• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani ne Bruksel: Kosova është gati, ka ardhur koha për vendime të guximshme nga BE

June 23, 2022 by s p

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani gjatë takimit të liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perendimor në Bruksel.

Shkëlqesi,

Të nderuar kolegë,

Kontinenti ynë është në një gjendje të jashtëzakonshme, kështu që nuk do të humbas shumë kohë për të arritur te pika kryesore. Ukraina është nën rrethim, me vlerat, liritë dhe mënyrën e saj të jetesës nën sulm. Ky është një sulm edhe ndaj nesh.

Dhe nëse dikush mendon se paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Evropë është i mundur pa Ballkanin Perëndimor të integruar në strukturat euroatlantike, më duhet t’u them, si dikush që e ka përjetuar anën më të errët të luftës dhe shkatërrimit, se kjo nuk është e mundur.

Nuk kam ardhur këtu për deklarata boshe politike, por me qëllimet më të mira për të folur për pasojat për të gjithë kontinentin tonë poqëse integrimi i Ballkanit Perëndimor do të vonohej më tej.

Lufta në Ukrainë shënon më shumë se një pikë kthese për kontinentin tonë. Ajo ka ripërcaktuar të ardhmen tonë. Ajo duhet të jetë një shtysë për veprim të përshpejtuar nga BE-ja, ndaj atyre shteteve që synojnë të anëtarësohen, dhe më e rëndësishmja, atyre shteteve që përkasin këtu.

Ka shumë dimensione të asaj që po ndodh në Ukrainë që ndryshojnë nga rasti i Kosovës, por në fund të fundit, mendoj se janë dy gjëra që vërtet nxjerrin në pah ngjashmëritë e përvojave tona. Së pari dhe më kryesorja është vuajtja e jashtëzakonshme njerëzore, përballë një lufte brutale gjenocidale kundër një populli liridashës. Dhe e dyta është mbështetja nga bashkësia ndërkombëtare. Uniteti juaj sot më kujton vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të ardhur në shpëtimin tonë në vitin 1999.

Populli i Kosovës e di se si është të luftosh edhe kur fitorja mund të duket e pamundur, ndaj për këtë arsye ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës sot, si ndër vendet e para që u bashkuan me sanksione kundër Rusisë dhe ofruam mbështetjen tonë për refugjatët.

Ka një rrugë për në Moskë dhe një rrugë për në Bruksel – këto rrugë nuk kryqëzohen dhe janë më larg se kurrë. Nga ky këndvështrim, satelitët rusë në rajonin tonë nuk duhet të tolerohen e aq më pak të akomodohen.

23- vjet pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, Kosova është një demokraci dinamike dhe që kur institucionet tona të reja morën detyrën pranverën e kaluar, ne kemi forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike.

Politika fillon dhe mbaron tek njerëzit. Prandaj është jam e vendosur që jo vetëm ta përfaqësoj më së miri zërin e qytetarëve të mi këtu sot, por edhe të siguroj që ne ta përmirësojmë jetën e tyre për më mirë.

Pavarësisht progresit të jashtëzakonshëm, populli i Kosovës dëshiron më shumë mundësi dhe përparim. Ata dëshirojnë një regjim pa viza, për të parë, ndjerë dhe përjetuar Evropën.

Dua të flas sërish këtu për rëndësinë e jashtëzakonshme të liberalizimit të vizave, me shpresën se këtë herë vërtetë, do të na dëgjoni.

Kjo thjesht ka shkuar shumë larg. Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë.

Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit.

Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj.

Vetë ekzistenca e BE-së dhe vlerat që ajo përfaqëson janë të pazëvendësueshme. Por vlerat në rajonin tonë, pa një perspektivë të qartë, jo vetëm rezultojnë të jenë politikisht të paqëndrueshme dhe të pambrojtura, por edhe vetë këto vlera rrezikojnë të zhvleftësohen.

Mosintegrimi i vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur ndaj akterëve dhe kërcënimeve malinje.

Besoj se të gjithë që janë ulur këtu e mbajnë mend qartë dhe pajtohen se anëtarësimi i Kroacisë dhe Sllovenisë në BE vetëm sa e forcoi pozitën e BE-së. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë në NATO vetëm sa e forcoi paqen dhe stabilitetin rajonal, nuk e dobësoi atë.

Kosova nuk është vetëm në cep të Evropës. Ajo është dhe do të jetë gjithmonë në zemër të Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë.

Pavendosmëria e Bashkimit Evropian ndaj rajonit tonë do të krijonte mundësi për Rusinë, diçka që asnjë lider i arsyeshëm në këtë sallë nuk duhet ta dëshironte. Kjo pavendosmëri gjithashtu do të çonte në zhgënjimin e qytetarëve, gjë që do t’i lejonte Rusisë të përforcojë narrativën e saj.

Ne llogarisim në udhëheqjen dhe vendosmërinë tuaj.  Ne kurrë nuk do të largohemi nga rruga jonë euro-atlantike.  Ne kurrë nuk kemi shikuar në drejtim tjetër dhe kurrë nuk do ta bëjmë.

Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit. Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje. Na leni të hyjmë brenda!

Filed Under: Politike

ALBANALOGU ROBERT ELSIE NË RUMANI…

June 23, 2022 by s p

– Nga Visar Zhiti –

Një epilog i bukur në Craiova, në Bibliotekën qendrore të qytetit, të mbushur me qytetarë, studentë, të mërkurën 22 qershorit, u promovua libri monumental “Fjalor historik i Shqipërisë” i albanalogut te shquar Robert Elsie. Vepra e rëndësishme është përkthyer nga anglishtja në rumanisht nga Presidenti i Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë, albanalogu Dr. Radu Săvulescu. Ishte i pranishëm dhe përshëndeti takimin deputeti i shqiptarëve në Parlamentin Rumun, Bogdan Alin Stoica.

Dr. Luan Topçiu, drejtori kulturor, që monitorinte takimin, tha se vepra është me rëndêsi të madhe, tani jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Rumaninë, për studiuesit dhe lexuesin e interesuar. Kritiku i njohur dhe poeti Marius Chelaru, njohës i letërsisë shqipe, vlerësoi veprën dhe punën e shoqates së shqiptarve. Do të doja të kishte nje shoqatë të tillë rumune në vendet e tjera, perfundoi ai.

Është si një ditar Shqipërie, thashë në fjalën time, Robert Elsie është albanalogu më i madh i gjysmës së dytë te shekullit XX dhe fillimi e te shekullit XXI. Biblioteka e shqiptarëve në Rumani po pasurohet, libri i saj po shkon në të gjitha universitet dhe akademitë e bibliotekat, jo vetëm në Rumani, po kudo në botë.

Pas perkthyesit Radu Săvulescu foli Eda Eda Agaj Zhiti, ajo tregoi për ardhjet e albanalogut Elsie në Shqiperi, perkthimi në anglisht i eposit fishtian, puna e tij kolosale, etj. Në perfundim ajo shtoi që kjo vepër sot është si një qiri në nderim të përjetësisë së tij…

Filed Under: Politike Tagged With: Visar Zhiti

Çështja çame…

June 22, 2022 by s p

Shaban Murati

Çështja çame si çeshtje politike kërkon tërheqien e shtetit grek nga akuzat antiligjore kolektive ndaj një popullsie të tërë. Kërkon që shteti grek të kërkojë falje për deportimin me dhunë të një popullsie të tërë. Kërkon dëmshpërblimin e të gjithë viktimave të terrorit shtetëroro-zervist dhe të dëmeve të shkaktuara në njerzit, në pronat dhe shtëpiat e popullsisë çame atje.

Kërkon rikthimin në trojet e veta, ku kanë jetuar prej dhjetra shekujsh kjo popullsi autoktone e deportuar. Kjo është baza politike e zgjidhjes së çeshtjes çame dhe që përbën themelin e trajtimit diplomatik të saj si pjesë përbërëse e dosjes së marrëdhënieve dypalëshe.

Në platformën dipkomatike të çeshtjes çame qeveria e Shqipërisë duhet të përfshijë disa kërkesa, të cilat i kam rreshtuar edhe në librin tim “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”:

1- Çeshtja çame të përfshihet në çdo lloj amendimi apo shtyrje të re të Traktatit të Miqësisë së viti 1996 midis dy shteteve, dhe të përfshihet nominalisht në “Deklaratën e e re të Partneritetit Strategjik”, që i është propozuar Shqipërisë nga qeveria greke.

2-Qeveria shqiptare t’i kërkojë qeverisë greke të abrogojë çdo lloj legjislacioni apo aktesh administrative, që mbështesin akuzat e rreme të fajit kolektiv dhe t’i kërkojë falje popullsisë çame për deportimin e saj me forcë.

3-Qeveria shqiptare t’i kërkojë qeverisë greke kthimin e popullsisë çame në trojet dhe në shtëpiat e veta.

4-Qeveria shqiptare të kërkojë nga Greqia që komunitetit çam të dëbuar kolektivisht t’i njihet statusi i pakicës kombëtare në Greqi, të cilin e kanë pranuar qeveritë greke para luftës së dytë botërore.

Dinjiteti kombëtar dhe ndërkombëtar i Shqipërisë sugjerojnë që qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë një moratorium për të ngrirë të gjitha marrëveshjet dypalëshe, që janë në diskutim e sipër me Greqinë (dhe të cilat çuditërisht janë të gjitha në favor të Greqisë), derisa Athina të heqë ligjin absurd të luftës me Shqipërinë dhe të pranojë tratativat për zgjidhjen e çeshtjes çame.

Për Shqipërinë si anëtare e NATO-s koha dhe zhvillimet e sotme kanë zbehur në minumet e veta vlerën dhe efektin diplomatik të kërcënimit për një veto greke ndaj anëtarësimit në BE.

Platforma diplomatike kërkon ndërkombëtarizimin diplomatik të çeshtjes çame. Është absurde që Shqipëria anëtare e OKB nga viti 1955 dhe anëtare e NATO-s nga viti 2009 dhe anëtare e shumë oganizatave të tjera ndërkombëtare nuk ka ngritur kurrë çeshtjen çame dhe të drejtat e popullsisë çame për t’u kthyer në trojet dhe në pronat e veta në Greqi.

Ndërkombëtarizimi i çeshtjes çame kërkon nga diplomacia dhe nga qeveria shqiptare sensibilizimin diplomatik dhe informativ ndërkombëtar. Kërkon sigurimin e një përkrahje nga diplomacitë, nga shtetet dhe nga faktori perëndimor dhe ballkanik për zgjidhjen e saj. Komisioni Europian dhe komisioneri Hahn i dhanë diplomacisë dhe qeverisë shqiptare një rast dhe një kartë të artë diplomatike për ndërkombëtarizimin e çeshtjes çame. Nuk ditën dhe nuk deshën ta shfrytëzojnë. Por ajo kartë diplomatike europiane në favor të çeshtjes çame është në fuqi sot e kësaj dite.

Filed Under: Politike Tagged With: Shaban Murati

KONTEKSTI I RIVENDOSJES SË MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE SHBA-SHQIPËRI; KULMET, SFIDAT, MISIONE DHE MOMENTE HISTORIKE

June 22, 2022 by s p

Majlinda Tafaj*

Marredheniet diplomatike SHBA-Shqiperi kurorezojne kete vit 100 vjetorin e vendosjes se tyre. Plot nje shekull, marredheniesh diplomatike dypaleshe me pika kulmore, me ulje dhe ngritje sfida dhe misione, vizita te ndersjellta ne rang politik dhe diplomatik,si dhe ambasadore te sukseshem ne misionet e tyre. Nje sfond historik e diplomatik me te thena e te pathena por qe ne thelb kane te padiskutuar faktin, se keto marredhenie jane te nje lloji te vecante, ndryshe jane etiketuar “special relationship’

Shqiperia ka pasur marredhenie me SHBA qe nga vitet e fundit te luftes se pare boterore, theksoj, deklaraten e presidentit amerikan UiIlson ne konferencen e Versajes 1920, i cili doli haptas ne mbrojtjen e pavaresise dhe integritetit tokesor te Shqiperise. Qendrimi i SHBA ndaj Shqiperise dhe shqiptareve ka qene konstat dhe miqesor, dokumente diplomatike qe kane dale ne drite kane vertetuar se qendrimi i kesaj te fundit ndaj shqiperise ka qene miqesor duke i treguar popullit shqiptar se tek Amerika, ata mund te shikojne me besim nje shtet i cili mbetet si nje shprese e madhe per popujt e vegjel,e popujt e shtypur, nje pishtar i demokrcise, nje vend qe duhet marre shembull.  

Nese eshte lehtesisht e vertetueshme fakti qe marredheniet shqiptaro-amerikane jane te je karakteri te vecante nuk eshte aspak e lehte te tregosh ne te gjithe permasat e tyre themelet e ketyre marredhenieve, ato themele qe kane bere qe keto merredhenie ti rezistojne te gjitha sfidave te kohes, madje edhe termeteve, sic mund te quhet qendrimi armiqesor i regjimit komunist shqiptar ndaj SHBA-se. ku pas debimit te trupit diplomaik amerikan nga Shqiperia per rreth 46 vite vendi yne nuk kishte asnje marredhenie diplomatike me SHBA. 

Rrezimi i regjimi komunist pas viteve 1991, ardhja e pluralizmit  dhe e demokracise nuk mund te linte ne heshtje dhe menjane ceshtejen e marrdhenieve diplomatike me shtetin me demokratik te botes SHBA, dhe se rivendosja e ketyre te fundit u be e para ceshtje APRIORI dhe me e domosdoshme. Keshtu ne 15 mars 1991 ne Washington u firmosen letrat kredenciale qe rivendosen marredheniet diplomatike mes amerikes dhe shqiperise. Ne 1 tetor 1991 hapet ambasada e amerikes dhe Kristofer Hill do i ishte i pari diplomat i ngakuar me pune adinteri, per ti lene vendin me pas ne Dhjetor te po atij viti William Rajerson prezanton Letrat kredenciale si ambassador.

 Ndihma e dhene ne demokratizimin e vendit, antaresimi i Shqiperise ne Nato dhe kryesisht zgjidhja e ceshtjes se Kosoves i dedikohet me se shumti politikes amerikane ne pergjithesi, por edhe i asaj te marredhenieve diplomatike me Shqiperine. Kujtojme ketu Viziten e famshme e para e llojit te vet deri ne ato momente, vizita e nje kryetari te shtetit amerikan ne Tirane, ajo e presidentit Xhorxh W Bush ne10 qershor te vitit 2007, mbas nje vizite te lancuar me pare ne kuadrin e nje turi europian. Ky do ishte nje moment historik duke arritur kulmin merredhenieve midis dy vendeve tona. Vizite kjo teper mbreselenese qe do ngelet gjate jo vetem ne memorien e shqiptareve por edhe te opinionit mbare boteror, pasi  besoj e te gjithe e kujtome me nostalgji pritjen tej e te ngrohte qe i beri populli i fushkrujes, ku per here te pare ne te gjithe historine diplomatike amerikane, nje kryetar shteti amerikan theu protokollin e sigurise duke takuar fikikisht me qytetaret shqiptare te cilet kishin dale ne menyre massive ne shesh per te pershendetur Presidentin e amerikes.Theksoj, se ne konferencen e mbajtur per shtyp ne Tirane, Presidenti amerikan XH.W.BUSH theksoi me te madhe se antaresimi i Shqiperise ne Nato dhe ceshtja e shpalljes se Pavarsise se Kosoves do te ndodhin shume shpejt dhe se tashme jane prioritete e politikes amerikane duke qene i drejtperdrejte dhe i prere ne kete qendrim. Impakti i kesaj vizite u pa ne zhvillimet e mevonshme vertet historike per popullin shqiptar, si ishte antaresimi i Shqiperise ne NATO me 3 prill 2008 si dhe shpallja e pavaresise se Kosoves me 18 shkurt 2008. Por deri ne kete dite shume vizita ne rang politik e diplomatik duheshin te ndermerreshin. Shume vizita te tjera te rendeshishme jane shkembyer reciprokisht mes dy shteteve ne keto 31 vite marredhenie diplomatike  Me e rendesishmja do te ngelet -Vizita e Sekretarit te shtetit amerikan ne Shqiperi Jeams Beaker Qershor 1991, e para e ketij lloji ne historikun e marredhenieve ne mes dy shteteve, qe do ngelet gjate ne memorien e Shqiptareve gjate vizites se tij njeditore ai mbajti nje fjalim ne sheshin “Skenderbej” ku me fjalen ‘FREDOM WORKS-liria funksionon ai ndezi sheshin perj 300 mije qytetaresh shqiptare. Nje vizite qe do te mbahet mend gjate.

Po keshtu ne vargun e vitave zyrtare vecojme ajo e kryetarit te Shtetit Shqiptar ne Washington shtator 1996 pas fteses se bere nga Presidenti Clinton per te vizituar Shtepine e Bardhe ne nje vizite Zyrtare. Takim mjaft mbreselenes pasi ekipi qe shoqeronte Presidentin ne pritje ishte me i kompletuari ai shoqeohej nga zv.presidenti, sekretar i shtetit, nacional siguriti advice,e nje sere zyrtaresh te rendesishem, me nje fjale ekipi me i plote i politikes se jashtme amerikane.  Ajo qe duhet theksuar eshte fakti se me kete vizite shteti amerikan jo vetem i dha rendesi vizites presidentit BERISHA,por pika kulmore e ketij takimi konsiston ne faktin se Presidenti amerikan ne fjalim e siper i quajti Shqiperine dhe shqiptaret “nje komb i preferuar per ameriken.

Qe me rivendosjen e marredhenieve dipolomatike e deri me sot kane kryer funksionin e ambsadorit amerikan 9 diplomat, vecojme Mariza Lino, Aleksander Arvizu, Donald Lu e deri te Juri Kim, emrat e te cileve jane rrenjosur thelle ne rrjedhen e politik-berjes, sistemit te drejtesise dhe ndalimin te pandeshkueshmerise ne vendin tone, per shkak te rolit te tyre aktiv. Duke iu referuar kronologjise dhe misioneve te ambasadoreve amerikane ne keto 31 vite vihet re se ne shume momente kyce vendimarrjeje te nje Shqiperie ne tranzicion e me pas, nderhyrja dhe orientimi i politikes amerikane ishte vendimtar dhe i domosmosshem. Por secili nga ata kane kryer misionin e tyre diplomatic ne menyren me serioze dhe profesionale duke hasur gjate rruges sfida, kundershtime dhe problematika te ndyshme. Duke filluar qe me Rajerson si amasadori i pare pas rivendosjes se MD. I cili qendroi ne detyre per rreth tre vite dhe pati ne fokus te pune se tij ardhjen ne pushtet te forcave demokratike dhe konsolidimin e pluralizmit polik. 

Largohet ne vitin  ne 1994 duke i lene vendit Jozef Lake cili qendroi ne detyre deri ne vitin 1996 ndersa pati si angazhim kryesor garantimin e demokracise dhe ecjen perpara te vendit. Viti 1996 do te sillte nje risi ne perfaqesimin diplomatik te Amerikes pasi per here te pare nje femer Mariza Lino do te drejtonte ambasaden amerikane, kjo e fundit pati detyren e veshtire, ate te perballimit te vitit 97 dhe kercenimet terroriste ku si shkak i gjendjes se jashtezakonshme amabasada u mbyll per arsyje sigurie. 

Viti 1999 kur i gjithe fokusi ishte te Lufta e Kosoves erdhi si amasador zevendesues Bob Fruit, i cili pati si mission Luften ne Kosove dhe garantimin e rrefugjateve. Nisja e procesit te integrimit te shqiperise ne bashkimin Europian si dhe stabilizimi politik i vendit do te ishin pergjigjesi e mandatit te amasadorit Jozef Limpreht ku per fat te keq u nda nga jeta si amabasador ne detyre nga nje krize zemre. 

Ne periudhen 2002 -2004 ambasador Xhejms xhefri do te vinte ne krye te Legates amerikane, fokusi i punes se tij ishte te radhiste Shqiperine ne krah te aleateve gjate luftes ne Irak. 

Marsi Riz do te behej e dyta ambasadore femer qe dote vinte ne detyre ne veren e vitit 2004. Ajo luajti rol kryesor si vezhguese ne zgjedhjet e vitit 2005 dhe gjithashtu priti viziten e Bushit . U largua ne vitin 2007 dhe vendin e saj e zuri XHON Uillers. Ky i fundit njihej per perplasjet e forta me qeverine e asaj kohe. 

Ne 2010-ten ne krye te Ambasades u vendos ambsadori Aleksander ARVIZU , i cili qendroi perplot 5 vjet dhe u be i pari ambassador amerikan qe u perfshi ne shume aspekte te jetes publike ndersa si momente kulmore qen 21 Janari dhe debate per armet kimike.

Periudhe 2015-18 pati si ambassador Donald Lu i cili u angazhua ne procesin e dekriminalizimit dhe reformen ne drejtesi. Pas Donald LU do te vihej ne krye te ambsades si e ngarkuar me pune Lejla Mozes One e cila ka sherbyer si zyrtare konsullore ne disa vende te botes. Viti 2020 do sillte nje ambasadore te rralles Yuri kim e cila vazhdon detyren e saj edhe sot duke luajtur nje rol shume te rendesishem ne jeten publike dhe politike te shqiperise.

Si perfundim.Sot marredheniet shqiptaro-amerikane jane gjithnje e me te vecanta dhe me prespektive e siper, te bazuara dhe te vendosura ne themelet e mirebesimit midis dy popujve miq, ku me perkrahjen  qe populli amerikan, te gjitha qeverite amerikane, te gjithe presidentet e koherave modern te SHBA, kane dhene dhe po japin, qe, ne shqipetaret,te te behemi zot te fateve tona kudo qe jemi dhe kudo qe shtrihemi. Me rivendosjen e marredhenieve diplomatike me Ameriken, Shteti Shqiptar nje ceshtje ka pasur te pa ndryshueshme ne Politiken e Jashtme, paversisht qeverive, apo kryeministrave, pavaresisht liderve partiak marredheniet diplomatike me SHBA, jane Strategjike dhe te paprekshme.

Roli i SHBA gjate ketyre 31-viteve marredhenie diplomatike eshte kritik dhe i pazevendesueshem ne favor te zhvillimeve demokratike ne shqiperi ne mbrojtje te  interesave te kombit shqiptar ne ballkan e gjere. Perkrahja e SHBA dhe perfshirja ne vendimmarrje te perbashketa (kjo ne kuadrin e deklarates se Partneritetit strategjik tashme te nenshkruar dhe te radifikuar)jane nje prove e rendesishme e forcimit te bashpunimit bilateral ne te gjithe fushat dhe nje hap i rendesishem per sigurine, paqen dhe stabilitetin ne Rajon.

God bless America  zoti bekofte Ameriken

God bless Albanian zoti bekofte shqiptaret. 

*Simpozium organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “SKENDERBEJ”ne kuadrin e 100 vjetorit te Marredhenieve Diplomatike Shqiperi-Amerikë

Filed Under: Politike Tagged With: majlinda tafa

GËZUAR 100-VJETORIN E MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, PËR SHEKUJ TË SHEKUJVE

June 21, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli*

Përshëndetje të nderuar bashkombas, anëtarë dhe simpatizantë të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”.

Me këtë emër të të Madhit dhe të Përgjithmonshmit të Kombit, sot dhe çdo ditë, ju kujtoni Gjergj Kastriotin – Skenderbe – Kryetrimin e Kombit shqiptar, udhëheqsin e luftërave heroike kundër perandorisë osmane. Por, përveç luftëtarit dhe meritave të tjera të shumta — në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara – kujtojmë gjithashtu Skenderbeun edhe si Kryediplomatin e të gjitha kohërave të Shqiptarëve – themeluesin e institucioneve diplomatike të shtetit shqiptar dhe promovuesin e marrëdhënieve me shtetet evropiane perëndimore të kohës së tij.

Dihet fati i mjerë ushtarak dhe diplomatik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve — pas vdekjes së Skenderbeut – por ja ku jemi sot. “Qe, pra sot po ka Shqypni; Qe, pra sot po ka Shqyptarë”, do të thoshte At Gjergj Fishta.

Por duhej të vinte liria dhe pavarësia që të vendoseshin marrëdhëniet diplomatike SHBA-Shqipëri, ashtu që të lulëzonte shteti shqiptar, që të zhvillohej diplomacia por edhe lidhjet e ngushta midis dy kombeve tona. Ky vit shënon 100-vjet diplomaci me shtetin më të fuqishëm në botë sot – mikun e madh historik të shqiptarëve: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si rezultat i kësaj diplomacie – vetëm në 30-vitet e fundit, përfitimet për shqiptarët janë të dukshme – kishim vizitën e parë historike të një Presidenti Amerikan në detyrë, Z. George W Bush, në Shqipëri. Kemi Shqipërinë në NATO, aleancën më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota dhe kemi Shqipërinë vend-kandidat për antarësim në Bashkimin Evropian.

Kemi Kosovën e lirë e të pavarur, në miqësi të perhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç shprehej dikur Pesidenti historik i saj, Dr. Ibrahim Rugova. Kemi arrijtje dhe suksese historike të pafund në fushën e të drejtave të njeriut dhe në trajtimin e të gjithë shqiptarëve, pa dallim, në Ballkanin Perëndimor, bazuar në të drejtat universale të njeriut.

Të gjitha këto realizime historike në interes të Kombit shqiptar sot për shqiptarët në Ballkan – si asnjëherë më parë në histori — janë rezultat i një angazhimi serioz diplomatik, politik dhe ushtarak të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të Washingtonit në Evropën Perëndimore, për të ndihmuar Shqipërinë, Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta shekullore. E gjithë kjo, falë diplomacisë amerikane të këtyre 30-viteve të fundit. Merreni me mendë se ku do ishte Shqipëria dhe shqiptarët sot, po të kishte pasur zhvillim normal marrëdhëniesh me një qeveri normale dhe pa ndërprerje të lidhjeve diplomatike Shqipëri-SHBA, për pothuaj gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës?!

Sidoqoftë, 100 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë është një moment i vecantë për të gjithë ne dhe shumë i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve midis dy kombeve tona. Një përvjetor — simbol miqësie dhe bashkpunimi midis dy popujve dhe shteteve tona –pas një armiqësie absurde 50-vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës kundër Shteteve të Bashkuara.

Roli i Diasporës

Pas pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm, 15 marsi i vitit 1991 shënon edhe lidhjet e para, komb me komb, në pothuaj një gjysëm shekulli. Unë me disa shqiptaro-amerikanë të tjerë kemi patur nderin dhe privilegjin të ishim të pranishëm në ceremoninë historike të vitit 1991 në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington, për nënshkrimin e “Memorandumit të Mirëkuptimit”, i cili rivendosi, zyrtarisht, marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve tona.

Me atë rast tepër emocional për të gjithë ne të pranishmit, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze, Z. Rejmond G.H. Saitz, ka venë në dukje rolin e mërgatës shqiptare në Amerikë në ruajtjen e këtyre marrëdhënieve duke u shprehur se: “Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.”

15 Marsi, 1991, ishte një ditë kënaqësie e jashtëzakonshme shpirtërore për mua dhe për të gjithë shqiptarët e vullnetit të mirë kudo, por sidomos për komunitetin shqiptaro-amerikan. Ishte një ditë kur, më në fund, flamuri i Kombit shqiptar u vendos në platformën e flamujve të shteteve të botës në Departmentin Amerikan të Shtetit në Washington. Ishte një ditë, kur Shqipëria komuniste, më në fund, iu përgjigj thirrjes — ndonëse me ngurrim por e detyruar nga ndryshimet gjeopolitike të kohës në Evropë, thirrjes që Shtetet e Bashkuara i përcillnin publikisht, pothuaj, çdo vit Tiranës zyrtare, për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Washingtonin.

Delegacioni i parë i Departamentit Amerikan të Shtetit – pjesë e të cilit isha edhe unë — arrijti në Tiranë, pas një gjysëm shekulli, një javë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve duke qëndruar në Shqipëri, si fillim, për dy javë, në mars/prill, 1991.

Vizita ime në Shqipëri me delegacionin e parë të Departmentit Amerikan të Shtetit ishte një moment emocionesh të mëdha. U përlota dhe u emocionova shumë, pikërisht, në momentin kur për herë të parë vendosëm flamurin amerikan në makinën tonë diplomatike me të cilën udhëtuam anë e mbanë Shqipërisë. U përlota nga mallëngjimi, se më në fund Flamuri i vendit tim të adaptuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po valvitej tani i lirë në tokën e të parëve të mi, ku për pothuaj një gjysëm shekulli, flamuri amerikan ishte i ndaluar dhe urrehej si një simbol armiqsor nga një regjim — ndër më të egrit e diktaturave të komunizmit ndërkombëtar – që ishte regjimi i Enver Hoxhës.

Prandaj, porosia ime sot në këtë tubim të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, është që 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, të shërbejë si një moment reflektimi për atë periudhë të zezë në histori. Që të të bëhet ç’mos për t’i ruajtur ato si sytë e ballit dhe për t’u dhënë këtyre marrëdhënieve një hov edhe më të madh përpara. Me qëllim për të rifituar kohën e humbur nën regjimin komunist, por edhe për të siguruar që një gabim i tillë historik katastrofik për interesat e shqiptarëve, të mos ndodhë më kurrë.

Rivendosja e marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane dhe kultivimi i tyre ka qenë një objektiv, për të cilin kanë punuar shumë breza shqiptaro-amerikanësh – nga të gjitha trojet shqiptare — gjatë 100-viteve të kaluara. Le t’i kujtojmë ata patriotë sot dhe t’i falënderojmë se – sepse megjithë dështimet – për shkak të refuzimit të regjimit komunist — për t’i rivendosur ato marrëdhënie gjatë dekadave të shekullit të kaluar, këta patriotë shqiptaro-amerikanë, nuk u dorëzuan kurrë as nuk u tërhoqën asnjëherë nga ideja e miqësisë së fortë amerikano-shqiptare, megjithë propagandën anti-amerikane që vinte nga Tirana e kuqe. Një fjalë e urtë kineze thotë se, “kur pin ujë, mendo për ata që kanë hapur pusin”.

Uroj që të gjithë shqiptarët kudo, e që kanë përfituar nga këto marrëdhënie, si individë, si familje por dhe i mbarë kombi shqiptar, të kujtojnë — në këte përvjetor të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona — të gjithë ata vizionarë shqiptaro-amerikanë që nuk pushuan kurrë se punuari për këto marrëdhënie diplomatike. Ata u përpoqen tërë jetën e tyre për të angazhuar Shtetet e Bashkuara për bashkpunim me kombin shqiptar, dhe jo për izolim e armiqësi me Amerikën. Fatkeqsisht, disa prej këtyre patriotëve shqiptarë të këtij komuniteti, ende sot — në këtë 100-vjetor të marrëdhënive diplomatike Shqipëri-SHBA — dhe 30-vjet pas rivendosjes së këtyre lidhjeve në Mars, 1991, ata ende konsiderohen si armiq e tradhëtarë në Atdheun e tyre të origjinës, vetëm e vetëm, se kundërshtonin regjimin e Enver Hoxhës. Kësaj politike anti-kombëtare duhet ti vijë fundi, njëherë e mirë.

Diaspora shqiptare në Amerikë e ka treguar, historikisht, se është ndër ambasadorët më të mirë që mund të ketë pasur dhe ka Kombi shqiptar gjatë dekadave, duke filluar nga Noli e Konica e deri në ditët e rivendosjes së marrëdhënieve me 15 mars, 1991. Le të kujtojmë në këtë 100-vjetor se në mungesë të marrëdhënieve normale diplomatike shqiptaro-amerikane gjatë komunizmit, komuniteti shqiptaro-amerikan, me dinjitet dhe plot atdhedashuri, ka mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ndërkohë që ka luajtur rolin jo-zyrtar të ambasadës dhe të ambasadorit të kombit shqiptar në Washington.

Edhe ky brez i komunitetit shqiptaro-amerikan sot në këtë 100-vjetor — si individë ashtu dhe si organizata — ka përgjegjësinë e vet që ashtu siç kanë bërë brezat e mëparshëm të komunitetit tonë këtu në Amerikë, të luftojë që këto lidhje midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar të mos preken kurrë më nga diktatorë, parti ose regjime anti-amerikane shqiptare në të ardhmen. Këto marrëdhënie 100-vjeçare nuk janë pronë as meritë e vetme e ndonjë kryeministri a presidenti, e madje as edhe e ndonjë ambasadori të vetëm. Ato janë lidhje historike në interes të përbashkët të dy kombeve tona! Marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane janë të shënjta, në interes madhor të çështjeve kombëtare që nuk duhet të lejohen kurrë të jenë subjekt abuzimesh, manipulimesh as përfitimesh të përkohëshme personale ose partiake nga autokratë të caktuar ose individë të papërgjegjëshëm, nga cilado palë qofshin.

Si shqiptaro-amerikanë, në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, sot kemi shumë arsye për të celebruar të gjitha arritjet që përmenda më lartë në fushën e marrëdhënieve dypalëshe dhe që me entuziazëm dhe shpresë të presim dhe të shkojmë drejt zhvillimeve edhe më të mëdha, në të ardhmen, në dobi të marrëdhënieve midis dy popujve tanë.

Më në fund, ju falënderoj për durimin dhe për respektin që kini treguar ndaj meje, duke më ftuar të jem së bashku me ju në këtë përvjetor të shënuar për dy kombet tona të dashura. Gëzuar, pra, të gjithëve 100-vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, për shekuj të shekujve! Urimet e mia më të përzemërta të gjithëve!

Frank Shkreli

*Fjala në tubimin e SHOQATËS SHQIPTARO-AMERIKANE, “SKENDERBEJ”, në kuadrin e 100-Vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike: SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS-SHQIPËRI

*Autori ka marrë në ceremoninë e 15 Marsit, 1991 të nenshkrimit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit e Tiranës dhe anëtar i delegacionit të parë diplomatik amerikan që, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit, shkoi në Tiranë për të vendosur kontaktet e para midis dy vendeve, në pothuaj 50-vjet.

May be an image of 1 person and standing

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 220
  • 221
  • 222
  • 223
  • 224
  • …
  • 669
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri
  • “Fjalimet që përgjakën Ballkanin”
  • Kur drejtësia hyn në oborrin e mbretit, parlamenti del roje te dera!
  • Ngërçi Presidencial në Kosovë zbulon një dobësi të Kushtetutës
  • Mid’hat Abdyl Frashëri, 25 mars 1880 – 3 tetor 1949
  • ABIDIN DINO, ARTISTI MË I MADH TURK ME ORIGJINË SHQIPTARE I SHEKULLIT XX
  • Lufta e Vraninës (1862) – qëndresa heroike e Oso Kukës dhe mbrojtja e kufijve shqiptarë
  • “Brenga” e Tonin Mirakajt, sipas Pashko R. Camajt
  • Lavdi heronjve të Kosovës Luan Haradinaj, Shkëlzen Haradinaj dhe Enver Haradinaj
  • 24 Marsi 1999 – Ndërhyrja që ndryshoi historinë e Kosovës dhe ridimensionoi rendin ndërkombëtar
  • Ndërhyrja e NATO-s si vijimësi historike e aspiratës shtetndërtuese shqiptare
  • GJENET & AMBIENTI…
  • The Unsaid and the Spoken, Scholar Marta Verginella discusses speaking as the antidote to shame
  • KUR HISTORIA TROKITI NË DERË
  • ALBANIAN TEEN DANCING CLASSES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT