

Mondi Rakaj/
Në emër të Federatës “Vatra”, mora pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Qendrës Islame Shqiptare në Detroit.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm, përcolla përshëndetjet dhe urimet më të mira në emër të Kryetarit të Federatës “Vatra”, z. Elmi Berisha, dhe Nënkryetarit, z. Alfons Grishaj, të cilët për arsye objektive nuk mundën të marrin pjesë personalisht në këtë aktivitet.
Shpreha mirënjohjen time të veçantë ndaj Imam Shuajp Gërgurit për ftesën e bërë dhe theksova kënaqësinë që tradita e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë vazhdon të ruhet e të përsëritet. Ashtu si dikur, kur marrëdhëniet mes Kryetarit të “Vatrës” Fan Nolit, Imam Vebi Ismailit dhe Baba Rexhepit ishin shembull bashkëpunimi e harmonie, edhe sot vërehet një frymë e ngrohtë uniteti mes prijësve fetarë.
Është kënaqësi të shohim të gjithë drejtuesit fetarë të ulur në një tryezë të përbashkët, duke dëshmuar se marrëdhëniet tona janë më të mira se kurrë më parë.
Edhe një herë, urime të përzemërta për 80-vjetorin e Qendrës Islame në Detroit! Uroj që kjo traditë dhe harmoni të vazhdojnë gjatë dhe që të festoni sa më shumë përvjetorë të tillë. Një organizim i shkëlqyer mbi veprimtarinë fetare dhe atdhetare të Qendrës Islame Shqiptare, si pasuri e vyer e komunitetit shqiptar në Michigan.
Institucionet fetare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në komunitetin shqiptar për ruajtjen e pasurisë shpirtërore, materiale e atdhetare. Bashkësitë fetare historikisht dhanë një kontribut fenomenal në ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.



