• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vazhdon të pasurohet projektstrategjia për diasporën

March 27, 2013 by dgreca

Shkruan Vjosa Gervalla/Gjeneve/

Me krijimin e Ministrisë së Diasporës, qeveria kosovare bëri një hap drejt qytetarëve të saj jashtë vendit. Përveç mirënjohjes të rolit thelbësor që luajti në mbrojtjen dhe mbështetjen e Kosovës, diaspora kosovare vazhdon të jetë një shtyllë e palëvizshme për zhvillim e mirëfilltë të saj. Që nga hapat e parë të kësaj ministrie, entuziazmi dhe skepticizmi u ndëshkuan me kupa plot pesimizëm ose optimizëm, ndërsa disa të tjerë vëzhgonin rrugën e saj pa kuptuar se ku do t’ia dalë kjo ministri. Albinfo.ch ka përcjellë me një vëmendje të veçantë zhvillimin e kësaj ministrie të sapothemeluar, e cila duket të ketë synim parimor moshumbjen e kontaktit me popullatën e saj jashtë vendit. Dalëngadalë, kjo ministri po mundohet të hartojë sa më fisnikërisht projekte, të cilat u përgjigjen sa më mirë kërkesave dhe nevojave të diasporës.
Kësaj radhe qytetarët shqiptarë të rrethinës frankofone të Zvicrës ishin të ftuar në Konsullatën e Gjenevës. Konsulli Benjamin Nikoliqi mirëpriti të interesuarit dhe hapi mbledhjen, duke ftuar të pranishmit të mos koncentrohen në vërejtjet e drejtshkrimit, por në ato përmbajtjesore. Përfaqësuesit e ministrisë si dhe grupi punues me të hyrë në bisedë nënvizuan gatishmërinë e tyre për të dëgjuar pikëpamjet e çdo qytetari në lidhje me fuqizimin, plotësimin dhe pasurimin e strategjisë kombëtare të Diasporës. Ashtu siç kishte ndodhur edhe në Cyrih një ditë më herët (shih «Konsultim publik me mërgimtarët kosovarë të Zvicrës»),  të pranishmit kishin ardhur për të shprehur mendimet e tyre për draftin e hartuar në Kosovë me titullin “Koncepti i projektstrategjisë për diasporën dhe mërgatën 2013 – 2018“.  Ky dokument mund të shkarkohej nga albinfo.ch, ku ishte botuar edhe ftesa për këtë ngjarje.

Çfarë përmban ky koncept? I hartuar me mbështetje dhe ndihmën e institucioneve të ndryshme, siç janë IOM, UNDP, Instituti Albanologjik i Kosovës dhe Agjencia e Statistikave e Kosovës, ky projektkoncept do të marrë karakterin e tij final vetëm pasi diaspora dhe mërgata shqiptare të ketë dhënë fjalën e saj të fundit. Me ç’ rast një sërë takimesh janë paraparë kudo që janë shqiptarët për të dëgjuar shqetësimet dhe pikëpamjet e tyre në lidhje me organizimin e të ardhmes së kësaj ministrie. Dëgjimet kanë filluar në Gjermani dhe do të përfundojnë në New York më 28 prill.  Ministri Makolli rikujtoi se vijat e trasha të drejtimit të këtij procesi tashmë  janë vendosur, por plotësimi i tij duhet të bëhet me një vizion afatgjatë. “Nuk guxojmë të hartojmë politika afatshkurtra dhe pastaj të shohim se kemi bërë gabim. Kjo strategji duhet të parashohë se çfarë duhet të jetë zhvillimi i mërgatës sonë edhe pas 10 ose 15 vjetëve”, tha ai. Duke iu drejtuar mysafirëve, ministri Makolli tha që kjo bisedë nuk duhet të anashkalojë fushën e informimit, e cila patjetër duhet të jetë pjesë e përmbajtjes të strategjisë.

Promovimi i të drejtave politike dhe civile, ruajtja e identitetit dhe fuqizimi i lidhje me diasporën, integrimi i pjesëtarëve të diasporës në shtetet ku jetojnë si dhe lehtësimi i përfshirjes së diasporës në zhvillimin socio-ekonomik përbëjnë katër shtyllat themelore të këtij drafti.

Që në hyrje të pranishmit biseduan rreth kushteve të shtetësisë kosovare, kushte të cilat duhet të jenë sa më të lehta, në mënyrë që gjeneratat e dyta dhe të treta të gëzojnë mundësinë që fëmijët e tyre të mbajnë ose të marrin lehtësisht shtetësinë kosovare.
Por ajo që u bë pjesë e debatit ishte dobia e përfaqësimit të diasporës në Parlamentin e Kosovës. Si mund të përfaqësohet diaspora kaq e gjerë dhe e larmishme me vetëm disa deputetë. Edhe pse parimisht qëllimi vlerësohet sikur të jetë i dobishëm, përfaqësimi politik i diasporës në Parlamentin e Kosovës shtron disa pyetje të  efikasitetit. Për disa të pranishëm, deputetët e diasporës nuk do të jenë një instrument i fuqishëm. Ky mekanizëm përfaqësimi duket sipërfaqësor dhe vë pluhur në sy, duke krijuar iluzionin se diaspora do të ketë mjete për të ndikuar në politikat qeveritare. Duket i parealizueshëm, vetë organizimi i zgjedhjes së deputetëve të një diaspore e shthurur, një organizim i cili do të jetë shumë i rëndë dhe i ndërlikuar, kur merret parasysh numri dhe shpërndarja e madhe e diasporës kosovare. Por, ajo që brengosi më së shumti të pranishmit ishte fakti se nëse mërgata zgjedh deputetët e saj, ajo humb automatikisht të drejtën e zgjedhjes në vend (Kosovë). Fuqia e këtyre deputetëve zbehet aq më tepër kur parashikohet se këta të fundit të jenë apolitikë në një mes ku koalicionet japin peshë vendimtare.

Përfaqësuesit e LAPSH-it shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me politikat për promovimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Pavarësisht përkushtimit të madh dhe organizimit të mirëfilltë të LAPSHI-it në Gjenevë, numri i nxënësve shqipfolës është në zbritje e sipër. Përfaqësuesit e LAPSH-it kërkuan që RTK-ja t’i japë një kohë të caktuar këtij lëmi, të bëjë publicitet për mësimin e gjuhës shqipe në mënyrë që të nxitet interesi për mësimin e gjuhës. Duhet patjetër të mendohen dhe të ndërtohen mekanizma institucionalë joshës në favor të rritjes së numrit të nxënësve për mësimin plotësues.

Në formë të bisedës së lirë, të pranishmit prekën tri orë të tëra temën e shtetësisë, përfaqësimit politik të diasporës, të mbrojtjes së identitetit nëpërmes mësimit të gjuhës amtare, si dhe problemet në lidhje me regjistrimin e popullatës kosovare jashtë dhe brenda Kosovës. Edhe pse numri nuk ishte shumë i madh, debati solli pikëpamje të reja për përgjegjësit e hartimit të këtij dokumenti. Lulzim Dragusha (Këshilltar i ministrit Makolli), Hysen Matoshi (Instituti Albanalogjik i Kosovës), Mustafë Xhemajli (zv. Ambasador në Zvicër) dhe Avni Kastrati (Agjencia e statistikave të Kosovës), u nisën me një valixhe idesh, por edhe vërejtje në lidhje me plotësimin e draftit të lartpërmendur. Të gjithë të interesuarit që nuk kishin mundësi të jenë prezent mund të dërgojnë edhe me shkrim propozimet e tyre. Sepse, edhe pse mbetët shumë për t’u bërë, të paktën themelet duket se po ndërtohen nën vëzhgimin e drejtpërdrejtë të diasporës.(Kortezi Albinfo.ch)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ne Zvicer, Projektstrategjia per diasporen, Vjosa gervalla

Një thirrje Kryetares së Kuvendit:Kemi mbetur fare pak te gjalle!

March 27, 2013 by dgreca

Nga RESHAT KRIPA/

(Ne Foto, e ndjera Bardha Gjonmarkaj)

Para disa ditësh ishim në Shkodër. Përcollëm për në banesën e fundit zonjën e nderuar Bardha Gjonmarkaj, vajzën e kapedanit të Mirditës,  dy herë e dënuar politike dhe pjesën tjetër të periudhës totalitare e internuar nëpër kampet e errëta të komunizmit.

Të nesërmen një tjetër mik i shquar, i paharruari Abdyl Kërluku, u nda nga jeta. I dënuar për qëndrimin e tij antikomunist nga regjimi totalitar. I ridënuar përsëri për tentativë arratisje nga kampi i punës së detyruar nëpërmjet një tuneli që kishin gërmuar fshehurazi.

Pas dy ditësh të tjera  mësova edhe për një rast tjetër të një martiri që ishte ndarë nga jeta. Ishte fjala për qëndrestarin e orëve të para të rezistencës antikomuniste, nismëtarin e shoqatës tonë dhe burrin e urtë e të shquar, Faik Selenica, mbyllur sytë larg atdheut, në Itali.

Ndjeva një dhimbje për humbjen e këtyre figurave të shquara të luftës kundër komunizmit. Të tre ishin të moshës mbi 85 vjeç. Nisur nga tre humbjet e miqve të mij të çmuar, hedh vështrimin rreth vetes dhe shoh se kemi mbetur fare pak që jemi ende gjallë. Shoh edhe të tjerë që janë në rrugën e ikjes, madje një pjesë e tyre kanë zënë edhe shtratin. Sipas statistikave të fundit të Ministrisë së Financave në vitin 2009 jetonin ende 3200 ish të dënuar politikë, numër që në fund të vitit 2011 zbriti në 2400. Të tjerët ishin shuar. Nga këta, gjithmonë sipas këtyre të dhënave, 400 ishin të moshës mbi 85 vjeç.

Ka më tëpër se një vit që Qeveria Demokratike përpiloi një projekt-ligj që parashikonte këto pika:

  1. Shpërblimin financiar  me  një  këst të vetëm  të  atyre që kanë mbushur moshën 85 vjeç.
  2. Shpërblimin  financiar   të   atyre   që   në  dëshminë  e dënimit politik kanë edhe  nenin  që  i

konsideronte veprimet e tyre terroriste.

  1. Ndryshimin  e  afatit  të  periudhës së vrasjes  pa   gjyq   nga   30  nëntori  1944,  në  25  tetor

1944 deri më 31 tetor 1991.

  1. Zgjatjen   e   afatit    të    dorëzimit    të    kërkesave    që   kishte  përfunduar  më  30  qershor

2009.

Të përndjekurit politikë e përshëndetën këtë projekt-ligj të qeverisë duke e konsideruar si një zbatim të detyrimit që Shqipëria i ka këtyre korifejve të luftës për liri dhe demokraci. Projekt-ligji kaloi edhe në Komisionet e Ekonomisë dhe të Ligjeve. Por,  në  diskutimet  e  bëra atje, doli në skenë demagogjia e socialistëve që, duke derdhur lot krokodili, filluan t’u qajnë hallin ish të përndjekurve, madje të propozojnë ndryshime të tilla si shlyerja e dëmshpërblimit financiar për një periudhë prej katër vitesh, në një kohë kur vetëm para pak vitesh nuk kishin pranuar të merrnin pjesë në miratimin e këtij ligji. Në këtë kuadër ata propozuan që mosha e atyre që do dëmshpërbleheshin me një këst të vetëm të zbriste në 75 vjeç. Megjithatë, pas diskutimesh të gjata, shumica e pranoi propozimin e pakicës dhe komisionet e miratuan. Projekt- ligji kaloi në seancë plenare.

Qysh prej asaj kohe ka kaluar më shumë se një vit dhe projekt-ligjit nuk po i hapet ende drita jeshile e miratimit. Përse? Asnjë përgjigje. Sipas shtypit, herë pas here, kemi mësuar se do të miratohej në Shtator, dhjetor 2012 apo janar 2013. Por të gjitha kanë qenë supozime të shtypit. Asgjë më tepër.

Në fillim të këtij shkrimi përmenda tre raste të martirëve mbi 85 vjeç që janë shuar. Kam rreth vetes disa të tjerë si këta që presin miratimin e ligjit për marrjen e dëmshpërblimit. Nuk po i përmend emrat e tyre sepse më duket sikur i fyej, pasi ata nuk u burgosën me shpresën për të marrë një ditë prej ditësh një grusht të hollash si dëmshpërblim. Ata u sakrifikuan për idealet e tyre, për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Natyrisht ata sot nuk janë në gjendjen që ishin në kohën e diktaturës. Jo vetëm moralisht por edhe financiarisht ata janë sot shumë herë më mirë se më parë. Por, midis tyre për një arsye apo një tjetër, ka edhe nga ata që janë mjaft nevojtarë për këtë dëmshpërblim. Është detyrë e shtetit shqiptar të shlyejë detyrimet që ka ndaj kësaj shtrese. Ka zëra që thonë se pengesë për këtë është mundësia financiare e shtetit shqiptar. Atëherë dua të pyes:

– Si ka mundësi që gati për çdo ditë lexojmë në shtypin e përditshëm për pensionet e posaçme që u akordohen ish ushtarakëve dhe për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë nuk paska mundësi? Përse ky diferencim ndërmjet këtyre  dy  shtresave  të  popullsisë  shqiptare? Cila  prej  tyre  e  pësoi  më

shumë nga periudha totalitare?

Të  gjitha    këto    pyetje    kanë     nevojë     për    përgjigje.  Personalisht  mendoj  se  mundësitë

financiare për dëmshpërblimin, të paktën të atyre që janë mbi 85 vjeç, ekziston. Madje do të shtoja se ekziston mundësia financiare për dëmshpërblimin e të gjithë atyre të përndjekurve politikë që jetojnë ende. Për këtë le të bëjmë arsyetimin e mëposhtëm.

Sipas të dhënave  zyrtare  numri  i  të  përndjekurve  politikë  që jetojnë ende, sikurse thamë edhe më lart, është 2400 persona (në fakt shifra është më e vogël pasi, qysh prej deklarimit të saj, një pjesë e tyre kanë ndërruar jetë), ndërsa periudha mesatare e kohës së vuajtjes së dënimit  është tetë vjet. Një gjë e tillë është pranuar qysh në vitin 1993 kur dikutohej ligji i atëhershëm për dëmshpërblimin dhe kur periudha e dëshmpërblimit të të pushkatuarve u konsiderua e barabartë me tetë vjet, domethënë me mesataren e kryerjes së dënimit të të burgosurve politikë. Një gjë e tillë u la edhe në ligjin e vitit 2008 pikërisht në bazë të këtij fakti. Deri më sot janë marrë dy këste dhe mbeten edhe gjashtë të tjerë. Le të bëjmë llogaritjet:

Persona 2400 X 6 vjet X 365 ditë X 2000 lekë/dita = 10.512.000.000 lekë. Të kthyera në dollarë këto lekë janë të barabartë me:  10.512.000.000 : 105 = 100.114.286 dollar ose në Euro: 10.512.000.000 : 140 = 75.085.714 Euro.

Sikurse shihet nuk është një shumë e papërballueshme. Nëqoftëse do të marrim parasysh se jetojmë në një vit zgjedhjesh, kur sapo është dhënë, madje vazhdon të jepet ende kësti i dytë, dhe duke marrë parasysh gjëndjen financiare të shtetit sikur kjo shumë të ndahet në dy këste do të rezultonte:

75.085.714 Euro : 2 = 37.542.857 Euro për një këst.

Mendoj se vetëm me 1/3 e fondeve të fituara nga privatizimi i katër hidrocentraleve (atyre të Ulzës, Shkopetit dhe Bistricës), ku kanë dhënë kontributin e tyre edhe ish të burgosurit politikë, mund të shlyheshin të gjithë të përndjekurit që jetojnë për dy vite.

Përveç problemit të dëmshpërblimit një rëndësi po kaq të madhe kanë edhe tre pikat e tjera të projekt-ligjit në fjalë. Le t’i analizojmë njera pas tjetrës.

Çështja e nenit mbi terrorizmin. Është i njohur fakti që regjimi komunist për t’i dënuar më shumë të burgosurit politikë, u shtonte edhe këtë nen. Çfarë terrorizmi kanë zhvilluar ata? Kë kanë vrarë? Kë kanë masakruar apo terrorizuar? Asnjë. Për më tepër, në këtë kategori kanë futur edhe ata që tentonin për t’u arratisur si për shembull ata të burgut të Burrelit, revoltës së Spaçit apo asaj të Qafës së Barit. Edhe  në  vende   të   tjera   të   botës   të   burgosurit   tentojnë   të   arratisen   por,  ata   që   kapen,  nuk

ridënohen.

Ndryshimi i periudhës së vrasjes pa gjyq. Projekt-ligji parashikon 25 tetorin, ditën e fillimit të luftës së Tiranës. Ne kemi qenë dakord dhe kemi propozuar që kjo datë të jetë 1 gushti i vitit 1943, viti i Konferencës së Mukjes, pasojë e së cilës ishte hapja e luftës vëllavrasëse. Për këtë kemi bërë edhe propozimet përkatëse. Deri më sot nuk janë miratuar. Sidoqoftë propozimi për të caktuar si datë fillestare 25 tetorin 1944 duhet miratuar sa më parë.

Edhe zgjatja afatit të dorëzimit të dokumentave duhet të miratohet. Në Ministrinë e Drejtësisë janë grumbulluar një sasi e madhe të tilla kërkesash që janë në pritje. Ne jemi të mendimit që për këtë çështje të mos ketë fare afat. Një personi që përfiton dëmshpërblimin nuk ka pse t’i vihet afat për të bërë kërkesën.

Këto ishin çështjet për të cilat doja të diskutoja, Ky është një fakt i hidhur që duhet të shqetësojë këdo në Shqipëri, aq më tepër ata politikanë që i kanë hequr mbi shpatullat e tyre pasojat e regjimit totalitar. U bëj thirrje Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë dhe deputetëve të përndjekur politikë: Lexojeni këtë shkrim, shikoni bashkëvuajtësit tuaj që po shuhen dita-ditës, ktheni vështrimin prapa, te paraardhësit tuaj që e kanë provuar këtë diskriminim dhe miratoni projekt-ligjin në fjalë i cili, megjithëse nuk është i plotë, bënë një hap para drejt rehabilitimit të kësaj shtrese. Në rast se miratimi i tre ligjeve që opozita në mënyrë absurde,  kundërshton t’i miratojë, është vendimtar për të ardhmen e gjithë popullit shqiptar, miratimi i këtij projekt-ligji është vendimtar për të gjithë shtresën e të përndjekurve politikë. Atëherë miratoheni.

 

Kete shkrim qe po i dergojme Diellit, e botoi gazeta “Metropol” Nr. 2931 datë 26 mars 2013. Dërguar edhe gazetave “Mapo” dhe “Panorama” që nuk e botuan, madje nuk morën as mundimin për të njoftuar shkakun e mosbotimit. Kjo nuk është hera e parë që ndodh me këto gazeta. Përse? Këtë e dinë më mirë drejtuesit e tyre. Dëshiroj t’i pyes: A  është kjo etika e një medie të lirë dhe të pavarur? 

Filed Under: Opinion Tagged With: reshat kripa, se Kuvendit, thirrje kryetares

Një copë nga Muri i Berlinit, memorial lirie për Tiranën

March 26, 2013 by dgreca

“Një copë nga Muri i Berlinit si memorial lirie për Tiranën”. Me këtë titull gazeta “Berlin online” njofton përurimin e tij sot në kryeqytet. “Mbetjet e Murit të Berlinit janë bërë një simbol botëror i ndarjes së botës gjatë Luftës së Ftohtë”, është shprehur drejtoresha e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës, Anna Kaminsky, në këtë artikull. Memoriali për izolimin komunist “Post Bllok” është tashmë gati. Pranë bunkerit që ndodhet në hyrjen kryesore të Bllokut janë vendosur dhe shtylla betoni nga galeritë e minierave të kampit famëkeq të Spaçit. Copa e murit me peshë 2.6 tonë, dhuratë e Berlinit për qytetarët e Shqipërisë, e cila u soll në Tiranë me iniciativën e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës së SED, janë tashmë pjesë e “Post Bllokut”. Me segmentin e murit të vendosur në Tiranë, Shqipëria merr një pjesë të Murit të Berlinit, si një simbol të lirisë. Dokumentimi “Muri i Berlinit në Botë” i Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës, regjistron më shumë se 120 segmente të murit, të cilat janë ekspozuar në të gjitha kontinentet e banuara. Në përurim do të marrë pjesë Kryeministri Sali Berisha, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë Carola Muller-Holtkemper, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha etj. (Ndodhet pranë këndit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ismail Qemali”). Me këtë pjesë nga Muri i Berlinit, Shqipëri është një tjetër shtet që i shtohet listës së vendeve që e kanë përdorur si simbol të lirisë. Në dokumentarin “Muri i Berlinit në Botë”, Fondacioni Federal për Trajtimin e Diktaturës së SED ka regjistruar më shumë se 120 segmente muri, të cilat janë vendosur anë e mbanë botës.
Memoriali
Një bunker, një pjesë e Murit të Berlinit dhe shtyllat e Spaçit janë vendosur në hyrje të ish-Bllokut. Ato i takojnë një memoriali të veçantë të persekutimit komunist që po zë vend në të hyrë të “zonës së ndaluar” nën komunizëm. Ideatorë e realizues të këtij projekti janë Fatos Lubonja e Ardian Isufi. Ata kanë bashkuar në një instalacion tri objekte të ngarkuara me simbolika lokale dhe universale. Projekti është iniciuar nga Bashkia e Tiranës dhe karakteristikë e veçantë e këtij kompleksi është se të tria objektet janë autentike dhe vijnë në formë “artefakt”, çka do të thotë që bartin në vetë trupin e tyre gjurmët e asaj kohe. Muri i Berlinit, i njohur në të gjithë botën, është i mbushur me histori, që na kujtojnë ndarjen e botës komuniste nga pjesa tjetër e botës, Luftën e Ftohtë, izolimin si mjet sundimi, mungesën e komunikimit, tentativat për ta kaluar atë në kërkim të lirisë, vrasjet rrëzë tij, shembjen më në fund të tij. Ndërsa bunkeri vjen me një simbolikë veçanërisht shqiptare, që evokon izolimin e Shqipërisë, paranojat e diktaturës, mundin e njerëzve për t’i ndërtuar ato nëpër të gjithë territorin e Shqipërisë, si fragmente të një piramide gjigante absurde. Objekti i tretë është një organizim shtyllash betoni, i një fragmenti galerie miniere si ato ku kanë punuar ish-të burgosurit. Këto shtylla synojnë të evokojnë mundimin e gulakëve komunistë, punën e papaguar prej skllavi, por edhe skllavërimin e pjesës më të madhe të popullsisë në burgun e madh, pasi pamje të tilla rrënojash të asaj kohe janë pjesë e peizazhit shqiptar anekënd. Vizitori i memorialit ftohet jo vetëm ta vështrojë nga jashtë – rruga apo trotuari – instalacionin, por edhe të futet brenda tij, të ecë nëpër rruginat që lidhin tri objektet.(Panorama)

Filed Under: Opinion Tagged With: i berlinit, Nje cope nga muri

WASHINGTON POST: Për Hillaryn – mbase koha që të garojë për presidente

March 26, 2013 by dgreca

Pavarësisht se çka bën Barack Obama, ai nuk mund t’i shmanget hijes së ish rivales së tij politike.
Hillary Clinton, pas udhëtimeve globale me ç’rast i vizitoi vendet dhe popujt, të cilëve vështirë u dëgjohet zëri në këtë kontinent, po del në qendër të vëmendjes, edhe pa i prekur shkallët e skenës, shkruan e përditshmja Washington Post, në fillim të artikullit të saj për të ardhmen e ish sekretares amerikane të shtetit.
Presidenti Obama e vizitoi Lindjen e Mesme, ka bërë histori derisa fliste për luftën në Siri, për Iranin dhe për paqen ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, ndërsa në skenën e brendshme qarkullon një Pyetje e Madhe: a do të garoj Hillary?
Pak njerëz, dhe shumë më pak femra, kanë zgjuar aq shumë interesim sa Hillary Clinton. Ajo bartë një barrë unike duke qenë diçka për çdokënd: e dashur, e përbuzur, e admiruar, e frikësuar, model për të tjerët, politikane, nënë, bashkëshorte, hakmarrëse, qortuese, muzë. Ajo është njëfarë rebusi, shkruan Washington Post dhe e shtron pyetjen “ajo po garon për presidente, apo jo”?
Pa dyshim se çështja që sillet në mendjen e zonjës Hillary është a të garoj përsëri për zyrën më të lartë, një çështje përcëlluese dhe torturuese.
Kjo gjithmonë ishte çështje. Pa evitueshmëria e saj është legjendë. Ish shërbyesja publike, që u bë bashkëshorte e Bill Clintonit, përfundimisht është e gatshme për lavdinë e saj, në kohën e saj.
Atëherë erdhi gjëja më e papritur, ky person Obama, i cili doli në skenë nga një yll i largët dhe i verboi masat me dritën e tij. Suksesi i tij, për fat të keq, ishte më i madh se i saj dhe Hillary edhe njëherë është dashur të pres, shkruan Washington Post.
A do të garoj ajo përsëri për presidencë? A do ta përcaktoj ajo fatin e saj?Apo fati i saj do të venitet në faqet e mundësive të humbura, koha e keqe dhe premtimet e thyera?
E përditshmja Washington Post shkruan se i ka pyetur disa bashkëpunëtorë të afërt të Hillary Clintonit nëse ajo do të garoj dhe të gjithë ata e thonë të njëjtën gjë: “nuk kam ide”.
Dyshoj se kjo është e vërtetë dhe se Hillary me të vërtetë nuk e di. Me përjashtim të asaj se ajo e di, dhe të gjithë kolegët e saj me të vërtetë e dinë dhe të gjithë ne e dimë. Si mund të shmanget Hillary Clinton nga detyra e cila mendohej se do të jetë e saj? Harrojeni fatin. Çka të thuhet për detyrën? A nuk e ka për detyrë femra e parë, që ka gjasë reale për tu bërë presidente e Shteteve të Bashkuara, të garoj dhe të fitoj?
Do të jetë rraskapitëse. Koha paraqet një kundërshtar, meqë Hillary në vitit 2016 do t’i ketë 69 vjeç. Katër vitet e kaluara ishin brutale dhe ajo i tregoi efektet e udhëtimit të vazhdueshëm, presionit të pafund dhe të një mungese fisnike të vëmendjes për krenarinë e saj.
Fushata presidenciale, megjithëqë e njohur, do të jetë më e keqe, meqë do të ketë shumë angazhim dhe do të jetë një rrugë e tmerrshme, veçanërisht për një grua, e cila ndoshta duhet të mendoj për mbesa dhe nipër…
Por, Hillary nuk është pjekëse e ëmbëlsirave, siç e dimë. Tash është përfundimisht koha e drejtë. Popullariteti i saj është më i lartë se kurdoherë më parë. Ajo është e admiruar në mbarë botën. Ajo i ka arritur sukseset e saj jo nga trashëgimia (martesa me Billin), por nëpërmjet aftësive të saj dhe, po, me djersën e saj, shkruan Washington Post.
Ajo ia doli që nëpërmjet punës së mundimshme dhe ndershmërisë së plotë t’i asgjësojë përkujtimet e viteve të mëhershme si Dama e Parë dhe femra e cila qëndroi pranë bashkëshortit të saj, edhe atëherë kur shumë femra nuk do ta bëninkëtë.
Jo rastësisht votat e femrave janë të saja. Bile, edhe femrat republikane do ta kenë vështirë të mos votojnë për Hillaryn. Nëse jo për të, për kë atëherë?
Qartazi, propozimi “Hillary Clinton për presidente” ka më tepër pyetje se përgjigje. Por, të gjitha llogaritë përfundojnë në këtë pikë: ajo esencialisht për këtë moment ka punuar gjatë gjithë jetës së saj. Opinioni është i përgatitur për presidente, shkruan në fund të artikullit e përditshmja Washington Post.(Përgatiti Fatmir Bujupi)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Hillary Klinton, koha per presidente, Washington Post

Njeriu në këndvështrimin sociologjik dhe filozofik

March 25, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th Kallco/

Pak kohë më parë duke bërë kërkime që lidheshin me një filozof të kohëve moderne, kur njeriu dhe shoqëria po hynte në krizën më të thellë të ekzistencës së vet, mes shumë pyetjeve të pafund për këtë realitet tejet dramatik të botës së sotme, njëra, ndonëse bëhet fjalë për një shkencë të re, sociologjinë, duket se po ngutet në përcaktimin ose më mirë riorganizimin e objektit të saj të studimit. Pyetjes se ku po shkon sociologjia botërore, europiane ku bën pjesë dhe shoqëria shqiptare, sado e brishtë që ajo renditet me simotrat e veta, sociologët po përpiqen të hedhin disa hipoteza që janë quajtur diagnostike, një lloj analize për të parë nëse simptomat e kanë dëmtuar shumë apo janë në fazën e parë të shfaqjes. Kriza e shoqërisë ka kapur fort edhe vetë këto shkenca që gjenden në udhëkryqe të mbijetesës. Në Itali rreziku është tejet i dukshëm, pasi kjo shkencë po rrezikon të mos ketë vendin e vet në arenën botërore. Një studiues milanez boton një artikull ku titulli ndoshta nuk ndjell për të mirë: Zhdukja e sociologjisë së shkencës zyrtare italiane: vrasje apo vetëvrasje? A ka krizë shkenca mbi shoqërinë? Këndvështrimi nuk ka të bëjë me institucionet, por merr një karakter tjetër që lidhet me gjithçka që vetë shoqëria krijon dhe që e transmeton në breza, me aspektin më të lartë të mendjes krijuese të një kombi, me kulturën. Pra më shumë se një problem organizativ është problem kulturor. Ja sesi bëhet një krahasim midis dy etapave të zhvillimit të saj : Dikur sociologët ishin të paktë në numër dhe ishin shumë të ditur, të përgatitur dhe thoshin gjëra interesante, por gjëja më e rëndësishme të bazuara në fakte. Sot sociologët janë të shumtë, apo siç mund të themi pa hesap, faktin e mbiprodhimtarisë më shumë se kudo e gjen në Shqipëri, personat e ditur janë të paktë dhe pranohet një e dhënë e dhimbshme që sociologët shpesh thonë banalitete.

Që t’i japim një përgjigje të saktë pyetjes së mësipërme, më parë duhet t’i japin një përgjigje pyetjes që për mendimin tim është më kryesorja dhe vendimtarja, ku po shkon njeriu. Është objekti dhe subjekti i shoqërisë, ai që i jep kuptim jetës, që vepron dhe punon individualisht i rrethuar nga uni dhe egoja, në shoqëri dhe në komunitete të përcaktuara mirë, ku gjithçka në kontekstin e parë, anulohet dhe konsiderohet një pjesë e një mase që prioritare kanë interesin e të gjithëve, të paktën Rusoi këtë përcaktim e ka dhënë shumë kohë më parë. A është më njeriu kafshë politike, sipas Aristotelit, apo ka marrë një natyrë tjetër për shkak të evolucionit? Mendoj se këtë natyrë e ka ruajtur më së miri, bile në këtë shekull të ri po e tregon më qartë se nuk ka ndryshuar asnjë presje e përcaktimit të Aristotelit, veç duhet shtuar se është bërë shumë më politik, pasi është vetë natyra e sistemit që e lidh fort me interesat e klasës poltike dhe që përdoret barbarisht prej tyre. Le t’i hedhim një sy njeriut shqiptar, ju kujtoj studimin e disa ditëve më parë për cilësitë e njeriut modern, dhe do të bindemi se reflektimi na jep të drejtë. Fushata aktuale parazgjedhore tek ne po e vërteton këtë natyrë të re të njeriut të sotëm sociologjik. Raporti kënaqësi – dhimbje për të cilin disa filozofë kanë shprehur mendime të ndryshme duket se e rrok më qartë faktin se një kënaqësi vjen pas dhimbjesh të vuajtura nga lufta e egër poltike, kur zë një vend pune të përkohshëm, aq sa zgjat edhe mandate i zgjedhjeve ose më pak, ndërsa anasjelltas një dhimbje që vjen pas kënaqësisë është më shkatërruese për njeriun e sotëm që përpiqet me çdo kusht të bëjë para me çdo mënyrë, për sa kohë është në një post, edhe shpesh herë të pamerituar. Është çështje zgjedhjesh edhe pastërtia e figurës së tij apo pistësia e detyruar nga kushtet në të cilat ndodhet individi edhe në nivel botëror. Kriza e pafund ka nxjerrë dhe po nxjerr në pah njeriun e dobët, të pamoral, gati të bëjë konsensus edhe me djallin, mjaft që të ketë një dinjitet të nëpërkëmbur që t’i sigurojë një vend pune që të mbajë familjen. Është njeriu që sakrificat i bën vetëm një herë në jetë, ndërgjegjësimi aktual tek fqinjët tanë është një fakt që duhet përshëndetur, ndërsa herën e dytë rebelohet dhe proteston, duke e vënë në vështirësi klasën poltike, shtetin dhe të gjitha strukturat e krijuara në dhjetëvjeçarë, si në rastin e Italisë. Është njeriu dogmatik që për interesat e veçanta të një klani nuk arrin që të dalë jashtë tyre, edhe sikur dogma të kenë karkter të përkohshëm poltik. Është njeriu i përulur ndaj kultit të njeriut perëndi dhe ndaj santazheve të përditëshme nga mesazhet poltike që më shumë se kurrë tek ne janë shumë të nxehta. Është njeriu plot me fobi që nuk mund të hedhë asnjë hap pa e mundur skepticizmin që e rrethon edhe brenda shtëpisë së vet, e jo më pastaj jashtë saj. Është njeriu hipokrit dhe me plot fytyra sipas situatës që shpesh merr karakter konfliktual dhe inatçor, secili e ka provuar sesa shtrenjtë të kushton liria, sapo fillon të shprehë mendimet e lira dhe të drejta. Mund të rendit edhe shumë detaje të tjera që e plotësojnë përgjigjen e pyetjes se ku po shkon vërtet njeriu. Nëse njeriu ka marrë këto drejtime, shumë prej tyre janë trashëguar nga shekujt, shumë të tjera janë shtuar gjatë jetës moderne, dhe pasi të japim një përcaktim të saktë të qënies njeri, pyetja tjetër se ku po shkon sociologjia do të ishte më e lehtë. Sociologjia dhe filozofia detyrimisht do të ndjekin ecurinë e faktorit njeri, pa të cilin nuk do të ekzistonin, do të marrin të gjitha ngjyrimet e raportit të tij me natyrën, me veten dhe me shoqërinë dhe do të përpiqen t’i interpretojnë nga një këndvështrim i ri, ku sigurisht gjithçka do të vazhdojë të reduktohet në maksimum, pasi shkenca dhe teknologjia gjithnjë e më shumë po e zvogëlojnë kohën dhe hapësirën ndërkomunikuese të drejtpërdrejtë mes të barabartëve dhe të ngjashmëve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjan Kallco, njeriu ne kendveshtrimin, sociologjik dhe filozofik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 816
  • 817
  • 818
  • 819
  • 820
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT