
Rezoluta për Gjenocidin në Srebrenicë u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Rezoluta e sotme shpall 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. 84 shtete votuan për miratimin e rezolutës, 19 shtete votuan kundër dhe 68 shtete abstenuan. Të gjitha vendet e Ballkanit, me përjashtim të Serbisë, votuan për miratimin e rezolutës. Ndër vendet që miratuan rezolutën ishin SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përveç Hungarisë, e cila votoi kundër, dhe Sllovakisë e Qipros, të cilat abstenuan nga votimi.
Bashkë me Serbinë, votuan Kina dhe Rusia, si edhe Bellorusia, Koreja Veriore, Kuba, Siria dhe disa shtete të vogla, që janë nën ndikimin rus.
Ambasadorja e Misionit të Gjermanisë në OKB, Antje Leendertse, vend hartues i rezolutës, bashkë me Ruandën, tha “Rezoluta nuk është kundër askujt, as kundër Serbisë, anëtare e rëndësishme e kësaj organizate. Në shënjestër janë vetëm autorët e gjenocidit.”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje për rrëzimin e rezolutës, e cila siç tha ai nuk do t’i ndihmojë pajtimit dhe i akuzoi fuqitë e mëdha që kanë ushtruar presion ndaj vendeve anëtare të cilat nuk do të votonin për ta miratuar rezolutën.
Serbia, e cila e mohon gjenocidin në Srebrenicë, u përpoq shumë ta ndalonte kalimin në votim të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme. Miratimi i rezolutës mund të sjellë pasoja për Serbinë në daljen e kërkesave për dëmet e luftës në Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë dhe në Kroaci, deri në hapjen e proceseve ndaj udhëheqësve serbë për krime lufte, sipas disa analistëve.
Më 11 korrik të vitit 1995, serbët e Bosnjës pushtuan Srebrenicën që ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Aty forcat serbe vranë të paktën 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë. Vrasjet në Srebrenicë tç verifikuara nga hetime të pavarura dhe dy gjykata të OKB-së shënojnë kulmin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë në periudhën 1992-1995.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Bajram Begaj shkroi: “Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi sot një rezolutë që e vendos 11 Korrikun Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.
Shqipëria edhe një herë e konfirmoi veten në grupin e vlerave perëndimore me votën dhe angazhimin e saj që kjo rezolutë të miratohej. Kjo datë do të shërbejë si kambanë e përhershme për të përkujtuar dënimin e gjenocidit, që masakra të tilla të mos përsëriten më dhe njëkohësisht është edhe një përgjigje ndaj mohuesve të gjenocidit dhe krimeve të tilla të tmerrshme.”
Presidentja e Kosovës Znj.Vjosa Osmani shkroi: “Me themelimin e sotëm nga AP e KB-së të Ditës Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, bota po u jep brezave të ardhshëm një shans për të mësuar nga mësimet e nxjerra nga Srebrenica. Është thelbësore për shërimin dhe paqen e qëndrueshme, për t’u ofruar paqe nënave të Srebrenicës dhe të gjithë anëtarëve të mbijetuar të familjes, duke siguruar që të dashurit e tyre të mos harrohen kurrë”.