• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME RASTIN E 15-VJETORIT TË VIZITËS SË PRESIDENTIT GEORGE BUSH NË TIRANË – NË KUADËR TË 100-VJETORIT TË VENDOSJES SË MARRËDHËNIEVE AMERIKANO-SHQIPTARE*

June 29, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/

Përshëndetjet e mia më të përzemërta ju Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë me rastin e këtyre dy përvjetorëve me rëndësi në zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara: 15-vjetorin e vizitës së parë të një Presidenti amerikan — në detyrë – që vizitonte Shqipërinë – Presidentit republikan, George W Bush në qershor të vitit 2007 dhe 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në vitin 1922.

Falënderoj thellësisht, mikun tim Besnik Mustafajn për ftesën, duke më bërë pjesë me ju sot, ndërsa kujtojmë këto dy përvjetorë me rëndësi, për dy popujt tanë. Megjithëse nuk mund të isha në person me ju – për arsyet që i shpjegova Z. Mustafaj — e ndjejë veten se edhe nepërmjet videos, jam me ju në një bashkbisedim vëllazëror, pasi me shumë prej jush kam pas nderin të njihem e takohem gjatë 30-viteve të kaluara, qoftë në Washington, qoftë në Tiranë apo Prishtinë.

Më kënaqë fakti që Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përfshinë si anëtarë edhe ish-diplomatët nga Kosova. Mjaft domethënse!

Sa i përket shënimit të dy përvjetorëve të rëndësishëm në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane – 15-vjetorit të vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri dhe 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane – dua të theksoj, të pakën sa na përket ne nga kjo anë e oqeanit — Shtetet e Bashkuara, historikisht, këto marrëdhënie janë promovuar dhe janë mbështetur, pa dallim, nga i mbarë spektri politik amerikan – demokratë e republikanë — duke filluar nga Presidenti Woodrow Wilson e deri në ditët e sotëme.

Gjithashtu, politika amerikane në terësi, ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, nuk është bazuar kurrë, duke mbështetur një parti politike ose një individ matanë oqeanit, por, mbështetja është përqëndruar në zhvillimin e proceseve demokratike perëndimore. Mbi të gjitha, në përputhje me vlerat amerikane të lirisë dhe demokracisë, të normave ndërkombëtare të vetvendosjes së popujve dhe në mbështeteje të sigurimit të lirive dhe të drejta universale të njeriut – mohuar shqiptarëve për një kohë aq të gjatë.

Të veprohet ose të pretendohet ndryshe nga individë, parti politike shqiptare ose mbështetës të huaj të tyre, është një papërgjegjësi morale, politike, diplomatike dhe kombëtare që nuk i shërben interesave kombëtare të shqiptarëve — e marrëdhënieve të ngushta shqiptaro-amerikane, jo se jo. Në këtë vit jubilar të marrëdhënieve amerikano-shqiptare, unë nuk njoh asnjë shqiptar që mund ta quaj anti-amerikan. Por, njoh mjaft asish që vet-quhen “pro-amerikanë”, por që nuk kanë të bejnë asgjë me vlerat amerikane.

Prandaj është e nevojshme që të reflektojmë, ndërsa festojmë sot, me plot të drejtë, këto dy përvjetore të rëndësishme, si dhe arritjet e shënuara deri më sot, në forcimin e mëtejshëm të këtyre lidhjeve, drejtë një miqësie të përherëshme të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës — siç preferonte të shprehej i ndjeri President Ibrahim Rugova, kur fliste për marrëdhëniet e shqiptarëve me Amerikën.

Jo, se Amerika është një vend i përsosur, sepse edhe ajo i ka hallet e veta, por për ne shqiptarë është treguar, për më shumë se 100-vjet tani, si një “mik i mirë në kohë të vështira”, dhe mik i pa hile.

Në një periudhë historike, “për jetë a vdekje”, për ruajtjen e sovranitetit politik dhe territorial të Shqipërisë, një shekull më parë, Presidenti Amerikës, Woodrow Wilson, sipas Fan Nolit, i premtoi atij se, “Një zë do të kem në Konferencën e Paqës dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të Shqipërisë”.

Duhej të kalonte një gjysëm shekulli të një historie fatëzezë — për shqiptarët dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare të diktaturës së egër komuniste sllavo-aziatike – pa marrëdhënie normale diplomatike midis dy vendeve tona.

Por, më në fund, u shemb Muri i Berlinit dhe lindi shpresa e rivendosjes së lidhjeve midis dy popujve tanë. Edhe po të donte Amerika të “harronte” Shqipërinë, ishte komuniteti shqiptaro-amerikan ai i cili gjatë dekadave nuk e lejoi Amerikën tonë të dashur që të harronte Shqipërinë, as Kosovën, as shqiptarët kudo. Këto “Marrëdhënie nuk ishin harruar kurrë nga mijëra amerikanë me origjinë shqiptare”, është shprehur ndihmës Sekretari i Shtetit, Raymond Seitz në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve amerikano-shqiptare, në mars të vitit 1991.

Kam nderin dhe privilegjin të them, se një prej këtyre shqiptaro-amerikanëve isha edhe unë, kur për herë të parë, shkela në tokën e të parëve të mi, me delegacionin e parë diplomatik të Shteteve të Bashkuara me 20 mars, 1991, vetëm 5 ditë pas nënshkrimit, në Departamentin e Shtetit në Washington, të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy popujve tanë, pas pothuaj një gjyësm shekulli komunizëm.

Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk mund të anashkalojmë assesi vizitën historike të Presidentit George W Bush në Tiranë, 15-vjetë më parë. Edhe kjo vizitë ishte në vazhdën e shprehjeve të një miqësie të veçantë nga Amerika, ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, përfshir Kosovën.

Ashtu siç kishte premtuar presidenti demokrat i Amerikës, Woodrow Wilsoni 100-vjet më parë se zërin e tij do e përdorte në mbrojtje të Shqipërisë nga armiqtë e saj, edhe Presidenti republikan i Amerikës, George Bush pothuaj një shekull më vonë, përball pothuaj të njëjtëve armiq të Kombit shqiptar – deklaroi nga Tirana, gjatë një konferencë shtypi me ish-Kryeministrin e vendit, Z. Sali Berisha se: “Mjaft është mjaft – Kosova është e pavarur”, duke shtuar se nuk mund të ketë bisedime të pafund rreth pavarësisë së Kosovës, do e citonte Presidentin Bush, gazeta e njohur Nju Jork Tajms. Media amerikane e kohës, e cila i pat bërë një jehonë të madhe vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri 15-vjet më parë, interpretonte deklaratën e Presidentit amerikan si një deklaratë drejtuar Rusisë dhe aleatëve të saj që kundërshtonin pavarësinë e Kosovës.

Gjatë asaj vizite u vendosën gjithashtu edhe themelet e antarësimit të Shqipërsië në NATO. Shqipëria mori ftesën për antarësim në Aleancën e Atlantikut Verior, në takimin e nivelit të lartë në Bukuresht më 2008 dhe më 1 prill, 2009, Shqipëria u bë anëtare e plotë e NATO-s. Nuk besoj të ishte një zhvillim i rastit – që pavarësia e Kosovës është njohur nga SHBA dhe shtete të tjera perendimore në shkurt të vitit 2008, ndërsa Shqipëria u bë e anëtare e NATO-s, një vit më vonë.

“Sot është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë. Ka ardhur të na vizitojë miku më i madh e më i nderuar që kemi në botë – i të gjitha kohërave, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, udhëheqsi i botës së lirë”, citohej nga FOX-news e Amerikës, Kryeministri i Shqipërisë, në atë kohë, Z. Sali Berisha.

Në këto dy përvjetore me shumë rëndësi për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, ne shqiptarët, pa dallim dhe kudo qofshim, me të drejtë shprehim miqësinë dhe admirimin tonë ndaj Amerikës, duke filluar nga Presidenti Wilson, ish-presidenti Bill Clinton, i cili ndërhyri për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga regjimi terroristo-komunist serb i Millosheviçit, e deri tek Presidenti George Bush i vjetër, i cili me “paralajmërimin e Krishtlindjeve” të dhjetorit, 1992, njoftoi Millosheviçin se agresioni serb në Kosovë do të sillte ndërhyrjen ushtarake të njëanshme të Shteteve të Bashkuara. Dhe Presidenti George W. Bush i ri, i cili nga Tirana bëri thirrje për pavarësinë e Kosovës duke deklaruar se, “Mjaft është mjaft”.

Të gjithë këta dhe shumë, shumë të tjerë — politikanë të dy partive kryesore amerikane, përfshir senatorë e kongresmenë, zyrtarë vendas, shtetërorë e federalë – i janë gjëndur afër komunitetit shqiptaro-amerikanë, Shqipërisë, Kosovës dhe fatit të shqiptarëve kudo dhe kurdoherë dhe pa dallime politike.

Në ditët e sotëme — ndërsa festojmë këto dy përvjetorë të rëndësishëm në marrëdhëniet tona – vihet re një debat se kush është më “pro-amerikan” ose më “anti-amerikan”, se tjetri.

Etiketimi midis shqiptarëve si “pro” ose “anti-amerikanë”, nuk i shërben interesave kombëtare të shqiptarëve as miqësisë shekullore midis dy vendeve tona. Sa i përket Amerikës, të gjithë shqiptarët, pa dallim, janë pro-amerikanë – në këtë jubile 100-vjeçar të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA dhe në 15-vjetorin e vizitës historike të Presidentit George W. Bush në Tiranë.

Urimi dhe shpresa ime është që kjo miqësi e veçantë midis dy kombeve tona të vazhdojë me shekuj, për sa të jetë jeta!

Gëzuar 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike dhe miqësinë e përherëshme midis Kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Mirë u dëgjofshim!

Frank Shkreli

Frank Shkreli*- ka qenë anëtar i delegacionit të Departmentit të Shtetit në vizitën e parë zyrtare në Shqipëri pas pothuaj një gjysëm shekulli ndërprerjeje të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri — nga regjimi komunist i Enver Hoxhës

*Fjalim i mbajtur nepërmjet videos drejtuar mbledhjes së Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë në Tiranë, 14 Qershor, 2022 – në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Celebrating 100-year anniversary of Albania – US diplomatic relations

June 29, 2022 by s p

Tirana, June 28th 2022

THE FIRST HISTORIC VISIT OF A US PRESIDENT TO ALBANIA.

On the 15th anniversary of the visit of President George W. Bush to Tirana, the Council of Albanian Ambassadors, with the support of the Council of American Ambassadors, organized on June 28 the commemorative conference “The first historic visit of an American President to Albania.”

This event, held in the framework of the celebrations of the 100th anniversary of the establishment of diplomatic relations Albania – US, aimed to restore the deserved echo of a unique visit to our bilateral relations and the decisive support that President Bush gave from Tirana for membership of Albania in NATO and the declaration of independence of Kosovo.

As Mr. Besnik Mustafaj, President of the Council of Ambassadors, pointed out in his keynote address, we do not intend to write or rewrite history on this occasion, but to nurture the memory of Albanians.

President Bush’s visit to Tirana was not accidental, but was the result of a clear Euro-Atlantic orientation and towards Western democratic values.

The speakers were from Tirana, Pristina and the US, former senior diplomats as well as well-known international relations scholars.

A special greeting was conveyed by the Council of American Ambassadors through its President, Ambassador Timothy Chorba and the senior Vice President Ambassador Philip Hughes, stating: “15 years ago, President George W. Bush paid the first visit of an American President to Albania. “Pro-American sentiment in Skanderbeg Square, a few meters from where you are meeting, was really impressive and touched the hearts of the American people.

Professor Daniel Server from the Institute for Foreign Policy in Washington, in his video message noted that: “President Bush’s visit was an appreciation of your commitment to the West and an incentive to continue on the Euro-Atlantic path.”

In this spirit were brought rich experiences and analyzes regarding the decisive impact that this visit of President Bush had on the Euro-Atlantic perspective of Albania, Kosovo and our entire region.

Albania in NATO was not a gift, but the result of three main achievements: the determination to stay on the Euro-Atlantic course, the deep reforms for the democratic transformation of the country and the close strategic partnership with the USA.

Drawing attention especially to the stages of Albania’s NATO membership process, and the commitment of Albanian governments over the years, former Foreign Minister Arta Dade stressed the great importance of this fact today in the context of aggression Russian in Ukraine.

The serious threat posed today by Russia’s unjustifiable aggression against Ukraine has prompted countries such as Sweden and Finland to join NATO, while Albania is within this security perimeter, Minister Dade said.

Frank Shkreli, former director for Eurasia at the time in “Voice of America”, described the wide echo of this visit in the American media and consequently the improvement of the image of Albania and Albanians.

He stressed that pro-Americanism among Albanians should be translated into commitment and embrace of the values ​​represented by the United States, as the largest and strongest democracy in the world.

Former Deputy Prime Minister of Kosovo Edita Tahiri, in her statement, said that for the irreversible path to independence it was vital to create strategic alliances, the preservation of which is just as troublesome and necessary. She underlined that the best service we can do to our countries is the strengthening of institutions, the rule of law and the development of the economy.

The same topic was also focused on Dr. Albert Rakipi, Chairman of the Albanian Institute for International Relations, who stressed that Albania’s membership in NATO is the greatest achievement in 30 years, after the fall of the dictatorship.

As for Kosovo, he noted that President Bush announced from Tirana the end of the dangerous status quo, clearly deciding on independence, while the EU should do the same in terms of the dialogue taking place in Brussels.

While Avni Spahiu, former Kosovo’s first ambassador to Washington, praised the consistent US policy with military intervention to end genocide, support for the declaration of independence and international recognition, and further with the extraordinary assistance of the US government for strengthening the state of Kosovo.

Ambassador Arben Cici shared moments of state protocol work in order to realize in the most perfect way the visit of the President. He recounted the exciting moments of President Bush in Fushë Krujë when he went outside the official protocol to meet the crowds of people who had come out to greet him.

Our former Ambassador to the UN Adrian Neritani also brought back memories of the positive response that this visit brought to the diplomatic circles there.

Ambassador Gashi shared with the participants the extraordinary echo that President Bush’s visit to Tirana had in the Albanian diaspora. Mr. Gashi stressed the special importance of visits to the Albanian diaspora in the United States, as well as their extraordinary contribution, over the decades, through the pan-Albanian association Vatra and the Dielli newspaper, to strengthening the Albanian-American friendship.

Ambassador Gashi also brought back memories of the establishment of the international media accreditation center, under the special care of former Prime Minister Berisha. This center recorded 683 journalists and correspondents from all over the world who directly followed this historic visit.

///////////////////////////////////////////////////////////////////////////////

Festimi i 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA

Tirane, 28 Qershor 2022

VIZITA E PARE HISTORIKE E NJE PRESIDENTI SH.B.A. në SHQIPERI

Në 15 vjetorin e vizitës së Presidentit George W. Bush në Tiranë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, me mbështetjen e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, organizoi më 28 qershor konferencën përkujtimore “Vizita e parë historike e një Presidenti Amerikan në Shqipëri”.

Kjo veprimtari, e zhvilluar edhe në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – SHBA, kishte për qëllim të risillte jehonën e merituar të një vizite unike në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe të mbështetjes vendimtare që Presidenti Bush dha nga Tirana për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Siç vuri në dukje në fjalën e tij çelëse Besnik Mustafaj, President i Këshillit të Ambasadorëve, ne nuk synojmë me këtë rast ta shkruajmë dhe as ta rishkruajmë historinë, por të ushqejmë kujtesën e shqiptarëve. Vizita e Presidentit Bush në Tiranë nuk qe e rastësishme, por ishte rezultat i orientimit të qartë euro-atlantik dhe drejt vlerave demokratike perëndimore.

Folësit ishin nga Tirana, nga Prishtina dhe nga SHBA, ish – diplomatë të lartë apo studiues të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Një përshëndetje të veçantë përcolli Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë nëpërmjet Presidentit të tij, ambasadorit Timothy Ҫorba dhe zv Presidentit ambassador Philip Hughes ku theksohej: “15 vite më parë, Presidenti George W. Bush zhvilloi vizitën e parë të një Presidenti amerikan në Shqipëri. Vërshimi i ndjenjave pro-amerikane në Sheshin Skënderbej, pak metra nga ku po zhvilloni takimin tuaj, ishte vërtet mbresëlënës dhe preku fort zemrat e popullit amerikan”.

Ndërsa eksperti i njohur Profesor Daniel Server nga Instituti për Politikë të Jashtme në Uashington, në videomesazhin e tij vuri në dukje se: “Vizita e Presidentit Bush ishte vlerësim i përkushtimit tuaj ndaj Perëndimit dhe një nxitje për të vazhduar në rrugën euroatlantike”. Në këtë frymë u sollën përvoja dhe analiza të pasura lidhur me ndikimin vendimtar që pati kjo vizitë e Presidentit Bush në perspektivën euroatlantike të Shqipërisë, të Kosovës e të krejt rajonit tonë.

Shqipëria në NATO nuk ishte një dhuratë, por rezultat i tri arritjeve kryesore: vendosmëria për të qendruar në kursin euro-atlantik, reformat e thella për transformimin demokratik të vendit dhe partneriteti i ngushtë strategjik me ShBA-të.

Duke tërhequr vëmendjen veçanërisht tek etapat që përshkoi procesi i antarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe angazhimin ndër vite të qeverive shqiptare, ish – ministrja e jashtme Arta Dade theksoi rëndësinë e madhe që ka ky fakt sot në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë. “Kërcënimi serioz që paraqet sot agresioni i pajistifikueshëm i Rusisë kundër Ukrainës ka nxitur vende si Suedia dhe Finlanda që t’i bashkohen NATO-s, ndërkohë që Shqipëria gjendet brenda këtij perimetri sigurie”, theksoi znj. Dade.

Më tej Frank Shkreli, ish – drejtor për euroazinë asokohe në “Zërin e Amerikës”, përshkroi jehonën e gjerë të kësaj vizite në mediat amerikane si rrjedhim edhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ai theksoi se pro-amerikanizmi ndër shqiptarët duhet të përkthehet në përkushtim dhe përqafim të vlerave që përfaqëson SHBA, si demokracia më e madhe dhe e fortë në glob.

Ish – zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, në kumtesën e saj, u shpreh se për rrugën e pakthyeshme drejt pavarësisë ishte jetike krijimi i aleancave strategjike, ruajtja e të cilave është po aq e mundimshme dhe e domosdoshme. Ajo nënvizoi se shërbimi më i mirë që mund t’i bëjmë vendeve tona është forcimi i institucioneve, shtetit ligjor dhe zhvillimit të ekonomisë.

Në po këtë temë u përqendrua edhe Dr. Albert Rakipi, drejtor i Institutit Shqiptar për Marrëdhenie Ndërkombëtare, i cili theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është arritja më e madhe në 30 vite, pas rrëzimit të diktaturës.

Sa i përket Kosovës, ai vuri në dukje se Presidenti Bush shpalli nga Tirana fundin e statuskuosë së rrezikshme, duke vendosur qartë për pavarësinë, ndërkohë që BE duhet të bëjë të njëjtën gjë sa i përket dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

Ndërsa Avni Spahiu, ish – ambasadori i parë i Kosovës në Uashington, vlerësoi politikën konsistente amerikane që me ndërhyrjen ushtarake për t’i dhënë fund genocidit, me mbështetjen për shpalljen e pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare, dhe në vijim me ndihmën e jashtëzakonshme të qeverisë amerikane për forcimin e shtetit të Kosovës.

Ambasador Arben Cici ndau momente të organizimit shtetëror në funksion të realizimit në mënyrën më të përsosur të vizitës së Presidentit. Ai rrëfeu momentet emocionuese të Presidentit Bush në Fushë Krujë kur doli jashtë protokollit zyrtar për të takuar turmat e njerëzve që kishin dalë për ta përshëndetur.

Gjithashtu edhe ish Ambasadori ynë në OKB Adrian Neritani solli kujtime lidhur me jehonen pozitive që solli kjo vizitë në qarqet diplomatike atje.

Ambasador Gashi ndau me pjesëmarrësit jehonën e jashtëzakonshme që vizita e Presidentit Bush në Tiranë pati në diasporën shqiptare. Z. Gashi theksoi rëndësinë e veçantë që pati vizita për mërgatën shqiptare në ShBA, si dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, ndër dekada, përmes Vatrës dhe Diellit, për forcimin e miqësisë shqiptaro-amerikane.

Ambasador Gashi solli gjithashtu kujtime nga ngritja e qendrës së akreditimit të medias ndërkombëtare, nën kujdesin e veçantë të ish Kryeministrit Sali Berisha. Kjo qendër regjistroi 683 gazetarë e korrespondentë nga e gjithë bota që ndoqën drejtpërdrejt këtë vizitë historike.

Filed Under: Politike

“ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”

June 28, 2022 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Pa kontributet dhe pjesëmarrjen aktive të mërgatës shqiptare kudo në botë, as që mund të mendohet se sa do të vonohej Pavarësia e Shqipërisë, por edhe gati pas një shekulli, pavarësia e shumëpritur e Kosovës.

Në kapërcyell të shekullit të kaluar mërgata shqiptare në Kalabri dhe Siçili të Italisë, në Kairo dhe Aleksandri të Egjiptit, në Stamboll të Turqisë, në Bullgari, në Bukuresht e në mbarë Rumaninë, sidomos në në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte promotori i Lëvizjes Kombëtare, së pari i Rilindjes sonë Kombëtare e pastaj, edhe i Pavarësisë së Shqipërisë së sotme.

Kur fatet e trojeve tona dhe kombit tonë në përgjithësi, kur përçarja fetare dhe krahinore po nxitej në të gjitha mënyrat e mundshme nga pushtuesit, por edhe nga synimet ekspasioniste të fqinjëve tanë, ishte mërgata jonë ajo që e zgjoi dhe e ngriti lart vetëdijen tonë kombëtare.

Jeronim De Rada në Kalabri, Thimi Mitko në Egjipt, vëllezërit Frashëri në Stamboll, nga Elena Gjika e deri te Asdreni në Rumani, Faik Konica në Belgjikë, e më vonë së bashku me Kristo Dakon, Fan Nolin dhe shumë patriotë të tjerë të mbledhur në “Vatrën” e Amerikës dhe gazetën “Dielli”, hodhën dhe përbëjnë themelet e zhvillimeve kulturore dhe politike të kombit tonë, atëherë kur fatet e tij ishin në zgrip të ekzistencës.

Mërgata jonë botojë librat, gazetat dhe revistat e para në gjuhën shqipe, shkroi librat e parë për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, solli bandën e parë muzikore nga Amerika dhe krijoi grupin patriotik e kulturor “Lira” në Korçë, por ata erdhën dhe rrokën armët në dorë për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Mblodhë paratë e para për bugjetin e shtetit të pavarur të Shqipërisë. Morën pjesë më pushkë në dorë në luftën e Vlorës.

Nga takimi me mërgatën shqiptare të Rumanisë dhe me ndihmën financiare të tyre, Ismail Qemaili erdhi në Vlorë dhe ngriti flamurin e Skënderbeut si dhe shpalli Pavarësinë tonë. Po aty, në Bukuresht, u shkrua edhe i pavdekshmi “Himn i Flamurit” nga Asdreni.

Mbi të gjitha, mërgata shqiptare është në themelet e çdo vlere të lartë kombëtare që kemi sot, si në gjuhë, kulturë, arte, politikë dhe shtet-formim.

Pa rolin e mërgatës shqiptare në botë, sot fatet e kombit tonë do të ishin krejt ndryshe, në përgjithësi.

Do të duheshin muaj dhe vite të flitej, shkruhej dhe të vihej në pah i gjithë roli i mërgatës sonë për trojet shqiptare në vite e shekuj.

Në ditët e sotme, një gjë është e qartë si drita e diellit, se pa rolin e mërgatës sonë nuk do të kishim Shqipëri të pavarur, nuk do të kishim liri, pluraliziëm dhe demokratizim të Shqipërisë në vitet ’90-të, madje as çlirim dhe pavarësi të Kosovës.

Një rol të veçantë dhe te jashtëzakonshëm ka luajtur mërgata jonë e vjetër dhe e re në Shtetet e Bashkuara të Bashkuara të Amerikës.

Dëshmia me e freskët dhe kuptimplote është pjesëmarrja e mërgimtarëve tanë nga SHBA me Batalionin “Atlantiku” në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjet e armatosura të fundit që ndodhën në trojet tona etnike.

Kontributi i mërgatës sonë në SHBA me penë dhe pushkë në dorë, por edhe me financime vullnetare, dhe mbi të gjitha me njohjet dhe lidhjet miqësore me politikanë dhe drejtues të lartë shtetërorë në SHBA, bën të mundur që lidhjet në mes të popullit shqiptar dhe atij amerikan të jenë kaq të forta dhe të mëdha siç i kemi sot.

Që nga takimi i parë i Imzot Fan Nolit dhe grupit të mërgatës shqiptare me Presidentin Woodroë Wilson, e deri të vizita historike e Presidentit Xhorxh W. Bush në Tiranë, si pika kulmore të lidhjeve shqiptaro-amerikane, kemi pasur hendekun e madh të 50 viteve diktature komuniste në Shqipëri dhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA, por për fatin tonë të madh kishim mërgatën tonë në Amerikë që asnjëherë nuk i ndërpreu, por çdoherë e më shumë i forcoi marrëdhëniet me popullin dhe institucionet amerikane.

Vizita e Presidentit Bush në Tiranë na dha sihariqin e shumëpritur, paralajmëroi dhe shpalli jozyrtarisht pavarësinë e Kosovës, ëndërr që u bë realitet vetëm pak kohë më pas.

Në të njëjtën kohë kjo mërgatë, punoi për mbijetesën e vet, ngritjen e mirëqenies ekonomike, shkollimin e fëmijëve, por asnjëherë nuk e la mënjanë luftën për demokratizimin e Shqipërisë dhe lirinë e pavarësinë e trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi.

Në 30-vitet e fundit, veprimet e drejtuesve më të lartë të SHBA-së për shqiptaret janë të jashtëzakonshme, çdoherë dhe në çdo hap është prania e mërgatës tonë në tokën amerikane.

Ia vlen për t’u përmendur vizita e Sekretarit të Shtetit Xhejms Beker III, me ftesë të liderit të opozitë së sapoformuar dr.Sali Berisha, vetëm disa muaj pas rivendosje së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA, kërcënimin e Krishtlindjeve të Presidentit Xhorxh Herbert Bush, vendimin e Presidentit Klinton për ndërhyrje ushtarake për lirinë e Kosovës, vizitat e Sekretares Ollbrajt, Sekretares Klinton, Sekretarit Ramsfeld, Gjenerali Klark dhe shumë personaliteteve të tjera të rëndësishme shtetërore amerikane, deri të vizita e Presidentit Xhorxh W. Bush dhe vizita të personaliteteve të tjera pas tij në Shqipëri dhe Kosovë, pa dyshim që është edhe roli i mërgatës sonë në SHBA.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, aleancën më të fuqishme ushtarake dhe polike që ka njohur ndonjëherë bota si dhe Kosova e pavarur, realizimi i të drejtave të shqiptarëve kudo në trojet e tyre, është vepër edhe e mërgatës sonë në SHBA, që loboi dhe lobon pandërprerë te miqtë e tyre kongresmenë e senatorë amerikanë, për fatet e kombit tonë në Ballkan.

Sidoqoftë, 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë është një moment i veçantë për të gjithë ne dhe shumë i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve midis dy kombeve tona.

Ky 100-vjetor është përvjetor simbol miqësie dhe bashkëpunimi midis dy kombeve dhe shteteve tona, pas një armiqësie absurde 50-vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës kundër Shteteve të Bashkuara, dhe në themelet e kësaj miqësie qëndron i palëkundur edhe kontributi i paçmuar i mërgatës tonë në SHBA.

Pas pothuaj një gjysmë shekulli komunizëm, 15 marsi i vitit 1991 shënon edhe lidhjet e para zyrtare Shqipëri-Amerikë, dhe nuk kishte se si mos të ishin aty të pranishëm shqiptaro-amerikanët në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington, ku u firmos “Memorandumi i Mirëkuptimit”, i cili rivendosi, zyrtarisht, marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve tona.

Delegacioni i parë i Departamentit Amerikan të Shtetit pas një gjysmë shekulli, një javë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve erdhi në Shqipëri për dy javë, në mars/prill, 1991dhe patjetër që pjesë të delegacionit kishte edhe shqiptaro-amerikanë të shquar të mërgatës tonë në SHBA.

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane dhe kultivimi i tyre ka qenë një objektiv, për të cilin kanë punuar shumë breza shqiptaro-amerikanësh nga të gjitha trojet shqiptare gjatë 100-viteve të kaluara.

Le t’i kujtojmë ata atdhetarë sot dhe t’i falënderojmë me gjithë zemër, se edhe me gjithë dështimet për shkak të refuzimit të regjimit komunist për t’i rivendosur ato marrëdhënie gjatë dekadave të shekullit të kaluar, këta atdhetarë shqiptaro-amerikanë, nuk u dorëzuan kurrë dhe as nuk u tërhoqën asnjëherë nga idea e miqësisë së fortë amerikano-shqiptare, më gjithë propagandën anti-amerikane që vinte nga Tirana e kuqe dhe ideologjia e dështuar staliniste.

Shqiptaro-amerikanët nuk pushuan kurrë se punuari për këto marrëdhënie diplomatike. Ata u përpoqën tërë jetën e tyre për të angazhuar Shtetet e Bashkuara për bashkëpunim me kombin shqiptar.

Fatkeqësisht, disa prej këtyre atdhetarëve shqiptarë, akoma edhe sot në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA dhe 30 vjet pas rivendosjes së këtyre lidhjeve, ata ende konsiderohen si armiq e tradhtarë në Atdheun e tyre të origjinës, vetëm e vetëm, se kundërshtonin regjimin e Enver Hoxhës.

Diaspora shqiptare në Amerikë e ka treguar, historikisht, se është ndër ambasadorët më të mirë që mund të ketë pasur dhe ka Kombi shqiptar gjatë dekadave.

Le të kujtojmë në këtë 100-vjetor se në mungesë të marrëdhënieve normale diplomatike shqiptaro-amerikane gjatë komunizmit, mërgata shqiptaro-amerikane, me dinjitet dhe plot atdhedashuri, ka mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo në trojet e tyre në Ballkan, duke luajtur rolin jozyrtar të ambasadës dhe të ambasadorit të kombit shqiptar në Washington!

Marrëdhënie diplomatike 100-vjeçare nuk janë pronë as meritë e vetme e ndonjë kryeministri a presidenti, apo ambasadori cilido të jetë ai.

Ato janë lidhje historike në interes të përbashkët të dy kombeve tona!

Marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane janë të shenjta, në interes madhor të çështjeve kombëtare që nuk duhet të lejohen kurrë të jenë subjekt abuzimesh, manipulimesh as përfitimesh të përkohshme personale ose partiake nga autokratë të caktuar ose individë të papërgjegjshëm, nga cilado palë qofshin!

Garanci e zhvillimit të këtyre marrëdhënieve dhe jetëgjatësisë së tyre është mërgata jonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe në fund fare, pa shqiptarët e Amerikës dhe angazhimin tyre për vizitën e senatorit Bob Dole në krye të një delegacioni të përbërë nga kongresmenë dhe senatorë në vitin 1989 në Kosovë, vizitë e cila u bë e mundur kryesisht nga mërgata jonë dhe veçanërisht zoti Xhim Xhema dhe personalitete të tjera të mërgatës, si dhe vizita e Presidentit Xhorxh W. Bush në Tiranë, për të lajmëruar pavarësinë e Kosovës dhe për të vulosur miqësinë e përhershme shqiptaro-amerikane, ndryshe do të ishin sot fatet e kombit tonë.

Fjala e mbajtur në Konferencën e organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), në respkekt të:

“100 vjetorit të vendosjes së marrëdhenieve diplomatike Shqipëri-SHBA”

dhe “15 vjetorit të vizitës së Presidentit Xhorxh W. BUSH nê Shqipëri”

Filed Under: Politike Tagged With: Flamur Gashi

SHENJTORËT SI PROMOVUES TË FQINJESISË SË MIRË

June 27, 2022 by s p

Rast Studimi: NËNË TEREZA

Dr. Etleva Lala

Në datat 9-10 qershor 2022, Programi i Studimeve Shqiptare në Universitetin Eötvös Loránd (ELTE BTK), Budapest, dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Hungari organizuan Konferencën Ndërkombëtare “Shenjtorët si nxitës të fqinjësisë së mirë: Studim rasti: Nënë Tereza”, me një ligjëratë kryesore nga studiuesja e mirënjohur e Nënë Terezës, Prof. Dr. Ines Murzaku, e cila është profesoreshë e fesë, kryetare dhe drejtore e Departamentit dhe Programit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall dhe në Federatën Ndërkombëtare të Universiteteve Katolike dhe gjithashtu Drejtuese e Grupit Ndërkombëtar të Studimeve Katolike.

Shenjtorët shpesh nderohen përtej kufijve të tyre kombëtarë, territorialë, politikë e madje edhe fetarë, duke u bërë shembuj të gjallë se si të duash të tjerët, dhe si promovohen fqinjësia, madje dhe veçanërisht kur një fqinjësi e tillë duket të jetë e pamundur për natyrën njerëzore. Megjithatë, studimi i marrëdhënies me të mbinatyrshmen është ende një fushë kërkimi, e cila nuk ka tërhequr shumë vëmendjen e studiuesve në Ballkan, sidomos ndër shqiptarë, për arsye nga më të ndryshmet. 

Studimi i rastit të Nënë Terezës, e cila lindi dhe u rrit jo vetëm në kohë trazirash, por edhe në një rajon ku vlerat etnike, fetare, ekonomike, kulturore dhe arsimore përplaseshin në mënyrat më ekstreme, është një përpjekje për t’iu qasur kësaj teme, marrëdhënia e njerëzve me të mbinatyrshmen, nga këndvështrimi i studiuesve. 

Fuqia e një shenjtori shfaqet më shpesh në këto kohë dhe rrethana, pasi shenjtori bie më shumë në sy për shkak të paqes që sjell. Veçanërisht, përkushtimi ndaj shenjtorëve që jetonin në zona konflikti dihet se inkurajon unitetin dhe paqen. Në këtë konferencë synuam të tregojmë se si Nënë Tereza bashkon botën përmes dashurisë së saj për njerëzimin. Duke theksuar sa më shumë shpirtin e saj bashkues dhe paqeruajtës, ne eksploruam jo vetëm se si një person mund të ndryshojë botën, por edhe sesi njerëzit bashkohen dhe ndërveprojnë rreth shenjtorëve, duke përmirësuar marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin.

Në ditën e parë të konferencës, më 9 qershor 2022, në orën 10:00, pjesëmarrësit e aktivitetit u përshëndetën ngrohtësisht nga znj. Gentiana Mburimi, e ngarkuar me punë e Republikës së Shqipërisë në Hungari dhe bashkorganizatore e konferencës, si dhe nga H. E. Gjeneza Budima, ambasadore e Republikës së Kosovës në Hungari. Z. Avni Hafuzi, Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Pécs, Hungari, e mbështeti konferencën me logjistikën e nevojshme gjatë pushimeve të kafesë, duke e bërë të këndshme për pjesëmarrësit vazhdimin e prezantimeve dhe të diskutimeve të tyre. Z. Hafuzi shpalosi edhe disa nga planet e afërta me këtë rast, ndër të cilat më e rëndësishme është vendosja e dy pllakave përkujtimore me himnin e Nënë Terezës në dy qytete hungareze: Pécs dhe Ajka.

Fjalimi plenar, u mbajt nga Prof. Dr. Ines Murzaku, i titulluar “Gratë ballkanike: Edukueset e Revolucionit të Brishtësisë të Nënë Terezës”, ofroi një pasqyrë të thellë se si Nënë Tereza mund të trajtohet jo vetëm si një shenjtore, por edhe si një grua ballkanase, e cila u ushqye nga tradita vendase dhe e ktheu atë traditë lokale në një traditë universale. Ajo u ndal veçanërisht te revolucioni i saj i brishtësisë, i cili ndryshoi botën jo me anë të pushtetit dhe dhunës, por me gjeste të vogla të bëra me dashuri të madhe, siç ishte buzëqeshja pesë herë në ditë, jo vetëm atyre që perceptohen si ‘të këndshëm’, por veçanërisht të tjerëve që nuk janë aq ‘të këndshëm’. Ky panel i Prof. Dr. Murzaku pasqyron shumë nga libri i saj “Nënë Tereza, Shenjtorja e Periferive”, botuar nga Paulist Press (New York/ Mahwah, NJ) në vitin 2021.

Akademiku Shaban Sinani, nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dërgoi punimin e tij “Disa të dhëna për Atdheun e Nënë Terezës.” Në kontributin e tij, Akad. Sinani u ndal te vizitat e Nënë Terezës në Shqipëri në fund të viteve 1980’.

“Në fund të viteve 1980 Nënë Tereza pati mundësinë të vizitonte Shqipërinë. Vizitat e para të saj janë përfolur me e pa të drejtë. Ka sunduar pikëpamja se Nënë Tereza nuk u prit mirë, nuk iu rezervuan nderet që meritonte, nuk iu dëgjuan këshillat dhe kërkesat e të tjera. 

Në të gjitha këto ka të vërteta të pjesshme. Vetë fakti që Nënë Tereza nuk i ndërpreu më vizitat në Shqipëri qysh prej vitit 1989 tregon se kontakti i parë me këtë vend qe pozitiv. Por çfarë del prej burimeve? Me vizitën e parë të Nënë Terezës në Shqipëri edhe qendrimi i autoriteteve shtetërore të kohës reflekton ndryshime pozitive. Shprehje e këtij reflektimi është vendimi i këtyre autoriteteve për t’i propozuar Nënë Terezës dhënien e pasaportës së shtetit shqiptar. Sigurisht, kjo nuk ishte një çështje e lehtë as për t’u hapur dhe as për t’u zgjidhur. Nënë Tereza kishte, sikurse dihej botërisht, përveç pasaportës italiane, të Vatikanit, të Britanisë dhe Indisë, edhe pasaportë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, shteti shqiptar, për afro një gjysmë shekulli, i kishte refuzuar asaj edhe hyrjen në tokën ku preheshin varret e prindërve dhe familjarëve. 

Në fillim të vitit 1990, me iniciativën e ish-kryetarit të shtetit R. Alia, u bë përpjekja e parë për të marrë informacionin e nevojshëm nëse dhënia e një pasaporte shqiptare do të ishte një veprim i mirëpritur nga Nënë Tereza apo, përkundrazi, kjo mund të shkaktonte një problem tejet të ndërlikuar për gjykimin e raporteve të saj me Shqipërinë, më të ndërlikuar ngasa paraqite në debatet e tashme. Për këtë, nga ana e autoriteteve shtetërore të kohës, u kërkua ndihma e bashkësisë së krishterë San Egidio, e cila kishte raporte konfidenciale me Nënë Terezën dhe, në çdo rast, duke përfshirë edhe rastin më të keq, refuzimin, kjo mund të mbetej një çështje e trajtuar gojarisht. 

Ashtu sikurse pritej, Nënë Tereza jo vetëm nuk e kundërshtoi marrjen e pasaportës shqiptare, por e konfirmoi menjëherë pranimin e saj. Duke qenë se një vizitë e rendit e Nënë Terezës në atë periudhë nuk dukej e afërme, u vendos që pasaporta t’i çohej dorazi në Itali, duke pasur gjithnjë ndërmjetësinë dhe mbështetjen e komunitetit të San Egidio-s. 

Kështu, prej vitit 1991, Nënë Tereza zyrtarisht ka mbajtur edhe pasaportën shqiptare, krahas pasaportave të tjera të përmendura tashmë, të cilat nuk ishin rastësore. Pasaporta e Vatikanit dhe ajo e Italisë lidheshin me qendrën e krishtërimit perëndimor, rreth të cilit vepronte misioni i motrave të Nënë Terezës. Pasaporta britanike lidhej me qendrimin relativisht të gjatë të saj për shkollim e formim, deri në hyrjen në rrugën e misionit të bamirësisë dhe të humanizmit. Pasaporta e Indisë lidhej me kryeqendrën e shërbimit të saj. Pasaporta amerikane ishte shprehje e përmasës globale të saj si figurë. Ndërsa pasaporta shqiptare shprehte raportin me dheun e të parëve. 

Pranimi i një pasaporte, në terma juridikë, do të thotë pranim i shtetësisë së vendit që e ka lëshuar atë, ashtu sikurse lëshimi i një pasaporte është akt juridik, që ka të bëjë me njohjen e shtetësisë dhe të detyrimit të mbrojtjes së shtetësisë. Nënë Terezës, nga autoritetet shqiptare, iu dha pasaportë diplomatike, shkalla më e lartë e identifikimit zyrtarshtetëror. Të gjitha këto veprime sigurisht kanë lënë gjurmët e veta në praktikën shkresore të institucionit të kryetarit të shtetit dhe të shërbimit konsullor. Ne nuk e dimë nëse Nënë Tereza pati rast ta përdorte ndonjëherë pasaportën e shtetit shqiptar. Dihet fare mirë se ajo nuk kishte kurrfarë nevoje për atë pasaportë. Vendimi për ta pranuar atë ishte vendim për të shprehur një raport specifik me Shqipërinë, raport që në një dokument pak më të hershëm ajo e ka shprehur në mënyrën më të qartë dhe më domethënëse.”

Në sesionin e pasdites, Arben Arifi, studiues nga Kosova, foli për ndikimin e traditës shqiptare në formimin e Nënë Terezës. E lindur në Shkup, në një familje katolike shqiptare, Nënë Tereza u përball me nivele ekstreme shoqërore mes të pasurve dhe të varfërve që në fëmijëri. Solidariteti, humanizmi dhe bamirësia që mbizotëronte te shqiptarët, sipas Arifit, ishte ajo që i hapi rrugëtimin që në fëmijëri. Tradita shqiptare nga erdhi Nënë Tereza, pasi prindërit e saj vinin të dy nga trevat e Kosovës së sotme, tregon se ajo vetë është shembulli më modern i atij përkushtimi që vinte nga tradita e krishterë shqiptare me rrënjë apostolike. Në seancën e pyetjeve u debatua për origjinën e prindërve të Nënë Terezës. Tashmë është një fakt i vërtetuar se babai i Nënë Terezës ka ardhur nga Prizreni, por nëse nëna e Nënë Terezës është me origjinë nga Bishtazhini apo Novosello, komuna e Gjakovës në Kosovë, kjo ndonjëherë është e diskutueshme midis studiuesve, dhe u diskutua edhe në këtë sesion.

Musa Ahmeti, studiues në Qendrën për Studime Shqiptare, Budapest, ka folur për disa letra të Nënë Terezës, të cilat hedhin dritë mbi vizitën e parë të Nënë Terezës në Shqipëri. Procès-verbali i vizitës së parë të Nënë Terezës ishte jashtëzakonisht interesant, pasi dokumentonte gjithçka që u bë në këtë vizitë. Letrat i janë dhënë dr. Ahmetit nga Kolec Çefa, një studiues shqiptar, i cili ka një arkiv të pasur në burime të shkruara dokumentare katolike gjatë komunizmit dhe në vitet pas rënies së komunizmit. Shumica e këtyre burimeve tani gjenden në arkivin dhe bibliotekën e Urdhrit Françeskan në Shkodër. Këto procesverbale dhe letra hedhin dritë mbi mënyrën se si Nënë Tereza u prit nga presidenti Ramiz Alia në vizitën e saj të parë dhe se si ajo i hapi rrugën tolerancës fetare në Shqipëri. Është interesante të shihet se ajo, Nënë Tereza, ishte jo vetëm e sigurt në marrjen e asaj që kërkonte, pra shtëpisë për motrat e saj në Shqipëri, por ajo po i sugjeronte edhe një mënyrë të re të menduari një shoqërie që e konsideronte fenë si sakrilegj.

Sokol Paja, kryeredaktor i gazetës më të vjetër shqiptare në SHBA “Dielli/The Sun”, prezantoi (përmes Paulin Markut) një kumtesë për vizitat e Nënë Terezës në Shqipëri sipas gazetës më të vjetër shqiptare “Dielli/The Sun”. Në këtë punim, jo vetëm që u informuam për të gjitha rastet kur Dielli raportonte për Nënë Terezën në përgjithësi, por edhe u analizuan këto raporte që nxisnin identitetin e shqiptarëve në SHBA, duke treguar rregullisht origjinën e Nënë Terezës, si dhe si lidhej ajo me shqiptarët.

Anthony Nicotera, JD, DSW, LSW, Asistent Profesor në Universitetin Seton Hall dhe drejtor i Programit të Certifikatave të PostMasterit në NYU në Spiritualitet dhe Punë Sociale, prezantoi punimin me titull “Ku është Dashuri? Akademia e Mendimit Social Katolik në Veprim të Nënë Terezës dhe Universitetit Seton Hall.” Në kontributin e tij ai përdori koncepte të zhvilluara prej tij si ‘Shih, Reflekto, Vepro, cikli i procesit të të kuptuarit’ si një mjet për të eksploruar mësimet e nxjerra rreth dashurisë dhe fqinjësisë së mirë, mësime këto të inspiruara nga koha e kaluar dhe e jetuar në Kalkutë me Shën Nënë Terezën dhe Misionarët e Bamirësisë. Interesimi i tij për këtë temë, filloi gjatë kohës që ishte në Kalkutë, kur Nënë Tereza e pyeti “Ku është dashuria?” I frymëzuar nga kjo pyetje, Dr. Nicotera, në bashkëpunim me Dr. Dawn Apgar dhe Prof. Dr. Ines Murzaku, bashkëthemeluan Akademinë e Mendimit Katoliko-Social në Veprim të Universitetit Seton Hall, një kryqëzim i Studimeve Katolike dhe Punës Sociale, e cila synon të promovojë spiritualitetin e dashurisë dhe të shërbimit, duke vënë në qendër ata që janë në periferi, në përputhje me këndvështrimin e shenjtë dhe profetik të Nënë Terezës, dëshmitar i së cilës ishte vetë.

Angazhimi dhe vizioni i Akademisë na bën thirrje sipas fjalëve të Nënë Terezës, të vëzhgojmë që “nëse nuk kemi paqe, ndodh sepse kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit”. Nëpërmjet shërbimit, kërkimit shkencor, mësimdhënies, bisedave, seminareve dhe konferencave, Akademia sfidon studentët dhe komunitetin e saj që të përqafojnë dinjitetin e natyrshëm dhe ndërlidhjen e të gjithë njerëzve, të të gjithë jetës. Në frymën e Nënë Terezës, Akademia bën thirrje për një pedagogji dhe praktikë të shenjtërisë, përkatësisë, komunitetit të dashur, ndërqenies, dashurisë revolucionare dhe një praktike të punës sociale shpirtërisht sensitive, shoqërore të drejtë dhe transformuese, e cila është zhvilluar edhe nga nstudiues si Murzaku ( 2021); Teresa, 1997, 2007), Dr. King (2000), Thich Nhat Hanh (1993, 2014) dhe Valerie Kaur (2020), Canda, (2020), Dudley (2016), Nicotera (2019, 2022), Pyles (2018).

I pyetur në sesionin e pyetjeve, nëse ishte i ndikuar nga Paulo Freire dhe “Pedagogjia e tij e të Shtypurve,” Dr. Nicotera konfirmoi se vepra e Freire kishte qenë një vepër themelore për kërkimin e tij shkencor dhe për punën e tij si edukator dhe aktivist, por sigurisht e përmirësuar përmes filozofisë katolike të Nënë Terezës.

Etleva Lala, drejtuese e Programit të Studimeve Shqiptare, Universiteti ELTE, Budapest, foli për mënyrën e fqinjësisë së Nënë Terezës ndryshe nga fqinjësia tradicionale në Ballkan. Në fillim, ajo foli për përvojën e saj me burimet e Penitencierisë së Shenjtë në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe sesi Penitencieria e Shenjtë krijoi një kulturë të krishterë në Perëndimin Katolik, ku falja publike dhe harresa publike pozitive dhe e qëllimshme institucionalizohen në një mënyrë të tillë që individi të mos mund të përdorë ndjenjat e tij për të patur ndikim në paqen dhe kulturën e përbashkët të komunitetit.

Penitencieria e Shenjtë, Sacra Penitentiaria Apostolica (SPA) u krijua në shekullin e dymbëdhjetë nga Selia e Shenjtë dhe ishte par excellence instrumenti me anë të të cilit Papa jepte hirin e tij te ata që kishin më së shumti nevojë për të. Detyra e Penitencierisë së Shenjtë ishte të gjykonte lutjet me shkrim të atyre që kishin shkelur në çfarëdo mënyre normat fetare-kanonike dhe përfundimisht t’i falte ato. Në fillim, në Penitencierinë e Shenjtë aplikonin vetëm ata që dëshironin të fillonin një karrierë kishtare ose të ruanin statusin e klerikut, duke kërkuar të ndryshonin disa parregullsi në jetën e tyre si lindje të jashtëligjshme, defekte fizike, etj. ose të faleshin për një krim ose të merrnin një përfitim (përjashti nga agjërimi i detyrueshëm, leje për të kaluar nga njëri Urdhër monastik në një tjetër, etj.). Megjithatë, gradualisht kompetencat e Penitencierisë së Shenjtë u rritën në mënyrë që të përballonin kërkesa që vinin nga të gjitha grupet shoqërore dhe të përballeshin me shkeljet të llojeve të ndryshme. Detyra e Penitencierisë së Shenjtë ishte formuluar “sigurimi i ilaçit dhe mjekimit nga mëkatet” dhe duke qenë se pothuajse çdo devijim apo sjellje e keqe në Mesjetë perceptohej si mëkat, nga mesi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë Penitencieria e Shenjtë zotëronte kompetencë juridike pothuajse universale duke u bërë një ndër tre instancat më të rëndësishme në botën e krishterimit perëndimor.

Arsyeja se pse Penitencieria e Shenjtë përmendet në kontekstin ballkanik është se Nënë Tereza ushqehej nga një traditë e krishterë katolike dhe për këtë arsye ajo ishte në gjendje të krahasonte ndikimin që falja publike dhe harresa publike kishin në jetën sociale të krishterimit perëndimor dhe veçanërisht në fqinjësi e mirë. Duke marrë përsipër përgjegjësinë për të trajtuar konfliktet dhe krimet, Peniteniceria e Shenjtë i ofronte shpengim gjithë shoqërisë, sepse pas faljes që ofronte Penitencieria e Shenjtë, krimet mund të faleshin dhe të harroheshin jo vetëm në qiell, por më e rëndësishmja në komunitet dhe sidomos në fqinjësi, gjë që normalisht është pothuajse e pamundur për t’u bërë. Me marrjen e faljes nga Penitencieria e Shenjtë, gjë që vërtetohej nëpërmjet indulgjencës (e cilat më vonë filloi të keqpërdorej pikërisht për shkak të pushtetit të madh të faljes që përmbante), askush nuk lejohej të përmendte mëkatin/krimin e kryer e që tashme ishte falur, sepse duke qenë se ai ishte trajtuar e falur nga Zoti, përfaqësuesi i të cilit, në këtë rast ishte Pentencieria e Shenjtë, asnjë person nuk do të guxonte të tregohej më i lartë se Zoti dhe ta përmendte atë që konsiderohej e falur dhe e harruar.

Në Kishën Lindore nuk ekzistonte asnjë institucion qendror që do të zëvendësonte Penitencierinë e Shenjtë, në kuptimin që ai ofronte falje për mëkatet dhe krimet e kryera dhe shpengimin jo vetëm për mëkatarin/kriminelin, por për të gjithë shoqërinë. Kisha Ortodokse Lindore nuk ka fuqinë institucionale për shpallur publikisht dhe universalisht faljen e një krimi, edhe kur e fal vetë kriminelin/ mëkatarin e penduar, por vetëm ta dënuar atë publikisht dhe të bëjë thirrje për t’u distancuar prej tij. Individi që kryen një krim, pra, jo vetëm dënohet zyrtarisht nga autoritetet në pushtet (laike ose fetare), si dhe nga komuniteti duke i atribuar atij një reputacion të keq, por ajo që është më fatale është se familja e viktimës kërkojnë të marrin çështjen në dorë, duke kërkuar shpagim apo hakmarrje ndaj një krimineli/ mëkatari të padënuar mjaftueshëm për sytë e tyre. Kujtimi i veprës së kriminelit/ mëkatarit vazhdonte dhe vazhdon të jetojë jo vetëm në kohën kur kryhet krimi, por përcillet edhe te brezat pasardhës, duke e kthyer atë një traditë të helmuar të mbushur me urrejtjeje, gjykime dhe paragjykime. Këto kujtime të vjetra krijojnë një fqinjësi, e cila nuk është kurrë aq e besueshme sa do të duhej të ishte.

Pamundësia për të njohur apo parashikuar qëndrimin e fqinjëve, duke mos njohur të kaluarën e tyre largët, nga njëra anë krijon një kulturë të fortë gojore që përpiqet të edukojë dhe të paralajmërojë komunitetin për burimet nga mund të vijnë rreziqet e mundshme, sigurisht duke forcuar këtu edhe paragjykimet për njërëz të caktuar apo familje të caktuara etj., nga ana tjetër krijon një sfond mosbesimi në lidhjen me fqinjët, gjë që shfaqet veçanërisht në kohë krizash dhe/ose luftërash. Në shumicën e rasteve, është fqinji që raportohet se është i tjetërsuar pa një arsye të dukshme apo të kuptueshme dhe që vepron më dhunshëm dhe më agresivisht se të tjerët, dhe kur pyeten për këtë sjellje, gjithmonë raportohen histori të vjetra që vijnë nga brezat e mëparshëm apo paraardhësit. Edhe sikur krimi të ishte kryer pa dëshirë dhe krimineli të ishte penduar, ajo që është bërë është e pamundur të zhbëhet, pra pothuajse e pamundur për të shpëtuar nga pasojat për të dhe për gjithë familjen dhe brezat e ardhshëm.

Përveç komuniteteve të krishtera (katolike dhe ortodokse), Shkupi kishte dhe vazhdon të ketë një komunitet të madh mysliman. Kur flitet për krimin dhe fqinjësinë, feja myslimane ka futur kurbanin dhe dhurimin e të mirave materiale, apo edhe udhëtimin për në Mekë si një rrugë shpengimi nga mëkatet, gjë që pranohet edhe nga komuniteti. Sa më i madh të jetë mëkati, aq më e madhe edhe sakrifica materiale që duhet të bërë, gjë që deri diku i sjell shpengim edhe komunitetit, edhe pse subjektiviteti me të cilën matet faji me sakrificën e bën këtë mjet të pasigurt sidomos kur bëhet fjalë për krime të rënda. Kujtimi i mëkatit mbetet në komunitet, me rrezikun që mund të dalë në sipërfaqe në rastin më të keq të mundshëm, dhe kjo është një bazë për mosbesim.

Nëse marrim parasysh një analizë vertikale në historinë e konvertimit mysliman, të paktën në Ballkan, një element tjetër mosbesimi mund t’i shtohet komunitetit myslimane, parë nga këndvështrimi i fqinjëve të krishterë. Sundimi osman nuk detyroi një konvertim me forcë në mysliman siç bëri krishtërimi në Perëndim me moton “Cuius regio, eius religio” (e kujt toka, e atji feja). Në fillim, sundimi mysliman iu qas individit si individ dhe jo si subjekt i një mbretërie që duhej qasur nëpërmjet konvertimit të mbretërve, siç bënte normalisht Krishëtrimi. Në këtë mënyrë individit iu dha liria që të qëndronte i krishterë dhe të paguante taksa ose të konvertohej dhe të jetonte pa taksa. Për këtë arsye, ata që u konvertuan në fenë myslimane ndaheshin në dy kategori nga këndvështrimi i të krishterëve ortodoksë: nëse individët i kishin mjetet për të paguar taksat, por megjithatë preferonin të konvertoheshin për të përfituar më shumë privilegje, ata bënin pjesë në grupin e oportunistëve. Grupi tjetër ishte ai që përbëhej nga njerëz që nuk i kishin mjetet për të paguar taksa për për këtë arsye ishin të detyruar të konvertoheshin në myslimanë, sepse kjo ishte e vetmja mënyrë për të mbijetuar materialisht. As i pari, oportunistët, dhe as i dyti, të varfërit, nuk gëzonte reputacion të mirë, sepse si ai që ishte i paqëndrueshëm nuk ishte i besueshëm, ashtu edhe ai që ishte i varfër, sepse varfëria konsiderohej si mungesë bekimi nga Zoti, nëse jo mallkim, që ishte e dukshme përmes kësaj gjendjeje. Të qenit i varfër në Perëndim u transformua në virtyt nga Urdhërat fetarë, sidomos nga mendikanët, por në Lindje nuk ishte virtyt.

Përveç myslimanëve të mirëfilltë, në Shkup ishin edhe bektashinjtë, një sekt mysliman i cili nuk pranohet nga feja myslimane. Bektashinjtë futën një dimension tjetër të perceptimit fetar të individit, përkatësisht moton “E mira dhe e keqja ekzistojnë brenda secilit prej nesh”. Ndërkohë që të gjitha fetë e tjera e luftojnë të keqen te çdo njeri dhe përpiqen t’i bëjnë njerëzit të distancohen jo vetëm nga e keqja si koncept, por edhe nga personi që ka shfaqur një shenjë të së keqes në vetvete, mirëkuptimi progresiv i bektashinjve për të keqen, duke e konsideruar atë pjesë të së mirës ekzistuese në çdo qenie njerëzore, si dy pjesë të pandashme të gjithçkaje që ekziston, sjell në një masë të madhe një relaksim jo vetëm te njerëzit me vetveten por edhe me fqinjët. Duke qenë se teorikisht të gjithë janë kriminelë potencial sipas bektashinjve, sepse e keqja ekziston tashmë tek secili prej nesh, ky perceptim i ri ofron një tolerancë të madhe për tjetrin jo vetëm brenda komuniteteve bektashiane, por për mbarë komunitetin sidomos atë shqiptar, pasi bektashinjtë u bënë drejtues të lëvizjes kombëtare në Shqipëri, duke promovuar “shqiptarizmin” mbi çdo fe.

Nënë Tereza, pra, e rritur në një mjedis të tillë, pasi Shkupi ishte një qytet multikulturor, me popullsi të ndryshme etnike dhe fetare, ishte njohur që e vogël me këndvështrimet e një fqinjësie të tillë e përbërë nga gjithë botëkuptimet e përmendura më sipër. Ortodoksët e pasur legjitimisht krenarë (mos harroni se ata kishin paguar taksa të larta te sundimtarët osmanë për të mbijetuar si ortodoksë) i shikonin muslimanët oportunistë apo të varfër, të cilët ose për shkak të varfërisë ose për shkak të lakmisë, kishin ndryshuar fenë dhe nga kjo pikëpamje nuk përfaqësonin fqinjësi të mirë për të. Nga ana tjetër, nomen est omen dhe duke qenë se ‘ortodoks’ që do të thotë ‘i drejtë’ ‘që kërkon Zotin sinqerisht’, ortodoksët, që të ndiheshin të pranuar nga Zoti, kërkojnë gjithmonë të shmangin mëkatarët që i shpie në mëkat, duke u distancuar prej tyre. ‘Katolik,’ nga ana tjetër, do të thotë ‘universal,’ gjë që shpjetohet edhe në moton sipas të cilëve jetojnë katolikët, një përpjekje e vazhdueshme për t’i folur botës dhe për të arritur të gjithë njerëzit për Krishtin duke u predikuar atyre dhe jo duke e shmangur atë. Kjo është arsyeja se përse katolikët kanë zhvilluar kaq shumë qasje shoqërore misionare, të cilat në raste ekstreme shkonin madje deri te kryqëzatat famëkeqe.

Nënë Tereza sigurisht që u përball shumë herët në jetën e saj me të gjitha këto kontradikta brenda qytetit të saj relativisht të vogël. Ajo ndoshta nuk ishte e vetëdijshme për rrënjët e këtyre forcave kundërshtare, siç u paraqitën më lart, por padyshim ishte e vetëdijshme për ekzistencën e tyre pasi situata ishte dhe është ende e dukshme edhe në ditët e sotme në Shkup. Nëse në lutjet e saj, ajo donte të dinte vendin e saj në këtë botë, ndjekja e Jezusit ishte padyshim përgjigja e të gjitha lutjeve të saj, pasi kjo gjë bëhet vazhdimisht e dukshme në veprimet e saj. Nëse Jezusi ndryshoi mënyrën e lidhjes së njerëzve me Zotin dhe me njëri-tjetrin, duke krijuar vlera të ndryshme nga ato tradicionale në komunitetin hebre, po kështu edhe Nënë Tereza krijoi vlera të ndryshme nga ato që gjeti. Ajo e kuptoi se është familja dhe fqinji ishin pikënisja e një shoqërie dhe ndryshimi fillonte aty, kështu që filloi të zbatonte misionin e saj atje ku ishte me atë që i ishte dhënë.

Fqinjësia e re e promovuar nga Nënë Tereza bazohej tërësisht në imazhin e Jezusit. Jezusi u lau këmbët dishepujve, duke ulur veten para tyre, dhe po kështu bëri edhe Nënë Tereza: duke ulur veten përpara njerëzve më të ulët dhe të parëndësishëm të shoqërisë ajo u shërbyer trupave të tyre tokësorë, duke i prekur, shërbyer dhe trajtuar. Jezusi ishte furnizues, sepse u ofronte ushqim të uriturve (peshk, bukë, verë), dhe po ashtu edhe Nënë Tereza: misionin e saj kryesor ajo e shihte në ushqimin që u jepte të uriturve dhe të varfërve. Jezusi nuk ushqeu vetëm me ushqim material trupat tokësorë, por edhe shpirtrat e tyre: ai u jepte paqe të frikësuarve (dishepujt në stuhi), të shqetësuarve për të ardhmen, lakmitarëve (taksambledhësit), të sëmurëve, të dobtëve dhe po kështu bëri dhe Nënë Tereza: krahas të mirave materiale, ajo jepte gjithmonë edhe një fjalë inkurajuese, e cila vlen edhe sot e kësaj dite për secilin prej nesh si dhe për motrat e saj. Ajo që është më e rëndësishmja, Nënë Tereza mendonte përtej normales, njëlloj si Jezusi: Jezusi bënte gjëra jotradicionale, të cilat e tronditën botën rreth tij: ai foli me një grua samaritane (e ndaluar për judenjtë), me një prostitutë, me një taksambledhës, e la veten të prekej nga një grua e ndotur (sepse një grua me menstruacione quhej e ndotur dhe ndoste këdo që prekte), madje edhe ponoi ditën e Sabatit, apo i vuri baltë apo i pështyu në sy një fukarai të verbër, gjëra skandaloze për çdo shoqëri. Nënë Tereza ishte gjithashtu shumë e guximshme dhe radikale në shumë mënyra, duke mos pasur frikë asnjë pushtet laik, por vetëm Zotin. Në këtë mënyrë, Nënë Tereza ndryshoi perceptimin për tjetrin, duke ndryshuar kështu edhe vlerat mbi të cilat bazohet fqinjësia.

Mëngjesin e së premtes, më 10 qershor 2022, konferenca filloi me një tryezë të rrumbullakët diskutimi me Motrat e Nënë Terezës në Budapest, të udhëhequr nga motra Bilung Mary Romana MC Leader dhe moderuar nga Prof. Dr. Ines Murzaku dhe Dr. Etleva Lala. Ishte një përvojë unike të kishe një njerëz kaq të mençur dhe paqedashës mes nes, të cilat duke rrëfyer për stilin e jetës dhe misionin e tyre si motra të Nënë Terezës, tregonin edhe për përvojat personale me vetë Nënë Terezën. Duke shfaqur një mençuri të thellë, të qetë, të pabujshme, mbresëlënëse, me siguri të fituar nga rregulli i Nënë Terezës, misioni i tyre shkonte dukshëm përtej dallimeve fetare. Ata synonin rikthimin e dinjitetin njerëzor individëve me të cilët takoheshin, e jo thjesht plotësimin e nevojave të tyre. Nëpërmjet shembujve ata treguan se si i trajtojnë njerëzit në nevojë pa i ngarkuar me mësime fetare, por duke i rikthyer fizikisht dhe shpirtërisht në versionin më të mirë të vetes së tyre dhe në të njëjtën kohë duke u lënë atyre lirinë për të bërë zgjedhjet e tyre në jetë. Pjesëmarrësit e konferencës patën rastin të bënin pyetje dhe madje të shkëmbenin përvoja personale që kishin të bënin me dallimet sociale, fetare, etnike, ekonomike apo të tjera me të cilat motrat e Nënë Terezës, ashtu si Nënë Tereza vetë, sfidoheshin në jetën e përditshme.

Besnik Rraci dhe Sadik Krasniqi, punonjës shkencorë në Muzeun Shtetëror të Kosovës, na përcollën shumë bukur kontributin e Shoqatës Humanitare të Nënë Terezës gjatë viteve 1990-1999 në Kosovë, gjë që shfaqi konkretisht frymën që Motrat e Nënë Terezës kishin përcjellë në mëngjes. Shoqata humanitare “Nënë Tereza”, e cila kishte funksionuar në vitet 1990-1999 në Kosovë e më gjerë, ishte bërë jashtëzakonisht me ndikim dhe përhapje te shqiptarët në Kosovë dhe jashtë saj, vetëm për shkak se u afrohej individëve pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare. Shqiptarët në Kosovë përfituan shumë nga shërbimet e ofruara vullnetarisht nga profesionistë të ndryshëm brenda dhe jashtë Kosovës si dhe nga shumat e mëdha të parave të mbledhura nga shqiptarët jashtë vendit. Sistemi ishte aq mirë i organizuar dhe i dokumentuar saqë absolutisht nuk u regjistrua asnjë abuzim dhe nuk u përfol kurrë në këtë drejtim. Dokumentacioni i sjellë ishte shumë mbresëlënës, jo vetëm përsa i përket punës së bërë për mbledhjen e tij, por edhe për punën akoma më të madhe që është bërë për krijimin e tij.

E vetmja kandidate për doktorratë që patëm në këtë konferencë, Albulena Bilalli, foli për ngjyrat e Nënë Terezës, duke i prezantuar ato nga pikëpamja shkencore, pasi ajo është një shkencëtare e ngjyrave dhe dritës dhe hulumton efektin që ngjyrat e ndryshme kanë në psikologjinë e individëve dhe si mund të përdoren këto efekte për të përçuar mesazhin e dëshiruar. Kjo shkencë përdoret gjerësisht në botën urbane përsa i përket reklamave. Si u zgjodhën ngjyrat e veshjes së Nënë Terezës, efekti që kanë, tradita që ndjekin dhe si u institucionalizuan si një simbol i dallueshëm i një misioni të madh, ishin vetëm disa nga pyetjet që ajo trajtoi në prezantimin e saj dhe mezi presim që ketë punimin e saj ta shohim në formë të botueshme. Ndër pyetjet që ju bënë ishte edhe nëse mbulimi i kokës me shami të bardhë është vazhdimësi e zakonit të nënave shqiptare. 

Në përfundim, ne diskutuam për mënyrat, se si subjektet fetare, si shenjtorët, vendet e mira, objektet e shenjta etj., dhe lidhja e njerëzve me të mbinatyrshmen, një fenomen shumë i përhapur në Ballkanin Perëndimor, mund të bëhen objekt i një debati më të gjerë shkencor. Këto tema mund të trajtohen në mënyrë shkencore, për të hedhur dritë mbi këtë aspekt i kulturës vendase, e cila ishte gjithmonë pjesë e qenies njerëzore, dhe shembuj sesi kjo mund të bëhet me sukses ka plot tashmë në historiografi. Kjo temë bëhet akoma më e nevojshme kur shihet se refuzimi i temave fetare është kaq ekstrem në historiografinë shqiptare, saqë edhe burimet mesjetare hidhen poshtë mbi këtë bazë, siç ndodh shpesh me Statutet e Kapitullit të Katedrales së Drishtit. 

Hapja e debatit shkencor ku elementi fetar duhet të jetë pjesë e diskursit shkencor, është sigurisht një rrugë e gjatë, por duke qenë se ka kaq shumë shembuj të mirë për të ndjekur nga historiografia ekzistuese, nuk është mision i pamundur, dhe me këtë konferencë shpresojmë të kemi hapur një seri eventesh të tilla ku tema të tilla të trajtohen shkencërisht. 

© Të gjitha të drejtat e rezervuara nga autori dhe gazeta Dielli

Filed Under: Politike Tagged With: Etleva Lala

KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON

June 25, 2022 by s p

458927_403011589742181_361152979_o-1024x768.jpg

Ndriçim Kulla*

*Autor i librit “Mardhëniet Shqiptaro -Amerikane”

 Në vigjilie të  festimit  të 100 vjetorit të mardhënieve shqiptaro- amerikane

    Viti 1926 është një vit me rëndësi në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Në këtë vit mori fund ajo anomali që, megjithëse marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA ishin lidhur që në 1922, Shqipëriapër më shumë se katër vjet nuk kishte as legatë dhe as ministër fuqiplotë në Ëashington, në kohën që Amerika kishte të tillë në Tiranë. Sidoqoftë, ky nuk ishte një ngërc diplomatik shqiptaro-amerikan, por një sherrnajë politike shqiptare, e brendshme. Mënyra sesi u kapërcye kjo është një provë e efektit moderues që kishte nisur të bënte te palët konfiktuale politike shqiptare, koncepti i tyre i përbashkët për rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Ahmet Zogu, i cili u bë president i Shqipërisë në 1925 dhe Fail Konica, ishin dy kundërshtarë të egër politikë, të cilët nuk mund të jetonin dot të dy bashkë në Shqipëri. Por ata bënë një kompromis për shkak të konceptit të përbashkët që kishin për rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, që Konica të ishte përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Washington, i dërguar nga Zogu, dhe të vinte në Shqipërinë e sunduar nga Zogu aq sa duhej minimalisht të shkelte në vendin e tij një zyrtar që mbante këtë detyrë të lartë, një herë kur të merrte emërimin dhe herën e dytë kur kryetari i shtetit të shpallej mbret. Ky mund të quhet pajtimi i parë që Amerika iu ka bërë palëve kundërshtare politike në Shqipëri, vetëm me hijen e saj si të thuash, pa ndërmjetësimin e ambasadorëve të saj në Shqipëri, siç ka ndodhur shumë herë më vonë, deri në ditët tona.

     Pas këtij kompromisi, më në fund, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë i dërgoi Departamentit të Shtetit në Washington emrin e Faik Konicës për të marrë pëlqimin për të si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Vetë kërkesa ka përbërë lajm të bujshëm jo vetëm në Departamentin e Shtetit, por edhe në Shtëpinë e Bardhë, në kuptimin humoristic të fjalës, për shkak të vonesës së madhe të saj, dhe kjo kuptohet nga fakti se kur shkresa i vajti për pëlqim Presidentit amerikan Coolidge, ai shkruajti me një ironi të lehtë mbi letrën e sekretarit të Departamentit të Shtetit Frank Kellogg që e njoftonte se Presidenti i Shqipërisë kishte emëruar si ministër fuqiplotë në Washington z. Faik Konica:

“Done. Let him come!” (E bërë, le të vijë!)

    Ministri fuqiplotë shqiptar në Ëashington po vinte më shumë se katër vjet pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike, në tetor 1926, por kjo vonesë nuk ishte për faj të SHBA. Sidoqoftë, Konica që në 16 korrik 1926, kishte shkelur në Departamentin e Shtetit, në Washington me letrat kredenciale në xhep si i pari përfaqësues diplomatik i rregullt i Shqipërisë dhe u prit nga Sekretari i Departamentit të Shtetit, Kellogg. Më 8 tetor 1926, Faik Konica shkeli në Shtëpinë e Bardhë, si i pari përfaqësues i rregullt diplomatik shqiptar në rangun e ministrit fuqiplotë. Atje ai u prit në sallën ovale nga Presidenti Coolidge. Për herë të parë një diplomat shqiptar, tha në Shtëpinë e Bardhë fjalët:

     Unë kam nderin që sot t’ i paraqes Shkëlqesisë Suaj letrat kredenciale, që vërtetojnë se Presidenti i Republikës së Shqipërisë më ka emëruar mua si të Dërguar të Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë në SHBA.

     Nëqoftëse në Ëashington ishte krijuar një përshtypje e keqe për Shqipërinë, për shkak të mungesës katërvjecare të përfaqësuesit diplomatik të Shqipërisë atje, Konica me sjelljen e tij bëri që kjo të harrohet dhe Shqipëria e parë nëpërmjet personit të tij, të jetë me një imazh që ishte ndjeshëm më i mirë se realiteti i vendit.

     Menjëherë pas akreditimit, Faik Konica bëri një gjest që buronte nga natyra e tij kalorsiake i cili bëri përshtypje të madhe në Amerikë. Ministri fuqiplotë shqiptar shkoi në Katedralen Kombëtare të Washingtonit, në atë pjesë të saj që quhet Kapela e Betlehemit. Atje ishte varri i ish-Presidentit Ëilson. Ministri fuqiplotë shqiptar kishte me vete një kurorë të jashtëzakonshme që rrallë ishte parë edhe si madhësi. Kurora me trëndafila rozë dhe të bardhë kishte një mbishkrim: “Nga Republika Shqiptare”.

    Me këtë gjest Konica donte të kompensonte atë përshtypje të keqe që kishte bërë Shqipëria me rastin e funeralit të Ëilsonit në 1924, kur për shkak se vendi ynë nuk kishte një ministër fuqiplotë në Washington, nuk kishte mundur t’ i bënte zyrtarisht nderimet që meritonte ky njeri të cilit Shqipëria i detyrohej aq shumë. Me këtë gjest të vonuar jo për fajin e tij, Konica donte t’ i tregonte Amerikës dhe botës se Shqipëria dinte të ishte mirënjohëse. Përveçse një detyrim ndaj Wilsonit, ky gjest ishte një veprim i zgjuar në public relations. Ky gjest nuk i shpëtoi shtypit të madh amerikan. “Albanian Minister at Tomb of Wilson” shkruante “Washington Post” në 26 tetor 1926.

    Që nga ky çast Konica me veprimet e tij do të ishte në vëmendjen e shtypit të madh amerikan. Madje mund të thuhet se asnjë ambasador tjetër shqiptar në SHBA, madje në botë nuk ka arritur që të jetë protagonist në vendin ku është akredituar, si dhe të jetë i pranishëm në shtypin e madh të atij vendi, sa Faik Konica. Dhe këtë e arriti falë cilësive individuale, si intelektual me kulturë të madhe që bënte përshtypje dhe në rrethet elitare amerikane, jo si ambasador i një vendi të vogël. Konica është i vetmi ambasador shqiptar deri më sot, që ka arritur të krijojë një reputacion si intelektual në Amerikë, përtej rrethit të shqiptarëve të atjeshëm. Konica, me njohuritë e tij shumë të mëdha për artin, duke përfshirë pikturën dhe skulpturën, u bë i ftuari i preferuar i galerive të mëdha amerikane dhe kjo anë e veprimtarisë së tij pasqyrohej edhe nga shtypi i madh amerikan.

     Në vitin 1932, kur Konica ishte një nga të ftuarit special në ceremoninë e hapjes së galerisë Sears Roebuck, gazeta e njohur Washington Post shkroi:

     Ministri fuqiplotë shqiptar, në një galeri arti, gjendet njëlloj sikur të ishte në shtëpinë e tij. Ai është i njohur te shumë nga miqtë e tij të afërt, vecanërisht gazetarët, për njohuritë që ka për veprat e artit bashkëkohor, dhe për vëzhgimin e mprehtë dhe kujtesën e jashtëzakonshme në këtë fushë.  

     Ministri fuqiplotë shqiptar nuk mund të mos binte në sy të shoqërisë së lartë të Uashingtonit duke qenë se ai ishte një nga spektatorët më të rregullt të sezonit të muzikës klasike në Constitutional Hall ku jepte koncerte Orkestra Simfonike Kombëtare Amerikane dhe në vazhdim të sezonit jepeshin edhe operat më të famshme botërore. Konica pati rastin një herë që të bisedonte në një pritje në Washington me dirigjentin më të madh të kohës në rang botëror, Arturo Toskanini dhe të dy u bënë miq që nga ai çast, një miqësi që u rrit sepse Toskanini emigroi në SHBA, për shkak se ishte kundërshtar i regjimit fashist italian.

     Konica, gjatë studimeve të tij për historinë e Shqipërisë, kishte studiuar thellësisht edhe Katolicizmin, jo vetëm në Shqipëri, por edhe atë europian. Këto njohuri e bënë atë të njohur në rrethet intelektuale katolike në SHBA, ku kishte një popullsi të madhe katolike. “The Chicago Daily Tribune”, një nga gazetat më të mëdha të Amerikës në atë kohë, shkruante për Konicën në 1933:

Z. Faik Konica, Ministri fuqiplotë shqiptar, megjithëse është mysliman, por njihet si një autoritet në fushën e njohurive për Katolicizmin, aq sa është një mik i mirëpritur në Legatën e Irlandës.

    Ndonëse Irlanda është një vend i vogël katolik në Europë, në Amerikë ambasada e saj ishte në atë kohë dhe është edhe sot një qendër e rëndësishme, sepse në SHBA ka një komunitet të madh irlandez. 

    Për arsyen e përmendur më lart, Konica ishte i mirëpritur në Universitetin Katolik të Washingtonit ku e ftonin për ligjërata me studentët dy miqtë e tij studiues të njohur, profesori i latinishtes në këtë universitet, Joseph Patrick Christopher dhe profesori i historisë së kishës, John K. Cartëright.

    Kur në 1935 një shtëpi botuese e njohur e kohës në Amerikë, “Robert McBride & Company” vendosi që të botonte edhe një histori të shkurtër të Shqipërisë, në kolanën e saj me libra të tillë nga vende të ndryshme të botës, iu drejtua për këtë qëllim Konicës, si studiues, jo si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë, duke i kërkuar që të ishte ai vetë që do ta shkruante librin, jo t’ i kërkonte që si ministër fuqiplotë, t’ i sugjeronte emrin e ndonjë studiuesi tjetër shqiptar.

     Konica nuk e përfundoi dot librin sa kohë ishte gjallë dhe libri u botua vetëm në 1957, kur Qerim Panariti e përfundoi mbi bazën e shënimeve të Konicës. Është fjala për librin e njohur të Konicës “Shqipëria: kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”.

     Konica shkonte çdo verë për pushime në resortin turistik luksoz bregdetar në Swampscott pranë Bostonit. Ai qëndronte në Hotelin “Ocean House” ku vinin Presidentë, senatorë, shkrimtarë të njohur, yje të kinemasë etj. Meqënëse Konica tanimë llogaritej si një anëtar i shoqërisë së lartë amerikane, nisja e tij për pushime përbënte lajm për shtypin e madh amerikan. 

     Si kurorëzim i famës intelektuale që arriti Konica në SHBA ishte çmimi “High Hat”(Kapelja e Lartë) që iu dha në 1938, pak kohë para se të linte detyrën, nga revista elitare amerikane “The Judge”. Këtë çmim që ndahej në një ceremoni ku merrte pjesë elita e shoqërisë amerikane, e kishin marrë para Konicës disa nga njerëzit më të famshëm të Amerikës, që nga Presidenti në pushtet, Roosevelt, guvernatori i Neë York Thomas Dewey, piloti i famshëm Charles Lindbergh, drejtori legjendar i FBI Edgar Hoover etj. Motivacioni me të cilin iu dha ky çmim Faikut, në një darkë të dhënë për nder të tij në një restorant të famshëm në Washington, ishte vlerësimi i merituar për të, që nuk i bëhej nga elita e shoqërisë amerikane:

     Në dymbëdhjetë vjetët e shkuar ai ka përfaqësuar përbukuri mbretërinë e tij ballkanike në Shtetet e Bashkuara; ka dëshmuar mirëkuptim për vlerat humane dhe politike; e ka këshilluar mbretin e tij që ta abrogojë postin e tij diplomatik; ka një dhunti të mprehtë për t’ u shprehur dhe një shpirt sportive brilant; sensi i tij i shkëlqyer i humorit i jep mundësi që të qeshë me gëzim me të tjerët, përposë faktit se ndaj kujt qesh; e ka bërë të respektuar zyrën e ministrit fuqiplotë; është besnik i madh ndaj Mbretit të tij, dhe me këtë ka fituar mirëkuptimin dhe respektin e qytetarëve amerikanë; cilësitë e tij fisnike të shumta, nuk i shpreh me bujë.

Me rastin e kësaj ceremonie Konica mbajti një fjalim të gjatë që rrezeatonte kulturë të lartë dhe që është i njohur pasi është botuar në veprat e tij. 

    I gjithë ky publicitet që kishte Konica në SHBA shkonte edhe në dobi të Shqipërisë, pasi në çdo rast ai përmendej si përfaqësuesi diplomatik i saj. Dhe amerikanët që nuk e kishin parë kurrë Shqipërinë, formonin një mendim të mirë për këtë vend, duke u nisur nga përfaqësuesi i tij diplomatik.

    Por Konica ishte shumë i angazhuar edhe në punën e tij të drejtpërdrejtë si diplomat. Ai punoi për arritjen e një serie marrëveshjesh ndërshtetërore me SHBA, ndoshta numri më i madh i marrëveshjeve ndërshtetërore që një vend i vogël si Shqipëria ka arritur të lidhë brenda një kohe të shkurtër me SHBA. Në 1936, Konica arriti që t’ i siguronte Mbretit Zog një ftesë nga ana e Presidentit Roosevelt për të bërë një vizitë zyrtare në SHBA, por Zogu në çastin e fundit e anuloi vizitën. Ishte koha kur liderë të vendeve ku e ku më të rëndësishëm se Shqipëria dëshironin të siguronin një ftesë nga Roosevelti, nga presidenti i bërë i famshëm pasi e nxorri me sukses vendin e tij të madh nga kriza ekonomike botërore dhe çdo vend donte ndihmën e SHBA. Këtë ftesë kaq të dëshiruar nga shumë kolegë të tij diplomat në Ëashington, Konica e ka siguruar me sa duket falë miqësisë së njohur që kishte me Sumner Welles, mikun dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të Rooseveltit.

    Refuzimi i ftesës për vizitë zyrtare në SHBA, nga ana e kryetarit të shtetit shqiptar do të përbënte një incident serioz në marrëdhëniet midis vendeve, në rast se nuk do të kishte arsye që e justifikonin këtë gjë. Prandaj kjo çështje meriton një analizë më të thellë.

    Duke refuzuar ftesën e siguruar nga Konica për një vizitë zyrtare në SHBA, Zogu humbi rastin që të bëhej kryetari i parë i shtetit shqiptar që vizitonte zyrtarisht Amerikën. Zogu e kishte të qartë se kjo ishte një humbje e madhe për të, ai e dinte rëndësinë e një vizite të tillë, se dy vjet më pas çoi motrat e tij për vizitë në SHBA. Zogu ka pasur arsyet e tij që e ka refuzuar ftesën. Qëndrimi i Zogut ndaj ftesës së Rooseveltit duhet parë në dy këndvështrime. I pari nëse Zogu ishte në dijeni për përçapjet që po bënte Konica në Ëashington për t’ i siguruar atij një ftesë për një vizitë zyrtare. I dyti nëse Zogu nuk ka qenë në dijeni. Dhe kur shtrohet pyetja nëse Zogu ka qenë në dijeni, është fjala nëse ka qenë në dijeni konkretisht për përçapjet e Konicës ndaj Rooseveltit që ishte në atë kohë president, apo nëse Zogu ka qenë në dijeni, në parim, që kur e nisi Konicën në Washington në 1926, se ministri i tij fuqiplotë do të bënte përpjekje për të siguruar një ftesë për të për vizitë zyrtare në Amerikë. 

    Nëqoftëse Zogu ka qenë në dijeni, konkretisht, për përçapjet e Konicës ndaj Rooseveltit,  atëherë arsyeja e refuzimit mund të ketë presioni i italianëve ndaj Zogut, pasi Mussolini do të jetë bërë xheloz për këtë zhvillim të papritur në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

    Nëqoftëse Zogu nuk ka qenë në dijeni për përçapjet e fundit të Konicës pranë Shtëpisë së Bardhë, por Konica ka vepruar thjesht mbi bazën e udhëzimit që mori kur u nis në Amerikë në 1926, atëherë arsyet e refuzimit mund të kenë qenë këto:

     Zogut i ka ardhur e papritur ftesa, sepse ai nuk e ka menduar kurrë se Konica do të arrinte ta siguronte një ftesë të tillë. Kur ia kë vënë këtë si objektiv, Zogu, me dinakërinë e tij, ka dashur që ta verë ambasadorin e tij në SHBA, në një situatë që ta kishte gjithmonë kokën ulur para tij për shkak të këtij dështimi. Pra Zogu në mendjen e tij ka dashur ta ngarkojë Konicën me një mision të pamundur.

     A mund të ketë qenë arsyeja e refuzimit të ftesës nga Zogu, ajo se ai nuk donte të ballafaqohej me kundërshtarët e tij politikë që jetonin në Amerikë? Jo, sepse në atë kohë Zogu ishte pajtuar me Nolin, të cilit i kishte dërguar dhe një ndihme financiare kur ky kishte pasur nevojë për arsye shëndetësore. Zogu si duket hezitoi të shkonte në Amerikë në 1936, jo për arsye se në rastin e vetëm që kishte udhëtuar jashtë vendit në 1931, atij i kishin bërë atentat, në Vienë. Sigurisht që Zogu nuk kishte frikë se kjo gjë mund t’ i ndodhte gjatë vizitës zyrtare në Amerikë. Por duket se Zogu kishte frikë të largohej nga Shqipëria për një kohë të gjatë, në 1936, për shkak se në vitet e fundit ndaj tij ishin bërë disa puçe, që synonin ta rrëzonin nga pushteti. Një vizitë e tillë në Amerikë në atë kohë bëhej duke udhëtuar me anije që do të merrte rreth dy javë kohë vajtje-ardhje. Përveç kësaj, nëqoftëse Zogu do të vizitonte Amerikën, atij do t’ i duhej që përveç Uashingtonit të vizitonte dhe Bostonin, qendrën e komunitetit shqiptar atje, në atë periudhë. Gjatë kësaj kohe në Shqipëri mund të ndodhte një puç dhe ta rrëzonin nga pushteti. I fundit kishte ndodhur vetëm pak kohë më parë.

    Sidoqoftë, edhe Konica nuk është fare pa “faj” në këtë histori, se ai me humorin e tij të njohur, nuk është se nuk ka dashur t’ ia bëjë surprizë Zogut ftesën e Rooseveltit, dhe ka mbetur ngushtë, kur ajo u refuzua. Zogu sidoqoftë e refuzoi me mirësjellje ftesën, me anë të një letre, ku duhet të ketë pasur dorë edhe Konica dhe ku si shkaku kryesor i refuzimit jepej se: 

     punët e shtetit e bëjnë të domosdoshme në këtë çast praninë time në vendin tim. (Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, vitet 1933-36, 8 gusht 1936)  

     Presidenti amerikan duket se e ka mirëkuptuar hallin e mbretit ballkanik dhe ky refuzim nuk la ndonjë hije në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Kjo gjë kuptohet nga fakti se kur motrat e Zogut vizituan SHBA në 1938, ato u pritën në Shtëpinë e Bardhë për çaj nga Zonja Roosevelt dhe nga Presidenti Roosevelt 

     Sidoqoftë Faik Konica ka ndjerë një kënaqësi që ai mundi të hynte në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa armiku i tij i vjetër me të cilin ishte miqësuar më vonë, Zogu, jo. Konica si diplomat në Uashington mbetet një figurë e ndërlikuar, që ka akoma nevojë për t’ u studiuar. Ilir Ikonomi, në librin e tij për Faik Konicën si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Uashington, e le të hapur studimin për Konicën kur thotë:

     Gjatë kërkimeve për këtë libër jam ndalur shpesh të pyes veten se cfarë roli luante në thelb Faiku si diplomat në Uashington. Nuk mund të mohohet se me erudicionin e tij ai e kishte sjellë Shqipërinë në vëmendje të shumë amerikanëve. Dija i jepte pavarësinë që i duhej për të arritur të mbronte shtetin e krijuar me aq mundim nga patriotët shqiptarë. Me zellin prej nacionalisti, ai ishte bërë një reklamë shëtitëse e Shqipërisë. Përpiqej të reklamonte mes amerikanëve se Shqipëria ishte tashmë një vend i qëndrueshëm, që po hynte në rrugën e zhvillimit njëlloj si shumë kombe të tjerë. Zogu, nga ana e tij, si njeri pa përvojë në punët e politikës ndërkombëtare, me ose pa dëshirë i kishte lënë Faikut hapësirë të madhe veprimi. Por, duke shërbyer zyrtarisht si diplomat, Faiku e pa veten të dobishëm edhe për të mbajtur gjallë dashurinë për vendin e të parëve mes shqiptarëve të Amerikës .

    Përcaktimi që Ikonomi i bën Konicës-diplomat si “një reklamë shëtitëse e Shqipërisë” është më i gjeturi për të, gjatë kohës që ishte me detyrë në Amerikë si përfaqësues i Shqipërisë. Njerëzit që kanë ardhur pas tij në postin e ambasadorit shqiptar në Washington, e kanë përdorur këtë post për t’ i bërë reklamë vetes dhe madje janë përfshirë edhe në skandale tenderash deri edhe për punët rregullimit të mjediseve të brendshme të ambasadës. Përvec punëve të tyre personale ata janë marrë edhe me punë përcarëse politike në komunitetin shqiptar atje, sipas interesave të tyre partiake në Shqipëri. Fatkeqësisht jemi akoma shumë larg kohës kur do të kemi përsëri një “Konicë” si ambasador në Washington, madje edhe një të tillë që t’ i afrohet atij sadopak. Konica mbetet një “stekë” shumë e lartë për t’ u kapërcyer nga ambasadorët tanë në Amerikë dhe jo vetëm në Amerikë.     

Filed Under: Politike Tagged With: Ndricim Kulla

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 218
  • 219
  • 220
  • 221
  • 222
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Racionaliteti erotik i pushtetit shqiptar
  • Hapet dega e 7-të e kursit të gjuhës shqipe në Lesvos të Greqisë
  • Besimi ndaj së mirës…
  • VATRA, NDERIM E RESPEKT PËR XHIM XHEMËN NË 84 VJETORIN E LINDJES
  • “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Rasim Juniku, një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën
  • Shpirti arvanitas në Rilindjen Europiane për atdheun e humbur
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT