• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOFRA POETIKE E DIELLIT-JET’ NJERËZORE

October 22, 2013 by dgreca

Cikel Poetik nga Lumturi Ymeri Bersava/

 E artë ndriti/
në ninëzat e syve/
të mi, të tutë/
të gjithkujt/
buzëqeshja, sovrane ndaj botës./

      ***
Stinët u përkundën/
Vitet u lëkundën/
Farëzat u shkundën/
humbën në krisjet e çarjet e kohës./

  ***
Monotoni e grijtë. . .
Zemra kërkon jetë
Sytë duan dritë
Limfa do rrëmujë
shpirti, aventurë në skajet e tokës.

*
Përtej supit tim
qesh një dekolte
(çel një orkide)
Josh një kops-zbërthyer
(tulipan-shpërthyer)
Flirt, që nuk njeh cak
Trendy…s’ësht’ mëkat.

Dhe unë, prapa teje
tjerr (ç’)mendimin tim
dehur tek një shtrat
përpëlit…rënkim.

*
Ndezur bota zjarresh
digjet prapa krahësh
në flakë mëkatesh…

*
Ja! Nga lot fëmijësh
rrebeshe qiellore
rrëgjojnë, pastrojnë
ndotjet njerëzore.

Pendimi ngjyros ditët
me qiej të blujtë
për sytë e mi
të tutë
të gjithkujt. . .

AJO…

S’di pse dita
vuri nën hapat e mia
atë rruginë
ku bari s’kish mundur te mbijë…

Përpara meje ajo…
një shapkë mbante mbi kokë
Me dorën tjetër gërricte kofshën
tërhiqte bizhamen
zvarritur përtokë…

Mes nesh 
ajri ngriu
Ngjethmishjet në lëkurë 
më mpinë
Ankthe të akullta
më goditën në kocka…

Ndërsa ajo
asnjë cudi  vari në qerpikë
Ngecur në ta
dy rezervuarë të mjegullt
humbëtira të hirta
të ujta, të qelqta
të paqta…
S’ja gjej vështrimin kërkund
vetëdijen, askund…

Nën placentën e tejdukëshme
kërcëlliten ganxha të egërta
përtej bote
atje
tek një qoshe muri
mbetur ca flokë stërpikur me gjak…

Ajo 
mbulonte
kokën me shapkë…

Më njohu…ndopak?!

PULSI IM…

Është pulsi im ai
anë ‘arrzës’ tënde që lëviz
sa herë kapërdin
një lot, shkaktuar meje
një fjalë, përtypur teje…

Është pulsi im aty
në atë butësi
qeton faqja ime
gërricmat e mjekrës rritur
ditëve ikur
mërzitur
duke pritur…

Ai është pulsi im
që ndjej në përqafim
tek mat me gjak
hovet e frymëjetës
vibrimet e ndjenjës…

Aty, tek pulsi im
yti është, e di!
Puliten qerpikët e mi
ngatërrohen lotët
me erëmim
mungese e ndjese…

Dy buzë që dehin
ndizen a ndezin
me afsh, një dëshirë
lëkurë e mish
një trup i shkrirë…

Është pulsi im ai
dhe ti, e di!

I kam vënë…vulë
në…vjolë…

 

Jam…! Ç’jam…?

Një gjethe?
Qe bleroj faqesh-pranvere,
akorduar telash-flladi-ere?
Që mbarsem 
me të gjitha të verdhat e Van Gogh,
deri tek ajo
e verdha e pisët…
…e vdes,
e shkelur dhunshëm,
murosur
ngricës e baltës,
me të vetmin vegim lumturie
te fluturimit
të… rënies!

Jam..!
Një degë?
Që mbetem lakuriq 
prej sqepash e kthetrash
sorrash dimri!
E ndjej një “krra”,
jo prej grabitqari,
por, prej shpirti e trupi
që thyhet,
cahet…!

… Në fund të fundit,
jam…
një fluturim!
C’jam?!
…një rënie!

* * *

FUSTANI PREJ AJRI

Ajo
veshi fustanin prej ajri
mesnatës së vonë.
Derdhej në shtrat, purpurimë
me butësine e një mjellme

Dy buzë 
vizatonin dekoltenë
dhe gishtat që zgjidhnin
fjongo prej hëne.

Valëzonte fustani prej ajri
nën tingujt magjikë të frymës
U drodhën yjet tek shuheshin
 në castin e natës së fundit…

***

 

ND’AR’JE

Ja!
Ia ngritëm murin ndjenjës
Mëkatin lamë jashtë
dhe veten…
Duro tani!
Ti,
që ajri i tejngopur
t’a thërmon mushkërinë
Unë,
që boshin e krijuar
nga lotët e zbrazur
m’a mbush plaga e djega e mallit

Ja!
Jemi në majë.
Atje
ku na mori ëndrra
dhe era
që më sjell
më ndjell
për qiell…

Në t’u prefshin krahët që t’i dhashë
me pikën e lotit të mbështjell
rrokullisu në ortek trishtimi
në prehrin e Hënës
do të bjerë…

Unë
po pres dhe pak
sa, rëra në klepsidër
jetën të mat
dhe perëndimin
të më shpuzë kujtimin…

Ç’lëmshe bëka loti?!
Të tutë
i fshehe pas shpine
i ndjej!
Të mitë
ujitin buzën e tharë
s’të gënjej!

Prit!
Po një fjalë?!
Më uro,
të fundmin zë
në shpirt t’a lë!

– Të dashtë tjetërkush,
si unë!
– Dhe ty,
sa unë…!

Rëra në klepsidër mbaroi
ramë në hone
tutje
për në skaje shekujsh
që dashuria e fshehtë
s’njeh!

PULSI IM…

Është pulsi im ai
anë ‘arrzës’ tënde që lëviz
sa herë kapërdin
një lot, shkaktuar meje
një fjalë, përtypur teje…

Është pulsi im aty
në atë butësi
qeton faqja ime
gërricmat e mjekrës rritur
ditëve ikur
mërzitur
duke pritur…

Ai është pulsi im
që ndjej në përqafim
tek mat me gjak
hovet e frymëjetës
vibrimet e ndjenjës…

Aty, tek pulsi im
yti është, e di!
Puliten qerpikët e mi
ngatërrohen lotët
me erëmim
mungese e ndjese…

Dy buzë që dehin
ndizen a ndezin
me afsh, një dëshirë
lëkurë e mish
një trup i shkrirë…

Është pulsi im ai
dhe ti, e di!

I kam vënë…vulë
në…vjolë…!

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bersava, Lumturi Ymeri, sofra poetike e Diellit

NANË KTHEJU !

October 14, 2013 by dgreca

Nga  At  PJETER  MëSHKALLA  S.J./*

Sot me daten 15 Tetor, Shkodra feston me miq,Diten e Zojes se Shkodres…(16 Tetor)/

Si shkambi n’për rrymë të shekujve,/

muret qendrojnë jetike/

ngulun për rranzë thëmeleve,/

të Rozafës sonë Kreshnike./

Dhe sot, që, féja nipave/

shpresët e të Parëve ndritoi,/

lè të shkruhet mbi ballë të mureve:/

“Nanës, që na vorfnoi!”./

Njâsaj, që’i ditë prej sulmeve

të Kulçedrës me shtatë krena,/

na u bâ mburojë e, të nêmuna/

s’duroi t’i shohë këto dhena./

Njasajë… por vaj, na fajeve

në verbim s’u vume cak

e Nanës iu randue zemra,

iku edh’e la këte prak!

O ju, që parzme hekuri

luftuet për bésë e fé,

idhtë tue valvitun Flamurin,

shenjtnue me gjak e bé,

zgjonju nën rrasa të heshtuna,

ngrihnju me pa mjerim!

Ndihma e Arbënisë, e Pamposhtuna

ç’u ba?… Si drita u shkim!!…

Po a kurrë, thue, ma kurrë Virgjina

me gjâmë kah thrret Shqipënia, –

s’do të ndrisë, si ndriti moteve

përbrinjë Rozafës… M A R I A ?!

Tepër lënguem këso shtigjeve

si fëmija mbetë pa nanë,

për né ma dritë nuk lëshuene

as hyj, as diell, as hanë!

Po a kurrë, ma kurrë, s’do të ngrohemi?

Pa shpresë do të rrijmë e të presim?

Po a heshtun gjithmonë vallëja

do të ngeli, në terr kah dënesim?!

Jo, jo! Pse qiellëve të epëra

Zoti me dorë të vet

ka shkrue: “E Zojës asht Shkodra,

    e, Zoja e Shkodrës së vet !”.

Qé, ké ato mure të ndrituna,

zemra m’a ndiën, – qé’i zani

Një populli në hov të galdimave,

tue brohoritë: “O ngâni!…

    Ktheu, N A N A !” O, ditë ma e bukra

    që Arbënia prét, ago!

    Nanë ktheju, e, në mburoje të hireve

    në fé shënjte na vëllazno!

 

Shkodër, 1927.

*(Prej librit “At Pjeter Mëshkalla S.J” Autor: F.Radovani, 2007.). E dergoi per publikim:Fritz Radovani

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: At Pjeter Meskalla, Nane Ktheju

NGA SOFRA E VJETER E DIELLIT “SOS! …JO – KOS”

October 13, 2013 by dgreca

Ilustrim Dielli: Karikature:Si priteshin shqiptaret e Amerikes ne Vendlindje/

SOS…JO…. KOS!/

Në daç Qaj,… në daç Qesh!*/

Në dyqan të një bakalli/

Fjalosnin sa u-ngrit malli!/

Dhe dëgjonim tregëtarë/

Për sendet që s’mund të marrë:/

-“Sheqer e kafe, qepë, presh/

Të vraç shtatë pa t’i gjesh;/

Gjalp, Vezë, kolloface/

S’gjen për njerës, jo për mace./

Dhe çdo send që do dyqani/

Gjer t’i gjesh, të pëlcet xhani!”/

Këto thoshte tregëtari,/

Me sa zor nxiret dollari!

-Se si shkanë syt’ e mia

Dhe u hodh te “Liria”-

-“Shihe, shihe”-tha tregtari

“Shihe se ç’thotë Kryetari”!

-Ç’ta shoh, thashë, e kam parë

Gjithë ato që tha më parë:

Mbushur një gazet’ e tërë

Prej “Fyellit me një vërë”!

“Jo or Jo”!, tha duke britur,

Tregëtari i tronditur:

“Shihe” , tha, “atë SoS…SOS

Artikull sa një rrogos!”

Tha Xha Lazi,-“Ç’ka dhe Kos;

Kur ka Kos, shyqyr o Zot,

Veç ta mbushim barkun plot!”

Jo, Xha Lazi,. S’na dëgove,

Dhe këtu, na fal, gabove:

-Ne po flasim ç’thotë “Liria”

Që…po mbytet Shqipëria!

O, më ndjeni, o djemë, mua,

Ashtu sikur m’u dëgjua:

Sikur thatë:- Kos do t’ketë

Sado krizë që të jetë.

Po , pa më thoni, paçi uratë,

Ç’është ky lajm farmaq, që thatë?

Si do t’mbytet Shqiperia-

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: e Diellit, Nga Sofra e vjeter, Sos...Jo Kos

“DHURATA MË E BUKUR E LULES SIME MË TË DASHUR”

October 13, 2013 by dgreca

Ne Foto: Driteroi,Driteroi me Sadijen dhe me Raimonda Moisiun/

Dielli e mimozat kurrë nuk kishin ndricuar më bukur se atë ditë……/

(Meditim -Esse) Nga Raimonda Moisiu/
Sa i kam dashur mimozat! Tërë jetën time i kam dashur marrëzisht këto lule që i quajnë budallaqe. Budallaqe, sic është dashuria – budallaqe. Dashuria ngjan shumë – shumë me mimozat. Mimoza, hmmm, ja, lulja ime më e dashur, sapo del pak diell, veshë fustanin e verdhë të vajzërisë dhe del në bulevardin e pemëve, të cilat ngurrojnë të nxjerin gjethe dhe lule.
Edhe dashuria nuk do të dijë as për ofiqe, as për para, as për rracë, as për shtresë shoqërore, por vetëm për ca rrahje zemrë; sikurse mimoza ca rreze diellore.
A nuk u ngjajmë pra ne mimozave, kur biem në dashuri?
A nuk është aq e brishtë dashuria, sikurse brishtësia e mimozave?
O, sa herë jam dehur prej këtyre budallackave të bukura!
Furgoni i Korcës më zbriti atë ditë para kinema “Partizanit “dikur.Nuk e kisha ndjerë rrugën aspak.Në Pogradec, u ndala për pak. Nuk largohesha dot nga liqeni i kthejllët si syri i trishtuar i një djali të rënë në dashuri me mimozat.
Pranë meje ishte një mimozë. Kish celur e tëra , sikur ishte mbuluar me florinj. M’u dhimbsen shumë. Mua, sa herë që shkoj në atdhe, kam një dhimbje të patreguar për të gjithë. Një herë kam hequr byzylykun tim të florinjtë dhe ia kam vënë në dorë një vajzë jetime me flokë të verdhë si prej lulelimozash.
Ndjeva…dhe ktheva kokën. Një miku im po i afrohej ato caste vetmisë sime ; më thërriti me emër. Më bënë përshtypje shumë sytë e tij ndërsa nxori si një madem të shtrenjtë dicka nga canta. Ishte një roman që fliste për një vrasje. Oh, mua më dhurojnë një roman që flet për vrasje dhe, për më tepër,në ditën e dashurisë?
U ndava me autorin pogradecar Bardhyl Berberi; e dija se, kushedi se kur do të shiheshim sërish. Por, nga mënyra se si buzëqeshte ai me vete, ndërsa më shkruante dicka si kujtim, e kuptova mirë se po më dhuronte një cikëz nga zëmra e tij dhe nga ajo mimozë që ishte pranë . Nga ajo mimozë që rrinte mbi mua, si një tufë e bukur që dashuria i dhuronte liqenit të Pogradecit. Atij që, sikurse edhe kjo mimozë mbi mua, kushedi se sa psherëtima dashurie do të kenë dëgjuar dhe ruajtur fshehur.
Tërë rrugës lexova romanin, që po më tërhiqte shumë – “Vrasje në Shën Valentin”.
Lexoja romanin e fundit të mikut tim, dhe më dukej se, qark mikrobuzit që rendëte me furi, nuk ishin gryka malesh dhe peme gjysëm të cveshura, por liqen, ujra dhe mimoza…
Dhe…arritëm në Tiranë.
Ngado – mimoza.
Tirana kish hapur krahët e mimozave për të më pritur mua, dashnoren e përjetëshme të atyre, të harlisur si ato .
Sa herë shoh mimozat më sjell nostalgjinë e dashurisë së parë.Në një pemë të madhe e të madhërishme, mbushur plot me mimoza,nën rrezet e verdha dhe aromën e tyre, kam provuar puthjen e parë. Një tufë mimoza kisha për jastëk, kur provova misterin e dashurisë; kur shijova castet e të qënit princeshë.
Qëndra e Tiranës gumëzhinte nga njerëzit e shumtë që lëviznin, borijet e makinave, motorët uturitës të autobuzëve, frenat e tyre, edhe hingëllimën e ndonjë kali, që tërhiqte karrocën, packa se ishte qëndër qyteti.Nuk kisha më shumë se një javë që kisha ardhur në atdhe, dhe po endesha në bulevardet e kryeqytetit tim, për të shijuar gjithcka që shikoja e më rrethonte, atë të dashurën, të shtrenjtën, -Aromën e Mëmëdheut.
Mundohesha të hetoja gjithshka, se cfarë kish ndryshuar në një vit.
-Një tufë mimoza, teta, a dëshironi,-dëgjova një zë të butë fëminor nga pas kurrizit. Ktheva kokën e para meje qëndronte një djalë, jo më shumë se 12 vjec. Kishte dy tufa të bukura me mimoza në duar. Donte t’i shiste.
Zilja e celularit më shkëputi një moment…
-Sa e ke një tufë mimoza, shpirti i tetës?
E pyes kot dhe i jap kartmonedhën më të madhe shqiptare që kam me vete.
– Po nuk kam kusur, moj teta.
– Nuk ka gjë, moj zemër.
Po më shihte me sy të habitur që u gëzuan shumë menjëherë.
– Mbaje kusurin dhe bli cokollata dhe një libër a dy.
E puth në faqe djalin nga atdheu im dhe ai i fshin faqet që ia kam bërë me të kuq me mëngën e dorës.
– Po pse nuk ke shkuar në shkollë sot?
– Po , po teta, po sot e bëmë pushim, festuam “Neëborn Kosova,”-një vjetorin e Pavarësisë.
– Uuu, sa mirë…Sa miiirëëëë….Dale, ti më dhurove mimoza dhe unë do të të dhuroj një libër për Kosovën.
Kujtohem se në cantë kam edhe dy tre kopje nga vëllimi i mikut tim shqiptaro-amerikan,poeti Mëhill Velaj – “Lule që rritemi në gurë” – dhe e nxjerr. Kujtoj Mëhillin zemërbardhë këta caste si dhe “zilinë” e tij të trishtuar, kur i thashë se do të shkoj në atdhe, në Tiranë. E kam mik të vjetër Mëhillin dhe e di se do të kishte lënë gjysmën e jetës , sikur të provonte këto caste kaq të bukura në atdhe, sikurse unë … – me këto mimoza të bukura në duar, nën këtë qiell të pastër si sy, nën këtë diell të ngrohtë dhe më këtë bukurosh të vogël nga atdheu si dhe…oh…Heroin tonë Komëbtar në krye të sheshit që mban emrin e tij…
– Po unë nuk ta dhurova tufën e mimozave, moj teta, por ta shita…. E di…nesër…Nesër do të mbledh mimoza prapë…ateherë është dhuratë…Sa e mirë që qënke, moj teta!
– Mirë, mirë…Nesër teta nuk është këtu…ja të të lexoj një poezi nga ky libri për Kosovën.
Dhe nis e i lexoj në syprinën e pasme të librit të Mëhillit duke përfytyruar se sa do të gëzohej ai , kur të merrte vesh se librin e tij ia kisha dhuruar një fëmije që kish festuar në mes të Tiranës ditën Pavarësisë të Kosovës së tij:
Oh,jetoj unë i mjeri, mes ujrash Atlantikut,
fshehur derdh lot më njelmët se ujrat e Adritatikut.
Përjashta lozin, qeshin, më pret gruaja, fëmijë,
c’bëhet te shpirti i babit, asnjeri, s’mund ta dijë!
Askush nuk mund ta dijë, pse zgjohem natën unë,
sirenat e atdheut më thërresin në gjumë!
Moj Kosovë, në u kthefsha te ty dhe njëherë,
a do më njohë njeri, sikur Ago Ymerin?
Ago Ymer Ulqini kish në llërë dhëmbë nga një kalë,
unë i mjeri s’kam tjetër, vec këta lotë të valë….
Celulari sërish.
Bukuroshi i vogël i mimozave vazhdoi te lexonte dhe unë…
“Erdha Kozata!”
Po vinte, ja, atje, te,kafja e intelektualëve e thërresin,kafe “Europa”, Kozeta Zavalani, Gruaja e Botës për vitin 2007, mikesha ime e vjetër e motra korcare.
Më duhej të nxitoja.
Ja, pak metro më tej është “Europa”
Ja ku po qeshnin një gup poetësh të Tiranës, që të gjithë të njohur dhe aq të këndëshëm në vargjet e tyre.
Mua më magjeps gjithcka sa herë që vij në atdhe. Edhe poezitë e këtyre poetëve; edhe vetë ata. Ata që, ja po qeshin me të madhe dhe janë në krah të një mimoze e të një manjole.
Janë Xhevahir Spahiu , Faslli Haliti dhe Riza Lahi.
– Oh, kush na qënka, Raimonda,-shpërtheu, Xhevahiri
Që të tre poetët gëzohen për praninë time me mënyrat e tyre. Xhevahir Spahiu me këtë klithëm gjithë hare, Faslli Haliti me sytë e qeshur dhe përpirës, Riza Lahi me buzëqeshjen e mrekullueshme melankolike.
Pastaj të qeshura sërish. Kalimtarët vështrojnë nga ne ; nga hareja jonë zëlartë..
Ja po vjen dhe Kozeta e veshur bukur, ylli I dikurëshem televizionit shqiptar…
– Ju të dyja me siguri që jeni korcare….A nuk kanë dicka nga blirët e Korcës sytë e këtyre korcarkave, more Faslli?
Xhevahir Spahiu e di përgjigjen që më parë të pasionantit të përjetëshëm, Faslli Haliti, që na vështron në thellësirat e syve Kozetën e bukur dhe mua.
Riza Lahi shikon me dhëmbshuri nga rudhat në fytyrën ekspresive të Xhevahirit pa e hedhur fare vështrimin e tij melankolik mbi sytë tanë, nga janë ngulur rrezet e syve plot adhurim, të dy poetëve të tjerë.
Më pas hymë në brëndësi të kafe “Europa”, e të tjerë miq e kolegë erdhën, poetja rebele e dashurisë ,e talentuara, gazetarja Fatime Kulli, gazetari,Afrim Himaj, analisti,studiuesi dhe një nga ish-liderët kryesorë të UCK-së, Kolonel Dilaver Goxhaj, botuesi Mehmet Gëzhilli,etj. Ishte ngrohtë dhe bashkuam tavolinat jashtë kafenesë. Të përfshirë në biseda të ndryshme me filxhanët me salep, përpara, tufa e mimozave mbi tavolinë, i dhurova miqve të mij librin e sapo botuar, romanin “Pafajsia e Evës”, dhe librin me poezi “Lule që rritemi në gurë”, të poetit dhe kolegut tim nga Kosova , Mëhill Velaj, të shoqëruar me autografe sipas porosisë nga vetë autori. Xhevahiri e shfletoi për një moment vëllimin me poezi të Mëhillit, duke bërë një vlerësim maksimal për kopërtinën e librin në përgjithësi, lexoi këto vargje:

OTRANTOS…KANALIT TË VDEKJES
Me dritëzën e hënës, me qerpikë të lagur ,
me ëndërra parajse e shumë shpresa në gji,
vërsulen si shtriganë të detit skafet natën,
skafistë…dallgë…det… frikë e lemeri.
“Mbahuni fort do arrijmë gjallë, të gjithë,
gjer në Brindizi fryj moj erë e mallkuar!”,
ulërijnë skafistët …Nuk qajnë dot me zë,
nëna me fëmijë, cifte të fejuar.
Nuk është peshkaqen , as janë dallgët e egra
si të ishte duke ardhur vetë vdekja me flotilje
po vjen një anije si fantazma e Eva Braunit*,
anije që vret njerëz me një emër vajze – Sibilia.
O përbindësh, më të zi se peshkaqenët e detit,
përse s’ia ndërruat emrin më parë anijes suaj,
të qe mes jush Sibilia, pasha shpirtin e nënës,
me viktimat e Otrantos do kish dhënë jetën në ujë.
I qetë pret kapiteni ndërsa njerëz përpin deti,
përpiu dhe të fundmen britmë : “Ika nanë”
Sibilia …Sibilia…si ke forcë të kthehesh në breg,
dhe të ankorohesh e qetë në Parajsën italiane…??!!
*Eva Brauni-dashnorja e Hitlerit.
-Ja se cfarë bën magjia e tridhjetegjashtëshkronjave, magjia e gjuhës shqipe, që nuk të bën të gabosh në përcaktimin e fuqisë së ndjenjave poetike, mbi bazën e shkëlqimit të vecantë të shpërthimit të tyre.Një poet duhet ta ketë të vetin këtë shpërthim të jashtëzakonshëm,-sepse poeti që në vargjet që sapo lexova ,dashuron jetën, njerëzit atdheun, bën të vetat vuajtjet e të tjerëve , i derdh në poezi, në vargëzime e gurgullon poetikisht shpirti njerëzor e ndjenja kombëtare e pasuruar me krenari, për historinë, heronjtë , atdheun,Kosovën.Gëzuar një vjetorin e Pavarësisë!- e mbylli patriarku i poezisë, Xhevahir Spahiu komentin rreth librit të Mëhillit.
Heshtje.Të gjithë dëgjonim poetin.
xxx
———– Po vjen Driteroi,Driteroi me Sadijen- u dëgjua zëri i ëmbël ,i butë i Kozetës .
Drejt nesh po vinte ai i madhi, ai Patriarku i letrave shqipe, Patriarku Devolli! Në krah të mjeshtrit Sadija, e dashura e tij,besnike dhe fisnike tërë jetën. Thinjat që e kishin zbardhur “malin’ krejt, krekoseshin hijshëm në shtatin e dy bashkëshortëve.
U cuam në këmbë.Me zërin e tij baritoni karakteristik, fytyrën e qeshur, cigaren në mes gishtave, i mbajtur nga krahu,nga Sadija e tij, iu afrua tavolinës.
Si zuri vëndin e nderit apo të “dollibashit”, në tavolinë ngrihem dhe e përqafoj fort Driteroin tonë të madh.Iu hodha sytë lulemimozave.Ndrisnin më shumë atë moment.Iu marr erë përsëri.Sa fat më sollët!-iu thashë, e i putha.Sa fat më solle o bohemi i vogël i Tiranës sime me këtë tufë mimozash!Ma bëre ditën më të bukur të jetës!Biseda u ndez më e zjarrtë.Fotot të shumta bëmë së bashku të gjithë sa ishim në tavolinë.Janë kujtime të përjetëshme e të paharruara.
Më pas me Kozeta Zavalanin,”motrën time korcare”-shkuam te shtëpia e Patriarkut devolli.Një shtëpi e bukur, ku mbizotëronte antikiteti, lulet shumëngjyrëshe, pikturat e bukura ,plot kolor të larmishëm e ndjenjë,kombinim i përkryer i modernes në lashtësi me modernen e kohës së sotme.Libra pafund.
Frymëzim pafund!
Një pritje shumë e ngrohtë, miqësore, një bisedë si prindi me bijtë rreth shumë temave të ndryshme. Me gotat e rakisë së rrushit përpara, që Driteroi ynë e pëlqen shumë, trokisnim ato “Gëzuar”,e bisedonim shtruar. Aq shpirtërore u bë biseda sa Sadija u ndje si një mike e hershme me ne sikur njiheshim prej vitesh-vitesh e na tregoi disa intimitete të jetës së saj, me Driteroin.Ato ishin një mesazh i bukur për ne,si nëna,bashkëshorte intelektuale.Pyetjes time se:
– A ka pasur raste të jesh ngritur natën, kur nuk ke gjumë, e frymëzimin e castit ta hedhësh në letër?
– Po ,poezia është si tështima.Kur të vjen nuk e mban dot.Duhet të tështish.Poeti duhet të flerë më laps,letër e gomë poshtë jastëkut.
– Po një poezi mund ta bësh në disa variante?- e pyeta përsëri.
– Po poezia ka delikatesë. Është një konfiguracion i gjërë që mund ta bësh në disa versione.
Biseda vazhdoi, rreth arësimit në Shqipëri e Amerikë, rreth arësimimit të nipërve e mbesave dhe Driteroi yne i madh na tregonte me një dashuri të madhe për nipin e mbesën e tij, ashtu sic dinë dhëmbshur të tregojnë gjyshërit.
I dhurova Mjeshtërit romanin tim të parë “Pafajsia e Evës”, dhe vëllimin me poezi të poetit, Mëhill Velaj.
– Më ke dhuruar një dhuratë shumë të bukur sot në një vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, -do të më thoshte Driteroi, ndërsa shikonte librin e Mëhillit.Të lutem uroje poetin e Kosovës tonë të dashur ;Urime dhe Suksese!
Edhe këtu bëmë fotot me ciftin Agolli, në shtëpinë e tyre.
Dolëm nga shtëpija e Patriarkut të letërsisë shqipe, duke bëlbëzuar këngën e kompozuar nga artisti korcar i serenatave Nonda Kajno,e kënduar nga këngëtarja korcare Ermira Kola në 70 -t vjetorin e ditëlindjes :
70 VJET DRITERO
Për mbi supe plot bilbila,
qënka zbardhur mali krejt.
Jo me thinjë por trëndafila
70 zjarre udhës ndez.
Lisi i lartë kur puthi tokën,
Deti tej nuk bëri zhurmë,
Gjithë shqiponjat ulën kokën,
kur poeti ra në gjunjë.
Nder i Kombit ty të bëri,
Vëndi yt o Dritero,
70 faqe historie
Ti ke shkruar o për të.
O Devoll, Devoll i bukur,
Prite, prite djalin tënd
70 faqe historie,
Ti ke shkruar o për të
O Devoll i trimërisë,
Prite, prite djalin tënd,
70 lule trendafili,
Biri yt po ti dhuron.
Nder i Kombit ty të bëri
Vëndi yt o Dritero,
70 faqe historije,
Ti ke shkruar o për t.
O Devoll i Shqipërisë,
Prite, prite djalin tënd,
70 lule trendafili.
Biri yt po ti dhuron.
Ajo ditë ishte nga më të bukurat e jetës sime.Kisha takuar atë që kisha ëndërr dikur.Më pas me miken time,Kozeta festuam një vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, mes bashkëkombasve tanë, dhe me mikeshat e tjera, te sheshi,”Nënë Tereza”.
Delli e mimozat kurrë nuk kishin ndricuar aq bukur si atë ditë….
Raimonda Moisiu
Hartford CT USA .

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Dhurata ne e bukur, Dritero Agolli, e lules me te dashur, Raimonda Moisiu

D Y D R I T A R E

October 12, 2013 by dgreca

tregim nga Spiro Gjikondi/

Mbreme drita qendroi e ndezur deri vone. Minutat dhe oret kalonin duke lene prapa dicka te pakuptueshme,dicka qe fshihej ne te gjitha paisjet e dhomes sone ne konvikt. Cdo gje ishte indiferente: dollapet, komodinat, tavolina, karriket, varesja e rrobave, radiua, tingujt e nuzikes, bile, edhe zeri i spikereve… Te gjitha. E vetmja gje qe e kuptonim dhe e degjonim mire ishte sinjali i ores. E degjonim dhe e ndjenim se dicka ikte per te mos u kthyer me. Megjithate sinjali i ores perseritej pas cdo intervali; mbas nje ore, mbas gjysem… Pra perseritej edhe pse ne nje forme tjeter, me nje tingellimj te ri… Dhe kjo sikur e shperndante ate qetesi qe endej aty ketu.

– kjo nate me duket shume e gjate,- tha ladi sikur te fliste me vete.

– Po,- thashe une ne menyre evazive,- shume e gjate….

Ai ishte ngritur nga krevati dhe ishte afruar prane dritares. Dukej se shikonte jashte. Po cfare shikonte?  Ne ate ore rruga dhe sheshi perpara godines ishin bosh. Asnjeri nuk kalonte. Une kisha ndezur nje cigare.

– Tani do te doja te gdhihej,- tha perseri Ladi pa e kthyer koken nga une.

Vertet. Do te ishte mire te gdhihej. Mengjesi eshte i bukur. Sa zgjohemi nga gjumi hedhim syte nga dritarja dhe ndeshim ne kaltersine e qiellit. Zogjte vijne dhe ndalojne ne ballkonin tone. Ne e degjojme kengen e tyre me endje. Na pelqen. Na pelqen ashtu sic na pelqejne zerat e femijeve kur kalojne rrugev per ne shkolle. Na pelqen ashtu si cdo gje e gjalle, si cdo gje gazmore, si cdo gje e fresket…

Por mbreme cdo gje kishte nje pamje tjeter. Te gjitha sendet kishin mbeshtetur koken pas murit dhe dukej sikur po mendonin. Po cfare bluanin ashtu ne heshtje/ Mos valle persiper tyre ishte shperndare nje perde e holle enderimtare? Nuk e di… Por c’mund te mendojne valle gjerat pa shpirt, sendet pa goje? Me se flasin? Cila eshte gjuha e tyre? Une i shikoja te gjitha me radhe dhe me dukeshin si te ngrira. Ja, rafti i librave, canta, hekuri i rrobave, tabllote neper mure…

***

Perballe meje eshte nje peisazh bregdetar. Mua gjithmone me ka pelqyer deti. Por tablloja nuk ka asgje te vecante:- disa taraca, pak shtepi, nje cope fushe, nje lume i vogel qe gjarperon  permes saj e qe derdhet ne det. Une e njoh piktorin. Kur ai punonte kete tabllo, ishim bashke. Jemi lare ne det. Ai ishte me i madh se une dhe mbante gjithmone nje kapele dielli. Dosjen dhe valixhen e tij te vogel nuk e ndante asnjehere nga vetja. Gjithmone ulej aty ketu dhe fiksonte ne kuadratet e bardha ndonje pjese te peisazhit bregdetar.

Qe ahere nuk e kam takuar me. Disa dite mbasi iku ai, mbeta vetem. Ahere lahesha, shetisja buze detit, lexoja i shtrire mbi rere ose degjoja radion. Per fat e kisha mere me vete tranzistorin. Pa te me siguri qe do te isha merzitur…

Por jo, jo. Mbas kater ditesh erdhi nje grup gjimnazistesh. Ne cdo fshat te bregdetit ishin hapur disa pika pushimi. Ata do te qendronin aty dy jave.

Megjithate une s’kisha se si afrohesha me ta. As me njihnin, as i njihja. Vetem se i shikoja kur mbushnin bregun dhe kur laheshin. Ato dite plazhi u gjallerua. Dukej sikur dicka e re kishte ndodhur. I degjoja si flisnin me ze te larte, si qeshnin, si shaheshin me shaka dhe buzeqshja me vete. Pastaj ata vraponin duke ndjekur pas njeri tjetrin. Qeshnin me te madhe sidomos kur lagnin vajzat. Ato ngriheshin nga rera dhe vraponin per t’iu larguar ketyre ngacmimeve. Vraponin dhe me kalonin prane. Hija e tyre reshqiste per nje cast siper meje. Pastaj serish ktheheshin dhe serish largoheshin. Une mbetesha perseri i vetem. Ahere degjoja muzike.

Nje dite dy prej tyre erdhen dhe ndaluan para meje. Me shikuan per nje cast sikur te donin te me pyesnin per dicka. Njera ishte veshur me nje kostum banje me lule te verdha e te gjelbra. Tjetra kishte veshur nje fustan ngjyre roze.. Ajo me fustan roze qendronte me mbrapa. Kishte nje pamje te qete e pak melankolike. Ishte me e ndrojtur. Tjetra ishte me e gjalle.

– A mund te ulemi ketu prane dhe te degjojme muzike?- pyeti ajo me kostum banje.

Une pranova me kenaqesi dhe dhe ato u ulen. Ndrojtja e tyre zgjati vetem per disa caste, pastaj ajo me kostum banje filloi te fliste lirshem.

– Mua me pelqen shume muzika,- tha ajo. A mund ta hapim me teper volumin?

– E pse jo?- thashe une.- Baterite i ka te reja dhe mer shume mire.

Ajo e ngriti volumin dhe filloi te mbante ritmin duke rrhur gjurin me shuplaken e saj te vogel.

– Mua me quajne Irena  dshed me pelqen shume mujzika,- perseriti vajza me kostum banje. Pastaj shtoi:- Kurse shoqja ime quhet Aneta.

Me pelqeu prezantimi i saj.

– Mua me quajne Koci,- thashe une me buzeqeshje.

Qe ate dite ato vinin shpesh tek une. U flisja per gjera te ndryshme dhe me flisnin per jeten e tyre shkollore.

Megjithate Aneta qendronte gjithmone e heshtur. Fliste shume rralle. Nuk lahej asnjehere ne det. Mua me bente pershtypje nje gje e tille, por nuk guxoja ta pyesja.

Kur u ndodha nje dite vetem me Irenen, ajo me tha:

– Ajo gjithmone keshtu ri. Vetem me mua shoqerohet. Por eshte vajze e mire. Vetem se ka prinder shume te eger. Babait te saj nuk i qesh buza asnjehere. Nuk deshen tya linin te vinte me ne, megjithse ka edhe te vellane ketu.

– Po perse nuk deshen ta linin?- e pyeta.

– Prinderit e saj kujdesen shume per te.

– Te gjithe prinderit kujdesen per femijet e tyre.

– Ndoshta jo ne kete menyre,- tha Irena. Ate nuk e sheh te dale njehere xhiro ose te shkoje me shoqet ne kinema. Nuk e lene.

– Sa e cuditshme!- thashe une.

– E pabesushme,- tha Irena.

– Po Aneta si reagon?- pyeta une.

– E c’mund te beje ajo?

– Mos valle ka frike?

– Frike?

– Po.

– Jo.ndoshta ka ndrojtje.

– Ndrojtje?!

– Po, po. Ndrojtje.

– Mundet… – thashe une.- Por, sidoqofte edhe ndrojtja ka nje fare kufiri. Kur njeriut i shkelet vetvetja, kur dikush tjeter te shkel personalitetin tend, nuk mund te durosh ne heshtje.

– Ti ke te drejte, – tha irena.- Po c’mund te besh?!… Aneta e ka te veshtire te ngrihet kunder prinderve te saj. Ka nje karakter te perulur.

– Po ju… Po i vallai i saj…?!

Irena nuk diti si te pergjigjej. Ajo e ndryshoi stacionin e radios dhe filloi te fliste per dicka tjeter.

***

Ladi vazhdonte te veshtronte nga dritarja. Kishte futur duart ne xhepa. Fishkellente nje melodi te lehte.

– Dali?- tha ai dhe u kthye nga une.

– Ku? – e pyeta.

– Ne rruge.

– Eshte vone.

– Tashti eshte shume bukur.

– rruget jane te shkreta.

– E megjithate eshte bukur. ketu nuk me rrihet me. Nuk e di se c’kam. As ti nuk je ne forme. Ka me se nje ore  qe ja ke mberthyer swyte asaj tabllose se keqe dhe nuk e di c’po vertit neper mend.

– Asgje,- thashe une.

– E pamundur. Hajde dalim!

– Jo.

– Ti je i cuditshem.

– Edhe ti.

– Ndoshta… Vetem sonte… Ka raste…

– Nuk kam gjume.

– Jo vetem ne.

– Kush tjeter?

– Ne godinen perballe eshte nje drite e ndezur.

– Ne c’kat?

– Ne te dytin… Dritarja e katert nga e majta…

`                       – Po.

– Leta, Miriana dhe Bina.

– Bina eshte ajo e shkurtra.

– Po.

– Bina duhet te jete shkurtim i emrit te saj.

– E quajne Albina.

– Ajo eshte e mire.

– edhe Miriana eshte e mire.

– Kam vene re se ato e fikin driten gjithmone pas nesh. Me sa duket e bejne me qellim.

– Jane prapa perdeve.

– Duken?

– Po. Kane nje ore qe po qendrojne aty.

– Pranvera…- thashe une.

– Pranvera ka ardhur per te gjithe.

– Edhe per ty.

– Mundet… Ta hap dritaren?

– Jo.

`- Jam i sigurte se edhe ato do ta hapin.

– Nuk eshte mire. Nata eshte akoma e fresket…

– Ke te drejte.

Per here te pare Ladi kerkoi nje cigare. Une nuk fola me. Mbeshteta koken ne jastek dhe vendosa te flija. Ishte e pamundur. Gjumi nuk me zinte. Ladit nuk i thashe se sa here dal ne rruge Albina hap dritaren dhe qendron aty per disa caste… Ndoshta Ladi e dashuronte ate. Kushedi… Ka disa dite qe nuk eshte i qete. Flet fjale pa kuptim. Nuk i pelqen te loze shah dhe nuk lexon me si me pare.

– Mos je dashuruar ?- i them une.

– Ai nuk pergjigjet. Qesh ne nje menyre te cuditshme. Ngre taketuken e cigereve dhe behet gati ta perplase ne dysheme.

– Mos! – i them une.

– Me shkrep nganjehere qe ta thyej,- thote ai.

– Anarshist…

– Vetem tashti qe…

Qeshim te dy.

– Nuk e ka fajin taketukja e cigareve,- thote ai mbas pak.

Ndoshta. Ashtu si tablloja ne mur perballe krevatit tim.Megjithate ajo me ngacmon shpesh here. Flet me heshtjen e saj…. Me sjell ndermend… Me kujton…

***

Ate mbremje kishim dale me Aneten. Ishte mbremja e pare, dhe e fundit.                                   Shetisnim buze detit. Aneta kishte hequr shapkat dhe ecte zbathur. Frynte nje puhize e lehte. Feshferinte fustani i saj roze. Valet shushurinin. Perplaseshin pas zajeve dhe kembeve te saj. I kisha zili valet. Hena, si nje ciklopi, na shikonte qe lart. rezet e saj reflektonin mbi uje.

– Aneta…!

Ajo nuk e ktheu koken. Degjonte shushurimen e valeve. Deti here afrohej, here largohej. Mbremje bregdetare.

– Perse ri gjithmone e heshtur

Ajo perseri nuk foli. Une perserita pyetjen.

– Dua… Me pelqen… Nuk mundem…

– Cfare?

– Asgje.

– Sot ishte dite e bukur. Deti ishte i ngrohte.

– Edhe neser do te jete dite e bukur.

– Nje re po i afrohet henes.

Hena u fsheh. Nje perde e erret na mbuloi per nje cast. Nuk e shihja portretin e saj. Ujet reshqiste mbi zaje. Rera akoma nuk ishte ftohur. Disa hapa u degjuan pas nesh. Te dy kthyem koken. Hieja e tij  azfrohej me te shpejte.. Ndaloi disa hapa me tej.

– Aneta! -thirri ai.

Aneta u rrenqeth. Edhe une. E njoha nga zeri. ishte vellai i saj.

– Aneta!- thirri perseri me ze te prere.

Ajo u shkeput nga une.. Shkoi drejt tij. U larguan.

Hena akoma nuk kishte dale. Reja levizte ngadale. Kisha mbetur vetem. Valet peshperisnin. Me dukej se asgje nuk kishte ndodhur. Me dukej vetja si ne enderr. Doja qe ajo enderr te mos mbaronte kurre. Kisha degjuar se mbremjet bregdetare jane te magjishme…. Sirena…

Te nesermen prita. Kisha dale buze detit qe ne mengjes heret. Deti i bardhe. Bunace. Gjimnazistet erdhen me zhurme. Ngacmonin njeri tjetrin. U xhveshen dhe filluan te laheshin. Dite e bukur.

Irena, si cdo dite, erdhi prape.

– Te degjoj nje cike muzike?- pyeti ajo.

– Pse jo…- thashe une.

U ul. Dicka zhgaraviste mbi rere. Nje fytyre vajze.

– A nuk i ngjan Anetes?- me pyeti mua.

– Po, – thashe une.- Pra, ajo nuk ka ikur?

– Iku.

– Vetem?

– Bashke me vellane e saj.Iken sot ne mengjes me nje makine te rastit. Kishin babane semure. I lajmeruan mbreme me telefon.

– E di…

– Te pelqen kjo melodi me kitare?- pyeti Irena.

– Jo,- i thashe.

– As mua, -tha ajo.- Me pelqejne ritmet e gezuara.

Bregu ishte i zhurmshem.

Aneta…

***

Ladi hapi dritaren. Doli ne ballkon. Une u ktheva andej dhe e pashe per nje cast.. Qesha lehte me vete dhe me ate. I hoqa syte nga tablloja. Kushedi se c’ka dashur te jape autori me te. Ne fund te fundit ai eshte nje peisazh bregdetar i varur ne mur dhe asgje tjeter. Peisazh i qete. Bregdet… Nje kujtim…

– Mbremje e bukur,- tha ladi

U cova edhe une.

Poshte dritares sone eshte nje mimoze. Ajo eshte e mbushur me lule. Ndjeva eren e saj. Ishte fresk dhe hodha xhaketen kraheve.

– AQto jane akoma zgjuar, – thashe une.

– Po.

– Ajo ne te majte eshte Albina.

– Mua me pelqen Miriana,- tha ladi dhe nuk i hoqi syte nga dritarja perballe.

Ndjeva nje fare kenaqesie. Une nuk kisha guxuar ti flisja me pare per nje gje te tille.. Ladi eshte i cilter. Me pelqen tipi i tij.

– A nuk eshte gjynah qe te flesh ne nje nate te ketille kaq te bukur?

– Eshte e domosdoshme… Riperteritje…

U degjua nje e kercitur dhe dritarja perballe u hap.

—–

Tirane, 17 shtator 1972(Botoi Drita)

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: dy dritare-tregim, Spiro Gjikondi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 112
  • 113
  • 114
  • 115
  • 116
  • …
  • 132
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT