• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EMRAT ASNJANËS DHE GABIMET TONA ME TA

February 22, 2025 by s p

Në një shfaqje televizive në një nga televizionet tona kombëtare, para konkurrentëve të konkursit u shtrua pyetja: “Sa gjini ka emri në gjuhën shqipe?”. 

Kjo ishte një pyetje e vështirë për konkurrentët e atij konkursi televiziv, të cilët ishin shqiptarë, shqipfolës, që lëndën e gjuhës shqipe e kanë bërë për 8-9 deri në 12 vjet nëpër shkolla. Përgjigjja e konkurrentit ishte: “Dy gjini: gjinia femërore dhe mashkullore”. 

Nga kjo përgjigje mora shkas të trajtoj këtu edhe gjininë asnjanëse të emrave në gjuhën shqipe, që ky konkurrent, ashtu si një pjesë e madhe e shqipfolësve, siç duket, nuk e dinë që ekziston. 

ATËHERË, emri në gjuhën shqipe ka tri gjini: gjinia mashkullore, gjinia femërore dhe gjinia asnjanëse. Edhe pse gjinia asnjanëse është drejt zhdukjes, këta emra ekzistojnë ende në gjuhën shqipe.

EMRA ASNJANËS janë kryesisht emra të nyjshëm, që kanë ardhur nga:

1. emërzimi i pjesoreve të foljeve: të ecurit, të ardhurit, të qarët, të qeshurit, të menduarit, të qenët etj.;

2. emërzimi i mbiemrave duke ruajtur nyjën përpara, p.sh.: të errëtit, të kuqtë, të zitë etj.

Përveçse shumë shqipfolës nuk e dinë që këta janë emra asnjanës, por edhe kur i përdorin nëpër rasa të ndryshme gjatë të folurit apo të shkruarit, i përdorin gabim. Ndaj e shoh me vend të sqarojmë dhe të kuptojmë më mirë nga vijnë këta emra dhe si t’i përdorim drejt ata.

Në literaturë dhe jo vetëm hasim plot raste, kur përdorimi i këtyre emrave nëpër rasa të ndryshme është gabim. Kështu hasim:  /Ishte ënjtur nga të qarit./ Të qenit njeri me virtyte është gjë e rrallë sot./

Në këto dy fjali këta dy emra asnjanës, “të qarit” dhe “të qenit”, janë shkruar gabim. 

Për ta kuptuar se si shkruhen saktë, le t’i lakojmë sipas rasave emrat e këtyre dy grupeve:

  1. Grupi i parë: emrat që vijnë nga pjesoret e foljeve

Emërore: të qenët/të qarët/të ngrënët  

Gjinore: (i/e) të qenit/të qarit/të ngrënit

Dhanore: të qenit/të qarit/të ngrënit

Kallëzore: të qenët/të qarët/të ngrënët

Rrjedhore: të qenit/ të qarit/të ngrënit etj.

Shohim që në rasën emërore dhe kallëzore këta emra asnjanës dalin më –ët, kurse në gjinore, dhanore e rrjedhore dalin më -it. (Morfologjia e gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave)

Pra, te dy fjalitë më sipër kemi përdorimin e gabuar të trajtës së gjinore-dhanores në vend të emërores e kallëzores. Këta emra asnjërës saktë do të ishin: 

/Ishte ënjtur nga të qarët./ Të qenët njeri me virtyte është gjë e rrallë sot./

Por, KUJDES! Duhet pasur parasysh se në rastin e emrave asnjanës që vijnë prej pjesoreve më –ur, -uar, -yer (p.sh.: të folurit, të ecurit, të menduarit etj., trajta e gjinore-dhanores dhe trajta e emërores e kallëzores përputhen:

Emërore: të folurit/ecurit/të mësuarit

Gjinore: (i/e) të folurit/ecurit/të mësuarit

Dhanore: të folurit/ecurit/të mësuarit

Kallëzore: të folurit/ecurit/të mësuarit

Rrjedhore: të folurit/ecurit/të mësuarit etj.

Pra, për t’i përdorur saktë nëpër rasa emrat asnjanës prejfoljorë, duhet parë se nga vijnë: 

  1. nga pjesore që dalin më -ë, (qenë-të qenët; qarë-të qarët; parë-të parët, pirë-të pirët, sharë-të sharët, ngrënë-të ngrënët etj.), që në emërore dhe kallëzore dalin më -ët, kurse rasat e tjera më -it;
  2. nga pjesore që dalin më -ur, -uar, -yer (folur-të folurit; menduar-të menduarit; ecur-të ecurit, vrapuar-të vrapuarit, të lyerit etj.) Këta emra dalin më -it në të gjitha rasat, pra dalin njësoj. 
  1. Grupi i dytë: emrat që vijnë nga emërzimi i mbiemrave 

Këta emra dalin njësoj nëpër të gjitha rasat. 

Emërore: të errëtit/të kuqtë

Gjinore: (i/e) të errëtit/të kuqtë

Dhanore: të errëtit/të kuqtë

Kallëzore: të errëtit/të kuqtë

Rrjedhore: të errëtit/të kuqtë etj.

Pra, kjo kategori emrash asnjanës dalin në formë të ngurtësuar, njësoj në të gjitha rasat, sa shumë specialistë të fushës mendojnë të hiqet kategoria gramatikore e rasës të këtij grupi emrash.

Mirëpo në literaturë hasim edhe disa trajta të këtyre emrave asnjanës prejfoljorë, të llojit: të ftohurin, të vonuar, të menduarin etj. 

Këto trajta përdoren kur i referohen emrit që përcaktojnë dhe duam të shmangim përsëritjen e këtij emri. 

Nxënësi i ftohur: i ftohuri: Atë të ftohurin mos e merrni në ekskursion!

Nxënëse e menduar; e vonuar: Të vonuarën qortoje, të menduarën lëre të mendohet!

Përgatiti: Sevi Lami Agolli

Filed Under: Sofra Poetike

Racionaliteti si i vetmi opsion drejt perëndimit

February 18, 2025 by s p

Artan Nati/

Mendoja se njerëzit merrnin vendime racionale. Por tani e di që kam gabuar. Vlera e arsyetimit të qetë dhe racional, i cili është gurthemeli i demokracisë, pranohet rrallë sot. Edhe kur mendojmë se jemi racionalë, nuk e dimë se çfarë është racionaliteti në vetvete. Racionaliteti duhet të jetë ylli i gjithçkaje që mendojmë ose bëjmë. Kjo është thirrja e integrimit në Europë, për një kthim te arsyeja në një kohë kur mendimi kritik dhe baza e besimit në prova janë në harresë. Të gjithë ne duhet dhe dëshirojnë të jemi racionalë, ndonëse shumica e shqiptarëve besojnë në të paktën një fenomen që sfidon ligjet e shkencës dhe llogjikës. Fenomene tipike për ne dhe gjithë zonën e ballkanit, nën influencën otomane dhe bizantine janë besimi në miqësi e patriarkalizën, në supersticiozitet e magji, në grup dhe jo në individualitet. Edhe intelektualët e sofistikuar argumentojnë se arsyeja, objektiviteti dhe e vërteta janë thjesht konstruksione shoqërore nëpërmjet të cilave ata justifikojnë privilegjin e grupeve dominuese në politikë e biznes. Ky vasalitet i elitës së vendit ndaj pushtetit dhe parasë është treguesi mungesës së individualitetit në shoqërinë tonë. Me përjashtime të rralla, si ato të Uran Butkës, Dylber Vrionit dhe Spartak Ngjelës, të tjerët iu nënshtruan totalisht për interesa të vogla lidershipit bizantin. Përse ne aspirojmë perëndimin pa përqafuar racionalitetin perëndimor?

Arsyetimi racional është një mekanizëm llogjik trunor që na mundëson të argumentojmë dhe vlerësojmë faktet. Asnjë qenie njerëzore nuk ka arritur ndonjëherë racionalitetin e përsosur, por të bindur se e vërteta objektive është një mundësi, ne kemi zhvilluar rregulla që na mundësojnë t’i qasemi asaj. Ne mund të kultivojmë rregullat e arsyes dhe t’i bëjmë ato normative. Arsyeja i ka mundësuar qenieve njerëzore të arrijnë në hënë, të shuajnë turbekulozin  dhe të shpikin kompjuterë, kështu që na vë në kontakt me të vërtetat objektive. Arsyeja na tregon gjithashtu se disa njerëz janë të shtypur, e të tjerë të privilegjuar dhe se duhen marrë masa për të korrigjuar një padrejtësi të tillë. Si rezultat, ne kemi zhvilluar rregullin e artë të racionalitetit, i cili nuk u zbulua nga “Zoti”, por është produkt i evolucionit njerëzor, i zhvilluar në mënyrë të pavarur dhe racionale nga të gjitha kulturat.

Përse ne shqiptarët jemi kaq pak racional dhe besojmë më shumë te kulti i individit dhe në supersticion e magji? Përse ne mendojmë se gjithçka është e pandryshueshme dhe se vetëm fuqitë e mëdha apo ndërhyrja perëndimore mund ta rregullojnë këtë vend, biles shpesh mendojmë se edhe ata manipulhen nga pushtetarët tanë? Shpesh ne mendojmë se diçka është gabim në ADN-në tonë, ose gjakun tonë, siç thotë populli. Në të vërtetë asgjë nuk është gabim në gjakun tonë dhe shumë gjëra janë gabim në kulturën dhe zakonet tona, me të cilat ne krenohemi aq shumë dhe historikisht kemi rezultate negative në politikë, ekonomi e prosperitet dhe fajin natyrisht na e kanë të tjerët. Ndryshimet thelbësore që dallojnë shoqëritë njerëzore dhe qeniet njerëzore nuk janë biologjike. Ato janë kulturore dhe ne duhet t’i evidentojmë me racionalizëm. Një nga shpjegimet më të besueshme është se komunizmi la gjurmë të thella në mënyrën e të menduarit dhe vepruarit. Po kush vallë e solli komunizmin në Shqipëri?

Në fakt përvoja ndërkombëtare, kryesisht e pas luftës së dytë botërore, tregoi se Marksi ishte gabim në tezat e tij, se pas industrializimit dhe rritjes së produktivitetit vendet kapitaliste të Europës perëndimore do të kalonin në komunizëm. Në fakt eksperienca botërore tregoi se komunizmi kërkonte varfëri kulturore, fetare dhe shoqëri komunitare e patriarkaliste, që të lulëzonte. Problemi madhor i kulturës tonë bizantine, e cila mbizotëron në të gjithë ballkanin si edhe në Rusi etj, është se ne, në dallim me vendet perëndimore, besojmë në supersticion dhe të menduarit magjik. ” Mendimi magjik” i referohet besimit se mendimet, veprimet ose fjalët e dikujt mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ngjarjet në botë pa një lidhje logjike shkakësore, shpesh të bazuar në bestytni ose rituale. Në të vërtetë në magji dhe bestytni, ne kërkojmë të manipulojmë botën jomateriale për hir të kontrollit dhe menaxhimit të botës materiale. 

Ne mendojmë se në Shqipëri mund të bëhesh i pasur vetëm në pushtet ose në biznes, por gjithmonë në bashkëpunim me pushtetin, dhe nuk besojmë te individi dhe protesta e tij ndaj veprimeve korruptive.Është kjo kulturë bizantine e të menduarit magjik dhe aspak racional që favorizon autoritarizmin në vend, familje, parti politike e çdo organizim tjetër shoqëror. Ne duhet të pranojmë se komunizmin nuk na e sollën të tjerët, por ishte midis nesh, në mënyrën se si ne besojmë te njeriu i fortë dhe qeveria e fortë. Në kundështim me të gjitha tezat aspak racionale se komunizmin na e sollën të huajt,  është fakti se si është e mundur që pas viteve 90 ne akoma nuk kemi sistem demokratik, kemi qeveri autoritariste, njerëz të fortë kudo në pushtet, partitë politike, në familje e shoqëri. Rrënjët e lashta dhe bazat fetare të një kulture mund të kenë vërtet një ndikim më të madh në rrugën që një vend ndjek sesa çdo konsideratë racionale, gjeopolitike ose ekonomike. Nëse është kështu, kombet me prejardhje bizantine nuk janë vërtet komode në një botë të dominuar nga perëndimi. Si ka mundësi që partitë politike janë kthyer në organizata mafioze, të kotrolluara nga patriarkët bizantinë, të cilët ne i quajmë liderë historikë, autoriteti i të cilëve është jo vetëm i padisktueshëm, por i admiruar nga anëtarët e partive apo mbështetësit e tyre. Këta patriarkë (kryetarë partie) janë të pagabueshëm dhe nqs ata shpallen non-grata fajin e kanë amerikanët apo perëndimorët, nqs SPAK-u akuzon ata, fajin e ka kundështari dhe nqs SPAK arreston kundështarët, atëhere drejtësia është e pavarur. Ku është rroli i individit, ku janë primaret, ku janë fraksionet dhe mendimi racional? Prandaj perëndimorët thonë se kulturalisht ne jemi në lindjen e mesme dhe vetëm gjeografikisht në Europë. 

Të rinjtë tanë studiojnë në Europë, por marrin formën e enës ku u lindën, rritën dhe edukuan, kjo ndoshta edhe për shkak të bizantinizmit tonë, i cili pa e kuptuar na drejton neve në çdo qelizë familjare apo shoqërore. Ne duhet të përpiqemi të reflektojmë në mënyrë racionale në të gjitha fushat e jetës dhe të besojmë se arsyeja duhet të jetë testi përfundimtar. Por kjo është shumë larg të thuhet se arsyeja ka gjithmonë të drejtë. Vendimet më të tmerrshme në histori, nga inkuizicioni deri te spastrimi etnik modern, janë marrë nga njerëz racionalë (kryesisht kanë qenë burra) në bazë të asaj që ata mendonin se ishin baza racionale, pa dyshim me një tren arsyetimi racional. Mendja është e lidhur me të gjithë qenien tonë, duke përfshirë ndjenjat tona, vlerat që kemi përvetësuar kur jemi të rinj, përvojën tonë të jetës dhe vendimet që kemi marrë në të kaluarën. Nuk ka asnjë zëvendësim për të përdorur plotësisht arsyen tonë, për të qenë sa më racional. Por të qenit racional përfshin vëzhgimin e të gjithë këtyre faktorëve të tjerë që influencojnë mendjen, dhe skepticizmin rreth tyre. Ne duhet të jemi skeptik  edhe ndaj hamendjeve dhe supozimeve aktuale të shoqërisë në të cilën jetojmë, sepse ato gjithashtu ndikojnë në të kuptuarit tonë të asaj që llogaritet si arsyetim racional.

Filed Under: Sofra Poetike

“13” Premierë në Teatrin Profesional të qytetit Ferizaj

December 13, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Sonte në teatrin e qytetit Ferizaj shfaqet premiera e dramës “13”. Dramaturgu dhe regjisori i saj Sulejman Rushiti e ka konceptuar atë “si një reflektim të thellë mbi ciklin historik të shqiptarëve, ndërtuar mbi fabulat e shkrimtarëve dhe poetëve që kanë ndikuar në formësimin e identitetit tonë kulturor. Frymëzuar nga Viti i Mbrapshtë i Ismail Kadaresë, Qerthulli Politik i Kristo Floqit, ABC-ja e Kreshnikëve e Mitrush Kutelit dhe poezi të Gjergj Fishtës, shfaqja zhytet në pasigurinë dhe tragjedinë që ka shoqëruar shqiptarët ndër shekuj.”

Në strukturën e pjesës teatrale ndërthuren elemente të dramës, tragjedisë, farsës dhe komedisë. Trupa profesionale e teatrit Adriana, e afirmuar për repertorin e larmishëm, është angazhuar në prova gjatë dy muajve të fundit për ta sjell shfaqjen te publiku.

Sulejman Rushiti thotë se “Si dramaturg dhe regjisor, qëllimi është të hap një dialog mes të kaluarës dhe të tashmes, për të eksploruar mënyrën se si historia, me dhimbjet dhe triumfet e saj, vazhdon të ndikojë në të ardhmen tonë. Në këtë shfaqje, heronjtë, martirët, trimat, tradhtarët, mitologjia dhe realiteti ndërthurren për të krijuar një pasqyrë të asaj që kemi qenë dhe të asaj që mund të bëhemi. Përmes humorit dhe absurditetit, përpiqemi të përballojmë peshën e historisë dhe ta shohim atë si një mundësi për reflektim dhe ndryshim.”

Në historinë shqiptare viti 1913 shënon një moment kyç i cili mbetet i ngulitur në kujtesën kolektive si simbol i ndarjes, dështimit, shpresës dhe pasigurisë. Më 13 dhejtor premiera e dramës “13” fton publikun të përjetojë artistikisht shumëkuptimësinë që mbartet në histori ku humbjet, fitoret apo përpjekjet paraqiten në formë të pandarë të absurdit dhe shpresës.

Teatri i Ferizajt mban emrin e aktores Adriana Abdullahu, e cila ishte nxënëse e ikonave të teatrit shqiptar Enver Petrovci dhe Fadil Hysaj, dhe i takonte gjeneratës së artistëve si Armond Morina, Xhevdet Doda, Luan Jahës etj.

Filed Under: Sofra Poetike

“Në mundsh”, një poezi sa njëmijë mësime që shenjtërojnë artin e fjalës dhe fisnikërojnë qëndresën e njeriut në stuhi

December 4, 2024 by s p

Albert Vataj/

Poezia “Në mundsh” e Rudyard Kipling është një margaritar i letërsisë botërore, një udhërrëfyes i mençurisë dhe stoicizmit që ka frymëzuar miliona zemra përmes mesazheve universale të saj. Të shumtë janë ata që e kanë komentuar fuqinë dhe thellësinë e kësaj poezie, duke u përpjekur të kuptojnë pse vargjet e saj kanë një rezonancë kaq e fuqishme në çdo epokë dhe kulturë.

Në mes të vargjeve të “Në mundsh” mëkimin e shpirtbardhësisë së një mësuesi të heshtur, një dorë e përkujdesit atëror që të mban kur furtunat të tronditin shpirtin. Aty ku sukseset nuk janë kurorë, por veç një çast sprove dhe kurajoje për të besuar, dhe dështimet nuk janë rrënim, por mësim për të nesërmen. Poezia përfaqëson me hijeshi ngulmimin e njerëzores, si një dritë e heshtur vezulluese, duke më mësuar artin e qëndrueshmërisë dhe mbushur me vetëbesim, duke më treguar se çdo pengesë është një betejë që të fton në ndeshje, për të fituar. Mund të mbash ëndrrat si shokë, por jo si mbretër, më thotë, dhe të përballesh me mashtrimin e kohës pa u përkulur.

Në poezinë “Në mundsh” Kipling flet jo me fjalë, por me një pëshpëritje, me zë të një zemre që ka njohur edhe gëzimet, edhe plagët. Në secilin varg, ndjej fjalë për mua, për ty, për ne, për atë që lufton me demonët brenda dhe jashtë vetes. Ai tregon se, ndoshta vetëm një poezi mund të të motivojë për të qenë vetja dhe për të ecur përpara, duke bërë ballë çdo stuhie dhe duke mbetur në këmbë mes dallgëve.

E kuptoj që poezia nuk është thjesht një vargëzim i një mëtimi shpirtëror, ajo është udha që na ndriçon përmes mjegullës së shpirtit. Nëse mund të buzëqesh në dhimbje, të eci kur këmbët të lëkunden, pikërisht atëherë ke gjetur fuqinë që kjo poezi e thur me kaq mjeshtëri, kë gjetur tek ajo dorën që të mban kur je duke rënë.

“Në mundsh” nuk është vetëm poezi – është pasqyrë, ku shohim fytyrat tona të vërteta, të forta, të brishta, dhe ndoshta, përmes këtij reflektimi, bëhemi më njerëzorë, më të përulur dhe më të plotë në udhëtimin tonë të jetës.

Për “Në mundsh” e Rudyard Kipling janë shprehur edhe personalitete me famë botërore:

Barack Obama, ish-president i SHBA-së, e ka përmendur poezinë si një shembull të qartësisë së vizionit për përballimin e sfidave. Në disa prej fjalimeve të tij, ai ka theksuar rëndësinë e rezistencës ndaj trysnive dhe ruajtjes së ekuilibrit shpirtëror, vlera këto të mishëruara në poezi.

Maya Angelou, poete dhe aktiviste, e ka vlerësuar poezinë për universalen që përçon. Ajo ka shprehur admirimin për mënyrën sesi Kipling flet për një dinjitet të heshtur, të thjeshtë dhe të pandalshëm, të cilin çdo individ mund ta zotërojë përmes vetëdijes dhe kurajës.

Nelson Mandela, në disa intervista, ka përmendur se ka gjetur frymëzim te poezitë që përçojnë qëndrueshmëri morale dhe shpirtërore, dhe “Në mundsh” është një prej tyre. Ai e ka parë si një udhërrëfyes për ruajtjen e qetësisë së brendshme në kohë të vështira.

Robin Sharma, autor i librave për vetëzhvillim si “Murgut që shiti Ferrarin e tij,” e ka cituar shpesh poezinë si një burim frymëzimi për ndjekësit e tij. Ai e ka përkufizuar si një manifest për udhëheqjen dhe jetën me integritet.

Në vargjet e saj, poezi si “Në mundsh” mbetet e pavdekshme sepse nuk i përket vetëm një njeriu apo një kohe; ajo u flet të gjithë atyre që kanë guximin të përballen me jetën pa frikë, me përulësi ndaj suksesit dhe dështimit, me vendosmërinë për të mbajtur të pandryshuar thelbin e tyre përballë furtunave të botës.

Nëse do të qëndrojmë stoikë siç sugjeron Kipling – të qetë mes kaosit, të fortë mes brishtësisë – atëherë do të kuptojmë se poezia e tij është një udhëtim drejt përvetësimit të vlerave që ndërtojnë jo vetëm njeriun, por edhe njerëzimin.

“Në mundsh” mbetet një nga veprat më të dashura dhe të cituara të letërsisë botërore. Ajo ka kaluar përtej kontekstit të saj historik, duke u bërë një simbol i qëndrueshmërisë njerëzore dhe një burim frymëzimi për individët që përballen me sfida. Për disa, ajo është një poezi motivuese; për të tjerë, një relike e një epoke të kaluar me pikëpyetje morale.

Filed Under: Sofra Poetike

HUAZIMET TERMINOLOGJIKE NË DISA MEDIE TË  SHTYPURA NË KOSOVË DHE NË SHQIPËRI

November 22, 2024 by s p

Prof. ass. dr. Sejdi M. GASHI

Instituti Albanologjik-Prishtinë

Zhvillimi i shpejtë i medieve dhe i teknologjive të reja të komunikimit, gjatë viteve të fundit, ka ndikuar fuqishëm në gjuhë. Por, ndryshime në gjuhë kanë sjellë edhe mediet tradicionale, si shtypi i shkruar, radioja dhe veçanërisht televizioni. Pikërisht, kjo rritje e jashtëzakonshme e prodhimit gjuhësor dhe e tekstit në sferën e komunikimit masiv në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në fillimin e shekullit XXI u shoqërua me një numër të konsiderueshëm studimesh shkencore, që trajtonin aspekte të ndryshme të funksionimit të gjuhës në medie, duke u përqendruar kryesisht te karakteristikat e veçanta të teksteve, të lajmeve dhe te veçoritë e përdorimit të gjuhës në blogjet e internetit dhe në rrjetet sociale. Kjo fushë e re kërkimore, me këtë zhvillim kaq dinamik, tërhoqi vëmendjen e studiuesve të disa degëve të gjuhësisë, si: sociolinguistikës, psikolinguistikës, gjuhësisë konjitive, si edhe të studiuesve të analizës së diskursit, gjuhësisë së tekstit, semantikës etj. Në këtë mënyrë, u krijuan parakushtet për lindjen e një nëndisipline të re të gjuhësisë, pra asaj mediatike, e cila sot në botë është një fushë me hov të madh zhvillimi.

Gjuha e medies, apo diskursi mediatik, përfshin dy elemente thelbësore: lajmin (tekstin e folur apo të shkruar) dhe procesin për prodhimin e këtyre teksteve. Dimensioni i parë, ai i tekstit, ka qenë qëllimi parësor i studiuesve të gjuhës së medieve, veçanërisht për faktin se teksti kodon vlera dhe ideologji që ndikojnë gjerësisht te njerëzit dhe i reflekton ata. Ndërsa, dimensioni i dytë, ai i procesit të prodhimit të teksteve, që përfshin normat dhe shprehitë e lajmshkruesve, ka qenë në qendër të kërkuesve shkencorë, por për këtë çështje ende nuk janë realizuar mjaftueshëm vepra studimore.

Korpusi i studimit dhe metodat e punës

Në shënjestër të këtij studimi është pikërisht gjuha e teksteve mediatike, me përqendrim të veçantë te huazimet terminologjike dhe përdorimi i tyre në disa medie  të shkruara në Kosovë dhe në Shqipëri. Këtë përzgjedhje e përligjim me faktin se, për analizën dhe hulumtimin e terminologjisë, tekstet e shkruara janë më të favorshme, po ashtu edhe për faktin se, marrë parasysh natyrën e këtij studimi, është më i saktë dhe më praktik identifikimi i termave në tekstet e shkruara. Nga mediet në Shqipëri, janë hulumtuar, analizuar, si dhe është shkëputur material gjuhësor (përkatësisht fjalë terma) prej teksteve të ndryshme, të botuara në  mediet si: “Dita”, “Gazeta shqiptare”, “Sot”, “Telegraf”, “Fjala”, “Liberale”, “Panorama” etj. Në disa raste, materiali gjuhësor është marrë edhe nga portalet mediatike me përmbajtje më cilësore lajmesh, si “Newsbomb”, Arberianews.net”, “Shtypi.net”, “Balkanweb”, “Shqip”, “Faxnews”, “Reporter.al” etj. Pra, qëllimshëm jemi përcaktuar për këtë përzgjedhje mediesh për të shmangur lajmet e shkruara nga medie joserioze e pa përvojë, çka do të ndikonte  edhe në cilësinë e këtij vëzhgimi. Ndërkaq, mediet e Kosovës, nga të cilat kemi vjelë material, janë: “Koha.net”; “dukagjini.com”; “televizioni7.com”; ”kanal10.live”; “insajderi.com”; “kallxo.com”; “zeri.info”; “gazetaexpress.com”; “telegrafi.com”; “tëvë1.info”; “ botasot.info”. Hulumtimi i termave është realizuar nëpërmjet vjeljes së tyre të drejtpërdrejtë. Korpuset e medieve të Kosovës dhe të Shqipërisë janë krijuar si mostra rasti, me  tekste të botuara, që përfshijnë një periudhë tetëvjeçare, përkatësisht vitet 2015-2023, ndërkaq, artikujt janë përzgjedhur në mënyrë të rastësishme.

Huazimet terminologjike

Në fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore prodhohet çdo ditë një numër i madh produktesh të reja dhe lindin koncepte, për të cilat nevojiten terma të rinj për t’i emërtuar dhe shpjeguar ato. Këta terma kryesisht janë të huazuar dhe duhet t’u nënshtrohen të gjitha rregullave të standardizimit dhe normëzimit të gjuhës shqipe. Një ndër problemet, për të cilat ka shumë diskutime, është prania e fjalëve të huaja në gjuhën shqipe. 

Koncepti teorik për këtë problem përshkohet shpesh nga dy pikëpamje krejt të kundërta:  a) pikëpamjet për qëndrimin purist ndaj gjuhës shqipe, dhe b) pikëpamjet për të lejuar përdorimin e fjalëve të huaja pa kriter. Ndërmjet këtyre dy qëndrimeve të skajshme ekziston edhe një qëndrim i baraspeshuar, sipas të cilit, ndaj huazimeve duhet mbajtur qëndrim i balancuar. Duke e parë huazimin si një proces të natyrshëm për çdo gjuhë letrare bashkëkohore me nivel të lartë zhvillimi, theksohet se është e domosdoshme që huazimi i fjalëve të huaja të bëhet sipas rregullave të caktuara, ndërkohë, që prof. Aleksandër Xhuvani e sheh të natyrshëm edhe huazimin e fjalëve të huaja si burim plotësues për pasurimin e gjuhës. Pra, huazimi është një nga mënyrat e pasurimit të gjuhës dhe përgjithësisht nuk mund të thuhet se shpie në humbjen e specifikave dhe identitetit të saj. Zhvillimi i gjuhës vazhdon në përputhje me ligjet e saj të qenësishme, edhe nëse përfshin në fjalor një sasi të konsiderueshme fjalësh të huaja. “Fati” i fjalëve të huazuara mund të jetë i ndryshëm: disa prej tyre janë fiksuar fort në një gjuhë marrëse dhe mbeten në të si pjesë përbërëse e gjuhës së përgjithshme, ndërsa të tjerat mbeten në pozicionin e fjalëve që përdoren për qëllime të veçanta dhe në raste të tjera ato dështojnë t’i shërbejnë qëllimeve të komunikimit, e gradualisht dalin jashtë përdorimit, duke u zhdukur më pas plotësisht. Hyrja e fjalëve të huaja në sistemin leksikor të një gjuhe marrëse është një proces i gjatë dhe kompleks. Për arsye të ndryshme asimilimi mund të bëhet i paplotë dhe fjala huazuese ruan disa veçori të natyrshme në gjuhën dhënëse. Megjithatë, këto veçori nuk i mbetën fjalës në mënyrë mekanike. Një njësi leksikore me “veçoritë e një gjuhe të huaj” duhet të mbështetet nga një numër i mjaftueshëm fjalësh të tjera me veçori të ngjashme, ose nga një praktikë e caktuar gjuhësore. Grupe të tilla fjalësh formojnë sistemet periferike të gjuhës që kërkojnë të përshtaten dhe të futen në sistemin pritës, duke shkaktuar rindërtimin e pjesshëm të tij.

Studiuesit, arsyet e hyrjes së huazimeve i klasifikojmë në dy lloje: jashtëgjuhësore dhe gjuhësore. Më poshtë kemi përmbledhur idetë e tyre, sipas të cilëve arsyet jashtëgjuhësore përfshijnë:

  1. ndikimin kulturor të një kombi mbi një tjetër;
  2. praninë e kontakteve midis vendeve me gjuhë të ndryshme;
  3. rritjen e interesit për të mësuar gjuhën;
  4. prestigjin e gjuhës dhënëse (që ndonjëherë çon në huazimin e fjalëve nga shumë gjuhë, duke krijuar ato që quhen ndërkombëtarizma);
  5. pasionin e shtresave të veçanta shoqërore ndaj kulturës së një vendi tjetër;
  6. kulturën gjuhësore të shtresave shoqërore që futin një fjalë të re.

Ndërsa arsyet gjuhësore përfshijnë:

  1. mungesën në gjuhën amtare të fjalëve ekuivalente për objektin ose konceptin e ri (realien);
  2. prirjen për të përdorur një fjalë të huazuar në vend të frazave përshkruese;
  3. dëshirën për të përmirësuar dhe ruajtur veçoritë komunikative të njësive leksikore, të cilat arrihen nëpërmjet eliminimit të polisemisë ose homonimisë në gjuhën marrëse;

 Terminologjia e ekonomisë

Në këtë pjesë të studimit, do ta analizohet depërtimi i huazimeve terminologjike nga fusha e ekonomisë (biznesit). Siç u shprehëm dhe më sipër, para së gjithash, është e nevojshme të analizohen shkaqet dhe mënyrat e depërtimit të fjalëve të huaja në sistemin terminologjik të gjuhës marrëse, në rastin tonë të shqipes.

Si rregull, pasurimi i çdo sistemi terminologjik më së shpeshti kryhet me qëllim të plotësimit të boshllëqeve, pra kur sistemi ka nevojë për një term të ri. Në rastin e mungesës në sistemin leksikor të gjuhës marrëse të fjalëve që ekzistojnë në një terminologji të huaj, ndodh që të lindë nevoja për të krijuar një term të ri.

Ekzistojnë dy mënyra që huazimet të depërtojnë në gjuhën marrëse. Së pari, përmes gjuhës së folur, që është kryesisht specifike për fazat e hershme të kontaktit gjuhësor. Kjo mënyrë është dëshmuar shumë rrallë në kohën e tanishme në shoqërinë me një sistem të zhvilluar socio-ekonomik. Së dyti, nëpërmjet teksteve të shkruara. Kur huazimet leksikore ndodhin përmes burimeve të shkruara, depërtimi bëhet me anë të:

1) terminologjisë speciale;

2) shtypit;

3) komunikimit intensiv në formë të shkruar në botën e biznesit;

4) përkthimit të literaturës së huaj të specializuar.

Më poshtë po japim disa shembuj të huazimeve terminologjike që i kemi vjelë në medie e që i përkasin fushës së ekonomisë:

Aktivitet likuid – Para të gatshme dhe asete të tjera që kompania mund t’i konvertojë në para pa humbje të konsiderueshme të vlerës dhe në një kohë të shkurtër, para të gatshme për të përmbushur detyrimet e tyre urgjente.

Aset – E drejtë pronësore në një subjekt ekonomik për lloje të ndryshme pronash, duke përfshirë fondet në qarkullim.

Bilanc (i jashtëm) – Bilanci i shoqërive të përpiluara për publikim të jashtëm, pra për aksionerët, kreditorët, publikun dhe organet tatimore.

Overdraft bankar – Kredi e dhënë një huamarrësi në një llogari rrjedhëse, e shlyer sipas kërkesës.

Vlerë kontabël e aksionit – Vlera e aksionit, e llogaritur në bazë të vlerës kontabël të kapitalit.

Alokim – Shpërndarje.

Aset – Çdo gjë që mund të përdoret për të prodhuar vlerë pozitive ekonomike. Asetet përfaqësojnë vlerën e pronësisë që mund të konvertohet në para.

Buxhet kapital – Procesi i shpërndarjes së burimeve për shpenzime të mëdha kapitale, apo investimesh.

Disbursim – Pagesa e një shume parash, veçanërisht nga një fond.

Evazion fiskal – Mospagesa ose nënpagesa e paligjshme e taksave, zakonisht duke bërë një deklaratë të rreme ose pa deklarim të qëllimshëm te autoritetet tatimore, si për shembull duke deklaruar më pak të ar-dhura, më pak fitime ose më pak fitime sesa shumat e fituara në të vërtetë, ose duke mbivlerësuar zbritjet.

Fond sovran – Fond investimi në pronësi të shtetit që investon në asete reale dhe financiare, si aksione, obligacione, pasuri të paluajtshme, metale të çmuara ose në investime alternative si fondi i kapitalit privat ose mbrojtje.

Kriptoasete – Përfaqësim digjital i siguruar kriptografikisht i vlerës ose i të drejtave kontraktuale që përdor një formë të të dhënave teknologjike të shpërndara dhe mund të transferohet, ruhet ose tregtohet në mënyrë elektronike.

Kriptomonedhë – Një monedhë digjitale në të cilën transaksionet verifikohen dhe të dhënat mbahen nga një sistem i decentralizuar duke përdorur kriptografinë dhe jo nga një autoritet i centralizuar.

Maturim – Datë në të cilën përfundon një marrëveshje financiare, duke shkaktuar pagesën e principalit me interes ose shlyerjen e një kredie me interes.

Portofol – 1. Koleksion dokumentesh, punimesh apo produktesh që përfaqësojnë aftësitë, arritjet dhe punën e një personi në një fushë të caktuar (projekte, punë të shkruara, përpunime grafike, fotografi, skeda) ose çfarëdo materialesh tjera që personi ka krijuar ose për të cilat ka punuar. 2. Një sërë investimesh të menaxhuara nga një person ose organizatë.

Profitabilitet – Aftësia e një kompanie për të përdorur burimet e saj për të gjeneruar të ardhura që tejkalojnë shpenzimet e saj.

Recesion – Periudhë e rënies së përkohshme ekonomike gjatë së cilës zvogëlohet aktiviteti tregtar dhe in-dustrial, i identifikuar përgjithësisht nga një rënie e PBB-së në dy tremujorë radhazi.

Startap – Kompani ose projekt i ndërmarrë nga një sipërmarrës për të kërkuar, zhvilluar dhe vërtetuar një mo-del biznesi të shkallëzuar.

Stok – Mallrat që mbahen në ambientet e një biznesi ose magazine dhe të disponueshme për shitje ose shpërndarje.

Subvencionim – Paratë që paguhen nga një qeveri ose një autoritet tjetër për të ndihmuar një industri ose biznes, ose për të paguar një shërbim publik.

Transaksion – Dukuri në të cilën mallrat, shërbimet ose paratë kalohen nga një person, llogari, etj., te një tjetër.

Këta dhe shembuj të tjerë në medie dëshmojnë se sa proces dinamik është procesi i huazimit të termave. Analiza e kryer dëshmon se, sot, futja e termave të rinj në sistemin terminologjik të gjuhës shqipe është një proces i pakthyeshëm. Pavarësisht fanatizmit të disa studiuesve për “pastërtinë” e gjuhës, duhet pranuar se proceset e vazhdueshme që ndodhin në pasurimin e sistemeve terminologjike janë procese që ndodhin në të gjitha gjuhët e botës, me një trysni të jashtëzakonshme nga gjuhët e mëdha, si anglishtja, gjermanishtja, frëngjishtja etj.

Për sa i përket gjuhës së medieve, veçmas përdorimit të saj në gazeta, studiuesi David Crystal thekson se nuk ekziston një lloj i veçantë i gjuhës së gazetës dhe se “media pasqyron të gjitha aspektet e gjendjes njerëzore dhe vë në dispozicion të publikut shumë lloje të gjuhës tashmë të njohura diku tjetër, si ato që lidhen me fenë, politikën, shkencën dhe letërsinë, dhe aspektet e drejtuara nga tema e bisedës (p.sh. diskutim, intervistë, debat, argument, letër)”. Me fjalë të tjera, gazetat e përshtatin gjuhën e tyre me llojin e temave që trajtojnë. 

Kur jemi te procesi i huazimit, duhet vënë në dukje faktin që, sot, ky proces po i sjell shqipes standarde një valë të madhe fjalësh, forca e të cilave shumëfishohet nëpërmjet ndërthurjes së huazimit me neologjinë; kështu, me të hyrë fjala amendament, krijohen në shqipe (edhe sipas modeleve të gjuhës së huaj) rrjedhojat amendamendoj, amendamendim, i amendamenduar etj. Madje ka krijime analogjike (si: nga opozitë është krijuar me prapavajtje në shqipe një fjalë e përçudnuar me kuptim të kundërt pozitë, që s’e gjen në asnjë gjuhë, as në gjuhën huazuese të fjalës opozitë; nga dakord krijohet dakordohem e dakordim etj.). Kjo do të thotë që është e nevojshme të veprohet me kujdes të madh në fushën e përdorimit të gjuhës. Mund të thuhet gjithashtu se fjalët e këtij burimi (huazimet) janë edhe më të paqëndrueshmet, për shkak të mënjanimit të vetvetishëm a të vetëdijshëm (f.v. kredibilitet e besueshmëri, fushata elektorale e fushata zgjedhore, organet lokale e organet vendore, komisione parlamentare e komisione kuvendore etj.)”.

Si përfundim: Shqipja sot realizohet në të gjitha ligjërimet e stilet, sepse ajo ka një pasuri të madhe leksiko-semantike. Megjithatë, jo të gjithë e përdorim njëlloj gjuhën, të pastër e pa ngarkesa të panevojshme dhe kjo natyrisht, së pari, bëhet për arsye subjektive, që vijnë prej formimit të pamjaftueshëm gjuhësor, sidomos njohjes së pamjaftueshme të leksikut të shqipes nga njëra anë dhe mungesës së kulturës gjuhësore në anën tjetër, “prandaj sot gjejmë në ligjërime të ndryshme, sidomos në medie etj., një mori fjalësh të huaja të përdorura vend e pa vend, struktura të pri-shura sintaksore, fjalë e fjali pa kuptim, duke i shtuar kësaj edhe një qëndrim, sipas të cilit ai që përdor fjalë të huaja, sidomos nga anglishtja, frëngjishtja, italishtja etj., di të flasë bukur, por paragjykohen ata që, fjala vjen, përdorin fjalën saba në vend të mëngjes, penxhere në vend të dritare etj.”

Shembuj të shtrembërimit të gjuhës dhe të përdorimit të pavend të fjalëve të huaja gjenden pa shumë mundim si në mediet e Kosovës, ashtu edhe në ato të Shqipërisë. Nga kjo pakujdesi e gazetarëve, lexuesi, shikuesi, apo dëgjuesi has çdo ditë fjalë të tilla si: agravoj, neutralizoj, konfuz, implementim, sensitiv, involvoj, adaptim, adoptoj, disponibël, top listë, interferoj, akomodohem, frustrim, lançoj, startoj, impakt, suport etj., të gjitha të panevoj-shme, po të kihet parasysh se e kemi barasvlerësin në shqipe për secilën prej fjalëve të mësipërme: për agravoj kemi rëndoj, për konfuz kemi i pështjelluar, (i ngatërruar), për sensibël kemi i ndjeshëm, për involvoj kemi përfshij e kështu me radhë.

BIBLIOGRAFIA

  1. D. Crystal, Language and the Internet, Cambridge University Press, 2007.
  2. H. Somers, Terminology, LSP and Translation, John Benjamin Publishing, Amsterdam, 1996.
  3. H.Pasho, Vështrim mbi disa shfaqje të shumëkuptimësisë, të sinonimisë dhe antonimisë në terminologjinë e ekonomisë në gjuhën shqipe, në: Studime Filologjike, Nr.3, 1986.
  4. HP. Peters, The interaction of journalists and scientific experts: co‐operation and conflict between two professional cultures. Media, Culture and Society, 1995.
  5. J. Thomai. Probleme të leksikut në shqipen standarde, në aktet e  “Seminari V Ndërkombëtar i Albanologjisë, Tetovë, 3-4 tetor 2011.
  6. M. Cabré Castellví, Theories of terminology: Their description, prescription and explanation, Terminology, John Benjamins Publishing Company, Amsterdam, vol 9:2, 2003.
  7. M. Zaçellari, Vështrim rreth disa çështjeve mbi pastërtinë e gjuhës shqipe, Gjuha shqipe I, Instituti Albanologjik-Prishtinë, 2021.
  8. S. Steffens, Machine Translation and the Lexicon, Springer, Berlin, 1993.
  9. www.abcnews.al., 22 dhjetor 2023.

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 133
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT