• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kuvendi i Ri i Kosovës, seanca konstituive në 22 Mars 2021

March 15, 2021 by dgreca

-Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka caktuar për datën 22 Mars (e hënë) seancën konstituive të Legjislaturës VIII  të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 14 Shkurtit/

-Të dielen e 14 Shkurtit 2021 Kosova votoi në zgjedhjet parlamentare  – të tetat në 22 vjet liri, të pesta në 13 vjet pavarësi e të katërta të njëpasnjëshme të parakohëshme/

-Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001/

-Legjislatura e tretë, e  zgjedhjeve të 17 Nëntorit 2007,  ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008/

-Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 15 Mars 2021/ Kuvendi i Kosovës me 120 deputetët e zgjedhjeve të parakohëshme të 14 Shkurtit 2021 konstituohet pas një jave – në 22 Mars 2021.

“U.d. Presidentja Vjosa Osmani, në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, ka caktuar për datën 22 mars (e hënë) seancën konstituive të Legjislaturës VIII  të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kjo seancë do të mbahet në orën 10:00, teksa përgatitjet për mbajtjen e saj do të kryhen konform procedurave në fuqi”, thekson njoftimi i dërguar sot nga Presidenca e Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani dhe kryetari i partisë fituese – Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë zhvilluar sot takimet e para me subjekte politike për t’u konsultuar për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve.

Në Kosovë, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 Shkurtit 2021, sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,  Lista e Lëvizjes Vetëvendosje është fituese me 438.335 vota  – 50,280 përqind  – 58 mandate deputetësh të Kuvendit 120 anëtarësh,  e numri dy në këtë listë Vjosa Osmani është më e votuara nga të gjithë kandidatët e të gjitha listave me 300 756 vota. Gjatë historisë së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më shumë vota ka marrë vetëm Presidenti historik i Kosovës Ibrahim  Rugova.

Nga votimet në zgjedhjet e Kosovës të 14 Shkurtit 2021 janë edhe këto rezultate përfundimtare të certifikuara:

E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 17,009 përqind – 148.285 vota e 19 deputetë.

E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 12,731 përqind – 110.985 vota e  15 deputetë.

E katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7,124% përqind – 62.111 vota e 8 deputetë.

Me vendet e garantuara me Kushtetutën e Kosovës serbët kanë 10 deputetë dhe komunitetet tjera pakicë poashtu 10 deputetë.

Nisma Soacialdemokrate me 2,523 përqind – 21.997 vota  dhe parti të tjera shqiptare nuk e kanë kaluar pragun prej 5 përqind dhe nuk do jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Kosova të dielen e 14 Shkurtit 2021 votoi në zgjedhjet parlamentare  – të tetat në 22 vjet liri, të pesta në 13 vjet pavarësi e të katërta të njëpasnjëshme të parakohëshme.

Në Vitin e Ri 2021 Kosova shkoi në zgjedhje parlamentare  të jashtëzakonshme pas rënes së dy qeverive në vitin 2020 të pas zgjedhjeve të parakohëshme të 6 Tetorit të vitit 2019.

Në 2020-tën qëveria me kryeministër Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje e zgjedhur në 3  Shkurt u rrëzua me mocion mosbesimi të inicuar nga partneri i koalicionit qeverisës – Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila mori drejtimin e qeverisë me kryeministër Avdullah Hotin të zgjedhur në  3 Qershor, por në dhjetor Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshme votën e një deputeti të minoriteteve, Etem Arifi, pasi kishte të humbur mandatin për shkak të një dënimi të formës së prerë nga gjykata. Vota e tij ishte vendimtare për zgjedhjen e qeverisë pasi mundësoi arritjen e minimumit të nevoshem  prej 61 votave të parlamentit 120 anëtarësh.

Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001, kur numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,249,987, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 803,796 votuesë – 64.30%.

Zgjedhjet e dyta parlamentare u zhvilluan në 23 Tetor 2004. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,412,680, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 699,519 votuesë – 49.52%.

 Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2007. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,567,690, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 628,630 votuesë – 40.09%. Legjislatura e këtyre zgjedhjeve, e treta, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008.

 Zgjedhjet e katërta parlamentare në liri, të parat në pavarësi, u zhvilluan në 12 Dhjetor 2010. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,632,276, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 706,317 votuesë – 45.29%.

 Zgjedhjet e pesta parlamentare në liri, të dytat në pavarësi, u zhvilluan në 8 Qershor 2014. Numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,799,023, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 734,055 votuesë – 42.63%. 

 Zgjedhjet e gjashta parlamentare në liri, të tretat në pavarësi, u zhvilluan në 11 Qershor 2017. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,888,059, ndërsa  pjesëmarrja në zgjedhje 779,729 votuesë – 41.3%.

 Zgjedhjet e shtata parlamentare në liri, të katërta në pavarësi, u zhvilluan në 6 Tetor 2019 . Numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,961,213, pjesëmarrja në zgjedhje 826,916 votuesë – 44.56%.

Në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurt 2021 – të tetat në liri e të pestat në pavarësi numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,851,927, pjesëmarrja në zgjedhje 48.78% – numri i pranuar i fletëvotimeve të vlefshme 877,503.

 Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të dhunës e shtetrrethimit nga Serbia okupatore.

 Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e zhvilluar nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan pro 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.

Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Konstituimi me 22 Mars, Kuvendi I ri

Mons. dr. Zef Oroshi, një mozaik i historisë shqiptare me një taban të lartë fetar, kombëtar e kulturor

March 15, 2021 by dgreca

  • Sot më 15 mars të vitit 2021, shfletojmë dhe kujtojmë Prelatin e Kishës Katolike shqiptare, mons. dr. Zef Oroshi, në 32 përvjetorin e kalimit në amshim të tij-
    Shkruan: Lekë Mrijaj/
  • Në historinë e një vendi, jo të gjithë personazhet, shtetërorë, apo klerik të kishës katolike që janë pjesë e saj, lënë gjurmë dhe realizojnë kthesa shumdimensionale historike, fetare, kombëtare e kulturore.  Në këtë mozaik të historisë së Shqipërisë, hyjnë edhe një nga personalitetet komplekse që la një protokol e arkiv historik, kulturor, patriotik, diplomatik në historinë tonë është mons. Zef Oroshi.  Emri dhe vepra e tij, nuk është lidhur ngushtë vetëm me besimin fetar të Kishës Katolike Shqiptare, por edhe me kulturën dhe historinë e re dhe të lavdishme të kombit shqiptar. Gjeneologjia e familjes dom Zef Oroshit, daton ndër fiset e hershme dhe fisnike të fisit Orosh të Mirditës, të përmendur shumë herë për besë e trimëri. 

Veprimtaria e tij është shumë dimensionale duke prekur disa segmente, letërsi, teologji, liturgji, politikë, diplomaci, shkenca filologjike etj. Disa prej segmenteve të veprimtarisë së tij janë studiuar nga studiues të ndryshëm e fillimisht nga studiuesi e publicisti, z. Tomë Mrijaj e shumë poet të tjerë të inspiruar edhe disa këngëtar duke reflektuar përmes kumtesave (edhe në Sesione shkëncore), këngëve rapsodike (me anë të telave të çifltelisë).

Mons. dr. Zef Oroshi, ishte një klerik, katekist e teolog i kishës apostolike, erudit karizmatik, njeri i dijes, misionar, orator, poliglot, publicist, atdhetar i shquar i kulturës shqiptare si dhe një nxënës shumë i dashur i dishepullit të tij – mësuesit të tij, dom Ndre Mjedës, ashtu siç thuhet edhe në dëshmitë e të tjerëve vet dom Zefi, gëzonte, autoritet e përkrahje, si në qarqe të larta nderkombëtare në Amerikë, po ashtu edhe në ato kishtare ortodokse e katolike e kulturore.

Njëkohësisht ishte ai i pari i cili nga gjuha greke e përktheu veprën “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, të cilën vepër menjëherë pas shqipërimit në vitin 1979, ia dhuroi me autograf Selisë së Shenjtë në Vatikan, gjatë një audiencë private Papa Palit VI-të, ndaj edhe më vonë nga Papa Pali VI-të mori titullin : MONSINJOR. 

Mons. dr. Zefi, ishte themeluesi i parë i kishës katolike shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës”, 361 West Hartsdale Avenue, Hartsdale, New York, 10530, gjë që në atë kohë edhe vetë gazeta prestigjioze “New York Times”, mons. dr. Zef Oroshin e konsideronin si një ndër pionierët e bashkimit të shqiptarëve pa dallim feje. Ai, në vitin 1973 ka pritur në Nju Jork, Shën Nënë Terezën, me të cilën së pari e kishte takuar në Itali qysh në fillim të viteve ’60-ta.

Është studiuesi i mirënjohur shqiptar e Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit në SHBA, publicisti, Tomë Mrijaj një biograf, kumbarë i cili ia ka dedikuar personalitetit të shquar të Kishës Katolike e diasporës sonë, themeluesit kyç të Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, në SHBA mons. dr. Zef Oroshit.

Ndaj veç tjerash po e veçoj librin “Një jetë e shkrirë për fe dhe atdhe” i cili z. Mrijaj, veç biografisë jetësore e shugurimit, në mënyrë koncize dhe të konkretizuar ka pasqyruar prova e fakte për mons. Zef Oroshin, gjë qe në mënyrë koncize ka përshkruar veprimtarinë e kauzën e tij tipike të “TRINOMIT- FE, ATDHE, KULTURË”, pikërisht ndjekjen dhe përcjelljen e tij nga maskarenjtë e ideologjisë së kuqe famkeqe mesjetare “Enver-Hoxhiane” (të mbështetura nga kriminelet e filozofisë marksiste, leniniste komuniste e staliniste siç ishin Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Ramiz Alija e shumë të tjerë të cilët i njeh edhe historia jonë shqiptare) e cila ideologji famkeqe persekutonte intelektualët më elitarë të sojit të korifejve rilindas siç ishte edhe dom Zef Oroshi, cili në tre ditët e Pashkëve të vitit 1951, do t’i kalonte pyllin e Molungut në mes maleve të Mirditës, që për të ishte bërë një mburojë e Zotit dhe Kishë e mrekullueshme, ku, çonte meshë në gjirin e natyrës. 

Me nismën e dom. Zef Oroshit, në bashkëpunim me parashutistat dhe luftëtarët e qëndresës, u mbajt një kuvend sekret në katundin Ungrej, Mirditë, nën pjesmarrjen e delegatëve nga Shkodra, Dukagjini, Puka, Luma, Mirdita, Lezha dhe Kurbini, kuptohet nën asistimin e parashutistëve: Gjon Gjinaj e Ndue Mëlyshi, të cilët diskutuan rrethanat e kohës ndaj me 9 Mars 1951 u zgjodhën antarë të Komiteti Kombtar të Maleve siç ishin: Haki Bushati, Jak Perjaku, Dom Zef Oroshi, Karlo Çoba, Ndrek Kakarriqi, Sul Hafizi, Preng Kol Gjomarkaj, Shaban Reqi dhe Ded Kol Ndreca.

Dom Zef Oroshi për tetë muaj kaloi mes grupeve të rezistencës antikomuniste nëpër male, duke mbajtur lart moralin e luftës kundër komunizmit dhe ideologjisë së saj ateiste, i cili gjatë një mbrëmje të idhët me plotë mundime dhe i plagosur edhe në fyt nga komunistët (siç dëshmohet edhe nga të dy dokumentarët – dosja e dëshmitarëve të familjes së dom Zefit, të realizuar javë më parë, familja e tij e mbetur në atdhe e qe përjetuan një katrahurë e ferr të vërtetë. Pikërisht veç nënës Dila e motrës Lukja arrestohet edhe vëllau i tij Ndou, arrestohet, torturohet e vdes nën tortura e izolimet e hetuesisë në Shkodër, ndërsa familjarët e tjerë përjetojnë një kalvar të gjatë e të mundimshëm internimesh e persekutimi shënimi im L.M.). 

Dom Zefi kufirin e ish Jugosllavisë, në vitin 1952, e kaloi nën mbështetjen e Llesh Tarazhit duke u zhvendosur së pari në Kosovë për të kërkuar statusin e azilit politik të cilin e vëndosën të plagosur në Mitrovicë ( në fund të nëntorit të vitit 1952, ishte vizituar nga pader Tom Xhaja, famullitar i Kishës “Shën Gjon Pagëzuesi” në Zllakuqan e bashkfamiljari ynë, Nikollë P. Mrijaj, Ofiqar i Zyrës së Vëndit në ish/ Komunën e Zllakuqanit, me të cilin bashkfamiljari ynë Nikolla për dy herë radhasi me vonē e kishte ri/ takuar gjatë viteve ’80-ta në New York) i cili me vonë ka kaluar në Itali për nëntë vite dhe nga viti 1962 Amerikë deri me 15 mars 1989 ikjën e tij në amshim të të cilit eshtrat i prehën në New York të Amerikës.

Dom Anton Kçira deshmon se mons. Zefi, gjatë arratisjes së tij nga Shqipëria  dhe ardhjes së tij në Kosovë nga ana e ipeshkvit Shkup-Prizren, imz. Çekada, i kishte ofruar mons. Zefit të shërbej si meshtar në famullinë e Zllakuqanit të Klinës , por për shkak të rrethanave që ishin, përndjekjes dhe pasigurisë së tij, ai nuk e kishte pranuar propozimin e imz. Çekadës, sepse mendjen e kishte të migroj dhe të veproj lirshëm në rrafshin fetar, kombëtar, njerëzor e kulturor në botën e lirë perëndimore, i cili përmes Kosovës migroj në Itali dhe tutje në SHBA., duke zhvilluar një veprimtari të pastërt gjithëpërfshirëse kombëtare).

Në vazhdim të librit:”Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për fe dhe atdhe” autori Tomë Mrijaj thotë se: ” Mons. Zef Oroshi ishte një mik i ngushtë prof. Ernest Koliqit të cilët bashkëpunonin s’bashku me ide e punime shkrimore me revistën autoritative kulturore-shkencore “Shejzat”, që asokohe dilte në Itali. 

Ndaj me kalimin në amshim të prof. Ernest Koliqit, ishte atdhetari, meshtari i përvujtur, përkthyesi, shkrimtari, studiuesi, teologu dhe filozofi i mprehtë Mons. Oroshi i cili në faqet e revistës prestigjioze “Shejzat”, në numrin special të vitit 1975, ia ka dedikuar prof. Ernest Koliqit, qe do të thotë se shkruan plotë 12 faqe me deshmi, artikull i cili titullohet: “Fiket Ernest Koliqi, një pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare”, duke e analizuar personalitetin e shquar të kombit në shumë rrafshe shumëdimensionale.

Mons.dr. Oroshi, kishte miqësi të ngushtë me intelektualë e veteran të arsimit shqiptar dhe studiues e albanolog si prof. Karl Gurakuqin, poliedrikun dhe burrin e madh të shtetit Imzot Fan Stilian Nolin, gjë qe z. Mrijaj i përshkruan përjetimet e dom Zefit e Fan S. Nolit, duke e përshkruar tamam në frymën (e Koncilit të Dytë të Vatikanit) dashamirëse ekumenike të tij si një Ipeshkëv i besimtarëve të vet, por edhe si një atdhetar i madh, intelektual erudit të sojit të Dom Gjon Buzukit, imz. Pjeter Budit, imz. Nikollë Kazazit, imz. Pjeter Bogdanit etj., e qe mbetët një I LUMË për njohësit e tij.

Filed Under: Politike Tagged With: Lek Mrijaj, Mons. Zef Oroshi

Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetar i ri Lumir Abdixhiku

March 14, 2021 by dgreca

-Lidhja Demoratike e Kosovës është themeluar në 23 Dhjetor 1989 nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë/

– Në Lidhjen Demokratike të Kosovës pas Ibrahim Rugovës kryetar u zgjodh Fatmir Sejdiu e pastaj Isa Mustafa dhe tash Lumir Abdixhiku është kryetari i katërt i partisë…

PRISHTINË, 14 Mars 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e vjetër në demokracinë e pluralizmin Kosovar, e themeluar nga Ibrahim Rugova para afër 32 viteve,  u bë sot me kryetar të ri – Lumir Abdixhikun 37 vjeçar, të zgjedhur me shumicë votash në Kuvendin zgjedhor të partisë, ku kandidatë ishin edhe nënkryetari Lufti Haziri dhe zëdhënësi Besian Mustafa, të cilët e uruan ndër të parët dhe të tre së bashku folën para mbi 300 delegatëve. Kuvendi zgjedhor u mbajt pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm Isa Mustafa si gjest moral pasi në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 Shkurtit 2021 Lidhja Demokratike e Kosovës mori  vetëm  12,731% të votave – më së paku në gjithë historinë e saj.

Në këtë vit – 23 Dhjetor 2021 shënon 32 vjetorin Lidhja Demoratike e Kosovës, e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.

Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë.

Ishte koha kur po para 32 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat  gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur…”.

Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me pjesëmarrje 87,01% e votim pro 99,87%, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, në të cilat Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh president i parë i Republikës së shpallur, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Para 16 viteve, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së, të fundit që Rugova e shënonte, ai ritheksonte se partia që e drejtonte që nga fillimi “objektiv qendror e ka njohjen e pavarësisë më të shpejtë të Kosovës nga miqtë tanë”.  Atëherë, me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, Rugova priti kryetarët e degëve të partisë në Kosovë dhe diasporë në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës pas Ibrahim Rugovës kryetar u zgjodh Fatmir Sejdiu e pastaj Isa Mustafa dhe tash Lumir Abdixhiku është kryetari i katërt i partisë.

Filed Under: Politike Tagged With: kryetar i lDK, Lumir Abdixhiku

Mimoza Ferraj: Ja roli i Ramiz Alisë dhe Sali Berishës, në ndryshimet demokratike

March 13, 2021 by dgreca

Mimoza Ferraj, një nga protagonistet kryesore të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, rrëfen rolin e Ramiz Alisë dhe Sali Berishës, në procesin e ndryshimeve demokratike. 

Ferraj, në një rrëfim për gazetën “Dielli”, New York, shprehet se Alia u gjend në presionin e brendshëm nga studentët për të lëshuar pushtetin, por zbatoi projektin e Lindjes për të mbetur sërish në pushtet komunistët, ndërsa për Sali Berishën thotë se kishte një rol ekuilibrues. Mimoza Ferraj deklaron se Lëvizja e Dhjetorit nuk i ka arritur qëllimet e saj, pasi pjesë e politikës së sotme janë njerëz të korruptuar dhe ish anëtarë të Byrosë Politike. 

Intervistoi: Eneida Jaçaj

-Si e vlerësoni rolin e Diasporës Shqiptare në çështjet e komunitetit shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë? 

Shqiptarët e Diasporës, solidaritetin e nisën me kontributin që dhanë para dhe pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Në kohën e komunizmit, Zëri i Amerikës ka qenë si një fanar i demokracisë në tunelin e errët të komunizmit, ka qenë mbështetja më e fuqishme pas rënies së komunizmit në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri, të mos harrojmë; gjithashtu, të gjitha ndihmat dhe organizimet ushtarake dhe monetare që u bënë në luftën e Kosovës. Fryma kombëtare i kalonte oqeanet dhe kufijtë evropiane! Mos harroni se Diaspora ka mbajtur me bukë të gjithë familjet e tyre në Shqipëri, për të kaluar tranzicionin ekonomik, nga komunizmi, në tranzicionin demokratik. Diaspora Shqiptare ka qenë dhe është në krye të zhvillimeve dinamike, në krye të proceseve e gatshme në çdo kohë për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat në nevojë. Diaspora Shqiptare mbajti barën e financimit më shumë se dy dekada jo vetëm në luftë, por edhe në paqe; Diaspora Shqiptare ka qenë dhe do të mbetet solidare aktive dinamike dhe plot veprimtari. Atë që dua të nxjerr në pah është se Diaspora ndeshi në luftë grupin e lëvizjes marksiste-leniniste, ata ishin kundër përpjekjeve mes strukturave dhe kërkesave të tyre që kishin, dhe nga shërbimi kërkonin të minonin frymën kombëtare dhe solidaritetin e Diasporës. 

-Ju jeni një nga përfaqësueset e Lëvizjes Studentore, qëllimi i së cilës ishte vendosja e sistemit demokratik në vend me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Si e shihni ju Shqipërinë sot pas 30 vitesh?  

Problemi kryesor është pastrimi i politikës nga krimi dhe drejtësia! Duhet të fillojë me pastrimin e Parlamentit dhe të partive, të cilat nuk përfaqësohen nga politikanë, por nga biznesmenë, të cilët janë në bashkëpunim me bandat kriminale, dhe janë aty për interesat e tyre private. Këta janë më të rrezikshëm se vetë sistemi komunist që e mbajti popullin në skllavëri për 50 vjet; këtu nuk ke të bësh më me frymë komuniste, ke të bësh me frymë kriminale. Në Parlament janë të gjithë ushtarët e Byrosë Politike. Ramizi ka vdekur dhe ka lënë të tjerët pas. Tranzicioni duhet të marrë fund! Të gjithë aktorët e Ramizit duhet të largohen. Pasurinë që kanë bërë, është pasuria e shtetit! Ka vdekur shpirti te populli…populli është i lodhur me të njëjtat figura kriminale dhe pret që drejtësia të veprojë mbi këta kriminelë dhe të dalin njerëz të pastër me parti të reja, dhe të fillojë jeta normale për popullin shqiptar. 

-Si arriti të formohej Lëvizja Studentore, dhe si u bëtë ju pjesë e saj?

Lëvizja Studentore i ka fillimet e veta që në  nëntor të vitit 1990. Isha unë e para në 17 nëntor 1990, ku debatova me ministrin e Transportit të dërguar nga Z.Ramiz Alia, duke i shprehur zhgënjimin tim nga politika e PPSH-së, si dhe isha e para që i shpreha Ramiz Alisë në takim kthesën për krijimin e një partie studentore. Liria nuk kërkohet, fitohet! Iu futa rrugës së kërkimit të demokracisë, së bashku me të gjithë bashkëmoshatarët e mi për një demokraci të pastër e të sinqertë. Po kështu nuk llogarita as pasojat që do më vinin nga familja ime, të cilat ishin normale për kohën dhe mentalitetin e krijuar në vite. 

-Si e shihni rolin e Ramiz Alisë në ndryshimin e sistemit? Ishte Lëvizja e Dhjetorit që detyroi Ramiz Alinë të lëshonte pushtetin, apo ishte një manovër për të bindur studentët se sollën ndryshimin, por që në fakt në pushtet mbetën sërish komunistët? 

Ramiz Alia kishte si synim përçarjen e grupit të studentëve, me qëllim realizimin e synimeve të veta. Nuk ka shumë rëndësi përmbajtja, por ideja e saj e cila ishte që ne të përçaheshim. Ramiz Alia është përgjegjës për veprimet e H.Isait. Dhuna fillimisht ishte e pranishme dhe me intensitet të lartë, madje deri në eleminimin fizik. Prova e parë jam unë kur jam goditur fizikisht kur bëra polemikë në këtë takim me Ramiz Alinë, por pavaresisht gjithçkaje, çdo përpjekje e imja dhe e gjithë studentëve që më shoqëronin u vlerësua në fund me përmbysjen e sistemit komunist, duke i lënë vendin demokracisë. Trysnia e brendshme dhe sidomos ajo e jashtme, e detyruan Ramiz Alinë që të zbatonte projektin e vendeve të Lindjes komuniste, i cili, pavarësisht se është i njëjtë për t’u zbatuar, ndryshon në bazë të kushteve dhe rrethanave të vendeve. Ramizit i duhej të krijonte një rrëmujë, të krijonte parti të ndryshme, dhe njerëzit që do të përbënin partitë, do të ishin njerëz të vënë nga ai. Kështu, Ramiz Alia e filloi me shkollën e Mjekësisë. Me anë të sigurimsave, ai ngriti studentët në demonstratë. Ramiz Alisë nuk i interesonte ardhja e pluralizmit, por synimi i tij ishte që të shfrytëzonte demostratat e studentëve dhe më pas të zbatonte Katovicën. Por Sabit Brokaj, i cili nuk ishte i informuar për planin e Ramiz Alisë, si komunist dhe si administrator i shkollës që ishte, i shtypi demonstratat. Më pas i shkon pranë një nga krerët e sigurimit dhe i thotë: “Çfarë na bëre, na prishe punë?”. Urdhri kishte ardhur nga Ramiz Alia që çdo gjë të ishte e programuar. Pasi Sabit Brokaj ia dështoi planin, Ramiz Alia atëherë urdhëroi Pandeli Majkon që të hidhte një fletërrufe. Majko ishte shoku im i Universitetit, djali i sekretares së Universitetit, Janulla Majko. Kur doli fletë-rrufeja, Majko, Ilir Meta, Arben Imami, Edmond Budina, Skënder Gjinushi, Blendi Gonxhja zhvilluan një takim me Ramiz Alinë. Ramiz Alia pasi dështoi me Fakultetin e Mjekësisë, vijoi me të tjera universitete. Në takimin me 200 studentë erdhi ministri i Transportit. Brenda studentëve ishin edhe atë studentë që Ramizi i kishte zgjedhur. Pandeli Majko ishte i zgjedhuri i Ramizit.

-Cili ka qenë roli i Sali Berishës në procesin e ndryshimeve demokratike?

Një përfshirje aktive, pasi ishte ndër intelektualët që ne si studentë donim që të na mbronte interesat tona. Ai mori përsipër mjekimin e studentëve të plagosur dhe lirimin e të gjithë studentëve të ndaluar apo arrestuar nga policia. Roli i tij ka qenë ekuilibrist, mediator dhe tolerant, në “peshoren” midis policisë dhe shtetit.

-Si u krijua PD dhe a u instalua vërtet sistemi demokratik në vend? 

 Kjo gjë ndodhi pasi erdhëm në qytetin Studenti, ku gjërat dihen. Pastaj unë, Azem Hajdari, Arben Imami, Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko, Edmond Budina u mblodhëm në shtëpinë e Gramoz Pashkos dhe filluam të formulonim deklaratën e partisë që duhet të çohej në Ministrinë e Drejtësisë, të njihej zyrtarisht. Ai ishte programi minimal i PD-së, që u caktua të lexohej tërësisht në mitingun e shpalljes së partisë. 

-Një mesazh për politiken shqiptare sot…

Personat që përfaqësojnë Parlamentin Shqiptar, vetëm politikanë nuk janë, por ata janë biznesmenë për të cilët e kanë arritur këtë status, duke vjedhur popullin shqiptar, pasurinë kombëtare dhe duke pasur si mbështetje bandat kriminale, duke e shndërruar vendin tonë në një “Kolumbi të dyte”, por ju siguroj ashtu si El Chapo që fati u vendos në Brooklyn të US, ashtu dhe fati i tyre do jete i njëjtë. Drejtësia vonon, por nuk harron!

Filed Under: Politike Tagged With: i dr. Sali berishes, Mimoza Jaçaj, processes demokratike, Roli i Ramiz Alise

VIRUSI, VAKSINAT, ZGJEDHJET: ÇFARË PO NDODH NË GJERMANI?

March 13, 2021 by dgreca

Nga WOLFGANG MÜNCHAU – Përktheu Eugjen Merlika/Era ka ndryshuar. Gabimet rendore të kryera nga qeveria gjermane në mbarështimin e pandemisë kanë çmontuar siguritë e hershme mbi efektshmërinë dhe sipëraninë e Gjermanisë. Gjatë një debati televiziv javën e shkuar me një grup analistësh, u fol për dështim të shtetit, pasojë e kushteve çrregulluese në të cilët kanë rënë drejtuesit e Vendit, qeveria dhe parlamenti.

            Angela Merkel, e pajisur me forcën e formimit të saj shkencor, është më shumë e prirur të dëgjojë mendimin e ekspertëve, e ndoshta kupton më mirë hollësitë e këshillave që i jepen. Por edhe ajo nuk është e paprekur nga paniku, siç ndodh tek të gjithë politikanët kur gjënden nën trysni. Javën që shkoi u detyrua të kthehej mbrapsht. Këshilltarët e saj më të besuar donin që qeveria t’I përmbahej cakut të paracaktuar të 35 infektimeve çdo 100.000 banorë, si parakusht për t’I dhënë fund lockdown-it. Merkeli adaptoi një pozitë kompromisi, duke e ngritur cakun në 100 infektime, aktualisht më shumë se sa mesatarja kombëtare që vërtitet rreth 60. Kjo do t’u lejojë disa guvernatorëve të heqin shtrëngesat, nëse do t’a quajnë me vend, megjithë vonesat në vaksinimet. Në këtë fund jave vetëm gjashtë përqind e gjermanëve janë vaksinuar, kundrejt 40 përqind të anglezëve.

            Nuk habit fakti që në Mbretërinë e Bashkuar simpatitë politike janë zhvendosur vendosmërisht në drejtimin e kundërt. Hulumtimi i fundit YouGov i jep 13 pikë më shumë konservatorëve mbi laburistët. Në fund të janarit – jo shumë kohë më parë –  e majta ishte 4 pikë përpara. Edhe këtu fatet janë ndryshuar. Por ndoshta mund të jenë të përmbysura. Këto zhvendosje masive politike duhet të na shtyjnë në përsiatje. Anglezët kanë vendosur se qeveria e tyre është duke bërë një punë të mirë, e ndërmjet tyre ka edhe shumë që kanë votuar kundër Brexit-it. Gjermanët kanë vendosur se qeveria e tyre ka gabuar gjithshka në fushatën e vaksinave. Ndërmjet tyre ka edhe shumë mbështetës të CDU-së. Vaksinat do të jenë të gatëshme, me pak durim. Pritet që nga prilli e tutje vaksinat do të shtohen në të gjithë Bashkimin Evropian. Nëse gjithshka shkon mirë, nga fundi i verës mund të arrihet një imunitet i parë e i pjesëshëm i tufës. Madje edhe në Mbretërinë e Bashkuar, me shërbimin e saj shëndetësor kombëtar, janë dashur tre muaj deri sa ingranazhet të fillonin të punonin me regjim të plotë. Të vaksinohet një popullsi e tërë përfaqëson një sipërmarrje prapavije me të vërtetë titanike, sidomos n’ata Vende, si Gjermania që kanë një sistem shëndetësor të shqëndralizuar.

            Sondazhet gjermanë kanë filluar të regjistrojnë kritikat e para për mbarështimin e krizës që nga nëntori i shkuar. Në janar, kur qëndrimi filloi të ndryshojë hulumtimet për zgjedhjet politike jepnin  një shumicë të pastër CDU/CSU-së. Ata numura sot janë në rënie. Këtë të djelë janë zhvilluar dy votime  të rëndësishme vendore në Baden – Würtenberg   dhe në Renania – Palatinato. Hulumtime e fundit zbulojnë një rënie të miratimeve për CDU-në. Nëse mbahen të qëndrueshme, këto shifra do të jenë zhgënjyese, por jo katastrofike. Nuk është ende shumë e qartë se çfarë efekti mund të kenë mbi Armin Laschet, udhëheqësi i ri i CDU-së dhe dëshirës së tij për t’u bërë kandidati i partisë së tij për kolltukun e kançelarit. Nëse përfundimet zgjedhore të kësaj fund jave nuk do të jenë në dobi të CDU-së, fati mund t’i buzëqeshë Marcus Söder-it, kryeministrit bavarez e kryetar i CSU-së, duke i siguruar trashëgiminë e Angela Merkel-it. Kush e di se shortet e CDU-së do të përmbysen përsëri sapo programi i vaksinave të marrë revanin e tij? A do të jenë të gatshëm votuesit të falin gabimet e qeverisë apo do të mbeten të bindur se gjëndja e saj është tashmë e dështuar? Kur programet e vaksinave do të kenë arritur masën kritike, qytetarët  do të qetësohen nga fundi i krizës e mund të jenë të tunduar të harrojnë të shkuarën. Megjithatë në këtë pikë do të mund të mateshin gabimet e qeverisë mbi baza statistike, duke numëruar të vdekurit. Prandaj edhe se don t’i kthejë kurrizin një viti dramatik, nuk është e qartë plotësisht nëse gjindja dëshëron të zgjedhë të njëjtët politikanë. Simbas mendimit tim, kriza pandemike do të ketë rrjedhime të gjata edhe në fushën politike.

            Analistët politikë gjermanë kanë shpikur një term të dobishëm, edhe se të vagët, Wechselstimmung, për të treguar ndiesinë e përgjithëshme që përhapet në një Vend mbi veprën e keqe të qeverisë së tij, të binjakëzuar me shpresën që një qeveri e re do të sjellë ndryshime ndjellamira. Për herë të parë nga zgjedhja e Angela Merkel në  2005, kam përshtypjen se kjo gjëndje shpirtërore po vërshon sot në Gjermani. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 e djathta kishte mbetur mjaft e zhgënjyer nga politika e saj për refugjatët, por qendra e kishte mbështetur. Sot qendra dhe e djathta janë të dyja të pakënaqura, dhe e majta as nuk e çon nëpër mënd që të formojë një koalicion me të.

            Është e çuditëshme të gjindemi sot në muajin e tretë të 2021, e duke kthyer shikimin mbrapa, të kujtojmë kohët e bukura të shkuara, kur kançelarja gjermane ishte universalisht e admiruar për drejtimin e saj në atdhe e jashtë tij, për numurat e infektimeve e të viktimave të Covid 19 të cilat ishin më t’ulta nga gjithë Vendet e tjera evropiane. Kjo ndoshta vlen të na kujtojë që Gjermania nuk është aq e ndryshme: është vetëm që shmangia nga përceptimi i vetvetes dhe i së vërtetës është pak i tepruar. E që të jetë një paralajmërim se sa rrënuese mund të jetë ndeshja me ngjarje të paparishikueshme.

            “Corriere della Sera”, 9 mars 2021       Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, Wolegang Munchau

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 290
  • 291
  • 292
  • 293
  • 294
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT