• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROFESORI AMERIKAN LEONARD NEWMARK NE LEKSIKOGRAFINE SHQIPE

August 19, 2022 by s p

Naum Prifti

Profesori Newmark (1929-2022) është autor i fjalorit të madh dygjuhësh Oxford Albanian-English Dictionary, i cili shërben si referencë për studiuesit, përkthyesit dhe studentët e shqipes. Newmark-u është bashkëautor në tri libra për shqipen: Spoken Albanian, Standard Albanian, Readings in Albanian (Shqipja e Folur, Shqipja Standarte dhe Lexime në Gjuhen Shqipe). Ai ishte mbrojtës i ngjashmërive gjuhësore midis dialekteve tosk dhe geg të shqipes.

Në Leksikografinë dygjuhëshe të shqipes, në botimin e fjalorëve dygjuhësh nga Ilo Stefanllari, Ramazan Hysa, Ilo Duro, Pavli Qesku, renditet fjalori shqip-anglisht i Oksfordit (2000), me rreth 85,000 fjalë hartuar nga Leonard Newmark. Leksikografia shqipe pranohet se është fusha më e hershme dhe më e pasur në gjuhësinë tonë. Madje dokumentimi i gjuhësisë shqipe nis me një vepër leksikografike sic ishte Fjalori latinisht-shqip “Dictionarium latino-epiroticum” i Frang Bardhit 1635.

Profesorin Leonard Newmark (1929-2022) e njoha nga letrat e vëllait Peter R. Prifti shumë dekada përpara se ta takoja në Amerikë. Peteri vetë e njohu nga afër kur u largua nga Massachusets Institute of Technology (MIT) Boston dhe shkoi në Universitetin e Kalifornisë.

Në vitin 1982 Leonard Newmark, Philip Hubbard dhe Peter R. Prifti botuan Standard Albanian – A Reference Grammar For Students. Vëllai ma dërgoi librin në Tiranë me një dedikim të bukur:

Vëllait të dashur, Naum, I dhuroj me gëzim këtë vëllim mbi Gjuhën Shqipe që përpiluam këtu në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, unë dhe dy kolegë Amerikanë. Me respekt e dashuri, Pando, San Diego, 3 tetor 1984. (foto)

Atëherë nuk më shkonte kurrë në mend se vetëm një dekadë më vonë do isha mysafir në shtëpinë e Newmark-ut në La Jolla. Por kur vëllai më prezantoi me të, mu duk sikur po ritakoja një të njohur të vjetër.

Një nga kënaqësitë e vizitave të mia nga Nju Jorku në San Diego ishte shmallja me vajzën Julikën, nipin tim Eri, si dhe vëllanë. Për takimet me Profesorin Leonard mund të them se i mirëprisja me endje. Ai donte medoemos të na priste në shtëpinë e tij. Profesori dhe bashkëshortja e tij, Ruth përgatiteshin shumë seriozisht për vizitat tona, jo vetëm për të ngrënat e rastit por edhe për dhuratat (librat që donin të na i bënin peshqesh me këte rast) ndoshta ngaqë e dinin që edhe ne kishim dëshirë t’i jepnim suvenire shqiptare dhe botime të librave të fundit. Peter Prifti dhe Leonard Newmark ishin kolegë për disa vjet në Projektin e Gjuhes shqipe në Fakultetin e Gjuhësisë të Universitetit të Kalifornisë në San Diego dhe më vonë edhe bashkëautorë në libra gramatike dhe metoda të shqipes: Spoken Albanian, Standard Albanian, Readings in Albanian (Shqipja e Folur, Shqipja Standarte dhe Lexime në Gjuhen Shqipe).

Për përgatitjen e tri vëllimeve, Peter Prifti përktheu të gjithë materialin nga shqipja në anglisht, redaktoi të gjithë lëndën shqipe në librat Shqipja e folur dhe Lexime në Gjuhën Shqipe, në mënyrë që lënda t’i përgjigjej kritereve të gjuhës së njësuar letrare, si dhe zgjodhi dhe sistemoi leximet shoqëruese të tekstit. Bashkëpunimi i tyre ishte shprehje e respektit të ndërsjelltë profesional dhe personal për njëri tjetrin. Profesor Newmark e vlerësonte Peterin si specialist të gjuhës së folur, të shkruar dhe shprehjeve idomatike të shqipes por edhe si personalitet në fushën e albanologjisë. Fjalorin e Oxford-it shqip-anglisht i pajisur edhe me shprehje gjuhësore, Newmarku ia dhuroi Peterit me një përkushtim të vecantë në të cilin ai e quan ‘shkaktarin dhe nxitësin e interesimit të tij për leksikografinë shqiptare”. (foto)

Në bisedat tona diskutonim për strukturën e shqipes dhe lidhjeve gjuhësore të saj. Për profesorin, gjuha ishte shprehje jetësore e gjithë kulturës njerëzore dhe ai ishte thellësisht kureshtar dhe gjithmonë i interesuar për subjekte nga më të ndryshmet. Ai kishte aftësinë dhe mprehtësinë të shikonte shtresëzimet kuptimore dhe zbërthimet praktike edhe për tema në dukje të rëndomta sic ishtin rrethanat që mundësuan banimin e tij në një shtëpi në lagjen La Jolla në një kohë kur aty nuk lejoheshin të banonin hebrenj.

Vizitat zgjateshin me orë të tëra ngaqë koha shkonte pa u kuptuar në bisedat tona me subjekte nga më interesantet. Ne flisnim anglisht sepse profesori megjithëse kuptonte shumë nuk e kishte të lehtë të komunikonte shqip. Po ama gjithnjë përshëndetjet e mirëseardhjes dhe të përcjelljes bëheshin në një shqipe të bukur me fraza tradicionale sikur të ishte rritur në një familje me tradita shqiptare. Që aty ai e niste argumentimin e tij për ngjashmëritë dialektore të shqipes. Në San Diego dëgjoja sesi profesori e gjuhëtari amerikan vinte në dukje elementet e përbashkëta midis toskërishtes e gegërishtes ndërkohë që në Tiranë dhe Prishtinë i jepej hapësirë më e madhe argumentit të kundërt. Profesori ishte i kujdesshëm që të na dërgonte letra dhe kartolina për ditëlindje e festa të tjera.

Pas shumë vitesh mësova se ai ishte shumë i apasionuar edhe pas muzikës. Bashkë me disa shokë kishin formuar një bandë ku luanin pjesët e tyre të preferuara. Nëse e mbaj mend mirë ai luante në flut.

Newmarku u largua prej nesh fizikisht këtë vit por kontributi i tij për leksikografinë shqipe dhe referencat gramatikore janë dhuratë e pazëvendësueshme për gjuhëtarët shqiptarë dhe të huaj.

Tani e tutje do t’i mendoj të dy, Peterin e ndjerë dhe Profesor Newmark-un, në shoqërinë e njëri-tjetrit përsëri duke diskutuar për gjuhën shqipe, për kulturën, politikën, historinë e me radhë.

BASHKAUTORË NË LIBRA

Spoken Albanian – Leonard Newmark, I. Haznedari and Phillip Hubbard, Peter Prifti, Ithaca, New York, 1980, 348 faqe.

Standard Albanian, A Reference Grammar, Leonard Newmark and Ph. Hubbard, Peter Prifti, Stanford, California, 1982, 368 faqe.

Readings in Albanian, L. Newmark, Ph. Hubbard, Peter Prifti Antologji, Vol.I, II, III, 1979, San Diego, CA, 1167 faqe.

Foto:

Kopertina Standard Albanian dhe dedikimi i Peterit per Naumin

Fjalori Oxford Shqip Anglisht dhe dedikimi i Profesor Newmark per Peter Priftin

Rea, Rafaela Prifti, Peter Prifti, Leonard Newmark, SanDiego, Gusht 2005

Peter Prifti, Leonard, Mark Newmark, Naum Prifti, San Diego, 1998

Naum Prifti, Leonard Newmark, Peter Prifti, San Diego, Janar 2000

Filed Under: Politike Tagged With: Naum Prifti

Borrell: Nuk ka marrëveshje Kosovë – Serbi, bisedimet vazhdojnë

August 18, 2022 by s p

Zeri i Amerikes

18 gusht, 2022


Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se nuk është arritur ndonjë marrëveshje në takimin e sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, por të dy janë pajtuar të vazhdojnë diskutimet në ditët e ardhshme.

“Fatkeqësisht ende nuk kemi arritur marrëveshje sot, jo, më vjen keq. Por ky nuk është fundi i rrëfimit meqë të dy udhëheqësit u pajtuan se procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimet do të vazhdojnë në ditët që po vijnë. Ka ende kohë deri më 1 shtator. Pra sot nuk ka marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi, ne duhet të vazhdojmë diskutimet, duhet të kërkojmë zgjidhje, procesi do të vazhdojë”, tha zoti Borrell.

Bisedimet e sotme pasuan tensionet e 31 korrikut në veriun e Kosovës ku grupe protetsuesish bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave. Diplomatët perëndimorë shpresonin që takimi i sotëm të sigurojë shmangien e tensioneve më 1 shtator për kur është shtyrë zbatimi i vendimeve të qeverisë.

Zoti Borrell tha se “ky nuk është momenti për të ngritur tensionet, është koha të kërkohen zgjidhje dhe për të zgjidhur çështjet e hapura për shumë kohë. U thashë edhe dy udhëheqësve se ky ishte një takim në formën e menaxhimit të krizës, nuk ishte një takim i zakonshëm. Synimi i këtij takimi ishte të qetësojmë situatën në teren”, tha ai.

Ai shprehu bindjen se kryeministri Kurti edhe presidenti Vuçiç e kuptuan se nuk ka një alternativë përveç bisedimeve për të zgjidhur çështjet e hapura.

“Padyshim ka dallime të qarta ndërmjet tyre në mënyrën se si e shohin zgjidhjen përfundimtare të statusit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ata u pajtuan për të vazhduar diskutimet në baza të rregullta në periudhën kohore në vazhdim për ta shtyrë procesin e normalizimit më shpejt”.

Përgjatë tërë ditës palët janë takuar ndarazi dhe së bashku me zyrtarët evropianë, ndërsa jozyrtarisht mësohet se në orët e mbrëmjes mund të takohen në ambasadën amerikane me të dërguarin Gabriel Escobar.

Ky është takimi i tretë Kurti-Vuçiç në Bruksel brenda një viti dhe u thirr në përpjekje për të zbutur tensionet ndërmjet të dyja palëve, që pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

Filed Under: Politike

Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg

August 17, 2022 by s p

Bruksel, 17 gusht 2022

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët me Sekretarin të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit në Selinë Qendore të NATO-s:

I nderuar Sekretar i Përgjithshëm,

Të nderuar gazetarë,

Zonja dhe zotërinj,

Më vjen mirë që jam këtu, së bashku me të nderuarin z.Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, pas takimit tonë, në të cilin theksova synimet e Qeverisë sonë dhe të vendit tonë për të ardhmen. Qeveria ime dhe unë si Kryeministër, jemi të përkushtuar që të sigurojmë që politikat tona janë plotësisht në përputhje me vlerat e përbashkëta euroatlantike. Ky është përcaktimi ynë, dhe përfaqëson identitetin tonë politik dhe orientimin tonë historik.

Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time më të lartë për NATO-n. Në 23 vitet e fundit, NATO ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë, rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar gjatë luftës dhe sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve tanë.

Kontributi i NATO-s në themelimin, zhvillimin dhe profesionalizmin e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka qenë një sukses shembullor. Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë me KFOR-in, si dhe këshillave profesionale të dhëna nga Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NATO Advisory and Liaison Team), Forca e Sigurisë së Kosovës dhe pjesëtarët e saj kanë arritur një nivel të lartë të aftësive dhe kapaciteteve operacionale.

Të gjitha këto janë ndërtuar dhe zhvilluar në përputhje me standardet e NATO-s për të qenë në përshtatshmëri dhe të ndërveprueshme në misione dhe operacione të përbashkëta, në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë. Për këtë arsye, ne jemi shumë të nderuar nga besimi i dhënë FSK-së për të mbështetur operacionin humanitar të NATO-s në evakuimin e qytetarëve afganë që nga gushti i vitit të kaluar.

Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar të kontribuojmë në çdo operacion dhe projekt të NATO-s, me të gjitha kapacitetet që kemi. Kemi vizion të qartë – ne kërkojmë anëtarësimin në NATO. Kjo do të na mundësojë të japim këtu dhe gjetiu, atë që vendet dhe kombet demokratike, liridashëse dhe paqedashëse i dhanë dhe i japin vendit dhe qytetarëve tanë. Në këtë drejtim, anëtarësimi në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s është një hap shumë i rëndësishëm.

Kosova ka treguar përkushtimin e saj për mbrojtjen dhe promovimin e parimeve dhe vlerave të përbashkëta, si dhe përkushtimin e saj për të kontribuar në sigurinë dhe paqen, jo vetëm në rajon por edhe në botë.

Kërcënimet, rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet NATO në mjedisin aktual të sigurisë ndjehen edhe nga vendi ynë. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës, në situatën aktuale, kanë arsye të jenë vigjilentë ndaj qasjes destruktive të fqinjit tonë verior ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi, nën agjendën e dëmshme të Rusisë për Evropën dhe Ballkanin.

Ne jemi plotësisht të përkushtuar për zhvillim ekonomik, për mirëqenie të qytetarëve tanë, demokraci, të drejta të njeriut dhe të pakicave, siguri për të gjithë dhe për secilin, sundim të ligjit dhe kushtetutshmëri.

I nderuari z.Stoltenberg, Qeveria e Republikës së Kosovës, si gjithmonë, mirëpret mbështetjen tuaj, por mbi të gjitha përkushtimin tuaj për paqen e qëndrueshme, sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajonin tonë.

Ne qëndrojmë të fuqishëm dhe bashkë.

Filed Under: Politike

KOSOVA DHE SERBIA RINISIN DIALOGUN NË NIVEL TË LARTË NË BRUKSEL

August 17, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 17 Gusht 2022/ Kosova dhe Serbia rinisin takimet e nivelit të lartë për dialogun në Bruksel, pas më shumë se një viti nga takimi i fundit në 15 Qershor 2021, kur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendësin e tij Besnik Bislimi, e me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe emisarit të tij Miroslav Lajçak, u takuan me delegacionin nga Serbia të përbërë nga Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe Ministri i Jashtëm Nikola Selakoviç.

Bashkimi Evropian ka njoftuar se takimi i nivelit të lartë do të nisë të enjten e 18 Gushtit 2022 në orën 10:30 dhe do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Gjatë takimit do të trajtohen edhe çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve midis palëve. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me secilin lider.

Në 16 Gusht 2022 Qeveria kosovare njoftonte se, në prag të takimeve në Bruksel, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, takuan përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Gjatë takimit u theksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë.

U bisedua për takimet e ardhshme në Bruksel si dhe proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Mbrëmjen e 16 Gushtit 2022, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se para takimeve në Bruksel ka biseduar në telefon me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

“Një bisedë e frytshme telefonike me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, lidhur me shumë çështje, përfshirë edhe dialogun me Serbinë, duke theksuar rëndësinë për marrëveshje të përqendruar në njohje reciproke. Ai përcolli përshëndetjet e Sekretarit Blinken pas takimit tonë të mrekullueshëm në Uashington, në muajin e kaluar”, ka shkruar Kryeministri i Kosovës.

Kryeministri Kurti ka njoftuar edhe se: “Para diskutimeve në Bruksel unë pata një telefonatë produktive me të dërguarin special të Britanisë për Ballkanin Perëndimor, z. Stuart Peach, duke theksuar nevojën për marrëveshje të përqendruar në njohje reciproke dhe marrëdhënie të mira fqinjësore”.

Të mërkurën e 17 Gusht 2022, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të presë Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Pas takimit do ketë konferencë të përbashkët për shtyp, në ora 17:00, ka njoftuar NATO.

Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Stoltenberg takon Kryeministrin Kurti një ditë para se në Bruksel të rinisë dialogu Kosovë-Serbi ndërmjetësuar nga Bashkimi Evriopian.

Nga media raportohet se në takimin Stoltenberg-Kurti pritet të diskutohet për situatën e sigurisë në Kosovë dhe tensionet në pjesën veriore të cilat u ngritën kur serbët vendosën barrikada për të kundërshtuar zbatimin e reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës për dokumentet e identifikimit dhe targat.

Kryeministri Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më 1 Gusht 2022, duke folur për zhvillimet e situatën në veri të Kosovës, mes tjerash, theksonte:

Mbrëmë ka pasur të shtëna në drejtim të Policisë së Kosovës dhe 9 barrikada me njerëz të armatosur në to, të cilët kanë ndaluar qytetarët në automjete e ata këmbësorë. Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive, si rrallë herë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë sepse ato i mbështetë i tërë aparati shtetëror i fqinjit tonë verior. Janë me dhjetëra shkelje të rënda e të qarta të ligjit të bëra dje e me të cilat po merren policia dhe prokuroria. Fatmirësisht, nuk ka të plagosur me armë zjarri, siç u lajmërua rrejshëm nga ndonjë portal…

DIALOGU KOSOVË-SERBI NË BRUKSEL NISI PARA 11 VITEVE

Para 11 viteve fillimi me takim dyditësh 8-9 Mars 2011 në Bruksel i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian e me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasonte një zhvillim shumë të rëndësishëm dhe historik për Kosovën: Në 22 Korrik 2010 Kosova doli fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pas një ankese që Serbia kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavrësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

May be an image of 4 people, people sitting and people standing

50

People reached

0

Engagements

–

Distribution score

Boost post

Like

Comment

Share

Filed Under: Politike

Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar

August 16, 2022 by s p

Aleksandër Çipa/

Në fakt është një shqiptaro-problem që mbetet i pazgjidhur dhe që përdoret si greko-problem në Himarë. Tashmë, politika e korruptuar shqiptare e tri dekadave të fundit, e ka sanksionuar me shumë forma të ashtuquajturën prani të minoritet grek në Himarë. Kjo është një histori mbi 100 vjeçare, të cilën e investoi për ta pasur si kazus shteti dhe politika greke dhe e mishëroi si të tillë, papërgjegjshmërisht dhe falë ndërgjegjes së molepsur mbi 100 vjeçare elita politike shqiptare. Kësioj Himara është kthyer në një pikë pretenduese për ekzistencë të minoritetit grek dhe këtë vështirë se e zhbëjmë. Por në të njëjtën kohë, atje në Himarë vazhdon të këmbëngulë, rezistojë dhe mbetet në ndërgjegjen e patjetërsueshme kombëtare pjesa më e madhe e banorëve të saj shqiptarë që “as blihen e as shiten”.

Mirëpo kjo është një histori e vjetër. Historia e re shtesë, që inspiron dhe favorizon interesin e politikës greke në Himarë, ka të bëjë me një problem të maviosur pronësoro-ekonomik, të cilën nuk e zgjidh dhe nuk do ta zgjidhë kohë mbas kohe, shteti shqiptar.

Problemi i pronës në Himarë nuk është më një çështje e komunitetit bregdetas. Brenda saj, domethënë brenda këtij komuniteti, në mënyrën më të korruptuar, në masën më abuzuese dhe në fije të shumta mafioze, ka depërtuar një “komunitet i ri, i cili i ka gllabëruar hisetë më të rëndësishme të këtyre pronave. Në këtë gllabërim është e përfshirë elita pasurore e vendit, madje janë disa kategori të këtij grupi të madh interesi: pronarë mediash, oligarkë ndërtimesh dhe kompanish biznesi, politikanë, sejmenë politikë të fuqishëm dhe të kamur, të afërm dhe familjarë të personaliteteve shqiptare nëpër botë, deputetë grekë dhe politikanë grekë përmes njerëzve të tyre në minoritet dhe në subjektet politike të minoritetit, përfaqësues filogrekë të diasporës shqiptare nëpër Botë, kryesisht në SHBA dhe në vende të tjera. Menaxherë dhe marketues të kompanive të huaja në fushë të turizmit dhe interesit strategjik e perspektiv të këtij sektori. Nga Llogaraja deri në afërsi të Sarandës, procedurat, transaksionet dhe shit-blerjet e tokave veçanërisht këto 10 vitet e fundit kanë njohur ritmet dhe intensifikimin më të madh të njohur për tridhjetë e dy vitet e fundit. Tendenca vlerësuese dhe rivlerësuese të tokës dhe e aseteve fitimprurëse të saj në këtë territor është në rritje të pabesueshme progresive. Vetë qeverisësit i janë futur me etje dhe uri makute mundësisë përfituese prej këtyre trojeve dhe hapësirave të mbetura në kalvarin pronësues të tyre.

Një ditë më parë në qendër të Spilesë, lagjia qendrore e qytetit të Himarës, u organizua një protestë nga disa përfaqësues. Mes tyre spikatën përfaqësuesit e pakicës greke në Shqipëri, njëri banor i Himarës dhe tjetri nga Dropulli që përfaqësojnë PBDNJ-në dhe OMONIA-n, një parti dhe një organizatë politike të grekëve të Shqipërisë. Kredibiliteti politik i tyre në minoritetin grek është tejet i ulët, por rishfaqja e tyre në Himarë dhe protagonizmi i tyre cinik në dy gjuhë, duke folur para të tubuarve së pari në greqisht dhe pastaj në shqip, befas rikthen përdorimin e kazusit grek në Himarë në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Protesta e djeshme në Himarë merrte shkas me të drejtë nga një vendim i beftë i qeverisë Rama për shpalljen e zonës nga Gjiri i Llamanit deri në hyrje të Qeparoit si një zonë e mbrojtur natyrore. Një projekt-vendim i cili brenda një kohe prej jo më shumë se njëzet ditësh u kthye në vendim nga qeveria. Projektvendimi u çua në Qeveri nga ministrja e Mjedisit dhe Turizmit zonja Mirela Kumbaro. Se si u nismua, nga kush u ideua, përmes cilës ekspertizë kaloi dhe me cilat grupe të interesit u konsultua, kjo nuk u bë e qartë dhe me arrogancë u refuzua të bëhej e njohur publikisht. I vetmi takim i tentuar për të diskutuar me pronarët legjitimë vendorë ishte ai që urdhëronte këshillin bashkiak të Himarës për të miratuar projektvendimin e qeverisë, i cili jo vetëm u refuzua kategorikisht, por shkaktoi indinjatë dhe alarm për banorët dhe mbi 90 pronarët e trojeve në këtë territor bregdetar. Mirëpo qeveria duke u vetëndierë e plotpushtetshme, nuk humbi kohë dhe projektvendimin e shndërroi me urgjencë në vendimin me numër 557, datë 29.7.2022 “Për shpalljen e ekosistemit natyror detar-bregdetar të Gjirit të Porto palermos “Park natyror”, Kategoria IV.

Do të mjaftonte kjo që në mënyrë të stuhishme dhjetëra banorë himariotë dhe pronarë të tokave në këtë territor të nisin reagimet në të gjitha format. Tashmë, ankesat e tyre janë bërë një çështje e mprehtë jo vetëm brenda institucioneve sakate shqiptare, por edhe në komunikimet diplomatike që qeveria shqiptare e kryeministrit Rama ka me ambasadat më të rëndësishme dhe kryesisht ato të vendeve fqinje, kryesisht por jo vetëm ajo greke. Kryeministri Rama dhe ministrja e tij Kumbaro janë përpjekur të ofrojnë si sqarim burokratik pohimin se :” Shpallja e një zone të mbrojtur nuk ka të bëjë me pronën private apo publike, por me mbrojtjen e potencialit natyror të një zone. Dhe në rastin konkret 89% e kësaj zone është det, prandaj quhet dhe zonë e mbrojtur detare. Kjo nuk i tjetërson pronat private, por rrit nivelin e mbrojtjes për zhvillim të qëndrueshëm.

Është i njëjti parim që zbatohet edhe në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore kur i shpallim qendra historike, si Dhërmiu, Vunoi, Gjirokastra etj, brenda të cilave ka më shumë prona private se sa publike.

Dhe kjo vlen edhe për Zonën e mbrojtur Park Natyror të Vjosës, ku banojnë mbi 60 000 banorë në 8 bashki, dhe për të cilën janë bërë aq shumë protesta e lëvizje nga shoqëria civile dhe media…”

Kjo përgjigje në thelbin e saj është rutinore dhe alibike, pasi në thelbin real të saj mund të mos jetë tamam kështu. Pronarët në ankesë dhe reagim, që pritet të jetë edhe më i stuhishëm në ditët e ardhme, pohojnë se e ardhmja e afërt do të dëshmojë të kundërtën. Ky vendim arrogant i qeverisë, madje më fyesi për pronarët e ligjshëm, është paraprirë nga disa procese administrative penguese dhe pengmbajtëse para se të zyrtarizohej. Ky është një vendim i njëanshëm, i pakonsultuar dhe i padiskutuar me banorët, pronarët, pushtetin vendor dhe grupet e interesit. Ka një arsye mafioze që pronat në këtë territor për arsye që i di vetëm qeveria dhe ministria e linjës, prej kaq vitesh po mbahen peng nga Kadastra dhe i ashtuquajturi proces i menaxhimit. Madje në shkelje flagrante të ligjit dhe kushtetutës, në shkelje të lirisë themelore për trashëgiminë, përdorimin dhe shitblerjen e pronës, kadastra e Vlorës ka bllokuar procedurat dhe proceset apo transaksionet me pronën në këtë zonë. Disa prej pronarëve tashmë shtetin shqiptar e kanë çuar në Gjykatën e Strasburgut, pasi kanë kaluar të gjitha shkallët e gjykimit në gjykatat shqiptare. Për kostot dhe penalitetet që shteti ynë do të ketë, asnjë prej këtyre urdhërdhënësve nuk do të mbajë përgjegjësi dhe nuk do t’ia dijë.

Mirëpo kostoja shumëplanëshe së fundi po mbishton edhe një kosto tjetër. Atë, për të cilën socialistët dhe qeveria Rama në krye të 10 viteve më parë u krenuan se i hoqën Himarës damkën e përdorimit grek dhe të maviosjes së pretendimeve filogreke për një kazus minoritar grek në vendin që është më i vjetër se vetë Greqia.

Një ditë më parë në mbështetje të banorëve-pronarë të trojeve nga Llamani deri në afërsi të Qeparoit u ribashkuan krerët politikë të minoritetit grek. Folën në dy gjuhë për këtë problem dhe u qeshnin fytyrat prej kësaj mundësie. Shqipja e tyre ishte e saktë, por ishte e dyta në rendin ligjërues. Përballë tyre ishin tufa me pronarë bregas dhe pushues shqiptarë. Greko-problemi u rikthye në Himarë pas kaq kohësh humbjeje, si shkak dhe për arsye të një korrupsioni të fshehur vendimmarrës me pronat dhe brigjet bregdetare të Porto Palermos. Kësaj here e riktheu me lehtësi të madhe dhe me po të njëjtën papërgjeshmëri si paraardhësit e tij, vetë Kryeministri Rama dhe të bindurit e oborrit të tij qeverisës. Urdhërdhënësit do të shfaqen, tamam si bajlozë, por jo nga Deti. Mirëpo, Himara ka për simbol të vetën kafshën mitologjike të Kimerës, e cila në një trup ka tri koka, një ndër të cilat, në kohën e sotme, është ajo e tokamarrësve që vijnë nga ortakëritë me politikën në këtë republikë.

Filed Under: Politike Tagged With: aleksander Cipa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 208
  • 209
  • 210
  • 211
  • 212
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Racionaliteti erotik i pushtetit shqiptar
  • Hapet dega e 7-të e kursit të gjuhës shqipe në Lesvos të Greqisë
  • Besimi ndaj së mirës…
  • VATRA, NDERIM E RESPEKT PËR XHIM XHEMËN NË 84 VJETORIN E LINDJES
  • “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Rasim Juniku, një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën
  • Shpirti arvanitas në Rilindjen Europiane për atdheun e humbur
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT