• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Kurti e Presidentja Osmani pritën në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj

August 15, 2022 by s p

Prishtinë, 15 gusht 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, pritën sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bajram Begaj. Para takimit së bashku me delegacionet, kryeministri Kurti dhe presidenti Begaj zhvilluan një takim tête-à-tête.

Duke e uruar për marrjen e detyrës, kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës që vizitën e tij të parë zyrtare pas marrjes së detyrës presidenti Begaj e realizoi në Kosovë.

Ai e përgëzoi Shqipërinë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ritheksoi përkushtimin dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, si dhe thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve tona.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy republikave, u diskutua rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë e sidomos e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka u kërkua bashkëpunimi i të dyja vendeve në këtë drejtim.

Presidenti Begaj e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe theksoi gatishmërinë për rritje të bashkëpunimit bilateral. Ai shprehu përkrahjen e plotë për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës dhe për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Po ashtu, shprehu mbështetjen për vendimet e qeverisë rreth reciprocitetit për targat dhe dokumenteve identifikuese, dhe e përgëzoi kryeministrin për maturinë dhe qetësinë e treguar rreth zhvillimeve të 31 korrikut. Presidenti Begaj tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe theksoi përkrahjen për qëndrimet e Kosovës në dialogun me Serbinë, që siç tha ai, duhet të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare që në qendër ka njohjen reciproke.

Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera, ata u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike.

Presidentja Osmani shkroi ne faqen e saj ne Fb: “Me Presidentin Bajram Begaj do të punojmë ngushtë për ta avancuar rrugëtimin evropian të shteteve tona, për ta fuqizuar zërin tonë kudo në botë dhe për të qëndruar bashkërisht në mbrojtjen e demokracisë, paqes dhe lirisë.

Kjo vizitë e rëndësishme vazhdon traditën e presidentëve nga Shqipëria, të cilët e nisin mandantin e tyre me vizitën në Kosovë si konfirmim i mbështetjes së parezervë për Republikën e Kosovës, si dhe përkushtimin e ndërsjellë për t’i thelluar raportet tona si shtete simotra.

Mirë se vini në shtëpinë tuaj, zoti President”.

Filed Under: Politike

𝗡𝘂𝗸 𝗶 𝗸𝗲𝗻𝗶 𝗽𝗮𝗿𝗲 𝘁𝗲 𝗴𝗷𝗶𝘁𝗵𝗮 𝘁𝗲 𝗹𝗶𝗴𝗮𝘁 𝗮𝗸𝗼𝗺𝗮…

August 13, 2022 by s p

Bujar Leskaj/

Njëzetë e dy të liga në nëntë vjet të sektit Rama:

1.𝗞𝗮𝗻𝗮𝗯𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗺𝗮𝘀𝗶𝘃 𝗶 𝘃𝗲𝗻𝗱𝗶𝘁. Sipas Raportit të vitit 2022 për tregun e drogës në vendet e BE-së, të Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë nga Droga, ” Shqipëria për disa vite ka qenë një prodhues kryesor i kanabisit bimor të destinuar për tregun europian”.

2. 𝗣𝗣𝗣-𝘁𝗲. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Shqipëri, kontratat koncesionare të tipit partneritet publik-privat(PPP), jo vetëm kapin mbi 16.5 përqind të prodhimit kombëtar, shifra më e lartë në krahasim me GDP-në në të gjithë Evropën, por janë të përgatitura pa konsideruar raportin kosto-përfitime dhe në shumicën e tyre, përmbajnë risqe, të cilat i përballon ose të gjitha, ose pjesën më të madhe Buxheti i Shtetit.

3. 𝗟𝗶𝗴𝗷𝗲𝘁 𝗲 𝗾𝗲𝗽𝘂𝗿𝗮 𝗺𝗲 𝗱𝗼𝗿𝗲. Sipas organizatës prestigjoze Transparency International dhe Departamentit Amerikan të Shtetit që e ka cituar në raportet e tij, Shqipëria “shkëlqen” në ligje të përgatitura mbi bazën eskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar. Mjafton të përmendim Ligjin për Teatrin Kombëtar, masakrën e tokave sipas Ligjit 2020, si dhe abuzimet masive me Ligjin e Investitorit Strategjik .

4. 𝗗𝗼𝗿𝗲𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗶𝗻𝘁𝗲𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗯𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲, duke rrënuar perspektivën e konkurrueshmërisë së ekonomisë kombëtare, me pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur” të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

5. 𝗗𝗼𝗿𝗲𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗱𝗲𝘁𝗶𝘁 𝘁𝗲𝗸 𝗴𝗿𝗲𝗸𝗲𝘁, me një rënie dakord me qeverinë e vendit fqinj, për ta adresuar çështjen në një gjykatë ndërkombëtare, duke dobësuar dukshëm pozitën kombëtare në përcaktimin e ujrave të Shqipërisë sipas rregullave të mirëdefinuara të vijës bregdetare.

6. 𝗗𝘆𝗳𝗶𝘀𝗵𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗯𝗼𝗿𝘅𝗵𝗶𝘁 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸. Në nëntë vjet 2013-2022, borxhi publik i Shqipërisë(ai zyrtari dhe borxhi i fshehur i detyrimeve PPP dhe detyrimeve të TVSH, etj.) ka kërcyer nga 68% në 116%!

7. 𝗦𝗵𝗽𝗲𝗿𝗱𝗼𝗿𝗶𝗺𝗲𝘁 𝗴𝗮𝗹𝗼𝗽𝗮𝗻𝘁𝗲 𝗻𝗲 𝗶𝗻𝘃𝗲𝘀𝘁𝗶𝗺𝗲𝘁 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗲. Të gjitha të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe nga ajo e Infrastrukturës flasin për kosto të rritura me herë për ndërtimin e një km rrugë. Ato kanë një diferencë të lartë në rrugët e ndërtuara me para nga Buxheti i Shtetit, në krahasim me financimet dhe hua të buta nga donatorët. Kosto mesatare e 1 km rrugë është trefishuar në nëntë vitet e fundit!

8. 𝗣𝗼𝗹𝗶𝘁𝗶𝗸𝗮 𝗲 𝗳𝗮𝘀𝗮𝗱𝗮𝘃𝗲. Shpenzime në nivele mbi 650 milionë euro në vit, jo sipas 3 E-ve(Efektivitet, Efiçiencë dhe Ekonomicitet) dhe parimeve të OECD/SIGMA të administrimit të përgjegjshëm të financave publike, si dhe dëm ekonomik mbi 200 milionë euro.

9. 𝗣𝗼𝗹𝗶𝘁𝗶𝗸𝗮 𝗾𝗲 𝗶𝗻𝗸𝘂𝗿𝗮𝗷𝘂𝗮𝗻 𝗵𝗲𝗺𝗼𝗿𝗿𝗮𝗴𝗷𝗶𝗻𝗲 𝗺𝗮𝘀𝗶𝘃𝗲 𝘁𝗲 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲𝘃𝗲 𝗻𝗴𝗮 𝗦𝗵𝗾𝗶𝗽𝗲𝗿𝗶𝗮. Në nëntë vitet e fundit janë larguar rreth 600 mijë vetë, ose sikur të boshatiseshin qarku i Fierit, Vlorës dhe Kukësit bashkë! 345 mijë të larguar janë të rinj të gupmoshave 19-27 vjeç. Sipas EuroBarometrit, 74.8 përqind e grupmoshave 19-27 vjeç duan të emigrojnë, ose gati tetë në dhjetë të rinj, duke mos parë asnjë mundësi për të realizuar aspiratat e tyre në atdhe.

10. 𝗚𝗿𝗼𝗽𝗮𝘁 𝗲 𝘇𝗲𝘇𝗮 𝗳𝗶𝗻𝗮𝗻𝗰𝗶𝗮𝗿𝗲 𝗻𝗲 𝗻𝗮𝗳𝘁𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗻𝗲 𝗲𝗻𝗲𝗿𝗴𝗷𝗶𝘁𝗶𝗸𝗲. Politikë qeveritare që lejoi dhe nxiti abuzimet masive me koncesionet në naftën shqiptare dhe me blerjet dhe shitjet skandaloze të energjisë elektrike nga KESH.

Mund të shtojmë dhe të liga të tjera. P.sh.:

11. 𝗜𝗻𝘀𝘁𝗮𝗹𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗻𝘁𝗶𝗸𝘂𝗹𝘁𝘂𝗿𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗽𝗮𝗽𝗲𝗿𝗴𝗷𝗲𝗴𝗷𝘀𝗵𝗺𝗲𝗿𝗶𝘀𝗲. Asnje nga zyrtaret e larte te sektit Rama, te akuzuar per shperdorim detyre dhe korrupsion nga institucionet e pavarura te vendit, nuk eshte larguar nga detyra. Ne te kundert, disa jane promovuar.

12. 𝗞𝗼𝗻𝘀𝗶𝗱𝗲𝗿𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗼𝗽𝗼𝘇𝗶𝘁𝗲𝘀 𝘀𝗶 𝗮𝗿𝗺𝗶𝗸𝗲. Fjalori denigrues, sulmet verbale dhe tentativat per blerje te perfaqesuesve te opozites jane kthyer ne dukuri te perhershme e te zakonshme te sektit ne qeverisje, te motivuar dhe duke dhene shembullin personal ne keto sulme vete Lideri Global.

13. 𝗚𝗼𝗱𝗶𝘁𝗷𝗮 𝗻𝗱𝗮𝗷 𝗺𝗲𝗱𝗶𝗮𝘃𝗲. Nuk mjaftojne vetem insinuatat dhe sulmet verbale te mediave prane qeverise. Sa here mediat e pavarura te vendit sulmojne dhe denoncojne aferat qeveritare, nga organet tatimore dhe doganore nisin kontrollet selektive dhe gjobat ndaj kompanive qe i financojne keto media.

14. 𝗜𝗻𝗸𝘂𝗿𝗮𝗷𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗴𝗿𝘂𝗽𝗲𝘃𝗲 𝗸𝗿𝗶𝗺𝗶𝗻𝗮𝗹𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗽𝗮𝘀𝘁𝗮𝗷 “𝘁𝗲 𝗵𝗮𝗻𝗲 𝗸𝗼𝗸𝗮𝘁”. Përdorimi i elementëve me të kaluar kriminale dhe i grupeve kriminale gjatë fushatave zgjedhore është tashmë një dukuri e zakonshme gjatë nëntë viteve të fundit, e denoncuar dhe nga raportet e OSBE/ODHIR.

15. 𝗨𝘇𝘂𝗿𝗽𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝘁𝗲 𝗴𝗷𝗶𝘁𝗵𝗮 𝗶𝗻𝘀𝘁𝗶𝘁𝘂𝗰𝗶𝗼𝗻𝗲𝘃𝗲 𝘁𝗲 𝗽𝗮𝘃𝗮𝗿𝘂𝗿𝗮 𝗱𝗵𝗲 (𝗸𝗲𝗾)𝗽𝗲𝗿𝗱𝗼𝗿𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝘁𝘆𝗿𝗲. Rasti i fundit flagrant ishte ai i përdorimit të Autoritetit të Dosjeve në sulmin e paprecedent dhe të turpshëm ndaj ish-Presidentit të Republikës Ilir Meta.

16. 𝗦𝗵𝗸𝗮𝘁𝗲𝗿𝗿𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗯𝘂𝗷𝗾𝗲𝘀𝗶𝘀𝗲. Realizimi i politikave fiskale inkoherente dhe bllokuese të prodhimit të brendshëm. U zerua rimbursimi i TVSH 6 përqind në blerje për fermerët dhe u vu një taksë e re 10 përqind TVSH për lëndët e para. Pragu i rimbursimit të TVSH për investimet kapitale në bujqësi (blerje makinerish, linjash prodhimi, etj.) u dhjetëfishua! Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2022 ishte më i ulët se ai i vitit 2021, ndërsa mungojnë për këtë vit investimet për kanalet vaditëse dhe kulluese nga fondet e Buxhetit të Shtetit.

17. 𝗠𝘂𝗻𝗴𝗲𝘀𝗲 𝗲 𝘁𝗵𝗲𝗸𝘀𝗵𝗺𝗲 𝗲 𝗺𝗯𝗿𝗼𝗷𝘁𝗷𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝘀𝗵𝘁𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲 𝘃𝗮𝗿𝗳𝗲𝗿𝗮. Rimbursimi ndaj inflacionit i 348 mijë pensionistëve kryefamiljarë, pensionistëve me pension më të vogël nga gjysma e pagës minimale dhe familjeve në nevojë me 3 mijë lekë në muaj, edhe pse një fond shumë i vogël, nuk u rinovua pas skadimit të afatit tremujor të Paketës së Rezistencës(Mjerimit) Sociale, megjithë të ardhurat rekord me shtesë mbi 440 milionë euro në buxhetin e shtetit, gjatë gjashtëmujorit të parë janar-qershor 2022.

18. 𝗠𝘂𝗻𝗴𝗲𝘀𝗲 𝗲 𝗺𝗯𝗿𝗼𝗷𝘁𝗷𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗯𝗶𝘇𝗻𝗲𝘀𝗶𝘁 𝗱𝗵𝗲 𝗴𝗷𝗼𝗯𝗮 𝘀𝗲𝗹𝗲𝗸𝘁𝗶𝘃𝗲 𝗻𝗱𝗮𝗷 𝘁𝗶𝗷. Janë me dhjetëra biznese të rrënuara nga kontrollet selektive dhe gjobat ndaj aktivitetit të tyre, ndërkohë që bizneset “mavi”, favorite të Ramës dhe sektit të tij, nuk kontrollohen asnjëherë dhe fitojnë tendera pafund nga buxheti i Shtetit.

19. 𝗣𝗿𝗼𝗽𝗼𝗴𝗮𝗻𝗱𝗲 𝗮𝗿𝗿𝗼𝗴𝗮𝗻𝘁𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗺𝗮𝗻𝗶𝗽𝘂𝗹𝘂𝗲𝘀𝗲 𝗴𝗲𝗯𝗲𝗹𝘀𝗶𝗮𝗻𝗲. Çdo ditë, që nga orët e para të mëngjezit, mendja e qytetarit të thjeshtë bombardohet nga mijëra mesazhe dhe statuse, si dhe qindra shkrime, intervista dhe video në faqet në internet të institucioneve qeveritare, në mediat sociale dhe në mediat tradicionale. Çdo ditë deformohet realiteti, për të sprucuar vetëm bojën rozë të pseduo-“arritjeve” të sektit.

20. 𝗚𝗿𝗮𝗯𝗶𝘁𝗷𝗮 𝗲 𝗕𝘂𝘁𝗿𝗶𝗻𝘁𝗶𝘁 𝗽𝗲𝗿𝗺𝗲𝘀 𝗱𝗵𝗲𝗻𝗶𝗲𝘀 𝗺𝗲 𝗸𝗼𝗻𝗰𝗲𝘀𝗶𝗼𝗻. Kjo formë krejtësisht e pazakontë dhe e paprecedent në Evropë, e dhënies me koncesion privatit të thesareve arkeologjike të vendit, si Parku Kombëtar i Butrintit, përbën një goditje mizore dhe shkatërruese ndaj trashëgimisë sonë kulturore, ruajtjes dhe zhvillimit të saj.

21. 𝗚𝗹𝗹𝗮𝗯𝗲𝗿𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗦𝗵𝗲𝘀𝗵𝗶𝘁 𝘁𝗲̈ 𝗙𝗹𝗮𝗺𝘂𝗿𝗶𝘁 𝗻𝗲 𝗩𝗹𝗼𝗿𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗽𝗲𝗿𝗴𝗷𝘆𝘀𝗺𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝘀𝗶𝗽𝗲𝗿𝗳𝗮𝗾𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝘁𝗶𝗷, 𝗴𝗷𝗼𝗷𝗮 𝗱𝘂𝗸𝗲 𝗲 “𝗿𝗶𝗸𝘂𝗮𝗹𝗶𝗳𝗶𝗸𝘂𝗮𝗿”. Ndërhyrjet në Shesh përbëjnë një goditje të rëndë të simbolit dhe vetëdijes kombëtare për vlerat tona historike.

22. 𝗗𝗵𝗲𝗻𝗶𝗮 𝗺𝗲 𝗸𝗼𝗻𝗰𝗲𝘀𝗶𝗼𝗻 𝗲 𝗣𝗼𝗿𝘁𝗲𝘃𝗲 𝘁𝗲 𝗗𝘂𝗿𝗿𝗲𝘀𝗶𝘁 𝗱𝗵𝗲 𝗩𝗹𝗼𝗿𝗲𝘀. Procedurat koncesionare po realizohen përmes kontratave dhe marrëveshjeve okulte, duke dëmtuar rëndë interesat e ekonomisë kombëtare dhe mundësitë e zhvillimit në të ardhmen të këtyre dy portave kryesore të vendit.

Në fillim e nisa këtë postim si dekalog të të këqijave të sektit Rama, por minimalisht dolën 22 të liga dhe ka me dhjetëra të tjera si këto. Ftoj çdo qytetar ta shkruaj të tijën si e mendon.

Filed Under: Politike


Shqipëria dorëzon zyrtarisht në KiE rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t: Të rishikohen pretendimet për trafik të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë

August 12, 2022 by s p

Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar zyrtarisht Këshillit të Evropës rezolutën kundër raportit të Dick Martyt për trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.

Shqipëria kërkon të hartohet një raport i ri në të cilin të shqyrtohen akuzat për tregti të paligjshme të organeve njerëzore, të cilat sipas Tiranës janë të pabazuara.

Rezoluta u është dërguar vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të KiE, sekretares së Përgjithshme të KiE-s si dhe Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

“Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës i kërkohet të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë;

Në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta u është dërguar:

– Vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës;

– Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës;

– Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës;

– Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;

– Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;

– Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës;

– Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. © Panorama.al


Filed Under: Politike

KOSOVA, DRIDHMA MUZIKE E LUFTE

August 11, 2022 by s p

Nga MASSIMO NAVA/

Shkaktojnë dridhma marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet Sërbisë e Kosovës, mbasi që qeveria e Prishtinës ka detyruar njëtrajtësimin e targave automobilistike dhe pakica sërbe  e ka marrë këtë vendim si atë të një orvajtjeje për të prerë litarthin kërthizor me Beogradin. “Lufta e targave” rrezikonte të ndizej nëse Evropa dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të trysnonin për të shtyrë më tutje vendimin. Drejtuesit sërbë dhe kosovarë do të takohen në Bruksel në fund të muajit, por tensioni mbetet I lartë. Për fat kanë ndërhyrë “Dridhmat” e Mahmudit: fituesi i San Remos që doli para një plateje të madhe të rinjsh nga çdo etni, në Sunny Festival të Prishtinës. Ai i këngëtarit është mesazh për paqen, por edhe pasqyrim brezash të kapërthyer nga luftërat etnike e fetare. Ka kujtuar “identitetin e tij në kapërcyell të shumë kulturave, që është më shumë pasuri se sa dobësi”. Ka kënduar edhe n’anglisht, që në këto anë është gjuhë universale për t’u kuptuar më mirë me njëri tjetrin.

Fatkeqësisht, kombëtarizmi dhe ankthi i hakmarrjeve të pamundura ndezin mjaft fitila, veçanërisht në zemrën e plagosur t’atij që ka luftuar. Republika e re don të fuqizojë njinjisinë e saj. Pakica sërbe , një kohë zotëruese, kapet mbas vëllezërve të Beogradit, për të mos qënë e braktisur. Politika i fryn zjarrit dhe pasqyrohet në lojën e madhe të tensioneve ndërkombëtare. Kina dhe Rusia, që nuk e njohin Kosovën, financojnë interesat sërbe. Shtetet e Bashkuara dhe NATO mbrojnë Shtetin e ri mbasi kanë mbështetur ndarjen nga Beogradi, shpesh e sjellë nga Putini si pretekst/mëparshmëri për bashkëngjitjen e Krimesë dhe ndarjen e Donbasit. Jo rastësisht edhe Ukraina nuk e njeh Kosovën. Dridhmat e Prishtinës nuk janë të kufizuara. Mahmudi do të duhej të këndonte edhe në Kiev  e mbase nesër edhe në Taivan. Edhe se pararendësit , nga Rolling Stones tek Bono, nuk kanë mjaftuar të ndalojnë masakrat. 

“Corriere della Sera”, 6 gusht 2022   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike

GJEKË MARINAJ, POETI ERUDIT MALËSOR SHQIPTARO – AMERIKAN PO PUSHTON BOTËN ME POEZINË E TIJ

August 10, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidenceNga Korea e Jugut, në Kazakistan, nga Rumania në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në shumë vende të tjera të botës, njihet emri, ndihet zëri, përkthehen dhe lexohen veprat dhe sidomos poezitë e poetit, shkrimtarit, përkthyesit dhe kritikut letrar shqiptaro-amerikanit të shquar nga Malësia e Madhe, Z. Gjekë Marinaj.

Dr. Gjekë Marinaj ka lindur në fshatin Brrut të Kastratit në Malësi të Madhe në vitin 1965. Është larguar nga Shqipëria në qershor të vitit 1991 për të emigruar në Shtetet e Bashkuara.  Është i njohur, botërisht, tanimë si poet, shkrimtar, përkthyes, kritik letrar dhe themelues i Teorisë së Protonizmit – një formë kjo e kritikës letrare që ka për qëllim të promovojë paqën dhe të menduarit pozitiv.  Ndër të tjera detyra, Dr. Marinaj, është drejtor i Shtëpisë Botuese Mundus Artium Press dhe Redaktor i revistës Mundus Artium.  Aktualisht, Dr. Marinaj jep mësim në Richland College të shtetit Teksas. Është autorë i dyzina librave në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Gjekë Marinaj është gjithashtu themelues dhe ish-president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.  Dr. Gjekë Marinaj vazhdon të jetë afër komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë të cilën ai ka themeluar dy dekada më parë – siç ishte rasti i festimit të 20-vjetorit të themelimit të saj në Nju Jork, fund vitin e kaluar.  Frank Shkreli/ Kronikë nga komuniteti shqiptaro-amerikan: 20-vite krijimtari letrare në Amerikë | Gazeta Telegraf – Zotit Marinaj mban gjithashtu titullin e lartë, “Ambasador i Kombit”, nga Republika e Shqipërisë. 

Duke marrë parasysh veprat dhe punën e palodhëshme të poetit e shkrimtarit shqiptaro-amerikan, Gjek Marinaj, është gjithmonë një kohë e përshtatëshme dhe plot arsye për të shkruar për arritjet e tija si poet, shkrimtar, edukator, activist I komunitetit, e tjera.  Por, po përdor sot rastin që të njoftoj lexuesit shqiptarë në diasporë, në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve tona, për dy dekorata ndërkombëtare, dorëzuar kohët e fundit, Dr. Gjekë Marinajt — njëra nga Rumania e tjetra nga Kazakistani.

Në një njoftim për media e datës 7 gusht, 2022 (Press release), botuar në një numër portalesh anglisht në internet — Awards in Kazakhstan, Romania Celebrate Gjekë Marinaj’s Literary Achievements – Digital Journal — thuhet se, “Si pjesë e misionit të vazhdueshëm të zhvillimit të diplomacisë kulturore nepërmjet letërsisë, Dr. Gjekë Marinaj PHD, është dekoruar me dy çmime të rëndësishme – një në Azinë Qendrore dhe tjetri në Evropën Lindore.  Në Maj të 2022, Dr Gjekë Marinaj, një poet, shkrimtar, përkthyes dhe kritik letrar Shqiptaro-Amerikan banues në rrethinën e qytetit Dallas të Shteteve të Bashkuara është dekoruar  nga ente letrare dhe kulturore në Republikën e Kazakistanit dhe Rumanisë.”  

Për arritjet në fushën letrare të Dr. Gjekë Marinajt, dekoratat iu dhanë atij si shpërblim për kontributin e tij ndaj letërsisë moderne botërore.  Në qytetin Turkestan të Kazakistanit, këshilltari i Bashkisë së qytetit Ansar Abdikulov i dorëzoi Dr. Marinajt, dekoratën për shkrimet e tija dhe për kontributin e tij në fushën e kulturës botërore.  Prezantimi i çmimit u zhvillua në një veprimtari të organizuar në Sallën e Asambleve të Muzeut Rajonal, “Uly Dala Ely”, thuhet në njoftimin për median. Zhibek Iskakova, kryeredaktore e revistës “Kazakistani i mrekullueshëm-2050”, u spreh në ceremoninë e rastit se “Gjekë Marinaj është poeti për të cilin po pret bota. Unë besoj se asnjë shpërblim nuk është i barabart me kontributin që ai i ka dhënë e i jep letërsisë moderne botërore. … Ai është me të vërtetë një poet që ka pushtuar botën me krijimtarinë e tij”, është shprehur Iskakova.

Duke pranuar dekoratën në Kazakistan, Gjekë Marinaj falënderoi përfaqsuesit e atij vendi për vlerësimin e veprave të tij duke thënë se, “Kjo ceremoni dhe ky çmim, janë dëshmi se letërsia e vërtetë ka fuqinë magjike të na bashkojë, nga një kontinent në tjetrin, nga një vend në tjetrin, nga një kulturë në tjetrën, nga një dashuri për njerëzimin, në tjetrën. Ky nderim ka një kuptim të thellë për mua”, shtoi poeti me origjinë nga Malësia e Madhe, “sepse vjen nga Kazakistani, një vend ky që duket sikur ka më shumë oksigjen të lëshuar në ajër nga fjalët letrare sesa nga të gjitha gjethet e pemëve.  Dhe është kënaqësi të kesh një filxhan ajër të pastër dhe një gotë me poezi të freskët me ju sonte, në nderim të dashurisë tonë të përbashkët për letërsinë dhe për të gjithë njerëzit në botë, të cilët mund të përfitojnë prej saj.”

Ndërkaq, në Rumani, sipas të njëjtit njoftim për media, Dr. Gjekë Marinaj u dekorua me çmimin e lartë që jepet në emër të shkrimtarit të njohur të Rumanisë, Paul Iorgovici (1764-1808), nga Këshilli i zonës administrative Caras-Severin, njëra prej institucioneve më të rëndësishme politike dhe administrative të rajonit të Maleve Banat të Rumanisë. Edhe kjo dekoratë rumune është një shpërblim që u jepet figurave të shquara – rumune dhe të huaja — të fushave të kulturës, letërsisë dhe artit.  Dekorata iu dorëzua Profesor Dr. Gjekë Marinajt nga Profesoresha e Clara Maria Constantin e cila tha se “ishte një nder i madh për të gjithë banorët e krahinës Caras-Severin për të pritur një person të këti kalibri, ndaj të cilit planeti ynë i ka borxh atij për punën që ka bërë.”  Ndërsa një folës tjetër në atë tubim, Prof. Dr. Cornel Ungureanu, e cilësoi vizitën e shkrimtarit e poetit shqiotarao-amerikan Gjekë Marinaj në atë qytet “si një ngjarje historike që na bën të pranishëm në hartën e letërsisë evropiane.”

Dr. Marinaj, nga ana e tij, e cilësoi dekoratën rumune, si një prej “papritshmërive më të mëdha të jetës time profesionale dhe një prej nderimeve më domethnëse të karrierës time”, shtoi poeti Marinaj. Shkrimtari shqiptaro-amerikan theksoi gjat[ fjalës së tij se “Rumania ka provuar gjatë gjithë historisë së saj se shpirti dhe fryma e saj kanë kanë të gjitha gjërat e nevojshme për të kultivuar një kulturë dhe art të mrekullueshëm, Rumania,vendi i shkrimtarëve të mëdhej si Vasile Alecsandri, Mihai Eminescu, Constantin Lucaci dhe Ana Blandiana”, është shprehur, ndër të tjera Z. Marinaj gjatë pranimit të dekoratës së tij letrare në Rumani. 

Sipas shumë burimeve mediatike amerikane dhe ndërkombëtare, Dr. Gjekë Marinaj është emëruar disa herë për Çmimin Nobel në Letërsi. Por në këtë ndërkohë, Profesor Marinaj po grumbullon çmime dhe dekorata nga mbarë bota. Vitin që kaloi, poeti, shkrimtari dhe kritiku letrar shqiptaro-amerikan është dekoruar me njërin prej çmimeve letraro-kulturore më prestigjioze të Koresë së Jugut, “Çmimin Letrar Ndërkombëtar Changwon KC”, duke theksuar “kontributin e madh jetësor dhe etikën kulturore në letërsi”, të Dr. Marinajt – duke theksuar se ai gjithmonë, “i vendos njerëzit në qendër të punës së tij, frymëzon paqën përmes poezisë dhe këndon për përmirësimin dhe sjelljen e shpresës në botë”. 

Prej nderimeve dhe dekorimeve të shumta gjatë viteve nga të gjitha anaët e botës dallohen, ndër të tjera, Çmime Kombëtare Letrare nga qeveria dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Vietnamit, Çmimin “Autori Ndërkombëtar” të Italisë, Çmimin “Poeti i Botës” të Uzbekistanit, Çmimin “Poet Botëror” të Bengalit Perëndimor dhe Çmimin shumë prestigjioz “ISISAR” (Shoqata Ndërkombëtare për Studime Ndër-Kulturore dhe Kërkime) për kërkimin e paqës përmes letërsisë.

Shumë individë dhe ente të ndryshme prestigjoze shpesh kanë venë në dukje poezinë protestuese, “Kuajt” të Z. Marinajt, botuar në Shqipëri, në vitin 1990, si një protestë ndaj regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës, që detyroi poetin të ikte në Amerikë.

“Tërë jetën duke vrapuar rrimë / Shohim veç përpara / Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë. / Ne nuk kemi emër / Të gjithëve kuaj na thonë. / Nuk qajmë, / Nuk qeshim; / Heshtim, / Dëgjojmë; / Hamë atë ç’na japin, / Ecim nga na thonë, / Asnjë nga ne s’është mendje hollë. (…) “Kush qe kalë mbreti, / Posti qe i lartë,/Kush qe kalë princeshe./I bënë shalë të artë,/ Kush qe kalë fshatari,/Pat samar me kashtë,/ Kush qe kalë i egër,/ Tërë jetën fjeti jashtë,/ Po qemë dhe mbetem kuaj, para njeriut!” (Gjekë Marinaj “Kuajt”, 1990)

Po, kush është ky intelektual erudit malësor i përmasave botërore? Prof. Dr. Gjek Marinaj është vërtetë intelektual, poet e shkrimtar, që tashti e njeh bota. Një intelektual i ushqyer me dituri dhe kulturë të vërtetë.  Një intelektual — siç e përcaktonte Ernest Koliqi intelektualin – i cili urren çdo sundim absolut. Një njeri i cili beson se ka një farë fuqie intelektuale për të marrë pjesë në caktim drejtimesh që vlejnë për kombin dhe për botën, në të cilën jetojmë. Intelektuali shqiptaro-amerikan me origjinë nga Malësia e Madhe, Gjek Marinaj, siç sugjeron edhe poezia e tij “Kuajt”, nuk duron diktatura as diktatorë. Por, është një intelektual shqiptaro-amerikan i cili “i vendos njerëzit në qendër të punës së tij, frymëzon paqën përmes poezisë dhe këndon për përmirësimin dhe sjelljen e shpresës në botë”.  Një intelektual, i cili, “Në zemër të vet dëshiron lirinë, e vetmja që lejon mendjen krijuese t’i shërbejë kombit dhe njerëzimit për një bujarsim shpirtënuer”, për veten dhe për të tjerët. (E.Koliqi). Ashtu siç bënte vite më parë poeti dhe shkrimtari i madh, Martin Camaj, një erudit tjetër i Malësisë së Madhe, duke iu drejtuar bashkombasve të vet me thirrjen për bashkim, “Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë! Frank Shkreli/ Një thirrje nga shkrimtari i lartësive, Martin Camaj: “Afrohuni shqiptarë!” | Gazeta Telegraf – ashtu edhe një tjetër poet i madh i ditëve tona nga Malësia e Madhe Gjekë Marinaj, (Mos më ik larg”), me poezinë e tij e ka këthyer botën në një fushë veprimi për fuqinë magjike të poezisë së tij, për të bashkuar njerëzimin, “nga një kontinent në tjetrin, nga një vend në tjetrin, nga një kulturë në tjetrën, nga një dashuri për njerëzimin, në tjetrën.”

Lartë e më lartë intelektuali ynë, Prof. Dr. Gjekë Marinaj, eruditi malësor shqiptaro-amerikan që më veprimtarinë tënde letrare po pushton botën! Jemi krenarë për ty dhe me ty për veprat tua të njohura dhe të vlerësuara tanimë anë e mbanë botës. Vepra, me të cilat jo vetëm po frymëzon paqë e shpresë për njerëzimin por që, njëkohësisht, me kulturën tënde perëndimore, të rrënjosur thellë në traditat dhe doket bujare shekullore të malësorit — të gërshetuara në veprimtarinë tënde letrare dhe njerëzore — po i sjellë nder e lavdi edhe emrit shqiptar në botë. Qofsh gjithmonë me faqe të bardhë!

Frank Shkreli

May be an image of 1 person
Gjekë Marinaj - Mos më ik larg

Profesor D. Gjekë Marinaj, themeluesi dhe ish-Kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë vazhdon të jetë i interesuar në zhvillimet kombëtare dhe kulturore të komunitetit shqiptaro-amerikan.  Dr. Marinaj me një grup pjesëmarrsish në 20-vjetorin e themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Dhjetor, 2021 – Salla Illyria, Nju Jork

                    Autori me poetin dhe shkrimtarin disident, Z. Visar Zhiti, simbol i qendresës antikomuniste. Nga Malësia e Madhe, Prof. Dr. Gjekë Marinaj, themelues i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan, edhe ky i arratisur nga komunizmi –Nju Jork, Dhjetor, 2021

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 209
  • 210
  • 211
  • 212
  • 213
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Racionaliteti erotik i pushtetit shqiptar
  • Hapet dega e 7-të e kursit të gjuhës shqipe në Lesvos të Greqisë
  • Besimi ndaj së mirës…
  • VATRA, NDERIM E RESPEKT PËR XHIM XHEMËN NË 84 VJETORIN E LINDJES
  • “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Rasim Juniku, një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën
  • Shpirti arvanitas në Rilindjen Europiane për atdheun e humbur
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT