INTERVISTOI: SOKOL PAJA/
Thanas Ligor Gjika veprimtar i spikatur i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës, është themeluesi i degës së Federatës Vatra në Worcester MA, vatran shembullor e kontributor model në Vatër e komunitet, një nga bashkëpunëtorët e rregullt të gazetës “Dielli”, ku ka botuar mbi 100 artikuj, ese, portrete, analiza, opinione, shënime, reportazhe, kujtime per kolegët e tij albanologë, etj. Ai ka botuar 12 libra me studime shkencore. Disa nga vlerësimet e studiuesve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut e të diasporës për studimet e tij janë botuar në gazeta të ndryshme kombëtare dhe të diasporës. Ai dhe bashkëshortja e tij Julia Gjika janë anëtarë aktivë e kontributorë të Federatës Vatra e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë të Amerikës. Gazeta “Dielli” vendosi t’i marrë këtij bashkëpunëtori të çmuar një intervistë special me rastin e 80-vjetorit të lindjes.
I NDERUAR PROFESOR GJIKA MË 2 KORRIK 2024 JU MBUSHNI 80 VJET, NGA TË CILAT 52 I KALUAT NË ATDHE DHE 28 KËTU NË EMIGRACION. SI MUND T’I KARAKTERIZONI KËTO DY PERIUDHA TË JETËS SUAJ?
U linda në Korçë e u rrita në gjirin e një familjeje emigranti të Amerikës, i cili ne fëmijëve na edukoi mentalitetin: “vetëm me punë të ndershme mund të arrini suksese, kujdes ligjet e shtetit nuk duhen shkelur”. Kjo kërkesa e dytë u përforcua edhe nga edukata fetare që na jepte nëna (të jeni kokulur dhe të bindur ndaj pushtetit) dhe sidomos nga propaganda e partisë shtet, e cila me forma të shumëllojshme krijonte trusni për të na mbushur mendjen se gjithçka që ndodhte në Shqipëri ishte për të mirën e atdheut e të popullit. Motra e madhe, Pandora, pasi mbaroi shkollën Pedagogjike punoi 8 vjetët e para të jetës mësuese fshatrave. Aty ajo njohu varfërinë dhe vështirësitë e jetës së fshatarëve. Krijoi bindjen se propaganda e partisë nuk përputhej me realitetin dhe vendosi të mos bëhej anëtare e partisë, si u bënë disa shoqe të saj. Kjo ide ndikoi që vëllai më i madh, Viktori, regjisor i talentuar dhe unë të gjenim sebepe për të mos pranuar që të bëheshim anëtarë partie kur na u bë kërkesa konkrete. Tek ne zjente fryma proamerikane e babait dhe ajo fetare e nënës. Kishim rezerva ndaj politikës së partisë. Por rezervat tona nuk ishin të ndriçuara nga ndonjë formim ideologjik. Ne nuk dinim ç’ ishte realisht demokracia perëndimore dhe për më tepër ne bënim pjesë në shtresat e varfra të popullit, babai ishte punëtor krahu (murator) kurse nëna shtëpiake. Këto shtresa partia i përkrahu për të treguar se ajo mbështeste shumicën dhe kishte të drejtë që luftonte shtresat e pasura, pakicën. Bijtë e shtresave të ulëta si ne përfituan për shkollim maksimal, emërim në punëra të mira, strehim, etj. Ne konkretisht na u dhanë tre apartamente banimi, një në Korçë e dy në Tirnë. Kështu që në ndërgjegjen tonë u krijua një farë ndjenje mirënjohjeje ndaj partisë shtet edhe pse këto të mira që po gëzonim ishin të pakta në krahasim me nevojat tona. Për shembull unë jetoja në një apartament me një dhomë e një kuzhinë ndonëse familja ime përbëhej nga 5 persona (nëna e moshuar, unë punonjës shkencor me tituj e grada, ime shoqe Julia dhe dy fëmijët me gjini të ndryshme), që të paktën duhet të jetonim në tre dhoma e një kuzhinë.
Ndërkohë gjatë punës në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave shihja mungesën e interesit të partisë shtet për studimin e gjithë trashëgimisë letrare dhe mbi të gjitha mosinteresimi për të na kualifikuar me konceptet e shkencës moderne botërore. I ishte dhënë prioritet studimeve të letërsisë së krijuar pas vitit 1944 (krijimtari 35-40 vjeçare), të cilën e studionin 6 kuadro, kurse letërsinë shqiptare të krijuar gjatë katër shekujve, që nga Marin Barleti i shek XVI-të deri më 1944 e sudionim vetëm 4 kuadro duke u marrë vetëm me letërsinë e Rilindjes e pak me atë të vitet të Pavarësisë. Asnjë prej nesh nuk u dërgua jashtë shtetit për të marrë kualifikimin e duhur. Shefi kryesor, Prof. Koço Bihiku ishte formuar në Bashkimin Sovjetik dhe përpiqej të na kualifikonte me disa nga rezultatet shkencore të teoricienit rus Genadi Pospiellov, i cili shquhej midis studiuesve të botës lindore, por kishte mangësi në analizën e formës së veprave letrare.
Asnjë nga ne nuk u dërgua të bënte kërkime arkivale e bibliografike në vendet ku kishin marrë formin e kishin punuar autorët që studionim. Jorgo Bulua studionte N. Frashërin, por nuk u dërgua kurrë në Stamboll; Klara Kodra studionte letërsinë e arbëreshëve të Italisë, por nuk u dërgua në Kalabri e Siqeli; Floresha Dado studionte A. Z. Çajupin, por nuk u dërgua në Kajro, dhe unë që studioja M. Gramenon nuk u dërgova në Bukuresht, ku jetoi mbi 20 vjet e u formua ky autor. Edhe më keq akoma ishte se duhej të shanim e kritikonim krijimtarinë e autorëve si Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, etj, të cilët i kishte anatemuar partia, ndonëse ne e shihnim se vepra e tyre kishte vlera. Mungesa e kurajos na bënte të pajtoheshim me ato orientime, gjë për të cilën, mua e disa kolegë na vriste e na vret ndërgjegja. Ishte e ndaluar të merreshim me analizën e të ribotonim krijime të autorëve ku kishte ide që binin ndesh me politikën e partisë. Për të mos e zgjatur po përmend poezinë “SHPREH” të N. Frashërit, të cilën të gjithë studiuesit e këtij autori, si Dhimitër Shuteriqi, J. Bulo, etj, edhe pse Naimi quhej “Poet Kombëtar” nuk e analizuan e nuk e botuan ndonjëherë.
KJO PERLË NAIMJANE ËSHTË NJË SFIDË E FUQISHME KUNDËR BOTËS LINDORE TË PRAPAMBETUR QË NA KA MBAJTUR NË VENDNUMËRO. BESOJ SE IA VLEN TA RIPRODHONI, MEQENËSE PJESA DËRMUESE E LEXUESVE NUK E KANË PARASYSH.
Me kënaqësi: SHPREH
Pse s’vjen o dit’e mirë?
Pse vallë nuk vjen?
Gjer kur në errësirë?
Mos Zotit i përlqen?
As hidhe gardhë
dhe shpejto pakë.
O ditë e bardhë
jakë, të pres e nuk vdes.
Jakë o ditë e uruar,
që lind nga perëndon,
atë anë e ke ndrituar,
e ne, pse na harron?
O dritë e jetës,
e së vërtetës,
e gazi i Zotit,
ndritna e ngrohna!
Këto vargje m’i recitoi së pari në intimitet studiuesi Engjëll Sedaj që erdhi nga Kosova për të marrë pjesë në takimin shkencor kushtuar 90-vjetorit të vdekjes së Naimit në tetor 1990. Unë hapa sytë se nuk i kisha lexuar në asnjë botim të deriatëhershëm. Ato tingëllonin shumë aktuale, prandaj ishin ndaluar të botoheshin e studioheshin…Për formimin tim demokratik luajtën rol të dukshëm shkrimet e të përndjekurve politikë si Lek Pervizi, Visar Zhiti, Eugjen Merlika, gazetar te VOA Frank Gj. Shkreli e Idriz Lamaj. Gjej rast këtu t’u shpreh mirënjofjen time.
JU, NË SHQIPËRI KISHIT MËSUAR RUSISHT, FRËNGJISHT E ITALISHT, POR NUK KISHIT MËSUAR ANGLISHT, SI ARRITËT QË MBAS ARDHJES NË SHBA, TË HARTONI STUDIME SHKENCORE DUKE SHFRYTËZUAR EDHE LITERATURË AMERIKANE?
Për të mbijetuar, kur erdha familjarisht në ShBA me lotarinë Green Card, në fillim, vitet 1996 -2000, pranova të kryeja çdo punë të rëndomtë si pjatalarës, puntor i turnit të tretë në fabrikë, roje nate, etj. Në vitet 1998-1999 ndoqa rregullisht një kurs të anglishtes falas në një shkollë nate bashkë me Julian ku hodhëm themelet e anglishtes me gojë e me shkrim. Më tej ecëm si autodidaktë . Në traditën gojore të Kishave të Krishtera Shqiptare, Katolike dhe Ortodokse, thuhej se Shën Pali kishte predikuar edhe në trojet ilire, madje se kishte krijuar edhe bashkësi me të krishterë, pra kishat e para. Këtë e kishin përmendur me shkrim edhe dijetari Faik Konica e pas tij Atë Fan Noli në librat e tyre. Mirëpo deklarata e tyre nuk ishte mbështetur me studime konkrete për të përcaktuar se kur dhe ku kishte punuar ky apostull në trojet tona. I nxitur nga thënia amerikane “Duaje të vërtetën më shumë se pasurinë, më shumë se lavdinë e madje edhe më shumë se dashurinë”, thënie që e lexova më 1999 këtu në emigracion, vendosa që të vërtetën (përhapjen e krishtërimit në botën ilire prej Sh. Palit, e vërtetë që nuk përmendej në shënimet sqaruese dhe hartat e “Biblës”, ta nxirrja në dritë.
SI E SHFRYTËZUAT “BIBLËN” NË RRUGËTIMIN E VEPRIMTARISË SUAJ KËRKIMORE SHKENCORE ME BAZË RELIGJIOZE?
Studimet e mia mbi problemin kur dhe ku u shkruan shkrimet e shenjta nuk ka synim religjioz, interpretimet teologjike për këto shkrime I kanë bërë me sukses shumë teologë dhe ato janë pasqyruar në shënimet shpjeguese të “Biblës”. Unë jam marrë me përmirësimin/ korrigjimin e shënimeve sqaruese që jepen në fund të cdo shkrimi të shenjë të botuar vetëm tek pjesa “Dhiata e Re” lidhur me problemin se kur e ku është shkruar secili shkrim dhe jo për të gjitha shkrimet e botuar në komplet “Biblëns” Këtu pashë se nuk ishte përmenduar askund se Sh.. Pali kishte punuar e shkruar edhe letra në qytete ilire, sot shqiptare. Për pasojë kjo dobësi ishte reflektuar dhe ne hartat e udhëtimeve misionare të Sh. Palit, madje ishte përhapur mendimi se krishtërimin e kishin sjellë tek ilirët gjatë shek. IV-V misionarë fetarë nga Roma. Unë vërtetova se krishtërimin na e solli Sh. Pali vetë me nxënësit e tij, pra se ky besim është po aq autokton tek ne sa tek grekët e romakët dhe nuk na e importuan misionarë të mëvonshëm nga Roma ose Kostandinopoja.
Gjatë prillit 2000 mora me vete “Biblën” shqip të botuar më 1994 nga Shoqëria Shqiptare e Biblës dhe shkova me pushime në Kaliforni tek nipi im Nikolin Bimbli, dentist. E rilexova “Dhiatën e Re”, që e kisha lexuar disa herë gjatë rinisë nën shtytjen e nënës dhe pastaj u përqendrova tek letra që Sh. Pali u kishte drejtuar besimtarëve të Romës gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar. Kapa aty faktin se ky apostull e kishte shkruar këtë letëre pasi kishte vizituar Provincën e Ilirikut, gjë që e kishte deklaruar vetë tek vargu “Romakëve 15:19”: “e predikova fjalën e Zotit Krisht në një qark nga Jerusalemi deri në Ilirik (mehri Illyricum)” dhe se autori nuk e kishte shkruar të gjithë këtë letër në një vend e në një kohë të vetme. Pasi u ktheva në apartamentin tim në South Lancaser MA iu futa skedimit të shënimeve sqaruese të botuar në fund të shkrimeve të “Diatës së Re” tek “Bibla” anglisht Thomas Nelson Publishing. Mblodha të dhëna dhe nga shënime sqaruese të botimeve të tjera të “Biblës” në anglisht, italisht, frengjisht e spanjisht. E plotësova skedarin tim edhe me shënime që nxora nga shtatë biografi të shkruara për jetën e Sh. Palit anglisht. Duke analizuar këto të dhëna hartova studimin monogrsfik “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” ku vendosa një përmbledhje që e përktheu anglisht vajza jonë Ani Gjika. Përmledhja u diskutua prej Dr. Norman Wendth, President i Atlantic Union College dhe prej pedagogëve të Katedrës së Teologjisë së këtij kolegji. Ata i pranuan arritjet e mia lidhur me përcaktimet e reja që jepja për kohën e vendin e hartimit të shkrimeve të shenjta të “Dhiatës së Re”, pra dhe faktin se ky apostull kishte punuar edhe në Dyrrach (Durrës) e Butrint (Buthrot). Këtë botim e mbështetën jo vetëm pedagogët e Atlantic Union College, të cilët sponsorizuan botimin, por edhe studiuesi shqiptar Peshkop Joan Pelushi, Mitropoliti i Korçës, i cili hartoi parathënien e librit.
Më tej i pasurova të dhënat e mia me dokumente e fakte të tjera dhe arrita të hartoj e botoj anglisht studimin biografik “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut” OMSCA-1 Tiranë 1914, 505 faqe, të cilën krahas përmbledhjes anglisht prej 44 faqesh, e paisën me vlerësime Prof. R. Dean Davis, shef i Katedrës së Teologjisë së Atlantic Union College dhe Akad. Prof. Jorgo Bulo. Këtë studim e pranoi Biblioteka e Selisë së Shenjtë si kopje të vlefshme dhe e ruan në theaaret e saj.
Meqenëse institucionet shkencore zyrtare të Shqipërisë dhe shtëpia botuese e ABS (Albanian Bible Society) nuk treguan interes për ta përkthyer e botuar anglisht as këtë studim, unë vijova punën dhe tani arrita të botoj anglisht me ndihmën financiare të miqve të mij, disa prej të cilvve janë anëtarë të kryesisë së Federatës Vatra studimin tim në variantin përfundimtar “Saint Paul in Dyrrach – corrections of some notes and maps in the New Testament” Jozef Publishing’s 2024, 342 faqe me harta të shtypit të lartë hartuar prej meje dhe Ing. Aurel Kaçulini. Libri është paisur me vlerësimet e Dr. Joan Palushi, Mitropolit i Korçës; Dr. Dom Nikë Ukgjini, punonjës shkencor në Institutin e Studimeve Teologjike Katolike Shkodër dhe Fotaq Andrea, studiues i pavarur, Strasburg, Francë. Ky libër përfundoi së shtypuri dhe po shpërndahet midis specialistëve dhe institucioneve që merren me studimin e “Dhiatës së Re” për ta përdorur si material bazë në diskutime shkencore që shpresoj të organizohen së shpejti në Tiranë dhe në ShBA.
PËRVEÇ KËTIJ STUDIMI, QË MUND TA QUAJ “KAPAK FLORIRI” MBI STUDIMET TUAJA KUSHTUAR JETËS E VEPRËS SE AUTORËVE TË “DHIATËS SË RE” JU LUTEM A MUND TË PËRMENDNI DHE DISA STUDIME QË JU KANË SJELLË KËNAQËSI TË VEÇANTË NË PUNËN TUAJ STUDIMORE?
Të tilla studime kanë qenë monografia “Mihal Grameno Jeta dhe Vepra” MILENIUM I RI Durrës 2012, 505 f., që e botova në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë pasi e ripunova variantin që kisha hartuar në vitet 1980-1985, i cili vuante nga politizimi. Për këtë monografi dhanë vlerësime Akad. Prof. Jorgo Bulo dhe Prof. Agim Vinca i Prishtinës. Më tej mund të përmend përmbledhjet “ Mosdënimi i krimit është krim i ri” OMSCA-1 2016, 450 f., paraprirë me hyrje të hartuar nga Prof. Isak Shema, pedagogi letësisë shqiptare në Universitetin e Prishtinës; “ Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm” KUMI 2018, 451 f., i paprprirë nga parathënia e shkruar me akribi shkencore prej Prof. Sadri Fetiu, ish Drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, libër që u promovua tek Universiteti Shtetëror i Tetovës Maqedoni e Veriut, ku dhanë vlerësimet e tyre Prof. Salajdin Mehmeti, Prof. Ejup Ajdini, etj; “Ecja drejt së djathtës dëshmi morale dhe mençurie” Botimet Jozef 2021, 374 f., që u promovua në Durrës ku folën studiuesit Hasan Ulqini, Shpend Topollaj, drejtoresha e Bibliotekës Popullore Durrës, etj. Midis eseve dhe kujtimeve dua të përmend esetë kushtuar Prof. Sami Repishtit, Astrit Lulushit, që u vlerësuan si bërthama shkencore për hartim studimesh të plota mbi jetën dhe veprë e këtyre krijuesve shumëdimensionalë. Po ashtu përmend kujtimet për Profesor Eqrem Çabejn, për albanologun kanadez Robert Elsie, dhe kujtimet për punonjësit shkodranë të Instituteve të Alanologjisë (Injac Zamputi, Zija Shkodra, Rok Zojzi, Palok Daka, Kolec Topalli, etj) dhe kujtimet për studiuesit e talentuar të Kosovës, ku spikatin karakterizimet e krijimtarisë së Prof. Rexhep Qosja, Agim Vinca, Sadri Fetiu, etj.
SI STUDIUES QË JENI MARRË ME JETËN E VEPRËN E SHUMË KRIJUESVE E STUDIUESVE SHQIPTARË GJATË MË SHUMË SE 50 VJETËVE, JU LUTEM A MUND TË SHPREHNI VLERËSIMIN TUAJ PËR MENDËSINË E POPULLIT SHQIPTAR?
Ndonëse nuk jam sociolog e as psikolog, gjatë punës sime si studiues i letërsisë dhe i historisë së popullit shqiptar, kam vënë re se ne kemi disa tipare shumë pozitive si trimërinë, durimin ndaj vështirësive, mikpritjen, respektimin e të vdekurit, mirënjohjen, etj. Mirëpo krahas këtyre tipareve, të cilat na u tronditën gjatë viteve të diktaturës komuniste, e që po rigjenerohen me shpejtësi këto dhjetvjetshat e fundit; ne kemi dhe disa të meta mentaliteti, të cilat nuk po i luftojmë sa e si duhet.
Ne shqiptarëve na pëlqen vetja, duam të jemi i pari dhe nuk e pranojmë mendimin ndryshe. Jo vetëm nuk e pranojmë mendimin ndryshe, por përpiqemi ta demonizojmë atë që shprehet kundër. Ne nuk pranojmë kritikat që na bëhen dhe nuk dijmë e nuk duam të kërkojmë të falur për gabimet e krimet që kemi bërë në kohën e diktaturës dhe për ato që po vijojmë të bëjmë edhe mbas ndërrimit të regjimit. Intelektualët dhe krijuesit tanë që jetonin jashtë burgjeve e kampeve të internimit gjatë kohës së diktaturës besonin se sistemi mund të riformohej nga brenda, gjë që as ndodhi as mund të ndodhte, sepse askush prej tyre nuk u angazhua në një luftë serioze për transformime të tilla. Ata nuk luftuan që ta demilitarizonin kulturën, si kërkonte Pol Sartri, prandaj ata duhet të pranojnë sot se nuk ishin aspak disidente dhe nuk duhet të përpiqen për ta paraqitur veten si të përndjekur dhe kundërshtarë të regjimit diktatorial, si po përpiqen mjaft krijues të asaj kohe sot.
A KA ARDHUR KOHA QË SHQIPTARËT TË FORMOJNË NJË LOB TË FUQISHËM BOTËROR PËR TË NDIHMUAR ÇËSHTJEN KOMBËTARE DHE TË VËRTETAT HISTORIKE TË KOMBIT TONË?
Këto të meta nuk na lejojnë që ne shqiptarët, ndonëse jemi intelektualisht mjaft të aftë, të krijojmë sot një lob botëror, si ebrenjtë e grekët për ta popullarizuar dhe mbrojtur çështjen tonë kombëtare, çështje që ka mbetur e pazgjidhur që nga vitet 1912-1913 kur Rusia Cariste e imponoi diplomacinë europiane dhe masakroi kufijtë historikë të trojeve shqiptare duke krijuar një Shqipëri, që përfshiu më pak se gjysma e trojeve shqipfolëse. Aftësitë intelektuale të popullit shqiptar shfaqen sot tek vlerësimet që u janë bërë Nënë Terezës si shenjtore shqiptare, mjekut Ferid Murat, fitues i çmimit Nobel, veprës së Ismail Kadaresë, kandidat disavjeçar për Nobel në letërsi, shkëlqimi i shumë shqiptarëve sot në fusha të ndryshme të dijes, artit, shkencës, diplomimi me rezultate të shkëlqyera i qindra bijve e bijave shqptare në shkollat e larta të botëe euro-atlantike, etj. Të shumtë janë shkrimtarët e talentuar shqiptarë të niveleve botërore që kanë bërë e po bëjnë emër që nga dhjetëvjetshat e fundit të shek. XX e deri sot si i ndjeri Martin Camaj, Isuf Luzaj, Visar Zhiti, Zija Çela, Faruk Myrtaj, Daut Gumeni, Agron Tufa, Xhevdet Bajraj, Fatmir Terziu, Luan Rama (Francë), Roland Gjoza, Naum Prifti, Luljeta Lleshanaku, Anton Çefa, Elvira Dones, Vahid Hyzoti, Petraq Risto, Kostaq Duka, Sami Miloshi (dhe piktor), Agim Bacelli, Vangjush Ziko, Robert Martiko (Greqi), Iliriana Sulkuqi, Julia Gjika, Aristotel Mici e shumë të tjerë që nuk po më kujtohen tani.
Me dhjetra janë shkrimtarët e talentuar që debutojnë në radhët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë të Amerikës drejtuar me horizont të gjerë prej Ramiz Gjinit, Adnan Mehmetit, Mëhill Velajt, të cilët po bëjnë një punë të lavdërueshme dhe me botimin e revistës “Pena”, me organizim sesionesh shkencore e ceremonish për dhënie cmimesh, botimin e përmbledhjes me shkrime nga Adriatic Press. Po kështu mund të përmend gazetarë të talentuar të Zërit të Amerikës si Elez Biberaj, Frank Shkreli, Idriz Lamaj, Sokol Paja, Astrit Lulushi, i ndjeri Dalip Greca, Vehbi Bajrami, Ruben Avxhiu, Alfons Grishaj, Gani Vila, Rafael Floqi, Gjergj Kovaçi, Qemal e Kozeta Zylo, Fuat Memelli, Flamur Vezaj, Eneida Jacaj, Kolec Traboini, Rafaela Prifti etj. Po kështu ka në diasporë shumë studiues të shquar midis cilëve mund të përmend disa si Ilia Karanxha (Itali), Ilia Ballauri (Greqi), Koço Mosko e Ilir Ikonomi (ShBA), pa e zgjatur listën, për të mos i lodhur lexuesit. Diaspora jonë e ShBA-ve ka politologë si Prof. Shinasi Rama e Grid Roji, Dr.Ines Murzaku, Dr.Paulin Marku etj. Nuk po përmend këtu qindra mjekë, inxhinierë, ekonomistë, arkitektë që po shquhen, si dhe mijëra biznesmenë që po lulëzojnë anembanë…
Thjesht dhe shkurt, jemi të aftë si individë, por nuk krijojmë dot lob botëror. E përgëzoj kryetarin e Federatës Pan Shqiptare Vatra, Dr. Elmi Berisha, për punën e shkëlqyer dhe vizionin që synon të përhapë modelin e organizimit të kësaj Federate dhe synimin e kanunores së saj (unifikimin e kombit shqiptar) midis intelektualëve, biznesmenëve dhe krijuesve shqiptarë kudo ku jetojnë e punojnë (Itali, Gjermani, Francë, Greqi, etj) dhe në Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi e Maqedoni të Veriut. Po të krijohen shoqata të ngjashme me Federatën Vatra në gjithë vendet ku ka emigrantë shqiptarë dhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku mbizotëron populli shqiptar, atëhere jemi afër mundësisë për krijimin e lobit shqiptar botëror. Duhet të mësojmë nga hebrenjtë dhe grekët…
PËR PUNËN TUAJ STUDIMORE E KËRKIMORE-SHKENCORE, CILAT KANË QENË VLERËSIMET QË U JANË DHËNË PREJ INSTITUCIONEVE SHKENCORE TË SHQIPËRISË?
Mbas largimit nga atdheu më 1996 e deri sot më janë dhënë vlerësime të plota me shkrim prej individësh si kolegët Akad. Prof. Jorgo Bulo, Prof. Klara Kodra, Dr. Joan Pelushi, Dr. Dom Nikë Ukgjini, Dr. Eris Rusi, Dr. Neli Naço dhe vlerësime me gojë në promovime librash prej Akad. Prof. Shaban Sinani, Akad. Prof. Floresha Dado, Prof. Viron Koka, Dr. Iliaz Gogaj, etj. Mirëpo përsa i përket vlerësimit prej institucioneve shtetërore, asnjë instirucion shtetëror, as Akademia e Shkencave, ku kam qenë një nga punonjësit shkencorë të saj para largimit, nuk ka treguar interesim për botimet e mia. Nuk ka dashur të përkthejë e botojë anglisht ndonjë nga librat e mia, edhe pse disa prej tyre, si monografitë kushtuar jetës e veprës së M. Gramenos dhe Sh. Palit dhe studimi “Shën Pali në Dyrrach – korrigjim i disa shënimeve dhe hartave të Dhiatës së Re” Botimet Jozef 2023, 354 f., janë konsideruar nga studiues shqiptarë e të huaj si arritje me vlera të spikatura për historinë e krejt Ballkanit Perëndimor.
PROFESOR A MENDONI SE SHTETI SHQIPTAR KA BËRË SA DUHET NDAJ SHTRESËS SË ISH-TË PËRNDJEKURVE POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST NË SHQIPËRI?
Shqipëria u përball me një diktaturë të tmerrshme dhe lufta ndaj kundërshtarëve politike ishte shkatërruese. U burgosën, u vranë, u internuan njerëz të pafajshëm. Të mbijetuarit e regjimit komunist, janë heronj të vërtetë pasi mbi ta u ushtrua një persekucion i pashëmbullt. Do të desha që dita 23 gusht të shpallet edhe prej qeverisë shqiptare si Dita e viktimave të komunizmi e Nazizmit dhe të organizohen çdo vit ceremoni pelegrinazhi tek monumentet e poeteve martirë Havzi Nela në Kukës, Genc Leka e Vilson Blloshmi në Librazhd dhe tek memoriali i Kampit të Tepelenës, në Lushnjë, Shkoder e kudo ka memorial që nderojnë viktimat dhe qendresatrët ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Këto ceremoni do të ndihmojnë në njohjen e tmerreve të komunizmit, ekspozimin e krimeve brutale, zbardhjen e të vërtetave të manipuluara nga propaganda komuniste, për emancipimin e popullit shqiptar, çlirimin e plotë të tij nga nostalgjia ndaj komunizmit.
I NDERUAR PROFESOR GJIKA, SIPAS JUSH ÇFARË ROLI PO LUAJNË MEDIAT SHQIPTARE NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE?
Këtu në ShBA, gazeta “Dielli” është tribunë e mbarë krijuesve shqiptarë pavarësisht se ku jetojnë. Ju si editor keni bërë një transformim të shkëlqyer të gazetës patriotike, historike e kulturore dhe ndiqni porositë e Federatës Pan Shqiptare Vatra, që t’i shërbeni unifikimit të kombit shqiptar, gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare. “Dielli” e “Vatra” janë nderi i kombit tone, janë krenaria jonë si shqiptarë e si shqiptaro-amerikanë. “Dielli” falë punës suaj si editor është shëndërruar në median më të besueshme e më gjithë përfshirëse duke dhënë një kontribut historik për çështjen tonë kombëtare. Tematikat, historike, analizat, reportazhet, intervistat, çështjet albanologjike, gjuhësore e kulturore, bashkë me promovimin e shkollave shqipe në të gjithë botën, e kanë kthyer “Diellin” në median më serioze e dinjitoze shqiptare në atdhe dhe në mërgatë, në shërbim të komunitetit e kombit tonë. “Dielli” po bën një punë fenomenale, monumentale për çdo shqiptar. Kurse në Shqipëri media kam vënë re se ka një qendrim prej njerke ndaj ne studiuesve dhe krijuesve, që jetojmë e punojmë jashtë atdheut. Aty sundon mendimi se Shqipëri është vetëm Shqipëria londineze, se kryesisht duhen vlerësuar krijuesit që jetojnë brenda Shqipërisë. Nuk duan ta pranojnë se në konceptin Shqipëri, në plan shkencor dhe artistik përfshihen gjithë arritjet e shqiptarëve kudo ku jetojnë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, diasporë e kudo.
Po përmend vetëm disa studiues, që ndoshta i përmenda ose jo më lart, si Ilia Karanxha (Itali), Ilia Ballauri e Dhori Qiriazi (Greqi), Astrit Lulushi, Ilir Ikonomi e unë (ShBA) dhe shkrimtarë të talentuar si Visar Zhiti, Faruk Myrtaj, Ani Gjika e Vangjush Ziko (Kanada), Grigor Jovani e Miho Gjini (Greqi), etj. Veprat e tyre nuk popullarizohen sa e si duhet në atdhe. Prezantohen në stenda të dorës së tretë nëpër panaire libri brenda, ndoshta dhe jashtë Shqipërisë, ose nuk paraqiten fare. I kanë pak ose aspak në konsidetarë për t’u dhënë çmime. Në Rahovec të Kosovës, vendlindja e poetit Xhevdet Bajraj është krijuar “Klubi letrat “Xhevdet Bajraj” i cili organizon çdo vit tubime ku recitohen poezi të këtij poeti, kurse në Shqipëri nuk ka asnjë klub me emrin Visar Zhiti, Roland Gjoza, etj, që të organizojë takime e mbrëmje letrare ku të recitohen poezi të tyre dhe të lexohen vlerësime që janë shkruar për këta krijues, të cilët ka vite, që kanë zenë vendin e parë midis krijuesve shqiptarë. Atje duhet t’i përkasësh nomenklaturës së një partie politike që të bësh emër e të të jepen çmime dhe tituj nderi.
UROJ QË SË SHPEJTI DHE NË SHQIPËRINË TONË TË NDËRROJË MENTALITETI I VLERËSIMIT TË PUNËS SHKENCORE DHE KRIJIMTARISË ARTISTIKE, TË KETË NJË MËNYRË VLERËSIMI PËR TË GJITHË SHQIPTARËT PAVARËSISHT SE KU JETOJNË E KRIJOJNË. JU FALENDEROJ PËR MENDIMET E VYERA QË SHPREHËT NË KËTË INTERVISTË.
Falenderimin ua bëj unë juve, sepese jeni i pari editor gazete që më kërkuat një intervistë pas më shumë se 50 vjet punë shkencore. Punë e cila është vlerësuar së pari prej Akademikut rumun Harallamb Mihaesku që në vitin 1980, dhe vijoi ndër vite prej studiuesish amerikanë e shqiptarë, dhe Akad. Prof. Rexhep Qosja me kolegë të tjerë, shumë prej të cilëve i përmenda më lart. Mirënjohje dhe respekt të veçantë për ju dhe gazetën tone kombëtare “Dielli”.