• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përpjekjet e Jeronim de Radës për alfabetin e gjuhës shqipe

November 25, 2025 by s p

Prof. Dr. Monika Hasani/

Jeronim de Rada, ka hyrë në historinë tonë si figurë e atdhetar i ndritur, që punoi tërë jetën e vet për ringjalljen e Shqipërisë, për zhvillimin e kulturës dhe të gjuhës shqipe. Misionin patriotik ai e realizoi duke punuar dhe kontribuar mjaft si krijues letrar, si filolog, historian, publicist. Botimet folklorike që ai bëri u hapën rrugën përmbledhjeve të mëpastajshme të folklorit shqiptar dhe shërbyen si nxitje për patriotët tanë të Rilindjes, që iu përveshën mbledhjes së folklorit. Idetë e veprave të tij gjuhësore e historike patën përhapje të gjerë ndër rilindasit, si te Samiu, Naimi etj.

Veprat poetike e veprat e tjera, të shkruara shqip me përkthim italisht ose vetëm italisht, si revista “Fjamuri i Arbrit”, veprimtaria e tij e palodhur, lidhjet me njerëzit më të shquar të botës letrare, shkencore e politike të kohës, bënë një punë të madhe për njohjen e propagandimin e popullit shqiptar e të çështjes së tij kombëtare. Ndër përpjekjet e tij madhështore për lëvrimin e gjuhës shqipe vend të veçantë zënë përpjekjet e tij për alfabetin e gjuhës shqipe.

De Rada si zgjidhje të problemeve që çështja e alfabetit shtronte, shihte përdorimin e shkronjave italiane dhe një shtesë me shkronja greke.

Në vitin 1871 “Gramatikën shqipe “ duke folur për alfabetin ai shkruan: “Në zgjedhjen e alfabetit përdorur prej nesh, qëllimi ynë i vetëm ishte ai, që të përfitojmë nga mjeti më i shpejtë ekonomik për shprehjen e përsosur të të gjithë tingujve”.

Ndërkohë De Rada bën përpjekje të herëpashershme për përmirësimin e alfabetit, të cilin përdorte ne shkrimet e veta. Në Revistën “Flamuri i Arbërit”, Viti i parë i botimit, numri i parë botuar në Corliano Calabri, 20 Qershor 1883, ai do të botonte një alfabet të përmirësuar, të plotësuar me shkronja shqipe dhe të pastruara nga shkronjat greke, përveç përdorimit të χ (hita) greke për shkrimin e bashkëtingëllores h shoqëruar me shembujt ilustrues : χee, raχ.

Në këtë botim vihet re edhe mungesa e paraqitjes së zanores y.

I njëjti alfabet do të botohej në “Fiamuri Arbërit” , viti i tretë i botimit Cozensa 15 tetor 1886. Ajo që vihet re është përsëri shmangia e shkronjave greke dhe zëvendësimi i tyre me shkronja shqipe të alfabetit latin. E vetmja shkronje greke që përdor autori është χ (hita greke) që shërben për realizimin e bashkëtingëllores fërkonjëse të aspiruar prepalatale h (χee).

Në gazetën e sipërpërmendur, në hyrjen e artikullit për “Alfabetin shqip” De Rada do te shprehej: “Për të paraqitur pjesën fonetike të shqipes së folur nga kolonitë i jemi përmbajtur më shumë alfabetit italian, kemi pranuar pak shenja artificiale si dhe ndonjë nga shkronjat greke”.

Me iniciativën e tij në vitin 1895 në qytetin e vogël Kalabrez të Korilianos u vendos ndër të tjera që të pranohej si alfabet i përbashkët për të gjithë arbëreshët, alfabeti i tij. Ky rezultat ishte fryt i një pune të palodhur disa vjeçare. Kujtojmë se qysh në parathënien e “Gramatikës shqipe” e vitit 1870 ai do të shprehej se “Një alfabet i përbashkët pret për t’u vendosur. Dhe një alfabet i tillë do të kihet, kur përsosmëria e librave shqip dhe themelimi i një shtypi shqiptar do ta bëjë të nevojshëm dhe do ta lehtësoj përdorimin”.

Në Kongresin Kombëtar të Korlianos De Rada shprehte mendimin që “të kemi një alfabet të thjeshtë dhe të lehtë për t’u mësuar”. Të gjithë pedagogët më të shquar të kohës përqafonin të njëjtën tezë; atë të përdorimit të alfabetit latin, i cili do të ishte më i lehtë për t’u mësuar. Me qindra artikuj politikë e pedagogjik të kohës të shkruar nga rilindësit si Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Pandeli Sotiri, Hoxha Tahsin, Mati Logoreci etj, do t’ia arrinin qëllimit për përdorimin e alfabetit latin, për ta përvetësuar më lehtë gjuhën amtare dhe për ta çuar me tej kulturën shqiptare”.

Sistemi i fundit alfabetik që ai paraqet është në “Abetaren e gjuhës shqipe” e aprovuar dhe përshtatur nga Kongresi Kombëtar në tetor të vitit 1895, botuar në Korliano, në vitin 1896. Në pjesën e parë të saj autori shtron një sistemin alfabetik të shoqëruar edhe me shembuj fjalësh për secilin tingull jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën italiane dhe latine.

Siç vihet re më poshtë autori dallon bashkëtingëllore të thjeshta dhe të përbëra, si dhe përpiqet të bëj një klasifikim të diftongjeve.

Veçojmë se në këtë botim De Rada ka reduktuar ndjeshëm përdorimin e shkronjave greke.

Konkretisht ai përdor χ (chita) për paraqitjen e bashkëtingëllores hj si dhe x për paraqitjen e dyshkronjëshit ks, si dhe δ( ) për bashkëtingëlloren dh, ζ (zita) për z χ-(hita) për paraqitjen e dyshkronjëshit hj, š për sh, ɗ (për dh), θ (për th)

Në hyrje të saj De Rada sqaron se:”Alfabeti i gjuhës shqipe është i përbërë nga shtatë zanore dhe nga 31 bashkëtingëllore të thjeshta të përfaqësuara nga një ose dy shkronja”. Në fakt ka edhe tri shkronjësha’.

Autori njeh këto zanore e bashkëtingëllore;

Zanoret

Zanoret janë a, e, ë, i, u, o, y. Apostrofi (‘) plotëson fonetikën e gjuhës. Zanoret a, e i, o, u kanë tingullin e gjuhës latine. Psh: dálj – esco ( në gjuhën italiane) – dal (në shqip sot), délj – esci ( në gjuhën italiane) – dil ( në shqip sot), dilj – vienni fuori ( në gjuhën italiane) – dil jashtë (shqip), dôla – sono uscito ( në gjuhën italiane) – dola ( shqip sot). Është intersante të japim edhe aryetimin e tij për përdorimin e shkronjës ë. Kështu sipas De Radës:

“Ë, i jep një tingull të veçantë hundor kësaj gjuhe, si psh: ēm –madre ( në gjuhën italiane) – mëma ( shqip sot), cē- che ( në gjuhën italiane) – që ( në shqip sot), ljënk – sugo ( në gjuhën italiane)- lëng ( në shqip sot). Kjo ë e cila paraqet thuajse më të shumtën e zërit në fjalë, është korespondente me ë e shurdhët të gjuhës frenge, psh: Ndërró – cambia ( në gjuhën italiane) – ndrysho (shqip sot), Ndjekjëta – la Rettitudine ( italisht) – drejtësia (shqip sot). Apostrofi (‘) dëfton vendin e ë së fshehur. Ja një shembull për këtë gradacion : Gapëm –aprimi (italisht) – hapëm (shqip), gapëni – aprite (inë gjuhën italiane) – hapni (shqip sot), gap’t – aperta (në gjuhën italiane) – hapur (shqip sot)”.

Bashkëtingëllore- Fjalë me bashkëtingëlloret e mëposhtme

Me bashkëngëlloren B- Bés – Fede (italisht) – bos (latinisht) – besim (shqip sot);

Me zanoren C- célj – açendi (italisht) – facies (latinisht) – ndez (shqip)

Me bashkëting.D- door –mano (italisht) – durus (latinisht) –Dorë (shqip)

Me bashketing. δ – δii –capra (italisht) –ador (latinisht) – dhia (shqip)

Me bashkëting. F – foolj – parla (italisht) focus (latinisht) – fol (shqip)

Me bashkëting. G –gaviδa –conchiglia (italisht) – vigil (latinisht) – guackë (shqip)

Me bashkëting. H –heer –ora (italisht) – hors (frëngjisht) – Orë (shqip)

Me bashkëting. J – jo –no (italisht) –janua (latinisht) –jo (shqip)

Me bashkëting. K –kii – costui (italisht) – kalendae (latinisht) – ky (shqip)

Me bashkëting. Gh- ghir – entra (italsiht) – magus ( latinisht) –hyr (shqip)

Me bashkëting. Gj – gjii –seno (italisht) –ghianda (latinisht) –gjoksi (shqip)

Me bashkëting. Kj – kjee – buoi (italisht) – kau (shqip)

Me bashkëting. Lj – ljót – lagrima (italisht) – Lot (shqip)

Me bashkëting. M –mua – a me (italisht) – mihi (latinisht) – mua më (shqip)

Me bashkëting. N – na – a noi (italisht) – nos (latinisht) – ne na (shqip)

Me bashkëting. R – ree –nube ( italisht) – re (shqip)

Me bashkëting. Rr – rrii –sto (italisht) – rri (shqip)

Me bashkëting. S- sii – ochio (italisht) – es (latinisht) –Syri (shqip)

Me bashkëting. T – tier –fila (italisht) – et (latinisht) – radhë (shqip)

Me bashkëting. χ- χiim –luogo precipite (italishtt) – vend i rastësishëm ( shqip)

Me bashkëting. V – vee –uovo (italsiht) –vezë (shqip)

Me bashkëting. Z – ziap –caprone (italisht) – cjap (shqip)

Me bashkëting. Zh- zhaϴur –scalzo (italisht) – zbathur (shqip)

Me bashkëting.ζ – ζémër –cuore (italisht) –zemër (shqip)

Me bashkëting. X – petaxu –balza in piedi (italisht) – brof në këmbë (shqip)

Tinguj të dy shkronjave që shqiptohen në një frymë

Ne- mencer –mancino (italisht) – Mëngjërash (shqip)

Ng – Ngaan – Giovanna (italisht) – Emër njeriu (shqip) djé – ieri (italisht) – Dje (shqip)

Mb- mbes –niptis bleej – compra (italisht) – blej(shqip)

Nd- ndeer – onore (italisht) – nder (shqip) pják – vecchio (italisht) – plak (shqip)

Ngh – nghá – cammina (italisht) – eci (shqip)

Ngk – ngkaagh – addosso – (italisht) – mbi ( shqip)

Ngj – ngjiej – inungi- (italisht) – ngjyej (shqip)

Nz – nzier – caçia fuori (italisht) – nxirr jashtë (shqip).

De Rada kujdeset të jap shembuj me qëllimin për të treguar karakterin monosillabik (njërrokësh) që reflekton gjuha shqipe me shembuj të shumtë për secilën shkronjë në ndihmë të teorisë së vjetërsisë së gjuhës shqipe.

Sipas shënimit që vetë De Rada jep:

“Këto shembuj, këto eksemplarë veç faktit që sjellin kombinim shkronjash në gjuhën shqipe, ofrojnë, le të themi sfondin monosillabik (njërrokësh) që reflekton aspektin e natyrës.

Gramatika vetë, pastaj ka ligje ku këto rrokje të pandryshueshme buisin në diskutime për prapashtesa emerore ose foljore, në mënyrën si bimët i ulin degët dhe gjethet e çara, shpalosin botën njerëzore në fjalim psh:

Dit giorno (italisht) –ditë (shqip); dit-a il giorno (italisht) – dita (shqip)

Dit- ie – di giorno (italisht) – Dite (shqip) – Dit –es – del giorno (italisht) – E ditës (shiqp) etj

Ljip – domanda (italisht) – pyet (shqip), ljipin – domando (italisht) –Pyes (shqip), ljip –ë –mi – domandiamo (italisht) – Pyesim (shqip)”.

Nisur nga varianti i fundit të alfabetit ( duke pasur parasysh variantet që kemi hasur nga kërkimet tona), të dhëna prej De Radës, dallohet se në këtë variant ai ka zëvendësuar zanoret greke υ dhe γ (variante të cilat i përdorte për të shprehur ë- në) me zanoren ë të shqipes, gjithashtu ai ka zëvendësuar σ me sh-në e shqipes, të vetmet shkronja, të cilat mbarten prej alfabetit grek janë θ (që zëvendëson th-në) ñ Δ (që zëvendëson dh-në) Ө dhe χ për realizimin e h-së ose hj-së.

Për sa më sipër duket qartë se përpjekjet e De Radës për krijimin dhe unifikimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe zënë një vend të rëndësishëm në historinë e alfabetit të gjuhës sonë dhe për unifikimin e një gjuhe letrare arbëreshe. Por, sikurse shprehet studiuesi i njohur arbëresh F. Solana; “Me gjithë përpjekjet e De Radës e të Skiroit për të krijuar një gjuhë letrare arbëreshe nuk u arrit një gjë e tillë. Sot vepra e De Radës mbete si një monument i së folmes së Shën Mitrit dhe zonës përreth”.

Prirja për të ruajtur dhe përdorur gjuhën shqipe me alfabet latin , për krijimin e një alfabeti për të gjitha kolonitë shqiptare të Italisë vihen re fuqishëm ajo do të ishte pararendëse e punës që do të bënin rilindësit për unifikimin e një alfabeti të përbashkët për të gjitha trojet shqiptare. Emra të fuqishëm të rilindjes sonë kombëtare si Sami Frashëri. Hoxha Tahsini do t’i përmbaheshin të njëjtës ide, asaj të De Radës: “Alfabeti duhet të jetë i lehtë dhe i thjeshtë për t’u mësuar, i pastruar nga shkronjat greke”.

Vepra madhështore e De Radës në gjuhësi, publicistikë, krijimtari letrare, studime te karakterit albanologjik pasur nga gjithë plejada e shkrimtarëve arbëreshë të kësaj periudhe do të jepnin ndihmesën e tyre për të ardhmen e gjuhës së shkruar shqipe, për krijimin e një alfabeti të vetëm. De Rada dhe arbëreshët e Italisë dhanë kontributin e tyre historik për përpunimin e alfabetit tonë të përbashkët (kujtojmë shkronjat ë/ gj,/ një/të cilat u sollën si risi në atë që sot e njohim si Alfabeti i Manastirit). Ky kontribut është pjesë e përpjekjeve të gjithë patriotëve dhe mendimtarëve të kohës, të cilët i paraprinë Kongresit të Manastirit, duke dhënë ndihmesë të çmuar për zhvillimin e gjuhës shqipe në lidhje të pandërprerë me gjuhën e folur popullore dhe duke bërë të mundur që gjuha shqipe me kalimin e kohës të zhvillohej në format e saj më të larta.

Filed Under: Sofra Poetike

Nëntori dhe shkrimtarët…

November 22, 2025 by s p

Skender Karaqica/

Në pullat postare të Kosovës,portreti i shkrimtarëve për fëmijë të Drenicës, Rifat Kukaj dhe Ymer Elshani.

Në vegjilje të festës së Nëntorit të Flamurit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë zyrtare dhe Shqipërisë tjetër Kosovë, posta e Kosovës i nderoi dhe kujtoi në pullat postare, shkrimtarët për fëmijë të Drenicës, Rifat Kukaj dhe Ymer Elshani.

Në manifestimet për 28 Nëntorin e Flamurit të Pavarësisë, pullat postare të postës së Kosovës, e kanë begatuar programet kulturore të institucioneve të shtetit, të shkollave dhe të diasporës shqiptare nëpër botë dhe Amerikë. Përmes pullës postare,shkrimtarët dlo të udhëtojnë në të gjitha anët e atdheut, që të nisin lajmin apo shkresat tjera zyrtare me portretin e shkrimtarëve, që, përmes krijimtrisë letrare për fëmijë, ata ndërtuan një kala, një kopsht me lule, shumë libra në bibliotekë, udhë të lumtura të rritës në Kosovën e lirë.

Në nëntorin e Prishtinës së lirë të stolisur me flamujt kuq e zi të atdheut shqiptar dhe kujtesa për orën e madhe të pavarësisë së Shqipërisë dhe portreti i shkrimtarëve në pullat postare, e ka gëzuar Dren Kukaj, i cili thotë me fjalën shend e verë se ai është nipi i shkrimtarit Rifat Kukaj.

Për shkrimtarin Ymer Elshani i masakruar në mënyrën më barbare deri në shkallë të gjenocidit nga regjimi fashist i Serbisë, në Masakrën e Paklekut të Vjetër në Drenicë, vajza e tij e vetme që i shpetoi shfarosjes së familjes, Teuta Elshani, falenderon postën e Kosovës për pullën postare me portretin e shkrimtarit dhe porosia artistike për Nëntorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Nëntori dhe shkrimtarët e ka thënë kritika letrare, janë ndërgjegjja e kombit, ndërsa gjuha dhe letërsia është atdheu!

Filed Under: Sofra Poetike

Fan S. Noli – Veprimtar-diplomat i shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë

November 21, 2025 by s p

Analizë shkencore dhe diplomaci praktiko–ndërkombëtare

Nga Universiteti i Harvardit (Kembrixh), Boston – SHBA

Prof. Dr. Fejzulla Berisha

Fan S. Noli (1882–1965) përfaqëson një nga rastet më emblematike të veprimtarisë diplomatike shqiptare në diasporë, duke kombinuar kompetencat në politikë, kulturë, fe dhe publicistikë për të afirmuar të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit shqiptar të sotëm – kryesisht në Kosovë, Çamëri, Mal të Zi dhe Maqedoni.

Veprimtaria e tij nuk ishte thjesht lobim politik apo aktivitet kulturor; ajo përbën një shembull të qartë të diplomacisë ndërkombëtare të një kombi pa shtet, të zhvilluar sipas parimeve të të drejtës publike ndërkombëtare dhe praktikave diplomatike të fillim-shekullit XX.

Duke vepruar nga Kembrixhi–Boston, Noli institucionalizoi një qasje tre-dimensionale të diplomacisë shqiptare:

  1. Diplomacia strategjike – lobimi pranë qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare;
  2. Diplomacia e diasporës – aktivizimi i komunitetit shqiptar si faktor politik dhe ndërkombëtar;
  3. Diplomacia e identitetit – përdorimi i kulturës, fesë dhe medias si instrument ndikimi global.

Ky artikull paraqet një analizë të thelluar shkencore dhe juridike të veprimtarisë së Nolit si veprimtar-diplomat, duke përfshirë raste konkrete të periudhës 1910–1965 dhe ndikimin e tij në politikat ndërkombëtare mbi çështjen shqiptare.

1. Diplomacia e identitetit dhe instrumentet kulturore-fetare

Fan S. Noli e kuptoi se identiteti kulturor dhe fetar është instrument strategjik diplomatik, i cili mund të legjitimojë kërkesat e një kombi pa shtet në arenën ndërkombëtare.

-Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare në SHBA: Institucioni nuk ishte vetëm fetar, por shërbente si ambasadë kombëtare e diasporës, duke fuqizuar legjitimitetin ndërkombëtar të kombit shqiptar.

Raste konkrete

-Raporti i “Diellit” për dhunën serbe në Kosovë (1919)

Noli dokumentoi:

-shpronësimet dhe kolonizimet serbe;-ndalimin e arsimimit shqip;-persekutimin e intelektualëve dhe klerikëve shqiptarë;-dhunën sistematike ndaj popullsisë shqiptare.

Ky raport u përdor për të:-informuar delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris;-krijuar presion moral dhe politik mbi qarqet diplomatike amerikane;-influencuar opinionin akademik dhe publik në SHBA.

Përdorimi i gazetës “Dielli” si instrument diplomatik

Botimet e Nolit mbi Kosovën, Çamërinë dhe shqiptarët e Maqedonisë shërbyen si dokumentacion i bazuar mbi të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, duke krijuar një precedent për përdorimin e medias si instrument diplomatik në të drejtën publike ndërkombëtare.

2. Lobimi politik dhe aktiviteti diplomatik në Washington

Fan S. Noli ndërtoi një rrjet diplomatik të sofistikuar, duke lidhur:-senatorë dhe kongresmenë amerikanë;-diplomatë të shteteve të mëdha;-qarqe akademike të Harvardit dhe MIT.

Raste konkrete

Memorandumi për Kosovën (1919)-Denoncim i dhunës dhe shpronësimeve;-Kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare dhe garanci për të drejtat kulturore dhe gjuhësore;-Përdorim i dokumentacionit si instrument juridik dhe politik në arenën ndërkombëtare.

Raportet për Çamërinë dhe shqiptarët në Mal të Zi dhe Maqedoni-Dokumentimin e shkeljeve të të drejtave;-Lidhjen me institucionet ndërkombëtare dhe akademike;-Përdorimin e fakteve konkrete për të ndikuar fuqitë e mëdha në zbatim të të drejtës publike ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave.

Këto veprime e paraqesin Nolin si një veprimtar-diplomat që përdor ligjshmërinë dhe dokumentacionin ndërkombëtar si mjet presioni.

3. Mobilizimi i diasporës: Diplomacia popullore shqiptare

Veprimtaria e Nolit në diasporë nuk ishte thjesht kulturore, por kishte efekt juridik dhe politik në arenën ndërkombëtare, duke përfshirë:-Kongrese kombëtare dhe manifestime publike;-Fondacione humanitare për shqiptarët në trojet e pushtuara;-Financimin dhe përdorimin e medias “Dielli” si instrument diplomatik.

Raste konkrete

Fondacioni Shqiptar i Nolit (1920)-Sigurimi i librave shqip dhe bursave për nxënësit shqiptarë;-Ndihma për familjet e dëmtuara;-Aktivizim institucional i diasporës për mbrojtje të të drejtave kulturore dhe arsimore.

Manifestimet publike në Boston dhe New York (1920–1930)-Tubime që shërbenin si instrument presioni moral dhe politik mbi qeverinë amerikane;-Konsolidim i rrjetit diplomatik dhe lobues në mënyrë të koordinuar.

4. Diplomacia ndërkombëtare dhe ndikimi praktik

Fan S. Noli ishte veprimtar-diplomat i pakontestueshëm, i cili përdori çdo instrument të diplomacisë ndërkombëtare:-Kontakte me Lidhjen e Kombeve dhe fuqitë e mëdha;-Dokumentim i shkeljeve të të drejtave ndërkombëtare të shqiptarëve;-Angazhim për njohjen e pakicave dhe garantimin e të drejtave të tyre.

Strategjia e tij kombinonte:

  1. Dokumentacion ligjor dhe historik;
  2. Presion publik dhe medial;
  3. Mobilizim të diasporës si aktor politik ndërkombëtar.

5. Trashëgimia diplomatike dhe modeli i Nolit

Fan S. Noli vendosi standarde për diplomacinë shqiptare moderne, duke zhvilluar tri shtylla të pakontestueshme:

  1. Diplomacia strategjike – përdorimi i lobimit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare për të legjitimuar kërkesat kombëtare;
  2. Diplomacia e diasporës – aktivizimi i komunitetit si faktor politik dhe juridik;
  3. Diplomacia e identitetit – përdorimi i kulturës, fesë dhe mediave për të mbështetur të drejtën ndërkombëtare dhe politikat ndërkombëtare të kombit shqiptar.

Fan S. Noli nuk ishte thjesht zëri i shqiptarëve jashtë Shqipërisë – ai ishte veprimtar-diplomat, arkitekt i diplomacisë globale shqiptare dhe pionier në përdorimin e të drejtës publike dhe instrumentave ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare.

Filed Under: Sofra Poetike

LIRIKA E PEIZAZHIT DHE E MENDIMIT NË POEZINË E FILIP SHIROKËS

November 6, 2025 by s p

Prof.Dr. Fatbardha Fishta Hoxha/

Poeti Filip Shiroka, që vinte në poezinë shqiptare me krijimet e tij në vitet midis dy shekujve, kur atë e lëvruan aq gjerë dhe ngritën aq lart poetë të shquar si Naimi, De Rada, Ndre Mjeda, edhe pse nuk i arriti ata as për nga cilësia dhe sasia e krijimit poetik, ka hyrë në fondin e lirikës shqiptare dhe zë një vend të veçantë për vlerat e veprës së tij.

Poet i frymëzimit romantik siç ishin kryesisht rilindësit tanë, lirik nga mënyra e shprehjes së ndjenjave dhe mendimeve, dëshirave dhe ëndrrave, Filip Shiroka u njoh si poet patriot. Ndjenjat dhe mendimet e tij për atdheun e robëruar, malli i zjarrtë për të, shqetësimi për fatin dhe të ardhmen e tij historike padyshim përbëjnë motivin qendror që e mbruajten poezinë e tij. Por dimensionet e lirikës së Filip Shirokës nuk do të dilnin të plota pa vlerësimin e lirikës së peizazhit e të mendimit që si objekt i vecante i frymezimit poetik dhe nderthurur me motivin patriotik e japin te plote kuadrin e poezise se tij, regjistrin lirik te poetit. Lëvrimi i kësaj lirike nga Filip Shiroka është i pandarë nga ajo prirje e rëndësishme e poezisë shqiptare të Rilindjes për zgjerimin e kufijve tematikë si shprehje e nje bote ideoemocionale te gjere. Si te gjithe romantiket dhe F. Shiroka hyn në lidhje emocionale me natyrën. Por siç ngjet pothuajse me të gjithë romantikët shqiptarë edhe për të natyra është e lidhur pazgjidhmërisht me atdheun, është shfaqje e tij.

Në vizionet poetike të F. Shirokës për natyrën që jipen të ndërthurura me motivet e tjera si dhe në poezitë e mirëfillta përshkruese spikat qëndrimi ideoemocional patriotik. Përsa i përket gjerësisë së shtrirjes së këtij motivi, veçorive artistike, lirika e peizashit ndeshet dhe në trajtën e poezisë alegorike-simbolike, ku elementët të peizazhit poetik përdoren për të dhënë mendime dhe ndjenja patriotike, ndjeshmërinë e thellë deri në dhimbje të poetit për vendlindjen, Shkodrën për Shqipërinë që poeti aq fort i dëshiroi si i mërguar që ishte. Të kësaj trajte janë poezitë “Dallëndyshe shko”, “Dallëndyshe eja”, “Bylbyli”, “Lulës së vyshkun”, “Lulës që më dërgoi nana eme”. Motivi i ndërlidhjes me anën e imazhit të zogut dhe të lules është i njohur në poezinë botërore, por është i përhapur shumë dhe ne folkun tonë, një nga motivet më të lashta (motivet florare dhe zoomorfe) në kulturën tonë popullore. Në poezinë e Filip Shirokës sidomos në dy poezitë e tij ku ndërlidhjen e kryen dallendyshja, poeti i jep këtij motivi freski dhe forcë shprehëse të veçantë. Poeti lëvroi edhe poezinë përshkruese ose peizazhin e pastër si në poezinë “Mueji i majit”, “Kallnueri”, “Dimni”, “Maleve të Shkodrës” që deshmon prirjen e tij për te dhënë tabllo të goditura të natyrës. Shiroka arrin me një stil të thjeshtë dhe të ëmbël të japë dekorin deri në detaje të stinës, motit e të natyrës.

Tipar kryesor i lirikës së tij përshkruese apo figurative mbi natyrën është thjeshtësia, konkretësia, sinqeriteti i ndjenjës dhe i mendimit aftësia që ben qe lexuesi të përjetojë po ato ndjenja që zgjon në kujtesën e poetit imazhi hirplote i natyrës së vendlindjes. Mendimi i qartë, ngrohtësia e ndjenjës, struktura harmonike e vargut dhe strofës, rrjedhshmëria e vjershes, spikat sidomos në vjershat “Dallëndyshe shko” dhe “Dallëndyshe eja”, ku ndjenjat atdhetare dhe ajo për natyrën ështe shkrirë në një formë origjinale. Lirika e Shirokës për natyrën, e lindur nga një përjetim i thellë emocional është e butë dhe e ëmbël siç është edhe peizazhi që ai përshkruan. Në relievin e përthyer të saj mbizotëron peizazhi i gjelbëruar që e bën për vete poetin piktor. Në këtë peizazh të gjelbëruar gjallon jeta e njeriut të punës e bujkut dhe blegtorit të papërtuar që e shkojnë jetën në punë në gjirin e natyrës dhe që i jep kuptim dhe domethënie peizazhit. Në këtë peizazh te njerezuar, lëvizin ndjenjat,deshirat dhe malli i patriotit. Në peizazhin e Shirokës jo vetëm që lëviz njeriu, shqiptari, por edhe figuracioni është ndërtuar me parafytyra që sjellin marrëdhënien e njeriut me natyrën. Përqasja e dukurive njerëzore për të karakterizuar në mënyrë figurative dukuritë natyrore edhe pse motivi eshte e njohur në folk, sjell efekte emocionale në poezinë e kultivuar. Në poezinë “Maleve të Shkodrës”, liriku e ndërton peizazhin me ndryshimin e pamjeve të qytetit në agim, në perëndim, në verë, vjeshtë e dimër. Poeti e krahason hënën që shndrit mbremjeve te Shkodres me “nusen e stolisun”. Si në vjershat ku pamjet e bukura dhe magjepse të natyrës shërbejnë si sfond ku gjallon ideja e dashurisë dhe mallit për atdheun, si dhe në vjershat e pastra pershkruese, ku tema e natyrës bëhet tema e vetme e poezisë së tij, Shiroka si dhe të tjerë poetë rilindës në disa pika ndryshon e në disa ngjan me romantikët evropianë. Këtë e vërteton fakti që ndonëse peizazhet e panoramat poetike të Filip Shirokës kanë tingull bukolik në përgjithësi, ato nuk e përjashtojnë qytetin, por e përfshijnë në parafytyrë siç ngjet në vjershat “Dallëndyshe shko”, dhe “Dallëndyshe eja” dhe “Maleve të Shkodrës”. E bukura e natyrës është zbuluar gjithnjë nga poeti në marrëdhënie me njerëzit, me ndjenjat dhe mendimet e tyre.

Poeti nuk estetizon, nuk idealizon. Ai është i prirur si romantik të përjetojë shfaqjet e së bukurës në natyrë dhe ato t’i ngrejë në art që të pandara nga Shqipëria dhe shqiptari fitonin konkretësi dhe zgjonin ndjeshmëri të thellë tek receptuesi. Me interes është edhe tema e mendimit në poezinë e F. Shirokës. Tek ky poet prirja për meditim vjen e ndërthurur në një varg vjershash me motiv patriotik dhe të natyrës. Në vjershën evokative patriotike “Te vorri i Skandërbegut” në tercinën e parë të tingëllimës, poeti kalon nga evokimi konkret i te madherishmes heroike në përgjithësim kur thotë: “Kurr nuk vdes Trimi,se gjithhere i ndritun/ i qindron fama,dhe me nder emnohet / deri sa yjt, hana e dielli ka me shndritun”.

Po këtë prirje meditative dëshmojnë edhe tercinat e fundit të tingëllimave “Mueji i majit”, “Dimni”. Në të parën poeti shpreh zhgënjimet që i solli mërgimi që porsi lulet e majit janë bjerrë e kanë shkue. Ndërsa në tercinën e fundit të tingëllimës “Dimni”, poeti mediton rreth raportit të jetës së njerëzve me natyrën dhe gjithësinë e përjetshme që përtërihet vazhdimisht. Me të poeti nuk ka shprehur aq ndonjë moment pesimist sa ka arritur të spikatë me intuitë të vërtetën reale. Por vjersha me përmbajtje meditimi të drejtpërdrejtë janë “Vjershëtori”, “Bukuria e vjershës” e “Mësimet e Harapit”. Ndonëse dy poezitë e para u kushtohen figurave të njohura të lëvizjes dhe të letërsisë së Rilindjes, nuk sjellin asnjë fakt konkret për to. Që në titull ato të sugjerojnë qe poeti, jo të veçantën, konkreten se sa të përgjithshmen, thelbin e vjershës dhe të misionit të poetit do të ketë objekt frymëzimi, gjë që i jep karakter të drejtpërdrejtë dhe të mirëfilltë meditativ vjershës.

Për mendimin estetik shqiptar të kohës, këto poezi shënojnë vlera jo vetëm për poezinë e Filip Shirokës, por për gjithë poezinë shqiptare të Rilindjes, ne njohjen e rolit të poetit e të poezisë në lëvizjen patriotike, ku qartësia e poetit arrin kulmin. Duke pasqyruar përjetimet më të larmishme që provon poeti, të cilat Shiroka i përgjason me shfaqjet e panumërta e të larmishme të natyrës, përmes përfytyrimit romantik, dëshmojnë për atë afrim te poetit me vlerat reale estetike. Me intuitë, në mënyrë spontane, rilindësit tanë duke nisur që nga Naimi përvijonin konturet të vijimësisë së jetës në natyrë e shoqëri, lidhjen dhe ndikimin e ndërsjellët të tyre. Prirja meditative që bëhet temë e poezisë së Filip Shirokës në këto krijime është larg didaktizmit dhe moralizmit që vihet re në poezinë meditative të Rilindjes, me këtë temë, sidomos tek Naimi e ndonjë tjetër. Ajo ka si bosht orientues idenë patriotike që i jep qartësi mendimit dhe ndjeshmëri krijimit. Tonin moralizues, poezia e Filip Shirokës e provon në vjershën meditative me përmbledhje sentencash poetike “Mësimet e Harapit”. Vjersha veç vlerave që paraqet për prirjen përparimtare për kohën, ku poeti rreh të zbulojë thelbin e virtyteve morale që zbukurojnë njeriun, vashën e gruan në veçanti, është me interes për ndikimin që poeti pati nga filozofia e morali i botës së lashtë arabe si dhe për freskinë që sjell në pasurimin e tematikës së poezisë meditative të Rilindjes. Me lëvrimin e këtyre temave krahas temës patriotike që zotëron në veprën e tij poetike, Filip Shiroka, jo vetëm që ka hyrë në fondin e poezisë shqiptare, por ka dhënë ndihmesë në zhvillimet e saj tematike.

Filed Under: Sofra Poetike

MUSINE KOKALARI, PËRMENDORE ETNOGRAFIKE PËR KRIJIMIN E FAMILJES SË RE NË GJIROKASTËR

October 27, 2025 by s p

Kosta Nake/

Krijesa që po shqyrtoj, nuk ka ndonjë përcaktim letrar, por ka karakteristika të mjaftueshme për ta quajtur roman: Një subjekt linear me detaje dhe një retrospektivë për fëmijërinë e nuses, një numër personazhezh të individualizuar, një harmonizim të ndodhisë me mjedisin natyror e shtëpiak, portretizime, ndërsa fizikisht ka një vëllim prej më shumë se 300 faqesh.

Patën kaluar pesë vjet nga botimi i librit të parë “Siç më thotë nënua plakë” dhe ndjehet rritja cilësore e shkrimtares Kokalari, duke kaluar nga dialogu dhe ligjërimi i thjeshtë bisedor te rrëfimi në vetën e tretë dhe alternimi i mjediseve ku zhvillohet dasma e dy familjeve, përkatësisht në shtëpinë e Haxhi efendiut e Qibros që martojnë vajzën e tyre Xhemile dhe në shtëpinë e Mirteza agait e Ruhusë që martojnë djalin e tyre Nexhip. 

Romani hapet në mënyrë klasike me përshkrimin e mejdisit në një mëhallë të qytetit të Gjirokastrës, pastaj bëhet paraqitja e gruas së shtëpisë që ka dy djem dhe një vajzë për të martuar. Mjaft interesante është paraqitja e gjendjes së qytetit në trajtën e një kronike telegrafike: “Djali i Hasaf efendiut ndau gruan. Hasibesë në Palorto i vdiq djali në Amerikë. Xha Meteja ra nga shkallët dhe theu një këmbë. Tek mulla Seferi në Manalat u ndanë vëllezëria…” (f.24) Përshkrimet e natyrës dhe të mjedisve shtëpiake vijnë herë pas here si vëzhgime të personazheve me fjali të kursyera por mjaft shprehëse. “Nëna vate te penxherja, hapi xhamin dhe nderi kokën jashtë. Akoma s’kishte dalë mirë dielli. rrezet e para ngriheshin dhe humbitnin në qiellin e veshur me re të murme që dalëngadalë po ecnin nga njëra anë në tjetrën duke lënë hapët aty këtu nga një copëz qiell të kulluar.” (f.153)

Portreti i Xhemiles jepet fillimisht nga rrëfimi i Haxhos që ka rolin e shkueses: “…më të mirë se këtë s’ke ku të gjeç. E mirë e nga njerëz të mirë. E çapit dhe e vrapit, e gërshërës dhe e gjilpërës. Ç’i sheh syri, ja bën dora. Gojë ka e gojë s’ka. S’i dëgjohet zëri kallogresë. Mban shtëpinë në krahë me gjithë ata burra… Ç’të thom. Do të hapëç shtëpinë.” (f.14-15) Pastaj portretizimi vazhdon nga autorja: “Hyri Xhemileja. I dridheshin këmbët. Zinxhiri i florinjtë i  shquante në qafën e bardhë. Të verdhët e surratit u bë i kuq kur po afrohesh te vjehra. Mirrte frymë thellë dhe dendur. Zemra i kërcente si pulë. Leshrat e zeza pisë e të krehura mirë, vetullat pe, ai sy i math, ajo gojë si kuti…” (f.47) “Mir frymë thellë. Kosat e qenë ksepleksur dhe i mbulonin supet. Leshërat i kishin rënë në surrat. Sadeja përpara i qe zbërthyer. I dukesh gjoksi gjysmë i hapur.  I ulesh e i ngrihesh nga mir frymë dhe i çquanin kokallat e qafës. I kishte mbetur surrati sa një karavele.” (f.152)

Një nënë s’ka qetësi derisa ta fejojë vajzën që ka mbushur vitet e pjekurisë seksuale. Po qetësia e saj prishet kur vjen dita për ta përcjellë te “dera e botës”. Mos e martoi pak si shpejt? Mos e donte vajzën më pak se djemtë? “Si të vjen në atë çast ndarjeje. Të vjen si në të qarë. Të duket sikur do të nderç duart e ta zëç e mos ta lëç të iki.” (f.160)

Vendi i nuses së re te familja e burrit vjen bukur nëpërmjet këshillave të së ëmës: “Bënu e mirë me vjehrin dhe vjehrën, vetëm lepe e peqe. Sido që të vijë puna ti, si më e vogël, mos folë. Në mëngjes kur të ngrihen njerëzit e shtëpisë, të të gjejnë në këmbë…”(f.157)

Në morinë e atyre që kanë lidhje me dasmën shfaqet edhe Kako Pinua që bën rolin e bullës, gruas që e përgatit vajzën për martesë dhe e shoqëron edhe te shtëpia e burrit. Është po ajo Kako Pino që do të vinte më vonë edhe te “Kronikë në gur” e Ismail Kadaresë.

Libri është botuar në vitin 1944 dhe, çuditërisht, jo vetëm që nuk ndjehet atmosfera e luftës, por as që përmendet ndonjëherë. E konsideroj sfidë ndaj luftës vrastare që shpërthen e përhapet për interesa që s’kanë lidhje me aspiratat e popujve dhe i tërheqin thjesht si mish për top, nga ana tjetër lartëson traditat, zakonet dhe ritet që ushqejnë dhe zbukurojnë jetën me aktin më të shenjtë të krijimit të familjes, gjë që siguron vazhdimësinë dhe përsosjen e jetës. Mbaroi dasma, “një zogëzë e bukur bëri fole të re për jetë, një rreze drite hyri në atë shtëpi dhe tek hyn e del, qeshnin nga gazi divanet, muret e çdo gjë që ishte atje rreth.” (f.269)

Nuk përjashtohet mundësia që kjo heshtje të ketë lidhje me faktin që vitet e saj të studimit përkuan me vitet e pushtimit fashist dhe ajo që ndoshte në Shqipëri shikohej krejt ndryshe në Itali. Ndoshta dhe zhgënjimi që pësoi nga lidhja intime me një italian mashtrues, një ushtarak që luajti rolin e komedianit që maskohet me inteligjencën e vet.

Libri përbën një prerje kohore të ngrirë që pasqyron jetën qytetare të Gjirokastrës një shekull më parë, që bën një paradë të zakoneve dhe riteve prej fejesës deri pak ditë e javë pas përfundimit të dasmës, prek problemet që lidhen me traditën patriarkale të krijimit të familjes me shkuesi dhe zbulon xixëllonjat e para të ndryshimit. Rrëfimi pasohet edhe me një përmbledhje të asaj që u pasqyrua dhe përmbyllet me mesazhin e drejtpërdrejtë që pas pushtetit absolut të burrit në fatin e familjes, kishte ardhur koha për t’i dhënë gruas vendin që meriton: “Gruaja sot, nga bota e perënduar e djeshme zuri udhën e saj dhe kërkon të jetë përgjegjëse për veten dhe të marrë pjesë  në të gjitha ngjarjet e kohës, kërkon të dijë ku rron,  përse rron në jetë për të drejtën e saj si pjesë e pandarë e asaj që është.” (f.302)

Shkrimtarja Kokalari e shfrytëzon pasqyrimin e një prej momenteve kulmore të jetës, pjesës më të bukur të saj, siç është dasma, për të prekur edhe probleme të familjes shqiptare. Pas Haxhi efendiut lexuesi gjen atë grup parazitar e të papërgjegjshëm burrash që “pinte sa i dilte nga hundët, lonte kumar sa linte edhe këmishën e krahëve” (f.10-11) Përballë Haxhi efendiut lartohet portreti i krushkut. “Mirteza agaj rrinte në këmbë te pragu i portës me tas në dorë që e kish mbushur me oriz dhe me para. Fanella përpara i dukej e bardhë shkumë. Mëngët e kondosë i kishte të gjera. Tek xhamadani i varesh qosteku. Poturet e zeza i rrinin mirë. Brezin e bardhë e të leshtë e kishte rrotulluar tre herë pas mesit. I çquanin gajtanet. Dizbat e kuqe, lidhur te gjuri dhe kallcat e reja i kishte nga më të mirat. Këpucët me kapak të drejtë i rrinin pas këmbës.” (f.195-196)

Ishte koha kur fati kërkohej në fundin e filxhanit dhe njerëzit ishin nën trysninë e bestytnive dhe magjive. Merushja i vuri Xhemilesë nën jastëk një fre kali që ta kishte gjuhës të shkurtër para vjehrës. Tetua e Xhemilesë e përvëloi pragun e derës me ujë të nxehtë, kur doli nusja, për ta mbrojtur nga magjitë. 

Me detaje jepen lulet, gatesat, stolisja e nuses, paja që shkëmbejnë të dy palët, teatri gazmor i dasmës me gra që vishen si burra, etj.

Ishte shtrenjtuar jeta në rrafshin ekonomik. Më parë njeriu me një frangë ngrinte pazarin dhe e mbushte shtëpinë me një mijë të mira, kurse në kohën e dasmës dollari s’kishte duk dhe napoloni të ikte nëpër duar. Ishte behar dhe Gjirokastra vuante të nxehtin dhe mungesën e ujit. Me ndjeshmëri humane ka kapur autorja marrëdhëniet mes qytetarëve gjirokastritë dhe evgjitëve, në radhë të parë burrat instrumentistë, pastaj edhe gratë shërbyese që bëheshin pjesë e riteve dhe trajtoheshin me njerëzillëk.

*

Romani është një përngjitje e zakoneve dhe riteve me folklorin e pasur që karakterizon pasurinë shpirtërore të popullit tonë. Kënga kapërcen pengesat e mjedisit patriarkal dhe paralajmëron ndryshimin:

“Shoqetë më panë,

Ç’bën ashtu më thanë?

Puthem me jaranë.” (f.141)

“Do ta ndaj gruan e parë,

Do ta marr leskoviqare,

Ato kanë naze shumë,

Naze shumë e stoli shumë

Veshin rrobatë mbi gjunjë.” (f. 182)

Këngët popullore shoqërojnë ritet në çdo hap të tyre duke hedhur dritë farfuritëse mbi dhëndrin e nusen, duke hedhur në eter vargje plot humor sit e kënga e Xhevros për babanë sarhosh e kokëpakrehur, duke zgjeruar gjeografinë e zonave shqiptare me Beratin, Tiranën, Janinën, madje duke u hedhur deri në Stamboll, duke thirrur në mjedisin lirik dramën e kurbetit (f.257), ngjarje historike si ajo e Shemo hajdutit (f.219) apo e rrëmbimit të bejkës (f. 245), apo duke sjellë baladën e fjalës së dhënë me Kostandinin dhe Dhoqinën (f.255). 

Përshkrimi i riteve me detaje dhe përcjellja me këngë ditë pas dite dhe hap pas hapi e kësaj dasme ka vlerën e një studimi shkencor, çka dëshmon për një vëmendje të vazhdueshme dhe kërkimi të thelluar të Musine Kokalarit në përmbajtjen e tyre, në atmosferën festive që krijojnë dhe në mesazhet që përcjellin. Ky interes për foklorin do të shkëndijonte te Musineja që në moshën 10-vjeçare, do ta lartonte si studiuese kur ishte studente në Romë, do të rrezëllinte edhe në ditët e qëndrimit të shkurtër në Korçë, edhe kur u strehua për pak ditë në një familje arbëreshe, edhe kur kthehej në Tiranë.

 Është rasti për t’u ndalur te transformimi i thellë që ka ndodhur te dasma shqiptare sot: dikur me një raport harmonik mes riteve, dollive, këngëve e valleve, ku çdo dasmor e ndiente veten aktor në ceremoninë e bashkimit të dy të rinjve dhe dy familjeve. Sot dasmorët janë kthyer në shikues të spektaklit që fokusohet te këngëtarë të njohur, është ruajtur masiviteti në valle, emigracioni ka sjellë edhe valle greke, pastaj pjesa tjetër mbetet ushqimi. Ka humbur kënga popullore, një nga pasuritë e çmuara me shumëllojshmëri mahnitëse dhe një nga mënyrat më të mira për çdo dasmor që të lëshojë në atmosferë dhe mbi tavolina shpirtin dhe zemrën që mezi prêt të çlirohet nga hallet dhe stresi në një ditë gëzimi.

Përdorimi i shpeshtë i fjalëve tingullimituese përbën një tipar të stilit gjuhësor të shkrimtares Musine Kokalari dhe e ka burimin te objekti i veprës së saj – jeta familjare – ku komunikimi është emocional, mjedisi përfshin të gjithë brezat e shoqërisë. Shkrimtarja i shfrytëzon fjalët tingullimituese për ta bërë përshkrimin më të gjallë, më tërheqës, njëkohësisht për të pasqyruar mjedisin tingullor pa të cilin jeta njerëzore do të ishte tepër e varfër. Le të kujtojmë me këtë rast efektin që ka trokitja e gotave të qelqit ndër pijetarët.

Nga dy vëllimet e para të veprës së saj të zgjedhur kam veçuar 68 njësi tingullimituese që mëtojnë të sjellin tinguj dhe zhurma të jetës njerëzore, të kafshëve, të dukurive natyrore, të mjeteve të punës, etj.

Nga jeta njerëzore: auah, cim-cim, çu-çu-çu, dëng e dëng, ëh… ëh… fiu-fiu, gë-gë, gu-gu, pa-pa, pësh-pësh, pthë-pthë, vu-vu, xhër-xhër…

Nga kafshët: fësht, gër…gër…, ngëcë-ngëcë, pat-pat-pat, rën rën rën, roj-roj-roj,…

Nga natyra: kllul-klluk, për…për…, pik…pik…pik…, pllup-pllup… 

Nga mjetet e punës: bam bam, bram, cak, çak…çak…çak…, dum… dum… dum…, fësh e fësh, tik-tak, trakër-trukër…

Të tjera: daf e duf, fërc, kër, vërc…

Shembuj:  

Rrëmbeu nga sheshi një shkop të madh dhe bam e bam i ra kaq herë me radhë. (2 f.18)

Zunë çu-çu-çu me njëra-tjetrën. (2 f.82)

E pinte dëng e dëng rakinë. (2 f.100) 

Ç’janë ato të hyra e të dala, fërc tek njëra, fërc tek tjetra. (1 f.6)

Nëpër këmbë fësht i shkoi një gjë. (2 f.18)

Pllup pllup binte nga një lule e thatë. (2 f.16)

Trakër-trukër një djep që tundesh nga dora e nënës. (2 f.114)

Xhur-xhur i venin lotët. (2 f.148)

Fjalët tingullimituese paraqiten si një njësi e vetme ose si përsëritje dy dhe tri herë e së njëjtës trajtë: fësht, kllul-klluk,  çak…çak…çak…. 

Mund të dalë me dy pjesë që kanë zakonisht një tingull të ndryshëm: tik-tak, trakër-trukër.

Në vështrim drejtshkrimor fjalët tingullimituese me dy ose tri fjalë të përsëritura veçohen me vizë lidhëse, me presje me tripikëshin dhe nganjëherë mes tyre futet lidhëza “e”.

Libri në tërësi ka vlera të shtuara gjuhësore sepse e sjell mjedisin miks me greqishten në Gjirokastër dhe veçoritë e të folmes në atë zonë të toskërishtes tri dekada para Kongresit të Drejtshkrimit. Stili gjuhësor për të cilin shkrova për përmbledhjen “Kështu thotë nënua plakë” ruhet me të njëjtat karakteristika edhe te ky libër.

(Libri “…sa u tund jeta” i Musine Kokalarit, 1944 Vepra e zgjedhur 2, Tiranë 2017)

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 133
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT