• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lajnë mëkatet…

September 20, 2022 by s p

Nga Muç Xhepa/

Dielli lind nga thellësitë e oqeanit. Mëngjes. Ajri i freskët, cicërima e zogjve, peizazhi që nëna natyrë, si një piktore impresioniste, e ka punuar me ngjyra mjalti, karameleje, çokollate… na ngre gjendjen shpirtërore. Ndihemi të gëzuar.

– “… Vjeshta është më shumë stina e shpirtit sesa e natyrës”,- citon Friedrich Nietzsche-n miku im, fizikani Lluka Qafoku, që ka ardhur në Ushington të marrë pjesë në një konferencë shkencore.

– Katedralja do të jetë e mbushur me turistë. E diel.

– Na jep mundësinë të ndjekim ndonjë guidë turistike.

– Kisha e Shën Pjetrit dhe Shën Palit ka udhërrëfyesit e saj. Gjithnjë është një person në hyrje që ofron ndihmë, informacion.

Katedralja Kombëtare e Uashingtonit është e ngritur në kryqëzimin e avenysë “Massachusetts” me atë të “Wisconsit”. Veriperëndim të Uashingtonit. Parkojmë në anën lindore të saj. Te hyrja, turistë të shumtë bëjnë fotografi me basorelievin gjigant në sfond: përshkrimi i lindjes së njerëzimit nga Hart. Kjo punë magjepsëse konsiderohet si një nga më të rëndësishmet e skulpturës fetare të shekullit 20-të. Timpani, hapësira trekëndore, vertikale, e zhytur, që formon qendrën e pedimentit, e dekoruar në mënyrë tipike, mbi derën qendrore, paraqet figura gjysmë të formuara të burrave dhe grave që dalin nga zbrazëtia. Poshtë qëndron figura e Adamit me sy ende të pa hapur dhe trup të pa çliruar plotësisht nga guri rrethues. Timpanumi verior përshkruan “Krijimin e Ditës”, ndërsa i jugut “Krijimin e Natës”. Lluka ngjit shkallën e parë.

– Largohu edhe ca që ta marrësh të plotë hyrjen.

Shkrep disa foto. I sheh i përqendruar. Lluka është ndjekës me bindje dhe njohuri të thella ndaj krishterimit. Në antijetë, sundimin e “Neronit”, ishte ithtar i heshtur i Krishtit duke e lejuar ta udhëhiqte, me anë të Shpirtit, në botën e të marrëve. Ashtu siç e parashikoi Lluka, i ngjitemi një grupi turistësh gjermanë, të moshuar. Udhërrëfyesi, një djalë i ri, me zë kumbues, tregon plot elokuencë.

– Është katedrale amerikane e kishës Episkopale. Struktura neo-gotike është modeluar në stilin gotik anglez të fundit të shekullit katërmbëdhjetë.

Lluka fotografon kubenë, që duket sikur ka arritur Perëndinë lart në qiell.

– Mbi një çerek milioni njerëz e vizitojnë çdo vit. Ndërtimi filloi më 29 shtator 1907. Gurin e themelit e vendosi presidenti Theodor Rusvelti dhe përfundoi 83 vjet më vonë. Në prani të presidentit Xhorxh Bush. 1990.

Afrohemi pranë varrit të presidentit Uillson.

– Katedralja është vendi i shërbesave funerale dhe përkujtimore e pothuajse të të gjithë presidentëve, që nga viti 1893. Në 6 shkurt 1924, shërbimi funeral për presidentin Udrou Uillson… në vitin 1961, funerali për ish-Zonjën e parë Edith Bolling Galt Uillson. Funerali i vetëm i një zonje të parë që është bërë në katedrale. Zonja Uillson është varrosur me të shoqin në Gjirin Uillson të katedrales.

Lluka vendos dorën mbi mermerin e bardhë dhe kërkon t’i bëj një foto.

– Ky president e shpëtoi Shqipërinë nga dhëmbët e fuqive evropiane. Duhet t’i jemi mirënjohës për jetë.

Bën shenjë të mos ndjekim grupin që nuk resht së marruri fotografi dhe ulet në shkallën pranë varrit.

– Kur isha me Petron, këtu mbahej një përshpirtje.- them unë.- Mesha jepej për të përkujtuar një politikan, që për njërën pjesë të politikës kishte qenë i rëndësishëm, ndërsa për tjetrën i urryer. Katedralja ishte mbushur me personalitete të kohës. Petro, i përqendruar, ndiqte cermoninë nga shkalla e mermertë, ku je tani ti. Ulur ashtu si te bazilikata e Shën Pjetrit në Vatikan. Tempulli i shenjtë i krishterimit në botë. Në duar mbante shtrënguar çantën e vjetëruar. Brenda dorëshkrimi i veprës madhore “Shqipja dhe sanskritishtja”. Te bazilikata i kishte bërë përshtypje ndërtesa madhështore e mermertë, këtu pompoziteti i katedrales.

– Biri i Zotit s’kishte saraje.

E tha pa i hequr sytë nga Rev. … që vazhdonte meshën. Kur Rev. … kërkoi ta imitonin:

“Le të kthehemi te Zoti, sepse Ai do të ketë dhembshuri. Dhe, te Perëndia jonë, sepse Ajo do të na falë me bollëk”.

Petros i doli nga kraharori.

– Të lahen që të ndyhen sërish…

Lluka ngrihet në këmbë dhe bën kryqin.

– Petro Zheji ishte gjigant. Krishtin e kishte në gjak. Ishim me fat që e patëm mik.

Petro Zheji

Lluka Qafoku

Filed Under: Politike Tagged With: Muc Xhepa

RËNDËSIA E LIRISË SË SHTYPIT PËR DEMOKRACINË DHE PAQËN   

September 19, 2022 by s p

Mbrojtja e lirisë së shtypit, mbron demokracinë!    

Nga Frank Shkreli

15 shtatori 2022 shënoi 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, e përcaktuar si e tillë qysh në vitin 2007, me anë të një rezolute nga Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara, (OKB) me qëllim që të promovohen dhe të zbatohen parimet e demokracisë dhe të lirisë. Në këtë ditë,  njëherazi, u kërkohet shteteve anëtare të OKB-së që të shënojnë këtë ditë, në mënyra sa më të përshtatshme, duke promovuar vlerat dhe parimet e demokracisë dhe të lirisë, në vendet e tyre. Sipas OKB-së, Dita Ndërkombëtare e Demokracisë ofron një mundësi për të shqyrtuar gjendjen e demokracisë në botë dhe poër të promovuar vlerat demokratike, lirinë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës.  Demokracia është po aq proces sa edhe një qëllim dhe vetëm me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e plotë, nga bashkësia ndërkombëtare, organizmat qeverisëse kombëtare, shoqëria civile dhe individët, mund të realizohet ideali i demokracisë dhe lirisë, për të gjithë dhe kudo, pa dallim, thuhet në njoftimin e OKB-së. Si temë e e këtij viti për të shënuar 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë është zgjedhur Liria e Shtypit dhe Demokracia.  Liria e shprehjes është njëra nga të drejtat themelore të njeriut, e mbrojtur nga neni 19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.  A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Në deklaratën e OKB-ës në këtë përvjetor thuhet se ndërkohë që kriza e COVID-19 ka shkaktuar sfida të mëdha globale, një krizë e re në Evropë na kujton se parimet tona demokratike gjënden përballë kërcënimeve të ndryshme, anë e mbanë botës.  OKB-ja paralajmëron me këtë rast se, sot më shumë se kurrë, Demokracia po tkurret, hapësira për debat shoqëror po ngushtohet, mosbesimi dhe keq-informimi po shtohen, ndërkohë që kërcënimet, kundër lirisë së gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias vijnë duke u shtuar, nga ditë në ditë. Prandaj, si përfundim i kërcënimeve ndaj lirisë së medias në botë, OKB-ja ka vendosur që në këtë 15-vjetor të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë të përqendrohet mbi rëndësinë dhe rolin që luan liria e shtypit në zhvillimet demokratike dhe në sigurimin e paqës në botë. Media e lirë, e pavarur dhe pluraliste, e aftë për të informuar shoqërinë mbi çeshtje të interesit publik, është një pjesë përbërse e Demokracisë së mirëfilltë.  OKB-ja thekson me këtë rast se, gjithnjë e më shumë, vihet re se gazetarët, anë e mbanë botës, përballen me pengesa të llojllojshme ndaj lirisë së tyre për të kryer detyrën si gazetarë – gjë që ka pasoja të rënda për të drejtat e njeriut dhe për zhvillimet demokratike kudo.  

Në mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres shprehet se “Demokracia nuk mund të mbijetojë pa lirinë e shtypit dhe pa lirinë e të shprehurit.”  Kjo është edhe arsyeja që mbrojtja e lirisë së medias konsiderohet si një pjesë përbërse — kritike — për ndërtimin e një demokracie të shëndosh, ka thënë ai. “Pa lirinë e shtypit, demokracia nuk mund të mbijetojë. Pa lirinë e të shprehurit, nuk ka as liri të tjera”, theksoi udhëheqsi i organizatës botërore, ndërsa u bëri thirrje qeverive të mbarë botës që të “sigurohet liria dhe të mbrohen të drejtat e të gjithë njerëzve, pa dallim dhe kudo në botë”. International Day of Democracy | Messages | United Nations.

Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden bëri një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë — Statement by President Joseph R. Biden, Jr. on the International Day of Democracy – The White House — “15-vjet më parë, shtetet anë e mbanë botës janë bashkuar për të deklaruar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë – një ditë kjo për të treguar mbështetjen tonë të përbashkët për qeverisje përfaqsuese, transparente; për të reflektuar mbi barazinë, respektin për të të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor dhe për shtetin e të drejtës”, tha ndër të tjera, Presidenti Biden. Udhëheqsi amerikan pranoi se vitet e fundit, “demokracia anë e mbanë botës ka pësuar disa sfida të dukshme”, ndërsa ai fajësoi ata që i quajti “autokratë dhe forca të tjera, të cilat bëjnë trysni ndaj atyre që luftojnë në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore.”  Në 15-vjetorin e shpalaljes së Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë nga OKB-ja, Presidenti Biden shtoi se, “Shtetet e Bashkuara po bashkpunojnë me shtetet e tjera demokratike në mbarë botën për të zgjidhur sfidat më të mëdha me të cilat përballet bota”sot, ndërsa përmendi “luftën brutale dhe të pajustifikueshme të Rusisë kundër Ukrainës”, si një nga ato sfida.   

Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një deklaratë të tijën nga Departamenti i Shtetit, kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë — Commemorating the International Day of Democracy – United States Department of State — u shpreh se në “Këtë Ditë Ndërkombëtare të Demokracisë, ne theksojmë angazhimin tonë ndaj demokracisë ndërsa përpiqemi për një botë më gjithëpërfshirëse, më të barabartë dhe më paqësore.  Siç ka theksuar edhe Presidenti Bajden, shtoi diplomati lartë amerikan, “… ne duhet të fillojmë me diplomacinë e rrënjosur në vlerat demokratike më të dashura dhe më të shtrenjta të Amerikës, e që janë: mbrojtja e lirisë, mbështetja e mundësive të barabarta për të gjithë, respektimi i të drejtave universale, respektimi ndaj sundimit të ligjit dhe trajtimi me dinjitet i çdo personi… Duke vendosur të drejtat e njeriut në zemër të politikës sonë të jashtme, Shtetet e Bashkuara avancojnë respektin për liritë themelore, edhe në nivel global.  Ne e dimë se respekti, për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, është thelbësor për paqën e qëndrueshme dhe begatinë e vazhdueshme në botë. Ky respekt bazohet në përvojën tonë si shtet demokratik, ndonëse jo i përsosur, por, vazhdimisht, duke punuar për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë”, për të gjithë, është shprehur, ndër të tjera, Kryediplomati amerikan Antony Blinken me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, me 15 shtator, 2022.

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënohet  çdo vit më 15 shtator me qëllim për të rritur ndërgjegjësimin publik vlerave të demokracisë dhe lirive të njeriut, në përgjithësi. Veprimtari të ndryshme të sponsorizuara nga ente qeveritare dhe ente jo-qeveritare zhvillohen anembanë botës për të promovuar demokracinë në këtë ditë dhe gjatë gjithë vitit. Udhëheqës shtetesh si Presidentët e Amerikës dhe të tjerë anë e mbanë botës, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, e shënojnë këtë ditë me deklarata në mbështetje të demokracisë dhe lirive bazë të njeriut. 

Ashtu ndodhi edhe sivjet. Por m’u duk se përjashtim këtë vit, ashtu si në të kaluarën, Shqipëria dhe Kosova, bënin pjesë me vendet që nuk e shënuan Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, zyrtarisht, dhe jo me vendet demokratike si Shtetet e Bashkuara, ku kjo ditë u shënua nga udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe qeverisë. Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, në deklaratën e tij pranoi se megjithë përvojën e gjatë demokratike – megjithëse jo të përsosur — është e nevojshme që edhe Amerika ta kujtojë Ditën Ndërkomëtare të Demokracisë, si një angazhim i përherëshëm ndaj vlerave demokratike, përfshir promovimin e të drejtave të njeriut, përfshir lirinë e shtypit dhe lirinë e të shprehurit për individët.

Fatkeqsisht, më duket se, në këtë tranzicion tepër të zgjatur prej 32- vitesh, dielli i demokracisë së vërtetë shqiptare, të ketë humbur rrugën në vranësirat e jetës konfliktuale politike të korruptuar shqiptare. Ose të pakën të ketë devijuar shumë keq nga rruga që duhej të ndiqte në zhvillimin e demokracisë dhe lirive bazë të

njeriut, në tranzicionin e pafund “post-komunist” në Shqipëri, e deri diku edhe në Kosovë. Për fat të keq, paralajmërimi im jo aq i kahershëm se, “Demokracia Nuk Pret”, vazhdon të jetë aktual sot e kësaj dite, kur bota shënon 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë dhe lirisë së shtypit, në Shqipëri as nuk përmendet fjala Demokraci. Në vend të Demokracisë së vërtetë, kemi autoritarizëm, jo përmirësim të vlerave të lirisë e demokracisë, përfshir lirinë e shtypit. Por një përkeqësim të tyre – ashtu siç reflektohet në shumë raporte ndërkombëtare të të drejtave të njeriut —   ndoshta më keq se kurdoherë në këto tre dekada “post-komunizëm. Kapja e drejtësisë Në 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, jo vetëm që “Demokracia Nuk Pret”, por sipas vlerësimeve të analistëve të brendëshm dhe të jashtëm, demokracia — sidomos në Shqipëri — është në rrezik. Kapja e drejtësisë nga qeveria, nepëmjet një “reforme” që mbështetet dhe financohet nga ndërkombëtarët, nuk i shërben thellimit të demokracisë as mbrojtjes së vlerave të lirisë e demokracisë dhe të drejtave të njeriut për të gjithë shqiptarët, padallim.

“Demokracia nuk mund të mbijetojë pa lirinë e shtypit dhe pa lirinë e të shprehurit”, porositi Sekretari i Përgjithëshpëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 15 shtator, 2022.  Demokracia Nuk Pret! 

Frank Shkreli

See the source image

               Jo vetëm që Demokracia nuk pret më, por duket se ajo është në     rrezik…”Mbrojtja e lirisë së shtypit, mbron demokracinë”!

See the source image

        Në një demokraci të vërtetë, qytetarët ushtrojnë pushtetin duke votuar

protest march

         Mesazhet e tyre me rastin e Ditës ndërkombëtare të Demokracisë

António Guterres
A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidence

   Presidenti Joe Biden                            Antonio Guterres                                Antony Blinken

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Dita e Kushtetutës Amerikane

September 17, 2022 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Sot SHBA feston Ditën e Kushtetutës. Më 17 shtator 1787 delegatët në Konventën e Filadelfias firmosën Kushtetutën e SHBA, dokumentin më jetëgjatë deri më sot, ndërkohë me tekstin më të shkurtër që ekziston nga të gjitha kushtetutat e vendeve të tjera, të cilat u bënë me një të tillë duke marrë shembull atë të SHBA.

SHBA është shembulli i demokracisë në veprim për mbarë globin. Por, eksporti më i rëndësishëm i Amerikës në botë ka qenë Kushtetuta e saj. Ajo u hartua si kushtetuta e parë në një dokument të vetëm. Është dokumenti me jetëgjatësinë më të madhe. Dhe gjatë dy shekujve të fundit çdo komb e ka pranuar nevojën dhe vlerën e të pasurit një kushtetutë. Dhe në rastet kur vendet kanë hartuar një të tyren, referenca ka qenë pikërisht Kushtetuta Amerikane. Madje ka pasur shumë përpjekje për të importuar Kushtetutën dhe sistemin e qeverisjes së SHBA-së dhe për t’i zbatuar ato në pjesë të tjera të botës, por ato kanë qenë të pasuksesshme. Kjo ka ardhur për faktin se Kushtetuta dhe sistemi i qeverisjes amerikane janë pasqyrim i mentalitetit, vlerave dhe identitetit amerikan. Shumë vende, veçanërisht ato në Amerikën Latine, u përpoqën të imitonin qeverinë dhe Kushtetutën e SHBA, por dështuan. Bolivia e provoi, dhe si rezultat pësoi gjashtëdhjetë revolta, dhjetë kushtetuta të rishkruara dhe gjashtë presidentë të vrarë midis viteve 1826 dhe 1898. Simon Bolivar (1783-1830), i njohur si George Washington i Amerikës së Jugut, vdiq një idealist i zhgënjyer nga dështimi për të zbatuar kushtetutën e vendit të tij, të modeluar sipas asaj amerikane. Arsyeja e dështimit nuk ishte gjë tjetër veçse fakti se Kushtetuta Amerikane u hartua për popullin dhe shoqërinë amerikane, e cila qëndron e bazuar mbi disa parime të caktuara.

Kushtetuta e SHBA-së ka një sërë amendamentesh specifike për të drejtat e njeriut të njohura si Bill of Rights. Hartuesit dhe ratifikuesit e Kushtetutës së SHBA-së i mësuan botës se nuk mund të ketë kushtetutë pa një seksion të veçantë që rendit të drejtat individuale.

Gjithashtu, në hartimin e Kushtetutës amerikane, u krijua një emër dhe ofiq i ri që nuk kish ekzistuar më parë: Presidenti. Për herë të parë në histori u krijua figura dhe detyra e Presidentit. Një shembull një u mor më pas nga shtete të tjera.

Kushtetuta i dha ofiqit të Presidentit kompetencën të ishte “Komandanti i Përgjithshëm i Forcava të Armatosura dhe Marinës, të bënte falje, të nënshkruante marrëveshje me kombe të tjera (nën këshillimin e Senatit), si edhe të caktonte ambasadorë, konsuj, gjyqtarë të Gjykatës Supreme.” Presidenti ishte drejtues lufte por nuk mund të shpallte luftë dhe as të paguante për luftën pasi këto pushtete i kishte legjislativi.

Kushtetuta i jepte legjislativit, pushtetit me shumë individë më shumë kompetenca, ndërsa ekzekutivit, pushtetit që drejtohej nga një njeri i vetëm shumë pak prej tyre.

Në këtë kushtetutë Presidenti i SHBA ka më pak pushtet se pushtetet e tjera. Në fakt, themeluesit e kushtetutës nuk lejuan që një njeri i vetëm, apo edhe një grup njerëzish të mernin në dorë fatet e një kombi. Kjo do ndryshonte më vonë në shekullin e njëzetë me zgjedhjen e drejtëpërdrejtë të senatorëve dhe me pushtetet që do i kalonin presidentit, sidomos shpallja e luftës pa miratimin e Kongresit, të cilat do e bënin një individ të vetëm njeriun me pushtetin më të madh në SHBA dhe si rrjedhojë edhe në botë.

Kushtetuta amerikane ka një ndarje pushtetesh e cila funksionon në mënyrë të përkryer. E jo vetëm kaq, por qeverisja amerikane ka një dinamikë dhe një formulë rotacioni të paprecedentë.

Përpjekjet e etërve amerikanë për të mos lejuar asnjë individ të bëhej mbret apo Zot duken qartë në ekuacionin e rotacioneve të kongresmenëve, senatorëve, kolegjit elektoral, dhe mandatit të gjykatësve të Gjykatës Supreme.

Themeluesit e Kushtetutës caktuan që pushteti legjislativ, Kongresi, të përbëhej nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Në Dhomën e Përfaqësuesve çdo shtet do dërgonte një numër përfaqësuesish sipas numrit të popullatës së çdo shteti. Ndërsa në Senat, dy përfaqësues nga çdo shtet pavarësisht numrit të popullatës. Kjo u bë për të ruajtur balancën midis demokracisë popullore dhe drejtimit të elitave.

Për më tepër kushtetuta vendosi se zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të bëhen çdo dy vjet, për President çdo katër vjet, për Senat çdo gjashtë vjet, ndërsa mandati i gjykatësve të Gjykatës Supreme të jetë i përjetshëm në mënyrë që gjykatësit të mos ndikoheshin nga rotacionet politike. Në këtë mënyrë kushtetuta siguron qarkullimin e elitave dhe rotacionin e pushtetit.

Por, sikur të mos mjaftonte kjo ndarje, edhe mënyra e zgjedhjes së senatorëve apo e presidentit kalonte përmes një procesi rotacioni edhe më filtrues. Neni 1, Pika 3, e Kushtetutës së SHBA thotë: “Senati do ndahet në tre Kategori. Karriget e Senatorëve të Kategorisë së Parë do jenë të lira në përfundim të vitit të dytë, dhe Kategoria e dytë do përfundojë në vitin e katërt, ndërsa Kategoria e tretë në vitin e gjashtë.” Ndërsa Presidenti, me mandat katër vjeçar, nuk do zgjidhej drejtëpërdrejtë nga populli por nga një grup përfaqësuesish, që njihet si Kolegji Elektoral, nga çdo shtet.

Etërit amerikanë krijuan një Republikë të bazuar mbi parimet më të shëndosha të demokracisë.

Sistemi politik dhe qeverisës në SHBA është i balancuar dhe unik. Ndarja horizontale e pushtetit në Shtetet e Bashkuara është tërësisht e ndryshme nga vendet e tjera, sado demokratike qofshin ato. Asnjë shtet tjetër nuk është kaq i obsesuar me ndarjen e pushteteve si në Amerikë. Në sisteme presidenciale dhe parlamentare të ngjashme përsa i përket ndarjes horizonatale të pushtetit është presidenti, parlamenti apo kryeministri ai që kanë pushtet mbi të tjerat. Edhe një institucion kolegjal si parlamenti mund të shndërrohet në absolutizëm pasi si kryeministri ashtu edhe ministrat e qeverisë dalin nga parlamenti për aq kohë sa ka një shumicë të thjeshtë. Një qeveri parlamentare nuk has aq shumë vështirësi sa presidentët amerikanë për të shndërruar në ligje propozimet e tyre. Qeveria paraqet direkt legjislaturën e vet në parlament. Zakonisht kontrollon kalendarin dhe axhendën legjislative. Situata është tërësisht ndryshe në sistemin amerikan. Axhenda legjislative nuk kontrollohet nga presidenti. Shumica e ligjeve që miratohen janë më shumë produkt i negociatave midis dy dhomave të Kongresit sesa Kongresit dhe Presidentit. Ky sistem balancash e ka bërë SHBA vendin më të zhvilluar dhe udhëheqës në botë.

E pluribus unum (Nga shumë, një). Kjo është motoja e Vulës së Madhe të Shteteve të Bashkuara. 50 shtete në një.

Një vend me mbi 56 mijë qeveri. Me mijëra njësi qeverisje të ndara në 36 mijë qytete e qyteza, dhe 35 mijë distrikte të veçanta!

Vendi me diversitetin më të madh njerëzor por të gjithë të bashkuar në një qeveri, një komb dhe një flamur! “Nga shumë, një” është një markë unike amerikane e cila u arrit falë atij dokumenti që u firmos në Filadelfia më 17 shtator 1787, Kushtetutës, për të cilën Presidenti dhe zyrtarët e lartë të SHBA betohen në marrjen e detyrës se do ta respektojnë, ruajnë e mbrojnë me të gjithë forcën dhe aftësinë e tyre.

Filed Under: Politike Tagged With: bledar kurti

VEÇ NJË EMËR ËSHTË I PATEJKALUESHËM NË LDK – EMRI I PRESIDENTIT RUGOVA!

September 16, 2022 by s p

Faton Bislimi/

Hijeshi po, gra e vajza plot — intelektuale, doktoresha, profesoresha, aktiviste, nëna e motra — gjithëçka dukej bukur, të paktën sipërfaqësisht. Por, edhe në hijeshinë e ambientit të mbledhjes së djeshme të Forumit të Gruas të Lidhjes Demokratike të Kosovës, diçka ishte zbehë — zbardhë e zvogëlu besa — llogoja e partisë! E, një lloj forme si trëndafil i kuqrremtë kish marrë primatin (fatkeqësisht të kujtonte atë trëndafilin socialst!).

Teknike kjo, ndoshta?! Por, substanca, a thua, si ishte? Nga fjalimet e parisë që u mbajtën aty:

U thanë rreth 4900 fjalë, nga të cilat fjala ‘LDK’ zuri vend vetëm 24 herë (në shumicën e rasteve vetëm si pjesë e përshëndetjeve të kortuazisë drejtuar funksionarëve të partisë), kurse fjala ‘Rugove,’ pra emri i Presidentit Rugova, vetëm një herë! Nga rreth PESËMIJË FJALË në këtë mbledhje të bukur, vetëm NJË HERË emri ‘RUGOVË!’

Jam mëse i bindur se shumica dërmuese e pjesëmarrëseve në këtë takim ishin aty se besojnë në LDK, në LDK-në që ndërtoi e ia la trashëgëmi politike këtij vendi Presidenti Historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova!

Rugovizmi është e vetmja trase që e ruan LDK-në nga rrëshqitja në humnerë! Çfarëdo tentative për të krijuar diçka të re brenda LDK-së që lë anash Rugovën dhe Rugovizmin si ADN ideologjike të partisë sonë është e destinuar për dështim — për aq kohë sa ende ka gra e burra në këtë vend që besojnë në vizionin politik të LDK-së përnjëmend rugoviste.

Kosovës i duhet një LDK autentike rugoviste si buka e uji! Edhe një parti e majtë më shumë s’na duhet gjë!

Rugovizmi mbetet djathtizmi më autentik i Kosovës! Unë në atë besoj!

Filed Under: Politike Tagged With: Faton Bislimi, Ibrahim Rugova

2A

September 16, 2022 by s p

Nga Muç Xhepa/

16 nëntor 1984. Arkëmorti doli nga porta e madhe. Tre djemtë, kokëlartë, përcillnin pranë Perëndisë babanë. Mjekun e çdo vatre në Elbasan. Njerëzia hiqnin kapelet dhe i vendosnin në zemër. Ato pranë, e merrnin në supe engjëllin që ju ish gjendur në çdo kohë. E mora edhe unë afër kokës. S’i mbajta lotët.

– Dëgjomë, është serioze. Të kthehet në peritonit.

Kishte ardhur në mesnatë me biçikletë te “Banesat”. Shtëpia ime në katin e katërt. E kishte lënë poshtë hyrjes mjetin, që s’ia kishin ndaluar ende dhe në gjysmerrësirë kishte ngjitur shkallët shpejt.

– Faleminderit shumë doktor, je munduar. Por, më shkoi dhimbja si me dorë. E trembët.

Më vështroi me sytë që i rrezatonin dituri dhe pa më lënë të vazhdoj, me zë hyjnor, kërkoi të më bindë.

– Peritoniti është skuqje, ënjtje e mukozës së barkut. Në rastin tënd është shkaktuar nga plasja e apendicitit. Duhet hequr menjëherë. Të rrezikon jetën.

Më mori me vete si të isha djali i tij. Dhe, qëndroi derisa dola nga salla e operacionit. Kishte pasur të drejtë. Apendiciti më kishte plasur.

Vargu i njerëzve në cermoninë mortore la pas rrugicën e ngushtë të lagjes “Kala” dhe mori udhën drejt bulevardit qendror. S’ishte parë një nderim i tillë në qytetin tonë.

Gigi, djali i madh i doktorit, kishte nisur të mësonte anglisht. Ishim miq të besës. Një orë mësimi erdhi i shqetësuar.

– Dje isha me babanë të vizitonim një paciente të moshuar. Vuan nga tuberkulozi. Kishte kollë me gjak dhe temperaturë të lartë. Babai ka dhjetë vjet që e kuron. Pas vizitës, në oborrin e shtëpisë, i biri më kërkoi t’i lija vetëm. Ai punon në degën e brendshme. Qëndruan gjatë. Kur u kthye, babait i kishte rënë hije vdekjeje.

– Mendon se mund të ketë lidhje me ty.

Gigi ishte mjek zemërmadh. Kur dikush i dërrmuar nga puna e rënde dhe mungesa e ushqimit i kërkonte raport mjekësor, regjim shtrati, ai nuk ia prishte. Veperim i dënueshëm për pushtetin e punëtorëve dhe fshatarëve, që jetonin të lumtur në parajsën e socializmit botëror.

– Jo, do të jetë shumë më serioze.

Bulevardi ishte mbushur plot. Arkëmorti kalonte nga supi në sup. Pas hotel “Skampës”, në rrugën që të shpie te Komitetit i Partisë Rrethit, kortezhin e ndaloi policia.

– Kemi urdhër të mos u lëmë ta kaloni… janë në mbledhje. Vendoseni në automobil dhe të tjerët në autobuse.

Atë ditë, paria e partisë komuniste kishte urdhëruar lukuninë e saj të mos merrte pjesë në funeral. Vetë ishte ngujuar në pallatin e krimit për punë të pista. Populli i kishte sfiduar: shprehte hapur falenderimin e merituar.

– Mësova para pak ditësh të vërtetën e mosardhjes së autoriteteve të qytetit në varrimin e babait.

Thotë Gigi pas takimit me Dr. Lee Edwards, themelues dhe kryetar i “Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit”. Jemi ulur për kafe jashtë lokalit “Coffee Nature” në Uashington. Si përfaqësues të bordit të organizatës “Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane” erdhëm të marrim eksperiencë.

– I bëri përshtypje njerëzve që morën pjesë.

– Babanë e kishin në 2A.

– Çdo të thuash me këtë.

– Kishin vendosur ta burgosnin më 17 nëntor dhe tërë familjen ta internonin.

Mbetem. Më shkakton aq tronditje sa nuk po di si të sillem.

– Mjekun engjëll të qytetit.

Fjalët me dalin përzier me lot.

– Dy ditë. 15 nëntor, Zemra pushoi…

Gigi kalon kafenë poshtë. Mbyt dhimbjen.

– Para se ta prangosnin.

Doktori kishte vajtur si çdo ditë të zakonshme pune në klinikë. Duke vlerësuar shfaqjen e një defekti lobar në radioskopinë e mushkërive të një pacienti, i kishte ndaluar zemra. Mjekut që kishte shpëtuar mijra jetë…

– Të na shpëtonte.

Heroi ua kishte djegur dosjen “3963-A”.

Doktor Nosi dhe Elsa Dovana Nosi

Dr. Lee Edwards, Muç Xhepa dhe Grigor Nosi

Dosja 3963-A

Filed Under: Politike Tagged With: Muc Xhepa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 206
  • 207
  • 208
  • 209
  • 210
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT