• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DON FRAN KOLA: I JEMI MIRËNJOHËS PRESIDENTIT DHE DEGËS SË VATRËS QË PROPOZOI NDERIMIN E INSTITUCIONEVE FETARE*

September 23, 2013 by dgreca

I nderuar President i Republikes se Shqipërisë, Bujar Nishani!/

I nderuar  Ambasador Galanxhi,/

I nderuar Konsull i Nderit, Bardha,/

Te nderuar klerikë,/

Motra dhe vellezer te pranishem,/

Ju përshëndes në emër të Komunitetit Katolik të Shën Palit, duke falenderuar Zotin dhe gjithë anëtarët e kësaj Famullie të njohur që, me në fund, Dega e Detroitit e Federates Panshqiptare te Amerikes “VATRA” u kujtua të propozoi  nderimin e kësaj bashkësie nga më vitalet në Diasporën Shqiptare.

Duke ju uruar mirëseardhjen në Komunitetin tone, i nderuar President dhe përsonalitete që e shoqëroni Presidentin në këtë vizitë, deshiroj  t’u falnderoj sinqerisht dhe të vë në dukje disa nga vlerat e Komunitetit  Katolik të Shën Palit , këtu në Detroit.

Kisha e Shen Palit u themelua vonë, por kjo nuk do të thotë aspak se nuk ishte e themeluar në zemrat dhe mendjet e  katolikëve shqiptar që kishin lënë Aatdheun dhe, sidomos, të malësorëve besimtarë e bujarë, të cilët kishin lëshuar trojet e tyre masivisht për një jetë më të lirë e më të mirë, me mendimin se diçka po ndryshon, me shpresen  për t’u rikthyer prapë.

Ishin vitet e vrullshme të nëpërkëmbjes masive të të drejtave të shqiptarve të Kosovës,kur u hodhen themelet e kesaj qendre, bash në vitin 1980. Demostratat e përgjakura nga makineria ushtarake Jugosllave, vitet e dhunimit  të besimit, të lirisë së fjalës e pronës në Shqipërinë  komuniste, nxiten disa besimtarë katolikë  këtu në Michigan të ndërtonin  Qendren e Shën Palit, e cila ka një kontribut të pakrahasueshëm me asnjë  Qendër tjetër  në veprimtarinë atdhetare, kombëtare dhe fetare.

Inaugurimi i sajme 29 Qershor të vitit 1981  u kthye në një festë të vërtetë, me pjesëmarrjen e mijëra vetëve për tri ditë radhazi. Që në fillim u profilizua atdhetarizmi  i kësaj Qendre të vërtetë shqiptare, si një vyrtit moral i rëndësisë së veçantë, mishëruar edhe në veprimet konkrete të famullitarit të parë të saj, Dom Prek Camaj e vazhdimin e mëpasëm nga Don Anton Kçira.  Roli i Qendres së Shën Palit ishte i papërshkrueshëm, falë shpirtit patriotik të malësorëve  legjendarë , si dikur i kishte përshkruar i pavdekshmi  At’Gjergj Fishta, shqiptarë të devotshëm, besimtarë të mrekullueshëm, trima e të vendosur si çmos kush tjetër.

Në Qendren e Shën Palit e kanë nismën të gjitha veprimtaritë patriotike dhe atdhetare, duke filluar nga dhjetra e qindra  demostrata për lirinë e Kosovës nga zgjedha serbe, për lirinë e shqiptarëve nga komunizmi më i egër dhe ekseprimental, grevat e urisë në përkrahje të minatorëve të Trepçes e deri tek demostratat e fundit për lirimin e të burgosurve politik të Malësisë, njohur me emrin famëkeq  “Fluturimi i Shqiponjës” dhe  levizjet e tjera për barazi dhe të drejta njerëzore të malësorëve nën Mal të Zi.

Në të gjitha këto veprimtari, kjo qendër është mbështetur edhe nga Teqja Bektashjane e  vet Baba Rexhepi, nga Xhamia dhe përsonalisht Imam Vehbi Ismaili, nga patriotët Ferdin Toptani, Petrit Butka, Viktor Çako, Tajar Shaska, Ekrem Bardha e shumë e shumë të tjerë, pamarrë parasysh besimin, mjafton të  punohej në të mirë të Shqipërisë.

Qendra e Shën Palit është dalluar në përkrahjen dhe njohjen e gjithë vendimeve në të mirë të Shqipërisë e Kosovës,  duke i festuar ato, e duke ndihmuar për të arritur deri te realizimi i tyre në të gjitha format. Prej këtu nisen ndihmat financiare të Luftës Çlirimtare të Kosovës, ndërtimi i Institucioneve të besimit në Shqipëri, dhjetra  raste sëmundjesh e ndihma të tjera humanitare. Po kjo Qendër, është ndër më të organizuarat për mësimin e gjuhës shqipe, për aktivitetet kulturore  dhe grupet artistike, për ndihmën e botimeve e aksioneve të tjera kombëtare, si përkujtimin e ngjarjeve historike, që në vitet 80 e këndej, pa asnjë ndërprerje. Në këtë Qendër gjinden simbolet kombëtare më të spikatura, si Memoriali i Gjergj Kastriotit-Skenderbeu, Nënë Terezës, salla me emrin e Gjergj Fishtes etj.

Po kështu, këtë Qendër e kanë vizituar e vlerësuar të gjithë përsonalitetet e politikës së lartë shqiptare dhe të Kosovës, si dhe senatorë e kongresmenë amerikanë nga më të njohurit, heronj te demokracisë e lirisë, si të ndjeret Ibrahim Rugova, Pjeter Arbnori e Azem Hajdari.

Të gjitha këto e shumë veprimtari të tjera, që ndoshta nuk është vendi as koha t’i themi në detaje, janë realizuar falë dashurisë së madhe për atdheun tonë, në respektim të Institucioneve Demokratike dhe në mbështetje të vazhdueshme të bërjes së Shqipërisë Evropiane, në  rindërtimin e  Kosovës Institucionale, si një shtet i mirëfilltë, në kërkimin e vazhdueshëm të të drejtave të vëllezerrve tanë, që jetojnë në tokën e tyre, por nën shtetin malazez, në kërkesat e pareshtura për Çamërinë Shqiptare, si dhe të bashkimit e të njojhes, të ndihmes e përkrahje së çdo shqiptari kudo që ndodhet në botë.

Faleminderit!

Don Fran Kola

Famullitar i Kishës së Shen Palit

*Fjala pershendetese ne takimin festiv me Presidentin e Shqiperise, z. Bujar Nishani

Troy, Michigan, Hotel Marriot, 22 Shtator 2013        

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: don Fran Kola, Fjalimi, gjate mbremjes, me presidentin Nishani

Presheva më dha “titullin” “Nder i Kombit”…

September 8, 2013 by dgreca

Nga Zyba Hysen Hysa/Para disa ditësh më vjen një ftesë për në Preshevë, por e kisha krejtësisht të pamundur të isha e pranishme, ndaj me kërkesën e tyre, u shkruaj një fjalë përshëndetëse…

Të dashur vëllezër dhe motra të Preshevës martire,

Edhe pse nuk jam fizikisht aty, jo vetëm sot në këtë ditë përkujtimore për poeteshën Sadete Presheva, por gjithmonë zemra dhe shpirti im kanë qenë pranë jush duke ndjerë njëlloj si ju, gëzimet dhe dhembjet tuaja e këtë na e mundëson gjaku shqiptar që na rrjedh në deje, ndaj përmes kësaj letre po u nis zërin tim, zërin e një nëne, të një gjysheje, të një poeteje, të një patrioteje… për ta bashkuar me zërin tuaj dhe njëherësh të themi:

I paharruar qoftë kujtimi i Poeteshës Presheva!

Dikur të ndarë me kufij klonesh, as që e njihnim njëri – tjetrin dhe sa mall e sa lot derdhëm për këtë, sot që klonet u tretën, klone të padukshme ende na mbajnë të ndarë, por di të them që ne, shqiptarët që mbijetuam shekujve, po futemi në udhë pa udhë prej mugëtirës së kohës që po kalojmë…

Stuhia antishqiptare duket se ka pushur, por mendoj që antishqiptarizmi, ka ndërruar taktikë, jo strategji, se mjegullnaja e përhapur në hapësirat shqiptare e më gjerë, ka mprehur dhëmbët e ujkut, se populli ynë i mençur thotë: “ujku mjergull do” dhe vijnë ujqërit e stepave mbështetur nga çakejtë tanë dhe bëjnë kërdinë… mjegulla endet mbi ne, ne na duhen syshqiponjë për të parë përtej mjegullës, e këta sy i kanë intelektualët, krijuesit, patriotët e vërtetë, që të çjerrin tymnajën dhe të mbajnë popullin syçelë, që të ruajë thesaret kombëtare ashtu siç ka ditur t’i ruajë ato edhe përmes stuhive të shekujve…

Të dashur miq pjesëmarrës të këtij takimi,

Në letrën time nuk dua të flas me akademizma, por me fjalë të thjeshta dua të shpreh mendime akademike për situatën nëpër të cilën po kalon kombi ynë. Them se është kapërcyer problemi i përdorimit të gjuhës shqipe nëpër shkolla, kjo është një arritje e madhe, se gjuha është vërtet e dyta pas gjirit të nënës, se sapo lind foshnja pi qumësht gjiri, e pak nga pak mëson fjalët e para të gjuhës së mëmës, por kjo liri na ka bërë të pavëmendshëm në përvetësimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe saktë, apo më e keqja më e madhe, emigrantët po harrojnë t’ua transmetojnë brezave.

Në maj të vitit 2011 kam pasur fatin të jem aty, në Preshevën shqiptare dhe më besoni, edhe sot i ruaj të freskëta ato kujtime , biseda me intelektualë, me mësues, me nxënës të mrekullueshëm, që, kur konkursi i poezisë filloi me poezinë e Ali Asllanit, m’u duk vetja sikur isha në Vlorë, kudo që ishim, këdo që takuam, prekëm Shqipëri dhe folëm shqip, por ajo që më tronditi, qe se historia, letërsia, muzika… e pse shkruhen shqip, nuk flasin shqip, me këtë dua të them që nuk lexojnë të vërtetat e shqiptarëve ndër shekuj… tekstet shkollore duhet të përafrohen deri në unifikim në të gjitha trojet shqiptare mbarëkombëtare dhe në diasporë (këtu me specifikat e veta) Një abetare e përbashkët do ishte hapi i parë, por jo abetare vetëm për shkronja, fjalë, fjali e tekste, por një abetare që do transmetonte frymë kombëtare, ashtu siç janë edhe abetaret e gjuhëve tjera të botës. Më pas historia, ndryshe në Shkup, ndryshe në Preshevë, ndryshe në Prishtinë, ndryshe në Tiranë dhe kësaj i thonë të mësosh gabim historinë me gjuhën tënde, kjo është vetëvrasje e identitetit tonë kombëtar, apo letërsinë, gjeografinë, muzikën…

Të qenit autoktonë në trojet tona, na ka bërë të pavëmendshëm të kuptojmë ndryshimin e taktikave në strategjinë e armikut tonë shekullor për pushtimin e trojeve, që për fat të keq, ju ende e keni mbi shpinë dhe një pjesë e fatkeqësive, ka ardhur me duart tona. Kështu herë me të mirë e herë me dhunë, është bërë e mundur që shumë troje të popullohen me serbë dhe batica serbe vazhdon edhe sot e kësaj dite, por me një taktikë mashtruese, se gjoja do vendosim klimën paqësore midis shqiptarëve dhe serbëve, po si u vendoska kjo klimë, kur shi bie vetëm në arën e hasmit??

Nuk mjafton të themi “jemi krenar që jemi shqiptar”, por të përpiqemi të ruajmë identitetin tonë shqiptar në çdo çast, në çdo veprim, në çdo situatë, të flasim, të mendojmë, të jetojmë si shqiptarë. Edhe pse bisedojmë me një serb, ne duhet t’i flasim shqip, ta përshëndesim shqip, se jo vetëm është gjuha e mëmës, por është shenja e parë dalluese që na quan shqiptarë. Pse t’i përgjigjemi serbëve, grekëve, malazezve… me gjuhën e tyre, kur ne kemi gjuhën tonë, atë gjuhë që është ballafaquar me gjuhët më të mëdha të botës, siç bëri Noli në përkthimet e tij, atë gjuhë që edhe gurë e drurë të këtyre trojeve, po të kishin gojë, do flisnin vetëm shqip. Për sa kohë që nuk do kemi mundësi të bashkojmë territoret, gjë që nuk është më e rëndësishme, se sa të ruajmë identitetin, se nëse ne nuk ruajmë çdo gjë që është shqiptare dhe nuk flakim tej ato gjëra që na janë imponuar ndër shekuj me qëllim që të na përçajnë, kufijtë nuk do na vlejnë më, ashtu siç nuk po na vlejnë kufijtë e Shqipërisë dhe të Kosovës, se nuk po punohet me seriozitet për t’u prezantuar në botë si një faktor më vete dhe i rëndësishëm…

Lufta për të drejtat e shqiptarëve, është përpjekja e secilit prej nesh për të qenë shqiptar… por siç ka thënë poeti ynë, Xhevahir Spahiu: “Është vështirë të jesh shqiptar dhe shkrimtar në Shqipëri…”, po në Kosovë, po në Maqedoni, Po në Malin e Zi, Po në Preshevë, të dashur miq? Sigurisht shumë herë më e vështirë, por kjo vështirësi duhet të na latojë mendjen, të na çelë sytë për të shpëtuar vetveten, për të ruajtur identitetin tonë kombëtar…

Mbase u mërzita, por këto, besoj janë edhe shqetësimet tuaja, se kanë ikur ato kohëra të një propagande fallso që bëheshin takime, kuvende, festa e përkujtimore dhe nuk thuheshin të vërtetat e hidhura, se e vërteta, sado e hidhur qoftë është shumë herë më e ëmbël se gënjeshtra, se kur thuhet në kohë e vërteta, dëmton më pak se kur mbulohet. Kur të qëllon prindi, shuplaka harrohet dhe marrim mësime, kur të qëllon armiku shuplaka hap plagë dhe dhemb gjatë, të “qëllojmë” njëri – tjetrin me dashuri prindërore, ashtu siç më qortonte i ndjeri babai im, duke më përqafuar, dhe do shohim se sa përpara do të ecim dhe se sa bashkë do të jemi.

Unë jam e bindur që vepra e profesoreshës Presheva do mbetet një dritë e pashuar, një shkëndijë që ndezi gjuhën shqipe në një kohë të trazuar, ajo do mbetet një misionare e pavdekshme për ne dhe gjithë kombin tonë. Shpirti i saj, si i gjithë patriotëve dhe mendimtarëve shqiptarë, nuk e ka gjetur akoma vendin në parajsën qiellore, ato enden mbi ne, për të pritur realizimin e ëndrrës së tyre dhe ne e kemi këtë detyrë dhe përgjegjësi për t’u prehur përfundimisht shpirtrat e tyre në paqe. Zoti na dhente dashuri mes njeri – tjetrit, Zoti na dhente mend te vlerësojmë vlerat tona, gjuhen tone te bukur, vendin tonë te mrekullueshëm, kulturën tone te hershme dhe te jemi bashke për t’u bere bashke…

Unë s’kam se çfarë të them më shumë se titulli i librit që përurohet sot: “Sadete Presheva: Simbol i Femrës Shqiptare”.

FALEMINDERIT!

Pasi e nis shkrimin tim, më vjen kjo përgjigje:

“E nderuar poete Zyba,

Unë me profesion superior jam filozof dhe kësaj here do të mundohem që testin që e keni shkruar që në këtë apo në atë mënyrë paraqet një oqean që duhet shterur.

Është fakt i pamohueshëm se testi juaj paraqet një hyrje të plotë për një enciklopedi kombëtare. Po të kisha mundur si Rudolf Carnapi ta formoj një alfabet, apo siç thoni ju, abetare, nuk do të kisha pasur shkronja me ju falënderuar për tërë atë që e ke thënë, prandaj në pamundësi të tillë për ta shpreh tërë atë që duhet me e thënë, sepse gjuha standarde është tepër e varfër për ta shpreh tërë atë që e ndien gjuha emocionale. Kështu që në pamundësi për të gjetur shprehje për një falënderim për një nënë të madhe shqiptare, do t’i kthehem fjalës së popullit, bij e të cilit je edhe ti: Të faleminderit, rrofsh e qofsh sa malet e Tomorrit!

 P. s. Në mungesë të Zyba Hysa, një karrige do te jete e zbrazët.

Prof. dr Avni Presheva”

Kaluan ditë dhe siç rrëmbehem unë nga puna, nuk i kisha kontrolluar mesazhet, kur hapa kompjuterin dhe pashë fotot dhe fjalët shumë ngazëlluese të Prof. Dr. Avni Preshevës: “E nderuar, shih aty ku është kryesia, vendi yt është i zbrazët. E kam mbajtur fjalën , se njeriu lidhet për fjale e cjapi për brirë.

 Përshëndetje dhe shume të faleminderit për telegramin, të cilin e kemi lexuar!

Prof. Dr. Avni Presheva”mbeta pa frymë… M’u shkaktua një ndjesi e pa provuar ndonjëherë, mbase këtë e kanë ndier ata që marrin titullin e lartë “Nder i Kombit” dhe unë u ndjeva po ashtu, unë do ta ruaj këtë “titull” në shpirt që kurrë të mos më bjerë shpirti në agoni, por deri në gërhimën e fundit të luftës së tij për të dalë të më ndriçojë sytë dhe mendjen për t’i shërbyer vendit tim, popullit tim, KOMBIT tim!

Faleminderit Prof. Dr. Avni Presheva, faleminderit të gjithëve ju, që më keni ruajtur vendin bosh për të qenë aty… Më keni respektuar, më keni nderuar, por të gjitha këto u takojnë juve, se jeni njerëz fisnikë dhe patriotë!

I paharruar qoftë emri dhe vepra e poeteshës Presheva!

FALEMINDERIT!

(Ne Foto:Nga salla e takimit)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: nder I Kombit, Presheva, tituull, Zyba Hysa

Kur tradhtarët shpallen ”patriotë”, dhe patriotët damkosen ”tradhtarë”nga tradhtarët

September 7, 2013 by dgreca

Nga Faik Krasniqi/

Tragjedia më e madhe e një kombi është kur tradhtarët bëhen ”patriotë”, dhe patriotët nga tradhtarët cilësohen ”tradhtarë. Ne shqiptarët, sikur e kemi në traditë që shumë shpejt t’i harrojmë vuajtjet tona, individuale apo kolektive qofshin ato, e sigurisht që gati-gati i harruam edhe ata shqipfolës që për shumë dekada i shërbyen armikut më të egër të popullit shqiptar që ka njohur ndonjëherë historia. Nuk është e nevojshme që të shkruajmë histori të gjata për bëmat e poshtra të spiunëve dhe tradhtarëve shqipfolës, por është mirë që kryesisht të demaskohen. Të demaskohen agjentët shqipfolës të UDB, e veçanërisht ata ish agjentë të UDB-së, që edhe sot e kësaj dite “notojnë” në ujëra të turbullta, bile disa nga ata janë të veshur edhe me pushtet, duke u pajisur kështu edhe me njëfarë imuniteti politik.

Kush është në të vërtetë Shkëlzen Maliqi?

Shkëlzen Maliqi është djali i ish-sekretarit të Punëve të Brendshme të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës të Federatës Jugosllave, Mehmet Maliqi, i njohur dhe ndërkombëtarisht për ashpërsinë ndaj “irredentistëve” dhe “nacionalistëve” shqiptarë. Jo vetëm i ati, por edhe i vëllai Gazmend Maliqi që ishte punëtor operativ i UDB-së në Prishtinë dhe përgjegjës për shumë keqtrajtime të shqiptarëve në vitet ’80-ta. Të kujtojmë se Edi Rama para disa vitesh Shkëlzen Maliqin e quante mashtrues ordiner kur ky i fundit organizonte sondazhet e ”Gani Bobit” në Shqipëri i kontraktuar nga Klan. Udhëheqësit e Shqipërisë duket e kanë të pamundur t’i shpëtojnë psikologjisë Bizantine. Rama pa dashje po i bën një të mirë Kosovës duke i larguar një person të padëshiruar për shqiptarët e Kosovës. Me zgjedhjen e këtij këshilltari Edi Rama provoi se do jetë të paktën po aq filoserb sa kollovari i Milicës Sala.Shkëlzen Maliqi është njeri i shërbimeve sllavo-serbe në tre breza, që në kohën e monarkisë të kryeministrit Stojanoviq. Këshilltari i Kryeministri Rama e ka pasur gjyshin spiun të Jugosllavisë mbretërore, babën spiun grek dhe të Sigurimit Jugosllav dhe tani na del këshilltar Maliqi. Babai i Shkëlzen Maliqit ka qenë një nga shqiptarët e ndershëm me qen besnikë të famëkeqit Rankoviq. Kujtoj këtu lidhjet me Udbash-in famëkeq Goran Gaiq dhe persekutimin e shqiptarëve pas incidentit të quajtur ngritja e flamurëve në Prizren. Serbët e konsideronin të atin e Shkëlzen Maliqit edhe më besnik se famëkeqin Rrahman Morina, i martuar me grua serbe si vjehrri i Salës. Vetë Shkëlzeni këlysh i SDB-së aktualisht bashkëpunon aktivisht me BIA-n. Shkëlzeni ka miqësi të kahershme me Zvetozar Kovaç, drejtorin aktual të shërbimit sekret të ushtrisë serbe. Shkëlzeni si spiun serb familjarisht është antiamerikan i tërbuar. Kjo gjë do i hapi telashe Edi Ramës me stafin e ambasadës amerikane në Tiranë, si psh me atasheun Joshua Petersenin. Kujtoj këtu qëndrimet anti-UÇK dhe anti-Amerikë në vitet 1998-1999 ky Shkëlzen Maliqi sa herë ia bënte nervat kaçurrel kolonel Applegate-s, që e konsideronte edhe më filo-serb se Doklen dhe Shyqyri Durakun.Prof. Klosi të flasë nëse ka takat. Të kujtojmë problemet e dhjetorit 1998(18 dhjetor), prita që iu vu nga serbët kolonës së UÇK-së që nga Kruma (Cahanaj) po penetronte në Kosovë. Kujtoj këtu kooperimin e Sokol Pogës këtij Shkëlzenit dhe Gaiç-it shërbimit sekret të Milosheviqit etj, etj.

Cila do të jetë detyra e parë e Shkëlzenit?

Detyra e parë e këshilltarit të Edi Ramës është organizimi i një takimi me udhëheqësit e Serbisë, të cilët do të ndërhyjnë për një takim edhe në Greqi, e kështu të vendosin krijimin e “kombit kosovar” një dëshirë e kahershme edhe e këshilltarit i cili mendon serbisht dhe i duket vetja sikur flet shqip. Rama po i ngjan paraardhësit të tij me këtë autogol spektakolarë të realizuar në një terren filosllav siç është Franca. Për t’u bërë më i plotë kuadri i këshilltarëve të kryeministrit Rama, prisni tani kur të dëgjojmë se si këshilltar politik do të marrë enveristin Rexhep Qosja. Shenjën e parë e dhanë socialistët në nëntorin e vitit të kaluar duke i dhënë këtij enveristi titullin “Qytetar Nderi” të Vlorës.

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, Patriotet, Shkelzen Maliqi, tradhtaret

Frazat envereske të Thaçit!

September 3, 2013 by dgreca

Opinion nga Faik Krasniqi/

Jemi i vetmi vend në botë, ku shkojmë nga keq e te më keq. Jemi i vetmi vend në botë, vetëm për keq. Kreu i qeverisë, thotë, herë pas here, se ia kalojmë vendeve të rajonit, madje së shpejti edhe Gjermanisë! Çudi si i shikuaka vetëm ai dhe nuk i shohim ne të tjerët? Kështu thoshte edhe monstra Enver në epokën e tij.

”Jemi i vetmi vend në Ballkan, në Evropë, në botë ku ndriçojmë, ku lulëzojmë, ku kemi vetëm rritje ekonomike; jemi i vetmi fanar ndriçues etj.”.

Vini re sa të ngjashme janë frazat e Thaçit me ato të Enverit, sikur kanë bërë të njëjtën shkollë, sikur kanë qenë në të njëjtën klasë e bankë, sikur kanë ndenjur në të njëjtën shtëpi e kanë ngrënë në të njëjtën tavolinë. Siç duket, në të vërtetë kështu ka ndodhur.

Me shumë gjasa të njëjtën shkollë (në periudha të ndryshme) kanë bërë, në të njëjtën shtëpi kanë ndenjur e pirë kafe, në të njëjtën tavolinë kanë ngrënë, pavarësisht se në tavolinën ku ka ngrënë Enveri, Thaçi dekada (gjatë viteve 90′) më pas ka qenë i detyruar të hante nga ato që kanë ngelë vite më parë nga sahani i tij.

Ndaj kanë të njëjtën ideologji, ndaj e shikojnë Diellin njësoj, ku ndriçon vetëm në Kosovë, si dikur në kohën e Enverit që ndriçonte vetëm në Shqipëri! Ndaj, për ata, ”ne jemi vendi i parë në rajon”, ku me gjasë së shpejti mund të konkurrojmë edhe me Gjermaninë apo SHBA-në.

Në të vërtet po të ishte kështu nuk do të ishte gjysma e rinisë dhe krejt Kosovës në emigracion; nuk do të shkonim më jashtë as ato dhjetëra-mijëra që po ikin me lotari në Amerikë, e po aq të tjerë janë gati të nisën menjëherë larg vendit. Pse nuk vjen bota te ne, por shkojmë ne tek ajo?

Çuditërisht, si ndodh kështu, kur lidershipi thotë të kundërtën!? Vetëm ai sheh ndryshe e ne të tjerët shohim ndryshe.

Ka plot gjashtë vite që na mbush me rrena e gënjeshtra. Ja dhe rasti i fundit nga Raporti i Progresit, apo më mirë Raporti i Regresit, ku flitet zi e më zi për pushtetin në Kosovë. Miliona euro të hedhura poshtë për papërgjegjshmërinë e politikanëve. Këto të gjitha ne i vuajmë; mbi kurrizin tonë bien.

Po si shpjegohet kur për Thaçin ”ne jemi vendi i parë në rajon” e ne ndjehemi të fundit. Gjithë bota na ka për të fundit. Si arritëm në këtë ”mrekulli” me mjeshtërinë e Thaçit e të Ministrisë së Integrimit. Për çfarë e ka këtë Ministri, apo për kukull, siç mbante Gadafi amazonat për ta ruajtur majtas-djathtas!

Në përfundim kemi kaq nxënës të këqij në krye të Kosovës, sa në të gjitha provimet morën “katra”. Dinë të bëjnë jo keq, por shumë keq detyrat e shtëpisë. Të gjithë ne vuajmë e heqim të zezat e ullirit për të nxjerrë ditën e për të ushqyer fëmijët, kurse ata thonë ”jemi fanar ndriçues në Evropë e në botë”!

Sa të pafytyrë, sa të shpëlarë…!

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, Frazat enverske, te Hashim Thacit

IA KEMI BORXH ADEM JASHARIT

August 28, 2013 by dgreca

Opinion Nga Cene Pushkolli/

Ribërja e Shqipërisë Etnike(Natyrale) është në duar të politikanëve shqiptarë si edhe në duar të politikanëve të shteteve mike të shqiptarëve, natyrisht se në këtë rrafsh ka edhe asi politikanë që këtë të drejtë shqiptare nuk e duan dhe do të angazhoheshin që ta pengojnë (me çdo forcë demokratike dhe jo demokratike) Ribërjen e Shqipërisë Etnike(natyrale). Gjithsesi kjo kategori e politikanëve të shteteve jo mike të shqiptarëve që nuk e duan dhe do ta pengonin Ribërjen e Shqipërisë Etnike nuk e kanë në favorin e tyre asnjë akt juridik, asnjë konventë, asnjë ligj ndërkombëtar lidhur me vetëvendosjen dhe bashkimin e shteteve në një shtet të vetëm. Prandaj, shqiptarët e të gjitha shtresave, duke e ditur këtë fakt, është mirë që të angazhohen me mall e me shpirt (siç thotë populli) të bashkohen rreth idesë së Ribashkimit Kombëtar. Për hir të së vërtetës, shqiptarët po qe se do të përcaktoheshin që të angazhohen me “me mall e me shpirt”, atëherë politikanët dhe jo vetëm ata të shteteve mike do të na përkrahnin, jo pse ne duam, por sepse në favorin tonë janë të gjitha faktet, dokumentet, ligjet dhe konventat ndërkombëtare që na e mundësojnë Ribashkimin Kombëtar. Politikanët shqiptarë të Kosovës Historike të angazhuar në Institucionet Qeveritare dhe Institucionet tjera shtetërore dhe jo vetëm në to në Kosovën Historike, ia kanë borxh bacit Adem, alias komandantit legjendar të Ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si edhe të rënve të tjerë për shqiptarizëm, që amanetin e e tyre pra të betuarëve për Ribashkim Kombëtar Shqiptar, ta qojnë në vend, përndryshe ata në rast se takohen në botën e amshueshme me bacën Adem dhe jo vetëm me te, por edhe me dëshmorët e tjerë, sigurisht që do të qortohen për mos kryerjen e amanetit në fjalë. Jo. Jo, mos u shqetësoni o ju politikanë të Kosovës Historike! Ribërjen e Shqipërisë Etnike vetëm ju nuk mund ta bëni! Për këtë çështje ju duhet ta keni mbështetjen edhe të politikanëve të të gjitha shtresave të Kosovës Historike të Shqipërisë Londineze, si dhe të politikanëve të trojeve të tjera shqiptare, veçanërisht të shqiptarëve nga mërgata shqiptare e veçmas e atyre nga Amerika. Me siguri për mos angazhimin e duhur rreth Ribërjes së Shqipërisë Etnike që nuk e keni bërë deri më tash, edhe pse e meritoni qortimin e popullit, populli do të ju falë për të kaluarën, por, për tash e tutje që nuk angazhoheni sa dhe si duhet për Ribërjen e Shqipërisë Etnike, me siguri se do të ju qortojë populli. Juve që sot keni mundësi që të angazhoheni për Ribërjen e Shqipërisë Etnike e që nuk e bëni, koha do të ju mallkojë, historia do të ju gjykojë për tradhti të amanetit të dëshmorëve, luftëtarëve dhe të veprimtarëve të të gjitha kohërave. Është mirë që të shfrytëzohet i gjithë potenciali intelektual, politik, ekonomik dhe të gjithë së bashku të angazhoheni maksimalisht sa është e mundur për t’u kërkuar në mënyrë institucionale Ribashkmi Kombëtar. Është e sigurt se në rast se angazhohen të gjithë me aq sa kanë mundësi, materiale, politike dhe jo vetëm politike, atëherë me siguri se edhe faktori ndërkombëtar do të jetë në anën tonë. O sot të bashkuar të veprojmë, o nesër do të na gjykojë historia. Andaj, të veprojmë në këtë drejtim dhe mos të na mashtrojë ana materiale, duke e harruar çështjen kombëtare

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Adem jasharit, ia kemi borxh, Shqiperia Natyrale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 794
  • 795
  • 796
  • 797
  • 798
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT