• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI META:  INCENERATORËT, AFERA E SHEKULLIT

July 12, 2022 by s p

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta ka reaguar i tronditur mbi skandalin që ka përfshirë institucionet e shtetit shqiptar duke e quajtur aferën e inceneratorëve si aferën e shekullit. Në një prononcim për mediat ndër të tjera Presidenti Meta ka deklaruar: “Shohim një aferë që është poshtëruese për çdo qytetar të këtij vendi në këtë kohë krize kur duhet rritur mbështetja për qytetarët në nevojë. Shohim që askush nuk mban përgjegjësi. Prej vitesh bëhen veprime të tilla nga bankat. Çfarë është ky sistem bankar që pranon firma të tilla të njerëzve që nuk jetojnë apo jetojnë në azile. Ku është krimi ekonomik dhe institucioni i pastrimit të parave. Kush mban përgjegjësi për këto skandale. Si mund të vazhdojë afera e inceneratorëve. Të gjitha këto para shkojnë për llogari të krimit. Janë para të qytetarëve, Ftoj dhe Kuvendin të merret më seriozisht me këtë çështje. Ende nuk ka dalë as maja e ajsbergut në aferën që po thellohet. Ka edhe afera të tjera që po zbulohen si ajo e aferës së Butrintit. Vetëm një aferë mund të bëjë një qeveri të vërë dorë mbi trashëgiminë kulturore dhe të nxjerë përjashta shoqërinë civile. Ndërsa lajmet e fundit që dolën edhe dje, ku përveç pensionistëve që janë në azile që figurojnë në mënyrë të paditur me veprime që kapërcejnë mbi 30 milionë euro, çobani me rrogë 300 eur në Greqi, rezulton gjithashtu me veprime të pakryera nga ai me miliona euro këtu. Për fat të keq për të kuptuar dramacitetin e kësaj babëzie që është babëzia e shekullit, dje u zbuluan dhe fakte për një qytetarë të ndjerë, e cila ndërroi jetë 5 vite më parë, në emër të së cilës janë kryer transaksione me vlerë 5- 6 milionë euro. Kjo është ulëritëse dhe tronditëse. Një shtet që thotë se nuk kemi çfarë t’i bëjmë zjarrit se s’kemi lekë për helicopter” tha ndër të tjera Presidenti i Republikës z.Ilir Meta.

Filed Under: Politike

UÇK-ja është emblema e lirisë sonë

July 11, 2022 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, heroike dhe çlirimtare. Pas përfundimit të mandatit të Gjykatës së Hagës, presioni për ta formuar dhe vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale ishte sui generis për drejtësinë ndërkombëtare, meqë qysh në fillim ishte konceptuar si gjykatë që do të ndiqte vetëm pjesëtarët e një kombi, në këtë rast shqiptarët, e si e tillë, paraqet një nonsens juridik, historik dhe politik, sepse është bazuar në paragjykim dhe fajësi a priori të luftës së drejtë për liri e pavarësi.

Krimet masive dhe masakrat çnjerëzore që u bënë ndaj civilëve shqiptarë nga shteti serb, detyruan NATO-n të ndërhyjë për të ndalur gjenocidin dhe deportimin e plotë të civilëve shqiptarë, nga ushtria dhe policia serbe.

Duke qenë se UÇK-ja ishte organizim i popullit shqiptar të Kosovës për t’i bërë ballë dhunës dhe politikës shfarosëse të Serbisë dhe se ndalja e gjenocidit në Kosovë ishte synim i deklaruar i Bashkësisë Ndërkombëtare në të gjitha dokumentet e rezolutat e saj, andaj gjykimi dhe dënimi i strukturës komanduese të UÇK-së, do të thotë dënim i një politike të përbashkët ndërkombëtare që bashkëpunonte me UÇK-në, që ishte në anën e luftës së drejtë përballë një gjenocidi të planifikuar shtetëror të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës.

Politika amerikane dhe ajo evropiane në vitet 1998-1999, ishin në bashkëpunim të ngushtë me UÇK-në për të ndalur masakrat dhe krimet e shtetit serb. UÇK-ja u bë pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare për paqen në Kosovë, duke i nënshkruar dhe respektuar ato.

Krimet e individëve duhet dënuar, nëse ka fakte, edhe pse kapacitetet e UÇK-së ishin shumë të limituara në përballje me shtetin serb, që kishte trashëguar armatimin e të gjithë shtetit jugosllav. Populli shqiptar ka bërë vetëm luftëra mbrojtëse dhe historia nuk njeh ndonjë luftë pushtuese në asnjë kohë, që mund të ketë bërë populli ynë. Në fakt, historia dokumenton se kemi humbur territore të tëra si Sanxhaku i Nishit, që ishte me gjeografi, më i madh se Kosova e sotme ose krahina e Çamërisë.

Nisur nga këto fakte të lartëpërmenduara, veteranët është dashur të protestojnë, së bashku me qytetarët e Kosovës dhe të detyrohet gjykata të heqë terminologjinë ofenduese, e cila është fyerje për historinë tonë, të rënët, martirët, dëshmorët dhe heronjtë tanë. Gjykata qysh në formulimet e para të akuzës, por edhe tani, kur ka kaluar kaq kohë, që ka nisur funksionimi i saj, pra kjo gjykatë, e quan organizimin tonë për lirinë “ndërmarrje kriminale “.

Veteranët e luftës, për këtë do të duhej të protestonin e jo të organizohen për qëllime tjera, që përkundër rëndësisë që mund të kenë, prapëseprapë janë minore, përballë këtij ofendimi dhe njollosje që i bëhet luftës sonë nga Gjykata Speciale e që në fakt është gjykatë politike, meqenëse ndikimi ruso-sllav ishte i madh që të themelohej një gjykatë e tillë, e siç dihet rusët dhe serbët, asnjëherë nuk ishte pajtuar me një shtet shqiptar e lëre më, me shtetin e dytë, Kosovën.

Sintagma ’’ndërmarrje kriminale’’ në çfarëdo analize që i bën, qoftë gjuhësore, juridike a politike, ka për synim që të kriminalizojë vetë qëlllimin e UÇK-së, pra lirinë tonë e fokusi i tërë shoqërisë sonë, do të duhej të ishte që kjo akuzë, të hidhet poshtë, sa më parë.

Për fat të keq, nuk patëm një reagim të duhur as nga shteti i Kosovës, për këtë është dashur të reagojë me një rezolutë edhe parlamenti i Kosovës si themelues i kësaj gjykate, që në arkivat e tij të mbetet një dokument zyrtar që dënon terminologjinë ofenduese për sakrificën dhe historinë tonë për liri.

Shikuar edhe në aspektin jo vetëm formal-juridik, por edhe në atë politik, Gjykata Speciale e humb kuptimin e vet, sepse është selektive, meqë akuzohen vetëm shqiptarët, po ashtu nuk mund të arsyetohet as moralisht, sepse për krimet eventuale individuale, nëse ka pasur, duhej të penalizoheshin individët, por jo e gjithë struktura udhëheqëse e UÇK-së, ndërkaq në rrafshin historik, do të njollosë luftën tonë të drejtë.

UÇK-ja ishte organizim vullnetar për çlirimin e Kosovës, që në vetvete ishte qëllim human në mbrojtje te popullsisë civile shqiptare nga gjenocidi shtetëror serb.

UÇK-ja është emblema e lirisë sonë!

Filed Under: Politike Tagged With: Lulzim Nika

27 vite dhimbje e mall nga gjenocidi i Srebrenicës

July 11, 2022 by s p

Albin Kurti/

Kur Raphael Lemkin në librin e tij “Axis Rule in Occupied Europe” kishte përdorur termin GJENOCID për herë të parë, dyshoj të ketë konsideruar mundësinë e diskrepancës mes aspektit teorik dhe praktik të termit.

Dyshoj shumë që kur Lemkin ka folur për gjenocidin, të ketë menduar që dikush në shekullin 21 do të arrijë të ndërtojë një narrativë të tërë diskutimi bazuar në mohimin e gjenocidit.

Gjenocidi si fjalë nuk është zbuluar për t’u mohuar. Por për të potencuar egërsinë dhe johumanitetin e krimeve që shkojnë përtej asaj që termet si krime lufte e krime kundër njerëzimit përfshijnë.

Ende sot, gjenocidi nënkupton ndërmarrjen e veprimeve me qëllim të shkatërrimit (të plotë ose të pjesshëm) të grupeve në aspektin kombëtar, etnik, racor ose fetar.

E çka ka ndodhur në Srebrenicë para 27 viteve nuk është asgjë më pak se gjenocid. Asgjë më pak se shënjestrim i qëllimshëm i viktimave për shkak të ekzistencës së tyre.

Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë. Ai shkon përtej 8.273 burrave dhe djemve të vrarë. Përtej 30 mijë fëmijëve e pleqve të abuzuar e të shpërngulur me dhunë. Dëmi i shkaktuar transferohet secilin vit te dhimbja e nënave. Lotët e motrave. Traumat e përjetuara. Vuajtjet e pakontrolluara.

Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia.

Kur roli i atij agresioni të tmerrshëm minimizohet deri në pafundësi.

Kur organet që do të duhej të dilnin e të kërkonin falje me përulje, dalin e paturpësisht mohojnë ekzistencën e gjenocidit.

Në kohëra si këto, duhet të kujtojmë që hapi i parë i përsëritjes së gjenocidit është mohimi. Andaj duhet të jemi të vëmendshëm e të zëshëm në përkujtimin tonë dhe kërkesat tona për njohje dhe përulësi ndaj një prej gjenocideve më makabre të ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Filed Under: Politike

SPIUNËT QË “MASAKRUAN” VATRËN…

July 9, 2022 by s p

VATRA NË DOSJET E SIGURIMIT TË SHTETIT SHQIPTAR NË VITET 1960 -70-TË.

Sokol Paja*/

Sigurimi i Shtetit Shqiptar përgjatë diktaturës komuniste në Shqipëri është përpjekur me çdo kusht që Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra jo vetëm ta kishte nën kontroll por edhe ti kushtëzonte apo drejtonte veprimtarinë e saj nëpërmjet spiunëve të rekrutuar në Vatër dhe informatorëve afër saj. Sigurimi i Shtetit ishte një levë shumë e rëndësishme në aparatin shtetëror diktatorial. Nëpërmjet informacioneve që Sigurimi i Shtetit siguronte në mërgatën shqiptare të Amerikës përmes spiunëve të rregullt, bashkëpunëtorëve dhe informatorëve, ndërtohej edhe plani i masave që Sigurimi u jepte spiunëve për të kryer detyrat që u ngarkoheshin për të sulmuar Vatrën dhe informuar mbi mërgatën shqiptare të Amerikës. Vatra në Dosjet e Sigurimit të Shtetit në vitet 60-70_të përbën një aspekt studimor të pa trajtuar më parë dhe sjell risi shkencore mbi metoda dhe plane masash sekrete sesi vepronte Sigurimi i Shtetit. Zbardhja e të dhënave që përmban dosja e Sigurimit për Vatrën sjell një dobi shoqërore, pasi nxjerr në pah veprimtarinë e shqiptarëve të mërgatës së Amerikës, kushtet politiko-shoqërore, personalitete, veprimtarë dhe përpjekje konkrete e lëvizje të shqiptarëve të Amerikës. Në bazë të politikave që ndiqte shteti komunist në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit vepronte dhe përforconte politikën e jashtme të propagandës kundër “armiqve imperialist”. Sigurimi e ndjek Vatrën në çdo veprimtari që në fillim të viteve 50-të e deri në shembjen e komunizmit në Shqipëri. 

PËRMBAJTJA E DOSJES SË VATRËS NË VITET 60-70-TË

Dosja e Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” në Sigurimin e Shtetit në vitet 60-70-të marrë prej Autoritetit të Dosjeve në Shqipëri përmban 296 fletë, emërtohet me numër 102 dhe titullohet “Dosja e Objektit Vatra – Sekret”. Në këtë dosje përfshihet me detaje Veprimtaria e Federatës Vatra në vitet që kemi marrë në shqyrtim, veprimtaria e gazetës Dielli, përplasjet në Federatën Vatra dhe gazetën Dielli, historia e detajuar e Federatës Vatra, degët e Federatës, organet drejtues etë Federatës, funksionet dhe veprimtarinë me detaje të çdo organi drejtues e personi përgjegjës në këto organe drejtuese të Vatrës. Në dosjet paraqitet situata e emigracionit politik dhe ekonomik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përplasjet dhe tentativat për bashkim të Vatrës dhe të “Shqipërisë së Lirë”. Raportet informative përshkruajnë Fan Nolin si të tërhequr në veprimtaritë e Vatrës dhe të lodhur nga sherret e njëpasnjëshme në Vatër dhe të pakënaqur me regjimin e Tiranës dhe se njeriut që Sigurimi i Shtetit ia kishte më shumë frikën ishte Editori i Diellit Qerim Panariti të cilin Sigurimi e shihte si agjent të Departamentit të Shtetit Amerikan. Dosja nr. 1 në faqen 37 në dokumentin informativ: “Relacion mbi gjendjen e kolonisë shqiptare në Amerikë” thuhet: “Vatra është organizata më e vjetër dhe në kryesi ka agjentë të amerikanëve. Qëndrimi i kësaj organizate dhe gazetës së saj Dielli nuk është i mirë. Gazeta dielli zhvillon një propagandë reaksionare kundër Republikës sonë dhe kampit të socializmit”. Prijësi  i shqiptarëve myslimanë në Amerikë për kohën që flasim Imam Vehbi Ismajli Sigurimi i Shtetit të dosje e klasifikon si agjent të Amerikanëve dhe të Mbretit Zog, ndërsa Dervish Rexhepin e Bektashinjve e quajnë si agjent të Amerikanëve. Kundër Vatrës shteti komunist ndërseu një mori spiunësh e bashkëpunëtorësh si dhe të gjitha levat ndihmëse të institucioneve të shtetit komunist me qëllim nënshtrimin e Vatrës, deri në shkatërrimin përfundimtar të saj. Komunistët në Shqipëri dhe në Misionin e tyre në New York përdorën presione me të afërm në Shqipëri për burgosje, përndjekje e tortura e rrengje nga më të pabesueshmet, u përdorën të riatdhesuarit, apo vizitorët, u nxitën, u sajuan u dirigjuan dhe u frynë konfliktet e mosmarrëveshjet e brendshme në Vatër, u ngritën kurthe të sofistikuara, biseda informative, presione nga më të ndryshmet me qëllim shkatërrimin e Vatrës dhe zbehjen e efektit të gazetës Dielli. Informacioni përcillet në Dosjet e Sigurimit sipas tipologjisë informative të shkëmbimit të informacionit sipas kategorive: raporte informative, relacione, plane masash, telefonata informative, biseda informative, studime, vendime, lista, letër operative, informatë, ekstrakt, telegrame, shënime etj. Gjatë periudhës së regjimit komunist, me dosjen sekrete të vatrës janë njohur 15 persona të cilët kanë lënë shënimet përkatëse. Arsyeja e hapjes së dosjes së Vatrës nga Sigurimi  i shtetit shënohet për veprimtari me zbulimet armike ndaj pushtetit popullor në Shqipërinë komuniste. Vatranët, editorët e diellit dhe personat me ndikim në emigracionin politik shqiptar në Amerikë që iu përmendet emri më shumë në dosjen e Sigurimit të Shtetit janë: Qerim Panariti, Xhon Nase, Kristo Thanasi, Antoni Athanas, Vasil Germenji, Hasan Dosti, Halit Ciko, Petraq Ktona, Athanas Gegaj, Dom Zef Oroshi, Rexhep Krasniqi, Niko Kreshpani, Refat Gurazezi, Agim Karagjozi, Selaudin Velaj, Eduard Liço, Peter Çikozi, Arshi Pipa, Hajdar Tanuzi, Bilal Xhaferri, Ernest Koliqi, Sami Repishti, Dom Ndrevashaj, Dhimitër Trebicka, etj. 

KUSH ISHIN SPIUNËT, KODET E TYRE DHE PSEUDONIMET

Sigurimi i Shtetit kishte depërtuar në Vatër, në Diell, në çdo organizatë dhe familje shqiptare të emigracionit politik të kohës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga shqyrtimi i dosjes së Vatrës në vitet 60-7-të del se Punëtorët Operativë, drejtorët e degës së zbulimit dhe punonjës shqiptarë të zbulimit që kanë përpunuar informacionet sekrete të Vatrës kanë qenë: Jonuz Mersini, Hasan Luçi, Idajet Danaj, Servet Memetko, Ropi Llazi, Kleanth Andoni, Sokrat Como, Enver Mileti, Xhezair Hodo, Mustafa Kadiu, Belul Zoto, B. Mehmetaj, M.Hila, J.Proko, N.Cano, K.Moja, L.Xhemali, I.Xhanaj, T.Rizo, M.Tusha. Pseudonimet e spiunëve në Dosjen e Vatrës: “Luani”, “Kalaja”, “Ngjala”,  “Lirija”, “Fletori”, “Liqeni”, “Tablloja”, “Linkolni”, “Vullneti”, “Korabi”, “Pellgu”, “Klika”, “Shkumbini”, “Mali”, “Besimi”, “Selita”, “Toqi”, “Shqiponja”, “Malësia”, “Sazani”, “Piktori”. Burimi informative sipas kodifikimit: “221”, “315”, “349”, “347”, “82”, “372”, “302”, “368”, “361”, “335”, “500”, “504”, “803”, “805”, “502”, “939”, “501”, “801”, “410”. 

PLANI I MASAVE TË SIGURIMIT TË SHTETIT PËR TË SHKATËRRUAR VATRËN E DIELLIN

Vatra në të gjitha relacionet, udhëzimet, planet operative për paralizimin e saj, raportet informative, telefonatat informative etj, etiketohet si reaksionare, armiqësore, vegël e Departamentit të Shtetit, bashkëpunëtore me FBI e CIA. Në veprimtarinë agjenturore Sigurimi kërkonte prej rrjetit të spiunëve dhe institucioneve mbështetëse që : Të shtoheshin divergjencat e përçarjet mes vatranëve, të nxitej pakënaqësia te vatranët dhe shqiptarët e Amerikës për bashkëpunimin e Vatrës me Vatikanin, demaskim i kurdohershëm i Diellit dhe Vatrës e drejtuesve të tyre, të përçahej sa më shumë Peshkopata me Vatranët dhe me Vatikanin, nxitje e konflikteve të ashpra e përplasjeve mes vatranëve e komunitetit, të demaskohej në shtypin shqiptar krerët e vatrës dhe veprimtaria e tyre. Dosje objekti “Vatra”, nr.102, deklasifikuar me vendim nr.12, dt. 17.06.2019 ka numër total fletësh 277 (të dixhitalizuara 296 faqe). 

Dosja përmban raportime të agjentëve të Misionit Shqiptar në Nju Jork, si dhe Drejtorive përkatëse të Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme, emra të rekurtuarish përreth dhe brenda Vatrës, Plane operative kundër Vatrës, Studime rreth veprimtarisë “armiqësore” të Vatrës dhe masat e Shqipërisë komuniste për ta paralizuar vatrën, Plan Masash Agjenturor-Operativ për ndjekjen, Zbulimin dhe Parandalimin e Veprimtarisë së Vatra dhe gazetës së saj Dielli, raportime e shkëmbime të ndryshme informacionesh informative.

Në shënjestër të Sigurimit të Shtetit ishin editorët e Diellit, kryetarët e Vatrës, anëtarët e kryesisë e degëve të Vatrës.  Sigurimi shqiptar duket se ka investuar shumë në drejtim të paralizimit të Vatrës dhe të krijimit të konflikteve të saj me organizatat e tjera nacionaliste të Diasporës në SHBA. Një front tjetër ishte injektimi i konflikteve brenda Vatrës duke nxitur përplasjen mes grupit të intelektualëve me vatranët e tjerë, apo vatranët e vjetër me të arratisurit, apo mes vatranëve patriotë siç shprehen ofiqarët e Sigurimit dhe agjentëve jugosllavë brenda Vatrës apo Organizatave të tjera. 

Sigurimi i Shtetit Shqiptar porosiste spiunët, bashkëpunëtorët, informatorët dhe njerëzit me interes informativ në masa konkrete që duheshin ndjekur kundër Vatrës: “Duke aktivizuar burimet agjenturore dhe miqësore, duke shfrytëzuar të riatdhesuarit e vizitorët dhe materialet legale, të zbulojmë: 

 a- Qëllimet dhe planet konkrete që zbulimi amerikan ka në drejtim të Organizatës VATRA. b-Kuadrot dhe agjentët e zbulimit dhe K/zbulimit amerikan që punojnë në radhët e Organizatës VATRA, format dhe metodat e punës së tyre.

Gjendja e tanishme reale në këtë Organizatë: a-Të sigurojmë Listat e plota të anëtarësisë së Vatrës, të ndarë sipas degëve, organizimin me hollësi, Këshillin qendror dhe këshillat e degëve,

b- Personat që lëkunden tani, e sidomos ata që largohen prej Vatrës, ose ata që hidhen në pasivitet tani, kur në krye të kësaj organizate janë vënë të arratisurit.

c-Marrëdhëniet e organizatës Vatra me organizatave të tjera të emigracionit reaksionar, sidomos me Komitetin Shqipëria  e Lirë.

Ç-Kontradiktat që ekzistojnë në radhët e Organizatës: Në mes krerëve dhe masës së anëtarëve, në mes degëve të veçanta dhe qendrës, në mes krerëve me njeri-tjetrin, në mes kësaj Organizate dhe organizatave të  tjera të emigracionit reaksionar ose ekonomik dhe në mes të saj dhe zbulimit Amerikan, dhe të shihet mundësia si mund të shtohen këto kontradikta.

II- Të punojmë aktivisht për shtimin e kontradiktave brenda Vatrës, të nxisim që të largohen nga Vatra sa më shumë patriotë, të bëjmë që Vatra e tanishme të demaskohet plotësisht si organizatë në duart e kriminelëve të luftës, e cila punon kundër interesave të Atdheut. Nëpërmjet miqve ose duke marrë kontakte drekte me ta, t’i bëhet presion Fan Nolit që të japë dorëheqjen nga pozita e tanishme si “Kryetar Nderi” i Vatrës. T’i bëhet e qartë atij se në rast se do të vazhdojë në këtë post do të kompromentohet si përkrahës i kriminelëve, të cilët i ka pasur luftuar, dhe ne do të detyrohemi ta demaskojmë atë vetë(Nolin). 

Të demaskojmë me anë të shtypit , radios, dhe miqve që kemi në radhët e shqiptarëve të Amerikës,

Personat e arratisur që kanë hyrë në Vatër tani dhe në radhë të parë Editorin e Diellit Athanas Gegaj, për të cilin po grumbullojmë material se është agjent i zbulimeve të huaja. Po ashtu të demaskojmë edhe ata persona nga radhët e organizatave reaksionare që tani janë në organet drejtuese të Vatrës ose që shkruajnë artikuj në gazetën Dielli. 

-Të demaskojmë ata persona reaksionarë nga vatranët e vjetër si Peter Chikozi, Miko Kokalari, Vahit Çika e të tjerë, të cilët me tradhtinë e tyre ua dorëzuan këtë organizatë patriotike kriminelëve të shitur tek të huajte. Në demaskimin e këtyre të kemi parasysh që sipas situatave, të bëjmë ndonjë diferencim: Në radhë të parë , goditjen kryesore ta bëjmë kundër krerëve të arratisur që janë në Vatër dhe përkrahësve aktivë të tyre-Meqenëse Qerim Panariti tani është i pakënaqur mund të mos e godasim përkohësisht. 

Të hedhim në luftë të hapur kundër Vatrës së tanishme ata vatranë të vjetër që janë larguar nga kjo organizatë, si dhe ata që do të largohen tani. T’u kushtojmë kujdes të veçantë  personave me rëndësi si ish kryetarit Th P, i cili tani dha dorëheqjen nga Vatra. Për këta persona të marrim masa që të punojë Rezidentura jonë në SHBA dhe gjithashtu të punojmë edhe në qendër, duke gjetur lidhjet e rëndësishme të tyre këtu në Shqipëri, me anën e të cilëve, me letra, të bëhet presion që të aktivizohen kundër kriminelëve, tradhtarë të Atdheut.

Ç- Duke u konsultuar për këtë problem me Ministrinë e Punëve të Brendshme të vendoset se çfarë do të bëhet me Vatranët që do të largohen nga Vatra dhe me degën e Pitsburgut të kësaj Organizate, e cila po qëndron mirë: Do të punohet për krijimin e një Vatre të re apo do të nxiten këta  të hyjnë në Organizatën “Shqipëria e Lirë” dhe kjo të forcohet e të luftojë Vatrën?

d-Me anë të miqve të shfrytëzohen me kujdes kontradiktat dhe pakënaqësitë e Qerim Panaritit ndaj udhëheqjes dhe  ky të hidhet në luftë kundër Vatrës duke zhvilluar aktivitet përçarës.

Për zbatimin e detyrave të mësipërme, Pasi të jetë vendosur edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme, t’i dërgohet Rezidenturës në Nju Jork edhe një udhëzim me detyra konkrete me qëllim që ajo:

 1- Të aktivizojë në drejtim të Vatrës burimet agjenturore, qofshin edhe në radhët e emigracionit reaksionar.

2-Të aktivizojmë burimet miqësore dhe t’i shtojë këto, sidomos duke afruar persona të rinj, nga ata vatranë që lëkunden, ose ata që japin dorëheqje nga Vatra.

 3- Të studiojë 1 ose 2 persona nga ata që janë në pozita udhëheqëse të Vatrës dhe të shihet mundësia për t’i rekrutuar në shërbimin tonë” përfundon në faqen 120 të dosjes së Vatrës pranë Sigurimit të Shtetit Komunist Shqiptar”. 

*Pjesë nga Kumtesa e mbajtur në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me rastin e 110 vjetorit të Federatës Vatra.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

Kurban Bajrami, festë e sakrificës dhe begatisë shpirtërore

July 9, 2022 by s p

Endrit Himaj/

Në Islam ekzistojnë dy festime kryesore: Fitër Bajrami, që nënkupton përfundimin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit; dhe Kurban Bajrami, i cili pason përfundimin e obligimit vjetor të Haxhit (peligrimazhit ne vendet e shejta)

Festimi i Kurban Bajramit është për të përkujtuar përkushtimin e Profetit Ibrahim ndaj Zotit te tij, dhe gatishmërinë e tij për të sakrifikuar djalin e tij, Ismailin. Pikërisht në pikën e sakrificës, Allahu e zëvendësoi Ismailin me një dash, i cili do të thertej në vend të djalit të tij. Ky urdhër nga Allahu ishte një provë e gatishmërisë dhe përkushtimit të Profetit Ibrahim për t’iu bindur urdhrit të Zotit të tij, pa diskutim. Prandaj, Kurban Bajrami do të thotë festë e sakrificës.

Në varësi të vendit, festimet e Kurban Bajramit mund të zgjasin diku nga dy deri në katër ditë. Akti i Kurbanit (therjes se kafshes) kryhet pas Namazit të Bajramit, i cili falet me xhemat (ne grup) në xhaminë më të afërt në mëngjesin e Bajramit.

Akti i Kurbanit konsiston në therjen e një kafshe si kurban për të shënuar këtë rast në përkujtim të sakrificës së Profetit Ibrahim për Allahun.

Kafsha e flijimit duhet të jetë dele, qengj, dhi, lopë, dem ose deve, mishi i Kurbanit duhet të ndahet në tri pjesë të barabarta; një e treta është për ate qe e pret Kurbanin dhe familjen e tij, një e treta është për miqtë, te afermit. dhe e treta e fundit duhet t’u dhurohet atyre në nevojë.

Tradicionalisht, dita kalohet duke festuar me familjen, miqtë dhe të dashurit, besimtaret veshin veshjet të reja ose më të mira dhe vizitojne njeri tjetrin duke dhene dhe dhurata.

Festat fetare tek ne, në vazhdimësi kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale, urtësinë para euforisë, drejtësinë para zullumit, paqen para konfliktit e dhunës dhe solidaritetin e bamirësinë para koprracisë, ndaj, ne lutemi dhe urojmë që edhe ky Bajram të jetë në frymën e tillë.

Duke ju uruar për festën e madhe të Kurban-Bajramit, lus Zotin për shëndet, mbarësi, begati, dashuri e harmoni per ju e familjet tuaja.familjet tuaja.

Filed Under: Politike Tagged With: endrit himaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 215
  • 216
  • 217
  • 218
  • 219
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Racionaliteti erotik i pushtetit shqiptar
  • Hapet dega e 7-të e kursit të gjuhës shqipe në Lesvos të Greqisë
  • Besimi ndaj së mirës…
  • VATRA, NDERIM E RESPEKT PËR XHIM XHEMËN NË 84 VJETORIN E LINDJES
  • “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Rasim Juniku, një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën
  • Shpirti arvanitas në Rilindjen Europiane për atdheun e humbur
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT