• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UDHËHEQËSIT QË NUK LËSHOJNË PUSHTETIN

November 25, 2020 by dgreca

Redaktuar dhe Përkthyer nga Rafaela Prifti/

Në historinë e Amerikës nuk ka pasur president tjetër që të refuzojë për një kohë kaq gjatë të njohë rezultatet e një zgjedhjeje ku është e qartë se ka humbur. Kur është fjala për version alternativ të realitetit, zoti Trump ka plot shokë jopresidencial. Ndërsa vendi mediton rastin e bujshëm të Donald Trumpit, presidentit që nuk pranon se e kanë nxjerrë nga puna, atë mund ta krahasojmë me një sërë personazhesh dhe individësh që nuk kanë dashur të pranojnë momente jo të mirëpritura në jetën e tyre personale dhe profesionale.  

Në vitin 1873 Guvernatori republikan i Teksasit Edmund J. Dejvis refuzoi të largohej nga zyra pas humbjes së zgjedhjeve duke thënë se mandati i tij nuk skadonte edhe për pas disa muaj. Ai ngriti një barrikadë në hyrjen e ndërtesës së parlamentit nga ku nuk donte të lëvizte. Guvenatori i zgjedhur dhe ekipi i tij vunë një palë shkallë dhe hynë nga dritaret për të filluar punën në katin e sipërm të ndërtesës. Rasti tjetër është Hiru Onoda, oficeri i lartë i Ushtrisë Perandorake Japoneze, i cili pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, qëndroi në xhungël në gatishmëri luftarake për 29 vjet derisa vajti eprori i tij tashmë i plakur dhe e anuloi urdhërin e mëhershëm për të mos u dorëzuar. Një vit më parë, në 2019 ishte rasti i qeverisë së Moldovës që vendosi të mos i hapte rrugë qeverisë së re gjë që çoi në një situatë të komplikuar, ku të dyja grupet deklaronin se ishin në krye të vendit. “Ngërçi” u tejkalua kur ish-kryeministri me inat e liroi postin i përballur me presion nga jashtë të ushtruar nga ndërkombëtarët si edhe me zemërim të popullit nga brenda vendit.    

Në Amerikë transferimi i pushtetit ka qenë një kalim paqësor i kompetencave i kryer sipas një procedure të caktuar. Por historia botërore ka plot shembuj të diktatorëve dhe tiranëve që kanë përdorur mënxyra për të ruajtur pushtetin. Historia ka shembuj të autokratëve që nuk i njohin rezultatet e zgjedhjeve të lira. Ka shembuj kur ata eliminojnë fare mandatet dhe rrinë në fuqi pafund. Ka shembuj kur ata burgosin, vrasin ose zhdukin kundërshtarët e tyre politik. Siç ka edhe nga ata që i praktikojnë të gjitha këto metoda së bashku.

   Zoti Trump ka folur me simpati për të paktën një prej tyre, për shembull kur tha se atij “mbase i takonte një mandat i tretë” duke u nisur nga “mënyra sesi na kanë trajtuar.” Këto ai i ka deklaruar përpara se të humbte zgjedhjet. Përdredhjet e lajmeve që dalin nga Shtëpia e Bardhë,  përngjasin me tymin e duhanit nga ku shfaqen sinjale se këshilltarët e presidentit dhe familjarët po provojnë disa forma psikologjike që Presidenti Trump ta kuptojë se është “pensionuar”, ndërkohë që sjellja e presidentit i përngjet më pak një puçi dhe më tepër një episodi të stërzgjatur hidhërimi të një fëmije të llastuar. 

Shumë anëtarë të legjislaturës republikane që e kanë neveri ta mërzisin zotin Trump, po ndihmojnë të ushqejnë iluzionin për pushtetin e tij. Por kjo ka një paralele në jetën e familjes së Trumpit. Kur babai i tij, Fredi, u sëmur me Alzheimer, familiarët thuhet se ranë dakort që ta linin patriarkun të mendonte se ishte ende drejtuesi i organizatës Trump. Revista Vanity Fair shkruan se plaku dilte për ditë në punë ku i jepnin të firmoste letra të bardha ndërsa telefonin e zyrës ia kishin lidhur vetëm me linjën e sekretares së tij. 

Disa rrjete mediatike simpatizuese të krahut të djathtë si edhe shumë nëpunës republikanë refuzojnë të pranojnë se Xhozef Biden është zgjedhur president. Miliona amerikanë duket se i besojnë thënieve të zotit Trump se këto janë zgjedhje të vjedhura dhe se epidemia e koronavirusit që tashmë është përshkallëzuar, nuk paraqet problem serioz. Përkrahësit e tij marshojnë në rrugë për të protestuar rezultatet e zgjedhjeve dhe nuk dihet se në ç’rrethana Trumpi do të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Gazetari dhe adhuruesi i Trumpit, Geraldo Rivera paraqiste në Twitter një krahasim të presidentit me një kampion të peshës së rëndë, që e di se ka humbur por mbahet me dhëmbë në ring duke grushtuar për një shans të largët fitoreje. Përshkrimi i tij lirik: “ai do t’i përgjigjet tingullit të këmbanës duke kërkuar nokoutin që mbetet larg në horizont.”

Autori i librit “Narcisisti i Njohur: Mburoja ndaj Narcisistit Ekstrem në Kohën kur Universi Rrotullohet rreth Vetes”, Dr. Bruno shkruan: “Kur të jenë shteruar paditë ligjore kundër zgjedhjeve, ai do ta kalojë gjithë jetën duke këmbëngulur se sistemi bëri komplot që mos e linte të fitonte. Do gjej rehati tek fajësimi i të tjerëve, vetë-keqardhja dhe tek indinjata që i takon vetëm atij për t’i pasur ato si mbështetje të vetes në mënyrë që të zbrapsi ndjenjën e poshtërimit nga humbja.” 

Shënim: Ky është version i redaktuar i shkrimit të Sarah Lyall botuar në gazetën Nju York Tajms me titullin origjinal “Kur Liderët Nuk Ikin, Mësime nga Shekspiri te Dikens te “Sajnfeld” për Moslamtumirën e Gjatë të Presidentit Trump. (When a Leader Just Won’t Go, Wisdom from Shakespeare to Dickens to ‘Seinfeld’ on President Trump’s long non-goodbye)

Filed Under: Politike Tagged With: QË NUK LËSHOJNË PUSHTETIN, Rafaela Prifti, UDHËHEQËSIT

LUFTA E UÇK E DREJTË

November 23, 2020 by dgreca

— GJYKATA SPECIALE SPEKTAKËL ME ARRESTIMET. TË HETOHET SERBIA/

Komandanti i UÇK Faton Klinaku, me detyrë Sekretar i OVL dhe aktualisht ushtrues i detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Republikën e Kosovës, në një rrëfim ekskluziv me gazetarin Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se Gjykata Speciale po bën spektakël me arrestimet e padrejta të krerëve të shtetit dhe të luftës. Gjykata Speciale sipas Komandant Klinakut si fillim duhet të gjykojë masakrat dhe genocidin serb në Kosovë. 

ARRESTIMET E KRERËVE TË SHTETIT TË KOSOVËS TË PAPRANUESHME

Gjëra të ngjashme kanë ndodhur edhe në të kaluarën nga drejtësia e UNMIK-ut dhe e EULEX-it. Nisur nga fakti se ata i janë përgjigjur çdo herë drejtësisë, arrestimet janë të papranueshme dhe i konsiderojmë vetëm spektakle mediatike të Prokurorisë. Ky është një akt i rëndë në dëm të shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të shtetit tonë. Kjo është goditje ndaj luftës sonë për liri dhe pavarësi. 

EVROPA NJË PADREJTËSI NË DËM TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS

Natyrisht që është një padrejtësi e madhe që na bëhet si popull, për shkak se është absurde të ndiqen e gjykohen ish-luftëtarët e UÇK-së, para se të ndiqen e gjykohen krimet dhe masakrat deri në genocid, të shkaktuara nga serbët dhe Serbia pushtuese në Kosovë. Nuk është vetëm faji i Evropës këtu, por faj kanë edhe politikanët tanë, e sidomos deputetët e Kuvendit të Kosovës që më 2015 kanë pranuar të miratojnë një Gjykatë Speciale një etnike. Kjo gjykatë është e papranueshme dhe ne nuk do ta njohim asnjëherë. Kosova nuk ka bërë krime në Kosovë, Serbia ka bërë një genocid dhe krime monstruoze në popullsinë e pafajshme. Ata që duhet të japin llogari janë serbët që vranë, jo ne që mbrojtën lirinë, atdheun e familjet tona. 

AKUZAT NDAJ UÇK VIJNË NGA SERBIA

Në bazë të asaj çka kemi parë në aktakuzën e ngritur nga prokuroria në Hagë, janë akuza të përkthyera nga prokuroria për krime lufte e Serbisë, janë akuza banale sepse shumica e tyre bazohen në procese gjyqësore që i ka trajtuar më herët drejtësia ndërkombëtare në Tribunalin e Hagës dhe drejtësia e UNMIK-ut e EULEX-it në Kosovë. Akuzat janë të pavërteta dhe të pabazuara në prova. Këto akuza kërkojnë baltosje dhe përçarje. 

BARAZIMI I AGRESORIT ME VIKTIMËN

Kjo që po bën Gjykata Speciale është e turpshme dhe e papranueshme. Barazimi i agresorit me viktimën, përveç që është e rëndë, lirisht mund të themi se në rastin tonë po përndjeket viktima e po harrohet agresori dhe kjo në vetvete përbën edhe krim të drejtësisë. Një drejtësi e padrejtë. Kjo është kryekëput një shëmti e ndyrë. 

REAGIMI I QYTETARËVE NDAJ ARRESTIMEVE 

Situata në Kosovë është e brishtë si në aspektin politik por edhe në atë të sigurisë, sidomos pas arrestimeve të krerëve të UÇK-së. Ndaj këtyre arrestimeve, shohim shumë reagime të njerëzve që nuk pajtohen me akuzat dhe gjykimet nga Gjykata Speciale. Këto ngjarje kanë shkaktuar shumë trishtim dhe tension. Është e rëndë kjo që i ka ndodhur shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo është një padrejtësi e rëndë dhe ofendim ndaj luftës së pastër dhe të drejtë të UÇK.

GJYKATA SPECIALE NË GJYKATËN KUSHTETUESE

Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, së bashku me Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatën e Invalidëve, i kemi drejtuar kërkesë deputetëve të Kuvendit të Kosovës për çështjen e skadimit të mandatit të Gjykatës Speciale dhe presim nga ta që ta dërgojnë këtë çështje për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, sepse kështu siç po vepron është Gjykatë e jashtëligjshme dhe kundërkushtetuese. Një gjykatë me mandate të skaduara do të thotë se është në shkelje të ligjit çdo veprim apo gjykim që vjen prej saj. 

Filed Under: Politike Tagged With: Faton Klinaku, Sokol Paja, uck

LEGALITETI NJE VLERË KOMBETARE!

November 21, 2020 by dgreca

LINDI NË LUFTË PËR TË SIGURUAR PAQE- 1943-21 Nentor-2020.

Nga Shpëtim AXHAMI-
Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit/

Riorganizimi i Legalitetit, si subjekt politik i pavarur, dje në mbështetje të luftës çlirimtare e në vazhdimësi për një zhvillim me shtet të së drejtës dhe Komb të Bashkuar nën Kurorën Mbretërore.
Nën frymën e “Triumfit të Legalitetit” të 1924, si një domosdoshmëri historike kombetare, me 21 Nëntorë të vitit 1943 krijohet Organizata Kombêtare “Levizja e Legalitetit” (OKLL) sot PLL.
Vetë rrjedha e ngjarjeve, përgjatë Luftës së Dytë Botrore, e kërkonte krijimin e këtij formacioni politik, në shërbim të interesit kombëtar dhe në përpjekje për kthimin e Mbretit Zog në fronin e Tij legjitim.
Pas pushtimit fashist, ku si rezultat ranë institucionet legjitime shtetërore dhe me vendim të qeverisë e të parlamentit, Mbreti ZOG ishte i detyruar të largohej jashtë vendit, ku prej atje do të vazhdonte veprimtarinē politike, zogistet brenda vendit nën drejtimin e gjeneral Abaz Kupit dhe figurave te tjera patriotike vazhduan veprimtaritë e tyre duke bashkëpunuar në luftë kundër okupatorëve.
Pas rezistences luftarake kundër pushtimit fashist, të 7 Prillit 1939 nën drejtimin e gjeneral Abaz Kupit, zogistët morën pjesë në Konferencën e Pezës të perfaqësuar nga vetë Abaz Kupi dhe nga figura të tjera patriotike.
Abaz Kupi do të deklaronte:”…bashkohem me ju, vetëm sa me luftu armikun dhe në rast se partitë e tjera, veprojnë në bazë programesh të tyre, ateherë unë kam me u ndarë dhe kam për me veprue në bazë të programit të organeve legjitime të Legalitetit mbretëror të para okupimit”.
Parimet e Konferencës Pezës po shkeleshin në çdo plan prej drejtuesve të PKSH-së
Në vazhdimësi, zogistët, në kontakte të vazhdushme me Mbretin Zog, vazhduan të ishin aktiv në gjithë skemen politike dhe luftarake të kohës.
Në Gusht të 1943, me ndërmjetësimin e Abaz Kupit, u thirr Konferenca e Mukjes.
Kjo konferencë kishte baza pluraliste, bashkëpunuese dhe vlera të veçanta për një Shqipëri që sot do të ishte shumë më ndryshe, duke krijuar të gjitha mundësitë për mos vendosjen e diktatures komuniste në ‘44.
Parimisht, në konferencë, ndër të tjera kërkohej:
-Luftë pa kompromis nga të gjithë.
-Vazhdimi i luftës deri në çlirimin e Kosovës dhe Çamerisë.
-Çeshtja e formës së regjimit do të vendosej pas lufte në mënyrë legjitime me vullnet të vetë popullit.
Pas saj, filluan luftime frontale të perbashkëta për çlirimin e vendit (këto të faktuara prej historisë siç ishte rasti i Qaf Shtames pak ditë pas konferences)
Misionarët jugosllav me urdher të Beogradit urdhëruan prishjen e kësaj marrëveshje ku qëllimi kryesor i kësaj prishje ishte çeshtja e Kosovës, drejtuesit e PKSH e zbatuan me fanatizëm këtë urdhër.
Me Konferencën e Labinotit të Shtatorit të ‘43, u bë prishja përfundimtare e kesaj Marrëveshjeje.
U shpall luftë e hapur nacionalizmit dhe çdo formacioni tjetër politik jashtë PKSH si ai i BK etj, lufta kunder okupatorit po shëndërrohej thellësisht në luftë vlla-vrasjeje për pushtet dhe ndarje kombi.
Prishja e kësaj marrëveshje përbën një prej akteve më kriminale komuniste me ndikim serb të kohës.
Zogistët, nuk mund të pajtoheshin me ketë çorbë që po gatuhej në guzhinat sllavo-ruse me përkrahjen e Enver Hoxhes.
Tashmë kuptohej qartë, se interesat kombëtare dhe lufta e mbeshtetur në menyrë të përgjithshme ishte tradhëtuar, ajo ishte kthyer në luftë për pushtet pa marrë parasyshë pasojat negative antikombetare.
Të gjendur përpara fakteve të tilla të rrezikshme, ishte nevoje dhe domosdoshmëri kombëtare e historike mos pajtimi me atë që po ndodhte.

Në lidhje për sa më sipër, zogistët nëpërmjet Abaz Kupit, lëshuan më 19 nëntor 1943, një trakt të posaçëm drejtuar KNÇ, ku i kërkonin me këmbëngulje mbajtjen e një qëndrimi të qartë për ecurinë e mëtejshme të luftës së përbashkët kundër okupatorit, prej të cilit nuk morën asnjë përgjigje.
Atëherë me datë 20 Nëntor 1943, nën udheheqjen e Abaz Kupit në Zall-Herr të Tiranës, u thirr Kuvendi Kombetar duke shpallur me datë 21 Nentor 1943 krijimin Organizatës Kombëtare “Lëvizje e Legalitetit”, si lëvizje politik kombëtare.
Zogistët legalistët tani ishin të organizuar jo vetëm ushtarakisht por edhe politikisht.
Abaz Kupi do të deklaronte për shpalljen e Legalitetit “ Mora insiativën e shpalljes Legalitetit, vetëm atëherë kur pashë shenjat e para të vllavrasjes dhe nuk doja me ba pjesë nē njē organizatë që vret shqiptarët.
Ky formacion politiko-ushtarak kombëtar e ka zanafillën e vet me “Triumfin e Legalitetit” me 24 Dhjetor 1924 gjë e cila praktikisht e bën Partinë Lëvizja e Legalitetit, sot, një subjekt politik me histori 96-vjeçare ku në thelb të këtij subjekti mbi gjithçkaje ka qenë dhe ngelet interesin kombetarë.
Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Legalitetit u zgjodh major Abaz Kupi.
Kryetar i kryesisë u zgjodh atdhetari dhe dekegati i Kongresit të Lushnjes Ndoc Çoba.
Vlen për tu theksuar se pjesmarrës të këtij kuvendi ishin efhe shumë patriotë, intelektuale, atdhetarë, nacionalistë e diplomatë që perfaqësonin ajkën e shoqërisë aktuale të kohës.
Nga ana programore nder të tjera kerkohej;
Vazhdimin e luftës kunder okupatoreve, pa dallim dhe nga të gjithë.
Forma e regjimit nuk diskutohej, pasi de jure, ishte ajo e para 7 Prillit 1939, pasi Mbreti Zog, ishte larguar në mënyrë jolegjitime si rezultat i LDB.
Në lidhje me çeshtjen kombëtare, Legaliteti kerkonte, të luftohej deri në pikën e fundit të gjakut për çlirimin e Kosovës dhe të Çamërisë, për të bashkuar trojet shqiptare.
Në lidhje me qëndrimin ndaj aleatëve, Legaliteti ishte i bindur dhe u shpreh, se “interesat e Shqipërisë janë të mbështetura vetëm në politikēn e aleatëve të mëdhenjë perendimorë.
Të shqetësuar dhe të friksuar nga ky formacion politik, PKSH thirri Kongresin fatkeq të Permetit, i cili ndau përfundimisht shqiptarët.
Kjo ndarje, e bërë prej komunisteve, u bë me qëllim e vetëm, atë të marrjes së pushtetit dhe të eleminimit të kundershtarëve të tjerë politik.
Ky formacion politiko – luftarak udhëhoqi dhe luftoj deri ne fund të luftës në shumicën e krahinave të Shqipërisë.
Në momentin, kur Gjermania kishte humbur luftën dhe revanshi komunist kishte filluar spastrimet e kundershtarëve politik, Abaz Kupi dhe një pjesë tjetër e drejtuesve të tjerë, detyrohen të largohet nga vendi, me të vetmen arsye, shmangjen e gjakderdhjes mes shqiptarëve pasi vazhdimi i luftës në kushtet e krijuara do të krijonte patjetër këtë përplasje.
Vetë deklarata e Tij në momentin e largimit e vërteton kētë.
Veprimtaria politike e OKLL, vazhdoi edhe në mërgim, nderkohë kur vendi gjendej nēn diktaturën komuniste.
Kjo veprimtari zogiste konsistonte kryesisht, në rrëzimin e regjimit komunist të vendosur në Shqipëri, në bashkimin kombëtar të trojeve etnike, si dhe në rikthimin e Mbretit Zog në fronin e Tij.
Aktivitet kanë qenë të shumta, të gjithanshme dhe në shumë forma, duke perjetuar, duke u arganizuar dhe duke percjellë kudo në botë shqetësimin, për atë që regjimi komunist po bënte në Shqipëri.
Pas pluralizmit politik të viteve 1990, aktiviteti politik i PLL kalon me qendër në Tiranë.
Aktiviteti politik i këtij subjekti, ka qenë në vazhdimësi në interes të kombit Shqiptarë, duke mos u bërë pjesë e fenomeneve negative të politikës pluraliste të pas viteve ‘90.
Pavarsisht situatave dhe turbulencave politike të kësaj periudhe të gjatë tranzicioni, PLL ka ditur të ruaj vlerat dhe virtytet e saja më të mira për vetë atë çfarë ajo përfaqson dhe ka si vijë programore të saj.

Sot PLL, e ngritur si formacion politik në 1943 nën frymën e “Triumfit të Legalitetit” të vitin 1924, luan rol serioz ne politiken Shqiptare, për një zhvillim të gjithanshëm brenda një shteti me rend e ligj funksional ku në thelb qëndron interesi kombetarë me bashkim të trojeve etnike nën kurorën mbretërore!
Të gjithë duhet të jemi krenarë për atë që vetë përfaqëson PLL, prandaj është momonti i bashkimit rreth kësaj vlere,
ESHTE MOMENTI i bashkimit i të gjithë atyre që mendojnë dhe e kanë besimin se Kombin Shqiptarë dhe Shqipërinë e bëjnë vetë shqiptarët.

Tiranë 21 Nëntor 2020.

Filed Under: Politike Tagged With: Shpetim Axhami, Vlere Kom

Amerika që frymëzon kthehet në votrën e saj

November 19, 2020 by dgreca

NGA SAMI REPISHTI, PHD/

Ridgefield. CT.- Stuhia e rrezikshme katërvjeçare në vendin tonë kaloi! Nji ditë e re ka ague! Amerika që frymëzon botën mbarë u kthye në votrën e saj. Demokracia amerikane tregoi forcën e saj, e fitoi! Me 3 nandor 2020, u mbajtën zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Pjesëmarrja në votime ka thye rekordin: ma shumë se 160 milionë qytetarë amerikanë votues treguen vullnetin e tyne në nji proces të rregullt, atmosferë të lirë dhe administrim me ndershmëni. Amerika ka 330 milionë banorë.Amerika që na frymëzon, tregoi forcën e saj në mënyrë shembullore!

Mbas disa ditë votimesh u përfundue se numri ma i madh i votave të rregullta,- ma shumë se 78.6 milionë vota- u fituen nga kandidati presidencial demokrat, i nderuemi Joseph R. Biden, Jr., ish-nënpresident i Shteteve të Bashkueme (2008-2016) dhe politikan i karrierës për afër 47 vjet dhe me 6+ milionë vota ma shumë se kundërshtari i tij, Presidenti Trump, që fitoi 72.01 milionë. Kandidati Biden grumbulloi 306 vota në Kolegjin Elektoral kundrejt 232 vota për kundërshtarin Trump. “Presidenti” D.J.Trump nuk pranoi rezultatet e dhanuna dhe filloi nji seri ankimimesh ligjore pranë gjykatave federale të vendit, nji procedurë që do të zgjasë disa javë dhe që pengon “tranzicionin” e pushtetit në duert e fitimtarit.

Ky qëndrim obstruksionist ashtë i panjohun në historinë e republikës amerikane që nga fillimi, 244 vite ma parë, dhe damton randë prestigjin e votës së lirë dhe imazhin e SHBA-ve para botës. Publiku amerikan ashtë i bindun në fitoren finale dhe e konsideron këte manovër politike nji metodë vonuese e kapriçove të shumta të ishPresidentit Trump, nji narcisist i papërmbajtun, pa lidhje me normat tradicionale të vendit. Deri tashti, ish-Presidenti Trump nuk ka paraqitë nji evidencë me mbrojtë tezën e vet. Pa nji evidencë të tillë, nuk ka gjykime. Si rrjedhim, gjykatat amerikane konsiderojnë ankimimet “without merit”!

Ky qëndrim paraqitet nga shtypi trumpist sikur “votimet nuk kanë përfundue akoma”, se ata do të përfundojnë me ankimimet ligjore, prandej nuk dorëzohet pushteti. Të tjerë flasin për zgjedhje të qeta me gjithë vështirësitë e pandemisë vrastare (250.000 viktima), pa kërcënime, pa dhunë dhe pa pengesa për makinën e demokracisë. Në rrugët dhe sheshet e qyteteve amerikane ndërkaq, populli festoi rezultatin “Biden-Harris Victory” me flamuj, kumbonë dhe klaksone makinash. Nji popull feston!

Fletorja me renome ndërkombëtare “The New York Times”, në edicionin e saj të 8 nandorit 2020 shkruen me tituj të mëdhej: “Biden Beats Trump”, me këtë përshkrim: “Joseph Robinnette Biden Jr. u zgjodh Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkueme, të shtundën, tue premtue restaurimin e normalitetit dhe frymën e bashkimit kombëtar në përballjen e krizave shëndetësore dhe ekonomike, që tmerrojnë sot vendin…”.

Fitorja e Biden shikohet si përbuzja e Trump nga miliona votues të lodhun nga politika e tij përçarëse dhe administrata e tij kaotike, fitore që u ba e mundshme nga nji koalicion i grave, qytetarëve me ngjyrë, pleq dhe të ri, si dhe nji sasi republikanësh të lodhun nga Presidenti.

Me 13 nandor, shtypi amerikan njoftoi se zyrtarët e administrimit të votimeve, demokratë dhe republikanë, hodhën poshtë akuzat e ish-Presidentit Trump për vota “të vjedhuna” dhe “numërime jo të sakta”. Vetëm pak orë mbas votimeve, Trump përsëriti akuzat e tij tue thanë se nji sistem makinash i perdorun në votime “ka shlye 2.7 milionë vota në të gjithë vendin”; kështu ai kundërshtoi grupin e zyrtarëve federalë, të cilët lëshuen nji deklaratë të enjten, me 12 nandor, ku deklarojnë pa asnji rezervë se votimet “kanë qenë ma të sigurtat në historinë amerikane” dhe se “nuk ekziston nji evidencë” se ndonji sistem votimesh të ketë qenë komprometue.

“Që nga dita e shtunde në mëngjes, kur kandidati demokrat Biden u deklarue si fitues i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ish-Presidenti Donald Trump ashtë mbyllë në Shtëpinë e Bardhë, refuzon ma pranue disfatën, mbledh të holla për “nji forcë për mbrojtjen e zgjedhjeve”, dhe shpik komplote të imagjinueme e teori mbi “vjedhjen” e votave të partizanëve të tij. Nuk parashikohej si do të veprojshin ndjekësit e tij në 50 shtetet e federatës. Doli në shesh se ata vepruen njilloj si kanë veprue deri tashti për katër vite të gjata me radhë: tue përkrahë ate në rrugën e gabueme. Deri në nji pikë!

Me 13 nandor, ish-Presidenti Trump mbajti nji konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me aksionin anti-Covid. Ai nuk zuni me gojë votimet dhe indirekt iu referue administratës së ardhme, tue lanë me kuptue se nji tjetër fitues do të jetë President. Qartazi, pushteti po kalon qetësisht në duert e Presidentit të zgjedhun, zhvillim që edhe Z. Trump ma në fund e ka kuptue.

Rezultati i votimeve tregoi se zgjedhja e Senatorit nga California, Zonja Kamala Harris, ashtë me randësi historike: bijë e nji çifti me nanën nga India dhe babën nga Jamaica. Mbas zgjedhjes historike të ish-Presidentit Barack Obama, 2008, zgjedhja e Zonjës Kamala Harris si nënpresidente e SHBA-së ashtë fitorja e dytë madhore e demokracisë amerikane dhe nji provë e pakontestueshme e të ashtuqujtunit “exceptionalism”- Amerika vendi i oportunitetit për të gjithë. Ashtë e para herë që nji grue me ngjyrë zgjidhet nënpresidente e SHBA-së, nji hap i madh drejt nji shoqënie ma civile dhe ma demokratike. (Ashtë opinion i përgjithshëm se Biden do të udhëheqë Partinë Demokratike nga pozita ma ideologjike – nga nji qendër e majtë…).

Por Biden ka mbajt gjithherë nji pozicion afrimi, bashkimi dhe pajtimi, nji karakteristikë e posaçme e tij që në ditët e para të jetës së vet politike. “Tashti që fushata elektorale ashtë perfundue, theksoi ai, ka ardhë koha me harrue inatet tona dhe retorikën e ashpër, dhe me u bashkue si nji komb i pandamë. Ka ardhë koha për Amerikën me u bashkue dhe me shërue plagët e hapuna. Na jemi të gjithë Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Dhe nuk ka objektiv që nuk mund të marrim dhe të marrim së bashku”. (Joseph R. Biden, Jr.)

Z.Trump, në deklaratën e tij tha se “…nuk janë përfundue zgjedhjet, përkundrazi, dhe se “…do të filloj ndjekjen e objektivave tona në gjykata”. Ai nuk dha hollësina! Por me refuzimin e rezultatit të zgjedhjeve, Trump duket se u ban thirrje ndjekësve të tij me “vallëzue dancing” e mosmarrëveshjes dhe pa dyshim ka mjaft që do të pranojnë! Ka pasë disa incidente me dhunë nga “trumpistët” e demonstrata të zhurmëshme, deri tashti pa incidente. Shumë amerikanë shqetësohen se këto “mosmarrëveshje” nuk kanë vetëm karakter politik, por edhe personal, në relacionet ndërqytetare. Fatkeqësisht, ky orientim ka damtue edhe unitetin e bashkësisë shqiptaro-amerikane. Nji humbje e madhe për të gjithë!

Partia Republikane -tashti “the Trump Party”- ka humbë shumë nga prestigji i saj si “Partia e Lincoln-it”, mbajtëse e vlerave dhe traditave amerikane, si atdhetarizmi, feja, trashëgimi patriotik, konservatizmi politik, ekonomik dhe shoqënor në mes tjerash, dhe për katër vite ajo u paraqit si nji grumbull amorf qytetarësh statikë dhe të gatshëm me avancue “tezën” trumpiste. Me humbjet në votimet e 3 nandorit 2020, PR e Amerikës asht tronditë. Zane të reja thrrasin për nji “rinovamento” të pikëpamjeve politike dhe të kuadrova për drejtim.

Nuk duhet të harrojmë se republikanët kanë fitue 72 miljonë vota, dhe 7 deputetë në Dhomën e Përfaqësuesve; ata kanë humbë nji senator (në Arizona). Kjo tregon se ajo përmban nji forcë të vërtetë politike dhe ushqen shpresën e nji kthimi në fuqi në të ardhmen si nji parti e rinovueme.

Elektorati amerikan përballet me dy sfida madhore:

a) Si të veprojë për asgjasimin e influencës së “Trump Party” në publik, e sidomos racizmin e tij malinj dhe sistematik; dhe

b) Çfarë mund të bahet me pengue ardhjen e nji “Trumpi” të ri në të ardhmen?

Me gjithë gabimet e mëdha në qeverisjen e ish-Presidentit Trump, nuk mund të veprohet me frymën e hakmarrjes. “Republikanët”, përfundimisht, janë bashkatdhetarë që mendojnë ndryshe, nji qendrim që garantohet nga Kushtetuta si e drejtë e mendimit dhe veprimit të lirë. Fajtori kryesor ashtë qytetari Donald J.Trump, i cili mashtroi masat me nji propagandë populiste, negative dhe anmiqsore. Gjendja e randë që trashëgojmë sot ashtë ma e randë se “fatkeqësia Trump”. Sepse edhe humbja ka pasoja nga ata që kapen mbas premtimeve të tij.

Afërsisht 40 përqind e votuesve amerikanë dëshirojnë mbajtjen e tarifave doganore dhe murit kufitar me pengue lëvizjen e lirë të mallnave dhe personave, emigrantë ilegalë në SHBA, tue përfshi edhe deportimin e tyne. Ashtë nji reagim popullor kundër “globalizmit” dhe emigracionit.

Të tjerë elementë negativë që republikanët përqafojnë janë: dallimet racore, sidomos popullsinë zezake, nji viktimë e persekutimit sistematik që nga shekulli 16, koha kur grabiteshin, burra, gra e fëmij, nga piratët amerikanë, transportoheshin të lidhun me zinxhirë në hambarët e vaporeve pirateske ku vdisshin me qindra, e shiteshin si skllevër në tregjet e shteteve jugore të Amerikës.

Humbja e vendeve të punës, sidomos në industri, ka dermue shoqëninë amerikane e klasën punëtore, që ka qenë vazhdimisht demokrate me sindikata të fuqishme. Shumë impiante industriale u larguen dhe u vendosën në Kinë e Meksikë kryesisht. Nuk ka dyshim se ish-Presidenti Trump fitoi më 2016 me votat e këtyne të papunësuemëve.

U krijue kështu nji atmosferë shqetësuese me vdekje fëmijësh, gra pa burra, vdekje nga alkoolizmi dhe nga droga. Emigrantët që punojshin në punët ma të vështira zunë vendet e pakëta si argatë të pakualifikuem. Globalizmi për mallna dhe persona ngriti zemërimin në shumicën e popullsisë. “Tregtia e lirë dhe globalizmi, shkruente Sarah Stockman, kanë pasunue vendin, por ky pasunim ka qenë në favor të kapitalit dhe të arsimuemëve, ndërsa damet e tyne ranë mbi shpatullat e amerikanëve të papunë”.

Shumë punëtorë të pakualifikuem kanë votue për ish-Presidentin Trump. Ata “adhurojnë” personin që vuni tarifat. Por nuk kanë qenë shumë nga ata punëtorë që kuptuen se Trump nuk ka qenë në anën e tyne. Edhe në vitin 2017, zbritja e taksave ndihmoi vetëm të pasunit dhe korporatat. Tani që ish-Presidenti Trump përpiqet me eliminue ligjin për shërbime mjekësore (the Affordable Care Act) të vendosun nga ish-Presidenti Obama e që mbulon mbi 21 milionë familje amerikane, ish-përkrahësit kuptuen cili ashtë në fakt ish-Presidenti Trump dhe votuen kundër tij.

Por “goditja vdekësore” për fushatën elektorale të Trump ka qenë paaftësia e plotë e tij me udhëheqë në luftën kundër pandemisë COVID19. Ai e fshehu rrezikun që vinte nga Kina që nga nandori 2019 deri në mars 2020, kur bashkëpunëtorët e tij e paralajmëruen se sëmundja paraqet rrezikun ma të madh për administratën e tij presidenciale. Ndërkaq, pandemia bani kërdinë në popullsi dhe numri i të vdekuneve arriti në 1.000 viktima në ditë. Ish-Presidenti Trump refuzoi me marrë masa drastike -ashtu si e gjithë bota e jashtme- refuzoi këshillat mjekësorë nga ekspertët mjekësorë dhe smundja u përhap. Të zhgënjyem nga ky zhvillim fatkeq, shumë amerikanë vendosën me votue kundër dhe “me u lirue” nga ky ankth. Por asgja nuk bindi ishPresidentin Trump se ky qëndrim i padeje dhe shumë i rrezikshëm do të sillte disfatën e tij… që ai akoma refuzon me pranue…!

Shkrime alarmuese njoftojnë se ish-Presidenti Trump po përgatitet për nji “coup d’etat”. Në fakt, ai pushoi nga puna Sekretarin e Mbrojtjes, Mark Esper, sepse refuzoi me nxjerrë trupat ushtarake për qetësimin e turmave në demonstrata masive në shumë qytete të Amerikës dhe e zëvendësoi atë me nji element besnik të ish–Presidentit, dhe persona që ai mendon se kontrollohen. Flitet që ai mendon me pushue nga detyra edhe shefin e FBI-së dhe CIA-së dhe me i zëvendsue me “lojalistë”. Simbas analistit Masha Gessen të revistës “The New Yorker”, Trump ban përpjekje me arrijtë nji “autocratic breakthrough” (nji hyrje në autokraci) dhe me diskreditue kështu rezultatet e zgjedhjeve, të cilat i japin fund qeverisjes së tij. Shanset e tij me fitue janë shumë të vogla; megjithatë ashtë me randësi me kuptue si duhet se Presidenti i SHBA-së tenton nji “coup” që do të shkatërronte demokracinë amerikane, si e njohim na në historinë 244-vjeçare.

Dezertimet nga vija politike e ish-Presidentit nga republikanët në Kongres vijnë me pak vonesë. Kongresistët heshtën kur Trumpi abandonoi aleatët tonë ushtarakë në Azi e në Europë, sulmoi institucionet tona qeveritare dhe nxiti sentimentet raciste e frikën në popull, nji gabim fatal që ndau popullin amerikan… Sot ka shenja se kongresistët republikanë kanë arrijtë përfundimin se ish-Presidenti Trump ka pësue nji humbje të plotë në zgjedhjet e 3 nandorit dhe përpiqen të distancohen nga ai. Flitet për nji fëtyrë të re republikane që nuk ashtë ajo e Trumpit dhe për forcimin e identitetit të humbun republikan. Gjithashtu, flitet haptas se qarqet republikane me influencë punojnë intensivisht për rindërtimin e PR-së mbas humbjes.

Edhe marrëdhëniet me botën e jashtme do të pësojnë nji ndryshim rranjësor në epokën e Presidentit Joe Biden. Në nji ese prej 30 faqesh, botue në revistën “Foreign Affairs”, Nov/Dec. 2020:

“Pse Amerika Duhet Të Udhëheqë—Ripërtëritja e Politikës së Jashtme mbas Trumpit”, ai shkruen: “Sido që të matet, kredibiliteti dhe influenca e Shteteve të Bashkueme në botë ka pësue nji zbritje mbas largimit të Presidentit Obama nga zyra presidenciale, më 20 kallndor 2017. Presidenti Donald Trump ka pakësue peshën tonë, ka damtue dhe në disa raste ka abandonue aleatët dhe partnerët tonë. Ai ka ofendue profesionistët e shërbimeve informative, diplomatëve dhe forcave të armatosuna. Ai ka forcue kundërshtarët tonë dhe ka keqpërdorue mjetet tona në sfidat e sigurimit kombëtar që vijnë nga Koreja e Veriut, Irani, nga Siria deri në Afganistan dhe Venezuela, pa pasë asgja me tregue përse. Ka shpërthye lufta tregtarE kundër miqve të Shteteve të Bashkueme si dhe të anmiqve nji lloj, që damtojnë klasën e mesme amerikane. Åi ka heq dorë nga udhëheqja amerikane në mobilizimin e aksioneve kolektive me përballue kërcënime të reja, veçanërisht të atyne që janë unikë për shekullin tonë. Åi thellësisht ka neglizhue vlerat demokratike që i japin forcë kombit tonë e na bashkojnë të gjithë si nji popull.

Ndërkaq, sfidat globale që përballojnë Shtetet e Bashkueme -që nga ndryshimet klimaterike dhe emigracionet masive deri te ndërpremjet teknologjike dhe smundjet infektive-janë ngritë në nji kompleks dhe janë ba ma urgjente me ngritjen e shpejtë të autoritarianizmit, nacionalizmit dhe antiliberalizmit që minojnë aftësinë tonë me i përballue në forma kolektive. Demokracitë – të paralizueme nga hipërpartizania, të lëkunduna nga korrupsioni, të randueme nga pesha e pabarazisë- e gjejnë shumë të vështirë me mbajtë premtimet e dhanuna popujve tyne. Frika nga Tjetri ashtë rritë. Edhe sistemi ndërkombëtar që Shtetet e Bashkueme kanë ndertue me aq kujdes po shkyhet nga forcat përçarëse. Trumpi dhe demagogët rreth e rrotull botës mbështeten në këto forca për përfitime personale dhe politike….

Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkueme do të flasë para të gjithë botës në kallndor 2021, dhe do të mbledhë copat e shpërndame që do të jetë nji ndërmarje enorme. Ai do të përpiqet me nxjerrë nga pozita ku kanë ra emnin tonë të mirë, me ndertue konfidencën në udhëheqjen tonë, me mobilizue vendin tonë dhe aleatët tonë për përballimin e shpejtë të sfidave të reja. Nuk do të kemi kohë me humbë…”(ff. 1,2) “…Menjiherë, na duhet të pajisemi me (ata) forca dhe të mbledhim Botën e Lirë me përballue sfidat që na dalin para sot. U takon Shteteve të Bashkueme me udhëheq. Nuk ka komb tjetër që ashtë ndërtue mbi këte ide. Na duhet me proklamue lirinë dhe demokracinë, me rifitue krediblittin tonë, me shikue me nji optimizëm të pandërpremë dhe me vendosmëni të ardhmen tonë”.

Filed Under: Politike Tagged With: amerika, Sami Repishti PhD

Amerika i akordon Kosovës mbi 33 milionë dollarë

November 18, 2020 by dgreca

Presidentja ne detyre Dr. Vjosa Osmani nenshkruan Marreveshjen.

-U.d. e Presidentes dr.Vjosa Osmani nënshkruan marrëveshje me USAID-in, falënderon popullin Amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës/

-Grant 33 milionë dollarësh për Kosovën nga  Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

PRISHTINË, 18 Nëntor 2020- Gazeta DIELLI/ Ushtruesja e detyrës e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës përfiton mbi 33 milionë dollarë nga USAID-i.

Kjo Marrëveshje ndërlidhet me Objektivat Zhvillimore të USAID-it për pesë vitet e ardhshme. Më të synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet  llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.

Objektivi i parë zhvillimor përqendrohet në mbikëqyrjen e institucioneve nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa i dyti adopton një qasje më të gjerë ndaj pjesëmarrjes demokratike. Me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës.

U.d. e Presidentes Osmani ka falënderuar popullin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Investimi i vazhdueshëm i ShBA-ve përmes projekteve të ndryshme është konfirmim i përkushtimit të përhershëm të Qeverisë dhe popullit amerikan kundrejt rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të përgjithshëm social e ekonomik të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar u.d. Presidentja Osmani. Ajo ka vlerësuar lart punën e USAID-it, ka potencuar se kjo ndihmë përqendrohet në rritjen e llogaridhënies së vendimmarrësve dhe institucioneve, si dhe në gjenerimin e mundësive demokratike dhe ekonomike për të gjithë qytetarët.

Filed Under: Politike Tagged With: 33 milione dollare, Dr.Vjosa Osmani, per Kosoven

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 310
  • 311
  • 312
  • 313
  • 314
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT