• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POPULLI SHQIPTAR NUK KA BËRË KURRFARË MËKATI NË BASHKËSINË NDËRKOMBËTARE, QË TË JETË I DËNUAR TË JETOJË I NDARË

October 2, 2013 by dgreca

Shkruan: Isuf B. Bajrami/

“Shteti më së shumti është shtet në gjendje lufte. Shteti monist është shtet në shkallën më të lartë, sepse është shtet në luftë me nënshtetasit e vet!”- – Makiaveli/

Për aparatin shtetëror monist nuk janë të rëndësishëm njerëzit, sepse për të është i rëndësishëm sistemi i sundimit, për të s’është e rëndësishme jeta, sepse për të është e rëndësishme ideologjia.Serbia “shtet” që nuk mund të jetë i stabilizuar, sepse nuk është i siguruar me lirinë e nënshtetasve të vet. Ai është “shtet” i ndjekjeve ideologjike, politike dhe policore, i burgjeve, i kampeve dhe i pushkatimeve, i masakrave dhe dëbimeve masovike.”Shtet” që filozofi politike ka dhunën, metodë – manipulimin e rezultat – frikën e përgjithshme të qytetarëve.

“Shtet” që në emër të “demokracisë” mbrohet prej mendimeve të qytetarëve: që me kundërshtarët e vet politikë flet nëpër grykën e pushkës që prej mendimit të lirë dhe prej kritikës, mbrohet si prej armikut.”Shtet” që nuk donë të kuptojë se ligjet dhe normat shtetërore dhe shoqërore, teoritë politike, letrare dhe artistike, njësoj, janë sot që të mund të tejkalohen nesër prej ligjesh, normash, teorish më të reja, prandaj edhe më tëdrejta; është që thotë se gjatë historisë çdo gjë ka ndryshuar, por vetë mendon se është i pandryshueshëm dhe i përjetshëm.”Shtet” që kudo dhe kurdo e krijon dhe e kërkon të njëjtën, njëjtësinë, që, për këto arsye, le shkretëtirë në shpirtin e njerëzve. Pasojë e kësaj filozofie politike është kriza e rëndë shpirtërore dhe morale që përjetojmë sot dhe që përjetojnë të gjithë nesër. Është domosdoshmëri psikologjike dhe historike dalja prej këtij pellgu – diktaturë dhe prej këtij “shteti” – kamp.Të gjithë këto janë një e djeshme, por një e djeshme që i sjellë përvojë të hidhur të sotmes dhe të nesërmes.

Po jetojmë në një kohë historike kur vendoset për fatin e këtij trolli, të çlirohet apo të mos çlirohet?!

Gjendemi në udhëkryq historik: ta kemi fatin e rëndë të gjertanishëm, apo të kemi fat më të mirë.

Brezat e sotëm janë të tendosur mendërisht, fizikisht dhe moralisht: po përpiqen që ta ndërrojnë gjendjen e trashëguar aq të hidhur.

Çështja shqiptare është ndërkombëtarizuar, por nuk guxojmë të harrojmë se ndërkombëtarizimi nuk është bërë drejt.

Brezat e sotëm po bëjnë shumë, por kush e sheh realisht gjendjen në të cilën jemi.

Po jetojmë në kohën kur në hapësirat e perandorive të fundit në kontinentin evropian po krijohen shtete të reja kombëtare. Ngjarjet ecin me një ritëm të shpejtuar, por nuk munden të mos vërehen se ne ecim me vonesa, me turr dhe improvizime, kurse para institucioneve dhe forumeve ndërkombëtare dalim si grup etnik e jo si Komb.

Çështjen shqiptare nuk e kemi shtruar si çështje të pozitës së Kombit shqiptar në tërësi, në Ballkan, prej zgjidhjes të së cilës varet se do të ketë, a jo rend drejtësie, humanizmi dhe paqe në Ballkan.

Është një kohë, ku si pasojë e shpërbërjes së Jugosllavisë titiste, bëhet rikomponimi politik dhe shtetëror i Ballkanit,e neve krijimi i shteteve të reja kombëtare në hapësirën e ish Jugosllavisë titiste, na zë pa e vendosur se çka duhet të kërkojmë.

Po krijohet një rend i ri botëror, i cili i ka disa parime të cilave u përmbahet, e ne nuk e dimë qartë se cili mund të jetë vendi ynë në atë rend.

Vendoset për ardhmërinë e gjysmës së Kombit shqiptar, e kjo më në fund, domethënë për ardhmërinë e krejt Kombit shqiptar.

Ne, megjithatë, ballafaqohemi me disa vështirësi të brendshme në jetën politike dhe morale me të cilat janë ballafaquar edhe paraardhësit tanë.

Ne jemi i vetmi Komb në kontinentin evropian, që mbi gjysma e popullit dhe territorit është nën sovranitet të huaj.

Në qoftë se deri dje synohej për mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare, sot duhet të synohet bashkimi i popullit të ndarë.

Kjo është një rrugë e drejtë, drejt idealit shtetëror, domethënë drejt bashkimit, për popullin shqiptar më në fund është rrugë drejt mundësisë, që të jetë i barabartë me popujt e tjerë ballkanikë dhe evropianë, është rrugë drejt përparimit, mirëqenies dhe lumturisë.

E them kështu sepse duke synuar barazinë e popullit shqiptar me popujt e tjerë ballkanikë, synohet rend e drejtësi, humanizëm e paqe në Ballkan.

Vend i Lekës, 27 shtator 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Isuf Bajrami, mekati, shqiptaret, te denuar, te jetojne et dnare

Shpresa nën Hije

October 2, 2013 by dgreca

Opinion nga Kuqelim Dreshaj/

Të shkruash diçka krejt papritur,idetë,fjalët,dhe veprimet vijnë vrullshëm dhe nganjëherë janë të parreshtura.Kjo ndodh sepse tregon pakënaqësitë e një populli të vogël ku puna, djersa,vullneti dhe optimizmi sa vjen e shkon jeta,gjithnjë po mbesin shpresa nën hije kjo për shkak të qeverisë Thaçi dhe Partise Demokratike te Kosoves.Sepse ne jemi një  popull i vogël aty diku në Europe,me një traditë pune të shekullt dhe të mendosh që edhe sot pas 14 vitesh me një lufte te mbaruar, ai vullnet i pastërt kontrollohet dhe menaxhohet nga qeveria Thaçi dhe politikbërja  e Partise Demokratike te Kosoves më e keqe që mund të egzistonte në një vend demokratik siç ne po luftojmë te jemi.Të ndalesh dhe të mendohesh një minut të bën te qeshësh sepse në cdo vend demokratik politikat për punësim dhe zhvillim ekonomik propozohen dhe menaxhohen nga vet qeveritë, dhe partitë të cilat  krijojnë këto qeverisje mirëpo nga qeveri të mira dhe produktive në punën e tyre,gjë që fatkeqësisht në vendin tonë ne Kosove nuk po ndodh .Pavarësisht shkollimit , trajnimeve dhe përvojave afatshkurtëra në punë të ndryshme unë si njëri i vendit tim,me të gjitha vyrtytet dhe burimet e mjaftushme njerzore e humane që mund t’i ketë cdo moshatar i vendeve demokratike në botë fatkeqësisht unë nuk munda ta kem rastin e punës dhe punësimit sepse duhej të ishe pjesë e klaneve dhe rrjeteve korruptive te qeverisjes Thaçi  dhe medoemos duhej të ishe pjestar i partisë  demokratike te kosoves ne pushtet ,duke të privuar nga të drejtat bazë të njeriut,mendimin e lirë politik e social une nuk kam  dashur te aderoj ne kete parti (PDK) sepse  nuk eshte perputhur  me parime  e mia per lirine ,demokracine dhe shtetin ligjore. Edhe tash pas jam bere pjese e nje subjekti politike me vlera demokratike, Lidhja Demokratike e Dardanise, ku mua m’u dha mundësia të punoj  mbi bazen e punës dhe mirëqenijes së popullit tim edhe per njerzet e lire te venditi time ketu ne amerike .Një parti ku puna e saj është e bazuar ne vlera demokratike dhe ligjet e Kosovës të nxjerrura nga Kushtetuta e Kosovës nuk mundja të bëj atë qe une kam deshire dhe te plotseoj nevojate e sovranit ne te gjitha sferat por ajo çka mund te beje eshte kritika, kurre nuk do te pushoje se ndaluri  dhe s’do te hesht per keto dukuri qe e kane kapluar vendi tim.Kjo ndodh sepse nepotizmi ka kapluar edhe damarët më të hollë të kësaj qeverije ,korrupsioni që fillon nga instancat më të larta të qeverisë  Thaçi  edhe Partise Demokratike e deri tek nënpunësi më i thjesht administrativ.E gjithë kjo është si pasojë e  politikave të dobëta të kryeministrit Thaçi duke e bere afrimin ne strukturat shtetrore te mbeshtetsve te PDK-se ne menyre ekskluzive,qoftë ato politika të mbrendshme qoftë ato të jashtme,kjo përshkak të arritjes së qëllimeve personale të kryeministrit dhe antarve te parties demokratike  dhe njerëzve të tij,gjithashtu plani i dobët i zhvillimit ekonomik,arsim të pakontrolluar e të pa menagjuar nga stafe akademik edhe profesionale ,infrastrukturë të mangët dhe mbi te gjitha sisteme të dobëta dhe të pa baza te vlerave demokratike shoqërore,sociale duke filluar nga komunitet më të vogla e deri tek qendrat më urbane ku për të rinjët siç isha unë ishin e vetmja shpresë për një qasje më të kollajt në punësim dhe jetë sociale më të emancipuar, si duket kjo shpresë po ngelet nënhije .Unë si shkrues i këtyre ideve,mendimeve dhe mllefeve dhe si anetari I nje partie me vlera demokratike lidhjes demokratikt te dardanise, i ri i atij vendi nuk e pata të lehtë ti shkruaja këto fjalë sepse në jetën time unë kisha një ditë,një vit ,një motiv që ëndërroja se një shpresë e mirë po na vjen bashkë më këtë qeverisje dhe më këtë kryeminister Kryeminisrtin Thaçi dhe partia demokratike.Besonim të gjithë tek plani dhe programi i tij i punësimit dhe integrimit të kësaj rinije duke ngulitur një ftesë për kthim tek të rinjët mirë po kjo ëndërr u kthye në një ankth të keq të një nate të tmerrshme ajo që kurr nuk e besoja se do të më ndodhte mua edhe  nje numri te madhe te moshatarve te mi ,na erdhi radha ta braktisim vendin tone drejt një shteti tjetër për ta gjetur nje lirie që gjithmonë e besoja se do ta kisha në vendin tim  por qe eshte e pamundure kjo për shkak të një keq qeverisje te parties demokratike .Duke shpresuar në krijimin e qeverive dhe mundësive të reja kjo falë partisë opozitare dhe fale nje fryme Rugoviane e që e ka deshmuar ne kohën kur Kosova ka  kaluar kohë më te vështira të saj e që ishte lufta,ku qëllim dhe mjet I një zgjedhje sa më të shpejtë ishte dialogu dhe paqa ku problemet e Kosovës duhet të bisedohen dhe te zhvillohen ne menyren demokratike.E gjithë kjo eshtë shpresa jonë e vetme .

Kuqelim Dreshaj –Ekonomiste i Diplomuar ,Anetare i Lidhjes Demokratike te Dardanis ,Bronx New York 2013 ,kuqelimdreshaj@gmail.com

Filed Under: Opinion Tagged With: Kuqelim Dreshaj, opinion, shpresa nen hije

Një shkrim për vete dhe për të tjerët

October 2, 2013 by dgreca

Nga Reshat KRIPA/

Më  datën 4 shtator 2013 botova në gazetat “Metropol” dhe “Republika” shkrimin “Një letër për Kryeministrin e ardhshëm”. Lidhur me të, një miku im, botoi në një gazetë tjetër, një shkrim ku shprehte mendimet e tij lidhur me të. Natyrisht unë i ktheva përgjigje në të njejtën gazetë. Kjo kishte për qëllim një sqarim që unë doja t’ i bëja mikut tim në lidhje me shkrimin në fjalë.  Deri këtu çdo gjë ishte normale. Por, duke vështruar  shkrimet në internet, çuditërisht, lexoj një mori komentesh që i  shoqëronin këto nga persona anonim. Në këto komente unë konstatova se, në shumicën e tyre, ishte përdorur një fjalor i ulët, aspak i pranueshëm për një shkrues serioz. Ishin komente të bëra nga militant fanatikë. Kjo gjë i kishte rënë në sy edhe mikut tim që e shprehu në një shkrim të dytë të tij.

Natyrisht unë nuk do të merrem me analizën e tyre se nuk ia vlen të merresh me njerës që vazhdojnë të shkruajnë letra anonime si dikur në kohën e regjimit të përmbysur. Mendova të shkruaj disa rradhë për veten time dhe për të tjerët për ata që janë në gjendje të arsyetojnë me mendje të shëndoshë dhe jo të rrëmbyer nga pasionet e çmendura. Këtë shkrim ia dërgova gazetës ku kishim botuar shkëmbimin e mendimeve me mikun tim por, fatkeqësisht, megjithëse kanë kaluar katër ditë, nuk po e shoh në faqet e asaj gazete. Përse? Përgjigjen duhet ta japin drejtuesit e asaj gazete. Por le të futemi në temë.

Po e filloj me veten time. Kam pasur fatin të bija në burg qysh në moshën 15 vjeçare. Them se kam pasur fatin, pasi vetëm atje munda të mësoj se Shqipëria paskësh pasur edhe një histori tjetër, ndryshe nga ajo që na kish mësuar shkolla komuniste, ku çdo nacionalist paraqitej si Sali Protopapa i filmit “I teti në Bronx” apo ballistët e filmit “Kur zbardhte një ditë”. Këtë histori ma mësuan ata burra të rrallë që zor se mund t’i vijnë më këtij kombi. Më lejoni të përmend disa prej tyre: Doktori Isuf Hysenbegasi, Kleriku Patër Mëshkalla, Përkthyesi Gjon Shllaku, Juristët Fatosh Kokoshi dhe Haki Karapici, Agronomët Xhevdet Kapshtica, Meçan Hoxha dhe Sami Bitincka, Farmacisti Kol Kurti e të tjerë. Këta burra më flisnin për Mbretin Zog dhe Apostullin e Shqiptarizmës, Mit-hat Frashërin, për Hasan Dostin dhe Abaz Kupin, për Hysni Lepenicën dhe Skënder Muçon, për Jup Kazazin dhe Muharrem Bajraktarin, për Ali Këlcyrën dhe plot burra të tjerë të shquar.

Kur u bëra me fëmijë, këtë histori fillova t’ua mësoj edhe atyre dhe vazhdova edhe më prapa me nipërit dhe mbesat, në mënyrë të veçantë pas ndryshimeve demokratike.

Një ditë, vjen një mbesa ime dhe më thotë:

O gjysh, ti historinë na e ke mësuar ndryshe, kurse ne në shkollë e bëjmë ndryshe.

Më  zgjati  librin   e   historisë    për  shkollat   e   mesme. Ja  si  e  paraqiste  qëndrimin  e Ballit

Kombëtar,  Prof. Dr. Xhelal  Gjeçovi, në librin “Historia” për klasat e katërta, kreu 16.3, miratuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës në muajin qershor 2006 (lexo: “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”, gazeta “Metropol” datë 27 prill 2012):

Një fraksion ballistësh mendonte, se roli i PKSH mund të asgjësohej nga skena politike, vetëm në qoftë se nacionalistët liberalë që bënin pjesë në BK, do të zhvillonin një luftë çlirimtare më dinamike se komunistët. Mirpo në gjirin e BK triumfoi platforma e shumicës e kryesuar nga Mit’hat Frashëri, e cila ngulte këmbë që balli të mos angazhohej në luftë të armatosur kundër okupatorit pasi, sipas tyre, ne nuk jemi në gjendje të përballemi me fuqitë e tij ushtarake dhe lufta në këto kushte do t’i sillte vendit dëme e shkatërrime të pallogaritshme.

U befasova për këtë interpretim absurd të historisë së vendit nga një historian me titull Profesor Doktor. Nuk e besoja kurrë që një institucion demokratik si Ministria e Arsimit të miratonte një tekst të tillë denigrues për një pjesë të grupimeve politike të periudhës së Luftës së Dytë Botërore. A i dinin autori dhe ministria të vërtetat e betejave të përbashkëta që kanë zhvilluar trupat partizane dhe ato balliste me pushtuesit? A i dinin se në Drashovicë, Gjorm dhe Selenicë trupat partizane të drejtuara nga Hysni Kapo luftonin së bashku me ato balliste të drejtuara nga Hysni Lepenica? A i dinin se në Mogila dhe Miricë trupat partizane me në krye Zenel Shehun luftonin së bashku me ato balliste të komanduara nga Syrja Vasjari? Të tilla beteja janë zhvilluar edhe në Mat dhe krahina të tjera të Shqipërisë. Në rast se kjo nuk paska qenë e vërtetë, sipas tyre, atëherë si paska qenë e mundur që Partia Komuniste pranoi të ulej në bisedime në Mukje me një organizatë që nuk paska luftuar fare?

Rishikimi i historisë është një nga temat më të nxehta të ditëve tona. E majta shqiptare asnjëherë nuk është shprehur për domosdoshmërinë e rishikimit të saj, madje ka ngulur këmbë në interpretimin sipas së njëjtës logjikë të periudhës komuniste. Ndërsa e djathta, megjithse e ka ngritur zërin ndonjëherë, nuk ka vepruar asnjëherë për ta korigjuar, kur i ka pasur të gjithë mundësitë. Kjo për arsyen e thjeshtë se brenda së djathtës ekziston një krah i majtë shumë i fuqishëm. (lexo: “E majta brenda së djathtës”, gazeta “Telegraf” datë 8 dhe 11 prill 2007).

Një gjë të tillë e vërteton zhurma e madhe që u zhvillua në vendin tonë kur historiani i njohur, zoti Beqir Meta, hodhi idenë e heqjes së mozaikut para Muzeut Historik Kombëtar. Çfarë shërben një mozaik i tillë që nuk përfshin Kosovën, e cila ka dhënë një kontribut mjaft të çmuar për çështjen shqiptare? Po Çamëria dhe krahinat shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi ku janë? Çfarë shërben një mozaik i tillë që nuk pasqyron periudhat më të rëndësishme të kombit shqiptar si ajo e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, Pashallëqeve të Mëdha, Lidhjes së Prizrenit, Shpalljes së Pavarësisë, Lëvizjes Nacionaliste të Luftës së Dytë Botërore, por në dy të tretat e saj janë zënë nga “periudha e lavdishme e luftës partizane dhe ndërtimit të socializmit”. E djathta shqiptare, megjithse në pushtet, nuk qe e zonja ta hiqte atë mozaik. (lexo: “Meditim para mozaikut”, gazeta “Metropol” datë 25 maj 2012).

Në Shqipëri gjërat shikohen vetëm bardh e zi. Ekziston ende mentaliteti komunist: “O me ne, o kundra nesh”. Kështu veprohet me shumë nga figurat e shquara nacionaliste të historisë tonë. Megjithse kanë kaluar më shumë se 22 vjet nga përmbysja e komunizmit, vazhdohet ende me emrëtimin “kolaboracionist”. Ky emërtim përdoret për figura të tilla si Ernest Koliqi dhe Xhevat Korça, Rexhep Mitrovica dhe Ago Agaj, Patër Anton Harapi dhe Lef Nosi, firmëtar i Aktit të Pavarësisë më 1912. Deri kur do të vazhdojë ky mentalitet? (lexo: Kolaboracionist apo patriot?”, gazeta “Metropol” datë 21 mars 2012)

Vitin që shkoi Kryeministri Berisha premtoi, ndërmjet të tjerave, sjelljen e eshtrave të Gjeniut të Kombit, Mit-hat Frashërit, në Shqipëri. Ky premtim nuk u realizua. (lexo: Dedikuar Mit-hat Frashërit”, gazeta “Metropol” datë 24 shtator 2012).

Në tokë të huaj prehen edhe shumë  dishepuj të tjerë të nacionalizmit shqiptar.  Përmend në rradhë të parë Ali Këlcyrën dhe Rexhep Mitrovicën. A nuk do të ishte në nderin e këtij kombi që edhe eshtrat e tyre të preheshin në atdhe? A nuk do të ishte në nderin e këtij kombi që për të rënët në luftën e gjatë kundër komunizmit të ngrihej një varrezë e veçantë, ashtu siç është vepruar në shumë shtete të tjera të Europës Lindore? Një gjë e tillë bëhet e domosdoshme pasi ata nuk muind të prehen në varreezat ekzistuese të dëshmorëve, sepse ende atje ekziston ylli i kuq i komunizmit, pikërisht ai yll, gjembat e të cilit i vranë këta martirë. (lexo: “Meditim në 100 vjetorin e Pavarësisë” gazeta “Metropol” datë 24 korrik 2012).Qysh në vitin 1996 Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi rezolutën nr. 1096   “ Mbi Ndëshkimin e Krimeve të Kryera nga Regjimet Komuniste”, e firmosur edhe nga delegacioni ynë por që nuk u publikua fare në Shqipëri, madje as edhe nga mediat. Më 25 janar 2006, me nismën e përfaqësuesit suedez zotit Lindblad, kjo asamble miratoi një rezolutë tjetër, atë me nr. 1481, e cila i referohej rezolutës së parë. Në pikën 7 të kësaj rezolute thuhet:

Asambleja është e bindur që njohja e historisë është një nga parakushtet e shmangies së  kryerjes të krimeve të përngjashme në të ardhmen. Për më tepër, vlerësimi moral dhe ndëshkimi i krimeve të kryera luan një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj. Pozicionimi i qartë i bashkësisë ndërkombëtare mbi të kaluarën mund të jetë pikë referimi për veprimet e ardhshme.

 Lidhur me këtë rezolutë, Kuvendi i Shqipërisë në tetor 2006 miratoi një rezolutë analoge me të. Në miratimin e rezolutës Partia Socialiste i nxorri jashtë kuvendit deputetët e saj. Në këtë rezolutë parashikoheshin:

Pika 8 – Kuvendi i Shqipërisë dënon diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore.

Pika  9  – Kuvendi i Shqipërisë kërkon rishikimin e datave simbol të sistemit komunist.

Pika 10 – Kuvendi i Shqipërisë kërkon bërjen publike të  të  gjitha  dokumenteve  që  dëshmojnë

krimet e regjimit komunist.

Pika 11 – Kuvendi i Shqipërisë kërkon hapjen e dosjeve të ish bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara.

Pika 15 – Kuvendi i Shqipërisë fton institucionet shtetërore të përmbushin detyrimet ligjore për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin dhe dëmshpërblimin e tyre, si dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq për arsye politike.

Pika 16 – Kuvendi i Shqipërisë nxit fillimin e një fushate kombëtare për rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të  komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë edhe kthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike,  si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar.

Pika 17 – Kuvendi i Shqipërisë mbështet organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve, si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste.

Këto ishin pikat kryesore të kësaj rezolute. Le të shohim tani se sa janë realizuar ato deri tani pas shtatë vitesh.

Pika 8 – Diktatorit Enver Hoxha ende nuk i janë hequr titujt dhe dekoratat e fituara nga regjimi komunist, madje është miratuar edhe një ligj nga kuvendi sipas të cilit askush nuk ka të drejtë të heqë titujt e fituara nga e kaluara.

Pika 9 – Nuk është rishikuar asnjë datë. Ende ekzistojnë data të tilla si 11 janari, 24 maji e të tjera

Pika 10 – Nuk është bërë publik asnjë dokument që dëshmon për krimet e kryera nga regjimi komunist.

Pika 11 – Nuk është miratuar asnjë ligj për hapjen e dosjeve. Edhe një i tillë, megjithse gjysmak, që u miratua në kuvend, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese.

Pika 15-Është realizuar vetëm çështja e arsimimit dhe pjesërisht punësimi dhe dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë.  Nuk është akorduar asnjë fond për gjetjen  e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq.

Pika 16 – Asnjë fushatë për rishikimin e librave shkollorë. Fillimisht u shpall 21 maji, dita e revoltës së madhe të Spaçit si dita përkujtimore e viktimave të komunizmit por, çuditërisht më pas, u zëvendësua me 20 shkurtin, ditën e rrëzimit të monumentit të diktatorit. Nuk është hapur asnjë muzeum dhe nuk eshte kthyer në muze asnjë burg i periudhës komuniste. Përveç disa memorialeve të ngritura nga bashkitë e disa qyteteve nuk është ngritur memoriali kryesor për të cilin u mor edhe vendimi i Kuvendit të Shqipërisë, neni 5, për ngritjen e “Obeliskut të Viktimave  dhe të Krimeve të Komunizmit

Pika 17 – Asnjë konferencë kombëtare nuk është zhvilluar.

 Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë dhe unë personalisht, si funksonar i saj, nuk kemi rreshtur së kërkuari, si zyrtarisht ashtu edhe nëpërmjet mediave të shkruara apo vizive realizimin e këtyre kërkesave. Por daullja ka rënë në vesh të shurdhër. Përse? Një miku im më tha një fjalë të vetme : KATOVICA! Nuk e di nëse miku kishte të drejtë apo jo por, edhe unë, nuk kisha argumenta për ta kundërshtuar. (lexo: “A po zbatohet Katovica?” gazeta “Metropol” datë 14 qershor 2012).

Këto gjëra doja të shprehja në këtë shkrim. Ato janë një analizë e asaj që është bërë në vendin tonë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së të përndjekurve politikë në veçanti dhe të zhdukjes së mentalitetit të drejtimit komunist të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Si është kryer ky proces deri tani. Praktika ka treguar se vetëm e djathta ka arritur të bëjë diçka në këtë drejtim, por ajo nuk i ka  mbajtur të gjitha premtimet e bëra. Në përgjithësi kjo shtresë është përdorur si lojë politike në duart e saj. Kur ka munguar kjo pasojat kanë qenë fatale. Një gjë e tillë u provua edhe në zgjedhjet e fundit. Humbja e besimit te një pjesë e mirë e të përndjekurve politikë ishte një nga shkaqet kryesore të humbjes. (lexo: “Të përndjekurit politkë dhe qëndrimi i tyre ndaj zgjedhjeve” gazeta “Metropol” datë 20 shkurt 2013, “Nesër do të jetë shumë vonë” gazeta “Metropol” datë 3 prill 2013 dhe “E djathta dhe e majta” gazeta “Mapo” datë 28 qershor 2013).

Sa për të majtën ajo, deri më sot, asnjëherë nuk ka qenë përkrah shtresës së të përndjekurve politikë, ish pronarëve apo përfaqësuesve të nacionalizmit të vjetër shqiptar. Kjo ka vazhduar edhe kur në krye të saj erdhi zoti Rama. Duhesh të vinte viti 2012, shtatë vjet pas zgjedhjes në krye të Partisë Socialiste, që ai t’i kthente sytë nga kjo shtresë, madje krijoi edhe një grup me të përndjekur politikë për hartimin e një programi për ta. Një gjë të tillë e shpalli edhe gjatë fushatës elektorale ku bëri shumë premtime. Praktika e deritanishme ka treguar të kundërtën. Mos është edhe kjo një lojë si ato të deritanishmet? Ne jemi në pritje të mbajtjes së këtyre premtimeve pasi siç e kam theksuar edhe në shkrimin tim “Një letër për Kryeministrin e ardhshëm”, botuar në gazetat “55”, “Metropol” dhe “Republika” datë 4 shtator 2013, kjo do te ishte një përmbysje e mentalitetit se vetëm e djathta mund t’i zgjidhte çështjet e ngritura në këtë shkrim.. Ditët ikin shpejt. Ne do të presim dhe do të shohim nëse këto çështje do të zgjidhen.

Këto janë mendimet e mia. Ky jam unë. Lexuesit le ta gjykojnë siç e mendojnë. Në këto çaste më kujtohen dy vargje të poetit tonë Migjeni:

“Sikur të kisha, ah, nji grusht të fortë,

                               T’i bija m’u në zemër malit qi s’bëzan!”

 Por, nuk e kam një grusht të tillë. Megjithatë kam zërin tim dhe këtë zë do ta përdor sa herë që do të shikoj shkeljen e të drejtave të shtresës sime. Ndonse daullja, në përgjithësi, bie në vesh të shurdhër, zëri im nuk do të jetë një zë në shkretëtirë.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e per te tjere, reshat kripa, shkrim per vete

Boll mo ,se u bëmë gaz´ i botës!

October 1, 2013 by dgreca

»Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë.Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shëmbullit tuaj. (Prof Eqrem Çabej )/

Shkruan:Fahri XHARRA/

”Kosova Hallall Institut, merret me certifikimin e cilësisë Hallall të ushqimit, por edhe një game të gjerë të produkteve kozmetike, farmaceutike, higjienike dhe shërbimet, të cilat synon t’i përfshijë në treg.” thot ne shkrimin e saj Europa e lirë.“Instituti qenka  i regjistruar vetëm në Bashkësinë Islame të Kosovës. Tani për tani, nuk paska  një regjistrim tjetër, për shkak të statusit. Nuk paska as numër biznesi sepse problemi i Bashkësisë Islame të Kosovës, ende nuk qenka izgjedhur statusi juridik, .

Kosova Hallall Institut, po u merrka me certifikimin e cilësisë Hallall të ushqimit, por edhe një game të gjerë të produkteve kozmetike, farmaceutike, higjienike dhe shërbimet, të cilat synon t’i përfshijë në treg.” .O tempora ! O mores!Edhe nje hap kah rritja e mosbesimit ndëkombëtar  ndaj Kosovës. “Përgatitja e kuadrove profesionale, të konsulentëve dhe auditorëve, ka kërkuar që BIK-u të dërgojë kuadro për trajnime në vende të ndryshme të botës, si në Malajzi, Turqi e Bosnje si vende pioniere të kësaj fushe”, thot Tërnava. Dhe?…. Katullaqë në izolim

“Kjo nuk është punë normale.Me  tani, do të duhej  që edhe kishat  ortodokse, protestante, evangjeliste, katolike  të hapnin institute dhe shërbime te veta sanitare dhe tjera… Po po, ka aspekte te caktuara te jetës te besimtarëve dhe te grupacioneve të popullates me botëkuptime specifike që do të mund te adresoheshin nëpërmes instituteve të tilla; për ushqim, për stil te veshjes, për stil te jetës. Iha, po të bëhej një studim në këte drejtim, do të dilnin kush e di se sa këso “marrinash” … Aha, dhe të ‘certifikohen’ nga priftërinje, hoxhallarët, popat, shehet, avokues te LGB popullatës (pederat dhe lezbiket), prodhues te ndryshëm, për kode dhe standarde të ndryshme. Po po … Ky eshte kulmi i idiotizmit dhe i mjerimit tonë … Jo të këtyre mjeranave , por mjerimi i shtetit, i qeverisë. Porka mizeria! (Ragip Rugova)”

Edhe një hap kah rritja e mosbesimit ndaj Kosovës.!

Si po iu duket? e shifni , në fillim Icebergu i tradhëtisë mëshihej shumë , maja e tij dukej e vogël. Nuk ia venim veshim. Çka ka  të keqe?,”duhet të dalim në mbrojtje të së drejtës elementare të femrës sonë : shamisë në shkolla.”

Por sa më e vogël të jetë maja e icebergut aq më i madh është ai. Nga na erdhi ky iceberg (akull i shkëputur ,lëvizës nëpër detin e hapur) ,që aq lirëshëm po lundron nëpër ujërat tona? Çka po përgatitet ? A do të jetë  i aftë titaniku kombëtar ti bëj ballë këtij icebergu . Viti 2013.

Ç´është termi ”Hallall”? “ Qëllimet dhe urdhërat e prerë të ligjit Islamik  Shari´ah janë pastrimi dhe përgaditja e mendjës , trupit dhe shpirtit të njeriut.( /lasjan.page.tl/Halal-and-Haram.htm) dhe që njeriu të mbanë kritere se çka është e “ mirë “ dhe çka “e keqe” ,çka

është “e  pastër “ dhe çka  “e pastër” si dhe ç duhet dhe guxon të hahet.. Kur´ani ( Al-Maaidah 5:4) thot : أُحِلَّ لَكُمُ ٱلطَّيِّبَـٰتُۙ  ( Hallall , të gjitha ato që janë të lejuara (për t´u ngrënë) për ju ) .”Hallall”  ,thjeshtë  “e lejuar”. Këtij “Hallalli” të BIK-ut   po i vjenë era çka ? Një mike më shkruan:” Keto jan pergaditjet per shtetin islamik, per te cilin asht fol para disa dite, dhe kur te behem shtet islamik do te ngritet populli i talebanizuar dhe te bej ate qe ben arabet ne libi egjipt etj. Dhe ateher Ternava do te jet prezident kryeminister, gjykates dhe gjdo gje per ket vend. Ky asht ka e  pergadit terenin e vet, ndersa shqipetarët nuk shofin as gja.(Arjeta Gj.)”

Njimend nuk po shofim asgjë?  Jo ,pra . As ne e as shteti  New Born.

“Kah je nis ka je tuj shkue “ thot një këngë popullore , Në këngë është fjala për të dashurën që i dashuri i saj e ka të pa qartë se kah po i shkon. Çështja  e“Hallallit” është më serioze , është tragjedi , është ogurzezë për New Bornin dhe popullin e tij.

Por icebergu lëvizë , e ne po ia shohim vetëm majen.

“Në Ballkan ndërthurren vetëm interesat ruso- sllave,dhe ato turke- greke…më thoni tashti, se ëfare interesit do kishin shqipëtarët ne kët maskaradë ??? thjeshtë do ishte një vetvrasje perfundimtare…kurr më me keso lloje çorbash “ballkanike” (Ilir Lilo) .Ky ishte reagim  i një qytetari me rastin e projektit “Gjashtëshja e Ballkani”. Por çfarë ka lidhëshmeri “Hallalli” me këtë projekt? Shumë bile. Ardhacakët e kanë kuptuar qëndrueshmërinë e murit pellazg me gurë ciklopik , dhe me ndihmën tonë po e ndërtojnë ardhmërinë tonë  po me gurët tonë dhe me (mos)dijen tonë.
Edhe një hap kah rritja e mosbesimit ndaj Kosovës.!

28.09.2013, Gjakovë

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Boll mo, Fahri Xharra, gaz i botes, se u beme

Disa shoqata shqiptare në SHBA kundër Gjukanovicit në darkën vjetore të Këshillit Shqiptaro-Amerikan

September 25, 2013 by dgreca

Deklaratë e përbashkët e shoqatave shqiptare që veprojnë në SHBA/

Kryetarët e shoqatave të Diasporës, me origjinë nga trojet shqiptare nën Mal të Zi si shoqatat “Ana e Malit” dhe “Ded Gjo Luli”, Fondacioni “Dom Simon Filipaj”, Fondacioni “Plavë-Guci”, Fondi Humanitar “Malësia”, Shoqata “Malësi e Madhe” (Detroit) si dhe shoqata “Kraja”, me seli e veprimtari në SHBA, në mbledhjen e përbashkët të mbajtur më 17 shtator 2013 në Nju Jork dhe Detroit, analizuan gjendjen e tanishme të shqiptarëve në Mal të Zi dhe shprehin shqetësimin e të gjithëve për diskriminimin dhe nëpërkëmbjen e të drejtave elementare njerëzore të kryera nga aparati shtetëror i Malit të Zi ndaj popullatës autoktone shqiptare.
Në mbledhje analizuam veprimet perfide të shtetit malazias për qëndrimet dhe veprimet në shkeljen e të drejtave nacionale e demokratike të shqiptarëve si: shpopullimi i trojeve tona nga shqiptarët; mos lejimi i përdorimit të lirshëm i simboleve kombëtare; ndryshimi i ligjit për përfaqësimin e popullatës shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi; arrestimet dhe burgosjet gjatë aksionit famëkeq e terrorizues “Fluturimi i Shqiponjës”; injorimi dhe mosdhënia e të drejtës për komunën e Tuzit; tentimi për ndryshimin e strukturës demografike duke sjellur ardhacakë nga veriu i Malit të Zi në Tuz; arrestimet e 23 shqiptarëve në fshatin Martinaj të Plavë-Gucisë; eksproprimi i pronës private në emër të krijimit të parqeve nacionale në pronat private të shqiptarëve të Plavë-Gucisë; marrja e kompetencave në mënyrë arbitrare për pasuritë detare të komunës së Ulqinit si dhe konfiskimi i pronave private të shqiptarëve në Gjirin e Valdanosit.
Kryesitë e shoqatave tona në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me ftesën e bërë Milo Gjukanoviqit nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NACC) për “pjesëmarrje nderi”(!) në darkën e 17-të gala më 27 shtator 2013 në Nju Jork, e lëshojmë këtë,

Deklaratë

Ne, përfaqësuesit e shoqatave të Diasporës me origjinë nga tokat shqiptare në Mal të Zi, vlerësojmë se Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) me ftesën e bërë Milo Gjukanoviqit jo vetëm e ka anashkaluar dhe nënvleftësuar rolin dhe aktivitetin e fuqishëm të shoqatave dhe të diasporës tonë në SHBA.
Ne, përfaqësuesit e shoqatave aktive që veprojmë në SHBA, kryesitë tona dhe anëtarësia e gjerë, e konsiderojmë se një ndërmarrje e tillë e NAAC-ut është më shumë si një spektakël medial sa për të ngopur apetitet e dikujt tjetër në dëm të interesave të Diasporës dhe futjen e grindjeve në mesin tonë.
Ne vlerësojmë se kjo ftesë e bërë Gjukanoviqit është aprovim i shkeljeve sistematike të të drejtave të shqiptarëve dhe bie në shpërputhje të plotë me interesat jetike nacionale të shqiptarëve autoktonë nën Malin e Zi. Kryeministri malazias, Milo Gjukanoviq, duhet të përdorë ndikimin e tij për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi në përputhje të plotë me konventat ndërkombëtare për të drejtat e pakicave kombëtare etnike. Në Republikën e Kosovës me disa qindra malazias, Gjukanoviqi kërkon që malaziasit të jenë element kushtetues, ndërsa shqiptarëve autoktonë nën Mal të Zi (që janë 7 për qind e popullsisë në këtë shtet) ua nëpërkëmbë në vazhdimësi të drejtat elementare kombëtare etnike.
Ne, përfaqësuesit e shoqatave të Diasporës me origjinë nga tokat shqiptare në Mal të Zi, të mbledhur në Nju Jork më 17 shtator 2013, kërkojmë nga qeveritë tona në Tiranë dhe në Prishtinë që të përdorin ndikimin e tyre të gjithanshëm e në vazhdimësi ndaj këtyre veprimeve të patolerueshme dhe çdo bashkëpunim në raporte të ndërsjella me shtetin malazias të jenë në bazë të marrëveshjeve të reciprocitetit.
Shoqatat nënshkruese:
1 Shoqata Ana e Malit –Nju Jork
2. Shoqata Ded Gjo Luli – Nju Jork
3. Fondacioni Dom Simon Filipaj – Nju Jork
4. Fondacioni Plavë-Guci – Nju Jork
5. Fondi Humanitar Malësia – Nju Jork
6. Shoqata Atdhetare Malësia e Madhe – Detroit
7. Shoqata Atdhetare Kraja- Nju Jork
8. Shoqata e Intelektualëve të Pavarur – Detroit
Nju Jork 23 Shtator 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjukanovic, NAAC, shoqatat shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 793
  • 794
  • 795
  • 796
  • 797
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT