• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PD DHE PS NUK JANË DY PARTI POR DY USHTRI – DHE JANË TË FRIKSHME

January 29, 2013 by dgreca

Opinion Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

 Ka nisur fushata, dhe të dyja partitë kryesore, kanë rreshtuar aleancat duke i armatosur me psikologji lufte. Secila palë pretendon se e ka rreshtuar veten tek Aleanca e Madhe, me synim çlirues apo shpëtues nga armiku pushtues. Në Aleancën e Madhe, ju kujtohet, bashkë me SHBA dhe Perëndimin ishte rreshtuar edhe Stalini. Të dyja palët, brenda rreshtimit partiak, palën e tjetër e konsiderojnë armike. Të dyja palët pra pretendojnë se janë edhe çlirimtarë, edhe pushtues dhe armiq për vdekje, assesi rivalë, kundërshtarë, garues, duke nxjerrë në garë idetë, programin për të ardhmen.  Ata kërcasin vetëm dhëmbët, shajnë e poshtrojnë njëri-tjetrin, e akuzojnë njëri tjetrin, dhe kur mbrohen, mbrohen me akuza, me kundërakuza, ku seicila akuzë është më e frikshme se tjetra. Pastaj, vjen një kohë dhe i gëlltisin e i hanë akuzat me të cilat kanë qëlluar njëri-tjetrin, sepse akuzat janë shumë më të rënda se shuplakat. Ky është konteksti zgjedhor, ku gjenden të dyja partitë, ku edhe PD, edhe PS pretendojnë se janë rreshtuar në Aleancën e Madhe, dhe që të dyja njëkohësisht pretendojnë se janë duke luftuar të keqen. Për nga egërsia, ndasitë idelologjike, ku nuk gjejnë asnjë pikë të përbashkët, për nga propaganda, retorika, armiqësitë, me këtë retorikë që ndjellin kundër njëra tjetrës, nuk mund të krahasohen assesi me vendet perëndimore, por vetëm me vende të cilat rezultojnë të jenë me liri të pjesëshme, pra vende jo të lira, ku demokracia të detyron standarde. E frikshme.

Ku jemi? Kur jemi? Jemi në fund janarit dhe po të kemi parasysh këto ritme dhe këto dufe se si gjuajnë me topa urrejtje kundër njëri-tjetrit, kur fushata sa vjen e egërsohet, atëherë kemi të drejtë të pyesim, ku po shkohet me këtë fushatë? Nuk ka konkurencë idesh, nuk ka garë rivalësh, por ka gjueti shtrigash dhe ligj xhungle, ku duket se do të fitojë më i egri, ai që i mbijeton të gjitha sulmeve të çakejve, të krokolidëve, tiranozaurëve. Kur po themi se jemi vend anëtar i NATO-s dhe ashtu del të jemi, përse nuk hymë në fushatë duke respektuar kodin e etikës, kodin e moralit dhe standardin e integritetit të politikanit?!

Sepse një politikan me integritet nuk ia lejon vetes të marrë rolin e dinozaurit Rex, ta copëtojë kundërshtarin, por do të pretendojë të përfaqësohet me personalitetin e tij, me meritat e tij, të cilat vijnë jo si shërbëtor, si shërbyes, si doorman i kryetarit të partisë, por si njeri me dinjitet dhe me vlera, që vjen t’i japë vendit dhe shoqërisë dhe jo t’ia rrjepë lëkurën.

Nuk flitet për vlera në këtë fushatë, për merita, për integritet të pacënuar, për politikanë pa hije në sirtarë, për politikanë pa skeletë në dollapë, por se si të luftohet kundërshtari me të gjitha mënyrat e mundëshme, me të gjitha metodat antiqytetare, si armik i popullit.

Pra fushata po të përkufizohet është luftë klasash dhe luftë klanesh, njëkohësisht, ku kryetari i partisë ka marrë rolin e komandantit të përgjithshëm të Aleancës së tij, dhe kërkon disiplinë absolute, kush lëviz bishtin, ai ia pret, kush guxon të shkëmbejë „like“ në Facebook me armikun imagjinar të partisë e përjashton nga partia, kush guxon të shkëmbejë ndonjë „si je“ „si shkon“ e përjashton nga puna. Këtu nuk flitet për militantizëm, por për ushtarë të bindur. Gatitu! E pra, ky fillim i egër, nuk hyn assesi në logjikën e një fushate të një vendi demokratik dhe komandantët e ushtrive duhet të demilitarizohen, të demilitarizojnë fjalorin, të demilitaritzojnë militantët dhe të vendosin kushtet e të hyjnë në një garë të ndershme. Sepse kjo luftë që ndjellin do të jetë me pasoja për ta.

Filed Under: Opinion Tagged With: dy ushtri, Elida Buçpapaj, opinion nga, PD dhe, PS

Fjalë imzot, vetëm fjalë!

January 29, 2013 by dgreca

Nga Reshat KRIPA/

Kjo shprehje e të madhit Uilliam Shekspir m’u kujtua më 27 janar 2013 në ditën e gjenocidit komunist në Shqipëri. Me vendim të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, qysh në vitin 2004, data 27 janar është caktuar si dita e gjenocidit nazist kundër hebrejve. Lidhur me këtë Parlamenti Shqipërisë hartoi një rezolutë ku solidarizohej me të dhe, njëkohësisht, në një pikë të saj e shpallte edhe si ditën e gjenocidit komunist. Ky ishte një vendim i drejtë i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Para syve m’u shfaq gjenocidi që ka ushtruar regjimi komunist mbi popullsinë civile. Mjafton t’i hedhim një sy librit “Jashtë kontrollit” të personalitetit të njohur amerikan Zbigniev Brzhezhinskij për të kuptuar gjithçka! Në këtë libër jepet një pasqyrë e plotë e këtyre krimeve të kryera gjatë shekullit të njëzet që autori e quan “Shekulli i megavdekjes”. Ai bën, gjithashtu, edhe krahasimin e këtyre shifrave me atë të viktimave të dy luftrave botërore.

Le t’u hedhim një vështrim shifrave të viktimave civile:

Lufta e Parë Botërore                        13 milion

Lufta e Dytë Botërore                          35    „

Gjithsejt dy luftrat botërore                48    „

Ndërsa viktimat e shkaktuara nga sistemi komunist gjatë gjithë periudhës së sundimit të tij janë:

Nga Lenini                                           8  milion

Nga Stalini                                        25     „

Nga Mao Ce Duni                                       29     „

Nga Pol Poti                                        1     „

Nga diktatorët e Europës Lindore       3     „

Gjithsejt                                   66     „

Vini veshin! Sistemi komunist shkaktoi 18 milion viktima më shumë se të dy luftrat botërore së bashku. Por, ndërsa viktimat e luftrave botërore u shkaktuan nga bombardimet e të tjera në kushte lufte, viktimat e komunizmit erdhën si pasojë e gjenocidit të ushtruar drejtpërdrejt mbi popullsinë civile, me cinizëm dhe gjakftohtësi, në kushte paqeje, vetëm e vetëm sepse dikush mendonte ndryshe nga diktatorët që sundonin në këto vende.

Për të parë përmasat e këtij gjenocidi, le t’i referohemi të dhënave të tjera të këtij libri mbi disa prej masakrave më të njohura,  të ushtruar në ish-Bashkimin Sovjetik:

1 milion të ekzekutuar në fund të viteve 20-të

1 milion të ekzekutuar dhe 2 milion të vdekur në kampet e punës së detyruar vetëm gjatë viteve 1937-1938.

7 milion fshatar të vdekur gjatë procesit të kolekivizimit

360.000 robër lufte të vdekur nga konditat e këqija

140.000 ushtarë polakë të ekzekutuar

20.000  oficerë polakë të ekzekutuar afër Minskut, zbuluar në fundin e viteve 80-t

14.736 oficerë polakë të ekzekutuar  më 5 mars 1940, me urdhër të Berias, shefit të KGVD-së dhe të miratuara nga vetë Stalini si  edhe  10.685  të  burgosur  të tjerë politik 15.000 oficerë të tjerë polakë të ekzekutuar në pyllin e Katinit.

Ju lutem, zotërinj, mos thoni se edhe zoti Brzhezhinskij gënjen ose shpif në këtë libër!

Le t’i kthehemi tani të dhënave mbi krimet e komunizmit të kryera në vendin tonë, të nxjerra nga arshiva e Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë:

1.   Të ekzekutuar                               6.023    veta

2.   Të vdekur në burg                               1.065       “

3.   Të burgosur                                 17.300       “

4.   Të sëmurë mendorë                        260       “

5.   Të internuar                               180.000       “

6.   Të vdekur në internim                          9.000       “

Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijve të internuar nën 14 vjeç, që nuk janë përfshirë në këto lista,  atëherë rezulton  se numri i përgjithshëm i  atyre  që  kanë  pësuar  drejtpërdrejt  persekutimin  arrin  250.000 veta. Duke marë parasysh  se gati 70% e tyre i përkasin periudhës deri në vitin 1954, kur popullsia e vendit nuk i kalonte të 1.000.000 vetë, rezulton se  25% e asaj popullsie është persekutuar. Po t’i shtojmë kësaj edhe të tjerë  që nuk janë regjistruar fare, atëherë përqindja arrin përmasa rëqethëse.

Duke lexuar këto të dhëna mendova:

– Si ka mundësi që këtë ditë, asnjë personalitet shtetëror ose partiak nuk u kujtua ta përmendë? Si ka mundësi që mediat elektronike dhe ato të shkruara dhe, sidomos, TVSH-ja, për të cilën edhe ne të përndjekurit politikë paguajmë taksën, që janë mjaft të ndjeshme ndaj ngjarjeve të tjera, për këtë ditë heshtin? A ka mundësi të harrohen këto? Si mund të mos kujtohen për ditën gjenocidit komunist, kur këtë ditë e ka miratuar Kuvendi i Republikës? Çfarë është, harresë apo mosdashje?

Nuk jam në gjendje t’i jap përgjigje. Sido që të jetë, ajo është një çështje që nuk  nderon asnjë në vendin tonë. Madje do të thoja më tepër partitë politike, sidomos ato të djathta.

– Fjalë imzot, vetëm fjalë! – më pëshpëriti një mik që kisha pranë dhe që m’i kishte kuptuar mendimet e mia. – Politika shqiptare është bazuar vetëm në fjalë. Ajo kërkon të na përdorë si manekinë sa herë i nevojitemi.

Nuk doja t’i besoja fjalët e mikut tim. Por, para syve më dilnin edhe disa raste të tjera të heshtjes karshi ngjarjeve që kanë lidhje me përndjekien politike. Një rezolutë me 17 pika për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri, miratuar qysh në vitin 2006, prej së cilës janë realizuar vetëm dy, ajo e ngritjes së Institutit të Hetimeve të Krimeve të Komunizmit dhe ajo e shpalljes së një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, ditë që, fillimisht u caktua 21 maji, dita e revoltës së Spaçit, ditë që nga ana e autoriteteve nuk u përkujtua asnjëherë dhe që më vonë u zëvendësua me 20 shkurtin, ditën e rënies së monumentit të diktatorit. Më dilte vendimi i Këshillit të Ministrave nr 42, datë 14.01.2009 për projektligjin “Për Simbolet e Përkujtimit të Viktimave të Krimeve të  Komnunizmit në Shqipëri”  miratuar  edhe nga Kuvendi i Republikës së  Shqipërisë,  ku  parashikohej  ngritja  e  “Obeliskut  të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit”, obelisk i cili, megjithëse kanë kaluar katër vjet nga miratimi i tij, ende nuk është ngritur. Më dilte vendimi tjetër i Këshillit të Ministrave që parashikonte zgjatjen e afatit të dorëzimit të dokumentave për dëmshpërblim, heqjen e nenit që parashikonte mospërfitimin e dëmshpërblimit për ata ish të dënuar politikë me nenin e terrorizmit, përdorimin e dokumenteve të Komisionit Tripalësh në përfitimin e këtij dëmshpërblimi, dhënien e dëmshpërblimit njëherësh për të gjithë ata ish të dënuar politikë mbi 85 vjeç, që Komisioni i Ligjeve e ktheu në 75 vjeç dhe që ende, megjithëse ka kaluar më shumë se një vit, nuk po vihet në rendin e ditës së Kuvendit . Më dilnin të gjitha këto dhe mendoja – Përse të ndodhte kështu, kur të gjithë autoritetet shtetërore flasin për përkrahjen që iu jepet ish të përndjekurve politikë?

Nga këto mendime më zgjoi miku im që përsëriti:

– Fjalë imzot, vetëm fjalë!

Një nismë e madhe e drejtuesit të Partsë Socialiste pushtoi të gjitha faqet e medias shqiptare. Sipas kësaj nisme në kupolën e kësaj partie na qenka formuar edhe një komision ose grup pune, quajeni si të doni, që do u merrka me përgatitjen e një programi për të përndjekurit politikë. Në krye të këtij komisioni qenka caktuar një zonjë ose zonjushe, bija e një ish të dënuari politikë, nga ata që dikur e ngrinin në qiell regjimin komunist për të “mirat” e tij, por që vetë diktatura i hëngri kokën. Me të u bashkua edhe një “kryetar shoqate të përndjekurish” me origjinë “nacionaliste” por që, çuditërisht, diku i kishte mbetur borxh diktaturës dhe disa individë të tjerë nga jashtëqitja e kësaj shtrese. E pra ky grup doli me një platformë për zgjidhjen e problemeve të të përndjekurve politikë.                       Duke menduar këto mua më lind pyetja- Sa shpejt jeni kthyer nga qabeja, ju mor drejtues dhe partia e juaj? A nuk ishte partia e juaj që, pas vitit 1997, na pushoi nga puna dhe hartoi një ligj dëmshpërblimi që na jepte vetëm një kafe në ditë, ligj që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese? Ju mund të thoni se këtë ligj e hartoi paraardhësi juaj dhe ju nuk mbakeni përgjegjësi për sa ka bërë ai. Por le të shohim periudhën kur ju jeni drejtues i saj. Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratohej rezoluta “Për dënimin e Krimeve të Regjimit Komunist në Shqipëri”? Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratoheshin ligjet e dëmshpërblimit dhe amendamentet e ndryshme për to? Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratohej ligji “Për Lustracionin në Republikën e Shqipërisë”? Përse një nga deputetët tuaj më me emër, ish-kryeministri Majko, i quajti “plehra” luftëtarët e batalionit 4000 të NATO-s që ishin vrarë në Shqipëri në përpjekje me forcat e sigurimit për rrëzimin e diktaturës komuniste?

Në këto çaste ndjeva përsëri zërin e mikut tim:

-Fjalë imzot, vetëm fjalë!

Një person me shumë ish-e, një ish-ministër, ish-nënkryetar i një partie të madhe të djathtë, ish-kryetar grupi parlamentar, ish-president që tani mban postin e kryetarit të një partie të re, por veshur me xhaketa të vjetra, ligjëron e ligjëron, duke thënë se u mbështetka te ish të përndjekurit politikë, madje ka mundur të grumbullojë pranë  vetes   edhe  disa  individë  të veçantë, premtoka se dashka t’ua shlyeka dëmshpërblimin këtyre për tre vjet. Unë mendohem dhe pyes përsëri:   – Përse nuk e bëri një gjë të tillë kur ishte në partinë e mëparshme?

Përgjigjen ma jep miku im:  – Fjalë imzot, vetëm fjalë!

A do të bjenë ish të përdjekurit politikë në vorbullën e kësaj loje fjalësh? Unë nuk do ta besoja. Por miku im më tregoi barcaletën e mëposhtme:

– Parandori romak Neroni i vuri zjarrin Romës. Banorët, të revoltuar, u ngritën dhe rrethuan pallatin perandorak. Perandori, i trembur, thirri këshilltarin e tij, të urtin Seneka dhe i kërkoi rrugëzgjidhjen. Seneka i tha:

– Thuaju që zjarrin e vunë të krishterët.

Në atë kohë krishterimi sapo kishte filluar të përhapej në Romë. Neroni e vështroi me vëmendje dhe i tha:

– A do të më besojnë?

Dhe Seneka iu përgjigj:

– Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret!

A është e vërtetë një gjë e tillë? Ndoshta. Megjithatë nuk dua të besoj se ish të përndjekurit politikë do të mund të përdoren si manekinë. Në veshët e mi vazhdojnë të ushtojnë fjalët e mikut tim:Fjalë imzot, vetëm fjale.Deri kur Shqipëria do të vazhdojë me “Fjalë imzot, vetëm fjalë”?

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: krimet e komunizmit, Krimet e Luftes, reshat kripa

FRYMA E DAVOS-it

January 28, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Klaus Schwab, Themeluesi dhe Presidenti i Forumit Ekonomik Boteror/

Takimi më i njohur në botë i udhëheqsve politikë dhe të biznesit — Forumi Ekonomik Botëror 2013 në Davos të Zvicrës — përfundoi punimet të djelën.   Në atë forum morën pjesë javën që kaloi mbi 2500 veta ndër udhëheqsit më të dalluar të botës në fushën politike e qeveritare, biznesit, të shoqërisë civile dhe intelektualë të njohur botëror.   Përfshiheshin gjithashtu edhe aktivistë të lloj lloj kauzash, përfqsues sindikatash, akademikë dhe biznismenë në moshë të re dhe natyrisht një mbledhje e tillë nuk mund të përjashtonte qindra gazetarë nga e gjithë bota.

Forumi ndërkombëtar në Davos mund të jetë i vetmi takim botëror ku nuk negociohen as nuk arrihen marrëveshje të asnjë natyre, as nuk merren vendime për asgjë, por është sipas Profesorit Klaus Schwab — cili themeloi Forumin Davos 43 vjetë më parë — një platformë për të shkëmbimin  e mendimeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve në një atmosferë të izoluar dhe larg nga problemet dhe presionet e jetës së përditshme.

Në një kryeartikull në lidhje me mbledhjen e këtij viti, botuar në gazetën kombëtare amerikane USA Today,  Profesori Schwab, duke folur për mbledhjen e parë të Forumit Davos, tha se, ”objektivi i themelimit të Forumit ishte për të sjellur në Evropën e pas luftës, idetë dhe aftësitë e intelektuale, industriale dhe të inovacionit të Shteteve të Bashkuara, me qëllim për të modernizuar sistemet evropiane shoqërore dhe të biznesit.”   Ai shtoi se ndonëse natyra e këtij forumi vjetor ndërkombëtar ka ndryshuar gjatë 43-viteve të kaluara, Profesori Schwab shkruan se objektivi kryesor i Forumit mbetet i njëjti si atëherë: ”Shkëmbimi i lirë i mendimeve, dialogu, si dhe ideja e lirisë dhe të shprehurit hapur e pa pengesa, cilësi këto për të cilat Amerika është një model për botën”, tha ai në kryertikullin për gazetën amerikane.

Natyrisht se sivjet në mbledhjet e Davos-it u bisedua dhe u shkëmbyen mendime mbi pothuaj të gjitha problemet me të cilat përballet sot bota.   U diskutua  mbi ekonominë botërore dhe mbi papunësinë,  problem këto që u cilësuan si një burim shqetësimi serioz për shumë pjesëmarrës.   U fol edhe mbi të ardhmen e Europës, pasi Kryeministri britanik David Cameron njoftoi mbajtjen e një referendumi mbi të ardhmen e antarësimit të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian, duke thënë se, ”Evropa ka më shumë nevojë për vullnet politik dhe jo për më shumë institucione politike”.

Folësja kryesore në Forum,  Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, duke folur për gjëndjen ekonomike në eurozonë, paralajmëroi kundër lehtësimit të masave të rrepta ekonomike në Evropë, duke shtuar  se ”Përvoja politike tregon se shpeshëherë  nevojitet bërja e presionit për të siguruar reforma strukturore politike.”   Ajo shtoi se,  ”Nëqoftse Evropa sot është në një gjëndje të vështirë, atëherë ne duhet që sot të ndërmarrim reformat e nevojshme,  ashtuqë të jetojmë më mirë nesër.”

Përveç problemeve ekonomike e financiare të botës, ndër shqetësimet kryesore për të cilat u bisedua sivjet në Davos ishin gjithashtu edhe problemet politike dhe të sigurisë ndërkombëtare, si  për shembëll mundësia që Irani të zhvillojë armë bërthamore dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, si rrjedhim i të ashtuqujturës ”Pranverë Arabe”.

Është e vërtetë se në këtë mbledhje vjetore tradicionalisht marrin pjesë kapitalistë të dalluar nga mbarë bota, përfaqsues dhe drejtues të firmave më të mëdha botërore, njerëz të fuqishëm dhe të njohur të politikës dhe ekonomisë e financave por edhe të  fushave dhe aktiviteteve  të ndryshme të shoqërisë, për të cilët shtrohen darka e dreka dhe kokteje ekskluzive për të ftuarit.

Por pjesmarrësve të rregulltë në Forumin Davos këtë vit iu bashkuan edhe udhëheqës dhe biznesmenë në mosh të re, të ftuar në frymën e shkëmbimit të lirë të mendimeve — për të sfiduar përfaqsuesit e elitës politike, ekonomike dhe financiare të botës, jo vetëm ata nga Perëndimi por edhe nga vendet në zhvillim. Ndër këta përfaqsues të brezit të ri nën moshën 30-vjeçare, pëfshiheshin njëri prej udhëheqësve të protestave studentore në Kili, nipi i Warren Buffet, njeriut të tretë më të pasur në botë dhe vajza e ish-Presidentit Bill Clinton e Hillary Clinton. Të gjithë këta, në një mënyrë ose në një tjetër, janë të aktivizuar në përpjekje për një ”angazhim për të përmirësuar gjëndjen në botë”, e që është edhe motoja zyrtare e Forumit Davos.

 

Ndër subjektet kryesore për diskutim ishte papunësia në radhët e rinisë, sidomos në Evropën jugore por edhe në mbarë botën, si dhe mënyrat për të motivuar rininë për tu angazhuar në zgjidhjen e problemeve, ndërkohë që këjo rini përballet me një papunësi rreth 60-për qind në disa vende.    Organizuesit e Forumit Davos bënë gjithashtu përpjekje që të komunikonin edhe me përfaqsues të protestave kundër Wall Street-it dhe të protestuesve nga Britania e Madhe dhe vendeve të tjera të Evropës.

Themeluesi i Forumi Davos, Profesori Klaus Schwab duke folur për problemet e shumëta me të cilat përballet sot Evropa dhe bota, si dhe për zgjidhjen e problemeve ekonomike botërore, ai e mbylli forumin me fjalët e fushatës së presidentit amerikan Barak Obama, ”Po, ne mund t’ia dalim…. por mendoj se kyçi është bashkpunimi global’’, tha ai para më shumë se 2500 pjesëmarrësve nga e mbarë bota.

Arritjet ose dështimet e këtij Forumi sivjet po debatohen dhe kritikohen nga media, gjë që është e natyrshme për një takim të tillë të nivelit botëror.   Madje edhe Profesori Schwab, që nga natyra është tepër optimist, pranoi se ky ishte forumi më i zymtë që ai ka organizuar ndonjëherë.   Por ai është gjithnjë optimist dhe mbështetës i dialogut për zgjidhjen e problemeve në nivele të ndryshme shqoërore, shtetërore dhe  botërore, duke shkruar në gazetën amerikane USA Today se: ”Dialogu i vërtetë do të thotë bashkveprim dhe komunikim me ata me të cilët nuk je dakort, me fqinjët ose miqët si dhe me ata të cilët e shikojnë botën nga një përsepktivë krejt ndryshe, me njerëz të gjeneratave e kulturave të ndryshme si dhe me ata që mund të kenë misjone tjera në jetë.  Ne të gjithë jemi pjesë e një komuniteti global”.   Ky ishte nje mesazh i rendesishem per te gjithe pjesemarrsit dhe me gjere.

Pa marrë parasyshë analizat dhe komentet mbi përfundimet e Forumit në Davos të Zvicrës, pjesëmarrësit nga më shumë se 100-vende të botës janë larguar së andejmi me mendime dhe ide të ndryshme për problemet e shoqërive të tyre dhe të botës. Por cilat do qofshin vlerësimet e punimeve të Forumit të sivjetshëm në Davos nga analistët dhe pjesëmarrësit, nëqoftse ata marrin me vete këshillat e porositë e themeluesit të Forumit Davos se “të gjithë ne jemi pjesë e një komuniteti global” dhe se me dialog dhe respekt për njëri tjerin — pa marrë parasyshë ndryshimet midis nesh — mund të zgjidhen më lehtë problemet serioze me të cilat përballet sot  shoqeria dhe mbare njerëzimi.  Porosia për dialog dhe mirëkuptim e ”Frymës së Davos-it”  vlen edhe për marrëdhënjet dhe komunkimet në çdo nivel të jetës, në familje, në shoqëri, në politikë — mundësia pra për tu ulur dhe biseduar mbi problemet dhe zgjidhjen e tyre nepërmjet shkëmbimit të lirë dhe të papenguar — pa marrë parayshë ndryshimet në pikpamje — me qëllim që të përallohen sfidat me të cilat mund të ndeshen individët dhe shoqëria në përgjithësi.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Fryma e Davosit

RIZGJEDHJA UNANIME E THAÇIT DHE DEMOKRACIA E KOMPROMENTUAR SHQIPTARE

January 27, 2013 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Ndodhi ajo që dihej, natyrisht që edhe pritej: Kryeministri Hashim Thaçi u rizgjodh në krye të Partisë së vet që qeveris vendin”nga fitorja në fitore” dhe përgatitet që të marrëdhe një mandate plus në zgjedhjet e ardhshme. U votbesua me 718 vota nga 719 delegatë votues. Duartrokitjet dhe ovacionet ushtuan gjatë. Pati guxim vetëm një “armik” ta kundërshtojë kandidaturën e tij, që nuk dha votën “pro” dhe për rrjedhojë nuk i rrahu shuplakat. Gjithçka pritej nga ky manifestim i unitetit solid të demokratëve të Kosovës. Por çfarë nuk pritej nga Konventa e Partisë së Thaçit dhe vetë kryministri Kryetar? Që kryeministri-Kryetar , i Qeverisë dhe Partisë, të mos kandidonte i vetmuar, por së paku  formalisht ta kishte një oponent përballë. Gjë që mungoi në Konventën e Demokratëve të Kosovës, si në shumë parti simotra të shqiptarëve.

Çfarë nuk pritej tjetër nga farsa demokratike e nga unanimitetit e uniteti i radhëve të ngjeshura të Partisë së Thaçit? Pritej që sëpaku statistika të kishte ca dhjetëra vota kundër, jo vetëm një! Shumë e habitshme kjo vota kundër. Vetëm njëri paska qenë opozitar i Thaçit apo bartës i mendimit ndryshe?

Si ka mundësi që të mos kishte më shumë vota kundër kryetarit-kryeministër?  E dyshimtë kjo statistikë për ta besuar si të vërtetë edhe për shkak të zhvillimeve më të fundit në këtë Parti, ku uniteti nuk ka qenë aq solid sa ç’pretendohet, përkundrazi pas oponencës së kryekuvendarit Jakup Krasniqi dhe arrestimit të numrit 2 të Partisë, Fatmir Limaj. Vërtetë që munguan në Konventë kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, njëkohësisht sekretari i përgjithshëm i Partisë dhe nënkryetari i burgosur, Ish ministri Fatmir Limaj,po mbështetësit e tyre, ku ishin?  Pikërisht që këtu lind dyshimi: A nuk kishte në Konventë përkrahës të dy figurave qendrore që kanë lidhje edhe me kontributin në Luftë? Edhe ata paskan votuar për Thaçin kryetar? Duhet të pranojmë një nga dy opsionet, ose ata janë shmangur që në përzgjedhjen e delegatëve dhe nuk kanë qenë fare në sallë ose demokracia e brendshme e Partisë me emër demokratik, është në pikë të hallit. Çfarë do t’i kishin bërë imazhit të Thaçit ta zemë 50 apo 100 vota kundër ? Natyrisht asgjë, ai prapë do të ishte në krye të Partisë dhe prapë në krye të Qeverisë, po ai do të qëndronte.

Nëse sëmundja e trashëguar nga Shqipëria e kohës së diktaturës, fitoret me 99, 99, 99  përqind e votave, do të ishte vetëm për Partinë e Thaçit, nuk do t’ia vlente fare që të ndaleshim dhe të analizonim përciptazi fitoren e pritur me një votë kundër të Hashim Thaçit, por fatkeqsisht të gjitha partitë shqiptare vuajnë nga i njëjti sindrom: Pushteti i Njëshit dhe kompromentimi i demokracisë së vërtetë. Gati në të gjitha Partitë shqiptare, çuditërisht edhe në ato të opozitës, edhe pas humbjeve të njëpasnjëshme, votohet vetëm me një kandidaturë, edhe aty ku vihet një bedel përballë, fallsiteti lexohet që larg; bedeli bën tifo për Njëshin, jep shenja hapur të votojnë për Njëshin, madje voton edhe vetë për Njëshin. As kjo demokraci formale nuk i hyn në punë kujt. Kandidatura oponente nuk mund të përfaqësojë vetëm individin-kandidaturë kundër,  duhet së paku që të përfaqësojë një grupim, a frakson, që mendon ndryshe, por është brenda programit të Partisë, ndryshe ai do të duket si dele e zezë brenda tufës me dele të bardha.

Problem tjetër që e kompromenton demokracinë fluide të shqiptarëve është votimi i hapur, në shesh të burrave dhe grave, në sy të të gjithëve, në sy të kryetarit Njësh. Thaçi në rastin konkret, formalisht ka propozuar në Konventë për votim të hapur, por masa nuk e paska lënë që të rrezikohej personaliteti i Njëshit, ata e kundërshtuan vullnetin e Komandantit-kryetar në mënyrë demokratike! Dhe votuan si burrat, hapur në sy të Njëshit! Po kush e pengon kryetarin që të propozojë, ta votojë dhe më pas ta vendos me rregulla në Statutin e Partisë që votimi për kryetarin të jetë i fshehtë?

Partitë shqiptare, kudo ku e ushtrojnë aktivitetin, është e mira që të çlirohen nga imponimi i unanimitetit, t’i vënë gardh përjetësimit të Njëshit dhe të aplikojnë parimet e demokracisë reale, të krijonë kushte për konkurim vlerash të individëve. Mendimi ndryshe Partisë është vlerë demokratike sepse çliron ide e energji brenda partisë, krijon alternativa brenda partisë dhe i bën më luftarakë ata që udhëheqin. Që të realizohet kjo kërkesë e demokracisë brenda Partive shqiptare duhet të lejohen, Jo vetëm me statut, por edhe në praktikë fraksionet që mbartin ide e mendime ndryshe nga Njëshi. Alternativat brenda Partisë, fraksionet nuk e dobësojnë Partinë, përkundrazi i japin më shumë hapësirë debatit dhe demokratizojnë vetë Partinë, kufizojnë servilizmin dhe nepotizmin. Shembullin që ofron demokracia amerikane, në garat elektorale, ku fillimisht zhvillohet gara mes vetë demokratëve në një anë dhe republikanëve nga ana tjetër e më pas përballen dy ekipet, ia vlen që të aplikohet. Në Kosovë dhe Shqipëri kandidatët imponohen nga përzgjedhja e Partive, të cilat ua çojnë peshqesh qendrës, në vend që gara të nisi nga baza përmes konkurimit të individëve.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, demokracia e rerzikuar, Hashim Thaci, kryeministri

DISA NJOHURI PËR DEPUTETIN E AGIMIT TË ARTË KRISTO PAPA

January 27, 2013 by dgreca

Përgjigje çjerrjeve të Kristo Papës, dhe jo hasëm për luftë, por vëllezër të një gjaku dhe gjuhe /

 Nga Arben LLALLA*/

Deputeti i Agimit të Artë Kristo Papa vazhdon të bëjë deklarata ekstremiste duke provokuar kombin dhe shtetin shqiptar. Por nga buron urrejtja e Kristo Papa i cili është shqiptar ortodoks, që e di shumë mirë gjuhën shqipe, gjuhën e heronjve të revolucionit të 1821, gjuhën që e flisnin dhe e flasin shumë personalitete të Greqisë?

Kristo Papa lindi në vitin 1962 në Athinë, ai është i pagëzuar me emrin e gjyshit që ishte prift, origjina e tij është nga fshati Lipa që i përket zonës së Lakka të Sulit, krahinë që historikisht është banuar dhe banohet nga arvanitas ose grek me origjinë shqiptare. (Greqia duke patur popullsi nga kombet e tjera si arvanitas, sllavë, ortodoks nga Azia e vogël, çdo 10 vite u ndërron fshatrave se kujt Prefekturë duhet ti përkasin, kjo bëhet me qëllim për të bërë ngatërrimin e studiuesve të statistikave për popullsinë në Greqi). Fshati Lipa nga është origjina e vërtetë e familjes Kristo Papa është themeluar si fshat midis shek.16-17 nga suljotët dhe ndodhet 51 km larg qytetit të Janinës. Lipa ka rreth 50 banorë sot dhe i përket komunës së Sellon të Bashkisë së Janinës. Ka një kala të vjetër dhe një kishë.

Në vitin 1997 Kristo Papa bashkë me familjen rikthehet në Janinë ku hapi një biznes për shitjen e mobiljeve COCO-MAT. Është babai i tre fëmijëve.

Kristo Papa që në fëmijëri u edukuar me frymën e heronjve revolucionar të 1821 që ishin nga Suli, të cilët prej shumë vitesh ishin kundërshtarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane dhe të pushtetit të Ali Pash Tepelenës. Figurat e heronjve shqiptar të Sulit u bënë objekt frymëzimi të poetëve me famë në ato vite. Babai i Kristos, Ilia Kristo Papa ka lindur në vitin 1924, dhe ishte fëmija i pestë i një prifti të thjeshtë dhe një mësuese. Në moshën 17 vjeçare ju bashkëngjit trupave të Napolon Zervës. Majori Ilia Kristo Papa merr pjesë direkt në ndërhyrjen ushtarake të kolonel Gjeorgjio Papadhopulos i cili instalojë diktaturën ushtarake në Greqi nga viti 1967-1974. Ushtaraku Ilia Papa u caktua në trupat e besueshme të sigurisë së Papadhopulit të cilin e emëroi më vonë Komisioner i qeverisë në Bankën Greke. Pas rënies së diktaturës më 1974, edhe pse u arrestua me akuzë për tradhti nga deputeti i PASOK, Evangjelo Janopulos, ai i shpëtojë burgut falë bashkëpunimit që vazhdojë me Kostandin Karamalisin. Në vitin 1975 doli në pension bashkë me qindra ushtarak që i kishin shërbyer sistemit diktatorial të Gjeorgjio Papadhopulos. Në moshë të thyer 89 vjeçare Ilia Papa vazhdon të jetë aktiv i organizatës Agimi i Artë dhe të propagandojë tek rinjtë frymën e juntës diktatoriale të Papadhopulos dhe të ideologjisë naziste Hitleriane.

Diktatori Papadhopulos ishte arvanitas, shpeshherë intelektualët arvanitas në fillim të viteve 1980 arrestoheshin nga sigurimi grek me pretekstin se po ringjallin ideologjinë e Papadhopulosit, këtë e ka deklaruar i ndjeri Aristidh Kola në një intervistë që ja mora dy muaj para se të vdiste ku thotë: “Në fshatin e parë që shkuam, na pritën me lot në sy arvanitasit. Bëmë një takim të bukur, ku merrnin pjesë mbi 2.000 veta, por u zgjuan sigurimsat e shtetit grek (ASFALIA) dhe SFEVA (organizatë për çlirimin e Vorioepirit). U futën brenda në godinë, duke bërë rrëmujë, na bllokuan dhe përzunë popullin arvanitas të fshatit. Të nesërmen, të gjitha gazetat e majta dhe të djathta shkruanin për ne, duke na sharë dhe thënë “njerëzit e Papadhopulit u zgjuan”.

          Figura më e dashur e Kristo Papës është Skënderbeu, Kolokotroni dhe Ali Pasha, këtë ma kanë thënë disa miq të afërt të Kristos të cilët janë arvanitas dhe me deklaratat e kohëve të fundit të tij antishqiptare janë habitur dhe distancuar.

Megjithatë mendimi im është se deputeti Papa po bënë një punë të lavdërueshme me deklaratat ekstremiste duke i treguar botës perëndimore se Greqia mbetet një vend primitiv ku feja ngatërrohet me kombësinë si në mesjetë, ku në Greqi ka forca të ideologjisë naziste të cilat rrezikojnë të përhapen në vendet e BE si oktapod. Besoj se problemet e brendshme të Greqisë bëjnë që klasa politike e saj të gjejë ngushëllime duke reflektuar me dhunë kundër emigrantëve dhe shqiptarëve në veçantë. Kjo është një metodë e njohur për ne që kemi jetuar disa vite të jetës në atë vend.

Deklarata tej ekstremiste e Kristo Papës se nëse Agimi Artë vjen në pushtet do i shpalli luftë Shqipërisë është bërë për marketing politik prandaj unë publikisht do ta pyesja se kundër kujt do luftojë Kristo Papa? Kundër nipave të Marko Boçarit (1790-1823) që jetojnë në Vlorë, kundër nipave të të Kiço Xhavellës (1801-1855) që jetojnë në Leskovik dhe Tiranë me mbiemër Tasho apo kundër nipave të Gjeorgjio Llalla- Karaiskaqit (1782-1827)që jetojnë në Gramsh-Elbasan dhe Tiranë!?

Dua të sqarojë lexuesit se arvanitasi Kiço Xhavella është ish-kryeministër i Greqisë, një pjesë e fisit të tij jetojnë në Shqipëri, pjesë nga Fisi i Boçarëve jetojnë në Vlorë, ndërsa Gjeorgjio Karaiskaqi është djalë i Dhimitër Isko Llalla.

Gjergj Llalla i parë nga Suli kishte djalë Dhimitër Isko Llalla që bënte pjesë në trimat më të besueshëm të Ali Pashait. Dhimitër Llalla përdhunoi Zoinë në vitin 1781, një grua e ve, por shumë e bukur e cila kishte lidhje me Ali Pashain. Nga ky përdhunim lindi një fëmi që do të quhej Gjergj Llalla, i pakëzuar me emrin Gjeorgjio Karaiskaqi (1782-1827), hero i Revolucionit grek të 1821. Pra, Gjergj Karaiskaqi është djali i Zoisë dhe i Dhimitër Llalla, edhe emrin Gjeorgjio e ka nga gjyshi, Gjeorgjio Llalla. Në moshën të rritur Gjergji Llalla i dytë u pagëzua i krishterë nga Ndre Karaisko i cili i dha mbiemrin e tij Karaiskaqi. Këtë e shkruan Dhimitër Grillo në librin e tij për Arvanitasit.

Mbas përdhunimit Ali Pashai ndjek Fisin Llalla, dhe morën rrugën për në Malin e Tomorrit, u vendosën në krahinën e sotme të Sulovës e cila duhet ta ketë marrë emrin nga Suli i Janinës sepse pothuajse e gjithë popullsia e kësaj krahine kanë mbiemra që i ndeshim edhe ne Sulin e Ali Pashait. Këto të dhëna i gjejmë në arkivën e Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë të botuar në vitin 1984.

Dua të shtoj se mbas vdekjes së Ali Pash Tepelenës shumica e popullatës së krahinës së Sulit për ti shpëtuar vrasjeve nga turqit e Sulltanit, morën drejtimin për në malin e Shenjtë të Tomorit duke u vendosur disa në Leskovik dhe afër qytetit të sotëm të Gramshit, formuan  fshatrat: Shën Mëri, Shën Mitri, Dardhzezë, Sulki, Dushkë, Kushov, Janç, Tunjë etj. Nëse do vëreni disa fshatra kanë emrat të krishterë, por që janë mysliman sot, kjo tregon për origjinën e tyre të vjetër. Duhet të dimë se ekziston ende një rrugë nga Janina-Leskovik-Korçë-Gramsh, kjo rrugë nuk është e re, por e hershme.

Banorët e parë që u ngulën në Sul ishin ushtarët e gardës të Gjergj Kastrioti Skënderbe. Mbas vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, rreth 200 luftëtarë arvanitas me familjet e tyre formuan fshatin e Sulit afër qytetit të Janinës dhe luftonin kundra turqve për lirinë e tyre. Më vonë Suli u zgjerua nga një fshat në krahinë dhe u popullua nga shqiptar ortodoksë çamë. Ata, për t’i shpëtuar skllavërisë osmane turke, u shpërngulën nga fshatrat e tyre të Çamërisë rreth viteve 1500-1600 dhe u vendosën në Sul të Janinës, krijuan fshatra të rinj me emra shqiptar. Që një pjesë e popullsisë së suliotëve janë çamër këtë na e deklaron anglezi V.M. Lik “Suljotët janë një farë e Çamërisë, njëra prej katër degëve të Shqipërisë”. Ndërsa studiuesi Ciapolini thotë- “Suljotët nuk dinin fare greqisht, gjuha që ata përdornin është, shqipja e dialektit të Çamërisë”. Mundeni këto ti gjeni në disa arkiva, por edhe në Institutin për Çështjen Çame në Tiranë.

Më vjen keq që historianët tanë i anashkalojnë me qëllim disa gjëra të vërteta rreth shqiptarëve të Greqisë, nëse ne do ishim marr më seriozisht me këto çështje grekët dhe shqiptarët do ishin më afër duke mos i ngritur kurthe njeri-tjetrit.

 

Kristo Papa ideologu nazist

 

Nëse do shohim organizata e Agimit të Artë nuk janë vetëm nazistë, as neonazistë, por janë diçka tjetër për të cilët bota duhet të trembet. Ata janë një organizatë e errët, e tmerrshme të cilët promovojnë ushtrinë naziste të Hitlerit për të cilën bota e sotme ndjenë ende dhimbjet që i shkaktojë ajo ushtri me ideologjinë e saj vrasëse deri në zhvarrosje të kombeve.

Kristo Papa që ne e shohim duke dhënë deklarata për një luftë midis Greqisë dhe Shqipërisë ishte drejtuesi i shtypit dhe propagandës së Agimit të Arta, në shkrimet që shkruante Papa ngrinte lartë figurat e nazistëve gjerman me një përkushtim patologjik. Agimi i Artë si organizatë u themelua për të dobësuar partitë e majta në Greqi, jo kundër shqiptarëve, bile shpesh herë në revistën e tyre botoheshin shkrime ku thuhej se grekët dhe shqiptarët janë vëllezër. Por pas viteve 2000, kjo organizatë u bë kundërshtarja më e fortë e emigrantëve shqiptar dhe Shqipërisë. Mendoj që këtu duhet të kenë gisht Lobi sllavë në Greqi që është shumë i fuqishëm dhe kisha ortodokse.

Nëse do shohim nga e kanë origjinë shumica e deputetëve të Agmit të Artë do vërejmë se shumica e tyre vijnë nga fshatrat arvanitas si p.sh Nikolaos Mihalolakos, Eleni Zarula, Kristo Papa, Mihail Arvaniti, Nikolaos Mihas (mbiemri këtij ka qenë Bythkali para shumë viteve sepse e njoh familjen e tij), Dhiumitrios Kukuçi, Estathios Bukuras(edhe një kushëririn e këtij e njoh, flasim shqip shumë mirë), Ilias Kacidharis etj. Lirisht mund të them se po tu bëhet ADN do dali se e kanë të njëjtë me shqiptarët, por për fat të keq shteti shqiptar nuk ka Institucione që të merren më seriozisht me këto gjëra dhe ministria e jashtme nuk ka diplomatë që kanë njohuri për arvanitasit. Kjo më dhemb shumë, prandaj ftoj publikisht ndonjë historian dhe studiues të më kundërshtojë këto që shkruaj.

 

Agimi i Artë përdor simbolet e vjetra shqiptare

 

Në përgjithësi organizata “Agimi i Artë” përdor simbolet e vjetra shqiptare, ajo si ngjyrë kryesore ka fushën e kuqe me shkronja të zeza dhe shqiponjën dy krenare që është simboli i familjes së Kastriotëve. Por pasi fitoj disa vende në Kuvendin e Greqisë ndryshojë ngjyrat nga e Kuqe e Zi në të Kaltër me të Bardhë, kjo u bë pasi partitë majtiste i akuzuan se janë me origjinë shqiptare dhe përdorin ngjyrat e flamurit të Skënderbeut.

Në numrin e revistës të Agimi i Artë të Tetorit 1986 shkruhej me shkronja të madh: “Grekët dhe Shqiptarët, një popull, një racë, një atdhe”. Shkrimit në fjalë revista i kishte kushtuar dy faqe të saja ku jepeshin të dhëna mbi lidhjet e dy popujve. Shkruesi i atikullit thotë se shqiptarët dhe arvanitasit janë e njëjta gjë. Ai jep disa të dhëna në lidhje të ngjashmërisë së gjuhës së Omerit me gjuhën shqipe si dhe flet për Pirron, Kostandinin e Madh, Justinianin, Kolokotroni etj., të cilët ishin ilirë. Me interes është fakti se autori i shkrimit të botuar në revistës e “Agimit të Artë” është njeri nga themeluesit dhe drejtuesit kryesor i cili ka vënë iniciale FAETHON.

 

“Grekët dhe shqiptarët janë vëllezër të një racë” shkrimi i mëposhtëm u botua më Tetor 1986, në revistën e Agimit të Artë dhe vjen në gjuhën shqipe i shkurtuar.

* * *

Përkundër fraksioneve të degjeneruara koleriane dhe institucioneve, opinioni jonë i ndershëm dhe krenar gjithmonë nuk ka injoruar çmimin e sakrificës. Në të njëjtat ritme përtërimë origjinën tonë, duke prekur një çështje të nxehtë kombëtare, duke përcaktuar gjakun e hershëm dhe prejardhjen, rezultat i botëkuptimit të racës sonë dinamike. Duke hedhur tutje propagandën e partive politike të injorantëve dhe të aparatçikëve, të cilët i referohen me pasion patriotik historisë duke predikuar ngjashmërinë e patundur të grekëve me shqiptarët apo Arvanitasit. Mendimi, dokumentimi, tradita e lashtë dhe njohuritë shtrihen në ditët e sotme dhe kanë përqafuar çdo fushë të kulturës sonë. Përtej ngjashmërisë dhe afrimitetit të grekëve të lashtë me ilirët, nëpërmjet origjinës indo-evropiane, vëzhgimi i kujdesshëm i historisë përforcon identifikimin e ekzistencës kombëtare. Duke njohur vlerat e luftës dhe përpjekjeve të heronjve tanë shprehim drejtësi historike duke nderuar përpjekjet e tyre pavarësisht origjinës së tyre të specifike. Në njohjen e gjerë të Greqisë do të duhet të shtojmë dhe shpërthimet e kësaj historie, duke kujtuar këtu luftërat e Pirros, të Teutës, të Farias, të Gentit kundër Perandorisë Romake. Por, edhe në vijim dhe ato të periudhës së Perandorisë Bizante, strategët ilir si, Velisari dhe Vranajt, por dhe vet perandorët Konstandini i Madh (nga Dardania), Anastasi, Juliani dhe Leon Zguri, i japin historisë një përgjigje më të plotë. Vlerësimi se, vitaliteti me të cilin kanë vaditur nënën Greqi këto fise të pasur të atdheut është jo vetëm e nevojshme, por edhe e vërtetë. Sepse luftëtarët e zjarrtë që lanë gjurmë me aktet e tyre heroike dhe dhanë jetën në More, Rumeli, në zonën e ‘Shtatë Ishujve’, në Epir dhe në zona të tjera padyshim i dhanë një shtysë të madhe me qëllim që të ndihmojnë vëllanë e jugut, i cili ishte rebeluar kundër osmanëve, kështu që me të drejtë përshkruhen si Dorët (fisi ilir) e helenizmit modern. Prapa fanatizmit dinak dhe tkurrjeve të pakuptueshme që qëllimisht fshehin një nga elementët më të bukur të historisë sonë, shfaqet sakrifica dhe trimëria Arvanitase gjatë kohës së revolucionit kombëtar më 1821. Sakrifica e familjes Gjika në Moldavi, besalinjtë dhe burrëritë e Buajve, Grevenarëve e mbrojtësit të madh të familjes së Shkurtëve, Buzara, e Bardhëve, Llallave dhe Suliotëve si dhe shpallja e shpërthimi i revolucionit grek në Mesini në Mars të 1821-t nga Dredhët, luftëtarët e panumërt në mbrojtje të ishujve të Idrës dhe Speces. Figura të pakthyeshme me kalimin e kohës si Kokali, Andruço, Kaçioni, Grindali, Plaputa, Kaçandoni, Mjauli, Kolokotroni, Spiromilo, Bubulina, Karajskaqi, Kundurioti, Boçari etj. Të gjithë këta kanë qenë eksponentë të luftës anti-turke dhe pasardhës të Aleksandrit të Madh të Ballkanit, Gjergj Kastriot Skënderbeut së bashku me figurën shumë të keqkuptuar të labit Ali Pashë Tepelena…

*Historian i pavarur

Filed Under: Opinion, Rajon Tagged With: arben llalla, deputetit, Kristo papa, pergjigje, te Agimit te Arte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 833
  • 834
  • 835
  • 836
  • 837
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT