• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një përkthim i Nolit

January 3, 2019 by dgreca

Një përkthim i Nolit/

Noli

GRENADIRËT  E  NAPOLEONIT/

1 heinrich Heine

 Heinrich Heine- (1797-1856)/

Për Franc’ u nisnë të dy grenadirët;

Na ishin zënë robër në Rusi,

Dhe në kufi të Nemces kur arrinë

Kokën e varn’ e zunë vaj e zi.

 

Dëgjuan lajmën q’u pikoj në xhan

Që Franca ish e humbur plotërisht,

Q’ asqer i Math ish mundur, mor aman,

Dhe Mbreti or Mbreti na u-zu jesir.

 

Ahere qanë hidhur grenadirët

Kur muarnë mandatën për vajtim;

Dhe njëri tha: “Ajme, zëmra më çiret,

Më ther një plag’ e vjetër pa shërim!”

 

Dhe tjatri tha: “Havazi mori funt!

Njëlloj të vdes me ty dhe unë dua,

Po kam foshnj’ e grua në katunt

Dhe do të mbeten udhëve pa mua.”

 

“Or mall s’të kam për foshnj’ e grua plakë,

kam një dëshirë më të lart’, o bir;

ngordhçin të gjithë rrugës liparakë,

kur Mbreti or Mbreti na u-zu jesir.

 

“Këtë dëshirë m’a mbaro, or vlla,

nëqoftëse tani të le shëndet:

trupin m’a shpjerë në Francë, në vatan,

në Francë më mbulo me salltanet,

 

“Kryqin kordhelë-kuq, nishanin tim,

m’a var, të lutem, përmbi zëmrën time,

dhe në të djathtën nem dyfekun tim,

edhe në brezin ngjish-më shpatën time.

 

“Kështu pra, do të shtrihem, do të pres

në varr si në kaushin gardian

gjer ditën kur topi gjëmon, kërcet,

dhe kali hingëllin mbi çdo dushman.

 

“Ahere Mbreti më kalon mbi varrin,

këllçet, vetëtijn’ edhe kërcasin;

dhe unë i armatosur dal nga varri

dhe Mbretn or Mbretn’ e mpronj të mos m’a ngasin.”

 

(Shënim: Kur u-botua kjo vjershë për herën e parë, kundrështarët e akuzuan vjershëtorin si monarkist e tradhëtor. Akuza ish e pathemeltë. Vjershëtori e adhuronte Napoleonin si liberator ndërkombëtar, dhe kishte shoke me ato ndjenja në tërë botën Evropiane.

Këtë vjershë elegjiake të mallëngjyer e pavdekësoi si këngë me muzikë Robert Schuman-i, kompozitor Gjerman. E përktheu shqip nga gjermanishtja Namik Namazi, më 1 Qërshor 1963).

Vjersha u botua në “Dielli”,  më 19 qershor 1963.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Grenadiret e Napolonit, Heinrich Heine, noli

Kadare: TERRORI NË KOSOVË

January 3, 2019 by dgreca

TERRORI NË KOSOVË/

1 a kadad

ISMAIL KADARE (Botoi Dielli, 16 prill 1982)/

1 dielli kadare.jpg

E hidhur Vjeshtë e këtij viti

Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zes mbi të ia mbërritën
Hetues, gjykatës e prokurorë.

Me dhjetë vjet burg,me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku
Kështu mes jush shekullin ndani
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.

Dhe patë se koha e Mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartholomeu.

Por koha kurrë s’vjen përgjysëm,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit Car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur iu griu,
Por retë e globit veç ju panë,
Ndërgjegje e Botës te ju mbërriu.

Kështu në vorbull të epokës
U ngritët Ju si monument;
Ju që e prekët historinë
Dhe në Histori u kthyet vetë.

Ismail Kadare, Dhjetor 1981

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Ismail Kadare, TERRORI NË KOSOVË

GOMARËT, LEPURI PLAK DHE VALIU I KASABASË

December 28, 2018 by dgreca

Në vend të Platformës së bisedimeve me Beligradin/

Nga: Sinan KAMBERAJ/

2gomeret e sinanit

GOMARËT, LEPURI PLAK DHE VALIU I KASABASË/
—————

Po iknin me t’katrat veshngritur/
Gomarët e Kasabasë varg e varg/
Valiu kishte lëshuar Fermanin:/
– I dua të tredhur, që sot – jo më larg!/

Mes tyre vraponte I tmerruar/
Një Lepur i rrjepur e kurrizdalë/
– Po, ti? – i tha një Gomar plak,/
– Pse ik’ ti pa lazëm; qenke dhe i çalë?/

S’ka punë me ty Ustai, o derëzi!
Fermani vlen veç për rodin tonë!
– O, kur ta këtë marrë vesh Ustai se jam Lepur
Për koç .. t’mia bëhet shumë vonë!
*
– O, Zot, ç’po ndodh? -pëshpëriste mileti;
Ç’të keqe bënë të urtët hajvanë?
– E di vetë Valiu, thoshin Plakat;
S’ka vakt Ai të llafoset kot me dynjanë!

Po plasnin së qeshuri fshehur vejushat:
– Bo-bo, ç’budalla ky Valiu i Ri!
Dhe i mbanin ijët tek kujtonin
Kastrimin e veshgjatëve fatzi’!

– Ah, sa gazmorë që ishin kur pëllisnin!
Shyhret kish gjithë Pazari; sa gazmorë!
Ç’punë ka me koç… të tyre Valiu?!
Pu-pu! – bënin ato dh’e mbanin kryet me dorë

– Ç’do të bëjnë të gjorat Gomarica?!
Pelat kushërira, ç’do bëjnë, sa keq?!
– Hë, mo!, – ndërhynin lëneshat;
– Ç’është gjithë ky vaj për ca Gomarë Pleq!
*
Gomarët po e linin Kasabanë –
Pazari, oh, do të mbetej shkret!
Si do ta dinë orarin e drekës –
Qysh nesër: ministra e deputetë?

S’pjerdh Valiu për Kryeministra e ministra
S’çan bythën Ai për zyrtarë!
Ka hallin e Hyrije Hanëmit –
Q’ia prishin Gomarët gjumin e parë!

– Dhe, kur Hanëmi nuk fle rehat
Guverna pëlcet prej zararesh:
Po vazhduan t’ua çnjohin njohjet –
Lidershipi ka për t’bërë punë Gomarësh!
—-
25 Dhjetor 2018

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bisedimet me Beligradin, Gomaret, Lepuri, platforme, Sinan Kamberaj, Valiu i Kasabase

Sofra Poetike- Anton Çefa: LARMI POETIKE

December 23, 2018 by dgreca

LARMI POETIKE/

3-anton_cefa

Nga Anton Çefa/

Poezia/

Bulon në shpirt,/

Prekë të padukshmen/

Dhe i falë jetës nji kuptim solemn/

Prej gëzimi që dhemb./

Nën shkëlqimin e metaforës/

Si në nji fosil/

Rri i mshehun mesazhi i jetës./

 

***

Mbolla farë lulesh

Mbolla farë lulesh

Që çelin veç ndër andrra

E hapa dyer misteresh.

 

Te lulet e fjalës kam gjetur shtegun.

Në shteg të jetës m’drejto,

O fjala ime!

***

Malli dhe mllefi

Malli i jep nji tjeter ngjyrë

Fytyrave

Dhe nji tjeter të rrahun zemrave.

 

Mllefi i jep nji tjeter formë

Sendeve

Dhe fjalëve.

 

***

Mërgimtarëve

Pelerinën e ikjes keni hedhur krahëve,

Bridhni pa kthim

Duke u zbrazur në shpirt.

 

Fikun zjarri i vatrës,

Drita e visit.

Endeni duke u strukur ndër kujtime

Që ushqejnë mallin

Në gjokset e ndezura.

 

Ndër zemra ndrisin

Dritat qiellore t’Atdheut.

***

Përrallë e vertetë ose rruga e kthimit

Do t’ju tregoj nji përrallë të vertetë, përrallën e të gjitha kohëve; në nji vend dhe në nji kohë na ishte nji njeri. Dallgët e një oqeani të trazuar, që quhet fat ose jetë, ndoshta zjarri a uji, lëngata ; ndoshta gjendja ekonomike, dëshira për t’u larguar, a malli për të parë dhenat e huaja, nuk jam i sigurtë, e hodhen në dhena të huaja. Kështu i kishte ndodhur edhe babës së tij, gjyshit, stërgjyshit.

Për të mos harruar rrugën për kthim mori nji grusht nga hini i shpirtit, që digjej për mëmëdheun, dhe e hodhi gjurmëve që lënin kambët.

Hini i shpirtit i qëndroi besnik dhe i mësoi rrugën e kthimit.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa, LARMI POETIKE

KARVANI I FERRIT

October 29, 2018 by dgreca

Karvani i ferrit/

2Rafael-300x263

Nga Rafael Floqi/

Mikut tim Nikollë Hysa, të cilin një vjeçar, së bashku me djepin e hodhi mushka ne greminë, ndërsa nëna e tij po dërgohej tok me fshatarët për internim në Kampin e Tepelenës…./

Malet po kërrusen nën peshën e dhimbjes

Kreshta e Marlulës ngushëllon atë të Vilës,

Shkëmbinjtë gërricin faqet në vallen e gjamës,

Në fshat s’ka më as kuaj as mushka,

As keca, aq qengja, as lehje qensh lajmërues,

As gjelat s’këndojnë,

Veç korbat,

Dhe lakuriqët fole bëjnë në oxhak,

Pasi tym s’del më nga kullat,

Dhe lumi i Limit s’ka ujë por lot.

Në Vermosh kudo zjarret janë fik….

Mbi shkëmb era si kasnecë ndjellakeqe

përhap gjamëm majëkrahu si britmë:

Në Qafën e Përdelecit, në të Vjedernikut,

Është shfaqur kuçedra e kuqe

Burrat kanë ikun ….

Të tan’ po i marrin, pleq gra e ferrishta

Të tan po i mbledhin e po shkojnë,

Me gra me pleq me çuna me cuca,

Vermoshin po mbyllin në Vathën e Vdekjes,

Kelmendin duan ta shuajnë.

-Po ku je, o ku je,…  o Prekë Cali ?, thërret mali…

Të gjithë i tubuan, e mblodhën gjindjen si berra,

Tok me mbi 70 kuaj, mushka, kosha, kashunë,

pleq e fëmijë, dhe djepe,

oh sa djepe,

vuri përpara Batalioni i zbulimit….

 

Dhe kullat janë bosh….

Dhe veç era oshtin e shkërmoq dyert në pragje.

Bravat, kërcasin, kanatat përplasen

Ata gajasen…

Qentë i lehin hënës dhe kuisin duke trembur orlat

nga kufomat e burrave të vramë e të pavarrosur…..

Të tan’ i morën, të tan po shkojnë,

Dhe shpirti i Prek Calit endet fantazmë

nga shpella.

“Se di se për ku këta njerëz, po i çojnë…

Nuk mundem sot t’u prij dot gjindjes

Si Mem Smajli, në Bjeshkët e Pojanicës”.

E gjithë lama vjen erë tradhtie, gjëmon Preka.

Në shesh kanë qerthue të gjithë që i gjetën

Qe Marku, Pali, qe Gjeka qe Frani qe Kola,

Qe Mria, qe Lezja, dhe Lula dhe Pashka

Me pleq dhe ferishta dhe reja dhe plaka,

Ndër ta turfullon gjaku i Norës së Kelmendit,

Ndërsa në oborr korbat mësynë trupin e të vrarit

Që nata tradhtare, siç duket pa gjyq e vrau

“Për një faj, për të vetmin faj, se qe i pafaj

O Krisht ….

Para skuadrës të pushkatimit “Zjarri” dhe flaka,

Dhe jehona e tyre që ende zhdaravitet honesh

Fjalët e thikta “Ta vrasim, ta bëjmë shembull”,

Babën që erdhi veç për të parë të birin.

Dhe shkabat ia shqyen plakut të vdekur sytë,

Por djaloshit sytë ia lënë pa cekur.

Para bukurisë

dhe shkabat dhe orlët s’munden, kanë shpirt

Por jo njerëzit.

Dhe ashtu të vdekur e lanë zbuluar,

Vetëm 15 vjeç,

se bukuria e kishte aq të pacak gjëmën.

 

Dhe në frëngjitë e përflakuara, përzhitshëm,

Përzishëm vajtojnë e nxjerrin flakë në kamare,

Ata erdhën tok me shqaun dhe na vranë…

Në atë kullë të Calajve ku pleqnoheshin ngjarjet koha,

Ku gjykoheshin njerëzit, nderi, besa, burrnia,

atdhedashuria, feja, fisnikëria

dhe dënohej me shpërfillje paburrnia…

Por sot ka bujt i paftuar,

Toger Baba, apo toger vdekja

Tok me batalionin …

Dhe të vdekurit

Sot s’ka e s’mundet kush me i varrosë…

S’mundet.

 

“Një nënë lutet, veç të mjelë pak dhitë

Të ushqejë për udhë të dy fëmijtë,

Njëri katër e tjetri tre vjeç strukur

në koshat e një kali nuk flasin,

as luajnë me topin e grisur të leckës…

Karvani niset, kambanat e kishës janë shortitë

Zanat kanë marrë arratinë Bjeshkëve të Namuna…

Zilet e mushkave po treten ca nga ca

Duke çuar e zgjuar hamendjet e të mbeturve

Ku po i çojnë ku po e çojnë karvanin ?

Larg Vermoshit, larg Lugut të Skropatushës,

Larg Lugut të Dolit dhe shkëmbinjve të Lëpushës,

Thonë në Tamarë , tek ura 500 vjeçe,

thonë përtej në Shkodër,

Thonë larg në jug në një vend erërash

Buzë lumenjsh të tjerë, buzë malesh të tjera…

Tepelenë i thonë.

Karvani ecën, ecën por gjë s’di se ku

Ata s’ pyesin, s’munden, asnjë s’bëzan…

Janë bërë një dhe njerëzit dhe kafshët

Me ca zhurma të çuditshme thundrash zvarritëse

që habisin dhe nallbanët

Mushkat kuajt dhe hajvanët heshtin,

Dhe tërheqin zvarrë patkonjtë në pluhur.

Dhe malet klithin

e shkëmbinjtë rrezojnë gurë,

Dhe oshtijnë nga dhimbja shpellat

E tremben ujkonjat, tremben edhe mushkat,

Njëra hedh vickla

E shkund dhe rrëzon nga samari

Djepin e motakut, fluturimthi tej natës,

Rrëkëllehet mes bungjesh në greminë

Foshnja dhe djepi, përkundet mes shkrepash

”O bir ku je”, klith nana,

e me gjëmime gjame kall në flakë rrufetë e pezmit.

Ngrin karvani,

Fëmija qan se s’di të flasë ende,

Djepi rrokulliset, mes shkurresh, trandiset,

Ajo turret pas tij, ndër ferra gërvishtet

Pa, pra, një breshërimë e step, Një klithmë : “Ndal!”

Shqyhen qiellin e natës, që pa frymë grah

“Thirrja “O bir….!, i dhimbet dhe dheut ….

A ka Ajkunë qe mos kërkojë dot djalin?

Mbi bokërima, mbi shqopa, ku kacavirret djepi,

Fëmija i trembur hesht dhe fle…

E klithma e nënës që natën çau.

Bën malet të thërrasin njeri-tjetrit majëkrahu

“Qetësohu shsht, atë e shpëtuan zanat,

E Gurrës së Smutirogës që mbron nënat”.

“Ec para, para bërtet bisha …, Para!! ”

Dhe jehonat e urdhrave përthyen në harresë,

Gjersa heshtja mbretëron, gjithçka e zbrazët,

Zemra e nënës papritmas qetësohet,

Një ditë më parë i qe vrarë burri, sot i iku djali,

Ç’e do jetën le të hidhet mbi një hon…

A zemra që sa s’ plas rroket pas molike,

Por burrat me pushkë e shtyjnë, “Ec para!”.

“Ec, ec!” nuk dëgjohen më të qarat e foshnjës

Pishat e egra thurin djepet e trishtimit.

Thumbojnë dhembjen e madhe me hapa ecje,

E presin me tehe thikash shkëmbinjtë e bardhë

Që përlotin stalaktitet e gjalla e shpellës së Jacicës,

Si në defterët e tragjedive si në kryqet e varrezave,

Si në fluturimin e skifterëve dhe të bufave,

Që prekin malet me kulmin e pezmit e të dhimbjes,

Dhe karvanin e ngucin e shtyjnë të ecë para

Dhe në mes të natës një këngë mërmërisje,

Që mushkat me zilet si vajtojca për fëmijët e tretur

Dhe karvani ec, ec, duke ia marrë edhe ai gjëmës.

Ndërsa qumështi i Rozafës niset e thahet prej lodhjes

Dhe gurra e Jasicës nuk i ndihmon dot lokes.

Xhubleta u çor nga ferrat, këmisha plas nga dhimbja

Dhe nëna thith gjinjtë e saj

e për t’u ushqyer ha veten, pi dhimbjen e saj…

Dhe hana ngjallet mbi Bjeshkët e Nanuma

E përpiqet të fiksojë të rënët dhe retë

Vrasësin e tokës së varreve të burrave të mirë,

Që Kelmendi mos t’i harrojë, u qet këngë,

Burra si gurë sinori në trojet e atit…

Maleve drita papritmas përkundet në djepa drush,

Dielli nuk i beson syve të vet,

Lumi turbullon shakujt e rrokullis gurë

Dhe zogjtë dhe qielli tani janë gurë të ngrirë

Veç mushkat dhe gjëmat ecin,

Drejt shelgjeve të vajtimit marshojnë

Në fshat hingëllimat e kuajve e fundit

përzihen me zërin e gjetheve në pyll,

Drejt shelgjeve të erës të vajtimit

Marshon karvani i dhimbjes,

Te-pe-lenë, i tingëllon “të fat pa lemë”….

E tok me hapat e pleqve në natën e fundit të ferrit,

Në një këngë të re legjendash përcillet

Nga rreka e thatë e përroit të pasigurt, derdhet,

E zbret prej malesh karvani i vdekjes prore

Përtej nëntë rrathëve të Ferrit të Dantes,

Lahuta përvajshëm, përvujtshëm qan

E dredh në harqe vargjet e saj mortore,

E këlthet Malësia me zërin e At Fishtës :

“O natë e kobshme!  O natë tri herë mizore,

O nata e fundit t’ferrit,

Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore”.

 

Mëngjes, për në punë

 

 

Hëna e plotë pas pemësh gjurmon fshehtas

Në këtë agim të mistershëm Halloweeni,

Nanurisjen e shoferëve që shkojnë në punë

Me makina si në karvanin funeral të gjumit.

Ajo mëngjesin pret, ende s’ka kënduar gjeli…

Shekujt e rinj, shtriga të reja pjellin

U, u, kuku, duku tek Facebook-u,… boou-ku

Mallkojnë një gjykatës dhe pse i pafajshëm,

Ç’ rëndësi ka, dhe ne qemë të pafajshme,

Me too, boo, kur shpirti digjej nga turra me dru…

Radioja ysht hënën, “Abrakadabra, t’u shoftë drita“

Dhe në këtë autostradë makabre të vjeshtosur,

Mbuluar nga një rrjetë merimange gjethesh

Një karvan njerëzish që ikin, e një karvan që vjen,

Duke cytur hënën, herë me drita mjegullash,

E duke e zbuar herë me pishtarë të kuq stopash…

E në çast, duket sikur Dielli e rrufiti kafenë,

Rreziti pyllin, e pemët i pyeti “ Si keni ndje?”

Mes dridhmash, dushqet, drodhën degët,

E Hëna si gjethe e zverdhur u rrëkëllye përdhe,

Dhe aureolën e misterit  e shoi, e fiku

E alivanosur u zbeh, dhe i humbi drejtpeshimi,

E anës një rruge u ngul si tabelë trafiku,

Ku shkruhet:

”Ndalohet rreptësisht, ëndërrimi!”

 

 

Vjeshtë

 

Një çift patash i gëzuar para shtegtimit,

zbuloi një pellg të vockël në lëndinë,

mes pemëve me gjethe ngjyrë shege

që rrëkeja e shiu e pat harruar jetime.

 

Dhe me zhurmë, përqafuan, u puthën,

s’e se dinin kur do çiftoheshin sërish,

Plot zhurmë pendët e qullëta shpupluan,

ajo qafëzezë , ai qafë ngjyrë plumb.

 

Mbi ta “V”-ja e një skuadrilje patash

shkundte prej resë pupëlore vesën,

e mështekna rrëzonte mbi baltë gjethet

si për t’ia mbuluar mëkatit gjurmët.

 

Një puthje e lashtë

 

Nuk e di se ku je ti tani,

Shumë vjet kanë kaluar,

Por nuk e di,

sesi ngrohtësia e asaj puthje

ka mbetur në kujtime…

Nuk e di

a ka një termos memoria

Për sa kohë

kur ndjenjat janë fikur

ka mbetur

ca prush

nga mumja e puthjes,

edhe pasi ti ke ikur.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Karvani i Ferrit, Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 134
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT