• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DRENICA NË KRYENGRITJET E VITEVE 1913-1914 DHE TERRORI SERB NDAJ SHQIPTARËVE (3)

September 14, 2022 by s p

Dr. sc. Fitim RIFATI

Instituti i Historisë – Prishtinë

Terrori serb ndaj shqiptarëve të Drenicës më 1914

Në luftimet e zhvilluara ndërmjet kryengritësve dhe forcave ushtarake serbe në fshatra të Drenicës, më 3 prill 1914, u plagosën tetë ushtarë serbë, gjersa gjatë luftimeve kryengritësit përdorën edhe bomba dore. Më 7 prill 1914, forca të shumta ushtarake të këmbësorisë, arsenal lufte – mitraloza dhe 4 topa fushorë nga Prishtina dhe Pazari i Ri, u nisën në drejtim të Komoranit të Drenicës, për të shuar lëvizjen kryengritëse në këtë trevë. Të njëjtën ditë, forca ushtarake, xhandarmëri dhe arsenal i tillë lufte u dërguan edhe në Deviç, Llaushë, Vitak e Runik. Me sa duket, shkalla e tensionit dhe luftimeve në Drenicë ishte e lartë, sepse me urdhër të Komandës Ushtarake nga Mitrovica në Drenicë u dërguan 300 rezervistë nga regjimente të këmbësorisë. Mirëpo, pothuajse të njëjtat forca ushtarake detyroheshin të riktheheshin sërish në kazerma për shkak të numrit të të vrarëve e të plagosurve në luftime me kryengritësit shqiptarë. Kështu, më 9 prill nga Lubaveci u dërguan me urgjencë në Mitrovicë 3 ushtarë të plagosur, kurse më 10 prill nga Komorani u dërguan 28 të plagosur, dy prej të cilëve ishin shqiptarë në shërbim të forcave ushtarake serbe. 

Kësisoj, për shkak të situatës alarmante, në Rrethin e Prishtinës dhe Vushtrrisë u shpall gjendje shtetrrethimi. Rrjedhimisht, organet e administratës ushtarake urdhëruan dërgimin e forcave shtesë në Drenicë, nga 11 deri më 16 prill 1914. Komorani, Llausha, Vitaku, Abria, Polaci, Deviçi e Gllanasella, ishin vendet kryesore ku u dërguan trupa të reja të regjimenteve të këmbësorisë. Masat e ndërmarra ndaj shqiptarëve të Drenicës, për të arrestuar ata dhe plaçkitur pasuritë e tyre, përkundër ankesave e protestave të tyre, drejtuesit administrativë i konsideronin të “justifikueshme, sepse përfaqësojnë një hakmarrje të drejtë të shtypjes që duhej të duronte elementi serb në kohën e Turqisë (Perandorisë Osmane, F.R)”. Sipas një informacioni që diplomati britanik në Beograd, Dayrell Crackanthorpe, i dërgon  ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Edward Grey, në gjysmën e parë të muajit prill 1914, për mizoritë serbe në Kosovë, ndër të tjerash konstatohet se: “Serbët kanë ndërmarrë masa jashtëzakonisht drastike, ndoshta edhe të panevojshme në ato rrethana, për fashitjen e revoltës, duke djegur shumë fshatra dhe në disa vende kanë ndodhur masakra të mëdha”.

Më 17 prill 1914, nga Pazari i Ri në Gllanasellë dhe Komoran, u dërguan 41 kalorës të trupave ushtarake serbe, kurse 4 topa fushorë u kthyen nga Komorani në Mitrovicë. Megjithëkëtë, Drenica mbetej qendër e kryengritjes, e cila e sfidonte pareshtur autoritetin e administratës ushtarake serbe në Kosovë. Sikurse nga Mitrovica, po ashtu nga Vushtrria, u dërguan në Drenicë njësite të rregullta ushtarake të këmbësorisë, të cilat kishin për qëllim shuarjen e rezistencës shqiptare. 

Në luftimet e datës 23 prill 1914, në afërsi të Komoranit, të zhvilluara ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe një patrulle ushtarake serbe, mbetën të plagosur 2 shqiptarë dhe dy ushtarë serbë. Në shenjë hakmarrje, autoritetet ushtarake serbe dhe administrative në Mitrovicë, riaktivizuan grupet komite serbe, për të realizuar krime të reja ndaj popullsisë shqiptare në Drenicë. Më 27 prill 1914, rreth 200 komitë serbë u shpërndanë nëpër fshatrat Bajë, Kotorr dhe Radishevë. Rrjedhimisht, shqiptarët, nën pretekstin se mbanin armë të fshehura, plaçkiteshin dhe vriteshin brenda shtëpive të tyre prej grupeve komite serbe. Në aksionet e komitëve serbë u vranë edhe dy shqiptarë në Makërmal dhe, më 28 prill 1914, dy të tjerë në Açarevë. Të njëjtën ditë, në Açarevë gjatë një prite të organizuar nga një grup shqiptarësh, mbetën të vrarë një oficer dhe një ushtar të një patrulle serbe. 

Më 29 prill 1914, komitët serbë bombarduan shtëpinë e hoxhës në fshatin Kuçicë. Rrjedhimisht, edhe vet Kryetari i Rrethit të Mitrovicës, Josif Studiq, ndërmori aksione për çarmatimin e shqiptarëve, por gjoja se nuk mori masa ndëshkimi. Në Sushtra (6 km në lindje të Kuçicës) u konfiskuan 8 pushkë, në Broboniq 14 pushkë, në Zhabar 4 pushkë dhe në Vaganicë 2 pushkë “mauzer”. Fshatra të Drenicës dhe viseve përreth, si: Açareva, Llausha, Klina, Vitaku, Runiku, Komorani, Suhogërlla, Kijeva etj., mbaheshin nën rrethim të hekurt nga batalionet ushtarake serbe, të cilat përforcoheshin pa ndërprerje me njësite të reja. Tërë ky terror bëhej për të nxitur edhe emigrimin e shqiptarëve dhe kolonizimin serbo-malazez të Kosovës, që ishte i domosdoshëm për shtratin e interesave të politikës shtetërore të Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi. Në këtë kontekst, nga nëntori i vitit 1912 deri në mars të vitit 1914, nëpërmjet portit të Selanikut në drejtim të Perandorisë Osmane, sipas burimeve serbe kishin emigruar 240.000 myslimanë të Gadishullit Ballkanik, shumica e të cilëve ishin shqiptarë.

Edhe gjatë muajit maj 1914 nuk u ndalën veprimet kryengritëse në Drenicë. Më 3 dhe 4 maj, në shpatet e malit të Çyçavicës, që ishte shndërruar në një çerdhe të rëndësishme për të mbajtur aktive lëvizjen kryengritëse, forca të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe kishin zhvilluar dy beteja të armatosura me kryengritësit shqiptarë në mes të fshatrave Likoshan, Gradicë dhe Gllanasellë. Bilanci i këtyre betejave ishte 10 të vrarë dhe po ashtu 10 të plagosur, një kryengritës i zënë rob, ndërsa të tjerët ishin arratisur. Kjo luftë e armatosur, që i shkaktonte vazhdimisht kokëçarje administratës serbe, e nxiti komandën e autoriteteve ushtarake të Qarkut të Kosovës, për të dërguar në Drenicë një batalion me dy topa, detyra e të cilit ishte kërkimi dhe kapja e kryengritësve dhe rrjedhimisht eliminimi i qëndresës së armatosur në këtë trevë.

Likuidimi i patrullës ushtarake serbe në Likoc

Për të shuar këtë lëvizje nga Gostivari në Drenicë u dërguan dy batalioni nga regjimente të këmbësorisë. Më 8 maj 1914, në Deviç u dërguan 15 karroca me shtretër ushtarakë. Në ditët e para të muajit maj, gjatë orëve të mbrëmjes, një grup i armatosur shqiptarësh sulmoi kampin ushtarak serb në Komoran. Gjatë luftimeve mbetën të vrarë një oficer (togeri Vukashin Mitiç) dhe shtatë ushtarë serbë. Po ashtu u plagosën katër vetë, të gjithë nga regjimente të këmbësorisë dhe xhandarmërisë. Nga radhët e grupit të shqiptarëve mbeti një i vrarë dhe një i plagosur. Më 12 maj 1914, një patrullë ushtarake serbe, e përbërë nga 6 ushtarë dhe 2 xhandarë, sulmoi në Likoc një grup të fortë e të armatosur shqiptarësh, që përbëhej nga 12 vetë. Grupi i armatosur i shqiptarëve përdori strategji të suksesshme, i cili, duke u tërhequr fillimisht dhe duke u shpërndarë në atë mënyrë, krijoi mundësi për të vrarë patrullën serbe, ushtarët dhe xhandarët e së cilës humbën në skutat e rrugët e Likocit. Kjo patrullë u likuidua tërësisht deri në pjesëtarin e saj të fundit. Megjithëkëtë, në Drenicë nuk u ndalën reprezaljet serbe ndaj shqiptarëve. 

Shqiptarë mbi qerre pranë kullës në një fshat të Drenicës

Komitët serbë, të armatosur në masë, urdhëronin popullsinë shqiptare të Drenicës për të emigruar, sepse qëndrimi i saj në Kosovë ishte i padëshirueshëm nga serbët lokalë, kolonë dhe administrata shtetërore. Mirëpo, shqiptarët nuk iu përgjigjën thirrjeve të tyre. Rrjedhimisht, shqiptarët arrestoheshin pa ndonjë arsye dhe më nuk ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ndërmjet 11 dhe 16 majit në Gradicë u vranë 3 shqiptarë, kurse në Abri u arrestuan 10 shqiptarë, të cilët nën shoqërimin e rojeve i larguan nga fshati. Pothuajse çdo vendbanim shqiptar i Drenicës ishte i mbushur me komitë dhe xhandarë serbë, për fjetjen dhe ushqimin e të cilëve kujdeseshin komunat përkatëse, që kishin plaçkitur popullsinë shqiptare.  Rrjedhimisht, në gjysmën e parë të muajit maj, sipas informacioneve që kishte në dispozicion administrata e Qarkut të Zveçanit, në territorin administrativ të tij po vepronin 89 kryengritës shqiptarë: prej tyre 59 në Rrethin e Drenicës, 20 në Rrethin e Vushtrrisë dhe 10 në Rrethin e Mitrovicës. Sipas tyre, ky numër ishte simbolik në krahasim me numrin e kryengritësve në vjeshtën e vitit 1913. Në arsyetimin e këtij numri të vogël, organet e administratës serbe në Qarkun e Zveçanit, konsideronin se shumica e kryengritësve shqiptarë ishin dorëzuar, pasi që atyre u ishte lejuar kthimi në fshatrat dhe shtëpitë e veta. Në bazë të regjistrimeve të autoriteteve ushtarake serbe në Kosovë, për pjesëtarët e grupeve kryengritëse sipas rretheve dhe komunave të Qarkut të Zveçanit në vitin 1914, pothuajse nga çdo fshat i Drenicës (Skënderajt) kishte të regjistruar kryengritës, të cilët në përgjithësi arrinin shifrën e 424 vetash. Nga fshati Bajë (Zejnel Çitaku, Hamza), Kotorr (Jusuf Ajrizi, Islam Kotari, Shaban Rama, Bajram Haziri, Hasan Keça dhe Sinan Keça, djemtë e Ajet Çaushit), Kostërc (Miftar Tafa), Kuçicë (Sherif Mahmuti, Halim Bilalli), Marinë (Hajdin Kuçica), Klladërnicë (Azem Kllodernica, Sejdi Latifi), Pemishtë-Padalishtë (Daut Rexhepi, Jusuf Musliu), Rezallë (Shaban Dërguti), Çitak (Mehmet Selimi, Murat Çitaku), Kuçicë (Sherif Mahmuti), Ticë (Bahtir Okol), Abri (Sefer Sylejmani, Halil Obria), Klinë (Sylë Sejda, Bislim Selimi), Rakinicë (Bislim Ferizi) etj.

Në anën tjetër, më 16 maj 1914, inspektori i policisë serbe, famëkeqi Mihailo Ceroviq, autorizoi 27 kolonë malazezë të zgjedhnin shtëpitë dhe tokat e shqiptarëve të arratisur dhe të uzurponin e përvetësonin ato. Në raportin e tij, J. Umlauf i shkruante Vjenës zyrtare: “Më 17 maj u paraqitën tek inspektori i policisë tre imamë dhe u lutën që kolonët malazezë t’i vendoste në fshatrat e banuara nga serbët, sepse nga këta kolonë që kanë pushkë e municion mauzeri nuk mund të pritet ndonjë gjë e mirë. Inspektori i policisë, Ceroviq, i qetësoi ata duke i siguruar se kolonët e armatosur duhet të kujdesen edhe për sigurimin e atyre që nuk janë myslimanë. Çdo lokalitet i banuar nga myslimanët do të ketë 10 nga këta kolonë. Dhe është e dëshirueshme që këtyre t’u lëshohet pak arë e punuar”. 

Masakra serbe ndaj 48 shqiptarëve të Drenicës

Ndërkohë, lëvizje trupash nga Komorani në Abri, si dy vende ku qëndronin kampe, stacione ushtarake serbe dhe administrata komunale, pati edhe gjatë fundit të muajit maj. Më 26 maj 1914, në Lubavec marshoi një batalion i këmbësorisë, i cili vepronte në Lubavec, Llaushë dhe Vitak, ndërsa një batalion i regjimentit të këmbësorisë dhe 4 mitraloza ndodheshin në Abri. Në Komoran dhe Prishtinë, më 1 qershor 1914, ndodheshin dy batalione të regjimentit të këmbësorisë, katër topa malorë dhe një regjiment i kalorësisë. Kësisoj, më 26 maj 1914, pranë Cerovikut (20 km në jug të Llaushës), me sa duket afër Komoranit dhe Gllogocit, u zhvillua një përleshje e armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe forcave ushtarake serbe, në të cilën u vranë tre ushtarë serbë. Ditën e nesërme, sipas referatit të J. Umlauf, më 27 maj 1914, “barinjtë e fshatrave Çikatovë, Abri, Polac dhe Llaushë zbuluan kufomat e 48 shqiptarëve të gjymtuar, të vrarë jashtë qytetit”. Ky terror dhe krimet serbe në Drenicë, janë argumente të rëndësishme që provojnë shkallën e shqetësimit të organeve administrative në këtë trevë dhe reprezaljet që ato ndërmorën ndaj shqiptarëve, për të eliminuar përpjekjet e tyre që sfidonin autoritetin e Mbretërisë së Serbisë dhe pikësynimin e saj për tjetërsimin e identitetit kombëtar dhe kulturor të Kosovës.

Dhuna serbe ndaj shqiptarëve

Organet e administratës serbe i tendosi jashtëzakonisht lëvizja e qëndresës së armatosur në Drenicë, prandaj nuk ndaleshin së zbatuari metoda dhe mjete të ndryshme për shthurjen e saj. Kryetari i Rrethit të Mitrovicës, Gjorgje Matiq, në mesin e metodave efektive për shuarjen e kësaj lëvizje, konsideronte në mënyrë të veçantë se ky problem i madh mund të zgjidhej “në mënyrë të përhershme vetëm duke zhvendosur ose internuar familjet e kryengritësve”. Ideja e tij mori formë konkrete kur në gjysmën e parë të muajit maj, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Serbisë, i propozoi zhvendosjen e familjeve të kryengritësve nga shtëpitë e tyre dhe pas kësaj në këto shtëpi të vendoseshin familje të vogla kolone serbe nga fshatrat e Rrethit të Mitrovicës. Këto familje do të luanin rol të rëndësishëm në mbështetjen e administratës serbe në Drenicë. Në këtë kontekst, propozimi i tij përfshinte edhe mirëqenien e këtyre familjeve, të cilave duhej t’u jepej e drejta e shfrytëzimit dhe punimit të tokës shtetërore. Rrjedhimisht, kur të realizohej edhe ky hap, pastaj niste procesi i kolonizimit serb të Drenicës. Ky plan i Kryetarit serb u diskutua seriozisht në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në Drenicë janë vendosur familje kolone serbe, por praktikisht ky plan nuk është realizuar në masë specifike, për shkak se procesi i kolonizimit nuk mund të realizohej me hapa të shpejtë. Ndërkohë, edhe rrethanat politike në Mbretërinë e Serbisë pas Atentatit të Sarajevës (28 qershor 1914), ndikuan në relativizimin e politikave të brendshme në kurriz të viseve shqiptare.

Vrasje, çarmatim e mizori ndaj shqiptarëve

Organet ushtarake serbe u treguan të ashpra edhe ndaj shqiptarëve që ishin arrestuar me akuzën për sensibilizim dhe nxitje të kryengritjes kundër pushtetit serb. Kështu, me këtë akuzë, 6 shqiptarë që ishin arrestuar në fshatin Gradicë, u transferuan dhe më pas u ekzekutuan në Deviç, pa zbatuar një procedurë paraprake gjyqësore. Në këtë kontekst, duke qenë kategorike të luftonin dhe likuidonin çdo pjesëtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, organet serbe realizuan edhe një vrasje. Sipas informacioneve të J. Umlauf “një kryengritës që në vjeshtën e vitit 1913 ishte arratisur në Shqipëri, u kthye në fshatin e tij me qëllim të fuste kontrabandë (pa u hetuar nga organet ushtarake dhe policore serbe, F.R) në Shqipëri gruan e tij të re. I sulmuar nga xhandarët, ai ra i vdekur pasi edhe ai vrau një nga agresorët”. Ndërsa gruan e këtij kryengritësi fati e detyroi ta lidhte në bashkëjetesë të paligjshme me kryetarin e komunës së Deviçit.

Në dhjetëditëshin e parë të muajit qershor të vitit 1914, organet e administratës ushtarake serbe bënë zbarkimin e armëve dhe transferimin e trupave, të cilat përfshinin edhe territorin e Drenicës. Njëkohësisht, serbët lokalë dhe kolonë morën pjesë në aktivitete që kishin të bënin me stërvitjen e tyre për të qitur me armë. Ushtrimet në fjalë u realizuan në Mitrovicë me rastin e festës së Pashkëve Ortodokse. Po ashtu, zona e Drenicës u përball edhe me arrestime, siç ndodhi në fshatin Vitak, ku u arrestua një 25 vjeçar, pa asnjë dokument personal, për gjoja veprimtari spiunazhi në shërbim të konsullatës austro-hungareze në Mitrovicë. I arrestuari, i shoqëruar nga trupa ushtarake, u dërgua për masa të mëtejme në Shkup. Në fillim të qershorit 1914, autoritetet administrative serbe i njoftonin shqiptarët myslimanë që të pajiseshin me certifikata emigrimi dhe të largoheshin brenda tri ditëve nga Drenica dhe Kosova, sepse më vonë nuk lëshoheshin leje të tilla prej tyre. Edhe në fund të muajit qershor në Drenicë u dërguan kompani këmbësorie për të përforcuar forcat e tjera ushtarake, ndërsa nga fshati Bajë komisioni i çarmatimit solli në Mitrovicë 12 pushkë mauzer osman të konfiskuara tek shqiptarët. Në Klinë, më 12 dhe 13 qershor 1914, dy shqiptarë pasi u keqtrajtuan më pas u plaçkitën nga komitët serbë. Ndërsa më 14 qershor, prej një patrulle ushtarake serbe u plaçkit e tërë shtëpia e Keço Ajet Çaushit, i cili ndodhej i arratisur në Shqipëri.

Përfundimi

Në bazë të burimeve dhe materialeve të mësipërme, nënkuptohet se Drenica pothuajse përgjatë një viti (korrik 1913 – qershor 1914) ishte maksimalisht aktive në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, për çlirimin e Kosovës nga pushtimi dhe aneksimi serb e malazez dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Përmes organizimit të luftës së armatosur, e cila u zhvillua me metoda e strategji të befasishme dhe në grupe numerikisht të vogla (30 vetë) e të mëdha (2.000 vetë), varësisht nga terreni gjeografik i veprimit, shqiptarët e Drenicës nuk e lanë asnjëherë të qetë administratën pushtuese, duke e goditur e sfiduar atë në të gjithë segmentet e saj të sigurisë (ushtarakë e policorë) e të administratës. Kjo forcë shqiptare, që njëkohësisht u kujdes për mbrojtjen e shqiptarëve nga shtypja serbe, u persekutua vijimisht nga organet e administratës serbe, u luftua me të gjitha metodat e mjetet, por nuk arriti të shuhej plotësisht, pavarësisht masakrave, terrorit e krimeve që ushtroheshin ndaj familjeve të kryengritësve, ndaj popullsisë së pafajshme dhe ndaj çdo vendbanimi të Drenicës. Në këtë kontekst, në vitet 1913-1914, Drenica përfaqëson një rol dhe kontribut të veçantë në kuadër të tentativave të popullit shqiptar të Kosovës për çlirim e bashkim kombëtar, i cili me qëndresën dhe luftën e armatosur ka përçuar një mesazh tek Fuqitë e Mëdha dhe monarkitë serbo-malazeze, se vendimet për cenimin territorial të Shqipërisë dhe ndarjen e shqiptarëve, ishin të padrejta dhe të papranueshme.

(Fund)

Filed Under: Politike Tagged With: Fitim Rifati

Gëzim e Andita Pollozhani bashkë me President George W. Bush, në ceremoni nderimi të viktimave të tragjedisë së 11 Shtatorit

September 12, 2022 by s p

Faton Bislimi/

Presidenti i 43-të i SHBA-ve, njeriu që pati rol krucial në sjelljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës, George W. Bush, ishte i ftuar nderi në hapjen ceremoniale të ndeshjes së bejsbollit të Texas Rangers në Arlington, Teksas, dhe topin e parë për fillimin e lojës e hodhi bashkë me dy shqiptarë — babë e bijë – Gëzim e Andita Pollozhani. Kjo ceremoni iu dedikua viktimave të tragjedisë së 11 shtatorit me rastin e përvjetorit të 21-të. Se shqiptarët në SHBA kanë krijuar një pasqyrë jashtëzakonisht bujare e fisnike për kombin tonë nuk don shumë koment. I tillë në këtë mes është edhe oficeri i Policisë në Fort Worth të Teksasit Gëzim Pollozhani. Ky nder atij dje nuk iu bë rastësisht. Të përzgjidhej si oficeri që do kishte nderin të përfaqësonte të gjithë oficerët e rendit në Texas si shoqërues i Presidentit Bush në ceremoninë përkujtimore të 11 shtatorit flet shumë për punën e tij profesionale dhe mbi të gjitha për karakterin e një oficeri zemërgjërë e të përkushtuar përtej thirrjes së detyrës. Gëzim Pollozhani, me prejardhje nga Struga, është ikonë e forcave të rendit në Fort Worth dhe krejt Teksasin. Vitin e kaluar, ai ishte përzgjedhë ‘Polici i Vitit’ në Teksas. Fisnikëria e tij në punë, si dhe angazhimi i tij vullnetar i pashembulltë në të mirë të komunitetit ku jeton e të cilit me dinjitet të lartë i shërben e kanë bërë Gëzimin lehtazi shembull për të tjerët. I angazhuar në shumë organizata vullnetare për oficerët e policisë, Gëzimi së fundi është zgjedhë edhe kryetar i “Brotherhood for the Fallen,” një organizatë komunitare në shërbim të familjeve të oficerëve të rënë në krye të detyrës. Për më shumë, Gëzimi është aktiv edhe në komunitetin shqiptar në Teksas, si dhe shërben në Bordin e Drejtorëve të Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas. #Krenar #Proud #AlbanianAmerican #NeverForget Photo Credit: Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane ne Teksas

Filed Under: Politike Tagged With: Faton Bislimi

Liria e Demokracia gjithmonë do të fitojnë e ndëshkojnë terrorizmin!

September 11, 2022 by s p

Bujar Leskaj/

21 vite më parë, në 11 shtator 2001, bota ndryshoi përgjithmonë. SHBA u vunë në shënjestër të një sulmi terrorist të pabesë nga organizata terroriste Al Kaeda.

Dëme të pallogaritshme në jetë njerëzore, ekonomi, shoqëri…

Terrorizmi atë ditë shkaktoi viktima të shumta, të cilat edhe sot, 21 vite më pas bota i kujton.

Nën rrënojat e Kullave Binjake viktimat ishin njerëz nga mbi gjashtëdhjetë kombe, të cilat bashkuan gjithë botën, në krah të SHBA kundër terroristëve që sulmojnë pa llogaritur viktimat, moshën, kombësinë e tyre.

Sulmi terrorist, jo vetëm që nuk ia arriti të gjunjëzojë SHBA dhe botën perëndimore, por bëri krejt të kundërtën; bashkoi e fuqizoi të gjitha zemrat e lirisë dhe të demokracisë në një të vetme përballë kësaj të keqeje të madhe.

Terrorizmi atë ditë goditi, por terrorizmi asnjëherë nuk mund të fitojë mbi Lirinë, mbi Demokracinë, asnjëherë nuk ngelet e as nuk do të ngelet i pandëshkuar!

Dhe ndëshkimi i SHBA dhe aleatëve të saj kundër terrorizmit ishte dhe vazhdon të jetë shembullor!

Kryeterroristët Bin Laden,Ayman al-Zawahiri, i cili u eleminua këtë vit nga SHBA me dron në Afganistan dhe shumë terroristë të tjerë , diktatorë apo organizata përgjegjëse për krimet kundër njerëzimit, tashmë i përkasin të shkuarës!

SHBA, e vendosur në luftën e saj kundër terrorizmit ka përcjellë mesazhin se të gjithë ata që kërcënojnë SHBA dhe botën perëndimore gjithmonë marrin dënimin e merituar, pavarësisht se sa kohë mund të marrë, pavarësisht se ku e si fshihen.

11 shtatori shërben si ditë reflektimi dhe kujtese për të gjithë njerëzit, por edhe për të kuptuar se sa të rrezikuara janë vlerat perëndimore, vlerat e lirisë e demokracisë, të tolerancës e të bashkëjetesës nga sulmet e terroristëve islamikë.

Ky përvjetor, është ditë përkujtimi jo vetëm për viktimat, por edhe vëmendje dhe vigjilence për kërcënimin e botës së lirë nga terroristët e të gjitha llojeve.

Njëkohësisht kjo ditë është mësim për të gjithë botën progresiste perëndimore, e cila ndan të njëjtat vlera humanitare e demokratike me SHBA dhe BE.

Dhe, padyshim, në luftën kundër kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së vlerave, të jetës, Lirisë e demokracisë nën lidershipin e SHBA do të jetë gjithmonë edhe Shqipëria, në kuadrin e NATO-s.

Filed Under: Politike

ANTONETA PEPKOLAJ, SHQIPTARJA QË VLERËSOHET POLICJA E MUAJIT NË NEW YORK

September 8, 2022 by s p

Sokol Paja

Një police shqiptare 23 vjeçare rrëmbeu çmimim dhe vlerësimim më të madh të muajit në Policinë e New York-ut për trimëri dhe rezultate të shkëlqyera në punë. Antoneta Pepkolaj, police prej 1 viti, shkëlqeu dhe mori një vlerësim dhe triumf që policët e tjerë punojnë prej vitesh dhe nuk e kanë arritur akoma. Ajo rrezikon çdo ditë jetën e saj në mbrojtje të jetës së të tjerëve. Vetëm pak ditë më parë ajo arrestoi e vetme një keqbërës të armatosur me dy pistoleta me “fishek në gojë” që po mësynte e kërcënonte disa fëmijë në rrugë. Antoneta Pepkolaj ka ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me familjen e saj në moshën 15 vjeçare dhe duke qenë e vogla dhe e përkëdhelura e  shtëpisë, si vajzë çamarroke, ajo kishte një pasion të veçantë për armët lodra. Antoneta ka mbaruar Akademinë 6 mujore të Policisë së New York-ut duke arritur rezultate shumë të larta dhe aktualisht ruan sigurinë e qytetarë të New York-ut në lagjen Bronx. Ajo është trime, e dashur, energjike, e përkushtuar, patriote, e qeshur, bashkëpunuese dhe shumë entuziaste. Ka një energji shumë pozitive dhe të pa shterrshme. Një ditë e zakonshme pune për oficeren Antoneta Pepkolaj fillon me marrjen  e një telefonate nga ku kërkohet një ndërhyrje urgjente nga Policia. Ajo sqaron për Diellin e Vatrës se telefonatat më të speshta janë për: “Dhunë në familje, armëmbajtje, vjedhje, dhunë dhe sherre nga më të ndryshmet”. Që pas Covid -19, Antoneta tregon se qytetarët kanë një mbingarkesë emocionale dhe ankesa të shumta për probleme të shëndetit mendor. Situata e sigurisë në qytet ka ndryshuar, tregon Antoneta. Asgjë nuk është si më parë, njerëzit janë më agresivë dhe sensitivë, policia përballet përditë me sfida të shtuara dhe vështirësi ekstreme. Që nga koha e protestave “Black Live Matter”, policët shihen me sy tjetër, puna është ndërlikuar dhe vështirësuar shumë dhe ne nuk jemi aq shumë të dashur dhe të respektuar në komunitet si më parë dhe na duhet shumë punë për rritje të imazhit, shërbimit, sqaron oficerja Pepkolaj. Sfidat nuk na dekurajojnë kurrë por ato na shtojë forcën dhe dëshirën për të punuar edhe më fort për të mirën e komunitetit, tregon oficerja Pepkolaj. Pak javë më parë në Bronx në punën e saj të përditshme Antoneta rrezikoi jetën e saj nga një sulm me thikë. Kjo nuk e ka demotivuar por i ka shtuar forcën dhe vendosmërinë për të mbrojtur jetën e njerëzve. Ajo tregon se puna më e vështirë është dialogu me persona në gjëndje të rënduar psikologjike të cilët duan të bëjnë vetvrajse apo sulme të ndryshme ndaj qytetarëve. Ajo kujton me detaje ditën e parë të punës ku u përball me një vetvarje dhe arriti së bashku me partnerin e saj oficer, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe ushtrimeve profesionale, të risillnin në jetë personin pa shënja jete. Punën e saj e do shumë dhe e quan mision të shenjtë për të ndihmuar të tjerët, rendin e sigurinë publike, jetën e qytetarëve dhe mirëqënien e tyre në qytetin dhe shtetin e New York-ut. Antoneta është një shembull suksesi, krenarie, motivimi, përkushtimi dhe devotshmërie në shoqërinë amerikane dhe për komunitetin shqiptar. Ajo është anëtare e Shoqatës së Policëve Shqiptarë në New York dhe ndihmon komunittein shqiptar jo vetëm si policë por edhe si shërbestare në ceremoni apo ngjarje të komunitetit shqiptar në New York.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

SHBA dënon sulmin kibernetik të Iranit kundër Shqipërisë

September 7, 2022 by s p

ZERI I AMERIKES


White House
White House

Shtetet e Bashkuara dënuan sot sulmin kibernetik të Iranit kundër Shqipërisë.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Adrienne Watson, shprehet në një deklaratë se “Shtetet e Bashkuara mbështesin thirrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që Irani të mbahet përgjegjës për sulmin e paprecedentë kibernetik”.

Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej në deklaratë, do të marrin masa të tjera ndaj Iranit për sulmin që kërcënon sigurinë e një aleati të Shteteve e të Bashkaura, si dhe për precedentin e rrezikshëm që krijon për sulmet kibernetike.

Për javë të tëra, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar me partnerë të sektorit privat për të mbështetur Shqipërinë të zbusë, kapërcejë dhe hetojë sulmin kibernetik të 15 korrikut, që dëmtoi të dhënat e qeverisë dhe nxorri jashtë funksionimit shërbimet qeveritare për publikun.

Shtetet e Bashkuara, thotë deklarata, kanë arritur në përfundimin se ishte qeveria e Iranit ajo që ndërmorri këtë sulm të papërgjegjshëm.

Irani, thotë Shtëpia e Bardhë, ka shkeluar normat që duhet të ndjekë një shtet i përgjegjshëm paqësor përsa i përket sigurisë kibernetike, siç është mos-dëmtimi i infrastrukturës kritike, që ofron shërbime për publikun.

“Aktivitetet keqdashëse kibernetike që dëmtojnë qëllimisht infrastrukturën mund të kenë pasoja zinxhir për vendin, rajonin dhe më gjerë dhe mund të çojnë në përshkallëzime ose konflikte”, thotë Shtëpia e Bardhë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 189
  • 190
  • 191
  • 192
  • 193
  • …
  • 653
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT