• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për Një Të Djathtë Të Vërtetë

October 9, 2013 by dgreca

NGA NIKO KIRKA/

          Nga vitet tetëdhjet të shekullit të kaluar gara e armatimeve midis dy blloqeve ushtarakë-politikë kundërshtarë, NATO, kryesuar nga USA dhe “Perandoria e së keqes”, kryesuar nga URSS, po merrte përmasa të jashtëzakonshme.Barra e shpenzimeve ushtarake po e rëndonte çdo ditë e mëshumë ekonominë e vëndeve pjesmarëse në atë garë. Edhe për ekonominë shumë të shëndoshë amerikane, ajo po bëhej e papërballuëshme, kështu që Presidenti Eisenhauer iu drejtua edhe shteteve të tjerë për të marë pjesë në programin e “Luftës së Yjeve”.Ndërsa për Bashkimin Sovjetik situata ishte tepër e vështirë. Në pamundësi që të gjente burime veç atyre që dispononte vetë dhe duke kufizuar jashtëmase shpenzimet civile për nevojat jetike të popullsisë, udhëheqja sovjetike filloi të shihte se i ishte futur një rruge pa krye.Por këto mëdyshje nuk dilnin në shesh.Në dukje çdo gjë ishte solide, zhvillimi e përparimi vazhdonin në bllokun sovjetik, jeta ishte e lumtur, bash ashtu si dinte ta zbukuronte mjeshtërisht propaganda komuniste.

Megjithatë diçka filloi të ndjehej. Në fund të 1984-ës një delegacion i parlamentit sovjetik bëri një vizitë në Britani. Kryetari i delegacionit, Gorbaçovi, dukej se mbante tjetër qëndrim, sillej ndryshe, fliste ndryshe. Nuk ishte qëndrimi i ngurtë, i ashpër dhe gjuha e vrazhdë, e drunjtë që shfaqnin zakonisht gjerarkët komunistë. Filluan të përdoren fjalë të reja si “gllasnost” e “perestrojka”. Deklarata e Thatcherit se ai po mundohej ta bënte të funksiononte më mirë sistemin e tyre nuk vonoi. Vetë udhëheqja sovjetike pat lënë të kuptohej se regjimi komunist nuk po ecte, pra kish dështuar!

Të gjithë jemi dëshmitarë se si rodhën me shpejtësi ngjarjet deri sa arritëm që edhe në Shqipërinë tonë të mbyllur, Ramiz Alia të bënte ndryshimet e duhura, ndonëse me një vit vonesë që iu desh për të bërë pregatitjet e duhura. Në euforinë e përgjithëshme populli i ngazëllyer që po merrte frymë lirisht, ne të dënuarit e të mallkuarit e regjimit që po dilnim nga zgafellat ku na patën futur, si të vdekur të ringjallur, harruam diçka që ishte fatale dhe është edhe sot për vëndin tone: mashtrimin e tyre të pasosur. Kështu që për të ruajtur sundimin e tyre ishte shumë e lehtë për ta, pa ndonjë brerje ndërgjegjeje, pa asnjë sforcim, brënda natës, ndryshimi nga komunistë në antikomunistë, nga mallkues të sistemit kapitalist në hymnizues të tij, nga përçmues të demokracisë borgjeze në lavdërime të pluralizmit politik, nga mallkues të imperializmit amerikan në b-lëpirës të tij, e kështu me radhë. Dhe për t’i bërë sa më të besueshëm këta antikomunistë të thekur , caktuan një pjesë të tyre, gjoja si nostalgjikë të ideologjisë së tyre, që do të ishin si kundërshtarë politikë të të parëve dhe do të plotësonin kështu skenën politike të demokracisë shqiptare. Kështu do të vazhdonte jeta në vëndin tonë, të sunduar po nga ajo kastë kriminelësh, grabitqarësh dhe hajdutësh, por në kushte të reja.

 Por për të qënë më të sigurt për sundimin e tyre në të ardhmen, u përgatitën shumë djallëzisht se si do të vepronin në atë që do të quhej krahu i djathtë i politikës.Duke qënë se pasardhësit e klasës që para 1944-ës drejtonte jetën politike, ekonomike e shoqërore në Shqipëri, ishin thellësisht të atij krahu, sigurisht nuk mund të pranonin bashkëpunimin me ish komunistët të kthyer në antikomunistë. Atëhere u paraqit teza djallëzoree “së keqes më të vogël” dhe u zbatua mashtrimi i madh historic: lëvizja studentore dhe Partia Demokratike që do të përfaqësonin krahun e djathtë politik në vëndin tonë. Në këtë grackë ranë në fillim disa ish të burgosur politikë, mjaft të arsimuar që nuk vinin nga ish kasta e komunizmit shqiptar dhe shumë të tjerë që sinqerisht besuan te parullat antikomuniste që po shpaloste “e djathta” parti demokratike! Megjithse të gjithë jemi dëshmitarë se si u zhvillua jeta politike dhe si rodhën ngjarjet në këta njëzet e ca vjet, mendoj se është e domosdoshme të rikujtojmë dhe të shqyrtojmë më me kujdes disa qëndrime dhe disa akte që detyrimisht të detyrojnë të shtrosh pyetjen: a ka qenë ndonjëherë antikomuniste dhe e djathtë kjo Partia Demokratike?

Qëndrimi që ka mbajtur PD-ja ndaj krimeve të regjimit komunist dhe kriminelëve të atij regjimi është guri i provës. Në vizitën e parë që bëri në Strasburg komunisti-antikomunist  Sali Berisha deklaroi se nuk do të bëheshin gjyqe politikë dhe nuk do të krijoheshin gjykata special. Kështu që jo vetëm nuk u dënua asnjë kriminel i atij regjimi me gjithë barbaritë që patën bërë, por nuk iu bë as në tërësi gjyqi politik atij regjimi. Përkundrazi sot ke shumë nga ata në pozita ekonomike e politike që në atë dimrin e 90-91-së as nuk do të guxonin t’i shihnin në ëndër! Pra antikomunizmi i PD-së ishte mashtrim!

Si parti e djathtë ose e qendrës së djathtë, duhet të dilte në mbrojtje të interesave kombëtare sidomos kundër  gjallërimit agresiv të shovinizmit grek. Por u bë krejt e kundërta.U pranua gjoja si parti shqiptare partia greke PDNJ që u shpërnda në gjithë Shqipërinë. U lejua çelja e shkollave greke, gjoja për nevojat e minoritetit grek edhe në Korçë, kur dihet historikisht që në prefekturën e Korçës që nga Mesi Urave, në Leskovik dhe deri në Qafën e Thanës nuk ka pasur kurrë asnjë minoritar vëndas. U lejua ngritja e varrezave për ushtarët grekë të vrarë gjatë luftës italo-greke 1940-41, që bëri të mundur të vijnë çdo vit emisarët e shovinizmit grek për të kremtuar festat e tyre! A ka fyerje më të madhe që mund t’i bëhet  ndjenjës kombëtare të shqiptarëve?! A mund t’i bënte këto një parti e pozicionuar djathtas, që duhet të ketë në programin e qëllimin e saj mbrojtjen e zhvillimin e vlerave kombëtare?

Me një mëndjelehtësi skandaloze, që pa hezitim mund ta quash tradhëti kombëtare, u negociua dhe u nënshkrua marëveshja për kufirin detar me Greqinë. Aq e pabesueshme ishte pranimi i kërkesave greke, sa ministrja greke Bakojanis e cilësoi këtë akt “një fitore strategjike”! A mund  ta bënte këtë një parti e djathtë që një ndër synimet kryesore ka mbrojtjen e interesave kombëtare?! Të mos flasim pastaj për lëshimet e fshehta dhe të hapura bërë sërbëve të Milloshevicit, ku furnizimi me naftë në shkelje të embargos ishte më skandalozi e pastaj favorizimi i bizneseve të tyre në dëm të Kosovës. Kombëtarizëm I thonë këtij?!

Duke marë parasysh përbërjen e popullit shqiptar me besime të ndryshme fetare, rilindasit tanë nxitën e filluan të rrënjosin ndjenjën e tolerancës dhe mirëkuptimit midis komuniteteve të ndryshme fetare. Dhe një faktor shumë i rëndësishëm në këtë drejtim ka qënë Kisha Ortodokse Autoqefale. Autoqefalia ka qenë gur themeli për pavarësinë e Shqipërisë! Dhe këtë thesar të çmuar që na lanë rilindasit, Sali Berisha, në postin e presidentit të vëndit, me një injorancë të pabesueshme të zhvillimeve historike të vëndit të vet, e nëpërkëmbi dhe e dëmtoi rëndë duke ia dorëzuar një të huaji dhe ca më shumë, një emisari të shovinizmit grek që aq shumë e pat luftuar Kishën tonë, duke ia përgjakur rrugën e saj me shumë klerikë martirë. Dhe meqënëse Saliu është njëjsuar me PD-në, lind pyetja e përsëritur: a ka qënë kjo biçim parti e djathtë, mbrojtës e interesave kombëtare?!

Në euforinë e përgjithshme të dimrit 90-91 më të shpresë lindurit ishin ata që mishëronin pjesën më energjike, më të shkathët dhe më të dobishme për vëndin, pra shtresa e të shpronësuar nga regjimi i parazitëve enveristë. Pronarët prisnin që të vihej drejtësia në vënd nga PD-ja si parti e djathtë. Por zhgënjimi erdhi menjëherë. Në vënd që ta abrogonin me të ardhur në pushtet, ata filluan zbatimin e ligjit ramizist mbi tokën të ngritur mbi parimin leninist “toka i takon atij që e punon” dhe ndahet sipas frymëve! Dhe djallëzisht filluan mashtrimin se abrogimi i atij ligji, do ta shtynte fshatarësinë të mos votonte për ta. Dhe këtë e thonin kur kishin fituar tashmë zgjedhjet, në mënyrë plebishitare, bile! Dhe si çekiç, godet pyetja: një parti e djathtë pse synon të fitojë zgjedhjet, të vijë në pushtet dhe të mos zbatojë një program të djathtë?! Përse e kërkon atëhere pushtetin?! Po zhgënjimi do të vazhdonte edhe më tej: nga fundi i prillit 1993 më në fund doli ligji për kthimin e kompensimin e pronave, një ligj keqtrajtues që në titull me cilësimin “ish-pronarët”! I ndërtuar në mënyrë tepër djallëzore synonte ta ndërlikonte për ta bërë të pazgjidhshëm çështjen e pronës. I ndarë nëdy momente “njohja” dhe “kthimi”, mashtronte e tallej me pronarin, sepse ia njihte pronën, por me pretekste të ndryshme nuk ia kthente! Duke shpërndarë disa thërrime aty-këtu, filluan me lloj-lloj truke ligjore duke përvetësuar pronën e pronarëve të ligjshëm me dy synime: të mos lejonin fuqizimin ekonomik e rrjedhimisht politik të asaj shtrese për vokacion e tradicionalisht të djathtë dhe nga ana tjetër të fuqizoheshin vetë ekonomikisht për të mbajtur pushtetin politik. Nuk u ngopën me aq kurrsesi! Mbas 90-ës nxitën një zhvendosje masive të popullatës drejt zonave fushore që grabiti tokat e bashkatdhetarëve të tyre e krijoi qëndra banimi që janë shndruar në zona krimesh e konfliktesh. Dhe kryetari Sali Berisha deklaronte se “jemi krenarë që ata nuk ndërtojnë bidonvila me kartonë e dërrasa, po ndërtime me blloqe betoni”! Mburej ky komunist fanatik me ata banditë që me kosore në dorë erdhën e zaptuan gjënë e tjetrit! Nuk mendojnë se kanë krijuar një armiqësi midis shqiptarësh që do të vazhdojë shumë gjatë, sepse çdokush do tua lërë amanet me shkrim pasardhësve të tij, se sa dhe kush ua ka zaptuar mallin e gjënë. Edhe sot mbas 23 vjetësh ka shumë e shumë pronarë që nuk kanë përfituar asnjë qindarkë nga pasuria stërgjyshore! Pra, duke zbatuar një politikë të tillë, a mund të quhet parti e krahut të djathtë PD-ja?!

Në 90-tën shtresa shoqërore që, në mënyrë natyrale, me të drejtën morale, njerëzore e hyjnore, u ndje e lumturuar, ishte shtresa e ish të burgosurve e të përndjekurve politikë. Të vrarë, të cfilitur, të nëpërkëmbur, të dënuar të jetonin në mjerim, ata po dilnin nga zgafellat, ku i patën futur dhe po e ndjenin se po ringjalleshin. Të bindur se me qëndresën e tyre, duke mos u thyer nga dhuna, pra edhe me kundërshtimin pasiv ndaj diktaturës, ata kishin mbajtur të ndezur atë flakëzë shumë të vogël nga e cila shpërtheu ai flakadan i madh i shpresa të mëdha.  Ata besuan sinqerisht dhe mbështetën plotësisht liderat që ua vunë përpara për të udhëhequr rrëzimin e komunizmit dhe vendosjen e regjimit të bazuar mbi lirinë dhe drejtësinë. Po mashtrimi mizor që iu bë atyre, tradhëtia e ndyrë ndaj besimit që ata patën, është një nga qëndrimet më të errëta, më të pabesa, më të neveritshme që kanë ndodhur ndonjëherë në këtë mëmëdhenë tonë. Me ndonjë lëmoshë në dy-tre vitet e para, “komunistët-antikomunistë” i nxorën kthetrat dhe i hodhën tutje ata që vinin nga kjo shtresë. Në vënd të një ndihme morale e politike për t’iu afruar kushteve të barazisë në garën e lirë të ekonomisë së tregut, ata u mënjanuan e u keqtrajtuan dhe për më tepër u përtallën. Po, po! Ndërsa nga partia e vazhdimësisë bolshevike ndjenim të vinte vala e urrejtjes, nga partia e komunistëve demokratë ndjemë hidhësinë e talljes! Kurse kulmin e sjelljes përçmuese ndaj nesh e përjetuam me dëmshpërblimin që i jepet një ish të burgosuri për kohën që ka kaluar nëpër qelira, edhepse ka qënë i pafajshëm. Megjithëse i parashikuar në Kodin Penal, përgatitja e këtij ligji që djallëzisht iu ngarkua ta pregatitnin pinjollë të ish gjerarkëve komunistë, jo vetëm që parashikonte një kalvar të gjatë për gjetjen e dokumentave, por u zgjat shumë në kohë duke synuar ta shfrytëzonin për qëllime propagandistikë për përfitime elektoralë. Pabesisht u suallën pastaj duke ndryshuar fshehurazi ligjin! Në fillim parashikohej ndarja në tetë këste, nga një për vit, kurse më vonë u tha që do të shlyhej në fund të 2017-ës, ndërsa për tetë vjet në pushtet dhanë vetëm dy këste për rreth pesëmijë dosje nga përmbi 22 mijë! Dhe vetvetiu bëhet e lodhshme pyetja: a ka qënë ndonjëherë e djathtë kjo parti që mban një qëndrim të tillë armiqësor ndaj shtresës më të vendosur e më besnike ndaj një programi politiko-shoqëror vërtet të djathtë?

Përfundimisht, PD-ja nuk ka qenë kurrë as antikomuniste dhe as e djathë! PD-ja ka qenë e mbetet një gënjeshtër, ka qenë e mbetet një mashtrim historik! Sot, mbas më shumë se dy dekadash, kemi parë lojën e ndyrë gjoja midis dy blloqesh me filozofi të ndryshme politike, kurse në të vërtetë ka qenë vetëm një tufë banditësh e ndarë në dy tarafe që kanë luftuar egërsisht kundra njëri-tjetrit se kush do të zhvaste copën më të madhe nga kjo Shqipëria jonë e pocaqisur. Kjo katrahurë nuk mund të vazhdojë më dhe nuk duhet të vazhdojë.

Si pasardhës i një familjeje me veprimtari të theksuar nacionaliste, si një ish i burgosur politik që nga viti i largët 1946, me të drejtën e  moshës së avancuar, e ndjej si shtysë të brendëshme, si detyrim të ndërgjegjes sime, këtë parashtrim publik të bindjeve e të këndvështrimit tim se si mund të ecet në gjëndjen e krijuar. Si një i djathtë, i bindur që filozofia politike e së djathës në zbatimin e saj, është në interes të vendit, do të flas vetëm për të. Për sa i përket krahut tjetër, kur ata të zhvishen nga trashëgimia duke dënuar të kaluarën kriminale, do t’i konsideroja si kundërshtarë politikë. Duke vënë këto piketa, le të vazhdojmë.Me gjëndjen e krijuar mbas zgjedhjeve të 23 qershorit, me daljen hapur të kundërshtive brënda kryesisë së PD-së, ka ardhur koha që të djathtët e vërtetë që kanë ngelur në PD të shkunden, të mbajnë qëndrimin e duhur e të formojnë grupin e tyre parlamentar. Këtë mund ta bëjnë dhe duhet ta bëjnë ata që nuk e kanë prejardhjen familjare nga kasta komuniste, pra nuk kanë mëndësinë e botëkuptimin e banditit grabitqar. Po e konkretizoj mendimin: Deputetët e Durrësit, Gent Strazimiri e Igëll Cara, ata të Tiranës Dashamir Shehi, Halim Kosova e Florian Mima, deputeti i Shkodrës Nard Noka mund të gjejnë edhe një tjetër që plotëson kushtet e le të formojnë grupin. Ky grup parlamentar do të gjejë mbështetjë e bashkëpunim me Mark Markun, Visar Zhitin, Gilman Bakallin, Shefqet Deliallisin, Genc Jukën e të tjerë që nuk më kujtohen tani. Nuk njoh asnjërin personalisht, por mendoj që këta e kanë brumin dhe hirin për të bërë këtë veprim. Edhe le të marin kontakt me figurat dinjitoze të FRD-së që me qëndrimin që mbajtën me zgjedhjet e 23 qershorit treguan vizion të qartë politik, vendosmëri, integritet, forcë karakteri dhe sëbashku le të krijojnë të djathtën e vërtetë, atë që në formën e saj të mirëfilltë s’ka egzistuar asnjëherë tek ne por për të cilën atdheu ynë ka aq shumë nevojë. E di që do të ngrihen zëra të shumtë që nuk do të lenë gjë pa thënë për personat e lartpërmëndur e për FRD-në. E di, gjithashtu, që të gjithë ata që kanë kaluar nëpër baltovinën politike të PD-së të mos kenë ca stërkala balte mbi kurriz. Por jam i bindur gjithashtu që zhytja me zemër të hapur në ujrat shkumbëzuese të dlirta të Shqiptarizmës, pastron çdo stërkalë që mund të kesh pasur mbi shpinë. Jam i ndërgjegjshëm që ka vështirësi, që ka inate, hatërmbetje, keqkuptime të shkaktuara nga thashethemet të zakonshme për ne, por kemi një gjë të madhe që nuk duhet ta harrojmë, kemi shëmbullin e shkëlqyer të të parëvë tanë, kemi amanetin e madh të tyre dhe duhet të tregojmë që mëndësia 70 vjeçaree banditizmit komunist na ka dëmtuar shumë po nuk ka mundur të na e ndryshojë ADN-në stërgjyshore.

Një parti e tillë e djathtë, pa asnjë lidhje me të infiltruar nga kasta komuniste, me një grup parlamentar në Kuvënd, do të ketë një peshë të mirë në skenën politike të vendit. Baza shoqërore e saj do të jenë shtresa e pronarëve të shpronësuar dhe ish të burgosurit e të përndjekurit politikë. Po sa janë këta? Në gjoja-garën për kryetar të PD-së Basha i quajti ata “palca e partisë”, kurse Olldashi i saktësoi si 11.8 % të elektoratit. Sipas shifrave të deklaruara të Agjensisë së Kthimit të Pronave, janë dorëzuar 80 mijë kërkesa për kthim prone. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, janë mbi 22 mijë kërkesa për dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Për të rrumbullakosur shifrën po i bëjmë tok 100 mijë. Pa llogarira të zellshme bëhen rreth 300 mijë votues që mund të dërgojnë në Kuvend 30 deputetë!

Realizimi I kësaj çështjeje do te ketë shumë vështirësi dhe do të kërkoje kohe. Po kryesisht kërkon durim, vendosmëri, bindje të thella, forcë karakteri. Mbi të gjitha kërkon përkushtim dhe ata që do të luftojnë për ta sendërtuar ta konsiderojnë vehten jo politikanë të zakonshëm, por luftëtarë misionarë. Misioni i tyre ka në thelb një kumt amanet që vjen nga thellësia e kohës: Shqipëria do të bëhet, kur të bëhen shqiptarët dhe shqiptarët do të bëhen kur ata të formojnë e të zhvillojnë ndërgjegjen kombëtare! Gjithmonë kam besuar në këtë kauzë e vazhdoj të besoj. Shpresoj ta shoh të fillojë të ecë përpara para se unë të kapërcej pragun që e shoh se po i afrohem. Besoj dhe lutem: Zoti na bekoftë!

Nju Jork  7  Tetor 2013

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Niko Kirka, per nje te Djathte, te vertete

POLITIKA SHQIPTARE NË HIGH HEELS PËRPARA TRAGJEDISË LIVE TË SOFIE QENDROS

October 8, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Këto ditë na panë sytë një tragjedi e cila nuk u luajt në një skenë teatri apo amfiteatri. Nuk ishte një tragjedi greke as e mesjetës. Nuk ishte e shkruar as nga Eskili, as nga Shakespeare. Por për nga përmasat i tejkalonte edhe tragjeditë e antikitetit grek e romak edhe tragjeditë shekspiriane. E kalonte tragjedinë e Persëve, Prometeut të lidhur. E sfidonte Othellon, Hamletin apo Romeo e Zhulietën. Tekstin e saj nuk e kishte shkruar asnjë dramaturg shqiptar. Dramaturgët shqiptarë shkruajnë skeçe e vazhdojnë të kenë në kokat e tyre skemat e dramave të realizmit socialist. Kjo tragjedi nuk u luajt nga aktorët e teatrove shqiptare, të cilët sot ndihen si lypsarë dhe të mjerë.
Kjo tragjedi mirëfilli shqiptare u interpretua „live“. Nga një zonjë e moshuar 87 vjeçare mbetur në mes të katër rrugëve, e cila  vdiq „live“ përpara syve tanë. Sepse e lamë ne që të vdesë. Vdekja e kësaj gruaje të moshuar është produkt i asaj që ka prodhuar politika shqiptare këto 23 vjet. Tragjedia e kësaj nëne dhe gjysheje është pasojë e indiferencës së shoqërisë në degradim.
Zonja Sofie Qendro shërbeu si subjekt i gazetave dhe televizioneve. Mjerimi i saj u fotografua, xhirua dhe shërbeu si mall për botën multimediale shqiptare, e cila konkuron për nga teknika me vendet më të pasura të botës. Sofie Qendro u la të vdesë pak e nga pak, ne të gjithë e lamë atë të vdiste. Ne të gjithë e vramë pak e nga pak. E para ishte politika, e dyta ishte shoqëria civile, i treti pushteti i katërt, pastaj vinim të gjithë ne, shoqëria shqiptare.
Ajo grua vdiq dhe askush nuk çau krye për këtë vdekje tragjike të imponuar nga një shtet që ka dalë nga funksioni dhe për një shoqëri e cila ka hequr dorë nga vlerat që e kanë bërë t’iu mbijetojë të gjitha tallazeve. Asaj gruaje i vunë vizën që në gjallje. Cinizmi i ne të gjithëve ishte kanibalesk. Sepse vetëm kanibalët ushqehen me mish njeriu, me mishin e më të dobtëve, pjesës më vulnerabël të shoqërisë.
Në Shqipëri janë mijëra banesa bosh – ndërtuar nga biznesi i ndërtimeve. Në Shqipëri s’ka fabrika, si tha Peter Lucas. S’ka fabrika por ka kazino. S’ka bukë, por ka biskota! Në Shqipëri s’ka fabrika por banesa bosh ka me mijëra, ku mund të strehohej shumë mirë zonja Sofie Qendro, nëse do të shqetësohej dikush, por në asnjë nivel nuk u mor askush me dramën që po luhej para syve tanë, e cila nga çasti në çast pritej të shndërrohej në tragjedi. Klasa jonë politike ka disa shtëpi, në qytet e det. Vilat e tyre ishin bosh dhe asnjëri prej tyre nuk u tregua i mëshirshëm, human, solidar sa për të gjetur një zgjidhje të përkohëshme deri tek zgjidhja definitive. Që ajo zonjë të mos vdiste, këtu para syve tanë, nën dritën e projektorëve, blitzave dhe kamerave të televizioneve.
Disa ditë më parë, shtypi i Tiranës ishte fokusuar tek luksi i veshjeve të klasës politike, si një narracion pa asnjë pikë kritike. Për të treguar shijet e VIP-ave shqiptarë që këtë luks dhe prosperitet e kanë prej taksave të shqiptarëve, dmth, prej taksave tona!

Para disa ditësh në një intervistë Adelina Mamaqi një shkrimtare për fëmijë tregonte se pensioni i saj është 130 mijë lekë të vjetra dmth 90 Euro, ashtu si gjysmë milioni pensionistë, nënat dhe baballarët tanë! Po këpucët e grave të politikës sa kushtojnë? Disa fish më tepër se pensioni i Adelina Mamaqit!

Ku jemi duke shkuar kështu ?

E çfarë qeraje për banesë mund të paguajë një e moshuar si zonja Sofie Qendro me 100 Euro pension? Në çdo shoqëri normale, në çdo vend normal është shteti që jep përkrahje sociale, është shoqëria civile që tërheq vemendjen, janë mediat që ngrejnë në këmbë opinionin publik që të mos lejohet kurrë „live“ ekzekutimi i një gruaje të moshuar, prej inkuizicionit të indiferencës sonë! E lamë ne të vdesë prej mungesës së mëshirës dhe ndjenjave njerëzore.
Nuk ka asnjë lloj justifikimi për tragjedinë „live“. Kjo tragjedi e ekzekutuar përpara nesh, tregon se ndërgjegjia jonë është blozë. Sofie Qendro na akuzon ne! Sofie Qendro është e pafajshme. Ne jemi fajtorë të vdekjes së saj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, politika shqiptare, Sofie Qendro

Përrallat e gjyshes!

October 4, 2013 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/

Fushata nisi. Partitë e mëdha, sigurisht, me xhepin më të fortë e kanë nisur fushatën me bujë të madhe. Me koncerte, me reklama, me bilborde, me vetura të mbuluara me flamujt apo me kamionçina ftojnë votuesit për të votuar ndonjërin nga kandidatët. Gjatë këtyre 30 ditëve të fushatës parazgjedhore në Kosovë, në të gjitha mediat elektronike dhe ato të shkruara, do të kemi mundësi të shohim partitë politike dhe kandidatët e tyre, duke dhënë premtime të pafundme në mënyrë që t’i bindin votuesit që të dalin në zgjedhje dhe t’i votojnë ata. Do të dëgjojmë akuza të lloj-llojshme që do të bëjnë partitë dhe kandidatët kundër njëri-tjetrit. Qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi kandidatët e tyre t’i shohin edhe për së afërmi, pasi ata do të shkojnë në çdo cep të Kosovës, lokal për lokal, madje edhe nëpër kafeneja dhe çajtore për të kërkuar votën e tyre, duke ju dhënë premtime të mëdha që natyrisht ato kurrë nuk i realizojnë. Motoja e çdo kandidati padyshim që do të jetë; voto për mua, sepse unë do ta realizojë këtë që kryetari i mëhershëm e ka premtuar por nuk e ka realizuar. Ata me çdo kusht do të mundohen t’i bindin votuesit që të votojnë për ata. Zhgënjimi i qytetarëve të Kosovës me partitë politike është shumë i madh, dhe në çdo zgjedhje nacionale ose lokale që janë mbajtur në Kosovë është vërejtur në masë të madhe ky zhgënjim, derisa në zgjedhjet lokale të vitit 2000 pjesëmarrja e votuesve ka qenë 82 për qind në vitin 2010 pjesëmarrja ka qenë 42 për qind, dhe sipas shumë OJQ-ve në këto zgjedhje pjesëmarrja e votuesve do të jetë akoma më e ulët. Shifrat flasin vetë dhe zhgënjimi i qytetarëve të Kosovës për të mos dalur në zgjedhje është mëse e arsyeshme, pasi deri më tash premtimet e partive politike që e kanë shijuar pushtetin nuk i kanë realizuar ato për t’ju rregulluar sadopak jetën atyre. Janë shumë arsye pse qytetari i Kosovës  që të mos dalë të votojë në këto zgjedhje.

-Republika e Kosovës edhe 14 vite pas luftës, po përballet me mungesë të energjisë elektrike dhe kjo po ndikon drejtpërdrejt që investitorët e huaj të mos investojnë në Kosovë.

-Papunësia mbetet në shifra alarmante. Kemi një ekonomi të brishtë, fabrikat u shitën për një shumë qesharake dhe shumica prej tyre nuk janë funksionale, ato me ndihmën e qeveritarëve ranë në duart e matrapazëve, ku padyshim hise në këto fabrika kanë edhe një pjesë e politikanëve tanë, ndërsa varfëria po shtohet dita-ditës. Mbi 400 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në varfëri të skajshme/ekstreme, dhe mijëra familje të djegura nga lufta ende s’kanë kulm mbi kokë.

-Familjet e dëshmorëve, martirëve dhe invalidëve të luftës kanë mbetur pa përkujdesje institucionale, në mëshirën e Zotit, dhe vetëm gjatë fushatave elektorale të partive politike kujtohet kjo kategori dhe kryesisht përdoret për të fituar në kurriz të tyre sa më shumë vota.

-Shëndetësia është në gjendje të mjerueshme, dhe pacientët që vizitohen çdo ditë nëpër spitalet e Prishtinës e gjetiu, më së miri e ndiejnë këtë gjendje katastrofale në të cilën ndodhet shëndetësia në Kosovë.

-Cilësia në arsim ka rënë dukshëm, ku po dominojnë Universitetet private që pas luftës u bien si këpurdhat, dhe dita-ditës këto të vetëquajtura ”Universitete” po prodhojnë analfabetë me diploma,  që padyshim këto gjëra do t’i kushtojnë më vonë Kosovës shumë shtrenjtë.

-Korrupsioni është shpërndarë si kancer në të gjithë Kosovën, ku marrim gjithmonë kritika nga organizata të ndryshme financiare dhe nga BE-ja, për nivelin e lartë të korrupsionit.

-Krimi i organizuar, trafikimi i qenieve njerëzore, prostitucioni, Kosovën po e përcjellë edhe tash 14 vite pas përfundimit të luftës. Organet policore si dhe sistemi i korruptuar gjyqësor nuk po ia arrijnë t’i luftojnë këto dukuri negative, që janë shumë të dëmshme sidomos në këtë fazë të shtetbërjes që po kalojmë, ku e gjithë bota kanë vëmendjen tek ne se si po e menaxhojmë këtë pavarësi gjysmake(të çaluar).-Veriu i Mitrovicës po vazhdon akoma të mbetet jashtë juridiksionit kushtetues të Republikës së Kosovës, dhe si në çdo fushatë parazgjedhore partitë politike do ta përdorin pikën më të nxehtë Veriun e Mitrovicës, kinse ata do ta ri-bashkojnë qytetin e ndarë të Mitrovicës që nga paslufta, në mënyrë që të fitojnë sa më shumë vota.

Premtimet e partive politike në Kosovë që i kanë bërë në të kaluarën në çdo fushatë parazgjedhore por që do t’i bëjnë edhe tash, janë të besueshme që do t’i realizojnë, aq sa përrallat e gjyshes sime që mi tregonte kur kam qenë i vogël në mënyrë që të më qetësonte dhe të flija gjumë dhe kur u rrita e kuptova që ato përralla kishin qenë të gjitha gënjeshtra.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, opinion, perrallat e gjyshes

VATRA U NGUT NE TAKIMIN ME EDI RAMEN

October 3, 2013 by dgreca

OPINION NGA VIKTOR  DARAGJATI/

Detyra kryesore  e Vatres asht me mprojt interesat kombetare dhe posacerisht interesetat e popullit Shqiptar. Shpresohet qe mbas 50 vjet diktature marksiste Vatra, si Organizat Panshqiptare ne megrim, ta ndije per detyre me mbrojt edhe te drejtat e Shqiparo-Amerikanve qe jetojne  jashte atdheut dhe posacerisht te drejtat e te perndjekurve politik kur shihet se keta mbesin te shkombtarizuem pa kurrfare respekti as perkrahje. Pra Organizata Panshqipetare Vatra asht ngut me u takue me Edi Ramen dhe me Ilir Meten para se me vertetue qe alenca socialiste me programin e saj do te respektojne te drejtat kushtetutore dhe interesat e mbare kombit shqiptar. Per shembull, perzanja e nenpunsave shtetnor civil prej detyrave zyrtare per me i zavendsue me filosocialista, asht nji shkelje e pa pranueshme e drejtave njerzore.

Kurr takohen me politikane shqiptar faktikisht eksponentat e Vatres i dhuroin atyne nji luster, nji forme respekti qe ndoshta nuk meritoje. Takimet me nivelet qeveritare ma te nalta se pakut duhen te jene aprovu p pse mbesin si fakte historike.

Vatra duhet te veproje si mbas principeve te dokumentume ne perkrahjen e drejtave te popullit dhe jo me u marr me relacionet njananse dhe te pa te studiume me qeverinat e radhes. Disa veprime me randesi themelore, kur zhvillohen pa pelqimin e drejtorise dhe antaresise, mund ta perçajne Vatren. Ato kerkesa qe. ne forme jo zyrtare Vatra i paska paraqit K.M. Edi Rames duhet te ishin perfshi si detyra ne programin e qeverise se re dhe jo shpreh vetem si deshira prej Vatres.

Sa mund te presim prej binomit Edi Rama- Ilir Meta? Celebrimi i 70 Vjetorit i Konferences se Pezes me pjesmarrjen e eksponentave te kuadrave te partise socialiste asht nji fymje e rande per ish perndjekurit politik dhe nje pergjegje e kjart qe shuen shpresat e diaspores.

Ajo pjesmarrje nuk forcon besimin se Qeverija e re socialiste do te denoje Komunizmin Enverian dhe do te zbardhin sakrificat e deshmorve te Lirise Demokratike. Per kundrazi ai celebrim asht nji hap i madh drejt rihabilitimit te Partise Komuniste dhe i Enver Hoxhjes qe Edi Rama do ti kete premtue Gramoz Ruçit.

Si po shifet, nuk kemi as pak nevoj me e kualifikue Partine Socialiste si trashigimtare e Komunizmit Enverian, Jane vet Socialistat qe zbukyrohen pubkisht me hyllin e Enverit dhe mburren tue nalsue figuren e ti, si po shofim ne rastin e Perkujtimit i 70 Vjetorit te Konferences e Pezes.

Le te krahasojme, si shembull, te drejtat e diaspores shqiptare qe jane akoma te vorfuna, pa mbeshtetje prej atdheut dhe ti krahazoim me drejtat e diasporave te shteteve tjera ish komuniste. Shumica e shteteve ish komuniste, deri edhe Rusija, e kan denue historine e tyne marksiste si antinjerzore kurse socialistat shqiptar hala e nderoin at histori fam keqe si koha ma e ndrritu e histories kombetare. Cka mund te presin diaspora shqiptare ne Amerike prei rregjimit sot ne fuqi?

Faktikisht mergata shqiptare ka ken plotsisht e shkombtarizueme deri ne vitin 1991.  E kam parapa qe shkombetarizimi do te vazhdonte  per shum vite kur ne 1992-shin ishem ne zyren e Partise Demokratike ne Tirane. Aty me spjegune pse mergata duhej te ishite e kufizueme per ndryshej do te fitoishin Socialistat. Na tregon historia se arsynat ishin tjera pse Socialistat e mueren Tirane dy hera mbas 1992-ishit. Mergates i ka mungue nji perktahje effektive me influence ne Washington, ne Bruksel dhe ne Tirane.

Me ramjen e qeverise komuniste u hapen kufit dhe u lejune mergimtaret me shkue ne vendlindjen pa viza, si turista. Por me Ligjin 7501 i 1991-ishit, tokat qe ishin kolektivizue prej Enverit u ndane qellimisht pa ja kethue pronarve legjitim per me konsolidue efektin e konfiskimit marksist. Tokat u ndane ne masen e ” nji dynim per fryme” si mbas populsise qe jetonte pran kolektivit, nonse ajo populsi se kishte origjinen lokale. Shteti vazhdoj te mbajn nji sasi te madhe tokash qe dal kadal u bane baza e hegemonies ekonomike e ish klase e privilegjume komuniste.

Familjeve qe ishin internue ne kooperativa shtetnore nuk ju dha mundsija me perfitue prej tokave qe kishin punue per kater dekada deri sa nuk kishin me çka me i punue. Shum prej tyne muren rrugat e mergimit dhe u bane pjese e diaspores. Ne 1991 u shkel drejta e trashigimise (http://www.mbumk.gov.al/?p=1838).

Pak vite ma vone, mbasi mori fund reforma agrare e 1991-ishit, si mbas kerkesave e Evropes, me Ligjin 9235, u dha “ish pronarve” drejta e kompensimit dhe e zavendsimit por jo drejta e pronsise qe eksistonte ne kohen e Zogut, as ne sasin e nji dynimit per fryme sikurse ju kishte dhane tjerve. (http://www.justice.gov.al/UserFiles/File/Legjislacioni_Brendshem_Web/LIGJI_KTHIMIN_KOMPENSIMIN_E_PRONES.pdf)

Ato drejta te ngushta mbeten ma fort abstrakte deri sa diaspores ju mohune drejtat politike e civile per pes vjet mbasi hypi ne fuqi Salih Berisha si edhe drejta e nenshtetsise. Ishte e pa mujtune per magjorancen e Shqiptarve te dispores me kerkue drejtat, sa do zvoglueme prej ligjit N, 9235, pse mungojshin edhe dokumentimet si tapit origjinale qe ishin konfiskue prej Enverit dhe shejet kufitare qe ishin zhduk me pronsimim e kollektivit.

Administratat lokale i shifshin ish-pronaret e diaspores, te interesuem per tokat atnore  si njerzit e huej dhe nuk ofroishin perkrahje.  Akoma diaspores ne Amerikes nuk ju ofrohen sherbime konsulare si drejta me kerkue dokumenta te gjendjes civile, pasaporta e  dokumenta tjera ne pergjithesesi per me perkrah nevojnat ma te thjeshta njerzore. Edhe ata dokumenta qe mund te merren, me shpenzime te mbedhaja, skadoin mbrena 45 ditve. Diaspora Shqiptaro-Amerikane meriton sherbime konsulare dhe drejta civile dhe politike te plota ne se do te anulohet persekutimi i komunizmit ndaj mergates.

Relacionet publike ndermjet eksponentave e diaspores dhe qeveritarve shqipetar, sidomos ata socialista, sa do qe te zgjanohen dhe propagandohen, ma fort i sherbejn zbukurimit e imagjes e tyne se sa nevojnave dhe  drejtave e diaspores. Ata mardhanje duhet te  formalizohen she dokumentohen me prtokole zyrtar. Prandej ne kte pikpamjie i shof takimet me Ilir Meten dhe Edi Ramen teper te ngutdhrm, jo frut dhanse, pa paramtra verifikimi, si koncesione qe dobesoin mundesin e diaspores me kerkue drejtat e veta ne menyre effective.

Filed Under: Opinion Tagged With: me takimin e Edi Rames, vatra u ngut, Viktor Daragjati

LIBRI – NJË XHAMI, TE DERA E SË CILËS DUHEN HEQUR KËPUCËT

October 3, 2013 by dgreca

NGA RIZA LAHI/

 “Nuk ka para në poezi, por nuk ka/ as poezi te paratë, gjithashtu”-Robert Graves/

                                         Karl Marksi, njeriu I Mijëvjeçarit të Dytë përcaktuar si I tillë nga një testim mbarë planetar, ka shkruar kështu: “ Kur kapitali fiton dhjetë përqind – gjallërohet ; kur fiton njqind për qind – merr krahë dhe, kur fitimi është treqind për qind, nuk ka krim në botë që ta ndalojë drejt atij fitimi”. Këta janë definicione dhe presupozohet që secili nga kapitalistët e   rinj shqiptarë nuk ka se si të përjashtohen nga ngucje të tilla , sipas të cilave, furia e parave e godet në të njëjtën kohë , në mënyrë të ashpër e deri të llahtarëshme shpirtin e secilit prej tyre dhe trupat mbrojtëse të tij që lidhen me edukatën, kulturën dhe botën e  tij përqark.

Një këngë nga më të mirënjohurat e  “Bitëllsave” ka  në refren “ Pare – pare – pare; vetëm pare, është zemra e të pasurit”.

Marksi , sërish, shkruante dhe se, “ Ti, mbase je i shëmtuar, por paratë tuaja nuk janë aspak të shëmtuara dhe, për pasojë, nuk ka se si të jetë I shëmtuar edhe pronari I tyre”. “Parja e çon ujët përpjetë” thotë populli.

Që të gjithë e dijmë se çfar ka shkruar për paranë më I njohuri I bejtexhinjve, merita e të cilive është e papërfytyrueshme. Këta heronj lëvruan letërsinë shqipe, kur ajo thuajse kishte dhënë shpirt pas tër asaj lavdie të shkuar që u përpoq ta vriste krejt  “ottoman notte “– le të përmendim vetëm “Historia e Skënderbeut” e Barletit , I cili luftoi me shpatë në dorë për mbrojtjen e kështjellës së qytetit të tij të lindjes; vepra më e përkthyer e më e botuara nëpër botë nga letërsia shqipe.

E kemi fjalën te Poezia “Paraja “ e Hasan Zyko Kamberit.

Akuzat e  tij ndaj ashikëve të parasë  dhe zvetënimit shpirtëror prej grykësirës së tyre, janë lapidare. Ato janë shkruar e kënduar, që t’I lexojë dikush…

Feja islame ka qënë dhe mbetet shumë e kudjesëshme për të pastruar shpirtin e parallinjve apo biznesmenëve.

Për atë do të ndalemi më poshtë, por, më parë, le të shikojmë edhe një shëmbëll tjetër, se, ashtu sikurse ethet e parave, po aq të temrrëshme, janë edhe një tjetër kategori ethesh – ajo e karriges.

Më ka rastisur, duke iu telefonuar vetëm nga një herë, të intervistoj tre presidentë dhe tre kryeministra shqiptarë, për të njëjtën temë –  përjetimet e minutave të përbashkëta të kaluara me  pilotit Vangjel Çondi, rreth jetës së të cilit – këtij miku tim të vjetër – po shkruaja librin : “Piloti i katër presidentëve”. Të vetmit që më injoruan me të heshtur, kanë qënë politikanët nga më të sëmurët pas karriges që ka njohur populli shqiptar I postokomunizmit – zotërinjtë Sali Berisha dhe Fatos  Nano. Përse nuk iu përgjigjen kërkesës sime për t’i intervistuar ata, sikurse vepruan R. Alia, R. Mejdani, A.Moisiu, A.Meksi, I.Meta dhe P. Majko  ? Shpirti I këtyre të dyve e di. Emri i personazhit që do të shkruaja, mbase edhe emri im, ishte I njohur njëlloj edhe për këta dy zotërinj tanimë të rënë nga fiku. Gjatë intervistave, njërit nga këta të gjashtët, I kam thënë kështu:: “Zoti….Janë tre male që nuk duan të dijnë hiç për njëritjetrin, por vetëm duhet që t’I heqin kapelat njëtitjetrit. Njëri është mali I pushtetarëve, siç ta zëmë jeni ju, tjetri është mali I parallinjve, siç mund te jetë ky …tjetri mali I artistëve dhe shkrimtarëve, siç jam unë në rastin konkret. Nga këta tre male, më pranë së vërtetës se sa e duan dhe e respektojnë të tjerët, nuk është as mali I pushtetit, as mali I paralliut; këta male, nuk e  dijnë se të tjerët po I duan ata, apo karrigen e njërit apo para të e tjetrit.”

Dhe, vërtetë, nëse shkrimtari shkon te paralliu  t’i lutet për sponsorizimin e librit të tij ai nuk është më mal; mali nuk përulet. Sikurse edhe një pushtetar a paralli nuk mund të jenë male, nqs I përulen a servilosen një njeriu të shquar të letrave, duke ia toleruar me të qeshur gafat politike apo daljet e tija në  pazar për të shitur lëkurën e  emrit të tij si shkrimtar.

Ndërkohë, preofeti Muhamet I myslimanëve ka konkluduar në një hadithe spektakolare kështu: “ Kur paralliu shkon te mendimtari, të dy bëhen të mirë; kur mendimtari vete te paralliu, të dy bëhen faqezez”.

Janë 3 rrugë për në xhehenet, spiegon në një tjetër “hajdithe” sërish profeti Muhamet: “ Së pari, kur ke lindur dhe rritur një fëmijë të denjë për shoqërinë; e dyta, kur ngrë gjëra për publikun e në shërbim të tillë, si psh ndërton një xhami, një shkollë, një rrugë, një çezme a mbjell një pemë mes rrugës dhe, e treta, kur shkruan një libër që I shërben njerëzimit”.

Në fenë islame përcaktohet saktësisht që, një e dyzeta e  fitimit duhet dhuruar njerëzve në nevojë, ku edhe mund të futet vetë libri letrar shqiptar që po lëngon në grahmat e fundit..

Se çfar rëndësie I kanë kushtuar librit që në kohët e vjetra, mjafton të përmendim bibliotekën e Babilonisë ; njerzit kujtojnë edhe djegësin e saj,vrasësin e nënës së vet, perandoorin romak Neron.. Kur Persia klasike u sulmua nga rrebeshet  patru të Xhenghis Khanit, ngjau që u dogjën atje male më libra. Dhe, përse? Librat qenë shkruar me flori të shkrirë dhe fara e keqe e përbindëshit mongol, digjte libra që të përftonte prej tyre floririn me të cilin ishin shkruar.

I përmendëm këto, sepse një pjesë e madhe e sërës së parallinjva tanë të postkomunizmit, kanë kaluar një fëmijëri që u mëkonte ateizmin – një ateizëm i rrezikshëm i cunguar; pa bagazh kulturor e shkencor. Por atyre u ka munguar gjithashtu edhe kultura fetare, me të cilën  nuk u ambientuan me ‘të pjesa e tyre më e madhe.

Sipas këtyre “haditheve” përcaktohet se shkon në xhehenem ai që vjedh në kandar dhe, po ashtu, nëse të gjithë dëshmorët (“Shehitët”) shkojnë në xhehenet, nuk pranohen  atje nga kategoria e tyre, ata që nuk kanë larë borxhet që kanë marrë.

Sot, kur me tregëti e transaksione gjithfarëformëshe që lidhen me paratë, merren shumë njerëz, jo pak nga ata që kanë falimentuar apo falimentojnë për ditë ,  janë nga ata që janë përpjekur t’ua hedhin blerësve  në kandar, në cilësi, tolerojnë moslarjen e borxheve dhe që nuk arrijnë të fshehin dot, sëpaku, grykësinë e tyre të tmerrëshme.

Në një dossier të kaluar, ne kemi treguar për shkodranin Nuh Sahatçia. Atij ia la orën për t’ia rregulluar një oficer nazist gjatë kohës së okupacionit dhe u largua me të shpejtë prej kushteve të kohës; pa e marrë orën. Nazisti erdhi në Shkodër pas 20 e ca vjetëve me një emër të rremë. Me një grup turistësh. U shkëput nga grupi dhe, me shoqëruesin, ia gjeti dyqanin birit të mplakur të shkodrës. I foli për një orë që kishte lënë “një shok I imi” në ’44 dhe Nuhi, si ngriti sytë nga ora që po rregullonte, e pyeti nëse e kishte kuponin të ruajtur. Johann Arendt nxori kuponin e  zverdhur nga portofoli. Po!

Nuhi u ngjit në dhomën sipër dhe, që andej solli orën e trashëguar prej 5 brezash, pra, që ishte aq e shtrenjtë për ish nazistin larguar më pas me robërit e pasluftës.

Gjermani desh t’i paguante “hakun e punës, sa bën?”, por shkodrani iu përgjigj se puna ishte parapaguar që në vitin sa thoshte kuponi.. Gjermani I shtangur kërkoi t’I paguante për “magazinimin” e orës, por mori këtë përgjigje: “ Në Shkodër e kemi pa pare magazinimin”…

Nuh Sahatçia ka vdekur e shkuar, por emri I tij dhe ky akt brilant do të rrojë për jetë të jetëve sa të rrojë emri dhe rraca morale e shqiptarëve.

Mirëpo, shëmbulli I Nuh Sahatçisë nuk ka qënë I shkëputur.Tregëtari I traditës sonë, kushuriri im Hasan Lahi, siç tregon e bija e  tij , Kici, një pasionante e madhe e librave, llogariste me saktësi një të dyzetën e fitimit të firmës së tij me vëllezërit. Me atë shumë furnizoheshin  përditë dy mensa jetimoresh,  spitalet nëpër Tiranë apo ndihmoheshin njerëz pa bukë. Ai interesohej për njerëz veçanërisht në nevojë dhe, si hiqte mënjanë një të dyzetën, shkonte e ua jepte halexhinjëve duke bërë kujdes të vepronte sipas një tjetre këshille ardhur nga mësimet e tija të fesë, sipas së cilës “Atë që jep dora e djathtë, bën mirë të mos e dijë as dora e majtë”. “Për kryet e fëmijëve, baba jonë një vit rresht ka ngrënë tre vaktet vetëm bukë me kos. Atëherë ishte zija bukës; baba thoshte se unë nuk mund të ha “miradina”, kur ka njerëz që po vdesin për bukë”.

. Kurse, sot marrim vesh përditë evidentimine  xhalillëqeve të pafundëta prej kësaj kategorie që u rritën ateistë, nuk morën kulturë sa duhet dhe nqs morën ca, e lanë me njaqë dhe, është shumë e rëndësishme, nuk e ushqyen shpirtin me mësime fetare së paku. Që të trija fetë kanë mësime të shumta për përkujdesjen ndaj dijes, dijeve e dijetarëve,  por ne cituam kësaj radhe disa gjëra nga feja islame, më e përhapura mes shqiptarëve.

Ne konstatuam këta ditë për vjedhjen e pashpirtë dhe dy fishe të karburanteve. Jo vetëm vjedhje në benzinmatës, por, sigurisht, edhe mosuljen e çmimit menjëherë, kur kjo ulje sapo vinte në tregun botëror.

Mandej, nga kjo rracë vjedhësish, që nga kandari deri në abuzimet gjithfarëshe, sa prej tyre kanë kërkuar të lajnë shpirtin te ndonjë shtëpi botuese a shkrimtar sipas hadithes së profetit Muhamet, siç përmëndëm më lart? Sikur dikush shkon në xhami e lutet, falet, kërkon mëshirë për mëkatet e veta, do të thonim, një tjetër xhami është bota e një libri. Kontribuesit financiar për botimin e tij, do ta afronte atë sadopak me botën e lartësirave ideale, ku jetojnë artistët e shkrimtarët dhe, si një kalë shtëpie, që ul kokën se nuk shqipton dot fjalë si njerëzit përqark, do të niste të mendonte për kotësinë e hapsirave të stepës, kur rendëte dikur gjysëm I egër.

Në ditët e sotme, ne përjetojmë parallinj që  derdhin para lumë për   “Miss”et,, për furitë skandaloze të zgjeshjeve, për të sjellë ekipe futbolli nga jashtë shteti, për pushime në vënde ku iu dridhet dora dhe sheikëve të naftës e dikush tjetër, për të joshur shkrimtarët nëpër partitë politike, duke I përkëdhelur atje derisa t’u mbytin identitetin e tyre të sovranitetit të “malit të artistëve”.

Kur të arrijmë atë ditë , që tregëtari, apo industrialisti, plitikani apo burri I shtetit, të trokasin në derën e shkrimtarit, piktorit, skulptorit dhe t’I kërkojnë plot mirësi, nëse është e mundur që ata të kenë privilegjin e të kontribuojnë për botimin e ndonjë libri cilësor, në çeljen e një ekspozite picture apo ngrtijen e një busti ( ta zëmë të Kol Jakovës apo Karamahmut Pashës, etj), atëherë shoqëria jonë ka për të qënë krejt e ndryshme nga e sotmja nga gëlon ngado korrupsioni, krimi ekonomik e oridner, dhuna mbi personalitetin e tjetrit,  injoranca dhe kur po përjetojmë përditë se si ngrohtësia e lidhjeve të gjakut po zëvëndësohet me llogarinë e akullt të parave.

Po kur do ta arrijmë atë ditë, mund të pyesë dikush  nga të korales së  toneve optimiste, ku bëj pjesë edhe unë.

Duket që shoqëria shqiptare nuk ka për ta rritur kurrë.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Karl Marksi, libri, Riza Lahi, Robert Graves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 792
  • 793
  • 794
  • 795
  • 796
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT