• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKOLLA SHQIPE “FAN S. NOLI” NË HAMBURG, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE TË GJERMANISË

May 25, 2024 by s p

Nadire Rexhepi, mësuese e shkollës shqipe “Fan S. Noli” në Hamburg, Gjermani, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Hamburg, Gjermani, nëpërmjet mësimit të gjuhës, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Nadire Rexhepi bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “FAN S. NOLI” NË HAMBURG

Natyrisht që në Hamburg kemi një numër të konsiderueshëm të diasporës shqiptare dhe mësimi i gjuhës shqipe nuk ka munguar dhe besoj nuk do mungoj. Shqiptarët kanë dëshmuar me shekuj që kanë rruajtur identitetin e tyre edhe pse janë përballur me probleme nga më të ndyshmet dhe fatkeqësisht shumica kanë qenë punëtorë krahu. Më herët në Hamburg ka pasur klasa të mësimit shqip, por kanë funksionuar në mënyrë të izoluar si p.sh në një shkollë apo edhe në xhami. Ajo çka mungonte ishte një mundësi që vinte nga vetë ministria e arsimit sikur e kishin disa gjuhë të tjera siç është turqishtja, rusishtja, spanjishtja etj. Ky fakt na shtyu neve të merremi me integrimin e gjuhës shqipe në plan-programet shkollore që tani e tutje të jetë afatgjate pa marrë parasysh a do jemi ne apo gjeneratat e ardhshme. Mësimi Shqip “Fan S. Noli” pranë shkollës Maretstrasse në Hamburg ka një historik të shkurt por shumë intensiv dhe me arritje goxha të mëdhaja. Në shkollën tonë ne kemi filluar që nga viti 2019. Unë dhe kolegu im Muhamet Idrizi, të sapo ardhur në Hamburg dhe të dy mësimdhënës në të njëjtën shkollë vërejtëm që gjuha shqipe nuk figuronte në plan-programet e mësimit të gjuhëve të prejardhjes të cilët përpilohen nga ministria e arsimit të Hamburgut. Kështu që së pari në një të diele mbas dite organizuam një mbledhje për të gjithë shqiptarët që kishin interesim ti dërgonin fëmijët e tyre në mësimin e gjuhës shqipe. Në atë mbledhje kishte diku rreth 120 pjesëmarrës dhe u regjistruan diku rreth 80 nxënës. Nga ajo ditë ne e pamë se interesimi ishte shumë i madh dhe hapi rradhës ishte bashkëpunimi me drejtorinë e shkollës dhe me ministrinë e arsimit. Po atë vit filluam edhe me mësimin, ku për arsye të kapaciteteve patëm mundësi vetem dy paralele me i hap. Një vit më pas na u bashkangjit edhe mësuesja Ariola Mukaj kështu që krijuam tri paralele tre dhe mësimi zhvillohet 2 orë në javë ditën e martë nga ora 16:00. Paralelisht mësimi i gjuhës shqipe në shkollën tonë zhvillohet edhe në formën e një kursi zgjedhor i cili ndiqet nga nxënësit e të gjitha nacionaliteteve. Ky mësim zhvillohet ditën e enjte në ora 14:00. Duhet theksuar që në Hamburg mësimi i gjuhëve të prejardhjes përkrahet dhe menaxhohet nga ministria e arsimit të Hamburgut. Suksesi i rradhës pastaj ishte ku ministria e arsimit të Hamburgut vendosi ti ripërpilojë plan-programet për të gjitha lëndët, ndër të tjera edhe plan-programin për gjuhët e prejardhjes, ku unë u ftova të jem pjesë e grupit punues në përpilimin e këtij plan-programi për shkollat fillore dhe isha përgjegjëse për gjuhën shqipe. Kjo si të thuash vendosi vulën e intitucionalizimit të gjuhës shqipe në Hamburg. Gjithashtu gjuha shqipe tani më është pjesë edhe e plan-programit të gjuhëve të reja të huaja krahas gjuhës spanjolle, ruse, frënge e të tjera, ku nxënësit nga klasa e pestë mund të zgjedhin gjuhën shqipe si gjuhë e dytë apo e tretë e huaj. Mësimi i gjuhës shqipe si gjuhë e huaj zhvillohet duke nisur nga 3-4 orë në javë. Si qërshia mbi tortë e gjithë këtij suksesi është që nota mësimit shqip shënohet në dëftesat shkollore gjë që ndikon edhe në mesataren e notës së përgjithshme. Ky fakt tregon që mësimi i gjuhës së prejardhjes ka rëndësinë e vet në sistemin shkollor në Hamburg dhe nxënësit që ndjekin këtë mësim përveç përfitimeve tjera ju vlersohet edhe mundi që japin në mësimin e gjuhës së tyre amtare. Poashtu nga ministria e arsimit organizohen vazhdimisht puntori, trajnime dhe evente të ndryshme ku tani më gjuha shqipe është pjesë e pandarë e tyre. Kjo vë në dukje që shqiptarët këtu në Hamburg janë pjesë e kësaj shoqërie multietnike, me të gjitha të drejtat si komunitetet tjera. Neve na ngelet vetëm ti shfrytëzojmë këto mundësi që ofrojnë shtetet demokratike.

SUKSESI I MËSIMIT SHQIP ËSHTË MERITË E PRINDËRVE DHE NXËNËSVE

Siç e ceka më lartë në Hamburg punohet me plan-programet e përpiluara nga ministria, kurse ne mësuesit përpilojmë kurrikulen shkollore në bazë të këtij plan-programi duke ju përshtatur kërkesave të shkollës dhe nxënësve. Me prindërit që i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën tonë bashkëpunimi është i jashtëzakonshëm dhe unë shpesh e them që suksesi i mësimit shqip tek ne është meritë e prindërve dhe nxënësve tanë, sepse pa angazhimin dhe sakrificën e tyre ne si mësues nuk do arrinim këtu ku jemi. Prindërit dhe nxënësit tanë janë pjesë edhe e organizimeve që bëjmë për festat e rëndësishme kombëtare. Po ashtu këta prindër bëjnë thirje tek prindërit tjerë që ti sjellin fëmijët e tyre në mësimin shqip. Unë jam shumë falenderuse ndaj prindërve dhe nxënësve të mi që na lehtësojnë një pjesë të madhe të punës sonë. Lutja ime për të gjithë prindërit shqiptar në diasporë është natyrisht që komunikimin në familje ta bëjnë gjithomonë në gjuhën shqipe dhe të marrën kohë që me fëmijët e tyre të shohin qoftë një film, të dëgjojnë këngë të mirëfillta shqiptare duke diskutuar textin e tyre apo të lexojnë një libër në gjuhën shqipe. Gjuha shqipe nuk mund të mësohet duke ndjekur mësimin një herë në javë. Mësimi shqip duhet të shërbej si një vatër ku merret dija dhe jepet dashuria për mësimin shqip dhe po ashtu të jetë një piktakim i nxënësve ku përjetohet më së miri ndienja e të qenit shqiptar dhe ne mësuesit jemi gjithmon të hapur për ti përkrah nxënësit në arritjen e qëllimeve të tyre.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË GJERMANI

Është e pa diskutueshme që mësimi shqip është forma më e mirë e ruatjes së identitetit kombëtar, ku dhe vetë faktet tregojnë që kombi shqiptar ka shumë vajza dhe djem edhe pse të lindur dhe rritur jashtë trojeve etnike kanë bërë emër të njohur në shumë sfera të ndryshme ku dhe promovojnë gjuhën shqipe dhe janë krenarë që janë shqiptar. Kjo bënë që dhe gjeneratat e reja në diasporë tia dinë vlerën më shumë gjuhës dhe kulturës shqiptare. Nga ky fakt ne kemi edhe shumë nxënës të nacionaliteteve të ndryshme që shprehin dëshirën të mësojnë gjuhën shqipe sepse ndikohen nga muzika, arti, kultura që promovojnë bijat dhe bijtë tanë në diasporë, p.sh shumë texte të këngëve janë një miks i gjuhës gjermane dhe gjuhës shqipe. Po ashtu dhe humori i shqiptarëve në diasporë ndiqet shumë nga nxënësit gjermanfolës. E kisha një rast në klasën time, ku një nxënëse gjermane ndiqte mësimin shqip dhe dinte çdo pjesë humoristike të një humoristi shqiptar që vepron në Gjermani, që unë personalisht nuk e kisha dëgjuar më parë.

SHOQËRIA GJERMANE PRANON ME DASHURIR KOMBET E ARDHURA

Shoqëria gjermane në përgjithësi është shoqëri demokratike dhe pranon me dashuri kur kombet e ardhura këtu mundohen të ruajnë identitetin dhe gjuhën e tyre, por duke mos anashkaluar integrimin dhe gjuhën e shtetit ku jetojnë. Përderisa institucionet shkollore përkrahin me plot kuptimin e fjalës mësimin e gjuhës së prejardhjes shihet qartë që ne në Gjermani nuk kemi pengesa të asaj natyre siç i kanë shqiptarët në disa vende ku mësuesit detyrohen në formë vullnetare të mbajnë mësimin shqip. Në këtë rast do thoja jemi me fat që jetojmë në Gjermani.

MËSIMI SHQIP ËSHTË NËN VARËSINË E MINISTRISË SË ARSIMIT

Bashkëpunime të tilla janë gjithmon të mirëpritura, por pasi mësimi shqip është nën ingerenca të ministrisë së arsimit nuk është se është i mvarur nga shoqatat dhe organet shtetërore të vendeve amë. Natyrisht që vlersojmë çdo përpjekje profesionale dhe dashamirëse nga cila do anë që vjen, por duhet patur kujdes që mos bëjmë keqpërdorim në emër të kauzës që kemi të gjithë ruajtja e identitetit dhe gjuhës shqipe.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Besoj që koha e pandemisë na mësoi të gjithëve që teknologjia duhet të jetë pjesë e pandarë e mësimdhënjes dhe mësimnxënies. Në kohën e pandemisë edhe mësimin shqip u detyruam një kohë ta mbajmë në formën online dhe mund të them që përfituam përvoja shumë të bukura edhe ne mësuesit edhe nxënësit por edhe prindërit. Gjatë asaj kohe edhe shumë prindër ndiqnin në mënyrë indirekte mësimin shqip. Dmth në çdo shtëpi dërgonim atmosferë mësimi. Natyrisht që edhe tani teknologjia është pjesë e domosdoshme e mësimit tonë. Fëmijët që janë lindur dhe rritur këtu është fakt që gjuhën shipe se njohin mirë dhe mund të them që shumica e tyre mësojnë gjuhën shqipe si gjuhë e huaj. Unë personalisht nuk e shoh si vështirësi se tani më e njoh klientelën dhe mësimin e përshtas në bazë të nivelit dhe kërkesave të nxënësve.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE DHE RRITJA E PATRIOTIZMIT TE FËMIJËT

Rreth kësaj pyetje nuk mund të bazohem në ndonjë statistikë, sepse për këtë ndoshta duhet të bëhen studime të posaçme, por mund të theksoj disa shembuj: krejt në fillimet e mija si mësimdhënëse e gjuhës shqipe në orën e parë kur njoftohemi me njëri tjetrit përgjigja e shumicës në pyetjen time se nga cili vend vini ishte: “Unë vij nga Gjermania”. Edhe pse në një farë mënyre arsyetoja përgjigjen e tyre, por të ju them të drejtën mua më dhimte shpirti. Mirëpo tani nxënësit e mi përgjigjen që vinë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut apo kudo ku ka shqiptarë. Dmth janë vetëdijësuar që të lindesh dhe rritesh në një vend nuk dmth që i takon atij kombi. Shembulli tjetër është që kur vjen koha e organizimit të ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës motivimi është shumë i ngritur, krenaria e tyre kur vishen me veshje kombëtare është e dukshme dhe mbi të gjitha në muajt kur nisim provat për festat shtohet dukshëm dhe numri i nxënësve. Unë mendoj që mësimi gjuhës shqipe nuk shërben vetëm për ngritjen e ndenjës patriotike tek nxënësit, por është një fole ku fëmijët shqiptar gjejnë identitetin e tyre. Çdo qenie njerëzore ka nevojë herët apo vonë të ndiejë se ku përket dhe këto fëmijë në fillimet e tyre në shkollat gjermane ngadalë e vërejnë se nuk mund të jenë gjerman sado mirë të jenë të integruar. Me kohë mësojnë që ti takosh një kombi është krenari dhe nuk të ndalon të bëhesh njeri i përkryer në atë vend dhe shoqëri ku jeton.

KUSH ËSHTË MËSUESJA NADIRE REXHEPI?

Unë jam Nadire Rexhepi e lindur dhe rritur në Maqedinin e Veriut më saktësisht nga fshati Çegran i Gostivarit. Shkollën fillore kam kryer në Çegran, të mesmen dhe studimet Bachelor dhe Master në Tetovë. Gjatë studimeve kam qenë pjesë e shkëmbimeve studentore në Mynih të Gjermanisë dhe në Zvicër kam kryer praktikën shkollore. Po ashtu kam qenë pjesë e një rrjeti të expertëve të një projekti i cili zgjati 3 vite dhe ishte nën organizimin e shkollës së lartë pedagogjike të Zyrihut, ku tema kryesore ka qenë “Dinamika e të rriturit në dhe midis sistemeve të ndryshme referimesh dhe normash”. Në këtë projekt kemi pasur kryesisht puntori për mësimin e gjuhës shqipe në Zvicër dhe krijimin e shkollave demokratike në vendet tona Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Rreth këtij projekti ka dy botime në shqip dhe gjermanisht me titullin “Për Dinamikën e të rriturit në dhe midis sistemeve të ndryshme referimesh dhe normash”, po ashtu nën përkrahjen financiare të Zvicrës kemi bërë një studim shkencor me temën “Të rrinjtë me origjinë shqiptare në mes të identitetit kombëtar dhe religjiozitetit”. Këto përvoja më kanë ngritur profesionalisht dhe ndihmuar në punën e mësimdhënies tani si mësuese e gjuhës gjermane dhe gjuhës shqipe në Hamburg. Pas shpërnguljes sime në Hamburg në nëntor të vitit 2016 fillimisht jam marrë me nostrifikimin e diplomës duke ndjekur kurse dhe trajnime të ndryshme si për mësimdhënje të gjuhës gjermane po ashtu edhe të gjuhës shqipe dhe pas 3 viteve punë intensive mora titullin mësimdhënëse e gjuhës gjermane si gjuhë e huaj dhe si gjuhë e dytë dhe po ashtu mësimdhënëse e gjuhës shqipe. Ky fakt mund të them që ishte historik për të gjithë mësimdhënësit shqiptarë, sepse gjuha shqipe paraprakisht nuk njihej si lëndë mësimore në Hamburg dhe me sa kam njohuri unë edhe në gjithë Gjermaninë. Që nga viti 2019 e deri më tani jam kujdestare klase e një paralelje 3 dhe 4, ku aty ligjeroj gjuhën gjermane si gjuhë e dytë, matematikë dhe sport. Gjithashtu për nxënësit shqiptarë të klasave 4-6 ligjëroj gjuhën shqipe. Në shtator të këtij viti në institutin shtetëror për trajnimin e mësuesve mbahet dita e gjuhëve të huaja, ku kam privilegjin të jem si trajnuese në mbajtjen e një puntorie për mësuesit tjerë. Po ashtu në maj të vitit kaluar kam konkuru në një fondacion gjerman me një projektide për mësimdhënje inovative ku nga shumë konkurues pata fatin të fitoj projekti im dhe tani kam përkrahje të konsiderueshme financiare. Puna ime si mësuese më jep kënaqësi të veçantë sidomos që kam fatin të ligjëroj në një vend, ku zellshmëria dhe kompetenca vlerësohet dhe çmohet.

Filed Under: Opinion Tagged With: NADIRE REXHEPI, Sokol Paja

OKB Miraton Rezolutën për Gjenocidin në Srebenicë

May 24, 2024 by s p

Rezoluta për Gjenocidin në Srebrenicë u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Rezoluta e sotme shpall 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. 84 shtete votuan për miratimin e rezolutës, 19 shtete votuan kundër dhe 68 shtete abstenuan. Të gjitha vendet e Ballkanit, me përjashtim të Serbisë, votuan për miratimin e rezolutës. Ndër vendet që miratuan rezolutën ishin SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përveç Hungarisë, e cila votoi kundër, dhe Sllovakisë e Qipros, të cilat abstenuan nga votimi.

Bashkë me Serbinë, votuan Kina dhe Rusia, si edhe Bellorusia, Koreja Veriore, Kuba, Siria dhe disa shtete të vogla, që janë nën ndikimin rus.

Ambasadorja e Misionit të Gjermanisë në OKB, Antje Leendertse, vend hartues i rezolutës, bashkë me Ruandën, tha “Rezoluta nuk është kundër askujt, as kundër Serbisë, anëtare e rëndësishme e kësaj organizate. Në shënjestër janë vetëm autorët e gjenocidit.”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje për rrëzimin e rezolutës, e cila siç tha ai nuk do t’i ndihmojë pajtimit dhe i akuzoi fuqitë e mëdha që kanë ushtruar presion ndaj vendeve anëtare të cilat nuk do të votonin për ta miratuar rezolutën.

Serbia, e cila e mohon gjenocidin në Srebrenicë, u përpoq shumë ta ndalonte kalimin në votim të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme. Miratimi i rezolutës mund të sjellë pasoja për Serbinë në daljen e kërkesave për dëmet e luftës në Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë dhe në Kroaci, deri në hapjen e proceseve ndaj udhëheqësve serbë për krime lufte, sipas disa analistëve.

Më 11 korrik të vitit 1995, serbët e Bosnjës pushtuan Srebrenicën që ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Aty forcat serbe vranë të paktën 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë. Vrasjet në Srebrenicë tç verifikuara nga hetime të pavarura dhe dy gjykata të OKB-së shënojnë kulmin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë në periudhën 1992-1995.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Bajram Begaj shkroi: “Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi sot një rezolutë që e vendos 11 Korrikun Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.

Shqipëria edhe një herë e konfirmoi veten në grupin e vlerave perëndimore me votën dhe angazhimin e saj që kjo rezolutë të miratohej. Kjo datë do të shërbejë si kambanë e përhershme për të përkujtuar dënimin e gjenocidit, që masakra të tilla të mos përsëriten më dhe njëkohësisht është edhe një përgjigje ndaj mohuesve të gjenocidit dhe krimeve të tilla të tmerrshme.”

Presidentja e Kosovës Znj.Vjosa Osmani shkroi: “Me themelimin e sotëm nga AP e KB-së të Ditës Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, bota po u jep brezave të ardhshëm një shans për të mësuar nga mësimet e nxjerra nga Srebrenica. Është thelbësore për shërimin dhe paqen e qëndrueshme, për t’u ofruar paqe nënave të Srebrenicës dhe të gjithë anëtarëve të mbijetuar të familjes, duke siguruar që të dashurit e tyre të mos harrohen kurrë”.

Filed Under: Opinion

MBRESA NGA NJË TAKIM KRIJUESISH

May 23, 2024 by s p

Llazar Vero/

Shoqata Mbarëshqiptare Social-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadefia organizon një veprimtari me një grup krijuesish, që jetojnë në këtë qytet dhe në afërsi të tij. Salla në katin e dytë të bibliotekës në 625 Red Lion Rd, Huntigton Valley, PA 19006, kishte shumë kohë që nuk kishte parë një veprimtari ku të ishin bashkë një grup kaq i madh krijuesish dhe dashamirës të librit. Është fjala për një veprimtari të organizuar nga Shoqata Mbarëshqiptare Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, me qendër në këtë qytet, me poet prozator dhe historianë, që jetojnë në Filadelfia dhe në afërsi të saj.

Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre dhe zotërinjtë Nju Jorku, Konektikat dhe Nju Xhersi.

Kjo shoqatë ka një traditë të pasur në këtë fushë të veprimtarive të saj. Ndër vite janë promovuar autorë dhe krijues të tjerë, jo vetëm nga Filadelfia dhe shteti i Pensilvanisë por edhe nga shtetet të tjera të SHBA-ve. Por pastaj pasoi një “heshtje”, që kishte arsyet e veta të pakundërshtueshme, si pandemia e Koronavirusit, përqëndrimi pastaj i gjithë energjive dhe kohës në përfundimin e punimeve në ndërtesën madhështore për qëndren e re kulturore të kësaj shoqate.

Këto dhe të tjera arësye më të vogla, krijuan një boshllëk, në organizimin e veprimtarive kulturore të këtij lloji. Duket sikur humbi durimi që të pritej deri në përfundimin e këtyre punimeve, që janë në fazën e fundit dhe kryesia e shoqatës vendosi organizimin e një takimi të gjerë me krijues dhe dashamirës të fjalës së shkruar, të letërsisë dhe historisë.

Dhe ja, më 18 Maj 2024, në orën 02.00 PM, në këtë bibliotekë, filloi veprimtaria më e gjerë që ka zhvilluar kjo shoqatë, përsa i përket numrit të krijuesve. Kryetari i shoqatës z. Dritan Matraku, e hapi këtë veprimtari duke theksuar se është e vërtetë që kemi shumë autorë në këtë veprimtari, por qëllimi është që t’i njohim nga afër këta dhe botimet e tyre, për të mbushur sadopak boshllëkun e krijuar në vitet e fundit.

Pastaj fjalën e mori bashkatdhetari ynë z. Lutfi Brami, që prezantoi vëllimin e tij të pare poetic “Erë e dalldisur”. Udhëtimi i penës së tij, vite të shkuara, është një bashkësi proze dhe poezie, gazetarie dhe historie, dhe ja më në fund, vendosi t’i mbledh poezitë në një vëllim që është pritur mirë nga lexuesit. Ai falenderoi bashkëshorten, fëmijët dhe shokët që e nxitën për botimin e këtij vëllimi.

Hatem Dervishaj ka një përvojë më të gjerë në krijimtarinë letrare, ku ndërthuret proza dhe poezia. Edhe në fushën e botimeve ka një përvojë të mirë. Mund të përmëndim nga botimet e tij “Mallkimi i hijeve”, “Eremiti”, etj. që janë pritur mirë nga lexuesit.

Gjithashtu, në këtë aktivitet ishte i pranishëm dhe pershendeti shkrimtari i njohur dhe autori i shumë botimeve për fëmijë, z. Gaqo Bushaka.

Një autore e re afrohet tek mikrofoni dhe mes emocioneve flet për përvojën e parë si nënë e re, që e nxiti, frymëzoi të botoi një vëllim për fëmijë me mendimin dhe dëshirën se si mund t’i edukojmë më mirë fëmijët shqiptarë në Amerikë. Kjo është Ana Kasëmi. Urimet më të mira Ana!

Pastaj e merr fjalën Vlashi Fili që ka botuar këtë një çerek shekulli 26 libra, në gjini të ndryshme, histori, poezi, prozë e shkurtër, roman dhe publicistikë. Është pritur ngrohtë nga lexuesi dhe organet dhe organizmat e specializuara e kanë vlerësuar me disa çmime letrare. Ai nuk ka qenë në krijimtari të lirë në të gjithë këto vite, se për gati 22 vite ka qenë i “punë suar” pranë Shoqatës Atdhetare-Kulturore Shqiptare-Amerikane “Bijtë e Shqipes”. E them të “punësuar” se të rralla kanë qenë ditët kur nuk i ka kushtuar kësaj shoqate 2-3 orë. Për 20 vite ka qenë sekretar i kësaj shoqate. Por ora në jetën e Vlashit ka vlerë të plotë, falë ndërgjegjes, disiplinës, vullnetit dhe talentit të tij. Për këtë, veç të tjerave, dëshmonë krijimtaria letrare e tij. Pra, siç thamë: 26 vepra letrare. E theksojmë këtë, jo vetëm si numër, por edhe për nivelin artistik të tyre. Vulën e vlerësimit të kësaj veprimtarie letrare ia dha “The Mundus Artium Press”, një organizatë jo fitimprurëse që ka si mision evidentimin dhe vlerësimin, e shkrimtarve bashkëkohës ndërkombëtar.Të themi të drejtën ky është një nder dhe vlerësim jo vetëm i Vlashi Filit por edhe për letërsinë shqipe në tërësi dhe shoqatën tonë në veçanti. Është vlerësim për rigjallërimin e letersisë që kemi nevojë, të letërsisë që sjellë jetën në faqet e librit.

Për krah Vlashi Filit për numrin e librave të botuar është autori Hys Hasa që ka botuar 26 libra të karakterit historik, social dhe edukativ. Është një punë shumë e madhe që vetëm një intelektual dhe atdhedashës e këmbëngulës mund ta realizoi. Me mijëra orë pune kërkuese, studiuese dhe realizuese për tema që kryesisht vërtiten në të shkuarën e largët dhe të afërt, në aktualitetin e jetës së një njërzve që i do, që i njeh e që i bashkojnë vlerat njerëzorë, intelektuare dhe atdhetare të Kukësit të tij dhe më gjerë .

Mozaikun e autorëve pjesëmarrës në këtë veprimtari e plotësuan më poshtë autorë si Neil S. Zebib, që vjen në këtë takim me një libër modest për fëmijë (nga 1-100 vjeç) në anglisht me titullin: “Plant a Tree”, por me vlerë mjaft edukuese e kuptimplotë për brezin e ri.

Edhe Haki Ҫollaku, Sami Zaimaj, Sotir Goxhaj erdhën në këtë takim me nga një libër të botuar dhe për të cilët kemi folur në takime të mëparëshme.

Peshën më të madhe në numër në këtë veprimtari kushtuar jetës letrare në Filadelfia zënë një vend nderi zonjat. Mund të përmendim këtu Premisa Kërthin me vëllimin poetik të saj, Mirjana Kina me vëllimin “Jeta në vargje”, Suzana Vangjeli libri me perralla per femije “Aventurat e Lulit”. Midis tyre mund të veçojmë zonjën Majlinda Paja me pesë botime në poezi dhe prozë, Eva Dori me tre botime, Erlinda Pysqyli që ka botuar dy libra dhe ka në përgatitje librin e tretë.

Në fund të paraqitjes së krijuesve kryesia e shoqatës shtroi një koktejl për të gjithë pjesëmarrësit.

Nje pershendetje e vecante shkon per sponsorizuesit dhe kontribuesit, Solly Pizza z. Andi Goxhaj, Sofika’s Bakery, znj. Sofika Sota Dushi, Anila’s Kitchen, znj. Anila Tahiraj, z.Eduart Zeneli (dhurues i buqetave me lule), z. Lutfi Brami per dhurimin e librave, znj. Majlinda Pajaj (embelsira) dhe znj. Manjola Korriku (embelsira & dekori). Falenderojme Kryesine e Shoqates “Bijte e Shqipes” qe e organizuan kete veprimtari!

Filadelfia, 5/20/2024

Llazar Vero anëtar i KD të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe ish kryetar i shoqatës.

Filed Under: Opinion

Operacionet “Metamorfozë”, kur krimi dhe shteti janë simbiozë

May 21, 2024 by s p

Sokol Paja/

Operacioni “Metamorfoza 2” i hetuar dhe urdhëruar nga SPAK nxori në pah përveç të tjerash kapjen e shtetit dhe të çdo qelize institucionale shtetërore prej krimit të organizuar. I përdorur masivisht dhe në lidhje të ngushta me socialistët që shkërmoqin Republikën prej 11 vitesh, krimi dhe shteti kanë ndërruar rolet. Urdhërarrestet e SPAK ishin pasqyrë e tmerrshme sesi shteti është kthyer në bandë dhe bandat në shtet. Shteti ligjor ka rënë në gjunj para krimit të sofistikuar. Krimi i organizuar i dha shtetit pushtetin që prej vitit 2013 dhe përmes bandave e krimit të sofistikuar në çdo qelizë të shtetit e shoqërisë, partia-shtet sundon dhunshëm duke vjedhur e abuzuar me çdo qindarkë të taksapaguesve shqiptarë dhe çdo centimetër të pasurisë publike kombëtare. Korrupsioni me rrugët kombëtare, vjedhjet galopante në Bashkinë e Tiranës e abuzimet në çdo institucion shtetëror, tregojnë rënien dhe zhytjen e shtetit në korrupsion të thellë. Qeveria duke përkrahur krimin që i dhuroi pushtetin socialistëve sa herë kishte zgjedhje në Shqipëri në 11 vitet e fundit, sot është e pushtuar prej krimit të organizuar. Shteti ska më pushtet. Shteti është nën thundrën e krimit. Investitorë strategjikë të qeverisë, parlamentarë, qeveritarë, shefa komisariatesh, bosë krimi të përkëdhelur të qeverisë, të fortë të përdorur prej partisë në pushtet, specialistë rangjesh në institucione shtetërore përfaqësojnë sot fytyrën e një bande shtetërore të udhëhequr nga Edi Rama. Qeveria më e korruptuar që pas shpalljes së Pavarësisë ka humbur moralin dhe legjitimitetin për të drejtuar Shqipërinë. Të gjithë bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit ndër vite gjenden pas hekurave, po Rama a mban përgjegjësi për inkriminimin e bashkëpunëtorëve të tij që nga zëvëndësi i tij e deri në punonjësin më të thjeshtë të administratës shtetërore socialisto-patronazhiste? Sot në Shqipëri është më e lehtë të dallosh fuqinë e krimit sesa të shtetit. Ndër 50 urdhërarreste, shteti dekonspiroi vetveten, të arrestuarit numërohen me gishtat e njërës dorë. Propagandë dhe dështim. Një qeveri që ia ka nxirë jetën çdo shqiptari e po shpopullon me ritme të frikshme shtetin e kombin, nuk meriton të qëndrojë më në detyrë. Qeveria e krimit po i shkakton pasoja fatale shtetit e kombit. Hajdutëria masive është i vetmi shërbim që ofron qeveria e patronazhistëve e aktivistëve. Qeveria e inkriminuar në palcë po kryen një gjenocid të tmerrshëm duke dëbuar shqiptarët prej shtetit të tyre. SPAK ka shansin historik ti kthejë dinjitetin shtetit, lirinë dhe të drejtat qytetarëve shqiptarë të marra peng nga sekti rilindas grabitqarë. SPAK-u ka momentin e artë që të hyjë në historinë e Shqipërisë duke çuar pas hekurave Ramën e Veliajn si arkitektët e së keqes që vjedh e rrafshon çdo para, tender e hapësirë publike. Largimi i qeverisë së Edi Ramës dhe sektit të tij grabitqar është akt shpëtimtar i kombit shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

“LEJLEKËT NUK VIJNË MË”

May 20, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 19 maj 2024 – Producenti dhe regjisori Leonard Bombaj bashkoi në New York personalitete të shquara shqiptare të mërgatës së Amerikës, gazetarë, ambasadorë, aktivistë të komunitetit, shkrimtarë, veprimtarë, studiues e artëdashës në prezantimin e projektit kushtuar Pëllumb Kullës “Lejlekët nuk vijnë më” një film kombëtar me synim të një impakti ndërkombëtar. Shfaqja e sponsorizuar në New York nga av.Fatos Dervishi dhe koordinuar nga Dritan Haxhia “Kordinatori i Medias në Vatër” dhe “Kryetari i UGSH” për Amerikë, nxiti kureshtjen dhe interesin e të gjithë të pranishmëve rreth projektit të veprës së shkruar nga Pëllumb Kulla, jetë dhe vepër e jetës së tij. Në video projektin e shfaqur nga producenti Leonard Bombaj, u shfaqën ambasadorët e filmit si Robert Ndrenika, Viktor Zhusti, Bamir Topi, Bujar Lako, Agron Llakaj, Luiza Gega, Leonard Bombaj, Klea Huta, Florjan Binaj etj që shpjegojnë në detaje jetën e Pëllumb Kullës, 30 vite jetë në 2 orë film.

Gjatë monologut para të pranishmëve, regjisori Leonard Bombaj në bashkëpunim me poetin e ndjerë Petrit Ruka, tregoi detaje të jashtëzakonshme të jetës së vështirë e të mundishme të Pëllumb Kullës dhe fuqinë e humorit të shkrimtarit për të shndërruar vuajtjen në art dhe dhimbjen në të qeshura. “E qeshura, e qara dhe të menduarit thellë është kaq pranë në veprën e Pëllumb Kullës. Është vepër që sjell dritë dhe kurajo për të gjithë ne” tha z.Bombaj.

Skenari i filmit mbi jetën e Pëllumb Kullës gjendet tashmë në duart e Robert Naturman regjisor i famshëm në Hollywod i cili përshëndeti të pranishmit dhe foli rreth vlerave të veprës së Pëllumb Kullës e skenarit të filmit. Kryevepra muzikore shqiptare, këngë të pavdekshme te shekulllit ngjallën shumë emocion si perla muzikore shqiptare tek të gjithë pjesëmarrësit. Era Makoçi (Kulla) vajza e Pëllumb Kullës si kritikja më e fortë e veprave të tij lexoi rrëfenja të jetës komuniste nga Zëmblaku. Sipas regjisorit Bombaj “Lejlekët nuk vijnë më” është një film dhe rrëfim i pastër shqiptar që do i rrëfehet mbarë botës.

Në video monitor në fund të takimit u shfaq mirënjohja për dhjetëra patriotë që kanë mbështetur financiarisht filmit mbi jetën e Pëllumb Kullës por sidomos: Bamir Topi, Henri Çili, Besnik Lulaj, Fatos Cerenishti, Helidon Rruga, Fatos Dervishi, Anila Beqaj. Producenti amerikan Stephen Fishler i cili ofroi 50% të buxhetit të filmit theksoi rëndësinë e komunikimit dhe tregimit të historisë së Pëllumb Kullës.

Regjisori Leonard Bombaj në fund të takimit bëri ftesë dhe thirrje të gjithë shqiptarëve të Amerikës që të kontribuojnë në projektin pasi mbi të gjitha është një film për Shqipërinë. Për të falënderuar të gjithë pjesëmarrësit Pëllumb dhe Xhuljeta Kulla dërguan një fjalë përshëndetëse e mirënjohëse e lexuar nga Esmeralda Blaceri, për të gjithë të angazhuarit në filmin “Lejlekët nuk vijnë më”. Takimi u përshëndet nga Ambasadore Suela Janina, Ambasador Virgjil Kule dhe kineasti Bujar Alimani që lartësuan humorin, vlerat dhe veprën e Pëllumb Kullës.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT