Nga MASSIMO NAVA/
Shkaktojnë dridhma marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet Sërbisë e Kosovës, mbasi që qeveria e Prishtinës ka detyruar njëtrajtësimin e targave automobilistike dhe pakica sërbe e ka marrë këtë vendim si atë të një orvajtjeje për të prerë litarthin kërthizor me Beogradin. “Lufta e targave” rrezikonte të ndizej nëse Evropa dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të trysnonin për të shtyrë më tutje vendimin. Drejtuesit sërbë dhe kosovarë do të takohen në Bruksel në fund të muajit, por tensioni mbetet I lartë. Për fat kanë ndërhyrë “Dridhmat” e Mahmudit: fituesi i San Remos që doli para një plateje të madhe të rinjsh nga çdo etni, në Sunny Festival të Prishtinës. Ai i këngëtarit është mesazh për paqen, por edhe pasqyrim brezash të kapërthyer nga luftërat etnike e fetare. Ka kujtuar “identitetin e tij në kapërcyell të shumë kulturave, që është më shumë pasuri se sa dobësi”. Ka kënduar edhe n’anglisht, që në këto anë është gjuhë universale për t’u kuptuar më mirë me njëri tjetrin.
Fatkeqësisht, kombëtarizmi dhe ankthi i hakmarrjeve të pamundura ndezin mjaft fitila, veçanërisht në zemrën e plagosur t’atij që ka luftuar. Republika e re don të fuqizojë njinjisinë e saj. Pakica sërbe , një kohë zotëruese, kapet mbas vëllezërve të Beogradit, për të mos qënë e braktisur. Politika i fryn zjarrit dhe pasqyrohet në lojën e madhe të tensioneve ndërkombëtare. Kina dhe Rusia, që nuk e njohin Kosovën, financojnë interesat sërbe. Shtetet e Bashkuara dhe NATO mbrojnë Shtetin e ri mbasi kanë mbështetur ndarjen nga Beogradi, shpesh e sjellë nga Putini si pretekst/mëparshmëri për bashkëngjitjen e Krimesë dhe ndarjen e Donbasit. Jo rastësisht edhe Ukraina nuk e njeh Kosovën. Dridhmat e Prishtinës nuk janë të kufizuara. Mahmudi do të duhej të këndonte edhe në Kiev e mbase nesër edhe në Taivan. Edhe se pararendësit , nga Rolling Stones tek Bono, nuk kanë mjaftuar të ndalojnë masakrat.
“Corriere della Sera”, 6 gusht 2022 Përktheu Eugjen Merlika