
Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta ka reaguar i tronditur mbi skandalin që ka përfshirë institucionet e shtetit shqiptar duke e quajtur aferën e inceneratorëve si aferën e shekullit. Në një prononcim për mediat ndër të tjera Presidenti Meta ka deklaruar: “Shohim një aferë që është poshtëruese për çdo qytetar të këtij vendi në këtë kohë krize kur duhet rritur mbështetja për qytetarët në nevojë. Shohim që askush nuk mban përgjegjësi. Prej vitesh bëhen veprime të tilla nga bankat. Çfarë është ky sistem bankar që pranon firma të tilla të njerëzve që nuk jetojnë apo jetojnë në azile. Ku është krimi ekonomik dhe institucioni i pastrimit të parave. Kush mban përgjegjësi për këto skandale. Si mund të vazhdojë afera e inceneratorëve. Të gjitha këto para shkojnë për llogari të krimit. Janë para të qytetarëve, Ftoj dhe Kuvendin të merret më seriozisht me këtë çështje. Ende nuk ka dalë as maja e ajsbergut në aferën që po thellohet. Ka edhe afera të tjera që po zbulohen si ajo e aferës së Butrintit. Vetëm një aferë mund të bëjë një qeveri të vërë dorë mbi trashëgiminë kulturore dhe të nxjerë përjashta shoqërinë civile. Ndërsa lajmet e fundit që dolën edhe dje, ku përveç pensionistëve që janë në azile që figurojnë në mënyrë të paditur me veprime që kapërcejnë mbi 30 milionë euro, çobani me rrogë 300 eur në Greqi, rezulton gjithashtu me veprime të pakryera nga ai me miliona euro këtu. Për fat të keq për të kuptuar dramacitetin e kësaj babëzie që është babëzia e shekullit, dje u zbuluan dhe fakte për një qytetarë të ndjerë, e cila ndërroi jetë 5 vite më parë, në emër të së cilës janë kryer transaksione me vlerë 5- 6 milionë euro. Kjo është ulëritëse dhe tronditëse. Një shtet që thotë se nuk kemi çfarë t’i bëjmë zjarrit se s’kemi lekë për helicopter” tha ndër të tjera Presidenti i Republikës z.Ilir Meta.