• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Homazh për mikun tonë, Abdyl Kërluku

March 21, 2013 by dgreca

Nga Reshat KRIPA/

I nderuar miku  ynë Abdyl Kërluku!! Ju them mik se me të vërtetë i tillë ishe. Ti ishe këshilltari ynë i urtë, ishe burri me një karakter të fortë, i pathyeshëm para tiranisë së diktatorëve dhe i papajtueshëm me prapaskenat e intrigantëve të pamoralshëm. Ne deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për mendimin tënd, për fjalën tënde të urtë. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Ishe i ri kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Ishe i detyruar të burrëroheshe nëpër qelitë e errëta të sigurimit  të zi komunist apo nëpër kampet e tmerrshme të punës së detyruar. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Po, Abdyl i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse  në  venat  e tua rridhte gjak fisniku. Ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.

Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Para syve më dalin ato ditë të zjarrta ku, atje në shtëpinë e kryetarit tonë të nderuar, Lalë Osmanit, mblidheshim dhe diskutonim për të ardhmen e atdheut tonë të përvuajtur. Diskutonim për shoqatën tonë të nderuar që përfaqesonte frymën më demokratike të shoqërisë shqiptare, frymën e nacionalizmit shqiptar. Për të gjitha këto të zgjodhën në krye të shoqatës për Tiranën dhe ti e justifikove plotësisht besimin që të dhanë. Këtë  nuk do ta harrojmë kurrë për tërë këta vite që na kanë mbetur për të jetuar.

Por ti nuk luftove vetëm në gjirin e shoqatës. U lidhe në mënyrë të pandashme me atë forcë politike që i vuri gjoksin përmbysjes së komunizmit, Partinë Demokratike, duke punuar me përkushtim në organet drejtuese të saj dhe duke i qëndruar gjithmonë besnike, deri në çastin kur fluturove për në qiellin e amëshuar.

Abdyli i përkiste asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Donte të jetonin të lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën e tyre. Donte të jetonin në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq të atdheut të tij,  jetonte në një epokë të gabuar. Jetonte në atë epokë kur nuk mund të shprehte dot ato që ëndërronte, ato që i buronin nga zemra e tij e madhe. Jetonte në atë epokë kur nuk mund të shprehte mendimet e tij të lira, ndjenjat e shpirtit të tij të pastër. Jetonte në atë epokë kur kishte dëshirë për të studiuar dhe nuk e lejonin të studionte, kishte dëshirë për të punuar dhe nuk e linin të punonte, kishte dëshirë të jetonte dhe nuk e linin as për të jetuar. Jetonte në atë kohë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për këtë e burgosën, por nuk mundën të thyenin vrullin e tij drejt lirisë. Edhe pse i burgosur, ai përsëri rendi drejt saj. Tentoi arratisjen nga burgu pa u trembur nga ferri komunist dhe përfundimisht mundi ta plotësonte ëndrrën e tij në dhjetorin e vitit 1990, në ato ditë të zjarrta kur Tirana e tërë dhe bashkë me të e gjithë Shqipëria ngrihesh në këmbë për fitimin e  lirisë, së cilës i kishin kushtuar jetën e tyre.

Të nderuar familjarë. Më lejoni t’ju sjell ngushëllimet e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, anëtar i Kryesisë Kombëtare të së cilës ishte edhe i nderuari Abdyl. Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë. Abdyli ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm njeriun  që e kishim  në krahun tonë. Humbëm mikun tonë për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes Abdylin tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

Filed Under: Opinion Tagged With: homazh, per Abdyl Kerluku, reshat kripa

GREQIA VEND I KEQ PËR REFUGJATËT

March 21, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtë javë, organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Amnesty International (AI) kritikoi Greqinë për mënyrën se si ajo sillet me refugjatët politikë, të cilët përpiqen të hyjnë në vendet e Bashkimit Evropian nepërmjet Greqisë. Amnesty International i kërkoi Athinës zyrtare që azilkërkuesve nga vendet që janë prekur nga lufta, siç është Siria, tu garantojë sigurinë gjatë qëndrimit të tyre në territorin grek.

Amnesty International përmend rastin e refugjatëve sirinaë të cilët kanë humbur jetën kohët e fundit, në përpjekje për të hyrë në territorin grek, nepërmjet ishullit Lesvos.   Në deklaratën e saj, AI thotë se autoritetet greke kanë gjetur trupat e gjashtë sirianëve të vdekur, përfshirë edhe trupin e një 17-vjeçareje shtatzënë dhe të një nëne me tre fëmijtë e sajë të mitur. Organizata e të drejtave të njeriut thotë se këjo nuk është hera e parë që azilkërkuesit humbin jetën duke u përpjekur të hyjnë në Evropë nepërmjet Greqisë.

“Ndërsa Greqia po shton kontrollet në Evros’’, për të ndaluar hyrjen e refugjatëve në territorin e saj, “azilkërkuesit janë duke u përpjekur të gjëjnë rrugë të tjera’’, tha John Dalhuisen, Drejtor i AI për Evropën dhe Azinë Qendrore.

Në deklaratën e saj drejtuar autoriteteve në Athinë, Amnesty International thotë se, “Është jetike që autoritetet greke të bëjnë çdo gjë të mundur për të garantuar sigurinë e refugjatëve politikë”, duke shtuar se sistemi grek për azilkërkuesit nuk i përkrah ata aspak” dhe shton se, “refugjatë politikë , përfshirë sirianët dhe afganët, që arrijnë në brigjet e Lesvos mbahen në qëndra të policisë, në kushte tepër mizore dhe shpesh lihen të flejnë nepër rrugë.”   Amnesty International bën thirrje që, “Autoritetet greke të ndërmarrin masa urgjente për përmirësimin e kushteve për ata që mbërrijnë në brigjet e territorit grek dhe t’japin fund mbajtjes në arrest të azilkërkuesve.   Azilkërkuesit sirianë pa dokumenta, të cilët janë larguar nga konflikti në vendin e tyre, të mos mbahen në arrest dhe as të mos dëbohen’’, dhe njëkohësisht , AI i bën thirrje Athinës që të “ndërmarrë një shqyrtim të drejtë dhe efektiv të kërkesës së tyre për strehim”.

Të ënjtën, deklaratës së Amnesty International iu bashkua edhe organizata bëmirëse franceze, “Mjekët pa Kufij”, e cila kritikoi ashpër Greqinë për trajtimin ndaj refugjatëve politikë që janë larguar nga atdheu i tyre i shkatërruar nga lufta duke thënë se azilkërkuesit trajtohen si imigrantë ilegalë dhe të cilët, sipas kësaj organizate, thuhet se përballen me masa brutale nga policia greke.   Drejtori i Përgjithëshëm i “Mjekëve pa Kufij”, Willem de Jonge i tha agjencisë AFP, se në Greqi, “Ekziston një mungesë e plotë edhe mos vullnet për një përgjigje humanitare dhe solidariteti ndaj azilkërkuesve sirianë, të cilët arrinë në Greqi nepërmjet Turqisë.   De Jong i tha AFP-së se shëndeti i azilkërkuesve, shumë prej të cilëve vuajnë nga tronditje shpirtërore dhe psikologjike, përkeqsohet gjatë qëndrimit të tyre në qendrat ku mbahen në Greqi.

Azilkërkuesit e shkretë sirianë janë vetëm një prej grupeve etnike jo të dëshiruar dhe të keq trajtuar, përfshirë edhe shqiptarët dhe të cilët njëkohësisht përballen me dhunë në Greqi.

Sipas një organizate tjetër të të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, (HRW)  me qëndër në New York, “midis një krize ekonomike dhe tensionesh shoqërore në Greqi, imigrantët dhe azilkërkuesit janë bërë objekt tërbimi e zemërimi ksenofobik” ndaj të huajve.   Human Rights Watch thotë në një artikull të vitit të kaluar se ka dokumentuar përdorimin e dhunës në një numër rastesh e lokalitetesh  –dhe shton duke thënë se viktimat përballen gjithashtu me pengesa të mëdha kur të huajt kërkojnë drejtësi pranë organeve kompetente.   Në artikullin e kësaj organizate thuhet se megjithëse Greqia përballet me presione valësh imigrantësh, nuk ka “asnjë arsye për përdorimin e dhunës mafioze ose për dështimin e policisë, të gjykatave dhe qeverisë greke, për t’u marrë seriozisht me këtë problem.”   Në një raport tjetër të kohëve të fundit për azilkërkuesit sirianë në Evropë, Human Rights Watch thekson se vetëm Gjermania dhe Suedia, të cilat kanë numërin më të madh të kërkesave për strehim, u japin atyre automatikisht njëfarë sigurie e përkrahje, sipas organizatës së të drejtave të njeriut, në Greqi ku gjatë vitit 2011 kanë hyrë pothuaj 10-mijë refugjatë sirianë, vetëm 6 prej tyre kanë siguruar përkrahje në atë vend.

Këtë javë, Amnesty International u bëri thirrje autoriteteve greke që të garantojnë të drejtat dhe sigurinë e azil kërkuesve në territorin helen dhe organizata tjetër, mbrojtëse e të drejtave të njeriut, Human  Rights Watch tha më heret se,“ky qytetërim i vjetër nuk duhet të lejojë veten të këthehet në një dhunë institucionale kundër imigrantëve”.   Në të njëjtën kohë, pasi thuhet se për këtë problem, Greqia ka nevojë për ndihmën e Komunitetit Evropian, i bëhet thirrje edhe Bashkimit Evropian që të bëjë më shumë për të garantuar zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë ata që përpiqen të hyjnë në Evropë nepërmjet zonës jug-lindore të kontinentit, në kërkim të një një jete më të mirë dhe më të sigurt.

Edhe gazeta me shpërndarjen më të madhe në Amerikë, Wall Street Journal, në një artikull të gjatë shkruan për fatin e keq të refugjatëve dhe imigrantëve në Greqi.  Ajo thotë se, “Greqia ka nënshkruar marrëveshjet ndërkombëtare dhe evropiane për të grantuar dhe mbrojtur të drejtat e refugjatëve dhe imigrantëve, por nuk e ka bërë këtë me azilkërkuseit sirianë”.

Si një ish-refugjat politik, unë ndiejë shumë simpati për gjëndjen e refugjatëve të ikur nga diktatura nga çdo kënd i botës  — dhe mund të them me sinqeritet dhe dhimbje për azilkërkuesit e sotëm, se nuk ka gjë më të vështirë kur gjëndesh në një botë të huaj pa përkrahje dhe pa përspektivë për të ardhmen – e në rastin e tyre në Greqi — të përballur edhe me dhunën fizike ndaj tyre dhe nga mos kujdesi që ndaj tyre tregojnë institucionet zyrtare të shtetit. Këjo është një gjëndje që nuk duhet të tolerohet nga Evropa dhe as nga bota e qytetëruar,  në Greqi ose në ndonjë vend tjetër.   Nuk duhet harruar se sot, azilkërkuesit janë sirianët, por vite më parë ishin shqiptarët, polakët, hungarezët,çekët e të tjerë azilkërkues në Evropë dhe më gjërë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Greqia, per refugjatet, vend ikeq

“NDËRTO FOLENË SE SORRAT VIJNË VETË!? ”

March 21, 2013 by dgreca

Opinion Nga Fadil LUSHI/

Disa ditë më parë një miku im, përndryshe frekuentues i rregullt i “bastoreve”, duke qenë i zhgënjyer nga rezultati i ndeshjes së futbollit mes Bajernit dhe Arsenalit 0-2…, më parashtroi këtë pyetje nga fusha e sportit: pa më thuaj ç’kuptim ka nocioni “auto-gol”?! Meqenëse ky miku im është “kumarxhi”, fillimisht më duhej t’i them se ndeshja e lartpërmendur qind për qind ishte e kurdisur (a e trukuar, siç i thonë me këtë zhargonin e e sotëm të sportit). Më pastaj u mundova t’ia shpjegoj nocionin në fjalë. Ai si duket nuk e “kuptoi” interpretimin tim të parë. Provova t’i jap edhe sqarime plotësuese duke iu referuar Fjalorit të gjuhës shqipe, ku, pos të tjerash, për autogol thuhet: “gol që bën një lojtar në portën e skuadrës së vet”. Mikut tim “bixhozçi” edhe ky shpjegim nuk i hyri në kokë. Në fund thash se ky ka nevojë për një shpjegim me atë fjalorin e “rrugaçërisë” dhe, pa një pa dy,  ia thash troç: “auto-gol” do të thotë si me ia futur vetvetes!? Për çudi, miku im këtë shpjegim e kuptoi “bisht e krye”. Unë që në fillim e dija fare mirë se ç’hall kishte. Nuk mund të thuash se ky nuk paskësh njohuri nga fjalori sportiv, përkundrazi ai mund të konsiderohet njohësi më i mirë sportiv i mëhallës sonë dhe më gjerë. Gjithë këtë ‘moskuptim” e kishte stisur nga inati pse ia “kishin trukuar” rezultatin e ndeshjes së lartpërmendur në kuadër të Ligës së kampionëve evropianë, ndaj kishte humbur sasi të konsiderueshme parash. Njohësit e mirë të sportit profesional thonë se autogoli në futboll, fillimisht dëmton “autorin”, imazhin dhe rejtingun e skuadrës, tifozët dhe, së fundi, “kumarxhinjtë” e bastoreve.

Lexuesit e mi të nderuar me të drejtë do parashtrojnë pyetjen se ç’kuptim dhe ç’lidhje kanë nocionet ‘autogol’ dhe ‘kurdisje ndeshjesh’ me këtë vështrimin tim gazetaresk në vijim. Unë do them me bindje se e gjithë kjo që thamë më lart ka shumëçka të përbashkët sidomos me paragrafin që trajton fushatën parazgjedhore dhe historinë e saj. Nuk mund të thuash se historia e zgjedhjeve vendore në Maqedoni nuk është dëgjuar, nuk është lexuar, nuk është shfletuar, komentuar, kontestuar e dyshuar nga gjithsecili, qofshin ata njerëz të rëndomtë, politikanë, analistë…, nga ata që janë në pushtet dhe të tjerët në opozitë…, shehërlinj e sherrxhinj të tjerë.

Thonë se autogoli politik dëmton lidershipin, partinë politike që e përfaqëson, mandej votën vendimore gjegjësisht deliberative të secilit, do të zhgënjejë simpatizantët dhe në instancë të fundit do të mbajë peng fjalën e lirë, zhvillimin e demokracisë, paqen, integrimin e shteteve,  në këtë rast të Republikës së Maqedonisë (dhe të shqiptarëve) në strukturat euroatlantike, në NATO…, do të mbajë peng “bashkëjetesën”, si dhe do të tronditë të gjitha koalicionet e sajuara, të brishta dhe me paterica. Andaj e gjithë kjo “pengmarrje” do të prodhojë antagonizmin politik dhe antagonizmat kombëtare duke mos përjashtuar edhe antishqiptarizmin. Edhe në këtë fushatë parazgjedhore (vendore) u hetuan ca autogola politikë…, ca ishin të rregullt, ca u shënuan me kokë, ca me dorë dhe jo të rregullt, ca ishin gola nderi, ca gola barazimi e të tjerë gola të dyshimtë a me hile. Në këtë  kampanjë parazgjedhore u vu në veprim çmos për të arritur qëllimin, disa përdorën arsyen, ca të tjerë përdorën gjuhën e qartë, kishte edhe të tillë që përdorën lloj- lloj fjalorësh, retorikash e tjerë. Atyre që u mungoi mjeshtëria e të shprehurit me gojë…, mëtuan të shprehen me mimikë, ca “kandidatë për kryeplak a për aga-babë të shehrit” dhe ca paksa “çallëmxhi” tundën supet, tundën kokën, tundën këmbët, një “azgan” tundi gishtin e mesëm të dorës së djathtë duke thënë se s’ka “bir nëne që ma tund sediljen e tim eti…, s’ka njeri që ma tund mëhallën time dhe zinxhirin a qaforen prej alltëni”!?…, kishte edhe tundje karakteristike që lëkundeshin mes shundit, tallavasë, nacionalizmit, gjeografisë politike, asaj historike, shovinizmit shtetmadh, irracionales dhe “lëvizjes irredentiste shqiptare”!??

Unë në vazhdim të këtij vështrimi, me takatin e fiqirit tim, do të bëj përpjekje të hetoj ca defekte që u hetuan në retorikën politike të kandidatëve për kryetarë komunash dhe në veçanti të kryeministrit të Republikës së Maqedonisë, z. Nikollë, i cili në kuadër të një tubimi parazgjedhor, ashtu thjeshtë dhe “pahiri” shënoi një “euro-autogol të pastër politik”. Retorika e tij u shndërrua në egoizëm politik krejt primitiv, provincial a edhe katundaresk. Me gjithë respektin ndaj tij, kundërshtarët do të thonë se fjalimi i tij ishte  përçmues, nënçmues, mallkues, mbretërues, kërcënues dhe biblik. Ata që këtë fjalim të tij e dëgjuan me vëmendje hetuan atë nacionalizmin dhe urrejtjen e tij patologjike, ishte një retorikë që përcillte mesazhe luftarake! Kjo retorikë e tij nuk u ndërtua hë për hë…, ka kohë që është strehuar në fjalorin e tij të mistershëm.

Të gjithë ata që e përcollën këtë “fjalim a retorikë politike” të zotit Nikollë, thanë se ai nuk tha gjë të re përveç që përsëriti atë që e kishte të paragjykuar dhe të akumuluar në higjienën e mendjes së tij politike. Ai sikur deshi që kundërshtarëve t’u çojë “selame dhe habere” sa i përket prezencës së tij në pushtetin absolut. Të gjithë atyre që iu trazua mendja nga kjo retorikë egocentrike e kryeministrit, nuk mund të thonë se kjo retorikë e tij ishte një gafë politike e radhës, nuk ishte boshe…, sepse e gjithë kjo paraprakisht ishte e “gatuar në kuzhinat e Shkupit”…, me retorikën e tij sikur deshi t’u thotë shqiptarëve: “deka Republika Makedonija ne e dotade Grupçin”!? Për lidershipin në fjalë është karakteristik fakti se ai nuk i përmbahet “ terapisë që ia ka përshkruar” Brukseli dhe Uashingtoni dhe për inat nuk i merr ilaçet në kohë dhe rregullisht.

Unë vazhdoj që të mos e kuptoj kryeministrin z. Nikollë…, pse ky i nderuar, gjithë këtë retorikë e bëri me vrap e me shpirtin në fyt, unë nuk e di se ç’iu desh ta dredhë gjuhën, qoftë politike a nacionaliste…, pse gjithë ky siklet i tij ndaj Kërçovës dhe Strugës…, a mos vallë ai nuk e ditka se shqiptarët e Kërçovës (nuk) mbijetojnë falë kontributeve financiare të bashkëvendësve të tyre në kurbet…, pse gjithë ky shqetësim i tij se ku do të duhet të jetojë e të veprojë Fatmir Dehari dhe shqiptarët e tjerë të tillë si ai…, sikur deshi që Fatmirit (dhe shqiptarëve të tjerëve) t’u thotë të ikin nga këtej (nga vendlindja) duke thyer qafën me bishtin ndër shalë e prapanicë…, shko atje ku ndoshta do të “darovitin me ndonjë sheqerkë të baba dovletit”! Ata që janë “merakli të birrës dhe “terjaqinj” të kafes, do të thonë se as e para e as dyta nuk pihen nëse nuk kanë shkumë e kajmak…, thjeshtë nuk kanë shije!  Një nip imi që jeton në Stamboll dhe që është kundërshtar i një partie politike që është në pushtet më thotë: “Dajo, disa politikanëve po nuk ua fute gishtin në b…, nuk ikin dot kollaj nga pushteti”!??. Historianët do të thonë se gjella më e preferuar e padishahut ishte ajo me emrin “imam bajalldi”, sot shqiptarët këtë gjellë nuk e hanë nga “frika” se mos “bajalldisen”, respektivisht se mos alivanosen? Shqiptarët nuk do të ndërtojnë folenë, sepse atë e bëjnë vetë shqiponjat!

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, nderto folene, opinion, se sorrat, vijne vete

PERIKLIU E PERKUFIZON DEMOKRACINE E-UNE PYES A NDODH KESHTU NE SHQIPERI?

March 20, 2013 by dgreca

OPINION Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Për të kuptuar se ku jemi 23 vjet pas rrëzimit të diktaturës le t’i përballim pohimet e Perikliut me realitetin shqiptar. Le të vendosim përballë Perikliun me burrështetasit tanë. Për nga koha që ka rrjedhur postperikliut, do të duhej që burrështetasit tanë t’i jepnin leksione atij, por ndodh e kundërta. Perikliu i biri i një gjenerali athinas ishte një burrështeti, orator dhe strateg gjatë periudhës të artë të qytetit, e cila mban emrin e tij e njihet si Shekulli i Perikliut, kur lulëzoi demokracia dhe vendi e Athina u quajt kryeqyteti i botës intelektuale, artistike e politike. Ai lindi e jetoi rreth 5 shekuj përpara lindjes të Krishtit, dmth rreth 2500 vite më parë.

Tuqididi për shkak të ndikimit të madh që kishte tek athinasit e thërriste “Qytetari i parë”. Tuqididi do të mbante edhe fjalimin në përcjelljen e fundme që iu bë Perikliut, i cili mbetet  edhe sot si njëri prej kulmeve të oratorisë, ku midis të tjerave thotë:”Bota e gjithë është një varr për njerëzit e famshëm; ata nuk nderohen vetëm prej kollonave të mermereve dhe mbishkrimeve në vendet e tyre, por në vendet e huaja në vend të varreve memoriale prej guri ata jetojnë në zemrat dhe mendjet e njerëzve.“

Perikliu ishte edhe populist, por jo demagog. Në kohën e tij pati një lulëzim të paparë të arteve dhe letërsisë. Perikliu do të mbështeste ndërtimin e shumë veprave të Akropolit, përfshi edhe Partenonin, që edhe sot e kësaj dite mbeten krenaria greke. Këto projekte i dhanë qytetit namin e mirë, dhe krijuan mundësi pune e jete të mirë.

Fjalimet e Perikliut si orator janë të famshme. Unë këtu po sjell fjalimin ku ai i drejtohet athinasve, në vitin 461 para Krishtit, që i ka rezistuar mrekullisht dy milenarëve e gjysëm, dhe tingëllon sikur Perikliu po e mban sot për të shpëtuar Greqinë nga kriza. Këtë fjalim e ka përkthyer në mënyrë brilante intelektuali i njohur Daniel Gazulli, i cili nuk ka shumë kohë që është larguar nga kjo botë. Përkthimi është bërë në një gegnishte shumë elegante dhe ka një tingull shumë të bukur në shqip. Kam bindjen se këtë përkthim Gazulli duhet ta ketë bërë për t’i dhënë model politikës shqiptare, e cila ka kohë që nuk lexon asnjë libër dhe nuk kujdeset po ashtu as për kulturën dhe as për vlerat.

Në fjalimin e tij Perikliu definon demokracinë në Athinën antike atje ku edhe ajo lindi. Fjalimin e tij unë po e vendos në një plan krahasues me realitetin shqiptar sot, për të parë se ku jemi.

Perikliu thotë: “Në Athinë qeveria jonë favorizon shumicën e jo pakicën: prandaj ajo quhet demokraci.” E unë pyes a ndodh kështu në Shqipëri?

Perikliu thotë: “Ligjet këtu sigurojnë një drejtësi të barabartë për të gjithë” – E unë pyes a ndodh kështu në Shqipëri?

Perikliu thotë: “Kur një qytetar dallohet, atëherë ai asht ma i preferuem se të tjerët, dhe thirret që t’i shërbejë Shtetit, por kjo jo si një previlegj për të, por si shpërblim për meritat” – E unë pyes- a ndodh kështu në Shqipëri? –

Perikliu thotë: “Liria që gëzojmë shtrihet edhe mbi jetën e përditëshme; na nuk jemi dyshues njeni për tjetrin e nuk i sjellim kurrë bezdi të afërmit nëse atij i pëlqen të jetojë në mënyrën e vet. Na jemi të lirë, të lirë të jetojmë ashtu si na pëlqen e megjithate jemi gjithmonë të gatshëm t’i bajmë ballë çdo rreziku.” – E unë pyes – ndodh kështu në Shqipëri?

Perikliu thotë: “Ne na kanë mësue t’i respektojmë gjyqtarët, na kanë mësue të respektojmë ligjet e të mos harrojmë kurrë se duhet të mbrojmë ata që fyhen. Ne na kanë mësue gjithashtu të respektojmë ato ligje të pashkrueme që bajnë pjesë në ndjenjën universale mbi çka asht e drejtë e mbi çka asht e pranueshme.” E unë pyes – a ndodh kështu në Shqipëri?

Perikliu thotë: “Një njeri që nuk interesohet për Shtetin na e konsiderojmë të parrezikshëm, por edhe të padobishëm; edhe pse janë të paktë ata që mund të kontribojnë në jetën politike, të gjithë këtu në Athinë jemi në gjendje të gjykojmë për te.” – E unë pyes – ndodh kështu në Shqipëri? Perikliu thotë: “Na nuk e konsiderojmë diskutimin pengesë në rrugën e demokracisë.” – E unë pyes – a ndodh kështu në Shqipëri? Perikliu thotë: “Na besojmë se lumtunia asht e ardhmja e lirisë, por liria duhet të jetë vetëm fryt i vlerave.” – E unë pyes – a ndodh kështu në Shqipëri? –

Këtë pyetje jua drejtoj edhe ju. A ndodh kështu në Shqipëri?“

Filed Under: Opinion Tagged With: Demokracia e perkufizuar nga perikliu, dhe Shqiperia, Elida Buçpapaj

DORORETA KONOMI, PËRFAQËSUESE E DENJË E FEMRËS VLONJATE

March 20, 2013 by dgreca

Ngritja e një familje të persekutuar/

Nga Enver Memishaj/

Që në fëmijërinë time kishja dëgjuar për familjen Konomi. I pari tyre Dhimitër Konomi kishte qënë një atdhetar i njohur, bashkëluftëtar i major Ahmet Lepenicës në Luftën e Vlorës 1920 dhe më pas i Hysni Lepenicës.

Por në atë kohë të terrorit për këto miqësi duhet të heshtje… Koha e solli që në vitin 1985 unë të punoja me të ndierin dhe të pa harruarin Ilia Konomi, djali i Dhimitrit. Shumë shpejt u afruam dhe u bëmë miq, e kuptonim njeri tjetrin në heshtje dhe fillimisht nuk guxonim të flisnim për të parët tanë. Ndryshe nga vëllezërit që e kishin çarë udhën e jetës me dituri dhe aftësi profesionale, Ilia e kishte çarë udhën e jetës me “shpatë” në dorë: punëtor i pa lodhur, shofer dhe mekanik i aftë, ishte i vetmi që bënte rrugën e rrezikshme të Himarës me një makinë të madhe, i pa përkulur para çdo vështirësie, kryelartë edhe pse ishte përjashtuar nga partia sepse vëllezërit e tij Bebi, Spirua dhe Astriti ishin dënuar si “armiq të popullit” dhe ai vetë ishte në përgjim nga Sigurimi i Shtetit… Miqësia me familjen Konomi, u shtua pas vitit 1990, ashtu si të parët tanë  u gjendëm në vijën e parë të luftës për të përmbysur diktaturën komuniste.

Vëllai vogël i Ilias, inxhinjer Fatos Konomi, kishte ecur sipas parimit që thonë italianët: “Gatë dhe qetë prej vendit tënd” kishte vajtur në Vuno dhe kishte zgjedhur Dorotean, vajzën më të bukur të fshatit, por që bukurinë e vërtetë e kishte në shpirtin dhe karakterin e sajë. Vajza nga Vunoi erdhi në Vlorë dhe ushtroi profesionin më fisnik nën diell atë të mësuesisë dhe shumë shpejt, u bë e njohur dhe e respektuar në qytet.

Pas vitit 1990, ajo tregoi fisnikërinë e familjes nga vinte por edhe të familjes ku kishte vajtur nuse dhe u bë përfaqësuese e denj e femrës vlonjate. Për këto gra duhet folur e shkruar.

*    *     *

Jeta e njeriut ngrihet mbi një bazë që nis të ndërtohet në fëmijeri. Dorotea kishte lindur në Vuno në vitin 1949, aty u rrit e hodhi shtat, së bashku me vëllan  Petraq Pavllo.

Familja Pavllo është me rrënjë të thella në fshatin Vuno, shtëpia e tyre e ndërtuar në vitin 1806, ka formën e një kalaje që tregon krenarinë dhe qëndresën ndaj rrebesheve të kohës.

Shkolla e Vunoit “Naqe Konomi”, me tradita atdhetare, si dhe prindërit, formuan tek Dorotea, vajza e tyre e bukur si një lule mali,  karakterin e femrës së vërtetë shqiptare, të përkushtuar ndaj familjes, besnike deri në vdekje, e etur për dije dhe shqiptare e vërtetë.

Studimet për histori-gjeografi përcaktuan të ardhmen e saj si arsimtare, pasi mundësitë për zgjedhje në atë regjim nuk ekzistonin.

Profesioni i mësuesit u bë pasioni vajzës së re, ku shfaqi aftësitë dhe talentin dhe me gjith rrethanat jo të favorshme politike ajo mbijetoj në arsim për afro 30 vjet.

Dorotea punoi për shumë vite në shkollen e Ujët të Ftohtë, si mësuese e histori-gjeografisë.

Lufta e klasave e kërcënonte çdo ditë të jetës, sepse tre vëllezërit e bashkëshortit të sajë Fatosit u burgosën si “armiq të popullit”, ndërsa i katërti Ilia u përjashtua nga partia për munges vigjilence sepse nuk kishte denoncuar vëllezërit e tij!

Dorotea dhe Fatosi e përballuan persekucionin me punë, me aftësi e kompetencë profesionale me ndershmeri dhe qytetari.

Dorotea që në fëmijëri kishte ndier pakenaqesinë ndaj sistemit çnjerzor që u kishte marrë pronat dhe i kishte lënë në vuajtje, por edhe atje ku vajti nuse kishte gjetur një familje po kaq fisnike që fillimisht kishin përkrahur komunistët, por kur e panë fytyrën e vërtetë çnjerzore të këtij sistemi u bënë kundështarë të vendosur të tij.

Kështu mësuese Dorotea u bë një kundështare e vendosur e komunistëve  dhe një luftëtare e heshtur.

*    *    *

Në këto rrethana Levizja Demokratike që nisi në vitin 1990, pasqyronte shpirtin, ndjenjat dhe idealin e saj, prandaj atë e thirri një zë i brendshëm: përpara. Dorotea dhe Fatosi nuk u ndalën asnjë çast por u ndodhën në krye të Lëvizjes Demoktratike në Vlorë sepse ata shihnin në këtë lëvizje realizimin e ëndrrave të tyre dhe asgjë nuk i ndaloi për të ecur përpara në udhën e vështirë dhe plot të pa pritura të demokracisë.

Pa u zgjatur shumë në këtë periudhë, do ta tregoj aktivitetin e Doroteas duke filluar nga pranëvera e përgjakur e vitit 1997, kur edhe shumë burra në atë periudhë u tërhoqën ose heshtën. Dorotea, gjatë vitit 1997 u gjend ashtu si në vitin 1990 e 1991 në ballë dhe në udhëheqie, duke u bërë shembulli për për femrën vlonjate. Kështu ajo eci nën shembullin e grave të shquara vlonjate që kishin luftuar me armë në vitin 1913 në qafë të Llogorasë, më 1914, më 1920 e gjatë pushtimit fashist 1939-1944.

Dorotea me thirrjen e Prof. Pëllumb Çelës, i deleguar i Partisë Demokratike në Vlorë, ju bashkua atyre vlonjatëve trima që rikrijuan në kushtet e terrorit të komunistëve të Vlorës Degën e Partisë Demokrative të këtij qyteti. Ajo u zgjodh në udhëheqie të kësaj Partie dhe mbeti aty deri në ditët tona:

— anëtare e kryesise se PD-së Vlore ku vazhdon te jetë deri në vitin 2013, kur duhet të bëhen zgjedhje të reja,

— nga viti 2001 deri ne vitin 2009, për dy mandate rrjesht, ka qenë  zgjedhur anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të  Shqipërisë, si e vetmja grua në politikë, përfaqësuese e qytetit të Vlorës për 8 vjet,

— ka qënë disa herë në projekt listën e kanidatëve për deputete në Kuvendin e Shqipërisë,

— në vitin 2003 u zgjodha anëtare e Këshillit të Bashkisë së qytetit të Vlores deri në vitin  2007, ku ka shfaqur vetitë e sajë si intelektuale e qytetare por e vendosur për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën dhe politikën e Partisë Demokratike që përfaqësonte,

— në vitin 2005, me fitoren e Partis Demokratike, u emërua Sekretare e Përgjithshme e Institucionit të Prefektit të Qarkut Vlorë, pozicion te cilin e ushtroi per kater vjet.

Kështu jeta politike ka zënë pjesën më të madhe të kohës së kësaj gruaje, raporti midis saj dhe jetës private që duhet t`i kushtonte familjes, bashkëshortit dhe dy djemve, tregon fare qartë përkushtimin e kësaj gruaje duke u bërë gjithnjë shembull për të gjitha femrat e veçanërisht të grave të qytetit të sajë dhe më gjerë.

Por edhe familja e sajë, vaçanërisht bashkëshorti Fatosi, ka qenë një prapavijë e sigurt nxitëse, inkurajuese e vendimtare për të përballuar dhe për të ecur përpara në detyrën dhe idealin e saj.

Ne vitin 2007, pas zgjedhjeve lokale, Dorotea Konomi ishte zëvëndësisht Prefekte e Qarkut të Vlorës,  qarku i tretë në Shqipëri për nga madhësia, detyrë të cilën e kreu me aftësi dhe kompetencë profesionale për një vit.

Ishte prefektja e parë femër në historinë e Qarkut të Vlorës dhe i duhej që të paraqiste veten si përfaqësuese të denj të femrës vlonjate, Dorotea thotë se: “Ne kryerjen e kësaj detyre të lartë për mua ka qenë  shumë me rëndësi motivimi dhe mënyra për të prezantuar pozicionin që mbaja. Jam përpjekur t’i jap dimensione të tilla në mënyrë që të krijoj hapesirë edhe për të tjerët dhe, për palën tjetër të pushtetit, të opozitës.

Vështirësitë dhe situatat problematike kanë qenë të shumta sidomos pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007, në konstituimin e pushtetit lokal, këshillave të bashkive dhe komunave.

Lufta politike për t’i fituar aleancat, bëri që në pjesën më të madhe të tyre këto këshilla të fitoheshin nga Partia Demokratike. Mendoj se principet e qarta për detyrën më kanë dhënë mekanizmin për të zgjidhur problemet, sado vështirësi që paraqisnin.

Nga ana tjetër kam vlerësuar problemet e të tjerëve, u jam përgjigjur kërkesave të tyre duke përdorur një administrim të efektshëm, gjë që ka sjellë që shumë probleme konkrete të zgjidhen dhe shpesh të marr vleresimin e qytetarëve të Vlores.

Në tryezat e dialogut dhe të marrëveshjeve kam qënë këmbëngulese në zbatimin e politikave të tilla të cilat u kanë dhënë të dy palëve të pushtetit ekulibër, hapsirë veprimi, por asnjëherë nuk e kam lejuar devijimin, duke qenë edhe e ashpër por pa dalë jashtë vetes”.

Këto thotë Dorotea për vete, ndërsa shtypi e ka cilësuar se  “ Ka drejtuar prefekturën me thjeshtësi, dinjitet dhe mjaft cilësi”.

Një grua që synon të bëjë karrierë profesionale dhe politike duhet të jetë e kompletuar intelektualisht, por në të njëjtën kohë të ketë edhe idealin dhe bindjen për të arritur qëllimin, gjë që nuk i kanë munguar Doroteas. Shoqëria jonë ka nevojë për gra të tilla që përveç sa citova më lart të kenë edhe ndershmerine në kryerjen e detyrës dhe guximin.

Jeta e Dorotea Konomit, jetë aktive, shoqërore dhe politike ka bërë që të shërbejë si përvojë dhe vlerë për femrën vlonjate.

Prej tre vjetësh, Dorotea është drejtuese e Qëndrës Kulturore të Fëmijëve në qyetin e saj, duke shfaqur vlera si organizatore e punes.Kjo ka bërë që të ndryshoj dhe të gjallëroj jetën e kësaj qëndre ku gjejnë lulëzim talentet e femijeve.

Kur e pyet Dorotenë për politikën të përgjigjet: “Jeta politike vazhdon krahas punës dhe familjes, si mënyrë të jetuari, e pandarë nga jeta intelektuale së cilës i jap rëndësi të veçantë. Jam krenare për dy djemtë e mi të cilët ecin në udhën intelektuale dhe demokratike të prindërve të tyre“.

Kënaqësinë më të madhe Dorote Konomi e gjen tek vlerësimi i lartë i qytetarëve të sajë gjë që është shprehur midis të tjerave në një anketim në gazetën “Vlora“, ku midis drejtuesve dhe intelektualëve vlonjatë ajo është cilësuar me të drejtë:  “elita intelektuale e gruas në politikën vlonjate“ (Shih: Gazetën „Vlora“, dt. 26.6.2006; 3.7.2006)

Gra të tilla si Dorotea Konomi duhet të jenë kanidate për deputete  në zgjedhjet e 23 qershorit pasi vetëm këto janë vlera të vërteta të shoqërisë sonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dororeta Konomi, Enver Memishaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 819
  • 820
  • 821
  • 822
  • 823
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT