• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Frang Bardhi, leksikografi i parë, historiani, folkloristi dhe etnograf i kontributeve të vlerta kombëtare

July 6, 2024 by s p

Albert Vataj/

Frang Bardhi, leksikografi i parë, historiani, folkloristi dhe etnograf i kontributeve të vlerta kombëtare

Autori i tretë i rëndësishëm i letërsisë së vjetër shqiptare është Frang Bardhi. Midis autorëve të tjerë të kësaj periudhe, Bardhi zë një vend të vecantë. Duke ndjekur vazhdën e paraardhësve në veprimtarinë atdhetare, në fushën e krijimtarisë letrare i kalon caqet e përkthimeve fetare. Ai kishte interesa më të gjera. Bardhi bëri edhe përkthime fetare, por ato mbeten të pabotuara dhe humbën, prandaj ai ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare si leksikografi i parë shqiptar, si historian, folklorist e etnograf. Bardhi studiohet në historine e letërsisë sonë me dy vepra oigjinale: “Fjalori latinisht-shqip„ dhe “Apologjia e Skënderbeut„. Këto vepra e lidhin atë më tepër me humanizmin shqiptar sesa me traditën e letërsisë fetare të shekujve XVI-XVII.

Frang Bardhi ndërroi jetë më 1 korrik të vitit 1643. Ipeshkvi shqiptar i përket aradhes së atyre priftërinjve e ipeshkvijve shqiptarë, të cilët, duke kultivuar gjuhën shqipe e ushqyer shpirtin, kishin si synim shpëtimin e kombit nga asgjësimi e falimentimi politik e fetar.

Edhe për jetën e Bardhit dhe për veprimtarinë e tij kemi pak të dhëna. Lindi në Kallmet të Zadrimës më 1606. Ai sikurse edhe Budi, krenohej që i perkiste një familjeje pjestarët e së cilës nuk u rreshtuan me pushtuesit.

Studimet i kreu në Itali, në kolegjin e Loretos dhe pastaj në atë të Propaganda Fides. Me 1635 u emërua peshkop i Sapes ( Zadrimë ). Në veprimtarinë e tij politike Bardhi do te jetë në rradhët e para të atdhetarëve që i përkushtohen luftës për t’u cliruar nga zgjedha e huaj, zhvillimit dhe përparimit të vendit dhe të gjuhës shqipe.

Gjendja e mjeruar e popullit nën sundimin e egër osman, dëshira dhe përpjekjet për t’a ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri, ishin shqetësime që e mundonin vazhdimisht Bardhin. Kjo duket edhe në relacionet që i dërgonte herë pas here Papës. Ja si shprehet në relacionin e vitit 1641 për rëndimet dhe poshtërimet që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, sidomos të krishterëve, nga arbitrariteti i feudalëve turq: “Dhjetë ose pesëmbëdhjetë turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë e pinë sa të kenë oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i shkreti nuk mund të thotë se nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhët të lerë peng rrobat e trupit për të ngopur lakmitë e tyre të mbrapshta …”

Relacionet e tij kanë edhe më shumë të dhëna të tjera për gjendjen shpirtërore të popullit, për zakonet, traditën e tij etj. Ashtu si edhe Budi, madje që në hapat e parë të jetës së vet, si misionar i fesë, Bardhi hyri në konflikt të hapur me klerin e huaj, madje edhe me ungjin e vet, Gjergj Bardhin, të cilin edhe do ta padise si një nga shkaktarët e vullnetshëm të mbytjes së Budit. Konflikti do të ishte aq i ashpër sa me një letër drejtuar Vatikanit vetëm 4-5 vjet pasi kishte ardhur në Zadrimë, do të shkruante: “Në qoftë se do të shpëtoj i gjallë nga telashet që më shkakton kryepeshkopi, qoftë ai vetë, qoftë me anën e zotërinjve turq, do të vij në Romë, për t’i treguar të gjitha dhe për të kërkuar ndihmë.

Bardhi e shikonte detyrën e peshkopit jo thjesht si të një misionari kishëtar, por edhe të pregatiste të rinj shqiptarë të shkolluar e t’i vinte fre dërgimit të misionarëve të huaj në viset shqiptare. Ai kërkonte klerikë të arsimuar shqiptarë, që t’u hiqeshin nga duart misionarëve të huaj shkollat që ishin hapur në vendin tonë për qëllimet e tyre të mbrapshta. Ai vetë, kishte nxitur dhe dërguar për studime në Itali, klerikë të vendit, të cilët do të merrnin dorë drejtimin e këtyre shkollave.

Vitet e fundit të jetës së Bardhit në vend që të ishin vite pune në lëmin e gjuhësisë e të letërsisë shqipe dhe të lëvizjes shqiptare për t’u çliruar, siç pritej prej hartuesit të fjalorit të parë të shqipes, përmbledhësit të parë të folklorit të parë të shqipes, prej mbledhësit të parë të folklorit tonë dhe prej mbrojtësit erudit të shqiptarisë së Skënderbeut, ishin vite lufte kundër pushtimit të huaj, ashtu edhe kundër synimeve të kishës katolike të Romës, vite që e lodhën shumë. Duke u gjendur në pellgun e kundërshtimeve dhe të intrigave që u thurren kundër tij më në fund u dorëzua, në mos drejpërdrejt, tërthorazi. Vdiq fare i ri, në moshën 37-vjeçare, në një kohë kur mund të ndihmonte shumë për zhvillimin dhe përparimin e vendit e të kulturës shqiptare.

Megjithatë Bardhi mbetet një nga figurat më të shquara të kulturës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai na la trashëgim dy vepra madhore “Fjalorin latinisht-shqip„ dhe “Apologjja e Skënderbeut„. “Fjalorin latisht-shqip„ Bardhi e shkroi që kur ishte student dhe e botoi më 1635 në Romë. Autori thotë se e shkroi këtë vepër që t’i ndihmonte “…gjuhës sonë që po bdaret e po bastardhohet sa me parë të ve …„ Bardhin e brente kështu shqetësimi si ta ruante gjuhën shqipe që të mos prishej e të mos humbiste me të kaluar të kohës në kushtet e pushtimit osman, dhe nga ana tjetër t’u shërbente edhe klerikëve katolike shqiptarë që nuk dinin gjuhën latine. Fjalori përmban rreth 2.500 fjalë shqipe. Krahas fjalëve, jepen edhe togfjalësha që tregojnë përdorimin e tyre. Në këtë fjalor për herë të parë gjuha shqipe ballafaqohet me një gjuhë të përpunuar, siç ishte gjuha latine në atë kohë.

Përkthimi në shqip mbështetet kryesisht në gjuhën popullore, në fondin kryesor të gjuhës sonë, por shpeshherë Bardhi sjell në përdorim edhe shume fjalë të lashta. Me këtë vepër zë fill leksikologjja shqiptare, ndaj me të drejtë Bardhi quhet edhe leksikologu i parë në historinë e gjuhës shqipe.

Në fund të fjalorit, në një shtojcë, autori ka perfshirë edhe material gjuhësor, si; emra mashkullore e femërorë, emra farefisnie, emrat e qyteteve dhe të kështjellave kryesore të Shqiperisë, parafjalë, pasthirrma, disa mënyra të përshëndeturi si dhe një dialog të shkurtër.

Por kjo vepër i hapi rrugë dhe një dege tjetër të dijes shqiptare, folkloristikës sonë, sepse në të jane përfshirë edhe 113 proverba, shumica origjinale dhe vetëm pak të përkthyera. Edhe në zgjedhjen e tyre autori niset nga qëllime të qarta patriotike. Ndër këto proverba, interes të veçantë kanë ato që dëshmojnë për vetitë e bukura morale të popullit tonë, veçanërisht ato që shprehin urrejtjen për pushtuesin, si : “Tek shkel turku, nuk mbin bar„ etj.

Në fjalorin e tij ka përdorur alfabetin latin, pothuajse njëlloj si Buzuku e Budi, me ndonjë ndryshim të vogël, çka të bën të mendosh se duhet të ketë njohur veprat e tyre.

Vepra tjetër e njohur e Bardhit është “Apologjia e Skënderbeut”, botuar latinisht në Venedik më 1636. Titulli i saj i plotë është: “Gjergj Kastrioti epirotas, i quajtur zakonisht Skënderbe, princ trim mbi trima dhe i pathyeshem i shqiptareve, u kthehet bashkëatdhetarëve dhe atdheut të tij prej Frang Bardhit”. Vepra në të vërtetë është një apologji (mbrojtje) që i bën autori Skënderbeut, si bir dhe hero i popullit shqiptar, prandaj edhe është quajtur Apologjia e Skënderbeut. Këtë vepër autori e ka shkruar për 15 ditë, në kulmin e zemërimit, në rrugë e sipër, kur po kthehej në Shqipëri për të hedhur poshtë mendimet e pathemelta të një peshkopi boshnjak, që i mohonte Skënderbeut prejardhjen shqiptare. Më 1631 boshnjaku Tomko Marnavici kishte botuar një libërth ku pretendonte se Skënderbeu nuk ishte me origjinë shqiptare, por boshnjake, madje nga familja e Marnaviçëve. kjo rrethanë i jep veprës një frymë të mprehtë polemike dhe një stil energjik.

Këtë falsifikim Bardhi e quan të “kobshëm„ dhe ai iu vu punës për këtë vepër, se, po të heshtte, i dukej sikur do të tradhëtonte veten dhe atdheun. Pra , është ndjenja atdhetare ajo që e bren përbrenda autorin. Por fuqia e mendjes dhe e punës së tij bëhet më e madhe kur kjo ndjenjë përkon me drejtësinë e çështjes që mbron. Bardhi do t’i japë popullit të vet atë që i përket, duke pasur parasysh më tepër të vërtetën se sa atdheun, ashtu sic nuk do t’i lejonte vetes të rrëmbente një populli tjetër atë çka i përket atij. Dashuria e tij për atdheun fisnikërohet aq sa është e lartë edhe madhështore ideja dhe ndjenja e së vërtetës “Unë e mora përsipër këtë barrë, – thotë Bardhi, – jo për ndonjë arsye tjetër, veç që të qes para syve të tu (lexues) të vërtetën lakuriqe, të panjollosur, sepse kjo s’ka nevojë të lyhet e të stoliset me fjalë të bukura edhe të rrema”.

Dashuria për atdheun, për të vërtetën, për popullin, për historinë dhe heroin e tij, për gjuhën dhe traditat e larta janë idetë themelore që përshkojnë fund e krye veprën. Mendjemprehtësia, kultura, horizonti i gjerë dhe aftësia për t’i përdorur me mjeshtëri argumentet janë karakteristika dalluese të veprës dhe të vetë autorit.

Për të mbrojtur shqiptarësinë e Skënderbeut autori niset nga argumente të sigurta dhe të shumta historike, pa nënçmuar gojëdhënat. Ai zotëron plotësisht metodën e shkencës historike të kohës dhe vlerëson e krahason në mënyrë kritike burimet historike. Përveç kaq e kaq historianëve në zë që sjell si argumente në mbrojte të tezës së vet të drejtë, Bardhi si një njohës dhe mbledhës i i traditës gojore popullore, për të vërtetuar shqiptarësinë e Skënderbeut, shfrytëzon me mjeshtëri të rrallë gojëdhënat dhe faktin që emri i Skënderbeut dhe kujtimi i tij rrojnë të gjalla në ndërgjegjen e popullit.

“Vazhdimisht gjer në ditët e sotme, – shkruan autori, – bashkëkohësit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimërinë e tij nëpër gostitë… dhe e quajnë Skënderbeun tonë me emrin “Kuçedra e Arbrit”, d.m.th. dragoi i Epirit. Dhe sa herë që shqiptohen këto fjalë, kuptohet vetëm Skënderbeu”.

Ndjenja patriotike, dashuria për popullin dhe vendin e vet, krenaria për të kaluarën e tij të lavdishme dhe admirimi për heroin që çuditi botën me trimërinë e tij përshkojnë gjithë veprën. Këto përcaktojnë edhe disa cilësi të stilit të autori , si: patosin e ngritur, frazën e gjatë dhe të ngjeshur, gjuhën e mprehte plot thumba, për të hedhur poshtë fallsifikimet e kundërshtarit etj. Këto tipare e bëjnë veprën jo thjesht një polemikë historike, por një libër me vlera letrare. Njeri me kulturë të gjerë dhe mendje të mprehtë, Frang Bardhi, duke vazhduar traditën e Barletit në historiografinë shqiptare dhe duke hapur rrugë në fushën e leksikograisë e të gjurmimeve etnografike, me veprën e tij u bë një figurë e shquar e kulturës shqiptare të shekullit XVII.

Filed Under: Opinion

ÇMIMI ITALIAN NDËRKOMBËTAR “CAMAIORE” I JEPET POETIT VISAR ZHITI

July 5, 2024 by s p

Është i njohur çmimi letrar ndërkombëtar, që jepet në Itali, “Camaiore – Francescco Belluomini”, atë e kanë fituar ndër vite për poezinë dhe poetë si Papa Gjon Pali II, Jevtushenko, Anna Blandiana, nobelisti Hini, etj, për vitin 2024 iu dha Visar Zhitit për librin me poezi “Strade che scorrono dalle mie mani” – “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, përkthyer në italisht nga Profesor Elio Miracco. Juria italiane, e kryesuar nga Michele Brancale, e përbërë nga poetë, studiues dhe kritikë letrarë, Cinzia Demi, Simone Gambacorta, Federico Migliorati, Renato Minore, Ottavio Rossani e Luigia Sorrentino, mes përzgjedhjes së 150 librave me poezi të botuara së fundmi, sekeksionoi 25 prej tyre, pastaj nxori 7 poetë kandidatë nga bota për çmimin:

• Joao Luis Barreto Guimaraes, “Movimento” (Edizioni Kolibris) – Portugalia

• Andrea Cote, “La rovina che nomino” (Edizioni Fili d’Aquilone) – Kolumbia

• Edmond Neagoe, “Una visione dell’apocalisse” (Terra d’Ulivi Edizioni) – Rumania

• Martin Rueff, “Icaro grida in un cielo di creta” (Samuele Editore) – Franca

• Zoe Valdés, “Anatomia dello sguardo” (Edizioni Il Foglio) – Kuba

• Sarah Zahid, “Non scordiamoci mai quanto può essere bello vivere” (Edizioni Kolibris) – Norvegjia

• Visar Zhiti, “Strade che scorrono dalle mie mani” (Puntoacapo Editrice) – Shqipëria

Pastaj në votimin e fundit u zgjodh Visar Zhiti. Lajmin e dhanë juria e çmimit, vetë Komuna Camaiore, mediat, gazetat vendase dhe më e madhja “Corriere della sera”. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet gjatë një mbrëmje në këtë shtator. Fitoi Visar Zhiti, fitoi Shqipëria.

Filed Under: Opinion

“Dielli” Newspaper supports the urgent confirmation by the US Senate of David Kostelancik as the next US Ambassador to Albania

July 4, 2024 by s p

The approval of the nominated ambassador of the US to Albania David Kostelancik is too important to be left to politics. Given the fast approaching NATO Summit and the heightened volatility with regard to security in the Balkan region and Europe, the presence of the US ambassador in Albania is a forefront of an issue.

The Pan Albanian Federation of America Vatra is committed to reinforcing the bilateral partnership of the US with Albania and its regional leadership in the Balkans. Albania has been a steadfast partner of the US and there is no question that the strong partnership is still going strong. However, having no US ambassador in Albania for almost a year has come into focus of the Albanian leaders and public as well as our common foes. The attacks, cyber and otherwise, by Russia, Iran and China pushing back against US interests, give priority to the placement of the US ambassador in Albania.

A proven ally and partner of the US, Albania is the only NATO member without a US ambassador. Such absence has serious implications on several levels. Dielli strongly urges that the Senate move expeditiously, given the one year delay due to continued blockage by Ohio Senator JD Vance to a cloture motion and vote to confirm the nomination of David Kostelancik.

Political divisions should not and cannot prevent the US from sending a qualified career diplomat to Albania as ambassador at a critical time for the region, and in a year that is leading up to Albania’s national elections in 2025.

David Kostelancik has served at the US Embassy previously, in addition to serving at NATO and in Moscow and Washington with responsibilities for Russia, the Balkans and Europe. As an extra qualification, he also speaks Albanian. He is a career foreign service officer and a professional diplomat with experience and character that would proudly represent the US in Albania.

Filed Under: Opinion

Homazhet për Ismail Kadare, mesazhi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë z.Bajram Begaj

July 3, 2024 by s p

“Shqipëria dhe shqiptarët përcjellin sot për në panteonin e përjetësisë gjeniun e tyre të letrave, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Falë talentit të rrallë dhe ndërgjegjes patriotike, Ismail Kadare fitoi për së gjalli statusin e privilegjuar të emancipuesit shoqëror dhe atij identitar.

Novator në stil, si dhe në gjuhë, së bashku me Nënë Terezën, ai u shndërrua në emblemën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohëve moderne. Ismail Kadare do të përkujtohet gjithmonë me nderim si promovues, si askush tjetër, i krenarisë kombëtare, veçanërisht i orientimit evropian të kombit shqiptar. Lamtumirë, i madhi ynë!” ishte mesazhi i Presidentit Begaj.

Filed Under: Opinion

“INTERVISTA E JETËS”, PROF. AS. DR. THANAS L. GJIKA RRËFIM SPECIAL PËR “DIELLIN” NË 80 VJETORIN E LINDJES

July 2, 2024 by s p

INTERVISTOI: SOKOL PAJA/

Thanas Ligor Gjika veprimtar i spikatur i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës, është themeluesi i degës së Federatës Vatra në Worcester MA, vatran shembullor e kontributor model në Vatër e komunitet, një nga bashkëpunëtorët e rregullt të gazetës “Dielli”, ku ka botuar mbi 100 artikuj, ese, portrete, analiza, opinione, shënime, reportazhe, kujtime per kolegët e tij albanologë, etj. Ai ka botuar 12 libra me studime shkencore. Disa nga vlerësimet e studiuesve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut e të diasporës për studimet e tij janë botuar në gazeta të ndryshme kombëtare dhe të diasporës. Ai dhe bashkëshortja e tij Julia Gjika janë anëtarë aktivë e kontributorë të Federatës Vatra e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë të Amerikës. Gazeta “Dielli” vendosi t’i marrë këtij bashkëpunëtori të çmuar një intervistë special me rastin e 80-vjetorit të lindjes.

I NDERUAR PROFESOR GJIKA MË 2 KORRIK 2024 JU MBUSHNI 80 VJET, NGA TË CILAT 52 I KALUAT NË ATDHE DHE 28 KËTU NË EMIGRACION. SI MUND T’I KARAKTERIZONI KËTO DY PERIUDHA TË JETËS SUAJ?

U linda në Korçë e u rrita në gjirin e një familjeje emigranti të Amerikës, i cili ne fëmijëve na edukoi mentalitetin: “vetëm me punë të ndershme mund të arrini suksese, kujdes ligjet e shtetit nuk duhen shkelur”. Kjo kërkesa e dytë u përforcua edhe nga edukata fetare që na jepte nëna (të jeni kokulur dhe të bindur ndaj pushtetit) dhe sidomos nga propaganda e partisë shtet, e cila me forma të shumëllojshme krijonte trusni për të na mbushur mendjen se gjithçka që ndodhte në Shqipëri ishte për të mirën e atdheut e të popullit. Motra e madhe, Pandora, pasi mbaroi shkollën Pedagogjike punoi 8 vjetët e para të jetës mësuese fshatrave. Aty ajo njohu varfërinë dhe vështirësitë e jetës së fshatarëve. Krijoi bindjen se propaganda e partisë nuk përputhej me realitetin dhe vendosi të mos bëhej anëtare e partisë, si u bënë disa shoqe të saj. Kjo ide ndikoi që vëllai më i madh, Viktori, regjisor i talentuar dhe unë të gjenim sebepe për të mos pranuar që të bëheshim anëtarë partie kur na u bë kërkesa konkrete. Tek ne zjente fryma proamerikane e babait dhe ajo fetare e nënës. Kishim rezerva ndaj politikës së partisë. Por rezervat tona nuk ishin të ndriçuara nga ndonjë formim ideologjik. Ne nuk dinim ç’ ishte realisht demokracia perëndimore dhe për më tepër ne bënim pjesë në shtresat e varfra të popullit, babai ishte punëtor krahu (murator) kurse nëna shtëpiake. Këto shtresa partia i përkrahu për të treguar se ajo mbështeste shumicën dhe kishte të drejtë që luftonte shtresat e pasura, pakicën. Bijtë e shtresave të ulëta si ne përfituan për shkollim maksimal, emërim në punëra të mira, strehim, etj. Ne konkretisht na u dhanë tre apartamente banimi, një në Korçë e dy në Tirnë. Kështu që në ndërgjegjen tonë u krijua një farë ndjenje mirënjohjeje ndaj partisë shtet edhe pse këto të mira që po gëzonim ishin të pakta në krahasim me nevojat tona. Për shembull unë jetoja në një apartament me një dhomë e një kuzhinë ndonëse familja ime përbëhej nga 5 persona (nëna e moshuar, unë punonjës shkencor me tituj e grada, ime shoqe Julia dhe dy fëmijët me gjini të ndryshme), që të paktën duhet të jetonim në tre dhoma e një kuzhinë.

Ndërkohë gjatë punës në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave shihja mungesën e interesit të partisë shtet për studimin e gjithë trashëgimisë letrare dhe mbi të gjitha mosinteresimi për të na kualifikuar me konceptet e shkencës moderne botërore. I ishte dhënë prioritet studimeve të letërsisë së krijuar pas vitit 1944 (krijimtari 35-40 vjeçare), të cilën e studionin 6 kuadro, kurse letërsinë shqiptare të krijuar gjatë katër shekujve, që nga Marin Barleti i shek XVI-të deri më 1944 e sudionim vetëm 4 kuadro duke u marrë vetëm me letërsinë e Rilindjes e pak me atë të vitet të Pavarësisë. Asnjë prej nesh nuk u dërgua jashtë shtetit për të marrë kualifikimin e duhur. Shefi kryesor, Prof. Koço Bihiku ishte formuar në Bashkimin Sovjetik dhe përpiqej të na kualifikonte me disa nga rezultatet shkencore të teoricienit rus Genadi Pospiellov, i cili shquhej midis studiuesve të botës lindore, por kishte mangësi në analizën e formës së veprave letrare.

Asnjë nga ne nuk u dërgua të bënte kërkime arkivale e bibliografike në vendet ku kishin marrë formin e kishin punuar autorët që studionim. Jorgo Bulua studionte N. Frashërin, por nuk u dërgua kurrë në Stamboll; Klara Kodra studionte letërsinë e arbëreshëve të Italisë, por nuk u dërgua në Kalabri e Siqeli; Floresha Dado studionte A. Z. Çajupin, por nuk u dërgua në Kajro, dhe unë që studioja M. Gramenon nuk u dërgova në Bukuresht, ku jetoi mbi 20 vjet e u formua ky autor. Edhe më keq akoma ishte se duhej të shanim e kritikonim krijimtarinë e autorëve si Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, etj, të cilët i kishte anatemuar partia, ndonëse ne e shihnim se vepra e tyre kishte vlera. Mungesa e kurajos na bënte të pajtoheshim me ato orientime, gjë për të cilën, mua e disa kolegë na vriste e na vret ndërgjegja. Ishte e ndaluar të merreshim me analizën e të ribotonim krijime të autorëve ku kishte ide që binin ndesh me politikën e partisë. Për të mos e zgjatur po përmend poezinë “SHPREH” të N. Frashërit, të cilën të gjithë studiuesit e këtij autori, si Dhimitër Shuteriqi, J. Bulo, etj, edhe pse Naimi quhej “Poet Kombëtar” nuk e analizuan e nuk e botuan ndonjëherë.

KJO PERLË NAIMJANE ËSHTË NJË SFIDË E FUQISHME KUNDËR BOTËS LINDORE TË PRAPAMBETUR QË NA KA MBAJTUR NË VENDNUMËRO. BESOJ SE IA VLEN TA RIPRODHONI, MEQENËSE PJESA DËRMUESE E LEXUESVE NUK E KANË PARASYSH.

Me kënaqësi: SHPREH

Pse s’vjen o dit’e mirë?

Pse vallë nuk vjen?

Gjer kur në errësirë?

Mos Zotit i përlqen?

As hidhe gardhë

dhe shpejto pakë.

O ditë e bardhë

jakë, të pres e nuk vdes.

Jakë o ditë e uruar,

që lind nga perëndon,

atë anë e ke ndrituar,

e ne, pse na harron?

O dritë e jetës,

e së vërtetës,

e gazi i Zotit,

ndritna e ngrohna!

Këto vargje m’i recitoi së pari në intimitet studiuesi Engjëll Sedaj që erdhi nga Kosova për të marrë pjesë në takimin shkencor kushtuar 90-vjetorit të vdekjes së Naimit në tetor 1990. Unë hapa sytë se nuk i kisha lexuar në asnjë botim të deriatëhershëm. Ato tingëllonin shumë aktuale, prandaj ishin ndaluar të botoheshin e studioheshin…Për formimin tim demokratik luajtën rol të dukshëm shkrimet e të përndjekurve politikë si Lek Pervizi, Visar Zhiti, Eugjen Merlika,  gazetar te VOA Frank Gj. Shkreli e Idriz Lamaj. Gjej rast këtu t’u shpreh mirënjofjen time.

JU, NË SHQIPËRI KISHIT MËSUAR RUSISHT, FRËNGJISHT E ITALISHT, POR NUK KISHIT MËSUAR ANGLISHT, SI ARRITËT QË MBAS ARDHJES NË SHBA, TË HARTONI STUDIME SHKENCORE DUKE SHFRYTËZUAR EDHE LITERATURË AMERIKANE?

Për të mbijetuar, kur erdha familjarisht në ShBA me lotarinë Green Card, në fillim, vitet 1996 -2000, pranova të kryeja çdo punë të rëndomtë si pjatalarës, puntor i turnit të tretë në fabrikë, roje nate, etj. Në vitet 1998-1999 ndoqa rregullisht një kurs të anglishtes falas në një shkollë nate bashkë me Julian ku hodhëm themelet e anglishtes me gojë e me shkrim. Më tej ecëm si autodidaktë . Në traditën gojore të Kishave të Krishtera Shqiptare, Katolike dhe Ortodokse, thuhej se Shën Pali kishte predikuar edhe në trojet ilire, madje se kishte krijuar edhe bashkësi me të krishterë, pra kishat e para. Këtë e kishin përmendur me shkrim edhe dijetari Faik Konica e pas tij Atë Fan Noli në librat e tyre. Mirëpo deklarata e tyre nuk ishte mbështetur me studime konkrete për të përcaktuar se kur dhe ku kishte punuar ky apostull në trojet tona. I nxitur nga thënia amerikane “Duaje të vërtetën më shumë se pasurinë, më shumë se lavdinë e madje edhe më shumë se dashurinë”, thënie që e lexova më 1999 këtu në emigracion, vendosa që të vërtetën (përhapjen e krishtërimit në botën ilire prej Sh. Palit, e vërtetë që nuk përmendej në shënimet sqaruese dhe hartat e “Biblës”, ta nxirrja në dritë.

SI E SHFRYTËZUAT “BIBLËN” NË RRUGËTIMIN E VEPRIMTARISË SUAJ KËRKIMORE SHKENCORE ME BAZË RELIGJIOZE?

Studimet e mia mbi problemin kur dhe ku u shkruan shkrimet e shenjta nuk ka synim religjioz, interpretimet teologjike për këto shkrime I kanë bërë me sukses shumë teologë dhe ato janë pasqyruar në shënimet shpjeguese të “Biblës”. Unë jam marrë me përmirësimin/ korrigjimin e shënimeve sqaruese që jepen në fund të cdo shkrimi të shenjë të botuar vetëm tek pjesa “Dhiata e Re” lidhur me problemin se kur e ku është shkruar secili shkrim dhe jo për të gjitha shkrimet e botuar në komplet “Biblëns” Këtu pashë se nuk ishte përmenduar askund se Sh.. Pali  kishte punuar e shkruar edhe letra në qytete ilire, sot shqiptare. Për pasojë kjo dobësi ishte reflektuar dhe ne hartat e udhëtimeve misionare të Sh. Palit, madje ishte përhapur mendimi se krishtërimin e kishin sjellë tek ilirët gjatë shek. IV-V misionarë fetarë nga Roma. Unë vërtetova se krishtërimin na e solli Sh. Pali vetë me nxënësit e tij, pra se ky besim është po aq autokton tek ne sa tek grekët e romakët dhe nuk na e importuan misionarë të mëvonshëm nga Roma ose Kostandinopoja.

Gjatë prillit 2000 mora me vete “Biblën” shqip të botuar më 1994 nga Shoqëria Shqiptare e Biblës dhe shkova me pushime në Kaliforni tek nipi im  Nikolin Bimbli, dentist. E rilexova “Dhiatën e Re”, që e kisha lexuar disa herë gjatë rinisë nën shtytjen e nënës dhe pastaj u përqendrova tek letra që Sh. Pali u kishte drejtuar besimtarëve të Romës gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar. Kapa aty faktin se ky apostull e kishte shkruar këtë letëre pasi kishte vizituar Provincën e Ilirikut, gjë që e kishte deklaruar vetë tek vargu “Romakëve 15:19”: “e predikova fjalën e Zotit Krisht në një qark nga Jerusalemi deri në Ilirik (mehri Illyricum)” dhe se autori nuk e kishte shkruar të gjithë këtë letër në një vend e në një kohë të vetme. Pasi u ktheva në apartamentin tim në South Lancaser MA iu futa skedimit të shënimeve sqaruese të botuar në fund të shkrimeve të “Diatës së Re” tek “Bibla” anglisht Thomas Nelson Publishing. Mblodha të dhëna dhe nga shënime sqaruese të botimeve të tjera të “Biblës” në anglisht, italisht, frengjisht e spanjisht. E plotësova skedarin tim edhe me shënime që nxora nga shtatë biografi të shkruara për jetën e Sh. Palit anglisht. Duke analizuar këto të dhëna hartova studimin monogrsfik “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” ku vendosa një përmbledhje që e përktheu anglisht vajza jonë Ani Gjika. Përmledhja u diskutua prej Dr. Norman Wendth, President i Atlantic Union College dhe prej pedagogëve të Katedrës së Teologjisë së këtij kolegji. Ata i pranuan arritjet e mia lidhur me përcaktimet e reja që jepja për kohën e vendin e hartimit të shkrimeve të shenjta të “Dhiatës së Re”, pra dhe faktin se ky apostull kishte punuar edhe në Dyrrach (Durrës) e Butrint (Buthrot). Këtë botim e mbështetën jo vetëm pedagogët e Atlantic Union College, të cilët sponsorizuan botimin, por edhe studiuesi shqiptar Peshkop Joan Pelushi, Mitropoliti i Korçës, i cili hartoi parathënien e librit.

Më tej i pasurova të dhënat e mia me dokumente e fakte të tjera dhe arrita të hartoj e botoj anglisht studimin biografik “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut” OMSCA-1 Tiranë 1914, 505 faqe, të cilën krahas përmbledhjes anglisht prej 44 faqesh, e paisën me vlerësime Prof. R. Dean Davis, shef i Katedrës së Teologjisë së Atlantic Union College dhe Akad. Prof. Jorgo Bulo. Këtë studim e pranoi Biblioteka e Selisë së Shenjtë si kopje të vlefshme dhe e ruan në theaaret e saj.

Meqenëse institucionet shkencore zyrtare të Shqipërisë dhe shtëpia botuese e ABS (Albanian Bible Society) nuk treguan interes për ta përkthyer e botuar anglisht as këtë studim, unë vijova punën dhe tani arrita të botoj anglisht me ndihmën financiare të miqve të mij, disa prej të cilvve janë anëtarë të kryesisë së Federatës Vatra studimin tim në variantin përfundimtar “Saint Paul in Dyrrach – corrections of some notes and maps in the New Testament” Jozef Publishing’s 2024, 342 faqe me harta të shtypit të lartë hartuar prej meje dhe Ing. Aurel Kaçulini. Libri është paisur me vlerësimet e Dr. Joan Palushi, Mitropolit i Korçës; Dr. Dom Nikë Ukgjini, punonjës shkencor në Institutin e Studimeve Teologjike Katolike Shkodër dhe Fotaq Andrea, studiues i pavarur, Strasburg, Francë. Ky libër përfundoi së shtypuri dhe po shpërndahet midis specialistëve dhe institucioneve që merren me studimin e “Dhiatës së Re” për ta përdorur si material bazë në diskutime shkencore që shpresoj të organizohen së shpejti në Tiranë dhe në ShBA.

PËRVEÇ KËTIJ STUDIMI, QË MUND TA QUAJ “KAPAK FLORIRI” MBI STUDIMET TUAJA KUSHTUAR JETËS E VEPRËS SE AUTORËVE TË “DHIATËS SË RE” JU LUTEM A MUND TË PËRMENDNI DHE DISA STUDIME QË JU KANË SJELLË KËNAQËSI TË VEÇANTË NË PUNËN TUAJ STUDIMORE?

Të tilla studime kanë qenë monografia “Mihal Grameno Jeta dhe Vepra” MILENIUM I RI Durrës 2012, 505 f., që e botova në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë pasi e ripunova variantin që kisha hartuar në vitet 1980-1985, i cili vuante nga politizimi. Për këtë monografi dhanë vlerësime Akad. Prof. Jorgo Bulo dhe Prof. Agim Vinca i Prishtinës. Më tej mund të përmend përmbledhjet “ Mosdënimi i krimit është krim i ri” OMSCA-1 2016, 450 f., paraprirë me hyrje të hartuar nga Prof. Isak Shema, pedagogi letësisë shqiptare në Universitetin e Prishtinës; “ Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm” KUMI 2018, 451 f., i paprprirë nga parathënia e shkruar me akribi shkencore prej Prof. Sadri Fetiu, ish Drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, libër që u promovua tek Universiteti Shtetëror i Tetovës Maqedoni e Veriut, ku dhanë vlerësimet e tyre Prof. Salajdin Mehmeti, Prof. Ejup Ajdini, etj; “Ecja drejt së djathtës dëshmi morale dhe mençurie” Botimet Jozef 2021, 374 f.,  që u promovua në Durrës ku folën studiuesit Hasan Ulqini, Shpend Topollaj, drejtoresha e Bibliotekës Popullore Durrës, etj.  Midis eseve dhe kujtimeve dua të përmend esetë kushtuar Prof. Sami Repishtit, Astrit Lulushit, që u vlerësuan si bërthama shkencore për hartim studimesh të plota mbi jetën dhe veprë e këtyre krijuesve shumëdimensionalë. Po ashtu përmend kujtimet për Profesor Eqrem Çabejn, për albanologun kanadez Robert Elsie, dhe kujtimet për punonjësit shkodranë të Instituteve të Alanologjisë (Injac Zamputi, Zija Shkodra, Rok Zojzi, Palok Daka, Kolec Topalli, etj) dhe kujtimet për studiuesit e talentuar të Kosovës, ku spikatin karakterizimet e krijimtarisë së Prof. Rexhep Qosja, Agim Vinca, Sadri Fetiu, etj.

SI STUDIUES QË JENI MARRË ME JETËN E VEPRËN E SHUMË KRIJUESVE E STUDIUESVE SHQIPTARË GJATË MË SHUMË SE 50 VJETËVE, JU LUTEM A MUND TË SHPREHNI VLERËSIMIN TUAJ PËR MENDËSINË E POPULLIT SHQIPTAR?

Ndonëse nuk jam sociolog e as psikolog, gjatë punës sime si studiues i letërsisë dhe i historisë së popullit shqiptar, kam vënë re se ne kemi disa tipare shumë pozitive si trimërinë, durimin ndaj vështirësive, mikpritjen, respektimin e të vdekurit, mirënjohjen, etj. Mirëpo krahas këtyre tipareve, të cilat na u tronditën gjatë viteve të diktaturës komuniste, e që po rigjenerohen me shpejtësi këto dhjetvjetshat e fundit; ne kemi dhe disa të meta mentaliteti, të cilat nuk po i luftojmë sa e si duhet.

Ne shqiptarëve na pëlqen vetja, duam të jemi i pari dhe nuk e pranojmë mendimin ndryshe. Jo vetëm nuk e pranojmë mendimin ndryshe, por përpiqemi ta demonizojmë atë që shprehet kundër. Ne nuk pranojmë kritikat që na bëhen dhe nuk dijmë e nuk duam të kërkojmë të falur për gabimet e krimet që kemi bërë në kohën e diktaturës dhe për ato që po vijojmë të bëjmë edhe mbas ndërrimit të regjimit. Intelektualët dhe krijuesit tanë që jetonin jashtë burgjeve e kampeve të internimit gjatë kohës së diktaturës besonin se sistemi mund të riformohej nga brenda, gjë që as ndodhi as mund të ndodhte, sepse askush prej tyre nuk u angazhua në një luftë serioze për transformime të tilla. Ata nuk luftuan që ta demilitarizonin kulturën, si kërkonte Pol Sartri, prandaj ata duhet të pranojnë sot se nuk ishin aspak disidente dhe nuk duhet të përpiqen për ta paraqitur veten si të përndjekur dhe kundërshtarë të regjimit diktatorial, si po përpiqen mjaft krijues të asaj kohe sot.

A KA ARDHUR KOHA QË SHQIPTARËT TË FORMOJNË NJË LOB TË FUQISHËM BOTËROR PËR TË NDIHMUAR ÇËSHTJEN KOMBËTARE DHE TË VËRTETAT HISTORIKE TË KOMBIT TONË?

Këto të meta nuk na lejojnë që ne shqiptarët, ndonëse jemi intelektualisht mjaft të aftë, të krijojmë sot një lob botëror, si ebrenjtë e grekët për ta popullarizuar dhe mbrojtur çështjen tonë kombëtare, çështje që ka mbetur e pazgjidhur që nga vitet 1912-1913 kur Rusia Cariste e imponoi diplomacinë europiane dhe masakroi kufijtë historikë të trojeve shqiptare duke krijuar një Shqipëri, që përfshiu më pak se gjysma e trojeve shqipfolëse. Aftësitë intelektuale të popullit shqiptar shfaqen sot tek vlerësimet që u janë bërë Nënë Terezës si shenjtore shqiptare, mjekut Ferid Murat, fitues i çmimit Nobel, veprës së Ismail Kadaresë, kandidat disavjeçar për Nobel në letërsi, shkëlqimi i shumë shqiptarëve sot në fusha të ndryshme të dijes, artit, shkencës, diplomimi me rezultate të shkëlqyera i qindra bijve e bijave shqptare në shkollat e larta të botëe euro-atlantike, etj. Të shumtë janë shkrimtarët e talentuar shqiptarë të niveleve botërore që kanë bërë e po bëjnë emër që nga dhjetëvjetshat e fundit të shek. XX e deri sot si i ndjeri Martin Camaj, Isuf Luzaj, Visar Zhiti, Zija Çela, Faruk Myrtaj, Daut Gumeni, Agron Tufa, Xhevdet Bajraj, Fatmir Terziu, Luan Rama (Francë), Roland Gjoza, Naum Prifti, Luljeta Lleshanaku, Anton Çefa, Elvira Dones, Vahid Hyzoti, Petraq Risto, Kostaq Duka, Sami Miloshi (dhe piktor), Agim Bacelli, Vangjush Ziko, Robert Martiko (Greqi), Iliriana Sulkuqi, Julia Gjika, Aristotel Mici e shumë të tjerë që nuk po më kujtohen tani.

Me dhjetra janë shkrimtarët e talentuar që debutojnë në radhët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë të Amerikës drejtuar me horizont të gjerë prej Ramiz Gjinit, Adnan Mehmetit, Mëhill Velajt, të cilët po bëjnë një punë të lavdërueshme dhe me botimin e revistës “Pena”, me organizim sesionesh shkencore e ceremonish për dhënie cmimesh, botimin e përmbledhjes me shkrime nga Adriatic Press. Po kështu mund të përmend gazetarë të talentuar të Zërit të Amerikës si Elez Biberaj, Frank Shkreli, Idriz Lamaj, Sokol Paja, Astrit Lulushi, i ndjeri Dalip Greca, Vehbi Bajrami, Ruben Avxhiu, Alfons Grishaj, Gani Vila, Rafael Floqi, Gjergj Kovaçi, Qemal e Kozeta Zylo, Fuat Memelli, Flamur Vezaj, Eneida Jacaj, Kolec Traboini, Rafaela Prifti etj. Po kështu ka në diasporë shumë studiues të shquar midis cilëve mund të përmend disa si Ilia Karanxha (Itali), Ilia Ballauri (Greqi), Koço Mosko e Ilir Ikonomi (ShBA), pa e zgjatur listën, për të mos i lodhur lexuesit. Diaspora jonë e ShBA-ve ka politologë si Prof. Shinasi Rama e Grid Roji, Dr.Ines Murzaku, Dr.Paulin Marku etj. Nuk po përmend këtu qindra mjekë, inxhinierë, ekonomistë, arkitektë që po shquhen, si dhe mijëra biznesmenë që po lulëzojnë anembanë…

Thjesht dhe shkurt, jemi të aftë si individë, por nuk krijojmë dot lob botëror. E përgëzoj kryetarin e Federatës Pan Shqiptare Vatra, Dr. Elmi Berisha, për punën e shkëlqyer dhe vizionin që synon të përhapë modelin e organizimit të kësaj Federate dhe synimin e kanunores së saj (unifikimin e kombit shqiptar) midis intelektualëve, biznesmenëve dhe krijuesve shqiptarë kudo ku jetojnë e punojnë (Itali, Gjermani, Francë, Greqi, etj) dhe në Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi e Maqedoni të Veriut. Po të krijohen shoqata të ngjashme me Federatën Vatra në gjithë vendet ku ka emigrantë shqiptarë dhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku mbizotëron populli shqiptar, atëhere jemi afër mundësisë për krijimin e lobit shqiptar botëror. Duhet të mësojmë nga hebrenjtë dhe grekët…

PËR PUNËN TUAJ STUDIMORE E KËRKIMORE-SHKENCORE, CILAT KANË QENË VLERËSIMET QË U JANË DHËNË PREJ INSTITUCIONEVE SHKENCORE TË SHQIPËRISË?

Mbas largimit nga atdheu më 1996 e deri sot më janë dhënë vlerësime të plota me shkrim prej individësh si kolegët Akad. Prof. Jorgo Bulo, Prof. Klara Kodra, Dr. Joan Pelushi, Dr. Dom Nikë Ukgjini, Dr. Eris Rusi, Dr. Neli Naço dhe vlerësime me gojë në promovime librash prej Akad. Prof. Shaban Sinani, Akad. Prof. Floresha Dado, Prof. Viron Koka, Dr. Iliaz Gogaj, etj.  Mirëpo përsa i përket vlerësimit prej institucioneve shtetërore, asnjë instirucion shtetëror, as Akademia e Shkencave, ku kam qenë një nga punonjësit shkencorë të saj para largimit, nuk ka treguar interesim për botimet e mia. Nuk ka dashur të përkthejë e botojë anglisht ndonjë nga librat e mia, edhe pse disa prej tyre, si monografitë kushtuar jetës e veprës së M. Gramenos dhe Sh. Palit dhe studimi “Shën Pali në Dyrrach – korrigjim i disa shënimeve dhe hartave të Dhiatës së Re” Botimet Jozef 2023, 354 f., janë konsideruar nga studiues shqiptarë e të huaj si arritje me vlera të spikatura për historinë e krejt Ballkanit Perëndimor.

PROFESOR A MENDONI SE SHTETI SHQIPTAR KA BËRË SA DUHET NDAJ SHTRESËS SË ISH-TË PËRNDJEKURVE POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST NË SHQIPËRI?

Shqipëria u përball me një diktaturë të tmerrshme dhe lufta ndaj kundërshtarëve politike ishte  shkatërruese. U burgosën, u vranë, u internuan njerëz të pafajshëm. Të mbijetuarit e regjimit komunist, janë heronj të vërtetë pasi mbi ta u ushtrua një persekucion i pashëmbullt. Do të desha që dita 23 gusht të shpallet edhe prej qeverisë shqiptare si Dita e viktimave të komunizmi e Nazizmit dhe të organizohen çdo vit ceremoni pelegrinazhi tek monumentet e poeteve martirë Havzi Nela në Kukës, Genc Leka e Vilson Blloshmi në Librazhd dhe tek memoriali i Kampit të Tepelenës, në Lushnjë, Shkoder e kudo ka memorial që nderojnë viktimat dhe qendresatrët ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Këto ceremoni do të ndihmojnë në njohjen e tmerreve të komunizmit, ekspozimin e krimeve brutale, zbardhjen e të vërtetave të manipuluara nga propaganda komuniste, për emancipimin e popullit shqiptar, çlirimin e plotë të tij nga nostalgjia ndaj komunizmit.

I NDERUAR PROFESOR GJIKA, SIPAS JUSH ÇFARË ROLI PO LUAJNË MEDIAT SHQIPTARE NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE?

Këtu në ShBA, gazeta “Dielli” është tribunë e mbarë krijuesve shqiptarë pavarësisht se ku jetojnë. Ju si editor keni bërë një transformim të shkëlqyer të gazetës patriotike, historike e kulturore dhe ndiqni porositë e Federatës Pan Shqiptare Vatra, që t’i shërbeni unifikimit të kombit shqiptar, gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare. “Dielli” e “Vatra” janë nderi i kombit tone, janë krenaria jonë si shqiptarë e si shqiptaro-amerikanë. “Dielli” falë punës suaj si editor është shëndërruar në median më të besueshme e më gjithë përfshirëse duke dhënë një kontribut historik për çështjen tonë kombëtare. Tematikat, historike, analizat, reportazhet, intervistat, çështjet albanologjike, gjuhësore e kulturore, bashkë me promovimin e shkollave shqipe në të gjithë botën, e kanë kthyer “Diellin” në median më serioze e dinjitoze shqiptare në atdhe dhe në mërgatë, në shërbim të komunitetit e kombit tonë. “Dielli” po bën një punë fenomenale, monumentale për çdo shqiptar. Kurse në Shqipëri media kam vënë re se ka një qendrim prej njerke ndaj ne studiuesve dhe krijuesve, që jetojmë e punojmë jashtë atdheut. Aty sundon mendimi se Shqipëri është vetëm Shqipëria londineze, se kryesisht duhen vlerësuar krijuesit që jetojnë brenda Shqipërisë. Nuk duan ta pranojnë se në konceptin Shqipëri, në plan shkencor dhe artistik përfshihen gjithë arritjet e shqiptarëve kudo ku jetojnë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, diasporë e kudo.

Po përmend vetëm disa studiues, që ndoshta i përmenda ose jo më lart, si Ilia Karanxha (Itali), Ilia Ballauri e Dhori Qiriazi (Greqi), Astrit Lulushi, Ilir Ikonomi e unë (ShBA) dhe shkrimtarë të talentuar si Visar Zhiti, Faruk Myrtaj, Ani Gjika e Vangjush Ziko (Kanada), Grigor Jovani e Miho Gjini (Greqi), etj. Veprat e tyre nuk popullarizohen sa e si duhet në atdhe. Prezantohen në stenda të dorës së tretë nëpër panaire libri brenda, ndoshta dhe jashtë Shqipërisë, ose nuk paraqiten fare. I kanë  pak ose aspak në konsidetarë për t’u dhënë çmime. Në Rahovec të Kosovës, vendlindja e poetit Xhevdet Bajraj është krijuar “Klubi letrat “Xhevdet Bajraj” i cili organizon çdo vit tubime ku recitohen poezi të këtij poeti, kurse në Shqipëri nuk ka asnjë klub me emrin Visar Zhiti, Roland Gjoza, etj, që të organizojë takime e mbrëmje letrare ku të recitohen poezi të tyre dhe të lexohen vlerësime që janë shkruar për këta krijues, të cilët ka vite, që kanë zenë vendin e parë midis krijuesve shqiptarë. Atje duhet t’i përkasësh nomenklaturës së një partie politike që të bësh emër e të të jepen çmime dhe tituj nderi.

UROJ QË SË SHPEJTI DHE NË SHQIPËRINË TONË TË NDËRROJË MENTALITETI I VLERËSIMIT TË PUNËS SHKENCORE DHE KRIJIMTARISË ARTISTIKE, TË KETË NJË MËNYRË VLERËSIMI PËR TË GJITHË SHQIPTARËT PAVARËSISHT SE KU JETOJNË E KRIJOJNË. JU FALENDEROJ PËR MENDIMET E VYERA QË SHPREHËT NË KËTË INTERVISTË.

Falenderimin ua bëj unë juve, sepese jeni i pari editor gazete që më kërkuat një intervistë pas më shumë se 50 vjet punë shkencore. Punë e cila është vlerësuar së pari prej Akademikut rumun Harallamb Mihaesku që në vitin 1980, dhe  vijoi ndër vite prej studiuesish amerikanë e shqiptarë, dhe Akad. Prof. Rexhep Qosja me kolegë të tjerë, shumë prej të cilëve i përmenda më lart.  Mirënjohje dhe respekt të veçantë për ju dhe gazetën tone kombëtare “Dielli”.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT