• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ne duhet ta ndihmojmë Luginën konkretisht

November 6, 2013 by dgreca

[Letër publike kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edvin Rama.]/

Të nderuar kryeministra Thaçi dhe Rama,/

në Ballkan kanë filluar të fryjnë erëra të reja. Pas një nate të gjatë padrejtësish dhe konflikti, gadishulli ynë po ridefinohet në disa dimensione. Ndër këto dimensione, mbase më të rëndësishmet për një të ardhme më të mirë, janë pozicionimi i ri gjeostrategjik (i brendshëm dhe jashtëm) i siujdhesës dhe rritja e mirëqenies së ballkanasve. Roli juaj si udhëheqës të qeverive të dy shteteve ballkanike, pesha e të cilave është në shtim e sipër, është dhe duhet të jetë kritik.

Për ata që dinë, kërthiza e ekuilibrit të ri gjeostrategjik të Ballkanit gjendet në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe disa lokalitete të baraslarguara në një rreze të shkurtër me këto tri qytete  të banuara me shumicë shqiptare. Si politikanë dhe titullarë të qeverive me legjitimitet demokratik dhe para së gjithash si posedues të burimeve shtetërore, ju dhe ekipet tuaja duhet të jeni në rrjedhë të zhvillimeve gjeopolitike më mirë se qytetari i zakonshëm dhe duhet të punoni për interesat e qeverive që drejtoni ndërkaq, që, njëkohësisht, jepni kontributin adekuat për balancën e re ballkanike. I bindur që ju e kuptoni domethënien e gjeostrategjisë dhe pasojat e moskuptimit të saj, unë, si profesionist i ekonomisë, po ju shkruaj këtë letër publike për të ndarë me ju disa ide dhe për të kërkuar nga ju që të bëni më shumë për mirëqenien e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja me rrethinë gjenden nën sovranitetin e Republikës së Serbisë dhe nuk trajtohen ende si duhet nga autoritetet e Beogradit. Vendbanimet që gravitojnë rreth këtyre tri komunave janë regjioni më i pazhvilluar dhe diskriminuar në Ballkan. Sidoqoftë, përkundër sjelljes së keqe të Beogradit dhe pozitës së dëshpëruar të qytetarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe rrethinë, përgjegjësia e pasivitetit eventual nga Prishtina dhe Tirana gjithsesi bie mbi ju, ngase mosveprimi i Republikës së Serbisë nuk e justifikon mosveprimin e Republikave të Kosovës dhe Shqipërisë për të mbrojtur dhe mbështetur jetesën e shqiptarëve atje. Nëse qytetarët shqiptarë të këtij brezi territorial nuk janë në gjendje të gëzojnë dhe realizojnë aspiratat e tyre për jetë të begatshme si ballkanasit tjerë, kjo është e padrejtë dhe rrezik për përmbysje të cilësdo baraspeshë gjeopolitike dhe gjeoekonomike.

Si duhet të ndihmohen menjëherë, jo me fjalë dhe vizita simbolike siç ka ngjarë deri më tash, por konkretisht, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja me rrethinën e tyre?

E para: qeveritë tuaja, në Prishtinë dhe Tiranë, duhet të financojnë ndërtimin e një materniteti brenda 6 deri 12 muajve . Kujdesi për foshnjat është e drejtë fondamentale humanitare dhe kusht primar për të ardhmen e secilës bashkësi njerëzore. Ndërtimi i maternitetit duhet të pasohet me zgjerimin e tij në spital të madhësisë së mjaftueshme për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve në Luginën e Preshevës. Qeveritë tuaja duhet të paguajnë specialistë të gjinekologjisë dhe obstetrikës nga Republikat e Kosovës dhe Shqipërisë që të shërbejnë në këtë maternitet dhe, sigurisht, edhe mjekë të specialitieteve tjera, më vonë, në spital; deri kur numri i mjekëve në regjion do të rritet gjegjësisht Republika e Serbisë do të plotësojë kërkesat shëndetësore të të gjithë taksapagueseve të saj.

E dyta: Prishtina dhe Tirana, duhet të heqin njëanshëm çdo taksë apo tarifë për qarkullim të lirë të njerëzve, automjeteve dhe mallrave nga Lugina në territoret e Republikave të Kosovës dhe Shqipërisë.  Në fakt, qeveritë tuaja duhet të financojnë ndërtimin e një tregu lokal me infrastrukturë dimërore dhe verore, në ç’vend biznesmenët vendorë dhe sidomos bujqit do të mund të shisnin dhe grumbullojnë produktet e tyre, të cilat, pastaj, do të mund të transportoheshin për shitje edhe në tregjet e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë ku do të duhej të kishin trajtim të posaçëm në tatime. Ky treg dhe këto subvencione për prodhimet në fjalë mund të jenë gjeneza e një projekti më të madh për ta shndërruar tre-kufirin Serbi-Maqedoni-Kosovë në një Zonë të Lirë Tregtare dy-tri vjetët e ardhshme.

E treta: ekspertë të ekonomisë, financave, ligjit ndërkombëtar dhe integrimeve europiane që punojnë për qeveritë tuaja duhet të bashkëpunojnë në kapacitet mbështetës me qeveritë komunale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe të bëhet hartimi i një propozimi për Fond Emergjent administratës së BE-së në Bruksel. Paratë nga Fondi Emergjent do të përdoreshin për rehabilitimin e sistemit të ujërave, infrastrukturës urbane dhe rrugore në regjionin e Luginës. Ky Fond Emergjent nuk duhet të ngatërrohet me Fondin Zhvillimor, i cili duhet të financohet nga Republika e Serbisë dhe i cili, sipas të gjitha konventave ndërkombëtare, është obligim i saj sepse qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me rrethinë paguajnë tatimet në buxhetin e shtetit serb.

 

Të nderuar kryeministra,

 

këta do të ishin vetëm tre hapat e parë konkret për të rimëkëmbur shpresën për jetesë më të mirë të banorëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës; por edhe një ecje në drejtim të vendosjes së qytetarëve dhe mirëqenies së tyre në plan të parë ndërsa vazhdon tentativa e përafrimit dhe forcimit të bashkëpunimit në të gjitha anët e Ballkanit.

Lugina mund të jetë pikë afrimi apo largimi mes popullit shqiptar dhe popullit serb. Një ndër variablat përcaktuese se cili do të jetë roli i saj në marrëdhëniet serbo-shqiptare do të jetë kualiteti dhe kuantiteti i angazhimit tuaj dhe qeverive tuaja për njerëzit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Regjioni i Luginës nuk mund të mbetet në margjinat e zhvillimeve më të reja në Ballkan. Ne të gjithë dhe veçanërisht ju si kryeministra duhet dhe e kemi detyrim të ndihmojmë Luginën konkretisht. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë mbajtur në gjysmëterr edhe për shkak të mosangazhimit të qeverive në Prishtinë dhe Tiranë.  Koha ka ardhur që së bashku ta nxjerrim Luginën aty ku  e ka vendin i gjithë Ballkani— në dritë. Alternativë tjetër nuk ka për ne; por as për ju.

Të respektuar kryeministra Thaçi dhe Rama,
Lugina kërkon veprime konkrete. Duke u ndihmuar qytetarët atje, ndihmohen Lugina, shteti i Kosovës dhe Shqipërisë, Ballkani dhe e ardhmja paqësore e të gjithëve. Ju ftoj ju, të dyve, të filloni të angazhoheni seriozisht për Preshevën, Bujanocin  dhe Medvegjën që nga ky çast.

Sinqerisht i juaji,

Uk Lushi

* Uk Lushi është investitor shqiptaro- amerikan dhe ekspert i ekonomisë në New York.

Filed Under: Opinion Tagged With: Leter publikem Rames e Thacit, Uk Lushi

A PO E DJEGIN SALI BERISHA DHE KLANET E PD-së LULZIM BASHËN!

November 6, 2013 by dgreca

Lulzim Basha, në fakt, është një nga figurat e pakta në PD me plot shanse që t’ia kthente emrin e mirë PD-së, të kohës së idealeve demokratike të 22 marsit 1992, si një parti e qendrës së djathtë, me një elektorat të gjërë antidiktaturë./

Opinion nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Është normale që në një parti të tipit Perëndimor, lideri i saj historik të projektojë pasardhësin, fati i të cilit pastaj vendoset sipas parimeve e normave demokratike deri tek verdikti i votës. Si mund të ishte rasti i Lulzim Bashës, të cilit Sali Berisha pas një çerek shekulli timonier, t’i lëshonte vendin. Pas një mijë gabimesh, do të ishte veprimi i parë i tij i drejtë. Por Sali Berisha nuk ka ndër mend të ndryshojë kurs dhe po e përdor Lulzim Bashën si trampolin për t’u rikthyer dhe rimarrë frenat e partisë. Sali Berisha e ka shumë lehtë ta bëjë lolo PD-në, kur të gjithë deputetët ia dinë atij për nder karriken. Dhe për Sali Berishën është shansi i fundit.
Për t’u rithyer në krye të PD-së, Sali Berishës i duhet ta djegë njeriun të cilin, pas disfatës personale të 23 qershorit, e « zgjodhi » si pasues të tij. E vendosa në thojza fjalën « zgjodhi »- sepse në psikën e tij Berisha nuk pranon të ketë një lider më të mirë se vetja. Egocentrizmi, arrivizimi dhe komplekset e së shkuarës nuk kanë lejuar që në PD të ketë vend për njerëz të suksesshëm dhe me integritet, të cilëve Sali Berisha ua ka drojën. Mos hapja e Dosjeve, popullimi i PD-së me ish-Sigurimsa dhe sistemi zgjedhor që i jep liderit të partisë monopolin për të zgjedhur deputetët, është në funksion për të monopolizuar lidershipin e PD-së, të përqëndrimit të pushtetit në duar të njëshit, dmth të Sali Berishës.
Disfata e 23 qershorit me dorëheqjen e Berishës, në vend që të ishte arsye për të reflektuar e për të nxjerrë në pah shkaqet e humbjes, me qëllim gjallërimin e demokracisë inekzistente brenda PD-së, ishte në fakt një fiksion për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga analiza dhe shkaktarët e saj. Sepse po të pranoheshin de jure humbësit dhe shkaktarët e humbjes, largimi i Sali Berishës do të ishte definitiv. Andaj katapultimi i Lulzim Bashës ishte zgjedhje më e mirë që bëri Berisha, por vetëm si një procedurë e përkohëshme e lidershipit historik. Sepse mentaliteti autoritarist i Sali Berishës nuk pranon as rivalë, as konkurencë fair dhe as të lëshojë pushtetin.
Për të realizuar skenarin e rikthimit, Sali Berishës i duhet që figura e Lulzim Bashës të konsumohet shterrshëm në atë farë grade sa të shkaktojë pakënaqësi si në bazë, në instancat e larta të partisë, mundësisht deri tek ndërkombëtarët. Për koincidencë, sot gazetat e Tiranës, botonin inkskenime protestash të PD në rrethe që e kërkojnë prapë liderin historik edhe de jure në krye.
Lulzim Basha, në fakt, është një nga figurat e pakta në PD me plot shanse që t’ia kthente emrin e mirë PD-së, të kohës së idealeve demokratike të 22 marsit 1992, si një parti e qendrës së djathtë, me një elektorat të gjërë antidiktaturë.
Lulzim Basha i takon gjeneratës së re, nuk ka qenë anëtar i PPSH, nuk ka qenë ish-Sigurims, është i arsimuar në Perëndim, me një profil të suksesshëm, i përfshirë në të gjitha projektet më të rëndësishme gjatë dy mandateve qeverisëse të PD-së. Ai ishte ministër Transporti në projektin e Rrugës të Kombit; ishte ministër i Jashtëm gjatë vizitës të Presidentit Bush në Shqipëri dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO; ishte Ministër i Brendshëm gjatë reformave që kërkonte liberalizimi i vizave dhe kandidati i vetëm i PD-së që mundi Edi Ramën për kreun e Bashkisë të Tiranës. Ai është karizmatik, elokuent dhe është i mirëpritur nga faktori ndërkombëtar. Pra Sali Berisha kur e katapultoi, e kishte të qartë se me Lulzim Bashën efekti mediatik do të ishte i plotë, pasi do të thoshin se, të paktën pas disfatës, ai veproi si do të duhej.
Veprimi aktoresk i Berishës për t’ia dorëzuar çelësat e PD Lulzim Bashës është vetëm një manipulim. Sepse Sali Berisha synon rikthimin edhe de jure, dhe sa më të shpejtë. Ai ka dy muaj që e ka provuar shijen e të qenit pa pushtet, pa puthadorë, pa kamera 24 orë nonstop për të shqiptuar retorikën e tij pa proteina dhe pa jetë. Ai e ka shijuar hidhësinë se sa i parëndësishëm është në një shoqëri klienteliste pa norma dhe pa moral, të cilën e ka krijuar vetë.
Por që të ketë rikthim, si kusht sine qua non, atij i duhet që të djegë Lulzim Bashën. Qëllimi i tij bie në rezonancë të plotë me klanet brenda PD-së. Klanet në PD e urrejnë Lulzim Bashën, sepse tek ai shohin konkurentin real, çka përbën rrezik për kolltukët dhe pushtetin e tyre. Aq më tepër, kur Lulzim Basha, që i njeh shumë mirë se sa të pavlerë janë, do ta kishte si objektiv të tij vendosjen e partisë në shina demokratike.
Aktualisht Lulzim Basha gjendet në një pozitë shumë të vështirë. Në njërën anë atij i duhet të vendosë standarte demokratike në një parti që nuk e njeh demokracinë brënda vetes së saj. Pastaj i duhet të mbrojë veten nga Sali Berisha dhe klanet brenda PD-së, të cilët janë bërë të gjithë bashkë me objektivin për ta djegur Lulzim Bashën.
Djegien e liderit të ri ata po e bëjnë për çdo ditë, si mjeshtra diabolikë, duke mediatizuar njollosjen e integritetin e tij. Po të hapni gazetat dhe televizionet për çdo ditë dëgjoni për „aferën e pallatit të vjehrrit të Lulzim Bashës në Vlorë“. – Pra kësisoj Lulzim Basha paraqitet si njeri me lidhje nepotike, që e ka përdorur pushtetin për të përfituar privilegje e pasuri. Nga ana tjetër, në publik, shohim një Lulzim Bashë që ka dalë totalisht nga lëkura dhe nga fjalori i tij. Vokabolari që përdor Lulzim Basha sapo ka marrë në dorë partinë, nuk është i një lideri të qendrës të djathtë, por i një ekstremisti, aventurieri dhe anarkisti, i cili përbën rrezik për sigurinë jo vetëm të vendit, por edhe të rajonit. Sepse, sa herë del përpara kamerave, Lulzim Basha kërcënon me kobure, protesta dhe rebelim kundër një qeverise e cila nuk i ka mbushur dy muaj.
Edhe në daljen më të fundit, me rastin e humbjes të PD-së në Korçë, në vend që të përdoret për reflektuar, duke i denoncuar natyrisht shkeljet, Lulzim Basha akuzon mafien për blerje votash. Po lind pyetja, kjo mafie për të cilën ai flet nuk lindi për 60 ditë, ajo do të duhet të jetë fuqizuar pikërisht gjatë qeverisjes 8 vjeçare të PD-së. Pastaj pretendimi që ka PD është vetëm për efekte propagande, sepse unë jam dëshmitare se, sa herë në Shqipëri ka patur zgjedhje, kemi marrë ftesa për të udhëtuar gratis me avion, si simpatizantë të PD! Këta të PS kanë financuar udhëtimin e me autobuz të studentëve, ndërsa këta të PD-së udhëtimin me avion?! Bëjini llogaritë!
Në këto pozita ndodhet Lulzim Basha. Shumë të vështira. Po të kemi parasysh të gjitha vështirësitë ku ndodhet sistemi dhe shteti ligjor, të cilit do t’i duhej një opozitë dhe një lider opozite me nivel europinist. Lulzim Basha mund të jetë i tillë. Lulzim Basha mund ta bëjë, por nuk e lejon vetë Sali Berisha dhe klanet brenda PD-së, të cilat duan ta djegin, sepse kësisoj do të vegjetojnë brenda degradimit, pa analiza, pa shkaktarë të disfatës, pa shpresa për rimëkëmbje dhe për ringjallje deri në degjenerimin e PD në një parti me katër-pesë deputetë. Nëse nuk do të ketë shkundje dhe pastrim, mos u çudisni, kjo ditë do të vijë…

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Klanet, Lulzim Basha, Sali berisha

PËRSE DUHET TË HAPEN DOSJET?

November 5, 2013 by dgreca

NGA FATMIR LAMAJ/

U bënë mbi 20 vjet qw fjala “dosje” si nocion superposhtrues për të gjithë shqiptarët po sundon kërcenueshëm jetët tona si një hije e zezë e trasheguar frikshëm nga e kaluara. Dosjet ishin dhe mbeten prodhimi më monstrues i krimit komunist, të cilat kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë akoma krim. Dosjet ishin mekanizmi më pervers i diktaturës ne mbajtjen e pushtetit por ato vazhdojnë të mbeten si të tilla dhe në pseudodemokraci apo neokomunizmin e derisotëm. Berisha dosjet i përdori me shumë efikasitet në superpushtetin e tij të pamerituar duke bërë zap ndonjë të rebeluar që mundohesh të ngrinte pak zërin ndaj padrejtësive të shumta që bënte ai në adresë të atyre që e sollën në pushtet sipas skenareve oruellian ku “vëllai i madh” kontrollonte gjithçka nëpërmjet tyre. Kurrë një shoqëri nuk mund të jetë e lirë pa u çliruar më parë nga e kaluara e saj e përgjakur dhe poshtëruese, e cila në çdo cast e kamzhikos pa rreshtur ndërgjegjen e rënduar nga fajet pa faje.

Përse themi fajet pa faj? Sepse në jurisprudencën e çdo vendi demokratik është e konsakruar ligjerisht se çdo pohim i marrë nën dhunë është i papranueshëm juridikisht. Dhe ato dosje janë produkti më kriminal i diktatures komuniste. Ato janë krijuar në ambiente të errëta të sigurimit të shtetit nën torturat më çnjerëzore ku jo të gjithë arrinin t’i përballonin, nën kërcenimin për burg, për bukën e fëmijëve, për internimet në skajet me të largëta apo për gabime, dobësi dhe faje të sajuara. Këto dosje në vetvete pikojnë gjak, lot dhe pendesë të mëvonshme për të gjithë ata që kanë firmosur nën dhunë ndërsa për pjesën tjetër që vullnetarisht me ndërgjegje të plot hoqen nga morali i tyre, ato u kthyen në burim mirëqenie dhe pushteti. Duke njohur mirë përberjen e Parlamentit shqiptar nga 1991  e deri më sot, në krahun e vet pseudo të djathtë e deklaroi pa frikë se mbi 134 deputetë kanë qenë me dosje (se pa dosje Berisha s’të pranonte brenda rradhëve të tij), të cilët edhe sot gëzojnë në mënyrë të pamerituar privilegjet e ish deputetllëkut. Diktatura  nëpër jet sigurimit të shtetit kishte ndërtuar mekanizmin e vet shkatërrues të jetës dhe personalitetit të çdo shqiptari, të cilin ajo e konsideronte armikun e vet dhe kalimin nëpër ingranazhet vdeksor të atij mekanizmi ishte shumë i vështirë gati mbinjerëzor dhe jot ë gjithë mund ta përballonin atë provë të tmerrshme.  Më kujtohen sot fjalët e një japonezi të mbijetuar nga hedhja e bombës automike të Hiroshimës, kur vëllai i tij i vogël i kërkonte ndihmë nën rënkimin e plagëve dhe ai nuk e kishte ndihmuar dot. Dhe nën peshën e pendimit tha keto fjalë: “…Dhe unë isha njeri që doja të jetoja. Të gjithë ne që mbijetuam moralisht asaj kohes që prodhjonte veç vdekje  poshtërim, kurrë nuk do të kemi ndjenjën e revanshit ndaj atyre personave që jo për faj të tyre kanë hedhur ndonjë firmë në ato dosje të qelbura, te cilat kanë qenë dhe mbeten plaga e pambyllur e kohës së lamë pas”. Çdo plagë kurrë nuk mund të shërohet pa nxjerrë më parë nga shtrati i saj i qelbësuar gjithë absesin e krijuar ndër vite. Në ato dosje është dhe një pjesë e jona, janë njerëzit tanë si dhe gjithmonë duhen mëshiruar për fatkeqësitë e ndodhura. Dosjet duhen hapur që një shoqëri e tërë të mos rrijë pezull për të kaluarën e vet duke u dergjur në moçalin e ankthit për të njohur një pjesë të vetvetes. Ato duhen hapur që të njohin vetveten dhe të tjerët për të mos u endur më në errësirën e dyshimeve dhe hamëndesimeve për këdo që na rrethon e kemi pranë. Ato duhen hapur që ai që më dënoncoi mua dhe shumë të tjerë i quajtur Dalan Luzi mos të kapërdiset më në Amerikë si një hero i kohës që kaloi dhe që ta marrin vesh e të jenë në dijeni të afërmit Gaspër Çuçisë se ai që e çoi drejt vdekjes ka qenë pikërisht ky person, të cilin sigurimi i shtetit enë ’90-ën e nisi nxitimthi tek i atii tij në Amerike.

Dosjet nuk janë më një sekret në Shqipëri, por ato mbeten gjithmonë një makth nga kthetrat e të cilit duhet të çlirohemi sa më parë. Zhelju Zhelev, presidenti i parë demokrat i Bullgarisë thirri shefin e shërbimeve sekrete dhe i kërkoi dosjen e vet . Ai ia solli dhe pas ndonjë muaji me nuhatjet e vet agjentutore konstatoi se Presidenti se kishte hapur fare dhe i thotë: “Zoti President, dosjen Tuaj ju se keni hapur fare”. Presidenti me qetësinë e tij i thotë: “Merre se nuk kam dëshirë ta hap atë paçavure, se kam frikë se mos gjej emrin e ndonjë miku që nuk dua ta humbas”. Mesazhi ishte i qartë, por më mirë është ta humbasësh atë mik që nuk ia vlen të jetë mik yt, por kurrë të mos e përbuzësh e urresh për një faj të detyruar. Bashkëjetesa me të keqen, sjell veçse të këqia. Hapja e dosjeve, është e vërtetë që fillimisht do të sjellë tronditjet e veta të pashmangshme por njëkohësisht do të prishi shumë ekuilibra negativë që deri më sot janë krijuar në dëm të të gjithë shoqërisë shqiptare, duke çmitizuar një herë e përgjithmonë pseudoliderët e krijuar në zyrat e sigurimit të shtetit. Hapja e dosjeve do të jetë do të jetë si heqja e vellos, mbas së cilës nuk do të shikojmë më nusen e bukur që kemi ëndërruar por atë shtrigën plagë që me magjitë e saj nxin çdo ditë jetët tona.Dosjet janë gropa skeptike e bëmave dhe gjëmave që la pas diktatura komuniste dhe kjo gropë skeptike duhet të hapet një herë e përgjithmonë që mushkeritë tonë të mos helmohen çdo ditë nga era e saj e keqe. Ato duhet të hapen që ish spiunët e sigurimit të shtetit të mos trazoojnë më jetët dhe shpirtrat tanë të lodhur nga e kaluara e zezë, që ndonjë ish kryetar Bashkimesh profesionale të mos vetdeklarohet President i Unionit të Burgosurve Politik pa pasur asnjë ditë burg dhe internim, që ndonjë tjetër pseudo i persekutuar me partinë e tij të subvensionuar dhe të mbështetur nga Berisha, të mos flasin më  në emër të shtresës të të persekutuarve politikë.

Si përfundim, dosjet duhet të hapen dhe sa më shpejt të jetë e mundur, pavarësisht nga klithmsat e atyre që do të jenë të detyruar të paguajnë çmimin  e vet moral për të kaluarën e tyre, ndonëse ky çmim do të jetë i përbashket për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Zoti Kryeministër! Me autoritetin që ju jep detyra dhe Ligji, hidhe  këtë hap të guximshëm për ta shpëtuar një herë e përgjithmonë shoqërinë shqiptare nga kjo mënxyrë që la prapa diktatura komuniste duke pasur parasysh thënien e famshme të Monteskies: “Më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr i pafund”.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dosjet, Fatmir Lamaj, perse duhet te hapen

100 VJET SHQIPËRI HILEQARE A LONDINEZE?!

November 5, 2013 by dgreca

Nje Shqiperi mbush ne nentor 100 e një mote, tjetra, ajo Londineze 10o mote, kjo eshte Shqiperia hileqare e Evropes….

Nga Fadil  LUSHI/

Në Gadishullin Ilirik (sipas Ali Podrimjes) ekziston një shtet që karakterizohet me dy palë histori. Njëra e lavdëruar dhe tjetra e abuzuar, po edhe hileqare. E para, sot, mbush 100 e një mote, e dyta 100 vjet. Që të mos krijojmë amulli a pështjellim te njerëzit që merren me shkencën e logjikës formale, a që studiojnë ligjet e format e të menduarit drejt, pa lënë mënjanë përmbajtjen konkrete të tij, do të them se “llafet” e sipërpërmendura nuk janë fjalë goje e aq më pak lojë fjalësh.

Para se të vazhdoj ta “shkarravis” këtë vështrim gazete, për hir të një korrektësie ndaj lexuesve, do të më duhet që “Historisë së diplomacisë të Anglisë” t’i kërkoj “ndjesë” për fjalorin tim të denigruar e prej rrugaçësh që do ta përdori në vazhdim.

Historianët shqiptarë, sot, do të thonë se para një shekulli, në një mëhallë të bordeleve më të njohura të kryeqendrës së “Ingliteres” (Britani e Madhe) iu bë një hile (hiç pa mbare) shtetit të Ismail Qemal bej Vlorës, veçmas nga ana e ca ambasadorëve horra që vinin nga disa shtete të Evropës së atëhershme lavire, ”një shteti që ia morën masën e samarxhiut”!

Mbase moti 2012 që iku kokëlartë e me paksa çallëm, karakteristik për shqiptarin, sikur “pa qëllim” e zbehu vitin 2013, një vit kur para një shekulli, shtetin e atij burri mendjendritur nga Vlora e pjesëtuan me pesë…, një shekull më parë, kur Ismaili shpalli mëvetësinë e Shqipërisë natyrale, një shtet me 100 vjet vuajtje, një shtet me 100 mote gëzime, një shtet me 100 vjet harresa, 100 mote eufori, 100 vjet pseudopatriotizma, 100 vjet zhgënjime a inate histerike e homerike (për këto inate homerike të shqiptarëve, Dritëro Agolli do e jep këtë këtë shpjegim: “U zumë të dy aq shumë për punën, Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë! Eh, budalla! Edhe dhëmbët zihen me gjuhën, Zihen dhe bashkë rrinë”), 100 mote lëvdata, shtrembërime, nihilizma, bajraktarizma, folklorizma, anakronizma, 100 vjet solidaritet ndërshqiptar, 10 decenie luftë për krijimin e shtetit të Kosovës, 100 vjet përpjekje për ndërtimin e kështjellës së mbamendjes kolektive shqiptare, 100 mote për ndërtimin e kryefjalës së drejtshkrimit  dhe drejtshqiptimit të gjuhës mëmë…, 100 vjet të mbrojtjes së identitetit kombëtar…, 100 mote të zhvillimit të kulturës e të diplomacisë sonë, 100 vjet rilindje, 100 mote luftë kundër tradhtarëve të kombit sidomos ndaj atyre politikanëve që fare pak i dhanë Shqipërisë dhe më shumë e vodhën atë…, 100 mote luftë kundër matrapazëve, kolaboracionistëve që u infiltruan në telashet tona, njëqind vjet luftë kundër ca të ashtuquajturve “historianë tarafexhinj e të imagjinuar”, me shëndet të brishtë mental si dhe me ca kalorës të vonuar të çështjes sonë, të cilëve ndonjëherë “duhet” t’ua qash hallin, sepse nga “lodhja” u varen këmbët, 10 dekada luftë me “ca burra, inati i të cilëve është më i fortë se inati i urisë”!…, një shekull luftë me disa “insanë”, a me një sërë “idealistësh e nacionalistësh, të cilët këmbëngulnin të “gatuajnë” një politikë tjetërfare, si dhe me një varg neronësh…, me njerëz të fodullosur, kokëkrisur, kokëbosh, a edhe “biçim njerëz të minderit”, të cilët edhe sot do të mbajnë inat me të kaluarën tonë, sa të lavdëruar poaq edhe të dhimbshme!

Një shekull luftë me njerëz a politikanë të cilët “çirreshin e bënin shaka” me mbretin, me gjithë kryeministrat, kryeparlamentarët a edhe me presidentët e shtetit, me ata që talleshin me datat e shenjta madje edhe me flamurin e Vlorës dhe me vlonjatin mendjendritur, me ata që pa të drejtë mëtuan t’i pronësojnë e mandej t’i shtrembërojnë datat sa u përket manifestimeve pavarësisht vendndodhjes ku do të organizohen…, luftë me gjithë ata që menduan se e gjithë kjo “trashëgimi kombëtare, kinse qenkësh pasuri e patundshme e gjyshërve të tyre me opinga”!? Dyzet vjet luftë me mbështetësit e politikës së “Neronit shqiptar” (Enver Hoxha), pa dallim në ishin ateistë të bindur, fetarë, shehërlinj, katundarë, toskë, gegë, bektashinj, veriorë a jugorë, kumarxhinj, sehirxhinj, hazërxhinj a sejmenë që mëtonin “ta zaptonin kryekolltukun e pushtetit mbretëror, socialistë që donin ta përvetësonin atë ndërkalimin politik, gjegjësisht demokracinë”!?… 100 mote luftë me të gjithë ata shqiptarë shtiracakë që historinë tonë e ngarkuan  me një thes (pleshtash- siç e pat thënë At Gjergj Fishta) inatesh histerike dhe homerike…, luftë me gjithfarë kronistësh të cilët (fatkeqësisht), lëre që nuk dhanë kontributin e tyre, po përkundrazi kësaj historie i ngjitën një zabel të pavërtetash…, luftë me ata që nuk kishin “takatin e arsyes” sa i përket frenimit të fanatizmit të tyre të çmendur…, njerëz që në vend “se të hanin bukën e tyre, hëngrën kokat e ndritura shqiptare”!

100 vjet luftë me njerëzit… që padrejtësisht ndërtuan lloj-lloj shpifjesh që më pastaj ia  “faturuan”  Ismail Qemal bej Vlorës, kinse ai “paskësh lidhur krushqi me Perandorinë Osmane, në këmbim të një autonomie (turko-shqiptare) të cunguar, mandej do t’ia hedhin fajin (prapë për inat) se pse ky nuk paskësh marrë pjesë në punimet e Lidhjes së Prizrenit dhe të Kongresit të Manastirit!” (referencë e huazuar) e shumë sajime të tjera të ulëta e të rrezikshme. Çuditërisht, këto shpifje a trillime sot po”gëlltiten” nga injorantët si dhe nga ana e gjithfarë kontrabandistësh të historisë sonë kombëtare. Përkundër kësaj lufte njëqindvjeçare, shqiptarëve nuk u mjaftoi ajo tradhtia e Konferencës së ambasadorë-horrave dhe  “dylberëve”… dhe sot nuk  arrijnë dot që, njëherë e përgjithmonë, t’i “sikterisin” të gjithë tradhtarët shtirës, që u ka ikur fiqiri dhe që guxojnë sot e gjithë ditën e Perëndisë t’i  bëjnë “pordhë”  historisë sonë kombëtare.

Duke e përfunduar këtë “shkarravinë” dedikuar 100-vjetorit të  “Shqipërisë hileqare a londineze”!?…, do të themi se shqiptarët, gjatë gjithë një shekulli, i “besuan “padrejtësisht” fatit dhe shpresës”! Fatkeqësisht, fati nuk u eci, ndërkaq shpresa e tyre për një bashkim kombëtar mbeti vetëm një andrallë!

Nëse do më lejohet, po e përsëris atë meselenë e Madonës që, kur “kishte shkuar në Moskë për të dhënë koncert, një zyrtar (fetar) rus i qe drejtuar me një kërkesë: … ose hiq kryqin, ose vish brekët!” (referencë e huazuar). Mos vallë, ky zyrtari moskovit kishte kërkuar etikën e munguar të këngëtares me shtetësi amerikane!? Unë, sinqerisht nuk e di. Unë mund të them se gjithsecili nga ne, o do të bëjmë punën për çka jemi të ngarkuar e të paguar, o do të duhet ta braktisim atë…, o do të duhet të mbyllim gojën një here e përgjithmonë. Ndryshe nuk bën. Është një shprehje ballkanase ku, pos të tjerash, thuhet: “Njeriun prite (gostite) sipas veshjes dhe përcille sipas mendjes!”

P. S.

“Ju ambasadorë të Konferencës së Londrës, para se të shkoni në… të së ëmës, uroni 100 vjet Shqipëri hileqare… E gëzofshi!??”

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, shqiperia hileqare, Shqiperia londineze

DY GUVERNATORË – DY VARRMIHËS NË SHQIPËRI

November 5, 2013 by dgreca

Nga Rasim  Bebo/ Addison- Çikago /

I pari, Miladin Popoviç, i heroizuar dy herё nga Tito me titullin “Hero i Popujve tё Jugosllavisё” bashkë me shokun e tij, Dushan Mugosha, janё themeluesit e PKSH tё dёrguar nga Tito nё 8 nёntor 1941.

Nёn drejtimin e tyre, këta dy armiq tё Shqipёrisё  siguruan udhёheqjen e PKSH dhe e pёrdorёn atё pёr qёllimet e tyre. Pёrçarja e vendit tonё, lufta e egёr e klasave, dhuna, krimi dhe terrori ёshtё fara qё mbolli Miladini dhe Mugosha, frytet e hidhura tё sё cilёs, shqiptarёt po i shijojnё edhe sot.

Guvernatori i dytё ёshtё prifti Anastas Janullatos me lakeun, Vangjel Dule. Pёr tё cilёt do tё flasim mё poshtё.

Qё nё fillim organizatorёt jugosllavё u kujdesёn t’i japin drejtimin proserb partisё qё krijuan, duke e veshur atё me petkat e “internacionalizmit proletar, qё ishte baza e doktrinёs komuniste. Qё nё themelim PK dilte nё arenёn politike si njё forcё antishqiptare,  që i pёrkiste shtrirjes territoriale, bashkimit tё trevave kombёtare me Jugosllavinë

PK e mbёshtjellё nё shpёrgenjtё e Beogradit komunist, mori qё nё fillim trajtat e njё force politike nё tё cilёn mbizotёronin kurthet, pabesitё, intrigat, e krimet… E keqia e madhe ishte se propaganda e saj, e gatuar nё guzhinat mё tё persosura tё botёs sllave, gjente tokё për tё punuar, të rinjtë e painformuar dhe shtresa të tjera të pazhvilluara.

Nga studjuesi G. Llojdia lexojmë: “Cili ishte roli i tyre nё themel Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi etj pёrbёnin: Shtytjen, krijuesin, udhёheqesit, Komandantёt e vёrtetё PK.

Roli i tyre nё themel tё kesaj qelize.

          Zhdukën mosmarrёveshjet, vendosёn disiplinёn, bёnё mbledhjet, emëruan komandantёt, ata organizuan, ata urdhёruan, ata shtynё tё krijohej ushtria Nac-Cl.

Me t’u formuar brigada e parё sulmuese, Dushan Mugosha shkoi kёshilltar pranё Mehmet Shehut. Cili ishte qёllimi i tij?: Urdhёrues, dhe shtytёs pёr vёllavrasjen me BALLIN KOMBЁTAR.

Dushan Mugosha caktoi Enver Hoxhen komandant tё ushtrisё Nac-Cl.

Dushan Mugosha propozoi emërimin e Mehmet Shehut Komandant tё Divizionit tё parё.

Enveri, Hysniu, Mehmeti, adhuronin si perёndi jugosllavёt: “Na dhatё dorёn na mёsuat, na ngritёt si foshnja nёnёn e na bёtё tё jemi nё gjёndje tё ecim me kёmbёt tona, me njё Komitet Qёndror tonin, me njё organizatё tonёn, me njё vijё tonёn, tё njohur dhe tё aprovuar nga Internacionalja Komuniste. Dhe kemi besim tё plotё si neve komunistёt ashtu edhe populli mbarё se Partia e jonё koministe ёshtё nё gjёndje qё tё drejtojё popullin drejt objektivit final”.(1).

Enver!, i thotё “Shefi” duhet tё keshё parasysh: Kur nuk ke armiq pёr tё gjykuar, duhet tё krijosh armiq nё grupe ose individ, qoftё ky edhe i  afёrmi tёnd kur e do puna, pёr ta patur pushtetin tё fortё.

Ishin shumё shqiptarё, komunistë, apo antikomunistë, qё me urdhёr tё bandёs terroriste tё Enver Hoxhёs, Mehmet Shehut Hysni Kapos, Kadri Azbiut u vranё nё prita, u vranё pas betejave me njё plumb pas shpine, apo nё rrethana tё tjera, qё u humbi varri pёrgjithmonё dhe qё u mbuluan me pluhurin e harresёs.

Zbulohet pas 64 vjetёve proçesvёrbali i “MUKJES”

Nga studiuesi Armand Jonuzi “…Si njё nga ngjarjet mё tё errёta, sё fundi ndriçohet nga njё dokument autentik i nxjerrё nga arkivat kombёtare, proçesverbali tё marrёveshjes  sё bёrё me 26  korrik 1943,  tё nёnshkruar “ad referendum”… U zgjodh kryesia e mbledhjes me kryetar Thoma Orollogai dhe sekretar Mustafa Gjynishi.

Mbledhja pёrbёhej nga 24 antarё dhe secila force politike pёrbёhej me nga 12 antarё. Pasqyroheshin figurat mё tё njohura dhe me reputacion. Fronti Nac. CL. i pёrbёrё: Myslim Peza, Abaz Kupi, Mustafa Gjynishi, Ymer Dishnica etj. Pёrfaqёsuesit e BALLIT KOMBЁTAR nga: Hasan Dosti, Mit’hat Frasheri, Hysni Lepenica, Isuf Luzaj etj.

Proçesverbal i mbledhjes sё MUKJES me 1 gusht 1943 pёrmban: “…Luftё pёr njё Shqipёri indipendente dhe pёr zbatimin e parimit tё njohur universalisht e tё garantuar nga Karta e Atllantikut tё vendosjes sё popujve, pёr njё Shqipëri etnike”.

MUKJA ISHTE NJЁ PARLAMENT PLURALIST NЁ KOHЁ LUFTE.

Fundi tragjik i mbledhjes. Pas 6 ditё të dilemёs sё Enver Hoxhёs, u dha urdhёri i prerё i guvernatorit Miladin, tё refuzohej mbledhjen e MUKJES, duke e hedhur nё koshin e plehrave. PK e paditi Ballin Kombёtar si njё organizatё “fashiste” dhe “tradhёtare”. Po ato ditё vritet pas shpine Mustafa Gjynishi. (2).

Kёshtu Enver Hoxha doli më serb se serbёt e guvernatorit Miladin duke mohuar shqipёrin etnike.

Po të pyesje pёr Kosovën dhe Çamёrinë se çfarё do tё bёhen  pas luftёs? Patjetёr do tё haje plumbin pas kokёs.

Njё ngjarje e dhimbёshme: Nё Devoll, partizanёt zunё 14 ballistё rob, 13 i pushkatuan, ndёrsa tё fundit e masakroi Dushan Mugosha. Devolliun Ali Lymi, djaloshin tё pafajshёm, sёpari Dushani urdhёroi ta qёllonin 12 herё me dru. Pastaj xhelati Dushan, i theu kёmbёt, e torturroi nё organet seksuale, derisa humbi ndjenjat dhe mё vonё, me majё tё thikёs i çau kёrcin e majtё, i shoi singaren nё sy, dhe mё nё fund trupin pa jetё e qёlloi dy herё nё kokё. I gjithё ky ritual kriminal, u krye nё prani tё Tahir Kadaresё e tё partizanёve të tjerë, dhe kur njё i pranishёm e pyeti se ç’farë kishte bёrё?…  Dushani iu pёrgjigj: “Besa kurgja”. Po kёtyre devollinjve, kёshtu duhet t’u bёsh, se tё gjithё janё nacionalista. (“Libri i Zi…” f. 594).

Kur ikёm nga Shqipёria, tregon Prof. Isuf Luzaj,  ishim 118 profesorё, tani jemi gjallё unё dhe Abas Ermenji. (“Shqptarёt e amerikёs”, bot. 2003, f. 195).

ÇAMЁRISЁ i mohuan përkrahjen:

Nё njё letёr qё Nuri Dino i dёrgonte, me 21 shkurt 1944, Shefqet Peçit, konstatonte se nё Greqi po bёheshin pёrpjekje pёr bashkimin e dy forcave kryesore politike tё EAM dhe EDES, me synimin qё “grekёt tё shkatёrrojnё Shqipёrinё nёn maskёn komuniste…” Ai bёn thirje pёr ndihmё. Por u mohua ndihma. (4).

Mё datёn 25 nёntor 1943, deri mё 4 janar 1944, batalioni “Çamёria” sё bashku me forcat territoriale, i shkoi pёr ndihmё tё partizanёve grekё tё regjimentit tё XV-ELASIT, që komandoheshin nga Haki Rushiti, jasht territorit tё Çamёrisё. Ndёrsa batalionit tё Çamёrisё nё Çamёri ju mohua ndihma.

Nё dy masakrat tё njёpasnjёshme, e 27 qershorit 1944 dhe e 13 marsit 1945, Çamërisë nuk i shkoi asnjё ndihmё, por ula nёn masakrёn zerviste, ku u vranё, u therёn, u pёrdhunuan dhe sёfundi u dёbuan. Kjo ishtё detyra e guvernatorit Miladin dhe e tradhёtarit me damkё Enver Hoxhёs.

Jorgo Margaritis shkruan: (Enver Hoxha) “Fronti Çlirimtar i Shqipёrisё, nuk pranoi tё vazhdonte raprezalje nё kurriz tё minoritetit grek nё Shqipёri. Nё kundёrshtim tё praktikave tё vazhdueshme ballkanike, gjaku nuk u shpёrblye me gjak dhe dёbimi nuk u shpёrblye me dёbim…”  (5).

Nё Kosovё vepronte kosovari trim Shaban Polluzha, me mbi 40.000 forca nacionaliste. Sёrbёt e kishin tё pamundur pushtimin e saj.  Enver Hoxha dёrgoi divizionin e komanduar nga Ramiz Alia nё Kosovё. Kёshtu forcat nacionaliste dorёzoheshin te partizanёt shqiptarё “vёllai te vёllaj” dhe keta ua dorёzonin serbo-malazezёve, të cilët, tё arestuarit me mijёra vetё i masakruan nё Tivar. Tradhёti e madhe.

Kush e vrau Miladin Popoviçin?

E vёrteta historike: Miladin Popoviçi u vra nё fillim tё vitit 1945, si hakmarrje politike pёr Kosovёn nga nacionalisti i shquar gjakovar Haki Taha. “Gazeta Shqiptare” (6).

Enver Hoxha, i pangopur siç ishte nё fushёn e krimit, nuk e kishte pёr gjё tё kryente edhe disa krime tё tjera, pёr tё larё krimin e mёparshёm, e thёnё shkurt ai kёrkonte tё lante gjakun me gjak. Pasi kryente krime tё shumta me dorёn e kriminelёve tё inkuadruar nё sigurim, vriste edhe vetё kriminelёt qё i kishin shёrbyer. Pas krimeve tё viteve 1947-1948 nga Koçi Xoxe dhe shokёve tё tij, i vinte radha vete Koçi Xoxes, pёr t’u bёrё objekt i krimit. Pohim i Koçi Xoxes nё proçesin gjyqësor: “Kurdoherё kam vepruar me porosi dhe miratim tё Enver Hoxhёs.” (7).

Porositë e guvernatorit Miladin, ai i zbatoi gjatё gjithё jetёs sё tij, duke krijuar grupe armiqёsh njёri pas tjetrit dhe sidomos kundra klerit katolik u suall nё mёnyre katastrofale.

Guvernatori i dytë, Prifti Anastas Janullatos. Koloneli i asfalise greke. U mirёprit nga presidenti i Shqipёrisё Ramiz Alia, Fatos Nano, Sali Berisha dhe me pёrzёmёrsi nga Sabri Godo.

Prof. Dr. Eshref Ymeri shkruan: “Janullatosi ёshtё guvernatori faktik nё Shqipёri i shovenizmit grekokaragjoz, kurse qeveritё shqiptare qё hipin e zbresin nga pushteti nё Tiranё nuk janё gjё tjetёr, veçse njё turmё kukullash tё fёlliqura qё na kanё nxirё dhe po vazhdojnё tё na nxijnё faqen para opinionit ndёrkobёtar…”. (8).

Kur dihet qё lista e toponimeve greke pёr t’u miratuar, jo vetёm qё ёshtё paraqitur nё O.K.B.-se nga ana e Greqisё dhe aspak Shqipёrisё por, nga ana tjetër, gjithnjё sipas ministrit tonё tё jashtёm, ka marrё edhe fuqi ligjore, duke pohuar se fjala Çamёri nuk egzistoka. Po pse jemi druajtur ne dhe vazhdojmё tё druhemi, tia paraqesim kёrkesёn tonё gjithashtu O.K.B.-sё ?!

Shteti grek nёpёrmjet drejtuesve tё tij nuk pranon asnjё ballafaqim historik shkencor lidhur me problemin çam.  (9).

Duke u nisur sa mё sipёr, Evangjelos Venizellos deklaroi nё Tiranё se ai nuk e njeh çёshtjen çame. Ka tё drejtё tё thotё se nuk egziston Çamёria pёr ata dhe pikërisht pёr kёtё arsye kthehen çamёt nga kufiri, se kanё tё shkruar vendlindjen nё Çamёri. Tradhёtia e qeveris Shqiptare qendron te Rezoluta Çame mbeti e pa pёrcjellё deri sot e 70 vjet mё parё. Janullatosi i sotёm me Miladinin e djeshëm, janё si dy pika uji, armiq tё kombit Shqiptar.

Tallen qeveritё PD dhe PS, e kemi ose nuk e kemi tё miratuar Rezolutёn Çame, ose nuk e bёjmё dotё as regjistrimin nё Fletoren  zyrtare, Rezolutёn e çёshtjes Çame se acarrohen maredhёniet me grekun.

Kryeministri Edi Rama ka botuar nё Fletoren Zyrtare rezoluten e Çёshtjes Çame nё kёmbim tё votave tё pesё deputetёve tё PDIU pёr reformat e saj. Dihet se botimi Rezolutёs Çame nё Fletoren zyrtare, tani nuk ka asnjё vleftё, kjo ёshtё thjesht njё tallje pёr tё mashtruar deputetёt Çamë, tё cilet edhe kёta e kanё shkёmbyer çёshtjen e Çamёrisё me pushteti politik dhe pёrfitimet e tjera personale e klanore. Akoma nuk njihet juridikisht çёshtja çame, nga presioni politik tё shtetit grek. Nёnvizon Dr. Sulejman Abazi.

Flitet pёr Traktatin e Miqёsisё, dhe tё bashkёpunimit midis Shqipёrisё dhe Greqisё dhe nga ana tjetёr krekosen duke thёnё se rruga e juaj pёr nё Evrope kalon nga Athina. Prandaj plotёsoni kёrkesat e Athinёs…

Prof. Dr Eshrefi fshikullon: “Prandaj mos bёni asnjё naze pёr plotёsimin e kёrkesave tё Athinёs, siç janё kufiri detar, mohimi i çёshtjes çame, mosprekja e çёshtjes sё ligjit tё luftёs, heshtja pёr mosnjohjen e kufirit tokёsor me Shqipёrinё nga ana e Greqis, krijimi i komisionit tё varrezave pёr ushtarёt grekё, ngritja e vorrezave tё reja, pёrjetёsimi i pushtimit tё kishёs ortodokse dikur shqiptare prej kishёs ortodokse greke, avancimi i tё drejtave tё minoritetit grek etj”.  (10).

Pozita çame sot, do tё ishte më e vendosur, kur u zgjodhёn 5 deputë, u krijua njё grup parlamentar, u betuan pёr çёshtjen çame dhe kёta heshtën, nё vend tё kёrkonin me ngulm ose tё largoheshin nga Palamenti, siç kanё deklaruar mё parё, me kusht tё aprovohej Rezoluta Çame. E aprovuar nga parlamenti dhe e nisur nga qeveria se bashku me dosjen e materialeve tё arkivuar nga 5 marsi 1913 deri nё 13 prill tё 1945, tё pasqyruara poshtёrsitё greke dhe t’u dёrguar O.K.B.-sё, B.E. dhe Kongresit Amerikan. Kjo do tё ishte si ombrellё kundër rezolutёs greke dhe lobit greko-amerikan. Atёherё do tё dёgjohej zёri i Tahir Muhedinit, pёr tё krijuar lobing nё Kongresin Amerikan ose Shpёtim Idrizit me studion juridike nё Angli e me pjesёmarrjen e tyre nё Washington.

Zotёrinjtё Artur Vrekaj nё Worcester, MA SHBA dhe Hyqmet Zane nё Elbasan Shqipёri, shkruajnë: Bukur dhe mirё, por greku asgjë nuk do tё dёgjojё, se ai mbrohet nga Rezoluta greke qё ёshtё bёrё e njohur nё arrenёn ndёrkombёtare, se Çamёria nuk egziton,  e dёrguar kjo qysh para 10 vjetёve O.B.S-sё dhe B.E. Me grekun nuk bёhet dialog se nuk tё pranon tё bisedosh pёr çёshtjen çame, se ai e ka ligjёruar inegzistencёn e Çamёrisё. Prandaj ai tregon muskujt dhe i shtohet oreksi, siç e shpjegon mё lartё Z. Ymeri. Sot duhet drejtuar kundёr grupit parlamentar çam, se vetёm atje ёshtё vendi pёr tё plotёsuar aspiratёn çame, nё njё parlament dhe qeveri qё u njehsua me qëndrime antishqiptare tё Athinёs zyrtare, por edhe tё Tiranёs Zyrtare.

Guveratori Janullatos po kthen në grekë, jo vetёm tё gjallet, por edhe tё vdekurit, eshtrat dhe varret e tё cilёvё po ndёrrojnё kombёsi dhe po kthehen nё sinore tё helenizmit trojet tona amtare.

 

Referenca

1. Studjuesi Gezim Llojdija,  “Forumi” 6-11-2010

2. Studjuesi Armand Jonuzi, Zulohet pas 64 vjeteve.

3. Stephane cutoirs, “Libri i Zi i komunizmit”, f. 594.

4. Beqir Meta, “Tragjedia çame”,  f. 69.

5. Jorgo Margaritis, “Bashkepatriote…”, f. 147.

6. Take Gega, internet “Kushe vrau Miladinin” 12-11-2008.

7. Gazeta “Ilyria”, 21 korrik 2006, f. 27.

8. Prof. Dr. Eshref Ymeri, “Janullatosi guvernator grek në Tirane.

9. Mergim Korca, “Çameria zhduket nga harta e Greqisë”.

10.Prof. Dr. Eshref Ymeri, “Ministri i jashtëm grek”, 12-11-2013

Rasim  Bebo  Addison Çikago nentor2013.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dy guvernatore, dy varrmihes ne shqiperi, Janullatos, Miladin Popovic, rasim bebo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 785
  • 786
  • 787
  • 788
  • 789
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT