe e tyre ende nuk dihet ku i kanë.Të rënët në këto varreza janë, figura të njohura patriotësh, një pjesë e firmëtarëve kontribues të shpalljes së pavarësisë më 1912, luftës së Vlorës më 1920, të Kongresit të Lushnjës, e në të tjera ngjarje me rëndësi të historisë tonë kombëtare. Por midis tyre ka edhe 15 fëmijë, që janë vrarë, se i kishin prindërit kundërtshtarë politik të komunizmit. Varret e tyre dëshmojnë terrorin e egër që mbizotëroi në këtë vend për 50 vjet me radhë. Shkatërrime të varreve të viktimave të terrorit komunist… ka me qindra raste, po përmendim, hedhjen në erë të varrit Nënës Mbretëreshë në Tiranë në vitin 1945. Shkatërrimi i varrit dhe hedhja në lumin Osum të patriotit firmëtarit të pavarësisë,  Iljaz Bej Vrionit në vitin 1946 në Berat. Shkatërrimin  e varrit dhe hedhjen e eshtrave në lumë të Patër Gjergj Fishtës në Shkodër. Në momentin e parë (Pas 23 qershorit 2013 shen. im) që u ndjenë në pushtet  “Barbarët” u rikthyen në origjinë dhe gjëja e parë që bënë, ishte dhunimi dhe shkatërrimi i varreve të kundërshtarëve politik, historik. Urrejtja ndaj tyre, nuk duket se është shuar  edhe pse i vranë, i burgosën e persekutuan për 50 vjet ata dhe familjet e tyre. Në fakt, dhunimi i varreve apo kufomave, nuk ka qenë një zakon shqiptari”.  (Nebil Çika, ILLYRIA 3 tetor 2013, f. 13).

Kisha Ortodokse, në Tiranë predikon greqisht, kurse te arbëreshët shqip.

       Tiranë – Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Gerasimos Janullatos, po e greqizon kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Kjo duket tek fotoja e automjetit të kishës ortodokse shqiptare, e cila mban mbishkrimin në gjuhën greke, si gjuhë të parë zyrtare, dhe të dytë gjuhën shqipe. Por edhe në gjuhën shqipe, fjala shqipe “ORTODOKSE”  është greqizuar në “ORTHODHOKSE”:
Siç  shihet, kisha jonë e themeluar nga Fan Noli tashmë është gjunjëzuar në Shqipëri, kjo falë  tolerancës së politikanëve shqiptar sahanlëpirës. Në gazetën “Bota sot” është botuar një shkrim, ku denoncohet mbajtja e meshës në Tiranë në gjuhën greke dhe jo në gjuhën shqipe, ku ndër të tjera thuhet: “Sot në zemër të Tiranës, në ditën e Krishtlindjeve, kryepeshkopi grek Jonullatos, mbajti meshën në gjuhën greke, ku të pranishëm ishin edhe zyrtarë të lartë mes tyre dhe kryeministri Rama. Të gjitha mediat e anashkaluan përdorimin e një gjuhë tjetër gjatë meshës, gjithashtu sot, ortodoksët shqiptarë treguan dhe një herë se parapëlqejnë nënshtrimin dhe heshtjen, kur Jonullatos mban meshën në gjuhën greke në zemër të Tiranës!”.(Shqiptaria. Com  26-12-213).

           Anastas Janullatosi valëvit flamurin e Vorio-Epirit                                                     Tiranë, 29 nëntor – Zbardhen fakte që komprometojnë rëndë pozitat e kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili duket se fshihet pas shumë aktivitetesh antishqiptare në territorin tonë, me qëllim aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Historiani Arben Llalla, dëshmon me fotografi praninë e Anastas Janullatosit në aktivitete antishqiptare, ku është valëvitur flamuri i aneksimit të Jugut të Shqipërisë, ndërsa janë bërë plane për Vorio-Epirin. Sot do të sjellim fotografitë, ku shihen qartë ngritja e flamurit për aneksimin e Jugut të Shqipërisë (Autonomisë së Vorio-Epriti) në Derviçan më 15 Gusht 2013, në festën e Zonjës së Madhe (Panagias) ku i pranishëm ishte edhe kryepeshkopi i Shqipërisë, z. Anastasios. Besoj se hirësia e tij Anastasios, nuk do të mohojë pjesëmarrjen e tij gjatë shpalosjeve të simboleve antishqiptare, që provokojnë ndjenjat kombëtare të shqiptarëve dhe integritetin e Republikës së Shqipërisë. Më 15 gusht 2013 në sheshin e fshatit Derviçan, gjatë festës fetare, dhjetëra të rinj kishin veshur bluza me simbole të ushtrisë së andartëve grekë, që kanë kryer masakra mbi popullsinë shqiptare në vitin 1914 duke shpallur shkëputjen e Jugut të Shqipërisë dhe duke krijuar një qeveri fantazmë me ministra të ardhur nga Athina”, shkruan Arben Llalla.
Toleranca e shtetit shqiptar, ka bërë që në fshatrat ku jeton minoriteti grek, të zhvillohen aktivitete antishqiptare që bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe nëse ne reagojmë, grekët do na ngrenë akuza pa argumenta si nacionalistë. Kjo është metodë klasike për t’u kyçur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën. Siç duket, afrimi i 100 vjetorit të shpalljes së autonomisë së Vorio Epirit (17 Shkurt 1914 – 2014), ka ndezur zemrat dhe shpirtrat e disa minoritarëve grekë, që nuk duan fqinjësinë mirë të dy vendeve, por acarimin e tyre duke zhvilluar aktivitete të ndryshme antishqiptare në territorin e Shqipërisë.

Nuk është hera e parë që grekët e sotëm i çojnë të vdekurit e mëdhenj prej varrit që t’i shfrytëzojnë për nevojat e veta, duke i treguar kështu në versione në të cilat nuk kanë qenë kurrë. Sëmundja greke për një aneksim të Jugut të Shqipërisë, për një autonomi politike, nuk janë ndjenjat, anë të jashtme të tyre. Ato i kanë rrënjët në vetëdije dhe në nënvetëdije, në mentalitet, në dëshira e pasione, ku të shprehura, ku të pashprehura, të realizueshme e të parealizueshme, ato vijnë prej thellësive të historisë për të dalë në sipërfaqe në momente të caktuara.
Në një kohë, kur Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, artikulonte mesazhe për fqinjësinë e mirë në Tiranë, kisha greke organizonte aktivitete për fantazmën e Vorio-Epirit. Më tre nëntor, kisha greke ka organizuar në Lamia, një aktivitet për aneksimin e Jugut të Shqipërisë, për ta bërë pjesë të Greqisë, siç bënë me trojet shqiptare deri në Prevezë, pas konferencës famëkeqe të Londrës në vitin 1913. Duke se të gjitha deklaratat dhe përpjekjet e Athinës, për fqinjësi të mirë, janë thjeshtë një maskë, pas të cilit fshihen qëllimet e artikuluara qartë nga neonazistët e “Agimit të Artë”. Aktiviteti është fotografuar dhe në foto duket qartë të rinj grekë, që tundin simbolet greke dhe bëjnë plane për Vorio Epirin. Ky aktivitet është organizuar nga kisha greke, e cila shpeshherë ka ndërhyrë në punët politike.

Për gjithçka ka ndodhur kur në Shqipëri, kishte zbarkuar presidenti grek, për t’i dhënë një zgjidhje ngërçit të krijuar mes Shqipërisë dhe Greqisë, për probleme të kaluara, por edhe për probleme të reja, të krijuara kryesisht nga shteti grek. Ndërkaq, aktivitete të tilla për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, janë bërë të zakonshme në Greqi. Aktivitete të tilla janë zhvilluar edhe në Shqipëri, ku kanë marrë pjesë krerët e minoritetit grek si dhe përfaqësues të lartë të shovinizmit grek. Për përmendoret e ushtarëve grekë, historiani dhe njohësi i mirë i çështjeve greko-shqiptare, Arben Llalla, ka reaguar edhe për vendosjen e disa përmendoreve të andartëve grekë në territoret shqiptare, të cilët kanë luftuar dhe luftojnë për aneksimin e Jugut të Shqipërisë.
Por përmendore të tilla ka në çdo fshat, ku banon minoriteti grek dhe strukturat shtetërore shqiptare nuk kanë fare qasje në këto fshatra, bile gjuha shqipe nuk është zyrtare dhe anashkalohet. “Është e vërtetë se më 15 Gusht 2013, sheshi qendror i fshati Sopik në Gjirokastër, u pagëzua me emrin e Mihal Zerva”. Mihal Zerva ka lindur në Janinë, ai është njëri nga aktivistët e flaktë të lobit grek në SHBA që promovojnë greqizmin e jugut të Shqipërisë. Ai ka qenë disa vite kryetar i Federatës së Epiriotasve në SHBA dhe sot është kryetar i Fondacionit grek në SHBA. Është financuesi i aktiviteteve të ndryshme në aspektin propagandistik për aneksimin e Jugut të Shqipërisë .

Disa mendime për Janullatosin nga trutharët, tradhëtarë:

Këto dite u kristalizua një solidaritet i të gjithë diasporës shqiptare rreth VATRES në SHBA, në një protestë kundër dekorimit të grekut Janollatos,  që është një tumor në trupin e kombit tone dhe përgatitet  gati operacion për ta hequr. Në prag te 100 vjetorit te masakrave greke në vendin tonë të viteve 1912, 1913, 1914, gjatë të cilëve dogji mbi 300 shtëpi , vrau dhe theri e përdhunoi mijëra vetë, kurse ne pragun e Protokollit të Korfuzit te vdekur, ka lëshuar disa tradhëtarë shqiptarë, si K.Kapinova, P.Tedeshini, A.Bergamo etj, që vjellin vrer kundër shqiptareve dhe përçarjes fetare, duke ngritur akuza të një leksiku shumë të ulët. Ata thonë: Nuk ka punë njeri me Kryepeshkopin tonë veç nesh orthodhokësve. Mos guxoni më të shani Kryepeshkopin tonë të dashur. Ai është dërguar në Shqipëri nga vetë Jezu Krishti. Në fakt shoh se ata që kërkojnë heqjen e tij, kanë dialekt të theksuar gegë, bile kosovar, aq sa me zor i marr vesh se ç’thonë. Po ju them edhe diçka. Mos provokoni me durimin tonë sepse edhe ai ka fund. Edhe diçka, Orthodhoksët nuk vrasin për fenë e tyre por vdesin për fe. Duhet ta kenë të qarte njëherë e mirë ata që e shajnë dhe na kërcënojnë këtu. Do ta hiqni Kryepeshkopin kur të kaloni mbi kufomat tona. Ne do ta mbrojmë më jetën tonë Shënjtin tonë të Madh.

Zonja Keze Kozeta Zylo 9-2-2014, “Tribuna Shqiptare” shprehet: Më duhet t’ju kujtoj këtyre zotërinjve në lidhje me besimet fetare të shqiptarëve thënien e Nolit se: “Njeriu mund të zgjedhë cilëndo fe që ka trashëguar prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë të tijën, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej tradhëtari”.” …Kjo lloj propagande çon ujë vetëm në mullirin grek, dhe aspak nuk i përket botës demokratike, ku po jetojmë dhe punojmë plot dinjitet. Ndërsa të betuarit e Janullatosit ngrihen dhe e mbrojnë atë me jetën e tyre në tokën tonë, mendoni se çfarë mund të ndodhë me grekërit po të ishte një shqiptar jashtë ligjit në krye të tyre në Greqi? (ku kjo s’mund të ndodhë kurrë)

Tiranë, 31 dhjetor , Kryepeshkopi Anastas: “Nuk trembem nga kërcënimet”. Kryepeshkopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë,  ka thënë në një intervistë për “Ethniko Kirika”, një gazetë e diasporës greke në SHBA, shprehet se nuk ka frikë nga kërcënimet që vijnë nga disa grupe ekstremiste në Shqipëri.
“Nuk më çudisin sulmet, që vijnë nga një grup i vogël, një formacion i ri politik me program nacionalist, që çdo gjë e sheh nga perspektiva e tij dhe nuk pasqyrojnë opinionin e përgjithshëm në Shqipëri”, shprehet Anastas, transmeton në BE.
Sipas tij, sulmet filluan sapo Kisha Ortodokse kundërshtoi rezultatet e Censusit. “Censusi ishte një surprizë për të gjithë dhe jo vetëm për ortodoksët. Ne analizuam këto të dhëna dhe provuam se ky regjistrim nuk jep informacion të saktë në lidhje me fenë në Shqipëri. Pasi lëshuam  këtë deklaratë, morëm kërcënimet nga Aleanca Kuqezi. Natyrisht disa njerëzve nuk iu pëlqen zëri i së vërtetës, sepse ata dëshirojnë të krijojnë konfuzion të tillë”, shprehet kryepeshkopi i Shqipërisë. Ai theksoi se “ka edhe të tjerë pas Aleancës Kuqezi që kujdesen për këtë situatë”. Pyetjes, nëse ka ndonjë reagim të Qeverisë së Shqipërisë për deklaratën e Kishës Ortodokse mbi regjistrimin, Anastas iu përgjigj: “Jo në këtë kohë” dhe shtoi: “Kam përshtypjen, megjithatë, se ngadalë do të kuptojnë se kjo deklaratë është shumë serioze, është një analizë e së vërtetës dhe unë mendoj se do ta marrin seriozisht, ata dhe të tjerët që janë të interesuar.  Censusi  ishte jo vetëm një manipulim dhe një mashtrim, por u organizua në mënyrë të tillë që të dilte ky rezultat. E themi qartë se për ne është krejtësisht i pavlefshëm. Kjo metodë jo shkencore e ndjekur në inventar, ka krijuar një shqetësim të përgjithshëm”, shtoi kleriku i lartë.
Faktin e evidentuar nga gazetari, që pas 20 viteve punë dhe rindërtimit rrënjësor të Kishës, merr kërcënime, Anastas e komentoi duke thënë se “Kjo është shumë e thjeshtë. Jo shumë janë të kënaqur me rritjen e madhe dhe të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, shumë prej tyre nuk do të donin që të ishte kështu dhe përpiqen të thonë se nuk është kështu, por e vërteta nuk mund të fshihet”. Lidhur me kërcënimet dhe kërkesat për t’u larguar nga Shqipëria, Anastas tha se nuk ka aspak frikë dhe u shpreh se “shpesh njerëzit bëjnë “të fortin”, kur nuk mund të bëjnë diçka kuptimplotë”. I pyetur nëse kërkoi të takojë kryeministri ne Shqipërisë, Anastas u përgjigj “jo, unë nuk mendoj se ne duhet të shkojmë në këtë linjë. Çfarë themi, e themi në publik, e themi në gjuhën shqipe, e përkthejmë në gjuhën angleze dhe do t’ua dërgojmë gjithë organizatave”.
Anastasi, kujtoi ditën e Krishtlindjes, kur ai u vizitua nga krerët më të lartë të shtetit. “Për të parë paradoksin që ekziston këtu, po ju them se disa ditë më parë në Krishtlindje na vizitoi Kryeministri shqiptar, i cili vlerësoi kontributin e kryepeshkopit të Shqipërisë në përgjithësi, na vizitoi kryetarja e Parlamentit gjithë solemnitet. Patëm një darkë me Presidentin e Republikës dhe gjithë drejtuesit fetarë në vend, sikur gjërat po rrjedhin normalisht, sikur nuk ekziston as regjistrimi dhe as zëri i nacionalizmit ekstrem në vend”.
Po çfarë do të ndodhë në Kishën Ortodokse shqiptare “pas Kryepeshkopit Anastas”?. Kryepeshkopi tha se “ne do të vazhdojmë rrugën e Kishës me të gjitha kapacitet e që ajo ka. Aktualisht janë peshkopët shtetas shqiptarë që studiojnë në Akademinë Teologjike, që kryejnë studimet e tyre në Greqi dhe unë këmbëngul që të marrin dhe Master, dhe janë një grup shumë i rëndësishëm”.

Kodrasadikit,  02.01.2013  ora 21:31

Ky pseudo prift duhet larguar sa ma parë që është e mundur, sepse ky ka për qellim shkombëtarizimin e popullit shqiptar. Si ky, si shteti grek nuk pranojnë se në Greqi shqiptaret dhe arvanitasit s’kanë asnjë të drejtë, qoftë kombëtare, qoftë fetare. Ky shtet është shteti ma radikal, ku te drejtat e pakicave, posaçërisht të shqiptarëve shkelen tmerrësisht, paramendoni si emigrantëve ju ndërrohet emri, kur ata shkojnë për punë shtetin grekë, kjo nuk ndodh askund në botë, ose s’kam njohuri , por nga kjo del se grekët janë shkelësit ma të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Europën e sotshme moderne.

Por nuk është vetëm sheshi i Sopikut me përmendore të grekëve, që punojnë dhe luftojnë për aneksimin e Jugut të Shqipërisë”, ka deklaruar Lalla. Ai ka shtuar se në shumë fshatra shqiptare, ku jeton minoriteti grek, janë ngritur përmendore për figurat kombëtare greke, të cilët kanë masakruar popullsinë shqiptare. KOHA net 29-11-2013 – 11:37).

Rasim Bebo  Addison  Çikago shkurt  2014

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: cfare po beher, me Ty, Nene shqiperi, rasim bebo

Të priftë e mbara Ty dhe “Rilindjen” Z. KRYEMINISTËR!/

February 25, 2014 by dgreca

PO ME ATSH-në ÇFARË PATE Z. KRYEMINISTËR?/

Nga Telnis Skuqi/

GJIROKASTËR – Nuk të kam asnjë borxh unë dhe familja ime të përjetonim një traume psikologjike qysh prej ditës së djeshme.
Besoja se “Rilindja” do të sillte stabilitet, pas një tranzicioni 24 vjeçar.
Ende pa nisur mirë punën “Rilindja”, ti Kryeministër nise të hidhje valle me fatin e shqiptarëve.
Na premtove 300 mijë vende punë përpara 23 qershorit, sot numri i të papunëve është dyfishuar fal kontributit tënd.
Reagimi im nuk është inacor, për shkak se vendi im i punës u “çmontua” fillimjavën e fundit të shkurtit të këtij viti.
Si taksapagues i rregullt i këtij vendi, ti më poshtërove. Jam ndjer i turpëruar përpara dy vajzave të mia, afro 3 e 5 vjeçe. Ato nuk patën mundësi sot të gëzonin fëmijërinë e tyre, pasi kryefamiljari, një rrogëtar shteti, u prek nga “Reforma e Rilindjes”.
Lotët e tyre kanë qenë të sinqerta, më të sinqerta se premtimi yt.
Për herë të parë në jetën time zemra më ka pikëlluar. As shumë më janë dhembshur sa për pak harrova fëmijërinë time.
Në moshën e fëmijëve të mi, unë nuk pata në krah ngrohtësinë e prindërve të mi. Ata më braktisën qysh në ditën e parë të jetës, 39 vite më parë. Ime mëmë më shkatërroj fëmijërinë, siç ti shkatërrove sot fëmijët e mi.
U linda në burgun e Kuçovës dhe ende pa marrë frymë mbërrita “pako postal” në befotrofin e Durrësit.
Në moshën 3 vjeçare më “paketojnë” në Vlorë dhe pas tre vitesh përfundova në Shtëpinë e Fëmijës Sarandë.
“Rastësisht” ku isha vetëm 13 vjeç, në vitin 1989, edukatoret e institucionit social në këtë qytetin bregdetar më hoqën qafe dhe përfundova me vendim të formës së prerë, me nenin 55 të Kodit Penal, në shkollën e riedukimit në Lezhë ku qëndrova vetëm katër muaj. Më zuri amistia e atëhershme politike.
Gjatë tranzicionit politik u gjeta në Durrës dhe përfundova me sukses 2 e 4 vjeçaren profesionale.
Isha 19 vjeç, një i vetmi mes 19 jetimëve që jetonin në Shkozet të Durrësit, ku unë vendosa të mbyll një faqe të errët të jetës sime dhe të hap një tjetër.
I kisha të gjitha mundësitë të emigroja. Askënd nuk kisha mbi kokë. Vetë zot, vetë shkop. Por jo. Kisha të tjera plane në kokën time, pasi besoja se një ditë Shqipëria do të ishte vend aktraktivë.
Në jetën time, vetëm njëherë i kam rënë në qafë shtetit tim. E dija shumë mirë se vendi im nuk kishte fuqi të më strehonte apo të më siguronte punë, por aman një të drejtë studimi në vitin 1996 ishte e plotësueshme.
Fale aftësive të mia personale, kurrë në jetën time nuk kam vjedhur, vrarë apo grabitur të tjerët, siç ndodh tashmë në Shqipëri.
Gjatë studimeve në Universitetin e Gjirokastrës, u njoha me gazetarin Engjëllush Serjani, njeriu që më ndryshoj totalisht jetën.
Si gjahtar i vërtetë, Serjani më piketoj si e ardhmja e gazetarisë, për shkak të disa cilësive.
Sot ai ndihet krenar. Nuk e turpërova besimin e tij. Si shërblim i solla Serjani dhe Gjirokastrës dy çmime të rëndësishme gazetarie, njëra kombëtare dhe tjetri ndërkombëtare.
Me ATSH-në u lidha në një ditë të vështirë. Ishte 6 maj 2006. Dhëmblani, fshati malor rreth 20 km larg Tepelenës, u tronditë nga një shpërthim. Unë udhëtova si skifter drejt gjëmës. Fatkeqësisht, katër ushtarakë humbën jetën. Atë ditë publiku kërkonte informacion, ndërsa përtej celularit tim, drejtori i atëhershëm i informacionit, Edmond Laci, hidhte në kompjuter raportet e mia, herë të shkurta, herë të gjata.
Qysh prej asaj dite deri më 24 shkurt të këtij viti, jeta ime ishte e lidhur ngushtë me të vetmin agjenci zyrtare të lajmeve.
ATSH-ja ka paguar qimet e kokës për të më bërë reporter, madje më mësoj se si ta shkrepja aparati fotografik.
Tashmë dikush pret që unë të flas keq për institucionin e ATSH-ës. Harrojeni, z. Kryeministër, kurrë nuk do ta bëj një gjë të tillë, pasi është shtëpia ime, u rrita, u edukova, u arsimova, si dhe u bëra baba me këtë profesion.
Prej 24 orësh unë i kam ndërprerë marrëdhënien me ATSH-në, pavarësisht “ngrohtësisë” 3-mujore në formë dëmshpërblimi.
Z. Kryeministër, ti më tradhëtove, më shite si plackë lufte dhe më le mes katër rrugëve, ashtu si çifuti në shkretërirë.
Më 23 qershor 2013, shqiptarët të zgjodhën të qeverisës me njerëz të aftë, jo me militantë partiak.
Kryeministër të bëmë që të na mbrosh, jo të na drejtosh jetët tona.
Kurrë nuk e besoja që rilindja e kishte majën e lapsit të trashë. Brenda një ditë, afro 30 gazetarë të ATSH-ës u fshin si të ishin miza me motivacion “rikonstruktim organik”.
Si kryeministër ti ke fuqi të cënosh përkohësisht buxhetin tim, por kalemin kurrë nuk pa merr nga dora.
Të priftë e mbara Ti dhe “Rilindja”!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ATSH, Rilindja, Telnis Skuqi

Shqiperi-Serbi- Thjesht, futboll

February 25, 2014 by dgreca

Nga ILIR LEVONJA/ Florida/

Më 14 tetor 2014 Shqipëria do të ndeshet në futboll me Serbinë. Kjo në kuadrin e eliminatoreve të Europianit 2016, në Francë. Qysh prej shortit, të dielën më 23/2/2014, kjo ndeshje futbolli është bërë temë e ditës. Ka shumë ethe, shumë strategji, shumë paraimagjinata, aq sa nuk shfleton dot një web këtej dhe andej Ballkanit. Megjithëse, e thënë thjesht, është një ndeshje futbolli. Të paktën nga njëra anë ka sfumuar finesën sharlatane të politikanëve. Megjithëse është pikërisht kjo e fundit që ka çuar në një lloj imazhi të frikshëm midis qytetarit shqiptar dhe atij serb. Pra, politika. Sidomos që nga shpërbërja e Perandorisë Otomane, u forcua me ngritjen e blloqeve, kultin e individit, deri sa na shkatërroi, dogji, vrau, shfarosi, zhvendosi nën dritën e rënies së murit të Berlinit.
Në të njëjtën kohë është e çuditshme se si deri dje shorti na shmangte. Sikur diçka misterioze I largonte këto dy vende, sikur I ruante. Ndofta ka patur ndeshje klubesh, them ndofta nga që nuk kam informacionin e duhur në lidhje me takimet sportive. Mbaj mend vetëm edicionin ’87-1988 kur Flamurtari i Vlorës eleminoi Partizanin e Beogradit nga kupat e Europës. Edhe sot e kam të gjall atë gol të Sokol Kushtës, por edhe mbylljen e trishtë të regjisë televizive me një buqetë lulesh hedhur në barin e fushës. Atëhere, dukej sikur ndesheshin dy botë amorfe alienësh. Jetonim atmosferën me dritë të pakët të yjeve, jo të lirisë.
Tani shorti i një kohe tjetër. Na vuri përball. Një sprovë e madhe.
Sepse deri pikërisht kësaj dite, trajta e ajrit midis shqiptarëve dhe serbëve ka qënë me përmbajtje jashtëzakonisht të lartë inkadeshente. Duket se tani është ujëzuar disi, në kuptimin kohor. Në një prove të re shqiptarët dhe serbët. Short inatçor, ku në fund të fundit u thotë njerëzve se, jepini kuptimin jetës, tregojini se sa e vlerë dhe e vërtetë është të jetuarit në liri. Qytetaria, bashkëjetesa, etj.
Mirëpo jashtë të gjitha këtyre, në kuadrin jetësor ka një tjetër panoramë. Shqiptarët dhe serbët vërejnë se kanë kaq shumë të përbashkëta midis tyre aq sa habiten me historinë. Flasim për qytetarin e thjeshtë, atë që përbën shumicën.
Kemi të përbashkët nervin, gjaknxehtësinë, tundimin nga fjala e dhënë, konceptin për mikun, ruajtjen e shpatullave etj. Por sidomos rakinë.
Unë përshembull kam vite që punoj me serbë, këtu ku jetoj. E kam trajtuar edhe më përpara raportin e marëdhënieve ballkanike në dheun e huaj. Me serbët kemi një afrimitet dhe kujdes gati kontraversal me atë realin në Ballkanin tone perëndimor. Nuk e di përsenë, përpiqem, ose më saktë kam kohë që dua ta kuptojë pse. Ndofta janë pikërisht tiparet e përmendura më sipër.
Kam këtu Gordanën nga Beogradi. Më tha një ditë se byrekun e kemi mësuar nga ju, nuk e njihnim. Një nuse e kushëririt, nga Prishtina, ajo na e mësoi. Pastaj flasim për gatimet e tjera, sarmën, apo lakramen me mish të grirë e oriz, shlivovicën e tyre, (nuk bën vaki të mos më sjelli një shishe të tillë sa here që shkon në Beograd) dhe rakinë e rrushit tone. Mallin e saj për konjakun Skëndërbeu, të Korçës.
Ndihmojmë njeri-tjetrin, e presim e përcjellim në aeroport. Dhe nuk na vjen mire kur na shenjojnë me gisht të habitur, serbë e shqiptarë?! Flasim edhe për historinë, politikën ndër vite të Ballkanit tone.
Eshtë thjesht një ndeshje futbolli, e tillë duhet trajtuar. Më shumë se serbëve u ka dhënë shqiptarëve një shans historik. Fitimtarëve! Një komb, një kombëtare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Shqiperi-Serbi, thjesht futboll

MINISTRAT SHKOJNË E VIJNË, NGA TIRANA NË ATHINË…

February 25, 2014 by dgreca

Shënime  të një mërgimtari/

Nga Abdurahim Ashiku/

Ministrat e jashtëm të dy vendeve ballkanike, dy vendeve fqinj, si në atë lojën “Noni m’i çoni”, në një hapësirë kohore shkurt ‘14, fluturuan nga Tirana në Athinë dhe nga Athina në Tiranë. Kaq afër në kohë nuk është parë asnjëherë midis dy vendeve një lëvizje e tillë.
Kjo ngjarje seç ma hodhi kujtesën larg e larg në kohë e hapësirë ngjizur në një këngë…
Telegramet shkojnë e vijnë,
Nga Londoni në Athinë…

Për të ardhë në ditët tona…

Ministrat shkojnë e vijnë,
Nga Tirana në Athinë,
Për…toponiminë…
Nuk e di pse gjithë këto fluturime, pse gjithë kjo agjendë takimesh kryeministrash, kryekuvendarësh, kryepolitikanësh, kryeshtetarësh…kaq shpenzimesh në kohë ngërçi e krize të dy vendeve.
Dy rreshta të një refreni kaq të kënduar nga kori shtetror i dy vendeve  janë bërë tash prej vitesh kaq të lëçitur në medien elektronike dhe të shkruar sa edhe fëmijët e presin me gojë hapur e trup të drithëruar.
Për rreshtin e parë, për detin, historia e së cilës shkoi deri në Gjykatën Kushtetuese… nuk po zmerrem, thjesht sepse historia e tij është zgjatur e bërë tërkuzë leshdhie. Për të edhe këtë rradhë u tha si gjithnjë…do të zgjidhet sipas rregullave ndërkombëtare !
Pë rreshtin e dytë, toponimet, nuk do të desha të them më shumë se kam thënë në një letër drejtuar Avokatit të Popullit dhe në një dyzinë shkrimesh në faqe gazetash të shkruara e gazetash iterneti.
“Do punojmë shumë shpejt e në mënyrë produktive, deklaroi Venizelosi, Ministër i Punëve të Jashtme dhe zevendëskryeministër i Republikës së Greqisë, që t’iu japim zgjidhje problemeve që kanë lidhje me njerëzit dhe me lëvizjen e tyre të lirë. Me kënaqësi vura re deklaratën e z.Bushati, se në cështje të tilla si ajo e Toponimeve, nuk ka dimension politik dhe asnjë paragjykim, por ka një respekt të plotë, sa i përket sovranitetit territorial dhe marrëdhënieve dypalëshe. Pra kemi një bazë të shëndoshë politike, mbi të cilën mund të zgjidhim këtë problem teknik, sipas praktikave ndërkombëtare”,
Ndërsa Bushati, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë tha:  “Kemi gjetur rrugën e përbashkët në parim për të konsoliduar çështjen e toponimeve si një çështje të karakterit të qartë teknik dhe si një çështje që sa na takon, do të adresohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të aplikueshme në këtë fushë.”
Në zgjidhjen e problemit të toponimeve që ka dënuar me qëndrime në dëborë dhe akull në Kakavi e Kapshticë, fëmijë e prindër, të dy politikanët pranojnë se …“Nuk ka dimension politik dhe asnjë paragjykim…dhe se… kemi një bazë të shëndoshë politike, mbi të cilën mund të zgjidhim këtë problem teknik, sipas praktikave ndërkombëtare”  (Venizelos)
“Kemi gjetur rrugën e përbashkët në parim për të konsoliduar çështjen e toponimeve si një çështje të karakterit të qartë teknik dhe si një çështje që sa na takon, do të adresohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të aplikueshme në këtë fushë” (Bushati)
E thënë në shqipen e thjeshtë të një fëmije e gjithë drama e vogëlueshve tanë në kalimet kufitare na qenka “problem teknik”.
Pak kohë më parë Avokati i Popullit Shqiptar Totozani, në një debat televiziv i ka rekomanduar Ministrisë së Jashtme të ndërhryjë nëpërmjet një marrëveshje për të konsideruar të vlefshme pasaportat, deri sa atyre t’u mbarojë afati i perdorimit ose në të kundërt nëse do të duhet të bëhen pasaporta të reja shteti shqiptar të paguajë koston.
“Çfarë janë pasaporta të bëra deri më sot me këto probleme dhe defekte, ne i kemi propozuar shtetit shqiptar, thekson z. Totozani, që të gjendet gjuha e përbashkët me republikën greke, që të vazhdojnë të jenë të vlefshme deri në ditën e mbarimit të afatit të tyre. Në rast të kundërt kostot për pasaportat e reja duhet t’i mbajë shteti shqiptar”
Avokati i Popullit në debatin televiziv thekson se pasaporta shqiptare përmban edhe gabime të tjera përveç toponimeve, pasi nuk janë të plotësuara në anglisht të gjitha rubrikat e saj, ndërkohë që mungojnë germat ë dhe ç.
Lidhur me pretendimin e Qeverise greke, Totozani shpjegon se në qershor 2011 i është dërguar një notë verbale Ministrisë së Jashtme shqiptare nga pala greke, me propozimin për emërtimet gjeografike, për të cilën nuk i është kthyer përgjigje.
Më tej Avokati i Popullit vazhdon: “Ekziston një strukturë në Kombet e Bashkuara që quhet Grupi i Ekspertëve Ndërkombëtarë për Toponimet, tek të cilët çdo shtet dërgon toponimet e tij në gjuhën ndërkombëtare. Eshtë një e drejtë që parashikohet në aktet ndërkombëtare. Ata kanë dorëzuar në qershor 2011 një notë verbale, që kanë vendosur propozimet e tyre për të gjitha emërtesat gjeografike greke, ndaj të cilës duhet të ishte mbajtur një qëndrim nga Ministria e Jashtme. Nga sa kam informacion ato ishin emërtesa në gjuhë ndërkombëtare, në anglisht”
Ajo që ministrat Venizelos dhe Bushati zbuluan javën e shkuar në deklaratat e tyre publike  “si një çështje të karakterit të qartë teknik” është e lidhur me përgjegjësinë e qeverisjes Berisha dje dhe të qeverisjes Rama sot, me analfabetizmin e administratës shqiptare që nuk din të shkruaj shqip:
1. Pasaportat shqiptare sipas kërkesave të saj në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht, vendlindja/place of  birth  Athinë/Athens…
2. Pasaporta shqiptre me të 36 germat e Kongresit të Manastirit edhe me Ë dhe Ç. Në pasaportë shkruhet KOCOVE në vend të KUÇOVË. KORCE në vend të KORÇË…
3. Janë me mijëra raste që shqiptarët mërgimtarë u janë drejtuar gjendjeve civile të vendit, me para në dorë, për të ndryshuar germa të emrit dhe mbiemrit të tyre që në përbërje kanë germat e gjuhës shqipe me Ç dhe Ë…
4. Ministri ynë Bushati duhet të deklaronte (dhe të deklarojë pa vonesë)  që të tërhiqen pasaportat e fëmijëve që kanë lindur në Greqi dhe të ribëhen “në përputhje me standardet ndërkombëtare të aplikueshme në këtë fushë”  dhe “kostot për pasaportat e reja… t’i mbajë shteti shqiptar”
 Kjo është rruga e nderit e një shteti dhe vendi që nderon e respekton vetveten.

Abdurahim Ashiku

Athinë, 25 shkurt 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Ministrat, Ministrat vejne e viine, nga Tirana ne Athine, vejne e vijne

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 762
  • 763
  • 764
  • 765
  • 766
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT